• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

NJË BOTË E STOLISUR NËN HIJESHINË E LULE LETRËS

October 5, 2020 by dgreca

Gazetarja Arjola Alldashi drejtuesja e rrjetit socio-medial “Gratë Shqiptare në Amerikë” në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, zbulon talentin e saj në punimet dekorative dhe artizanale. Një art i trashëguar familjarisht. Dekorime dhe krijime artistike me bazë artizanatin që fillojnë nga një letër e thjeshtë, një ngjitës dhe një palë gërshërë. Me gazetaren Arjola Alldashi bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA-

PUNËT DEKORATIVE PËRTEJ NJË NDJESIE ARTISTIKE  

Pasioni është ai që e mban shpirtin gjallë! Çdo punim me dorë krijon emocion! I kam dashuruar punimet e mia që në fillim kur kam nisur edhe sot vazhdon po i njëjti emocion, pres me padurim ta shoh të përfunduar një punim sepse gjatë rrugës gjithmonë vendos detaje të reja. Lulja mbetet lule e bukur, e brishtë, qoftë ajo natyrale apo artificiale dhe në këtë rast e krijuar me punim dore prej letre!Lulet janë krijuar për t’u dashuruar sidomos nga ne femrat! 

ARTIZANATI SI FORMË SHPREHËSE E TALENTIT, BOTËS SË BRËNDSHME, PËRCEMTIMEVE E NDIJIMEVE  

Puna e dorës është e lodhshme dhe ndonjëherë edhe nuk vlerësohet! Por punimi me dore të fal kënaqësi dhe një paqe shpirtërore kur e sheh të përfunduar! Handmade është një punim i veçantë që nuk e gjen në produktet e përditshmërisë që na është mësuar syri të shohim! Punimet me dorë janë punime specifik, me detaje të veçanta dhe kjo e bën të bukur dhe të veçantë jo vetëm  për sytë por të sjellë edhe shumë qetësi shpirtërore njëkohësisht! Bota e jashtme duket edhe më e bukur kur botën shpirtërore e kemi të mbushur plotë me dashuri që na fal puna apo aktiviteti që bëjmë! Per mua personalisht sot handmade është kthyer në një sport, një aktivitet që më fal shumë dashuri, paqe dhe gëzim! Dhe sa here kam kohe të lirë nuk ndalem se bëri petale lulesh! 

ARTIZANATI NJË ART I TRASHËGUAR FAMILJARISHT

Jam rritur me një ambient ku në çdo cep të shtëpisë do të kishte detaje të punës me dorë; duke filluar nga perdet, mbulesa e tavolinës, divanët apo edhe qilimat të punuara nga mami! Kur shikoja mamin që çfarë i shihte syri i bënte dora duke filluar nga punimet me grep, me shtiza, qëndisje, apo edhe qilimat të punuara nga ajo me aq mjeshteri, më dukej e paarritshme puna e saj e dorës dhe ashtu vazhdon të jetë edhe sot, si gjithë Nënat shqiptare , të papërtueshme dhe duararta! Por them qe e kam trasheguar nje damar nga mami përsa i përket handmade edhe pse une vijë në një formë tjetër! Nga mami unë se bashku me motrat që kur ishim fëmijë dëshira e saj ishte të na mësonte ato që ajo dinte, kam mesuar të qëndis, të bëj punime me grep , disa nga punimet i kam marr me vete në NY të cilat i shoh herë pas here me shumë nostalgji! Por nga momenti qe fillova Universitetin nuk kisha tentuar më të përdorja asnjërën prej tyre derisa u bëra vet Mami! Ndërsa përdorimin e letrës duke krijuar lule për dekorime të ndryshme për ditëlindje , për zbukurimin e dhomave, e kam filluar kur erdha në Ny! Është një talent i ri të cilin ja dedikoj vajzës time, Aelias! Ajo është arsyeja e punës time sot ! Sapo kisha ardhë në Ny ku Zoti më bekoi me një vajzë dhe meqënëse vajza ishte e vogel, shoqëri në atë kohë nuk kisha, isha gjithë kohë në shtëpi unë dhe ajo! Kështu kohën time të lirë fillova të mendoja se çfarë mund të bëja, si mund ta mbushja ditën me gjëra sa më të bukura! Ashtu si çdo mami që mundohet të ruajë sa më shumë kujtime të fëmijëve në foto, edhe unë mundohesha si mund të bëjë foto sa më të bukura për vajzën! Dhe rezultati është ky sot, ku marr porosi nga Nëna të tjera për të zbukuruar ditëlindjet apo dhomat e fëmijëve të tyre, e cila është një dhuratë  shumë e veçantë e realizuar e gjitha me dorë dhe mund të qëndrojë ashtu për shumë vite nëse letra nuk është në kontakt me diellin! Këtë pasion me Zotin gjithmonë para do dëshiroja në të ardhme ta ktheja në biznes duke futur të gjitha elementet që kam mësuar përsa i përket punës me dore që nga fëmijëria e deri më sot! 

ELEMENTËT E PUNËS DEKORATIVE  

Që të fillosh një pune handmade si fillim nuk ka shumë kosto dhe nuk është shume e vështirë ! Për të krijuar lule mjaftojnë shumë pak materiale; letër, gërshërë dhe ngjitëse! Por padiskutim kërkon shumë pasion, dëshirë, vullnet dhe shumë durim! Unë jam natyrë kreative, gjithmonë kam dashur  që dhuratat ti modifikoja vet, të kishte elemente edhe nga duart e mia! Më pëlqejnë gjërat e bukura, të thjeshta dhe të punuara me dorë! Me ndodh shpesh herë të shoh diçka të hedhur në rruge dhe ta marr dhe ta modifikojë. Kështu fillova dhe me përdorimin e letrave! Duke qenë se disa fëmijë janë alergjike nga lulet mendova ti krijoja vet ato për ti përdorur në kujtimet që ruaja për vajzen time! Dhe më vonë më lindi ideja sesi të krijoja diçka shumë të veçantë dhe të bukur për datëlindjen e saj të parë që ajo të kishte një kujtim të bukur nga une nga duart e mamit dhe ja arrita! Të bëhesh Mami është bekim dhe Aelia më falte kaq shumë dashuri sa çdo gjë që unë bëja për të më dukej shumë e vogël në krahësim me dashurinë që ajo më falte! Dhe kjo ishte një arsye që më shtynte çdo herë edhe më shumë për të krijuar çaste sa më të bukura për atë duke përdorur këtë talent që më parë nuk e dija që e kisha!

“HANDMADE” SI FORMË E ARTIT MODERN MBI BAZA TRADICIONALE 

Vitet e fundit handmade është kthyer shumë në modë dhe po i kushtohet një rëndësi e madhe nga brezat e rinj duke futur elementet te modernes me atë tradicionale dhe ka dal nje kombinimshumë i bukur dhe i veçantë!Handmade është një punim specifik që i dedikohet një personi ose një eventi të caktuar, dhe e zgjedhur si dhuratë është shumë e zgjedhur nga ana e personit që i dedikon! 

NJË DHUNTI ARTISTIKE QË VAZHDON TË TRASHËGOHET TE VAJZA

Aelia është rritur mes luleve të përgatitura me material letre dhe e di që sa herë une marr letrat çfarë do bëjmë! Është duke pritur me padurim datëlindjen  e saj që të pergatisim së bashku numrin 4 dhe ka kërkuar një numër shumë  të madh! Sa herë që unë marr porosi, ajo me pyet!? Mami është për mua ?!  Ka shume dëshirë të më ndihmojë dhe sa herë ulem të përgatis diçka do marr gërshërët e veta dhe do vijë prane meje duke me thënë,” Aelia do ndihmojë mamin”! Ka qënë  vetëm 1 vjeç kur për herë të parë ka prishur komplet një shoortë me lule që kisha përfunduar! Vjen me vrap dhe shumë e lumtur dhe më thotë mami e rregullova ( nuk kishte lënë lule pa hequr dhe pa grisur por asaj i dukej shumë e bukur ajo që kishte bërë) por ajo ka qenë hera e fundit ndërsa tani përpiqet të më ndihmojë pavaresisht se më shumë punojë kur ajo fle !

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjola Alldashi, Hijeshia e luleve, Sokol Paja

KRYETARI I VATRES U PRIT NGA PRESIDENTI I SHQIPERISE

October 5, 2020 by dgreca

-Kryetari i Vatrës z. Berisha u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, sot me 5 tetor. Te Marten, 6 Tteor, ai do të mbajë një ligjëratë në Universitetin”Luarasi”…

Pas vizitës në Kosovë, Kryetari I Vatrës z. Elmi Berisha,ndodhet në Tiranë. Ai është pritë nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta të Hënën në mëngjes,5 teror 2020.

Kryetari i Vatrës i prezantoi presidentit platformën Kombëtare të Vatrës dhe nënshkrimin e Memorandumit më Minsitrinë e Jashtme e të Diasporës të Republikës së Kosovën, nënshkruar në Prishtinë me 3 tetor 2020.

Me këtë rast Presidenti Ilir Meta shkroi në statusin e tij në rrjetet sociale:

I lumtur të takohesha dhe të bisedoja me z.Elmi Berisha, kryetar i Organizatës Panshqiptare “Vatra” dhe ta falenderoja për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, zhvillimin e demokracisë në vendin tonë dhe për lirinë e Kosovës që kjo organizatë ka ofruar që nga gjeneza e saj.

“Vatra” çdoherë dhe në çdo kohë, që nga themelimi i saj, nga Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe të tjerët, ka ditur të mbajë qëndrim të drejtë në lidhje me fatet e kombit dhe me forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Kemi nevojë për një riangazhim edhe më të fortë të “Vatra”-s, në mbrojtjen e interesave kombëtare, por edhe fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

E garantova z.Berisha për mbështetjen time me këtë drejtim, duke i uruar suksese në drejtimin e “Vatra”-s.

Te Marten, kryetari i Vatrës do të mbajë një ligjëratë në Universitetin”Luarasi” në kryeqytetin e vendit. Gjithashtu ai ka në axhendë edhe një takim me akademikun Prof. Dr. Beqir Meta dhe grupin e studiuesëve që po merren me hartimin e Historisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” sipas dokumenteve të arkivave.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Kryetari i Vatres, Presidenti Ilir Meta

LIGA E KOMBEVE- Kombëtarja: Hakmarrje dhe Revolucion Kuqezi

October 4, 2020 by dgreca

Pergatiti:ALBANO KOLONJARI-DIELLI- Nuk ka ftesë për Kapitenin Hysaj, Roshin, Sadikun, Balaj dhe Cikalleshi. Në vend të tyre, për herë të parë, Molla, Doka, Mersionaj, Cokaj dhe Kallaku. 

Në Seria A shpërthen Covid 19. Napoli “bllokon” Hysaj, FSHF “frikë” edhe për lojtarët që luajnë në Itali. 

Tekniku i Kombëtares Edi Reja, bëri të ditur listën e 29-të futbollistëve të thirrur për ndeshjen miqësore me Armenine dhe dy sfidat me Lituanine dhe Kazakistanin të vlevshme për Ligën e Kombeve. Ajo që të bie në sy është, mos thirrja e pesë senatorëve, Kapitenit Hysaj, Roshi, Balaj, Cikalleshi dhe Sadiku. Sipas asaj që raportohet, të pestë këta lojtarë u larguan nga grumbullimi i Kombëtares përpara takimit me Lituanine 0-1 për të marrë pjesë në ceremoninë e fejesës së Odise Roshit. Takimi me Lituaninë ishte një ndeshje për tu harruar për kuqezintë të cilët jo vetëm humbën në Tiranë 0-1, por loja që ata zhvilluan ishte larg cdo perfomance. Hakmarrje, për thyrrjen e disiplinës, për humbjen e pësuar,  apo “revolucion” sic e quan Reja? Sipas italianit kuqezi:”Unë kam komunikuar me Napolin dhe klubi më ka kërkuar të mos e grumbulloj Hysaj, sidomos pas ndeshjes me Xhenoan, ku është raportuar edhe për 14 raste me Corona virus”. Në fakt sipas lajmeve të fundit që vijnë nga Italia, ekipi i Napolit nuk është nisur drejt Torinos për takimin me Juventusin dhe shkak për këtë është situata me Covid 19, pas ndeshjes me Xhenoan. Kapiteni Hysaj u ndërshkua me karton të kuq në takimin me Lituaninë dhe pritej që ai të mos aktivizohej në takimin e kthimit me lituanezët. Përsa i përket sulmuesëve, Cikalleshi, Balaj dhe Sadiku, tekniku Reja, theksoi se ata janë:”jashtë formës së tyre”. “Roshi është i dëmtuar nga informacionet që kam nga stafi mjekësor. Cikalleshi nuk është në formën e duhur fizike dhe vendosa të mos e grumbulloj. Balajn e kam patur këtu dhe kështu vendosa të mos e thirrëras për këto ndeshje”, u shpreh Reja ne koferencën për shtyp. Në fillim të takimeve të Ligës së Kombeve Shqipëria ishte favorite për tu renditur në vendin e parë, por situata me Covid 19, ka bërë që situata të ndryshojë:”Kam vështirësi, sepse siç e thashë, lojtarët nuk janë në formën duhur. Nuk dua të gjej justifikime, nuk ka justifikime kur humbet, por siç e thashë është një moment shumë i vështirë për të punuar. Do përpiqem të ulem me skuadrën, të flas, të shoh gjendjen e tyre dhe do përpiqemi të kemi një ekip sa më të bashkuar për të përballuar si duhet këto tre ndeshje. Ne do përballemi me Lituaninë dhe Kazakistanin të cilat janë skuadra që nuk e kanë një problem të tillë me lojtarët e tyre. Kanë lojtarë që luajnë rregullisht në kampionatet e tyre, janë në formë të mirë dhe janë krejt ndryshe nga ne. Gjasula gjithashtu ka ndryshuar skuadër, vetëm portierët nuk kanë ndryshuar skuadër. Pothuajse të gjithë lojtarët kanë ndryshuar dhe e kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe merkatoje”, u shpreh Reja. 

Porta. Marco Molla risia dhe supriza e tekinut Edi Reja.

Kapiteni i Partizanit Alban Hoxha nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për këto takime. Super Liga Shqiptare është në bojkot dhe portieri i kuq duke mos patur asnjë aktivizim është preferuar të lihet jashtë. Marco Molla është supriza dhe risia e teknikut Edi Reja për këtë grumbullim. Portieri i Bolonjës U 19-të ka qënë më përpara pjesë e ekipeve të moshave kuqëezi, por më pas u largua për të veshur bluzën e ekipit Përfaqësues Italia U-17, me të cilën u aktivizua 14 ndeshje në Kampionatin Europian dhe atë Botëror për U-17. Portieri Marco Molla ishte pjesë edhe e Italisë U18, me të cilën u aktivizua në tre ndeshje, ndërsa tek skuadra e të rinjve të Bolonjë është portier i parë. Duket se pas bisedimeve me teknikun Reja Molla ka vendosur të  përfaqësojë Kombëtaren Shqiptare dhe do të jetë në  krah të dy emrave si Etrit Berisha e Thomas Strakosha që luajnë në Seria A. 

Mbrojtja.

Tekniku Reja pëlqen të luajë me tre mbrojtës. Gjimishti, Demarku dhe Kumbulla do të jenë të besuarit e tij në këto sfida. Ajo që të bie në sy është thirrja e Raman Çepele, ish lojtari i Interit dhe Italisë U-17. Pak ditë më parë Çepele, u largua nga Interi për të nënshkrua një kontratë në Gjermani me ekipin Hannover 96. Çepele ishte i pranishëm edhe në dy takimet Bjellurus-Shqipëri 0-2 dhe Shqipëri-Lituani 0-1, por pa mundur të aktivizohet. Jon Mersinaj, është mbrojtës dhe luan me NK Lokomotiva Zagreb. Ai është aktivizuar 4 ndeshje me U-21 të Shqipërisë. Fillimet futbollistike i ka në FK Tiranën dhe shkollën e mjeshtrisë sportive Tiranë me ekipin e Shkëndisë. Kjo është hera e parë që Mersinaj thërritet në ekipin Kombëtar. Dhe sëbashku më te edhe Albi Doka. Isht futbollisti bardheblu aktivizohet me HNK Gorica në Slloveni. Doka është kontigjent i ekipit U-21. 

Revulucion edhe ne mesfushe. 

Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Endri Çekiçi janë tre emëra të rinj në listën e teknikut Edi Reja që do ti bashkohen Lenjanit, Bares, Uzunit, Gjasulës, Abrashit, Selahi dhe Ramadanit dhe do të luftojnë për një vend titullari.  Mesfushori Sherif Kallaku, këtë verë kaloi nga Teuta tek NK Lokomotiva e Zagrebit në të cilën luajnë edhe Çokaj dhe Mersinaj. Kallaku dallohet për fantazinë dhe goditjet nga distanca. Enis Çokaj cilësohet nga tekniket e Lokomotivës së Zagrebit si një mesfushor me të ardhme. Gjithashtu vlerësime ka edhe për “pogradecarin” Endri Çekiçi i cili luan për NK Olimpija Ljubijana, ku në sezonin e kaluar në 38-të ndeshje shënoi 16 gola. 

Sulmi. Reja i beson të ardhmes:”Po ndërtojmë Shqipërinë 2024″.

Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Xhakomo Vrioni, dhe rikthimi i Taulant Seferi-t. Tekniku Reja, ka vendosur ti besojë sulmin në këto tre ndeshje atyre që cilësohen si e ardhmja e sulmuit kuqezi. “Ka qenë projekti me Dukën që ne të formojmë një skuadër për vitin 2024. Pa lënë pas këto ndeshje, por projekti i madh është 2024. Në sul kam marrë kam marrë lojtarë si Vrioni, Kamberi apo Broja, të cilët janë rreth 20 vjeç dhe më pas do të jenë më të pjekur”.

Sipas teknikut Reja objektivat e Kombëtares kuqezi janë po ato:”Sa i përket objektivave, e thashë që nuk kanë ndryshuar. Ne jemi po në të njëjtat pozita, nisemi nga zero, kemi të gjithë pikë të barabarta në grup, kështu që çdo gjë nis nga e para. Nëse sigurisht bëjmë një paraqitje të mirë, do të mundohemi të marrim maksimumin. Nëse nuk ia dalim dot pastaj, shohim përpara. Por problemi më i madh është gjendja e lojtarëve, të cilët mezi pres t’i shoh.” Tekniku Reja thotë se, Kapiteni i skuadrës për këto tre ndeshje në mungesë të Hysajt do të jetë portieri Berisha:”Sa i përket kapitenit, dihet që kur mungon Hysaj, kapiteni i skuadrës është Berisha. Kjo është një çështje e zgjidhur dhe mund të them që edhe Cikalleshin e shoh si një lojtar që mund të jetë një kandidat në të ardhmen, pasi ka vite që luan me skuadrën dhe ka goxha ndikim te skuadra. Sa i përket kapitenit, zgjidhja i përket lojtarëve të cilët e kanë votuar për Hysaj dhe vendosin ato për liderin e tyre”. 

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Marco Molla

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Albi Doka, Frederik Veseli

Mesfushorë: Ermir Lenjani, Keidi Bare, Lindon Selahi, Myrto Uzuni, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Endri Çekiçi

Sulmues: Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Xhakomo Vrioni, Taulant Seferi

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Edi reja, Hakmarrje Kuqezi

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (5)

October 4, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY–

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka

      Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

“Enver Hoxha o tungjatë jeta

            Sa kto male o sa kto shkrepa.

        Emnin shqipes o lart i a ngrite 

          Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë            5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit                              5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit           40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %   
  5. Ish oficerë Sigurimi                                                  15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMOKRATURË (5), DIKTATURA NË DEMOKRATURË (5), Eugjen Merlika

SOT GJERMANIA PUNON PËR NJË EVROPË TË BASHKUAR E SOLIDARE

October 4, 2020 by dgreca

Nga HEIKO MASS*- Përktheu Eugjen Merlika-

   “Tani mund të rritet së bashku  ajo që ka lindur për të qëndruar së bashku”. Të gjithë në Gjermani e njohin këtë thënie të Willy Brandt-it. Ende sot në Gjermani i a bashkëngjisim këtë frazë automatikisht  ribashkimit të dy pjesëve të Vendit tonë, të shqyera nga muri dhe telat me gjëmba, të kryer 30 vite më parë. Megjithatë , kush vëren me kujdes më të madh  mund të dyshojë që Willy Brandt mendonte me të vërtetë vetëm për Gjermaninë. Në fakt, që të nesërmen e  ditës së rënies së murit ai thonte se po ndodhte “diçka e madhe (…) që pjesët e Evropës do të rriteshin përsëri së bashku”.

            Bashkimi i Gjermanisë është bashkimi i Evropës: të dyja janë e do të mbeten të lidhura pazgjidhshmërisht. Në Laipsig, Berlin, Drezden dhe në shumë vënde të tjera të Gjermanisë lindore qindra mijra vetë kanë manifestuar për lirinë e tyre. Por edhe n’Evropën qëndrore e lindore, burra e gra kanë vërshuar nëpër rrugë kudo, dhe me vullnetin e tyre për lirinë, kanë rrëzuar mure e tela me gjëmba. Nuk do t’a harrojmë. Pa besimin e dhënë në një Gjermani evropiane e paqësore nga partnerët tanë evropianë, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga drejtuesit e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, nuk do të kishte qënë i mundur politikisht të sendërtohej ribashkimi. Prandaj mirënjohja jonë për bashkimin gjerman do të jetë gjithmonë e pandarë nga bindja e patundur se e ardhmja e Gjermanisë nuk mund të qëndrojë veçse në një Evropë me të vërtetë të bashkuar. Kjo është e vetmja përgjigje përfundimtare “çështjes gjermane” që ka shqetësuar dhimshëm Evropën në shekullin e shkuar.

            “Më shumë Evropë” nuk ka qënë kurrë  pra çmimi që ne gjermanëve na është dashur të paguajmë për ribashkimin, porse një fitore e mëtejshme historike e jona” Prandaj është e arsyeshme që “sendërtimin e Evropës së bashkuar” t’a futim në të njëjtin nen të Kushtetutës sonë që më parë përmbante synimin e ribashkimit gjerman.

            Etapat e mëdha themelore që kanë pasuar njëra tjetrën që atëherë janë të njohura mirë: krijimi i Bashkimit Evropian nëpërmjet Traktatit të Maastrihtit, Bashkimi Ekonomik e Monetar, Traktati i ynë aktual i Lisbonës e, mbi të gjitha, hyrja e Shteteve të Evropës qëndrore e lindore, vullneti i të cilëve për liri e dinamizmi janë bërë nxitësit vendimtarë për një bashkim evropian të mëtejshëm, jo vetëm si një treg i përbashkët më i madh, por edhe si një bashkësi vlerash.

            Mbas 30 vitesh ribashkimi belegët janë shndërruar: kriza e Coronavirusit nuk i shohet thjesht krizave të tjera, si lindja e kombëtaristëve të djathtë e të populistëve në gjithë Evropën, shemëria në rritje mes SHBA dhe Kinës dhe rreziku i dizinformacionit për demokracitë tona. Pandemia i shton dhe i rëndon këto kriza. Duhet t’i gjejmë një përgjigje të vërtetë evropiane atyre, pikërisht siç kemi bërë 30 vite më parë. Përgjigjia është e njëjta që kemi dhënë në periudhën e mëtejshme të ribashkimit të kontinentit tonë: kemi nevojë për solidaritet në brendësinë tonë, në mënyrë që Evropa të mundë të shpallë në mënyrë sovrane vlerat dhe interesat e saj kundrejt botës së jashtëme. Solidariteti e sovraniteti janë dy faqe të së njëjtës medalje.

            Në muajt e fundit kemi vërtetuar se Evropa mund të veprojë në mënyrë solidare përbrenda saj: së fundi duke miratuar një paketë masash ndihme të panjohur më parë, për të cilin të gjithë bashkëndajmë përgjegjësinë. Duam të bëjmë më shumë hapa përpara gjatë e mbrapa gjashtëmujorit tonë të Kryesisë së Këshilli të BE: të fuqizohet e gjithë Evropa, që duhet të jetë shoqërore dhe përtëritëse. Të ngjizet një ekonomi evropiane e qëndrueshme, me synime të lakmueshme për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit. Të përshtatet bilanci i ardhshëm i Bashkimit Evropianme themelet e vlerave të bashkësisë sonë. Kështu lind një Evropë në gjëndje të mbrojë vlerat e saj e të shpallë interesat e saj në botë. Nga blerja e barnave e të vaksinave, tek tejkalimi i krizave në afërsitë e saj deri tek mbarështimi më aktiv i kthesës dixhitale.

            Në të gjithë këto fusha “më shumë Evropë”do të thotë më shumë sovranitet i bashkëndarë, më shumë aftësi veprimi, më shumë ndikim në botën e së nesërmes. Për të sendërtuar gjithë këto kemi nevojë për të njëjtin besim, të njëjtin dinamizëm me të cilët popujt e Evropës qëndrore e lindore kanë fituar bashkimin dhe lirinë 30 vite më parë. Prandaj dëshërojmë që “Konferenca për t’ardhmen e Evropës” të fillojë punimet para fundit të gjashtëmujorit të Kryesisë sonë. Në mënyrë që qytetaret e qytetarët evropianë të mund të diskutojnë së bashku mbi rrugëdaljet nga krizat dhe mbi Evropën e viteve 2025 apo 2030, hapur edhe në mënyrë të kundërt. Sepse për të arritur bashkimin, nuk duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje që nga fillimi. Një nga pikat e fuqisë s’Evropës qëndron në ndryshueshmërinë tonë, me kusht që të mos harrojmë atë që na bashkon: vlerat tona. Ne gjermanët e dijmë sa është e vështirë rritja së bashku. Po gjithashtu dijmë se çdo mundim do të ketë shpërblimin e tij. Ja sepse sot zotohemi për bashkimin evropian me të njëjtin gjakim (pasion) me të cilin 30 vite më parë   jemi zotuar për bashkimin gjerman. Në mënyrë që të rritet së bashku ajo që është e lindur për të qëndruar së bashku.

            Corriere della Sera, 2 tetor 2020               Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Evropa e Bashkuar, gjermania, HEIKO MASS*- Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT