• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

JO KOSOVA NË HAGË, POR HAGA NË KOSOVË…

November 13, 2020 by dgreca

Nga Visar Zhiti-

Çuarja në Gjykatën e Hagës tani e disa prej krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendit ballkanik, me histori dramatike, të shkëputur nga dheu amë nga Fuqitë e mëdha dikur, por që mblodhi botën e përparuar, Europën e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, që, si të thuash, bëri luftën e parë morale për të drejtat e njeriut, për shpëtuar një popull që po e vrisnin dhe ç’mbetej prej tij po e shkulnin nga trojet e tyre dhe kur ky vend u çliruar dhe u shpall Republika e Kosovës, më e reja në botë, e ata, krerët e U.Ç.K.-së zunë postet të larta drejtuese, ministra, kryeministra, kryetarë parlamenti, presidentë, 20 vjet pas luftës arrestohen dhe Haga i marr me avionin e saj për t’i gjykuar për krime lufte, më shumë se sa një akt drejtësia, duket si një aksion i rëndë revanshi, goditje e asaj lufte çlirimtare, sfidë aleancës Euro-Atlantike, prishje të ekuilibrave politikë në rajon dhe me gjerë dhe alarm për një luftë të re të makinerisë ushtarake Serbe, në përkujdesin e aleatit të saj të vjetër, Moskës. Kështu duket. Shqetësimi është i madh. Intelektualë, shkrimtarë, klerikë, gazetarët patjetër, edhe politikanët e lartë, që zakonisht në ngjarjet kritike kursehen në qendrime dhe në të folur, por presin, ndërkaq edhe personalitete të huaja, amerikanë, etj, dhanë në media opinionet e tyre, një pjesë, më e madhja besoj, duket se është kundër marrjes ashtu në Gjykatën Speciale të Hagës, nërsa një pjesë tjetër shprehen se duhen gjykuar, cilëtdo qofshin, nëse kanë bërë krime lufte e më pas, ndaj robërve apo civilëve dhe rivalëve të tyre politikë. Drejtësia duhet patjetër. Ne, si popull jemi të vonuar në këtë drejtim. E befas, si në shumë çështje e kriza politike, që vijnë më së shumti prej atyre ekonomike e morale, befas rrëmbehemi e dalim dhe kundër vetes dhe përfitojnë të tjerët, sidomos kundështarët, thënë troç, se jemi në Ballkan, armiqtë e kombit tonë. 

Gjykata Speciale e Hagës u krijua me miratim nga Kosova vetë, nga parlamenti i saj, me nxitjen dhe mbështetjen nga „Ndërkombëtarët”, nga OKB-ja dhe Drejtësia e madhe duhet të veprojë me drejtësi të lartë. Të gjykojë patjetër krimin, ta ndëshkojë tek cilido qoftë, që ka kryer krime, por jo dhe popullin nga ata kanë dalë, as vendin e tyre e luftën e tyre për liri. Krimi ndodhi në Kosovë. Shtetëror nga ana e Serbisë. I hatashëm për sytë e botës. Kombëtar. Goditej kështu një tjetër komb, Genocit i urryer. Madje bënin si të krishterë kundër një vendi, sipas tyre mysliman, me një fondamentalizëm që e sponsorizonin po vetë ata. Kur dihet që shqiptarët ishin të krishterët e parë në Ballkan dhe manastiret dhe kishat e mbetura, sipas historianëve ishin të vendasve, pastaj u konvertuan si të ardhacakëve sllavë, etj, etj, dhe sunduesi serb para 20 vjetësh, me Hitlerin e fundit në Ballkan, Millosheviçin, pasi i kishte shkelur të drejtat si popull shqiptarëve në Kosovë, të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, telsa bashkëjetonin në perandorinë e vogël dhe artificiale të Jogosllavisë, i dogji dhe e i vrau barbarisht. Plaçkiti dhe përdhunoi. Dhe falë përvojës së tyre shtetërore, diplomacisë dhe aleancave, propagandës dhe botimeve, investimeve gjithandej, tani kanë marrë rolin e viktivës dhe në vend të tyre gjykohet viktima më shumë. Dhe në vendin e viktimave nxisin krimin, politik, fetar, ordiner dhe e shpërndajnë këtë imazh. Unë them them se ka dy aspekte me rëndësi situata e tanishme. E para, nuk duhet të shkojë në asnjë mënyre Kosova në Hagë, por Haga mund dhe duhet të shkojë në Kosovë, – dhe kjo e dyta është e dyta. Që s’janë njëjta gjë. Shqiptrët luftuan për liritë dhe të drejtat e tyre si komb dhe njerëz në trojet e tyre, te pragu i shtëpive të tyre, që ua dogjën dhe u vranë familjarët, pleq e fëmijë e u përdhunuan gra e vajza, një turp i ndyrë e çnjerëzor. Gjykata e Hagës duhet të thërrasë në Hagë kriminelët serbë, që bënë krimet në popull tjetër, në shqiptarë. Me kujdes dhe siguri të plotë, duke i veçuar nga populli dhe intelektualët e saj, jo ata shovinistë, se serbët janë dhe një popull i emancipuar, me kulturë dhe dije. Dhe në qoftë se duhet ndihmuar Kosova, shteti i saj i ri, i brishtë, i kollajnëpërkëmbur, por që ka, në fund të fundit, një popull dinjitoz, fjalë pakë, të urtë dhe trim, me intelektualë të nivelit europian, me artistë të njohur nëpër botë, po aq sa serbët, në mos më shumë sot, nëse duhet luftuar korrupsioni dhe krimi në Kosovë, që janë, por dhe që sponsorizohen nga përreth, drejtësia duhet të veprojë e fortë, e ashpër, por brenda në Kosovë. Pra, të vijë Haga aty, se nuk mund të çohet liria e Kosovës, ëndrra e Kosovës, simboli botëror i Kosovës në bankën e të akuzuarve në tjetër vend. Bota s’mund të dalë kundër botës. Prandaj dhe qëndrimi i krerëve të U.Ç.K.- ishte aq dinjitoz, amblematik, prekës, se merrnin fuqinë nga lufta e drejtë, trimërore e tyre, nga bekimi i popullit të tyre dhe mirëkuptimi i botës së përparuar. Gjykatësit dukeshin të vëmendshëm, madje të hipnotizuar, që përpara tyre s’kishin kriminelët, por heronjtë. Në Kosovë e dinë më më mirë se kush janë. Dhe nëse drejtues të luftës së Kosovës kanë prishur paqen, ka akuza për ta, natyrisht të gjykohen nga drejtësdia e popullit të tyre, edhe me ndihmën e atyre që erdhën për ta çliruar Kosovën. Dhe gjyqi  të bëhet në Prishtinë. Degradimi dhe rënia në paqe, nëse janë aq kriminale, gjithsesi duhen ndarë nga lavdia e luftës, pa u cënuar ajo meritë heroike. Kosova nuk mund të shkojë në Hagë. Që Drejtësia e Hagës të mos duket sikur ka në sirtarin e saj dosjen e pergatitur nga Serbia, nga zyrat e atyre që bënë genocidin më kriminal mbas Luftës së Dytë Botërore. Presidenti i sotshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte ministër i propagandës së makinerisë së luftës së çmendur të Millosheviçit, Kasapit të Ballkanit, kur ata digjnin dhe vrisnin Kosovën, ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i sapo dorëhequr për të shkuar në gjyqin e Hagës, luftonte për të mbrojtur popullin e tij nga ata, që janë të qetë, por shqetësojnë të tjerët, sidomos Kosovën. Edhe qeveria shqiptarë, politikanët e saj të lartë, pozitë dhe opozitë, diplomatët, duhet të kenë patjetër parasysh në marrëdhëniet me Serbinë historinë dhe aktualitetin, krimet shtetërore dhe prapaskenat e dëmshme të tyre, rrjetin agjenturor, etj, dhe të guxojnë jo vetëm të duan marrëdhënie të mira, të domosdoshme patjetër, por të mbajnë qendrime serioze ndaj shtetit Serb, ende të pa penduar, jo vetëm antiKosovë, por dhe antieuropian dhe anti Aleancës Atlantike, një shtet ballkanas që po kërkon revansh duke u armatosur rishtas nga Rusia e Putinit. Përvoja e Enver Hoxhës me Titon mbetet katastrofale për kombin tonë. Ne vazhdojmë të jemi të ndarë prej saj dhe humbës me një permanencë dëshpëruese. Kur Kosova është shqiptare dhe Shqipëria pa Kosovën, ashtu siç nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Natyrisht të bashkuara në Bashkimin Europian. Në aleancë dhe besnikëri me mikun jetik të kombit tonë, SHBA-në.

  Në Hagë më parë duhet të ishin Vuçiçët. Se ndryshe do të duhet një Hagë për Hagën.

Filed Under: Opinion Tagged With: JO KOSOVA NË HAGË, POR HAGA NË KOSOVË, Visar Zhiti

PSE U MBYLL GJERMANIA DHE A I DUHET SHQIPËRISË NJË MBYLLJE E DYTË?

November 12, 2020 by dgreca

Dr. Marsela Ceno, Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka argumentuar arsyet se pse u mbyll Gjermania dhe shpreset se Shqipëria duhet të kishte zbatuar me kohë rekomandimet dhe masat e  marra nga vendet kryesore te Europës si Gjermania dhe Franca për një lockdown,  mbyllje të dytë duke iu referuar numrit të lartë të rasteve të reja dhe sistemit të mbingarkuar shëndetësor që sipas të dhënave jozyrtare duket se është afër kolapsit.

PANDEMIA GLOBALE, PSE U MBYLL GJERMANIA?

Krahasuar me javën e kaluar, numri i infeksioneve në Gjermani vazhdon të rritet. Është arritur numri më i lartë i vdekjeve të shkaktuar nga Covid 19 që nga prilli 2020. Sipas Institutit Robert Koch (RKI) të Mërkurën në mëngjes në datën 4 nëntor 2020 u regjistruan 18,487 raste të reja të infeksionit. Numrat e rinj janë shumë poshtë numrit rekord të 23,399 rasteve që instituti numëroi të shtunën e kaluar. Por ato janë më të larta se një javë më parë: shtatë ditë më parë, RKI raportoi rreth 17,000 raste të reja. Sipas shifrave të fundit nga RKI, gjithsej 705,687 raste të infeksionit janë regjistruar në Gjermani që nga fillimi i pandemisë. Numri i vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Gjermani u rrit në 11,767 – 261 më shumë se një ditë më parë. RKI vlerëson se rreth 454,800 njerëz tani janë shëruar. Sipas raportit të situatës së RKI nga e marta në mbrëmje, e ashtuquajtura R shtatë-ditore ishte 0.92 (një ditë më parë: 0.98). Kjo do të thotë që 100 njerëz të infektuar teorikisht infektojnë rreth 92 persona të tjerë. Vlera paraqet shfaqjen e infeksionit 8 deri në 16 ditë më parë. Nëse është nën 1 për një kohë të gjatë, procesi i infeksionit qetësohet. Ndërkohë, klinikat gjithnjë e më shumë po arrijnë kufijtë e tyre në pandemi. Në shumë klinika në të cilat pacientët e shpeshtë Covid-19 duhet të trajtohen, stafi infermieror është tashmë në  limit. Rritja e numrit të infektsioneve të reja detyroi Kryeministren Merkel të merrte vendimin për futjen në fuqi të Lockdoën të dytë që nga data 1 nëntor. Që prej dy javësh, në të gjithë Republikën Federale të Gjermanisë janë të mbyllura të gjitha restorantet, lokalet, sallat e sportit, sallonet e estetikes pra cdo vend në shërbim të aktiveteve të lira. Në disa qytete me dëndesi të madhe të popullsisë apo rritje të madhe të numrit të infeksioneve të reja, është vënë me detyrim mbajtja e maskave edhe në hapësirat e hapura.

PROTESTAT KUNDËR MASAVE TË MBYLLJES NË GJERMANI

Protestat në Gjermani janë rregjistruar që në fillimin e pandemisë në prill të këtij viti.  Disa janë të drejtuara kundër masave shtetërore të miratuara në bazë të Aktit të Mbrojtjes së Infeksionit, duke përfshirë kufizimet e daljes dhe kufizimet për të drejtën e tubimit. Disa nga këto demonstrata janë të diskutueshme, veçanërisht për shkak të mungesës së distancimit ose shpërndarjes së dezinformatave në lidhje me pandeminë COVID-19, teoritë e konspiracionit dhe deklaratat anti-kushtetuese. Demonstrata të tjera drejtohen kundër çmimeve të qirasë ose transportit të mbetjeve bërthamore ose kërkojnë solidaritet me refugjatët. Marshimet e Pashkëve dhe tubimet e 1 majit gjithashtu u zhvilluan gjatë pandemisë. Përveç kësaj, protesta kanë ndodhur gjithashtu në Gjermani që nga fundi i majit si pjesë e lëvizjes globale Black Lives Matter. Në disa shtete federale, gjykatat administrative, urdhëresat e policisë ose komunave ndaluan ose kufizuan disa protesta. Më 15 Prill, 2020, Gjykata Federale Kushtetuese përjashtoi një ndalim të përgjithshëm të mbledhjeve për më shumë se dy persona si të papranueshëm. Nga Prilli 2020, tubime kundër masave të qeverisë tejkaluan numrin e personave të rregjistruar të paparalajmëruar, kështu që u shpërndanë nga policia. Kishte gjithashtu kundër-tubime që ishin të drejtuara “kundër ideologëve konspirativë, ezoteristëve të krahut të djathtë dhe ekstremistëve të djathtë”.

BIONTECH DHE PFIZER GATI TË HEDHIN NË TREG NJË VAKSINË EFIKASE KUNDËR COVID 19

Që prej datës 9 nëntor mberriti në Europë lajmi se Firma Biontech ne Gjermani dhe Pfizer ne USA janë gati të hedhin në treg një vaksinë efikase kundër COVID 19 pasi të lëshohet drita jeshile nga FDA. Më shumë se 150 milion vaksina janë llogaritur të shpërndahen tek popullsia e riskut në Europë. Po bëhen plane për të kategorizuar grupet e popullatës që do të përfitojnë në fillim nga vaksina, si psh. Punonjësit e shëndetësisë, mjekët dhe infermierët, policët dhe mësuesit. Mendohet dhe shpresohet që vaksina të jetë në treg në fillimin e 2021 duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm dhe inkurajues në fitoren e shkencës kundër SARS CoV 2.

DËMI I PANDEMISË NË SHËNDETIN MENDOR TË POPULLSISË

Korona virusi mund të shkaktojë sëmundje fizike, por për shumë njerëz pandemia gjithashtu ka pasoja të rëndësishme për shëndetin mendor. Sipas deklaratave të psikoterapistëve,  çrregullimet e ankthit,  frika për mbijetësën ose falimentimi ekonomik, depresioni janë përhapur në ritme të larta. Nevoja për ndihmë psikologjike ishte veçanërisht e madhe gjatë vales së parë të pandemisë. Shkak kanë qënë frika e infektimit, shqetësimi për të afërmit, frika e vetmisë ose kërcënimi për humbjen e punës. Në fazën e dytë pas mbylljes,  frika mbizotëroi përsëri tek pacientët. Sidoqoftë, në verë ishte relaksimi dhe kthimi në punë që rriti frikën e  sëmundjes tek shumë njerëz. Numri i përgjithshëm i konsultimeve u ul nga maji deri në fund  të shtatorit. Sidoqoftë, kjo kërkesë aktualisht po rritet përsëri – së bashku me numrin e  rasteve dhe lockdown e dytë.

SHQIPËRIA NË SYRIN TËND, ÇFARË PO NDODH ME MENAXHIMIN E PANDEMISË?

Shqipëria duhet të kishte zbatuar me kohë rekomandimet dhe masat e  marra nga vendet kryesore te Europës si Gjermania dhe Franca për një lockdown, mbyllje të dytë duke iu referuar numrit të lartë të rasteve të reja dhe sistemit të mbingarkuar shëndetësor që sipas të dhënave jozyrtare duket se është afër kolapsit. Distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe respektimi i kushteve të higjenës nuk mund të pengojnë tashmë valën e përhapjes së virusit,  në një kohë kur rezultati i një tamponi kërkon ditë të tëra për tu bërë i njohur dhezinxhiri i  kontakteve as nuk dokumentohet dhe as nuk ndërpritet. Prandaj mesazhi dhe apeli im do të ishte që të rikthehej, edhe për një kohë të limituar, një mbyllje e dytë, për të ulur mbingarkimin e  sistemit shëndetësor dhe për tju dhënë në këtë mënyrë të gjithë qytetarëve të prekur mundësinë e marrjes së një shërbimi mjeksor të standartizuar dhe efektiv.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Marsela Ceno, Sokol Paja

MIQSORJA VËLLAZËRORE SHQIPËRI-KOSOVË…

November 12, 2020 by dgreca

  • Liga e Kombeve- Shqipëria ndez motorët në Miqsore me Kosovën
  • Kuqezinjtë fitojnë miqësoren me Kosovën. 17-të vjecari Çepele, debuton me ekipin e parë.

Përgatiti për Diellin: Alban Kolonjari/

Hoxhallari, Çepele, Doka, Selahi do ta mbajnë mënd ndeshjen me miqësore me Kosovën pasi ata debutuan me ekipin Kombëtar. Në mëntrë të vecantë 17 vjecari Ramën Çepele. I lindur në Italy me prindër shqiptarë Çepele që është aktivizuar më parë me ekipet e moshave të Përfaqësueses Italine pranoi të luante për kuqezinjtë. Fillimi i takimit “vëllazëror” u përshkua nga emocione të mëdha kur lojtarët e dy ekipve vendosën dorën në zemrë gjatë ekzekutimit të hymit Kombëtar. Pas një filli të qetë Shqipëria kontrollon lojën dhe në të 31mintë pas një aksioni të shpejtë Uzuni merr një pasim në të majtën  Seferi dhe jep një asist të shkëlqyer në zonë për Balajn, që kalon në avantazh kuqezinjtë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Shqipërinë. Në pjesën e dytë, portieri dhe kapiteni Berisha i lë vendin portierit të Partizanit Alban Hoxha, ndërsa në fushën e lojës Seferi, Balaj dhe Hoxhallari zëvëndësohen nga Hysaj, Manaj dhe Veseli. Në të 64-tën minutë Salahi pason saktë tek Uzuni që godet saktë brenda zonës duke shënuar golin e dytë. 2-0 për Shqipërinë. Teknuki Reja largon nga fusha Uzunin dhe Selahin dhe në vend të ryre Kallaku dhe Ismajlgecin. Në të 85 minutë, Kosova shënon golin e parë nga pika e 11 metërshve me anë të Muriqit. Kjo ndeshje ishte një test në prag të ndeshjeve me Kazakistanin me 15 nëntor dhe Bjellorusinë me 18 nëntor në stadiumin :”AIR ALBANIA”. Në këtë ndeshje në Kombëtaren e Kosovës debutuan Betim Fazliji dhe Mirlind Daku. Ndeshjen nga afër krahas presidentëve të dy federatave, Ademi e Duka e ndoqi edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Tekniku Reja.”Na shërbeu shumë kjo ndeshje, sepse debutuan shumë lojtarë të rinj dhe patëm mundësinë të bënim një vlerësim për ta. Janë disa lojtarë që duhet t’i kemi në konsideratë, sot provuam në aspektin mbrojtës dhe mbeta i kënaqur. Kosova është një skuadër shumë e mirë.

Kapiteni? Kapiteni është votuar në fillim të edicionit nga vetë lojtarët. Nuk ka nevojë për polemika. Kur luan Berisha, është gjithmonë ai kapiteni. Hysaj do të jetë kapiten kur Berisha nuk do të jetë në fushën e blertë. 

SHQIPËRI – KOSOVË 2-1

Golat: Balaj 31′, Uzuni 64′ / Muriqi 85′

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Miqsorja vellazerore

Flamur lufte, flamur dasme

November 12, 2020 by dgreca

Tregim nga Meri LALAJ-

Pali u arratis nga Shqipëria në mesin e viteve ’60, pasi kishte kaluar disa vite në një burg komunist. Nuk do të përshkruaj vuajtjet e jetës së tij dhe se çfarë mundimesh duhej të përballonte derisa kapërceu kufirin, por më së fundi ai ia doli të vendosej në Gjermaninë Perëndimore. Pali ishte nga katundi Rrapsh i Malësisë së Madhe, gjyshi i tij Prenga, pati luftuar përkrah Mehmet Shpendit dhe kishte mbetur i vrarë në kryengritjen e vitit 1911. Pas vendosjes së pushtetit popullor në Shqipëri për familjen e tyre filluan përndjekjet meqë nuk kishin mbështetur komunistët e ardhur në fuqi. Sikurse babai i tij edhe Pali mbeti jetim në moshë fare të njomë, ati i tij vdiq në hetuesi nga torturat e tmerrshme, atij i kërkonin të kallëzonte emrat e burrave, që kishin dalë malit për të përmbysur regjimin e ri.

Disa vite pasi u sistemua me punë në Gjermani, Pali u martua me ndërmjetësinë e  miqve, nusja e tij ishte shqiptare e lindur përtej kufirit në Mal të Zi tek një fshat ballë për ballë Shkodrës. Kaluan vite dhe atyre u lindën tre fëmijë: dy djem e një vajzë emrat e tyre janë shumë kuptimplotë: Kastriot, Gjergj dhe Donika.

Kur fëmijët ishin të vegjël baba Pali dhe nëna Tereza për çdo natë u rrëfenin për vendin e tyre Shqipërinë sa e bukur dhe sa lavdiplotë ishte, sa shumë krenoheshin me vendin e të parëve të tyre, u rrëfenin për Skënderbeun, Ismail Qemalin, Isa Buletinin. U rrëfenin për Ded Gjo Lulin, për betejën më të madhe kur duhej të merrej Maja e Deçiçit. Trimat luftonin duke e mbrojtur njëri tjetrin e duke kursyer plumbat, por flamuri shqiptar duhej ngulur në majë. Kështu njëmbëdhjetë luftëtarë u ngjitën njëri pas tjetrit e binin të vrarë nga plumbat e turqve, midis tyre edhe biri i Ded Gjo Lulit, i plagosur rëndë, ai e futi flamurin në gjoks për të mos rënë në dorë të hasmit. E kur i thanë Ded Gjo Lulit se i biri i tij nuk jetonte më, ai tha: “Mos u ligështoni bre burra. A mos të tjerët i ka pjellë lopa e tem bir nana!? U kjoftë e lehtë deka për Shqypni!” Birin e vrarë të Ded Gjo Lulit e mbuluan me flamurin shqiptar për ta përcjellë në varr dhe ky flamur ruhet edhe sot e kësaj dite në një arkë tek një familje patriotësh shkodranë. Fëmijët e Palit dhe Terezës ndonëse mësonin në një shkollë në gjuhë të huaj, ata për çdo natë mësonin edhe gjuhën shqipe, mrekulloheshin duke recituar e duke ia kaluar njëri tjetrit me vargje që i kushtoheshin kryengritjes së madhe të vitit 1911, ku kishte rënë për atdhe stërgjyshi i tyre. E shtëpia buçiste prej zërave të tyre fëminorë: 

“Kaptuam shtatë male rresht, 

 Dhe s’folëm shtatë fjalë, 

 Kaptuam shtatë male rresht 

 Malësisë për t’ju falë.” 

Apo 

“Dhe Luma bën sulm shqiptar, 

 Rrjedh vrakë e lumë gjaku: 

 Rrok pushkën plaku qindvjeçar 

 Dhe shtatëvjeçar çunaku.”  

Në vitet ’80, kur Donika ishte nxënëse në klasën e dytë, një ditë mësuesja u dha një detyrë në klasë që secili fëmijë të vizatonte flamurin e vendit të vet, pasi në klasën e tyre kishte edhe nxënës të ardhur nga shtetet e tjera. Kur mësuesja kontrolloi detyrat i bëri vërejtje Donikës: “Donika, diçka të mungon te flamuri.” “Jo, mësuese, kurgja nuk më mungon, ne e kemi flamurin e madh shqiptar në murin e korridorit të shtëpisë dhe bash si atë e kam vizatuar.” Mësuesja e porositi se ditën tjetër duhej të sillte prindin në shkollë. Nëna Terezë vajti në shkollë të nesërmen për të biseduar me mësuesen. Ndërkohë mësuesja hapi mbi tryezë Fjalorin Enciklopedik dhe i tregoi nënës së Donikës flamurin shqiptar të kuq me shkabën e zezë dhe yllin në krye. Tereza ia shpjegoi mësueses gjermane se atë yll, që mungonte te flamuri i vizatuar prej Donikës dhe flamurit që kishin ata në shtëpi, ia kishin vënë komunistët dhe familja e tyre pikërisht prej sistemit komunist dhe për shkak të atij ylli ishte e detyruar që të jetonte në mërgim.  

Në mbyllje të vitit shkollor në klasën e katërt; Donika fluturonte prej gëzimit pasiqë nëna Terezë i pati qepur kostumin popullor të Malësisë plot ngjyra të bukura: xhubleta me shirita, jeleku i qëndisur, çorapet me lule, opingat e vogla të bardha ndërkaq shokët dhe shoqet e shkollës ishin grumbulluar rrotull saj duke e parë si të mahnitur. Ata nuk kishin parë kurrë një kostum popullor kaq të mrekullueshëm. Aty pranë saj ndodhej edhe Blerta tetëvjeçare, që pati ardhur me emigrim nga Shkupi. Ajo kishte veshur një fustan të bukur të kuq me flutura të zeza. Në këtë ditë festive nxënësit duhej të parakalonin duke mbajtur në duar secili flamurin e vendit të vet. Donika ishte e lumtur se kishte marrë nga shtëpia flamurin e kuq me shkabën e zezë, por Blerta u mërzit fort pasi asaj i dhanë të mbante flamurin jugosllav, ajo kundërshtoi duke thënë: “Ky nuk është flamuri im, flamuri im është si i Donikës…” Mësuesja nuk mund ta lejonte sepse ajo ishte regjistruar e ardhur nga shteti jugosllav. Dhe vogëlushja ia krisi të qarit. Kur filloi parakalimi Blerta bëri disa hapa me flamurin, që nuk e donte, pastaj ia la në duar atë flamur të padëshiruar një nxënësit dhe vrapoi duke vendosur duart e saj të vockëla tek flamuri i Donikës, sepse ai ishte flamuri, që donte fort, flamuri i nënës dhe babait, flamuri i të parëve të saj.  

Në vitet ’90 menjëherë pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, Donika, tashmë vajzë e rritur, tok me nënë Terezën përgatisnin ditë e përditë pako të mëdha me ushqime dhe tesha, të cilat i dërgonin në Malësinë e Madhe për të ndhmuar të afërmit. Edhe në qytetin e tyre erdhën refugjatë shqiptarë nga ata që u futën në Ambasadën Gjermane. Bashkë me ta ishte Gjeloshi, një student i inxhinierisë mekanike. Ai u njoh me Donikën, familja e saj e ndihmoi për të gjetur punë. Pas pak kohësh të rinjtë u miqësuan shumë me njëri tjetrin dhe një ditë Donika u tha prindërve se kishte vendosur të fejohej me Gjeloshin. Ata këmbyen unazat në Krishtlindje.

Në muajin maj, familja u nis për në Shqipëri për të bërë dasmën atje në Malësinë e Madhe. Donika fluturonte nga gëzimi sepse ishte hera e parë që po vizitonte Atdheun e prindërve të saj. Ajo u mrekullua nga malet e larta, rrëpirat dhe luginat. Ditën e dasmës Donika e veshur nuse me kostumin për këtë rast me shumë ngjyra të larmishme dhe gjoksin ia zbukuronin plot vargje me pare sermi, ajo kishte hipur mbi një kalë të bardhë dhe po priste Gjeloshin veshur e mbathur dhëndër me kostum malësori hipur mbi një kalë të kuq. Prapa tyre me qindra dasmorë ishin rreshtuar varg e varg duke kënduar këngë trimërie, që jehonin skaj më skaj bjeshkëve, ndërsa në krye printe e valavitej në ajër flamuri kombëtar i Skënderbeut i kuq posi gjaku me shkabën e zezë dykrenore.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: flamur dasme, Flamur lufte, MERI LALAJ

NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN DHE MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE

November 12, 2020 by dgreca

  Nga Frank SHKRELI- Ishte fillimi i 1970-ave. Bota ishte e ndarë në dy kampe politiko-ushtarake, atë të komunizmit lindor dhe Perëndimit demokratik. Por kishte filluar edhe periudha e “détente-ës”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – një politikë kjo uljesh të tensioneve midis dy palëve – një politikë që erdhi duke u forcuar me vizitën e ish-presidentit amerikan Riçard Nikson në Moskë dhe takimit të tij me udhëheqsin komunist sovjetik, Leonid Brezhnev, në Maj të vitit 1972.  Ndërkohë kishte filluar edhe thyerja e akullit në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Kinës komuniste me vizitën e Presidentit Nikson në Kinë në Janar të vitit 1972.  Kjo vizitë shënoi gjithashtu një këthesë me rëndësi në marrëdhëniet strategjiko-diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste duke kulminuar, eventualisht, në vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike midis dy vendeve, në Janar të vitit 1979.

Përball gjithë këtyre lëvizjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me dy qendrat kryesore të komunizmit botëror, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë ishte, natyrisht, i shqetësuar dhe shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipërinë komuniste të asaj kohe dhe se si të gjitha ato lëvizje diplomatike midis Amerikës dhe dy qendrave kryesore komuniste të botës — sidomos me Kinën komuniste, deri atëherë aleate e ngushtë e Shqipërisë – do të afektonin zhvillimet në Shqipërinë komuniste. 

Si përfundim i këtyre shqetësimeve të komunitetit, më kujtohet një ndër takimet e para me kongresmenin e zonës tonë elektorale të asaj kohe në Bronks, Mario Biaggi-n, në fillim të viteve 1970-a. Qëllimi ishte për të mësuar më shumë se ç’mendonte ai dhe Kongresi, në përgjithësi, mbi ato zhvillime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe dy fuqive të mëdha komuniste dhe si këto lëvizje mund të afektonin vendet satelite të tyre, përfshirë Shqipërinë.  Më kujtohet se ish-kongresmeni Biaggi qe treguar shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipëri, për të cilën dukej se ishte i mirë-informuar dhe njëkohësisht ofroi bashkpunimin e tij dhe ndihmën për të informuar Kongresin mbi situatën në Shqipëri.  Kongresmeni  Biaggi ishte kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me botën komuniste – ashtu siç ishin edhe shumë kongresmenë të tjerë të dy partive politike – për derisa ato vende shkelin brutalisht të drejtat bazë të qytetarëve të vet dhe të   vendeve të tjera satelite të tyre, siç ishte Shqipëria.  Pas një takimi në Nju Jork me një grup nga komuniteti i atëherëshëm shqiptaro-amerikan, kongresmeni Mario Biaggi, me t’u këthyer në Washington bëri një deklaratë të fortë kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me Kinën komuniste, duke kritikuar, njëkohësisht, edhe marrëdhëniet e Kinës komuniste me regjimin e Enver Hoxhës.

“Zoti Kryetar” – iu drejtua ai Kongresit – “Janë disa që thonë se në vitin 1970 e mbas duhet të jetë koha për uljen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste.  Ata thonë se duhet të jemi miq me ta, të tregëtojmë dhe t’i lejojmë ata që të përhapin influencën e tyre komuniste kudo në botë…Z. Kryetar, unë i them jo kësaj politike pajtuese.  Unë nuk dëshiroj asnjë të mirë nga një miqësi me një shtet, i cili vazhdon të zbatojë një politikë të dominimit botëror komunist.  Sot për sot, vetëm tri shtete janë nën influencën e Kinës së kuqe.  Një ndër këto shtete është Shqipëria”, u ka thënë kongresmeni Mario Biaggi kolegëve të tij ligjvenës amerikanë.  “Nëqoftse regjimi komunist dhe zbatimi i ligjit në Shqipëri janë një shembëll për të gjithë ne se çfarë do të ndodhte nëqoftse Kina e kuqe do të lejohej të përhapte influencën e saj politike dhe ideologjike edhe në shtete të tjera, unë besoj se atëherë Amerika do t’i dënonte ata popuj drejtë ferrit në tokë”, ka thekësuar Biaggi në deklaratën e tij në Kongresin amerikan në fillim të viteve 1970-ave. 

Në fjalimin e tij, kongresmeni Biaggi ka folur për mungesën e lirive bazë nën regjimin komunist në Shqipëri si dhe për vështirsitë e mëdha me të cilat përballeshin shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve jetonin në zonën e tij elektorale në Bronks – për të kontaktuar me familjarët e tyre në atdhe, përfshirë pengesat, madje edhe për të dërguar e marrë letra nga Shqipëria.  Ai pat folur gjithashtu edhe për ligjin kundër fesë, vrasjen dhe internimin e shumë klerikhve due kundërshtarëve të regjimit si dhe mbylljen ddhe shkatërrimin e kishave dhe të xhamive, anë e mbanë vendit, duke e shpallur veten si vendi i parë ateist në botë.

Pasi numëroi një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri — një vend i lidhur ngusht me Kinën komuniste në atë kohë — kongresmeni Biaggi, iu drejtuar kolegëve të tij duke thënë se, akte të tilla të dhunëshme dhe shkeljeve  të rënda të drejtave bazë të njeriut, si këto në Shqipërinë komuniste aleate të Kinës – “Nuk janë tipike të një vendi që kërkon paqë ndërkombëtare dhe miqësi, por janë tipike të vendeve ku mbretëron doktrina e llojit të komunizmit kinez.”  Duke folur për Shqipërinë e atëhershme, ai ka thekësuar se, “Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me regjimin e Shqipërisë dhe me u thenë të drejtën, unë as nuk mendoj se duhet të kemi marrëdhënie me atë regjim.”  

Me atë rast, kongresmeni Mario Biaggi i ka bërë thirje Kongresit Amerikan, “Se nëqoftse duam të ndalojmë krijimin e Shqipërive të tjera dhe të ndalojmë që edhe popuj të tjerë të bien nën kethetrat e tiranive të tilla të tipit kinez, atëherë ne duhet të ndalojmë gjithë tregëtinë dhe shkëmbimin e të dhënave, derisa ata të sigurojnë të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre, udhëtimin e lirë dhe lirinë e fesë”, ka thënë ndër të tjera, ish-kongresmeni amerikan Mario Biaggi në fjalimin e tij para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, në fillim të 1970-ave, ndërsa ka folur mbi marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe me Shqipërinë, si aleate e ngushtë, satelite besnike e Kinës së Mao Tse Tung-ut – pas një takimi që kishte zhvilluar në Nju Jork me një grup shqiptaro-amerikanësh. 

        Shqiptaro-amerikanët në takim me ish-kongresistin amerikan Mario Biaggi, nga e majta në të djathtën, Janar, 1974: Gjon Gjinaj, Tonin Mirakaj, Kongresisti Mario Biaggi, Lume Juka, Nikoll Vneshtaj, Dr. Mons. Zef Oroshi, Frank Shkreli, Fran Sokoli dhe Anton Syku.

Pothuaj 50-vjet nga vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Riçard Nikson në Kinë, Kryediplomati aktual i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo ka deklaruar verën që kaloi se marrëdhëniet me Kinën kanë dështuar dhe se, “Nëqoftse bota e lirë nuk ndryshon Kinën Komuniste, atëherë ajo sigurisht që do na ndryshojë ne” dhe ka bërë thirrje për një grupim vendesh që mendojnë si ne, me qëllim që të përballemi me këtë sfidë, ka thënë ai. 

Ndërkaq, edhe Shqipëria e sotëme ka nevojë për një reflektim të thellë të marrëdhënieve të saja – 30-vjet post-komunizëm — me vende dhe udheheqës autoritarë e diktatorialë që Tirana zyrtare i konsideron sot si “strategjikë” për interesat e Shqipërisë, para se ata “miqë” të mëdhej, të njohur si autoritarë botërisht, ta këthejnë Shqipërinë post-komuniste në një model të tyre të qeverisjes.

Ish-Presidenti amerikan Riçard Nikson në vizitën e tij të parë në Pekin, Janar, 1972

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, historia, komuniteti shqiptaro-amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT