• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN DHE MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE

November 12, 2020 by dgreca

  Nga Frank SHKRELI- Ishte fillimi i 1970-ave. Bota ishte e ndarë në dy kampe politiko-ushtarake, atë të komunizmit lindor dhe Perëndimit demokratik. Por kishte filluar edhe periudha e “détente-ës”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – një politikë kjo uljesh të tensioneve midis dy palëve – një politikë që erdhi duke u forcuar me vizitën e ish-presidentit amerikan Riçard Nikson në Moskë dhe takimit të tij me udhëheqsin komunist sovjetik, Leonid Brezhnev, në Maj të vitit 1972.  Ndërkohë kishte filluar edhe thyerja e akullit në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Kinës komuniste me vizitën e Presidentit Nikson në Kinë në Janar të vitit 1972.  Kjo vizitë shënoi gjithashtu një këthesë me rëndësi në marrëdhëniet strategjiko-diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste duke kulminuar, eventualisht, në vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike midis dy vendeve, në Janar të vitit 1979.

Përball gjithë këtyre lëvizjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me dy qendrat kryesore të komunizmit botëror, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë ishte, natyrisht, i shqetësuar dhe shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipërinë komuniste të asaj kohe dhe se si të gjitha ato lëvizje diplomatike midis Amerikës dhe dy qendrave kryesore komuniste të botës — sidomos me Kinën komuniste, deri atëherë aleate e ngushtë e Shqipërisë – do të afektonin zhvillimet në Shqipërinë komuniste. 

Si përfundim i këtyre shqetësimeve të komunitetit, më kujtohet një ndër takimet e para me kongresmenin e zonës tonë elektorale të asaj kohe në Bronks, Mario Biaggi-n, në fillim të viteve 1970-a. Qëllimi ishte për të mësuar më shumë se ç’mendonte ai dhe Kongresi, në përgjithësi, mbi ato zhvillime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe dy fuqive të mëdha komuniste dhe si këto lëvizje mund të afektonin vendet satelite të tyre, përfshirë Shqipërinë.  Më kujtohet se ish-kongresmeni Biaggi qe treguar shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipëri, për të cilën dukej se ishte i mirë-informuar dhe njëkohësisht ofroi bashkpunimin e tij dhe ndihmën për të informuar Kongresin mbi situatën në Shqipëri.  Kongresmeni  Biaggi ishte kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me botën komuniste – ashtu siç ishin edhe shumë kongresmenë të tjerë të dy partive politike – për derisa ato vende shkelin brutalisht të drejtat bazë të qytetarëve të vet dhe të   vendeve të tjera satelite të tyre, siç ishte Shqipëria.  Pas një takimi në Nju Jork me një grup nga komuniteti i atëherëshëm shqiptaro-amerikan, kongresmeni Mario Biaggi, me t’u këthyer në Washington bëri një deklaratë të fortë kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me Kinën komuniste, duke kritikuar, njëkohësisht, edhe marrëdhëniet e Kinës komuniste me regjimin e Enver Hoxhës.

“Zoti Kryetar” – iu drejtua ai Kongresit – “Janë disa që thonë se në vitin 1970 e mbas duhet të jetë koha për uljen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste.  Ata thonë se duhet të jemi miq me ta, të tregëtojmë dhe t’i lejojmë ata që të përhapin influencën e tyre komuniste kudo në botë…Z. Kryetar, unë i them jo kësaj politike pajtuese.  Unë nuk dëshiroj asnjë të mirë nga një miqësi me një shtet, i cili vazhdon të zbatojë një politikë të dominimit botëror komunist.  Sot për sot, vetëm tri shtete janë nën influencën e Kinës së kuqe.  Një ndër këto shtete është Shqipëria”, u ka thënë kongresmeni Mario Biaggi kolegëve të tij ligjvenës amerikanë.  “Nëqoftse regjimi komunist dhe zbatimi i ligjit në Shqipëri janë një shembëll për të gjithë ne se çfarë do të ndodhte nëqoftse Kina e kuqe do të lejohej të përhapte influencën e saj politike dhe ideologjike edhe në shtete të tjera, unë besoj se atëherë Amerika do t’i dënonte ata popuj drejtë ferrit në tokë”, ka thekësuar Biaggi në deklaratën e tij në Kongresin amerikan në fillim të viteve 1970-ave. 

Në fjalimin e tij, kongresmeni Biaggi ka folur për mungesën e lirive bazë nën regjimin komunist në Shqipëri si dhe për vështirsitë e mëdha me të cilat përballeshin shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve jetonin në zonën e tij elektorale në Bronks – për të kontaktuar me familjarët e tyre në atdhe, përfshirë pengesat, madje edhe për të dërguar e marrë letra nga Shqipëria.  Ai pat folur gjithashtu edhe për ligjin kundër fesë, vrasjen dhe internimin e shumë klerikhve due kundërshtarëve të regjimit si dhe mbylljen ddhe shkatërrimin e kishave dhe të xhamive, anë e mbanë vendit, duke e shpallur veten si vendi i parë ateist në botë.

Pasi numëroi një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri — një vend i lidhur ngusht me Kinën komuniste në atë kohë — kongresmeni Biaggi, iu drejtuar kolegëve të tij duke thënë se, akte të tilla të dhunëshme dhe shkeljeve  të rënda të drejtave bazë të njeriut, si këto në Shqipërinë komuniste aleate të Kinës – “Nuk janë tipike të një vendi që kërkon paqë ndërkombëtare dhe miqësi, por janë tipike të vendeve ku mbretëron doktrina e llojit të komunizmit kinez.”  Duke folur për Shqipërinë e atëhershme, ai ka thekësuar se, “Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me regjimin e Shqipërisë dhe me u thenë të drejtën, unë as nuk mendoj se duhet të kemi marrëdhënie me atë regjim.”  

Me atë rast, kongresmeni Mario Biaggi i ka bërë thirje Kongresit Amerikan, “Se nëqoftse duam të ndalojmë krijimin e Shqipërive të tjera dhe të ndalojmë që edhe popuj të tjerë të bien nën kethetrat e tiranive të tilla të tipit kinez, atëherë ne duhet të ndalojmë gjithë tregëtinë dhe shkëmbimin e të dhënave, derisa ata të sigurojnë të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre, udhëtimin e lirë dhe lirinë e fesë”, ka thënë ndër të tjera, ish-kongresmeni amerikan Mario Biaggi në fjalimin e tij para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, në fillim të 1970-ave, ndërsa ka folur mbi marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe me Shqipërinë, si aleate e ngushtë, satelite besnike e Kinës së Mao Tse Tung-ut – pas një takimi që kishte zhvilluar në Nju Jork me një grup shqiptaro-amerikanësh. 

        Shqiptaro-amerikanët në takim me ish-kongresistin amerikan Mario Biaggi, nga e majta në të djathtën, Janar, 1974: Gjon Gjinaj, Tonin Mirakaj, Kongresisti Mario Biaggi, Lume Juka, Nikoll Vneshtaj, Dr. Mons. Zef Oroshi, Frank Shkreli, Fran Sokoli dhe Anton Syku.

Pothuaj 50-vjet nga vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Riçard Nikson në Kinë, Kryediplomati aktual i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo ka deklaruar verën që kaloi se marrëdhëniet me Kinën kanë dështuar dhe se, “Nëqoftse bota e lirë nuk ndryshon Kinën Komuniste, atëherë ajo sigurisht që do na ndryshojë ne” dhe ka bërë thirrje për një grupim vendesh që mendojnë si ne, me qëllim që të përballemi me këtë sfidë, ka thënë ai. 

Ndërkaq, edhe Shqipëria e sotëme ka nevojë për një reflektim të thellë të marrëdhënieve të saja – 30-vjet post-komunizëm — me vende dhe udheheqës autoritarë e diktatorialë që Tirana zyrtare i konsideron sot si “strategjikë” për interesat e Shqipërisë, para se ata “miqë” të mëdhej, të njohur si autoritarë botërisht, ta këthejnë Shqipërinë post-komuniste në një model të tyre të qeverisjes.

Ish-Presidenti amerikan Riçard Nikson në vizitën e tij të parë në Pekin, Janar, 1972

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, historia, komuniteti shqiptaro-amerikan

LETARGJI E PAPRANUESHME E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN…

February 29, 2020 by dgreca

– PËR DIJENI SEKRETARIT TË SHTETIT TË SHBA, Z. MIKE POMPEO-/

Nga Elida Buçpapaj/

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte shembulli i veprimit dhe ndërgjegjesimit kombëtar!

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan zjente nga veprimtaritë në të mirë të çështjes shqiptare.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte i pari që sensibilizonte administratën Amerikane për çfarë ndodhte nën pushtimin serb në Kosovë.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, në qershorin e vitit 1988, me në krye Joe DioGuardi ishte pjesmarrës nëpër tubimet masive të Shqiptaro-Amerikanëve në të gjithë SHBA, përpara Kombeve të Bashkuara në New York, në Washington DC përpara Shtëpisë të Bardhë dhe Kapitol, për të dëshmuar terrorin e shqiptarëve të Kosovës nën makinerinë e shtetit milosheviçian!

Mendoni, ishte viti 1988.

30 vjet më parë, pa u rrëzuar ende Muri i Berlinit, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kishte një ndërgjegjësim që të mbushte me krenari!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan e bëri të njohur Kosovën e panjohur në SHBA dhe ndikoi që administratat e SHBA dhe gjithë Presidentët e SHBA prej George Bush Senior të kthenin sytë nga çështja shqiptare, si çështje që lidhet jo vetëm me intersat Amerikane por edhe me parimet dhe vlerat e lirisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ndikoi që Atij të cilit i ndrin sot shpirti në Parajsë, Presidenti George W.Bush Senior t’i bënte kriminelit Milosheviç, flakëvënësit të Ballkanit, Paralajmërimin e Krishtlindjeve!

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pjesë e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan e krijuar më 1989, sponsorizoi në Kongresin Amerikan Seancën e parë dëgjimore dhe historike të të Drejtave të Njeriut të shkelura në Kosovë nga Serbia, që u shoqërua me një drekë historike në Sheraton Hotel në NYC ku morën pjesë 2700 Shqiptaro-Amerikanë me sloganin “Liri dhe demokraci për Kosovën!”

Ish-Kongresmeni DioGuardi, 30 vjet më parë, në vitin 1990 bashkë me Kongresmenin Tom Lantosh vizituan Kosovën dhe e denoncuan terrorin e ushtruar si një Geto të Milosheviçit të kohëve moderne alla “Warsaw Ghetto” .

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, me emra të ndritur sollën në Washington DC gjithë elitën politike të trevave shqiptare, duke filluar prej Ibrahim Rugovës e me rradhë, po ashtu i çuan në Kosovë emrat më të spikatur të politikës Amerikane në Kongres dhe Senat si Bob Doll, John McCain, Joe Biden etj etj etj.

Prej rrëzimit të diktaturës në Shqipëri deri tek çlirimi i Kosovës, deri tek ndalja e segregacionit maqedono-sllav dhe Marrëveshja e Ohrit 2001 në Maqedoni, gjithçka që lidhet me lirinë dhe paqen afatgjatë në rajon dhe më gjatë, e ka burimin në SHBA, tek Komuniteti Shqiptaro-Amerikan!

Vdekja e Rugovës pati ndikim negativ në arritjet e SHBA dhe Perëndimit në Kosovë.

Pas shpalljes të pavarësisë më 2008, Kosova rezulton në stanjacion për shkak të lidërshipit, Hashim Thaçit, ose Gjarpërit, i përlyer me krime.

Në Shqipëri, po ashtu sistemi demokratik rezulton i kapur, kryeministri aktual Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet, tani është duke shëtitur nga Washington DC në Moskë si kreu i OSBE-së, duke uzurpuar edhe rolin e Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë.

Ndërsa Komuniteti Shqiptaro-Amerikan fle.

Kur i del gjumi, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, nis e organizon gala qejfi alla Hollywood, ku ndan tituj e grada, sikur punët e shqiptarëve në Ballkan të shkojnë fjollë dhe Komunitetit Shqiptaro Amerikan tani i ka mbetur që të shpërndajë trofetë e fitores. Merreni me mend, nuk ka mbetur asnjë prej letargjikëve pa u dekoruar si “Nderi i Kombit”!

Ndërsa Joe Dioguardi, ai që është vërtetë Nderi i Kombit jo.

Nderi i Kombit ka qenë edhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan deri sa luajti rolin që i takonte!

Tani Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është duke luajtur rol shumë negativ! Sepse nuk po vepron fare! Indiferenca, injorimi apo heshtja janë po aq të dënueshme sa ata që po i lënë shqiptarët në kaos, pa shtete të së drejtës, nën diktaturën e varfërisë dhe po i detyron që si zgjidhje të shohin vetëm ikjen nga Atdheu në emigracion.

****

Në Ballkan Shqiptarët nuk janë pushtues;

në Ballkan Shqiptarët nuk janë agresivë;

në Ballkan Shqiptarët nuk kërkojnë territoret e tyre që tashmë i ka shteti serb, sipas epikës historike shqiptare ku thuhet se Kosova fillon prej “Mollës së Kuqe”, në Nishin e sotshëm-

apo në Greqi, kur më tepër se një shekull më parë, Selaniku ishte pjesë e Shqipërisë;

në Ballkan shqiptarët të ndarë në gjashtë shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Greqi

kërkojnë vetëm një gjë:

të jetojnë si popull i barabartë mes të barabartëve, në familjen e popujve europianë, të integruar në BE dhe NATO!

Në Ballkan Kombi Shqiptar është faktor paqeje, ndërsa Perëndimi ka një qasje aspak koherente me veprimet e veta, që kur ndërhynë në Kosovë prej 1999 deri në 2008 dhe Maqedoni, në 2001.

Serbia nga ana e vet, me oreksin mitoman për copëtim të Kosovës, ka organizuar diplomacinë serbe me apetitet e Milosheviçit dhe me aleatët e saj tradicionalë, duke iu kundërvënë vendimeve dhe angazhimeve të Perëndimit, SHBA, NATO, BE për çka kanë vendosur në Kosovë. Serbia e ka kthyer dialogun në farsë, pasi lobon për anullimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Por e keqja është se në krahun e vet ka dy liderë të komprometuar sikur janë Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët për të qendruar në pushtet, përdorin të gjitha mjetet dhe janë të gatshëm ta kthejnë Ballkanin rishtas në “fuçi Baroti”.

Megjithëse këtë skenar makabër serb e kuptojnë edhe fëmijët në barkun e nënave, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që merr atribute lidërshipi, bën ahengje dhe nuk do që t’ia dijë për rrezikun që i kanoset sot Ballkanit!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston kur në Washongton DC vjen Edi Rama, me kostumin e vjedhur të Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston ndërsa Edi Rama pritet nga Sekretari i Shtetit i Shtetit i SHBA dhe kur kthehet në Shqipëri thotë, “unë e kam mik Vangush Dakon dhe nuk më bëhet vonë se DASH, Ministria që drejton mikpritësi i tij Mike Pompeo e ka shpallur non grata familjarisht.

E pra kjo nuk është fytyra liridashëse e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA!

Kjo nuk është fytyra e bukur që ka patur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që ne e njohim prej të paktën 30 vitesh.

Kombi shqiptar ka nevojë të përhershme që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan të jetë në avantguardë për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial dhe sistemin demokratik në Shqipëri që rezulton i kapur, në Kosovë që sot të ngjall shpresë por i rrezikuar dhe në Maqedoni që rrezikon inercinë duke patur model Shqipërinë dhe Kosovën.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan duhet të zgjohet dhe të marri rolin që ka patur, duke e perfeksionuar atë rol!

Shqiptarët nuk janë kot populli më amerikandashës në botë!

Sepse duan lirinë dhe demokracinë e vërtetë!Po në Ballkan, historia ka treguar se ka zjarrvënës, lirivrasës dhe demokracivrasës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Elida Buçpapaj, Hashim Thaci, komuniteti shqiptaro-amerikan, Mike Pompeo, Serbia

SHQIPTARËT NË ILLINOIS PËRKRAHIN DEKLARATËN PËR PLATFORMËN SHQIPTARE

March 11, 2017 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË ILLINOIS PËRKRAH DEKLARATËN E PËRBASHKËT TË PARTIVE SHQIPTARE PËR PLATFORMËN SHQIPTARE/

ALB USANë një deklaratë që gazeta Dielli ka marrë nga kryetari i Komunitetit Shqiptar në Illinois, z. Bujar Breznica, përcillet informacioni i takimit të organizatave të atjeshme me 9 Mars 2017, ku është diskutuar situata paszgjedhore në Maqedoni dhe deklarata e partive e shqiptare për Platformën shqiptare: Më datë 9 Mars 2017 Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago mbajti mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë të gjithë kryetarët e shoqatave dhe asociacioneve politiko-shoqërore që veprojnë në këtë shtet të Amerikës. Në këtë mbledhje tema e ditës ishte analiza e situatës aktuale të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë. Pas shumë diskutimeve, Kryesia e komunitetit lëshon këtë deklaratë:

DEKLARATË

Kryesia e Komunitetit vendosi unanimisht të përkrahet Deklarata e Përbashkët e Partive Shqiptare e njohur edhe si Platforma Shqiptare. Përshendesim këtë akt të bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, e njekohësisht falenderojmë angazhimin institucional të dy shteteve shqiptare në Ballkan të cilët në këtë moment të duhur dhe delikat kanë dhënë një kontribut të rëndesishëm e historik në përkrahje të kërkesave për zgjidhjen e çeshtjes shqiptare në Maqedoni.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan jo vetëm që perkrah po insiston me këmbëngulje në realizimin e plotë të kërkesave të përmbledhura në Platformen Shqiptare. Jemi te bindur se subjektet politike shqiptare do të kenë parasysh që veprimet e tyre në të kaluar kane qene e tani janë një nga shkaqet e situatës aktuale, prandaj luten që kjo Platformë që bashkoj faktorin shqiptar edhe të realizohet plotësisht që të parandalohet defaktorizimi i shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni. Komuniteti gjithashtu kërkon konkretizimin e konceptit të Tryezës sipas Platformës Shqiptare. Ky mekanizëm do të mundësoje vazhdimësinë, bashkëpunimin dhe mbikqyrjen e realizimit të Platformës sipas kërkesave të kohës dhe rrethanave në të ardhme.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago, me kohë ka krijuar marëdhenie të shkëlqyeshme me administratat Amerikane, duke perkrahur politikisht dhe financiarisht luftën e Kosovës dhe atë të 2001 në Maqedoni. Prandaj zotohemi se komuniteti këtu e kudo në Amerikë do të aktivizojë mekanizmat e vet lidhur me perkrahjen e pakursyeshme të kërkesave të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Ne do vazhdojmë të përcjellim me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe në rajon e ne bazë të ndryshimit të rrethanave do merren edhe vendimet e ardhshme. Ftojmë antarët të ruajne gjakftohtësinë, mos bien në provokime të ulta dhe të qëndrojnë vigjilent.

Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois

përcjellim me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe në rajon e ne bazë të ndryshimit të rrethanave do merren edhe vendimet e ardhshme. Ftojmë antarët të ruajne gjakftohtësinë, mos bien në provokime të ulta dhe të qëndrojnë vigjilent.

Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois

Kryetari Bujar Breznica

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bujar Breznica, komuniteti shqiptaro-amerikan, maqedoni, ne illinois, Platforma Shqiptare

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois uron zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

March 4, 2016 by dgreca

Në një komunikatë për shtyp, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI), ka uruar Kosovën për zgjedhjene  Presidentit të ri të Shtetit, z.Hashim Thaci. Në komunikatë theksohet forcimi i lidhjeve me partnerët ndërkombëtar, vecanërisht me aleatin e sprovuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ja komuniakta e plotë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze:

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI), i përfaqësuar nga shqiptarët e të gjitha trevave, uron institucionet e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të ri të shtetit. Me këtë rast, z. Hashim Thaçi-t i urojmë punë të mbarë dhe sukses në ngritjen e mirëqenies njerëzore, forcimin e lidhjeve me aleatet e kombit shqiptar, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikes,dhe realizimin e vullnetit të popullit shqiptar në Kosovë.

Njekohësishtë, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nëIllinois shpreh brengosjen me gjendjen e tanishme politike dhe ekonomike në Kosovë. Derisa perkrahim fuqishem dialogun mes pozites dhe opozites permes institucioneve të dala nga vota e popullit, kundershtojmë plotësishtë marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois vlerëson këto mareveshje si të dëmshme kundrejt interesave të shqiptarëve në Kosovë, në

shperputhje me vullnetin e shprehur përmes 200,000 nënshkrimeve, në kundershtim me kushtetuten e Kosovës, dhe si të tilla në dëm edhe të interesave tona kombëtare.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois është gjithmonë i gatshëm të jap ndihmen e tij për proceset demokratike dhe realizimin e aspiratave të kombit shqiptar, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë.

Zoti e Bekoftë Popullin Shqiptar!

Me Respekt,

Bujar Berznica, Kryetar

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois

***

Press Release

Albanian-American Community of Illinois (AACI), represented by Albanians of all homeland regions, congratulates Kosova on the election of the new president. We wish Mr. Hashim Thaçi success in improving the welfare of all citizens, strengthening of relations with all our allies, especially the United States of America, and accomplishing the aspirations of the Majority-Albanians in Kosova.

At the same time, Albanian-American Community of Illinois expresses its deep concerns with the current political and economic situation in Kosova. While we support the dialog between the ruling parties and the opposition through the democratically elected institutions, we completely reject last year’s

agreements regarding the Municipal Association for Serbs and Border Demarcation with Montenegro. We regard these agreements as harmful in relation with the interests of Albanians in Kosova, against the will of the people expressed through the 200,000 signatures, in violation of Kosova’s constitution, and, hence, detrimental to all Albanians as a nation.

Albanian-American Community of Illinois is always ready and willing to offer its help in improving democratic processes in Kosova and fulfilling the aspirations of all Albanians in the homeland and

abroad.

God Bless Albanians!

With Respect,

Bujar Breznica, President

Albanian-American Community of Illinois

 

Albanian-American Community of Illinois

P O BOX 34575, Chicago, IL, 60634

P: 312.662.3892 |E: info@aaciusa.org

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bujar Berznica, komuniteti shqiptaro-amerikan, në Illinois (AACI), urim per presidentin e ri

Komuniteti shqiptaro-amerikan i Illinoisit në festë

October 12, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Fitorja e djemve të kombëtares sonë ka entusiazmuar të gjithë shqiptarët anembanë globit. Sot shqiptarët ndjehen më krenarë, më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin. Kjo atmosferë mbizotëron dhe tek komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois, Champaign, Chikago e rrethina. Sic më informon zoti Bujar Bre, një aktivist i këtij komuniteti, festimet në këto shtete kanë filluar ka disa ditë. Qindra shqiptarë të grupmoshave të ndryshme, fëmijë e të rritur me kostume tradicionale të krahinave shqiptare dhe flamuj shqiptarë e amerikanë kanë mbushur lokalet me pronarë shqiptarë, qendra informacioni, servise, salla tubimi e ambiente sociale. Madje pjesë e këtyre festimeve janë bërë dhe rrugët e rrugicat e këtyre rajoneve, ku djem shqiptarë më motora Harley Devidson e flamuj shqiptarë e amerikanë po përshkojnë këto rrugë. Ka entusiazëm, brohoritje , emocione dhe gëzim brenda rregullave, pa krijuar asnjë incident, sqaron zoti Bre. Është një festë madhështore e paparë nonjëherë dhe e organizuar mirë nga komuniteti ynë, nën moton, me ty Shqipëri, se je më e mira! Shqipëri, gjithmonë me ty! më telefonoi sot zoti Bre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Illinois ne feste, komuniteti shqiptaro-amerikan, Shefqet Kercelli

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT