• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

I HUAJ NË VËNDIN TËND

November 11, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

I HUAJ NË VËNDIN TËND/

Tani më duhej të ballafaqohesha me punën e krahut. Isha i dobët nga trupi, por vullneti nuk më mungonte. Babai punonte në ofiçinën e fermës si tornitor. Puna e tij e ndershme dhe cilësore vlerësohej nga eprorët e tij, nëpërmjet të cilëve munda të gjej një vend pune në Investimin e fermës si puntor ndërtimi, për të mos qenë puntor bujqësie. Aty kisha shokët e mij, moshatarë ose më të rritur, me të cilët na bashkonte rruga e gjatë e vuajtjeve të përbashkëta, privacionet, dëshirat e pasendërtuara, miqësia e sinqertë…

Mbas disa muajsh, së bashku me prindërit, un shkova përsëri në sektorin e Plukut, gjithmonë familjarisht në gjëndje interrnimi. Tashmë jeta kishte pak ndryshime; ditët, muajt, vitet kalonin të njëjtë. Format e luftës së klasave, që peshonin mbi ne, ishin nga më të ndryshmet. Ato shfaqeshin dhe në banesën e pamjaftueshme, gjë që nuk u zgjidh kurrë në jetën time dyzeteshtatë vjeçare. Kam jetuar gjithmonë në kasolle të ndërtuara vetë me kallama e baltë. Kam fjetur tre vjet në dhomën e beqarëve, mbasi kishim vetëm një dhomë, në të cilën flinin prindërit, hanim, rrinim, prisnim ndonjë mik të rrallë që kujtohej të vinte. Një tjetër formë ishte veçimi, trysnia mbi ata që na rrethonin për të mos marrë e dhënë me ne, një racizëm para të cilit Soveto nuk vlen për t’u përmendur. Sa e sa njerëz paguheshin për të “vigjëluar” jetën tonë, kush vinte, kush na fliste, kush na përshëndeste, kush na bënte ndonjë të mirë. 

T’a  ndjesh veten të huaj në Vëndin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjëndje që nuk ja uroj asnjërit në botë. E tillë ishte gjëndja jonë që zvarrisej kështu me dhjetra vite, me batica e zbatica, simbas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por dhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtën të dashuronim vajza  me tjetër origjinë shoqërore e as të mendonim të lidhnim jetën me to. “Aristokracia” komuniste e pushkës kishte huajtur nga simotrat e saj të shpatës  mendësinë e ruajtjes së kastës nga përzierja e gjakut. Rastet e pakta të thyerjes së këtij ligji “madhor” të Enver Hoxhës kishin pasojat e tyre me shkëputjen përgjithmonë të prindërve nga fëmijët. Sa tragjedi të heshtura ka shkaktuar në Vendin tonë kjo mënyrë veprimi, sa plagë ende të pambyllura në shpirtërat e djemve e vajzave që shihnin dhunën e regjimit të diktonte, nëpërmjet trysnisë së saj, ligjet e zemrës… 

Mbas dy vitesh interrnimi, papritmas, m’u hoq kjo masë. Kur m’u komunikua zyrtarisht kjo gjë, emrit tim i ishte shtuar një “i”mbrapa që i ndryshonte seksin. Ndofta ndonjë shpirtmirë në ata organe të dhunës, mund të ketë menduar t’i japë “liri” një vajze nëntëmbëdhjetë vjeçare, që i ka prindërit me masa interrnimi. Kështu un rastësisht u gjenda formalisht jashtë rrethit të shokëve të mij, të cilët masën e interrnimit e mbajtën dhe për disa pesëvjeçarë pa shkëputje, ndërsa un do të takohesha  përsëri me të, por për këtë do të flas më vonë.

Gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë solli acarime të mëtejshme të luftës së klasave. U kopjuan të gjitha marrëzirat e të ashtuquajturit Revolucion kultural kinez, si dalja para kolektivave për të paraqitur biografinë, fletë-rrufetë, dacibaot shqiptare, ku teorikisht ”cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë ç’mendon ai për punën dhe për njerëzit.”. U dha kushtrimi për prishjen e kishave e të xhamive, një veprim barbar, i pashembullt në shoqërinë moderne, me pasoja shkatërrimtare për botën shpirtërore të shqiptarëve e për prishjen  e vlerave kulturore e artistike që qëndronin në objektet e kultit. U fol me të madhe për luftën kundër Kanunit, duke i hequr kështu themelin e disa prej traditave e ligjeve morale, që kishin qeverisur këtë popull prej shekujsh të gjatë. U lakua shumë “emancipimi” i femrës shqiptare, për t’a futur plotësisht në ingranazhet marramendëse të një ideje, në dukje përparimtare, që e ngarkonte aqë shumë sa të meritonte përcaktimin “skllave e shoqërisë moderne “. “Heroizmi“ popullor, i mishëruar në figura qesharake si Fuat Çela, u propagandua me art, duke vënë në shërbim dhe artin zyrtar, për të krijuar një brez të tërë skllevërish,  të aftë vetëm të punonin si kafshë për shtetin, mbasi vetëm aty do të gjenin “lumturinë”. Kanalizimi i të gjitha dëshirave e interesave të rinisë tek puna përbënte thelbin e strategjisë së krijimit të “njeriut të ri” që duhej të ishte një robot në trurin e të cilit të ishin vetëm “veprat” e Enver Hoxhës. Përpjekja për të ndryshuar natyrën njerëzore nëpërmjet dhunës e ligjeve të saj, nuk mund të kishte tjetër përfundim veç dështimit, e nuk mund të vërtetonte më mirë marrëzinë e autorëve të saj.

Në bllokun Lindor lulëzonte teoria e “sovranitetit të kufizuar” të Brezhnjevit, më vonë u sulmua Çekosllovakia e Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Në Kinë vazhdonte anarkia e pasojat ndiheshin dhe këtu. U krijua një atmosferë e nderë, në të cilën u shtua puna e hafijeve, që përpiqeshin të kapnin copa bisedash për t’i regjistruar në dosjet vetiake të arkivave të Sigurimit, në pritje të proçeseve të panumurta për agjitacion e propagandë të viteve shtatëdhjetë.

Në këtë kohë, në vitet 1967-1969 kreva shërbimin ushtarak. U mobilizuam për të plotësuar porosinë e Partisë: “T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat”. U caktova me shërbim në efektivin e NBU së së Burrelit. Me uniformën e ushtarit kishim për detyrë të shpyllëzonim e të mbillnim patate në malet e Martaneshit, të Lurës, Steblevës etj. Un, me zanatin tim të muratorit, mbas pesë gjashtë muajsh fillova të punoj në repartin e ndërtimit të banesave të Korpusit, si pasojë e nismës së marrë në shkallë Vendi, për të ndërtuar banesa me kontribut vullnetar. E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë.

Pranvera e Pragës më 1968 ishte përkohësisht një “rreze drite” në mbretërinë e errësirës së kampit socialist. I gjithë brezi im kujton ende me shumë mall emrat e Dubçekut, të Smerkovskit, të Çernikut etj., që u bënë për ne të dashur, sinonime të një ere të re , që na ushqente shpresën se mund të vinte ora e ndryshimeve dhe në botën tonë. Por fatkeqësisht 21 gushti i përmbysi të gjitha iluzionet e brezit tim që vazhdon të nderojë kujtimin e gjestit heroik të Jan Palashit. Logjika e tankeve rivendosi atë rend gjërash që bazohej mbi dhunën dhe shtypjen e lirive vetiake e shoqërore.

Atje, gjatë shërbimit ushtarak u njoha me shokë të tjerë. Në kujtesën time mbetet imazhi i një poeti, të cilin un e quaja mjaft të talentuar. Talenti shoqërohej me një vështrim objektiv e të saktë të jetës  dhe një karakter të fortë e pozitiv .Ndoshta këto qenë arsyet  që nuk njohu podiumin e suksesit si shumë kolegë të tij. Më kujtohet se si një ditë të ftohtë dhjetori, në pyll, anës një zjarri  ku kishim pjekur patate, ai më lexoi dy poezi  që kishte shkruar për Shkurte Pal Vatën dhe për Skënderbeun. Nëntekstet e poezive ishin shumë të thella, të guximshme e të reja për kohën. Ato më pëlqyen shumë e mbas një bisede të hapur në lidhje me to, ai bëri ndonjë ndryshim të vogël dhe i çoi për botim. Me të më lidhi një miqësi e sinqertë, që nuk shihej me sy të mirë nga kolegët e tij ushtarakë, ca poetucë të dështuar, mbi të gjitha shpirtërisht. Ata në emër të artit dhe dëshirës për t’a “ruajtur” shokun tim nga “infeksioni” i mbushën mëndjen atij se un do të arrestohesha dhe e ndanë përkohësisht prej meje. Kjo shkaktoi një gjëndje tensioni tek un, por fatmirësisht ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak. Më vonë me shokun u spjeguam dhe mbetëm miq, por ka shumë vite që nuk dëgjoj më për të. Më vjen keq se ishte me talent e me zemër të madhe e parashikoja një të ardhme letrare të sigurtë për të.

Vitet e para të dhjetëvjetëshit të shtatë ishin më të qetat. Njerëzit nëpër plazhe dëgjonin së bashku Hit parejdin me këngët e Çelentanos, Milvës, Iva Xanikit, Massimo Ranierit e të tjerë këngëtarë italianë që, në përgjithësi, ishin ata që pëlqeheshin më shumë. Të rinjtë filluan të vishen më ndryshe, vajzat zbuluan minifundet e pantallonat, djemtë zgjasnin basetat e flokët. Diskutohej hapur për muzikën dhe sportin e huaj. Por më 1973, papritmas ,në skenën e shoqërisë shqiptare filloi tufani i luftës kundër”shfaqjeve të huaja”. Në fillim u kujtua se ishte thjesht një çështje e pamjes së jashtëme, por regjimi e kishte synimin shumë më thellë. Duhej përdorur shtypja për të shmangur në embrion çdo prirje shkëputjeje ose vënieje në diskutim të dogmave dhe ideologjisë zyrtare. Pasuan vite të tmerrshme ankthi, me goditje lart e poshtë. Fluturonin ministra e funksionarë të lartë, të akuzuar për tradhëti, por shpata binte e fortë edhe mbi ne që kishim në dorë vetëm mistrinë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, I HUAJ, NË VËNDIN TËND

KRYETARI I VATRËS KA VEPRUAR NË MËNYRË INSTITUCIONALE

November 11, 2020 by dgreca

-SHËNIM MBI VIZITËN E PRESIDENTIT TË FEDERATËS VATRA NË SHQIPËRI DHE KOSOVË-

Nga Thanas L.GJIKA/ Të dashur miq, para disa javësh Presidenti i Federatës VATRA, Z. Elm Berisha, bëri një vizitë pune në Tiranë dhe Prishtinë. Disa shqiptarë, madje dhe vatranë, që e konsiderojnë veten demokratë të kulluar e kritikuan Presidentin e Vatrës për disa nga vizitat e tij, sidomos për vizitën te Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruci. Thanë se nuk duhej të ishte kryer kjo vizitë me Z. Gromoz Ruci, sepse ai është një personalitet politik që ka qenë në shërbim të qeverisë komuniste, etj. Ata mendojnë se Federata Vatra, duke qenë një shoqatë demokratike që mbron interesat e së djathtës shqiptare dhe të të përndjekurve politikë të regjimit komunist, nuk duhet të krijojë lidhje pune me të tillë kundërshtarë të së djathtës.

Z. Elm Berisha, si person me përgatitje profesionale në fushën e politikës, ua dha përgjigjen pakënaqësive të tilla në intervistën që i dha gazetës Dielli, në numërin e botuar në letër për muajin tetor. Përgjigja e tij ishte shumë e matur dhe me vizion për politikën e ardhëshme të dy shteteve shqiptare dhe të diasporës sonë. Midis tjerash ai sqaroi se, për shkak të Coronavirusit shkoi i vetëm në Shqipëri e Kosovë, por vizita e tij nuk ishte vizitë private. Ai shkoi në Tiranë e Prishtinë si përfaqësues i një institucioni, si President i Federatës Vatra dhe bëri takime pune me kryetarë institucionesh si me Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta, me Kryetarin e Kuvendit Z. Gramoz Ruci, etj, të cilët i ka zgjedhur populli shqiptar dhe i ka njohur bota perëndimore euro-atlantike.

Vatra, shtoi Z. Elm Berisha, punon për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të ecur drejt realizimit të një politike mbarëkombetare në unison.

Nga ana ime mendoj se të tillë mendime vizionarë nuk ka pse të mos i përqafojnë të gjithë ata që ia duan të mirën popullit shqiptar. Koha e sotme kërkon që të heqim dorë nga grindjet e percarjet për interesa partiakë, ose interesa personalë dhe të punojmë së bashku për krijimin në të ardhmen e afërt të një shteti kombëtar shqiptar.

Filed Under: Komente Tagged With: Gramoz Ruci, Kryetari i Vatres, Thanas L.Gjika

RREZIKU I VETËVRASJEVE GJATË PANDEMISË

November 11, 2020 by dgreca

Psikologe Valentina Telhaj (Kalemi) në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka argumentuar arsyet se pse njerëzit e prekur me Covid-19 shkojnë drejtë flijimit ekstrem dhe si ka ndikuar në psikologjinë e njerëzve pandemia globale. 

Në Shqipëri u shënua viktima e pestë që u vetëvra duke u hedhur nga Spitali ndërsa luftonte dhe trajtohej nga ekipet mjekësore pas prekjes nga virusin Covid-19. Cfarë ndodh?! Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), ndikimet emocionale dhe psikologjike të pandemisë mund të çojnë në ndjenja të pashpresës dhe mendime rreth vetëvrasjes. Ankthi është një ndjenjë e papërcaktuar, e paqartë, tmerri ose frike, është një përgjigje ndaj stimujve të jashtëm ose të brendshëm (psh frika nga vdekja/çmendja). Më shpesh, mendimet vetëvrasëse janë rezultat i ndjenjës sikur nuk mund të përballeni ose të rikuperoheni kur përballeni me atë që duket të jetë një situatë dërrmuese e jetës. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi) ka ende pak të dhëna për pandeminë COVID-19 dhe ndikimin e saj në nivelin e vetëvrasjeve. Por qartë është se pandemia ka shtuar stres të fortë emocional dhe mendor në jetën e njerëzve në të gjithë botën. Frika, ankthi dhe depresioni mund të burojnë nga një gamë e gjerë shqetësimesh dhe përvojash, nga çështjet personale dhe familjare te stresi i lidhur me punën. Rrethanat unike të pandemisë, duke përfshirë ndërveprimin e vogël shoqëror, mund ta bëjnë më sfiduese identifikimin e  atyre që rrezikojnë  të vetëvriten. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), shenjat paralajmëruese nuk janë gjithmonë të dukshme dhe ato mund të ndryshojnë nga personi në person. Disa njerëz i bëjnë të qarta synimet e tyre, ndërsa të tjerët i mbajnë sekrete mendimet dhe ndjenjat vetëvrasëse. Çfarë është frika? Frikë do të thotë të ndihesh i trembur, ose i kërcënuar nga stimuj të jashtëm, qartësisht të identifikueshëm, që   përfaqësojnë   rrezik   ndaj   personit,   (psh   frika   nga   qeni).   Ankthi   problematik,   në   krahasim   me shqetësimin normal, është më intensiv dhe më i vështirë për t’u kontrolluar, ai bëhet gjymtues, ose thënë ndryshe  jo produktiv,   pengesë  në  aktivitetin   e përditshëm.  Si  e  përjetojnë   pacientet  me  COVID-19 ankthin? Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), duke qenë se ky virus është i ri për shkencëtaret, doktoret, për këdo nga ne, në çdo cep të globit, kjo na jep ankth dhe pasiguri dhe aktivizohet automatikisht zona e Amigdalas (që është përgjegjëse për emocionet, reagimet e vetëmbrojtjes, kur ka diçka kërcënuese, siç është në këtë rast COVID-19) na aktivizon reagimet fiziologjike/fizike, si lufto, arratisu, ngrije, humbje ndjenjash ose “manipulim”. Është shumë e rëndësishme të kuptohen këto reagime dhe sjellje dhe të punohet me këto simptoma ankthi apo atak-e paniku sepse jo çdo individ është resilient, apo me temperament të fortë përballues ndaj faktorëve të rrezikut t’i përballojnë të gjithë me reagime adaptive situatat kërcënuese. psh Disa lexojnë në ëebside të pasigurta apo media vizive apo auditive dhe i internalizojne, shokohen dhe kanë kriza paniku. Ose lexojnë komentet poshtë një shkrimi. Ku ndryshon lexuesi nga komentuesi? Simptomat mund të jenë vërtet identike të komentuesit dhe lexuesit, por janë një sërë faktoresh të tjere që ndikojnë dhe reagimet e secilit nga ne varet nga rezilienca jone, nga tempermenti që kemi fituar gjatë fazave tona të zvillimit, nga atashimi i sigurt me familjen etj. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), gjatë dhe pas pandemisë COVID-19, çështjet e shëndetit mendor kanë nevojë për më shumë vëmendje për të zvogëluar rrezikun e vetëvrasjes. Në përgjithësi, kjo do të thotë që shërbimet publike dhe  private   të shëndetit mendor dhe ofruesit individualë duhet të jenë krijues në gjetjen, vlerësimin dhe trajtimin e individëve në rrezik të vetëvrasjes. Kjo mund të përfshijë, për shembull, përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e më shumë shërbimeve të shëndetit mendor për punëtorët në vijat e frontit, inkurajimin e pushimeve të planifikuara dhe marrjen e pushimit, ofrimin e këshillimit telefonik, ose sigurimin e ndihmës ushqimore dhe ndihmë financiare për ata që kanë humbur punën. Sipas psikoterapistes Valentina Telhaj (Kalemi), këta pacientë si të hospitalizuarit, si ata me trajtim në kushtet e shtepisë duhet të bëjnë konsulenca psikologjike, on line, me whatsup, video call, telefon, mesazhe ajo që i përshtatet rastit. Kjo është një mas preventive e ruajtjes së distancës por nëse pacienti shërohet dhe testi i fundit del negativ mund të kryej me vonë konsulta live në zyre me psikologun për pasojat psikologjike (nëse ka të tilla) që mund të ketë shkaktuar COVID-19. Sipas psikoterapistes Valentina Telhaj (Kalemi), të mendosh që ata që shtrohen nuk kanë asnjë kontakt me askënd nga familja, shoqëria, puna, ambjenti social i përditshem, asnjë!!. Studimet tregojnë se: ngjarjet e rënda në jeten e njeriut kanë një ndikim   të madh në shëndetin mendor. Studimet thonë  gjithashtu se, rreth 80% e sëmundjeve fizike mund të përkeqësohen nga stresi dhe ankthi nëse nuk suportohen psikologjikisht me psikoterapi. Kështu, ne trajtojmë shëndetin mendor duke permirësuar edhe shëndetin fizik, mbyll prononcimin e saj për gazetën Dielli, psikoterapiste Valentina Telhaj (Kalemi). 

Filed Under: Featured Tagged With: Pandemia, Sokol Paja

Veseli deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës

November 10, 2020 by dgreca

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë seancës së parë në Hagë, mbrojtja e Veselit tha se do të kërkojë lirimin e tij deri në nisjen e gjykimit.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli kur u pyet nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm apo fajtor për aktakuzën.

Veseli dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Sekretarja e Gjykatës, pasi lexoi dhjetë pikat e aktakuzës, tha se ekziston dyshimi i bazuar se Veseli është penalisht përgjegjës për këto krime.

Mbrojtja: Veseli u dorëzua vullnetarisht në Hagë

Veseli po mbrohet nga avokati Ben Emmerson, i cili në këtë seancë u lidh përmes video-linkut dhe Andrew Cayley, i cili ishte prezent në sallën e gjyqit.

Emmerson reagoi lidhur me arrestimin e Veselit, duke argumentuar se Veseli është paraqitur në Hagë vullnetarisht, në bazë të një marrëveshjeje me prokurorin.

“Dorëzimi i tij në mënyrë vullnetare është bërë përmes avokatit”, tha Emmerson.

Avokati Emmerson ka lexuar edhe një mesazh të Veselit, ku ai kërkon që të gjitha segmentet e shoqërisë “të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”.

“Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund”, tha Emmerson, teksa lexoi mesazhin e Veselit, ku rikujtohej se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas votimit në Kuvendin e Kosovës “për të shërbyer në emër të popullit”.

Gjatë kësaj paraqitjeje të parë të Veselit para gjykatës në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu u konsultua me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe palën mbrojtëse lidhur me datën për mbajtjen e konferencën statutore.

Si datë për këtë konferencë u propozua 18 nëntori.

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.

Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën, më 9 nëntor, e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”.Të mërkurën para Dhomave të Specializuara do të dalë edhe Rexhep Selimi.

 

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili tashmë është deklaruar i pafajshëm për veprat që rëndojnë ndaj tij.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Filed Under: Featured Tagged With: deklarahohet, i pafajshem ne Hage, Kadri Veseli

VOTIMET NË SHBA- HETIME PËR MASHTRIM

November 10, 2020 by dgreca

-Departamenti i Drejtësisë do të hetojë pretendimet për mashtrime me vota në SHBA-

Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka autorizuar prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara që të nisin hetime për parregullsitë në procesin e votimit, pavarësisht se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet e presidentit amerikan Trump se ai ka humbur zgjedhjet ndaj demokratit, Joe Biden për shkak të mashtrimeve të përhapura zgjedhore.

Si përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorit Barr, mediat amerikane kanë raportuar se udhëheqësi i Degës për Krime Zgjedhore në Departamentin e Drejtësisë, ka njoftuar përmes një emaili se do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka lexuar “politikat e reja dhe degëzimet në lidhje me të”.

Barr, mbrojtës i ngushtë i Trumpit, është akuzuar nga demokratët për politizim të sistemit gjyqësor disa herë gjatë udhëheqësisë së tij.

Fushata e Bidenit ka thënë se Barr është duke nxitur sugjerime të paargumentuara të Trumpit për mashtrime.

“Këto janë ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij janë duke i bërë në mënyrë të pasuksesshme çdo ditë, teksa paditë e tyre janë duke u dërguar nga një gjykatë në tjetrën”, ka thënë Bob Bauer, këshilltar i lartë i Bidenit.

Vendimi i Prokurorit Barr vjen teksa administrata Trump i ka bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të hetojë pretendimet për mashtrime, në kohën kur ekipi i Trumpit ka nisur padi nëpër disa shtete.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë paditë në Miçigen dhe Xhorxhia, derisa ekspertët kanë thënë se përpjekjet ligjore të Trumpit kanë pak mundësi të ndryshojnë rezultatin zgjedhor.

Në letrën e tij dërguar prokurorëve federalë në gjithë Shtetet e Bashkuara, Barr ka theksuar se Departamenti i Drejtësisë jo domosdo ka të dhëna për rastet e mashtrimit në zgjedhjet e fituara nga Joe Biden, president I zgjedhur.

Mirëpo ai ka larguar kufizimet paraprake, që parandalonin prokurorët federalë nga nisja e hetimeve të tilla, të cilat normalisht kryhen nga shtetet.

“Marrë parasysh se votimi në zgjedhjet aktuale është kryer, unë ju autorizoj që të kërkoni rreth pretendimeve substanciale rreth votimeve dhe parregullsive me vota, para se të kryhet certifikimi i zgjedhjeve në juridiksionin tuaj në disa raste”, ka thënë Barr përmes një letre.

“Hetimet të tilla dhe rishikime mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta, dhe në dukje të parë kredibile të parregullsive, të cilat në rast se vërtetohen, ka mundësi që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në ndonjë shtet individual”.

Politika e Departamentit të Drejtësisë ka qenë që të përmbahet nga përfshirja federale, derisa votat të certifikohen, rinumërimi të kompletohet dhe garat të përfundojnë.

Ky udhëzim ka pasur qëllim që t’iu mundësojë zyrtarëve lokalë dhe atyre shtetërorë, dhe jo atyre federalë që të menaxhojnë zgjedhjet.

Mirëpo Barr u ka thënë avokatët se politika aktuale “nuk ka qenë rregull i ashpër” dhe se nëse shohin diçka që mund të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ata duhet ta ndjekin këtë gjë.

Ky ndryshim vjen teksa republikanët vazhdojnë të rrisin numrin e pretendimeve jopërmbajtësore për votime joligjore dhe mashtrime ne procesin e numerimit në disa shtete që do të mund të ndryshonin rezultatin.

Letra e Prokurorit Barr është bërë publike, pas takimit të tij me liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë më 9 nëntor se Trump ka të drejtë të hetojë pretendimet për “parregullsi” në zgjedhje.

Trump nuk e ka pranuar rezultatin zgjedhor, pavarësisht pse mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar, dhe ka margjinë të madhe të votave popullore në të mirë të tij, çka i sigurojnë presidencën.

Përgatiti: Krenare Cubolli,RFL

Filed Under: Featured Tagged With: hetim per mashtrime, votat, William berre

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT