• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Kryetari i një bashkie periferike

November 25, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Sot në webet shqiptare dominon indinjata e gazetarit Sokol Balla karshi kryetarit të një bashkie periferike, si Erseka. Bëhet fjalë për një festë private, datëlindje etj., mes aktorësh. Aty ka marrë pjesë edhe presidenti me familjen e tij duke shkelur urdhëresat a ligjet në lidhje me pandeminë. Shkurt gazetari i Ramës ka ngritur zërin dhe është i ”indinjuar” se përse kryeministri nuk e shkarkon nga detyra, këtë aktorin e bashkisë së Ersekës. Eshtë një nga ato rastet më flagrante për të kuptuar se sa demode është shtypi shqiptar. Ose më saktë këta që kanë zaptuar studiot dhe e kollondrisin opinionin publik shqiptar si t’u doje menderja. Ka një indinjatë fallco të një gjoja gazetari perëndimor por që në të vërtetë, është faqja e zezë e atij realiteti që në bashkëpunim me politikën kanë marr peng të gjithë shqiptarët. Janë edhe këta po aq mëkatarë sa edhe politikanët, megjithatë janë kanakarë sokakësh, pasi nëse nesër ndonjë politikan edhe mund të shkoj në burg, ata prapë aty, nga goja nuk të gjen gjë. Madje as nga morali bizarr, se siç edhe e dini nuk mbeti shqiptar pa e parë këtë sokolin e partisë, me ato video masturbimet që ta shpifnin. Ti i thua këtij çunaku që na neverite. Kurse ti jo na neverite, por nxorrëm zorrët. Megjithatë sot ke të drejtën e indinjatës publike, privilegjin sa t’i drejtohet kryeministrit gjoja i indinjuar për ta mbajtur gjindjen po ashtu, degraduese. Gjëja e parë që duhet theksuar është fakti që, gjeti kryetarin e Ersekës. Një qytet periferik, thuajse i harruar. Siç ndodh rëndom me ishujt. Një qytet që është bastion i majtë, pse jo akoma me partinë e punës. I cili edhe tabelat e diktaturës i ruajti deri vonë. Por pa i hequr edhe një presje se është trualli ku zë fill historia e dhimbshme e arsimit tonë. Gjithsesi një nga ato zona urbanistike që duan dyfish stimulime në investime për të mos firuar fare, pasi e kanë marrë rrugën e zbrazsjes me kohë. Gjeti pikërisht një kryetar i cili me siguri nuk ka asnjë klan droge, a hajdutë votash, një nga ata që nuk të kërcënon publikisht se nuk ka bir kurve që më prek mua. Dhe u indinjua sokoli i Edit. Sikur ta kishte bërë këtë me një nga ata më poshtë, më në kërthizën e vendit. Me një nga ata në Kavajë, Durrës, Vorë, Shkodër etj. Janë të gjithë kryetarë bashkish që rezultuan kontigjent i pastër i drejtësisë. Nuk i shkarkoi kryeministri, përkundrazi i mbron. Madje me atë të Durrësit i bëri karshillëk edhe Amerikës së madhe. Ky i Ersekës është cironkë e hedh në tigan se kujt po i prishet puna. Erseka një copë llapashke periferie është, për më tepër votat i kemi. Ngrije zërin për atë të Durrësit, po nuk e bën. Janë dy arsyet, a) ai u duhet dhe b) të dërrmon ai, e ka thënë publikisht nuk ka bir kurve që të më preki mua. Erseka raki kumbulle bën, ca stafille molle, gliko etj. Kurse Durrësi me kompani kanë arin e bardhë.

Sinqerisht është i neveritshëm ky stil prej figure e bërë pis.

Para pak ditësh kryeministri i Shqipërisë i postonte një futbollisti serb adhurimin antik. Por askush nuk u bë pis nga këta. Megjithëse është jo normale, për shkak të kostumit të institucionit të shqiptarëve, jo të tijit. Atij fakti që një nga motrat tona në Prishtinë e quajti një realitet të pa perceptueshëm nga ne kur vjen fjala në raportet me Serbinë. Mirëpo, këtë nuk e kuptojmë, nuk e dëgjojmë, nuk bëhemi pis. Një kryeministër që adhuron një futbollist i cili më 1999 manifestoi publikisht pro genocidit dhe reprazaljes së ushtrisë serbe karshi popullatës civile shqiptare. Pika shtetarin tonë, atë që që gjoja është indinjuar me një kasetë. Madje ka urdhëruar bajatët ku i ka të ndezim motorët double w kundër ”tradhtisë” së liderit të opozitës, karshi UÇK-ës. Sa bajate! Sa e pandershme. Sa pa profesionale. Thoni që është i mirë kur them unë. Thoni që është i keq kur e them unë. Mister bajat, nëse e do vendin tënd thuaji kryeministrit të dorëhiqet, ta çoj vedin në zgjedhje. Se e keqja e Shqipërisë nuk është kryetari i një bashkie periferike me fonde sa ato të një çerdheje në kryeqytet. Por ai i gjati që u ka futur edhe mbesat e nipojtë në borxh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kryetari i Bashkise, Periferike

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

November 25, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

Shkruan: EUGJEN MERLIKA/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

Lirimin nga burgu para kohe Komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të Degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin “human”, më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n’atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre “zemërgjerë” të lirimit tonë nga burgu?

Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj  disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajse vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të

tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t’u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt…

Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t’i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore… Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s’është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t’ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij… Ai si mjek duhej t’i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t’u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë “kllasore”, duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjekësisë, mbi parimin e Hipokratit “Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri”. Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t’ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t’i ndërpritej.

Ç’ishte ky “mjek” apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t’i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t’i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte “luftën e klasave” jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t’i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të “ndrequr” padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin “humanizmin” socialist të saj në prag të vitit 2000!!!

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedistal…

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si

gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në degë, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: E VITEVE 80, Eugjen Merlika, Jete en diktature, LUFTA E KLASAVE, NË SHËNDETËSINË

Vaksina – fillimi i fundit të Pandemisë Covid-19

November 25, 2020 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Përkundër asaj që ka bërë shkenca, për të zbutur dhe shpjeguar botën tonë biologjike, ka akoma shumë gjëra që mbeten jashtë sferës së njohurive dhe të kuptuarit tonë. Përhapja e korona-virusit që u shfaq në Kinë, gjatë muajve të fundit të vitit 2019, ishte një kujtesë alarmuese, në një farë mënyre, se sa gjëra janë ende të pashpjegueshme për ne dhe për shkencën. Virusi i ri pushtoi nikoqirin e padashur – trupin e njeriut – për t’u përhapur më pas si një zjarr, në të gjithë globin. Edhe kur shkenca filloi të zbulojë shumë prej mistereve të virusit, se si përhapet, si mashtron hyrjen a vetë në qeliza, dhe si vret, një pyetje themelore, se si ta ndalojmë këtë virus, u bë britmë në çdo cep të botës. Gara kundër kohës filloi, ndërsa fati ynë njerëzor varej nga përgjigja në një pyetje kolektive: a mund të krijojmë një vaksinë që do të ndalojë korona-virusin? Më pak se një vit më vonë, ne kemi një përgjigje – një PO të bindshme! Lajmet nga Pfizer dhe Moderna, në Shtetet e Bashkuara, se ata kanë lëshuar veçmas të dhëna paraprake që tregojnë se vaksinat e tyre janë 90-95 për qind efektive, që është shumë më tepër sesa shumë shkencëtarë prisnin, siguroi një arsye për një psherëtimë kolektive lehtësimi, që bota ka pritur.  Ditëve të fundit, AstraZeneca në Britaninë e Madhe ka raportuar se vaksina e tyre mund të jetë efektive deri në 90 për qind. Këtu në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka filluar të vëzhgojë vaksinat, pasi shpresojmë për rishikim të shpejtë dhe miratim për autorizimin e përdorimit emergjent. Nëse gjithçka shkon sipas planit, miliona doza do të jenë në dispozicion në fillim të dhjetorit.

Mrekulli shkencore e vaksinave të mARN-së

Shpikja e vaksinave kundër një virusi të identifikuar vetëm 10 muaj më parë është një arritje e jashtëzakonshme shkencore. Këto janë vaksinat më të shpejta të zhvilluara ndonjëherë, me një diferencë prej shumë vitesh. Nga praktikisht ditën kur sekuenca gjenetike e një korona-virusi të ri u vu në dispozicion, studiuesit filluan të hartonin vaksina që mund të trajnonin sistemin imunitar, për të njohur virusin dhe për ta shkatërruar atë para se ai të na dëmtojë. Fillimisht, studiuesit kishin nevojë për të identifikuar një pjesë të përshtatshme të virusit për t’u kthyer në një vaksinë, dhe një objektiv premtues ishin proteinat në formë gjembash që dekorojnë lëvozhgën e jashtme të virusit. Të dy, vaksinat, e Pfizer dhe e Moderna, mbështeten në proteinën gjembash, ashtu si edhe disa kandidatë për vaksina që janë ende në zhvillim. Një teknologji e re që përdor lajmëtarin Acid-Ribonukleik (mARN), në vaksinat e tyre ofron një udhë më të që vaksinat konvencionale nuk e kanë. Këto suksese fillestare sugjerojnë që kjo strategji ishte një sukses i madh dhe disa vaksina të tjera Covid-19, së shpejti mund të vihen në disponim.

Këto nuk janë vaksinat konvencionale

Sistemi imunitar i njeriut është i jashtëzakonshëm në fuqinë e tij, por ka nevojë për një ‘trajnim’ për të përgatitur ‘ushtarët’ (antitrupat) tanë, për të na mbrojtur kundër mikroorganizmave pushtuese dhe, shpeshherë, të dëmshëm. Atë detyrë e bëjnë vaksinat. Ato paraqesin një fotografi të armikut (patogjenit) që ia tregon sistemit imunitar, ashtu që ai të njohë virusin e vërtetë, kur jemi të ekspozuar ndaj tij. Tradicionalisht, vaksinat konvencionale e siguruan këtë fotografi në formën e një virusi të dobësuar ose të një pa-aktivizuar ose të një pjese (molekule) të veçantë nga virusi. Por për këto qasje kërkohej që hulumtuesit e vaksinave të prodhonin dhe të rritnin viruse ose molekula të tyre, gjë që merr shumë kohë, shpeshherë shumë vite. Siç e dimë, kur korona-virusi na infekton, ai rrëmben makineritë tona qelizore, duke i kthyer qelizat tona në fabrika që prodhojnë miliona dhe miliarda viruse infektive. Vaksina mARN e kthen këtë dobësi në një avantazh. Në fakt, ato “mashtrojnë” qelizat tona duke e bërë vetëm një pjesë të padëmshme, edhe pse shumë të njohur, të një proteine ​​virale, e cila gjendet në gjembat e korona-virusit. Bazuar në udhëzimet e koduara që mARN dërgon, qelizat tona fillojnë të bëjnë atë proteinë të saktë, duke imituar hapat e infeksionit më mirë se disa vaksina konvencionale. Proteinat gjemba të sapo prodhuara tani do të qarkullojnë në sistemin tonë dhe do të kenë përgatit trupin tonë për të prodhuar antitrupa, veçanërisht kundër asaj proteine. Kurë expozohemi, dhe një virus po me ato gjemba, i bërë nga e njëjta proteinë të na pushtojë, trupi ynë do të jetë gati për të një përgjigje imune që do të ndalojë virusin të vdekur në gjurmët e tij!

Dritë në fund të tunelit

Lajmi i shkëlqyeshëm për vaksinën në vetvete nuk mund të ngadalësojë trajektoren e rrezikshme të shtrimeve në spital nga Covid-19, që pritet të vazhdojnë këtë vjeshtë dhe në muajt e ftohtë të dimrit, ose shpëtojmë shumë njerëz që mund të vdesin. Por kjo na jep shpresë se pandemia do të marrë fund. Çdo infeksion që ne parandalojmë tani – përmes përdorimit të maskave dhe distancës sociale – është një infeksion që, përfundimisht, mund të parandalohet përgjithmonë, përmes vaksinave të sigurta dhe efektive. Qëllimi tani nuk është më që të mësojmë të jetojmë me virusin. Qëllimi është që sa më pak njerëz të bëhen të sëmurë dhe mbajtja e niveleve sa më të ulët, të mundshëm,  të infeksioneve, sepse, pasi të kemi vaksinën në dorë, kjo do të na lejojë të kontrollojmë përfundimisht virusin. Planet janë që gjatë muajit dhjetor të fillohet me fazën e pare të vaksinimit të miliona njerëzve, duke përfshirë ata që janë në vijat e para të pandemisë, në spitale dhe institucione të mbrojtjes të shëndetit, dhe më pas, ata që janë në kategori me rrezik më të lartë. Në fazën e dytë, do bëhet vaksinimi i popullsisë më të gjerë, dhe deri në pranverë, ne do të prodhojmë imunitetin e ‘tufës’ që na nevojitet, kështu që në fillim të verës ne do të fillojmë të shohim fundin e kësaj pandemie globale, njëherë e përgjithmonë!

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: - fillimi i fundit, dr. Pashko Camaj, të Pandemisë, Vaksina

UDHËHEQËSIT QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN

November 25, 2020 by dgreca

Redaktuar dhe Përkthyer nga Rafaela Prifti/

Në historinë e Amerikës nuk ka pasur president tjetër që të refuzojë për një kohë kaq gjatë të njohë rezultatet e një zgjedhjeje ku është e qartë se ka humbur. Kur është fjala për version alternativ të realitetit, zoti Trump ka plot shokë jopresidencial. Ndërsa vendi mediton rastin e bujshëm të Donald Trumpit, presidentit që nuk pranon se e kanë nxjerrë nga puna, atë mund ta krahasojmë me një sërë personazhesh dhe individësh që nuk kanë dashur të pranojnë momente jo të mirëpritura në jetën e tyre personale dhe profesionale.  

Në vitin 1873 Guvernatori republikan i Teksasit Edmund J. Dejvis refuzoi të largohej nga zyra pas humbjes së zgjedhjeve duke thënë se mandati i tij nuk skadonte edhe për pas disa muaj. Ai ngriti një barrikadë në hyrjen e ndërtesës së parlamentit nga ku nuk donte të lëvizte. Guvenatori i zgjedhur dhe ekipi i tij vunë një palë shkallë dhe hynë nga dritaret për të filluar punën në katin e sipërm të ndërtesës. Rasti tjetër është Hiru Onoda, oficeri i lartë i Ushtrisë Perandorake Japoneze, i cili pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, qëndroi në xhungël në gatishmëri luftarake për 29 vjet derisa vajti eprori i tij tashmë i plakur dhe e anuloi urdhërin e mëhershëm për të mos u dorëzuar. Një vit më parë, në 2019 ishte rasti i qeverisë së Moldovës që vendosi të mos i hapte rrugë qeverisë së re gjë që çoi në një situatë të komplikuar, ku të dyja grupet deklaronin se ishin në krye të vendit. “Ngërçi” u tejkalua kur ish-kryeministri me inat e liroi postin i përballur me presion nga jashtë të ushtruar nga ndërkombëtarët si edhe me zemërim të popullit nga brenda vendit.    

Në Amerikë transferimi i pushtetit ka qenë një kalim paqësor i kompetencave i kryer sipas një procedure të caktuar. Por historia botërore ka plot shembuj të diktatorëve dhe tiranëve që kanë përdorur mënxyra për të ruajtur pushtetin. Historia ka shembuj të autokratëve që nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve të lira. Ka shembuj kur ata eliminojnë fare mandatet dhe rrinë në fuqi pafund. Ka shembuj kur ata burgosin, vrasin ose zhdukin kundërshtarët e tyre politik. Siç ka edhe nga ata që i praktikojnë të gjitha këto metoda së bashku.

   Zoti Trump ka folur me simpati për të paktën një prej tyre, për shembull kur tha se atij “mbase i takonte një mandat i tretë” duke u nisur nga “mënyra sesi na kanë trajtuar.” Këto ai i ka deklaruar përpara se të humbte zgjedhjet. Përdredhjet e lajmeve që dalin nga Shtëpia e Bardhë,  përngjasin me tymin e duhanit nga ku shfaqen sinjale se këshilltarët e presidentit dhe familjarët po provojnë disa forma psikologjike që Presidenti Trump ta kuptojë se është “pensionuar”, ndërkohë që sjellja e presidentit i përngjet më pak një puçi dhe më tepër një episodi të stërzgjatur hidhërimi të një fëmije të llastuar. 

Shumë anëtarë të legjislaturës republikane që e kanë neveri ta mërzisin zotin Trump, po ndihmojnë të ushqejnë iluzionin për pushtetin e tij. Por kjo ka një paralele në jetën e familjes së Trumpit. Kur babai i tij, Fredi, u sëmur me Alzheimer, familiarët thuhet se ranë dakort që ta linin patriarkun të mendonte se ishte ende drejtuesi i organizatës Trump. Revista Vanity Fair shkruan se plaku dilte për ditë në punë ku i jepnin të firmoste letra të bardha ndërsa telefonin e zyrës ia kishin lidhur vetëm me linjën e sekretares së tij. 

Disa rrjete mediatike simpatizuese të krahut të djathtë si edhe shumë nëpunës republikanë refuzojnë të pranojnë se Xhozef Biden është zgjedhur president. Miliona amerikanë duket se i besojnë thënieve të zotit Trump se këto janë zgjedhje të vjedhura dhe se epidemia e koronavirusit që tashmë është përshkallëzuar, nuk paraqet problem serioz. Përkrahësit e tij marshojnë në rrugë për të protestuar rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk dihet se në ç’rrethana Trumpi do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Gazetari dhe adhuruesi i Trumpit, Geraldo Rivera paraqiste në Twitter një krahasim të presidentit me një kampion të peshës së rëndë, që e di se ka humbur por mbahet me dhëmbë në ring duke grushtuar për një shans të largët fitoreje. Përshkrimi i tij lirik: “ai do t’i përgjigjet tingullit të këmbanës duke kërkuar nokoutin që mbetet larg në horizont.”

Autori i librit “Narcisisti i Njohur: Mburoja ndaj Narcisistit Ekstrem në Kohën kur Universi Rrotullohet rreth Vetes”, Dr. Bruno shkruan: “Kur të jenë shteruar paditë ligjore kundër zgjedhjeve, ai do ta kalojë gjithë jetën duke këmbëngulur se sistemi bëri komplot që mos e linte të fitonte. Do gjej rehati tek fajësimi i të tjerëve, vetë-keqardhja dhe tek indinjata që i takon vetëm atij për t’i pasur ato si mbështetje të vetes në mënyrë që të zbrapsi ndjenjën e poshtërimit nga humbja.” 

Shënim: Ky është version i redaktuar i shkrimit të Sarah Lyall botuar në gazetën Nju York Tajms me titullin origjinal “Kur Liderët Nuk Ikin, Mësime nga Shekspiri te Dikens te “Sajnfeld” për Moslamtumirën e Gjatë të Presidentit Trump. (When a Leader Just Won’t Go, Wisdom from Shakespeare to Dickens to ‘Seinfeld’ on President Trump’s long non-goodbye)

Filed Under: Politike Tagged With: QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN, Rafaela Prifti, UDHËHEQËSIT

SHKOI TË PUSHOJË VATRANI ANDON RRUMBULLAKU…

November 24, 2020 by dgreca

Iku në amëshim patrioti, shkrimtari, publicisti dhe vatrani Andon Rrumbullaku /

Andon rrumbullaku- 1929-2020-

Esse-Profil – Nga Raimonda MOISIU /

Sot përcillet për në banesën e fundit, shkrimtari, publicisti dhe vatrani veteran ndër breza, Andon Rrumbullaku. Ai u shua në moshën 92 vjecare pranë familjes, në Kryeqytetin e Kënektikatit,  Hartford, USA.

Për dekada me rrradhë ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, vatran dhe patriot i devotshëm, baba dhe bashkëshort shëmbullor në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mes bashkëkombasve të tij “hartfordas” . Vec kësaj, Andon Rrumbullaku është mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. 

Shkrimtari, Publicisti dhe Vatrani Andon Rrumbullaku është pinjolli pasaardhës i  vatranit të vjetër, Sekretar i Degës “Vjosa” të FEDARATËS  PAN SHQIPTARE  VATRA, atdhetarit e patriotit, Lliko Rrumbullaku. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri,  Andoni emigron në SHBA-ës me familjen e tij, në sajë të shtetësisë amerikane që gëzoi nga i ati.   Me një bagazh të pasur e të admirueshëm intelektual, qytetar dhe i arsimuar,  ai hedh në letër gjithë veprimtarinë e VATRËS me fakte e foto, të trashëguar nga babai i tij. Mbas më shumë se një dekadë ai u bë autor i dhjetë  librave të titulluar respektivisht; “Flamur për Shqipëri”, “Për Atdheun jetën dhanë”, “Për fshatin e braktisur, malli më ka marrë”,  “ Maleshova & Dëshnica, -vargje me motive popullore”, “Këmbanorja na dëshmon”, “Pasha Rrumbullaku dhe Kapedanët e Maleshovës”, Fan s.Noli dhe fanolistës”, “Emigrojnë maleshovitët””Maleshova midis maleve ” dhe  “Ekspozitë Fotografike –Federata Vatra 13 Qershor 1912”. Të gjithë librat janë vlerësuar si një kontribut i cmuar në ruajtjen e pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë, të lëna si amanet nga Noli ynë i Madh,  Faik Konitza dhe vatranët e hershëm. Kontributi i vyer i vatranit dhe  shkrimtarit përmetar Andon Rrumbullaku, janë historia e gjallë e Vatra-ës, që energjinë e potencialet e tij morale, intelektuale, njerëzore, të dijes e të penës, ia doli të dialogonte mes vetit dhe brezave, për ç’ka i bashkonte dhe i bashkon, elemente të kujtesës dhe reflektimit, për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, patriotizmit, historisë, traditës e zakonet e jetesës, në të përditshmen njerëzore. Shkrimtari përmetar Andon Rrumbullaku në librin e tij, me titull tejet domethënës e simbolik -“Mbaj me nder emrin shqiptar”, me ndjenjën e lartë patriotike e të atdhedashurisë, ka rrëfyer historikun e mërgatës së Hartford-it, nën efektin e karizmës dhe aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane në këtë komunitet, duke pohuar të kaluarën e pararendësve të tyre. Libri mbart në vetvete nderimin dhe respektin e kockës së erudicionit intelektual, patriotik e atdhetar, dëshmi këto të njerëzores e shpirtërores, emocionuese e edukative, libër që dëshmon se,- vetë koha e liria që ata gëzonin ka ekzistuar dhe ekziston,- strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, idealeve dhe virtyteve të kombit tonë, Andon Rrumbullaku në librat e tij, shpreh forcën e shpirtit patriotik  e të dijes në bazë të materialeve që ai trashëgoi nga babai i tij , vatrani historik  Lliko Rrumbullaku,  i cili  emigroi për 30 vjet në Amerikë dhe u shqua si atdhetar e patriot, punëtor e i guximshëm, dëshmoi kulturë e edukatë të lartë, fisnik,  anëtar i Shoqatës Vatra me një kontribut të vlerësuar për Shqipërinë e shqiptarët. Në ato libra ai ka shkruar plot  me emocion e mirënjohje, në respekt për Rilindasit, për Frashërllinjtë, për Sejfulla Maleshovën, për vatranët maleshovitë e dëshnicarë, përmetarë e kolonjarë, jugorë e veriorë, për Fan Nolin e Fanolistët, për Konitzën e Kristo Floqin, për VATRËN –këtë cerdhe patriotësh, për  VATRANËT e AMERIKËS,  për luftën e tyre me pushkë e penë, për shumë patriotë e atdhetarë të njohur në Amerikë që gjetën mbështetje dhe  zhvilluan veprimtarinë e tyre patriotike me mendje, penë e materialisht, për kontributin e tyre të madh për tokën mëmë, për vlerat e larta të identitetit kombëtar. Sepsë është fakt i pamohueshëm që shqiptarët janë të pasur nga ndjenjat patriotike dhe këtë shkrimtari publicisti, dhe vatrani Rrumbullaku është munduar ta reflektojë e pasurojë në librat e tij që tashmë gjenden ngado. Ai ka shkruar edhe për emigrantët e thjeshtë e të rinj, për vatranët e rinj, që me vullnet, guxim e dashuri punojnë e jetojnë, për integrimin e tyre, të vlerave kombëtare e historike ashtu si kanë bërë vatranët e vjetër me Nolin e Konitzën. Është për të vlerësuar guximi dhe përkushtimi i z. Rrumbullaku, që pavarësisht moshës, ai kurrë nuk u ndal dhe nuk u dorëzua, por vazhdonte të hidhte në letër vlerat e virytet kombëtare të shqiptarit, dëshmonte përpjekjet, sfidat dhe kontributin e mërgimtarëve të vjetër e të rinj të Hartford-it, aty ku ndërthuren dhe integrohen kulturat, dashuria për atdheun e munguar, puna e sakrificat e tyre, për të ruajtur dhe trashëguar, gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare. Autori Rrumbullaku dëshmonte e pohonte rolin pro-aktiv në shoqërinë amerikane, duke përcjellë kështu mesazhin e dashurisë e vëllazërisë, jo vetëm në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera.

E ndjejmë se Degës Vatra në Hartford dhe Federatës Pan Shqiptare Vatra iu shkëput edhe  një patriot besnik e I devotshëm, Shkrimtari, publicisti dhe Vatrani Andon Rrumbullaku, një nga   mbështetësit e kauzës së shenjtë të integritetit dhe  identetit tonë shqiptar në këtë tokë të mundësisë e multikulturore, krahas kulturave të tjera, respektues të ligjeve dhe zakoneve ku ai jetoi, punoi dhe kontrioui me penë e krahë të shëndoshë për cështjen tonë kombëtare.  

Trashëgimia e dhe kontributi i tij janë mbresëlënës, krahas dritës së mesazhit që shkrimtari, publicisti dhe vatrani, përmetari fisnik Andon Rrumbullaku la për brezat e vatranëvë të djeshëm e të sotëm;

“Fedarata Pan Shqiptare VATRA u themelua në një kohë me Pavarësinë e Shqipërisë, duke u shëndrruar kështu në një autoritet të fuqishëm e të cmuar kombëtar e ndërkombëtar, me propagandë dhe ndihma pakursim, edhe vullnetarë në mbrojtje të një Shqipërie të lirë, të pavarur  dhe për ta bërë të denjë midis shteteve të Europës. VATRA & VATRANËT e sotëm, duhet  të ecin në gjurmët e të parëve, duke i mbajtur të  bashkuar shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare rreth saj, padallim feje e ideje ashtu si e themeluan dhe na i lanë trashëgim patriotët shqiptarë me në krye Fan Nolin dhe Konitzën, Ta ruajmë VATRËN, -këtë  cerdhe patriotësh e atdhetarësh! Këtë t’ua lëmë amanet edhe brezave në Amerikë, për ruajtjen e vlerave e  identitetit kombëtar në atdheun tonë të dytë Amerikën dhe për një Shqipëri, xhevahir në zemër të Ballkanit! 

Prehu në PAQE, mik, patriot, koleg, atdhetar Vatran i fismë dhe i Devotshëm!

Të qoftë dheu i lehtë! 

I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!

24 Nëntor, 2020

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA

Filed Under: Featured Tagged With: Andon rrumbullaku, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT