• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

URIME PER VITIN E RI 2021!

December 30, 2020 by dgreca

Nga Thanas L Gjika/

Viti 2020 ishte nje vit i covidit-19 me plot veshtiresi dhe me akrobaci te Kryeministrit Z. Edi Rama, i cili nga nje ane mbodhi dy qeverite (te Shqiperise e te Kosoves) ne nje mbledhje e shpalli se punon per planin strategjik KUQ E ZI, pra per bashkimin e shqiptareve ne nje shtet kombetar, nga ana tjeter vendosi trarin te kufiri Shqiperi-Kosove dhe nuk shkoi per te degjuar e pershendetur fjalimin historik te Z-njes V. Osmani qe mbajti ne parlamentin e RSH dhe i kritikoi idete e saj atdhetare te nje politike te re… 

Por une nuk behem pesimist sepse vetem duke lexuar ne gazeta e fb gjate ketij viti vura re se ne shqiptaret jemi nje popull vital. Me gjithe kete gjendje te veshtire shume prej nesh kete vit hartuan disa krijime shume te goditura, ndoshta me te mira se te viteve te tjere qe kane qene me te mbare. Nuk po permend shume emra, por sa per ilustrim po permend poetet e talentuar Shinasi Rama, Xhevdet Bajraj, Agron Tufa, Petraq Risto me vellimet e tyre te rinj poetike me figuracione origjinale, Luan Ramen me krijimet poetike e tregime te ndjera; kampionin e te perndjekurve Lek Pervizin; analistet Jozef Radi, Adriatik R. Dostin me artikujt e kthjellet, gazetaret Frank G. Shkreli, Beqir Sina, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Edlira e Skender Bucpapaj, kampionin e te perndjekurve Lek Pervizi; Visar Zhitin me shkrime brilante ne proze e poezi, romancieret Thanas Medi, Thanas Jorgji, Kristaq Turtulli, Agim Bacelli me romanet e tyre terheqes; Grigor Jovani me poezite e tij plot ndjenja te ngrohta; Kostandin Koliqi me analizen e mbrekullueshme te vitit te mbrapshte 1997, Akri Cipa me analizat e shkurta plot mendime te thella, Baki Ymeri qe ka vijuar te botoje ne Bukuresht revisten “Albanezul”, Sami Milloshi me vellimin me tregime perkthyer anglisht nga zonjusha Carrie Hooper e shume tregime e piktura, piktore te shumte si Haxhiraj, Rizaj, Karanxha , Xega, etj; agronomin Koco Mosko me studimet per drure frutore e dekorative; komentatore te shumte ne fb midis te cileve shquhen Z. Klodi Stralla, George Fefa (Gjergji Pano), Anthony Perdoda, Arben Kallamata dhe i ndjeri Kliti Kallamata, etj; fotografi i talentuar Eliano Kalemi qe po e afron fotografine me pikturen; shkrimtarin memuarist e fotograf artistik Ylli Demneri e nje mori shqiptaresh te tjere ne diaspore e brenda ne Shqiperi, Kosove e Maqedoni te Veriut qe kane botuar vepra te shumta cilesore. Si dhe shume femra intelektuale si qe kane botuar poezi, tregime, skica, romane, studime midis tjerash popermend Meri Lalaj, Eglantina Mandia, Julia Gjika, Emrie Krosi, Merita Shkupi, Klara Celo, etj… Pra ky vitalitet krijues me jep kuraje te mendoj se Viti i Ri 2021 do te jete edhe me i mbare, madje shpresoj e uroj qe ne zgjedhjet e 25 prillit votuesit shqiptare te fshijne nga lista emrat e kandidateve qe kane vene partite politike dhe te vendosin emra njerezish te ndershem qe nuk kane qene me pare pjese e klases se korruptuar politike…

Filed Under: Komente Tagged With: Thanas L.Gjika, Viti I Ri 2021

FLAMURI

December 29, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Flamuri permbledh kujtimet e një kombi, shkruante Faik Konica,….Cilat jane kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri yne? Përkundër kujtimeve që duket të jenë, në të vërtetë nuk janë.
Një nga simbolet më të lidhura me Perandorinë Bizantine është shqiponja dykrenare. Sidoqoftë, ky simbol nuk u bë i dukshëm deri afër fundit të historisë bizantine; për herë të parë u bë i famshëm gjatë sundimit të Dinastisë Palaiologe 1261 – 1453), e cila ishte dinastia e fundit në pushtet e Perandorisë Bizantine. 

Flamuri Bizantin

Motivi me shqiponjën dykrenare është përdorur si emblemë nga vende, kombe dhe dinasti mbretërore në Evropë që nga periudha e hershme mesjetare. Para përdorimit në periudhën Bizantine, shqiponja dykrenare ishte përdorur nga turqit selxhukë. 
Flamuri i sulxhuk

Është e qartë se arbërit e shekullit XIV qëllimisht përpiqeshin të kanalizonin trashëgiminë e Perandorisë Bizantine, edhe pse nuk mund të thuhet që flamuri i sotëm shqiptar është një kopje e shqiponjës dykrenare bizantine, sepse duket e stilizuar pak më ndryshe.
Flamuri shqiptar

Duket se shqiptarët thjesht ndjeheshin dembelë kur hartuan flamurin e tyre, kështu që vendosën të riciklonin një emblemë të vjetër nga një perandori që nuk ekzistonte. Përkundrazi, është mjaft e qartë se shumë mendime u hodhën në hartimin e flamurit shqiptar, dhe vendimi për të përdorur shqiponjën dykrenare ishte i qëllimshëm që përfshinte një konsideratë të madhe. Ata që hartuan flamurin kombëtar shqiptar donin që njerëzit të njihnin ngjashmërinë midis flamurit të tyre dhe shqiponjës dykrenare bizantine, dhe zgjodhën shqiponjën dykrenare për flamurin e tyre sepse, duke vepruar kështu, lidheshin qëllimisht me Perandorinë Bizantine dhe përpiqeshin të portretizonin veten si pasardhës së trashëgimisë Bizantine. Vlen të përmendet gjithashtu se me origjinalitetin në ikonografi, as bizantinët nuk ishin të parët që dolën me simbolin e shqiponjës dykrenare; shqiponja dykrenare është në të fakt një simbol shumë antik me një histori të gjatë që shkon deri tek Hititët e lashtë.
Bizantinët thjesht e miratuan atë. 
Emblemë Hitite

A mos ishte intuita e lashtë që i shtyu rilindasit të zgjidhnin si flamur shqiponjën dykrenare? Megjithëse ia vlen të përmendet gjithashtu se disa shqiptarë përdornin shqiponjën dykrenare të periudhës së vonë bizantine. Për shembull, këtu është stema e Principatës së Kastriotëve (1389 – 1444), një principatë e madhe dhe e rëndësishme e Shqipërisë mesjetare. Shqiponja ngjan më shumë me atë të periudhës bizantine ose hitite, sesa flamuri i sotëm shqiptar ngjan me flamurin e Kastriotëve. 

Stema e Kastriotëve

Nëse i hidhet një vështrim të 5 flamurëve, dallohet se ndahen në dy grupe; flamuri sulxhuk dhe shqiptar formojnë një grup, atë të shqiponjës që fluturon horizontalisht (zgjerim); dhe flamurët hitit, bizantinë dhe të Kastriotëve, që fluturojnë vertikalisht (lartësim). Megjithëse historikisht nuk është regjistruar ndonjë Kuvend mbi Flamurin, ngjashëm me Kuvendin e Manastirit mbi Alfabetin, duket se zgjedhja e flamurit që kemi sot mund të ketë qenë një zgjidhje kompromisi mes rilindasve myslimanë e të krishterët, dhe për shtrirje  e dorës së pajtimit mes besimeve, pas 500 vjetësh nën pushtimin osman.
Konica pyet – “Cilat jane kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë?”, dhe përgjigjet – “Nuk janë kujtime lakmirash…dhe rrëmbimesh: janë kujtime…me mundime dhe…trimërira që kanë lënë gjurma mes gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikepamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët”. Faik Konica njihet si zbulues apo identifikues i ngjyrave të flamurit të Skenderbeu the afirmuesi më i madh i flamurit kombtar që kemi sot. Në librin “Fletoret Koniciane”, biografi dhe studiuesi i njohur Fotaq Andrea shkruan: “Fan Noli i njeh Faik Konicës, bashkëluftëtarit të tij në Kryqëzatën e shenjtë Kombëtare, meritën e zbulimit të Flamurit të Skënderbeut. Meritë madhore, për gjithë sa simbolizon vetë flamuri kombëtar, sidomos kur sjellim në vëmendje ato kohëra të errëta e të egra që përjetonin shqiptarët nën pushtimin osman. Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre shqiptarëve për t’u mbledhur rreth flamurit tonë. Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e  Albanisë, emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Flamuri

NË VITIN E RI: PËR NJË PARTI SHQIPTARE

December 29, 2020 by dgreca

Me rastin e mbylljes së vitit të Gjergj Fishtës – 80-vjetorit të vdekjes/

  Nga Frank Shkreli/

 At Gjergj Fisht ka ndërruar jetë me 30 Dhjetor, 1940. Disa entuziastë të Poetit Kombëtar e kishin shpallur (privatisht) vitin 2020 si “Viti i Fishtës”, duke shpresuar (më kot) se entet zyrtare, Akademitë e Shkencave të dy shteteve shqiptare — në Shqipëri dhe Kosovë — do të bënin një gjë të tillë për të kujtuar njeriun e madh të letrave shqipe – por që nuk e bënë.

Në fund të këtij viti që vërtetë duhej të ishte shpallur zyrtarisht, si “Viti i At Gjergj Fishtës”, por që nuk ndodhi dhe në fillim të Vitit të Ri, në prak të të cilit Kombi Shqiptar, si Shqipëria ashtu edhe Kosova duket se do të përballen me sfidat më serioze të 30-viteve post-komunizëm, në liri dhe demokraci due pavarësi për Kosovën.  Jo se këto sfida dhe rreziqe, me të cilat po përballet Kombi, janë shkaktuar nga të huajt – megjithëse edhe ata, sidomos, fqinjtë e shqiptarëve kanë punuar dhe punojnë që shqiptarëve tu shkojnë punët si është më keq, sidomos midis njëri tjetrit. Por rreziqet dhe problemet e mëdha me të cilat përballen sot Shqipëria dhe Kosova dhe të gjithë shqiptarët, janë pasojë të atij që At Gjergj Fishta e kishte quajtur dikur si “Rreziku i përbrendëshëm”.  Ndërsa Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojnë zgjedhje parlamentare në fillim të Vitit të Ri, në të cilat do të marrin pjesë me dyzina parti politike, të udhëhequr nga individë, që i kanë hyrë politikës duke “shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”, dhe jo për të mirën dhe përparimin e Kombit.  Njerëz të tillë të politikës shqiptare edhe sot përbejnë, si askush tjerë, përfshir armiqtë e jashtëm të Kombit -rrezikun më të madh për Shqipërinë dhe për Kosovën. Prandaj në prak të zgjedhjeve të Vitit të Ri, shqiptarët kanë nevojë për një “Parti Shqiptare”, përfaqsuesit e të cilës do të kenë si qëllim interesat madhore të Kombit dhe miqëqenjen e të gjithë shqiptarëve, pasi “gjaku i të gjithë shqiptarëve ashtë nji” (Fishta), ashtuqë ata të mos detyrohen të zbrazin trojet shqiptare nga keq-qeverisja dhe nga “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”. (Fishta), 

Pasi, fatkeqësisht, në prak të zgjedhjeve të reja në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk kemi vërtetë një Parti Shqiptare që vetëm lufton për interesat shqiptare dhe pasi nuk kemi as edhe një Fishtë të dytë që të na paralajmërojë për rreziqet e përbrendshme që paraqesin partitë aktuale kryesore në trojet shqiptare – mendova se ia vlen që në fund të vitit 2020 –”Viti i At Gjergj Fishtës”, që nuk ishte – dhe me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Poetit të Madh të kombit – të kujtojmë paralajmërimin prej profeti të Gjergj Fishtës mbi “rrezikun e përbrendshëm” , fjalë tepër aktuale edhe për ditët e sotëme, për ata që duan ti lexojnë e ti dëgjojnë, para se të jetë tepër vonë – botuar dy vjet më parë:

Paralajmërimin për rrezikun e brendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921.  Megjithëse artikulli është shkruar para 100 viteve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmërimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike mbi rrezikun e brendshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësisht, tingëllon aktual, si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve – Shqipëri e Kosovë, një shekull më vonë.  At Gjergj Fishta e njihte mirë fizionominë e shqiptarit.  Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për medien e sotme shqiptare, bashkpuntore të kësaj klase të papërgjegjëshme politike.

Fishta konsideronte se “rreziku i brendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e brendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë. Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i brendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”.  Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasysh se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të Kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.  Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithëse për shqiptarët “modernë” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them, se e kini gabim.  Në sytë e vrojtuesve të paanshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtës janë aq aktuale sot, sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikur, fatkeqësisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasysh gjendja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve e të tjera që, historikisht, nuk e paraqet klasën e sotme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë në botë — qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, një shekull më parë.

Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqtë e kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare. Gjendja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prag të zgjedhjeve  dhe situata e brishtë e brendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar e, sidomos, nga ta që sot kanë në dorë “timonin” e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë — favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët.  Por, me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballeshin më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike. Në paralajmërimin për rrezikun e brendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, “Hylli i Dritës”, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një perspektivë historike të tijën, shkruan se nëse para fitimit të pavarësisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye. Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohësisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet Kombi shqiptar?  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë. “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…” Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”

Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”

“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni

 “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?

“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta, në vitin 1921.

 Fatkeqësisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasysh as në kohën e tij, as më vonë. Por ia vlen që sot, pothuaj 100-vjet më vonë, kjo kambanë kushtrimi, kujdes rrezikun e përbrendshëm” — të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm, por edhe nga të gjithë shqitarët, para se të jetë tepër vonë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Kjo është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë përçarëse të 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, që siç e ka thënë At Gjergj Fishta, asaj “lëngatës” të rrezikut të brendshëm, t’i bëhet ballë që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Kombi shqiptar ka nevojë për një këthesë të re historike, me njerëz të ri dhe me përfaqsues ndryshe!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, PËR NJË PARTI SHQIPTARE

DEKLARATE-VATRA KERKON TRANSPARENCE PER VIJEN DETARE ME GREQINE

December 29, 2020 by dgreca

DEKLARATË/

  • Çështja e vijës së ujërave detare me Greqinë/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, po e ndjek me shqetësim dinamikën e re në lidhje përcaktimin e vijës ujore detare të Greqisë. Marrëvëshja e bërë publike për adresimin e kësaj çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vendimi i fundit zyrtar i shtetit grek për zgjerimin e ujërave të saj detare me 12 milje dhe deklarata e Kryeministrit Rama se Greqia është në të drejtën e saj për këtë zgjerim, vetëm se e kanë bërë më të paqartë, të dyshueshme dhe të kontestueshme këtë çështje. Në kushtet e një terri të plotë informativ nga qeveria e Tiranës, këto veprime dhe deklarata ngrenë pikëpyetje të mëdha si: 

-A është  marrë parasysh e drejta ndërkombëtare dhe kombëtare e ndarjes së ujërave detare? 

-A ka marrëveshje të fshetë në mes kryeministrit Rama dhe palës greke? 

-Në qotë se ka një marrëveshjë të tillë a është marrë parasysh opinion i ekspertëve shqiptarë? 

-Çfarë përfiton dhe çfarë humbet Shqipëria nga ky veprim i fundit i Greqisë.

-Meqenëse vendimet Gjykatës së Drejtësisë në Hagë ka kanë fuqi vendimtare të pakontestueshme, përse nuk është adresuar kjo çështjë më parë në gjykatat speciale të cilat merren direkt me vijërat detare të shteteve?

-A e njeh shteti Grek juridiksionin e vendimeve të Gjykatës së Hagës, dhe në qoftë së nuk e njeh përse u përzgjodh kjo gjykatë për vendim?

Ngejmë zërin tonë në emër të Federatës Panshqiptare Vatra dhe gjithë patriotëvë shqiptarë në Amerikë dhe i kërkojmë Kryeministrit Rama përgjigje dhe  transparencë të plotë dhe në detaje për këtë çështje. Po ashtu, i kërkojmë zotit Rama që të zbutë gjuhën e komunikimit me opinionin publik shqiptar që e kundërshton këtë akt të fundit të Greqisë, të kryejë në çdo rast avokatinë e Shqipërisë dhe shtetasve të saj dhe jo të shtetit grek. 

Në rast të një marrveshje të fshehtë, të mungesës së transparencës, shkeljes së të drejtave dhe interesit kombëtar të Shqipërisë,  në çdo vend të botës do të kishte nuancat e një tradhëtie e madhe kombëtare, që nëse jemi në këto kushte, sigurisht do të marrë përgjigjen që meriton nga shqiptarët. 

Në të njëjtën kohë e inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë në thellimin e traktateve të miqësisë dhe abrogimin e Ligjit të Luftës me Greqinë, por këto në asnjë rrethanë të mos jenë parakushte negociatash për favore për shtetin Grek në vijën detarë në dëm të Shqipërisë. 

Federate Vatra i bën thirrje Institucionit të Presidentit dhe Gjykates së Larte të Republikës së Shqipërise të shfrytëzojnë të gjitha prerogativat që u jep Kushtetuta e Shqipërisë, që të hetojnë dhe të shfuqizojnë çdo nismë dhe çdo marrëveshje të fshehtë që cënon të drejtat ndërkombëtare dhe terësinë ujore të Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë, në interes të popullit shqiptar dhe të ardhmes së tij, të mbajë ne mbikqyrje të plotë të gjitha vendimet e ardhshme të qeverisë Rama, duke qenë në kushtet e një situate parazgjedhore dhe të një rotacion të mundshëm politik. Federata Vatra do te jetë në përkrahje të marrëveshjeve dhe vendimeve të cilat mbrojnë tërësinë territoriale apo ujore të Shqiperisë dhe Kosovës dhe që janë në interes të kombit shqiptar.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra

Filed Under: Opinion Tagged With: kufijte detare, Vatra

Dhoma e Përfaqësuesve rrëzon veton e presidentit mbi projektligjin për mbrojtjen

December 29, 2020 by dgreca

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të hënën për të tejkaluar veton e Presidentit Trump ndaj projektligjit prej 740 miliardë dollarësh për mbrojtjen, një votë që pasqyron ndarje të thella në Partinë Republikane në javët e fundit të Presidencës Trump.

Me 322 vota pro dhe 87 kundër, ku përfshihen 109 republikanë që votuan për të rrëzuar veton e presidentit, fati i kësaj mase mbetet në dorë të Senatit. Nëse Senati ndjek shembullin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të jetë hera e parë që rrëzohet vetoja e Presidentit Trump në katër vjet të mandatit të tij.

Presidenti, i cili është i revoltuar me disa republikanë që kanë përgëzuar si fitues të zgjedhjeve demokratin Joe Biden, i vuri veton projektligjit të mërkurën.

Presidenti Trump tha se bllokoi projektligjin sepse donte të anulonte mbrojtjen nga paditë ligjore që gëzojnë kompanitë e medias sociale. Po ashtu presidenti kundërshton klauzolën për të ndryshuar emrat e bazave ushtarake që kujtojnë gjeneralë që luftuan në emër të Konfederatës gjatë Luftës Civile.

Projektligji, i cili përfshin një numër klauzolash për politikat e mbrojtjes dhe një rritje rroge për trupat amerikane, është miratuar pa probleme çdo vit që nga 1961.

Projektligji u miratua këtë radhë me vota të mjaftueshme (mbi 2/3 e anëtarëve të Dhomave) që e bënte të pamundur për presidentin t’i vinte veton. Por presidenti gjithsesi i vuri veton duke bërë që projektligji të kthehej në Kongres për një votim për të kapërcyer veton e presidentit.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: bie, Dhoma e perfaqesuesve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT