• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

KUDO DËGJOJ EMRIN TËND…

December 8, 2020 by dgreca

SHKRUAN: JULIA GJIKA/

Udhëtojmë në një ditë gjithë dritë të Gushtit drejt Amherst, MA. Shpirti më mbushet me freskinë e mëngjesit. Para meje hapet ajo natyrë, që dikur rrethonteAtë, ndjej frymën e një bukurie mahnitëse, që dikur mbështillte Atë. Po shkoj në ato udhë për të prekur gjurmët e Saj, ndërsa flladi, ai fllad për të cilin Ajo lutej, më uron mirëseardhjen në shtëpinë e Saj, sot shtëpi muze, kuPoetja më e dashur e Amerikës, Emily Dickinson kish lindur dhe kaluar shumë nga vitet e jetës.

Petale lulesh, gjethe, drurë, rrugë, ngjyra, shumëngjyra dhe zëri i këngëtarit Bob Dylan, që përhapet nga CD e makinës “DËGJOJ EMRIN TËND”, më afrojnë portretin e Saj. Ndjej të më pushtojë një ngrohtësi hyjnore. Njomështia e barit, kënga e zogjve, lulet e egra apo të kultivuara, fluturat dhe bletët në hapësirën plot dritë të këtij mëngjesi gushti, më sjellin vargjet e Saj aq të njohura sot, jo vetëm në Amerikë, por kudo  në Botë.

Ne emër të bletëve

të Fluturave

dhe të Flladit

Amen!

Shtëpia muze me nr. 280 në qëndër të Amherst, MA, është ndërtuar nga gjyshi i Emily Dickinson, Samuel Fowler Dickinson në 1813. Ishte shtëpia e parë në Amherst ndërtuar me tulla. Emily e donte, e adhuronte atë shtëpi. Shtëpia e të vëllait, Austin, është në krah të saj, lidhur me një rrugë të ngushtë mes kopshtit. Do të ndërtohej në vitin 1856. Kjo rrugë kryesore në Amherst, MA, është e zënë në çdo stinë të vitit, në të dy krahët nga makina, për të sjellë aty vizitorë te artit dhe letërsise, jo vetëm nga Amerika, por Azia, Europa, nga gjithe Bota. Shtëpia muze e shpallur si e tillë në vitin 2003, ka krijuar rrugë të reja për tu takuar me autoren që kaloi jetën në Amherst. Duke hyrë në ambjentet e katit të parë të kësaj shtëpie muze ne mësojmë nga dokumentat dhe fotografitë e vendosura nëpër mure apo tavolina.

Shoqëruesja jonë, një grua qe i ka kapërxyer të 80-tat, zonja Jane Price, e bën këtë punë me shumë përkushtim, mban në dorë një bllok te vogël shënimesh dhe herë pas here lexon thënie të Emilisë, vargje dhe mendime e përshtypje nga njerës që e kanë njohur Emilinë.

Mesojmë se kur Emily ishte 10 vjeç, gjyshi i saj e humbi këtë shtëpi. Familja u vendos në një shtëpi tjetër, prej druri, e cila nuk ishte shumë larg nga North Plesant Street. Kështu Emily nuk i la shoqet, qytetin ku u rrit, por ndjeu që la pas një pjesë të Saj. Kur i vëllai e gjeti fshehur ne korije para se të largoheshin ajo i tha: “ ndjehem sikur na kanë dalë rrënjët jashtë.” I vëllai përpiqej ta qetësonte, por edhe ai ndjehej keq që lanë shtëpine e ndërtuar nga gjyshi. Edhe pse ishte në një distancë shumë të shkurtër, lëvizja kishte shumë punë, por fëmijët të edukuar me punë, ashtu si prindërit ndihmuan në paketimin e sendeve. Emily, e kujdeshme, mbështillte qelqet me zarzavate turshi apo reçelra të bëra nga prodhimet e kopshtit, Austin mbështillte këmbët e mobiljeve, ndërsa babai, që mbante peshën kryesore, thirri dy burra të bënin punët e rënda dhe një vagon të madh e tërhoqën me kuaj, kështu cdo gjë u lëviz pa u dëmtuar.

Babai, Edward Dickinson ishte realist, ai u premtoi fëmijëve se do të bënte aq para për të larë debitin e krijuar nga i jati, gjyshit që ishte nje idealist, dhe do ta blinte sërish shtëpinë e madhe.

Ato dhjetë vjet në shtëpinë pranë varrezave, për Emilinë kanë qënë vite të një eksperience të patreguar. Ajo përjetoi dhimbjen më të madhe tek shihte kortezhet që përcillnin për në banesën e funditbanorë të moshave të ndryshme, i dorëzoheshin vdekjes nga sëmundja e tuberkulozit që në ato vite bënte kërdinë, siç kositej bari kositeshin jetët. Edhe pse kishte dhimbje në shpirt, vargjet që hidhte në letër ishin brilante. Mëndja e Saj ishte e pasur me imagjinatë dhe shpirti i Saj ishte i fortë. Një forcë e mbinatyrshme e Emily Elizabeth Dickinson ka lindur në 10 Dhjetor, 1830 në fshatin e vogël Amherst, 131.2 km larg Boston, Massachusetts, USA.Vëllai i saj, William Austin Dickinson ka lindur në 16 Prill, 1829 dhe motra e saj Lavinia, që shkurtimisht e thërisnin Vini, në 28 Shkurt, 1833. Ata ishin e nënta gjeneratë Dickinson. Në shumë rrugë gjithë fisi i tyre jetonte në paqe dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin.

Emily dhe Austin kishin flokë gështenjë si i jati, Lavinia të errta si e jëma. Austin dhe Emily ishin të përkushtuar me artin. Ajo në shkrime, ai në mbledhje koleksion pikturash. Të dy të dashuruar me letërsinë e kohës. Më mirë se çdo kush në familje dhe më gjërë i vellai Austin e kuptonte Emilinë. Babai i tyre, Edward, ishte avokat i respektuar, zyrtar në institucione me rëndësi. Ai nuk qeshte shumë nëpër shtëpi, por i donte fëmijët shumë. Ai e tregonte dashurinë në mënyrat që ai bënte për ta. Nëna e tyreishte një grua modeste. Ajo duhet të dinte çdo gjë rreth ekonomisë në shtëpi.

Emily e donte dimrin dhe lojrat në dëborë. Ajo i gëzohej së ftohtës dhe lojrave pranë oxhakut. Por ajo që pëlqente më shumë ishte pranvera, kur gjithë lulet shpërthenin dhe gjithë bota i kthehej jetës mbas një gjumi të gjatë. Ajo e donte pranverën veç asaj në 1840 — ishte nëntë vjeçe kur zbuloi se familja do të linte shtëpinë e madhe.

Sa ishte gjallë shkroi rreth 1800 poezi. Në moshën 31 vjeç publikoi vetem 3-4 prej tyre. Bota që e frymëzonte ishte jeta, dashuria, natyra, pavdekësia.

Qysh nga viti 2003 siç e thamë më lart, ajo shtëpi dhe shtëpia e të vëllait Austin, janë inaguruar si dy shtëpi muze. Një nga anëtarët që ju bashkua grupit tonë është Margaret Freeman, anëtare në Shoqerinë Internacionale të Emily Dickinson. Margaret ka emigruar nga Anglia në vitin 1960, ka punuar si mësuese në Kolegjin e Amherst. Me të është edhe studentja nga Kina, Janbin Kong, që studjon e përkthen në gjuhën kineze poezinë e Emily Dickinson. Margaret për katër muaj do ta mbajë afër për ta aftësuar në gjuhën angleze. Margaret që është e familjarizuar me jetën dhe veprën e shkrimtares më shumë se çdo anëtar i grupit tonë, na tregon ngjarje dhe kujton vargjet e shkrimtares. Midis të tjerave na thotë se: “Në ditën e inagurimit te dy shtëpive muze nuk u përdor gërshëra për të prerë fjongon e festimit, por dy fjongo u lidhën bashkë për të celebruar një bashkim të rëndësishem të tyre.” Janbin, është shumë e lumtur që do të meret me përkthimin, sjelljen e poezive brilante në gjuhën kineze, po ashtu ndjen dhe përgjegjësinë e kësaj pune që ka marë përsipër, ndaj kërkon të njohë e të prekë çdo detaj në këtë shtëpi muze e më gjërë.

“Do të ngjitemi në katin e dytë”, na thotë shoqëruesja, “më ndiqni në Udhëtimin që do të zgjate 90 minuta”. Ndoshta nuk do të na mjaftojnë…

Muzika e jetës e atyre viteve të largëta na shoqëron tek njitemi shkallëve për të hyrë në dhomat e shtëpisë në ajo e ndënies, bie në sy një foto mbi vatrën e oxhakut, Emily ka dalë me të vëllanë Austin dhe motrën Lavinia. Emily mban një pikturë në duar. Shohim të vizatuar trëndafila të kuq, lulet ajo i donte shumë sidomos lulet e egra. Pothuaj se gjith luleve që kish në kopësht ua dinte emrat. Kur e jëma shkonte në qytet Emily mezi priste që ajo të kthehej, për të mësuar të rejat nga qyteti, kush kish lindur bebe, kush kish ditëlindje, për të bërë urimin e rastit me poezi dhe për të shpënë një tufë lule nga kopshti që kujdesej vetë dhe ndonjë ëmbëlsirë si kekun e saj me famë. Dhuratat e saj ishin krijime të duarve, mëndjes dhe zemrës së gëzuar.

Përballë me oxhakun është një pjano e vogël ku ajo clodhej duke luajtur dhe mbushte shtëpinë me tinguj, të gëzuar, por do të shkruante:

Zhurma e ujrave në pishinë

Eshtë më e bukur se tingujt që dalin nga pianoja ime.

Më tej është një divan, dy kolltukë. Ky është ambjenti ku familja priste miq për caj dhe shtroheshin dreka.

Gratë dhe vajzat bënin gjithë punët e shtëpisë. Ajo që imundonte, apo trishtonte më shumë ishte hekurosja e rrobave. Ato duhet të piqnin bukë, të mbillnin lule dhe pemë, zarzavate, të bënin recelra për në dimër, të mbanin shtëpinë pastër dhe të ishin gati për t’u uruar miqve mirëseardhjen në cdo kohë. Emily dhe gjith familja e saj kënaqeshin me miqtë edhe pse kërkonte extra punë. Miqtë vinin shpesh me kuajt e tyre, në se nuk ishin shumë larg.

Kalojmë në dhomën e gjumit, ku shkrimtarja shkruajti për tre dekada.Dy dritare që shikojnë nga rruga dhe mbushin dhomën me dritë, Po ashtu nga dritarja përballë me shtëpinë e të vëllait Emily kontrollonte përtej për dy nipërit dhe mbesën. Ne qëndrojmë përpara kësaj fortese dhe studio të shkrimtares.Shtëpia është duke u riparuar, murret janë për të lyer, janë cveshur nga ngjyrat origjinale, por tek tuk ato janë aty dhe ne i dallojmë sidomos ku murri prek tavanin. Emily qëndronte me orë të tëra vetëm në këtë dhome.

Mbesa e saj, Martha, vajza e të vellait, në librin e saj më vonë do të shkruajë:

“ Dëshira për të qëndruar vetëm në këtë dhomë ishte celsi i ndjesimit, liria nga ku ajo perceptonte gjithcka”.

Tavolina dhe karrikja ku shkruajti për tre dekada, qëndron aty përballë me dritën që vjen nga dritaret .Kur të tjerët shkonin në krevat për të fjetur, Emily qëndronte zgjuar në dhomën e Saj dhe shkruante në tavolinë. Tavolina e shkrimit ishte për zonja, 17.5 inch me një karike. Shkruante nën llampën me vaj që e mbante atje. Shkruante me bojë, boja qe e shtrenjtë dhe shpesh herë e bënin vetë. Mbante portretet e Elizabeth Barret Browing, George Eliot, Ralph Waldo Emerson, Thomas Caryle, të kishte shoqërinë e tyre në orët e natës.Pse nuk shkonte jashtë shtëpisë, e motra e mbulonte jo sepse nuk i donte njerëzit, por sepse duhet të punonte shumë në zgjedhjet e saj.

Një ditë i jati i kërkoi t’i lexonte ndonjë nga poezitë e saj, për të kuptuar më mirë kushtimin e të bijës dhe ajo e ndjerë e respektuar filloi të recitonte me zërin e saj gazmor.

Poezinë nr 318:

Ta them unë si u zgjua Dielli.

Dalë nga dalë me fije fjongosh.

Majat e kishave u përflakën

Dhe lajmet vrapuan.

Vraponin si ketrat.

Kodrat i zgidhën kapuçat e tyre

Zogjtë filluan të këndojnë

Dhe unë i thashë vehtes butësisht

Ky do të ketë qënë Dielli…

Ndërsa e jëma që e shikonte të pakët dhe që lodhej edhe me shkollën ndonjëhere i thosh të rinte në shtëpi, kish nevojë të clodhej dhe të shëtiste në ajër të pastër. Lutjet e saj xhentile janë aty pranë shtratit, Babai i tyre ishte një kristian i devotshëm dhe e ulte gjithë familjen dy herë në ditë në lutje, duke u lexuar dhe kapituj nga Bibla. Mbi komodinën bri shtratit shohim shportën e vogël, të cilën e ulte me një litar nga dritarja, për t’u dhuruar bukë të ngrohtë me ginger fëmijëve të lagjes. Për gatimin e bukës me ginger Emily kish fituar Cmim të Parë me 26 Maj, 1857, kur ishte 27 vjece. I jati nuk hante bukë në se nuk ish gatuar nga duart e saj. Ajo respektonte në familje në radhë të parë burrat, ishte babai, vëllai, pastaj të tjerët. Kur vinte babai në shtëpi do të tundej krejt shtëpia. Ajo e para do të kujdesej që ushqimi të ishte i ngrohtë në tavolinë, gazetat e ditës, të mos mungonte asgjë. Një ditë kur bashkë me Lavinën nxitonin te bënin gjërat në kohë, Lavinia u rrëzua nëpër shkallë. E qeshura e tyre nuk mbahej, Punën për t’i shërbyer babait, apo vëllait e quante një punë të këndëshme, të pëlqyer, “Shtëpia është parajsa për burrin” u thosh me përkushtim.

M.gj. nuk i pëlqente punët shtëpiake, kur i zinte dora e Saj, si ti zinte gjarpri. P. sh e kish merak zjerjen e rrobave, i linte për një orë të valonin, kjo sepse në atë kohë tuberkulozi, apo nje grip, a semundje fyti të shpinin në vdekje.

Aty përbri shohim dhe poezitë në fletë të lidhura, ashtu i pëlqente, i bënte tufa tufa si buqeta lulesh, po ashtu qepte receta për gatim apo ftesa të ndryshme.

Kur na tregon shportën e bukës shoqëruesja shton: “Njerëzit e shihnin tek ulte shportën ngadalë me bukën që nxirte avull, kujtojnë fytyrën e saj që shkëlqente nga gezimi. Ishte e lumtur, shpirti i saj mbushej nga dëshira për të ndihmuar të tjerët, nje shpirt kristian që kish lindur sëbashku me të”. Më tej vazhdon: “Emily kishte nje dhunti që i bënte njerëzit për vehte. Qysh e vogël u tregonte historira, lexonte shumë. Unë rritem për ditë dhe bëhem më e bukur, ja më shihni tani që jam gjashtëmbëdhjetë vjec, a nuk dukem më e bukur se kur isha dhjetë vjec? Kur të bëhem shtatëmbëdhjetë do të jem akoma me e bukur”- u thosh.

Mbi nje komo të vogël është një Harpë e vogël që luhej nga gishtat e erës. Aeolian Harp. Kjo ishte një vegël e dashur e saj që i jepte kënaqësinë e vecantë tek binte në krahët e ëndrrave, përqafohej me muzën, për të ndërtuar me mijra vargje dhe humbiste në gjumin e ëmbël.

Në 5 Korrik të vitit 1879 në oren 1. 30 AM ra një zjarr i madh në Amherst. Zjarri përhapej me shpejtësi cati më cati të zyrave të qytetit, banesave. Emily ishte e trembur nga zhurmat, por nuk e jepte vehten. Motra Lavinia u përpoq ta qetësonte duke i thënë se është vazhdimi i festimit të 4 Korrikut dhe e mori në dhomën e nënës. Emily e la motrën të kuptonte se e besoi historinë. Ajo nuk i tha se e dinte të vërtetën, sepse e kish parë nga dritarja e saj

MIQTE ME TE FORTE TE SHPIRTIT

Emylia asnjëherë nuk ishte e vetmuar, ajo ishte e rethuar nga librat për te cilat thosh: “Friends are close to my soul” Miq të afert në shpirt.”

Libraria në dhomën e gjumit përbëhej nga John Kits, John R Ruskin, Shekspir, Charl Dichens. Bibla ishte frymezimi më i madh, sidomos kapitulli i fundit Zbulesa. Ajo kënaqej me novelat e George Eliot, dhe poemat e Elizabeth Barret Browning dhe burrit të saj Robert.

Rafte të mbushura me libra, kjo edhe për shkak të babait, avokatit, që kishte një fond te pasur librash për profesionin e tij të avokatisë.

I’m glad there are Books

They are better than Heaven,

For that is unavoidable, while

One may miss these.

Kenaqem qe ka Libra

Ata jane me mire se Parajsa,

Ajo eshte e pashmangshme, nderkohe

Qe ne mund t’i humbasim keta.

Nga momenti i parë kur filloi të lexonte Ajo humbi në Fjalët. Cdo njeri kënaqej të dëgjonte zërin e mbrekullueshëm tek fliste e recitonte.Ajo i donte Fjalët. Ajo donte të lunate me to. Pëlqente atë si dukeshin në letër, mënyrën si ndjehej kur i shkruante dhe mënyrën si tingëllonin në mëndjen e saj. Kur i ndryshonte ato , ajo ndërtonte të reja, gjëra të mbrekullueshme. Dashuria për poezinë ishte një dashuri reale.Ajo i bënte njerëzit të mendoheshin. Në poezitë dhe letrat e saj Fjala kish fuqi, e fortë, indipendente me një besim të thellë, ushqehej nga librat dhe eksperienca e cdo dite. E uritur për të vërtetën

Vdekja e Dichensit më 1870 e dëshpëroi pa masë. Ajo ishte e kënaqur me shkrimet e tij. Shpesh ja lexonte nipit Need dhe ai i pëlqente aq shumë sa ajo.

FUSTANI I BARDHE

Në koridorin kur dalim nga dhoma e gjumit shohim të ekspozuar një fustan të bardhë, është imitim i origjinalit . I pëlqente e bardha.

Një shpirt harliset nën dantellë

Drita luan në supin e mbuluar, në krahët.

E shoh tek buzëqesh,

e gëzuar ul shportën me bukë për fëmijët e mëhallës,

ngadalë mos trëmben zogjtë nëpër pemë.

Një aromë përhapin rudhat e atij fustani

Dhe fjalë të ëmbla e të buta nëpër dantella

vallzojnë me avujt e bukës së porsapjekur.

Mbushin dhomën,

Pastaj shpërndahen,

atje poshte dritares.

Ky imitim ka kushtuar $ 6000. Copa u porosit në Angli, kopsat në Gjermani tantellat në Zvicerland. Po ti afrohesh dallon dizenjon e imët të copës së bardhë që mbështillte trupin e vogël të gjenisë.

Grupi ynë i drejton herë pas here pyetje shoqërueses, por ajo para se të përgjigjet vështron orën dhe thotë: Ora e udhëtimit tuaj kaloi, ju jeni grupi që më kini bërë me shumë pyetje. Ndonse do të jetë e përpiktë me regullin e vendosur, është e detyruar t’a prishë pa dashje. Ajo ka qënë për shumë kohë mesuese dhe i njeh mirë nxënësit kureshtarë.

EVERGREEN

Largohemi nga shtëpina e Emilysë duke mbajtur gjithnjë zërin e Saj me vehte, për të shkuar në ajo e të vëllait Austin. Ecim në mes gjelbërimit dhe këngëve të zogjve për në EVERGREEN. Në fillim shoqëruesja jonë që nuk e jep vehten, por duket e lodhur, na fton të pushojmë pak në një nga dhomat e freskëta në kat të parë pastaj vazhdojmë nëpër shkallë që na shpien në ambjentet e katit të dytë, ku vëllai Austin jetoi me gruan e tij Suzanë dhe tre fëmijët, Need që Emily i lexonte Dichens si thamë më lart, Marthën e cila do të mundësonte më vonë mbledhjen e krijimtarisë dhe i vogli Gli që vdiq tetë vjec dhe i dha një dëshpërim të madh Emilysë.

Në koridoret sheh piktura të varura nëpër mure, vetëm në dhomën e ndënjes ishin 13 piktura, objekte të ndryshme blerë nëpër Bot si në Egjypt, Etiopi një Glob i blerë në 1842, një vegël muzikore mbi oxhak që ngjan me një mandolinë të vogël, dekorimet e Suzanës , gruas të vellait, janë në ngjyrë floriri dhe jeshile, një stofë e blerë në vitin 1908, për 40 $. Në dhomën e fëmijve lodra të ndryshme, në kuzhinë servicio të ardhura nga Kina dhe Japonia, në derën e kuzhinës shtatë zile, që lajmëronin shërbëtorët nga lart se dikush kish nevojë për ta.

Përgjatë dhomës ku luanin fëmijët,ecim në një koridor të gjatë dhe të ngushtë të cilin e quajnë “rruga e trenit”, Nga dyert me xhama në dhomën e fëmijëve  lodra të heshtura, bie në sy një kalë me një bazament lëvizës ku djemtë dhe vajzat koloviteshin me orë të tëra.

Në dhomën e ngrënies mbi tavolina dhe kredenca janë ekspozuar, vazo, pjata, filxhanë, komplet servicio të bukura porcelani me vizatime, ku ngjyrat janë të gjalla duke sfiduar vitet., skulptura, paisje, dekorime, mobilje dhe objekte klasi, ndryshe nga shtepia e Emylise, ku sheh rafte të mbushura me libra.

LEXIMI I MADH

Për t’u takuar me autoren, cdo pranverë në Maj nga data 17- 21 bëhet Festivalii poezisë së shpirtit të saj. Eshtë quajtur BIG READ ( Lexim i madh) Cdo vit shtohet pjesëmarja . Vitin e kaluar aty u lexua edhe në gjuhën shqipe – thote Jane. Tashmë ajo është miqësuar me ne dhe e kujtoi këtë rast për të na kënaqur dyfish, sepse në grupin tonë është Ani, pjesëmarsja në këtë festival .

Atë ditë Maji, Ani ishte e ftuar së bashku me ish mësuesen e saj të kolegjit zonjushen Deborah Leonard, e cila në katër vitet e kolegjit i mësoi artin e të shkruarit dhe e njohu me krijimtarinë e poetes së famshme amerikane Emily Dichinson. Z. Leonard lexoi në Anglisht, ndërsa poetja Ani Gjika i lexoi në shqip. Cdo individ ashtu si edhe Ani Gjika, këtë aktivitet e mori si bekim nën emrin e Dichinson.

Ajo ditë na spjegon shoqëruesja, mer një rëndësi të vecantë. Të gjithë pjesmarsit shkojnë kudo ku mendohet se ka shkelur këmba e Saj, Në qëndër të qytetit, në stacionin e trenit ku përcillte a priste miq, në postë, në kolegj ku studjoi për një vit në një seminar , Pjesmarsit përqendrohen tek puna dhe jeta e Saj . Duke dalë nga dyert e kësaj shtëpie muze, na shoqëron zëri i Saj.

Disa njerës vdesin që kur lindin, ndërsa disa jetojnë edhe pas vdekjes. Vepra që lënë pas i bën të pavdekshëm. Emily Dichenson është gjallë, zëri i Saj dëgjohet, jo vetëm në Amherst, MA nga ku doli shumë pak për të parë më tutje. Ajo ndjeu se mund të udhëtojë në botë dhe të takojë njerës që ajo i do nëpërmjet librave. Emily kurrë nuk e lë shtëpinë , që e konsideron vendin më të mirë dhe të shpëtuar për të, ajo nuk e pa oqeanin e madh , apo vënde të tjera,por i pa me sytë e mendjes. Zëri i Saj na vjen jo si një tingull zile, porsi një këmbane. Tingujt mbushin jo vetëm hapësiren ku ajo jetoi, por më larg duke kaperxyer kufijtë e Amerikës, e duke u dëgjuar e prekur Globin. Kontinentet kanë prekur ndjenjën e saj të stamposur në vargjet brilante dhe për këtë kanë punuar e punojnë me përkushtim njerës të letrave anembanë Globit.

NUK ESHTE NJE POETE PER TA KUPTUAR LEHTE

Kështu shkruan Kritikja amerikane Helen Vendler në librin e saj “Komente për poezinë e zgjedhur të Dickinsonit”. Leximi në anglisht i poetëve si Shekspir, Herbert, Vaughan, Milton,Wordsworth, James, Thomson, Keats, George Eliot, Emily Bronte, Elizabeth Barrett Broaning dhe të tjerë. Ajo ka lexuar edhe poete famoze amerikane femra e meshkuj në ditët e saj dhe ka patur korespondenca me Longfellow, Whittier, Bryant, ajo përmend Witman, por nuk e lexoi atë, sepse kishte veshtresi ishte “e turpshme”.

Natyra, vdekja, besimi, dashuria, punojnë në mëndjen dhe mendimet e saj.

Kur publikuesi Thomas Higginson kish publikuar një letër lexuesve të tij në revistën Atlantic Monthly, Prill 1862, Dichinson lexoi dhe admiroi mesazhin e kësaj letre në të cilën Higginson u jep ca këshilla shkrimtarëve të rinj. Si përgjigje ajo i dërgoi katër poezi në fletë të ndara.

Ajo nuk ishte një poete për ta kuptuar lehtë. Më vonë kritikët perfshi dhe Higgiston thanë se ajo ishte një gjeni e lindur.

Vëllimi i Emily Dichenson me editor Thomas H. Johnson në të njëjtën kohë është një biografi poetike mendimesh dhe ndjenjash të një gruaje, ku e bukura është në thellësi, do të shkruajë një kronikë e San Franciskos.

Ajo nuk u martua, jetoi me prindërit dhe motrën Lavinia deri ditët e fundit, në shtëpinë ku u lind. I shërbeu nënës së paralizuar e quante fëmijë dhe vet mori rolin e nënës pa patur kurrë fëmijë. Vetëm pas vdekjes me publikimin e poemave nën kujdesin e motrës Lavinia dhe të tjerëve, e njohën këtë gjeni. Poetja e dinte që influencë e saj poetike nuk do të vdiste.

Poezia 265

“If Fame belonged to me

I could not escape her.”

“Po të më përkiste mua Fama
Unë nuk do i shmangesha dot.”

Mendimi që në Ditën e fundit ajo do të bashkohet me ata që ka dashur e bën që të shkruajë poemën:

“NE IMAGJINATEN E BASHKIMIT”

Poezia 279

Vdekja për të është një mister i madh, ku shpirti fiket ???

poezia166

Vdekja eshte nje murr,

She could not breath

The veil the could not left

Poezia 1100

Tek Dichenson Vdekja  eshte

The UNINTELLIGIBLE riddle

Poezia 373

Ne kete pike ajo takohej me Witmanin. (Vdekja dhe Natyra)

Sa më shumë e lexojmë poezinë e Dickinsonit me shumë vjen atmosfera, natyra, inteligjenca, morali me abstraksionet e saj, kryqëzuar nga imagjinata:

Fame is a bee.

It has a song-

It has a sting-

Ah, too, it has a wing.

Fama eshte si bleta

Ajo ka këngën

Ajo ka thumbin

Ah, gjithashtu, ajo ka krah.

NE VARRET JASHTE QYTETIT

Para largimit tonë ndaluam në varrezat e qytetit. Ishte shumë kollaj të gjendeshin varret e shkrimtares dhe familjes së Saj.Përballë me varret në fasaden e një ndërtese që nuk e mësuam se c’farë ishte nga brenda ishte pikturuar nga piktorë të njohur amerikanë një kompozim i madh ku përfshinte në qëndër portretin e Emily Dichinsonit me gjithë personazhet që kishin hyrë në jetën e saj. Ngjyrat feksnin, të gjalla, portrete dhe karaktere që zbulonin një kohë të shkuar por që lanë gjurmë dhe shkrimtarja i bëri të afërt jo vetëm për lexuesin amerikan..Ne qëndruam pranë varrit të Saj që kishte lule dhe shumë shenja të vizitoreve kalimtare në mos përditë, në cdo kohë.
Ajo që të bën përshtypje në këtë varr është e shkruara në gur:

Lindi ne 10 Dhjetor, 1830.

Dhe u ri-thirr ne 15 Maj, 1886.

Filed Under: Featured Tagged With: Emily Dickinson, Julia Gjika

TAKIMI I POETEVE AZEM SHKRELI ME VEHBI SKENDERIN

December 8, 2020 by dgreca

–E falenderoj veprimtarin Sallah Jonuzi për këto foto të takimit të poetëve Azem Shkreli me Vehbi Skënderin–

Shkruan:Nga Elida Buçpapaj-

Këto dy foto i ka publikuar  veprimtari i çështjes kombëtare  në Zvicër Sallah Jonuzi.

I takojnë majit të vitit të mbrapshtë 1997.

Dega e LDK-së në St. Gallen do të organizonte asaj kohe promovimin e librit të poetit Vehbi Skënderi “Bëjmë Sikur”,

Në takim do të merrte pjesë edhe poeti i shquar nga Kosova Azem Shkreli.

Azem Shkreli kishte lindur në Rugovë të Pejës për të cilin Atdheu ishte dheu i birit, atit e shpirtit të shenjtë.

Vehbi Skënderi i lindur në malësinë e Gorës gjithë jetën i ishte lutur Zotit që ta linte gjallë deri sa ta shihte Kosovën e lirë.

Në një ditë maji të vitit 1997 buzë Liqenit të Kostancës, komunitetit shqiptar në Zvicër organizoi në mënyrë të shkëlqyer takimin e dy poetëve.

Merita i takon veçanërisht LDK-së të asaj kohe.

Azem Shkreli dhe Vehbi Skënderi kishin midis një kohë të ndaluar, të ndarjes të shqiptarëve për së gjalli, që do të deshnin ta mbushnin.

Të pinin mijra kafe e çaje që do t’i kishin pasur për t’i pirë gjatë viteve të Murit të Berlinit ndërshqiptar, në kafenetë e Tiranës apo Prishtinës,

të flisnin me mijra orë që do t’i kishin folur, të recitonin pa rreshtur poezitë e njëri tjetrit për fituar kohën e humbur.

Më 1994 Vehbi Skënderit, falë vlerësimit të shkrimtarëve të Kosovës, iu dha çmimi i parë edhe në Festivalin e Ditëve të Naimit në Tetovë,

që asaj kohe kishte startuar si aktivitet mbarëkombëtar i poezisë shqiptare.

Por ai maj i vitit 1997 do të ishte i fundit i jetuar në tokë për Azem Shkrelin.

Ajo rrokje duarsh me Vehbi Skënderin po e fundit.

Ne patëm fatin ta takonim Azem Shkrelin po gjatë asaj pranvere të mallkuar, në një takim me lexuesit ku ishte e ftuar edhe Flutura Açka

duke shkëmbyer trishtimin e asaj që po ndodhte mes shqiptarëve në Shtetin amë.

Ka një poezi Azem Shkrel ku shkruan:

Sonte

qava sonte për ty
Arbëri

Nuk më vjen turp
pse qava
më vjen turp pse s’munda
të bëj tjeter

Nga turpi qava.

Me plagë në shpirt do të ishte edhe Vehbi Skënderi ato ditë të fundshekullit XX, kur ngjante se fati i shqiptarëve ishte i pafat,

Vehbi Skënderi që e kishte vuajtur gjithë jetën braktisjen që iu bë Kosovës,

kishte frikë se mos historia përsëritej

pasi më 1998 nga njëra anë shqiptarët luftoheshin midis veti,

nga ana tjetër Milosheviçi përgatitej t’i çrrënjoste në Kosovë.

Prandaj do të shkruante:

“Nga ferri dole Ti, Kosovë! Lart na ngrite
Ti më e mira nënë, në Altarët e këtij Tempulli.
Thua prap po të lemë në tym, pa fije drite:
Në këtë mbarim dite e këtë mbarim Shekulli?”

Janë ca kohë që rrezikohen të bien nën dominimin e fataliteteve.

Dhe që dalin prej zonës të predestinuar, vetëm kur e merr fjalën fuqia supreme.

Poetët janë njerëzit më të afërt të Zotit, sepse e kanë ndërgjegjen të kulluar,

këtu dallohet poeti nga turmat dhe amatorët –

por “Zoti është poeti perfekt” thotë Robert Browning një nga poetët më të shquar të periudhës viktoriane.

*******

Sot 23 vjet larg asaj date, dua të kujtoj se komuniteti shqiptar asaj kohe kishte një organizim të mbështetur në vlerat e kulturës dhe të patriotizmit.

Ishte ky komunitet që paguante 3 %, që kishte startuar  me LAPSH-in, hapjen e Shkollës Shqipe për mësimin e gjuhës amtare,

ishte ky komunitet që mbështeti si rrallëkush liderin europianist Ibrahim Rugova,

ishte po ky komunitet nga rradhët e të cilit dolën strategët e UÇK-së si Agim Ramadani me shokë.

Komuniteti shqiptar në Zvicër mbante një peshë të madhe, peshën e maleve, me njerëzit më të mirë, ku të gjithë sakrifikonin për idealet Perëndimore, kulturë e edukim.

Sot mjerisht ky komunitet është më i përçarë se kurrë,

faktori politik e ka defaktorizuar, duke promovuar antivlerën, interesin ndaj fitimeve pa meritokraci, një copy paste sikur ndodh në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqiptarët kanë përjetuar diktaturën, pushtimin dhe tash shtetin e kapur prej krimit dhe korrupsionit.

Nga dy fatalitetet e para është çliruar,

padyshim që do të çlirohet edhe nga fataliteti i tretë, sepse shqiptarët meritojnë të fitojnë dinjitetin e mohuar si nga diktatet e konjukturave të historisë,

edhe nga diktati i një kaste politike të degraduar nga abuzimi

që ua ka humbur e çuar kohën dëm shqiptarëve.

Shqiptarët kanë tejkaluar rreziqe në dukje të patejkalueshme.

Albert Camus, një fuqi e jashtëzakonshme e mendjes njerëzore shkruan:

“Në mes të dimrit

unë më në fund zbulova

se brënda meje ishte

një verë e sigurt, e paprekëshme”.

Fjalë kyçe: Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, IBRAHIM RUGOVA, Zvicër, AZEM SHKRELI, AGIM RAMADANI, eprorë të UÇK-së, Robert Browning, St Gallen, Bëjmë sikur, Sallah Jonuzi, komunitetit

Filed Under: ESSE Tagged With: Azem Shkreli, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova, VEHBI SKËNDERI

Dekostruktimi” Oruellian i diktaturave, si kumt gjithëkohor…”

December 7, 2020 by dgreca

      –Shёnime tё shpejta mbi romanin “15 ditё prilli” tё Anissa Markarian)

Shkruan:EMI KROSI/

Në tejqyrën e realitetit të ngarkuar me “tymnajë mjegullore”,çdokush përpiqet të gjejë këndin e “përshpirtmërisë” së tij, të ndezë një qiri në shandanin e teneqesë së ndryshkur, ku ovaliteti

i qiridritës hirnon aurën e pragut të realitetit të “Panairit të Kotësive” të Uilliam M. Thekereit, “për të satirizuar shoqërinë Londineze të fillimit të shekullit të 19-të”, ura që lidh

përtejkohësinë e “panairit” dhe “cirkuitit” shqiptar, me pafundësi personazhesh dhe skenash surreale, në romanin “15 ditë prilli” të Anissa Markarian. Në paskopertinën e fundme

shkruan: “Jam qytetarja që u përball me pabesinë dhe absurditetin. Jam banorja e dashuruar në qytetin-bunker. Jam intelektualja e asfiksuar nga despotizmi ideologjik. Jam artistja e dënuar për evazion ëndrrash.” Shtyjeni portën pa frikë!…

Në fundportën markariane, takova “apogjeun” e ngadhnjimit dhe të kalbëzimit të një epoke nё ikje. Aty pashë karvanin e njeriut të botës shqiptare, që shtyhet, që struket, mijëra karaktere njerëzore, që në kujtesën mjegullore të fundadoleshencës time, më skajohen kufijtë  bardhezi të atdheut tim. Bota shqiptare, qiellgri, nën trysninë e harresës mes të shkuarës dhe të ardhmes, vizaton  pazarin e  madh të ekzistencës, me “indetitete të shitura”, në udhët plot pluhur, nga baltovinat e shtëpive të varfra ku vinte aroma misërnike. Përshkrimi i ambjenteve jetësore nga autorja  dhe dilemat shekspiriane “të jesh a të mos jesh”, duken si vargani pazarak, me kuaj të ngarkuar me torbat e librave kur shkoja në universitet. Betejat njerëzore për të ruajtur vetveten, nga dyzimi dhe diktati, si betejat e titanëve të mitologjisë greke, (për dominin të fuqisë hyjnore), është betejë e urtakëve, që thundra e centaurit të diktaturës, godet, fshikëzon, shtyp, kamxhikon, gëlbazon, histerizon, përdhunon, turmat “memece” që lartonin “Të Përndriturin”. Alegoria dhe grotesku,  ndërthuren me “cirkun e jetës”, ku vetë autorja shprehet: “ndërthuret tragjikja me komiken, grotesku me mbinatyralen, magjia me djallëzinë, dyfytyrësia me ndershmërinë e dalë mode, ndjenjat e pastra me perversitetin… Cirku i madh i Jetës?”, se histeria “marroke” e turmës së imponuar, vjen si afresk i mesprillit, ku çoroditja, pasiguria, hutimi, përshtjellimi, rebelimi, “vrapojnëkaluar” në rrëfimin e ngjeshur me “gjuhë të zhveshur”, duke ngërthyer “lexuesin model” dhe “tekstin model” tё Ekos, me S/Z e Bartesit, ku diskursi dhe narracioni i Zhenet , sipas Erik Landovsk-it ka“fakte shoqërore konkrete”.  Arti i Greimas-it, që  na propozon programi narrativ  i Anissës, si kumtare  lakonike në modelin e abstragimit të Prop-it, në këtë korpus letrar mishërohet jo vetëm “konflikti i përjetshëm mes lirisë individuale dhe së mirës kolektive”, të Levis Stross-it, por edhe qëndresa njerëzore. 

Turma pazarake e Anisës, zhurshmos bashkë me gjënë e gjallë, kalojnë para syve të mi miniskena kujtimesh, si turmat e eksodit biblik, në kërkim të “tokës së premtuart” ku unë fëmijë kundroja arixhofkat me fustane me xhufka , pleq plisbadhë që dridhin cigare, duke shitur cjepë, dhi, shata, parmenda, lugë, lesh, samar, qypa, misër, grurë, gomare, djepa, madje gjizë, gjalpë dhe mjaltë e lloj-lloj sendesh në pazarin e mjerimit, ku vapa dhe pluhuri formonin parfumin e athët të djersës. Herë malet pakoheshin herë shumoheshin, në misterin e vajzës së vogël pazarake, duke u mbyllur si darë, në grackën e kohës së pamundësisë për të ikur.

***

Këtë ese jam munduar ta sjell në tre qasje:

  • Qasja e parë: (metafora prilljane e “vdekjes” së diktatorit dhe absurdi i turmës)

përmes këtyre fushёpamjeve:

  • (e kaluara, e tashmja dhe ardhmja), në shembëlltyrën e pakohësisë së gjithëhershme

të diktaturave, në çdo kohë, që simbolikisht lidhet me Shqipërinë, absurdin dhe groteskun e pushtetit të saj. Mesprilli, ose metáfora e vdekjes se Diktatorit, me epitetin i Përndrituri krijon një triologji personazhesh si: Vlad Krela (shkrimtari që lidh të ardhmen dhe të tashmen nëpërmjet librave (“Qiellin e ka ngrënë tenja” [nështrimi brenda qytetit-bunkier] dhe “Rrëfime nga moskundi” [dokumentimi i krimeve të diktaturës ose “kumtari nga skëterra”]), Ida Raez [vajza që “sfidon” fatin, me guxim, nga personazh human, që kulmon, shkërmoqet, thërrmohet dhe sërishmi ringrihet, jashtë “moralit” të shtirur të kolektivitetit, studente e mjeksisë, [nuk ka nota autobiografike] Teo Graca [gjakftohtë, që dëshiron të bëhet “hero”, në vigjilje të “edukimit të njeriut të ri”, por në Koshere, “thyhet” ftohtësia dhe merr përmasa të personazhit të dhimbsur dhe ndjesor]), si thagmë përcaktuese, që në nistore të rrëfimit Markarian, “për aq kohë sa dikush duket se po vepron në mënyrë të virtytshme, shumica e njerëzve do të besojnë në virtytin e tij”, thotë Makiaveli.

  • (denduria rrëfimtare e mesprillit), (15 ditë ku njerëzit kujtojnë fuqinë e tyre të 

“shthurjes” dhe ndyshimit, në “pazarin” kotësisë dhe mosbindjes , “ka filluar 15-ditëshi Farsës së Madhe”, f. 81, qeveritarët po “rrënjoseshin” në ferrfundit e tyre tragjikomik të fundshtetit). “Po gdhinte dita e madhe e parafundit, e Farsës së Madhe – vigjilja e Ditëlindjes”, f. 354, ku gëlojnë mijëra “zëra të zhurmshëm”. Rropatjet e njerëzve, për të ndërtuar jetën, brenda kornizave “false” të kolektivitetit duket sikur vjen nga një tjetër kohë, sepse vlerat tona si Qenie, kanë aftësinë për të menduar dhe jetuar të lirë. Secili gjen një shteg arratisës, (veprimet e lira) dhe çlirtësia e shprehjeve të njerëzve, “gëlojnë” lirshëm në shpirtin human të Anisës. Personazhet të skajuar dhe skalitur, në vorbullën e paformë të turmës, janë heronj realë dhe tragjikë, si Bulëza (balerina ëndërronjëse dhe tragjike, Rozi (vajza lakmitare imoraliste), Torrezi (profesori “sadist” që aspiron për shkencёtar), Leksi, (komandanti i “Kompanisë Borizane” në Urth, djalë “ambicioz” për pushtet dhe vrasës gjakftohtë, me fund tragjik), gruaja kërthiçël, (nëna fatzezë e dy binjakve të vrarë), Jargësi, (njeriu i “vogël” sadist “sozia” e diktatorit), vetë emri i gjetur [Jargës=jargë (qyrre, gëlbazë)], sjell dramacitetin e ngjarjeve me groteskun sarkaistik: “Ju bëftë gjak e dhjamë kusia me mut! – uroi sarkaistik shoferi i Volvos[…] bëri shenjën e kryqit mbi kryet e të pranishmëve, si t’ju jepte uratën”, f. 98.

  • (magjia e dashurisë si ndjenjë e pastër) (Ida dhe Vladi) dashuria e dy fatkeqëve (Teo

dhe Bulëza), perversiteti i një shoqërie të indoktrinuar (Rozi dhe Torrezi), nuk mund të kalojnë “barrikadën” e privatësisë, shpritërores, ndjenjës, intimes, epshit dhe dashurisë. 

Teo, ka “zhvokshur” lëkurën e egoizmit dhe akullsisë maskiliste (koraca mbrojtëse

kundër dobësisë, frikës dhe “nënshtrimit” ndaj pushtetit), për të qenë Njeri! Njeri, me dobësi, 

gabime, frikëra, barrikada, udhëkryqe, dilema, humanizën (si organizator greve).

“…Paraloja lëngëzore kishte marrë fund. Ishin ngacmuar, drithëruar, mikluar, torturuar. Ishin pikëtakuar. Kishte mbrritur çasti i puthitjes. Çasti kur kërkohet dëgjim (më saktë përgjim)

dhe bindje e verbër. Përkushtim gjithëshqisor e disipline për të shijuar plotësisht njëri-tjetrin… – Ida? – Futu Vlad… Krateri ishte bërë liqenth. Shëtiti bregut pa ngut. U mbush me frymë dhe

mbylli sytë. Do të shkiste brenda magmës me një zhytje të ëmbël…”f. 189. Një dashuri njerzore, që zbulon dëshirat më të fshehta, si ndjenja të pastra shpëtimtare nga “rrënimi shpirtëror” në një botë ku totalitarizmi përçudnon edhe ëndërrat. 

  • (qasja rrëfimtare, sa reale dhe surreale deri tek realizmi magjik), ngjizur që nga letërsia e 

“madhe” e Pastërnakut, Dostojevskit, zbret në Lindje me “Shakanë” e Kunderës, vazhdon në Ballkan me “Pallati i ëndërrave” të Kadares dhe “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës, shkon deri në thellësitë e ishujve të “realizmit magjik”, tek “Shtëpia e shpirtrave ”, Izabel Alende, kalimi nga grotesku tek tragjikja me “zbulesёn” e magjikes, e bën Anissa Markarian, të parën rrëfimtare të një lloj letërsie të re,“pamjes vizuale” të një realiteti të thyer, të ngjeshur, me të gjitha

problematikat dhe “preokupimet” njerëzore, për të gjetur vetveten, në një realitet sa jetësor aq edhe letrar, ku ka humbur Uni Njerëzor!

 Autorja “miklon”, “pikëtakon”, “josh”, “njom”, “denduron” imazhin e realizmit magjik, për të derdhur kraterin vullkanor të avullimit të “nxehtë” të aftësive rrëfyese, duke na krahëqafur me realitetin, jashtë kumtit ideologjik të socrealizmit.

“Shpendi sqepthyer, u ul mbi kokat e binjakëve. I mbështolli e i ngrohu me krahët e vet; u dha frymë nga fryma e vet dhe …I risolli në jetë! I pari lëvizi binjaku i plazhit. Shkriftëroi kurrizin

e zgjati gjymtyrët, por sytë nuk i hapi. Nën sqetulla i kishin bërë fole toptha pendësh të bardha. Lëvizi dhe i dyti. Drejtoi qafën dhe shkrydhi bustin. Mbi supet i shquheshin dy rruzuj puplorë.

Pak nga pak pendët u rritën e u shpupurisën.[…]-Fluturojmë, çuna!- tha shpendi kryebardhë. Rruga drejt qiellit vezullonte si e shtruar me margaritarë. Mjegulla ishte bërë xham”, f. 363.

  • (metafora e erëzave), është sa milkues aq edhe i panishëm në rrëfimin e ngjeshur “erëza 

të njoma! Dy tufa pesë lekë… – Majdanoz, rozmatinë, borzilok! Dy tufa, pesë lekë!”, f. 58, një fjali përsëritëse. Në asnjë rrëfim romanor, erëzat nuk metaformojnë thjesht ca gjelburina për gatim (kultura gastronomike) në ushqimin evarfër të shqiptarëve nën diktaturë, por edhe perëndimi dhe rrokullima e një kohe të murrme në mjegullimin e moshës, të dëshirave epshore drejt askundit. Nurmi [dy] si përcaktues (imungesës mashkullore), [majdanoz dhe kopër (përzierja e erëzave]) “Kripë dhe piper” filmi greko-turk, horizontalisht dhe vertikalisht,  derdhet në kupën epshore të papërmbushur, pornumri ([dy/dy tufa]), përsëritja e togfjalëshit emror (numror+emër) është përcaktesë dhe e dy djemve të saj ushtarë (të vrarë), plotësim mungesore i dëshirave të munguar femërore,por edhe dashuria amësore. [Erëzat + shije = epsh+mungesë = femër e paplotësuar].

***

  • Qasja e dytë; (dystopia Oruelliane), e “Viti 1984” e Oruellit është “injektuar” 

bota e frikës, ku njerzit në kërkim të vërtetave të tyre, hallakaten (mes asgjësë, pasigurisë  dhe përgjimit), për të shpëtuar vetveten duke marrë ç’të mundin, apo duke shitur edhe ëndërrat, për të jetuar të lirë. Vizioni oruellian i diktaturës, i “instaluar” si ndërtekstor i personazheve të veprimit, dhe heroit  ndërmjetës (Ida, Leo), që lëvizin në diskursin letrar, respekton çdo mekanizëm tekstor,  ku “ fuqia e njerëzve të zakonshëm përballë totalitarizmit ”, nga libri “Origjina e

totalitarizmit”, e Hanan Arend,  tregon se propaganda masive shtetërore, është e gatshme në të gjitha kohët, për të besuar se personazhet si; Vlad Krela , mund të jetë një Winston Smith i “1984”. Vladi duhet të ballëpërballet me të “keqen” dhe pyetjet e pafundme, “kush mund të vinte dorën në zjarr, se mjetet e përgjimit me të cilat që pajisur së fundmi “Syri dhe veshi i

shtetit”, f. 60, papralelizojnë “Big Brother-in” e Oruellit, në “përgjimin e gjithësisë”, për të mbrojtur: të dukshmen dhe  të vërtetën.  Oruelli shkërmoq botën duke e vënë nën “vëzhgimi  e Vëllait të Madh”, që shikon çdo gjë dhe kontrollon në mënyrë makiaveliste botën. 

Mekanizmat e dikaturës, mali i Urthit,“prej pothuajse një gjysmë shekulli, guvat dhe gërbellat e malit të Urthit ishin shndërruar në objekte me rëndësi dhe strategji kombëtare”, f. 26, toponimia e fjalës [Urth/i = urith/-i + urith/-ët], d.m.th vend i errët, ku jeton urithi qorr), ose [Urth= urthi], njëlloj peme gjethegjelbër që vesh pemët si “mbulesë” si Shtëpia e Gjetheve). Urthi është bunkieri i madh, ku hapsira është aq e vogël, me fasada të zymta, ku njeriu ulet, fle dhe varroset pingulthi, qarkon kërrusur dhe frikshëm udhët e errëta të qytetit-burg, duke skicur hijen e trupit të kërrusur të frikës. Qyteti -burg, është Burgu i Shpirtit, që nga Aristoteli ku i deklamon njerëzimit se; “shpirti të çlirohet nga burgu i trupit”, se burgu është çdo gjë që nuk të bën të lumtur, madje as ai/ajo që ke afër, mund të bëjë “jetën” burg. Burg quhet edhe pasioni, epshi apo çdo gjë, që e dëshiron dhe nuk arrin ta realizosh. Atdheu-burg me mijëra bunkierë, njerëzit mundohen të çlirojnë gjymtyrët e tyre nga frika, mendimet, lëvizjet, fjalët, të shkokolepsin çdo nyjë fatkeqe, që lidh jetët e tyre kolektive. 

Paskthimi nga e shkuara, dhe formësimi i mijëra figurave-personazhe (që ndërveprojnë në kërthirin e Urthit-guvë) , fiksojnë aq reale dhe frikshëm, botën e “ngujimit” masiv të një populli. Autorja vështron aq imët, fijet, nyjat, thjerrzat, indet, damarët e gjakut që mpiksin gjakun e prishur, për një transfuzion gjaku të ri, sepse harresa  për kampe-burgjet, burgjet,Qafë-Barin, Burrelin, Spaçin,  Holokaustin, do ishte rivrasje historike. 

A nuk është përtejkohësia dhe gjithëkundodhja letrare e Markarian-it, projeksioni “vizioni oruellian” i totalitarizmit shqiptar??! Normalisht që po!

  • Qasja e tretë: (analogjia përmbysëse e “oportunizmit politik” dhe raporti i individit 

me shtetin), do të thotë të zbërthesh thelbin e problemit të saj ekzistencial markarian, në shumë paralele. “Na përgjojnë edhe në bark të nënës, kur jemi në gjendjen e fetusit”, thotë Shantali, i Kunderës, nuk e mrrol Leks Amranin, në qytetin-bunkier të Urthit,  si Cerberi në portën e Ferrit, të survejojë madje dhe  intimitetin e individit në shoqërinë tonë , ka çuar në humbjen e individualitetit, të qenësisë së tij si njeri (Leksi humbi të fejuarën Idën, por edhe jetën), për një ideal të kotë, me besimin se një ditë do ishte një “karrierist” i madh i ushtrisë, ndërkohë që mungesa e identitetit, ose joidentitetit, shumë pak vend ka për unin, kur pothuaj gjithçka në shoqëri është e organizuar “në kope”; edhe pushimet, edhe argëtimet, edhe puna; individi gjendet nën presionin e shoqërisë,  që jo vetëm e përgjon dhe e survejon në çdo fjalë e gjest, por edhe i krijon dhe i vendos para modele të gatshme për t’i imituar.

“Kalaja me zyra”,  a nuk është  “Tabir Saraji” i Kadaresë, sipas rëndësisë së përgjegjësisë, emërtoheshin; zyrë, degë, divizion, komitet, komision, drejtori, departament, seksion, dikaster. 

Ashtu si personazhet e “Identitetit” të Kunderës, dhe personazhet e Markarian-it, janë “kacafytur” me fatit e tyre, për të shkëmoqur deri në rrënjë , të keqen brenda tyre, totalitarizmin. Por është kapur fort, si grami që duhet harrur, për të shëndoshur vreshtin, në pasyrën e thithësecilit, uniteti dhe fisnikëria për t’u përballur jo vetëm me frikën, mposht çdo djall edhe në skëterrën më të thellë të urrejtjes, si “satanai” i Selman Ruzhdies.

Fundi tragjikomik i Leks Aramit, është edhe fundi i “idhujve të rremë” të totalitarizmave: “Shikoni! U hap horizonti! Njerzit s’po u besonin syve. Kolosi shkëmbor nuk ishte më. Përpara tyre shtrihej një hapёsirë e dystë, e virgjër, e pamatë. E kishin ëndërruar që në Agim të Kohrave. Po përse nuk po gëzoheshin?!”, f. 375.  

Fjalia po përse nuk po gëzoheshin?! – është kumti groteskian i Anissës, jo si motiv letrar sesa si motiv qenësor njerëzor, sepse lëvizjet, vrulltitë, shpërthimet, miklimet, ndysitë, anësitë, rropatjet romanore, janë rropullitë e jetës njerëzore të çdo njeriu, që quhet i përdorur, i vrojtuar, i friksuar. Uni dhe Ego e Frojdit, herë çpërvidhet nga “Kompleksi i Edipit”, herë shpërbëhet në shkulmet ujore të nëndërgjegjes letrare (koha historike dhe mjedisi kulturor) i shkrimtares, për të kumtuar nga përtejkoha, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kohës letrare: se koha romane nuk ka cak, as skutë ku të struket, se Anissa Markarian, ka kapërcyer të gjitha kategoritë letrare, të gjitha rrymat, në ngërthimin e pakohësisë universale, që nuk vdes kurrë, por na sjell letërsi cilësore, që mbetet në historiografinë moderne letrare.

Si përfundim: bukurtingëllimi i gjuhës, sqimatare me pasuri leksikore të jashtëzakonshme (me fjalëformime pasuri të leksikut të shqipes, një gjuhë e personalizuar, (nëse mund të them kështu) që më vonë mund të jenë objekti i studimeve mё të thelluara), që nga neologjizmat deri tek zhargoni përditësor i bukurshkuar artistikisht, derdhen ujshëm, marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmi, represioni dhe survejimi, solidariteti dhe dashuria, kontradiktat dhe kontrastet e

forta, morali dhe pervesiteti, ngjizja dhe paqtimet dashurore, harresa e “vlerës” njerëzore në botën shqiptare , ku bota e dritës së demokracisë, nuk do ishte kaq unike, mobilizuese, solidare dhe humane. Kumti Markarian e hapi “peshtafin” e arkënojës.

Mirëserdhe Anissё!

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Emi KROSI

ARSHI PIPA, JETA DHE VEPRA …

December 7, 2020 by dgreca

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh…

Nga Anton Çefa-

Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.

Arshiu u lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”.

U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetnor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetnore të Shkodrës dhe të Durrësit. I brumosun me ideale fisnike, antifashist dhe antikomunist i vendosun, krahas punës së tij si mësues në shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit, që heret u fut në rrugën e vështirë të artit e të kulturës kombëtare. Në vitet 1943-44, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re , nxori revistën “Kritika letrare”, në të cilën dallohet për nji trajtim origjinal dhe objekiv të personaliteteve, veçori që do ta shoqnojë atë edhe ma vonë në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen figura të tilla të letersisë e të kulturës sonë si Konica, Noli, Migjeni, etj. Eseja e tij e shkrueme për Konicën e dëshmoi atë si një kritik të kategorisë së parë.Ajo mbetet dhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e krtikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Bashkëpunon me artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës dhe shkruen poezi, të cilat i boton në vëllimin “Lundërtarë”, 1944, nji përmbledhje lirikash që dëshmon nji talent në shperthim.

Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.

                Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).

                Në vitin 1960, filloi punnën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas. Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University . 

                Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). 

Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).

                Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe. Gjatë vitit 1970, ka konceptue dhe hartue Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane.

                Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes. Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 Shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

                      *   *   *

                Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikës, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

                Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

                Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, që trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

                Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush. Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

                Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

                Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukurive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue. “Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

                Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shtypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des etudes sud-est euripéennes”.

                Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungarettin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

                Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante’, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

                Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj. Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën). Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

                Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

                Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

                Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

                Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

                Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989.

Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj. Në “Dielli”, Pipa kritikoi ashper veprimet anti-demokratike të forcave politike qi dolen në skenë fill mbas rrximit të diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret e të dënohet pergjegjësia për atë çka ndodhi gjatë viteve të regjimit komunist.

                Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe, në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos” (Kaliforni).

                Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Breë, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

                Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

                Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj. Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

                Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat, kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

                Arshiu vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe hini të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

                Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

                Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Studiues të ndryshem dhe institucione kulturore demokratike kanë punue me sukses me e ba  të njohun jetën dhe veprën shkencore e letrare të tij. Janë botue ese, studime, monografi, janë ribotuar vepra të tij, etj. Pak asht punue në diasporen tonë në  këtë drejtim. Per t’u permendun asht artikulli me shumë vlerë i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”. Shkroi për Arshiun kohët e fundit  Frank Shkreli..

Referenca

1). Për veprimtarinë mësimdhanëse të Pipës në universitetet amerikane, shih Wikipedia-Enciklopedia e lirë.

2. Ma hollësisht për këtë problem, shih Sami Repishti, “Me rastin e pervjetorit të parë të vdekjes, shoku im Arshi Pipa”, “Phoenix”, nr. 5-6, v. 1998, Shkodër.

3). Citim simbas: Hans-Joachim Lanksch, “U shue pishtari i kulturës shqiptare dhe i mendimit nonkonformist, Arshi Pipa”, “Dielli”, July-September, 1997.

4). Eleni Karamitri, “Arshi Pipa dhe Peter Prifti: lidhje miqësore dhe shkencore”, Illyria”, 24-26 janar, 2006.

5). Italo Costante Fortino, “Dal Realismo socialista a una nuova letteratura albanese” (“Nga realizmi socialist te nji letërsi e re shqiptare”), “Hylli i Dritës”, nr. 5-6, v. 1994, f. 46

6). Astrit Lulushi, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, “Illyria”, 3-5 prill, 200

*     *     *

Profili filozofik i Pipës

Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.

Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.

Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme. 

 Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin  Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj. 

Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin. 

Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”. 

Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.

Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.

Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”

Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”

Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.

Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.

  *   *   *

                Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).

                Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.

Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.” 

Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”

Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës. 

Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit. Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.

“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.

Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 

Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.

Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.

  *   *   *

Historia e librit “Skicë e një konceptimi mbi jetën”

Nga  Nedrete Kalakula (motra e Arshiut)

Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.

Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.

Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.

Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin

 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.

Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.

Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.

Arshiu për gjuhën shqipe.

Gjuhën tonë, Arshiu e njohu dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qëndrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 1). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 2). Arshiu e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskërisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”; kurse Virgjilin në toskërisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 3). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukurie, ndërgjegjja e disa intelektualëve, kryesisht atyre që ushqejnë mendësinë e kohës së diktaturës për këtë çështje madhore, është ajo që është: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, Arshiu merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; një përfundim të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë presë, (siç thotë një shprehje popullore), dhe që më në fund është pranuar prej të gjithëve.

1). Shpend Topallaj, “Dy jetë paralele – Rreth librit të Uran Kalakullës me titull “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”.

2). Idem

3) Ibidem

Më vjen mbarë të shtoj edhe dy fjalë rreth personalitetit të tij. 

Arshiu qe atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindur, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhur, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale ua kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruante në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhur në Bronx qëndron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut Historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktaturës ose nostalgjikët e tyre, e kanë të zorshme të pranojnë një personalitet të tillë si Pipa, që i ka demaskuar një jetë të tërë.

     *     *

Shemo Hajduti

 Gjirokastër, ishe zonjë!

Gjirokastër, mbeç beronjë!

Zure, vrave një shqiponjë,

le pa këngë një milonjë !

Me të dalë nga shtëpija

ra pisqolla te pusia.

“Moa u vra, o Shemo kot

jemi shumë, s’iken dot”.

Uturin  përroi e zalli

“S’dorëzohem për së gjalli!

Mos gëzo këlysh dobiçi,

s’ta harron  Shemo Ogiçi!”

Katër plagë trimi muar

dy në brinjë, një në duar,

tjetën mu në kraharuar.

Në bodrumet e kalasë

vjen Hysni Pashaj t’i flasë

“Ja lëroni ca litarët!

Fol, hajdut, dëshmo të vrarët,

se ke djegur e plaçkitur,

duke shkelur, neveritur

ligjet, forcën e Sulltanit,

kunder dinit e vatanit.

Vilajetit kale datën.

 Të kam ndjekur ditën,natën

dimër, verë që nga prapa:

Shemo, më në fund të kapa!”

“O Pasha që flet mbi fron,

s’jam ashtu si më gjykon.

Me koshadhe me xhandarë

më ke ndjekur, të kam vrarë.

Për haraç të marrë armikut,

për grabitjen  e çiflikut

të një beu, të një agaj,

paskam faj, i thënçin faj !

Kam plaçkitur edhe stane,

ku kish mjaft, edhe karvane.

Po të thotë një njeri

se rrembeva misër, dhi

nga një bujk, nga një bari.

Unë çupa kam martuar,

pleq, bonjakë kam ndihmuar.

Se nuk thashë peqe, lepe

për nizamë e për xhelepe,

për një mbret në vend të ti

që s’më di dhe që s’e di,

jam hajdut, dua më mirë

të rroj malesh ujk i lirë

se sa balo me zinxhirë!”

“Shemo, nesër që  me natë

të këtillë ligjëratë

bëja lakut edhe rrapit!” 

“S’pres mëshirën e kasapit!

Amanet , Pasha,  një gjë:

porosi Lulës i le:
të martohet. E grabita

kur ish foshnje, vet’e rrita,

ësht e re, njeri nuk ka;

djemt t’i jepen tim vëlla!”

Gjirokastra  mal e brigje,

qan një grua qan me ligje:

“Pse të njoha, korba, kurrë!

Lulja jote s’merr ma burrë!

Do rris djemtë, t’u kallë zjarrin

gjakun tënd ata ta marrin.

Pasuri , oxhak nuk dua,

do të bredh krua më krua

të degjoj këngët e tua!”

     *     *     *

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës

(Viti 1941)

Përzgjedhur nga Anton Çefa

                “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,

                                                                                                                errësina qi bahet dritë”

Arshi Pipa

Agim

Andrrat bahen tëë shkurta,

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,

U ndihet murmurimi.

Te hyjzit vezullimi

Asht i shqetë,

E fryjnë era të imta.

Fergullon tash e cikun

Gjethnaja.

Agim te maja.

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë 

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole 

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Çefa, Arshi Pipa, Jeta dhe vepra

GJYKATA SPECIALE KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS E DINJITETIT TË LUFTËTARËVE

December 7, 2020 by dgreca

Avdyl Krasniqi, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Fushë Kosovë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën një spektakël të përgatitur nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Akuzat e Speciales janë akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

ARRESTIMET NJË SPEKTAKËL I SHËMTUAR

Arrestimet i kemi përcjellur me shumë  shqetësim. Zhvillime këto shqetësuese për çdokënd që e ndjen vetën shqiptar. Është një spektakël i përgatitur  nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Pikësynim i kësaj Gjykate me iniciativën ruse ishte akuzimi i krerëve të UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore “Shtëpia e verdhë”, gjë e cila nuk u dëshmua se ka trafikim organesh njerëzore apo “Shtëpi të verdhë”, por kishte akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Mendoj që Evropa po bën shumë padrejtësi në dëm të shqiptarëve, duke filluar nga kushtet dhe kërkesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në BE, faktorizimin e serbisë dhe fshehjen e krimeve, ku dihet se ende ekzistojnë shumë persona të pagjetur dhe përgjegjës për këtë është vetë shteti serb. Po kjo Evropë në krye me Dick Marty, ra nën ndikimin e iniciativës ruse ku me 25 janar 2011, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aprovoi në formë të rezolutës raportin e Dick Martyt.

AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA

Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës dhe luftës së shenjtë të UÇK-së, ndihmuar nga shtete aleate. Por, t’i akuzosh krerët e UÇK-së apo më meritorët e lirisë me akuzën “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe shumë shpifje dhe akuza të tjera të pabaza, e tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj Gjykate e cila është e njëanshme, e kundërligjshme, e drejtuar vetëm ndaj  luftëtarëve të UÇK-së. Këto aktakuza janë të pabaza dhe pa fakte të cilat janë përgatitur nga qarqet serbe dhe disa shqipfolës për të njollosur luftën e shenjtë të UÇK-së, luftë e cila mobilizoi faktorin ndërkombëtar në krye me NATO-n, duke ditur se ishte luftë e drejtë dhe e pabarabartë në raport me forcat serbe.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË TURP

Barazimi i agresorit me viktimën jo vetëm që është e turpshme, por edhe shumë e rëndë për popullin dhe familjarët ku dihet se nga shteti serb nën komandën e paramilitarëve janë kryer mbi 400 masakra ndaj civilëve shqiptarë, kemi mbi 13000 civil të vrarë, 1392 fëmijë ku prej tyre 296 fëmijë nën moshën 5 vjeç, 1882 burra të vrarë mbi moshën 65 vjeç, mbi 20000 dhunime. Të gjitha këto janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe adresa e tyre është shteti agresor serb.

SITUATA SOT NË KOSOVË E RËNDUAR

Është një situatë e rënduar dhe një lëkundje e besimit ndaj shteteve evropiane, apo ndaj asaj Evropës së vjetër e cila na ndau dhe na copëtoi në shumë shtete. Reagimet e njerëzve ishin të ndryshme, por thirrja për qetësi dhe maturi e krerëve të shtetit ndikoi në uljen e gjakrave, por mllefi dhe kujtesa na çon në vitet e 90-ta të arrestimeve.

PROTESTA E PETICIONE

Është kohë e ndjeshme, për shkak të pandemisë ju kemi ikur protestave por nuk përjashtohet mundësia e protestës. Ne si OVL i kemi dorëzuar peticionet me mbi 230000 nënshkrime tek Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kundër raportit të Dick Martyt. Përgjegjësinë për zhvillimet e mëtejshme e merr Këshilli i përgjithshëm i OVL-së, rreth aktiviteteve të ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Avdyl Krasniqi, GJYKATA SPECIALE, Sokol Paja, UCK-ja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT