• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

February 9, 2021 by dgreca

Nga Ken Bredemeier-VOA/

 Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi.

Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. 

Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.

Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane”. Ish-Presidenti republikan u akuzua më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët për nxitje të rebelimit, duke u bërë kështu i vetmi president që akuzohet dy herë dhe i vetmi ish-president që përballet me një gjyq në Senat.

Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një “përjashtim të janarit” që do t’u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit.

“Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë… Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë”, i tha ai gjyqit, në të cilin senatorët shërbejnë si anëtarë të trupës gjykuese.

Avokatët e mbrojtjes planifikojnë të argumentojnë se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres.

Por shumica e ekspertëve ligjorë thonë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrën, siç u shpreh profesori i drejtësisë i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, një studiues kryesor i këtij procesi.

Demokratët e Senatit pritet të mbizotërojnë në votimin e së martës mbrëma mbi kushtetueshmërinë e gjyqit. Një përpjekje republikane për ta bllokuar gjyqin mbi një bazë të tillë u rrëzua muajin e kaluar në një votim që përfundoi 55-45.

Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t’u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.

Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Por pavarësisht rezultatit zoti Trump do të jetë i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati.

Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zoti Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për “nxitje rebelimi”.

Me përfundimin e mandatit të tij, më 20 janar, ditë kur u inaugurua Presidenti i ri i vendit Joe Biden, zoti Trump u nis drejt Floridës.

Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk pritet të marrë pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.

Nëntë ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët shërbejnë si prokurorë të çështjes, thonë se zoti Trump, falë nxitjes së mbështetësve për të msyrë drejt Kapitolit, për të përmbysur humbjen në zgjedhje, është “i vetmi përgjegjës” për trazirat që pasuan.

Zoti Trump u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si “të papranueshëm”. Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi me breshërinë e pretendimeve të tij të pabazuara, të hedhura për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, i kushtuan atij mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve “që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen” duke marshuar drejt Kapitolit.

Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen”.

“Ne do të luftojmë”, shtoi ai. “Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet”, tha zoti Trump.

Në një argumentim ligjor të çështjes përpara gjyqit në Senat, prokurorët e çështjes thanë se: “Përgjegjësia e Presidentit Trump për ngjarjet e 6 janarit është e qartë” dhe se “sjellja e tij duhet të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje”, edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. David Schoen dhe Bruce Castor, dy avokatët me eksperiencë që do të përfaqësojnë zotin Trump, argumentojnë se duke qenë se ai nuk është më president, ai nuk mund të hiqet nga detyra dhe se gjyqi ndaj tij është anti-kushtetues.

Sidoqoftë, Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati. Për më tepër, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve argumentojnë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.

Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor.

Senatori Paul thotë se ekzistojnë “zero shanse për dënimin e tij”. Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.

Të martën, avokatët e zotit Trump dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë sërish si prokurorë, debatuan për kushtetueshmërinë e zhvillimit të gjyqit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fillojnë të paraqesin argumentet e tyre të mërkurën, ndoshta duke shfaqur disa nga xhirimet e marra gjatë orëve të trazirave.

Në vazhdim, avokatët e presidentit do të përgjigjen me mbrojtjen e tij. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.

Avokatët e zotit Trump kanë ngritur një mbrojtje të fuqishme dhe pretendojnë se ish-presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar.

Në një material përmbledhës të paraqitur të hënën, ata pretenduan se çështja kundër tij është një “teatër politik” i demokratëve anti-Trump. Avokatët e zotit Trump sugjeruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t’u angazhuar në një protestë paqësore.

“Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona”, shkruajnë avokatët. “Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.

Në përgjigje, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë thanë se, “Ne jetojmë në një vend të qeverisur nga shteti ligjor, dhe jo nga dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje”.

“Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta”, shkruajnë ata. “Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t’i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota. Siç thuhet në akuzë, Presidenti Trump shkeli betimin e detyrës së tij dhe tradhtoi popullin amerikan”, shkruajnë prokurorët.

Filed Under: Analiza Tagged With: gjyqi, Presidenti Trump, Vota ne Senat

MASAKRA BARBARE E SERBËVE-KUJTESË EDHE PËR VUÇIÇIN DHE SERBËT

February 9, 2021 by dgreca

NJË NGA MASAKRAT BARBARE QË KREU USHTRIA SERBE
GJATË LUFTËS NË KOSOVË ISHTE AJO E KATUNDIT OBRINJE E EPËRME/

…. Ndër të vrarët përfshihej 94 vjeçari i paralizue, kryetar i familjes, i prenë kryet një burri 65 vjeçar, i nxorën trunin, vranë një grua 65 vjeçare, i prenë kambën; gjuejtën kundër një gruaje 27 vjeçare dhe kundër vajzave të saj 5 e 7 vjeçare, vranë një grua 30 vjeçare, ishte shtatzanë…i prenë barkun e i nxorën fëmijën të cilit i prenë gjymtyrët e trupit të posa formueme, gjuejtën nga afër dy vajza adoleshente….

Përktheu Gjon Kadeli nga libri me titull “Be Not Afraid” nga autoria amerikane Stacy Sullivan/

Dy ditë mbasi njësitë e U.Ç.K.sulmuen pozicionet e ushtrisë dhe të policisë serbe në katundin Obrinje e Epërme në mes të shtatorit 1998 dhe vranë 14 ushtarë, forcat e Millosheviqit u hakmorën. Ato vranë 21
katundarë të pafajshëm,shumica gra,fëmijë e pleq.
        Të vramit ishin të gjithë pjestarë të familjes Delijaj, të cilët u vranë në mënyrën ma barbare. Në ta përfshihej 94 vjeçari i paralizue që ishte kryetari i familjes dhe një fëmij 18 muejsh.Forcat serbe i
prene kryet një burri 65 vjeçarë dhe mandej i nxorën trunin dhe e vunë pranë trupit të tij. Madej vranë një grue 65 vjeçare, e mbas vrasjes i prenë kambën. Mandej gjuejtën kundër një grueje 27 vjeçare dhe kundër
vajzave të saj 5 e 7 vjeçare të cilat u vranë kur po përpiqeshi të iknin . Mandej ata vranë një grue 30 vjeçare e cila ishte shtatzanë e priste lindjen e fëmijës brenda dy muajve. Mbas vrasje së saj i prenë barkun e i nxorën fëmijën të cilit i prenë gjymtyrët e trupit të posa formueme. Ata gjuejtën nga afër dy vajza të reja(adoleshente) të cilat ishin të fshehura në disa shkurre, e që nga frika shtërngonin
njena tjetrën. Disa njerëz të tjerë të moshuar u gjetën të vrarë, ndër ta edhe një burrë, i cili ende mbante shkopin në dorë. Një grua e re u gjet e vdekun, e cila mbante një kërthi(foshnje) 6 javëshe që ishte ende
gjallë.
Kjo masakër tejet çnjerzore u banë gjatë operacioneve ushtarake serbe për të dëbue popullsinë e Kosovës nga trojet e tyne mijvjëçare.

Filed Under: Politike Tagged With: Gjona Kadeli, Masakra ne Obrinje te Eperme, Stacy Sullivan

Hysaj dhe Strakosha, “Divorc” me Seria A?

February 9, 2021 by dgreca

Portieri i Lazios, Thomas Strakosha dha mendimin e tij nëse ai do të ishte i interesuar për një lëvizje të mundshme në skuadrën e Bundesligës, Borussia Dortmund. Paraqitja e Strakoshës këtë sezon nuk ka qënë në nivelin e duhur. Pas viteve të të qenit titullar i rregullt për Lazio, Strakosha është ulur në stol dhe zgjedhje e parë për tranjerin Inzagi është portieri Pepe Reina. Me një paraqitje totale të ulët në këtë sezon, i aktivizuar vetëm në tetë ndeshje, dhe me zëra në lidhje me një lëvizje të mundshme të tij nga Lazio, Strakosha ka folur për Sky Sports Gjermani (përmes radios “La Lazio Siamo Noi”). Portieri i Kombëtares Shqiptare, i turbulloi akoma më shumë ujrat, kur iu përgjigj “thashethemeve” të krijuara ndaj tij në ditët e fundit.A do të transferoheni  tek  Dortmund ?

Strakosha:”Ata janë një klub i shkëlqyeshëm, ata kanë një ekip shumë të ri dhe të talentuar dhe një stadium të pabesueshëm. Mund të jetë një hap i shkëlqyeshëm në karrierën time. Kush nuk do të ishte i interesuar të luante në një klub të tillë? Bundesliga është një kampionat interesant, me skuadra shumë të mira”.Dëmtimet nuk po ju ndahen gjatë këtij sezoni, ose të paktën kështu deklarohet, a është Strakosha ende i kënaqur me Lazion.Jam i lumtur tek Lazio, unë u jam shumë mirënjohës drejtuesëve. Mendoj se edhe klubi është i lumtur me mua. Unë jam duke u riaftësuar dhe kam ende kohë të mjaftueshme për të menduar se çfarë dua të bëj. Së pari, unë dua të kthehem në vendin që meritoj, atëherë do të shohim se çfarë do të ndodhë.  Unë jam gjithmonë i hapur për sfida të reja.Pavarësisht këtyre deklaratave Strakosha do të vazhdojë të jetë zgjedhje e dytë edhe për pjesë e mbetur të sezonit në vazhdim. Kontrata e Strakoshës me Lazion përfundon në verën e vitit 2022, me një vlerë prej 1.2 milion euro në vit. 
Elseid Hysaj drejt Portugalisë
Ka luajtur për Napolin që nga sezoni 2015/16.  Mbrojtësi i njohur i Kombëtares shqiptare Elseid Hysaj (27 vjec) po bëhet gjithnjë e më shumë objektivi kryesor i Benfikës në Portugali. Për këtë qëllim, gjigandët portugezë, sipas zërave më të fundit të Tuttomercatoweb, kanë filluar bisedimet me Partenopei, me qëllim që lëvizja të mbyllet përpara verës së ardhshme.

Elseid Hysaj/

Mbrojtësi Elseid Hysaj  arriti në Partenopei të në gusht 2015 për një të raportuar prej 5 milion €. Vlera e kartonit të tij pati rritje dhe ai ka një kontratë me Napolin që është drejt fundit të saj. 
Ai ka luajtur 10 herë në këtë sezon në Serie A. Tranjeri Napolitan Gennaro Gattuso i ka dhënë atij një shans për të fituar një marrëveshje të re me Napolin. Por sipas Tuttomercatoweb,  marrëveshja e tij skadon në qershor, dhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare dhe përfaqësuesit e tij  kanë vendosur, të mos vazhdojë tutje.
Tuttomercatoweb,   pretendon se Benfica tashmë ka kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit dhe negociatat janë vendosur, ndërsa marëveshja po ecën me hapa të vegjël.
Hysaj ka luajtur 208 takime me Napolin,  duke shënuar një herë dhe duke kontribuar me nëntë asistime golash. 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Divorce me Serine A, Strakosha e Hysaj

FAIK KONICA: JO ANEKSIM, AS NËNSHTRIM!

February 9, 2021 by dgreca

LA PATRIE (1901) / FAIK KONICA : “NUK PRANOJMË AS ANEKSIM AS NËNSHTRIM NDAJ ITALISË ! MË MIRË TË QËNDROJMË TURQ SESA TË BËHEMI ITALIANË!”/

Nga Aurenc Bebja*, Francë /

“La Patrie” ka botuar, të hënën e 8 korrikut 1901, në ballinë, një shkrim në lidhje me reagimin e Faik Konicës (Thrank Spirobeg) ndaj qëllimeve italiane asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Italia dhe Shqipëria

Intrigat u zbuluan. – Përgjigje nga patriotët shqiptarë.

 (Shërbimi special i La Patrie) 

Vjenë, 7 korrik. – Trazira e nxitur në Shqipëri nga emisarët italianë për të krijuar një lëvizje opinioni në favor të aneksimit nga Italia ka marrë një goditje fatale. Nëse italianët ende imagjinojnë që shqiptarët kanë dëshira të zjarrta për t’u bërë nënshtetas të mbretit Viktor Emanuel, kjo është për vetëkënaqësinë e tyre.

Botimi i fundit i Albania-s, organi i komiteteve revolucionare shqiptare, i cili botohet në Bruksel, përmban një artikull të nënshkruar nga Z. Thrank Spirobeg mbi çështjen e propagandës italiane në Shqipëri. Kujtojmë që Z. Spirobeg është udhëheqësi i njohur i Partisë Nacionaliste Shqiptare dhe se ai u internua nga qeveria Osmane për pjesëmarrjen e tij aktive në një fushatë trazirash që synonte ta bënte Shqipërinë të pavarur nga Turqia.

Z. Spirobeg nuk heziton t’i vë flakën barutit. Ai deklaron kategorikisht se përkëdheljet italiane janë të dyshimta për nacionalistët shqiptarë.

“Italia, vazhdon ai, i ka dhënë vetes misionin pak a shumë të mprehtë të provokimit të konflikteve të armatosura në Ballkan dhe të përfitimit nga çrregullimi që një luftë do të shkaktonte për të aneksuar Shqipërinë ose për ta nënshtruar atë në protektoratin e saj.

Shqiptarët nuk janë më shumë një racë latine sesa japonezët; ata nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin italian, as gjuhën, as traditat, as fatet. Nëse ne kërkojmë autonominë tonë, është pikërisht për të forcuar dhe zhvilluar një kombësi të pavarur. Por ne do të kundërshtojmë me forcë planet e Italisë, e cila dëshiron të bëjë me Shqipërinë atë që bëri Austria me Bosnjën dhe Hercegovinën. Më mirë të qëndrojmë turq sesa të bëhemi italianë!”

Nëse kjo gjuhë e qartë nuk dëgjohet në Romë, kjo është për shkak se ministrat italianë kanë një vesh të shurdhur!( 7 Shkurt 2021(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja, Faik Konica, La Patrie

Eva Dori: Jeta ime e re në Filadelfia…

February 9, 2021 by dgreca

…..nga puna fizike te pasioni për gazetarinë, në “Shtëpinë e Ëndrrave” fëmijët flasin, kërcejnë dhe këndojnë shqip/

Intervistoi: Eneida Jaçaj-DIELLI

Rilindasit shqiptarë do të ndiheshin krenarë nëse do të shihnin se si intelektualët e sotëm ashtu si pararendësit e tyre, luftojnë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe jashtë viseve të saj dhe punojnë fort për t’u mirëarsimuar, duke nderuar emrin Shqipëri jashtë kufijve të saj. Për gjuhën shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra të globit, kanë dhënë një kontribut të vyer duke filluar nga vëllezërit Frashëri e deri te Gjergj Fishta që shquhet për rolin e tij me alfabetin, e kur ky kontribut nuk resht as në ditët e sotme, ia kanë vlejtur përpjekjet e mëdha të rilindasve shqiptarë. Populli ynë i dashur shqiptar njihet për pasionin për punën, këmbënguljen, dëshirën për t’u arsimuar, duke arritur edhe majat më të larta të karrierës jashtë kufijve të vendit, në emigracion. Të shkelësh për herë të parë në një vend të huaj, aq më tepër në Amerikën e madhe dhe të largët, ku vlerësohet padiskutim si vendi i mundësive, por edhe me një konkurrencë të lartë, do të përballesh me peripeci, të cilat duhet t’i kalosh me durim dhe këmbëngulje. Fillimisht, çdo emigrant përballet me punë fizike, por kur pasioni për arsimimin dhe profesionin është shumë herë më i madh, atëherë vështirësitë do të kalohen me lehtësi. Eva Dori, gazetarja simpatike, e cila mban mbi “supe” një karrierë të gjatë dhe shumë dimensionale në disa media shqiptare, në një intervistë për gazetën “Dielli”, New York, rrëfen historinë e saj të emigrimit drejt Filadelfias, jetën e saj të re në këtë shtet, mbështetjen e madhe që i ka dhënë komuniteti shqiptar në ditët e saj të para. Eva Dori, përveç punëve të tjera që ajo kryhen në Filadelfia, nuk ka hequr dorë kurrë nga pasioni i saj për gazetarinë. Kur ky pasion bashkohet me dëshirën e madhe, për t’u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të emigrantëve, atëherë duhet të themi se je i përmbushur katërcipërisht. Eva Dori na rrëfen nismën e saj për t’u mësuar fëmijëve shqipen, që kjo gjuhë e vjetër dhe e bukur të mos humbasë. Projekti i saj realizohet nëpërmjet emisionit “Shtëpia e Ëndrrave”, të cilin e ka transferuar nga Shqipëria në Filadelfia, ku këtë herë target janë fëmijët e emigrantëve shqiptarë, duke veçuar këtu edhe mbështetjen e madhe që komuniteti po i jep. Përpjekjet e intelektualëve për të mbajtur gjallë shqipen edhe jashtë kufijve, padiskutim do të bënin krenarë të gjithë rilindasit tanë që luftuan disa me pushkë e disa me penë, për të ruajtur gjuhën e bukur shqipe dhe për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

-Ju keni tashmë 7 vite që jeni larguar drejt SHBA-së, Filadelfia. Si e mbani mend largimin tuaj nga Shqipëria? Cilat ishin ato fjalë që i thoje vetes, në momentin e parë kur ju morët avionin drejt Ameriëks?

Eva Dori: Ardhja ime në Filadelfia, ishte si shumë udhëtime të tjera të punës sime, si gazetare.

Në kuadër të profesionit tim si gazetare kam fluturuar drejt Amerikës, ku së bashku me grupin e xhirimit do të realizonim një dokumentar për jetën e emigrantëve shqiptarë në USA.

Së bashku me ne do të vinte edhe mjeshtri i fotografisë, operatori Ilia Tërpni, por, fatkeqësisht, Ilia nuk mundi të vijë për arsye shëndetësore; kështu që unë mbetem në një pritje të gjatë derisa grupi i xhirimit të vinte. Natyrisht që emocionet ishin të mëdha, pasi ishte një projekt që kisha kohë që ëndërroja ta realizoja. Unë do të shkruaja skenarin e këtij dokumentari. Meqë kisha shumë familjarë këtu në USA, nisëm të takonim personazhet që do të intervistonim. Por, jeta ka gjithmonë surprizat e veta. Muajt e parë si turiste, le të themi, shijova qetësinë dhe ajrin e pastër që më dhuruan parqet e mrekullueshme të Filadelfias. Fotografoja pafund, pasion ky që nuk më ka humbur edhe sot që u bëra gati 7 vjet në këto parqe. Fakti që kisha punuar për gati 25 vjet në Tiranë, në emisionet e mëngjesit, në radio e më pas në televizion, kur erdha në Amerikë kuptova se kisha humbur gati emocionin si të shijoja një fillim, ditë të thjeshtë, pa vrapuar, pa hyrë në dhomat e grimit, pa stresin nëse do të mbërrinte në kohë i ftuari i parë. Kuptova që kisha nevojë për atë qetësi. Pra, e para gjë që më mrekulloi në Filadelfia ishin parqet pastërtia dhe qetësia.

-Të nisësh një jetë të re në një vend të huaj, aq më tepër në Amerikën e madhe dhe të largët, nuk është e lehtë për këdo. Si keni arritur të integroheni në shoqërinë amerikane? Cilat kanë qenë vështirësitë që ju keni hasur?

Eva Dori: Kur vendosa të qëndroj, për të filluar një jetë të re në Filadelfia, pata pak frikë si fillim. Nga natyra jam luftarake, dhe e cilësoja veten si të realizuar nga ana profesionale.

Në Shqipëri kisha bërë realitet ëndrrat e mia; me gazetarinë kisha realizuar pothuajse të gjitha projektet televizive që kisha endërruar. Në pasionin tim më të madh, letërsinë, kisha shijuar faktin të botoja 4 libra në poezi, në prozë, dhe kisha marrë disa herë çmimet e para.

Fundjava në Tiranë, më gjente në biznesin tim, te 3 qendrat e mia të Dancit, me të cilat realizova shumë projekte të suksesshme për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsmit dhe atë të Kulturës. Pra ishte një jetë e ngjeshur me aktivitete dhe emocione pafund! Pas relaksit që mora javët e para, fillova të kërkoj punë dhe, në njëfarë mënyre, të kuptoja se çfarë ofronte më shumë Amerika se sa ato parqe që më mrekullonin pafund. Natyrisht që asgjë nuk ishte si jeta në Tiranë. Askush nuk kishte kohë të rrinte gjatë me mua, dhe, pothuajse të gjithë vraponin. Në pritje të numrit të punës dhe konvertimit të diplomës, m’u desh të bëja punë të ndryshme fizike; aty kuptova që në jetë ishte e rëndësishme edhe fuqia e muskujve!!

-Puna fizike, që ju jeni përballur padyshim si shumë emigrantë të tjerë, të tingëllon paksa çuditshëm kur ke bërë një punë të bukur profesionale siç është gazetaria dhe librat. Por, njeriu duhet të përshtatet si në kohë të mira dhe të vështira. Si ia dolët për të gjetur një punë të mirë, duke mos hequr dorë as nga pasioni juaj i parë, gazetaria?

Eva Dori: Isha mësuar për 25 vjet në gazetari, me fuqinë e fjalës! Ashtu si shumë emigrantë edhe unë pastrova, lava pjatat, bëra baby siter, punë këto edhe pse ishin vetëm për disa ditë më bënë të takoja njerëz të ndryshëm. Në këto punë nuk harroj dot kurrë njohjet, sidomos me intelektualë. Ata në prezantim e sipër nuk nguronin të më tregonin arsimimin dhe diplomat e tyre që kishin në vendin tonë, më pas përpiqeshin të justifikoheshin që e kishin punë të dytë atë që bënin këtu, ndërsa në heshtje më ndihmonin duke më këshilluar pothuajse të gjithë të mos rrija gjatë në punë të tilla. U jam shumë falenderuese për ndihmën e madhe që më dhanë në ato ditë të vështira.

-Eva, ju vini nga profesioni i gazetares, nga një punë profesionale me dimension të gjerë në disa media shqiptare. Sa ju ka ndihmuar eksperienca e punës në Shqipëri, për t’u përshtatur në jetën e re amerikane?

Eva Dori: Gazetaria më ka ndihmuar padyshim në të gjithë hapat e vështirë që hodha në jetën amerikane. Kur bëja intervistat për punë, pata fatin e mirë që të pranohesha menjëherë pa patur atë ankthin e pritjes, dhe ajo që më befasonte më pas ishte vlerësimi, stimulimi dhe ngritja në detyrë! Unë punoj fort, përpiqem që çdo punë ta bëj me saktësi, korrektësi; dhe kam kuptuar që të punoj është një ndër gjërat më të mira që di të bëj në jetë. Unë kam vënë zemrën në çdo punë që kam bërë, dhe falë Zotit jam vlerësuar gjithmonë. Puna si mësuese më bëri të kuptoj diferencën e madhe të mënyrës së mësimdhënies këtu, krahasuar me atë të Shqipërisë. Isha diplomuar në Tiranë për mësuesi në degën gjuhë-letërsi, por kurrë nuk e kisha ushtruar si profesion. Të jesh mësuese në USA, është punë shumë e bukur, dhe gazetaria më ndihmoi që t’i realizoja me lehtësi shumë projekte. Kur je emigrant i ri, të duhet të punosh shumë dhe të jesh gjithmonë në kërkim të një pagese më të mirë. Kjo ishte arsyeja që kalova nga puna si mësuese, në një klinikë dentare. Natyrisht, pagesa ishte shumë më e lartë, por fusha e mjekësisë ishte një sfidë më vete në karrieren time profesionale. Mbaj mend që kur isha në Tiranë, në gazetari, kisha realizuar rubrikën “si të kujdesemi për dhëmbët”,’ dhe më vinin në mend copëza bisede nga të ftuarit e mi. Në ditët e para si dental asistente, në klinikën dentare, mbaj mend që më thërret doktoresha e më thotë të shikoj një mbushje dhëmbësh. -Shiko Eva sa mbushje e bukur, dhemballa duket perfekt tani! Isha mësuar me emisione “të bukura”, montazh të bukur, poezi të bukur, pra çdo gjë e bukur në lidhje me artin. Nuk kisha menduar kurrë, se përtej artit të gazetarisë kishte edhe mbushje dhëmbësh “të bukura”. Natyrisht që heshta! Kujtoja që nuk do rrija dot gjatë në atë vend pune. Uniforma, maska, dorashkat, gjilpëra, instrumentat, medikamentet, e gjitha ishte një botë e ftohtë pa ngjyra për mua. Sot, pas 3 vjetësh qesh, sepse e dua shumë punën në klinikë, u mësova të shijoj falenderimet e pacientëve dhe, sidomos, në kohët e pandemisë kuptova se sa i shenjtë është profesioni që zgjodha. Ne ishim gjithmonë aty për pacientët, duke sfiduar frikën e kësaj sëmundje të tmerrshme. Sot, asgjë nuk shijon më shumë se sa një falenderim nga një pacient kur është i qetësuar nga dhimbja, apo i është kthyer sërish buzëqeshja

-Çfarë dallimi gjeni mes kulturës së punës në Shqipëri dhe kulturës në SHBA?

Eva Dori: Natyrisht që ka shumë dallime, mes kulturës së punës në Shqipëri dhe SHBA. Nga ritmi i punës, jeta ime është gati e njëjtë për të dyja vendet. Në Shqipëri punoja 3 punë në Radio, Televizion, ndërsa në fundjavë kisha biznesin tim, qendrën e Dancit. Edhe këtu kam të njëjtin ritëm pune. Kam tre punë, në mëngjes jam menaxhere në Miraclec Home Care Agjenci, punë të cilën e dua shumë, dhe mbasdite jam në klinikën dentare si dental asisent. Në fundjavë i dedikohem pasionit tim, gazetarisë. Patjetër që diferenca është shumë e madhe, pasi edhe profili i punëve që bëj janë krejt të ndryshme me ato që bëja dikur në Shqipëri. Ajo që më pëlqen këtu në USA, është motivimi i të rinjve! Ata fillojnë të punojnë që në moshën 16 vjeçare, duke kursyer të ardhura për jetën e kolegjit. Pra mësohen të jenë të pavarur. Kur bisedoj me miqtë e mi në Shqiperi që e kanë të veshtirë të gjejnë punë për fëmijët e tyre, edhe pse mbarojnë universitetin shkëlqyeshëm ndjej dhimbje vërtet. Ndihem me fat që vajza ime është në vendin e mundësirave të mëdha.

–Sa e keni ndjerë mbështetjen e komunitetit shqiptar, sidomos në ditët e tua të para në Filadelfia?

Eva Dori: Patjetër që e kam ndjerë këtë mbështjeje, ndërsa përpiqem të jap edhe unë kontributin tim për të ndihmur, sidomos emigrantët e rinj, të cilëve u sugjeroj që të sakrifikojnë në fillim në drejtim të arsimimit.Diplomimi në një shkollë të mirë sjell të ardhura të mira e më pas një shtëpi komode, makinë e udhëtime. Në Filadelfia, të paktën në grupin e mikeshave që unë frekuentoj, është një frymë e mrekullueshme bashkëpunimi; ndihmojmë sa mundim njëra-tjetrën duke e kuptuar se sa e rëndësishme është në emigracion të kemi një mik të mirë. Ne ngjajmë si një familje e madhe!

-Ju jeni partizane e shprehjes “dua të bëj një punë që të më sjellë të ardhura “, apo “dua të bëj punën që më pëlqen”?

Eva Dori: Për të qenë e realizuar në emigracion, unë i bëj të dyja. Punoj dy punë, që të siguroj të ardhme të mjaftueshme për një jetesë normale, dhe për të marrë kënaqësi shpirtërore bëj gazetarinë. Jeta në Shqipëri më bëri ta kem të lehtë faktin e menaxhimit të kohës këtu në USA. Di të gjej kohë edhe për punë, por edhe për t’u shplodhur me familjen dhe miqësinë.

-Në Shqipëri, në Televisionin “Planet”, ju keni drejtuar emisionin për fëmijë “Shtëpia e Ëndrrave”, të cilin tashmë e keni transferuar edhe në Filadelfia. Si lindi kjo ide për të rifilluar emisionin tuaj në një shtet tjetër?

Eva Dori: Projekti televiziv “Shtëpia e Ëndrrave” ishte i fundit që realizova me shumë sukses në Shqipëri. Qëllimi i këtij emisioni ishte të promovonim sa më shumë talente në fushën e Dancit, aktrimit dhe kërcimit. Target grupi i këtij emisioni ishin fëmijët në nevojë, kryesisht fëmijët jetim, fëmijët që i përkisnin komunitetit rom dhe egjyptian, të cilët patën mundësi të bënin shumë ëndrra realitet. Unë falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan të realizoja ëndrrën e çdo fëmije që ishte në atë format televiziv. Si kudo në të gjithë botën, edhe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Filadelfia, qëndrimi i gjatë në shtëpi, mësimi online bëri që fëmijët të plogështohen dhe të mos kenë shumë mundësira për aktivitete fizike e aq më tepër argëtuese. Pikërisht, Rubrika “Vallja e shqipes” ishte një ndër rubrikat e cila pati shikueshmëri maksimale, dhe jam e lumtur që ky emision po e arrin qëllimin.

-Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj që ju kanë mbështetur në realizimin e emisionit për fëmijë?

Eva Dori: Ishte biseda me dy koreografët Anxhel Goga dhe Enea Goga, të cilët më sugjeruan të realizonim sërish emisionin “Shtëpia e Ëndrrave”, por me një tjetër qëllim, t’u mësojmë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, vallet e mrekullueshme shqiptare. Dreams Dance House Academy, tashmë është një ndër shkollat më të sukseshme në Shqipëri, dhe në faqen e you tube renditen ndër të parët në botë për nga shikueshmëria. Ndihem krenare për suksesin e tyre! Dy vëllezërit koreografë, Anxhel dhe Enea Goga dolën nga formati i këtij emisioni dhe e realizuan ëndrrën e tyre të madhe, të kishin një shkollë Danci me përmasa të tilla. U ndjeva shumë e emocionuar nga kjo ofertë, pasi në kohë pandemie ky lloj formati do të ishte shumë argëtues, dhe mesazhi që do të përcillte ishte shumë domethënës. “Të duam Shqipërinë dhe të njohim vlerat e saj nëpërmjet artit”. Dua të falenderoj kryetarin e shoqatës “Bijtë e Shqipes” zotin Bujar Gjoka, i cili më dha mbështetjen maksimale për pasqyrimin e gjithë aktiviteteve që realizonte shkolla shqipe.

-Unë dua të të përgëzoj për këtë punë që bëni me fëmijët në vend të huaj, pasi kështu fëmijët nuk do të harrojnë gjuhën shqipe. Megjithatë, doja t’ju pyesja, sa koshient është komuniteti shqiptar në Filadelfia për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe ndërmjet fëmijëve shqiptarë?

Eva Dori: Ne po nxisim fëmijët e emigrantëve shqiptarë të mësojnë të flasin, këndojnë dhe kërcejnë shqip. Mësimdhënia online e gjuhës shqipe ishte një tjetër sfidë jo vetëm për fëmijët, por edhe për vetë mësuesit. Fakti që çdo ditë rregjistrohen onlin fëmijët e emigrantëve jo vetëm nga Amerika por edhe nga shumë vende të tjera, tregon cilësinë dhe punën e përkushtuar që ky staf bën në drejtimin e ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Një falendrim i veçantë shkon edhe për stafin e mrekullueshëm, me të cilët unë punoj, Ervis Koçi, i cili është regjizori i këtij emisioni, me idetë e tij është shumë kreativ; Igli Tefa, i cili bën një punë të mrekullueshme në montazh. Siç ju thashë pak më lart, shumica e rubrikave të këtij emisioni realizohen nga video që sjellin vetë prindërit, duke xhiruar fëmijët e tyre në recitime, apo duke kërcyer, ndërsa Iglit i duhet një punë e madhe për të rregulluar cilësinë e tyre për transmetim.

Emisioni i parë ishte shumë argëtues, pasi na vinin video ku shikonim të impenjur të gjithë familjen, prindërit, gjyshërit motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj, për të motivuar fëmijët e vegjël të mësonin të uronin gëzuar vitin e ri në shqip. Prindërit filluan të gjejnë mënyra të ndryshme për të motivuar fëmijët që të flisnin shqip. Natyrisht që më të vështirë e kishin ata fëmijë që kishin lindur në USA, dhe gjuha shqipe për ta është vërtet shumë e vështirë. Dua të kujtoj këtu një prind kur i thotë fëmijës që të mësojë të urojë shqip, pasi do të takohet me babagjyshin e vitit të ri. Dua të falenderoj gjithashtu gazetarin Florian Bezazhanin, i cili pranoi të bëhej babagjyshi i këtij emisioni, ndërsa ishin të paharrueshme ato emocione kur ndante dhuratat dhe i uronte në gjuhën shqipe. Reagimi i fëmijëve ishte i mrekullueshëm. Pra, ata e besuan që Babagjyshi vinte nga Shqipëria dhe, nëse vitin tjetër do të donin të merrnin sërish dhurata, duhet të flisnin në gjuhën shqip me të.

-Ju vetë si protagoniste kryesore e këtij emisoni, ndjeni se “Shtëpia e Ëndrrave” po arrin qëllimin e saj?

Eva Dori: Sot jam e lumtur që tani në adresën e e-mailit të emisionit më vinë recitime dhe krijime, nga grupmosha të ndryshme fëmijësh, dhe shikoj si përditë e më shumë ky emision po arrin qëllimin e tij, të nxitim sa më shumë fëmijët tanë të mos harrojnë gjuhën tonë. Qëllimi im është që të përgatis fëmijët, që të jenë drejtues dhe realizues të këtij emisioni. Jam me fat që kam gjetur Amelia dhe Samuel Alickën, motër e vëlla, të cilët e kanë pasion gazetarinë, dhe, së bashku me mami Irmën janë duke punuar për të afruar sa më shumë fëmijë në rubrikat e këtij emisioni. Falenderojmë Eno dhe Alba Shorin, që po na ndihmojnë të realizojmë një studio, ku të kemi mundësi të realizojme orkestrimet dhe klipet me këngët shqip të fëmijëve tanë. Kemi në plan që të realizojmë festivalin e parë me këngë dhe valle për fëmijë. Ky projekt më ngacmon të gjithën, dhe mezi pres të shoh në skenë të gjithë këta fëmijë të talentuar. Dua falenderoj për kontributin, shkrimtaren për fëmijë, Anduela Shametaj, që po shkruan përralla për fëmijë në gjuhën shqipe. E vlerësoj shumë Anduelën për këtë punë kaq të vyer që po bën për fëmijët, që gjuha shqipe të mos humbasë ndërmjet fëmijëve të emigrantëve shqiptarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Eneida Jaçaj, Jeta e Re ne Filadelfia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT