• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

Dr. Jakov Milaj personalitet i shquar në studimet historike,etnografike dhe antropologjike

March 25, 2021 by dgreca

Nga Pertefe LEKA/ Dr. Jakov Milaj  një figurë  shumë dimensionale, erudit I njohur në botën intelektuale shqiptare me studimin e tij “Raca Shqiptare”. E kam njohur në vitin 1993, kur erdhi në Tiranë I ftuar nga Znj. Drita Ivanaj në Konferencën  Përkujtimore, kushtuar Prof.Dr.  Mirash Ivanajt, figurë madhore e Arsimit Kombëtar, dhe ” Martir i Demokracisë”. Dr. Milaj mbajti një fjalim të gjatë nga kujtimet e tij për mësuesin e tij të nderuar dhe Drejtorin e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, Prof.Dr. Mirash Ivanaj. Fjalimi publikohet  për herë të parë,  marrë nga dorëshkrimi  i imet, por  shumë i bukur  e me estetikë, në  10 fletë të bardha ,pa vija, shkruar nga një 83 vjeçar. Përveç këtij dorëshkrimi, me shumë vlerë për arsimin , Zoti Milaj  dërgoi me fax edhe një biografi të shkurtër për B.Merxhanin, si bashkudhëtar  në mergim me M. Ivanajn ,ku sqaroi shumë  enigma rreth jetës së  Merxhanit në Shqipëri. Dr. Milaj  në atë mbledhje u nderua në podium përkrah bashkëvuajtsve ,Pjetër Arbërorit,Osman Kazazit …dhe  Ministrit të Arsimit Z. Xh, Teliti, Z. V. Minarolli …Gezimin më të madh e mori nga shokët  e tij, bashkënxënës   të Gjimnazit ,edhe  ata të moshuar , që i erdhen nga Shkodra të organizuar nga Prof. Dr. Mentor Quku.Me rastin e 110 vjetorit të lindjes  një biografi e shkurtër :
Dr. Jakov Milaj ishte Lindur me 25 Mars të vitit 1911 në Fier. U shkollue në Gjimnazin e Shkodrës. deri më 1931.Ka drejtuar shoqatën kulturore “Besa Shqiptare” kur ishte student   në këte Gjimnaz.Punoi si mësues në qytetin e lindjes, sekretar  komune në                                  nën/prefekturën  e Kolonjës; redaktor  në organe të ndryshme  të shtypit ; si të Vatra e Timo Dilos dhe në “Përpjekja Shqiptare “ e Branko Merxhanit “. Dr. Milaj shkruante artikuj  në fushën   historike,etnografike,antropologjike,….Në vitin 1934 i është dhënë e drejta e studimit në Universitetin e Torinos për Veterinari. Atje i forcoi edhe me shumë lidhjet me Migjenin ,të cilit i qëndroi pranë deri në momentet e fundit të jetës.I ndërpreu përkohësisht studimet   Universitare  në vitin 1935, sepse mori pjesë në Kryengritjen e Fierit, ku denohet me     burgim të  përjetshëm.Pas ndërhyrjes të organizmave ndërkombëtare, do të falej  dhe shkoi në Itali për të vazhduar studimet e lëna përgjysmë.Në ditët më kritike  të Migjenit ishte pranë tij dhe motrës në Sanatoriumin e Tore Feliçes  prej nga solli edhe fjalët e fundit të   mikut të zemrës dhe disa nga dorëshkrimet e fundit të Migjenit. U kthye në Shqipëri  më  1939 pas diplomimit me resultate të larta.Punoi në institucione zyrtare  dhe në qeverinë e Maliq Bushatit për pak kohë si Ministër i Bujqësisë .U largua shpejt nga kjo detyrë duke dhënë dorëheqjen , sepse kërkoi që pyjet tona të ishin nën kontrollin Shqiptar dhe jo  të milicisë Italiane.     Pas çlirimit vazhdoi kalvarin e vuajtjeve .Në vitin 1945 arrestohet ,pas burgimit internohet së bashku me familjen në Shtyllas të Fierit dhe më vonë punoi për të mbijetuar dhe jo atje ku i takonte për progresin shqiptar. Vlen  për t’u përmendur  kryevepra e tij ,” Raca Shqiptare” botuar në vitin 1944. Kjo vepër është e para    monografi e shkruar nga një autor Shqiptar, për të cilën Dr. J. Milaj shkruan të parathënia:                          “Të përgatitësh një studim anthropologjik e historik pa qenë as anthoprolog as historian duhet të keshë shumë guxim. E këte guxim e mora pse desha të plotësoj me sa që e mundur një nevojë të  madhe  shpirtërore, një mungesë që duhet ta ketë ndjerë shqiptari :   Njohjen e vetvetës……Thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës  e të nentokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve që Ai shtet mban në gji, prej shpirtit që i jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon   nepër venat e tyre………Ky studim Nuk është bërë  për t’u  marrë me racizëm në kuptimin    politik-filozofik …..Qellimi i hartimit të kësaj vepre ka qenë që të nxjerrë në shesh  disa të vëteta , gjerë më sot të panjohura mbi  racen tonë dhe t’u jap shkas atyre që e ndjejnë veten të Zotin për t’u marrë  më tepër me biologji e antropologji …….Populli Arbëror ka një origjinë të vetme e të përbashkët, është autokton në të gjitha viset ku banon sot…….Njësia e racës duhet të ketë rendësi të  madhe për kombin tonë , pse nga kjo rrjedh  diçka e rëndësishme:   divergjencat mendore e shpirtërore  ndërmjet shqiptarëve  duhet të jenë shumë të vogla, aspiratat  kombëtare të përbashkëta…….Jemi të gjithë bij të një race të vetme, jemi vëllezër; shpejt do t’i njohim gabimet që kemi bërë e do t’i kërkojmë ndjesë shoqi shojt, Gjaku ujë s’bëhet……. Qellimi i kësaj vepre ka qenë,  që lexonjësi i thjeshtë  të nxjerrë disa të vërteta  rreth racës së tij,të dijë së midis  tij dhe atyre që flasin një gjuhë me te nuk ka asnjë ndryshim  gjaku e pra ta njohë Shqiptarin që prej Mitrovice e gjerë  në skajin më jugor  të Çamërisë si vëllanë e vet” .Janar 1944, J.Milaj.                                      Shembulli  më i lartë që i përgjigjet këtij studimi ishte Nënë Tereza e cila edhe pse larguar prej  vendit të origjinës , pohon me krenari :”Me gjak jam shqiptare,me nështetësi indiane,jam murgeshë katolike” .Është një mësim  për të gjithë sot,kur bota shqiptare  është më e vetëdijshme për autoktoninë  dhe vetëdijën  kombëtare , të  shpresojmë që të realizohet sa më shpejt  në Evropën e Bashkuar, siç e thotë Dr. Milaj “Populli Arbëror ,me një origjinë të vetme”.Fjala e mbajtur në Konferencën Përkujtimore  kushtuar  Prof.Dr. M. Ivanajt.23 Shtator 1993  me rastin e 40  vjetorit të vdekjes.

***

Jakov Milaj  për M.Ivanajn 

Nga fjala e mbajtur me rastin e 40-vjetorit te vdekjes se Prof.Dr.Mirash Ivanaj. 

 Shtator 1993, ne pallatin e Kongreseve Tiranë

E nderuar Zojushë, të nderuar  Zonja e Zotërinj

Eshte e rregullt qe ndokuj qe vjen nga larg,t’I urohet mireseerdhe! Dhe ne sot kështu duhej të vepronim ,dhe bashkë me urimin t’I kujtonim patriotës  tonë të nderuar, Zojushës Ivanaj,dy vargje të poetit tonë Çajupi:

Ku më duket balta më e ëmbël se mjalta!

Në Shqipëri!

Por sot rasti është  i veçantë.Bashkë me urimet e përzemërta duhet të kujtojmë edhe diçka të hidhur : jemi mbledhur  që të nderojmë edhe 40-vjetorin e vdekjes  të mësuesit  tonë të shkëlqyer Dr.Mirash Ivanajt,njërit nga pedagogët më të mirë e një nga patriotët  më të mëdhenj  që ka nxjerrë Arbëria jonë.Ky është ungji  i zojushës Drita që na ka nderuar.Unë kam patur fatin të kem qenë për 5 vjet nxënës I tij.Jam edhe një nga nxënësit  më të vjetër që Ai ka nxjerrë (po mbush afër 83 vjeç).Dhe prandaj ju lutem  të mos mërziteni  nga ky fjalim,ndofta pak i gjatë,që ka të bëjë me kujtimet  që unë kam për të përmendur.

Kanë kaluar  plot 62 vjet  nga koha  kur kam marrë maturën  e Gjimnazit  të Shtetit në Shkodër.

Përshtypja e parë që të lë një njeri kur e sheh  në fillim  është paraqitja e jashtme.Drejtorit  të cilit iu paraqita  në shtator të vitit 1926 ishte madhështor.Të linte përshtypjen e malësorit  nga e kishte origjinën.Megjithëse i ri, dukej pak i kërrusur,ndofta  pse të shumtën e kohës e kalonte mbi libra,duke studiuar.

Ishte tepër i thjeshtë në sjellje e në veshje. Dukej sikur  ishte I ashpër me  nxënësit,kurrë,përkundrazi  ishte shumë I dashur.Ndiqte  me interes  përparimin e tyre.i qortonte  ndonjë herë të dobëtit  por nuk përtonte  të afronte  e të këshillonte edhe të aftit dhe t’I nxiste këta që të ndihmonin,por siç e thonë tashi,t’I mirrnin në patronazh,ata që ishin më prapa.

Në vitet e para të krijimit të Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës,shumica e pedagogëve nuk ishin aq të aftë,pse disa vetëm shkolla të mesme në gjuhë të huaja  kishin mbaruar.Ndonjëherë  mungonin  edhe mësuesit  e përgatitur  qoftë edhe gjysmakërisht  për ndonjë lëndë.Atëhere mësimin e tyre e merrte përsipër,  vetë Drejtori.Sado që në fakultet kishte studiuar filologji e jurisprudence,në klasa të ndryshme 

Ai jepte,ku filozofi,ku histori,ku latinisht ose greqishte të vjetë,ku fizikë edhe matematikë.

Një profesor matematike Anton Deda,thoshte se Drejtori  është më I aftë se unë,për të dhënë edhe lëndët e ndryshme  e të matematikave në të cilat unë kosiderohesha kompetent.

Kishte pak miq në Shkodër dhe rrallë e shikoje nëpër kafe,vetëm kur i vinte nga Tirana i vëllai,juristi Dr.Martin Ivanaj ose zbriste nga mali e motra,një grua trupmadhe si vëllezërit,e veshur me kostum karakteristik të mbi Shkodrës,Ai me këta shetiste në rrugë të madhe dhe pinte birre ose ndonjë pije tjetër në Kafen Adriatik,(Kafja Madhe ) 

Që ishte  në atë kohë kafja më e mirë e qytetit .

Përjashtim bënin ditët e garave sportive, në të cilat Gjimnazi I Shtetit rregullisht fitonte ndaj shkollave të tjera.Këta gara I kushtonin shumë drejtorit tonë,pse ky do të shpenzonte nga xhepi I tij për të blerë disa nga veglat sportive më të nevojshme,si litarë,topa etj.për të cilat deri në mbarim të vitit shkollorë 1927-1928 nuk sigurohej asnjë fond nga shteti;pse pastaj  në mbarim të garave,nga gëzimi ai do të shtronte një darkë për të gjithë profesorët dhe do të paguante vetë për të 

Gjithë.

Pengesë e madhe për zgjërimin  e shpejtë të shkollës  tonë ishte fanatizmi fetar që ndrydhte shpirtërat e myslimanëve dhe të katolikëve.Ndërsa për katolikët u desh kohë që të afrohen me shkollën laike,për muhamedanët  puna qe më e lehtë.Këte e ndihmoi  një koinçidenë që unë e pata dëgjuar 

Edhe kur isha nxënës në Shkodër,edhe nga goja e një miku  

Serioz të Drejtorit nga goja e Demir Vilës me të cilin  kishim qenë  bashkënxënës në Romë.

Kur në qershor të vitit 1924,kryengritësit  u futën në Shkodër,Ivanaj  si kundërshtar I tyre,la shtëpi e katandi dhe iku rrëmbimthi vetëm me rrobat e trupit,në Mal të Zi,u vendos në Podgoricë.Pas disa ditësh, një komision  i ngarkuar nga prefektura erdhën  për të sekuestruar mallin e të arratisurve  politikë, hynë në dhomën e tij  dhe, për çudi  gjetën  te krevati,Kuranin.

Anëtarët myslimanë të komisionit mbetën të shtangur  nga kjo e papritur  dhe ngulën këmbë që teshat e tij të mos preken.Nga kjo u detyruan  të tërhiqen edhe anëtarët e tjerë.Dolën nga dhoma,e vulosën derën me dyll,kur u kthye Mirashi  pas gjashtë muajsh,I gjeti të paprekura teshat e pakta,librat si dhe Kuranin nën jastëk me një fletë që kishte përkthyer vetë kur u largua nga Shtëpia.

Shënimet  që mbante nga leximi I kuranit  ishin për të parë ndikesën që kishte patur e drejta romake në sheriatin.

Shenime origjinale te Jakov Milaj

Kjo ngjarje bëri bujë në gjithë Shkodrën dhe të gjithë myslimanët  filluan ta adhurojnë.Kur Mirash Ivanaj  mori drejtimin e Gjimnazit  të shtetit,shumica e tyre i dërguan fëmijët  me dëshirë  të madhe për t’u edukuar nga ky dijetar  që “kishte lexuar edhe Kuranin”…Dhe filluan të zbatojnë pa nguruar porositë e tij.

Kur unë shkova për herë të pare në Gjimnazin e Shkodrës (1926),nxënësit mbanin në kokë,edhe gjatë orës së mësimit fesa të zezë.

Në shtator të vitit 1927 ,Drejtoria para fillimit të regjistrimeve ngjiti në hyrje të shkollës  një urdhër me këte përmbajtje:

“Të gjithë nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh  se në klasë  do të qëndrojnë pa kësulë në kokë”Asnjë nuk e kundërshtoi këtë kusht.

 Pushimet javore ishin të gjata në shkollën tonë. 

Veç së dielës,ditën e mërkurë dhe ditën e premte bëheshin vetëm nga tri orë mësim,për arsye  të ditës së pazarit dhe të festës javore myslimane.Për të kufizuar  pushimet,në fillim të vitit shkollor 28-29,varet një shpallje tjetër në derën e shkollës:”Nxënësit që dëshirojnë të ndjekin Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh se të premten mësimet do të zgjasin gjithë ditën.Si për çudi asnjë nxënës nuk nguroi të regjistrohej.Natyrisht, evolucioni i mendjes  ndaj kulturës bënte punën e vet,por besimi në ndershmërinë,seriozitetin

e patriotizmin e udheheqësit të këtij institucioni  pat shumë rëndësi për të bindur popullaten se rruga që ndiqte ai ishte 

e vetmja rrugë për përparimin e njerëzve.

E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në shkollë ka qenë punë patriotike,për patriotizmin e tij flasin edhe këto dy fakte:

Me 28 Nëntor 1927 ,nga nxënësit e Gjimnazit tonë u bë demostrata kundër Bankës Kombëtare  pse në ballkonin e saj Flamuri ynë ishte vendosur në krahun e majtë,kurse flamuri i huaj në të djathtë.Ky gjest përbuzës  i të huajit ndaj nesh,ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve.Policia, sa pa studentët  që filluan demostratën, njofton menjëherë drejtorin  që të marri masa. Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë.Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes Ai hipën në këmbën e parë të  shkallës  dhe na flet me butësi.Tregon se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demonstrate kundër bankës.Drejtori  na thotë: 

Se detyra e parë e nxënësve ishte që të shikojnë mësimet. Dhe përfundon   me këto fjalë të buta “Ju  tani jeni të rritur,e kuptoni vetë të mirën e të keqën e vetës e të Atdheut,ju këshilloj ,që të shihni mësimet.Ju  e dini vetë si të veproni “  

Këto këshilla na u dukën më shumë se aprovim,shtytje për veprimin tonë.Nga shkolla dolëm më të vendosur .Pas dreke 

Demostrata vazhdoi më e ashpër si dhe në mbarim të saj,policia  arrestoi nja 20 vetë nga shokët tanë më të rritur.Të nesërmen  shumica  u liruan dhe mbetën në burg 

Vetëm 6 gjashtë  vetë,të gjithë pa përkrahje.Për ushqimin dhe fjetjen e tyre Drejtori interesohesh shumë.Merrte ushqime dhe shtresa nga konvikti,megjithëse vetëm dy prej të arrestuarve ishin konviktorë,shkonte për natë  në qeli ku ishin vendosur ata dhe i këshillonte  të hanin mirë,të mos ftoheshin  dhe të mbanin  gjakftohtësi.

Një javë më vonë,në mbrëmje,kur kishim mbaruar  mësimet e pasdrekës,drejtori i zymtë  në fytyrë,na mbledh në korridorin e shkollës dhe na liron, pa bërë asnjë koment, për telegramin  e ministrit të arsimit, me të cilin  njoftohej  se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla  përgjithmonë.Të përjashtuarit  i mblodhi në drejtori  dhe u komunikoi  urdhërin epror.Sipas fjalëve  që na treguan gjashtë shokët midis të tjerash, Ai u tha :”Demostrata verteton  se ju dhe shokët tuaj  nuk jeni vetëm nxënës  të mirë,por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica” 

Me këmbënguljen e Drejtorit, të dënuarit pas sa kohe u falen

dhe me përjashtim të njerit  të tjerët rifilluan mësimet.

Një fakt tjetër ishte ky; Në pranveren e vitit 1929 ,me urdhër të drejtorit,Prof.Gabriel Meksi  na mblodhi ne, 5-6 nxënës ortodoks të gjimnazit dhe na këshilloi që të përgatisim një kor të vogël për të psalur shqip të Premten e Madhe dhe ditën e Pashkës në kishën e qytetit e cila ishte slave.Ne nuk dinim, por  dy shokë që i dinin mirë këto punë, na ndihmuan 

të përgatiteshim dhe vajtimet e përmivarrëshme  nuk shkuan keq.Por mesha e Pashkëve bëhej në mesnatën e të nesërmes.Për të dale natën nga konvikti duhej leja e drejtorit.Për fat të shtunave Ai vinte në internat  dhe unë si më i madhi i kërkova autorizimin për të shkuar në kishë.E aprovoi me gjysmë zëri kërkesën time;por pak më vonë  më nxori nga salla e studimit dhe vetëm për vetëm më tha me zë të  ulët:”Po të flas ty se je më i madhi dhe mund të më kuptosh,ku do të arrijmë ne,në qoftë se ortodoksët,katolikët,myslimanët do të shkojnë secili më vete,në kishë e xhami për Pashkë e Bajram.A mund të ndërtohet Shqipëria kur edhe ju të rinjtë, që jeni shpresë e të ardhmes,mendoni dallimin fetar e jo bashkimin?!

Kur unë iu përgjegja se asnjëherë nuk i kishim kërkuar  leje për të shkuar në  kishë,por sonte e bënim këte pse ishte rasti I korit të vajit që do të thoshte  ato pak lutje shqip gjatë meshës sllavishte,Atij i qeshën sytë  dhe ma ktheu menjëherë: Ah,po,po ! Më kishte dalë fare mendsh  kjo çështje.Të shkoni, të shkoni! Dhe në qoftë se keni nevojë, më thërrisni edhe mua, se jam gati t’ju  ndihmoj….

Drejtori ka qenë vetë nismëtari për formimin e shoqërisë  ‘Besa”.Ai e shihte se si ishin organizuar prej françekanësh  e jezuitësh. E kuptonte se nxënësit e Gjimnazit të Shtetit  përbërë prej feshë të ndryshme dhe krahinash të ndryshme,kishin nevojë për një organizatë të rinjsh ku të mirreshin me kulturën,me sportin, me problemet e kohës,mbi të gjitha të forconin bashkimin.Për t’ia arritur qellimit ftoi në drejtori disa nxënës të cilët hartuan statutin e shoqërisë dhe kësaj i vunë emrin “Besa Shqiptare.” Drejtori u kënaq shumë me këte emër dhe,midis tjerash na tha:Besa është karakteristikë vetëm për popullin tonë.Të huajt nuk gjejnë fjalë të sakta për të përkthyer këte nocion në gjuhën e tyre 

Prandaj edhe ata janë të detyruar të shënojnë në vokabulin “Besa”në fjalorët e tyre.Ne e zgjodhëm Drejtorin Kryetar Nderi.

U largua nga Shkodra  e shkoi në Tiranë për të jetuar me të vëllanë,Martinin,por gjurmët e Mirashit mbetën të pashlyeshme.Ai linte një shkollë shumë më të madhe nga ajo  që  e gjeti dhe me personel më të aftë .Brenda 6-7 vjetësh numri I nxënësve ishte katërfishuar dhe përbërja kishte ndryshuar si nata me ditën.Më pare thuajse të gjithë nxënësit ishin myslimanë;tashi ishin shtuar dhe vazhdonin të shtoheshin edhe katolikët të cilët vazhdonin të braktisnin shkollat e vjetra.  Gjatë kohës që punonte Ai në Shkodër,dolën nga shkolla tri matura të degës pedagogjike dhe dy matura të gjimnazit.Kjo ishte kënaqësi e madhe për te.

Unë pata fatin ta shoh drejtorin disa herë edhe në Kryeqytet vetëm ose me bashkënxënës të tjerë.E therrisnim Zoti Drejtor, megjithëse kur u largua nga Shkodra,Ai pati poste më të rëndësishme: më pas profesor,ministër arsimi,deputet dhe Kryetar i Këshillit të Shtetit.

Na priste me shumë përzemërsi në një dhomë të madhe, mbushur me libra të sistemuara mirë.Na pat bërë përshtypje  biseda e tij.Ne kujtonim se Ai nuk dinte të qeshte kurrë,kurse Ai përkundrazi,ishte gjithnjë buzagas sidomos kur fliste për ndonjë  ngjarje të kaluar ose na kallxonte ndonjë anekdotë.

Me 1936 pat rënë disa herë fjala me te për kryengritjen e Fierit. Ai pyeste për hollësira  rreth saj,dhe i vinte mirë që pati mjaft arsimtarë pjesëmarrës,pse sipas mendimit  të tij, edukimi i brezit të ri kishte rënë në duar patriotësh.Veç më shumë se një herë  pat shtuar :”Po ku u gjetën ata pleq për të drejtuar një kryengritje që kërkonte udhëheqës të rinj e të vendosur?”

Kur bisedoja me këte njeri,unë pyesja veten: si është e mundur  që një personalitet  i regjimit të Zogut,pak muaj më parë ministër arsimi,e tani Kryetar i Këshillit të shtetit,të shfaqi mendime  të këtilla?  Dhe përgjigjja më dukej e qartë. Mirash Ivanaj nuk ka qenë asnjëherë njeriu i Zogut.Ai i njihte mirë të metat e këtij,por bashkëpunoi me te për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër, laicizmin e arsimit.

Shokët që e patën parë me sytë e tyre më patën thënë:”Para 

7 Prill 1939  Mirashi pat braktisur zyrë e bibliotekë dhe qe bashkuar me turmat e popullit që demonstronin  kundër fashistëve dhe bashkë me ta  patën thirrur “Duam pushkë,duam pushkë!”

Këtu del sheshit patriotizmi i drejtorit tonë.

E megjithë këto ndjenja e dëshira,ai qe I detyruar të ndiqte 

Karvanin mbretëror  dhe të arratiset në Turqi sepse e njohu më mirë si bashkëpunonjës që kishte drejtuar regjimin e Zogut.Ndërsa Mbreti vetë u largua nga Stambolli dhe shkoi nepër Evropë, ata që mbeten morën arin nga valixhet për të blerë çifligje nepër Anadoll dhe për të bërë tregti.Mirashi mbeti pa dhet are në xhep.Kur iu sëmur i vëllai, qe i detyruar të shesë një dhëmballë ari për t’I blerë ilaçet.

Për funeralin e të vëllait,meqenëse  asnjë nga bashkëpunëtorët nuk e ndihmoi. Ai qe I detyruar t’I drejtohet  

Bashkisë së Stambollit dhe kjo e çoi në varr Martinin  si të gjithë varfanjakët.

Kthimi i Mirash Ivanajt në Shqipëri  ishte një tjetër akt I tij patriotik  Ai dëshironte t’I shërbente prap Atdheut.

Por Atdheu i tij i udhëhequr  tashi nga komunistët nuk e ndjente nevojën e tij.Prandaj e burgosën, e torturuan sipas zakonit,dhe Ai mbaroi në dorë të operativit, gjithmonë i burgosur.

I përjetshëm qoftë kujtimi I tij .

  Jakov Milaj  

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Jakov Milaj, Mirash Ivanaj, Pertefe Leka

”VATRA” URON QYTETARËT E KOSOVËS

March 25, 2021 by dgreca

DEKLARATË/

 FEDERATATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS”VATRA” URON QYTETARËT E KOSOVËS/

              New York, 24 Mars 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” uron qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Republikës për Qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021.

            Vatra i uron Kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij suksese në mandatin qeverisës.

Një urim të vecantë, Vatra i përcjell kryetarit të ri të Kuvendit z. Glauk Konjufca në zgjedhjen e tij në postin e kryeparlamentarit.

      Shpresojmë dhe urojmë që me pjekuri politike, me kulturë demokratike,me tolerancë, larg ekstremizmave, përfaqësuesit e popullit të Kosovës në Kuvendin e saj të tregojnë maturi, mirëkuptim dhe bashkëpunim për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.Nuk ka kohë për të humbur. Detyra të vështira dhe të rëndësishme e presin Qeverinë dhe Kuvendin. Shteti ka nevojë për stabilitet dhe përfaqësim dinjitoz në organizmat ndërkombëtare. Pandemia është nëpër këmbë, duhet punë e bashkëpunim për të dalë nga situata e vështirë. Papunësia kërkon vende të reja pune. Bisedimet e vështira me Serbinë diktojnë bashkëpunim të institucioneve shtetërore dhe të forcave politike të Kosovës, për të përballuar agresivitetin e propagandës serbe në botë, që synon barazimin e viktimës me agresorin. Mbrojtja nuk bëhet me folklor, por me diplomaci dhe forcimin e shtetit. Qeveria duhet mbështetur për të luftuar kriminalitetin dhe korrupsionin.

       Zgjedhjet janë mbylluar, gara politike ka përfunduar, votat e qytetarëve vlerësuan secilën forcë politike, këtej e tutje duhet punë dhe bashkëpunim për të mirën e Kosovës.

        Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA,sic ka bërë gjatë të gjithë historisë së saj 109 vjecare, ashtu sic ka vepruar edhe me qeveritë para ardhëse të Kosovës, shfaq gadishmërinë e saj për të bashkëpunuar me qeverinë e z. Albin Kurti. Vatra dhe vatranët do të kryejnë detyrat e tyre ndaj Kosovës, duke e inkurajuar qeverinë e re për një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët europianë.

    PËR KRYESINË E VATRËS

ELMI BERISHA

Kryetar

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha-Vatra-Deklarate, Urime Albin Kurtit

FYTYRE E KOMBIT- GJENIU SHQIPETAR -MIT’HAT FRASHËRI

March 25, 2021 by dgreca

Nga Eduard M.Dilo/

25 Marsi është dita e përkujtimit të Mit’hat  Frashërit (Lumo Skëndo-s).      Lindi në Janinë në 25 Mars 1880, plot 141 vite më parë.Ndërroi jetë në New York në 3 Tetor 1949.

FEMIJËRIA, EDUKIMI, AKTIVITETI I TIJ

Djalë nga dera e shquar e Frashëllijve,i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hati e njohu shumë pak Babanë e tij, pasi babai ishte i burgosur dhe vdiq i ri  duke  e lënë të vogël, kështu që u rrit nën kujdesin e xhaxhallarëve, Samiut dhe Naimit.

I Ati, Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur:- “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Mbaroi shkëlqyeshëm gjithë  vitet e studimit që nga fillorja, në të mesme, ndërsa edukimin Akademik e mori në Stamboll, nën kujdesin e xhaxhallareve. 

Filloi të shkruante në shtypin periodik dhe me veprimtari letrare qysh në moshë të re, kur ishte 18 vjeç(1897). Botoi në atë kohë dhe e vazhdoi botimin deri në vitin 1928 të” Kalendari Kombiar”.

Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, perveç atyre orientale të mësuara në Stamboll, dinte  frengjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht, italisht etj. duke botuar shumë artikuj në keto gjuhë.

 Ai bashkëpunoi me revista të huaja, të Francës, të Anglisë, të Zvicrës etj., si: “Mercure de France”, “Les peuples Libres”, “Revue Politechnique”, “Revue de Geneve”, “Le Monde”, “La Mercure Suisse”, “The New Stratesman”, “Foreing Affairs” etj.

Punoi në administraën turke në vitin 1905, dhe më pas në administratë shtetërore në Selanik, ku emërohet drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut.

U aktivizua në politikën shqiptare në fund të shek. XIX dhe gjysmën e parë të shek.XX.

Në vitin 1908, boton në Selanik gazetën Liria. Bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij Kristo Luarasi.

 Më 1908, kryesoi Kongresin e Manastirit( u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i hartimit të komisionit të alfabetit, kryetar u zgjodh At Gjergj Fishta ). 

Ka patur lidhje me Bajo e Çerçiz Topullin si dhe Adem Eminin, të cilët bashkepunuan e përgatitën kongresin dhe filluan botimin e një reviste javore.

Më 1912 pjesmarrës dhe nënshkrues në Shpalljen e Pavarsisë, ishte deputet i Elbasanit, Ipekut (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. U zgjodh Minister i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit. 

Në ato kohë (20/1/1914),sëbashku me zotnijtë G. Cilika dhe  Taq Buda, i dërguan një letër gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës”, ku i shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë dhe t’ia dhurojmë Zj. Edit Durhan për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet e botimet e saj”.

Më 1918 Ministër në Qeverinë e  Turhan Pasha Përmetit  dhe antar i dërgatës në Konferencën e Paqes. 

Pas largimit të Princ Vidit, të cilin e mirëpriti dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, u largua nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete ballkanike.

Në vitin 1916 arrestohet dhe internohet në Moldavi. Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, lejohet  të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. 

Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. 

Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.

Në vitin 1920 vendoset në Amerikë ku u caktua Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Në Gusht 1921, ai lajmëroi Lidhjen e Kombeve për barbarizmat e bëra nga Serbia në Shqiperine e veriut. 

Në  vjeshtën e tretë e të po atij viti ishte Kryetar i dërgatës Shqiptare, dhe si i tillë  protestoi në Konferencën e Ambasadorëve kundër vendimit të marrur për kufirin e Shqiperisë me Jugosllavinë. 

Ky propozoi të caktohej një komision nga të  dy palët dhe një i dërguar nga Lidhja e Kombeve në përcaktimin e kufijve. 

 Në 1923, Ai u caktua në Greqi, Ministër Fuqiplotë i Qeverisë, ku punoi me përkushtim e zotësi të rrallë.

Më 1926, Mit’hat  Frashëri hoqi dorë nga zyra në Athinë dhe ju përkushtua veprimtarisë letrare.  

Në vitin 1926-1939,  themeloi librarinë Lumo Skëndo dhe boton po në Tiranë ku hapi dhe librarinë,  Revistën “Diturija” më 1927.

Duhet përmemdur se libraria që hapi në Tiranë e kishte konceptuar si janë libraritë moderne që ka sot Evropa dhe bota e kulturuar: librari dhe bibliotekë ku studjuesit, studentët dhe lexuesit jo vetëm blenin libra por dhe lexonin dhe diskutonin për libra e mbaheshin reçesione e kritika letrare në sallën e krijuar posaçërisht për këto aktivitete. 

Libraria e Lumos kishte gjithashtu një përparësi tjetër; kishte një fond librash që lexuesi mund ta merrte me vehte për ta lexuar dhe e kthente prapë pa kurrfarë shpërblimi.

Në 4-4-1929, shkroi testamentin e Tij: “Çë kam pasuri të tundëshme ose të patundshme, libra,mobilla, karta, plaçka etj. I lë për krijimin e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE”, që të jetë një qëndër e studimevet shqiptare, të mprojë, të shvillojë,të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë “

Shkroi, hartoi si dhe shqipëroi disa vepra shkollore. Kish dashuri të madhe për librat. Ishte poliglotist dhe gjithë dijet i vuri në shërbim dhe ndriçim të kombit.

Ka rreth njëzetë vepra origjinalesi dhe me dhjetra të shqipëruara.  

Në 1939, kur u pushtua Shqipëria, ju rikthye aktivitetit politik. U bë kryetar i B.K. dhe është autor i Dekalogut. 

Merr pjesë në Marrveshjen e Mukjes 1943.

Ai shkriu gjithë pasurinë për të  pasuruar e ndriçuar Kombin.        

Dashuria e tij ishte shumë e madhe për Atdheun dhe Librin. Atyre ua kushtoi jetën.

Vdes në New York në 3 Tetor 1949, nga -atak kardiak-.          

VEPRAT LETRARE TË TIJ: 

    **************

Ka përdorur pseudonime Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka si dhe në botime të ndryshme Ismail Malosmani. 

-1897 boton”Kalendari Kombëtar”

-1901, ka shkruar jetshkrimin për Naim Frashërin.

Ka shkruar novelat “Hi dhe Shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të titulluar:” Pritmi i Shqipërisë “, ese’ socialpolitike dhe etnike” Plagët tona, (1924)

Ka botuar vepra në frëngjisht :

-“L’affaire de l’Epire”, “La population de l’Epire”(1915).

-“Les Albanais chez eux et a la  l’Etranger”,

“Albanis er Slaves”(1919).

Eshtë marrë me përkthime:

-“ Guillaume Tell” të Lamartine (1898).

-“Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofman-(1900).

-“Robinson Crusoe” e Defo( 1909)

-“Psikologjia e edukatës” e G. LeBon(1923)

Rreth 40.000 vëllime të bibliotekës së Lumo Skëndos ruhen dhe janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

  I dekuruar e cilësuar “Nderi i Kombit, “Babai i Shqiptarizmës”,“Shërbetori i Shqipërisë”, është  një Flamur i qëndisur me mall lirije, psherëtimë robërije, me shkabën mbi tise gjaku, me gjak ndër zemra shkabash.  

Flamur -Komb që  kërkon të vërë në vënd padrejtësitë  që i janë bërë kombit tonë, nëpër shekuj, në gjurma gjaku, gjurmë historie. 

Një Flamur Liri që çel sy, hap gojë e puth me rreze dielli agimin që fillon ditën, ditën që nis jetën, pa ndrizat e hekurta të  tiranit ” e të tiranve të tiranisë.       

  Ai zbriti në Vlorë bashkë  me Flamur! 

E lidhi jetën krejt me Atdheun, Kombin që e deshi më shumë se jetën e vet.                                  Nuk ka ngjarje me rëndesi Kombëtare të asaj kohe që të mos dëgjohej fjala e mendimi i Tij ideal. 

Ndoqi me besnikëri e përpikmeri rrugën e të Atit,(Abdyl Frashërit), të  Xhaxhallarëve( Sami dhe Naim Frashëri)dhe eci shumë më shumë e më lart se Ata. 

Ju zbardhën flokët mes librarash, mes dishepujsh, mes vuajtjesh e sakrificash pa u ankuar kurrë; kurdoherë parimi i tij ishte: -jemi lindur shqiptarë, duhet të punojmë vetëm  për të, duhet të përkushtohemi deri në flijim të çështjes kombëtare.  

  “Mit’hat Frashëri i madh që ne përkujtojmë sot, kur fliste të jepte zemër, të frymëzonte, të idealizonte, dhe kur shikoje që  ishte pranë  Tij, ai dukej më i bukur, më i mrekullueshëm! “         

Në Paris, kur u shpall Komiteti Kombetar ” Shqipëria e Lire”, një korespodent, ndërsa po merrte shënime mbi jetën e Presidentit( Mit’hat Frashëri-t),  e pyeti:” Çfarë ishit më 1939?”…, Mit’hat  Frashëri u -përgjigj-” Isha vetëm Shqiptar” Dhe  u shua  vetëm Shqiptar…, vetëm Shqiptar-“.        

      Ai u largua nga Atdheu jo për t’ju shmangur rrezikut komunist, por për të vazhduar luftën për liri të  Atdheut të robëruar nga kundershtaret e tij që do  skllavëronin vëndin.    

Ishte shumë i matur dhe i arsyeshëm, ishte i durueshëm në vuajtje dhe mjerimet që  i binin dita-ditës mbi fatet e Atdheut. 

Ishte një personalitet i madh. 

Mit’hati është  një shkemb që nuk lëviz.

 ” Ai pra nuk është një Patriot i madh; Ai është “PATRIOTI”,  Ai nuk ishte i guximshëm, por ishte “GUXIMI”, Ai nuk ishte siç thuhet për dikë “Çfarë  njeriu”, por Ai ishte “NJERIU” !”     

Mit’hat Frashëri, i cilësuar ndryshe dhe “FYTYR  E KOMBIT” ende po i mungon Atij.

Mit’hat Frashëri është i pavdekshëm se shqiptarët e vërtetë e kanë në zemër, dhe Ai : -Ja! ecën në stuhi/ e në tufan e bor’  e shi, / Fytyrë tretur, pa zë / Si sot, si mot, si gjithnjë …”.   

Dhe vazhdon poeti dhe patrioti Bardhyl Pogoni:                                                   

” Shndrit Fytyra jote,/ Fatlum, O Lumo, Drita jote/ Ti Frym e fundit Frashelli / Vakëf për ne,  për Shqipëri!”

BIBLIOGRAFI: 

-GAZETA  FLAMURI

-WIKIPEDIA

-FYTYR E KOMBIT( B.Pogoni) 

Filed Under: Histori Tagged With: Eduard M Dilo, Mithat Frasheri

GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQËS

March 24, 2021 by dgreca

(Me rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)/

   Nga Frank Shkreli/

24 Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve — miqtë perëndimorë me në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb. 

Shumë burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali amerikan Wesley Clark.  Gjenerali Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Kosovë. 

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje të tillë. 

Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika — konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal ushtarak dhe paqësor — në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018, Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja, përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur, duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e përbashkët.  Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një intervistë të vitit 2018.  

     Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.

Gjenerali amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Si i tillë, sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike –përfshir mesazhin e tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.Kjo datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22 vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës — shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë — por edhe të atyre bijëve dhe bijave të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë – në Shqipëri dhe në Kosovë — të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon. 

                 Autori me Gjeneralin Wesley Clark në një prej takimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjetori, Frank Shklreli, NATO-Kosove, Wesley Clark

COVID-19, NJË INTERPRETIM PSIKOLOGJIK

March 24, 2021 by dgreca

Natalja Marolli, Long Island University of Brooklyn, në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja, analizon për Diellin e Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA në New York, përjetimet e kategorive të ndryshme shoqërore në këtë kohë pandemie, transformimin e përditshmërisë së njerëzve dhe tronditjen psikologjike që Covid -19 solli në jetën e gjithësecilit prej nesh.

COVID -19 KAPËRCEU TERRITORET GJEOGRAFIKE

Covid -19 tronditi botën teksa kapërceu territoret gjeografike në një kohë rekord dhe u shpall Pandemi nga Organizata Botërore e Shendetësisë në Mars të vitit 2020. Pandemia ishte një koncept i padëgjuar për shumë njerëz dhe për shumë të tjerë një fjalë e harruar. Gripi Spanjoll dukej si një ngjarje e largët edhe pse miliona njerëz humbën jetën gjatë asaj periudhe. Pandemia shpesh përceptohej si diçka që nuk mund të përsëritej në shoqërinë e zhvilluar dhe moderne në të cilën jetojmë. Pavarësisht përceptimeve të gabuara, pandemia u bë pjesë e përditshmërisë sonë duke paralizuar jetën ekonomike, politike dhe sociale të të gjitha vendeve në mbarë botën. Jeta jonë ndryshoi rrënjësisht në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ndërkohë që numri i përsonave të infektuar dhe viktimave rritej në mënyrë marramendëse, paralelisht rriteshin dhe masat shtërnguese nga vende të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Sirenat a ambulancave zëvendësuan zhurmat e trafikut monoton të qyteteve. Ekonomia botërore u gjunjëzua para virusit dhe statistikat e njerëzve që humbën punën u rritën frikshëm. Sistemet më të mira shëndetësore në mbarë botën pësuan kolaps dhe vërtetuan se sa të papërgatitur ishim për tu përballuar me këtë pandemi. Distancimi social u bë pjesë e përditshmërisë për të frënuar përhapjen e virusit. Njerëzit filluan të mos takohen, të mos përqafohen, hoqën dorë nga gjera të vogla të përditshmërisë por në të njëjtën kohë shumë domethënëse për ta.

VIRUSI VRAU JETËN SOCIALE

Virusi vrau jetën sociale, shtoi më shumë dyshimet dhe frikërat në jetën tonë të përditshme. Kishat dhe xhamitë mbyllen dyert dhe besimtarët kthyen sytë drejtë qiellit dhe menduan se apokalipsi ishte më afër se sa e kishin menduar. Lutje të thëna nën zë, heshtje dhe deri diku dyshim i ligjëruar për ekzistencën e Zotit që braktisi njerëzimin atëherë kur ata kishin më shumë nevojë për të. Të braktisur nga Zoti njerëzit filluan të ndihen të vetmuar e gjithnjë e më shumë të izoluar. Bashkë me gjithë ndryshimet e reja që ndodhën për t’ju përshtatur jetës së re, filluan të bien dhe këmbanat e para të shëndetit mendor. Ankthi, depresioni dhe stresi postraumatik u rritën në menyrë domethënëse gjatë kësaj periudhe dhe për fat të keq shumë pak vëmendje iu kushtua gjatë pandemisë. Distancimi social, kaq shumë i vlerësuar në këto kohë pandemie, anashkaloi rëndesinë e socializimit të qënies njerëzore dhe impaktin që izolimi social do të kishte në mirëqënien psikologjike të individit. Mungesa e informacionit dhe shpesh herë abuzimi i mediave me lajmet në lidhje me pandeminë gjeneroi më shumë panik tek njerëzit. Frika për humbjen e njerëzve të dashur, frika për shëndetin personal, frika për humbjen e vendit të punës dhe për më teper frika e të ardhmes së pasigurtë shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë ende pasiguri.

KUSH E PËRJETOI DHE PO E PËRJETON MË KEQ PANDEMINË?

Më të rinjtë duket se janë disi më të shqetesuar për të moshuarit dhe shpesh virusi ju duket si diçka inekzistente. Të moshuarit mendojnë se sa keq ju vjen për brezat më të rinj që po kalojnë këto kohë të vështira. Të ngujuar brenda apartamenteve të tyre me sytë nga dritarja shpresojnë të kenë mundësinë të përqafohen sërish me nipërit dhe mbesat.

PO FËMIJET SI PO E PËRJETOJNË KËTË PERIUDHË?

Ata duken pak si më të shpenguar por sërish mund ta kuptosh e s’ke se si të mos e vësh re një trishtim të lehtë në vështrimin e tyre kur shohin këndin bosh të lojërave dhe shokët që mungojnë aty. Pastaj nuk është vetëm loja dhe shokët realë që mungojnë, po në pandemi ata mësuan se si të bëjnë mësim onlinë, duke u ulur ashtu para kompjuterit për orë të tëra dhe duke e zëvendësuar atë botën e tyre të bukur reale me botën e ftohtë virtuale.

BLUZAT E BARDHA, HERONJTË E HESHTUR

Herë pas here mendoj se sa e vështirë duhet të jetë të shohësh njerëz që mposhten, njerëz që dorëzohen dhe nuk ja dalin mbanë e ndërsa çdo ditë sheh pacientët e tu të vdesin, shpirtërisht vdes dhe ti, çdo ditë pak e nga pak bashkë me ta. Mendoj gjithashtu se sa e vështirë duhet të jetë të vendosësh në kushte të vështira se kujt do ti japësh respiratorin e fundit, kujt do ti japësh dorën dhe do ta ndihmosh dhe kujt për fat të keq nuk ja del ta ndihmosh. Mendoj edhe për agoninë në momentet e fundit të jetës së pacientëve. Të mposhtur nga virusi tinezak, rrethuar nga tuba dhe aparatura që ju mundësojnë të marrin frymë, rrethuar nga njerëz të huaj për ta që në mungesë të familjes ju shtrëngojnë duart dhe ju përgjërohen të mos dorëzohen. Për fat të keq vdekja triumfon, pacientët bëhen numra dhe numrat statistikë dhe beteja bëhet gjithmonë e më e vështirë ndërsa ditët kalojnë. Sa vështirë duhet të jetë të duash ti japësh lamtumirën e fundit njeriut të zemrës dhe të mos mundesh dot. E megjithatë jeta vazhdon, duhet të vazhdojë.

TEORI KONSPIRATIVE DHE MENDJE SKEPTIKE

Shpesh dëgjojmë se asgjë nuk do jetë si më parë pas kësaj pandemie. Kjo pandemi na ka ndryshuar, na ka bërë më vulnerable, na ka tjetërsuar. Izolimi social na ka bërë më të vetmuar dhe më dyshues. Njerëzit e kanë humbur besimin tek shkenca, tek humanizmi dhe në gjithë këtë situatë kaotike duket sikur teoritë konspirative japin gjithnjë e më shumë një shpjegim të kënaqshëm për mendjet më skeptike. Aludimet për kontrollin e njerëzimit nga të plotëfuqishmit e botës jehojnë në shtypin e ditës dhe ndërkohë njerëzit bëhen akoma dhe më shumë dyshues dhe irracionalja mposht arsyen. Sa të vërteta janë këto konspiracione? Jane këto konspiracione të frymëzuara nga një grup i caktuar njerëzish apo janë skenare të vërtetë të periudhës që po jetojmë? Dilema ka gjithashtu dhe në lidhje me vaksinimin dhe sigurinë e këtij procesi. Sa mundësi do të kemi të kthehemi sërish në normalitet? A do munden vendet e varfëra të vaksinohen në kohë? Për fat të keq askush nuk di të japë një përgjigje dhe shpresojmë që për herë të parë bota të solidarizohet dhe të kuptojë që për ironi të fatit, të varfër dhe të pasur jemi një dhe se vdekja nuk di të bëjë dallime. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur kjo pandemi do përfundojë, duhet që në këto kohë të vështira të mos humbasim kurrsesi shpresën tek shkenca, tek ajo shkencë që udhëhiqet nga etika dhe humanizmi njerëzor. Besimi se do ja dalim duhet të na bashkojë të gjithëve më shumë se kurrë. Kemi kaluar ditë shumë të vështira, mbase do na duhet të kalojmë ditë të tjera dhe më të vështira. E megjithatë ka ende shpresë.

MALL PËR NDJESINË E LIRISË

Shpesh mendoj për ditët e bukura që lamë pas. Kujtimet e ditëve normale duken të largëta në këto ditë pandemie. Kam nostalgji për kohën kur mund të përqafoje nënen, kohën kur mund të kaloje orë të tëra në shoqërine e miqve dhe mund të ecje e shkujdesur rrugëve të qytetit pa patur frikën e distancës fizike. Më ka marrë malli për ndjesinë e lirisë që ndjen kur je në aeroport në pritje të udhëtimit të radhës apo kur rri e pret e përmalluar njerëzit që vijnë dhe të vizitojnë nga larg. Sa mall kam për të qënë sërish e lire, mall për tu rikthyer në normalitet. Ndërsa mendoj këto, kthehem sërish dhe mendoj rutinën e re, tashmë të përditshme. Klasa onlinë, takim me doktorin onlinë, intervista pune onlinë dhe për ta permbyllur ditën me pak argetim një vizitë në muzeum dhe kjo sigurisht onlinë. Të gjithë këto aktivitete ndodhin në tavolinën e punës nëpërmjet kompjuterit, a nuk duket paksa absurde? Megjithë shqetësimet dhe pyetjet që kam në kokë shpeshhere mendoj që sërish ka dritë në fund të tunelit. E në fund të fundit a nuk është e krijuar e tillë qënia njerëzore, të shpresojë edhe atëherë kur nuk ka shpresë? Dëshira për jetën më bën të shpresoj se do ja dalim, do mbijetojmë ashtu siç kemi mbijetuar që nga fillesat e jetës njerëzore. Çdo gjeneratë ka patur sfidat e veta dhe ne do na duhet të përballemi me këtë sfidë. “E gjithë kjo do kalojë” thotë një shprehje e vjetër persiane, çdo gjë është kalimtare dhe ne duhet të mos dorëzohemi. Ne mund të humbasim disa beteja por ne nuk do humbasim kurrsesi luftën.

Filed Under: Politike Tagged With: COVID-19, Interpretim Psikologjik, Natalja Marolli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT