• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

Komunitet- Kryesia e Shoqatës “Skënderbej”diskutoi rreth veprimtarive gjatë Pandemisë

March 15, 2021 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/Ndonëse vazhdojmë të jemi në pandeminë botërore, Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane vazhdon të jetë së bashku dhe të punojë në programin që kanë miratuar si anëtarë të shoqatës.  

Në ditën më të bukur të vitit, atëhere kur jeta gjallërohet nga gjumi i rëndë i dimrit, dhe në vendin tonë festohet me aq bukuri dita e Verës, kryesia e shoqatës u mblodh në restorantin “Victory Shop” Astoria në Queens për të diskutuar rreth punës që ata kanë bërë gjatë kësaj kohe pandemike. Të gjithë të gëzuar dhe plot respekt për njeri tjetrin u përshëndetën në distancë sipas rregullave shëndetësore.  Takime të tilla në këtë kohë pandemike bëhen dhe më të dashura dhe më me kuptim.  

Mbledhjen e moderoi znj.Alketa Veshi sekretare e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skënderbej.

Z.Mark Qehaja kryetar i Shoqatës bëri konkluzionet rreth festimit të 13-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ai tha se: “Aktiviteti rreth 13-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ishte një konferencë shkencore që u realizua me plot sukses”.  

Kryetari Mark Qehaja….

Kumtesat e mbajtura ishin të një niveli të lartë ku referuesit nëpërmjet temave të ndryshme sollën Kosovën, luftën e saj heroike dhe përpjekjet e shumta derisa arriti ditën e Pavarësisë.  Z.Qehaja shtoi se shoqata ndihej shumë e nderuar që në këtë konferencë përshëndetën si: Ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës i cili i falënderoi për këtë aktivitet të rëndësishëm.  Ne kete konferecë nderoi me pjesëmarrjen e tij Ambasadori Amerikan, Heroi i Kosovës William Walker.  Fjala e tij u dëgjua me shumë interes nga të pranishmit dhe më gjerë.

Përshëndeti gjithashtu dhe Prof. Rrustem Berisha me banim në Pejë

Z.Imer Lacaj n/kryetar i shoqatës diskutoi rreth punës me websitin e shoqatës.

Znj.Alketa Veshi rekomandoi për disa aktivitete të shoqatës në të ardhmen.  Kur të ketë më shumë mundësi duhet që të organizohemi me anëtarë të shoqatës për të vizituar vende historike në Amerikë përfundoi ajo.

 Znj.Arta Xhaferri anëtare e kryesisë diskutoi për anëtarësimin e të rinjve, të cilet janë e ardhmja e Diasporës.Glen Nukaj anëtar i kryesisë solli mendime rreth aktiviteteve me të rinjtë e shoqatës.  

Z.Nikollë Nilaj anëtar i kryesisësë së shoqates diskutoi rreth komunikimit me anëtarët e shoqatës ne forume të ndryshme të hapura nga shoqata.

Z.Qemal Zylo Anëtar Nderi i shoqatës diskutoi rreth aktiviteve të ndryshme, punës në media etj.

Z.Faton Zogiani anëtar i kryesisë diskutoi rreth sigurimit të një zyre për shoqatën, vend që i jep mundësi më të rehatshme për mbledhje dhe punë që i përkasin shoqatës.

Kryesia e Shoqates nderoi me çertificatë mirënjohje Prof. Rrustem Berishën me banim në Pejë i cili në konferencën shkencore për 13-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës mbajti kumtesën me temë:  “Genocidi serb në Kosovë qysh prej shekullit të 18-të”.  Atë e nderuan, si luftëtar për çështjen kombëtare, si mësimdhënës, gazetar, politikan dhe publicist.  Së shpejti do të sjellin librat e tij të botuara rreth genocidit dhe krimeve serbe në New York.  Çertifikata e mirënjohjes do t’i dorëzohet në emër të kryesisë nga z.Faton Zogiani në Kosovë.    

Ishte një aktivitet i këndshëm nga Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” me kryetar z.Mark Qehaja i cili vazhdon të punojë me përkushtim dhe patriotizëm së bashku me n/kryetarin z.Imer Lacaj, sekretare znj.Alketa Ktona Veshi dhe anëtarët e kryesisë si: Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Nikollë Nilaj dhe Glen Nutaj. Ata kanë punuar fort për të realizuar programin e kësaj shoqate që në themelimin e saj.

14 Mars, 2021

Astoria, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kozeta Keze Zylo, Shoqata Skenderbej

Kosova pa asnjë gazetë të shtypur

March 15, 2021 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti*/

Në Kosovë janë zhdukur gazetat e shtypura, duke bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon dhe Evropë pa ndonjë gazetë të tillë, revistë javore apo mujore, thonë Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi.

Zhvillimi i teknologjisë, e veçmas përdorimi i internetit në masë të madhe, politizimi i gazetave, vështirësitë financiare të kompanive mediale dhe së fundmi pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, sipas tyre, janë faktorët që kanë ndikuar në shuarjen e mediave tradicionale.

Mushkolaj: Pandemia i dha goditjen përfundimtare botimit të gazetave 

Deri para një viti në Kosovë, tregon Mushkolaj, janë botuar katër gazeta ditore: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”. Por, në muajin mars të vitit të kaluar, këto ndërprenë botimin, pas vendosjes së masave kufizuese nga qeveria e atëhershme, për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe futjen e vendit në izolim, dhe këto media vazhduan punën online.

Çështja e financimit mbetet një tjetër problem, thotë Mushkolaj, duke konsideruar të vështirë rikthimin e botimit të tyre.

“Pandemia i dha një goditje përfundimtare të botimit të gazetave, për shkak se kostoja e botimit të gazetave në njërën anë dhe anën tjetër tirazhet jo të mëdha të këtyre gazetave, shuma e vogël e mjeteve financiare të gjeneruar nga shitja, janë arsyet kryesore që një gjë e tillë ndodhi. Pas përfundimit të pandemisë do të jetë e vështirë që këto gazeta të mund të rifillojnë të dalin në treg, për shkak se pa një ndihmë financiare, që do duhej të vinte nga institucionet, kjo është e pamundur”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë. Një nga gazetat që kishte qëndruar në treg për 20 vjet ishte e përditshmja “Zëri”. Kjo gazetë kishte filluar të shtypet në vitin 2000, me një tirazh në mbi 7.500 kopje në ditë, kurse botimin e ka ndërprerë më 14 mars të vitit të kaluar dhe funksionin në formën online, thotë drejtori financiar i këtij mediumi, Ismail Musliu.

“Kostoja e shtypit është e lartë, fuqia blerëse dhe publikimi i reklamave kishte rëndë dukshëm. Shtypjen e gazetave pa e mirëmbajtur dikush, nuk mund vetë të ekzistojë”, tha Musliu.

Gazetat në “xhep” 

Qytetarë të moshave të ndryshme në Kosovë japin mendime të ndryshme sa i përket rëndësisë së ekzistencës së gazetave të printuara në treg.

Afrim Shala, ka punuar si ekonomist në një nga ndërmarrjet publike. Ai kujton se çdo mëngjes ka blerë një nga gazetat e botuara dhe tashmë i mungojnë shumë.

“Unë kam lexuar gazetat, duke filluar nga ‘Rilindja’, ‘Bujku’, e tani gazetat tjera ditore që kanë qenë pasluftës. Mua më mungojnë shumë sepse të lexuarit e gazetës është më mirë edhe për shëndet edhe për çështje tjera. Edhe të kuptuarit është më i lehtë, ndryshe nga interneti. Në fletë e përjeton ndryshe rrëfimin apo ngjarjen”, thotë Shala.

Artan Duriqi, shitës në një nga kioskat në qendër të kryeqytetit, tregon se nga muaji mars i vitit të kaluar asnjë gazetë ditore më nuk del në treg. Ai tregon se ka raste kur kërkohen, në të shumtën e rasteve nga moshat më e vjetër.

“Para pandemisë janë shitur, jo shumë, por ka pas kërkesa”, tha Duriqi.

Por, një qytetar tjetër, i cili blinte gjëra në kioskë, i pyetur a i mungojnë gazetat, shprehet se të “gjitha gazetat i ka në xhep”, duke aluduar në telefonin e mençur.

Zhdukja gazetave të printuara nga tregu nuk duket interesante për Arbër Beqirin, 18 vjeç. Ai thotë se internetin e përdorë si burim të informacionit.

“Përdorë teknologjinë e avancuar për të marr informacione, pasi është më lehtë dhe më shpejtë. Për gazetat e kam parë gjyshin duke lexuar, por tashmë as ai nuk i lexon”, thotë ai.

Përdorimi i internetit sfidon gazetat e printuara 

Zhvillimi i teknologjisë, thotë Mushkolaj, sidomos përdorimi i internetit në masë të madhe nga qytetarët, për shkak të shpejtësisë së përhapjes së lajmit si dhe kostos më të vogël në shpërndarjen e lajmit, ka ndikuar që kompanitë mediale të ofrojnë shërbime vetëm online.

“Duhet të merret parasysh se Kosova është shumë mirë e mbuluar me internet dhe qytetarët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të telefonave mobil dhe të pajisjeve të tjera, ku qasja në këto përmbajtje online është jashtëzakonisht e lehtë. Kjo është një ndër faktorët kyç, por mos të harrojmë se jo të gjithë qytetarët e Kosovës dinë apo duan të kenë qasje në përmbajtje online. Kështu që, është e domosdoshme dhe e nevojshme që të ketë edhe një media të shkruar”, shprehet ai.

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet. Kurse, numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G ka arritur në 1,3 milion përdorues.

Krasniqi: Shuarja e gazetave, disfatë kulturore 

Disfatë kulturore, politike dhe biznesore për gjithë shoqërinë e konsideron shuarjen e gazetave ditore, Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ndryshe nga Mushkolaj, shprehet se politizimi i gazetave të printuara dhe mungesa e një vullneti politik për të mbajtur në jetë shtypin ditor, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në shuarjen e tyre.

“Afërsia e pronarëve të gazetave me partitë politike ka dëmtuar reputacionin e mediave të shkruara. Kjo tashmë është konsumuar dhe paraqiti krizën në të cilën jemi”, thotë Krasniqi.

“Këto të dyja se bashku kanë sjell krizën. Përndryshe teknologjia informative, siç ka mundur të jetë hendikep, mund të jetë edhe favor sepse zhvillimi teknologjik, ka mundur dhe mundet të ulë koston e përgatitjes së gazetave, të rritë efikasitetin dhe imazhin e tyre në sytë e publikut që të identifikohen me atë media. Kjo ndodh në gjithë botën dhe as që bëhet fjalë për shuarje të gazetave”, thekson ai.

Rikthimi i “Rilindjes”

Profesor Krasniqi vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika për të mbrojtur tregun e gazetave të botuara. Madje, sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të krijojë bazë ligjore që të rikthehet në treg gazeta e parë në Kosovë, “Rilindja”, fillimisht si gazetë publike. Kosova, thotë Krasniqi, duhet të ketë minimumin tri gazeta ditore në treg.

“Diçka duhet të bëhet sepse mbyllja e të gjitha gazetave nuk ka rezultuar me asnjë deklaratë as nga zyrtarët e kuvendit, as të qeverisë dhe as të partive politike. Pra, është një injorancë kolektive e kësaj elite politike dhe kjo tregon edhe shkakun kryesor të mbylljes së gazetave ditore. Sikundër që tregon edhe heshtja e pronarëve të mediave, tregon një konsumim të tyre në tregun medial”, thotë Krasniqi.

Gazeta e parë shqipe në Kosovë ishte “Rilindja”, që fillimisht ishte gazetë e përjavshme. Kurse nga viti 1958 kjo gazetë ishte e përditshme, ku tirazhi maksimal ka arritur në mbi 200 mijë ekzemplarë. Në vitin 1990 botimi i saj u ndalua nga pushteti i atëhershëm serb, për të rinisur përsëri në vitin 1999, pas hyrjes se forcave të NATO-s në Kosovë. Gazeta “Rilindja” u mbyll në vitin 2002, pas largimit nga Pallati i Rilindjes.

Edhe Mushkolaj pohon se në tregun e Kosovës duhet të ekzistojë shtypi ditor, qoftë edhe në mënyrën publiko-private.

“Për fat të keq Kosova ka kohë që e ka mbyllur gazetën e parë të botuar, ‘Rilindjen’, dhe kjo ka kaluar në heshtje. Ndryshe nga vendet e rajonit, ku 90 për qind e mediave që kanë ekzistuar në kohën e ‘Rilindjes’ vazhdojnë të funksionojnë, kjo tregon se çfarë qasje kemi ne si shoqëri ndaj gazetarisë. Duhet të gjendet një gazetë publiko- private, që të mund të funksionojë në treg edhe për shkak të një lloj trashëgimie kolektive historike dhe kulturës që ekziston në çdo vend të botës”, tha ai.

Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe. Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur kanë tirazh mes 25.000 dhe 35.000 kopje. Ky numërnë atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milion banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore.

* Nadie Ahmeti është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova pa gazeta, Nadie Ahmeti, ne Shtyp

Reagimi- Bashkimi Europian, keqardhje për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

March 15, 2021 by dgreca

Bashkimi Evropian sërish ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën në Jerusalem.

Ky koment nga blloku evropian vjen një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalem.

Një zëdhënës i BE-së, tha të hënën, më 15 mars, se “BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”.

“Pozicioni i BE-së është i njohur mirë dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 478, e vitit 1980, që thërret të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi. Të gjitha shtetet e BE-së, sikur edhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë ky zëdhënës.

Ai ka shtuar se “BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur përkushtimin e qartë për një zgjidhje të negociuar, të dy shteteve, të ndërtuar mbi parametrat e pranuar ndërkombëtarë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

BE-ja rikujton se shefat e shteteve apo qeverive të bllokut, në samitin e tyre më 2017 kishin përsëritur se “pozicioni i BE-së rreth Jerusalemit mbetet i pandryshuar”.

“Pozicioni afatgjatë i BE-së është i qartë. Duhet të gjendet mënyra për zgjidhjen e statusit të Jerusalemit përmes negociatave, si një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe të përmbushen aspiratat e të dyja palëve. Çështja e Jerusalemit është çështje e statusit final. Në këtë kontekst, çfarëdo hapi diplomatik i cili vë në dyshim qëndrimin e përbashkët të BE-së, është çështje për shqetësim serioz dhe keqardhje”, tha zëdhënësi i BE-së.

Por, në pyetjen lidhur me hapjen e një zyreje të Ambasadës së Çekisë – shtet anëtar i BE-së, në Jerusalem, nga blloku evropian nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.

“Sa i përket Republikës Çeke, hapja e asaj që është përshkruar si Zyre në Jerusalem e Ambasadës në Izrael, ne rikujtojmë Rezolutën e Këshillit të sigurimit të OKB-së”, tha BE-ja, duke përsëritur qëndrimin se “të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura të Tel Aviv”.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. BE-ja që atëherë e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.

Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur.

Sa i përket Serbisë, në BE rikujtojnë se ata e kishin kritikuar edhe këtë obligim që Beogradi mori për zhvendosjen e Ambasadës, por shtuan se do të presin se si do të veprojë Beogradi dhe më pas blloku do të dalë me një qëndrim.

BE-ja, në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit dhe zgjerimit, pret që shtetet kandidate apo ato që aspirojnë anëtarësimin, të përshtaten me politikën dhe qëndrimet e përbashkëta të Brukselit zyrtar. Deri më tani, Shqipëria është shteti i vetëm që 100 për qind i ka përmbushur këto pritje ndaj BE-së, ndërsa më së paku në këtë drejtim ka bërë Serbia, sidomos kur janë vendosur masat ndaj Rusisë apo janë kritikuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e disa shteteve të tjera të botës.

Filed Under: Komente Tagged With: BE-ja reagon, Jeruzalem

PDK-10 KUSHTE VJOSES DHE ALBINIT

March 15, 2021 by dgreca

Hoxhaj pas takimit me Kurtin e Osmanin: Vota e PDK-së për presidentin e ri varet nga qëndrimi i tyre për këto 10 tema e parime/

Prishtinë, 15 mars 2021 – Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili kanë takuar në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe U.D. të Presidentes, Vjosa Osmani.

Në takimin e ftuar për fillimin e konsultimeve me partitë politike rreth krijimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Hoxhaj ka thënë se PDK është konstruktive dhe do të udhëhiqet nga disa parime të rëndësishme. 

Sipas tij, në takim janë shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë.


Kjo është deklarata e plotë e Hoxhajt pas takimit:


Në këtë takim, të parin e këtij formati pas zgjedhjeve, ne kemi qenë konstruktiv, por edhe parimor. Kosova, si asnjëherë më parë, ka nevojë për stabilitet politik, i cili që nga viti 2014 ishte shkatërruar në baza ditore nga Kurti dhe partitë tjera.

Në këtë takim kemi shkuar me parime e qëndrime të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet të përmbushë një president. 

Në takim kemi folur për parime e jo për emra. Parimet janë ato që e përcaktojnë presidentin e ri të Republikës së Kosovës.

Kosova ka nevojë për stabilitet, për një president që përbashkon skenën tonë politike, që unifikon popullin e Kosovës, që avancon marrëdhëniet tona diplomatike.

Dhjetë vjet më parë ishte PDK-ja ajo që krijoi një kulturë politike të konsensusit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit.

Tani, dhjetë vjet më vonë, në vitin  2021 me insistimin e PDK-së, kemi për herë të parë një parti që ka fituar zgjedhjet dhe që mëton të zgjedhë presidentin me vota të opozitës.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot, nga z. Kurti dhe nga znj. Osmani kam kërkuar transparencë dhe qartësi të plotë në politikën e jashtme të Kosovës. Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm në përfaqësimin e Republikës së Kosovës jashtë vendit dhe udhëheq politikën e jashtme, ndërsa Kryeministri dhe Qeveria kanë rol esencial në formulimin e politikës së jashtme.

Kështu, para se Partia Demokratike e Kosovës të marrë një qëndrim përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit në organet e saj dhe meqë po kërkohet roli i PDK-së në zgjedhjen e Presidentit, unë kam kërkuar disa shpjegime ose zotime nga z. Albin Kurti dhe nga znj. Vjosa Osmani-Sadriu.

Këto janë pikat kryesore:

1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?  7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë një qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

PDK-ja gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në institucionet e Kosovës dhe ne do të luajmë rolin tonë opozitar karshi qeverisë së re.

Filed Under: Analiza Tagged With: 10 Kushte, Albinit dhe Vjoses, Enver Hoxhaj

SHQIPTARËT NË SINGAPOR DHE BETEJA E SHTETIT NDAJ COVID-19

March 15, 2021 by dgreca

Dr. Albert Dashi, ekspert i bio-mjeksisë në Singapor të Azisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Singaporit në betejën ndaj Covid-19, masat e marra për pandeminë, procesin e vaksinimit dhe komunitetit shqiptar në Singapor të Azisë. Me Dr. Albert Dashin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

RRUGËTIMI I DR. ALBERTIT NGA PEJA NË ZVICËR DHE SINGAPOR 

Unë kam lindur në Kosovë, Naglavk, Pejë në 1989. Vetëm pas lindjes time familja ime u zhvendos në Zvicër në 1994, ku kalova pjesën më të madhe të jetës time. Gjithmonë kam qenë i magjepsur nga shkenca e jetës dhe biomjekësia. I nxitur nga inovacioni dhe vullneti për të shkëlqyer në këtë fushë, unë kam vendosur të filloj një arsim të lartë. Pasi përfundova Bachelor në Universitetin e Fribourg në Zvicër në 2008 dhe diplomën master në shkencat biomjekësore në Universitetin e Bernit në Zvicër në 2014, vendosa të filloj një doktoraturë në gjenetikën molekulare. Në vitin 2015, Singapori më dha një bursë të plotë. Me këtë mundësi u bashkova me laboratorin e Profesor Roger Foo në Universitetin Kombëtar të Singaporit në departamentin e mjekësisë. Puna ime ishte përqendruar në hulumtimin e qelizave burimore. Isha në gjendje të arrija piketa të rëndësishme, përfshirë zbulimin e një molekule të re (letër VHRT) të rëndësishme në zhvillimin e zemrës njerëzore. Unë u diplomova dhe fitova diplomën e doktorit në dhjetor 2019. Tani jetoj në Singapor me gruan time Suzana Nuaj, e cila është nga Budisalc Kosova, kur prindërit e mi Tush dhe Giulia Dashi dhe motra ime Anduena Saliquni ende jetojnë në Zvicër. Singapori më ka hapur mundësi të reja për mua dhe karrierën time, të cilat në fund të fundit çojnë në krijimin e një kompanie. Emri i shoqërisë sime Sequnetial Skin (Sequentialski.com). 

LËKURA E NJERIUT DHE NDËRVEPRIMI MJEDISOR

Të dy, unë dhe bashkë-themeluesi tjetër Dr. Oliver Worsley (nga MB) dhe unë kemi punuar në të njëjtin laborator në Singapor për gati 6 vjet. Gjatë viteve ne kemi ndërtuar një miqësi të madhe, por ajo që na ka bashkuar është aspirata e ndërsjellë për të sjellë shkencën te njerëzit. Ishte e rëndësishme për ne që ajo që mësuam dhe zbuluam gjatë trajnimit tonë të ishte e arritshme për botën reale, për njerëzit që kanë më shumë nevojë për të. Shumë njerëz në botë vuajnë nga shqetësimet e lëkurës dhe ata nuk e dinë pse. Përveç kësaj, metoda gjithëpërfshirëse dhe të sakta për të analizuar shëndetin e lëkurës së tyre ende nuk ekzistojnë. Vetëm pak ADN mund të na tregojë shumë rreth tyre. Me një provë të thjeshtë në shtëpi, njerëzit mund të provojnë lëkurën e tyre. Sequential Skin pastaj përdor teknologji të përparuar të sekuencave gjenetike për të kuptuar se si gjenet tuaja, mikrobioma e lëkurës tuaj dhe si ndërvepron mjedisi juaj, për t’i dhënë lëkurës tuaj karakteristikat që ajo ka. 

PANDEMIA SHËNOI NJË VIT TË VËSHTIRË

Ka qenë një vit i vështirë për të gjithë dhe të gjithë jemi prekur në një mënyrë ose në tjetrën. Sequential është një kompani bioteknike kompani bioteknike në hapësirën e shëndetit. Gjatë pandemisë ne kemi ndihmuar në shpërndarjen e testeve dhe kemi ndihmuar komunitete të ndryshme. Ne kemi biseduar me ekspertët dhe kemi ndihmuar kontaktet tona në Evropë dhe më e rëndësishmja në Kosovë dhe Shqipëri. Unë do të thoja se e kemi mbajtur veten të zënë edhe pse të mbyllur. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar komunitetin tonë. Rreth pyetjes për shqiptarët në Singapor do të thoja se komuniteti i shqiptarëve në Singapor është i vogël dhe të gjithë janë të përqendruar në fusha të ndryshme dhe kanë interesa të ndryshme. Sidoqoftë, do të doja të punoja me ekspertë dhe profesionistë të tjerë shqiptarë. Unë shpresoj të arrijmë shumë njerëz në të ardhmen.

MENAXHIMI I PANDEMISË DHE VAKSINIMI NË SINGAPOR

Singapori ka pasur ulje dhe ngritje në menaxhimin e pandemisë. Rregullat e mëposhtme dhe zbatimi dixhital kanë qenë metodë shumë e suksesshme për të kontrolluar pandeminë. Jemi duke jetuar në një epokë shumë të dixhitalizuar dhe njerëzit kanë qenë të guximshëm dhe të zgjuar për të adoptuar situatën e re, përfshirë komunitetin shqiptar. Sidoqoftë ka ende komunitete që kanë vështirësi për t’u përshtatur dhe është e rëndësishme që t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim ata. Aktualisht, vetëm vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna COVID-19 janë autorizuar për përdorim pandemik nga Autoriteti i Shkencave të Shëndetit (HSA) në Singapor. Të dy vaksinat e ARN-së dhe kanë përmbushur kriteret e rrepta të sigurisë dhe efikasitetit të kërkuara nga HSA. Gjatë programit të vaksinimit, ne do të shqyrtojmë se cilat vaksina janë më të përshtatshme për nëngrupe të ndryshme të popullsisë në Singapor. Për momentin janë administruar më shumë se  525039 doza totale. Më shumë se 317715 kanë marrë dozën e parë dhe më shumë se 207324 kanë marrë regjimin e plotë të vaksinimit. Megjithëse vaksinimi po shkon normalisht, shumë njerëz nuk janë të vaksinuar.

NJË MESAZH PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI

Pandemia e ka bërë të vështirë për të vizituar familjen dhe miqtë. Në fakt, gruaja ime dhe unë nuk kemi qenë në gjendje të shohim familjet tona për gati 2 vjet. Unë e di një pjesë nëse jo shumica e lexuesve të Dielli janë në të njëjtën situatë ose më të keqe dhe kjo mund të jetë vërtet sfiduese. Nëse nuk jeni në gjendje të ndihmoni ose mbështesni drejtpërdrejt familjen tuaj, përdorni ekspertizën tuaj dhe aftësitë tuaja për t’u afruar me komunitetin lokal. Ju do të keni mundësinë të takoni dhe të lidhni njerëz të mahnitshëm, të cilët do t’ju ndihmojnë dhe do t’ju mbështesin në këmbim. Edhe pse jemi fizikisht të ndarë, të gjithë jemi të lidhur. Ne kemi mjetet për të angazhuar komunitetin tonë, është vetëm një çështje që të shkojmë atje dhe ta bëjmë atë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Albert Dashi, Shqiptare ne Singapour

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT