• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

A di gjë ku kandidon ish presidenti Moisiu?

March 6, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Në fushatën e 2013-ës gjithë makineria elektorale e Edi Ramës ishte karshi një gjyshi. Ky ishte Sali Berisha. Gjyshi me jelek antiplumb. Askush nuk të sillte një program të mirëfilltë ekonomik ku të zbërtheheshin firot e qeverisë së kohës dhe avantazhet e atyre që po kërkonin pushtetit. Por gjithçka sfidohej me një gjysh kamorrist që lëvizte lart e poshtë me jelek antiplumb. Madje sfida shkoi deri studiove ku do të provohej fakti nëse vërtet Sali Berisha lëvizte me jelek antiplumb apo jo? Kaq shumë ishin magjepsur shqiptarët pas këtij fakti sa të tjerat ishin kot fare. Nu kishte asnjë rëndësi se si do u përmisohej ekonomia apo se si do të minimizohej informaliteti në mënyrë të atillë që vendi të futej në shina në rrugën drejtë Unionit Europian. Një gjysh me antiplumb ishte kthyer në një gogol që do e kthente botën shqiptare në kazan të plehrave dhe riciklimit. Që po pengonte hapjen e 300 mijë vendeve të punës, eksodin e të tjera. Nuk flisje dot me një shok socialist se menjëherë gjyshi, gjyshi etj. Dhe ta mendosh që në 2013-ën pas plot 8 vjet qeverisje, Sali Berisha nuk ishte më shumë se 69 vjeç. Sot antigjyshërit kanë nisur një fushatë vulgare se po afrojnë vlerat duke u dhënë shqiptarëve kandidatë 80 vjeçarë. Dhe shqiptarët presin të rifreskohen me botëkuptim a arsim perëndimor, megjithëse hapen zorrësh me një gjak puro shqiptar (Alba Kokalari) e cila përfaqëson Suedinë në Parlamentin Europian. Madje kësaj fushate vulgare ia nxjerrin vetë bojën kur deklarojnë se po largohen nga politika për shkak që t’u hapin rrugën të rinjëve. 

Referuar kulmit të numrave në rritje të vdekshmërisë, dështimit total me pandeminë, ku spitalet u kthyen në vatra të depresionit dhe vetvrasjeve, kur nuk kanë arritur të vaksinojnë as 0,01% të popullatës, antigjyshërit të ofrojnë si shembull suksesi një gjyshe parukerie. Referuar kulmit të numrave të të pastrehëve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, antigjyshërit të ofrojnë një stërgjyshe si shëmbull suksesi. Pika hapjen e rrugës suaj karshi të rinjëve. Nuk e di nga bëhet Alfred Moisiu, por ofrojeni edhe atë. Se kushedi vjen edhe ai me ide të reja. Studentëve jepuni dërrmën, tregojuni ambasadat, portet apo aeroportet. Shpejt do keni kështu një Shqipëri të denjë europiane të antigjyshërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Ish presidenti Moisiu

5-7 MARS, EPOPEJA E JASHARAJVE-EKSPOZITE, HOMAZHE, LULE

March 6, 2021 by dgreca

-“Ekspozita 59”, nderim për të rënët në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz-/

–Kryeministri Hoti: Sakrifica e Jasharajve është e përmasave historike/

Dr. Vjosa Osmani: Sot jemi këtu pikërisht shkaku i asaj që ndodhi 23-vjet më parë, kur komandanti Adem Jashari, familja e tij dhe bashkëfshatarët ranë për lirinë tonë.*

 Në Kompleksin memorial në Prekaz, të gjithë ata që e vizitojnë e kanë parë se ndodhen 59 varre, sepse kaq njerëz ranë për liri, përgjatë tri ditë luftimesh, të cilat me të drejtë sot e bartin epitetin e Epopesë së UÇK-së. Prandaj edhe ekspozita e sotme, quhet “Ekspozita 59” për të nderuar 59 të rënët në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz.

Nëpërmjet syrit të shtatë fotografëve, para jush sot sjellim retrospektivën e zhvillimeve nga lufta e deri në pavarësinë e vendit, në shkurtin e vitit 2008.

Mjeshtëria e autorëve ka vërë në spikamë detaje të një periudhe të mundimshme, të kalvarit tonë për liri dhe pavarësi të vendit.

Secila fotografi është rrëfim në vete, secila ka një mesazh. Rruga të cilën e kemi kaluar u simbolizua me qëndresën e komandantit Adem Jashari me familje për t`u finalizuar në shkurtin e vitit 2008, kur kurorëzuam mundin dhe gjakun e atyre që luftuan e ranë, duke e bërë Kosovën shtet!

Kjo rrugë nuk ishte as e lehtë e as e shkurtër. Përjetuam fillimisht dëbimin nga shtëpitë tona, vrasjet, dhunimet, spastrimin etnik nga atdheu ynë, teksa ende jetojmë me pengun e mbi 1600 të të zhdukurve me dhunë, akoma të pagjetur, për të cilët nuk duhet të ndalemi derisa të zbardhet fati i secilit.

Duhet të jemi krenar edhe për miqtë tanë, të cilët na ndihmuan në ato ditë të vështira për ta përmbushur ëndrrën për lirinë. Një falënderim për gra e burra të forcave paqeruajtëse të NATO-së dhe shteteve përkatëse, pa të cilët kjo ditë nuk do të ishte e mundur! 

Nuk ka asgjë më të çmueshme se kujtesa historike. 59 pamjet e sotme janë tablo reale të një periudhe të jetuar dhe dëshmi autentike e rrugëtimit tonë për liri.

Ato janë historia jonë më e re, të cilën assesi nuk duhet ta harrojmë, por gjithnjë duke shikuar nga e ardhmja, me shpresën dhe besimin se e nesërmja gjithnjë do të jetë më e mirë se e djeshmja!

Gjersa lëvizim përpara këtyre fotografive, me çdo lëvizje tonën kthehemi një hap prapa në historinë e ditëve tona. Gjersa ne lëvizim para, nuk mund të mos e kthejmë shikimin pas kah ata që bën sakrificën më sublime që ne mos të ndalim hapin e sigurt drejt së ardhmes tonë më të mirë. 

E kur shohim këto fotografi, duhet të shohim drejt në sytë e përlotur të më të vegjëlve. Lotët e tyre le të na shërbejnë si pasqyrë në të cilën shihemi secilën herë që marrim vendime për vendin tonë, e dhimbjen në sytë e tyre ta shndërrojmë në motiv për të punuar mirë e me nderë për të ardhmen tonë.

Në ditë si këto, por edhe sa të kemi frymë, të sigurohemi që fëmijëve tanë e brezave që do i lëmë pas t’u flasim fëmijët e Jasharajve dhe për të gjithë fëmijët që ranë në altarin e lirisë, për nurin e këtyre luleve që u këputen ende pa u çelur mirë, për sakrificën e tyre që sot fushat e Kosovës të mbushen me lule të reja që çelin e shpërndajnë aromat më të këndshme në liri.

Asgjë nuk flet më mirë se fotografia. Në këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së, jemi përpjekur të sjellim një pjesë të zhvillimeve të kësaj periudhe nga autorë.

Pamjet dhe ngjarjet si këto, urojmë që t`i takojnë të kaluarës historike! Por të mësojmë nga to, e kurrë mos t’i harrojmë, gjithnjë duke ngritur zërin tonë për drejtësi, si parakusht për paqe të qëndrueshme.

Sot duam ta ndërtojmë paqen, së bashku me shtetin tonë, duke e ruajtur atë, duke mos lejuar cenimin e tij, duke e fuqizuar atë dhe duke e bërë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët e tij!

*Fjalimi i u.d presidentes dr. Vjosa Osmani – Sadriu në Ekspozitën me 59 fotografi…

**** 

Kryeministri Hoti: Sakrifica e Jasharajve është e përmasave historike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,  z. Avdullah Hoti, në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Vizituam Prekazin për të bërë nderime dhe për të treguar respektin e Qeverisë, të gjithë qytetarëve të Kosovë, popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familjeje, që është e përmasave historike dhe tejkalon çfarëdolloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit” tha kryeministri Hoti. Pas homazheve, kryeministri në detyrë Hoti, vizitoi edhe ekspozitën me fotografi të ndryshme nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari. Gjatë homazheve dhe vizitës në Prekaz, kryeministri Hoti përveç kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, shoqërohej edhe nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Epopeja e Jasharajve

7 MARS- NJËZET VJET MË PARË

March 6, 2021 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar/

    

Athinë, 7 mars 2021- Ata ishin shkëndijë e parë e gjuhës shqipe në një vend ku ajo kishte kaluar nëpërmjet tehut të thikës dhe gotës së helmit, në Selanik të Greqisë…
           E sfiduan…
           E para, nismëtarja, mësuese me shpirt të madh atdhetar, e palodhura, e patrembura, ishte Mimoza Bejkollari Dako…
           I pari që shkroi mbi dërrasën e bardhë germën e parë të gjuhës shqipe ishte mësuesi nga Përmeti ishte Dashmir Zaçe…
           I sfidoi…
           Pas tyre si rrjedhë e ujit që b ie nga malet erdhën të tjerë e të tjera…Valbona, Irisi, Aurela, Julia, Anila… Denada, Desantila, Ermira, Flutura, Artemisi, Marinela, Kristina, Vera, Merita, Eqeremi, Luljeta, Entela, Ilira, Bona, Alma, Lefteria, Luiza, Enriketa, Lindita… Shkolla e Athinës, Patrës, Korinthit, Portës, Tinosit, Sirosit, Volosit, Kallabakës, Sarantit, Salaminës…
            Sa janë? 
            Shumë. 
           Çdo ditë mbijnë e lulëzojnë, lëshojnë rrënjë të reja e japin fruta…            Sot mund të themi me plot gojën se në sajë të mësuesve vullnetarë në Greqi, mësues që për punën që bëjnë Dritëro Agolli i ka cilësuar “RILINDËS TË KOHËS SONË”, shkollimi shqip  i fëmijëve në Greqi ka bërë rrugë, ka hedhë rrënjë…
           Gjithçka e kanë bërë vetë, pa mbrojtje ligjore e pa marrëveshje zyrtare midis dy shteteve, pa libra e fletore pune, pa emër në amzën e shtetit shqiptar si mësues, pa sponsorizim….
           Do të dëshiroja që sot, 7 janar 2021, në Tiranë, në Presidencë e Këshillin e Ministrave të bëhej një ceremoni zyrtare për vlerësimin të mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi, të atyre që ndezën shkëndinë dhe i dhanë dritën e shpirtit të tyre shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi, dhanë shembullin e pastër të të qenit ATDHETARË…
          E quajta si detyrim shpirtëror që nga katër librat e mi për mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi, librat: “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”, libra me mbi 2000 faqe e mbi 600 fotografi,  filmit dokumentar “Vera-mësuese në dy ishuj”…. të shkëpus dy fragmente:
           Një dëshmi të hapave të parë për mësimin e gjuhës shqipe nga nismëtarja e saj e palodhur MIMOZA BEJKOLLARI DAKO. 
         Fjalën e mësuesit të parë, në ditën e parë të hapjes së shkollës shqipe në Selanik të Greqisë më 7 mars 2001 DASHMIR ZAÇE 

*                     *                         *

NISMËTARJA E PARË E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË EMIGRACION: MIMOZA (BEJKOLLARI) DAKO

         Marrë nga libri  “Shkolla shqipe e Selanikut” faqe 23-33

         Kanë kaluar plot 12 vjet! E them dhe më duket çudi, sa shumë kohë paska kaluar që prej 7 Marsit 2001!

         Është e vështirë të kujtosh çdo detaj me saktësi, por ato momente  që mbetën në kujtesën time dhe jo vetëm, për vetë vlerën e tyre madhore, do të mbeten të paharrueshme për të gjithë ne.

Kur them ne, nënkuptoj së pari veten time, bashkëshortin tim, anëtarët e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut” si dhe mësuesit e gjuhës shqipe në emigracion, së bashku me të cilët ndezëm shkëndijën e mësimit të gjuhës shqipe në qytetin Helen, në Selanik.

Prej kohësh më mundonte pamundësia për t’u mësuar fëmijëve tanë gjuhën amtare. Shikoja prindër në ambiente të ndryshme që u flisnin fëmijëve greqisht, por kur ata lëndoheshin apo grindeshin, sharjet dhe përkëdheljet u dilnin në shqip! Kishte madje nga ata prindër të cilët nuk donin t’ua mësonin fëmijëve shqipen (paçka se vetë greqishten e flisnin si mos më keq) me pretekstin se kjo gjuhë nuk do t’u hynte më në punë pasi për ta Shqipëria ishte një vend jo i dëshiruar për të jetuar!
         Duke qenë se ndoqa një kurs trajnimi për emigrantët më 1999, më pas punova si këshilltare në zyrën e mbështetjes së emigrantëve në MAK.IN.E (Instituti Maqedon i Punës), në kuadër të këtij programi, Qendra Punëtore e Selanikut mundësoi hapjen e “Vatrës së emigrantit” në zemër të Selanikut, në zonën e Vardarit. U bënë takime të njëpasnjëshme mes përfaqësuesve të shoqatave të emigrantëve nga vende të ndryshme. Mes tyre isha dhe unë si përfaqësuese e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, si dhe Aleks Janaqi nga Shoqata e Punëtorëve Greko-Shqiptarë “Progresi”.

Në dhjetor të 2000 u përurua hapja e kësaj vatre. Më në fund do të kishim një ambient falas, ku çdo shoqatë emigrantësh mund të vinte të organizonte aktivitetet e saj, të pinin një kafe apo dhe thjesht të gjendeshin bashkë. Ambienti komod dhe pozicioni në të cilin ndodhej bënte të favorshëm frekuentimin në këtë vatër. Duke qenë në këto rrethana më lindi ideja përse mos ta shfrytëzonim këtë vend për të bërë kurse falas për fëmijët tanë? Por si, me kë, me çfarë mjetesh…?

Fillimisht bisedova me mësuesen Merita Papadhimitri (kisha pak kohë që e kisha njohur) duke i thënë për idenë që kisha dhe se a do të pranonte të fillonim bashkë këtë mision, sigurisht pa pagesë. Ajo pranoi menjëherë. Por më parë më duhej të sigurohesha a do të më lejohej një gjë e tillë nga financuesit e kësaj vatre. Në shumicën e rasteve kur flitej për mësimin e gjuhës shqipe shumë grekë thoshin se “atë ta mësoni në vendin tuaj”! 

Atëherë vendosa të bisedoj me drejtorin e Institutit Maqedon të Punës (MAK.IN.E), z. Kosta Pargaliota. Ai pa hezitim më tha se ishte ide shumë e mirë dhe se mund të organizonim kurse të tilla në “Vatrën e emigrantit”. U gëzova pa masë! Më kishte pushtuar një zell dhe optimizëm dhe ndihesha e sigurt se gjithçka do të shkonte më së miri…

Duke marrë shkak nga Festivali i 2-të Antiracist në Selanik (në vitin 2000), që atëherë u bë në ambientet e limanit (portit), në stendën e shoqatës vura lajmërimin për fillimin e kurseve të gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Po kështu dhe në gazetën e ATHINËS. Me ndihmën e z. Fatmir Toçi, siguruam abetaret e para dhuratë prej tij. Këtë aktivitet e transmetoi edhe kanali lokal i televizionit publik ERT-3 nëpërmjet z. Dhori Qirjazi, i cili në atë kohë jepte emisionin në gjuhën shqipe çdo të shtunë. Mbetej të caktohej vetëm data. Dhe nuk kishte datë më të bukur dhe më simbolike se 7 Marsi, festa e Mësuesit! Kështu ëndrra mori rrugën drejt realizimit.

Në lajmërimin e gazetës kërkoja dhe ndihmën e mësuesve të cilët ishin të shumtë në atë qytet. Mbas takimeve të shumta, shumë prej tyre u larguan kur mësuan se nuk do të paguheshin (me të drejtë!), por kishte dhe nga ata të cilët e përqafuan menjëherë këtë ide. U bëmë katër: unë,  Merita Papadhimitri, Dhimitra Malo, Dashmir Zaçe. Nëpërmjet një telefoni fiks, telefon i shtëpisë së anëtares së kryesisë së shoqatës sonë, znj. Valbona Rudi, filluan regjistrimet e fëmijëve të parë. 
         Po afronte 7 Marsi…

         Së bashku me bashkëshortin e me ndihmën e A. Janaqit transportuam bankat e dërrasën e bardhe, (jo të zezë), për klasën e fëmijëve….
         Kur çdo gjë ishte gati, pak ditë para datës së caktuar, më thirri në zyrë drejtori. Ishte serioz dhe i shqetësuar. Një parandjenjë e keqe më përshkoi shpirtin… Me një ton që asnjëherë s’më kishte folur më parë, më pyeti se ç’është ajo shkollë shqipe që po hapim. Siç më tha kishte marrë sinjalizime nga sigurimi grek (asfalia). Me zë të dridhur dhe me një lëmsh që më ishte mbledhur në grykë iu përgjigja se ishte pikërisht ajo për të cilën kishim folur dhe rënë dakord që në fillim, për kurse falas të gjuhës shqipe, ashtu si dhe mësuesit grekë jepnin mësime falas në atë institucion për emigrantët. Më tha që të ndaloja menjëherë çdo lëvizje derisa të më thoshte ai. Brenda meje u shemb diçka, mu prenë gjunjët, u zhgënjeva, por mbi të gjitha përfytyroja se si do t’u dilja përpara gjithë atyre njerëzve të cilët e dinin se më 7 Mars do të festohej festa e Mësuesit dhe se do të fillonin kurset e shqipes.

         U përlota, s’e mbajta dot veten… Ai më pa dhe duke e zbutur tonin më tha të bëja pak durim. 

         Durim! Fjala e parë që mësova në greqisht…

         U largova duke sharë dhe mallkuar veten se si arrita të ngatërrohesha kaq keq, ç’pasoja do të kisha unë dhe familja ime, çdo të bëhej me gjithë atë mobilizim që ishte bërë në media, mes njerëzish të thjeshtë, prindër, mësues… Ishte një goditje e rëndë që i bëhej besimit se diçka do të bëhej për këtë çështje, mësimin e gjuhës amtare!
         Për këtë gjë fola vetëm me Edin, bashkëshortin. Dhe pritëm…

         Nuk e mbaj mend sa ditë prita, sa nuk plasa nga ankthi derisa më thirri përsëri drejtori në zyrë. Për çudinë dhe fatin tim të mirë ai më tha se mund të vazhdonim rrugën e nisur, madje më tha se nëse do të keni ndonjë problem mund të kontaktoja me të pa hezitim!!

         Nuk mund ta besoni sa u gëzova! Prisja me padurim 7 Marsin. Një natë më parë, së bashku me Dh. Malon e I. Floqin pastruam dhe rregulluam çdo cep të Vatrës. Madje djali i Dh. Malos kishte printuar germat shumëngjyrëshe (si ylber) të urimit “GEZUAR 7 MARSIN!”, të cilat duken dhe në foton e mësuesve që bëmë atë pasdite…

Dhe dita e shumëpritur erdhi. Nuk e mohoj që frika dhe gëzimi ishin bërë njësh në shpirtin tim… Porositëm 40 karafila (aq mundëm me fondet e shoqatës) për mësuesit që menduam se do të vinin. Salla po mbushej. Vinin njerëz që i njihja e që nuk i njihja. Në tryezën ku do të flisja mbaja abetaren dhe fletë ku kisha shkruar diçka për të thënë. Thirra pranë meje mësuesen Dhimitra Malo si dhe mësuesin përmetar Dashmir Zaçe. Duke qenë se dhe origjina ime është nga Përmeti, një arsye më shumë më bëri që për këtë njeri të krijoja respekt të veçantë…

Fëmijët, midis tyre dhe vajza ime, Katerina, vinin rrotull të shkujdesur… Ata nuk e njihnin këtë festë, nuk kishin sesi ta dinin, por mësuesit dhe prindërit e pranishëm ishin po aq të emocionuar sa dhe ne organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Në një moment, një anëtar i shoqatës sonë kërkoi që mësuesit që ndodheshin në atë sallë të ngriheshin në këmbë dhe të pranonin një karafil në shenjë mirënjohjeje nga fëmijët për festën e tyre, 7 Marsin. Surpriza ishte se në sallë kishte më shumë se 40 mësues… Nuk na dolën karafilat për të gjithë.

Më pas folën prindër e mësues duke na përgëzuar për këtë nismë kaq të bukur por dhe po aq të guximshme për kohën dhe vendin ku jetonim. Disa prej tyre shkruan dhe përshtypjet e tyre ne ‘Librin e përshtypjeve të shoqatës”. 

Në një moment qetësie, me abetaren në dorë ftova mësuesin Dashmir Zaçe të jepte orën e parë të mësimit fëmijëve që ishin të pranishëm.
         U ndjeva e lehtësuar. Kaq ishte! Filloi…

         Ndërkohë mu afruan dy mësuese nga Korça, J. Gogo dhe M. Demollari. Ato shprehën dëshirën të vinin falas për t’u dhënë mësim fëmijëve. 
         Mësuesit po shtoheshin… Na mbetej të shtohej edhe numri i fëmijëve. Vendosëm mësimet të bëheshin çdo fundjavë, paradite.
         Kështu filloi rrugëtimin ”Dallëndyshja e parë e mësimit të gjuhës shqipe”…
         Fëmijët vinin me dëshirë dhe ne mësuesit ndiheshim të dobishëm dhe krenarë. Më vjen mirë që mundëm përsëri të bëheshim mësues, të përjetonim atë eksperiencë që secili prej nesh e kishte provuar në atdhe, kush më shumë e kush më pak, por në kushte të tilla asnjeri prej nesh nuk e kishte përfytyruar se do të ndodhte. Asgjë nuk është e pamundur dhe asgjë nuk është e rastësishme…

         Sot numërohen dhjetëra kurse në të gjithë Greqinë. Mësues vullnetarë, në kuadrin e shoqatave u japin mësim fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, u mësojnë ABC-në. 

Kanë kaluar vite e përsëri kjo plagë vazhdon të jetë e hapur. Jam e bindur se po të mos ekzistonte dëshira e madhe e sakrificës së këtyre mësuesve, asgjë nuk do të bëhej.

Nga shteti shqiptar përveçse disa libra e abetare (për ambiente as që bëhet fjalë) nuk ka pasur asnjë mbështetje tjetër. Vetëm premtime boshe! Nuk ka pasur asnjëherë mbështetje morale, përkundrazi vetëm stepje të cilën e kanë mbjellë në forma të ndryshme…

Do të doja ta mbyllja rrëfimin tim, por s’mundem…

M’u kujtua diçka tjetër në lidhje me këtë të fundit. Më kujtohet se përpara se të fillonim kurset e gjuhës shqipe, kërkuam një takim dhe në Konsullatën shqiptare të hapur para pak kohe në qytetin e Selanikut, për të vënë në dijeni edhe përfaqësinë e shtetit tonë, si dhe për të kërkuar mbështetjen  e tij. Pasi Konsulli i Përgjithshëm i atëhershëm z. N. Dhamo pranoi të na priste në hollin e konsullatës (paraprakisht i kishim dërguar një kërkesë zyrtare për takim me shkrim, me anë të së cilës na kërkohej të sqaronim dhe arsyen se përse e kërkonim këtë takim, si dhe personat që do të ishin prezent), dhe u njoh nga afër për ato çka ne po përgatiteshim, tregoi mosbesimin e tij për pjesëmarrjen e prindërve dhe të fëmijëve në këto kurse. Asgjë më tepër, asgjë më pak. Perveç kësaj dhe pas 7 Marsit, në prill të po atij viti një grup i kryesisë së shoqatës sonë, duke shfrytëzuar pushimet e Pashkëve, arritëm të realizonim takime me përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare. Dhe a e dini se cila ishte surpriza më e bukur? Z. Paskal Milo, Ministër i Jashtëm atëherë, pasi na dëgjoi me vëmendje na tha: “A e keni në statusin e shoqatës suaj mësimdhënien e gjuhës shqipe?!”
         Falënderoj z. Abdurahim Ashiku, gazetarin, mësuesin, mikun dhe mbështetësin e vetëm besnik që nuk na ndahet hap pas hapi ne mësuesve të emigracionit. 

Unë thashë se shpëtova, se tani jam kthyer në Atdhe, por me sa duket këmbëngulja e tij më bëri që të shkruaj këto faqe kujtimesh… 
           Tani që më zgjoi kujtimet do të vazhdoj t’i përgjigjem dhe nuk do ta lë më të më presë…

Tiranë, 3 qershor 2013.

MËSUESI MËRGIMTAR DASHMIR ZAÇE MË 7 MARS 2001…

*  Kur shkrova librin “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”, nuk e gjeta gjëkundi fjalën e plotë të mësuesit të parë të shkollës shqipe në Selanik të Greqisë, ndaj nuk e kisha pjesë të librit…
*  E gjeta para një muaji në një publikim televiziv të nismëtares dhe organizatores së hapjes së shkollës së parë shqipe në Selanik, kryetares së shoqatës “Shqiptarët e Selanikut” Mimoza Dako…

Po përcjell fjalën e Dashmir Zaçes siç u regjistrua me zë e me figurë nga një kameraman amator atë ditë të madhe të hapjes së shkollës së parë shqipe në Greqi, në Selanik nga shoqata “Shqiptarët e Selaniku”…

*            *              *

Jam nga Përmeti. Quhem Dashmir Zaçe. Kam punuar 28 vjet mësues.
           Kur erdhi një qytetar përmetar nga Selaniku në Përmet më tha:
“Tani e kuptova Naim Frashrin, tani që isha vetë në kurbet.”
          Qesha…
          Por tani që jam vetë, tani kuptoj jo vetëm Naimin, por kuptoj të gjithë ata që janë këtu. (I rrjedhin lot)
          Eh ! Të gjithë kështu qanin…
          Mbase dikush ka dy vjet, siç kam unë pa shkuar në Shqipëri, dikush ka nëntë vjet, dikush ka pesë vjet, por të gjithë e ndjejmë me dhimbje atë tokë…
         Më fal (loton)
         Prandaj shpreha dëshirën nga të parët, jo i pari, por nga të parët që të vij dhe t’i mësoj fëmijët shqip pa shpërblim sepse e ndjej detyrë në shpirtin tim, e ndjejë detyrë patriotike që duhet ta realizojmë.
         Këtyre anëtarëve të shoqatës u tregova një rast.
        Isha në autobus, shkoja në Korkora. Ishte një fëmijë të them katër vjeç e të ëmën ruse. Nëna ia tregonte objektet rusisht.
          Më erdhi edhe shumë mirë që e bënte këtë, por më erdhi edhe shumë inat me veten time.
          Kur them “me veten time”, e them për të gjithë ne. Ne kur shkojmë rrugës, nuk kemi njeri pranë fare dhe i flasim fëmijës greqisht.
          Pse t’i flasim Greqisht?
          Ai do ta mësojë greqishten. Do ta mësojë në ambient, do ta mësojë në shkollë. Në qoftë se i flasim në ambiente shumë të ngushta dhe që je i “detyruar” kur je vetëm me fëmijën dhe i flet greqisht, për mua bëjmë padrejtësinë më të madhe ndaj vetes sonë.
          Duke parë këto situata unë po jua them: Jam totalisht me fëmijët dhe do tua mësoj gjuhën shqipe…

Selanik, 7 mars 2001

Filed Under: Featured Tagged With: 20 vjet MË PARË, Abdurrahim Ashiku, Shqipërisë ne Greqi

TERROR ME KOKËN E GJENERALIT ARIS VELIQUOTIS – Mizori ballkanase

March 6, 2021 by dgreca

– Nga KOLEC P. TRABOINI/

 I shqetësuar nga lajmet e vrasjeve që po ndodhin në mes të shqiptareve, Ati i nderuar Foti Cici,  shtroi pyetjen se pse ndodhin kaq shumë vrasje mizore mes nesh dhe shtoi se kjo gjë nuk vihet re as ndër fqinjët tanë ballkanikë. Mirëpo, megjithëse edhe unë e dënoj këtë fatalitet mes nesh, siç ka bërë edhe im atë në Shkodër në gazetën “Bashkimi” të Ndoc Nikës që në vitin 1910;  “Palok Traboini: Vrasjet tona”  nuk më rezulton se vrasjet ndër shqiptarë janë shoqëruar me përçudnime mizore. Vrasjet ishin plagë  të rënda të një shoqëria të prapambetur, por nuk shpërthenin në mizori. Nuk jemi ne shqiptarët tipikët e barbarizmit primitiv, përkundrazi e kemi pësuar nga barbarizmi thuajse shtazarak i fqinjëve tanë. Dihen vrasjet masive të serbëve ndaj shqiptarëve, madje edhe ndër gra e fëmijë, duke i futur në varre të përbashkëta me qindra njerëz. Shpesh duke dëgjuar shprehjet makabre të gjeneralëve serb që u thonin ushtareve“shqiptarët therini me bajoneta të kursejmë plumbat”; pra jeta e një shqiptarit vlerësohej prej fqinjëve tanë ballkanikë më pak se vlera e një plumbi. Dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për një kohë të shkurtër, por përgjatë një shekulli. Janë dy dëshmi që gjykatat ndërkombëtare do të duhej ti kishin në evidenca si krime kundër njerëzimit shënimet nga fronti i  luftës në Ballkan i oficerit të ri Leon Trocki që ishte dëshmitar okular i krimeve serbe ndaj shqiptarëve, por më kryesor libri i Leo Freundlich: “Albania’s Golgotha: Indictment of the Exterminators of the Albanian People” 1913. Ka edhe personalitete të tjerë që kanë shkruar e shprehur indinjatën për vrasjet masive e masakrat ndaj shqiptarëve si Kosta Novaković, apo edhe se voni nga veprimtarja e të drejtave të njeriut serbja Natasha Kandiç, por përshkrimet e mizorive në historinë tragjike njëqindvjeçare zinin vend deri në gazetën “New York Times” që shkruante për masakra të padëgjuara në Europën e qytetruar. Edhe pse në luftë për të mbrojtur të drejtat e veta, shqiptarët kanë pasur si tipar dinjitetin e jo mizorin. Armikun e vriste, por kurrë nuk e përçudnonte. Edhe Kanuni e kushtëzonte marrësin e gjakut duke i kërkuar respekt për kufomën, kthimin e trupit me fytyrë nga qielli e kurrë të mos e linin përmbys, për më tepër asnjë lloj përçudnimi nuk ishte i pranueshëm, madje kjo konsiderohej e dënueshme nga pleqësia kanunore. Është një fotografi që tregon se si ushtarët serb i hedhin benzinë në trup një të riu 16 vjeçar shqiptar dhe pastaj e djegin të gjallë. E ky barbarizëm në vitin 1999. Therjet me bajoneta ne bark te grave shtatëzanë dhe prerja e kokave të burrave duke i ngulur në hu ka qenë praktikë e zakonshme në masakrimet që u bënin shqiptarëve. Nuk gjeni asnjë shembull që shqiptarët ndaj serbëve të jenë sjellë aq mizorisht.Por le të kalojmë në jug. Mizorinë e fqinjëve të jugut e kemi ndjerë kur janë sulur në trojet tona si hordhi e egër. E kemi ndjerë ende pa u bërë shteti shqiptar. Vrasjen e Papa Kristo Negovanit dhe masakrimi i trupit të tij e të shqiptare të tjerë patriotë është fillimi i masakrave që do të vazhdonin gjysmë shekulli mbi shqiptarët. Kujtojmë priftin tjetër ortodoks, atdhetarin e madh At Stath Melani, të cilin e vranë në pusi dhe i prenë kokën, të cilën në një thes ja dërguar Dhespotit  të  Konicës në Greqi; të njëjtin fat pati edhe At Ballamaçi,  e helmuan Petro Nini Luarasi për ta futur në gropë të gëlqeres. Hormovë, e mjera Hormovë, fshat i kthyer në varrezë. Tërë burrat e fshatit përshkuar nga plumbat e ushtarëve grekë, në shtëpinë tonë, në vatrën tonë, në atdheun tonë, në Shqipërinë tonë martire,  e sot kërkojnë sot fqinjët e jugut ndërtojnë varreza për vrasësit, por jo për viktimat e tyre, shqiptarë e masakruar. A po çpersonalizohemi prej çmendurisë së bastardëve që na drejtojnë si aventurierë dhe i shesin interesat kombëtare.  Kësisoj veprimesh mizore nuk janë njohur ndër shqiptarë, madje grekët e ardhur që kanë jetuar në Shqipëri, kanë qenë në bashkëjetesë të harmonishme me shqiptarët vendas, pa ndjerë asnjë urrejtje nacionale. Shqiptarët nuk u sollën ta zëmë me dropullitët ashtu si grekët në Greqi u sollën me popullsinë e Çamërisë, ku u masakruan me mijëra shqiptarë.  Madje ka dëshmi që burrat i vrisnin në sy të grave e fëmijëve, gratë i përdhunonin, më pas i mbyllnin nëpër shtëpi bashkë me fëmijët dhe u vinin flakën duke i djegur të gjallë. Më thoni ndonjë grek minoritar, apo sllav minoritar ta kenë masakruar shqiptarët nga urrejtja nacionale. Jo nuk ka asnjë rast në histori. Por kush shqiptar ka pasur rastin të jetojë si emigrant në Greqi ka rastisur të dëgjojë histori tmerresh të pa shoqe. Le ti qasemi një rasti që tejkalon çdo logjikë njerëzore; një fermer grek vrau në mënyrë kriminale 4 të rinj shqiptarë që punonin tek ai. Ky tmerr ka ndodhur kur emigrantet shqiptarë i kërkuan hakun e punës, se donin të ktheheshin në vendlindje. Pronari grek i qëlloi me armë, i plagosi e më pas i sharroi të gjallë me sharrë elektrike. Kjo është një mizori që të kujton kohët më të errëta në historinë e njerëzimit. Pak a shumë e njëjta histori me dy emigrantë shqiptarë në Kretë, kur pronari për të mos i paguar paratë e punës një vjeçare, natën u mbylli nga jashtë derën e kasolles ku flinin dy shqiptarët dhe pasi i hodhi një bidon me benzinë, i dogji të gjallë. Dhe për këto raste shkruanin vetë gazetat greke. Ndoshta mund të thuhet se politika i shpëlan trush njerëzit që manipulohen me ide  raciste e urrejtje nacionale. Nuk besoj se kjo është vetëm manipulimi politik dominues i akteve të tilla, megjithëse ndikon e motivon mjaftueshëm. Ka të bëjë me vetë njeriun, kulturën e dijen, mentalitetin, egërsinë e mjedisit ku është rritur dhe pastaj mishërohet në egërsinë që i buron nga shpirti katran, sepse këto ndodhi janë jo vetëm ndaj njerëzve me kombësi tjetër, por edhe brenda të njëjtës bashkësi. Dua të sjell në kujtesë një rast unik i mizorisë historike që ka dalë në pah për publikun vetëm vitet e fundit. Aris Veluqioti, gjenerali EAM-it, luftëtar i madh për çlirimin e Greqisë nga pushtimi nazist, i dorëzoi armët e ushtrisë se vet për të realizuar kështu fundin e luftës që sipas Marrëveshjes së Varkizës, një fshat ky afër Athinës, Greqia të hynte në një periudhe paqeje sociale në kuadrin e një shteti demokratik. Të djathtët e prishën marrëveshjen në pabesi në bashkëpunim të fshehtë me ushtarakët britanikët (në Shqipëri e prishen Mukjen të majtët).  Luftëtarët e EAM-it që kishin dorëzuar armët u vranë në gjumë në kazerma, me mijëra djem e vajza të rinj. Pas kësaj masakre të përgjakshme disa pak besnikë të Gjeneralit Aris Veluqioti që arritën të shpëtonin, morën malet. Të ndjekur këmba këmbës nga formacionet e së djathtës dhe britanikët,  u shpërndanë grupe-grupe për të arritur të mbijetonin. Gjeneral Aris Veluqioti, ky luftëtari i madh,  i mbetur me pak besnikë, mendohet se vrau veten ose ndonjë predhe murtaje e copëtoi. Trupat e djathta greke e gjetën trupin e copëtuar, i prenë kokën dhe e varen me tela në qendrën Trikalles.  E ashtu ndenji mjaft kohë. E fotografuan kokën e Veluqiotit dhe agjutantit të tij  besnik Xhavella (duhet të jetë shqiptar i Greqisë nga Xhavellat e Sulit)  dhe këto foto i mbajtën të fshehur afro 40 vjet. Atë foto e kam nxjerrë nga një film dokumentar grek për fundin tragjik të gjeneralit Aris Veliqioti. Luftëra djathtas majtas janë bërë edhe në Shqipëri, por koka të prera kundërshtarësh politike të varura në mes të qyteteve nuk janë parë. Kjo nuk motivon asnjërën palë për krimet që janë bërë, por të paktën na lehtëson në kuptimin se mizoria e urrejtja deri në shtazëri nuk është tipar i bashkëkombësve tanë, as ndaj njeri-tjetrit dhe as ndaj të huajve. Komunizmi në Shqipëri ka bërë krime të mëdha, madje edhe vrasja masive nga krimineli Mehmet Shehu si në Lushnjë më 1943,  vetë Enver Hoxha ka qenë një njeri me shpirt xhelati,  por edhe në vendet fqinjë që kanë pas sisteme krejt të kundërta, mizoria e barbarizmi nuk ka qenë të pakët, por po aq mizore. Prandaj të mos vetnjollosemi duke thënë vetëm ne,  sepse ekseset në jetën shoqërore ku përfshihen edhe krimet,  nuk përbëjnë tiparin themelor për një kombësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: ARIS VELIQUOTIS, Kolec Traboini, Mizori ballkanase

DITA E MESUESIT DHE SHKOLLES SHQIPTARE

March 6, 2021 by dgreca

Historiku i shkollës shqipe, është i njëjët me historikun e të kaluares së  lavdishme të popullit shqiptarë, është i njëjtë me të kaluarën rezistues, shpëtim nga fanitja e mallkimit nga okupuesitë të gjuhës  shqipe dhe të librit shqip.

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia/

7 Marsi, është Dita e Mësuesit Shqiptarë, gjegjësisht dita e shkollës laike kombëtare shqiptare. Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe, për arsye e rrethana të njohura, shumë vjet nuk është festua në gjithë hapësirat shqiptare, apo është festuar ndaras. Sepse në trevat e okupuara etnike shqiptare ka qenë e ndaluar dhe e denuar të festohet. Në shtetin zyrtar në Shqipërinë londineze, Dita e Mësuesit festohet e kremtohet vetëm nga 1960, ndërsa pas vitit 1968 kjo festë kombëtare, ilegalisht, pjesërisht ose gjysmë zyrtarisht u lejua, kremtohej e festohej edhe në Kosovë e treva tjera etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë e atëhershme. Ndërsa tash, pas 17 shkurtit 2008, Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe e shkollës laike shqipe, është vetmja festë e përbashkët kombëtare për të gjitha trevat etnike shqiptare. Dita e Mësuesit, është festë e mësuesit, nxënësit dhe gjithë punëtorëve arsimor, të çdo mjedisi e niveli të shkollës shqipe. Andaj, kjo festë, si edhe festat e ngjarjet të tjera arsimore, historike e kombëtare, si ajo e Alfabetit të Gjuhës Shqipes, Njësimi i Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe, në një të ardhme të afërt Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovë, por edhe Ministria e Arsimit e Maqedinisë, doemos për hirë të integrimit të shkollës kombëtare shqiptare, duhet të kordinojnë njësimin e planprogrameve, Kurikulave mësimore të të gjitha niveleve, klasave e lëndëve të shkollës shqipe, si dhe teksteve e mjeteve mësimore e çdo të mbërrirë tjetër shpirtërore, materiale  arsimore e kombëtare, dhe Diata e Mesuesit të njësohet, festohet e kremtohet për datë e festë e gjithëkombëtare shqiptare. Kështu duhet të jetë e integruar edhe shkolla dhe sistemi i reformuar shkollor kombëtar shqiptar. Shkolla shqipe, pavarësisht gjendjes dhe pozitës aktuale politike e shtetërore, tash e ndarë në njësi shtetërore të ndryshme, paralelisht me reformën arsimore të kryen edhe integrimin kombëtar të shkollë shqipe, dhe pastaj, si një e vetme dhe e pandarë të integrohet në sistemin e reformave arsimore demokratike ndërkombëtare. Sepse shkolla e sistemi arsimor përgjithësisht është veprimtari praktike shoqërore që fisnikëron 

që nga Apolonia e Durrësi para lindjes se Krishtit. Shkolla e mëvonshme laike në hapësirën shqiptare ndër të tjera më shumë njihen Shkolla e Stubllës 1584, shkolla e Janjevës 1665 Akademia e Re e Voskopojës 1750 e shumë të tjera, para e mbas tyre. Mësojtorja shqipe e Korçës dhe të tjerat pas saj, mësimin e shqipës e filluan dhe e zhvillun mësuesit patriotë të mëdhenj  shqiptar. Në shkollën e Korçës mësuesit e saj zhvillonin këto lëndë mësimore: Shkrim, Këndim, Gjuhë shqipe, Gramatikë Shqipe, Histori e Shqipërisë, Gjeografi, Aritmetikë, Muzikë, Këngë etj. Nxënësit e saj ishin nga gjitha besimet fetare dhe mjediset e nivelet shqiptare. Mësuesit e saj ishin atdhetarët  e Rilindjes  sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri që ishte edhe drejtori i parë i saj, njëherit  mësimdhënësi i parë i gjuhës shqipe në ketë shkollë, Sotiri ishte mësues i popullit, nxënës i Koto Hoxhit, i vrarë në Stamboll nga armiqtë e çështjes shqiptare. Koto Hoxhi veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, mësues në shkollën greke, që fshehurazi jepte edhe mësimet e shqipës në shkollën e Gjirokastrës. Mësimdhënësit tjerë në shkollën e Korçës ishin edhe, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçe, Thoma Avrami, Balil Tahiri etj.  Petor Nini Luarasi, një nga figurat  kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, publicist dhe pegadog, Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe në krahinën e Kolonjës. Shkolla e Korçës punoi e veproi 15 vjet. Kjo shkollë në fillim të shek. 20. kishte 6 klasë, kur Turqia e mbylli më 1902 dhe u rihap më 1908. Këtë shkollë, që kur u hap më 1887, si edhe shkollat të tjera në vazhdimësi, i ndihmonin veprimtarët atdhetarë, shoqatat dhe shoqëritë atdhetare shqiptare dhe kishin ndikim në organizim të procesit mësimor, në sigurimin e mësuesve, teksteve mësimore dhe mjete materiale. Një nga nisimtarët për hapjen e shkollës shqipe është edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare e  veprimtare e shquar e cila punoi në arsimin e gruas shqiptare. Ajo ka botuar  librin e saj “Abetare për shkollat e para” dhe ka vend meritor në historikun e shkollës shqipe, është e para grua mësuese dhe autore e teksteve shkollore. Për ndihme ne hapjen, mbajtjen dhe shkrimin e teksteve mësimore veçohen vëllezërit Naim e Samiu Frashëri, Vreto, Kristoforidhi e të tjerë nga Shoqëria Shqiptare e Stambollit. Këta arsimdashës shkollës së Korçës i ndihmuan edhe me mjete financiare. Në krah të kësaj veprimtarie arsimore u angazhuan edhe atdhetarët e shoqërive tjera shqiptare, si ajo e Manastirit, Bukureshtit dhe Korçës. Korçarët janë të njohur për ndihmën materiale që i dhënë shkollës se tyre, Diamandi Terpo lëshoi shtëpinë për shkollën, i cili pas vdekjes kësaj shkolle i dhuroi gjithë pasurinë e fituar në Bukuresht. Pas shkollës së Korçës u hapen shkolla edhe në Pogradec 1887, Elbasan, Treskë, Leskovik, Kolonjë, Ohër 1887, Prizren 1889 etj. Ne fund shekullin 19-të, në Korçë më 1891  për herë të parë u hap edhe shkolla e  vajzave. Më 1892 u hap shkolla në Luaras, Selenicë e katër të tjera në Gostivishtë, Rahovë, Vodicë dhe Treskë. Më 1900 u hap shkolla në Zadrimë, Durrës, Tirane, Vlorë e të tjera. Që nga fillimi i shekulli 20 shkolla shqipe u hapen edhe në Kosovë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Stubëll, Gjakovë, Pozhoran, Mitrovicë, Zym e vende të tjera. Shumë nga mësuesit patriot në kohëra e rrethana të ndryshme ranë dëshmorë nga armiqtë e shqiptarëve dhe shkollës shqipe, të cilët mësuesit dhe gjuhën shqipe e kishin halë në sy. Vrasjet prapa shpine martirizuan mësuesit tanë kombëtar Petro Nini Luarasin. Pandeli Sotirin, Papa Kristo Negovanin, Naum Veqilhaxhit, At Shtjefen Gjeçovin, e në vazhdimësi të kohës deri në ditët tona, kur okupuesi serb  vrau  mësuesin Halit Gecit 26 nëntor 1998 në Llaushë dhe më 28 nëntor 1998, ditën e shënuar të varrimit te mësuesit Halit Geci, nga motivohet përshtatshmëria e paraqitjes më të arsyeshme publike e UÇK-së. Në vazhdimësi të rezistencës ushtarake për shkollën shqipe e liri të Kosovës, ranë  dëshmorë e u martirizuan shumë mësues, student e nxënës të shkollës shqipe. Këto vrasje serbe synonin që te shqiptarët ta vrisnin ndjenjën e dashurisë ndaj popullit e atdheut. Ta vrisnin dashurinë shqiptare për shkollën, gjuhën dhe librin shqip. Përkundrazi, në vazhdimësi të rrjedhave të kohës e ngjarjeve, veprimet e tilla shqiptare, këtë ndjenjë vetëm sa e rrisnin, e forconin  dhe e zgjeronin kah mëvetësia e shkollës, ndarja fizike e shpirtërore e shqiptare, nga dhuna administrative shtetërore serbe. Kjo aspiratë kulmoi Më 17 shkurt 2008, erdhi dita e deshiruar, kur definitivisht Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e cila shpejt u njoh nga shtetet të tjera. Republika e Kosovës ka krijuar identitetin e shtetësisë së saj, që në vazhdimësi po ngritet në nivelin politik, shtetëror e kombëtar në qarqet e asociacioneve ndërkombëtare

*Autori është veteran i arsimit.

Filed Under: Featured Tagged With: 7 Marsi, Dita e shkolles shqipe, Ismail Gashi Sllovia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT