• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

KUJTESA- KOSOVA PARA 22 VITEVE, PRANVERË MASAKRASH NGA FORCAT SERBE

March 27, 2021 by dgreca

Në Kosovë pranvera është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi/

-Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti: Masakrat në Kosovë janë e vërteta e Serbisë dhe e kaluara jonë e cila nuk kalon/-U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca: Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99/
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Mars 2021/ Në Kosovë përkujtohen në 22 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe,  241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.

Në Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrim etnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.

Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.

Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.

Është stina kur përkujtohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur. 

KRYEMINISTRI KURTI NGA HOMAZHET NË RAHOVEC: DO TË ANGAZHOHEMI SI ASKUSH MË PARË PARA NESH PËR DREJTËSI PËR KOSOVËN

Rahovec, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,  si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.

Homazhet i filluan të Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, në 22- vjetorin e  masakrës  së kryer nga forcat serbe të mbi 243 personave.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.

Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, Kryeministri Kurti theksoi se kryhet një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë falë të cilëve ne sot e kemi edhe lirinë edhe pavarësinë.

“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon, dhe është obligim i  yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e  Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë  që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të  gjykojë e të dënojë kriminelët  e luftës”, tha ai.

Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.

“113 veta u vranë në Krushë të vogël, dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë  në pranverën e vitit 1999.  Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi neve në mënyrë që të na shporrin nga  toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë”,  Kryeministri Kurti.

Nga Krusha e Vogël, Kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve , për humbjet, vuajtjet  e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirë, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.

“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi Kryeministri Kurti.

KRYEMINISTRI KURTI: MASAKRAT NË KOSOVË JANË E VËRTETA E SERBISË DHE E KALUARA JONË E CILA NUK KALON

Suharekë, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te obelisku i të vrarëve të familjes Berisha në Komunën e Suharekës, dhe më pas vizitoi Muzeun e Martirëve të familjes Berisha si dhe Memorialin e kësaj familjeje. Atje u shoqërua nga deputetja dhe Presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal.

Pas homazheve, Kryeministri Kurti tha se ky muze i kësaj masakre është jeta jonë, është e kaluara jonë e pashlyeshme, traumatike, që sot shënon një plagë që kullon, plagë të hapur për shkak se nuk ka ende drejtësi për viktimat dhe as gjykime e dënime të kriminelëve serbë.

“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, nuk mund të kemi paqe e qetësi përderisa nuk e kemi drejtësinë e cila jo vetëm që na është mohuar sepse na është vonuar, por për shkak se nuk ka filluar ende”, shtoi Kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Kryeministër i ri, bashkë me presidenten në ardhje znj. Vjosa Osmani, do të bëjnë çmos që këtyre familjeve të cilët paguan çmimin  kaq të lartë për lirinë dhe pavarësinë tonë, t’iu dalin në ndihmë dhe të jenë përkrah tyre. Edhe sa i përket traumave, humbjeve e vuajtjeve që i kanë përjetuar, por edhe sa i përket aktivizimit sa më të madh të sistemit të drejtësisë, e në veçanti të prokurorisë, në mënyrë që kriminelët e kësaj masakre dhe shumë masakrave të tjera të përfundojnë prapa grilave.

“Masakrat në Kosovë janë e vërteta e shtetit të Serbisë dhe janë e kaluara jonë e cila nuk kalon. Ajo është në të tashmen tonë, është përditë me neve, çdo mëngjes kur zgjohemi e çdo mbrëmje kur nuk na zë gjumi. 547 viktima civile janë në komunën e Suharekës, një ndër komunat më të goditura dhe 80 janë ende të pagjetur”, u shpreh tutje ai, duke thënë se Serbia pas vrasjeve që kreu këtu me forcat e saj i rrëmbeu edhe kufomat dhe u përpoq që ta varros të vërtetën por që ajo rishfaqej nëpër liqenet e saj nga kamionët të cilët nuk ngeleshin dot në thellësi të ujërave atje.

Kryeministri rikujtoi se 744 shqiptarë janë zhvarrosur nga Batajnica, një varrezë masive që sot është poligon i qitjes për policinë dhe ushtrinë atje, ndërkaq këtu janë 14 fëmijë nën moshën 15 vjeçare të vrarë. “Pra, nuk kanë dashur t’i vrasin vetëm të rriturit por edhe brezin e ardhshëm, edhe ata që vijnë më pas, prandaj të gjitha këto krime të kryera gjatë luftës përveçse janë krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, shtoi Kryeministri Kurti.

Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti bëri të ditur se bashkë me të ishte edhe Saranda Bogujevci, nënkryetare e kuvendit të Kosovës, e mbijetuar e masakrës së familjes së saj, masakër kjo që e ka përvjetorin e 22-të të dielën, dhe Vasfije Krasniqi e mbijetuara e përdhunimit e cila gjithashtu me kurajon e saj ka folur në emër të mijëra grave shqiptare të cilat u dhunuan gjatë luftës.

“Përulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan. E ardhmja e Republikës sonë varet shumë nga kjo kujtesë e kulturës kolektive”, përfundoi Kryeministri Kurti.

U.D PRESIDENTI KONJUFCA: GJAKU I TË RËNËVE TË KRUSHËS SË MADHE DHE KRUSHËS SË VOGËL QËNDRON NË THEMELET E SHTETIT TONË

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

U.d presidenti Konjufca ka thënë se sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.

“Plaga e parë është vet masakra që ka ndodhë. Populli këtu, krushianët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. Plaga e dytë është që këtu ka edhe varreza të zbrazëta. Disa prej varrezave janë të zbrazëta, që na e kujton edhe njëherë se Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë dhe familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë. Fati i tyre ende nuk është zbardhur, dhe kjo është një plagë e hapur në trupin e shtetit tonë, të populli tonë.  Plaga e tretë do të thoja që është drejtësia e munguar. Nuk ka pasur drejtësi kurrë për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre, ata u masakruan, u rrëmbyen, nuk dihet për një pjesë të tyre, për fatin e tyre dhe familjaret tash e 22 vite prej asaj date jetojnë për çdo ditë me peshën, e me vuajtjen e rëndë për fatin e pazbardhur të familjarëve të tyre”, ka thënë u.d presidenti.

Ai ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti, “Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai, po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka theskuar u.d presidenti Konjufca.

Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, qëndron në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.

U.d presidenti Konjufca ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të martirëve të rënë në masakrën e cila u krye prej forcave policore ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, në mars të vitit 1999.

U.d presidenti ka thënë se Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99.

“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminel të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe veprimet e institucioneve tona kane shkaktuar pakënaqësi të mëdha ndonjëherë te familjarët e të rënëve të masakrës së Krushës së Vogël.

“Për shembull, përgjysmimi i dënimit të njërit prej kriminelëve të luftës, i cili është dënuar prej gjykatave tona për pjesëmarrje aktive në masakrën e Krushës së Vogël, ka shkaktuar indinjatë të thellë te i gjithë populli i Kosovës, por në veçanti te familjarët të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë kësaj masakre. Ky nuk ka qenë aspak një sinjal i mirë prej anës së institucioneve tona që rastet e krimeve të luftës do të ndiqen dhe do të dënohen”, ka thënë u.d presdienti.

U.d presidenti Konjufca, duke ju bërë thirrje institucioneve tona, sistemit tonë të drejtësisë, ka thënë se “tash të gjithë e dinë se nuk ka asnjë pengesë shteti i Kosovës, gjykatat tona për t’i ndjekur, dhe për t’i dënuar ashtu siç e meritojnë të gjithë akterët si përfaqësues të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të cilët kanë kryer masakra gjatë luftës në Kosovë”.​

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Kosova para 22 vjetesh

Në “Air Albania” zbresin “shpikësit” e futbollit

March 27, 2021 by dgreca

Në “Air Albania” zbresin “shpikësit” e  futbollit . Shqipëri-Angli. Katër ndeshje, katër humbje, 12 gola të pësuar, një i shënuar dhe dy gola të anulluar padrejtësisht.

Nga Albano KOLONJARI/

Sipas FIFA-s, loja kineze cuju (蹴鞠, fjalë për fjalë “goditje e topit”) është forma më e hershme e futbollit. Lojtarët e Cuju mund të përdorin çdo pjesë të trupit përveç duarve dhe qëllimi ishte të gjuaje një top drejt rrjetës. Sipas disa  studiesve  historia e futbollit fillon në viti 2500 B.C.  Por “shpikësit” e futbollit modern, dhe që luhet sot duke fituar zemrat e milona e miliona njerzëve janë anglezët.  Historia fillon në vitin 1863, kur futbolli ragbi dhe futbolli aktual, u ndanë në rrugë të ndryshme dhe në Angli u krijua Football Association, e  para organizatë drejtuese e futbollit. Rregullat e sakta dhe dispozitat e përgjithshme të lojës së futbollit u vendosën në Angli në vitet 1863. Në atë moment, lojtarët përcaktuan se cilat do të ishin edhe dimensione të fushës optimale për një ndeshje futbolli, por edhe rregulla të tjera. 


Anglia është ekipi kombëtar më i vjetër në arenën e futbollin botëror. Ata luajtën ndeshjen e parë ndërkombëtare në Glasgow, Skoci me 30 nëntor 1872. Skocia luajti përballë  Anglisë dhe takimi përfundoi në barazim 0-0. Dy ikonat  kryesore të Anglisë janë Stadiumi Wembley, në Londër, dhe selia e tyre stërvitore është në St George’s Park. Me 1880 Federata Angleze e Futbollit kishte 128 klube, duke perfshire dhe 6 nga Skocia.  Në 1888 u krijua Lidhja Angleze e Futbollit. 12 klubet themeluese ishin: Accrington (Old Reds), Aston Villa, Blackburn Rovers, Bolton Wanderers, Burnley, Derby County, Everton, Notts County, Preston North End, Stoke City, West Bromwich Albion dhe Wolverhampton Wanderers.  I njohur gjithashtu si Tre Luanët, Anglia garon në tre turne të mëdha ndërkombëtare, Kupën Botës FIFA, Kampionatin Evropian UEFA dhe Ligën e Kombeve UEFA. Anglia është një nga tetë kombet që janë kurorëzuar Kampione e Botës, pasi kanë fituar edicionin e vitit 1966. Anglia, është përfaqësuese e  Mbretërisë së Bashkuar, dhe nuk është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe për këtë arsye ekipi kombëtar nuk garon në Lojërat Olimpike. Që kur hyri për herë të parë në turne në vitin 1950, Anglia është kualifikuar 15 herë në Kupën e Botës FIFA. Ata fituan Kupën e Botës 1966, kur ata gjithashtu pritën finalet, dhe përfunduan të katërtit në 1990 dhe 2018.  Anglia nuk ka fituar kurrë Kampionatin Evropian të UEFA-s, dhe  paraqitjet e tyre më të mira kanë qenë në vendin e tretë në 1968,  dhe 1996, kjo e fundit ishte organizatore. Fitoren më të thellë Anglia e ka realizuar në Belfast Irlandë, në 18 Shkurt të vitit 1882 me rezultatin 13-0. Humbjen më të thellë anglezët e kanë pësuar në Hungari, më 23 Maj 1954 me rezultatin 7-1. Shqipëri-Angli dhe 2 golat e anulluar padrejtësisht. Shqiponjat dhe Tre Luanët janë “përplasur” katër herë ndërmjet tyre. Ndeshjet kanë qënë të vlevshme për Eleminatoret e Kampionatit Botëror. Në Mars të 1989, Anglia fiton në Qemal Stafa, 0-2. Me 26 Prill 1989, Shqipëria humbet nw Wembley  5-0.  Në Mars të 2001, Anglia fiton në Tiranë 1-3 dhe në Shtator të po këtij viti 2-0 në Angli. 32 vite më parë në Wembley Stadium gjyqtari kryesor i takimit, i mohon Shqipërisë dhe Sulejman Demollarit një gol të rregull dhe model për nga mënyra e ekzekutimit. Ishte fundi i pjesës së parë, Tre Luanët udhëhiqnin 2-0, Sulejman Demollari pas një kombinimi me Nogën me shpinë pa e parë portën, me një goditje me trinë të plotë me të majtën shënon në portën e mbrojtur nga Shilton. Wembley hesht, tabelat elektronike shënojnë “gol”, por gjyqtarët nuk janë të këtij mendimi. Edhe sot e kësaj dite kur shikon pamjet e ketij goli, kupton që Shqipërisë ju mohua një shumë i rregullt. Gjyqtar ishte 45 vjecari norvegjez Einar Halle.  Historia përsëritet në Marsin e vitit 2001. Anglezët shënojnë të parët në të 74 me Ouen, 1-0, dhe në të 84 shënojnë golin e dytë me Skolls. Në të 90-tën Rraklli shënon për Shqipërinë 1-2. Pesë minuta më vonë Rraklli barazon në 2-2, por goli anullohet  në mënyrë të çuditshme, për posicion jashtë loje,  kur vetë anësori ishte 5 metra mbrapa aksionit të kuqezinjëve.Të djelën në Air Albania, Shqiponjat do të kërkojnë të çukasin Tre Luanët, shpikësit e futbollit modern. 
Angli-Shqiperi 5-01-0 (5) Gary Lineker2-0 (12) Peter Beardsley3-0 (64) Peter Beardsley4-0 (72) Chris Waddle5-0 (88) Paul Gascoigne

 England (4-4-2)NAME NOTES AGE CLUB1 Peter Shilton 39 Derby2 Gary Stevens sub 76′ 26 Rangers3 Stuart Pearce 27 Nottingham4 Neil Webb 25 Nottingham5 Des Walker 23 Nottingham6 Terry Butcher 30 Rangers7 Bryan Robson (c) 32 Manchester United8 David Rocastle sub 66′ 21 Arsenal9 Peter Beardsley 28 Liverpool10 Gary Lineker 28 Barcelona11 Chris Waddle 28 TottenhamSUBSTITUTES      12 Paul Parker on 76′ 25 QPR13 Chris Woods 29 Rangers14 Steve Hodge 26 Nottingham15 Paul Gascoigne on 66′ 21 Tottenham16 Alan Smith 26 ArsenalManager:Bobby Robson
Albania (5-3-2)1 Blendi Nallbani 17 FK Partizani2 Hysen Zmijani 25 Vllaznia Shkodër3 Agim Bubeqi 26 Flamurtari4 Skënder Hodja (c) 28 KS 17 Nëntori5 Skënder Gega 25 FK Partizani6 Fatbardh Jera 29 Vllaznia Shkodër7 Ylli Shehu 23 FK Partizani8 Artur Lekbello 23 KS 17 Nëntori9 Lefter Millo 22 FK Partizani10 Fatmir Hasanpapa sub 32′ 24 FK Partizani11 Sulejman Demollari 24 Dinamo TiranaRezerva2 Edmond Kela 21 –13 Pjerin Noga on 32′ 26 Dinamo Tirana14 Roland Iljadhi 25 Flamurtari15 Arben Arbëri 24 Tomori16 Ilir Kepa 23 Vllaznia ShkodërTranjer: Shyqyri Rreli
Angli – Shqiperi 2-0
Anglia: Simen, G.Nevill, Eshli Koul, Kempbell, Ferdinand, Xherard (Karrager 83), Skouls, Bekam, Barmbi (Mekmanaman 64), Heski (Fauler 55), Ouen. Tr.Erikson.
Shqiperia: Strakosha, Dede, Cipi, Xhumba, Fakaj, Hasi (Bushi 46), Murati, Bellai, F.Vata, Rraklli (Mukaj 63), Bogdani (Tare 56). Tr.Demollari
Shenues: 1-0 Ouen 44′, 2-0 Fauler 88′
Karton i verdhe: Murati, Hasi, Xherard.Goditjet nga kendi: 14-5
Gjyqtar: Huan Marin (Spanje)
Shikues: 52.000Albania 1 – 3 EnglandThis article is more than 20 years oldMatt BiggsTue 27 Mar 2001 19.10 ESTTeams
Albania: 1-Foto Strakosha; 2-Altin Lala, 5-Ervin Fakaj, 4-Arian Xhumba, 3-Geri Cipi, 6-Besnik Hasi, 9-Bledar Kola, 7-Arjan Bellai, 10-Fatmir Vata, 8-Alban Bushi, 11-Igli Tare. Substitutes: Beqaj, Rraklli, Muka, Duro, Skela, Dede, Fortuzi.
England: 1-David Seaman; 3-Ashley Cole, 5-Rio Ferdinand, 6-Sol Campbell, 2-Gary Neville; 4-Nicky Butt, 11-Steve McManaman, 7-David Beckham (captain), 8-Paul Scholes; 10-Michael Owen, 9-Andy Cole. Substitutes: Phil Neville, Nigel Martyn, Wes Brown, Jamie Carragher, Emile Heskey, Teddy Sheringham, Robbie Fowler.
Referee: Alain Hamer (Luxembourg).

Filed Under: Sport Tagged With: Albano Kolonjari Futboll, Shqipërisë-Angli

Mjaft me Robertin, faktoni ndryshimin!

March 27, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Robert Ndrenika është ikonë e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare. Kthejeni nga të doni, si të doni, qysh ta doni. Eshtë një nga korifejtë e fjalës apo batutës, të karakterit etj., mbi të gjitha tipik shqiptar. Ndaj nuk keni asnjë të drejtë ta mbani në gojë. Ka zgjedhur Edi Ramën, punë e tij. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i prish punë, zgjedhja e Robertit. Por të tjera indicje. Përshembull një makineri e tërë nanalistësh qeveritarë që megjithëse Sali Berisha nuk u duk fare në çeljen e fushatës së PD më 25 mars, ata  vërshuan, Berisha në krye. Kjo është opereta më vrastare e progresit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kujtohuni se Enver Hoxha mbajti pushtetin 45 vjet vetëm me propagandën e luftës së klasave, kulakun, armikun e popullit. Arrestoi e vrau sa deshi në emër të popullit. Sot fajin e ka Saliu është kthyer në një operetë gangrenë koralesh, blu e thellë. Berisha nuk ishte fare në çeljen e fushatës, por në shtëpi, kurse këta vërshojnë në kor, Berisha në krye. Ti i thua ekonomia, ata Berisha. Berisha është, nuk është Basha. Berisha nga pas Bashës etj. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i prish punë fare monologu i Bertit, që megjithëse nuk e ka shkëlqimin e mëparshëm, prapë është Robert Ndrenika. Jemi me fat që e kemi. Por janë të tjera indicje, propaganda mbi kiminë e opozitës me popullin. Lulin që shkon me vonesë në miting etj. Po e përdorë Edi Rama aktorin ikonë të shqiptarëve, Robert Ndrenika…, është punë e, së pari e Bert Ndrenikës pastaj e Edi Ramës, ama jo e shqiptarëve. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë se pëshpërimat me, ishe me mua, nuk je me mua, i duhen vetëm një personi, ky është Edi Rama. Nuk i duhen as Shqipërisë dhe as shqiptarëve. Dhe nëse vazhdoni e merreni me Robertin bënin punën e Edi Ramës, jo punën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Të gjithë duhet të kuptojnë një gjë, që Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Vini re Kosovën, nuk fitoi programi politik i Albin Kurtit, por ndryshimi. Nuk ishte Albini që u dha njerëzve kimi, këtë përcaktor kaq qejfdashës të kanalistëve të qeverisë. Ishte shoqëria, populli. Nanalistët e qeverisë thonë, janë nervozë opozitarët. Nuk janë opozitarët nervozë. Nuk kanë përse të jenë. Nuk merret qeveria me opozitën e shqiptarëve, por me popullin. Tregojuni dhe faktojani si firot dhe arritjet, aty i keni, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Një fakt të thjeshtë përshembull, sa e gjetët borxhin publik kur erdhët në pushtet më 2013-ën, sa është aktualisht. Ose një fakt tjetër, me indeksin 10% të të ardhurave në ekonominë shqiptare, motorin e emigracionit. Ngritët një dikaster me emrin e Diasporës. Sot emigrantët nuk votojnë akoma. Kreu i KQZ-ës, tha dje mbrëma se, kujtoja se sa do të ishin, por nuk gjeta më tepër se 300 vetë, 300 aplikime. Pse aq janë emigrantët shqiptarë nëpër botë? Jo asesi! Ky ishte dështimi i radhës që nën emrin e emigrantit, të paguhej një qokë ministrore me emrin Majko. Sot qeveria ia hedh fajin KQZ-ës, sikur ky institucion të jetë i alienëve, jo i shqiptarëve. KQZ-ja e Prishtinës, telefonoi e verefikoi për plot 1 muaj gjithë emigrantët kudo ku ishin dhe ata votuan. Kurse ne të dheut amë, faqa e zezë e Shqipërisë. Gjithsesi, opozitarizmi është post komod, nuk ka se si të të bëj nervoz, nervozë është Edi Rama që merret me vonesën e Bashës, me komisionerët e Europës etj. Jo vetëm Bert Ndrenikën por gjithë lukuninë e tallavasë të merrni nuk ka mandat të tretë, ka ndryshim. Doni apo nuk doni ju me kiminë e munguar të Lulzim Bashës etj., do, ndryshimi. Oksigjeni i domosdoshëm për një popull. Këtë bëri edhe Kosova, këtë do bëjnë të gjithë shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mjaft me Robertin

Llambi Turtulli – tenori dramatik nga Konservatori i Milano

March 27, 2021 by dgreca

Shkruan:NIKO KOTHERJA*- LLambi Turtulli;“Tenor – Studenti i Artit Këngës në Milano (Italise)” Xhaxhai i shkrimtarit te mirenjohur korcar Kristaq Turtulli.Llambi Turtulli është një emër i shquar mes klasikëve tanë muzikorë, një zë potent jo vetëm i skenave shqiptare, por më gjerë, në Evropë e deri në Amerikë. Lindur në Korçë në vitin 1907,origjina familjare e tij është mbresëlënëse. Llambi mori emrin e gjyshit të tij, Llambi Turtulli i Parë, i cili u vra në vitin 1886 në Pisoder. Bijtë e tij Nisi dhe Perika ishin njerëz të respektuarnë qytet e më gjerë, si në aktivitetin e tyre ekonomiko – tregtar, ashtu edhe për pjesëmarrjen në lëvizjen patriotike shqiptare. Motra e tyre, Katerina (Rinkë) Turtulli u martua me Gaqi Pepon,martesë nga e cila u lindën patriotët e shquar Gavril Pepo dhe Angjeli Pepo, luftëtarë dhe aktivistëtë Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë; Rodhopi Gaqi Çani (Pepo), ish nxënëse e Mësonjëtores se Vashave; Afërdita Gaqi Grameno (Pepo), bashkëshorte e rilindasit të shquar Koço Grameno. Nga ana tjetër, Perika (Perikli), xhaxhai i tenorit tonë, krijoi lidhje familjare e atdhetarin Andrea Katundi (motra e Katundit ishte bashkëshorte e Perikë Turtullit), ish diplomati dhe njeriu kyç iRepublikës Shqiptare të Korçës, në periudhën e Luftës I Botërore dhe krahu i djathtë i dëshmorit kombëtar Themistokli Gërmenji. Nisi Turtulli, babai i tenorit dramatik, pati shoqen e jetësEvdhoksi Ananezin, një luftëtare e emancipimit të gruas shqiptare, ndërlidhëse e çetave patriotike dhe mjeke popullore. Prej kësaj martese erdhën në jetë Llambi, Margarita e Pavlina, ish nxënëse të Mësonjëtores së Vashave e pas tyre Petro Turtulli, pjesëtar me armë në dorë i çetës patriotike tëThemistokli Gërmenjit. Akil Eftim, një tjetër personalitet i Rilindjes Kombëtare, që spikati s i delegat i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bullgarisë në Kongresin e Manastirit më 1908, vint nga kjo familje. Nëna e tij, Marga, ishte motra e Parashqevisë, bashkëshortes së Llambi Turtulli të Parë. Pjesë e këtij trungu familjar janë edhe vëllezërit Andrea Turtulli (tregtar në Korçë), Thoma Turtulli (patrioti dhe filantropi i shquar shqiptar), dr. Mihal Turtulli (mjek, rilindas dhe protagonist i jetës politike e shoqërore të Shqipërisë në fundin e shek. XIX dhe fillimshekullin XX), Vangjel Turtulli (patriot dhe aktivist i shquar, ish senator i Korçës).Llambi Turtulli mësimet e para i mori në Mësonjëtoren Shqipe të Vashave nën drejtimin e misionarëve amerikanë Phineas dhe Violet Kenedi pasi atë kohë brenda asaj shkolle u =el njëklasë për djem të vegjël. Nxënës të kësaj klase bashkë me të, kanë qenë edhe Vasil Gërmenji, Riza Mançe, etj. Kjo shkollë ishte kthyer në një vatër të rëndësishme të emancipimit shoqëror ekombëtar, që njihej si “Foleja Kombëtare”, e cilësuar prej Mihal Gramenos. Më pas shkoi në Bukuresht, ku mori mësimet e para në kanto. Në një letër të tij, Akil Eftim shkruan: “Lambi është si nzënës në Konservatorin të Rumanisë, dhe kje të kem siguri në dot dalë gjëkafshë e shpura në Zoti Profesor Toscani, kje edhe aju është Tenor, dhe më tha se ka një zë fort të mirë. Për këtë shkak i dha dhe një certificate ku ia dërgoj Nisit. Tashi bëni si të dini dhe në mundni të i preni një bursë për të bërë pagimin e Profesorit kje ta msojë iashtë skolisë.”2 Pas 1 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.Letër nga Bukureshti e Akil Eftimit dërguar Perikë Turtullit në Korçë, më 2 janar 1928, faqe 1. Origjinal. Arkivi iautorit. studimeve të para në Konservatorin e Bukureshtit, Turtulli u kthye në Korçë, ku dha koncertin eparë. Po këtë vit, më 1928, i pajisur me bursë të ministrisë së Arsimit për tre vite, u nis në Itali. Aty u regjistrua në Konservatorin e Milanos të cilin e përfundoi më 19363. Nga kartvizita e tij,informohemi se adresa e Turtullit në Milano ishte “Via Lecco, 15.”4 Përveç mësimeve universitare, Turtulli ndoqi kurse kantoje me emra të mëdhenj të interpretimit. Ai mori mësime private ngatenori i famshëm i “La Scala”-s, maestro Katulo, nga maestro Pikoli, nga profesori i shquar Barito San Marlo, etj. Karierën e tij në Itali, Llambi Turtulli e nisi me interpretimin në operan “CavaleriaRusticana” në teatrin “Puccini” të Milanos dhe më pas vijoi aktivitetet koncertore në shumë qytetetë Italisë. Në vitin 1930, Turtulli iu përgjigj ftesës së Neço Mukos për t’iu bashkuar grupit shqiptarnë regjistrimet e tyre pranë kompanisë diskografike “Pathé” në Paris. Në grupin e regjistrimeve të vitit 1930, Turtulli interpretoi dhe mori pjesë në këto materiale: “Daveli” (bashkë me Paleologun,Çakallin, Balën dhe Mukon), “Mban mënd”, “Ëndërat”, “Shkodra”, “Vallëtaria” (bashkë mePaleologun, Çakallin, Balën dhe Mukon), “Hurrah! Dëfrim!” (bashkë me Çakallin, Balën dhe Mukon). Dëshmohet se gjatë kësaj kohe ai regjistroi pranë kësaj kompanie edhe materialemuzikore në italisht, deri më sot mbetur të panjohura për ne.Dy vite më vonë, më 14 shtator 1932, një grup i përbërë nga Llambi Turtulli, Jorgjia Truja, Lola Gjoka e Thoma Bezhani, nën menaxhimin artistik të maestros Sotir Kozmo dha në Korçë njëkoncert artistik, i cili ishte: “koncerti i parë vokal – instrumental, me të cilin në Shqipëri do të startonte historiku i artit interpretues profesional.”5 Në këtë koncert, Turtulli interpretoi pjesët ePuçinit “Turandot” dhe “Nessun Dorma”6. Shfaqja u organizua nga Shoqata Sportive Krahinorepër ndihmë të Shoqërisë sportive “Skënderbeu”. Jehona e koncertit shkoi deri në kryeqytet. Me interesimin e Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, ky grup përsëriti koncertin e Korçësnë “Cinema Theatër Diana” në Tiranë. Aktiviteti, organizuar nga Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”, kësaj radhe do t’i vinte në ndihmë Kryqit të Kuq Shqiptar. Ky “Koncert Artistik prejShqiptarësh” u mbajt në orën 21:00, më datën 8 tetor, në kuadër të kremtimeve të ditëlindjes së Mbretit Zog I  Në kujtimet e saj për këtë koncert, Truja shprehet: “Koncerti i katërshes sonë qe mjaft i pasur dhe u prit me shumë duartrokitje. Ai u organizua në ndihmë të Kryqit të Kuq. Koncertiu pasua nga një banket.”Në vitin 1935 Turtulli shkoi në Zvicër, ku këndoi në 12 koncerte në Lugano, me audiencë nga personalitete të nivelit botëror. Pas diplomimit, në vitin 1937 shkoi në Budapest, ku interpretoi në operan “Lucia Di Lammemmoor”, “Tosca” dhe “La Bohemé”si dhe zhvilloi një turne në Gazeta “Bota”. Boston, Mass., 1 tetor 1937, faqe 1.4 AQSH. F. 614, d. 12, fq. 66. Kartvizitë e Llambi Dh. Turtullit dërguar Petro Martinit në Tiranë.5 Hamide Stringa “Ëndrra dhe realitete – Jorgjia Truja (Filçe)”. Tiranë 2006, faqe 50.6 Të dhënat sipas programit të koncerit, faqe 2. Arkivi i autorit.7 Të dhënat nxjerrë nga materiali promocional i shfaqjes. Arkivi i autorit. Hamide Stringa, vep. e cituar, faqe 53.  Gazeta “Bota”, vep. e cituar.shtetet e Ballkanit, ku prezantoi koncerte me muzikë popullore shqiptare10. Në qershor të atij viti, kur këndonte në Itali, pranoi propozimin e agjentit të kompanisë “Opera San Carlos Cincinnati” për një turne amerikane. Udhëtoi drejt Amerikës dhe për shtatë javë rresht Turtulli këndoi nëstudiot e ndryshme të radiove të Bostonit.Njohës i tre gjuhëve të huaja frëngjisht, greqisht dhe italisht, Turtulli me koncertet e tij udhëtoi tre herë nëpër Evropë. Anglia dhe Gjermania ishin vendet ku nuk dha koncerte dhe tëvetmet shtete që nuk i vizitoi Llambi Turtulli u martua me pianisten Norma Nasy, e diplomuar në shkollën e muzikës “Julliard” dhe në Universitetin “Columbia”. Ata mbanin një studio në Nju Jork, te e cila shpresonin të ktheheshin pas Luftës për të vazhduar me punën koncertale dhe mësimdhënien. Në Amerikë, Llambi dhe bashkëshortja e tij Norma interpretonin në valët e radios, siç dëshmon shtypi i kohës.Aktivitetin e vet Turtulli e vijoi me koncerte, të cilat gjithnjë përmendeshin nga gazetat e Amerikës. Në janar 1943 u përfshi në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Nju Jork. Atyformësoi dhe drejtoi një kor në një kishëz të Ushtrisë Amerikane16 Reshtimi i tij në “US Army” ka qenë arsye vendimtare që atij t’i ndalohej hyrja në Shqipërinë komuniste pas përfundimit tëLuftës II Botërore. Sipas dëshmisë së familjarëve të tij, rreth fundit të viteve `60, u nis nga Amerika me shpresën se do të mund të hynte në Shqipëri nga ana e Greqisë. Mbërritur deri në kufi, Turtullitiu ndalua hyrja në atdhe. Pjesëtarët e familjes së tij të mbetur në Korçë, që ai nuk arriti kurrë t’i takonte, vuajtën persekucione dhe provuan sekuestrime të skajshme. Vëllai i tij, Petro Turtulli, veteran i lëvizjes patriotike shqiptare, u dënua nga regjimi totalitar i kohës. I kthyer në Amerikë, tenori vijoi aktivitetin e tij. Nga valët e “Zërit të Amerikës” përshëndeti shqiptarët në një intervistë dhe këndoi në shqip. Ai nuk e mësoi që përtej Atlantikut, vëllai i tij Petro – strukur në një cep të shtëpisë që vëzhgohej vazhdimisht nga Sigurimi i Shetit – arriti që të kapte valët e radios dhe të dëgjonte mes lotësh kumtimin e vëllait të tij artist. Ky do të ishte “takimi” i fundit i vëllezërve në gjallje.Tenori Llambi Turtulli vdiq në Kaliforni, më 10 qershor 1979.

*E dergio per gazeten Dielli shkrimtarit Kristaq Turtulli.

Filed Under: Histori Tagged With: Lamb Turtulli, Niko Kotherja, Tenori

“DIELLI”, NUMRI I RI NE PRINT U NIS DREJT ABONENTËVE DHE INSTITUCIONEVE AMERIKANE

March 27, 2021 by dgreca

Sot në orën 9 të mëngjesit(26 Mars 2021) gazeta Dielli, ashtu si për 111 vite radhazi, është nisur drejt lexuesëve , bibliotekave, institucioneve, departamentit të Shtetit Amerikan, albanologëve, nëpër shtetet e Amerikës së Veriut dhe Kanadas. Faleminderit bashkëpunëtorëve dhe redaksisë.Ky numër ka 14 faqe në gjuhën angleze dhe 22 faqe në gjuhën shqipe. Falenderim i vecantë shkon për studentet Franka Veliu(mbesa e sekretares së Vatrës-Nazo Veliu) dhe shoqes së saj studentëve- Rea Hasanaj, që si për cdo numër, ndihmuan në përpunimin dhe përgatitjen e gazetës për postim. Faleminderit gazetarit të Diellit Sokol Paja, që ishte pjesë e grupit së bashku me editorin, si dhe anëtarin e Kryesisë së Vatrës, të papërtuarin Mark Mrnacaj, që ndihmoi për ta transportuar gazetën në zyrat e postës. Lexim të mbarë! Për ju që jetoni në Bronx, gazetën mund ta gjeni në Arthur Ave: ALB TV; Briska, Kosova dhe pranë zyrave të Vatrës.Bashkëpunoni me ne në e-mail-gazetadielli@gmail.com

Filed Under: Kronike Tagged With: GAZETA"DIELLI", Mars 2021-Dielli ne Print

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT