• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

BETEJA PER VLOREN-Bujar Leskaj kunder Edi Ramës

April 16, 2021 by dgreca

Nga GEZIM ZILJA/

“Ç’bëjnë ata Leskot andej nga Vlora mo Damjan? ” pyet gjithë tangërllëk të shtirur kryeministri me prapanicën e rehatur në makinë. Po Damjani është i zgjuar. E di që vallja hidhet ndryshe tani në Qarkun e Vlorës, andaj para se të flasë, bën khë-khë, pastron mire zerin, që të mos i dalë ndonjë zanore fyese kundër Bujar Leskajt, gjë që do e dëshironte shumë, beu i tij, alias kryeministri. Që kur burri trim, i mençur dhe i sukseshëm i Vlorës, u emërua Drejtues Politik, kryeministri kudo që të jetë: në mal, në fushë, në asfalt, beton, rrugëve të shtruara e të pashtruara, nuk i mbyllet goja e do të pyesë për “Leskon” e Vlorës plot ironi e përbuzje. Do të bëjë të fortin, por në të vërtetë do të mbysë ndjenjën e inferioritetit, që e ndjek e po i mer frymën qysh se mesoi se kundershtari i tij ishte Bujar Leskaj. Dukshëm kjo ndjenjë i shfaqet kur përballet me njerëz trima, plot dinjitet, jo konformistë qoftë dhe brenda llojit të vet. Nga që nuk i intimidon dot të gjithë, fillon e shet të trasha apo sokëllin e bën gjeste jo normale, me megallomaninë që e karakterizon. Edhe ato veshjet allasoj, që del festave e përvjetorëve nga pasiguria e dëshpërimi i vijnë, dhe sidomos nga frika e madhe e zullumeve, që njerëzia të harrojë dështimet dhe korrupsionin e madh qeveritar, e të merren me kollaret, brekushet turke (jo poture labërie), këpucët, stilolapsat e xhinglat e tjera. Pasi mbaron punë me gazetarët, duke i quajtur  kazanë, tepsi, sini, legena e govata ( këta sërish i shkojnë në intervista dhe ai prapë e prapë i shan e shantazhon qënçe) mendon se do t’i ecë dhe me Bujar Leskajn. Po tashmë “shtëpia ka zot.” PD-ja e Vlorës vetëm në mars, ka bërë tre denoncime në prokurori për afera korruptive të qeverisë. 

Mbiemri i kandidatit vlonjat është Leskaj, me origjinë nga fshati me histori Drashovica, nga fis i përmendur për trimëri e besë. Është djali i burrit të respektuar Fahrudin Leskaj, nga zanatçinjtë duarartë të Fabrikës së Çimenos, kampionit në radioamatorizëm dhe trajner i këtij sporti për vite me rradhë. Megjithëse, bashkshorten e humbi herët, ai i rriti fëmijët plot dinjitet e ndershmëri si ia donte sëra nga vinte, duke u bërë nënë e babë njëkohësisht. Qysh në shkollën e lartë Bujar Fahrudin Leskaj, dashurohet dhe lidhet më vonë me martese me Silvanën,  diplomuar në universitetin e Tiranës, një grua e fortë plot sqimë, që krahas rritjes e edukimit të fëmijëve megjithëse e martuar, me një burrë në karrierë, ia ka dalë të vazhdojë edhe punën e saj modeste. Nga kjo martesë, që vazhdon shëndetshëm u lindën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. E meqënëse jemi te prejardhja kryeministri është i biri i Kristaq Ramës, skulptor, ish-pjesëtar i udhëheqjes së lartë komuniste në vitet 1980-të, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe mjekes  Aneta Rama (Koleka), nga Vunoi, mbesë e Spiro Kolekës, ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Nëse kryeministri mendon se kjo prejardhje 100% komuniste është më e fisme se e Leskajve të Drashovicës gabon rëndë, po nuk është qëllimi i këtij shkrimi t’i hymë historive me komunistët që i shërbyen diktaturës. 

Në 1986 Edi Rama u martua me Matilda Makoçin aktore, që u shfaq si një yll në kinematografine shqiptare ato vite. Nga martesa lindi një djalë Gregori. Ata u ndanë me gjyq në 1991. Pak më vonë kryeministri i ardhshëm martohet me pedagogen e Fakultetit Histori-Filologji, Delina Fico. Pas gjashtë vitesh Rama ndahet sërish. Më 1998 kur u thirr nga Fatos Nano për tu bërë ministër bashkëjetonte me antropologen gjermane Caroline Hornstein në Tiranë. Caroline ndahet me Ramën më 1999. Po atë vit Rama shihet në krah të moderatores së njohur Rudina Magjistari 11 vjet më e vogël. Edhe kjo marëdhënie përfundon në fund të vitit  2006 pa martesë. Mardhëniet e Edi Ramës me Lindita Bashën (Xhillari) flitet se kanë filluar aty nga viti 2000. Edi Rama dhe Lindita Basha u martuan më 2010 dhe kanë së bashku një djalë. Të deklaruara gjithsej tre martesa me kurorë dhe dy bashkëjetesa. Nëse Rama mendon se jeta personale e Kryeministrit është me e fisme se e drejtuesit politik të PD-së Bujar Leskaj, (jo Lesko) prapë gabon rëndë. Në jetën akademike, shkollimit e kurseve të kualifikimit brenda e jashtë vendit piktori është shumë larg inxhinierit, ekonomistit juristit( tre diploma) dhe Doktorit të Shkencave Ekonomike.

 Por le të shikojmë raportet e tyre me Vlorën këto tetë vjet. Bujar Leskajt dashuria për Vlorën i është ushqyer në familje qysh me qumështin e nënës e deri sa u rrit e u bë burrë. Megjithëse jo pjesë e qeverisë, ai ka qenë i pranishëm në Vlorë në të mirë e në të keq. Ata që e njohin e dinë sesa ka bërë ai për qytetin e tij, për shtresën e të përndjekurve, për njerëzit e thjeshtë të djathtë e të majtë, për kulturën, librin, kujtesën historike të qytetit, ndihmën e pakursyer ndaj artistëve, shkrimtarëve, poetëve të qytetit e më gjerë, në gjallërimin dhe ripërtëritjen e këngës polifonike, deri në ngritjen e laboratorëve të informatikës dhe dhurimin e qindra librave, bibiotekave të shkollave të Vlorës e rrethinave. Këtë anë shpirtërore të qytetit kryeministri i betonit nuk e njeh fare sepse Ramën shpirtërisht asgjë nuk e lidh me Vlorën. Ai dhe qeveria e tij nuk ka pasur dhe as nuk kane nje plan zhvillimi per Vloren, Rama gjen bisnesmene e miq ne Tirane, u jep me kontrate Bregun e Detit, zonat turistike, sherbimet, portin dhe aeroportin sipas kerkesave dhe qejfeve te tyre. Edhe në një copë tokë në Skelë, trashëguar nga Kolekajt, ai ndërtoi pallat 9-katësh në 100% të sipërfaqes, duke zvogëluar trotuarin, e shëmtuar atë lagje të bukur tradicionale, gjithë pemë e trëndafila. Ka bërë dhe ndonjë rrugë, se nuk do i binte fyellit e penelit tetë vjet, por betoni dhe asfalti, që ai ka hedhur kanë ndërtuar një Vlorë, që i shërben atij dhe miqve të tij. Vlora po thahet për një pikë ujë: në verë lagjet e vjetra nuk kanë më shumë se dy orë ujë në ditë, megjithëse taksa u dyfishua. Baj-Passi i Vlorës (ka tetë vjet që “punohet”) nuk u ndërtua; paratë u bën rrush e kumbulla dhe rruga rilindase me rrepe e palma azmatike, Vlorë-Tunel sidomos në verë është një ferr i vërtetë Pylli i Sodës, mushkria e Vlorës është degraduar plotësisht, lagjet e periferisë janë harruar nga qeveria dhe duket se dhe Zoti po i braktis ata fatkeqë. Shëtitorja e famshme pakësoi me 30% sipërfaqet e gjelbëruara dhe gjithë ujrat e zeza të 25.000 banorëve vazhdojnë e derdhen në det nga Skela në Ujin e Ftohtë, rrugën Selenicë-Peshkëpi nuk e ndërtoi e la gërmadhë, Portin e Vlorës pasi derdhi 30 milion euro, ia bëri dhuratë miqve të vet me PPP. Tani zotohet se do të ndërtojë tunelin e Llogorasë, aeroportin, rrugën Orikum-Dukat ( kjo rrugë është gati), Portin e Ri në Zvërnec etj. Edi Rama po ndryshon Vlorën sipas shijes së tij, duke ia humbur identitetin dhe historinë. E la blegtorinë e bujqësinë në ditë të hallit. As u kujtua të subvenciononte institutin e famshëm të ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë, flotën e peshkimit apo rehabilitimin e administrimin e kënetës së Nartës, pasuri të mëdha për  Vlorën. Por edhe për anën shpirtërore ai bëri zero punë. Nuk rikonstruktoi Varrezat e Luftës së vitit 1920, as atë të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, që po shkatërrohen çdo ditë, nuk shtoi as një tullë e asnjë foto në Shtëpinë Muze të Pavarësisë, nuk ndërtoi asnjë shkollë, park pushimi, ( pyll orbital thonë rilindasit) muze, ( as atë të flotës detare që është gati te Shkolla e Marinës) vepër arti, kinema ( tridhjet vjet pa një të tillë), galeri arti, apo bibliotekë të re. 

Në fund të tetë viteve vlonjatët në qytet kanë më pak vende pune dhe më pak lekë në xhepat e tyre. Gjithë administrata është njëngjyrëshe, duke ndarë e lënë pa punë ata që nuk janë rilindas. Turizmi me gjithë tamtamet qeveritare është shumë larg asaj që kërkon koha, megjithëse vlonjatët po bëjnë të pamundurën, që me sforcime të mëdha të ngrenë turizmin familjar. Resortet e Dhërmiut e të Rrugëve të Bardha janë për një grusht njerëzish dhe nuk rrezatojnë në mirëqënien e qytetit. Gjuha e urrejtjes, e përbuzjes, e nënvleftësimit, e logjikës se vetëm Rama me ballat, spiropalët, me administratorë, drejtues, sipërmarrës e politikanë të dërguar nga Tirana, mund ta bëjnë Vlorën e askush tjetër është e gabuar dhe larg mendimit qytetar vlonjat. Nuk ka racë të ulët e të fisme në Vlorë, (lesko, gazetarë kazanë, tepsi, kusi) si mendon kryeministri përderisa të gjithë jemi shqiptarë. Gjuhën e urrejtjes, e përbuzjes, e shpalljes së kundërshtarit politik armik, Rama e përdor të mbajë të përçarë vlonjatët. Bujar Leskaj, dhe kandidatët demokratë të Vlorës, shpalosin programin dhe premtojnë vetëm ato që mund të bëjnë dhe që janë në dobi të gjithë komunitetit, pa sharë, denigruar e shantazhuar kundërshtarët politikë. E në këtë drejtim ata e kanë mundur Edi Ramën. Vlonjatët le të votojnë për bijtë e tyre më të mirë qofshin të majtë ose të djathtë. Por jo për Edi Ramën e sektin e Rilindjes, përçarësit e mëdhenjë të vlonjatëve, të betonizimit, të shpërfytyrimit e grabitjes së qytetit. Në Vlorë, vendin e bekuar, duhet të sundojë paqja, mirëkuptimi, gjelbërimi dhe fëshfërima e përjetëshme e ullinjve, nespullave, qitrove, limonave, mandarinave e portokalleve, aroma e jodit, zhurma e dallgëve për të gjithë, që vlonjatët, të ndihen pronarë të vërtete e jo të huaj në qytetin e tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Beteja per Vloren, Bujar Leskaj, Gezim Zilja

PSE U PENGUA VOTA E DIASPORËS?

April 16, 2021 by dgreca

Florian Haçkaj drejtues i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën politike në Shqipëri, votën e munguar të diasporës, keqqeverisjen, opozitën, gjuhën e urrejtes, kërcënimit në fushatë dhe mbi të gjitha thirrjen për diasporën shqiptare që të bëhet pjesë e ndryshimeve rrënjësore në Shqipëri. Me Florian Haçkaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA. 

QEVERIA NUK REALIZOI AS GJËRAT JETIKE NË SHQIPËRI

Çdo shqiptar sot duhet të bëjë një bilanc të thjeshtë me arkën e tij financiare, me nivelin e shkollave, shëndetësinë, sigurinë kombëtare, punësimin, reformat jetike për vendin, integrimin, luftën ndaj krimit e korrupsionit, rritjen e standartit të jetesës etj. Janë gjërat jetike që mungojnë në Shqipëri e nëse një qeveri që ka 8 vite në pushtet e shumë nga këto më sipër, jo vetëm që nuk i ka realizuar por i ka përkeqësuar, atëhere përse e do përsëri një mandat tjetër? Për rritjen e borxhit publik në nivele marramendëse, për rritjen e taksave, për cënimin e të drejtës së fjalës dhe të tubimeve, për dhunën policore, për kapjen e shtetit, për krijimin e fenomenit parti-shtet apo për çfarë tjetër? Qeveria nuk e meriton asnjë mandat tjetër. Dështoi në përmbushjen e kontratës me zgjedhësit. Shumica e lexuesve tuaj jetojnë në perëndim prej vitesh dhe sado që shohin FB e Ramës me foto që shkëlqejnë, ata janë në gjendje të bëjnë krahasimin me vendet e tyre dhe të mos bien pre e propagandës, duke u nisur nga dashuria për të parë një Shqipëri më të begatë. E kanë krahasimin me vendet e tyre ku nëse shtrohet një rrugë, nuk ka 10 punëtorë e një fotografe të cilët e marketojnë atë më pas. Shteti paguhet nga taksat tona për të na shërbyer kështu që edhe kur bëjnë punë, thjeshtë po bëjnë detyrën por edhe atë po e bëjnë keq sepse mungon gara nëpër vepra publike dhe paratë i shkojnë vetëm disa firmave afër pushtetit. Mirëqënien e një vendi nuk e tregojnë fotot e bukura në FB por shifrat e investimeve të huaja në vend, numri i ulët emigrimit masiv të qytetarëve apo rikthimi i trurit, niveli i lartë i shëndetësisë dhe renditja e universiteteve kombëtare në nivel ndërkombëtar. Të gjitha këto janë si mos më keq dhe Shqipëria renditet në një rang me shumë vende afrikane, sado që jemi në mes të Europës dhe vetëm 2 orë fluturim nga Brukseli, kryeqyteti i familjes së madhe evropiane, ku metojmë të bëhemi pjesë. 

KUSH E PENGOI VOTËN E DIASPORËS?

Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, është një lëvizje gjithëpërfshirëse dhe premtojmë të jemi opozitë e keqqeverisjes, pa marrë parasysh cila parti është në qeveri. E keqja më e madhe e Shqipërisë sot, është partia-shtet që drejton dhe këtu bëjmë thirrje për ndëshkim me votë. Vota e diasporës si fillim nuk u miratua si pasojë e mungesës së vullnetit politik në tërësi por edhe e qeverisë në veçanti. E them këtë sepse qeveria ka tashmë 8 vite në pushtet dhe prej mëse 2 vitesh që kur se opozita ka dalë nga Parlamenti, ajo ka marrë vendime pa fund në interes të saj. Përveç vullnetit politik kemi të bëjmë edhe me anën teknike që ishte rrjedhojë e mungesës së vullnetit, ana e zgjidhjes teknike iu la KQZ-së për një kohë shumë të shkurtër ku asgjë nuk ishte e sigurtë. Baza e regjistrimit të Shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, do ishte e-Albania dhe sot që flasim, kemi mbi 910000 shtetas, të dhënat e të cilëve janë vjedhur më shumë mundesi nga e-Albania. Aq më tepër që këto të dhëna janë përdorur nga partia socialiste për të mbushur bankën e të dhënave të veta duke bërë kalkulime rreth votuesve. Gjej rastin t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit të diasporës shqiptare nëpër botë, të bashkohet e të ngrejë zërin fort që Diaspora të ketë mundësinë e votës në zgjedhjet e ardhshme por edhe të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin Shqiptar. Diaspora për Shqipërinë e Lirë është e hapur për këdo që dëshiron të ndihmojë.

“DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË” PËR NJË SHQIPËRI TË BEGATË DHE TË ZHVILLUAR

Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, është një nismë qytetare e lindur në mërgatë, e cila angazhohet në mënyrë pro-aktive për përfshirjen e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe ato politikbërëse brenda Shqipërisë. Duke ndjekur me keqardhje gjendjen e vështirë ekonomiko-politiko-sociale në të cilën gjendet Shqipëria, jam i bindur se ka ardhur momenti që gjenerata e re Shqiptare e mirëformuar jashtë, të japë kontributin e vet për fatet e vendit. Kjo ëndërr për një Shqipëri më të mirë e të begatë është mishëruar fort në lëvizjen “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ku janë bashkuar me qindra mbështetës aktivë, të cilët janë motivim për këdo që ka fatin të punoje me ta. Ajo ç’ka e bën të mundur ekzistencën e lëvizjes tonë është ndjeshmëria ndaj çështjeve politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” mbron me pasion e profesionalizëm kauzat për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” është një bashkësi patriotësh, atdhetarësh, profesionistësh, njerëz që kanë pasion e këmbëngulje për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë sa më dinjitoze në sytë e botës dhe për të rritur mirëqënien për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë aty. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” synon që të faktorizojë diasporën e bashkë me të, të sjellë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri. 

GJUHA BULLISTE DHE URREJTJES NË FUSHATËN E RAMËS 

Fushata po bëhet e tensionuar dhe kryeministri Rama përgjatë gjithë kësaj periudhe ka përdorur në publik, në fushatë ndaj kundërshtarëve një gjuhë tallëse, urryese, fyese, kërcënuese dhe përqeshëse. Një gjuhë totalisht e pa pranueshme për një kryeministër. Më habit shumë fakti se si nuk flasin edhe vetë socialistët por rrinë të ulur në një sallë duke i konfirmuar kryeministrit që ai është në rrugën e duhur. S’po flasim pastaj për shoqërinë civile, e cila pak e ngriti zërin kundër këtij fenomeni të turpshëm.

QEVERIA PO PËRDOR PËR FUSHATË VAKSINIMIN

Qeveria po bën fushatë politike me vaksinat. I tërë procesi po propagandohet publikisht si një meritë e qeverisë dhe posaçërisht e kryeministrit. Vaksinat erdhën një herë me valixhe e më pas në një masë më të madhe, fiks gjatë fillimit të fushatës. Kryeministri po shprehet në daljet e tij publike, citoj: nëse s’më votoni mua, s’ka më vaksina. Nuk di c’të them por të jesh 8 vite në qeveri dhe ta ndërtosh gjithë fushatën mbi 2 fatkeqësi natyrore si termeti dhe pandemia, duhet të kesh dështuar në çdo anë tjetër gjatë qeverisjes tënde. 

QEVERIA NËPËRMJET FORCËS, TREGOI DOBËSINË E SAJ

Përgjatë pandemisë kryesisht por edhe përgjatë protestave e tubimeve, reagimi shtetëror policor ka qenë i dhunshëm, komik e deri absurd. Policë, tanke, forca të armatosura, në rrugë etj ishin një forcë e dobët e qeverisë. Intimidimi dhe dhuna ndaj qytetareve përgjatë qeverisjes së Ramës, duket se janë e vetmja gjuhë që kjo qeveri ka gjetur për të komunikuar me qytetaret e saj e kjo është për të ardhur keq. Bllokimi i fjalës së lirë, shantazhimi i vazhdueshëm i qytetarëve, dhuna policore në rritje e shumë fenomene të tilla në rritje e kanë kthyer shtetin në shkelës të të drejtave të njeriut dhe jo më garantues i tyre.

QEVERIA E KTHEU VËNDIN NJË SHTET MONIST

Europol, Transparency International e të tjera organizata prestigjoze kanë shprehur në publikimet e tyre të fundit, kapjen e shtetit në çdo hallkë nga rilindja e drejtuar nga z. Rama. Gjithçka është nën kontroll total të një individi. Në vitin 2019 në Shqipëri në fakt patëm zgjedhje moniste ndërsa sot kryeministri i partisë-shtet bën thirrje që nëse ai nuk merr mandatin e tretë, çdo gjë do duhet të rifillojë nga fillimi. Pra e sheh veten si një lloj mbreti që kërkon legjitimitet në mënyrë autokrate se si po e drejton shtetin, financat publike, luftën ndaj krimit e korrupsionit, reformat jetike në vend e këto për mua janë qartazi hapa në drejtimin e gabuar për Shqipërinë si pasojë direkte e qeverisjes së keqe. Sipas shprehjeve të ditëve të fundit të Ramës, me atë fillon e mbaron historia, por unë mendoj se Shqipëria është më e madhe se cilido kryeministër që drejton apo dëshiron të drejtojë vendin. Njerëzit ikin e vijnë, Shqipëria ngelet.

KUSH ËSHTË FLORIAN HAÇKAJ?

Është larguar nga Shqipëria pas gjimnazit në vitin 2002, për të studiuar në Gjermani ku dhe u diplomua në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bielefeld-it, në fushën e Ekonomisë, me fokus në Menaxhim ndërkombëtar. Gjatë studimit ka qenë i angazhuar vullnetarisht me rrjetin ASAN (Albanian Students Abroad Network), duke këshilluar e ndihmuar studentët Shqiptarë që dëshironin të studionin në Gjermani. Fill pas përfundimit të studimeve, Florian Haçkaj filloi karrieren e tij profesionale si menaxher në një kompani ajrore në Belgjikë e Gjermani, duke e vazhduar atë më pas në një tjetër kompani në Austri e Zvicër. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu një studim post-Master në «Menaxhim Turizmi» në Universitetin e Lucernës në Zvicër. Pas mëse 5 vitesh në fushën e aviacionit kaloi në fushën e informatikës e përkatësisht asaj të Sigurisë Kibernetike ku punon prej më shumë se 6 vitesh. Prej 4 vitesh drejton departamentin që punon ngushtë me agjensitë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare, misionet e të cilave, janë tejet motivuese për të. Në vitin 2018 kreu studimet shtesë për “Ekselencë në Menaxhim” pranë HSG (Hochschule St. Gallen). Sido që më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar jashtë Shqipërisë, Florian Haçkaj mbetet një qytetar i preokupuar shqiptar. Pasioni i tij për alpinizmin i ndërthurur me atdhedashurinë, e ka bërë të valvisë flamurin Shqiptar në majat më të larta në botë.  

Filed Under: Featured Tagged With: diaspores, Pengimi I Votes, Sokol Paja

GAZETARJA NGA TETOVA VIZITOI VATRËN

April 15, 2021 by dgreca

Gazetarja nga Tetova, Gjyla Halili, vizitoi sot pasdite(e Enjte 15 Prill 2021) Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Gazetarja  e shoqëruar nga z. Musolli me banim në Detroit, u prit nga Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, kryeredaktori i gazetës “Dielli” Dalip Greca dhe anëtari i Këshillit të Vatrës biznesmeni Mhill Gjuraj.

Gazetarja ka marrë pjesë në veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, organizuara nga Shoqata Malësia e Madhe në Michigan.

Me historinë 109 vjecarë të Vatrës dhe me me udhëtimin 111 vjecar të Gazetës Dielli, mysafiren e informoi drejtuesi i gazetës Dalip Greca.

Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, e informoi për aktivitetin në qendër të Federatës dhe të degëve nëpër shtetet e Amerikës dhe Kanadas.

Gazetarja shkroi në librin e vizitorëve mbresat e saj gjatë vizitës së parë në Vatër, duke e cilësuar si një nga më mbreslënset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për gazetarinë dhe bashkëpunimin mes Diellit dhe portaleve që gazetarja Halili drejton.(Korresp i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: Gazetarja nga tetova, Gjyla Halili

MUAJI I RAMAZANIT NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN

April 15, 2021 by dgreca

DIELLI me shqiptarët në Melburn – Australi./

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN /

Imam Dr. Bekim Hasani, imami i komunitetit shqiptar në Melburn të Australisë rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, organizimin e komunitetit shqiptar në Melburn, rëndësinë e muajit të Ramazanit, bashkëjetesën vëllazërore, vepra të ndryshme bamirësie si: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Me Imam Dr. Bekim Hasani bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

RËNDËSIA E MUAJIT TË RAMAZANIT NË BESIMIN ISLAM

Ramazani ka një rëndësi të veçantë në fenë islame. Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiderohet si njëra nga pesë shtyllat e fesë islame. Allahu na ka treguar në librin e shenjtë se qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm dhe të afrohemi sa më afër Krijuesit tonë. Agjërimi ka një shpërblim të madh tek Zoti Fuqiplotë ngaqë njerëzit të cilët agjërojnë, e bëjnë këtë vetëm për ta kënaqur Zotin e tyre edhe pse askush nuk mundet ta dijë se kush agjëron dhe kush jo. Nga Pejgamberi alejhi selam transmetohet: Allahu i Madhëruar ka thënë: -“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj”. Nga ky hadith kuptojmë gjithashtu se agjërimi nuk do me thënë vetëm abstenim nga ushqimi dhe pija mirëpo tërë trupi i njeriut duhet të agjërojë duke filluar nga sytë, veshët, duart, këmbët e posaçërisht gjuha e njeriut. Gjuha duhet të largohet nga fjalët e ndyta dhe nga sharjet edhe nëse dikush e ofendon muslimanin me fjalë, ai duhet t’ju tregoj atyre se është agjerueshëm. Pejgamberi a.s gjithashtu thotë: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifjen), All-llahu nuk ka nevojë që i tilli ta lë ushqimin dhe pijen e tij. “Në transmetimin tjetër, hadithi fillon me fjalët: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe ashpërsinë në shprehje dhe sjellje”. Zoti xh.sh i ka nderuar agjëruesit duke e quajtur një derë të xhenetit “Er-rejjan” nëpërmjet të cilës vetëm agjëruesit do hynë në xhenet. Pejgamberi a.s thotë: “Në Xhennet ekziston një derë që quhet Rejjan nga e cila hynë agjëruesit në Ditën e Kijametit dhe askush tjetër nuk hyn nga ajo derë . E kur të hyjnë ata, ajo mbyllet e askush tjetër nuk hyn”. 

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN 

Komuniteti shqiptar musliman në shtetin e Viktorisë ka organizuar aktivitete të ndryshme gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në katër xhamitë shqiptare që gjenden në shtetin e viktorisë (xhamia shqiptare në qytetin e Sheppartonit konsiderohet si xhamia më e vjetër jo vetëm në shtetin e Viktorisë por në tërë australinë ngaqë qysh nga themelimi i saj ka qenë e hapur dhe funksionale deri me sot. Por edhe xhamia shqiptare në Melburn konsiderohet si xhamia më e vjetër në Melburn që është themeluar në vitin 1969. Nga aktivitetet fetare gjatë Ramazanit, vlen të theksohet organizimi i iftareve të ndryshme kolektive, falja e teravive në katër xhamitë shqiptare, manifestim i veçantë për hir të natës së madhe të Kadrit, falja e Bajramit, si dhe organizmi i mbrëmjeve gazmore për hir të festes së Bajramit etj.

RELIGJIONI NË KUSHTE PANDEMIE, MOTIVIMI I BESIMTARËVE

Koha e pandemisë është një sfidë për të gjithë duke përfshirë edhe komunitetin shqiptar musliman në Melburn të Australisë. Unë si prijës fetar i komunitetit shqiptar musliman në Melburn por edhe prijësit e tjerë, jemi munduar të jemi pranë bashkatdhetarëve tanë në këto kohë të vështira duke mbajtur ligjërata të shumta nëpërmjet rrjeteve sociale, komunikimi me telefon, duke i vizituar ata në shtëpitë e tyre posaçërisht ata që janë më të vjetër dhe nuk kishte kush të kujdeset për shëndetin dhe ushqimin e tyre. Unë kam një leje udhëtimi nga shteti që të kam mundësi të udhëtoj në kohe pandemie kur shteti ka qenë i mbyllur dhe të i ndihmoj ata që ballafaqohen me me dhunë familjare, depresion, apo çfarëdo ndihme që komuniteti kërkon nga ne. 

HARMONIA NDËRFETARE NJË SHEMBULL EDHE NË AUSTRALI

Komuniteti shqiptar në Australi ka një harmoni ndërfetare të shkëlqyeshme që është shembull për shumë komunitete tjera në këtë vend. Çdoherë kur kemi manifestime të ndryshme si fetare ashtu edhe kombëtare, ne gjithmonë jemi të bashkuar, vizitojmë njëri-tjetrin për festa fetare. Kur ne si musliman kemi festat tona si festa e Bajramit, komuniteti shqiptar katolik na viziton dhe i ndajmë ato momenti gëzimi së bashku. Kur komuniteti katolik organizon ndonjë manifestim për hir të Krishtlindjeve apo Pashkëve, ne marrim pjesë. Por edhe kur kemi ndonjë varrim, ne shkojmë në xhami apo në kishë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit personit të ndjerë. Këtë traditë e kemi trashëguar nga familjet tona në vendlindje ku ne si shqiptarë gjithmonë kemi bashkëjetuar dhe kur ka qenë në pyetje kontributi për vendin tonë, ne gjithmonë kemi qenë të bashkuar pavarësisht përkatësisë fetare.  

VEPRA BAMIRËSIE QË LARTËSOJNË SHQIPTARËT NË AUSTRALI 

Ne gjithmonë mundohemi të jemi në shërbim të komunitetit shqiptar në Australi por edhe komunitetit të gjerë australian. Ne kemi marr pjesë në shumë aktivitete të ndryshme siç është: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Ne veç e konsiderojmë Australinë si vend tonin, duhet të kontribuojmë sa më shumë për ta bërë këtë shtet një vend më të mirë, pasi është vendi ku kanë lindur dhe rritur fëmijët tanë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Bekim Hasani, Melburne-Australi, Muaji i Ramazanit, Sokol Paja

Aleanca me Gjinon

April 15, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

A është sot Shqipëria një parti si rilindja? Kjo mbetet për t’u parë. Por unë nuk e besoj. Brenda partisë së rilindjes mund të ndodh gjithçka. Pasi Edi Rama është plotësisht Enver Hoxha. Për ditë me radhë mund të etiketosh e ta menderosësh si të duash kundërshtarin…, gjumash, Gjino, qullash që e komandon Berisha me Metën. Dhe anëtari i partisë së Rilindjes, brohoret po. Për ditë me radhë mund ta quash kundërshtarin apo Lulzim Bashën, dështak, vrasës, hajdut. Njeri që i ka provuar të gjitha pushtetet etj., anëtari i partisë çirret po. Madje të mbysin duke të dërguar meme, duke shpërndarë fjalën e Ramës me videot e mamaqëve e të tjerë, aq sa stastikat nxjerrin më shumë emrin Rama, sa oksigjen real që e ka të domosdoshëm shoqëria për të mundur degradimin. Brenda rilindjes vendos dhe vuls njëshi. Tha ai sikur 4 vjetë me radhë që filani është dështak, kështu thonë dhe gjindja. Nuk ka sot qytetarë të majtë që nuk e beson Ramën në ato që thotë për Berishën, Metën dhe Lulin. Thuajse 100%, në kor e pohojnë. Dhe po kështu në kor kanë nisur ta pranojnë ofertën publike të Ramës, (njëshit) për një bashkëpunim me qullashin, gjumashin, Gjinon e opozitës. Në këmbë Rama, në këmbë ata. Tështin Rama, gjak hundët e tyre. Sa shpall Rama një armik të popullit, plasin fletrrufetë. Pra brenda rilindjes socialiste shahesh e bastardohesh unanimisht. Pastaj ftohesh për të qeverisur si aleat, po unanimisht. Dhe a e dini përse ndodh kjo? Pasi brenda pushtimit të Partisë Socialiste nuk ka më forume, nuk ka vendim marrje kolegjiale, por një zë, një njësh, një diktator. Thotë ai, hidhuni, ata hidhen. Thotë ai mbytuni, ata nuk e kanë problem. Eshtë gjëndja e amullisë brenda dehjes ku gjithçka kthehet në orgji dhe demokracia ka vdekur një herë e mirë. Pra sot i kërkohet aleancë Lulzim Bashës me një mikrofon fushate, gjindja pohon me thirrje po. Nuk e di se si do ndihen familjet e 21 janarit, megjithëse nuk u tutën fare kur Edi Rama nënshkroi publikisht marrëveshjen me Ilir Metën në Shkodër me 2013. Mos harroni, Edi Rama ishte ai që përdori një video të fshehtë me Metën dhe Priftin, një video që solli edhe 21 janarin e 2011-ës. Nëse tek Partia Socialiste e pranojnë, nuk besoj se e pranojnë në krahun tjetër. Edhe sikur Basha ta pranoj, nuk e pranon forca e djathtë. Të paktën ka mbetur akoma ajo forcë ku njëshi nuk është bërë Enver Hoxha. Kjo për shumë arsye të cilat nuk është dhe koha t’i shpjegojmë. Por, a është bërë dhe Shqipëria, qytetaria e saj, një lloj rilindje ku të gëlltisë gjithçka që thonë kanakarët për progres social a si rruga e domosdoshme që vendi të mos shkoj me dekada me kriza politike. Nuk besoj. Dhe këto ditë janë shanci i madh. Ky ka emrin ndryshim. Dhe Edi Rama nuk duhet të flasi më për aleanca të mëdha, por është koha të japi llogari për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar Shqipërisë me vendimarrjet jashtëligjore. Eshtë koha të japi llogari për vjedhjen e zgjedhjeve si lokale dhe të përgjithshme. Për suportin e krimit deri në futjen në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendet e legjislaturave të dominimit Rama, kanë civitë më të turpshme të historisë së pluralizmit shqiptar. Për mbajtjen e zgjedhjeve monisteve me pjesëmarrjen më të ulët në historinë njerëzore, duke mbytur publikisht demokracinë e një vendi. Shqiptarët duhet t’i adresohen ndryshimit për të shmanguar edhe ndonjë plan të errët të transformimit drejtë pushtetit pa kufizim. Kur ua përmend nënqeshin, megjithëse gjasat janë plotësisht një përfundim bjellorus, putinizmi, erdoganizmi a kinezërie. Dhe aspak të një demokracie perëndimore. Për më tepër që disa webe kanë publikur lista emërore me të dhëna personale të mijra qytetarëve. Ja pse sot ka frikë, ka panik dhe vota është e shitur. Një koalicion mes rilindjes dhe Partisë Demokratike do ishte një pjesëmarrje në lojën putiniste të Ramës për pushtet të pa kufizuar. Por nëse vërtetë jeni qytetarë që doni vendin tuaj, mos ua jepni këtë shanc. Votoni ndryshimin dhe vigjëloni. Nuk mbajti premtimet ai që vjen, ngrihuni e zbytheni. Nuk ka Enveristë, Ramistë apo Bashistë të përjetshëm, ka vetëm Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleanca me Gjinon, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT