• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

REFORMA POLITIKE EDHE MË JETIKE PËR FATIN E DEMOKRACISË

April 15, 2021 by dgreca

Gjeneral * Piro AHMETAJ, Replikë mirënjohëse me Ambasadoren e SHBA-ve: “Reforma politike edhe më JETIKE për fatin e demokracisë funksionale në RSH” ! 

Paraprakisht, dëshiroj të përcjell edhe publikisht konsideratat më të larta Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Z. Matthew Palmer, Ambasadorit Sh.T. Donald Lu dhe Sh.S. Znj. Yuri Kim, për përpjekjet konsistente, kontributet si dhe arritjet premtuese të reformës në drejtësi. Sigurisht, përtej “frikës dëshpëruese të pushtetarëve të korruptuar”, mbarëshqiptarët u janë mirënjohës SHBA-ve, e kanë mbështetur masivisht reformën në drejtësi dhe mezi po presin rezultatet, ose e thënë më ndryshe “arrestimet e peshqëve të mëdhenj” = zyrtarëve të lartë. Së dyti, në shtesë me këtë përqasje, dëshiroj ta ripërsëris edhe publikisht bindjen time se reforma (drejtësia) politike si dhe vetting-u (kontrilli i pastërtisë/pasurive) së politikanëve mbetet priorietet JETIK dhe domosdoshmëri KRITIKE për tu ri-kthyer qytetarëve besimin te vlerat e demokracisë funksionale, si SHBA dhe gjithë Europa ! Së treti, ndërsa s’ka më “budallenj… “, të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë, se përtej sistemit të drejtësisë së korruptuar, ka nje realitet edhe më të frikshëm, ka të vërteta edhe më të hidhura dhe po ashtu, mbeten disa pyetje fare të thjeshta por ulëritëse: a) “Kush dhe me sa para i kanë emëruar/transferuar gjyqtarët, prekurorët dhe kush i ka liçensuar noterët e super korruptuar ?; b) kush i ka emëruar ministrat, zyrtarët hajna, hetuesit dhe spiunët e sigurimit kriminal të shtetit ?; c) kush i ka emëruar doganierët, drejtorët dhe zyrtarët kusarë ?; d) kush i ka bërë dhe vijon listat “fituese/turpëruese” (natën dhe me para të vjedhura ?) dhe kush “emëron rambo-sekserët e pushtetarëve si deputetë të zgjedhjeve të radhës” ?; e) Pse ende nuk ka lista alfabetike dhe garë vlerash ?, pse nuk votojnë emigrantët, bash ashtu si në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Bosnje dhe në të 30 vendet e Aleancës Euroatlantike ?; f) kush bredhin me thes me para të vjedhura për të blerë vota (?), kush i keq-përdorur si “terrorist politik” dhe për fuqi elektorale, infrastrukturat dhe interesat kombëtare (?) dhe kush i nxin faqen/imazhin e Shqipërisë ??. He pra si thoni, KUSH ?!?! Besoj ashtu si të gjithë shqiptarët përgjigjen e dini mjaft mirë. Ndonjëherë siç j’ua do “korrektesa diplomatike”, na keni «zhgenjyer», duke na i quajtur edhe “burra shteti” kur në fakt mbarë shqiptarët e dinë fort mirë se këta paloPolitikanë: “nuk i duhen më as dreqit” dhe as aspiratës së Shqipërisë si gjithë Europa! Së katerti, për këto të vërteta të gjithënjohura, shqiptarët kanë më shumë se 12 vite (veçanërisht mbas anëtarësimit në NATO) që presin rotacionin dhe ndëshkimin me ligj të klasës politike, edhe më “ashpër” se ata të drejtësisë, çka, mbetet shpresa e vetme për ta “çliruar” Shqipërinë nga ky sekt pusht-etarësh, që kanë “pushtuar” politikën dhe institucionet e larta shtetërore; që kanë vjedhur pasuritë e qytetarëve, që kanë shitur interesat kombëtare (detin, aeroportet, naftën, minerat), si dhe që kanë vrarë shpresën për ardhmërinë euroatlanike të Shqipërisë! Së pesti, filozofi francez, Joseph de Maistre, përpara 200 vjetësh adreson një mesazh profetik për qytetarët (jo delet..): “çdo komb meriton qeverinë që ka = Every nation gets the government it deserves”. Pothuaj në të njëjtën kohë, Presidenti i SHBA-ve, Thomas Jefferson (1801- 1809) shton se: “Ajo që diktaturat kanë nevoj për të mbijetuar, është që njerzit me vetëdije të lartë të heshtin”. Thënë këto, jam në një mendje se, “Liria dhe Demokracia nuk dhurohen”, si dhe refuzoj me neveri qurramanët pa këllqe, sekserët dhe rambo-kamikazët e pushtetarëve tē radhës, të cilët presin që zyrtarët e SHBA-ve apo te “rruga e Elbasanit” të bëjnë “policin ose albitrin-palë” për tu dhuruar fitoren në zgjedhjet politike të radhës !! Së gjashti, kështu besoj edhe më fort se vendi ka nevojë uleritësë për të tejkaluar këtë klasë të diskretituar politike. Do të doja dhe lutem shumë të isha gabim, por edhe pse në 25 Prill, mund të realizohen zgjedhje “proçedurialisht korrekte”, fatëkeqësisht do të thellojnë më tej krizën politike, bashkë me të, besimin e Shqiptarëve për standartet dhe vlerat e demokracisë funksionale. Ndërsa si Gjeneral “i shkolluar dhe rritur në NATO”, që pamvarësisht kostos, ka vetë-zgjedhur të “mos hesht”, shpresoj të më besoni, se shtetet e dështuara dhe demokracitë e pushtuara nga politikanët zullumqarë, janë edhe më të vështira se diktaturat për tu mundur dhe tejkaluar. Së fundmi, thënē kështu, besoj edhe më fort se tejlkalimi i kësaj “palo-eite politike”, mbetet sfida parësore e shqiptarëve. Por historia (p.sh Italia e viteve 80-t e kapur nga mafia), na mëson se në betejën me “politikanët-pushtues” të institucioneve shteterore, nuk mundet t’ja dalim të vetëm. Prandaj, mbetem shpresëplotë se ashtu si në 110 vitet që lamë pas edhe në betejën e mbas 26 Prillit, por edhe në 100 vitet që vijojnë,

*… Shqiptarët do të meritojnē mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve! Zoti e bekoftë miqësinë dhe partneritetin strategjik të kombit Shqiptar me SHBA-tē ! Gjeneral ® Piro AHMETAJ, Ekpert i Lartë i Sigurisë Kombëtare & NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare-PD, Këshilltar Ushtarak i Presidentit, Zv/SHSHPFA & Përfaqësues i RSH në SHAPE/NATO

Filed Under: Analiza Tagged With: Ambasadoren Juri Kim, General Piro Andoni, Replike miqsore

I përkas Arbërisë, refleksione-nga Urtësia Shqiptare

April 15, 2021 by dgreca

Refleksione për shkrimin “ Edhe unë jam Çam” i gazetarit Frank Shkreli/

Shkruan:Pertefe LEKA/

Krenaria  kombëtare e publicistit të mirënjohur Zotit Frank Shkreli  në një shkrim “ Edhe unë jam Çam”, më bën ta  përforcoj  për veten  time  këte refleksion, të cilën e kam shprehur nëpërmjet  disa shkrimeve  duke e pasë si temë kryesore  etninë shqiptare. Nëse do të citohen disa  shprehje të  matura  e të menduara thellë  nga disa personalitete të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare  për Çamërinë do të  bashkohesh  në një zë  me  gazetarin nga Shkreli edhe: “Unë jam  Çam “

Këte të drejtë  legjitime, na e ka vulosë shumë herët  Shkodrani, atdhetari luftarak  Pashko Vasa që e ngriti në  Fe Shqiptarinë, të pranuar nga të gjitha Religjionet dhe nga të gjitha shtresat shoqërore. Vargjet e poemës “O moj Shqypni “ nuk u vjetëruan kurrë, kanë  mbetur në kujtesën e gjithë brezave  duke mbetur pasaportë e përjetshme  për çdo shqiptar:

“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë
gjithkund lshon  dielli vap’ edhe rrezë
asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë
kush mos  na e preki, se desim t’tanë“.

Por ajo që më ka dhënë siguri dhe besim, që ta ruajmë të shenjtë identitetin tonë. Ishte mbrojtja që bëri i Madhi Fishta me  “testamentin politik“ në Konferencën e Paqes  në Paris. Duke  detajuar me vërtetësi historike së kush jemi dhe nga vijmë, ngriti  zërin  e drejtësisë për gjymtyrët e ndara  të Atdheut, që t’i bashkohen  trungut të vet, duke vënë theksin për Kosovë e Çamëri.
“ Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë e me trimni shqiptare kanë Luftue….Greqinë e kanë lirue…me pasë me pyet si dijetarë  dhe jo si diplomat, kishte me jua vërtetue edhe Venizellos vetë….Gj. Fishta –

Po në një kohë me Fishtën iu drejtua  Konferencës së Paqes edhe një Zonjë Çame , Lejla
Dino Ileri (1893-1966) Ishte e bija e Rasih Dinos,  oratori kryesor, pjesëmarrës  në
Konferencën e Londrës dhe mbesa e Abedin Dinos një nga bashkëpunëtorët e Abdyl Frashërit në “Lidhjen e Prizrenit “.   Ajo është e para grua shqiptare që i shkroi letër Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris për çështjen shqiptare në emër të Komitetit të Gruas Shqiptare, që kishte krijuar në Bruksel. (1 janar 1919, Albania). Ajo shfrytëzoi njohjen me  Zonjën Edith Galt Ëilson, ( Zonja e Presidentit  Ëilson ) për t’ju drejtuar simbolit të Paqes, Presidentit  të Sh.B.A.,Ëoodroë Ëilson :” “…Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhemshurve të tyre të rrokullohet në zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe sot do të na ndihmoni  për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste shtetet fqinj duan të aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose të marrin prej nesh indipendencën tonë politike ….”

Kanë mbetur të gdhendura fjalët e ekuilibruara të dijetares së famshme, Elena Gjika, me origjinë shqiptare, (nëna e saj ishte  nga Çamëria), për qëndrimin e padrejtë të fqinjëve sllav e grekë në të gjitha kohërat:”Grekët duhet të mësohen, ta konsiderojnë Epirin për atë që është në realitet, domethënë të shohin  në të toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësi të pakapërcyeshme, që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë”     Ndërsa kur Elena Gjika  vizitoi varrin e Boçarit , ajo u lut që të shohë një ditë të valojë  mbi varrin e Kastriotit  të madh Flamurin, që Ai ka mbajtur  me Lavdi në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspiratë”

Të Çamërisë  ishin  edhe Idromenët, një familje e njohur nga Parga, nën  Pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës shek.18-19 ( vinin nga ishulli Hidro). Dy më të njohurit ishin  Andrea dhe Mihali, studiues me grada shkencore. Andrea: doktor  në teologji dhe profesor  në Korfuz dhe Mihali doktor  në drejtësi. Ata  përveç përkthimeve teologjike në gjuhën shqipe, që kanë vlera historike për  gjuhësine, në vitin 1852 Mihali  ka lënë një fjalor teknik në gjuhën shqipe  dhe së bashku  me Andrean përpiluan edhe  botimin e një historie për Pargën dhe Sulin, por e zhdukur tashmë, sepse dokumentonte shqiptarinë e  krahinave  të përmendura më sipër. Djali  i Mihalit,  Arsen Idromeno, me 1856 u shpërngul në Shkodër. Atje u bë i njohur  si talent në pikturë, në punimin e drurit dhe autodidakt në arkitekturë gjë që e trashëgoi djali i tij,” Mikelanxhelo i Shqipërisë,” Kolë Idromeno, Motra Tone dhe pasardhësit e saj , të cilët  u radhitën  në aristokracinë e kulturës qytetare shkodrane   dhe mbarë shqiptare.

Nga  dijetarët e vjetër, të cilët janë të shumtë në studimet e tyre  po citoj vetëm një  thënie të  Pukvilit ,I cili I vlerëson Çamët “ Më të mirët e më fisnikët  e farës shqiptare” .

Ndërsa personaliteti  Shqiptar,Mihail Atrioti,është  bir  i Artës  nga Çamëria, që përçoi idetë e Rilindjes Evropiane,në Rusi .Atrioti studioi për filosofi në Padova në katedrën  që drejtonte nxënësi i Kopernikut, bashkatdhetari i tij epirotas ,Leonik Tomeo.Edhe pse ishte autor i 150  titujve  shkencorë, filozofik,pedagogjik, Rusët e  internuan për idetë e tij përparimtare dhe shkencore,  nuk e lejuan të kthehet në Artën Shqiptare. Në fund të jetës, Ai  kërkoi  të mbyllte sytë në tokën e  të parëve.Knjazi iu përgjegj:”Jeni njeri i ditur dhe i zgjuar. Ti di këtu çdo gjë të mirë dhe të keqe, po të dalësh nga Rusia do ta përhapësh në të gjithë botën….”

Në se Princesha romune me origjine shqiptare Elena Gjika e quajti ,Toskëri, Epirin  në jug  të Shqipërisë, Lasgush Poradeci , duke iu përgjegjur  një personaliteti  që  iu mburr së ishte me origjinë nga rrethi më verior,Malësia e Madhe, që sipas tij ishte “Kryet e Shqipërisë “Lasgushi  i tha  me  vendosmëri  :” Kështu të kanë mësuar ty, se atje nga je ti janë kryet e Shqipërisë ?”  Kryet e Shqipërisë  janë: Nishi,Lugina e Preshevës,Mitrovica dhe Metohija .Krahina nga je ti  është plënci i Shqipërisë ….., e cila këmbët i ka në Gjirin e Ambrakisë ,në Artë dhe Prevezë..”.      I     Kësaj ideje  ishte  dhe miku I tij i zemres, Dhimitër Pasko,”Mitrush Kuteli “me origjinë nga Fisi Kutelia i Artës së Çamërisë,  I cili e pohoi me vendosmëri   se “ Jam Kosovar”  dhe   “Nga një det në tjatrin det isha zot vetë .”Vargje  monumentale, të gdhendura në “Poemin Kosovar “ . Për këto ide, Kutelin poet dhe ekonomistin e shquar  desh  e futën të gjallë në dhe, sepse  e pohoi triumfalisht   se “Jam Këtu ,dem baba dem “ dhe “Atje poshtë  në brigjet e detit është një tjetër Kosovë e robëruar “

Këto deklarime atdhetarësh e ngacmojnë ndërgjegjen kombetare për çdo  qytetar  të ndershëm . Jo vetem  memëdhetarët  e Shqipërisë Natyrale  i përgjigjen të vërtetës historike  me përkushtim e dinjitet  ,por edhe të huajt që e shetiten  dhe arritën të njohin bukuritë natyrore e njerëzore te Çamërisë u entuziazmuan me  trimëritë e Suliotëve siç  i përshkroi Bajroni :

“ kush ia shkon në trimëri suliotit brrun ?
Me të bardhë fustanellë e me gunë “.

Romantiku  I shquar  , e pasuroi shpirtin e tij, me gjenë më të shtrenjtë në botë, duke e quajtur atë tokë të bekuar “, “Nënë e dashur ,burrash të rreptë”.. E Bajroni, që I këndoi Lirisë , me  trimat  e Aleksandrit  dhe të Iskanderit ,bij të Çamërisë, morën pjesë  në Betejen e Misolongjit  1824,  ku Lordi Anglez  me të  tjerë dhanë  jeten për çlirimin  Greqisë.

Keta luftëtarë të Çamërisë  nuk reshtën së luftuari  për Liri.I vazhduan betejat e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke dhe  me tutje .Përmendet Familja e Abedin Dinos dhe janë të panumërt  bashkëpunëtorët e tij . Nuk mund të numërohen  së çfarë ka nxjerrë ai vend i bekuar, por duhen përmendur  sepse  e ardhmja  do të  mbështetet  në mësimet e tyre.

Dijetari, shkencëtari, dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, Hasan Tahsini ,I cili la amanet thenien proverbiale :”Jemi një komb I veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë ,ndaj duhet të jetojmë më vete si gjithë kombet e tjerë “ Ishte  Bir nga Ninati i Çamërisë,   1812—-1881  studenti i Parisit ,ku studioi të gjitha shkencat e reja ,mësues- pedagog i Sami Frashërit dhe  bashkëpunëtor i tij si edhe  i Pashko  Vasës, Ismail Qemalit,Jani  Vretos….Simbol i shqiptarisë ,luftëtar i paepur ne kryengritjet e Shqipërisë Jugut, për Pavarësinë dhe për  ndertimin e shtetit Shqiptar. Eruditi më i madh që ka nxjerrë   Shqiptaria dhe gjithë Perandoria Osmane që edhe për sot janë të vlefshme mësimet e tij.

Por nuk  mund të rri  pa përmendur    studimet  bashkëkohore te Zonjës Eleni Kocani,apo. të  përkushtuarin, me dinjitet,  Marin Mema  për të  gjetur Rrnjët  Shqiptare që  na   ushqen me krenari  kur ndjekim emisionin e tij   “Gjurmë Shqiptare”. Ai. nuk i përmbahet vetëm  dokumenteve  të  vjetra, apo studimeve të mirëfillta. të historianëve  dhe studiuesve të ndryshëm por  e shkel vetë çdo pëllembë tokë, prek me dorë çdo  gur  e mur që verteton  se  edhe. ketu janë shqiptarët  …

Por të vërtetat  e   të mbijetuarit    te tragjedisë  Çame, Prof. Sali Bollati, që  vazhdon t’i tregojë  për të dëshmuar , e bëjnë  ate   një  luftëtar    të vendosur  të   kësaj  çështje  si në Shqipëri  dhe në ShBA.  Si misionar i Shqipërisë Natyrale ,e gjenë   në resht  të parë   në çdo  protestë, në përballje me padrejtësinë, që  vazhdojnë të provokojnë fqinjët jugorë të Shqipërisë .

Po e mbyll me fjalët e guximshme të  Musine Kokalarit   shkrimtares që shkroi tregimet e saj në dialektin e  Çamërisë e cila   në gjyqin komunist u shpreh  vendosmërisht se :

” Pa Kosovë e Çamëri s’ka Shqipëri “

Të gjitha këto  të nxisin për të vazhduar e kërkuar paqësisht  drejtësinë e munguar. E mirëkuptimi  fqinjësor  do të vijë, sepse  popujt janë paqedashës  dhe duan të bashkëjetojnë  në harmoni ,t’i zgjidhin me logjikë të ftohtë  problemet  ndërshtetërore.E gjithë këto  të vërteta  që janë përjetësuar në mijëra vepra nga mendjet e ndritura  për etninë shqiptare  nuk mund të  rrish  pa thënë  se  i përkas  Arbërisë që nga Nishi në Prevezë.

Filed Under: Politike Tagged With: I përkas Arbërisë, Pertefe Leka

VAKSINA E COVID-19 – NDËRMJET PIKËPYETJEVE, KEQKUPTIMEVE DHE HAMENDËSIMEVE

April 15, 2021 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, komuniteti shkencor, në të gjithë botën, ka qenë në një garë me kohën, për të prodhuar vaksina të sigurta dhe efektive, që do të ngadalësonin dhe përfundimisht t’i jepnin fund kësaj murtaje globale. Me disa vaksina tani në përdorim dhe më të disponueshem çdo ditë, hezitimi për të vaksinuar është një nga pengesat tona të fundit në luftën kundër Covid-19. Deklaratat alarmante nga qarqe të ndryshme, dhe të mediave sociale, të cilat paraqesin vaksinat Covid-19 në një dritë negative, kanë shtuar një dyshim të panevojshem për shumë njerëz. Hedhja e dritës mbi disa prej miteve të zakonshëm do të na ndihmojë të ndërtojmë, në mënyrë të sigurt, imunitetin mbrojtës përmes vaksinimit. Këtu janë përgjigjet për disa prej keqkuptimeve të zakonshme në lidhje me vaksinat:

PROCESI I MIRATIMIT PËR VAKSINAT E REJA, A U NXITUA?

Jo, procesi nuk u nxitua dhe nuk kishte shkurtime në protokollet që sigurojnë sigurinë e këtyre vaksinave. Para vitit të kaluar, vaksinat zakonisht merrnin disa vjet për t’u zhvilluar, dhe për të marrë aprovimin, kështu që pyetjet eventuale, nuk janë joreale. Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për vaksinat e reja që përdorin teknologjinë e dërguesit ARN (mARN) (Pfizer dhe Moderna), ne e dimë se kjo qasje është studiuar për vite me radhë, para se financimi i qeverisë dhe kërkimi global të shënojnë rritje, me shpresën e ndalimit të përhapjes së Covid-19. Zhvilluesit e vaksinave nuk kapërcyen asnjë hap testimi, por disa madje u kryen në një orar të përckatuar për të mbledhur të dhëna sa më shpejt. Edhe pse ato janë zhvilluar në një kohë rekord, ato kanë kaluar të njëjtin proces rigoroz si vaksinat e tjera, duke përmbushur të gjitha standardet e sigurisë. Në vend të kësaj, ne mund të falënderojmë bashkëpunimin dhe investimin e pashembullt në të gjithë botën, për periudhën kaq ë shkurtër kohore, për zhvillimin e vaksinave. Provat klinike dhe rishikimet e sigurisë morën rreth të njëjtën sasi kohe si vaksinat e tjera. Tani e dimë gjithashtu që këto vaksina janë shumë efektive, madje edhe në parandalimin e transmetimit asimptomatik. Ngjarjet e rënda anësore vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të rralla. Këto vaksina vazhdojnë të jenë efektive edhe ndaj varianteve të reja. Në fakt, këto vaksina janë më të mira se ato që ne kishim parashikuar.

VAKSINAT E REJA, A DO TË NDRYSHOJNË ADN-NË TONË, DHE DO TË KRIJOJNË PROBLEME AFATGJATA?

Jo, në asnjë mënyrë. Vaksinat e para të dhëna për autorizimin e përdorimit emergjent përmbajnë ARN të dërguarit (mARN), e cila udhëzon qelizat të bëjnë “proteinën pikante” që gjendet në koronavirusin e ri. Kur sistemi imunitar njeh këtë proteinë, ajo ndërton një përgjigje imune duke krijuar antitrupa – duke mësuar trupin se si të mbrohet nga infeksioni në të ardhmen. ARNi kurrë nuk hyn në bërthamën e qelizës, e cila është vendi ku ruhet ADN-ja jonë (materiali gjenetik). Trupi yne e heq qafe ARNin, menjëherë pasi që të ketë mbaruar me “udhëzimet”. Në përgjithësi, vaksinat rrallë krijojnë ndonjë problem afatgjatë. Por efektet e vonuara të vaksinimit kanë ndodhur – për shembull, me vaksinën orale të poliomelitit dhe vaksinën e etheve të verdha. E rëndësishmja, këto reaksione të vonuara kanë ndodhur të gjitha brenda gjashtë deri në tetë javë nga marrja e një doze përforcuese, dhe reagimet imitojnë infeksionin natyror. Është e rëndësishme të theksohet se provat e Fazës 3 për vaksinën Covid-19 vlerësuan pjesëmarrësit për tetë javët e plota pas vaksinimit. Asnjë efekt i vonuar nuk u shënua. Në të kundërt, rreziku për sëmundje afatgjata dhe kronike, dobësuese është i evident me infeksionet natyrore nga Covid-19.

A MUND TË SËMUREM ME COVID, NËSE BËJ VAKSINËN ANTI-COVID?

Jo. Asnjë nga vaksinat e autorizuara dhe të rekomanduara Covid-19, të zhvilluara aktualisht në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.) nuk përmbajnë virusin e gjallë që shkakton Covid-19. Kjo do të thotë që një vaksinë nuk mund t’ju infgektojë me Covid-19. Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të vaksinave në zhvillim. Të gjithë ata mësojnë sistemin tonë imunitar se si të njohin dhe luftojnë virusin që shkakton Covid-19. Ndonjëherë ky proces mund të shkaktojë simptoma, të tilla si ethe të lehta. Këto simptoma janë normale dhe janë një shenjë që trupi po ndërton mbrojtje kundër virusit që shkakton Covid-19. Zakonisht duhen disa javë që trupi të krijojë imunitet (mbrojtje ndaj virusit që shkakton Covid-19) pas vaksinimit. Kjo do të thotë që është e mundur që një person mund të infektohet me virusin që shkakton Covid-19 pak para ose menjëherë pas vaksinimit dhe të sëmuret ende. Kjo ndodh pasi vaksina nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të krijuar imunitet.

PSE NJERËZIT PO VDESIN PASI KANË BËRË NJË VAKSINË ANTI-COVID?

Nuk ka prova që vaksinat shkaktojnë vdekje. Aktualisht, rreth 150 milion njerëz në të gjithë SH.B.A. kanë marrë të paktën një vaksinë në krahun e tyre. Nuk ka rritje të shkallës së vdekjes mbi dhe përtej asaj që pritej, ose nga shkaqet normale ose nga Covid-19. Në SH.B.A., rreth tetë mijë njerëz vdesin çdo ditë, nga shkaqe natyrore, nga aksidentet, nga vrasjet. Dhe nëse disa ndodh që kanë marrë një vaksinë, ditë ose javë para vdekjes së tyre, nuk do të thotë që vaksina e ka shkaktuar atë. Njësoj si ulja në plazh ose shëtitja në park ose pirja e ujit, nuk shkaktojnë vdekjen. Fatkeqësisht, historitë në media drejtohen nga titujt, por sapo të lexojmë titujt tërheqës të vëmendjes, mund të shohim që këto histori nuk pasqyrojnë realitetin. Pra, duke kuptuar numrat aktualë, kur krahasojmë 150 milion njerëz që kanë bërë të paktën një vaksinë, e gjithë ideja se vaksinat po shkaktojnë një rritje të vdekjes, nuk është e vërtetë. Shumica e efekteve anësore të vaksinës Covid-19 janë afatshkurtëra – joserioze, ose të parrezikshme. Disa njerëz përjetojnë një dhimbje të krahut, dhimbje trupi, dhimbje koke ose ethe, që zgjat për një ose dy ditë. Këto janë shenja se vaksina po punon për të stimuluar sistemin imunitar të një personi. Simptomat eventuale, që zgjasin për një kohë më të gjatë, duhet të raportohen te mjeku. E rëndësishme është që kushdo që ka alergji, duhet të diskutojë vaksinën Covid-19 me mjekun e vet, i cili mund të vlerësojë rrezikun.

VAKSINAT COVID-19, A MUND TË SHKAKTOJNË INFERTILITET?

Nuk ka absolutisht asnjë provë që vaksinat e aprovuara shkaktojnë humbjen e pjellorisë. Informacioni i gabuar në mediat sociale sugjeron që vaksina trajnon trupin për të sulmuar sincin-1, një proteinë në placentë, e cila mund të çojë në infertilitet tek gratë. E vërteta është, ekziston një sekuencë aminoacide e ndarë midis proteinës spike dhe një proteine ​​placentare; megjithatë, është shumë e shkurtër për të shkaktuar një përgjigje imune dhe për këtë arsye nuk ndikon në pjellori. Gjatë infeksionit natyror, sistemi imunitar gjeneron të njëjtët antitrupa ndaj proteinës spike që bëjnë vaksinat Covid-19. Pra, nëse Covid-19 prek pjellorinë, tashmë do të kishte një rritje të normave të abortit tek gratë e infektuara me Covid-19. Kjo nuk ka ndodhur.

A PËRMBAJNË VAKSINAT SUBSTANCA TOKSIKE, MIKROÇIPA OSE PAJISJE GJURMUESE?

Jo. Vaksinat Covid-19, në përdorim nuk përmbajnë asnjë implant, mikroçip ose pajisje përcjellëse. Përveç një përbërësi aktiv, vaksinat Pfizer dhe Moderna përmbajnë yndyrna (të cilat mbrojnë mARN), kripëra dhe një sasi të vogël sheqeri. Vaksina e markës Johnson dhe Johnson, Janssen gjithashtu përmban kripëra, sheqer dhe etanol. Asnjë nuk përmban vezë, ruajtës ose latex. Në toksikologji ka një term të përdorur për herë të parë nga një shkencëtar zviceran, Paracelsus, rreth pesëqind vjet më parë: “dosis sola facit venenum” që do të thotë “vetëm doza e bën helmin”. Me fjalë të tjera, çdo gjë kimike, madje oksigjen, mund të jetë toksik nëse gëlltitet shumë, ose absorbohet mbi masa normale në trup. Toksiciteti i një substance specifike varet nga një larmi faktorësh, përfshirë sa prej substancës është i ekspozuar një person, si janë të ekspozuar dhe për sa kohë. Herën tjetër, kur të blini një produkt që përdorni rregullisht, të rishikoni përmbajtjen e tij, do të shihni se shumë kimikate përdoren në atë produkt, qoftë në procesin e bërjes ose ruajtjes së tij. Kryesorja është që sasitë e përdorura janë relativisht të vogla, dhe në ato nivele nuk konsiderohen të dëmshme. Të njëjtat parime zbatohen për vaksinat. 

VAKSINAT JANË NJË NGA SHTYLLAT KRYESORE TË MJEKËSISË MODERNE

Në mbyllje, vaksinat janë një nga shtyllat kryesore të mjekësisë moderne. Jeta ishte veçanërisht brutale, për fëmijët para vaksinave. Sëmundje si fruthi, lija, kolla ose rubeola, ishin si dënime me vdekje për miliona fëmijë. Sot këto sëmundje mund të parandalohen plotësisht me një injeksion të thjeshtë. Kështu që, derisa shkenca vazhdon të përparojë dhe të trajtojë sfida të reja, ne nuk duhet të harrojmë se sa vdekje dhe sëmundje kanë parandaluar vaksinat dhe si ato vazhdojnë të na mbrojnë nga format, potencialisht shkatërruese, të sëmundjeve infektive. Të gjithë jemi lodhur nga izolimi, jemi të sëmurë dhe jemi lodhur duke mos qenë në gjendje të bëjmë gjëra që na pëlqejnë, por mënyra e vetme për t’i kthyer gjërat në normalitet është të vaksinohemi.

* Nënkryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës – VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, Keqkuptime e keqinterpretime, Vaksina e Covid-19

PROMOVIM NË VATËR

April 15, 2021 by dgreca

-VATRA PROMOVOI “DOKUMENTET DIPLOMATIKE ITALIANE” TË STUDIUESIT DR.PAULIN MARKU/

Nga Sokol PAJA /

Të martën më 13 prill 2021, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, promovoi librin e studiuesit Dr. Paulin Marku me titull “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë. Në një atmosferë pozitive dhe shumë miqësore, studiues, historianë, gazetarë, patriotë, vatranë, kërkues shkencorë, familjarë, të ftuar, kryetarë shoqatash atdhetare dhe autoritetet drejtuese më të larta të Vatrës, kishin mbushur plot sallën qëndrore të Vatrës në nderim të kësaj dite të shënuar. Ky promovim i rëndësishëm për Vatrën, Institutin e Historisë dhe vetë autorin e botimit Dr. Marku, u prit me shumë entuziazëm nga të pranishmit si një festë e ligjshme e fillimit të fitores ndaj pandemisë globale. Në këtë promovim mori pjesë duke referuar kumtesën e parë Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu i cili theksoi rëndësinë e dokumenteve italiane mbi historinë e shqipërisë dhe viseve e trevave shqiptare, publicisti Idriz Lamaj që foli rreth rëndësisë së dokumenteve arkivore e fakteve historike për historinë tonë kombëtare, editori i Diellit Dalip Greca i cili theksoi në fjalën përshëndetëse rëndësinë e dokumenteve autentike të padeformuara nga sistemi dhe propaganda komuniste etj. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në promovimin e librit të Dr. Paulin Marku me “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, u shpreh se ky promovim hedh dritë për një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve siç është koha e pavarësisë. Z. Berisha i shprehu falenderimet në emër të Vatrës Dr. Markut për studimin voluminoz. “Vatra do të mbështesë pa hezitim Dr. Paulinin dhe të gjithë ata studiues që hulumtojnë në Biblioteka e Arkiva për të sjellë libra që i shërbejnë historisë, albanologjisë, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare” – siguroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu në promovimin e librit të studiuesit Dr. Paulin Marku me titull “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, ndër të tjera u shpreh se botimi i dokumenteve diplomatike italiane ishin shumë të nevojshme për periudhën e para pavarësisë, dokumente këto të marra direkt nga arkivi i diplomacisë italiane për çështjet politike e diplomatike kryesisht. “Dokumentet diplomatike, referuar relacioneve, telegrameve dhe informatorëve që punonin për konsullatat dhe për legatat e ndryshme italiane, evidentohet se Roma i ndiqte me interes primar zhvillimet në Ballkan dhe informohej vazhdimisht për organizimin e shqiptarëve, për gjendjen e brendshme të Perandorisë Osmane dhe rreth qëndrimit të Fuqive të Mëdha” argumentoi Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu. Publicisti Idriz Lamaj në promovimin e librit të studiuesit Dr. Paulin Marku vlerësoi gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të dokumentacionit arkivor si dëshmi e fakteve historike dhe fakteve të tjera relevante jetësore. Vlerën e këtij vëllimi, sipas publicistit Lamaj, e shton më tepër edhe puna e rëndë profesionale dhe e dedikuar e autorit, në përzgjedhje të lëndës, transkriptim dhe përkthim të këtyre dokumenteve në gjuhën shqipe, si dhe në renditjen kronologjike të përsosur shkencore. “Përzemërsisht e përgëzoj Dr. Paulin Markun për nxjerrjen në dritë të këtyre dokumenteve më rëndësi të veçantë në fushën e studimeve historike, pa të cilat nuk mund të shkruhet historia jonë kombëtare drejtë dhe si duhet” – përfundoi publicist Idriz Lamaj. Gazetari i Diellit Sokol Paja, veçoi në këtë promovim figurën e lartë fetare dhe atdhetare Imzot Jak Serreqin i cili në dokumentet diplomatike italiane zë një vend të veçantë si një njeri me ndikim të fuqishëm fetar, diplomatik dhe patriotik. Imzot Serreqi paraqitet në dokumentet italiane diplomatike, si një njeri i besuar i Vatikanit dhe Austrisë. Imzot Serreqi për shkak të ndikimit që kishte, sipas gazetarit Paja, u sulmua fuqimisht prej osmanëve që kërkonin me çdo kusht largimin e tij nga Shkodra. Imzot Serreqi përbashkoi forcat e krerëve të fiseve të Malësisë për ti bërë bashkë në fuqinë e kërkesave mbrojtëse të popullsisë shqiptare “Nëpërmjet lidhjeve e njohjeve personale e fetare, imzot Serreqi loboi fort për të drejtat e malësorëve. Ai e bëri shqetësimin e tyre nga shqetësim kombëtar në shqetësim rajonal e europian” argumentoi z. Paja. Ish nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati gjatë kumtesës së tij u përqëndrua te karakteri ushtarak i letërkëmbimeve diplomatike italiane duke theksuar se mendimi politiko- diplomatik Italian, është pasqyruar bukur, me vërtetësi, kronologji, vend, kohë etj. Z. Bushati u ndal gjërësisht në armatosjen e popullsisë së viseve e trevave shqiptare në luftën kundër osmanëve. “Dr. Paulin Marku në gjykimin tim ka sjellë një kontribut të shumëanshëm në zbulimin dhe njohjen e të vërtetave historike, diplomatike dhe ushtarake. Metodologjia e studimit e Dr. Paulin Markut, gjuha e përdorur, citimet ekzakte e korrekte, argumentat e dala nga studimi janë pasuri e shtuar në fushën e studimeve historike” –përfundoi fjalën e tij z.Asllan Bushati.

Editori i gazetës Dielli z. Dalip Greca në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e  relacioneve, telegrameve diplomatike e raporteve pasi ato saktësojnë gjendjen në Shqipëri dhe viset e tjera në një periudhë gjashtë muaj para Pavarësisë së Shqipërisë. “Disa nga dokumentat i kam të konsultuara dhe më parë ku shfaqin rolin e diasporës së Amerikës në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë, rëndësinë që pati kryengritja e Malësisë së Madhe në Pavarësinë e Shqipërisë, një kumtesë e mbajtur me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së heroit Ded Gjon Lulit” saktësoi editori i Diellit z.Greca. Në përfundim të promovimit të librit të Dr. Paulin Markut, Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj pasi falenderoi të pranishmit dhe përgëzoi organizatorët e autorin e librit theksoi se populli shqiptar ka një histori të lashtë dhe me karakteristika të veçanta. Sipas z.Rexhaj dokumentet e huaja të botuara na japin mundësinë të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe ndikimi nga ngjarjet kombëtare e rajonale. 

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË DOKUMENTET DIPLOMATIKE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË 

Sipas Dr. Paulin Markut Dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë ndriçojnë katër pika kyçe të ngjarjeve në vilajetet shqiptare:

1. Ngjarjet e fillimit të janarit të vitit 1912 i cili ishte vazhdimësi e përplasjeve parlamentare midis përfaqësuesve shqiptarë dhe qeverisë xhonturke. Krahas problemeve të shumta që po përjetonte Porta e Lartë, përplasjet e saj me shqiptarët e rënduan situatën politike. Në vazhdimësi dokumentet pasqyrojnë se si krerët shqiptarë ranë dakord për të organizuar një kryengritje të përgjithshme në të cilën do të angazhoheshin të gjitha viset shqiptare, detyrat që secili prej tyre duhet t’i përmbushte në Kryengritje që do të shpërthente në pranverë të vitit 1912 në vilajetin e Kosovës, pastaj do të shtrihej në vilajetin e Shkodrës e kështu me radhë synohej përfshirja sa më e gjerë e të gjitha viseve shqiptare. Dokumentet paraqesin lidhje dhe kontakte të vazhdueshme të disa prej krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, Sokol Baci, Simon Doda e shumë përfaqësues të tjerë me kancelaritë e huaja. Ata kërkonin në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen e kancelarive evropiane për kauzën e tyre dhe ndihma financiare e armatime për kryengritjen antiosmane. 

2. Ky vëllim dokumentar shërben për të analizuar situatën politike të kohës dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1912 për në Parlamentin Osman. Sipas këtyre dokumenteve, rezulton se një shqetësim i madh për elitën politike shqiptare ishte mënyra se si po bëhej fushata zgjedhore në pranverë të vitit 1912. 

3. E fundit për nga renditja por aspak nga rëndësia është pasqyrimi përmes këtyre dokumenteve të ndikimit të jashtëm në situatën e krijuar në viset shqiptare. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nxjerr në pah qëndrimin e Fuqive të Mëdha dhe ndikimin e vendeve fqinjë ballkanikë në çështjen shqiptare. Sipas dokumenteve, ashtu si Perandoria Austro-Hungareze edhe Mbretëria e Italisë ishte për ruajtjen e status-quo-së. Megjithëse Vjena zyrtare, ndërhyri herë pas here tek Porta e Lartë për çështjen shqiptare, ajo nuk arriti të ndalojë kryengritjen e vitit 1912. Ndërsa, Mali i Zi kishte ndikim tek krerët e Malësisë së Madhe dhe u përpoq të përfitojë nga situata për të shtrirë influencën e tij për shkak se shqiptarët ia kishin nevojën për të futur armë nëpërmjet territorit malazez. 

4. Dokumentet e botuara dëshmojnë se Roma kishte informacione të bollshme për organizimin e brendshëm dhe të jashtëm të krerëve shqiptarë në kryengritje si dhe rreth kancelarive evropiane. Në këto dokumente gjendet një numër i madh relacionesh dhe telegramesh që dërgoheshin nga ambasada, legata e konsullata italiane për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe një numër i pakët i dërguar nga kryediplomati San Giuliano për të udhëzuar diplomatët rreth qëndrimit që po ndiqte politika e jashtme italiane ndaj kryengritjes së vitit 1912. Një falënderim të veçantë kam për drejtorin e Institutit të Historisë, akademik prof. dr. Beqir Meta që pranoi recensionimin e këtij vëllimi dokumentar, i cili shprehu gatishmëri bashkëpunimi që nga dita e parë dhe nëpërmjet sugjerimeve, këshillave në mënyrë që libri të ketë të gjitha kriteret shkencore akademike. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dokumente Diplomatike, Dr. Paulin Marku, italiane

VJESHTË ME SHI E BALTË

April 14, 2021 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/ Freski,  ditë vjeshte, e hënë. Aty nga ora dymbëdhjetë nisi të binte shi, shi i imtë Tirane. Nga plepat e  lartë trungjetrashë, rrëshkisnin tatëpjetë  rrëkeza ujërash, ndërsa nga degët  e lagura gjethet e  verdha, këputeshin e binin në asfalt. Në atë kohë  një Fiat-polak, dy Gaz–BÇ e një mikrobus Xin-Fu, pasi lanë rrugën e Durrësit, u kthyen djathtas e  hynë në udhën me gropa e baltë, të dëmtuar nga kamionët e ndërtimit. Makinat  e spërkatura me llucë,  ndoqën njera tjetrën,dalë ngadalë dhe më në fund ndaluan në qendër të Kombinatit  me fabrika  pllakash,tubash  çementoje, sheshe pune me beton hekur e tulla nën vinçat e lartë e plepat e ulët. Nga kulla e fabrikës  së çimentos, “e ngritur me  forcat tona,” shpërndahej deri larg pluhur i bardhë, tym  i hirtë  dhe i zi.

  Nga dritarja e zyrës së planit, Rudi  pa tre makina të ndaluara para klubit  të madh, tek po zbrisnin  disa me pamje zyrtarësh. Më prapa qendronte  pa lëvizur një mikrobus. Drejtori e sekretari i partisë, me çadra në duar, dolën me nxitim nga ndertesa e drejtorisë me dy kate e shumë dritare,   mesa merrej vesh, për të pritur miqtë e sapoardhur.  Disa të tjerë  nga zyrat e  repartet, vrapuan drejt klubit. Po në atë orë, çastisën gazetarët nga Zëri i Popullit e Puna, ndërsa nga një autobus i gjatë me rimorkio „Shkodra“, zbritën  gra  e vajza  të veshura për bukuri dhe djem me kostum e  kravatë,   “ Çjanë gjithë këta?” tha  Rudi me vete , ndërkaq u përmend,  mbylli zyrën,  doli jashtë  dhe nxitoi  pas të tjerëve.

 Në sallën e mbledhjeve busti i bardhë i derdhur në allçi, i udhëheqësit hijerëndë të partisë dhe të shtetit, gdhihej e ngrysej mbi skenë tok me parrullat në mure: “Lavdi PPSH!”,“Në një dorë kazmën, në dorën tjetër pushkën!” …Zakonisht në atë sallë mbaheshin mbledhje me rëndësi.Në mbarim shpërndaheshin urdhëra e medalje, fletë nderi e lavdërimi. Çdo të shtunë, pas orës tre, shfaqeshin dy drama, njëra me ballistë e gjermanë të trembur, tjetra me fletë-rrufetë e revolucionarëve të revoltuar. Jepej përherë i njejti koncert. Kovaçi Braçe i ofiçinës, i qeshur me gërnetë e def me zilka, këndonte dy këngë. E para, ishte „Kongresi i Përmetit me shumë vendime“ dhe  e dyta   „Më ka marrë malli me u fejue“. Kjo këngë  shoqërohej gjallërisht nga tre tenorë të Operës së mbyllur, me refrenin „Merre pra, lene pra!“ Pastaj në kor vajza e djem, këndonin dy lavde për partinë. Bardhi, zdrukthëtar, recitonte dy poezi nga dy poetë të shquar të ngjashme me hymnin për revolucionin botëror. Në ato vite akull të ftohtë poetët me urat e zjarrit të vargjeve, ndezën flakë dynjanë, male, fusha e pyje. Regjizori i gjithë programit artistik, ishte një aktor i njohur të cilin pas studimeve në Moskë, siç flitej, e kishin sjellë për edukim në gjirin e klasës punëtore.

 U përhap fjala vesh më vesh, se zytarët me vetura nuk ishin as artistë, as  konferencierë, ,as vizitorë, por njerëz të drejtësisë.Salla u mbush përplot me punëtorë e nëpunës. Rudi kërkoi e gjeti vend në radhën e tretë.   

 Në skenë, pas tryezës së gjatë mbuluar me cohë të kuqe, zunë vend vetëm juristët. Ata hidhnin sytë nga salla, afroheshin e flisnin kokë më kokë. Hapnin çantat, rrëmonin brenda e nxirnin dosje gri. Pastaj mbyllnin çantat e hapnin dosjet ngadalë. Mbi kokat e tyre, udhëheqësi i madh  i derdhur në allçi vështronte sallën  e murin përballë.

Sapo në sallë, hynë pesë djem të shoqëruar nga ushtarakë me uniforma blu, u kuptua se nuk do të mbahej konferencë për ligje, por gjyq, sipas rregullave të drejtësisë popullore. Kryetarja e trupit gjykues, shoqja Sandra, një grua e bëshme e pak e shkurtër, pasi paraqiti anëtarët  gjyqtarë, çeli seancën gjyqësore për shqyrtimin e aktakuzës së prokurorisë kundër pesë të pandehurve që ishin orvatur  me grusht shteti të krijonin një qeveri të re. Të pandehurit i përmendi me radhë: Ceni, mekanik,  Agroni, frezator, Nasi, elektricist, Pali, tornitor dhe Zefi, shofer.

 -Gjatë gjykimi të çështjes- tha ajo- do të dëgjohen edhe dëshmitarët.

 Më tej njoftoi se avokati  mbrojtës mungonte, se dergjej  në shtrat nga gripi kinez. Nuk la pa harruar as ligjet, rregullin e qetësinë në vend. Mandej iu drejtua anëtarëve të trupit gjykues, nëse kishin pyetje apo vërejtje. Në fund  i dha fjalën përfaqësuesit  të prokurorisë. 

 Prokuroti i shtetit, shoku Teli, i gjatë e pak thatim, me disa fletë të bardha ndër duar nisi me gjallëri  të lexonte aktakuzën. 

Rudi duke dëgjuar me vëmendje, mori vesh se bëhej fjalë për një qeveri fantazmë, sajuar nga dorë mjeshtri, hë për hë me pesë zanatçinjë: Ceni-kryeministër, Agroni- ministër i arsimit, Nasi-ministër i brendshëm, Pali- ministër i industrisë, Zefi- ministër i transportit. Autori me hetuesin në ato çaste ndoshta  ndodheshin aty, ose pinin kafe me konjak, fjaloseshin e  qeshnin. në klubin pranë Teatrit Popullor. 

  -Qeveria e re- tha prokurori- do të krijohej pas disa mbledhjesh të fshehta dhe agjitacionit e propagandës. Në fund me grusht shteti, të paktën me njezëtë vetë, do të përmbysnin pushtetin e popullit.

 -Na marshin të ligat! – shpërtheu zëri i njohur i Athinasë.

 -Poshtë armiqtë! – thirri sa i hante fyti një nga ata, që ishte ulur në stolat e prapëm.

-Në litar! Në litar!-ulëritën nja pesë a gjashtë. Këto britma u mbuluan nga një murmurimë e mbytur në sallë, por u shua sakaq. Akuzat ishin të shumta.  Sipas prokurorit pak si gjaknxehtë, në mbledhjet e asaj qeverie me zanatçinjë, ishte vlerësuar sidomos përhapja e njoftimeve për veturat në perëndim. Kush qe më i shpejtë, Fordi apo Fiati, Ferari apo Benzi, Pezho apo BMV?  Shoferi paskësh thënë një fjalë armiqësore,  se “me Xin-fu prej Tirane në Shkodër kam shkue bash për gjashtë sahat.”Në mbledhje ngrinin në qiell skuadrën e fubollit të lakejve  të Gjermanisë revanshiste. 

Mandej prokurori ngriti lart një letër. Sipas saj ishte nxjerrë një sekret i madh zyrtar! Ceni u paskësh treguar  shokëve për një mbledhje të hapur në Ofiçinën Qendrore të ndërtimit. Atje, pas kritikave të rrepta nga të dërguarit e ministrisë dhe kantiereve të ndërtimit, drejtori i oficinës i skuqur në fyturë,  qe ngritur e kishte folur shkurt kështu: “Diku në Torino, është një uzinë e madhe veturash. Në mbarim të proçesit teknologjik veturat njera pas tjetrës, dalin jashtë.  Kontrollori me shufër hekuri në dorë, hedh vështrimin rreth e rrotull veturës së parë, përgjon rrahjet e motorit e thotë: “kuesto buono!” Më tej pa pritur therret: “kuesto non e buono!?” Ngre shufrën e godet mbi të, kurse ju kamionët e shkatërruar në rrugë pa rrugë e zalle lumejsh, kur shumë pjesë këmbimi mungojnë,  i doni, “tuto buono!”

 Siç po dukej kjo shfaqje e çuditshme drejtësie, po merrej me punëtorët, të cilët pas punës kishin folur parqeve për  makina e sportin. 

Kur prokurori mbaroi rolin e caktuar, kryetarja thirri të pandehurit:

-E pranoni akuzën?

 Të pestë,  njeri pas tjetrit u përgjegjën me “jo!”: 

 Ceni: as në andërr, s’e kam pa veten teme, kryeministër.

Agroni:  ç’ne! Unë minister?

Nasi për një çast heshti pastaj tha: as unë.

Pali: ç’ka di veta! Veç në torno di me punue.

Zefi: tan kohën e lume kam drejtue veç kamiona „Zis“ ndër zalle lumejsh. 

Prokurori kërkoi fjalën përsëri e derdhi breshëri  akuzash e pyetjesh, sidomos ndaj  kryeministrit, pa harruar se në emër të kujt fliste: „parti, popull, pushtet, ligje, drejtësi etj…“

 -Na thuaj i pandehur, sa mbledhje të këshillit të ministrave keni zhvilluar? Kush diskutoi?  Ç’vendim morët për grushtin e shtetit?

Ceni, sa nuk qeshte me këto akuaza  e pyetje.

Rudi në heshtje e qortonte:”ç’qesh o i gjorë! Akuza të tilla të dërgojnë lidhur para togës së pushkatimit.“

 Kur prokurori ngrinte zërin edhe më, i akuzuari mblidhte mendjen e zbehej. Djemtë e tjerë, duke mos qenë të njohur me seanca gjyqësore, e ndërprisnin shpesh shokun Teli. Shoqja Sandra, përmendej dhe me të drejtë vendoste  rregull e qetësi.

Ndërkaq Rudi pyeste: „me gjithë mend e kanë këta juristë nga jugu, që ngrefosen përballë punëtorëve të lodhur, me defterë e stilografë kinezë në duar? Mos është kjo, posi loja me luftë para një jave në Kombinat, me alarme e sulme aeroplanësh me bomba atomike?“ Mesa i kujtohej, në raportin e luftës shkruhej: drejtori u plagos. Komandën e mori zv.drejtori. Sanitarët e mbartën drejtorin me barelë në spital-strehimin, ndërtuar me çimenton e prodhuar në fabrikën e çimentos me forcat tona. Shefi i furnizimit u vra. Shefit të planit iu shtua dhe detyra e furnizimit. Punëtorët-ushtarë luftuan trimërisht me mitrolozë mbi taraca, çati e buzë lumit. Disa dhanë jetën me partinë në gojë. Armiku nuk pati më guxim të vijonte më tej sulmet pirateske. Kombinati shpëtoi me pak dëmtime. Fabrikat punonin, norma tejkalohej e plani realizohej.” Kështu ishin këto lojëra. Mos vallë në sallën e klubit po ndodhte diçka e ngjashme?

Nasi, i caktuar ministër i brendëshem, ndërsa po pyetej, ndërroi mendje, duke pranuar gjithçka. Befas iu morën mendt e u shtri me atë trup të shëndoshë drejt e në dysheme. Prokurori me dorën drejtuar poshtë, i mëshoi zërit edhe më: -Shihni, ç’ministër kanë caktuar! 

 Një nga dëshmitarët, flok-kuq e verdhacuk, fliste shtruar. Nuk zbardhej, por as nxihej, me sajime e kallxime ndaj shokëve. 

Rudi vuri re se proçesi gjyqësor po zgjatej si shumë me çështje transporti ndaj mendohej: “përse kryetarja paska zgjedhur kombinatin tonë, që s’ështe as uzinë traktorësh e tankesh, as park dhe as ofiçinë veturash? Veturë ka vetëm drejtori.”  

Shoku Teli, sipas rregullit kërkoi nga trupi gjykues dënimin e tyre si fajtor: për kryeministrin 15 vjet me heqje lirie dhe për çdo ministër 5 vjet. Pas tij hynë në valle fajtorët pa faj e pa avokat, me kërkesa të kota për pafajësi. Trupi gjykues me dosjet mbi tryezën e gjatë u ngrit  në këmbë. Shoqja Sandra, pasi  hodhi vështrimin në sytë e bustit të bardhë derdhur në allçi, i quajti fajtor sipas ligjit  n.55, për agjitacion e propagandë, Vendimi: shtatë vjet heqje lirie për të gjithë, me përjashtim të ministrit të  brendshëm, i lirë me kusht. Ky vendim është i formës së prerë.

Rudit iu kujtua një përrallë me Nastradin, Padishah e me vezir në gjyq. Kadiu pas akuzash të rrepta, kërkoi nga Padishau i përgjumur dënimin e një farë filozofi, kockë e lëkurë, të quajtur Risili, me njëzetë goditje kamxhiku në prapanicë.

                                  ***

Rudi i ngritur në këmbë edhe ai tok me të tjerët, pyeste në heshtje kryetaren: “Po me grushtin e shtetit ç’u bë? Po qeveria? Mos vallë trupi gjykues harroi?” Iu duk sikur perdet e skenës, ashtu si në teatrin tragjik, nën breshërinë e duartrokitjeve, po uleshin përvajshëm. 

Në rreshtat e para shquhej shtati i lartë dhe i hollë i Rudit, ndryshe nga shoqja Sandra, e shkurtër, por e bëshme. Tek po dilte Rudit iu kujtuan shpikësit e dëgjuar të makinave dhe fliste me vete: “askush s’duhet të habitet me  ligjet tona  aq shkencore, që me të drejtë kërkojnë të mbyllet goja për shpikjet e tyre.” Ndërkohë Këshilli i Ministrave me Kryeministrin në krye pak javë më parë kishte marrë një vendim të jashtëligjshëm. Disa vetura çeke të mbetura parqeve, ua dhanë qytetarëve me çmime të caktuara nga lartë. Shumë djem vrapuan dhe i blenë pa ngurim. I ringritën menjëherë dhe u sulën me hare jashtë qyteteve. Një ditë, nuk dihet se kush, dha një kundër-urdhër. Veturat u ngujuan në oborre shtëpish për kotece pulash. Natyrisht si përherë, vetëm kuadrot kryesore, pas mundimesh në zyra, plenume apo mbledhje, duhet të shlodhen ndër vila pranë detit. Të shetisin me vetura nëpër atdheun tonë të bukur për të mirën e të cilit u del gjumi natën. Njeri drejt veriut, tjetri për në jug. Në ato orë vargu i gjatë i policëve në rrethe me radio në vesh, shfaqej  buzë xhadeve të cilat duhet të jenë të qeta e pa rrezik për jetën e tyre. Si mund të jetohet pa ta?”

Juristët e shtetit, të përcjellë nga drejtori e sekretari i partisë, u hipën veturave të përfolura . Të mbështetur  qetë në ndenjëset e buta  u larguan nëpër rrugën me baltë e gropa. Prapa  nxitonte me zhurmë Xinfu-ja-burg. Në ato çaste shkrepi rrufeja. Si mallkim,  qielli bubulloi. Shiu i imtë u kthye në rrebesh. Nëpunësit  e ndërmarrjes së madhe, të prirë nga drejtori e sekretari u sulën për në ndërtesën me dy kate e shumë dritare  të drejtorisë. Punëtorët vrapuan për në reparte, ndërsa ata të ndërmarrjeve të tjera, mbërritën me një frymë në autobusin “Shkodra.” Nëpër  retë e nxira të ulura poshtë,  tymi i zi i fabrikës së çimentos që ngrihej lart e shpërndahej në lagjen pranë, thuajse nuk dukej. 

  Prokurori i shkathët, kur dikush nga fisi i vet ra nga fiku, u emërua magazinier zhavori  jashtë Tiranës. Në kohra lirie, punoi avokat e mbronte mafiozët. Jo vetëm kaq, si i përndjekur, pas vitit 1997, u zgjodh anëtar i Këshilliit të Lartë të Drejtësisë.

Historianët e ndonjë shkrimtar i plakur këto histori i dinë më së miri, por nuk shkruajnë, se u është mbaruar boja. Kur takohen, nuk thonë asnjë fjalë për to, qajnë hallet për librat e tyre, që s’i prek me dorë askush e psherëtijnë për fatin e fabrikave gërmadha tok me oxhaqet pa tym. 

                                          

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, ME SHI E BALTË, VJESHTË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT