• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

Kosova me Kuvend e Qeveri të re, do ketë edhe Presidenten e re…

April 2, 2021 by dgreca

-Adresimi i Kryeministrit Albin Kurti sot në seancën e parë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës/

-Sot seanca plenare fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre/ PRISHTINË,  2 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ky është një vit kur e kemi edhe  Qeverinë e re edhe Presidenten e re, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në adresimin e parë, në seancën e parë plenare pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit, Albin Kurti:  

Faleminderit kryetar Konjufca,

Të nderuar deputetë, 

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Zëvendëskryeministra,


Jemi në kontekstin politik dhe institucional kur sot kemi një vendim shumë të rëndësishëm bashkërisht e ky është konstituimi i Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, këtë evidentim të trashëgimisë që kemi hasur në kuptimin institucional politik dhe administrativ do ta përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionin e shpalosur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm.

Pra rendi edhe logjik dhe kronologjik i gjërave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se  ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës.

Po të ishte ndonjë vit tjetër, nuk do të kishte nevojë të ishte kësisoj, mirëpo tash jemi të bindur që kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara.

Në anën tjetër, në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultateve u pat vonuar 53 ditë. Kësaj radhe ka qenë përafërsisht gjysma e asaj periudhe, 27 ditë dhe përderisa ne herën e kaluar kemi pasur bisedime 4 mujore për koalicionin qeverisës, e nganjëherë në të kaluarën kanë shkuar edhe deri në 6 muaj, kësaj radhe 9 ditë pas certifikimit të rezultateve e kemi votuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si hap i dytë pas hapit të parë që ishte zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Pra jemi më shpejtë se çdo herë më herët.

Sa i përket vaksinës, po  të ishte vaksina Pfizer ose Moderna unë nuk do të shkoja ta marr. Vetëm për shkak se ka qenë AstraZeneca e cila ka një reputacion të lënduar sot në botë jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës që ta marrë i pari vaksinën Astra Zeneca, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar veten, apo për të qenë thjeshtë i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës kundër COVID 19, mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës. 

Ndërkaq, sa u përket çështjeve që u ngritën edhe për menaxhimin e pandemisë në njërën anë, marrjes së vaksinave sidomos, edhe të çështjes së mundësisë së shtrenjtimit të energjisë elektrike ku kemi paradoksin që liberalizimi i tregut rrezikon të na e shtrenjtojë energjinë elektrike në vend se të na e lirojë atë, do të flasin ministrat përkatës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Unë, edhe njëherë ju dëshiroj punë të mbarë, sepse me konstituimin e Komisioneve Parlamentare fillon puna përmbajtjesore e Kuvendit të Republikës dhe ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet, sugjerimet e kritikat.

KUVENDI I KOSOVËS 14 KOMISIONE PARLAMENTARE,  7 UDHËHEQEN NGA VETËVENDOSJA…

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, u mblodh sot në seancë plenare, për të shqyrtuar propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare. Para seancës plenare, Kryesia e Kuvendit në një mbledhje u dakordua t’i propozohet seancës që edhe në këtë legjislaturë Kuvendi të ketë 14 komisione e më pas u bë ndarja e tyre midis grupeve parlamentare, sipas formulës së përcaktuar dhe të praktikuar në legjislaturat e kaluara. 

Grupi më i madh parlamentar, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, do të udhëheq shtatë komisione: Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërrmarrësi, Komisionin për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisionin për Qeverisje Lokale Zhvillim Rajonal dhe Media, si dhe Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

 Dy  komisione do t’i drejtojë Grupi Parlamentar i PDK-së: Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Grupi Parlamentar i Listës Serbe Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim, ndërsa Grupi Parlamentar 6 Plus do të udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.   

Konform propozimit, sot seanca plenare e Kuvendit fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre.

Fillimisht u bë betimi i deputetëve të rinj, atyre që nuk ishin betuar në seancën konstituive, si dhe deputetëve që kanë zëvendësuar ish-deputetët, tani të zgjedhur anëtarë të qeverisë.

 Seanca vijoi me deklarimet jashtë rendit të ditës, në të cilat sqarime dhanë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.Në pyetjet parlamentare ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u përgjigj në pyetjen e adresuar nga deputeti Bekim Haxhiu.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Qeveri e re

MEHILL VELAJ U RIZGJODH KRYETAR I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

April 2, 2021 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti-Presidenti i Shoqatës/

Nju Jork, 2 prill 2021– (Mëhill Velaj u rizgjodh kryetar, dr. Yllka Filipi nënkryetare dhe Veneta Çallpani sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

     Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë votuan online për zgjedhjet e reja 2021. Kjo u bë e detyrueshme, pasi ishte i vështirë organizmi sipas traditës që mund të shoqërohej edhe me veprimtari të tjera.

     Në mesin e krijuesve, kolegëve dhe anëtarëve të Shoqatës, u propozuan disa kandidatë. Shumica e votave ishin për kandidatin Mëhill Velaj.

     Mëhill Velaj është autor i 20 librave me poezi, tregime, publicistikë dhe romane. Ai është anëtar i Shoqatës që nga themelimi i saj dhe ka mbajtur postin e nënkryetarit për dy mandate në vitet 2005-2007 dhe 2007-2010. Në vitet 2010-2013 ka qenë sekretar ndërsa nga viti 2016-2019 ishte kryetar i Shoqatës.

     Përvoja e tij organizative do jetë garanci që të dërgohen më tej rezultatet e punës në Shoqatë.

     Në këtë ditë të shënuar për mbarë krjuesit ai tha për anëtarët e Shoqatës:

     “Ju falënderoj për ndjenjën e respektit dhe vlerësimit, për atë memorje kulture që ju karakterizon mes hyjnores, krijueses e njerëzores. Shumë mirënjohje dhe falenderime që me votat tuaja më dhatë besimin dhe respektin, duke më zgjedhur kryetar të Shoqatës. Për shkak se mandati ynë i parë qëlloi në kohë pandemie, shumë aktivitete letrare u pezulluan. Me kënaqësi deklaroj se kryesia e Shoqatës do të jetë si në mandatin e kaluar”.

     Studiuesja e letërsisë dhe shkrimtarja dr.Yllka Filipi, u rizgjodh nënkryetare ndërsa shkrimtarja e re e talentuar Veneta Çallpani, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u themelua në vitin 2001 nga dr. Gjekë Marinaj, i cili njëherit ishte edhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 president i Shoqatës u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa për dy mandate radhazi u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu.

     I urojmë suksese kryesisë së Shoqatës në jubileun e 20- vjetorit të themelimit të saj!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Adi Mehmeti, Mhill velaj, rizgjidhet kryetar

NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR

April 2, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte 2 Prilli i vitit 1991.  Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri.  Megjithëse vet ato zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë — siç shkruante në atë kohë edhe gazeta   Nju Jork Tajms, Shqipëria — “ky vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”. 

Sidomos ata shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. 

Fatkeqësisht, edhe sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë paqësore.  Ato të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim – kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve.  Sepse sipas raportit të posa botuar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport: “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.  Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”  

Problemi është se kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.

Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë — për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës,  për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste. 

Por, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.

Por ajo që mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,

lule të demokracisë — që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:   

Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër

Sali Mani – Katër dëshmorët – YouTube

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

ma të bukurat lule në botë

pak me ujë e pak me lotë.

Katër yje të lirisë,

Lulet e demokracisë.

Kush i vrau dora iu thaftë

Kush i preku zemra iu çaftë.

A e dini kush i vrau, 

Dje i vrau e sot i qau.

Dritë as diell me sy mos paftë, 

Diktaturë zemra t’u çaftë.

Ndalo ti o dorë mizore

Dorë e zezë konservatore

Pesë dekada na ke vra

S’i le nanat as me kja.

Arben Broci djal ku je?

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

Po qet shkumbë burokracia

Se u shpalos demokracia

Kush dha urdhër në atë shtërngatë

Me vra  njerëzit duar thatë.

Ju thaftë goja kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha?

Ti o vrasës urdhërdhanës

Helm tu bafshin gjijtë e nanës!

Nepër popull plumba ranë,

Katër yje në gjak u lanë.

Fshehu dorën tirania,

derdhi lotë demokracia.

Po renkojnë malet me gropa,

Korbat sillen rreth e rrotull,

Në katër rrugë ka mbetë ai popull.

Diktatura na varfënoi,

E si komb na përçudnoi,

Na dhanë rrugat nepër botë.

Diktatori vrau e preu

Plot me plagë u mbush Atdheu

Ju tha zemra kësaj Shqipni,

Për liri, demokraci.

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

Ma të bukurat lule në botë

Pak me ujë e pak me lotë.


Arben Doci ku të ra gjaku

M’u  te dora e Bujar Bishanakut

Te Besniku te Nazmia,

Gjaku i juaj Demokracia.

Hej, Arben Broci djal ku je,

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

                                    

Filed Under: Politike Tagged With: Deshmoret e 2 Prillit, Frank shkreli

PASHKËT, KRISHTI I NGJALLUR SHKATËRRON VDEKJEN DHE MËKATIN

April 2, 2021 by dgreca

Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York në një komunikim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, uron në mënyrë solemne besimtarët e krishterë në USA dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën me rastin e festës së Pashkëve. Famullitari Popaj falenderon dhe bekon besimtarët e famullisë së tij për përballimin me sukses të pandemisë në një kohë që jo vetëm nuk ia kthyen shpinën Zotit por dëshmuan fe dhe shpresë si dhe lutet për shpirtrat e humbur gjatë pandemisë globale.  Famullitari Popaj apelon për dashuri, vëllazëri, lutje, bekim, shpresë dhe pendesë.

PASHKËT, FESTA KU KRISHTI MUNDI VDEKJEN

Festa e Pashkëve është festa më e rëndësishme për ne të krishterët, është koha dhe festa më e shenjtë. Kjo festë është misteri i mistereve. Është koha në të cilën Krishti tregon se pse ka ardhur në botë për shëlbimin tonë, për të shkatërruar atë që na ka shkatërruar neve, vdekjen tonë e për të na ringjallur në jetën e pasosur. Vdekja ka ardhur prej mëkatit. Jezusi e shkatërron të keqen me ardhjen e tij. Për shëlbimin tonë Jezusit i është dashur të kalojë në shumë mundime njësoj si mundimet tona në jetë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që përkojnë me vuajtjet dhe sakrificat e Jezusit 40 ditë e netë në shkretëtirë, që quhen Kreshme. Ne perkujtojmë atë rrugëtim sprovash e mundimesh që Jezu Krishti ka kaluar për shëlbimin tonë. Krejt besimi i krishtërë është themeluar në misterin e Pashkëve, në mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit prej të vdekuri. Ne vdesim me Krishtin e ngjallemi me Krishtin. Pashkët fillojnë përgatitjen që nga e “Mërkura e Përhimeve”, që fillojnë Kreshmet 40 ditë që na përgatisin si të krishtërë, për ti jetuar shpirtërisht këto kohë. Është një kohë thellimi në jetën tonë, kohë reflektimi në vepra të mira, në pendesë, në sjellje të mirë, në rrëfime, përshpirtshmëri, ka shumë rëndësi jo vetëm me u duk i krishterë por me jetu si i krishterë. Ashtu siç Krishti çrrënjosi vdekjen, ashtu dhe ne duhet të çrrënjosim brenda vetes tonë mëkatin. Më pas fillon e Enjtja e Madhe, ose tre ditëshi i Pashkëve që është themelimi i meshës së shenjtë dhe urdhëri i Krishtit që thotë: ‟Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Është themelimi i urdhërit të meshtarisë, shugurimi i apostujve. Jezusi u lan këmbët apostujve duke treguar dashuri të madhe. Se dashuri nuk do të thotë vetëm gjëra të mira por edhe sakrificë, edhe pluhuri i këmbëve, që simbolizon pluhurin e mëkateve tona. Është një shenjë e madhe dashurie e sakrifice. Kjo është shenjë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, i cili përveç të tjerash vdes në kryq për shëlbimin tonë, për larjen e mëkateve tona. Në Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujtojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Të shtunën është vdekja e Jezusit, e vetmja ditë që s’ka meshë. Të shtunën Krishti pushon në varr.  E Diela e Pashkëve është Ringjallja e Krishtit nga varri. Fjala ‟Pashkë” do të thotë “pesa” në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Kalimi nëpër detin e kuq, është një formë pagëzimi, kalim në tokën e premtuar. Kalimi i ëngjullit të vdekjes mbi dyert e shtëpive që ishin të lyera me gjakun e qingjit të Pashkëve në formë T. Qingji i Pashkëve është Krishti vetë, ai ofron theroren dhe bëhet vetë therore. Gjithçka që është thënë në testamentin e vjetër është zbuluar dhe plotësuar në testamentin e ri, testamentin e Krishtit. Pashka është festa e festave për ne të krishterët. Sa fort don Zoti me shëlbuar njerëzimin mbarë me anë të vdekjes e ringjalljes së Krishtit.

PANDEMIA NA FORCOI NË FE DHE SHPRESË

Për famullinë tonë ka qenë një vit shumë i vështirë. Me ndihmën e Zotit kemi dalë të jemi të fortë në fe dhe në shpresë. Ne jemi një popull shumë i ndërgjegjshëm dhe që zbatojmë me përpikmëri rregulloren dhe ligjet e Administratës së shëndetësisë dhe rregullat e kishës. Jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë në të kaluarën. Kjo na ka bërë më të fortë në fe dhe të dëgjueshëm. Kemi pasur mirëkuptim te njerëzit në zbatim të rregullave. Edhe ceremonitë kanë qenë në zbatim të plotë të rregullave dhe besimtarët kanë dëshmuar një qytetari të veçantë në këtë kohë. Ishte një kohë e pazakontë dhe na ka ardhur keq kur u kemi thënë besimtarëve mos hajdeni në Kishë, sa herë ndryshonin rregullat e shtetit për pandeminë. Edhe pse kishim shumë humbje, feja e njerëzve veçse rritej e nuk pakësohej. Besimtarët kanë qenë të shkëlqyer në këtë periudhë të vështirë për mbarë globin e jo vetëm për famullinë tonë. I falenderoj dhe i bekoj në mënyrë të veçantë.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË

Ka qenë shumë e vështirë që të realizonim proceset fetare në famulli në kushtet e izolimit dhe pandemisë masive por nepërmjet LiveStream kemi ofruar çdo shërbesë fetare pothuajse si në kushtet normale. Në çdo moment ne kemi qenë prezent për besimtarët tanë. Besimtarët nuk u shkëputën nga kisha por qëndruan të lidhur shpirtërisht. Besimtarët tanë kanë pasur një fe të gjallë. Jam ndjerë i mrekulluar prej besimtarëve tanë që na kanë ndjekur dhe kanë treguar besim të fortë. Kjo është një shenjë e mrekullueshme prej Zotit. Duke qëndruar të lidhur me Zotin, në lutje dhe shpresë, duke ia dedikuar Zotit, duke i motivuar fort, duke u qëndruar pranë me këshilla dhe lutje kemi arritur të formojmë një marrëdhënie të fortë në fe dhe shpresë me besimtarët tanë. Lavdi i qoftë Zotit për besimin që kanë në zemër besimtarët tanë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë treguar një shenjtë të fortë feje. Historikisht, ne shqiptarët kemi treguar shenja e lidhje të veçantë me besimin. Në kohërat më të vështira shqiptari nuk e humbi fenë. Këtë e dëshmuan edhe në këtë pandemi. Kjo është dhuratë dhe bekim prej Zotit. 

FAMULLIA ZOJA E SHKODRËS PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE

Numri i vdekjeve dhe infektimeve jo vetëm në famullinë tonë por globalisht ka qenë një vit që nuk mbahej mend më parë. Bota u gjend sa hap e mbyll sytë nën një kërcënim dhe infektim masiv. Bilancet ishin si të luftës. Për këdo ishte e vështirë. Shumë gjëra ndryshuan por feja jonë nuk ndryshoi. Që prej pandemisë më shumë se 135 vetë ndërruan jetë, vdekje të parakohshme, një shifër kjo shumë e lartë për famullinë tonë. Në kushte normale, kjo famulli regjistronte nga 10 deri në 15 vdekje në një vit, imagjinoni sot sa të larta janë shifrat. Ky ishte një vit i rëndë pasi mbi të gjitha njerëzit nuk dinin fundin e kësaj pandemie dhe shqetësimi sa vinte e shtohej. Ne jemi popull që kemi vuajtur gjithmonë. Vuajtja nuk na ka frikësuar, vuajtja na ka forcuar më shumë. Shqiptari është i gjallë, është i fortë. 

JETA FAMULLITARE NË FAMULLINË ZOJA E SHKODRËS

Besimtarët e mi nuk janë thjeshtë besimtarë, ata janë familja ime. Unë kam 30 vjet këtu me këtë popull të dashur e të nderuar. Ne kemi një lidhje speciale mes nesh. Ne jemi rritur së bashku, ne jemi një familje e madhe. Njihemi familjarisht e kemi lidhje shumë të fortë. Shqiptarët janë model për jetën katolike që bëjnë. Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme dhe çregullime politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Kjo pandemi ka vënë në rrezik krejt njerëzimit në të gjitha aspektet. Pavarësisht sfidave të mëdha sidomos tek emigrantët e rinj, ata gjithmonë e gjejnë kohën të ndjekin procesionet fetare dhe të jenë të rregullt në kishë. U jam mirënjohës për fenë dhe besimin që kanë. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë më të mira për besimin dhe devotshmërinë që kanë. 

MESAZHI I URIMIT PËR FESTËN E PASHKËVE

Kjo është një festë e madhe për të gjithë ne. Si fillim lus Zotin që në këtë kohë të shenjtë të pendesës, të uratës e të bamirësisë që të na shërbejnë për përmirësimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror e fizik. Festë të gëzuar, të paqtë e të lumtur për të gjithë. Lus Zotin për të gjithë ata njerëz që e ndjejnë vetën të larguar pak prej Zotit që kjo kohë ti afrojë afër Zotit e njëri tjetrit. Kush vjen afër Zotit vjen afër familjes e afër vetvetes. Lus Zotit që të shërohen të gjithë ata që po lëngojnë prej pandemisë e të gjitha sëmundjeve e shqetësimeve të tjera. Lus Zotit që të shërojë çdo njeri ashtu si Krishti na sheroi ne prej sëmundjes së vdekjes. Lutem që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe bota të gëzojë paqen, zhvillimin e begatinë, pa kërcënime e shqetësime sëmundjesh, por me lumturi e besim te i madhi Zot. Lus Zotin që të kemi një kohë shërimi për të gjallët dhe për të ikur në botën e pasosur të kenë jetën nëpërmjet Krishtit me anë të Ringjalljes. I lumi Jezu Krisht me anë të Ringjalljes dhe dritës së tij, të lutemi që ta shkatërrojë terrin e vdekjes e të sjellë për të gjithë njerëzit shpëtimin e shëlbimin që ne presim dhe lutemi çdo ditë. Shërimi i Krishtit dhe shpëtimi që vjen prej tij le të jetë prezent në jetën e secilit prej nesh. Pashkë të gëzuara e të bardha për të gjithë. 

Filed Under: Featured Tagged With: dom Pjeter Popaj, Pashket

NDERIM DHE RESPEKT PËR PATRIOTIN DHE VATRANIN E PËRJETSHËM AGIM KARAGJOZI

April 1, 2021 by dgreca

NGA ELMI BERISHA/

Kryetar i Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA”/

Sot u bënë 3 vite që kaloi në jetën e pasosur z.Agim Karagjozi, nacionalisti, patrioti i spikatur, atdhetari i shquar dhe vatrani i përjetshëm. Ai e udhëhoqi familjen më të madhe patriotike në Diasporë, Vatrën për dy dekada. Unë kam pasur fatin jo vetëm ta kem mik të vyer por dhe të konsultohem herë pas here për çështjet e Kosovës dhe më gjërë. Z.Karagjozi ishte burrë me vision, kishte mençuri dhe fisnikëri të veçantë si shqiptar dhe patriot. Zgjuarsia e vizioni i tij largpamës janë edhe sot model për çdo drejtues. Vatra, vatranët dhe të gjithë shqiptarët do ta kujtojnë me nderim e respekt këtë figurë të lartë patriotike që i tejkalon caqet e kohës dhe të një shteti. Ing.Agim Karagjozi, për veprimtari të shquar në shërbim të atdheut, u nderua me titujt më të lartë të kombit si “Nderi i Kombit”, “Qytetari i Nderit i Gjirokastrës”, “Urdhërin e Shqiponjës” dhe me Medaljen e “Lidhjes së Prizrenit” nga Presidenti Ibrahim Rugova. Ai ushqeu dhe trashëgoi në Vatër frymën patriotike, antikomuniste, frymën vatrane dhe unifikuese ndër shqiptarë. Z.Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, modelin e tij dhe parimet e shenjta e të shtrenjta shqiptare.

 Z.Agim Karagjozi përgjatë gjithë veprimtarisë së tij u dallua si patriot i paepur, si intelektual i lartë, si njeri bujar, si vatran e patriot i devotshëm. Vatra me në krye z.Agim Karagjozi ishte kudo dhe kurdo, e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, Malësia dhe viset e trevat tona kombëtare.

Z.Agim Karagjozi kishte një dashuri të veçantë për Kosovën. Gjatë luftës ai së bashku me ekipin e Vatranëve vizitoi të plagosurit dhe dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhura nga vatranët për çlirimin e Kosovës.

Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë jo vetëm për Vatrën e sotme por shërben si model lidershipi edhe për brezat vatranë e shqiptarë në Amerikë. Agim Karagjozi ishte drejtuesi model i përkushtimit, sakrificës dhe dashurisë për atdheun. Kurdoherë përgjatë veprimtarisë së tij, vendosi interesin e Kombit në gjithçka e mbi gjithçka.
Nderim e mirënjohje të thellë këtij miku dhe Zoti e shpërbleftë me parajsë shqiptarin dhe patriotin e madh Agim Karagjozi.

New York, 1 Prill 2021

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Karagjozin, Elmi Berisha, Kujtojme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT