• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Portali Diaspora Shqiptare e Ministrisë së Diasporës të Edi Ramës po e hibridizon diasporën…

May 12, 2021 by dgreca

-PER DIJENI DEZA-Direktion für Entwicklung und Zusammenarbeit/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Ka disa kohë që është vënë në qarkullim portali Diaspora Shqiptare – nën drejtimin e Ministrisë së Diasporës – si mjeti më flagrant kundër lirisë të fjalës.

Me paratë e Perëndimit, diktatori i Shqipërisë, me shërbyesin e tij Pandeli Majkon promovon në diasporë gazetarinë sipas modelit të një shteti monist.

Edi Rama ka vite që ka hedhur në Perëndim celulat e veta, të cilat i promovon dhe i mban financiarisht për të kapur kësisoj edhe diasporën.

Janë krijuar me dhjetra shoqata si vezët e qyqes, që nuk bëjnë asgjë veç promovojnë të pabërat.

Në ndihmë u vijnë kanale televizive të RTSH, video që i hedhin në Youtube, që, sipas një informacioni, kushtojnë disa mijra Euro, të cilat iu dedikohen “yjeve të partisë” këtu në diasporë.

Në këtë valë është edhe portali Diaspora Shqiptare që e nxjerr vetë Ministria e Diasporës me paratë nga DEZA zvicerane të destinuara për forcimin e demokracisë në Shqipëri,

që Edi Rama i përdor për forcimin e pushtetit të tij omnipotent përmes klientëve të tij jashtë Shqipërie.

Fakti që një portal si Diaspora Shqiptare kanalizohet nga një ent qeveritar bie ndesh me çdo parim që ka të bëjë me lirinë e shtypit.

Shtyp i lirë në demokraci do të thotë raportim i gazetarëve për çështje me interes publik. Një shtyp i lirë mund të informojë qytetarët për sukseset ose dështimet e udhëheqësve të tyre, të përcjellë nevojat dhe dëshirat e njerëzve tek organet qeveritare dhe të sigurojë një platformë për shkëmbimin e hapur të informacionit dhe ideve.

Liria e shtypit mbrohet në Perëndim me Kushtetutë, është themelore në një demokraci të përgjegjëshme përpara Sovranit, që do të thotë se mediat janë rojtare për ta mbrojtur qeverisjen nga shkelësit e ligjit.

Ndërsa në rastin konkret është vetë qeveria e Tiranës që e shkel Kushtetutën dhe, me mjete financiare të marra nga Perëndimi, e klientelizon lirinë e shtypit.

Asnjë gazetar profesionist nuk do të pranonte të ishte palë e këtij projekti minues ndaj fjalës së lirë.

Gazetari është një profesionist në sektorin e informimit, ai merret me zbulimin, analizimin, përshkrimin dhe zgjedhjen e lajmeve dhe më pas shpërndarjen e tyre.

Kusht themelor përveç profesionalizmit është edhe pavarësia nga entet qeveritare.

Gazetari profesionist është i regjistruar në regjistrin e gazetarëve në vendin ku ushtron aktivitetin. Ai jeton me këtë profesion dhe ka një karrierë në këtë fushë.

Normalisht, në një portal serioz që presupozohej se do të mbulonte diasporën, do të duhej të kontribuonin gazetarë profesionistë me një karrierë të suksesëshme, jo ish zyrtarë të Ministrisë së Diasporës apo kontigjent i zgjedhur kokërr për kokërr në diasporë me kutin e Pandeli Majkos, Ministrit të Diasporës.

Nëse i hedh një sy portalit Gazeta Shqiptare, do të shohësh se janë të paktën rreth 2600 lajme me autorësinë “Gazetari” – pra lajme pa autorësi, të huazuara lart e poshtë – shpesh të mbushura me gabime dhe të palektoruara.

Për këto shërbime skarco klientelat pa emër paguhen, ndërsa fillojnë ta shesin veten si gazetarë!

Jo, nuk janë gazetarë!

Jo, kjo nuk është gazetaria!

Gazetaria nuk është një furçë me bojë për të mbuluar fasadën e shtetit të kapur e për t’i kthyer atë një realitet me lajle lule.

Një person që gjithë jetën ka qenë mësues nuk mund t’i teket një ditë të pretendojë e të bëhet gazetar dhe të përfshihet pastaj në projektet e Pandeli Majkos, sepse aty bie erë!

Me parat e veta mund të provojë çdo lloj aventurë, por me paratë publike jo!

Gazetaria e vërtetë e këtij 30 vjet tranzicioni nuk është lluks, qejf e pare e pistë, por është sakrificë dhe rrezik!

Opinioni shqiptar duhet të mësojë të dallojë, të mbrojë veten nga shpërdorimi  i emrit nga ata që shkelin ligjin në emrin e shtetit.

Opinioni shqiptar në diasporë duhet ta dijë se liria e shtypit nuk ka lidhje me Ministrinë e Diasporës të një vendi që i gjurmon qytetarët me database,

se në çdo vend demokratik mediat janë pushtet i katërt, i pavarur nga pushtetet e tjera, ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia.

Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një regjim monist hibrid,

ka kapur për gryke edhe lirinë e fjalës, jo vetëm në Shqipëri

përdorur instrumentat e veta shtetërore, ambasadat, projektet, mediat e Shqipërisë,

përfshi edhe portalin Diaspora Shqiptare duke e ndarë, përçarë e bërë lëmsh e li edhe komunitetin shqiptar në diasporë !

Portali Gazeta Shqiptare, kanali Urat i RTSH3, etj janë shembulli i degradimit të profesionit të gazetarit dhe mediumeve të fjalës së lirë.

Shqipëria është në rrezik.

Në rrezik është edhe diaspora.

Regjimin hibrid që ka instaluar në Shqipëri Edi Rama po e shpërndan edhe në diasporë!

Nuk do ta lejojmë!

PS

Ju lutem të vini re – screenshot i bërë prej meje në datën 10 maj 2021 rezultonin të ketë 2548 postime me emrin e autorit “Gazetar” dmth pa autorësi.

Sot më datën 12 maj 2021 – pas publikimit të shkrimit tim, në orën 10:00 rezultuan 2345 postime me emrin e autorit “gazetar”, dmth pa autorësi.

Ndërsa po sot më datën 12 maj 2021 – në orën 12:53 rezultojnë vetëm 91 shkrime me emrin e autorit “gazetar”, dmth pa autorësi.

Ja pra shiheni efektin e shkrimit. Shihni barbarinë që operon ky portal!

Sepse një sistem hibrid që ka në duart e tij, shtetin, pushtetin, mediat, nëpunësit, financat  së pari vë në objektiv si të padëshiruar gazetarët e pavarur dhe shtypin e lirë, brënda kufijve shtetërorë të Republikës të Shqipërisë, tani edhe jashtë kufijve!

Prandaj diaspora shqiptare është në rrezik !

Screenshot i bërë më 10 Maj 2021 ora 17:56

Screenshot i bërë më datën 12 Maj 2021 ora 10:00

Screenshot i bërë më datën 12 Maj 2021 ora 12:53

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Elida Buçpapaj, Portali Diaspora Shqiptare

SHQIPËRI-SHBA-NATO: NJË LIDHJE DASHURIE USHTARAKE

May 12, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/ Siç dihet, stërvitjet ushtarake shumëkombëshe, “Defender Europe 21” të NATO-s, të drejtuara nga ushtria amerikane, janë në zhvillim e sipër.  Në fillim të këtij muaji, në portin e Durrësit arrijtën një numër i madh kontenjerësh dhe kamionësh të mëdhej në prag të stërvitjeve të forcave të NATO-s në Shqipëri dhe në rajon.  Zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë përqendrim të mjeteve ushtarake amerikane dhe të NATO-s si më të madhin që është parë në bregdetin e Shqipërisë ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas zëdhënsve amerikanë, këto stërvitje ushtarake (nga 17 maji e deri me 2 qershor) kanë për qëllim parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale të Aleancës Perëndimore të NATO-s. Në stërvitjet “Defender Europe 21” të këtij viti po marrin pjesë gjithsejt 26 vende me pjesëmarrjen e 28, 000 ushtarëve të kësaj force shumëkombëshe, aleatësh dhe partnerësh.

 “Shqipëria është një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u trajnuar së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë operacionale dhe duke forcuar marrëdhëniet – të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë,” citon VOA-shqip zëdhënsen, Tammy Muckenfuss të kontingjentit të ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani.

Është mirë që me këtë rast të kujtojmë se si erdhi deri tek ky moment historik në marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, fillimisht, dhe pastaj si anëtare e NATO-s.  Megjithë rrëmujën politike të kësaj klase politike gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur neo-komunist në Shqipëri prej tri dekadash – fatbardhësisht — kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake dhe antarësimi i Shqipërisë në NATO, ato që të pakën, simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në Perëndim, shpesh edhe përball kërcënimeve nga udhëheqësit politikë shqiptarë se Shqipëria ka alternativa të tjera, duke lenë të nënkuptohet dhe duke aluduar për marrëdhëniet “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera autoritare, vende këto që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat që mbron NATO-ja, anëtare e të cilës është sot Shqipëria.  

Merita për këtë moment historik të stërvitjeve “Defender Europe 21” nuk u shkon politikanëve aktualë dhe neokomunistëve shqiptarë – jo se jo – por as të tjerëve që me “photo opps” nga platformat e anijeve ushtarake amerikane në Durrës, me dylbi në dorë sikur të ishin turistë, duan ta tregojnë veten si protagonistë kryesorë të këtij momenti historik në marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane.  Jo, jo, merita për këtë moment në histori, siç tha me 3 maj edhe zëdhënsi i Pentagonit, Z. Xhon Kirby, u shkon atyre “Burrave dhe grave në uniformë dhe punës së tyre të shkëlqyeshme nga dita në ditë në rajon – veçanërisht në Ballkan dhe në zonën e Detit të Zi, si dhe në zonat operacionale të caktuara të Evropës dhe Afrikës”, theksoi zëdhënsi i Pentagonit. Unë do të shtoja se meritë për ketë ditë të shënuar shqiptaro-amerikane, kanë edhe ushtarakët shqiptarë të cilët, krah për krah, me forcat ushtarake amerikane dhe të NATO-s janë të përkushtuar dhe të betuar që të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe vlerat e përbashkëta perëndimore, si ushtarë të një vendi anëtar të NATO-s.

Prandaj, në këtë eufori të këtij momenti historik – ndoshta deri diku edhe i justifikueshëm — ia vlen të sjellim në kujtesë se si erdhi deri tek ky moment historik i stërvitjeve historike “Defender Europe 21” në Shqipëri, vërtetë një moment krenarie për të gjithë, sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një shkrim me rastin e 9-vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO — Frank Shkreli:Shqipëria, vendi i parë ish-komunist që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf – botuar me 10 gusht, 2018 kisha shënuar një historik të shkurtër të marrëdhënive ushtarake amerikano-shqiptare se si dhe kur filluan ato. Pjesë nga ai shkrim i tre viteve më parë:

Megjithëse njerëzit mund të kenë harruar, e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme nga ana e Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe theksuar që në vitet menjëherë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, ç’prej fillimit. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve, kryesisht, për arsye të problemeve të brendshme politike në Shqipëri, por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në fillim të 1990-ave, një proces ky që zgjati, por që më në fund kulmoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhëniet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë. Që prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona më 15 mars, 1991 — pas një ndërprerjeje prej një gjysmë shekulli nga regjimi komunist — edhe Shqipëria, brenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkëpunimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e Safet Zhulalit dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të viteve ’90. Unë kam marrë pjesë si përkthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjendjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme dhe për bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.  

Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrëveshje të tillë. Si diçka e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh mos ekzistencën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Uashington Post. “Marrëveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante gazeta Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Zhulali”, njoftonte në atë kohë gazeta e njohur e Nju Jorkut. Në marrëveshjen ushtarake shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjeruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.”  Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjendej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes.

Jo vetëm që kjo ishte marrëveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të anëtarësohej në NATO. Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të anëtarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër – si një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’ – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan. Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citonte gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.

                               See the source image Ish-Sekretari i Mbrojtjes në administratën e ish-Presidentit Bill Klinton, Z. Les Aspin ka nënshkruar marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë. “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndrrës duke parë ushtarakët e rinj amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995.

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson – “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdori në mbrojtje të Shqipërisë”.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor (në Kuçovë) ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjerë.  Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata – shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona – e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve.  Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zërë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve evropiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare.  Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve. 

Ish-Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili ka vizituar Tiranën në vitin 1995  

Ishin këto disa hollësi nga një shkrim i botuar tre vjet më parë, por që ofrojnë sado pak një “background” historik se si u arrijt deri tek stërvitjet aktuale të NATO-s, Defender Europe 21 në Shqipëri – këtij momenti historik në marrëdhëniet dypalëshe, si një pasqyrim i përpjekjeve prej tre dekadash, të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zërë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve evropiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare. Për këtë, të gjithë duhet të jemi krenarë dhe mirënjohës të thellë ndaj sakrificave që burrat dhe gratë–amerikanë dhe shqiptarë në uniformë — bëjnë për të gjithë ne nga dita në ditë, për sigurinë tonë dhe për lirinë dhe demokracinë në rajon dhe në botë.

Sidoqoftë, stërvitjet “Defender Europe 21”, janë me të vërtetë një moment historik për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, besoj pa dallim, ishin të kënaqur kur pamë anijet dhe zbarkimin e mjeteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Durrës. Për mua nuk ka pasur — gjatë këtyre 30-viteve të një tranzicioni të pa fund — një moment më historik se ky, me përjashtim të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri (mars 1991) dhe antarësimit të Shqipërisë në NATO (në vitin 2009). Kjo është një ngjarje pozitive për Shqipërinë megjithë problemet me zgjedhjet e 25 Prillit dhe pa marrë parasysh se kush e pret sot NATO-n në portet e Shqipërisë.  Si përfundim, unë besoj se ndonse me dhimbje dhe vonesë, Shqipëria do të bëhet – eventualisht — edhe pa politikanët shqiptarë aktualë, të cilët edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit refuzojnë të distancohen nga komunizmi – një ideologji armiqësore kjo ndaj lirisë dhe demokracisë – e për të cilën u themelua, pikërisht, aleanca ushtarake NATO me qëllim që të përmbante përhapjen e komunizmit!  Nuk jam i sigurt nëse pritja e anijeve të NATO-s në Durrës – si pjesë e stërvitjeve “Defender Europe 21”, nga nostalgjikë të komunizmit shqiptar mund të quhet hipokrizi e rastit a po aksident historik! Kam drojë se do të nevojitet një brez tjetër politikanësh shqiptarë, por Shqipëria e lirë dhe demokratike, ashtu si e gjithë Evropa — e vlerave perëndimore të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara — do të bëhet edhe pa ta, megjith procesin e gjatë dhe shanset e shumta të humbura gjatë këtyre 30-viteve të tranzicionit politik! Edhe lidhjet ushtarake të Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n jo vetëm do të mbijetojnë por do të forcohen mëtej dhe miqësia e veçant dhe historike midis popullit amerikan dhe shqiptarëve do të vazhdojë të rritet e të lulëzojë megjithë dredhitë dhe akrobacitë politike të politikanëve shqiptarë! 

Frank Shkreli
Takim i delegacionit të Republikës së Shqipërisë në Shtëpinë e Bardhë, i kryesuar nga ish-Presidenti Sali Berisha, qershor, 1992, me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me udhëheqsit më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Shqiperi-SHBA-NATO

UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR

May 12, 2021 by dgreca

-Veprimet në Parlamentin e Dardanisë janë të shëmtuara e të papranueshme/

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

          Disa deputet të pasjellshëm të PDK-së, të përkrahur nga disa deputet të njejtë të partive të tjera opozitare dhe shërbëtorët e tyre në media, e kanë humbur rrugën në oborr. Kot mundohen të fshihen pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kot shesin pallavra se kinse ata na qenkan UÇK-ja!!  Populli i di mirë punët e tyre të ndyta anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. I shkelën me të dyja këmbët vlerat e luftës së UÇK-së. 

UÇK JANË: -Të gjithë luftarët e lirisë nga të gjitha trojet tona, prej momentit kur bisha e egër serbe zbriti nga malet Karpate në tokat shqiptare; 

-Të gjithë të burgosurit politik; Foshnjet, fëmijët, vajzat, gratë, burrat dhe pleqtë e paaramatosur të dhunuar, të torturuar, të djegur për së gjalli; 

-Kontribuesit e mjeteve financiare për blerjen e armëve kudo, sidomos në Amerikë; 

-Bartësit e snajperave me kamion nga Las Vegasi në Los Angeles dhe me avion për Tiranë, tutje deri në frontin e luftës; 

-Mbrojtësit e UÇK-së në Kongresin Amerikan me Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin; dhe shumë përkrahës nga Mërgata në gjithë botën. 

         Pra, UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR. 

         Kërkesa për dorëheqjen e Ministres së Jashtme Donika Gërvalla është qesharake e ulët dhe pa kurrëfarë baze. Deklarata e saj para disa vjetëve nuk ka të bëjë aspak me UÇK-në dhe luftën e lavdishme gjithëpopullore. Dhënia e informatave për krimet e mundëshme politike është obligim i çdo qytetari, pa marrë parasysh çfarë pozite mbanë. Qëllimi i këtyre mjeranëve është FRIKËSIMI, e thotë znj. Kimete Berisha në stilin e saj karakteristik, origjinal, te drejtpërdrejt dhe PA FRIKË.  

          Nuk frikohet bija e trimit të pavdekshëm Jusuf Gërvalla. Nuk frikohet askush tjetër. Nuk frikohet populli i Dardanisë nga dështakët. Ata nuk e kuptojnë se efekti i veprimeve të tyre të shëmtuara në parlament është i kundërt. Populli vetëm sa neveritet dhe bindet edhe më shumë për vendimin e drejt të rrëzuarjes së tyre nga pushteti. Të dështuarit në pozitë, dalin edhe më të dështuar në opozitë. Në vend se të kërkojnë falje për veprimet e tyre 22 vjeçare në shkatërrimin e shtetit, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të punojnë për së mbari. 

         Këta e paskan indoktrinuar dhe manipuluar edhe Rininë e PDK-së për të dërguar dosje dhe libër me krimet serbe te zyrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kanë huqë adresën. Këto materiale është dashur të adresohen te Vuçiqi, Thaqi, Rama dhe Mustafa, kanë patur kohë 22 vjet. Tashti le t’i adresojnë te ata dhe te zyrja e Enver Hoxhajt. Pritet dhe shpresohet se Kryetari shpresëdhënës  i LDK-së Lumir Abdixhiku ta pastrojë LDK-në nga mbeturinat e shkatërruesit të LDK-së dhe shtetit të Kosovës, Isa Mustafës. Nëse PDK vazhdon me këto veprime të ulta anti-kombëtare, do të përshëndetet me pushtetin për sa të jetë jeta.

         Këto janë përpjekje dëshpëruese për të përçarë listën Guxo dhe Vetëvendosjen, për ta dobësuar luftimin e korrupsionit dhe agresorit serb, për ta penguar ngritjen e shtetit nga qeveria Kurti. Do të dështojnë me turp, sepse këta e kanë përkrahjen e popullit shumicë. 

        Shovenisti serb Vuçiq e ka të qartë se, pas shkuarjes së Grenellit, Thaqit dhe  Mustafës, dhe ardhjes së Bidenit, Vjosës dhe Albinit, edhe luftën diplomatike e ka të humbur. Duhet pritur veprime agresive dhe trazira nga huliganët serb me qëllim të destabilizimit të shtetit të Dardanisë.

         Donika Gërvalla është nderi dhe krenaria e kombit. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë shpëtimtarët e shtetit të Dardanisë dhe kombit shqiptar. Këtyre ju bashkangjiten edhe Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Zijadin Sela, të gjithë bashkë në shërbim të kombit. 

         Kombi është mbi të gjitha.        

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, E KOMBIT SHQIPTAR, uck

FITËR BAJRAMI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR

May 12, 2021 by dgreca

Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpjegon rëndësinë e Fitër Bajramit në besimin Islam, organizimin fetar dhe atdhetar të shqiptarëve në Zvicër, muajin e Ramazanit në komunitetin shqiptar në Zvicër, aktet e bamirësisë së bashkësisë shqiptare myslimane të Zvicrës ndaj shqiptarëve në nevojë dhe funksionimin e riteve e ceremonive fetare në kushtet e pandemisë globale.   

FITËR BAJRAMI DHE RËNDËSIA NË BESIMIN ISLAM

Në fenë tonë islame kemi dy festa të mëdha dhe më kryesoret gjatë vitit: Festën e Fitër-Bajramit dhe atë të Kurban-Bajramit. Në popull njihen si Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. Festa e Fitër-Bajramit pason pas një angazhimi dhe ngjallje shpirtërore që përjetojnë besimtarët e fesë islame gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ku, ndër të tjera, agjërojnë dhe abstenojnë nga të ngrënurit dhe pija për disa orë gjatë ditës, përkushtohen ndaj veprave të mira, kryejnë lutjet dhe adhurimet e natës, ndihmojnë dhe tregohen më shumë solidarë me të tjerët, etj. Fitër Bajrami është një emërtim që ka rrjedh prej dy fjalëve të huaja “fitër” që është arabisht dhe tjetra “bajram” që është turqisht, e që në shqip do të mund të përkthehej si “Festa e Fitrit”. Pse festa e Fitrit? Sepse, sipas një mendimi, gjatë Ramazanit besimtarët paguajnë në fund një shumë të hollash për të varfrit dhe të ngratët, e që është lëmosha e Fitrit, apo siç e njohim ne në terminologjinë tonë fetare, Sadakaja e Fitrit. Kurse, sipas mendimit tjetër, shikuar nga aspekti etimologjik, Fitër nënkupton kthimin në një gjendje të mëparshme, në natyrshmërinë që kishin besimtarët përpara muajit të Ramazanit. Bajrami si festë ka një rëndësi të posaçme, pasi besimtarët agjërues janë të lumtur për arritjen e plotësimit të një kushti themelor të fesë islame, siç është agjërimi, krahas namazit, zeqatit dhe haxhit, si dhe paraqet formën më ideale për përbashkimin dhe gëzimin familjar e shoqëror. 

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër është organizata kupolë që përfaqëson mbi pesëdhjetë xhami dhe qendra islame në tërë teritorin e Zvicrës dhe, njëherësh është institucioni fetar që përfaqëson shqiptarët musliman në tërë shtetin e Zvicrës. Ne patëm shumë fat që me lehtësimet e posaçme që qeveria zvicerane lëshoi për komunitetet fetare në vend, respektivisht për adhurimet në objektet e kultit, nëpër xhamitë tona kishin mundësi të gravitonin dhe të falnin namazet ditore, ato të së premtes dhe të teravive, që janë namaze specifike të Ramazanit. Për dallim nga Ramazani i vitit të kaluar, ku aktivitetet dhe lutjet në xhami ishin të pezulluara, në këtë Ramazan patëm mundësi që të përjetojmë më shumë atmosferën e këndshme vëllazërore dhe të plotësojmë, sadopak, zbrazëtirën e krijuar në vitin e kaluar. Edhe në këtë vit, pos aktiviteteve brenda qendrave tona, komunitetin tonë e orientuam edhe në botën digjitale, ku imamët tanë prezantuan aktivitete të ndryshme në formatin online. Ndër to mund të veçojmë: ligjërata online, këndimi të Kur’anit fisnik, mesazhe dhe biseda ramazani para iftarit, emisione, kuize dhe gara të ndryshme, etj. Ky Ramazan e ka edhe veçantinë e vet, sepse, duke i pasur parasysh kufizimet, një pjesë e komunitetit atmosferën e Ramazanit e kanë kaluar në vatrën familjare. Pra, një Ramazan më shumë me familjen dhe me rrethin më të ngushtë të farefisit. 

RELIGJONI DHE CEREMONITË FETARE NË KUSHTE PANDEMIE 

Ndërmarrja e vendimeve nga organet kompetente shtetërore për të caktuar masa si preventivë ndaj përhapjes së koronavirusit Covid-19, ishte një gjë e pa përjetuar deri në këto dy vitet e fundit për komunitetin tonë, në tërë këto vite veprimtarie në shtetin zviceran. Mirëpo, si institucione që jemi, u munduam të tregojmë gatishmëri, guxim dhe përgjegjshmëri, andaj dhe konformë vendimeve, vendosëm që në fillim të pezullohet jeta aktive e xhemateve tona, përfshirë këtu faljen e namazeve me xhemat të namazeve ditore dhe të së premtes, si dhe mësim-besimin në mektebe, ndërsa nga qershori i vitit të kaluar na u dha mundësia që t’i rihapim xhamitë dhe të punohet me shërbimet fetare, por gjithmonë të kujdesshëm dhe me kapacitete të reduktuara. Kryesitë e xhamive dhe imamët tanë vazhduan të mbeten aktivë, 24 orë në shërbim të komunitetit, por duke i respektuar të gjitha masat e parapara dhe tanimë të njohura për të gjithë ne. Mendoj se kriza e virusit Covid-19, për shkak të mos aktivizimit normal të xhemateve tona, do të lë pasoja dhe do të ketë një ngarkesë për menaxhim të mëtejshëm të xhamive, sidomos në rrafshin financiar, por ne mbesim me shpresë se kjo gjendje do të kalojë shpejt dhe se xhematet tona nuk do të harrojnë t’i kryejnë obligimet e tyre që kanë kundrejt xhamive. Është një mirësi e qartë e mësimeve fetare islame, sepse ato në kushte të jashtëzakonshme dhe në kushte jonormaliteti dinë të përshtaten dhe të duken të lehta e të zbatueshme. Prandaj, feja nuk mendoj se është në krizë. Madje në kohën e pandemisë njerëzit më shumë janë afruar me fenë, ndërsa besimtarët edhe më shumë kanë forcuar lidhjet me Zotin. Kurse, kur është në pyetje teknologjia digjitale, do të thosha se ka qenë mjeti më i mirë i kohës për mbajtjen e lidhjeve me komunitetin, por jo vetëm. Përmes angazhimit online janë përçuar mesazhe shumë të fuqishme dhe janë zhvilluar emisione dhe debate shumë interesante mbi fenë dhe rolin e saj në kushte dhe rrethana sprovash. 

VEPRIMTARI BAMIRËSIE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR 

Nën drejtimin tonë, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, pos tjerash, ndërmori dy aktivitete të rëndësishme humanitare: Mbledhja e ndihmave dhe mjeteve financiare për rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit shkatërrues në Nëntor të vitit 2019, ku shuma e mbledhur kaloi mbi gjysmë milioni franga zvicerane, si dhe aksioni tjetër humanitar për “Kryqin e Kuq” të Zvicrës, me mbi njëzet mijë franga zvicerane, dedikuar për qëllime humanitare dhe për zbutjen, sado pak, të krizës që shkaktoi pandemia e COVID-19. Mendoj se këto dy aktivitete bamirëse luajtën një rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit tonë si komunitet musliman shqiptar në shtetin helvetik, por edhe në të gjithë botën shqiptare. Nga ana tjetër, brenda muajit të Ramazanit, komuniteti ynë organizon nxjerrjen dhe shpërndarjen e lëmoshës së Ramazanit, të njohur tek si sadakaja e Fitrit, mjete këto që u dedikohen vëllezërve e motrave të kombit tonë, të cilët kanë nevojë për ushqim, pije, veshmbathje, apo gjëra të tjera elementare për jetën. Ramazani dhe festa e Bajramit luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në ndjenjat tona dhe sublimojnë solidaritetin tonë me të tjerët. Festës së Fitër Bajramit i gëzohet edhe i varfri edhe i pasuri. 

NJË MESAZH PËRSHËNDETJEJE PËR DIELLIN, VATRËN DHE SHQIPTARËT NË USA

Ju falënderoj shumë për mundësinë që na dhatë, për t’u njohur dhe për të shkëmbyer përvojat tona. Kemi respekt për punën dhe angazhimin tuaj shumëvjeçar në shërbim të komunitetit tonë shqiptar në Amerikë. Amerika është botë më vete, por edhe bashkëkombësit tanë atje na kanë bërë shumë krenarë me arritjet dhe sukseset e madhe që kanë dëshmuar. Kemi nevojë të afrohemi edhe më shumë me njëri-tjetrin, të mësojmë prej njëri-tjetrit, sidomos tashmë me botën virtuale, bota nuk na duket edhe aq e madhe, si dikur më parë. Ju uroj shumë fat, suksese dhe punë të mbarë në misionin tuaj. Falë jush, Dielli juaj, tashmë nuk ngroh vetëm bashkëkombësit tanë në Amerike, por në të gjithë botën. Ju faleminderit shumë dhe urime festa e madhe e Fitër Bajramit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Bajrami, Mehas Alija, shqiptaret mysliman, zvicer

KAPITENI HYSAJ DREJT LAZIOS?

May 11, 2021 by dgreca

Lazio SMS Elseid Hysajt:” Përshtatesh me skemat e Inzagit”Kapiteni i Lazios/ Senad Lulic  me valixhe në dorë. Mbrojtësi i majtë Mohamed Fares pati një sezon të dështuar për shkak të dëmtimeve. A do të jetë shkodrani Hysaj zëvëndësuesi i Lulic ?

Përgatiti Albano Kolonjari/

Lazio po kërkon të forcojë mbrojtjen gjatë merkatos së verës dhe po ndjek nga afër situatën e dy lojtarëve të Napolit Elseid Hysaj dhe Nikola Maksimović  të cilët së shpejti do të jenë lojtarë të lirë. Lajmin e bën të ditur portali sportiv TheLaziali. 27-vjeçari shqiptar Elseid Hysaj është mbrojtës i majtë ndërsa serbi 29-vjeçar Nikola Maksimović është qendërmbrojtës.Të dy janë në dispozicion për të nënshkruar një transferim falas në fund të muajit të ardhshëm. Por cili nga të dy do të ishte më i përshtatshëm për Biancocelesti? Duke filluar me Hysaj, ka të ngjarë që ai të përshtatet më së miri në sistemin e Simone Inzaghi si mbrojtës i krahut të majtë, duke plotësuar rolin e zënë aktualisht nga kapiteni Senad Lulic  dhe ish njeriu i SPAL Mohamed Fares. Lulic ka vendosur të largohet nga Biancocelesti në fund të sezonit, ose të pensionohet ose të zhvendoset në ligën Zvicerane, duke liruar një vend në këtë rol. 25-vjeçari Fares nuk ka arritur të tregojë veten e tij në këtë sezon. Ai ka luajtur shumë pak minuta dhe është përballur me çështjet e dëmtimit të muskujve, duke i dhënë Hysaj mundësinë për të luftuar për një vend fillestar nëse ai nënshkruan me Lazion.  Duke parë statistikat, Hysaj është më pak i suksesshëm në sulm në krahasim me mbrojtësin aktual të krahut të majtë Mohamed  Fares, duke patur 0.2 xG jo-penallti me 0.6 xG jo-penalltie të Fares, por 1.5 xA i shqiptarit është më i mirë se 1.0 xA i Fares, duke sugjeruar që tek Napoli Hysaj është një lojtar më kreativ. Kjo mbështetet nga numrat kalues ​​të Hysaj. Shqiptari përfundon mesatarisht 54.7 pasime për 90 minuta, me një normë përfundimi të pasimeve prej 84.5%; Nga ana tjetër, Fares, 33.8 pasime për 90 dhe plotësojnë vetëm 77.2% të tyre, një rënie e konsiderueshme. Sidoqoftë, Fares krijon më shumë shanse për gjuajtje ne portë, mesatarisht 2.20 veprime krijuese për 90 minuta krahasuar me Shqiptarin 1.42 për 90 minuta. Algjeriani Mohamed Fares që aktualisht luan me Lazion mban një avantazh të vogël edhe në mbrojtje, duke kompletuar 1.70 ndalime për 90 krahasuar me 1.48 të Hysaj. Nëse Maksimovic nënshkruan për Lazio, atëherë ai do të ishte pjesë e tre mbrojtësve të ekipit, që do të thotë se ka të ngjarë të konkurrojë me Patric, Stefan Radu dhe Luiz Felipe për një vend fillestar, me pozicionin e Francesco Acerbi të konsideruar të palëkundur. Krahasuar me mbrojtësit e zakonshëm të Biancocelesti, 29-vjeçari Maksimovic nuk bën përshtypje të veçantë. 1.57 trajtimet e tij për 90 janë më të ulëta se Radu (1.77), Patric (1.63) dhe Acerbi (1.80), dhe kjo tendencë përsëritet në një shumëllojshmëri të metrikave.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Kapiteni Hysaj, tek Lazio

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT