• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Kosova, raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

May 28, 2021 by dgreca

-Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti biseduan me drejtuesit agjencisë qeveritare amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit: Bashkëpunimi me agjencitë shtetërore amerikane është dëshmi e orientimit strategjik të Republikës së Kosovës për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/ PRISHTINË, 27 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani bisedoi me drejtuesit agjencisë qeveritare amerikane – Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC),  Mahmoud Bah, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv dhe Alexia Latortue, zëvendës kryeshefe ekzekutive, të cilët e uruan atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës dhe shprehën gatishmërinë për të shtuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Kosovën.

Presidentja Osmani potencoi se bashkëpunimi me agjencitë shtetërore amerikane si Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit është dëshmi e orientimit strategjik të Republikës së Kosovës për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja Osmani theksoi se prioritete të institucioneve të Kosovës janë reformat në shuma fusha të qeverisjes që do të mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe sundimin e ligjit.

Drejtuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Bah dhe Latortue, nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe MCC për realizimin e programeve që kontribuojnë në tranzicionin energjetik drejt burimeve të pastra energjetike. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se njëri ndër prioritet kryesore te saj është adresimi i çështjeve mjedisore dhe energjetike ne mënyrë që Kosova të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.

Presidentja Osmani dhe drejtuesit e agjencisë qeveritare amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, u pajtuan që të shtojnë bashkëpunimin gjatë këtij viti drejt finalizimit të programit të ri disavjeçarë të MCC të mbështetjes për Kosovën. Programi i deritanishëm i MCC ka ndihmuar Kosovën në dy fusha të rëndësishme të rritjes ekonomike dhe zvogëlimit te varfërisë përmes realizimit të projekteve për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe promovimit të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse.

Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim virtual me Mahmoud Bah, Kryeshef Ekzekutiv në detyrë i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe anëtarët e ekipit menaxherial të MCC.

Duke e uruar kryeministrin për fitoren dhe duke i dëshiruar suksese në qeverisje, z. Bah shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Qeverinë.

Kryeministri Kurti theksoi vizionin e tij për ta bërë Kosovën me energji të pastër, furnizim të sigurt dhe çmime të përballueshme. Ai foli për synimin e Qeverisë për të siguruar konsensus kombëtar mbi politikat e nevojshme energjetike dhe reformat institucionale që do të nevojiten për të arritur këtë vizion.

Gjatë takimit u bisedua edhe për procesin e hartimit të strategjisë së energjisë dhe planit kombëtar për energji dhe klimë.  ​

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeminstri Kurti, Milenium, Presidentja Osmani

A duhet të ketë një vend nderi për Rauf Ficon në Ministrinë e Punëve të Jashtme?!

May 28, 2021 by dgreca

 (Konsiderata për një diplomat shqiptar të kalibrit evropian)

Shkruan:Melsen Kafilaj*/

Në njërën prej “Biblave të Diplomatëve”, në veprën e tij kardinale “Diplomacia” Sir Harold Nicolson duke folur për cilësitë e vyera që duhet të ketë një diplomat shkruante: “E vërteta, saktësia, përpikmëria, qetësia, durimi, karakteri i mirë, modestia dhe besnikëria.Këto janë cilësitë e një diplomati ideal.Por nëse më kundërshtoni duke thënë se kam harruar pa përmëndur këtu inteligjencën, njohuritë, mprehtësinë, maturinë, mikpritjen, sharmin, punën sistematike, kurajën dhe taktin, më lejoni t’ju them se nuk i kam harruar por i kam marrë ato si të mirëqena.”(Nicolson 1939:126)

Ndërsa lexoja këtë pasazh nga Sir Nicolson, mendja më shkoi menjëherë tek një figurë specifike kombëtare e cila i mishëronte më së miri ato; diplomati i kalibrit evropian Rauf Fico. I edukuar në Vjenë dhe në Mekteb-i Mülkiye për shkenca politiko-administrative (kjo e fundit e themeluar nga Sulltan Abdulmexhidi I në vitin 1859 dhe e cilësuar si “L’École Normale Supérieure” e Otomanëve, do të nxirrte një sërë elitash intelektuale dhe politike, përfshirë këtu edhe personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare si Mehdi Frashëri, Sulejman Delvina, etj) Rauf Fico, ky personalitet me vizion perëndimor është pa dyshim  një prej ministrave të punëve të jashtme më të kulturuar dhe më i dekoruari ndërkombtarisht në krejt historinë e shtetit shqiptar. (Ai fliste 8 gjuhë të huaja dhe i ishin akorduar plotë 16 dekorata ndwrkombtare, 12 prej tw cilwve ishin urdhëra të lartë mbretëror) Këtë fakt mbi peshën e tij kulturoro-intelektuale, sipas akademikut Kopi Kyçyku, e pohonin si gazeta gjermane “Diplomaten Zeitung” po ashtu edhe ajo hungareze “Pester Lloyd” teksa shkruanin se “Rauf Fico është një njeri i kulturuar dhe një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.”

Gjatë gjithë jetës, “Boazi dhe Jakini”- dy shtyllat kryesore përmes të cilave e ngriti tempullin e vet Rauf Fico qenë Patriotizmi dhe Interesi Kombëtar. Patriotizma ishte “raison d’etre” e tij dhe ajo ishte e pashembullt; në mendime, në qëllime dhe në veprime. Gjatë Kongresit të Manastirit (1908) në të cilin ai ishte caktuar si delegat për Gjirokastrën, kur e pyetën në mënyrë provokative në lidhje me shkronjat e alfabetit nëse duhet të ishin arabe apo latine, përgjigjia e tij qe me ton solemn zemre: “Unë jam shqiptar dhe si i tillë jam pro alfabetit shqip.” Në shërbim të kësaj patriotizme dhe të interesit kombëtar Rauf Fico rrezikonte të vinte në lojë edhe dinjitetin e tij vetijak.Mjaft të përmëndim këtu gjestin e tij kalorsiak më 1913 ku ju gjunjëzua Princit Pietro Lanza Di Scalea, atëherë në funksionin e Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Italisë dhe ju drejtua atij me një frëngjishte elegante: “Excellence! Sauvez nous la Tchamerie!” (Shkëlqesi! Na e shpëtoni Çamërinë!) 

Rauf Fico e nisi karrierën diplomatike në vitin 1926, kur u emërua si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi.(Për ata që glorifikojnë sot marrdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, më lejoni që t’ju rikujtoj se qe pikërisht ky burrë i madh i cili e theu akullin diplomatik midis Ataturkut dhe Zogut, i cili nuk nuk e honepste dot këtë të fundit dhe vendosi urat e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.) Por merita kryesore që i takon Rauf Ficos gjatë marrjes së detyrës si Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 1929 është se ai miratoi Ligjin e Parë Organik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (hartimi i të cilit kishte nisur qysh më 1925) dhe atë Konsullor.Fico përcaktoi gjithashtu edhe juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit dhe i dha përparësi meritokracisë në rekrutimin diplomatik.

Një çështje jetike për të ishte padyshim edhe ajo e Kosovës.Gjatë akreditimit të tij si diplomat në Jugosllavi përgjatë viteve 1933-36, Fico falë network– ut të vet personal u mundua që ta bënte të njohur përmes shtypit botëror gjëndjen e rënduar të popullit shqiptar në Kosovë. Nëse do të flasim me termat e ditëve tona, ai ishte një model i shkëlqyer i të bërit “public diplomacy.” (diplomaci publike) E gjej me vend këtu që të përcjell gjithashtu këshillën që ai i jepte një studenti shqiptar i cili studionte për gazetari në Jugosllavi teksa i thoshte: “Kur të vish herën tjetër, sill edhe ndonjë student të huaj, shok ose mikun tënd se kemi plot gjëra të bukura që t’iu tregojmë nga Shqipëria dhe kultura e saj e lashtë. Miqtë – gazetarë na duhen se ata janë posta më e mirë e lajmeve të vërteta.”  Për çështjen e Kosovës ai kishte një dobësi të veçantë. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe kur i paraqiti letër-kredencialet Kancelarit të Gjermanisë në vitin 1938 megjithëse Joachim von Ribbentrop, atëherë me funksionin e Ministrit të Punëve të jashtme, e konsideronte “tepër të papërshtatshme si çështje”, ai e gjeti mënyrën dhe formën sesi ti’a shpaloste këtë çështje Hitlerit duke e bërë që të lëshonte nga goja në fund të takimit këtë frazë emocionuese: “Shqipëria ka burra përderisa ka dërguar këtu një burrë të tillë!” 

Një aspekt tjetër që vlen për tu përmëndur prej aktivitetit të tij diplomatik është gjatë viteve 1936-38 në lidhje me fqinjin tonë Greqinë. Ai i vuri pikat mbi “i” me këtë vend, duke i kërkuar herë me takt dhe herë të tjera në mënyrë të kushtëzuar Athinës zyrtare që ti respektonte të treja parimet themelore të diplomacisë moderne evropiane; Parimin e Fqinjësisë së Mirë, Parimin e Reciprocitetit dhe Parimin e Bashkëpunimit. Një shembull që vlen për tu përmëndur këtu është që në kuadër të parimit të reciprocitetit, ai i kërkoi qeverisë greke se nëse ajo është e interesuar që të hapë shkolla në gjuhën greke për minoritetin e saj në Shqipëri, duhet të respektoj gjithashtu të drejtën e popullsisë çame për të hapur shkolla në shqip dhe t’u jap të drejtën për tu arsimuar në gjuhën e tyre amëtare.Qe pikërisht insistimi i këtij diplomati brilant që pas disa vitesh mohimesh dhe hezitimesh, gjatë viteve 37-38 qeveria greke të  hapte 10 shkolla shqipe në Çamëri.

Teksa reflektoja mbi këtë burrë shteti, këtë diplomat të pashoq dhe aktivitetin e tij diplomatik, të udhëhequr përherë nga arsyeja shtetërore, patriotizma dhe interesi kombëtar; “këtë shqiptar të vërtetë i cili ishte i tillë edhe kur nuk kishte Shqipëri” (Po citoj këtu Faik Konicën), mëndja më shkoi natyrshëm tek Ministria e Punëve të Jashtme, si institucioni kyç në hartimin, përpunimin, organizimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. 

Por a do të ketë një vend nderi në këtë institucion, për një personalitet të papërsëritshëm si Rauf Fico, i cili jo vetëm që ju dha me mish e me shpirt mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo ku u akreditua por gjithashtu i çeli dyert e mbyllura të legatave, duke i kthyer ato në vatra të ngrohta për bashkëkombasit e vet dhe në oaze mikpritjeje për përfaqësuesit diplomatik apo edhe individët e tjerë të huaj me influencë të gjerë shoqërore dhe politike. Teksa ka vetëm një rrugë jetime në Tiranë e cila mban emrin e tij, përse Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të mos mbaj emrin e nderuar “Rauf Fico?!”  Kjo do të ishte diçka domethënëse, jo vetëm për të nderuar kujtimin e këtij kolosi të diplomacisë moderne shqiptare por gjithashtu edhe për t’iu shërbyer si kompas moral diplomatëve të rinj në të ardhmen.

Mendoj që Rauf Fico ka bërë shumë për këtë komb dhe në këtë kuptim ne i mbetemi borxhlinj një figure si ai.Duke kryer një akt të tillë simbolik, nuk jemi ne që e madhështojmë atë si figurë.Përkundrazi, është ai që e madhështon këtë institucion me emrin, staturën dhe veprën e tij!

                                                                                                                            © Melsen Kafilaj– Studiues

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj, rauf Fico

20 Pyetje Diasporike Për Lulëzim Bashën

May 28, 2021 by dgreca

NGA VALENTIN LUMAJ/ U be tabu kjo në mentalitetin e politikes shqiptare qe kur kritikon kryetarin apo kerkon shpjegime per te qartesuar gjerat, perkthehet si sulm personal. Nuk kam asnje sulm ne adrese te Lul Bashes e asnje interes personal perveç deshires qe ta shoh PD-ne në ate nivel qe duhet dhe e meriton qe te jete, me lart se ku eshte tani se ç’ishte kur u largova nga Shqiperia. Thjesht si nje demokrat i bindjeve te djathta qysh nga fillimi dhe ndjekes i politikes shqiptare dhe asaj amerikane, kam nje varg me pyetje, pergjigja e sinqerte ndaj te cilave, jo vetem me kthjellon mendjen mua dhe ata te cilet mendojne si une, por ndihmon edhe vete kryetarin Basha ne prag te rizgjedhjes. 

1.    Me kerkesen Tuaj per t’u rizgjedhur se s’ben kryetar i PD-se, perse mendoni se jeni i pazevendesueshem. 

2.    Mbas 8 vite ne opozite dhe humbes, a e pengon pathosi yt per te qene perseri në krye te PD-se qarkullimin e elitave brenda saj?

3.    Doreheqja e Berishes nga PD-ja në 2013 mbas humbjes edhe pse mbas 8 viteve te suksesshme si kryeminister, a shenoi kjo nje standard demokratik qe duhet respektuar?

4.    A mendoni se në 8 vite opozite keni dhene provat dhe maksimumin tuaj qe rezultoi me humbje dhe në qofte se jo perse nuk e dhate maksimumin tuaj në kohe?

5.    Në qofte se kater pale zgjedhje i humbet sepse ua vodhen votat, sikurse në vazhdimesi keni deklaruar (dhe ua kane vjedhur), pra dukshem keni qene në dijeni te kesaj dukurie, perse nuk i ruajtet votat e qytetareve qe ua besuan?

6.    Në qofte se zgjedhjet e fundit i humbet sepse PS-ja i bleu votat, a nuk do te thote kjo se ju z. Kryetar nuk prodhoni me fryme tek masat, sepse me nje logjike te thjeshte njerezit  mund te mendojne “ me mire gje se asgje”?

7.    Perpara se te kerkoni voten per t’u rizgjedhur, perse nuk mendon se eshte e nevojshme dhe e drejte qe te beni analizen e kater viteve te fundit dhe te ndani pergjjegjesite e humbjes?

8.    Perse nuk mendoni z. Kryetar qe te jepni doreheqjen perpara se te rikandidoni, ne menyre qe gara te jete e ndershme dhe te gjithe garuesit ta fillojne garen ne pozita te barabarta? A u afrua data e zgjedhjeve per kryetarin e ri te PD-se, me qellim qe kandidatet e tjere apo ata qe jetojne ne Diaspore te mos kene kohen e nevojshme per t’u pregatitur

9.    Në qofte se dalja pa nje strategji suksesi nga parlamenti dhe dorezimi absurd i mandateve si dhe dorezimi në tavoline i pushtetit lokal në 2019 ishin fatale dhe ndikuan negativisht në aktivitetin e PD dhe rezultatin e zgjedhjeve, ju si Kryetar a ndjeni pendese per keto akte dhe a merrni ndonje pergjegjesi?

10. Meqenese Shqiperia ka Diasporen me nje numer me te madh se vete popullsia vendase, perse ne 8 vite si drejtues i pushtetit te opozites, nuk bere asnje tentative per te ftuar dhe bashkepunuar me Diasporen ne menyre qe edhe ajo te ushtroje te drejten e votes apo jete pjese e integruar e proceseve politike dhe drejtuese në strukturat shteterore?

11. Kur nje qeveri deshton ne misionin e saj per t’i sherbyer popullit te saj dhe per te krijaur nje jete me te mire e te sigurte, dhe realisht kjo qeveri ka deshtuar me kohe, njerezit shikojne opoziten si shpresen e vetme per ndryshim. A mendoni Juve z. Kryetar me perseritjen e humbjeve Tuaja, se eshte opozita e cila po vret shpresen e shqiptareve ne Shqiperi, prandaj shqiptaret po ikin?

12. Po ashtu, a mendoni Juve z. Kryetar se me perseritjen e humbjeve Tuaja, se eshte opozita e cila po vret shpresen e shqiptareve ne Diaspore per t’u kthyer ndonjehere ne vendin ame?

13. Kur nje gazetar te pyeti se nese humbni zgjedhjet, a do te dorehiqesh, Juve i nderuar Kryetar me kenbengulje dhe krenari disa here u pergjigjet “nuk do te ndodhi”. Tani qe ndodhi a mendon se e genjyet elektoratin, dhe pse mendoni se duhet qe t’ju besojne prape?

14. Pertej retorikes se krenarise dhe te vete-kenaqesise edhe mbas humbjeve a ndiheni i ngarkuar me moralin e nevojshem dhe te domosdoshem per te udhehequr masat drejt fitoreve?

15. A mendon se procesi i perjashtimit nga gara i kandidatit per Kryetar te PD, Ibsen Elezi, me voten Tuaj dhe te kandidateve te tjere perben konflikt te drejteperdrejte interesi dhe si i tille ishte i padrejte dhe ilegal? Cilin vend demokratik apo jodemokratik te botes keni marre si shembull per kete akt?

16. Perse mendoni se aplikimi i listave te mbydhura eshte akt demokratik dhe a behen listat e mbyllura shkak per skualifikime te padrejta apo akte korruptive? 

17. A mendoni se PD realisht perfaqeson shtersat e djathta konservatore, shtresat e persekutuara dhe biznesin e madh, apo ajo gradualisht po zhvendoset drejt qendres se majte, si në program ashtu edhe në anetaresi?

18. A keni ndonje lidhje direkte apo indirekte bashkepunimi me globalistin Soros? Nese po, a jeni i gatshem qe t’i shkeputni te gjitha keto lidhje dhe te jeni i pavarur dhe i painfluencuar prej tij?

19. Akuzat ndaj Dr. Berisha a ju ndihmojne apo ju pengojne në detyre, qofte se rizgjidheni edhe nje here Kryetar i PD, dhe a do te ndermerrnit ndonje aksion politike per pastrimin e figures se Dr. Berisha nga akuzat politike te pabaza?

20. A e gezoni perkrahjen e liderit historik Dr. Sali Berisha në rikandidimin Tuaj

Ju lutem z. Kryetar per nje pergjigje asgje me pak se te sinqerte, ose perndryshe jeni ne te drejten tuaj per te mos u pergjigjur. Deri at’here, te pakten jeni ne dijeni se shqetesimet egzistojne. Me respekt nga nje demokrat me i flakte dhe me i hershem se sa Juve z. Kyetar.

Valentin Lumaj, 

Michigan me 28 Maj 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: diaspora, Valentin Lumaj

Dhe folku pas pandemisë zbret në Vlorë

May 28, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia- Vlorë/

 1.Pandemia Covid-19 në vitin 2020 shkatërroi  shumë fusha  shpirtërore  edhe atë të  muzikës  të të gjitha zhanreve  dhe sigurisht atë të folkut. Vendet dhe sheshet publike , të përzgjedhura si skena  nga  artistët popullor kaluan një periudhë heshtje të zgjatur, të pandodhur asnjëherë,  përmbi tokën tonë. Pas një viti të tmerrshëm dhimbjesh, vuajtjesh dhe izolimi të papërpunuar, ne kemi humbur më shumë bashkëqytetarë. Ne ende kemi traumën e pikëllimit të vonuar dhe e vërteta e vështirë është se kjo nuk ka mbaruar ende.meloditë  dhe gjithë krijimtaria folkorike  u përqendrua  dhe u prezantua  vetëm nëpër kutitë e Tv-ve, pa  emocionin që i shoqëron .Mirëpo shpresa,përtej tunelit të frikës  sapo ka filluar.Ne do të kemi një verë ,që është më afër asaj që mund të kujtojmë para Covid.Kjo ka qenë një rrugë e gjatë e vështirë për të arritur deri këtu, dhe, fatkeqësisht, ka disa kodra dhe kthesa, që mbeten përpara. Ka pasur shumë vuajtje dhe sakrifica për të na nxjerrë nga makthi që kemi kaluar gjatë vitit të kaluar . Vera premton një rikuperim emocionues për argëtim të drejtpërdrejtë,me celje të sezonit veror dhe me festivalin folk të  mirëpritur  për 13 sezone turistike. Tani organizatorët e disa prej festivaleve më të mëdhenj  si në  botë  dhe te ne, festfolku në Vlorë është një i tillë ndërkombëtarisht i njohur  dhe me pjesëmarrje nga shumë vende  të  botës . Organizatorët dhe pjesëmarrësit në festfolk  do të jenë të gatshëm të zbresin që nga  kjo verë nëpër sheshe dhe vende pulbike pa harruar  sa shumë , që i mungua artëdashësit.Këngët e vjetra dhe të traditës  që i jep karakterin e tij popullor,do të  rikthehen  në një kohë në mes qershori në Vlorë   në epilog të pandemisë  ose murtajës shkatërruese të shek 21.

 2.

 Bëhet  kohë  dhe 13 vjet   me  gjithsejtë 13 festivale folku në  të njëjtin vendodhje Vlorë.  Është një festival folku ndërkombëtar që, zbret në një qytet detar ,por i flamurit njëkohësisht,në një stinë të bukur dhe argëtuese, siç është fillimi i verës,  i ditëve  të  gjata plot  me diell dhe stinës së bukur  të rërës,detit dhe plazheve magjepse.Festivali -Folk Fest është menduar për grupe dhe solistë të moshave të ndryshme dhe kategorive të vokalit. Është një festë e artit  muzikor në një atmosferë unike të  qytetit  jugor dhe bregdetar në fillim të sezonit turistik  duke kombinuar një festë në një vend të mrekullueshëm me pjesëmarrjen në një ngjarje prestigjioze .Dhe pse ka veç një qëllim:Zhvillimi i arteve, popullarizimi i kulturës botërore, shkëmbimi i përvojës ndërmjet pjesëmarrësve, fuqizimi i respektit dhe tolerancës reciproke;,thellimi i kontakteve krijuese, popullarizimi i folkut vendas dhe atij dhe botërore.

 3.Festfolku në Vlorë për shkak të kufizimeve të kapacitetit COVID-19, do t’i bëjë gjërat pak më ndryshe këtë vit. për të prezantuar folkun  unik 3-ditore të shfaqjeve në sheshin përpara pallatit të sportit,si premisë e turizmit kulturor.Le ta shtresojmë në tre pjesë se çfarë  ka shkruar dhe çfarë mendon: Drejtori -Edicioni i XIII i Aulona Inter Folk Festival,poeti Sejmen Gjokoli ,për  festivalin që na vjen si trashëgimi e shpresë në datat respektive  të  12, 13, 14 Qershor 2021.

***

  Sejmen Gjokoli:Viti 2020, edhe pse i veçantë e intrigues për nga numrat, nuk e mundësoi zhvillimin e edicionit të 12-të të Aulona Inter Folk Festival.Pandemia u tregua e pa mëshirshme dhe i “preu” si me një të rënë shpate, të gjitha.Në ditët e përcaktuara për tu mbajtur sipas traditës, organizatorët u mjaftuan vetëm me një përcjellje virtuale në rrjetet sociale, me emrat dhe fotografitë plot ngjyra kostumesh popullore të grupeve nga vende të ndryshme të europës të cilët mezi po prisnin udhëtimin.Këtë vit është krejt ndryshe, kuptohet pa hequr vëmendjen nga disa rregulla të domosdoshme shëndetësore por edhe me një kufizim pjesëmarrësish, festivali do të mbahet me të gjitha standardet e një festivali ndërkombëtar.Edicioni i dymbëdhjetë le të mbetet si një shenjë e fortë tronditëse në historikun e këtij aktiviteti, një kujtesë për ditët e trishta e të dhimbshme të një shoqërie e bote të tërë, një ftesë gjithashtu për të vlerësuar jetën dhe për t’ju gëzuar asaj edhe përmes festash e veprimtarive që transmetojnë e përcjellin mesazhe të gjalla e të gëzuara jete.

     ***

Sejmen Gjokoli:Nisur nga natyra dhe përmasat e Festivalit, ai mbetet krejt i veçantë mbasi, për të 13-in vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe atë botëror. Vetëm për efekt të këtij aktiviteti në këto dymbëdhjetë vite qytetin e Vlorës kanë patur rastin ta vizitojnë mbi 95 Ansamble folklorike me mbi 3550 pjesëmarrës nga 27 vende të Ballkanit, Evropës dhe Azisë.Nga Italia, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Polonia, Sllovakia, Çekia, Bjellorusia, Letonia, Turqia, Anglia e deri nga Kina kanë patur rastin të vijnë me folkun e tyre në Vlorë.Këtë vit gjeografisë së shteteve i shtohen edhe vende si Rumania, Lituania e Sllovenia të cilat krahas ansambleve të tjera pjesëmarrëse do të na befasojnë me folkun e tyre.Artëdashësit vlonjatë por edhe të tjerë përmes ekraneve televizive do të kenë rastin të shikojnë nga afër, veç të tjerash, edhe kostumet tradicionale lituaneze, sa autentike po aq edhe unike në llojin e vet.

   ***

Sejmen Gjokoli:Për katër mbrëmje dhe tri ditë Vlora do ketë rastin të gjallërojë nga tingujt e muzikës folklorike përzier me ritme të magjishme vallesh e këngësh popullore, përndezur nga ngjyrat e kostumeve të lloj-llojshme.Këtë vit një dimesion i ri i agjendës së programuar të veprimtarive në ditët e festivalit do të jetë edhe parada e kostumeve e cila, përveç rrugëve, shesheve e trotuareve,për të parën herë do të prek rrugicat dhe mjediset e Qendrës Historike të qytetit, një atraksion i ri historik e turistik krijuar Vlorës kohëve të fundit.Gjatë ditëve festivalistët do të kenë rastin që të vizitojnë e të njihen me asete të ndryshme kulturore, historike e arkeologjike të Vlorës e rrethinave ku një vend të veçantë do të ketë njohja dhe frekuentimi i plazheve të njohura të Radhimës e bregut të detit.Në mbrëmjet folklorike të Aulona Inter Folk Festival, në këtë edicion, do të performojnë e ndërthuren kulturat folklorike me këngë e valle lituaneze, rumune, maqedonase, kosovare, korçare, elbasanase e ato vlonjate përzier me iso labërie.Vlora, gjithashtu, do të përflaket nga ngjyrat e kostumeve popullore plot kolorite e ornamente të cilat shpërfaqen edhe si një mesazh i fortë kulturor në davaritjen e situatës shëndetësore të vendit për ti hapur udhë rikthimit përgjithmonë të jetës normale.Nën organizimin e Qendrës Kulturore “Aulona” si dhe falë mbështetjes kryesore të Bashkisë Vlorë e Ministrisë së Kulturës, Aulona Festival këto ditë do të nisë përsëri rrugën e ndërprerë për shkak të pandemisë botërore të virusit.Mbarë, Aulona Inter Folk Festival! Vlora dhe Shqipëria po të pret, veç të tjerash edhe si një ogur i mirë për ditë më të mira e të hareshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Folku, Gezim Lojdia, Pas Pandemise, Zbret ne Vlore

TË PRISHËSH NJË MONUMENT KULTURE

May 28, 2021 by dgreca

 Nga Agim Xh. Dëshnica/

 Shembja  barbare, papritur natën e Teatrit Kombëtar  me ndihmën e policëve të dhunshëm, të Edvin Rames te fshehur pas shpines  së shkatërrimtarit të Tiranes Erion  Veliajt, na kujton pushkatimet në mesnatë me urdhër të atyre që rrafshuan me dinamit ndërtesën neoklasike të Bashkisë  edhe të Kafe Kursalit, të kohës së paraluftës, më te bukurat në Sheshin Skëndërbe; shkatërrimet e monumenteve te kultures, si Pazari i Vjetër në Tiranë me vlera historike e turistike; hedhjen për tokë me dinamit të Bezistenit në Shkodër, – treg  i gjerë, i mbuluar me çati, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha të  vendeve ballkanike.   Na kujton edhe shembje, mbyllje kishash,  xhamish e  teqesh  të vitit 1967;   shkallmimin  aty nga vitet 70,  e qyteve si Berati të shpallur formalisht qytet muze. 

Çdo shtëpi ka veçanësitë e saj. Qindra syresh krijojnë një qytet me tërë vlerat dhe historinë e tij. Si gjithmonë, trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të mirëmbajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta, si vazhdim të jetës në kohëra të reja. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli, Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj, siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive tragjike, mjerisht vetëm me tri lagje, Mangalemin, Goricën e Kalanë, edhe këto të prekuara nga ndërtime të gabuara. Asnjë popull dhe asnjë shtet në botë nuk prish monumentet e veta të kulturës, sipas manisë perverse të një njeriu, pra: “nuk prish shtëpi të bëjë kasolle!” Nga një revistë italiane mësohet se, pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin, kur ktheheshin atje dhe gjenin pallatet klasike, kafet, parqet e rrugët e kohëve të bukura të rinisë së tyre.

Në Shqipëri, në mbarim të luftës, pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndje fryma dhe pesha e një jete të re; për disa – e lumtur, ndërsa për mjaft të tjerë – e panjohur, e dhunshme dhe e frikshme. 

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me një vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Pra, shteti i ri tashti e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla. Do të kujdesej për Kalanë me dramat tragjike, për shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lumë e urë, për xhamitë e kishat, për zejtarinë, legjendat e këngët. Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Pas ngritjes së fabrikave, ardhjes nga rrethet e tjerë të nëpunësve dhe punëtorëve, qyteti u mbipopullua dhe mori pamjen e një qendre industriale pa të ardhme. Si një akt hakmarrës i pakuptimtë, qysh në vitet e para u bë rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lumë e shumë elementëve arkitektonikë! Sot, ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për hijeshinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit që e shpalli atë qytet muze, qendra e tij me sheshe, pazare e një varg dyqanesh, u shemb dhe u tjetërsua! Ndërtesa neoklasike e hotelit Kolombo u rrafshua për një lulishte! Edhe Shkolla qytetëse, ku dikur mbërrinte Felbani (treni) austriak Shkodër-Berat, u hodh përtokë! Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën, disa u shembën! Po atë fat patën edhe lagjet e tjera. Emrat e vjetër, që dëshmonin historinë, u ndryshuan. Mbijetuan vetëm përmendorja e Dëshmorëve të Kombit dhe busti i Babë Dudë Karbunarës, të përuruar qysh në vitet ’30. Kalimtarët, në hyrje të parkut të madh, kundër natyrës së qytetit, haseshin me bustin e Stalinit, kurse heroi ynë kombëtar Skënderbeu, përfaqësohej vetëm, gjë që ndodh edhe sot, nga një përkrenare e bardhë, pa kurrfarë vlere artistike, sipër një shkëmbi. 

Gjithsesi, njëra nga lagjet vazhdoi të mbronte emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut me qendër në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, dhe emri i ri zyrtar “Çlirimi” përdorej vetëm nga postierët dhe policët. Karrocierët e pajtoneve, para se të hiqeshin nga qarkullimi, thërrisnin “Hajt, Çelepi!”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i plotë, shtrihej nga hyrja e Beratit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohej për disa shkolla, për Kullën e Sahatit, për puset e çesmat, për xhamitë, teqetë e tyrbet, për parkun plot me lule, për ndërtesat monumentale e për bahçetë, që kufizoheshin me fushat e fshatrave përreth. Njëra nga mëhallët e saj, afër lumit dhe përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, se si ato saraje madhështore të Omer Pashës, me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadha brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur, me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Për një kohë të gjatë, askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura, që endeshin si hije poshtë e lart me veshje të ndritshme dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak, përbri mureve gjysmë të rrënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë, kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamionë. Njëri prej sokakëve fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartësohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur ajo qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjyshit tim Sulejmanit, me prejardhje nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenjë, i respektuar nga të gjithë, herë – herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia e tij qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Ajo ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu atë dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve, u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në të katra anët, me të dyja pjesët në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kishte falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, me oborr, pus e kopsht. Nga oborri kryesor, dy dyert e gjera të çonin në mjediset e ndërtesës së bardhë, që e shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë ajo, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë, e ndërtuar me mjeshtëri, ashtu si e vjetra në krahun e djathtë, qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj, nëpër shkallët e brendshme, ngjiteshin në dhomën e pritjes, që njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra, figura zogjsh, zambakësh e trëndafilësh, gdhendur në kanatat e derës, të kamareve dhe musandrave. Në dhomë shkëlqente gjithçka: muret, vatra me rrasa guri gri, daullja e saj e bardhë dhe dyshemeja e mbuluar me qilim persian. Llampadarët në tavan dhe disa shandanë shumëdegësh mbi dyshemé, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur tërhiqnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin e dytë ndodheshin edhe dy hamame, si edhe dhoma e gatimit, (açillëku, apo kuzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokrra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej, pas një dere, kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, rrobalarësja me një korridor të zgjatur, që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë, brenda një dere të gjerë me dy kanata ngjyrë kafe, shtrihej hajati i gjatë e i gjerë i mbuluar me pllaka guri të gdhendura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga kuzhina, nëpërmjet një shkalleje të fshehtë me kapak sa një derë. Në fund të hajatit hapej dera tjetër për në odën e freskët, që përdorej gjatë muajve të verës. Majtas, përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me voza druri, me shtëmba e qypa të mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendshme me parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqve, e treta – tek e zjarrit, e katërta – për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor, që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të mëdha. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej, shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjesit, shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit, herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lumë, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zëri i myezinit nga minarja. Në oborr kryheshin jo rrallë rite fetare. Në raste festash e dasmash ushtonin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.

 Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zogj. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e rremës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e rremës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte me gurgullimë ujë në vijën që vadiste perimet e u bënte mirë edhe pemëve. Kalimtarët, tek kalonin përtej rremës, deri në kohët e shqetësuara të pasluftës, ndaleshin dhe sodisnin pamjet e pemëve me fruta gjithfarësh, si fiq, kumbulla e rrush të bardhë e të zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre – arra, lajthi, bajame, mana, ftonj, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjojet e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër bregun tej rremës, vraponin fëmijët e mëhallës me pipëzat e borijet prej druri të njomë. Disa hidheshin topçe në rremë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin nën ujë dhe shfaqeshin larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zogjve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet e pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë, ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat nën lartësitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.

Gjysh Sulejmani në ditë të kremte priste në atë shtëpi, madje edhe në bahçe, në një qoshk apo në verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, e mësues, si Babë Dudë Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë krahinën. Aty bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në Berat e në Vlorë.

Çfarë ndodhish ndoqën njëra – tjetrën në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rrallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj? 

Ajo u ndërtua nën pushtimin osman.

U gëzua, kur lindi djali, Xhevdeti, që do të shquhej më vonë si patriot.

Kremtoi në kohën e Pavarësisë. 

U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.

U vlerësua nga albanologët austriakë në kohën e Austro-Hungarisë.

Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.

U gëzua më kot në ngjarjet e qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës së tij me të shoqin telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën. 

Në një mëngjes të atyre ditëve ndodhi diçka e papritur. 

Trokitën në portën e madhe dhe hynë me vrull në oborr një togë xhandarësh me teneqe vajguri në duar. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast ai u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri: 

– Po të jeni burra, digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi! 

Kapteri u hutua edhe më, teksa atje ia behën me vrap tërë ata burra e gra nga mëhalla. Atëherë, me urdhrin e kapterit, xhandarët morën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.

Në kohën e Luftës italo-greke, me urdhër të Bashkisë, u vendosën në katin e parë të shtëpisë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italian, që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla, e shqetësuar për shtëpinë, u fliste oficerëve të hynin brenda. 

Pasi ikën italianët, në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë dhe pa helmetë, me kapelen me strehë në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e me kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se kërkonte të merrte ca kumbulla te një pemë e rritur vetiu buzë rremës, kokrrat e tharta të së cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin, binin në rremë dhe i rrëmbente me vete rryma e ujit. Merr, merr sa të duash! – ia bëri me shenjë halla ushtarit gjerman. Pas pak, ai mori dhe u kthye, e falënderoi hallën dhe u largua drejt urës me dërrasa, tek e priste një shoku i tij. 

Një ditë tjetër halla pa një ballist, që kishte mundur të ngjitej te një nga kavakët dhe po hante nga rrushi i verdhë i pjekur mirë. O djalë, i bërtiti ajo, kjo bahçe ka zot! Hë, moj hallo, ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot unë! Ja, mbarova! Zbriti poshtë ai dhe, duke qeshur, kaloi urën e u zhduk.

Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe nga gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë. 

Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjesit, një zyrtar njoftoi se, sipas vendimit të Komitetit të Partisë dhe të atij Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për t’u mbjellë me grurë e misër. Halla, aktiviste e guximtare e luftës, u lodh më kot t’i bindte shefat, që pemët të mos i pritnin. Pa kaluar as tri ditë, dhjetë punëtorë me sharra e sëpata në duar e me një përgjegjës në krye, u futën në bahçe dhe i prenë pa mëshirë pemët e ëmbla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pati hipur ballisti për një veshak rrush, këputjen e dhimbshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me lloj – lloj rrushi, shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degët e gjelbra si direkë anijesh, plandosjen e mënit të lartë, përmbysjen e kumbullave, të fiqve e të pemëve të tjera me fruta gjithfarësh! 

Merreni me mend dëshpërimin dhe fyerjen e hallës! 

Më pas i erdhi radha tragjedisë së shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture! 

U panë në oborr disa ustallarë. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër të bardhë, tek shkruhej urdhri i qeverisë për ta rrafshuar shtëpinë. Atëherë halla nuk jetonte më. S’mund ta mbronte dot me vetmohim. Po edhe trashgimtarët e saj ishin të pafuqishëm. Me lot në sy e jetoi dhimbjen edhe nipi i tyre, shkruesi i këtyre radhëve, me punë larg Beratit. Punëtorët, të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, e nisën rrafshimin me kazma, lopata, sharra, sëpata e sqeparë, ganxha e qysqi. Pra, bënë rrafsh me tokën një nga shtëpitë më të bukura të lagjes Murat Çelepi, tok me historinë e saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur! U goditën e u hodhën në tokë muret e gurtë rrethues, porta e madhe me hark! U shembën tavanet dhe çatia e gjerë, dhomat me oxhakë e llampadarë, nimet e shkallët, furra e qilari me qypa, hajati e konaku i kafesë, biblioteka… Gjithçka – me vrull revolucionar! Përse, vallë, u shfaros ajo mrekulli bujare!? Mister!

Ndoshta në arkivin e Kinostudios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot ndonjë film dokumentar, për atë shtëpi të bardhë, tek u strehua e sigurt Margarita Tutulani, e tek më vonë fshehën kokën rreth tridhjetë hebré dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar, në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti në atë lagje një rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të zhdukur pa nam e nishan, si nga ndonjë bombardim i egër. 

Tashmë trualli i rrafshuar i saj ka mbetur shkretë. Nuk dëgjohen më atje zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë, që lindën, u rritën, banuan dhe shërbyen në arsim, në shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjve, as kënga e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në rremë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Rrezet e ngrohta të diellit e ajri i pastër i Shpiragut më kot kërkojnë dritaret varg të shtëpisë së bardhë dhe kurorat e blerta të pemëve. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemërgjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshua edhe shtëpia e dijetarit dhe poetit Vexhi Buharaja, edhe shtëpitë e mësuesve, tregtarëve dhe të zejtarëve të njohur të qytetit. Nuk dëgjohet më uturima nanuritëse e lumit, as kambana nga Kulla e Sahatit e hedhur në tokë bashkë me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi. 

Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë  që merret me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Pëmetit për zonat historike, që nuk janë mbrojtur si duhet, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, jeton një gjendje të dhimbshme për shkak të shkujdesjes së atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës të sotëm, që mburren me librushkat për turistët.

Në troje të harruara të Beratit të tanishëm shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e hijshme të mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçeve të dhunuara kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç është bërë me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë, mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rrethonte shtëpinë dhe bahçenë. Shega, qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrra të shëndosha, duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre se jeta   vazhdon…    Kështu  do të ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar, tashmë rrënojë e heshtur, nëse  Shoqata për mbrojtjen e tij do të shtojë rradhët duke kërkuar me vendosmëri në protesta ringritjen e ndertesë së artit dramatik, ashtu siç ishte me kulmin e hijshëm. Atëherë në skenën plot  me kujtime aktorësh artistë, do të ringjallen, Hamleti, Laerti, Otello, Shekspiri e Noli, ndërsa në sallën e gjerë, do të shpërthejnë duatrokitjet e munguara…

Filed Under: Politike Tagged With: NGA AGIM XH. DESHNICA, PRISHJA E TEATRIT

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT