• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË PRISHËSH NJË MONUMENT KULTURE

May 28, 2021 by dgreca

 Nga Agim Xh. Dëshnica/

 Shembja  barbare, papritur natën e Teatrit Kombëtar  me ndihmën e policëve të dhunshëm, të Edvin Rames te fshehur pas shpines  së shkatërrimtarit të Tiranes Erion  Veliajt, na kujton pushkatimet në mesnatë me urdhër të atyre që rrafshuan me dinamit ndërtesën neoklasike të Bashkisë  edhe të Kafe Kursalit, të kohës së paraluftës, më te bukurat në Sheshin Skëndërbe; shkatërrimet e monumenteve te kultures, si Pazari i Vjetër në Tiranë me vlera historike e turistike; hedhjen për tokë me dinamit të Bezistenit në Shkodër, – treg  i gjerë, i mbuluar me çati, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha të  vendeve ballkanike.   Na kujton edhe shembje, mbyllje kishash,  xhamish e  teqesh  të vitit 1967;   shkallmimin  aty nga vitet 70,  e qyteve si Berati të shpallur formalisht qytet muze. 

Çdo shtëpi ka veçanësitë e saj. Qindra syresh krijojnë një qytet me tërë vlerat dhe historinë e tij. Si gjithmonë, trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të mirëmbajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta, si vazhdim të jetës në kohëra të reja. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli, Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj, siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive tragjike, mjerisht vetëm me tri lagje, Mangalemin, Goricën e Kalanë, edhe këto të prekuara nga ndërtime të gabuara. Asnjë popull dhe asnjë shtet në botë nuk prish monumentet e veta të kulturës, sipas manisë perverse të një njeriu, pra: “nuk prish shtëpi të bëjë kasolle!” Nga një revistë italiane mësohet se, pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin, kur ktheheshin atje dhe gjenin pallatet klasike, kafet, parqet e rrugët e kohëve të bukura të rinisë së tyre.

Në Shqipëri, në mbarim të luftës, pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndje fryma dhe pesha e një jete të re; për disa – e lumtur, ndërsa për mjaft të tjerë – e panjohur, e dhunshme dhe e frikshme. 

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me një vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Pra, shteti i ri tashti e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla. Do të kujdesej për Kalanë me dramat tragjike, për shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lumë e urë, për xhamitë e kishat, për zejtarinë, legjendat e këngët. Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Pas ngritjes së fabrikave, ardhjes nga rrethet e tjerë të nëpunësve dhe punëtorëve, qyteti u mbipopullua dhe mori pamjen e një qendre industriale pa të ardhme. Si një akt hakmarrës i pakuptimtë, qysh në vitet e para u bë rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lumë e shumë elementëve arkitektonikë! Sot, ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për hijeshinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit që e shpalli atë qytet muze, qendra e tij me sheshe, pazare e një varg dyqanesh, u shemb dhe u tjetërsua! Ndërtesa neoklasike e hotelit Kolombo u rrafshua për një lulishte! Edhe Shkolla qytetëse, ku dikur mbërrinte Felbani (treni) austriak Shkodër-Berat, u hodh përtokë! Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën, disa u shembën! Po atë fat patën edhe lagjet e tjera. Emrat e vjetër, që dëshmonin historinë, u ndryshuan. Mbijetuan vetëm përmendorja e Dëshmorëve të Kombit dhe busti i Babë Dudë Karbunarës, të përuruar qysh në vitet ’30. Kalimtarët, në hyrje të parkut të madh, kundër natyrës së qytetit, haseshin me bustin e Stalinit, kurse heroi ynë kombëtar Skënderbeu, përfaqësohej vetëm, gjë që ndodh edhe sot, nga një përkrenare e bardhë, pa kurrfarë vlere artistike, sipër një shkëmbi. 

Gjithsesi, njëra nga lagjet vazhdoi të mbronte emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut me qendër në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, dhe emri i ri zyrtar “Çlirimi” përdorej vetëm nga postierët dhe policët. Karrocierët e pajtoneve, para se të hiqeshin nga qarkullimi, thërrisnin “Hajt, Çelepi!”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i plotë, shtrihej nga hyrja e Beratit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohej për disa shkolla, për Kullën e Sahatit, për puset e çesmat, për xhamitë, teqetë e tyrbet, për parkun plot me lule, për ndërtesat monumentale e për bahçetë, që kufizoheshin me fushat e fshatrave përreth. Njëra nga mëhallët e saj, afër lumit dhe përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, se si ato saraje madhështore të Omer Pashës, me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadha brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur, me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Për një kohë të gjatë, askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura, që endeshin si hije poshtë e lart me veshje të ndritshme dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak, përbri mureve gjysmë të rrënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë, kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamionë. Njëri prej sokakëve fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartësohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur ajo qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjyshit tim Sulejmanit, me prejardhje nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenjë, i respektuar nga të gjithë, herë – herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia e tij qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Ajo ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu atë dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve, u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në të katra anët, me të dyja pjesët në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kishte falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, me oborr, pus e kopsht. Nga oborri kryesor, dy dyert e gjera të çonin në mjediset e ndërtesës së bardhë, që e shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë ajo, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë, e ndërtuar me mjeshtëri, ashtu si e vjetra në krahun e djathtë, qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj, nëpër shkallët e brendshme, ngjiteshin në dhomën e pritjes, që njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra, figura zogjsh, zambakësh e trëndafilësh, gdhendur në kanatat e derës, të kamareve dhe musandrave. Në dhomë shkëlqente gjithçka: muret, vatra me rrasa guri gri, daullja e saj e bardhë dhe dyshemeja e mbuluar me qilim persian. Llampadarët në tavan dhe disa shandanë shumëdegësh mbi dyshemé, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur tërhiqnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin e dytë ndodheshin edhe dy hamame, si edhe dhoma e gatimit, (açillëku, apo kuzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokrra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej, pas një dere, kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, rrobalarësja me një korridor të zgjatur, që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë, brenda një dere të gjerë me dy kanata ngjyrë kafe, shtrihej hajati i gjatë e i gjerë i mbuluar me pllaka guri të gdhendura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga kuzhina, nëpërmjet një shkalleje të fshehtë me kapak sa një derë. Në fund të hajatit hapej dera tjetër për në odën e freskët, që përdorej gjatë muajve të verës. Majtas, përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me voza druri, me shtëmba e qypa të mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendshme me parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqve, e treta – tek e zjarrit, e katërta – për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor, që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të mëdha. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej, shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjesit, shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit, herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lumë, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zëri i myezinit nga minarja. Në oborr kryheshin jo rrallë rite fetare. Në raste festash e dasmash ushtonin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.

 Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zogj. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e rremës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e rremës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte me gurgullimë ujë në vijën që vadiste perimet e u bënte mirë edhe pemëve. Kalimtarët, tek kalonin përtej rremës, deri në kohët e shqetësuara të pasluftës, ndaleshin dhe sodisnin pamjet e pemëve me fruta gjithfarësh, si fiq, kumbulla e rrush të bardhë e të zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre – arra, lajthi, bajame, mana, ftonj, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjojet e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër bregun tej rremës, vraponin fëmijët e mëhallës me pipëzat e borijet prej druri të njomë. Disa hidheshin topçe në rremë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin nën ujë dhe shfaqeshin larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zogjve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet e pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë, ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat nën lartësitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.

Gjysh Sulejmani në ditë të kremte priste në atë shtëpi, madje edhe në bahçe, në një qoshk apo në verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, e mësues, si Babë Dudë Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë krahinën. Aty bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në Berat e në Vlorë.

Çfarë ndodhish ndoqën njëra – tjetrën në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rrallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj? 

Ajo u ndërtua nën pushtimin osman.

U gëzua, kur lindi djali, Xhevdeti, që do të shquhej më vonë si patriot.

Kremtoi në kohën e Pavarësisë. 

U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.

U vlerësua nga albanologët austriakë në kohën e Austro-Hungarisë.

Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.

U gëzua më kot në ngjarjet e qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës së tij me të shoqin telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën. 

Në një mëngjes të atyre ditëve ndodhi diçka e papritur. 

Trokitën në portën e madhe dhe hynë me vrull në oborr një togë xhandarësh me teneqe vajguri në duar. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast ai u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri: 

– Po të jeni burra, digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi! 

Kapteri u hutua edhe më, teksa atje ia behën me vrap tërë ata burra e gra nga mëhalla. Atëherë, me urdhrin e kapterit, xhandarët morën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.

Në kohën e Luftës italo-greke, me urdhër të Bashkisë, u vendosën në katin e parë të shtëpisë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italian, që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla, e shqetësuar për shtëpinë, u fliste oficerëve të hynin brenda. 

Pasi ikën italianët, në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë dhe pa helmetë, me kapelen me strehë në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e me kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se kërkonte të merrte ca kumbulla te një pemë e rritur vetiu buzë rremës, kokrrat e tharta të së cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin, binin në rremë dhe i rrëmbente me vete rryma e ujit. Merr, merr sa të duash! – ia bëri me shenjë halla ushtarit gjerman. Pas pak, ai mori dhe u kthye, e falënderoi hallën dhe u largua drejt urës me dërrasa, tek e priste një shoku i tij. 

Një ditë tjetër halla pa një ballist, që kishte mundur të ngjitej te një nga kavakët dhe po hante nga rrushi i verdhë i pjekur mirë. O djalë, i bërtiti ajo, kjo bahçe ka zot! Hë, moj hallo, ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot unë! Ja, mbarova! Zbriti poshtë ai dhe, duke qeshur, kaloi urën e u zhduk.

Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe nga gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë. 

Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjesit, një zyrtar njoftoi se, sipas vendimit të Komitetit të Partisë dhe të atij Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për t’u mbjellë me grurë e misër. Halla, aktiviste e guximtare e luftës, u lodh më kot t’i bindte shefat, që pemët të mos i pritnin. Pa kaluar as tri ditë, dhjetë punëtorë me sharra e sëpata në duar e me një përgjegjës në krye, u futën në bahçe dhe i prenë pa mëshirë pemët e ëmbla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pati hipur ballisti për një veshak rrush, këputjen e dhimbshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me lloj – lloj rrushi, shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degët e gjelbra si direkë anijesh, plandosjen e mënit të lartë, përmbysjen e kumbullave, të fiqve e të pemëve të tjera me fruta gjithfarësh! 

Merreni me mend dëshpërimin dhe fyerjen e hallës! 

Më pas i erdhi radha tragjedisë së shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture! 

U panë në oborr disa ustallarë. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër të bardhë, tek shkruhej urdhri i qeverisë për ta rrafshuar shtëpinë. Atëherë halla nuk jetonte më. S’mund ta mbronte dot me vetmohim. Po edhe trashgimtarët e saj ishin të pafuqishëm. Me lot në sy e jetoi dhimbjen edhe nipi i tyre, shkruesi i këtyre radhëve, me punë larg Beratit. Punëtorët, të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, e nisën rrafshimin me kazma, lopata, sharra, sëpata e sqeparë, ganxha e qysqi. Pra, bënë rrafsh me tokën një nga shtëpitë më të bukura të lagjes Murat Çelepi, tok me historinë e saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur! U goditën e u hodhën në tokë muret e gurtë rrethues, porta e madhe me hark! U shembën tavanet dhe çatia e gjerë, dhomat me oxhakë e llampadarë, nimet e shkallët, furra e qilari me qypa, hajati e konaku i kafesë, biblioteka… Gjithçka – me vrull revolucionar! Përse, vallë, u shfaros ajo mrekulli bujare!? Mister!

Ndoshta në arkivin e Kinostudios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot ndonjë film dokumentar, për atë shtëpi të bardhë, tek u strehua e sigurt Margarita Tutulani, e tek më vonë fshehën kokën rreth tridhjetë hebré dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar, në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti në atë lagje një rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të zhdukur pa nam e nishan, si nga ndonjë bombardim i egër. 

Tashmë trualli i rrafshuar i saj ka mbetur shkretë. Nuk dëgjohen më atje zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë, që lindën, u rritën, banuan dhe shërbyen në arsim, në shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjve, as kënga e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në rremë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Rrezet e ngrohta të diellit e ajri i pastër i Shpiragut më kot kërkojnë dritaret varg të shtëpisë së bardhë dhe kurorat e blerta të pemëve. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemërgjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshua edhe shtëpia e dijetarit dhe poetit Vexhi Buharaja, edhe shtëpitë e mësuesve, tregtarëve dhe të zejtarëve të njohur të qytetit. Nuk dëgjohet më uturima nanuritëse e lumit, as kambana nga Kulla e Sahatit e hedhur në tokë bashkë me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi. 

Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë  që merret me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Pëmetit për zonat historike, që nuk janë mbrojtur si duhet, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, jeton një gjendje të dhimbshme për shkak të shkujdesjes së atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës të sotëm, që mburren me librushkat për turistët.

Në troje të harruara të Beratit të tanishëm shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e hijshme të mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçeve të dhunuara kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç është bërë me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë, mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rrethonte shtëpinë dhe bahçenë. Shega, qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrra të shëndosha, duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre se jeta   vazhdon…    Kështu  do të ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar, tashmë rrënojë e heshtur, nëse  Shoqata për mbrojtjen e tij do të shtojë rradhët duke kërkuar me vendosmëri në protesta ringritjen e ndertesë së artit dramatik, ashtu siç ishte me kulmin e hijshëm. Atëherë në skenën plot  me kujtime aktorësh artistë, do të ringjallen, Hamleti, Laerti, Otello, Shekspiri e Noli, ndërsa në sallën e gjerë, do të shpërthejnë duatrokitjet e munguara…

Filed Under: Politike Tagged With: NGA AGIM XH. DESHNICA, PRISHJA E TEATRIT

PSE DUAN T’A PRISHIN TEATRIN KOMBETAR?

May 16, 2020 by dgreca

(E kanë me godinën, apo me kulturën shqiptare?)

SHKRUAN BESNIK IMERI/

        Njëzet e pesë vjet luftoi Gjergj Kastrioti për mbrojtjen e Arbërisë (Shqipërisë), arbërve (shqiptarëve), jetës dhe pronave të tyre, ekonomisë së tyre, kulturës, zakoneve, traditave, gjuhës dhe identitetit etnik, kulturor dhe social-psikologjik. Dhe ja doli mbanë. Ato njëzet e pesë vjet vërtetë shqiptarët u vranë, u dogjën, ju shkatëruan të mbjellat dhe pemët, ju rrënua ekonomia. Por ata, përballës bishës aziatike arritën të mbijetojnë me nder dhe të mos zhduken si racë. Ajo që u mboll ato njëzet e pesë vjet, mbiu dhe u kthye në një lis të madh kombëtar të shqiptarëve, që për pesëqind vjet nuk u harua, por u zhvillua dhe u harlis. Ky lis ishte atdhedashuria, që nuk u shuajt asnjëherë, ishte identiteti i gjuhës, trashëgimisë kulturore dhe i kombit. Ne ruajtëm dhe nuk haruam flamurin e Gjergj Kastriotit. Ne mbijetuam në genin mijëravjeçar të të parëve tanë.

        Mund të thotë dikush, pse na i thua këto, gjëra që dihen? Po, këto dihen, megjithëse kanë kaluar pesëqind vjet.  Por shqiptarët nuk po dinë se çfarë po ndodh sot, në sytë dhe “nën hundën” e tyre. Pasi ka njëzet e dy vjet që ka dalë një prestigjator, kloun, megamashtrues, një pseudoskënderbe, një pseudorilindas, i cili për të gënjyer shqiptarët, ditën vendosi foton e Ismail Qemalit në zyrat qeveritare (djallëzi tipike e korbave të zinj), ndërkohë që natën, në errësirë të thellë dhe nën Dhe, punon kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, kundër veprës së Gjergj Kastriotit, kundër veprës së Rilindasve të Mëdhenj dhe asaj të Ismail Qemalit. 

        Pra, kjo mbetje e historisë, kërkon, që për aq kohë sa Gjergj Kastrioti, e ngriti dhe e ndriti Shqipërinë me një dritë të pashuar që ndriçoi për pesëqind vjet; për aq kohë ky do ta fundosë në hone të thella dhe të errëta, do ta gremisë në humnera vdekjeprurëse,  Shqipërinë dhe shqiptarët.

        Ka njëzet e dy vjet që ky djall i zi, i peshkuar në “gjirizet” e Francës nga sorrat antishqiptare, u katapultua në Shqipëri me një mision ogurzi, të kundërt me atë të Gjergj Kastriotit, të kundërt me atë të Abdyl Frashërit, të kundërt me atë të Ismail Qemalit. Kush ishte dhe është misioni i tij? Ai është të vdesë çdo gjë, të zhdukë çdo gjë, të shfarosë çdo gjë: Shqipërinë, shqiptarët, pronat e tyre, jetën e tyre, kulturën e tyre, trashëgiminë kulturore, traditat, zakonet e trashëguara brez pas brezi. Ai ka marrë për mision që t’i kthejë shqiptarët (kuptohet ata që do t’i mbijetojnë ferrit të tij ogurzi) në kavie laboratori, kokëulura, të bindura, pa identitet kombëtar dhe kulturor. Ai ka marrë për mision që t’i kthejë shqiptarët në skllevër dhe Shqipërinë në një kamp të madh përqëndrimi, ku shqiptarët do të jenë si të internuarit e Mathauzenit, me një uniformë lara lara dhe me nga një matrikull, në kuriz, në ballë, apo në dorë, nuk ka rëndësi. 

        Viti i ardhjes në pushtet të kësaj Mavije ishte ters, trembëdhjetë, ishte kobndjellës për shqiptarët. Në shtatë vjet, ai u bëri të shtatat shqiptarëve; i la pa punë, i varfëroi, i grabiti, i la pa bukë, ose më mirë u dha bukë me miell kanceroz, i helmoi me frutat, perimet, mishin etj, me të gjitha ushqimet. E gjithë kjo për të sjellë vdekjen biologjike të shqiptarëve, dhe në pamundësi të kësaj, për deformimin e racës së shqiptarëve, sakatimin e saj, në kthimin e racës së shqiptarëve në një grumbull qëniesh të pazhvilluara dështake dhe distrofike.

        Por jo vetëm kaq. Ai nuk ju sul vetëm jetës së shqiptarëve. Ai ju sul me me të njëjtin tërbim kulturës së tyre, trashëgimisë së tyre kulturore, identitetit të tyre kombëtar. E gjitha kjo me qëllimin ogurzi për t’i kthyer shqiptarët në qënie mjerane, të varfëra, injorante, pa identitet. Në këtë vepër ogurzezë pati ndihmën e veglave të tij, ministreve të kulturës dhe atyre të arësimit, të cilat me veprën e tyre vepruan më shumë si antishqiptare, ashtu siç kanë qënë edhe qeveritë e këtij këto shtatë vjet, ashtu si është edhe ai vet kokë e këmbë. Dhënia e Butrintit një bande antishqiptare me qëllim ndryshimin e historisë, origjinës së shqiptarëve, kulturës së tyre, këtë qëllim ka.   Vepra e tyre antikombëtare një ditë do të gjykohet, dhe këto ministre (si shumë ministra dhe ministre të tij) do të dalin para gjyqit të historisë. Shqipëria ka nevojë për një “Nyremberg” për të ndëshkuar antishqiptarët, tradhëtarët dhe ata që fashistizuan gjithë Shqipërinë me falangat e tyre partiake. Dhe ky “Nyremberg” nuk është larg. Ai do të vijë. Mjerë tradhëtarët dhe antishqiptarët.

        Tani me të drejtë mund të pyesim, pse sapo “vuri këmbën” në politikën shqiptare ky u vendos tek Ministria e Kulturës? Pse sapo e uzurpoi këtë post, ashtu siç uzurpoi edhe gjithë postet e tjera, ky shpalli luftë ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi, dhe ndaj Teatrit Kombëtar në veçanti? Sepse, po të sulmohej, deformohej, modifikohej kultura shqiptare; atëhere ishte e sigurtë që do të dhunoheshin, deformoheshin, modifikoheshin edhe vetë shqiptarët.  

        Po me Teatrin ç’pati xhanëm?!!! Që kur u bë ministër i antikulturës, ky, siç e pohon edhe vet vendosi të prishë Teatrin Kombëtar (që u prishtë nga mendtë). Pse? Sepse teatri i ‘vriste’ sytë me shkëlqimin e tij verbues kulturor. Teatri Kombëtar ishte ‘dielli’ . i kulturës shqiptare, që u ‘vriste’ sytë lakuriqëve të antikulturës. Ai i kishte ‘mëkuar’ me kulturë dhe atdhedashuri gjithë shqiptarët që ishin ulur në poltronat e tij. Aty, për 55 vjet,  ishin luajtur kryeveprat e dramartugjisë botërore dhe shqiptare. Aty kishin luajtur gjenitë e artit shqiptar, ‘yjet’ e artit shqiptar, kollosët e artit shqiptar. Në atë skenë të thjeshtë shqiptarët ishin barabitur (për të mos thënë që ua kishin kaluar) me artin dhe artistët botëror. Përmendim vetëm njerin, pasi yjet tanë të artit nuk kanë të numëruar, të madhin Naim Frashëri, ylli që u dogj nga zjarri i vet, nga zjarri i dashurisë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nga zjarri i dashurisë për artin e vërtetë. Fjalët e tij tek drama “Familja e peshkatarit”: Shqipërinë ta duash, nuk ke rrugë tjetër. Janë edhe sot  si rrufeja në një qiell të nxirrë nga tradhëtia.

        Kjo është arësyeja e vërtetë që ai do të prishë Teatrin, sepse me këtë do t’i japë një goditje vdekjeprurëse kulturës shqiptare, kuptohet  me porosi të korbave të zinj që e prunë në pushtet në Shqipëri. Jo pa bazë është edhe një arësye tjetër, kuptohet që nuk është kryesorja, por që ndikon: Në personalitetin e vet diabolic, ai ka një urrejtje grryese për artistët dhe artin shkëlqimtar, pasi vet personalisht, ai ka qënë dhe mbetet një dështak, në të gjitha fushat.    

Besnik Imeri  16 maj  2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Besnik Imeri, PRISHJA E TEATRIT

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT