• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

SHKOLLA SHQIPE “ALBA LIFE” MBYLLI VITIN SHKOLLOR

June 8, 2021 by dgreca

Shkolla Shqipe “Alba Life” NY, Mbylli Me Plot Sukses Vitin Shkollor Akademik 2020 2021 Me Një Program Shumë Të Pasur Në Online/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Qershori është dita ndërkombetare e fëmijëve dhe këtë ditë jo vetëm që e festojmë me plot dashuri me nxënësit, por përkon dhe me mbylljen e vitit shkollor dhe me sfidën me pandeminë botërore.  

Çfarë dite e dielltë ishte dita e shtunë, si suksesi i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që vepron dhe mëson nxënësit në të gjitha lagjet e Nju Jorkut!  Sfida me pandeminë dhe mësimi me Gjuhën Shqipe ishte një punë e madhe nga më profesionalet dhe më frytdhënëset! Kjo shkollë me të 13 klasat në Online nuk e humbi për asnjë ditë mësimin e Gjuhës Shqipe.  Ishte e para shkollë në Diasporë që hapi programin në Online qysh në muajin shtator, 2021, dhe prej asaj dite nuk e ka ndërprerë mësimin asnjëherë, por me kulturë dhe profesionalizëm e vazhdoi gjithë vitin.  Bordi së bashku me mësueset tejet të kualifikuara, shumica të licensuara nga shteti amë dhe Nju Jorku sollën risi të reja didaktike dhe pedagjogjike duke e bërë shumë të larmishëm programin dhe duke tërhequr mjaft nxënës jo vetëm nga shtetet e Amerikës, por Kanadaja dhe Europa.   Mësueset zbatuan me rigorozitet disiplinën shkencore të pedagogjisë si teori e mësimit dhe e mësimdhënies, por edhe të kushtëzuara nga vetë zhvillimi i formave dhe i përmbajtjeve të punës mësimore në platformën në Online.  Disa mësuese kishin nga dy klasa në Online për gjatë vitit të cilat punuan me plot përkushtim.  Gjithmonë e gjithmonë e vlerësoj dhe e çmoj në maksimum secilin mësues pranë shkolles sonë dhe në Diasporë për përpjekjet shpesh herë dhe të mundimshme për të arritur deri këtu.

Ky vit ishte i jashtëzakonshëm për shkak të pandemisë botërore, Covid 19-të.  Ndërsa mendoj për shprehjen e vitit për Altruizmin kuptoj se mësuesit realizuan gjënë më të çmuar për njeriun që do të thotë: “Respekt dhe devotshmëri vetëmohuese ndaj shërbimit me plot kulturë për te tjerët”.  

Të gjitha mësueset vlerësuan lart bashkëpunimin me themeluesit si vizionarë për këtë mision kombëtar si dhe gjithë stafin qe i janë bashkuar këtij programi tejet professional dhe serioz. Mësuesit i mbështetën nxënësit e Diasporës në kohrat më të vështira!  Doemos kanë bekimin e tyre!

Program shumë i pasur për mbylljen me plot sukses të Vitit Akademik 2020 – 2021

Programi i klasave të nivelit të parë

Programi u nda në dy grupe, në dy seanca të shfaqjes për shkak të numrit të madh të klasave.  Programi filloi në orën 10 paradite.  

Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut si dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Arsimtarëve në Diasporë përshëndeti mësuesit, nxënësit dhe prindërit në emër të Bordit të Shkollës.

Ai tha se është  një  kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes sot me rastin e mbylljes së vitit shkollor akademik 2020-2021 e t’ju falënderoj për përkushtimin tuaj për këtë  detyrë të rëndësishme mbarë kombëtare të mësimit të gjuhës shqipe.

Viti mësimor që po mbyllim sot ishte viti me i vështirë në historinë e shkollës shqipe “Alba Life” pasi ishte viti ku të gjithë ju u përballët me vështirësi të mëdha që na shkaktoi pandemia botërore, Covid 19. 

Mësimi gjatë këtij viti mësimor u zhvillua në Online dhe ka qenë ndryshe nga vitet e mëparshme që e zhvillonim nëpër klasa dhe për këte u desh një trainim dhe përgatitje shumë serioze e të gjithë mësuesëve të shkolles sonë për t’i bërë orët e mësimit të gjuhës shqipe sa më interesante dhe me një informacion të gjithanshëm.  Mesimet e larmishme që sillnin mësuesit e shkollës sonë të përgatitura e prezantuara në Google Meet ishin të një niveli shumë të lartë pasi në të nuk përfshiheshin vetëm materialet bazë didaktike të teksteve të para Abetares, Abetares dhe librave të gjuhës, por në to janë pasqyryar edhe shumë materiale nga tekstet ndihmëse të miratuara dhe veçanërisht të platforms “Schoolme”, që ishte një ndihmesë tjetër që e bëri shumë interesant mësimin në Online të gjuhës shqipe.

Shkolla jonë është shumë krenare që ishte e para shkollë në Diasporë që filloi mësimin qysh javën e parë të shtatorit të vitit të shkuar dhe nuk humbi asnjë orë mësimore gjatë këtij viti akademik.

Po ashtu interesimi i nxënësve ka qenë shumë i madh gjë të cilen unë e kam vërejtur nga vëzhgimet që kam bërë në të gjitha klasat ku nxënësit hynin qysh në minutën e parë të mësimit dhe e kishin vështirë të largoheshin nga ekrani pas mbarimit të mësimit. Ky është një vlerësim shumë i lartë i punës së mësuesëve: Adelina Lacaj që zhvilloi mësim në dy klasa, Dr. Manjola Dulit, mësueseve Entela Muda, Vlera Thaqi, Gela Bulku, Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Veselaj, Sonilda Koci Kadria dhe Vjollca Skënderi qe po ashtu dha mesim në dy klasa.

I përgëzoj të gjitha mësueset që përmenda më sipër si dhe koordinatoret Arta Xhaferi, Blerim Gjocaj, Eligerta Cuka si dhe bashkëthemelueset Kozeta Zylo dhe Dr.Valbona Zylo Watkins që kanë dhënë një ndihmesë të vazhdueshme.

Pa dashur të zgjatem konkluzioni i Bordit të shkollës shqipe  “Alba Life”  është se viti mësimor 2020-2021 ishte mjaft i suksesshëm në cilësi dhe në numër të nxënësve pasi e shtrimë aktivitetin jo vetëm në lagjet dhe shtetin e Nju Jorkut që i kishim vitet e mëpareshme, por këtë vit ne patëm nxënës nga shkollat Halifax Kanada, shkolla në Chicago, nga Florida, Alabama, Washington State, Pensilvania, Masachusets, Spanja, Suedia e të tjerë . 

Ju faleminderit të gjithë nxënësve, mësuesëve dhe prindërve që bashkëpunuam në këtë mission kombëtar dhe ju uroj suksese në programin e sotëm të fundvitit dhe pushime të mbara e suksese në vitin e ardhshëm mësimor.

Faleminderit të gjithëve për vemendjen tuaj.

Programi u hap me këngën “1 Qershori” kënduar nga kori i Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York 

Mësuese Sonilda Koci që operon në Brooklyn, solli pranë ekranit nxënësit më të vegjël duke filluar nga mosha 4 vjeç të cilët si zogj ndër pemë të gjelbërta çuçurisnin ëmbël shqip.  Ajo i kishte pagëzuar si Flilizat e rinj të Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Ata ishin: Abella Bora Delisi, Aleena Osmani, Ana Skrapalliu, Arabella Gjeka, Besart Hysolli, Emily Gardella, Era Kondakciu, Ethan Çela, Hana Demiri, Nikolas Niko Gard, Rian Dobrova.

Mësuese Vlera Thaqit që operon në Staten Island dhe me nxënës nga Long Island, Westchester solli nxënësit të cilët recituan këto poezi si: Chloe Kaso, Gjuha Jonë nga Naim Frasheri, Nina Kastrati- Gjuha Shqipe nga Gjergj Fishta, Saranda Halstad- Abetare, Abetare nga Xhevair Spahiu.  

Mësuese Mirvete Krasniqi Veselaj që operon në Bronx kishte përgatitur nxënësit si Kevin Duka nga Philadephia me poezinë:  “Abetare, Abetare dhe Keci”, Bora Kurtolli: “Kosova ime”, Julia Loci: “Kenga tik tak tik tak, poezia “Shkronja”, Ariel Dalliu: “Abetare dhe shkronja A”, Edion Shiqerukaj: “Dua të luaj dhe shkronja E”, Alisa Gjika: “Kenga 1 Qershori dhe poezia Abetare”

Mësuese Vjollca Skënderi që ka dy klasa në Brooklyn dhe Queens kishte përgatitur këta nxënës si: Aleksia Kola me poezinë: “Librat rrinë radhë radhë”, Eliana Cuko, Chikago: “Abetarja ime”,  poezi nga Kozeta Zylo, Kiara Hila: “Gjuha Shqipe”, Klea Kola: “Abetare, Abetare”.  Shtoj këtu se shumë prej nxënësve të dy klasave ishin me pushime në vende të ndryshme dhe nuk kishin mundësi për të marrë pjesë në këtë program të fundvitit. 

Mësuese Gela Bulku që operon në Brooklyn i kishte përgatitur nxënësit jo vetëm me poezi nga shtëpia, por dhe në mjedise me peizazhe të mrekullueshme nga Nju Jorku duke kënduar këngë shqiptare.

Programin e hapi me këngën “Zogu dhe Abetarja” kënduar nga Dëbora Shehu e cila iu uroi: “Gëzuar festën e Abetares dhe mbylljen e vitit shkollor të gjithë nxënësve të Shkolles Shqipe “Alba Life”. 

Udhëtim nëpër shkronja u intepretua nga: Adisa Tahiri, Aria Stoja, Brandon Grada, Dëbora Shehu, Enzo Rustani, Jori Lamçe, Laura Torollari, Rilind Shehu.

“Vallet shqiptare” u vallëzuan me plot pasion nga Jori Lamçe dhe Enzo Rustani

“1 Qershori!” Interpretoi, Aria Stoja

Ndërsa kënga 600 vjeçare shqiptare “Moj e bukura More“u këndua nga Brendon Grada

Mësuese Fatbardha Shiqerukaj që operon në Bronx u paraqit në këtë program me këta nxënës si: Simelba Xhaferri: “Librat rrinë radhe radhe”, Lediana Hasanaj: “Dijeni botërore”, Fatjon Gjocaj: “Shoku im”, Fatjona Gjocaj: “Truri”, Yllëza Sejdiu, Emma Watkins: “Shqiponja” nga  Xhevahir Spahiu, Leon Gashi: “Alfabeti”, Saranda Krasniqi: “Për një shkronje”, Luan Krasniqi: “Nëna Shqipëri”, Edvin Dalliu: “Unë jam”, Rami Elkordi: Yunis Elkordi.

Për shkak të numrit të madh të klasave, programi u shfaq në dy grupe dhe orë të ndryshme duke filluar me saktësi nga ora 10 të e paradites. 

Programi i klasave të nivelit të dytë 

Në grupin e dytë programi u hap me Dr. Manjola Dulin, mësuese në Queens.  Nxënësit e saj të rritur në moshë sollën një larmishmëri me slide show në Power Point, duke shfaqur mësimet shumë të rendësishme që kishin përgatitur gjatë vitit. Ato ishin nga gjithë Kombi, Shqipëria Kosova, Dibra, Mali I zi, Çamëria, Arbëreshët, Presheva etj.  Nxënësit që morën pjesë me këto projekte ishin:  Agon, Agona dhe Loreta Sadiku: Projekt “Çamëria” nga Georgia.  Klaus dhe Stivi Veshi: “Luftrat e Skënderbeut nga NYC.  Adina Zdruli nga Kanada interpretoi poezinë nga “Naim Frashëri”, Lir Shala nga Kanada: “Projekt i Shkollës Shqipe, “Lufta e Kosovës”. Zana Shala nga Kanada: Poezia “1 Qershori”. Klevis Zhala nga NYC: Poezia, “Shqiponja”.

Isabel Zhala, NY: Vjershë e Naim Frashërit: “Ti Shqipëri më ep nder”.  Det Ramosaj Kanada, poezia: “Sa të dua Kosovë.  Ryan Pjetergjoka NY: Poezia “I dashur Atdhe”.  Adea Kastrati nga Long Island: Interpretim për “Rozafën”.  Giuliano Meta NY: “Ujërat dhe lumenjtë e Shqipërisë”.   Francesco Hila, New York.

Mësuese Adelina Lacaj e cila u paraqit me dy klasa ne Bronx dhe Brooklyn solli përvojën e saj dhe nxnësit që kishte përgatitur në Bronx sollën larmishmëri me projekte për Atdheun dhe përshtypjet e nxënësve gjatë këtij viti.  Ata ishin: Arelt Xhaferri: “Përshëndetja e prindërve/ Figura të njohura shqiptare Skënderbeu/ Ismail Qemali/ Nënë Tereza.  Jessica Ndregjoni: “Përpjekjet për të folur shqip/ Sendet tradiocionale shqiptare në shtëpitë tona”.  Jonathan Ndregjoni: “Gjeografia, peizazhi bota bimore dhe klima”.  Keida Shiqerukaj: “Bashkëbisedimi shqip në klasë dhe rëndësia e tij”.  Adrian Krasniqi: “Lojërat në klasë”. Harry Lumshi: “Gabimet shqiptare”.  Kenkrest Lumshi: “Industria ushqimore në Shqipëri”. Kleidi Zaimi: “Arbëreshët e Italisë”.   Fiona Zaimi: “Qytetet dhe Trevat tona- dallimet midis tyre”.  Sofia Sandria: “Ilirët dhe trevat e tyre / Powerpoint Ksamili/ Mali i Jezercës dhe ngjitjet alpine”. Nora Balidemaj: “ Mësonjëtorja e parë shqipe / Filmi dhe përshtypjet”.  Albo Peraj: “Muzika dhe instrumentet e ndryshme.  Tipet e ndryshme të valleve dhe lidhja e tyre me historinë”. 

Mësuese Entela Muda me klasën e saj në Staten Island solli nxënësit me intepretime të ndryshme duke e pasuruar programin dhe me vallen e Kosovës interpretuar mjeshtërisht nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Ata ishin: Dea Watkins e cila kishte përgatitur esenë: “Gjuha e Nënës”.  Amina Shegaj: “Krujë, O qytet I bekuar” nga Naim Frashëri, Reona Kovaçi: “Korça” nga Naim Frasheri, Blin dhe Rubik Rugova: “Korça” nga Naim Frashëri, Ariana Daci: “Kundër Mallkimit të Gjuhës Shqipe” nga Petro Nini Luarasi.  Ne ekran me plot entuziazëm dhe mjeshtëri u shfaqën valltarët e shkollës me “Vallen e Kosovës”. 

Mësuese Vjollca Skenderi solli dhe dy emrat nga Suedia si: Uklea dhe Kleidi Buzi.

Mësuese Adelina Lacaj paraqiti nxënësit e saj ne Brooklyn si: Erla Lamce: “Iu uroi mirëseardhjen prindërve , nxënënsve dhe mësuesve/ Riviera Perëndimore –Deti Adriatik dhe deti Jon. Blenda Sehu- Mesimi Online për Vitin 2020-2021/ pyetje drejtuar shokëve.  Elio Tahiri: “Mbresat e vitit / familja në Shqipëri (gjyshi- gjyshja )/ Teknologjia (avantazhet dhe disavantazhet e saj.)  Enson Nallbani- Karakteri  shqiptar- kultura, arti dhe shoqëria.  Zenel Agolli: “Diversiteti i trevave shqiptare – arti i të gatuarit”.  Altea Balla: “Shqipëria një vend i bukur turistik- udhëtim në Atdhe/ këngët vallet  dhe veshjet popullore. Kelvin Rustani, përmbledhje e viteve të tij në Shkollën Shqipe “Alba Life”.  Përshëndetje dhe falënderim stafit të shkollës. Jon Agolli- Përmbjedhje e temave të punuara gjatë Vitit/ Muzika shqiptare dhe vecoritë e saj në Shqipëri dhe Amerikë,  këngetarët e famshëm në botë,  gatimet tradicionale.  Detion Shehu: “Mbresat tona për Shqipërinë, Udhëtim ndjenjash dhe falënderim  stafit të shkolles”. 

Programi u mbyll me vallen e Tropojës interpretuar nga nxënësit e Shkollës Shqipe në Bronx dhe Brooklyn.  

Në fund të gjithë u përshëndetëm mallshëm me njeri-tjetrin, duke shpresuar dhe lutur se së shpejti do të shihemi në shtator nëpër klasat tona në shkollat e Nju Jorkut.  Ndarja pati dhe lot mësuesesh dhe gëzime për cfare I dhuruan profesionalisht dhe me plot perkushtim nxënësve në këtë mision Kombëtar. 

7 QERSHOR, 2021-NEW YORK

Filed Under: Featured Tagged With: Alba Life, Keze Kozeta Zylo, Mbyllja e Viti Shkollor

ARRATISJA NGA FERRI

June 8, 2021 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Ngjyrimet e vjeshtës shtriheshin në ultësira, ashtu si mjegullat e largëta zbardhnin përgjatë kreshtash e në maja malesh. 

Ishin kohë të turbullta me lajme të frikshme. Veriu i Shqipërisë, i dëgjuar në Europë për bukurinë e madhështinë e bjeshkëve, ngjante midis reve me një burg graniti, ku rapsodët u binin lahutave me këngë për Aga Ymerin e burgosur. Spaçi, Qafë Bari, Burreli, Bulqiza, Rubiku e kishin humbur historinë e hijeshinë e emrit.

Nëse rastisje të udhëtoje në ato vise me kamion, ulur pranë shoferit, të trazonte shqetësimi i fshehtë, kur ai të thoshte, pa e pyetur: 

– Kjo rruga nga e djathta të çon në minierën e Spaçit, ajo tjetra – në Qafë Bar. Minatorët janë të burgosur, njerëz me shkollë.

Ti e dëgjoje e s’kishe guxim t’i ktheje përgjigje. 

Kamioni merrte majtas e djathtas. Honet e ngrysur rrotulloheshin e lëviznin si porta të gurta. Nuk dukej askush. Duhej të hyje në atë ferr të padukshëm, për të mësuar seç ndodhte atje.

Astrit Drini, lindur në Tiranë, pasi mori diplomën për gjuhë – letërsi, u caktua mësues në një katund të thellë midis maleve të veriut. Shtëpia, shëtitjet në bulevard, biblioteka e ngrohtë, miqtë e shokët, tashti ishin larg, matanë maleve, tutje reve. Megjithatë, në shkollë ai ndihej mirë me nxënësit e vet, teksa e dëgjonin me vëmendje. Shpesh takohej edhe me burrat e atij vendi baritor, ku qielli i pakët dukej si çati e kaltër. Dëgjonte dhe mbante shënime për gjithçka me vlerë, fjalë të rralla, vargje nga këngët epike, gojëdhana e gjë e gjëza. Në mbrëmje, në dhomën e vogël ngjitur me shkollën, lexonte deri vonë detyrat e nxënësve dhe përgatitej për të nesërmen. Por shkruante edhe letra për nënën, sidomos, pasi i ati qe larguar nga jeta, si edhe për shokët, që të mos mendonin se i kishte harruar. Ose krijonte ndonjë poezi, apo tregim. Fshatarët, të lodhur në ato orë, flinin. 

Kaluan kështu disa vite. 

Një natë ai dëgjoi jashtë dritares zhurmën e një motori makine, pastaj hapa njerëzish e, më në fund, trokitje në derë. U ngrit dhe pa nga dritarja operativin e zonës në krye të tre policëve të armatosur. Ua hapi derën ngadalë. 

– Urdhëroni! – u tha. Por, oficeri ia priti qysh në prag: 

– Astrit Drini, në emër të popullit, je i arrestuar!

Me gazin e mbyllur të Degës, ndërmjet policësh të heshtur, ai udhëtoi në drejtim të panjohur. Makina, pasi eci me tronditje për disa orë nëpër udhën e ashpër malore, më tej vazhdoi më qetë. Mesa dukej, kishte dalë në asfalt. Diku frenoi. Astritin e nxorën të lidhur nga gazi, e pasi kaluan nëpër ca korridore të ndriçuar keq, e mbyllën te një qeli e errët. Ai e gdhiu natën herë fjetur e herë zgjuar. Vriste mendjen më kot. Çfarë kishte ndodhur!? Ç’paskësh bërë, vallë, që s’e dinte as vetë!? Përse e kishin përplasur aty si një vrasës!? 

Një natë e morën policë të tjerë dhe e çuan në zyrën e hetuesit. Ajo ishte me pajisje të zakonshme, me telefon, letra e makinë shkrimi. Hetuesi, me moshë mbi të tridhjetat, rrinte ulur dhe shënonte përgjigjet për emrin, mbiemrin… Papritur, Astritit iu duk sikur ai i hodhi në kokë ujë të ftohtë, kur i tha: 

– Kemi të dhëna se ti merresh me thashetheme kundër pushtetit! Se u lexon nxënësve e djemve të fshatit poezi të dyshimta. Por, nga burime të besueshme dimë edhe se ke menduar të arratisesh!

Astritin e hutuar sikur e përshkoi diçka si rrufe. 

– Ato që më thatë nuk qëndrojnë! – ia ktheu hetuesit. – Unë jam mësues. Fshati më nderon. Njerëzit e mi presin që unë të kthehem në Tiranë, pas një largimi kaq të gjatë.

Por pyetjet, britmat, fyerjet e kanosjet filluan e vazhduan radhas. Më në fund, Astritit iu desh të përballej edhe me shpifjet e dëshmitarëve të rremë. 

Makina e shkrimit nxinte letra me sajime për zyrtarët më të lartë, për gjykatësit e prokurorët. Pas torturave, që nuk zgjatën më pak se tetë muaj, i erdhi radha prokurorisë dhe gjykatës. Iu bë gjyq politik. 

Astriti, bir i një patrioti të dëgjuar, u dënua me burg për agitacion e propagandë, gjë që atij as që i kishte shkuar ndër mend kurrë ta bënte. 

+

Mirdita me hijeshitë e saj, me emërvende shqip, me male, pyje e livadhe, shkëlqente, kurse Spaçi i saj i kallte dridhmën gjithkujt. Ishte burg, kamp, katakomb me njerëz të gjallë. Fani, ditë e natë, rridhte e zhurmonte si Akeronti, lumi i ferrit. Qindra e qindra sy kërkonin në heshtje fajtorët pa faj. Atje, ku tërëçka qe e rrethuar nga gërxhe të ngrysur, kureshtja dhe hamendja bridhnin nëpër guvat e rrezikshme. Ai vend ishte një tokë e djegur, e ashpër, e gurtë. Brenda rrethimit me tela me gjemba jetonin skllevërit e shekullit, bijtë e kombit shqiptar, për faje të çuditshme, me dënime të pabesueshme për nga egërsia. Njëri kishte folur pak si tepër, tjetri pati shkruar poezi të dyshimta! Disa kishin dëgjuar në radio lajme të huaja, apo u mësonin të tjerëve frëngjisht e italisht. Dikush paskej menduar të kalonte i vetëm kufirin, për të kërkuar një jetë më të mirë. Miniera e Spaçit mund të krahasohej me një mal shtresash të pasura piriti, me bakër e ajër mbytës. Të burgosurit hynin në galeritë e nëndheshme me vagona, si “varka e Karontit“, që lundronte me shpirtra mëkatarësh, për në rrethet e ferrit. Ashtu si cerberët, policët në hyrje të tunelit kotrollonin me rreptësi të munduarit. I vetmi mik i të burgosurve ishte një qen me shpirt njeriu të mirë. Rrinte e luante me ta. Çdo mëngjes i përcillte deri te gryka e galerisë. Ulej atje dhe priste gjersa ktheheshin. Por, papritur, një ditë ai u gjend i vrarë, i goditur në kokë me kazmë a lopatë! 

Për ekzistencën e minierës-burg me emrin Spaç, askush nuk fliste. Askush nuk dinte seç bëhej atje. Misteri, si re e zezë, mbulonte gjithçka me heshtjen e harrimin. Edhe në Fjalorin Enciklopedik, miniera e Spaçit, mungonte. Përmendej shkarazi në zërin Spaç si fshat i vogël e me pak banorë. 

Jashtë burgjeve, njerëzit shkonin në punë dhe ktheheshin në shtëpi. Të rinjtë shëtisnin në bulevard. Disa hynin në kinema e teatër. Shumë vetë – në stadiume, me thirrje të fuqishme, shfrehnin dufin e mërzisë. Shkrimtarët e poetët merrnin çmime. Artistët këndonin e kërcenin në festivale. Shtypshkronjat ngrinin mure me libra lavdërimesh për regjimin. Për Spaçin-burg s’thuhej asnjë fjalë. Të vetmit që prishnin heshtjen, si përherë, në lartësitë e tokës mëmë, ishin shoferët e maleve.

Në pushimet e shkurtra Astriti shtrihej mbi mineral dhe e merrte gjumi menjëherë. Gjumë me ëndrra, me pamje që ndërroheshin shpejt. Nëna i sillte gotën me çaj të ngrohtë. Motrat lotonin për vëllanë e mirë. Ndonjëherë atij i bëhej sikur i ngjallej i ati, i afrohej e i jepte zemër: 

“Mbaju, bir!” 

Shokët të trishtuar i zgjatnin paketën e cigareve.

+ 

Në kamp Astriti u miqësua me një njeri të mirë, Naim Perlatin, i diplomuar për ekonomi në Budapest. Në universitetin hungarez ai njihej si djalë i zoti e bujar. Në prag provimesh drejtonte rrethe studentësh. Me t’u kthyer, u emërua në fakultetin ekonomik. Shquhej si pedagog me aftësi të rralla. Leksionet e kontabilitetit e të financës i jepte lirshëm pa letër para. Lënda bëhej edhe më tërheqëse për studentët, kur Naimi shtronte probleme ekonomike me disa variante. 

Një ditë, pas një pune të lodhshme si këshilltar në Ministrinë e Financave, i paraqiti ministrit një dosje me studime për zbutjen e vështirësive ekonomike. Pas pesë ditësh, e njoftuan të paraqitej në zyrën e ministrit, në prani të sekretarit të partisë, zevendësministrave dhe drejtorëve. Atje e mori fjalën i pari sekretari i partisë:

– Propozimet e tua mbajnë erë revizionizëm! – i tha Naimit. – Janë kundër vijës së partisë në ekonomi, pra armiqësore! 

Ndër të tjera, ai e quajti Naimin “rebel hungarez.” 

Nuk e lanë të fliste. Shfajësimet ishin të kota. Tani duhej vetëm të dëgjonte mendimet e shefave. Në fund të javës e arrestuan brenda në zyrë. U dënua me 15 vjet burg. 

Astritit, emri i tij Naim, i kujtonte poetin e madh të Shqipërisë. Kishte një natyrë të dashur, me sytë e qeshur e të çiltër. Kultura e gjithanshme ia ngrinte edhe më lart vlerat si njeri. Pëlqente letërsinë dhe artin. Përkthente lehtësisht vargje nga poetët hungarezë. Në kohën e pushimit ata të dy bisedonin me zë të ulët. Astriti e pyeste shpesh për Budën e Peshtin, Danubin e urat, për rrugën, ku shkrimtari i njohur Molnar krijoi romanin me famë “Çunat e rrugës Pal”, për vajzat hungareze dhe violinistët virtuozë ciganë. E pyeste për kompozitorin Frans List, për poetët Vëresh Marti e Shandër Petëf, për shumë shkrimtarë të lirisë. 

Kur ra fjala për Migjenin, Astriti tha:

– Si do të ndihej në këto kohë me poezitë e veta Migjeni, gjersa me to i pati rënë më qafë etërve katolikë? 

– Sigurisht, si shpirt i ndjeshëm, do të dëshpërohej për fatin e tyre. 

Astriti, pas lodhjes dërrmuese, ulur pranë Naimit, shpesh pëshpëriste vargjet e njohur të Dantes: 

“Nessun magior dolor che ricordarci i tempi felici ne la misseria.” Me këto fjalë të trishta të poetit fiorentin, qetësohej si nga një cigare me duhan sheldia të Shkodrës. Njëherë i tregoi Naimit papritur:

– Natën kam nisur të zgjohem nga një ankth i ri. Mendimi i arratisjes nuk më ndahet! 

Të dy, pas punës, rrinin ulur pranë e pranë, në diellin e pakët të atij fundi tetori. Nga malet, siç tregonte era e ftohtë, po afrohej dimri. 

Naimi e pa Astritin dhe buzëqeshi. 

– Është e pamundur ajo që thua! Shiko rrethimin, rojet me mitrolozë!

– Mendoj të arratisem në punë e sipër, kur ngarkohen kamionët.

– Shumë prej atyre që janë orvatur të arratisen, janë kapur, pa u larguar shumë. Ashtu ndodhi edhe me ata tre, që, duke gërmuar shtresat e mineralit, u gjendën padashur jashtë rrethimit. Po për nënën e motrat a ke menduar? 

U dëgjua çanga për apelin. Biseda e tyre u ndërpre. 

Gjatë vizitës mjekësore, mjeku i burgut shfaqi mendimin që Naimi dhe Astriti të punonin jashtë. Kaluan javë e muaj dhe ja, Astriti pa një kamion me targat e Tiranës. Shofer ishte Hamzai, një shok i rinisë, vëlla e shkuar vëllait. Ndërsa shikonte nivelin e ngarkesës dhe u binte gomave me shkelm, ai tha: 

– Nëna e motrat të puthin sytë! Shpresojnë të dalësh nga burgu para kohe!

Kur po hanin supën e zezë, ai i pëshpëriti Naimit:

– Nuk je më kot profesor i madh ti! Kam vendosur të mos mendoj më për asgjë.

 – Tani qetësohu! Merr e lexo libra e gazeta të kampit, siç bëj edhe unë! 

Dhe ja, pas mundimesh, Astritit i erdhi dita e lirimit. Para se të largohej, ai u takua me shumë vetë. Me Naimin u përqafua me lot në sy. 

– Mirupafshim! Nuk do të të harroj kurrë! Lirim të shpejtë!

Sapo doli, pa një kamion.

– Shofer, të lutem, merrmë deri në Milot! 

Tek Ura e Matit zbriti dhe shkoi në këmbë për në Mamuras, ku tani jetonin e punonin nëna e motrat. Tërë ditën të ngratat në arat e fermës me bel e shat! Në verë korrnin grurë, pastaj merreshin me mbledhjen e misrit e të perimeve. Kur po ktheheshin nga puna, u befasuan. E panë nga larg, tek priste jashtë. Të tria, të lumtura sa s’ka, nuk i mbanin dot lotët e gëzimit. Pas aq vuajtjesh, larg nga britmat e fyerjet, tani ai përqafonte njerëzit e tij të shtrenjtë. U kënaq nga bisedat plot gëzim e nga gjellët e shijshme. Pothuaj i pati harruar. Pyeti për gjithçka. Folën edhe për punën. 

Pas tri ditësh, Astriti u paraqit në seksionin e arsimit.

– Ju e dini, kam qenë mësues! – tha atje. – Mund të jap mësim në ndonjë nga shkollat e këtushme.

– Eshtë jashtë mundësive të mia! – ia ktheu shefi. – Të drejtat e tua për të shërbyer prapë si mësues duhet t’i kërkosh në Tiranë!

Dërgoi një letër në ministri. Pas një heshtjeje të gjatë, mbërriti përgjigja: 

“Çështjen tuaj e kemi në shqyrtim. Mund të gjejmë një vend pune në minierën e Martaneshit.” 

Pra, arsimi për të kishte marrë fund. I humbi shpresat. Pa e zgjatur, vendosi të punonte në argjinaturat e Thumanës. Tani pranë familjes, sado i internuar, ndihej i lirë e larg trishtimit. Mund të lexonte libra, madje edhe të shkruante. Papritur, nëna e lodhur u sëmurë rëndë dhe nuk jetoi më. U dëshpëruan të gjithë dhe derdhën lot. Pas një viti, motrat, njëra pas tjetrës, u martuan me djem të internuar. Astriti mbeti fill i vetëm. Papritur, prej një të liruari nga kampi i Spaçit, mori vesh se Naimi kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër. U hidhërua dhe qau si fëmijë,

Një ditë në zyrën e punës Astritit i thanë:

– Objektet mbaruan. Punëtorëve u kemi gjetur punë në vende të ndryshme. Ti do të shkosh në një nga minierat e kromit!

Në qetësinë e natës, sado që ai përpiqej t’i largonte mendimet e trishtuara, ishte e kotë. Mendimi i arratisjes iu zgjua me ankth sërish. Shkoi përsëri në zyrën e punës. 

– Më dërgoni në Bulqizë!

– Jo! Kemi porosi nga kryetari që të shkosh në minierën e Librazhdit!

Nuk kundërshtoi. Bëri gati plaçkat. Mori librat, letrat e fotografitë, që ishin mbajtur me aq kujdes nga e ëma, la qytezën dhe u nis për në Librazhd. Atje e caktuan të punonte në ngarkimin e kamionëve me materiale gjithfarësh. Dhe, veç kësaj, i bënë të ditur se nuk mund të largohej prej atje pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme.

Kaloi një vit. Në klubin e minierës pa Hamzanë, i buzëqeshi dhe iu afrua. 

– Tani punoj këtu! – i tha.

– Eh! Ç’fat të mbrapshtë paske pasur! – psherëtiu miku i tij. 

Kaluan dy muaj të lodhshëm, në vapë e pluhur. Vjeshta, me ngjyrat e zbehta, erdhi përsëri. Kamioni i Hamzait u duk prapë pranë Astritit. E ky, ndërsa punonte, i foli shokut me zë të ulët: 

– Nuk mundem më! Jam i lodhur, sa s’ka ku të vejë!

– Ke të drejtë! 

– Shpesh vras mendjen për të ikur nga kjo jetë e rëndë. Rruga ime për shpëtim është vetëm arratisja.

– Po nga do t’ia mbash? Do ta kesh mjaft të vështirë t’ia arrish! Duhet shoshitur hollë ajo gjë! 

Pas një jave, Hamzai i tha:

– Më kanë caktuar edhe mua me disa shoferë, për të hequr hedhurinat e minierës. Nesër filloj. Ky është një rast i mirë për mua! 

– Të kuptoj! Tani edhe unë do të përpiqem të bëj diçka për ty!

Astriti sa nuk thirri nga gëzimi, teksa shtrëngonte spondet e karrocerisë të makinës së ngarkuar me mineral. 

Në mbarim të pesë ditëve, dëgjoi Hamzanë, tek i thoshte me gjysmë zëri: 

– Kur të jem në rrugën e fundit, sapo të bjerë muzgu, futu në vendin prapa meje, nga krahu i timonit, uli perdet dhe shtrihu te shtrati im! Rrugës bëj sikur po fle! 

Me t’u kthyer kamioni, Astriti i dha Hamzait çantën me sendet e veta dhe e nisi punën shpëtimtare me gjallëri si asnjëherë. Hodhi poshtë karrocerisë, sa me duar e sa me lopatë, dhera, gurë, dërrasa, teneqe, hekurishte të vjetra. Pluhuri mbytës mori përpjetë. Ishin pikërisht çastet, kur u fsheh në kabinë.

Skoda çeke, duke shfryrë, la pas pluhurin e dendur si re shtrëngate. Njerëzit bënë mënjanë, thirrën dhe e shanë shoferin. Pastaj zunë hundët dhe mbyllën gojën. Te peshorja shoferi mori fletëdaljen e zakonshme: “Mbeturina, ton 10”. Rrugës, duke e ngarë skodën shpejt, vërente i shqetësuar pasqyrën. Në drejtimin e kundërt u duk një Gaz – BÇ. Mandej, njëri pas tjetrit, kaluan me zhurmë tre kamionë pa ngarkesë. Hamzai i përshëndeti me fenerët e parë, duke e kthyer kokën pak majtas. Po errej. Nën hijen e një mali me pisha, skoda me motorin e ndezur u ndal.

– Dil shpejt dhe fshihu në ndonjë vend! – dëgjoi Astriti zërin e Hamzait. – Pastaj ngjitiu malit përpjetë! 

Dhe ai ashtu bëri. Pas ca, nuk e shihte më skodën. Ajo kishte humbur pas një ktheseje malore. Astritit tashmë i rrihte zemra me forcë. Ishte shtrirë njësh me shkurret në gjirin e pishave të larta e të dendura. Kaluan ndonja njëzetë minuta. Së lartmi pa, tek u duk në xhade, një skodë tjetër. E, sakaq, një shqarth i trembur rrëshqiti nëpër trungun e një druri dhe humbi nëpër degë, ndërsa një mëllenjë e vonuar i fluturoi mbi kokë. Të gjitha këto lëvizje e zhurma e bënin Astritin të tronditej. Priti sa u err mirë dhe eci në vijë të drejtë nëpër pyllin, që merrte përpjetë. I ndihmuar nga shkëlqimi i vagët yjor, ecte pa pushuar me sa i hanin këmbët. Pa vënë gjë në gojë e pa pirë një pikë ujë. Diku përplasi gjurin te një trung, më tej krahun. U shtri pak, sa t’i qetësoheshin dhimbjet. Por, shpejt u ngrit dhe nxitoi. Kur shkrepi drita, u bë rrafsh me tokën, nën shkurret e përskuqura, poshtë bredhave, përzjerë me pisha. Në atë gjendje, përgjonte me kujdes, merrte frymë me gojën mbyllur me shami të lagur dhe flinte disa çaste. Ishte një gjumë komitësh. Më së fundi, kur pa se ndodhej mbi një kreshtë, mori frymë i lehtësuar. Megjithëse shqetësimi nuk i qe ndarë, ashtu i fshehur e i shtrirë, vështronte qiellin dhe ndihej i lirë. Qetësi e thellë! Asnjë gjurmë kafshësh apo njerëzish! Ftohtë si në janar, ndonëse dëbora nuk kishte nisur të binte. Hapi çantën, piu ujë dhe hëngri pak bukë me djathë të bardhë e me ullinj. Nata ra sërish. Poshtë, aty – këtu, dritare shtëpish të shpërndara ndrinin si yje, por shpejt dritat ndër to u fikën. Tek – tuk ndonjë dritë shfaqej e shuhej ashtu siç këputeshin yjet në qiell. 

+ 

Qenia në mal nuk ishte befasuese për të. I kujtohej koha e luftës, kur tok me familjen pati jetuar dy vjet në një fshat mes maleve të Shpatit. Bashkohej atëherë me moshatarët, barinjtë e vegjël të dhive. I pëlqente të turrej pas dhisë së humbur në pyll me thirrjet “hajt, ca – ca!” Thellë në male, në shtëpinë e kryeplakut, i ati kishte strehuar një kapiten italian, që pati dezertuar nga lufta. Quhej Pepino Foresti. Sado e kërkuan milicët, nuk mundën ta kapnin. Me qylaf mbi kokë ai, me mustaqet varur mbi buzë, veshur me gunë e me shallvare, nuk dallohej aspak nga fshatarët e atyre anëve. I pari i shtëpisë e thërriste Ferit. Hera – herës, Astriti i vogël gëzohej, kur babai, tok me burra të tjerë të armatosur, kthehej në fshat pas shtegtimesh të gjata. 

Në mbarim të luftës familja e tij u kthye në Tiranë. Babanë e vunë të shërbente nja dy vjet në ushtri, në një qendër furnizmi. Atje ai mori në punë edhe kapitenin Pepino, si edhe disa ushtarë italianë, të cilët në vitin e fundit luftuan përkrah partizanëve shqiptarë. U gjeti edhe një dhomë, sa për të fjetur. Më pas, anijet e avionët e aleatëve vinin i merrnin robërit dhe i kthenin nëpër familjet e tyre. 

Një ditë kapiten Foresti e takoi të atin e Astritit i qeshur.

– Nësër nisem me avion për në Itali! – i tha. 

– Gëzohem shumë! Urime dhe udhë të mbarë! 

– Ju keni qenë për mua një engjëll shpëtimtar! Ju pres të vini ndonjëherë atje! 

Ai nxori nga çanta e i dha fotografinë e vet, tek ishte shënuar edhe adresa e shtëpisë. 

Astriti, pasi mbaroi filloren, vazhdoi shkollën e mesme, gjithnjë i shquar në mësime. Ai bënte mirë, sidomos, hartimet. Mësusesit ia vlerësonin shumë. Por atij i pëlqente të shkruante, veçanërisht për natyrën e bukur shqiptare, i nxitur nga mbresat e fshatit në Shpat. Njëherë, në pushimet e verës, mori pjesë në një marshim nxënësish drejt Jugut, që zgjati një muaj. Astritit i kujtohej rruga e lodhshme Tiranë – Berat. E kur e lanë pas Beratin dhe kaluan Qafën e Sinjës, në mbrëmje pushuan në kodrat e Ballshit. Për të mos u lagur nga vesa e mëngjesit, u shtrinë nën disa fiq degëgjerë. Ndërsa sodiste yjet lart, ai dëgjonte muzikë nga një altoparlant i largët. Por, gjatë atij udhëtimi në Jug, nga një mal në tjetrin, nxënësit flinin edhe nëpër kasolle dhish. Në ndonjë rast zinin vend buzë përrenjve të panjohur, tek, nën zhurmërimën e rrjedhës, i merrte gjumi lehtë. 

Vitin tjetër, pasi u shpërndanë dëftesat, maturantët i nisën me kamion për hapjen e një rruge në veri. Nga Miloti mbërritën në katundin e humbur Vablinë, mbi lumin Mat. Atje shihej tymi i oxhaqeve, por jo shtëpitë. As thirrje gjeli s’ndihej, as blegërimë bagëtish. Puna ishte e rëndë, ushqimi i keq e i pakët, fjetja përtokë, mbi degë drurësh, nën çadrat e grisura, faqe malit. Shumica e nxënësve vullnetarë u dobësuan. Disa edhe u sëmurën e i çuan me kuaj në Ulzë. Të gjithë qenë bërë sterrë të zinj, si afrikanë, megjithëse dielli në atë vend ndërmjet maleve shkëmborë, i shihte a s’i shihte katër orë në ditë, e pastaj humbte në hapësirë. Në mbarim të punës, që niste në tre të mëngjesit dhe mbaronte në tre pasdite, Astriti me shokët largoheshin nga çadrat. Gjenin vende me gëmusha dhe shtriheshin në bar deri sa ngrysej. Hapnin libra, si “Për bukën e gojës” të Gorkit, që nuk u lexua kurrë. 

Një ditë mbi kryet e tyre u shfaqën befas tri gra me furka, si tri shtojzovalle. Njëra prej tyre, ajo e mesit, pyeti:

– A me Zogjin e Parë jeni, or djelm ?

Djemtë u ngritën në këmbë dhe qeshën.

Astritit i kujtohej edhe shkolla e lartë, kur studentët merrnin pjesë në stërvitje e marshime të lodhshme ushtarake larg Tiranës. Ndërsa shkrepëtinte rrufeja, në shi e breshër, ata flinin nën kamionët e repartit, të mbuluar keq me fletë plastmasi. Në Kaptinën e Martaneshit, në një pllajë të rrethuar me pisha e ahe të lartë, ngritën çadrat. Edhe atje ai kishte vërejtur qartë yjet e qiellit mbi mal. Dukeshin sikur preknin majat e drurëve. Të nesërmen, si mbaroi stërvitja, u largua me dy shokë nga fushimi, për të parë vendin përqark. Dolën nga pylli dhe zbuluan një hapësirë të pafundme. Qafa, gryka e maja malesh humbisnin larg në mjegullnajën joshëse. Buzë një udhe kuajsh panë një barakë, ngritur me trungje e dërrasa. Te një tabelë e vjetër, që varej shtrembër, lexuan: “Grumbullim, shitblerje”. Hynë brenda. Një burrë i parruar e thatim mbështetur mbi banak, sa i pa tre ushtarët, drejtoi trupin. 

– Mirë se keni ardhë, hej burra! – u tha.

– Mirë se të gjejmë e t’u ngjatë! – ia ktheu Astriti. 

Të tre hodhën sytë rreth e rrotull, pastaj mbi shitësin. 

– A ke biskota, apo petulla? …

– Besa, kurgjo s’kom! – buzëqeshi shitësi. – Veç krypë për gjanë e gjallë! Ata të çitetit më konë qitë prej liste. 

Djemtë vështruan njëri – tjetrin e, pasi e nderuan si ushtarakë të vërtetë, dolën në heshtje.

Udhës hasën dy burra të dobët e të verdhë dyllë, me dy kuaj të ngarkuar me dru. Askush prej tyre nuk ua hodhi sytë. Tek largoheshin, u ngjanin hijeve. Vetëm natyra e bukur ishte treguar bujare me ta, me drurë, ujë e ajër të pastër. 

+ 

Astritin, nga një anë jeta e mundimshme, nga ana tjetër burgu e kampi, e kishin rregjur me vështirësi. Duke menduar, ai shqetësohej për gjithçka. Ç’bëhej në minierë? Me siguri, mungesa e tij kishte rënë në sy. Do t’u qenë sulur automjeteve nëpër xhade, duke kërkuar letër-njoftimet e udhëtarëve. Ndoshta do të kishin pyetur edhe shokun e tij. Kur kujtoi motrat, pati një therje në zemër. Kaloi në mendje gjithë rrugën që kishte lënë prapa, qelinë, kanosjet e çirrjet, hetuesit, burgun dhe minierën e frikshme. 

Herët në mëngjes, ajri qe i ftohtë, por i pastër e i qartë. Pasi largoi kujtimet, hapi hartën brenda shkurreve dhe u njoh me vendin ku do të kalonte, si dikur ushtar. Vendosi: “Duhet të dalë tek mali kundrejt me borë shekullore, aty – këtu mbuluar me shkurre. Kufiri kalon mbi të. Atje nuk ka postë kufitare, ndoshta as roje me qen kufiri. Por, mbase edhe mund të ketë, se do të jetë dhënë alarmi kudo. E, pra, duhet ta lë kalimin për natën vonë, kur asnjë frymë e gjallë nuk lëviz.” Po e ndiente veten si luftëtar lirie. Për të arritur deri atje, duhej të ulej poshtë me kujdes nëpër terr, larg udhëve, shtëpive e staneve. Duheshin kapërcyer disa përrenj, që nuk ua dinte emrin. Priti errësirën dhe u nis. Yjet e ndihmuan të ecte më tej e të mos binte në ndonjë humnerë. Më në fund e kuptoi se kishte arritur në pllajë. Befas, shquajti një flakadan, që lëvizte drejt tij. Ra për tokë nën një shkurre. Ndaloi frymëmarrjen dhe shtrëngoi në dorë një kaçavidë të mprehtë. Kishte dëgjuar nga një i burgosur, banor i atyre anëve, se disa hapësira të shkreta të kufirit ruheshin nga fshatarë vendas të paguar. Flakadani, duke sajuar një hije të gjatë, iu afrua dhe qëndroi pothuaj mbi kokën e tij. Dukej sikur mendohej. Pastaj u largua shpejt e shpejt. Ai ndenji i shtrirë rreth një orë, hetoi me vesh, u zvarrit si në zbor, u ngrit pak dhe eci me kujdes nëpër tokën rrëshqitëse në drejtimin për ku qe nisur. Kur arriti buzë një tatëpjete, i ngjeshi mirë hapat mbi tokë. 

+

Eci e eci pa ndaluar dhe në të zbardhur qe futur në një pyll të dendur, ndryshe nga toka e zhveshur që kishte lënë prapa. Eci sa u bë ditë me diell. Në disa trungje pa të gdhendur emra sllavë. E ndjeu se e kishte kaluar kufirin. Këngët e këndesëve e njoftuan se ndodhej pranë një fshati. Dëgjoi me vëmendje zëra e të folura shqip. Të binte në dorë njerëzish të mirë, ishte fat i madh. Në një rrugë pa një fshatar me kazmë e lopatë, që mbushte gropat me zhavor. Në çast e hëngri dyshimi: “Po sikur ky të jetë mik me kufitarët shqiptarë?” Mori zemër e i tha:

– Tungjatjeta, or mik! Puna e mbarë! 

Fshatari ndali punën dhe e vështroi djaloshin e lodhur. Mjekra e parruar, mënyra si fliste, tregonin se kishte bërë udhë të gjatë. 

– Mbarë paç! Nga vjen kështu?

– Nga Shqipëria. 

– Ke ikur?

– Po, besa! Siç më sheh! Kam disa ditë që udhëtoj. Jam i lodhur dhe i pangrënë.

– E shoh. Urdhëro në shtëpi! 

Astriti u qetësua, kur kujtoi se në ato fshatra shumë vetë ishin pritur me bujari. Shqiptarët e përtejmë e dinin se ç’ndodhte në atdheun amë. 

“Më duket shpëtova nga e keqja më e madhe!” – mendoi. E dinte se do të binte shpejt në duart e oficerëve maqedonas, apo serbë! Tashmë ishte në këtë botë një i huaj, i arratisur e i panjohur. Çdo gjë mund të ndodhte. 

– Pa merak! – i tha burri fshatar, kur po e shoqëronte për në postën e policisë. – Më keq se atje prej nga vjen, s’ke për të qenë asnjëherë! 

Te një zyrë në Strugë e morën në pyetje pesë oficerë, ndër ta një civil slloven. Gjuhën shqipe e njihnin të gjithë për bukuri. Pyetjet i bënë pa përkthyes. Megjithatë, çfarë t’u thoshte oficerëve kureshtarë një mësues, herë i harruar thellë në male, herë i burgosur e së fundi i internuar në minierë? Slloveni u befasua, kur mori vesh se si ai shqiptar i ri me shkollë të lartë, pati vuajtur aq shumë për shkak të poezive romantike. 

– Pas disa javësh, do të shkojmë bashkë në kampin e refugjatëve shqiptarë në rrethinat e Lubjanës! – i tha

Astritit iu desh të priste edhe një muaj afër Ohrit, pastaj udhëtoi drejt kampit. Atje, pas dy javësh, mbërriti përfaqësuesi i konsullatës italiane. Atij nëpunësi fisnik me pamje të qeshur, i tregoi të vetmet dokumente që kishte, letër-njoftimin dhe fotografinë e Forestit.

– Ky këtu është një oficer italian i luftës. Ja, emri dhe adresa! – i tha. 

Pasi ndenji dy muaj në kamp, një autobus blu erdhi dhe mori tridhjetë vetë, ndërmjet tyre edhe Astritin. Kur trari vija-vija i kufirit u ul pas shpine, do të thoshte se kishin kaluar në botën e lirë. Mori frymë i lehtësuar, pas aq tronditjesh shpirtërore e fizike, si të kishte dalë nga thellësia e ferrit. 

Udhëtim i këndshëm përmes fshatrave dhe në rrugët e asfaltuara të Triestes me ndërtesa pesë e gjashtëkatëshe, qysh nga koha e Habsburgëve, më pas e Austro-Hungarisë, tashmë e Italisë, qytet i pasur e port i madh në bregun lindor të detit Adriatik. Autobusi frenoi para hotelit Continental, një ndërtesë e bukur dhe e lartë, e mbështetur mbi harqe guri të gdhendur nga duar mjeshtrash. Ndërsa po pinte kafen, vuri re kamerierin, që po shoqëronte drejt tij një vajzë të hijshme bionde, një djalë të gjatë me pak mustaqe dhe shoferin e tyre, një burrë të shëndoshë me kapele. Ata kishin pyetur për të në hyrje të hotelit. Disa punonjës i treguan një zotni pak të hequr, të veshur thjesht, por pastër, ulur pranë dritares në kafene…

+ 

Shoferi mbylli me kujdes dyert e veturës “Ferrari”, ku kishin zënë vend tre vetë. Makina elegante u shkëput pa zhurmë dhe u largua nga qendra e qytetit.

Astrit Drini u zgjua nga drita e mëngjesit në një vilë të rrethinave të Triestes. U la, u vesh mirë e bukur, doli në paradhomë, u ul në kolltuk dhe ra në mendime. Të djeshmen e kishte pritur plaku i shtëpisë Pepino Foresti. Në lirim ai pati dalë me gradën gjeneral, pasi kishte shërbyer në qeverinë e De Gasperit, si edhe në disa qeveri që erdhën më pas. Qenë përqafuar si miq të vjetër dhe kishin biseduar gjatë.

– Ja, ç’vlerë ka fotografia e viteve të shkuar! – kishte thënë Foresti. – Kur ma treguan, thërrita nga habia dhe gëzimi. Më vjen keq, shumë keq, që nuk do ta takoj kurrë babanë tuaj, atë njeri të mirë, që më shpëtoi jetën. Me sa shoh, ju i ngjani nga sytë dhe balli.

Tani, ndërsa dera po hapej ngadalë, Astriti dëgjoi përshëndetjen e njerëzishme, që veç nëpër filma e pati dëgjuar :

– Buonxhiorno, xhiovanoto! Avete dormito trankuilo? 

Djali u ngrit menjëherë në këmbë para plakut të thinjur. 

– Buonxhiorno, xhenerale! Sono feliçisimo ke çi trovo sano e salvo qui, nela vostra amikevole kaza.

– Gracie!

Ndërkohë sherbyesja u solli kafetë. Me filxhanin e bardhë në dorë, Foresti vijoi:

– Sinjor Drini! Mendoj se ju këtë vit duhet të bëni një kurs në Milano, për zotërimin e italishtes. Vitin e ardhshëm do të studioni për letërsi në Rimini. Pasi të merrni diplomën, do të jepni gjuhën e letërsinë shqipe në ndonjë shkollë të lartë linguistike në Romë, a gjetkë. Të mirat e tjera vijnë më pas.

Astriti dëgjonte dhe falënderonte të zotin e shtëpisë. Fjalët i ishin prerë. Ai, ndonëse kishte përballuar e duruar aq tortura e padrejtësi, tani para plakut të thinjur e burrëror, dukej si fëmijë. Kishte lot ndër sy… 

Gjatë studimeve nisi ta digjte malli për njerëzit e dashur në atdhe, për ata që vuanin e vriteshin nëpër kampe. 

Pasi u diplomua, në ditë të veçanta, u jepte mësim studentëve arbëreshë e italianë, dhe i nxiste të lexonin në shqip poezinë e burgut: 

 O ti, o Orë e malit, pse rri këqyr më kot?

 Rrudh ballin e menduar, e n’faqe të rrjedhin lot!

 Po pse i prane këngët, moj shtojzovalle e bukur,

 mes drurësh e hutuar, e heshtur e përhumbur?

 O shqipe e lirë mbi kep, me sytë e turbulluar,

 prej sqepit vrer të del nga ankth i përvëluar!

 Tek jeta hiqet zvarrë, pa gjurmë e pa mbresë,

 Sizifi i dërrmuar po shuhej nën ngarkesë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, Arratisja nga Ferri

“Skënderbeu” i Belinit mes shqiptarëve,zbulim i rrallë historik

June 8, 2021 by dgreca

Ikonografi skënderbegiane – Pjesa e dytë/

Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka/

Portreti origjinal i Skenderbeut nga Gentile Bellini 1.jpgNuk është ëndërr, as zhgjëndërr, por është thjesht realitet. Realitet i pastër, bindshëm i qartë para syve tanë! Ja ku kemi sot, më në fund, portretin real, origjinal, katërcipërisht autentik të KryeHeroit tonë Gjergj Kastrioti, portretin e të madhit Skënderbe nga i madhi Gentile Bellini, piktori i famshëm i Rilindjes italiane e europiane. Vjen Ai sot nga humbëtirë e kohërave, pas shekujsh të tërë mbijetese, dy herë i pavdekshëm: kur dihej i humbur, pa nam e nishan, por ja që jo i asgjësuar; dhe kur nis sot e tutje një jetë të re, po aq të pavdekshme, këtë radhë mes bashkëkombësve të tij! Një zbulim i madh, i rrallë për mbarë kombin shqiptar! “Skënderbeu” i Belinit ekziston, ekziston mirë e bukur në qetësinë e tij të përjetshme (fig.1).

Nuk jemi në eufori të ekzagjeruar, por as në modesti të shtirur. Jemi përpara një sigurie të plotë, pas analizash të hollësishme, kur vepra na shfaqet tanimë si një ikonë e shenjtë, me tisin e vyer të penelit belinesk mbi vete.

fig.1. Skënderbeu, nga Gentile  Bellini.

Dalja e parë në dritë e veprës. 

Në dhjetor 2020, ankandi “Litchfield Auctions” i shtetit të New England, partner me ankandin  “Capsule Auctions” të Shtetit të New York, vunë në shitje koleksionin e madh të Prof. Richard I. Johnson (1925-2020 – Chestnut Hill Massachusetts), me rreth 2000 objekte, ndër të cilat, veprën në fjalë, portretin e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut. Që në fillim, të dhënat për këtë vepër ishin tepër të pakta, aspak të sakta dhe pa kurrfarë historiku, konkretisht: “Portret i Kastrioti/Skanderberg, (vitet: 1405-1466), shek. XVI, Shkolla Italiane, sipas origjinalit në Uffizzi, vaj, panel; në pjesën lart, majtas portretit shkruhet: SCANDER BECO; pas panelit është shkruar me grafiti: “Gentile Bellini (1475-1501). Kodi i objektit : RIJ02735 – WT. Dimensionet: 11’ x 8’ portreti; me kornizë, 19,5’ x 16,5’ (28 x 20,5 cm; me kornizë, 49, 5 x 41 cm). Shtohej po ashtu në këtë  kartelizim të veprës edhe ky informacion: “Koleksioni i gjerë i antikuareve, objekteve të artit dhe vitraleve me tematikë nga Rilindja dhe Baroku janë blerë nga Z. Johnson në shumicën e tyre në mesin e shekullit XX nga koleksione të mëdha imobilare të rajonit të Bostonit sipas stilit të Muzeut “Isabella Stewart Gardner”, Boston”. 

Këto të dhëna mjaft të kursyera për këtë portret të panjohur deri më sot të Skënderbeut, përmbanin megjithatë në thelb ndoca elementë joshës që ngjallën për ditë të tëra, me drithërim në zemër, interesimin e ngulmët të antikuarëve shqiptarë për t’iu qepur keq kësaj vepre, me atë parandjenjë të guximshme se ky “Skënderbe” i uruar i Belinit ju takonte atyre dhe vetëm atyre dhe se e kishte vendin veç mes shqiptarëve, që e kishin pritur atë me eth, padurim e dëshpërim për t’u ardhur më në fund si i gjallë, me pamjen e vet origjinale. Dhe blerja e guximshme e kësaj vepre në mbarim të ankandit, do të kishte tek antikuarët shqiptarë pjesëmarrës efektin “Bingo” tek u shtie në dorë si dhuratë qiellore. Pas një dëmtimi të rëndë historik, vepra ende mbart një hije impozante, një shkëlqim të brendshëm, si rrezatim hyjnor që i fal madhështi portretit real të KryeHeroit tonë.

Që në fillim, të dhënat e para aq të pakta të portretit flisnin megjithatë shumë, në mënyrë kuptimplote: 

Pikësëpari, portreti mban emrin e veçantë SCANDER BECO, kompozuar me dy terma, ashtu sikundër Harta e famshme portolane e Bartolomeo Pareto-s e vitit 1455 që mban të njëjtin emër SCANDRE BECO, me dallimin e thjeshtë brenda emrit të gërmave NDER –  NDRE (sipas përdorimit Alexander – Alexandre – Aleksandri i Madh). Vetë mënyra e shkrimit me gërma të arta të emrit SCANDER BECO mbi portret dhe me dy rreshta e afron dukshëm në kohë këtë tablo me Hartën e vitit 1455, duke shfaqur kësisoj një përngjashmëri të rrallë e të habitshme emërtimi, pa qenë kurrsesi rastësi. Përdorimi dhe kompozimi në këtë mënyrë i emrit të Heroit përbëjnë, do thoshim, gurin e themelit të veprës, që e shfaqin si tablonë më të hershme dhe më të parë në ikonografinë dhe tipologjinë kastriotine, kur vihen përballë njëri-tjetrit, në raport të drejtpërdrejtë, në takim për së gjalli Skënderbeu dhe Gentile Bellini, personazhi historik i shquar pozuar para piktorit po aq të shquar të Rilindjes italiane. Në fakt, siç kemi vënë re, në larminë e shfaqjes së emrit Gjergj Kastrioti Skënderbeu në gjuhë të ndryshme,1 cilësimi beg (bego, begh, begho, etj.) te llagapi “Skënderbeu” shndërrohet që në gjallje të Kastriotit të Madh në bec (beco, becco, bech, becho), kryesisht në pjesën veriore të Italisë, në dialektet veneciane, gjenovase e milaneze, e më tej në Raguzë apo në mbretërinë e Aragonë-Katalonjës së dikurshme. Pra edhe vetë cilësimi BECO me përdorim disi të rrallë e të veçantë në repertorin e huaj të emrit të Skënderbeut përbën një fener ndriçes në kohë e hapësirë se kur, ku e nga kush duhet të jetë realizuar vepra: në Venedik, më 1467, nga Belini. 

Pikësëdyti, gjendja e vajtueshme e paraqitjes së tablosë, mjaft e dëmtuar, flet për një lashtësi shumë të hershme dhe për një portret të paparë gjer më sot, që fsheh në vetvete jo vetëm mistere të mëdha, por edhe bukuri të pakrahasueshme peneli mes tërë portreteve të njohura deri më sot të Heroit tonë Kombëtar. Dallimi është tepër i madh midis këtij portreti të saponjohur të Skënderbeut me “Skënderbeun klasik” të Cristofano dell’Altissimo-s, i njohur ndryshe si portreti i “Skënderbeut legjendar”, me të cilin jemi mësuar deri më sot (fig.2). 

Fakti që në kartelën e ankandit shënohet “Shkolla Italiane, sipas origjinalit në Uffizzi”, por edhe “Gentile Bellini” me grafiti nga pas tablosë flet për një antitezë të papajtueshme që vë përballë njëri-tjetrit piktorin e shekullit XVI Altisimo me Gentile Belinin e ndritur të shekullit XV. Për mendimin tonë, nisur nga përvoja e pjesëmarrjes në kësi ankandesh, shpesh veprat e dëmtuara rëndë, të padokumentuara e të pakartelizuara historikisht jepen veç me një karakteristikë thelbësore – në rastin tonë kur vepra cilësohet si e “Shkollës italiane të shek. XVI”. Dhe kjo, sa për joshje e shitje të veprës, pa shkuar më larg. E për më tepër, duke qenë se “Skënderbeu” i Altisimos ka bërë epokë dhe “njihet” si vepra më e vjetër muzeale e Kastriotit 

të Madh, atëherë, – oburrani antikuarë! – le ta afrojmë me zë të dridhur këtë “Belini” të gjymtuar e të rraskapitur historikisht me atë “Altisimo” “të bukur” të Gallerie Uffizzi! Por, pa vërtetuar kurrgjë, pa e çuar veprën për ekspertizë shkencore identitare, gjë që do të kushtonte tepër shtrenjtë! E në kësi rastesh do sundojnë pa të drejtë paragjykimet dhe referimet e gabuara, qoftë edhe nëpër ankande, për më tepër tek ato të dorës së dytë, apo të konsideruara “ankande të mesme”, kur së panjohurës i mbyllet hëpërhë shtegu, por ama, për të çelur më së pasi shtigje të reja të pashkelura, për zbulime të mëdha dhe kur mund të përdorim këtu me të drejtë shprehjen e bukur të popullit tonë “nga ferrë e vogël del lepur i madh”. 

Pikësëtreti, korniza e dëmtuar rëndë, ruan ende gjurmë ari dhe flet për një kornizë veneciane të tipit Sansovino (fig.3) që nisën të përdoren në Venedik me dru të gdhendur për tablo luksoze në kapërcyell të shekujve XV-XVI. Veçse, nënvizojmë, kjo kornizë “Sansovino”, absolutisht me ngjyrë ari në kohën e vet, është korniza e dytë e portretit tonë, kur një kornizë e parë më e hershme ka lënë dukshëm gjurmët e veta në panelin e drurit ku është realizuar portreti (fig.4). Pra, nëse kornizat luksoze të skulptorit Jacopo Sansovino (1486-1570) patën epokën e tyre të artë kryesisht në fillim të viteve 1500, korniza e parë origjinale e këtij portreti të Skënderbeut duhet të ketë qenë doemos e viteve 1460. Pra, që në gjallje të Skënderbeut! 

Pikësëkatërti, emri “Gentile Bellini” që figuron nga pas kornizës (fig.5), është shënuar me grafiti si për të mos e lënë veprën anonime dhe duhet të jetë shtuar shumë më vonë se vetë viti i realizimit të veprës, ndoshta një shekull më pas, gjë që e vërteton – poshtë emrit të tij – prania e viteve të jetës së Belinit: “1425-1501”. Këto vite nuk përkojnë me vitet “1421-1501” të jetës 

së Gentiles, që i ka dhënë për herë të parë biografi i dytë i njohur i artit italian Carlo Ridolfi në shek. XVII2, kur vitet e sakta të jetës së Belinit, mbi baza dokumentare, aktualisht  janë përcaktuar vitet 1429-1507. E theksojmë këtë fakt sepse vetë Giorgio Vasari i shek. XVI, historiani i parë i famshëm i artit italian, nuk përcakton vit të lindjes e të vdekjes për Gentilen3. Por me interes të veçantë për studimin tonë është botimi frëng i veprës së Vasari-së (më 1840), ku jepet një shënim i gjatë i botuesit për të vënë në dukje vështirësitë e mëdha që hasi Vasari për të hartuar kryeveprën e tij gjatë viteve 1560-1570. Pikërisht në atë kohë, Italia ndodhej mes grindjesh e luftërash të nxitura nga princërit dhe lakmitë e kondotierëve, të cilët, mes kaosit, nuk kursyen godina apo pasuri të patundshme ku ruheshin vlera të mëdha arti, duke rrëmbyer, zhvendosur e degraduar mori tablosh, statujash, baso-relievesh në mënyrën më të përvajshme.4 Nuk mendojmë të jetë kursyer në këtë rast as ky portret i rrallë i “Skënderbeut” të Belinit, i cili, për mendimin tonë, duhet të ketë njohur një fat tepër tragjik në rrugëtimin e tij të mundimshëm historik. Dëshmon për këtë gjë vetë gjendja e mjeruar, shumë e rënduar e veprës, që nuk duhet të ketë pasur assesi një jetë rozë muzeale pas një periudhe lulëzimi, siç do ta shohim më pas, duke u munduar të ndërtojmë historikun e rrugëtimit të saj të gjatë. Njëkohësisht, për të mbështetur argumentimin tonë të rrëmbimit të veprës, e më pas të vjedhjes e fshehjes që mund t’i jetë bërë asaj për një kohë të gjatë, i referohemi këtu edhe studiuesit serioz të skënderbegologjisë Ylli Polovinës, i cili, në studimin e vet “Gjysma e harruar e Skënderbeut” nuk mungon të vëjë në dukje se një portret i Skënderbeut – “i cilësuar” si vepër e Rembrandit – ishte vjedhur në familjen e Alessandro Kastriota-s në Rufano të Leçes5, vjedhje në kohët moderne – më 1990!.. E ç’të themi në këtë rast për rrëmbime e vjedhje mëse të zakonta gjatë  shekullit XVI!  

Dimë që Belini, si tërë piktorët e kohës së tij, nuk i firmoste pothuaj kurrë punimet që realizonte. Dhe, nëse është vënë pas tablosë emri “Gentile Bellini” si autor i veprës, kur fare mirë mund të vihej çfarëdo lloj emri tjetër piktori italian apo pse jo edhe arbër, si Viktor Karpaçi, Marko Baizaiti a Paolo Veroneze, kjo e ka një arsye madhore: ekzistonte mirë e bukur që në ato kohëra tradita e fuqishme gojore sipas së cilës Gentile Bellini, portretisti më i mirë i kohës, kishte bërë edhe portretin unikal të princit të madh shqiptar Skënderbe, i cilësuar nga papati “Atletit të Krishtit”. Dhe nga ana tjetër, është poaq e njohur që Gentile, sidomos vitet e fundit, krahas nxënësve të tij Ventura dhe Girolamo da Santa Croce, të cilëve u besoi me testament fletoret e veta gjithë skicime mahnitëse, bashkëpunoi deri në fund edhe me Carpaccio-n e Veronesen, duke e ditur fare mirë origjinën e tyre arbërore. Pra, nuk mund të vihej kurrësesi emri i çfarëdo piktori tjetër para Belinit të madh në këtë “Skënderbe” me portret që na mahnit. Sepse gjithkush tjetër që mund reklamonte autorësinë e veprës do ta shihte veten të korruptuar keq, sidomos te zotëruesit e mirëfilltë të këtij portreti. Dhe këta zotërues të parë, më të hershmit, të kësaj tabloje veshur me mistere nuk mund të ishin tjetër veçse familja e Kastriotit të Madh, siç do ta shohim më pas.

Që Belini i njihte arbërit e Venedikut dhe i përdorte edhe si personazhe në tablotë e veta6 (fig.6), duke i parë me sytë e tij përditë në rrugën e tyre Calle dei Albanesi pranë sheshit San Marco, mbushur me zejtarë duarartë arbër, që punonin hekurin, bakrin, argjendin, arin, poçerinë, leshin, mëndafshin, kapelen e famshme shqiptare që kishte dhënë edhe mbiemrin “Kapuçmadis” (Kapuçmadhi), stradiotët dhe kapitenët (kapedanët) e tyre të mëdhenj, etj. etj. apo edhe Shkollën e tyre Scuola degli Albanesi,7 këtë e vërtetojnë më së miri skicimet që ai i kishte bërë jo vetëm portretit real të Skënderbeut (fig.7) nga të cilat do përfitonin në radhë të parë nxënësit e tij, por edhe vizatimet e “Epirotit Petro Bua” dhe të “Djaloshit arbër” më 1480

(fig.8)8. Pra, grafitia “Gentile Bellini” e shkruar nga pas tablosë nuk është e pamenduar apo e rastësishme, por është thjesht një lloj “karte identitare” dhe historike e veprës, e shkruar me dorë të sigurt për arsyet e lartpërmendura. Por edhe për arsye të tjera më të thella, siç do ta shohim më pas.

Pikësëpesti, vepra është realizuar në panel me dru plepi, në përmasa të formatit “familjar” për ekspozime sallonesh, afërsisht si portretet e Belinit për dozhët e rinj të Pallatit dukal. Dhe domosdo, përderisa ky “Skënderbe” i Belinit figuron mes veprave të para porositur nga Senati në vitet 1465-1470, kur Gentiles iu njoh statusi i portretistit zyrtar të Dozhëve të Venedikut. Dimë po ashtu se përdorimi i drurit para pëlhurës (bezes) është mëse i zakontë për portretet e Gentiles sipas stilit të ikonostaseve të vjetra, të paneleve po në dru të shenjtëve historikë të Biblës, kur në to punohej shpejt e lehtë, si në afreske, dhe kur druri ishte me bollëk, sidomos i ardhur tradicionalisht nga pyjet e Ilirisë dhe Esklavonisë. Për më tepër që druri nderohej si simbol i Kryqit të Jezusit. Ndërkohë që pëlhura ishte më e rrallë e e kushtueshme, por gjithësesi do fillonte të përdorej gjerësisht në artin e pikturës italiane pas viteve 1470, për shkak se druri krijonte plasaritje apo edhe krimbej, po qe se nuk ishte i stazhionuar mirë. Vasari flet gjerësisht për përdorimin e drurit në pikturën italiane e sidomos nga Belinët, dru bredhi, plepi të bardhë, vidhi, etj., duke marrë zemrën e tyre, blanën, për panele rezistente.

Vepra, nga ana tjetër, është në teknikën vaj, kur dihet që kalimi nga tempera në vaj është bërë në Itali, e veçanërisht në Venecie në vitet 1460-1470. Teknika e re e përdorimit të vajit në bazë të artit flamand të Jan Van Eyck-ut u përdor në atë kohë për herë të parë nga Antonello da Messina dhe Andrea Mantegna, kunati i Gentiles, për t’u asimiluar menjëherë nga Belinët, përderisa kjo teknikë, që revolucionoi fuqishëm pikturën veneciane, shfaq një stil më sensual e kolorist, me më shumë ndriçim e larushim ngjyrash, duke lejuar tonet e duke dhënë kësisoj krejt nuancat më të hollësishme.9 Është kjo një arsye më shumë që vetë periudha e kalimit nga tempera në vaj, e për më tepër në panel druri, e vulos domosdoshmërisht këtë portret të Skënderbeut si të Gentile Bellini-t, e për më tepër mes punimeve të tij të para portretuale si portretisti më i mirë i kohës së vet.  

Pse ky portret i Skënderbeut është i Belinit dhe i askujt tjetër?

Në mungesë të një ekspertize shkencore, siç thamë, tepër e shtrenjtë, që kërkon një teknologji moderne të avancuar për skanim të “portretit” dhe kalim të tij nën rrezet X, nuk na mbeten tjetër për të identifikuar veprën veçse metodat dhe teknikat klasike, përgjithësisht bindëse për aq sa lejon vetë fusha e dijes për një studim serioz. E në këtë rast, po klasifikojmë katër metodat kryesore më të njohura “klasike”:

a – metoda hipotetiko-deduktive bazuar në kontekstin historik, duke depërtuar në ngjarje të veçanta, kuptimplota, falë një morie treguesish, për të kaluar nga hamendësime në hipoteza e deri në teza përcaktuese;

b – metoda analitiko-shkencore mbi bazën e parametrave dëshmues, vëzhgimit të thellë, përvojës, kalkulimit teorik e mbi të gjitha mbi bazën e arsyetimit dekartian për ta drejtuar arsyen aty ku duhet dhe për të kërkuar Të Vërtetën e thjeshtë si drita e diellit;

c – metoda krahasuese, ballafaqimi, që vë përballë dy, tre a më shumë autorë, epoka a teknika artistike, stile individuale, me karakteristikat e veçanta që shfaqin.

d – metoda vizuale apo vizu që eksploron tablonë, si në rastin tonë, duke ndjekur treguesit e shfaqur me kompetencë vizuale për të lexuar teksturën e çdo elementi të tablosë, teknikën e përdorur, përbërësit lëndorë, bojërat, etj. pa shkuar më tej tek pigmentet e lidhura që japin ose teknikën tempera (detrempe), ose teknikën vaj, o në dru, o në pëlhurë, të dyja teknikat mjaft të parapëlqyera e të përdorura gjerësisht në rastin tonë nga Gentile dhe krejt familja e tij.   

Përpara tërë këtyre metodave e teknikave, e shohim me vend të vëmë në dukje shprehjen filozofale se “Shpesh, idetë shkojnë më përpara se të dhënat konkrete, dokumentare apo eksperimetale”. Kësisoj, duke ndjekur e kombinuar këto metoda arrijmë në disa vëzhgime e konkluzione që na bindin që në fillim se ky portret i ri e i panjohur i Skënderbeut është i Belinit, dhe i askujt tjetër. Konkretisht:

Portreti i Heroit na shfaqet në bust e sfond të errët kontrastiv, si forma klasike e bustit në stilin e Jacopo Bellini-t, ashtu si portretet romake po në bust, plot pushtet, autoritet, dinjitet, si një pozicion hierarkik në artin e medalioneve klasike; është me profil nga e majta e personazhit, si gati krejt portretet më të hershme të Skënderbeut (fig.9). Ky pozicion nuk duket i rastësishëm, përderisa shoqërohet e përligjet nga vetë emri SCANDER BECO me dy rreshta e me gërma të arta në po këtë krah. Është një zgjidhje mjeshtërore kompozicionale portret-emër nga më të hershmet e të rrallat në ikonografinë skënderbegiane, si për ta pajisur veprën me identitet të plotë, me lavdinë dhe përjetësinë e saj, kur të dy elementët e mëvetësishëm të emrit të kujtojnë e sugjerojnë thjesht emrin ALEKSANDRI I MADH, “pagëzimin” që i bënë turqit Kryeheroit tonë.

Nga ana tjetër, edhe pse portreti shfaqet si i vagullt, me tis të fortë lashtësie, i pakursyer nga ndotja e moskujdesi, tek ka vuajtur dukshëm së tepërmi për t’i mbijetuar humbellës së kohës, përsëri vërehet në portret një dorë mjeshtërore, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse e Gentiles, me teknikën e vet origjinale të stilit të lartë venecian, për një përkufizim të pastër të portretit, në harmoni kolori, me natyrshmëri e realizëm mbresalënës, me saktësi lineare, duke ndjekur falë ravijëzimit të përsosur konturet e bukura të krejt fytyrës në moshën 60 vjeçare.

Ndihet kështu zhdërvjelltësi e penelit të tij të fuqishëm e të sigurt, gjithë elegancë portretuale, tek jep dukshëm forcën e shpirtit të personazhit historik nëpërmjet forcës artistike, kompetencës dhe përvojës së pasur, që Belini e nisi me mori portretesh të dozhëve për Pallatin Dukal (v.1460-1470), e që do arrinte kulmin me kërkesën e posaçme të Mehmetit II – Fatihut të Kostandinopojës -, drejtuar Senatit të Sinjorisë për realizim të portretit të tij origjinal më 1480. E ndjen kështu veten të gllabëruar nga ai ndriçim i brendshëm që rrezaton krejt “Skënderbeu” belinesk, me fizionomi e fuqi të natyrshme njerëzore dhe forcë interpretative psikologjike, me tipare të rregullta, gjithë finesë depërtuese që shfaqin seriozitet të madhërishëm, çiltërsi vështrimi, energji, qendrueshmëri karakteri, madhështi në diçkanë e vet burrërore plot dinjitet të ashpër që të bën ta duash me shpirt, me tipare të gjalla, shikim po të gjallë, të fisëm, me ballë të gjerë, të lartë e të hedhur ku reflektohet ndriçim, me mjekër po se po të derdhur, por me nuancime të bukura të së përhimes si mëndafsh i valëzuar. Krejt vepra karakterizohet kështu nga një baraspeshë delikate midis autoritetit të fuqishëm të Burrit të Shtetit të Arbërit dhe humanizmit të tij plot vendosmëri e largpamësi.

E mbi gjithçka, ndjen ngrohtësi njerëzore në atë profil plot hir, njëfarë stërmundimi dhe paepuri njëkohësisht, pa harruar petkat gjithë fisnikëri, sqimë e shkëlqim, që koha prapëseprapë nuk ka mundur t’i zhdukë plotësisht megjithë ndotjen e rëndë (si për shembull te pjesa e qafës), por kur ende ndihen tonet e së kuqes së madhërishme veneciane që analizon studiuesja Laura Morelli e që duhet të jetë shfaqur dikur në tablo me krejt nuancat e veta. E për të pikasur forcën e kolorimit të portretit të dikurshëm origjinal, se si ai duhet të ketë qenë në shekullin XV, po e japim këtu “Skënderbeun” tonë përballë një portreti të Shkollës veneciane, e veçanërisht të familjes Belini, kur shkëlqente po aq sa Gentile edhe vëllai i tij, Giovani, i mbiquajturi Giambellino (fig.10). Po në këtë figurë, po japim për herë të parë edhe

një portret të ri të Skënderbeut, të panjohur deri më sot10, për efekt krahasueshmërie, ku vërehet hapur shkalla e ndotjes maksimale përgjatë shekujve në mantelin e tij venecian, duke ditur mirë e bukur se tablotë në dru a pëlhurë të shekullit XV e të krejt Rilindjes italiane, veçanërisht ato të shkollës veneciane shkëlqenin me të gjitha larushitë e ngjyrave përbërë nga pigmente qelibaresh, rubinesh, safiresh, azuritesh, me të kaltrën e famshmen lapis lazuli etj., me grimcat magjike të xhamit të Muranos gjithë efekte tejndritshmërie që i jepnin shkëlqim Venecies së lulëzuar të arit e luksit, të reflekseve ujore, mbretëreshës së Adriatikut, e cila bënte “politikën dhe diplomacinë e madhe” me Perandorinë osmane, por në kurriz të popujve të Ballkanit, e veçanërisht të popullatave arbërore dhe KryeTrimit të tyre Gjergj Kastriotit.

Miti i hundës shqiponjë të Skënderbeut 

Në tablonë “SCANDER BECO” të Belinit, në tërë këtë bukuri të natyrshme fizike e shpirtërore portretuale, me nur magjepës, bie dukshëm në sy një tipar i veçantë fiziologjik i portretit: paraqitja e formës së hundës, që shfaqet për herë të parë në mënyrë krejt reale, origjinale, kryekëput e ndryshme nga hunda legjendare shqiponjë e ksilografisë  të Barletit realizuar në bazë të përshkrimit që ky vetë ka dhënë në librin e tij “Histori e Skënderbeut”: hundë dukshëm me kurriz, me lakim në mes, e me majë disi të varur poshtë (fig.11), tipar që me kohë do vinte e do të ekzagjerohej tejmase, si te Weigel (shih në po këtë figurë). Çfarë vëmë re konkretisht në imazhin krahasues të tiparit hundë në tërë portretet kronologjike të Skënderbeut, që i kemi zhveshur qëllimisht nga ngjyrat për një qartësi më të madhe ravijëzimi? 

Me përjashtime shumë të rralla, në tipologjinë skënderbegiane vërejmë se historikisht, pothuaj tërë artistët portretistë të Skënderbeut bazohen te forma e hundës klasike përshkruar nga Barleti dhe ilustruar në veprën e tij nëpërmjet gravurës së botuesit arbër Bernadinus Vitalibus (Romë 1508-1510)11. Ky ilustrim do pasohet në mesin e shekullit XVI nga “Skënderbeu” i Altisimos, apo portreti i mirënjohur i “Skënderbeut legjendar” të Muzeut Ufizzi, Firence, dhe fiksuar fuqishëm në përfytyrimin e çdo shqiptari që nga periudha e Rilindjes. Bie në sy në këtë portret forma e veçantë e hundës: me kurriz, deri edhe me një gungëz në mes, e me majë si të rënë, ku hojëza shfaqet gati e pjerrët. Kur sakaq, te “Skënderbeu” i Belinit që po analizojmë, hunda është e drejtë, e fortë, shumë pak akiline, me lakim tepër të lehtë që nis ëmbël në rrëzë të saj, me majë po ashtu të drejtë, vërtetuar nga hojëza e saj horizontale, po e drejtë. Në figurën 11 kemi dhënë qëllimisht edhe portretin e Skënderbeut nga Pisanello (medaljon v.1449), ku na shfaqet një hundë tashmë majëpërpjetë, por që nuk e marrim në konsideratë, ashtu sikurse edhe miniaturën me portretin e Skënderbeut te Fiocco (v.1465), sepse imazhi në të dy këto portrete artistike është në përmasa tepër të vogla, kur zor se respektohet njëqind përqind një portret real për vetë teknikat e vështira të derdhjes në metal dhe të “qendistarisë” me pikëzime në miniaturë. 

Po prapë, megjithëse do sundojë paraqitja klasike e tiparit hundë akiline disi e theksuar në tipologjinë skënderbegiane, mbështetur në ksilografinë e Barletit dhe në “Skënderbeun” e Altisimos, (v.1553) si dy veprat bazë të para, më të njohurat, përsëri vërejmë se në disa gravurime (për të cilat ne mendojmë se duhet të jenë të shkollës veneciane të Belinëve, sipas sikicimeve të Gentile-s), tipari hundë e rregullt, e drejtë, pa kurrfarë gungëze sipër apo kurrizi në mes, ka qenë tipari real i portretit të Skënderbeut (fig. 7), ashtu siç na paraqitet në portretin që po analizojmë dhe ashtu siç na jepet edhe në portretin artistik të medalionit venecian kameo (1450) mbajtur në gjoks nga Donika Kastrioti! Veçse historikisht, do ndodhte – e theksojmë – që të merrej për bazë përshkrimi portretual që i bëri Barleti Skënderbeut (v.1508-1510) në formë të letrarizuar, duke krijuar kështu mitin e hundës shqiponjë, tek “e lidhi simbolikisht këtë tipar të KryeHeroit me vendin e shqiponjave” dhe duke u bërë kështu fantazisht i besuar! Dhe miti veç do merrte rrugë, do përhapej e zhvillohej, do ekzagjerohej, qoftë letrarisht, qoftë artistikisht! (fig.12). Përderisa shumë biografë e studiues të jetës dhe veprës së Skënderbeut do t’i referoheshin Barletit, deri edhe kohët e fundit Olivier Schmitt tek shkruan: “Skënderbeu ishte një burrë i pashëm, e hijemadh, shtatlartë, figurë luftëtari, binte sidomos në sy hunda e tij prej shkabe, që në Itali mbahej si shenjë dalluese e familjes Kastrioti”12. 

Miti i hundës akiline të Skënderbeut me zanafillë Barletin duket, për mendimin tonë, se e ka një mbështetje te Plutarku, i cili nuk mungon të vëjë në dukje se “Dikur, hunda shkabë ishte tipar kombëtar i romakëve”. Po ashtu, Lavatier, në veprën e tij “Le siècle des Grands Hommes” (Shekulli i Njerëzve të Shquar – fig. 12) dhe Agustin Cabanes (Pesë shqisat) rreshtojnë Skënderbeun mes njerëzve të shquar dhe luftëtarëve të mëdhenj, si Artaksereksi, Grifiusi, Neoptolemeni, Augusti, Galbanti, Konstandin i Madh, Ismaël – sofiu i Persisë, Alfonsi V i Aragonës, Luigji XIV, etj. të cilët e kanë pasur hundën shkabë, pakëz të fryrë në pjesën e sipërme, si shenjë e karakterit të guximshëm13 (fig.13). 

Veçse, çuditërisht, Dhimitër Frangu, që e ka njohur nga afër Skënderbeun, nuk i bën aspak përshkrim fizik Kastriotit të Madh në veprën “Komentar” hartuar në fund të shek. XV, vepër në të cilën, për mendimin tonë, duket qartë që Barleti e ka njohur e përdorur, sepse përbën njëfarësoj do thoshim, “skeletin” e Historisë së tij të Skënderbeut, në fillim të shek. XVI14. Nuk ka si të mos konkludojmë në këtë rast se Barleti e portretizon Skënderbeun thjesht falë një talenti të dukshëm letrar, faktesh të qëmtuara historike, por edhe mbi një bazë tradite gojore, nga goja në vesh, traditë e cila domosdo do ushqente mitin dhe legjendën e hundës shqiponjë të Skënderbeut, por pa u mbështetur kurrkund, në kurrfarë portreti konkret që ta ketë parë vetë Barleti me sy, au naturel, domethënë një portret real, një paraqitje autentike të Skënderbeut! Thjesht sepse kjo vepër autentike e Belinit me këtë portret real të Skënderbeut mbahej e fshehtë, tek mbarte në vertvete mistere që në zanafillë të saj!

Shpesh, në biseda të gjata me prof. Sherif Delvinën, historian, erudit, burrë i urtë me gjak dyfish fisnik nga Derë e madhe e Delvinjotëve dhe Koniciotëve, kur binte fjala për hundën akiline, sidomos te Skënderbeu, gjithmonë ai do t’i referohej antropologjisë gjeografike për të vënë në dukje se baseni i Mesdheut është kufiri ku në Jug të tij e në Azi të Vogël lëkura shfaqet e zeshkët, hunda e pjerrët dhe me majë poshtë si te portreti i Mehmetit II, realizuar po nga Gentile Bellini (fig.14), për t’u shfaqur më pas në Ballkanin e Jugut (Greqi, Epir, Arbëri) si hundë krejtësisht e drejtë, pa rënë maja poshtë, në atë pamje të fytyrës që është cilësuar historikisht “bukuri klasike helene” e statujave të hershme antike, dhe më tej, drejt Veriut, kur hunda vjen e shfaqet majëlartë, përpjetë, paksa e shkurtër, si në bukurinë biondine nordike lëkurëbardhë15.

Në antologjinë tonë, “Faik Konica, për një Shqipëri europiane”, të cilën e kemi në gjendje dorëshkrimi, në çdo rast kur bëhet përshkrimi fizik i racës shqiptare nga autorë e udhëpërshkrues të huaj cituar nga Konica, shqiptari shfaqet përgjithësisht me hundën “helene” apo klasikisht të drejtë.16 Por një fakt është për t’u vënë këtu në dukje: Giorgio Vasari shkruan më 1550 se Belini përdori pasqyrë për të pikturuar vetveten para sulltan Mehmetit II të çuditur e çoroditur nga “magjia” e një peneli dhe e bojrave duke parë në to qualche divino spirito addosso17, gjë që e përforcon idenë tonë të përdorimit të camera lucida nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes italiane e europiane, që paraqitëm në Pjesën e Parë të këtij studimi. Në fakt, për Vasari-n e Ridolfli-n, dy historiografët e parë të Rilindjes italiane, Gentile luajti rol të rëndësishëm në artin e Rilindjes italiane dhe rol madhor në artin e portretit, i njohur si portretist i shkëlqyer, tek e trajtoi fytyrën me krejt hollësitë e veta, në mënyrën më të përsosur origjinale, me natyrshmëri prekëse që të huton, që ngjall emocion rrëmbyes e mbërthyes dhe krijon ndjeshmërinë për ta prekur e përkëdhelur vizualisht. Dhe jo më kot, Giovani Bellini i kërkoi të vëllait Gentile-s të shkonte ai te Turku i Madh në Kostandinopjë, pas vendimit të Senatin të Sinjorisë për të dërguar një Belini në Oborrin e Mehmetit II më 1479-1480.

A ka qenë Skënderbeu në Venedik? 

Më se një herë, krahas studiuesve të tjerë skënderbegologë, kemi vënë në dukje se Faik Konica është i pari autor shqiptar që përmend Gentilen për një portret “të mundshëm” të Gjergj Kastriotit në shkrimin “A ekziston një portret i vërtetë i Skanderbegut?”18 Çfarë thotë konkretisht Konica në këtë shkrim:

1. Se “Në Muzeun Perandorak të Vienës ndodhen dy portrete të Skënderbeut.

2. Se “Në vëllimin XIX të “Vjetarit të koleksioneve të Shtëpisë Perandorake” ka një shënim për këto dy portrete të Skënderbeut. Njëri portret i tij është realizuar në natyrë më 1466, në Venedik nga piktori i famshëm Gentile Bellini (nënvizimi ynë).

3. Se “Skënderbeu ka shkuar atë vit në Venedik dhe Sinjoria për të nderuar mbrojtësin e famshëm të Shqipërisë duhet t’i ketë dhënë urdhër mjeshtër Gentiles të bëjë portretin e tij.

4. Se “Ky origjinal nuk ekziston, por një nga portretet që gjendet në koleksionin e Arkidukës Ferdinand mund të jetë një kopje e këtij origjinali të humbur.

5. Se “Kjo kopje e tregon Skënderbeun në profil nga krahu i majtë me një mjekër të gjatë të përhimët dhe kostum italian të kohës; Skënderbeu ishte në fakt 62 vjeç kur shkoi në Venedik dhe kur do jetë realizuar nga Gentile Bellini portreti i tij i hamendësuar”.

Këto të dhëna janë perla koniciane për këtë studim, për të na çelur rrugën që t’i hyjmë drejtpërdrejt hulumtimit jo vetëm të veprës së Paolo Jovio-s (1483-1552), por edhe punimeve shkencore të Dr. Friedrich von Kenner (1834-1922) dhe Eugène Müntz (1845-1902), dy specialistët kryesorë të Historisë së Artit të Rilindjes italiane e veçanërisht specialistë të veprës së Pal Jovit. Vetë Konica do të mbështetej te vepra e bashkëkohësit të tij prof. Kenner19, “Vjetar i koleksioneve historike të Shtëpisë Perandorake – Koleksioni i portreteve të arqidukës Ferdinand të Tirolit”, vëll. 19, jo vetëm për të hulumtuar drejt një portreti “të vërtetë”, siç thotë ai, të Skënderbeut, por sidomos e mbi të gjitha për të shpalosur për herë të parë para publikut shqiptar figurën e paharruar të Atij që ai e cilësoi “Babai i Kombit”, duke ndezur ndjenjën e fuqishme patriotike të shqiptarëve kudo në botë. Dhe do zbulonte një gamë të gjerë portretesh të Skënderbeut nga autorë të huaj tek pikasi mbi të gjitha te F. Kenner referencën më themelore të ikonografisë dhe tipologjisë skanderbegiane, konkretisht: a. Që ka pasur (apo ka – në rastin tonë konkret) portret autentik të Skënderbeut nga Belini; b. Që portreti është realizuar në vitin 1466; c. Që vendi i realizimit është Venediku. 

Nuk ka më qartë. Por, nga ana tjetër, është edhe e habitshme! Sepse në asnjë dokument të shkruar arkivor a bibliografik nuk ka dalë deri sot që Skënderbeu të ketë qenë në Venedik! Atëherë, si qendron e vërteta?…

Kenner shkruan se Skënderbeu ka qenë në Napoli më 1461, “për të bashkëpunuar me mbretin Fernando e për të luftuar kundër Giovanit të Anjou-së”; pastaj në Romë më 1465, për të kërkuar ndihmën e Papa Palit II; dhe më në fund, për të njëjtin qëllim, në Venecie më 1466, për të marrë ndihmë, nën mbrojtjen e së cilës ai vendosi principatën e vet”.20 Sikundër vihet re këtu, Kenner e bën fakt të kryer vajtjen e Skënderbeut në Venedik dhe në këtë mes na vjen në ndihmë studiuesi Aurel Plasari, i cili, në veprën e tij “Skënderbeu, një histori politike”, duke folur mbi bazë dokumentare për vajtjen e Skënderbeut në Itali nëntor 1466 – shkurt 1467, nënvizon: “Nuk përjashtohet që, gjatë këtij udhëtimi, Skënderbeu të ketë kryer edhe një ndalesë në Venedik, simbas planifikimit të bërë për vizitat e tij në Itali, është fjala për një ndalesë që mund t’i ketë shpëtuar si Barletit, Frankut, madje edhe  “Antivarinos” së Biemmit dhe jetëshkruesve të tjerë… Gjithçka mbetet për t’u faktuar. Një ndalesë të këtillë e përmendte kalimthi edhe venedikasi Marino Sanudo kur përshkruan jetën e dogjës Cristoforo Moro, dhe për vitin 1466 ka shënuar: “Skënderbeu, dinast i Arbërisë, nga frika e turqve që ia kanë pushtuar disa qytete, erdhi në Venedik dhe ia lëshoi Republikës në dorë Krujën””21. Pra, prof. Plasari parashtron këtu me shumë kujdes një hipotezë, dhe me të drejtë, ndonëse citon Sanudon që Skënderbeu ka qenë në Venedik. Nga ana tjetër, gjatë kësaj vizite të gjatë në Itali prej gati katër muajsh, studiuesi Plasari thekson se Skënderbeu u shoqërua jo vetëm nga Dhimitër Frangu e pesëdhjetë kalorës, por edhe nga e shoqja Donika dhe i biri Gjoni. Po ashtu, gjithnjë mbi baza dokumentare studiuesi Plasari vërteton se “Kastrioti i ri [Gjoni] u vendos në mbretërinë e Napolit në shkurt të 1467-ës, i kthyer nga Venediku, ku ishte paraqitur në emër të t’et para Senatit të Republikës”22 (nënvizimi ynë). 

Përpara këtyre të dhënave, dhe kur dihet tashmë që Skënderbeu la Romën më 14 shkurt 1467, ne do parashtronim me guxim mendimin tonë se Skënderbeu duhet të ketë shkuar familjarisht në Venedik – shoqëruar edhe nga Dhimitër Frangu e katër-pesë kalorës besnikë -, për të bërë një vizitë të fshehtë – incognito në Republikën e Sinjorisë, me qëllim që  t’i kërkonte ndihma, pas kërkesave që i kishte parashtruar Papatit. Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmendim edhe argumentin se në periudhën fundi i janarit – mesi i shkurtit, një ngjarje madhore janë në Venedik Karnavalet e famshme. Dhe përderisa është vërtetuar që Gjoni, i biri 12-13 vjeçar ndodhej në atë kohë në Venecie, nën patronazhin e Sinjorisë dhe të Pal Engjëllit, dhe për më tepër në cilësinë e tij si “Qytetar Nderi i Republikës së Laguneve”, nuk kishte arsye pse të mos bashkoheshin me birin e vetëm edhe prindërit e tij në atë festë të madhe tradicionale, përderisa Donika ndodhej po në atë kohë në Oborrin e Napolit, konkretisht në kështjellën e Monte Sant’Angelos. Dhe udhëtimi i çiftit princëror Kastrioti nga Pulja drejt Venedikut, për t’u bashkuar aty me djalin Gjoni II dhe ambasadorin Pal Engjëlli (që me siguri kishte organizuar udhëtimin e fshehtë) nuk do të kërkonte më shume se një ditë me anije veneciane. Këtë vajtje të Skënderbeut në Venedik, për më tepër në kohën e Karnavaleve duhet ta ketë nxitur edhe vetë Papa Pali II, duke ditur që ai ishte venedikas, i prirë për më tepër pas shkëlqimit dhe karakterit spektakular të kësaj feste të madhe popullore. 

Por, pse është mbajtur mister vizita e mundshme e Skënderbeut në Venedik, kjo është çështje tjetër për diskutim, dhe në këtë rast, veç mund të themi se e shohim këtë udhëtim incognito të veshur me petkun e “politikës” dhe të “diplomacisë” së kohës, përballë konspiracionesh nga më të mundshmet e të larmishmet që ishin në rend të ditës. Në fakt Sinjorisë, që s’e kishte për gjë të bënte sa herë të donte kompromise me Turkun e Madh,  nuk i interesonte dhe aq një vajtje e bujshme publike e Skënderbeut në Venedik, sidomos në raport me Mehmetin II – Fatiun e Kostandinopojës – që nuk të falte me ushtrinë e tij 200-300 mijë mishrash njerëzore për top, duke e mbështetur forcën e tij të superfuqisë në forcën numerike, në forcën e jeniçerëve ish të krishterë dhe të kapedanëve e vezirëve renegatë, tepër të zotë, me origjinë nga Ballkani. Nga ana tjetër, edhe vetë Skënderbeut nuk kish si t’i interesonte një vajtje e tij e bujshme në Venedik, me pompozitet e salltanet, kur mëse një herë ai e kishte provuar në kurriz të vet politikën dhe diplomacinë dredharake të Sinjorisë, të asaj  primadone të Europës, që kishte historikisht për moto taktikën “hiq e mos e këput, e që shati të rrëmbejë gjithmonë nga vetja.” Dhe këtë taktikë, për qëndrimin e Venedikut sidomos ndaj principatës së Skënderbeut, studiues të sotëm perëndimorë e veshin edhe sot e kësaj dite me formulën “diplomacia e madhe dhe e regjur e Sinjorisë”! 

Po ashtu, përjashtohet në të kundërt, në këtë mes, hipoteza e vajtjes së Gentiles në Vatikan gjatë vizitës së Skënderbeut në Romë. Sepse gjëja do kishte bërë njëfarësoj bujë e nuk do lihej të anashkalohej nga kronikanët dhe vetë kardinalët me letërkëmbimet e shumta që kishin. Pale që një vajtje e hamendësuar e Belinit në Romë për të portretizuar Skënderbeun do duhej të ishte bërë mbi bazë kontrate të rregullt, kur lëvizja në atë kohë nga republika në republikë ishte si të lëvizje nga një vend në vendin tjetër të Europës.

Por, përtej tërë këtyre hamendësimeve e tezave, le të themi, në fund të fundit, se  vetë ky portret real e origjinal i Skënderbeut, ku bashkohet fama e Belinit me lavdinë e KryeTrimit shqiptar vërteton katërcipërisht takimin e dy protagonistëve tanë, të KryeHeroit shqiptar me Piktorin zyrtar të Dogatit, i cili, pamëdyshje, duhet të ketë marrë urdhër për realizimin e këtij portreti, si një dhuratë kjo, tepër e çmuar për kohën, në nderim e respektim të vlerave të një Princi dhe Njeriu të Madh. Për më tepër që, pas luftimesh të pafunda që ngjasonin me betejën e Davidit me Goliatin, pas zhgënjimesh të njëpasnjëshme që askush nga Europa s’po e ndihmonte sa duhej e si duhej, Skënderbeu shfaqej në atë periudhë i dërrmuar shpirtërisht, i lodhur e me krahë të këputura para Papatit e Sinjorisë, i dëshpëruar në kulm pas njëçerek shekulli qëndrese kundër furisë osmane për t’ia mbajtur të mbyllur përgjithnjë derën e vërshimit të saj drejt Europës. 

E megjithatë, një gjendje e tillë e rënduar shpirtërore e Kastriotit të Madh, që shihte me sytë e vet shkëlqimin e arit dhe luksit në Venedik, kur vendi i tij digjej e përvëlohej, as që shfaqet në portretin e Skënderbeut të Belinit, portret gjithë madhështi i Burrit të shtetit të Arbërit, gjithë dinjitet e personalitet të lartë. Kësisoj, vetë prania fizikisht e këtij portreti vërteton më së miri faktin që Skënderbeu ka qenë – dhe patjetër që ka qenë -, në Venedik në shkurt 1467, siç e thotë Kenner, dhe pas tij Konica. Madje, ndoshta ka qenë edhe më parë, me udhëtime gjithnjë të fshehta, si për shembull në rastin kur i biri, Gjoni 8 vjeçar u shpall “Qytetar Nderi i Republikës” më 1463, siç hamendëson me të drejtë prof. Lutfi Alia.23  

   Portretet e Skënderbeut në studimin e F. Kenner

Duke iu përmbajtur studiuesit Kenner, vërejmë se në veprën e tij ai i kushton një syth të veçantë prej tri faqesh portreteve të Skënderbeut titulluar Albanien, që qarkullonin në mesin e shekullit XVI, kur arqiduka i Austrisë Ferdinandi II i Tirolit ndërmori nismën për të krijuar koleksionin me portrete të njerëzve të mëdhenj të të gjitha kohërave në Ambras, Austri, sipas shembullit dhe stilit të Paolo Jovit në Komo të Italisë dhe të dukës së madh të Toskanës Cosmo I de Medici, në Firence. 

Pasi jep një jetëshkrim të shkurtër të Heroit shqiptar, Kenner e ilustron atë vetëm me një portret të Skënderbeut, dhënë në bardhë e zi dhe nga autor anonim, duke e quajtur portret n°1, të cilin e përshkruan si më poshtë: “Gërma zbukuruese ari: SCANDERBEGVS. Portret gjysmë trup, me profil në të majtë, me kryet të vogla, flokë, sy, vetulla të kafenjta, mjekër e gjatë, e dendur dhe e përhime, vetëm pjesët e tëmthit dhe faqeve në ngjyrë gruri, hunda e ngushtë dhe paksa e harkuar, goja e mbyllur fort. Mbi krye një shami e përhime, përsipër një kapë e kuqe disi e lartë, pa strehë, me një majuc përsipër; në trup një pallto në të grinjtë të çelur me një pekt e jakë në qafë; sfondi i murrmë, i errët  – Katalog n° 408” (fig.16).

   Më pas, Kenner jep me shënim referencën për një tjetër portret të Gjergj Kastriotit botuar te Histori e Skënderbeut të Barletit, në Frankfurt, më 1577 dhe në Zagreb, më 1743 duke na dhënë këtë përshkrim: “Portret i Skënderbeut, Barletius (Frankfurt a. M. 1577); këtu në profilin tre të katërtat në të majtë, vetëm me mustaqe, takije të vogël, pallto hungareze, zinxhir të dyfishtë dhe topuz”24 (fig.15). Në fakt, vëmë re këtu se këto dy portrete nuk kanë ndonjë përngjashmëri me portretin e Skënderbeut nga Belini, përkundrazi janë pothuaj portrete “të 

fantazuara” të Skënderbeut gjatë shekullit XVI. Me sa duket, portreti i parë me autor anonim është i frymëzuar dobët nga një medalion i praruar i Skënderbeut i vitit 1501, të cilin po e  botojmë për herë të parë (fig.16), ku bie dukshëm në sy transformimi i portretit të Heroit nga monedhë në pikturë; ndërsa portreti i dytë, po me autor anonim – tre të katërtat ballor e me topuz (për ne është fjala për skeptër mbretëror që mban në dorë personazhi ynë historik) – edhe ky portret është krejt i fantazuar, dhe ka ilustruar po ashtu ballinën e librit Të ndodhurat e Shqipërisë, vepër e albanologut austro-hungarez Ludwig von Thallóczy përkthyer në gegënisht nga Tefë Currani më 1898.

Faik Konica që i ka parë me vëmendje të dyja këto portrete përshkruar nga Kenner tregohet tërësisht skeptik, duke e ndjerë fare mirë se nuk kemi të bëjmë në këto raste me portrete origjinale të Skënderbeut. Fakti është se vetë Konica, te vepra e tij “Kalendari i  Maleve” boton dy portrete në fletë të florinjta të Skënderbeut, një të porositur drejtpërdrejt tek miku i tij i ngushtë skulptori i shqur Paul Nocquet, sipas udhëzimeve apo modelit që i ka dhënë vetë Konica, dhe portretin e dytë duke e marrë të gatshëm nga referimi i Kenner-it. Veçse duke e “përligjur” këtë portret të dytë gjoja me moshën e KryeHeroit për të thënë: “Ghergh Kastrioti, i thanun Skanderbeg (ma i ri e i veshun frenghisht)” – domethënë europiançe (fig.17). 

Por Kenner, duke folur për piktorët e shumtë kopistë që realizuan portretet e njerëzve të mëdhenj për muzeun Ambras të arqidukës së Tirolit, nuk mungon të vërejë se “portreti më i hershëm i Heroit shqiptar është ksilografia e përdorur në veprën latinisht të Barletit Histori e Skënderbeut (1508-1510), dhe se ky portret i tij (fig.9) është bërë mbi bazën e skicimit të Belinit, që ka humbur”. Theksojmë këtu një pikë kulmore të studimit të Kenerit: dy herë (edhe në rastin e “Skënderbeut” të Tottit), ai përmend emrin e Belinit për portretet e Heroit, por pa e mbështetur, për fat të keq, askund, me burime dokumentare, tezën e tij, në mos në 

traditën e fuqishme gojore sipas së cilës “Gentille Bellini ka bërë skica të portretit të Skënderbeut”. Dhe kjo traditë gojore kishte dhe duhej të kishte një burim të vetëm vërtetësie: 

1. Që Kastriotët kishin parë me sytë e tyre portretin real të Skënderbeut nga Gentile ruajtur si sytë e ballit dhe në mënyrë të fshehtë në sallon princëror; 

2. Që skicat e Gentiles për porterin e Skënderbeut u trashëguan fillimisht nga i vëllai Giovani Bellini – Giambellino (lindur midis viteve 1425-1433 dhe vdekur më 1516, pas Gentiles), e më pas, ruajtur nga vetë nxënësit e Gentiles;

3. Që në këtë traditë gojore ndikuan drejtpërdrejt dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Gentiles në vitet e fundit të jetës së tij piktorët e famshëm arbërorë Karpaçi (Carpaccio) e Veronese.

Tërë kjo tradita gojore ka të bëjë, në fund të fundit, drejtpërdrejt me mjedisin e përbashkët, me Venecien, ku krijoheshin lidhjet miqësore e të bashkëpunimit midis protagonistësh që e njihnin nga afër njëri-tjetrin, jetonin e vepronin aq pranë sa çdo Punë, çdo Bëmë, çdo Vepër linte gjurmën e vet të fuqishme dhe trashëgohej brez pas brezi, jehonizohej, edhe pse e pashkruar gjëkund. 

Nga ana tjetër, Kenner bashkohet me mendimin e studiuesit Paul Kristeller (1863-1931), që portreti i Skënderbeut te Barleti, realizuar me gdhendje në dru është nga më të bukurit e artit venecian të viteve 1500, për më tepër në përmasa të mëdha (258 x 174 mm) sipas origjinalit që ka qenë regjistruar në Muzeun e Jovit25. Dimë që në ksilografi shkëlqente në ato vite në Venecie piktori i shquar Jaccopo di Barberino (1460-1516), por i larguar nga Venecia në vitin 1500 për t’u vendosur në Gjermani. Por shkëlqente edhe mjeshtri gravurist Zoan Andrea (1475-1520), i cili në vitet 1490-1506 bashkëpunoi ngushtë me Andrea Mantegna-n, kunatin e Gentiles dhe më pas, e shohim Zoanin të ndodhet në Romë rreth viteve 1508-1510. Në këtë rast, ka shumë të ngjarë që B.Vitalibus, botuesi arbër i veprës së Barletit të ketë bashkëpunuar me këtë mjeshtër për realizimin e portretit të Skënderbeut. Kjo bie dukshëm në sy për nga vetë stili i gravurimit të Zoan Andreas, ndonëse kritiku i artit Kristeller e cilëson ksilografinë e Skënderbeut te Barleti me stil venecian. Por nuk ka këtu asnjë keqkuptim, përderisa Zoan Andrea kishte vepruar në një sferë të gjerë rajonale në Itali dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me Mantenjën, duke e njohur në majë të gishtave stilin venecian të gravurimit, aq sa veprat e Zoanit dhe të Mantenjës ngatërroheshin, gjë që u bë burim zënke midis këtyre dy gravuristëve të shkëlqyer italianë.

Sido që të ketë ndodhur, e kushdo që të ketë qenë gravuristi i kësaj vepre (Zoan Andrea apo gravurist tjetër anonim), vërehet dukshëm që ky portret i Skënderbeut në ksilografi mbështetet më shumë në përshkrimin fizik që i ka bërë Barleti Skënderbeut, sidomos për pjesën e hundës akiline. Por kryesorja këtu është se me Barletin dhe me ilustrimin në gravurë të Skënderbeut te vepra e tij u hodhën baza të fuqishme jo vetëm për një bibliografi të gjerë për KryeHeroin shqiptar në shumë gjuhë të huaja, por edhe për vetë ikonografinë skanderbegiane, tanimë në gjini nga më të ndryshmet: në medalion, miniaturë, pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, akuarel, etj. etj.    

Në fakt, çka i intereson Kenner-it në tre faqet e studimit të tij Albanien është, gjithë-gjithë, përngjashmëria e paraqitjes së portreteve të Skënderbeut në aspekt g l o b a l, që në fakt përbëjnë “tipin fizionomik Skënderbe” në moshën 60-65 vjeçare, pa u ndalur aspak në hollësi e veçanti nga njëri portret tek tjetri, nga njëri stil tek tjetri, nga njëra gjini tek tjetra. Andaj edhe Kenner përmend, gjithnjë me referencë, edhe një gravurë tjetër të mirënjohur të Skënderbeut botuar në “Armamentarium Heroicum” në vitet 1601-1603, por pa na dhënë emrin e piktorit dhe gravuristit flamand Dominicus Custos (1560-1612), i cili do të realizonte edhe një portret të dytë të Skënderbeurt (gravurë në formë medalioni). E veçanta e kësaj gravure të Custos është se na e jep figurën e Kastriotit në formë skulpture monumentale të plotë, gjithë trupin, së bashku me shpatën dhe përkrenaren dhuratë të Papatit. Custos, në fakt, është i frymëzuar këtu drejpërdrejt nga “Skënderbeu” i Muzeut të Paolo Giovio (fig.18) dhe nga një mori vizatimesh të vjetra anonime të bazuara po te Jovi.

Por, çka përbën thelbësoren në studimin e Kenner-it është përshkrimi i detajuar që ai na jep për portretin e Skënderbeut, të cilin e cilëson n° 2: “Gërma të holla zbukuruese ari: GEORGIVS · CASTRIOTVS · SCANDERbEGVS (sic). Portret gjysmë trup, me profil në të djathtë, sy, vetulla në të grunjtë, flokë kafe të errët, mjekër të gjatë të përhime, hundë e lakuar, goja e hapur, në krye një shami në ngjyrë të kafenjtë, mbi të një kapë e kuqe, me strehët ngritur përpjetë; në pjesën e qafës shfaqet një petk i ngushtë i brendshem në ngjyrë po të kafenjtë, veshja e jashtme e kuqe, përsipër një veladon i kaltërremë me jakë gëzofi të bezhtë, që ndërpritet në afërsi të supit: sfondi është i kafenjtë dhe ndriçimi i vjen në ballor; realizuar në karton të ngjeshur – Katalogu nr. 409”.

Ky portret mjaft i njohur (fig.19), që deri dje ka qenë në bardhë e zi, i identifikuar si “Skënderbeu” i Pompilio Totti-t (1635), botuar në librin “Elogii di Capitani illustri” (1683), na ka ardhur tashmë me ngjyra dhe është bërë publik falë zbulimit të studiuesit të mirënjohur Bejtullah Destanit.26 Në fakt, siç thotë Kenner kur flet për piktorët kopistë, shpesh këta nuk i përmbaheshin origjinalit, ndryshonin ngjyrat, stilin e gravurimit, ndërronin kahun e imazhit, lëviznin detajet në veshje, sidomos motivet e veshjes, lëviznin me kujdes tiparet, pozicionet, mbulimin e kryeve, duke çuar shpesh edhe në devijime tek fusnin elementë të rinj nga vetja, e duke u bërë kështu ata vetë “origjinalë” në emër të krijimit, mbi bazën e një “origjinali” paraardhës. Gjë që  nuk bënte gjë tjetër veçse përforconte  tipologjinë skanderbegiane dhe e pasuronte atë në vazhdë të shekujve. Kjo shpjegon larminë e madhe të portreteve të hershme të Skënderbeut në stile e gjini të ndryshme tek përngjasojnë, por edhe tek nuk përngjasojnë me njëri-tjetrin, duke na u shfaqur si origjinale, që në vetvete përbëjnë tërë atë pasuri të madhe portretuale të KryeHeroit shqiptar nga piktorë e artistë me emër në Europë, por edhe më tej, në Amerikë e kudo gjetkë. E domosdo, në themel të tërë kësaj pasurie portretuale të Skënderbeut qëndrojnë 10 portretet e tij origjinale që trajtuam në pjesën e parë të këtij studimi dhe mbi to e mbi gjithçka tjetër zë vendin e nderit ky portret origjinal, real e autentik i Kastriotit të Madh nga Gentile Bellini. 

Duke u rikthyer te “Skënderbeu” i P. Totti-t, Kenner shprehet në studimin e tij që “është i bazuar në skicat e Belinit, por që kanë humbur” (sic), ashtu sikurse shprehet edhe më parë kur komenton portretin ksilografik të Skënderbeut tek Barleti. Veçse, mënjanojmë tek ky portret i Tottit një karakteristikë të veçantë dhe të rrallë mes portreteve të hershme të Skënderbeut por edhe mes portreteve të njerëzve të mëdhenj: gojën paksa të hapur lehtë, që si një buzëqeshje çel tërë portretin, duke e dhënë buzën e poshtme shkëputur nga e sipërmja ngarkuar me mustak të rëndë që bie poshtë dhe bashkohet me mjekrën e derdhur. Këtë farë “buzëqeshjeje” e hasim që herët (fig.7, portreti i mesit), në një gravurë origjinale që ndodhet në Institutin kombëtar të grafikës në Romë, të cilën e shohim me frymëzim drejtpërdrejt nga skicat e Belinit. Ky “Skënderbe” i Tottit, përngjason nga ana tjetër me “Skënderbeun” e Giovani Batistta Fontana-s (1541-1587), piktorit dhe gravuristit të parë të Ferdinandit II të Tirolit që e jep portretin e Heroit shqiptar po me gojën disi të hapur (fig.19), ashtu sikurse më pas do kemi edhe portrete të tjera të Kastriotit të Madh të përngjashme, si te piktorët Annibale Adami, Paul Connard Balthasar, Dimitar Dobrovitch, e veçanërisht te Antonio Maria Crespi që na jep një portret nga më të bukurit të Skënderbeut (fig.20).

Në linja të përgjithshme, ky është studimi i F. Kenner Albanien kushtuar portreteve të Skënderbeut që janë kopjuar në mesin e shekullit XVI për arqidukën Ferdinandi II nga Muzeu i P. Jovit, portrete që ndodhen të regjistruara në Muzeumin e Artit Historik të kështjellës Ambras Innsbruck të Austrisë.

Pse “Skënderbeu” i Altisimos nuk jep pamjen reale e autentike

të Gjergj Kastriotit? 

E habitshme: Kenner nuk e zë në gojë në studimin e tij titulluar Albanien portretin e mirënjohur të Skënderbeut nga Christofano di Papi dell’Altissimo (1525-1605), dhe vetëm kur flet për piktorët e shumtë “kopistë” të shek. XVI (në faqet 137-181 të veprës së tij Die Porträtsammlung…) ndalet edhe tek punimet e piktorit Altisimo, i cili në vitet 1552-1568 do të realizonte mbi 280 portrete njerëzish të mëdhenj të të gjitha kohërave nga 484 vepra që zotëron tërësisht Galleria Uffizi, e mes tyre edhe portretin e mirënjohur të Skënderbeut “legjendar” (fig.2) porositur nga Cosmo I Medicis për koleksionin e tij të famshëm, duke e paguar Altisimon pesë dukate ari për çdo portret. Është me interes të veçojmë këtu interpretimin e fjalës “kopist”, që në kuptimin klasik të termit në shekullin XVI do të thoshte shëmbëlltyrë e portretit të një personazhi historik falë një modeli të mëparshëm, por me veçantinë që piktori ruan plotësisht lirinë e tij interpretative e krijuese, ndërkohë që sot termi “piktor kopist” e ruan kuptimin e tij të plotë për të realizuar 100 % kopje të saktë, pa shtuar piktori asgjë nga vetja. Në fakt, vetë Altissimo shprehet me gojën e tij në një letër drejtuar dukës së madh Di Medicis se është duke realizuar “ritrrare de ritratti che sono in casa di Monsignor Iovio” (portrete nga portretet që janë në shtëpinë e Imzot Jovio-s”.27

Nga ana tjetër, as Konica, në studimin e tij të vitit 1901 “A ekziston një portret i vërtetë i Skanderbegut” nuk e përmend veprën e Altisimos për Heroin shqiptar. Dhe kjo, thjesht sepse ende nuk e njihte. Veçse, nuk do të vononte dhe do të dilte në pah ky portret ndër “më të bukurit” i Skënderbeut menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë kur, më 1913-1914, autoritetet austriake do t’i bënin dhuratë përkthyesit dhe bashkëpunëtorit të tyre Tefë Curanit një kopje të portretit të Skënderbeut bazuar te Altisimo (fig.2). E vëmë në thojza epitetin “ndër më të bukurit” sepse është përdorur për herë të parë nga studiuesi i mirënjohur i ikonografisë skanderbegiane At Vincens Malaj tek shprehet më 1969: “Portreti i Skanderbegut që e njohëm mâ së miri dhe që zakonisht shumkushi e konsideron porsi mâ origjinal të tijin dhe mbi authenticitetin e të cilit mund të diskutohet, âsht padyshim portreti me bojna që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi” në Firencë. Me të vërtetë ky âsht nji ndër ritratet mâ të bukur të Skanderbegut, që kanë mbrrijtë deri te na, megjithësè edhè aj i përket nji piktorit të dorës së dytë për kah âna artistike”28. 

Me shumë të drejtë, At Malaj nxjerr këtu në pah dy elementë thelbësorë: së pari, që ai vë në dyshim autenticitetin e portretit të Skënderbeut që ndodhet në “Galleria degli Uffizi” kur thotë për të se “mund të diskutohet”; dhe së dyti, se ky portret i Skënderbeut në këtë Galeri i përket një piktori të dorës së dytë, Altisimos. Nga ana tjetër, duke përjashtuar çdo mundësi që Skënderbeu të ketë pozuar në Romë apo Napoli, “kur kishte të tjera çamje krejet e jo për të bâ ritrate”, At Malaj e thotë açik: “Ndokush e pat çekë mendimin se gjojá auktor i njij portretit të tillë mund t’ishte piktori e portretisti i famshëm venecjan Gentile Bellini”. Termi “ndokush”, i papërcaktuar këtu, lë të merret me mend studiuesi F. Kenner që, siç e pamë, parashtroi i pari tezën sipas së cilës portretet më të hershme të Skënderbeut, duke filluar nga ksilografia e Barletit, kanë për bazë skicat e humbura të Gentiles, duke hedhur kështu themelet e tipologjisë skanderbegiane. 

Shohim në këtë mënyrë të bëhet tek studimi i At Malajt njëfarë lidhje e tërthortë midis portretit të Skënderbeut nga Altisimo (realizuar në vitet 1550) dhe skicave të humbura të “Skënderbeut” të Belinit (në vitet 1500), dhe kjo lidhje falë atij “ndokushi” (F. Kenner). Mirëpo, nuk kemi në këtë mes kurrfarë baze historike a dokumentare që të vërtetojë tezën se “Skënderbeu” i Altisimos qenka me prejardhje nga Belini apo në bazë të skicave të tij të cilësuara “të humbura”. Dhe në mënyrë të habitshme do të ndodhte që shumë shpejt, në fillim të shekullit XX, të bëhej fakt i kryer – dhe me qark të shkurtër – lidhja Altissimo-Bellini nga ndoca studiues pasionantë, duke u joshur njëfarësoj edhe nga kopja-dhuratë e “Skënderbeut” të Tefë Curanit bazuar te Altissimo. Do të krijohej kështu me kohë, në mungesë të këtij Belini të shkretë, në gjumin e tij letargjik, miti se “Skënderbeu” i Altisimos – historikisht, si i pari portret i tij me ngjyra, “i bukur” e i pranishëm në një Galeri prestigjioze të Firences – na qenkësh, as më shumë e as më pak, portreti më autentik i Skënderbeut, i shfaqur origjinal e real, duke e veshur bilé me petk… belinesk dhe duke e mbështetur artificialisht mbi bazament… belinesk (!). Për më tepër që ky “Skënderbe” i Altisimos na përputhej për bukuri me vetë përshkrimin që i bënte Barleti letrar KryeTrimit shqiptar! Në një kohë kur, siç e pamë, figura dhe portreti i Skënderbeut, me zanafillë nga Barleti dhe me hundën akiline, do vinin e do legjendarizoheshin në rrjedhë të kohës, duke ushqyer e përforcuar mitin, për t’i dhënë portretit të tij një tjetër identitet, një “vërtetësi” artificiale tek do cilësohej “Skënderbeu” i Altisimos si më reali, më autentiku, më origjinali (!) Por pa njohur assesi portretin e vërtetë të Katriotit të Madh drejtpërdrejt nga dora e Belinit, kur kjo tablo vuante në gjendje të mjerueshme skuta pas skutash, tek mbahej e fshehtë, si një thesar Historie që mbartte mbi vete penelin  e praruar origjinal të Belinit famëmadh. 

Por, si qëndron e vërteta në thelb, si ndodhi konkretisht që “Skënderbeu” i Altisimos të na konsiderohej me zanafillë nga Belini? 

Me të drejtë, At V. Malajt bën në studimin e tij një lidhje logjike midis portretit të Skënderbeut nga Altisimo (vitet 1550), me ksilografinë anonime te Barleti (v.1510), duke i parë të dyja këto portrete si të bazuara te “Skënderbeu” i medalionit të Pisanellos (v.1449). At Malaj vëren: “Gjithashtu, i gjashëm me portretin e Skanderbegut të paraqitun në veprën e Marin Barlecit dhe me atë që sot gjindet në “Galleria degli Uffizi” të Firencës, âsht edhe përfytyrimi i Skanderbegut në nji medalje të moçme… Auktor i kësaj medalje mund të jetë ndoshta medalisti i fâmshëm Antonio Pisano detto Pisanello (vdekë me 1450)”.29

E çuditshme! Na shfaqet për sa më sipër një kontradiktë e hapur: sepse “Skënderbeu” i Pisanellos (fig.9), realizuar në gjallje të Heroit shqiptar na jepet në medalion me majën e hundës përpjetë, ndërkohë që, qoftë te ksilografia ilustrative e Barletit, qoftë te “Skënderbeu” i Altisimos, portreti i Heroit na shfaqet me majën e hundës poshtë! 

Me sa duket një gjë e tillë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Pal Jovit, i cili më 1546 do të shkruante në veprën e tij madhore Elogia…: “Skënderbeu (me sa mund të gjykoj unë) tejkaloi në forcë trupore, guxim, trimëri, shkathtësi luftarake tërë njerëzit e kohës së tij… Ishte aq shtatlartë në personin e tij, gjithë muskuj, gjymtyrë të fuqishme, me një hundë të bukur paksa të ngritur përpjetë dhe lehtë akiline që (pa pikë dyshimi) jepte pamjen  e një kalorësi gjigand. Dhe një paraqitje të tillë të bukur e kemi të pranishme më pas tek fisnikët e kësaj Shtëpie [Kastriotët], të cilët ndodhen në Pulje; e siç mund ta shohim në arkitipin e portretit që kemi në Muzeun tonë, dhe veçanërisht te Ferrandi [Frederiku], nipolli i tij i fundit, Markezi i Civita Santo Angelos, i cili vdiq në ditën e Pavisë, vrarë nga dora e mbretit [francez François I-er më 1525]”30 (nënvizimi ynë me gërma të pjerrëta). 

Ky përshkrim i Jovit për portretin fizik të Skënderbeut, “mbështetur” edhe te paraqitja fizike e pasardhësve të tij, duhet ta ketë nxitur studiuesin Schmitt që cituam më sipër të konkludojë se  “hunda akiline ka qenë tipar i veçantë te Kastriotët”. 

Në fakt Jovi, historiografi i shquar i Skënderbeut, nuk bën gjë tjetër sa më sipër veçse mundohet të gjejë nga halli një “kompromis” të pazakontë në kontradiktën e shfaqur : si të realizohet nga piktori një “Skënderbe” me majën e hundës përpjetë, por edhe me vijë të lakuar për të dhënë një hundë lehtë akiline, siç shprehet ai! Veçse në këtë rast, do thoshim nga ana jonë, maja e hundës detyrimisht që do bjerë poshtë, si në rastin e portretit të Skënderbeut nga Tobias Stimmer që ilustron vetë veprën e Jovit “Elogia” (fig.11). 

E vërteta e thjeshtë, mendojmë, duhet të jetë se ksilografia ilustrative te Barleti dhe portreti i Skënderbeut te Altisimo, të dyja këto vepra artistike mbështeten, në vija të përgjithshme, tek shembëlltyra e Heroit shqiptar pasqyruar nga piktori dhe gravuristi i shquar Pisanello. Por edhe duke ndjekur përshkrimin fizik që jep Barleti për portretin e Skënderbeut. Po këtë gjë ka bërë faktikisht piktori Altisimo tek realizoi në tablo edhe portretin e Alfonsit V, gjithnjë duke u mbështetur te medalionet e Pisanellos. 

Po ashtu, historiografi dhe kritiku  i artit E. Müntz vë në dukje se shumë portrete të Muzeut të Jovit ribëheshin me ndihmën e medalieve si dokument i parë, por që paraqisnin vështirësinë për të riprodhuar në format busti (pikture a gravure qoftë) një portret dyzetë – pesëdhjetë herë më të zmadhuar, gjë që nuk kish si të mos cënonte origjinalitetin e një shëmbëlltyre portretuale.31 Për më tepër që nuk ishte thjesht fjala për të kopjuar, por edhe për të interpretuar.

Duke i parë gjërat me qetësi dhe pa parti pris apo prapamendim, edhe pse jemi mësuar me “Skënderbeun legjendar” të Altisimos, që është bërë ndër vite figurë e dashur për shqiptarët, prapëseprapë, bie dukshëm në sy në këtë portret një pamje e Heroit disi e plakur, kur te Pisanello ai na shfaqet i ri, jo më shumë se 45 vjeç, e te Belini në moshën 62 vjeçare, por pa ndonjë plakje të veçantë, përkundrazi në tërë bukurinë dhe fuqinë e moshës. Në fakt, si specialisti i Rilindjes italiane E. Müntz, vëren një prirje të përgjithshme të piktorit Altisimo për t’i “moshuar, plakur e dramatizuar” personazhet e veta historike, duke e cilësuar me këtë rast piktorin e angazhuar nga Cosmo I Medicis si një “piktor mediokër”, ndërkohë që edhe vetë At Malaj, siç e pamë, e quan “piktor të dorës së dytë”. Për të ilustruar këtë ide, po japim këtu një shembull tipik se si i shndërronte Altisimo portretet e personazheve të veta, konkretisht: një autoportret të Leonardo da Vinçit, Altisimo vente dhe e zbehte dhe zbrazte shpirtërisht (fig.21). “Është e pamundur, thotë Müntz, të zbarësh më shumë nga çka bërë l’Altissimo me efigjitë e “Musæum Jovanum” kopjuar prej tij, efigji që kanë humbur çdo shije, çdo theks, çdo sinqeritet”. Dhe Müntz që vazhdon: “Duke dashur të riprodhojë saktësisht efigjinë aq karakteristike, vizatuar nga vetë dora e Leonardos, kopisti ka shndërruar gjithçka: shprehjen, gjer edhe moshën e personazhit. Në vizatimin që ruhet në Windsor shohim një njeri ende plot forcë, me vështrim depërtues, me gojë të mbledhur: kjo fizionomi aq karakteristike është metaforzuar në pikturë në një kokë plaku i gërrmuqur, i rrëgjuar. Është pikërisht rasti për të thënë: traduttore, traditore” 32 (fig.21). E ç’mund të themi atëherë më tepër për “Skënderbeun tonë legjendar” të Altissimos?

Më në fund, një element i veçantë që tërheq vëmendjen e Eugène Müntz si specialist i artit të Rilindjes italiane është fakti që shpesh kopistët e Muzeut të Jovit shtonin nga vetja ndonjë emblemë apo shenjë karakteristike (attribut) të personazhit historik që trajtonin. Dhe merr si  shembull thikën që shpon zemrën e Giovani di Medicis apo zinxhirin që mbyt humanistin Pandolfo Collenuccio33. Fakti që portreti i Skënderbut të Altisimos i parestauruar ka pasur një vurrajë në tëmth, apo një “plagë në anë të syrit”, siç e vëren për herë të parë historiani ynë i shquar i artit Prof. Ferid Hudhri, na bind se Altisimoja është mbështetur te Barleti për të sjellë në tablonë e tij një plagë të hershme të Skënderbeut për të cilën flet Barleti. Por, në këtë rast, nuk ka si të mos përmendim faktin që kopja e portretit të Skënderbeut në zotërim të familjes Curani, mbështetur te Altisimo nuk përmban vurrajë dhe nuk duket që të jetë e realizuar nga ndonjë kopist me emër në fillim të shekullit XX. Studimi i prof. Lutfi Aliajt për këtë portret lidhur me rrethanat e realizimit të tij nën nxitjen e albanologut Ludvig von Thalloczy është mëse i argumentuar dhe shuan çdo spekulim për ndonjë prejardhje të hershme të këtij portreti.34 Dhe me të drejtë, sepse autoritetet austriake historikisht kanë ruajtur dhe ruajnë si sytë e ballit çdo vlerë të vërtetë të trashëgimisë historiko-kulturore-artistike, qoftë edhe një majë gjipëre ardhur ndër shekuj, e jo më një portret të shekullit XV-XVI.

Me të drejtë shtrohet pyetja:  po te “Skënderbeu” i Belinit, ku është vurraja po qe se Heroi mund ta ketë pasur një plagë të tillë? Fatkeqësisht, në gjendjen aktuale që paraqitet vepra, tepër e dëmtuar, kur janë zhdukur krejt nuancat e ngjyrave, tonet dhe finaturat portretuale që përcaktojnë plasticitetin e fytyrës apo qoftë edhe ndonjë shenjë të veçantë në morfo-anatominë e portretit origjinal fillestar, në këtë gjendje degradimi të veprës nuk mund të japim sotpërsot një përgjigje të saktë objektive a ka apo nuk ka ky portret i Belinit vurrajë në tëmth, ndonëse mbajtëm qëndrimin tonë pohues për këtë çështje në Pjesën e parë të këtij studimi. Dhe vetëm restaurimi i plotë i kësaj vepre – e theksojmë – do të nxjerrë në dritë sekretet që ajo mbart me vete, si shumë mistere të tjera të jetës dhe vdekjes së Babait të Kombit shqiptar.

Rrugëtimi i mundshëm historik i “Skënderbeut” të Belinit

Ky portret i Heroit Kombëtar Shqiptar, në gjendjen që shfaqet sot në mënyrë të mjerueshme, nuk përmban gjurmë që të dëshmojë se kjo vepër artistike ka qenë e ekspozuar mirë e bukur, diku/dikur, në ndonjë muzeum, të hershëm a të vonë, për të glorifikuar figurën e tij epokale, gjë që do ta kishte ruajtur njëfarësoj veprën nga dëmtimi që ka pësuar. Në këtë rast, nuk na mbetet tjetër veçse të hamendësojmë se kjo vepër fatlume që kemi sot në duar, ka qenë e konceptuar, realizuar dhe destinuar që në fillesë të saj vetëm për dhuratë e përdorim familjar, dhe vetëm në stilin e hershëm portretist, që kishte filluar të popullarizohej nga Belinët në vitet 1460-1470. Dhe gjithë shkëlqim e forcë realiste vepra me siguri do të ketë njohur lavdinë e saj të parë në sallonin princëror të Kastriotit të Madh, sallon i dekoruar me moden e kohës në kështjellën mesjetare me emër të Krujës.

E marrim me mend atë kala-qytezë me pallat princëror në mes dhe, në qendër të tij, një sallon pritjeje mbretërore, gjithë mermer e afreske, me tablo e ikona shenjtësh, ku do kenë sunduar replikat e “Zojës së Këshillit të Mirë” dhe të “Shën Gjergjit me dragoin”, sallon plot koleksione shpatash e heshtash, dhuratash e trofe lufte, me qylyma të rëndë e sofara, me tryeza e komodina lukoze gjithë gdhendje e prarime, shandane, fajanca e argjendurina, me skulptura të hershme e të hirshme nga të Epidamnit, Apolonisë e Butrintit, e mbi të gjitha me një kancelari të trashëguar nga Gjoni I, pajisur me bibliotekë kodikësh të vyer, fetarë e jetëshkrimorë, për Bëma të hershme njerëzish të mëdhenj, nga Aleksandri i Madh te Petrarka lirik, etj. Me siguri që ka pasë qenë një sallon i denjë gjithë luks, sunduar nga dy Aktet e shpalljes papale të titullit  “Skënderbeu, Atlet i Krishtit” nga Piu II e Nikolla V, plot dhurata të çmuara papësh e kardinalësh, mbretërish e princërish, ku do kenë rënë në sy Kapelja e famshme Albanoja, përkrenarja, shpatat e kamat, gjer te kaska luftarake përdorur nga luftëtarë të mëdhenj në rrjedhë të shekujve.

E në të tillë sallon do ketë qenë shfaqur madhërishëm, në vendin e nderit, portreti i lavdiplotit Skënderbe nga Belini i madh! E në të tillë sallon Ai do ketë pritur e përcjellë njerëz të nderuar, princër, bajlozë e fisnikë nga vendet e Arbërit, Ilirisë e Ballkanit, Europës, e gjer edhe të Azisë. E mes tyre do ketë pritur mjaft të deleguar e të mandatuar të sulltanëve Murati II e Mehmeti II me kërkesa e premtime për paqe e pushim lufte. Dhe ata të deleguar veç të kenë shqyer sytë nga madhështia e personazhit historik të paepur prej një çerek shekulli, nga luksi që e rrethonte, nga dinjiteti i tij i lartë princëror, nga shtatlartësia e tij mbi 1,90 m, kur mbretërit e Europës shfaqeshin shtatshkurtër, nga bukuria dhe fiziku i tij muskuloz e sportiv. Gjithë nxit e emocion të thellë ata veç ta kenë mbajtur vrapin fill e te eprorët e tyre sulltanorë. Dhe ja këtu një arsye më shumë përse Mehmet Fatiu, edhe pse po bënte sakrilegj ndaj fesë së tij myslimane, i kërkoi Sinjorisë një Bellini që t’i shkonte në Kostandinopojë për t’i bërë portretin në vitet 1479-1480, duke qenë fare mirë në dijeni se kundërshtari dhe armiku i tij Kastrioti i Madh qe bekuar me titull të nderuar papal dhe përjetësuar me portret të pavdekshëm nga famëmadhi Gentile Bellini që më 1467! Xhelozia dhe cmira nuk i kursejnë njerëzit e mëdhenj, përkundrazi, i shtyjnë gjer edhe drejt konfliktesh e armiqësish të hapura. 

E ironi e fatit, në po atë vit 2020 që doli në dritë ky portret i Skënderbeut tonë nga Bellini, që do të blihej me dorë të sigurt nga antikuarët shqiptarë, në po atë vit do të shfaqej në ankandin Christie’s në Londër edhe portreti i tretë origjinal i Mehmet Fatihut po nga Gentile Bellini që do blihej menjëherë nga Bashkia e Stambollit me një çmim tepër të shtrenjtë, ndonëse me restaurim që linte njëfarësoj për të dëshiruar. Ky portret i Mehmetit II vinte me prejardhje nga Venecia, pas një aventure historike marramendase, kur sulltani Bajaziti i flaku tej portretet e t’et, të cilin nuk ngurroi ta helmonte, ashtu sikurse edhe të vëllanë, Zizimin.  

A të ketë pasur vallë edhe “Skënderbu” ynë i Belinit të njëjtin fat drejt humbjes? Me siguri, tërë gjasat janë për një zhdukje të tij të beftë në kushte të veçanta, siç do mundohemi t’i paraqesim.

Sikurse dihet, si shumë objekte të çmuara të sallonit princëror që i përshkruam më sipër me sytë e mendjes, edhe portreti i Skënderbeut të Belinit u mor nga Donika Kastrioti pas vdekjes të të shoqit për t’u transferuar nga Kruja në mbretërinë e Napolit në prill 1468 dhe u ruajt si sytë e ballit prej saj për aq kohë sa ajo ndenji në feudet e veta, ku madhoi e martoi Gjonin, birin e vetëm, që shpejt do bëhej me pesë fëmijë, katër djem e një vajzë, të cilët veç mbusheshin me krenari para portretit të bukur të Gjyshit të Madh, duke ëndërruar të bëheshin si Ai. Qe me fat edhe vetë Napoli që portreti i Skënderbeut nga Bellini ndodhej tanimë në dheun italian. 

Gjatë kësaj kohe, siç kemi thënë, fama e Gentiles do arrinte kulmin me vajtjen e tij në Konstandinopojë në vitet 1479-1480, ku ndenji 14 muaj. Është derdhur shumë bojë për të paraqitur takimin e piktorit të shquar venecian me Turkun e Madh, përshtyjet, bisedat, tablotë dhe skicat e shumta të Belinit, mikëpritjen e jashtëzakontë të një sulltani me nënë të krishterë që kishte shtirë në dorë kryeqytetin e Bizantit të vjetër dhe e kishte bërë Europën të dridhej mëse një herë, e që me siguri do ta kishte përpirë me vërshimin e ushtrisë së tij lumë, po të mos ish bërë barrierë e digë përmbajtëse ushtria e vogës cilësore e Skënderbeut të Madh në dheun e Arbërit, portë e Europës. Kaq i entuziazmuar ishte Gentile nga pritja madhështore që i bëri Mehmet Fatiu në Stamboll, sa me t’u kthyer në Venedik filloi të afishonte gjithë krenari titullin “Beg” që i kishte akorduar Fatiu, tek e përktheu titullin në latinisht “Eques laureatus” (Kalorës Nderi).

Këtë titull “Eques laureatus” do t’ia akordonte më vonë, më 1490 Ferdinandi i Aragonës (që e konsideronte Skënderbeun si “Babain e tij të dytë”), piktorit të shquar italian Carlo Crivelli-t, i cili, ndër të tjera, kishte realizuar që më 1470 me porosi të Giorgio Albanese-s (Gjergj Shqiptarit) edhe dy tablo të famshme të “Shën Gjergjit që vret Dragoin,” ku personifikohet alegorikisht Gjergj Kastrioti Skënderbeu kundër bishës osmane. Vetë Giorgio Albanese ndërmori ekspedita në Shqipëri për të organizuar e mbështetur qëndresën shqiptare kundër pushtimit osman.35

I themi këto fakte historike për arsyen e thjeshtë se fama e Heroit shqiptar do shtohej edhe më shumë me vdekjen e tij gjer në Amshim, dhe se tabloja “SCANDER BECO”, ndër të parat portrete të Gentiles (v.1467), do merrte dhe merr kështu një vlerë shumë më të madhe, duke qenë se i paraprin edhe vetë tre tablove të Gentiles që paraqesin Mehmetin II (v.1480) e që kishin bërë e bëjnë tërë atë bujë, tablo për të cilat shkruhet edhe sot e kësaj dite nga studiues seriozë perëndimorë të vlerësuar e shpërblyer në radhë të parë nga Stambolli. 

Dhe në “konakun” napolitan të Donika Kastriotit, shtylla e Shtëpisë së Madhe Kastriotase, krenaria për Skënderbeun, të Parin e Dinastisë, do mbushte përplot zemrat e nipërve dhe mbesave rritur me portretin e BabGjyshit para syve. Do vijonte kësisoj, një paqë e qetësi familjare deri në kapërcyell të shekujve XV-XVI, kur do fillonte, të themi, pas asaj jete të parë të epokës së artë të tablosë, edhe rrugëtimi i mundshëm, i mundishëm, i mugët i “Skënderbeut” të Belinit me andrallat dhe dramat e para në familjen e Gjonit II Kastrioti dhe kur do gjente kuptim edhe vetë shprehja e popullit “u rrit fëmija, u prish katandia”. Me peshë të rëndë hallesh historike mbi kurriz, pas një jete të stihishme e të tallandishme, Gruaja e parë e Shtetit të Arbërit, e lodhur, e dërrmuar, e dobësuar nga pleqëria, Donika Kastrioti veç kur ta shihte veten goditur rëndë nga vdekja në vitin 1500 e nipit të dashur Konstandinit 20 vjeçar, ipeshkv i Izernias, si dhe nga ikjet e herëpasherëshme (në vitet 1498-1501) të Gjergj Kastriotit II, i mbiquajtur “Skënderbeu i Ri”, djali i madh i Gjonit II, të cilit “i kishte shkrepur në kokë” të aventurohej për famë e lavdi, duke ndjekur, siç thuhej në atë kohë, “zanatin e shqiptarit – luftën”, për t’u vënë në shërbim të kujt paguante më mirë, Venedikut, Milanit, francezëve, me ekspedita të shumta luftarake gjer edhe kundër turqve në Shqipëri, ku do dështonte plotësisht dhe kur do përfundonte në Kostandinopojë në shërbim të Sulltanit, tek do ndërronte edhe fe, për turpin e madh të t’et, Gjonit II, që do vdiste gjithë maraz disa muaj më pas (më 1502).36

Sakaq, Donika Kastrioti, në gjendje të dëshpëruar – kur lufta nuk iu nda një çast edhe në Itali, sidomos në vitet 1494-149837, do braktiste në Napoli, gjithë mjerim e sëmbim në zemër familjen, djalin, nipër e mbesë,  “plaçkë e katandi”, për t’u vendosur në Valencia të Spanjës, në Oborrin e Shtëpisë së Aragonës, së bashku me më të voglin e nipërve Alfonsin 12-13 vjeçar, që do vdiste aksidentalisht më 1503. Dhe tre vjet më vonë, në moshën 78 vjeçare, do mbyllte sytë edhe vetë Donika, Gruaja e parë e Arbërit.

Sipas prof. Kristo Frashërit, në linjë mashkullore, pasuria e familjes Kastrioti i mbeti në këto rrethana Ferdinand (apo Ferrante) Kastriotit (≈1485-1561), dukë i Galantinës dhe kont i Soletos që ishte djali i tretë i Gjonit II Kastrioti38. Ferdinandi duhej të ishte rreth 25 vjeç kur Barleti veprën e tij ia kushtoi pikërisht këtij nipit të Heroit. Dhe në këtë rast, kuptohet se më 1508-1510, kur Vitalibus botoi Historinë e Skënderbeut, Ferdinandi nuk e zotëronte tanimë “Skënderbeun” e Belinit me të cilin ai ishte rritur, përndryshe s’kish pse ta mbante sekret pa e dhënë për kopjim portretin e Gjyshit për të ilustruar veprën e famshme, që mbi të gjitha i dedikohej atij vetë, Ferdinand Kastriotit. Po ashtu, prof. Kristo Frashëri vëren se Paolo Jovio vizitoi shtëpinë e Ferdinand Kastriotit më 1528 në Gargano, dhe vuri re se ky i ngjante “gjyshit të tij Skënderbeut për nga shtati e pamja”.39 Për mendimin tonë, mund të themi këtu se Peshkopi i Noçerës Jovio nuk i shkoi rastësisht për t’i bërë vizitë Ferdinand Kastriotit në shtëpi, por me siguri për t’i kërkuar “Skënderbeun” e Belinit që ishte zhdukur, siç thamë, para se Vitalibus të shtypte Historinë e Skënderbeut të Barletit në vitet 1508-1510, por që kishte namin e madh si një portret i Belinit. 

Pra, një gjë është e sigurt: Vepra belineske, “e zhdukur pa nam e nishan”, e konsideruar “e humbur” prej vitesh s’kish si t’i përgjigjej thirrjes së bujshme të Paolo Jovios më 1537 kur kërkoi gjithandej efigjitë e njerëzve të mëdhenj të të gjitha kohërave për Muzeun e tij të famshëm në liqenin Komo, të cilin e konceptonte dhe reklamonte që në fillim si një “Panteon nderi, lavdie, madhështie e përjetësie për njerëz të pavdekshëm”. E ndërsa fisnikë, princër, dijetarë, artistë, amatorë arti, shkrimtarë të shquar rivalizonin e rendnin kush e kush më parë për të dhënë portretet e tyre e për ta parë veten apo familjarë të tyre futur në këtë Panteon të Artit e të Pavdekësisë, “Skënderbeu” i Belinit s’jepte kurrkund shenjë jete, kur dihet që Jovio shumë shpejt arriti të shtjerë në dorë deri edhe origjinale nga të Mantenjës, Gentile e Giovani Belinit, Rafaelit, Ticianit, etj. Fakti është, pa pikë mëdyshje, se asnjë efigji e Heroit shqiptar të Muzeut të Jovios, të Muzeut të Cosmo I de Medicis, të koleksionit të Ferdinandit II të Tirolit nuk do përngjasonte dukshëm, por vetëm t i p o l o g j i k i s h t, me “Skënderbeun” belinesk, me origjinalin realist e autentik, që kishte një interpretim aq të thellë psikologjik. Çdo portret i Kastriotit të Madh që do pasonte në Muzeu Giovio (v.1537) do të bëhej thjesht mbi bazën e portretit të Skënderbeut shfaqur në medalionet e Pisanellos si dhe në ksilografinë e Barletit, por shpesh edhe mbi bazë fantaziste a përngjasimi në emër të “krijimit” dhe “origjinalitetit” tipologjik e fantazist, sikurse do ndodhte me “Skënderbeun legjendar” të Christofano dell’Altissimo-s. 

Nga ana tjetër, edhe kur Irena, vajza e bukur, shtatlartë dhe e hajthme e Ferdinand Kastriotit, që trashëgoi pjesën më të madhe të pasurisë nga i ati, u detyrua të shiste gjithçka (fillimisht te Duka i Urbinos, i cili u lidh më pas me Ferdinandin e Tirolit)40, shpata e përkrenare të Gjyshit, për të larë borxhet e t’et pas vdekjes së këtij më 1561, përsëri portreti belinesk i Gjyshit të Madh të saj nuk kish si të figuronte mes pasurisë që ajo trashëgoi, përderisa dihej e konsiderohej tashmë prej vitesh “I Humbur”. 

Po ç’u bë atëherë me “Skënderbeun” e Belinit? Si vajti e u zhduk ashtu papritur një tablo e rrallë pas ikjes së Donikës në Valencia më 1501? Dhe doemos, përjashtohet këtu çdo mundësi që Donika ta ketë marrë me vete tablonë me portretin e Burrit në Spanjë, sepse e vërteta e thjeshtë është që vepra u gjet në Itali pas 450 vjetësh nga zotëruesi i saj i fundit amerikani Richard I Johnson. Përderisa vepra nuk shfaqet në dritë më 1508, të paktën kur mund ta ketë kërkuar Vitalibus, atëhere i bie që ajo të jetë zhdukur mes viteve 1501-1508, kur nga Shtëpia e Madhe Kastriotase kishte ikur edhe djali i madh i familjes “Skënderbeu i Ri”, Gjergji II, me drejtim fillimisht për në Venedik gjatë luftërave të Italisë që nisën pas vdekjes së mbretit Ferdinand I-rë i Napolit më 1494. Në këtë rast mbetet e vetmja hipotezë e mundshme që aventurieri kondontier kastriotas Gjergji II, Skënderbeu i Ri, që ishte në krye të një trupe stradiote shqiptare, ta ketë marrë me vete tablonë, pas ikjes së të ëmës Donikës, sigurisht për krenari e mburrje, dhe me të drejtën e djalit të madh që i takon trashëgimia.

Në të vërtetë, kronikat e kohës, sidomos ato franceze, e përmendin disa herë Skënderbeun e Ri, që vinte krahun e tij të luftës në shërbim të cilitdo që ofronte më shumë: fillimisht për Venedikun, më pas për dukën e Mantusë, e më pas për mbretin Karli VIII francez, me të cilin ai do hynte në marrëveshje të fshehtë për të themeluar për herë të parë në kalorësinë e rëndë franceze bërthamën e kalorësisë së lehtë, franceze dhe europiane. Kronikani i njohur Pierre Terrial de Bayard, i mbiquajturi “Kalorësi pa frikë e pa qortesë” (1476-1524), personazh historik i konsideruar si hero kombëtar francez, ashtu sikurse edhe kronikani tjetër Roger de Rabutin flasin për fisnikun albanoi Georges Castriot që e furnizoi për herë të parë ushtrinë franceze me katërqind heshtarë stradiotë moreskë (nga Moreja), të cilët u quajtën “coupies neuves” (kalorësit e rinj).41

Kësisoj, ne e mendojmë dhe e shikojmë “Skënderbeun” e Belinit në një jetë të dytë të shkurtër në Veriun e Italisë, ku Skënderbeu i Ri ndoshta do ta ketë mbajtur të kyçur diku në “fshehtësi” portretin e Gjyshit Skënderbe, si një pasaportë krenarie! Por që, përpara mburrjes dhe ngrefosjes, fshehtësia do tretej si kripa në ujë, si sekret i Pulçinelës. Në rrethana të tilla, kur sundonte aventurizmi, vjedhja, plaçkitja, e papritura në çdo orë e çast, veprës belineske s’i mbetej tjetër veç të merrte “statusin” e ri të fatkeqësisë së saj më të madhe, për t’u konsideruar thjesht “E Humbur”. Por që kjo, nuk do të thotë assesi “e zhdukur” apo “e asgjësuar përgjithnjë”! Sepse një Bellini, zor se humbet kollaj, në mos veç para katastrofash, kataklizmash a zjarresh. 

Dhe, pas ndonjë aventure në Veri të Italisë, e mendojmë tashmë veprën në një jetë të tretë, duke u bërë shpejt pre e vjedhjes, e kalimit dorë më dorë, nga njëri antikuar te tjetri, mes pluhurit, rrangullimave historike, mes një kafarnaumi si “qyp floriri” në shpellë të humbur, duke e ditur fare mirë çdo antikuar që e kalonte në duar se zotëronte një thesar, portret nga Belini i madh për një Njeri të madh. Sigurisht, në pritje çdonjëri antikuar për ta shitur sa më shtrenjtë atë vepër thesar. Fakti është që vepra mban që nga ajo kohë të shënuar nga pas grafitinë “Gentile Bellini (1475-1501)”, si dhe një numër domosdo antikuarësh “62”, me bojë të trashë të zezë, që dëshmon për inventarizim të objektit në vetvete apo për regjistrim të tij në ndonjë ankand antikuarësh. Kemi të bëjmë pra, në këtë numër “62” me një dëshmi të rëndësishme se vepra mund të jetë e regjistruar diku, nga dikush. 

Dhe më në fund, një jetë e katërt për këtë “Skënderbe” të Belinit, do thoshim, fillon me blerjen e veprës në Itali nga prof. Rishard I Johnson (1925-2020), koleksionist i veçantë amerikan, nga ata që joshen pas gjithçkaje të bukur artistike me vlerë antike, tablo, grafika, vitrazhe, porcelane, dru i gdhendur, statuja, mobla, objekte arti nga më të ndryshmet me tematikë të Rilindjes italiane e europiane, baroke, etj., dhe sidomos me bibliotekë të pasur librash të vjetër. Profesorit Johnson (fig.22) i përshtatet në këtë rast për bukuri epiteti i koleksionistit “mammon”, njeriu që i gëzohet pasurisë së tij artistike e antikuare si ta ketë të shenjtë, duke e ruajtur me fanatizëm e duke u frymëzuar prej saj për t’i përkushtuar me pasion krejt jetën. Johnson është i njohur si profesor i konkologjisë e i moluskologjisë dhe prej kohësh ka qenë bashkëpunëtor shkencor i Muzeumit të Zoologjisë krahasuese të Havardit. Nga mosha 16 vjeç kur botoi artikullin e tij të parë shkencor më 1941, filloi jetën e tij të gentleman scholar me famë botërore prej eruditi që vetëm për malakologjinë (studimin e molusqeve) botoi mbi pesëdhjetë ese shkencore. Në një intervistë për Harvard Magazine, ai përmend se ka bashkëpunuar me Anna C. Roosevelt për një artikull të titulluar “Poçeria në mijëvjeçarin e tetë me prejardhje nga terrili parahistorik i Amazonisë braziliane”.42

Që gjatë Luftës së II Botërore (më 1943) ka qenë në Europë (Paris) dhe nga vitet 1950 e në vijim do të vizitonte shumicën e vendeve të kontinentit të vjetër, sidomos qytetet e Italisë, nga Veriu në Jug, ku nuk i ndahej në radhë të parë antikuarëve dhe veprave të artit për të blerë, për më shumë se gjashtëdhjetë vjet, gjithçka që i dukej e veçantë, e rrallë dhe me vlerë, duke krijuar në radhë të parë koleksionin më të madh privat të librave e revistave për malakologjinë. Në Departamentin e Moluskologjisë që mban emrin e tij “R. Johnson” të Muzeut të Zoologjisë së krahasuar të Havardit, mbi portë vihet re një shënim: “Nëse Johnson nuk përgjigjet, ndoshta është në udhëtim, në gjumë apo në krahun tjetër të Departamentit.” Me një fjalë, udhëtonte shumë, studionte shumë. Dhe e donte Artin dhe Antikuariatin në mënyrë të veçantë. Në zyrën e tij të punës binte në sy një tablo e madhe e Botiçelit “Lindja e Venusit” mes guaskës së famshme të Shën Jakut, që në shqip i thonë aq bukur “Goca e Detit”, simbol i dashurisë dhe bukurisë femërore, ku mishërohen e shkrihen në një të vetme për Johnson konkologjia dhe Antikiteti, mes së bukurës dhe dashurisë njerëzore. 

  Po “Skënderbeu” i Bellinit, si i ra në dorë Profesorit të nderuar, në çfarë rrethanash e kushtesh? Të lidhur me vajzën e gruas së dytë të tij (Znj. J. Gleason – historiane), në bisedë telefonike me të, mësojmë se tema “italianate” dhe “antikat” e Italisë përbënin pikën e dobët të joshjes së Prof. Johnson për Rilindjen italiane, tek fliste plot dashuri për të dhe nuk kishte reshtur së gërmuari mes objekteve të vjetra në dyqane të humbura antikuarësh. Nuk i njihte rrethanat se si babait të saj i kishte rënë në dorë portreti i “Skënderbeut” të Belinit. Por vetë antikuarët e Johnson-it, në ankandin e zhvilluar në dhjetor 2020, na japin një ide se kur mund të jetë blerë portreti i Skënderbeut, të cilin e mendojne të blerë nga mesi i viteve 1950 së bashku me një pjesë të objekteve, ndërkohë që pjesa tjetër e objekteve janë blerë gjatë periudhës 1960-1970. Znj. J. Gleason dinte që portreti ndodhej në një dhomë të veçantë mes koleksionesh të shumta ku “binin në sy, siç thotë ajo, ngjyrat krejt të veçanta e të bukura të portretit”.43 Dhe vetë korniza nga pas, ende me pezhishka e gozhdë të lashta gjysmë të shqyera, dëshmon në fakt që portreti SCANDER BECO ka qenë i paprekur me dorë nga vitet 1950! Vetë prof. Johnson në intervistën e lartpërmendur për Harvard Magazine thotë nga ana tjetër, se në Paris më 1943 “bleu krejt librat që gjeti për konkologjinë dhe dy nga këto libra i bleu për 6 dollarë copën, ndërkohë që sot ato shiten për mijëra dollarë”. Vetë ky episod i thjeshtë nga goja e prof. Johnson dëshmon qartë për ndjeshmërinë e madhe që ai kishte për vlerën e vërtetë të një objekti që blinte me dorë të sigurt për koleksionet e shumta të tij, por edhe për largpamësinë që ai tregonte për të shpëtuar nga rreziku, errësira apo humbja përfundimtare vlerën e vërtetë historike, e në rastin tonë “Skënderbeun” e shumëkërkuar të Belinit.

Në përfundim, nuk na mbetet tjetër të themi veç një fjalë: përballur me errësirat e kohërave, përballur me rreziqet shkatërrimtare, këtë vepër fatlume për kombin shqiptar SCANDER BECO, që e kemi sot para syve, e ruajti DASHURIA, emri i Belinit, emri i Skënderbeut, ku përputhen dhe shkrihen në një tablo të vetme gjenialiteti artistik legjendar me gjenialitetin ushtarak legjendar si një pasaportë nderi e ikonografisë skanderbegiane. Dhe mendja na shkon te Donika Kastrioti në çaste e fundit të jetës së saj në Valencia, ndoshta duke murmuritur ngadalë vetëm një fjalë, vetëm një amanet…, ndoshta po ashtu me sytë e ngulur para një portreti të Skënderbeut të ngjashëm me këtë që na vjen kohët e fundit me burim nga Spanja (fig.23), një portret i panjohur për publikun shqiptar, që po e botojmë këtu për herë të parë, ndonëse me cilësi që lë për të dëshiruar, në kushtet e vështira të hulumtimit për të tejshpuar errësirat e për të pikasur me qiri në dorë ndriçimin e fshehtë prej rubini të portreteve artistike të Skënderbeut që u kanë mbijetuar shekujve dhe mirëpriten sot gjithë dashuri nga mbarë kombi shqiptar. 

© Të gjitha të drejtat të mbrojtura, F. Andrea & D. Muka

© Të gjitha të drejtat të mbrojtura, Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Pjesa e dyte, Skenderbeu I Belinit

Kryekuvendari Konjufca takoi presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

June 7, 2021 by dgreca

Në vazhdën e vizitës zyrtare në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Kryekuvendari Konjufca dhe presidenti Meta diskutuan për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë sendërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa u dakorduan që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave ekonomike dhe nevojën imediate të partneritetit strategjik, si dhe për nismat rajonale dhe integrimet euro-atlantike.

Konjufca ritheksoi qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.

Ai po ashtu falënderoi presidentin Meta për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë e vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca.

Presidenti Meta, nga ana e tij, tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.

Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat aktuale dhe ato që i presin në të ardhmen të dyja vendet, shtrojnë nevojën e bashkërendimit dhe konsolidimit më të madh të politikave zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës. ​

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeparlamentari Konjufca, Presidenti Ilir Meta

CIVILIZIMI

June 7, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Më shumë njerëz, më qytetërim – do të thoni. Gabim. Është jetë në xhungël. Qytetërimi lindi ku kishte më pak njerëz. Rajone të thata ose gjysmë të thata, dhe jo ato me klimë të butë e kushte më të favorshme për jetesë, panë ngritjen e civilizimeve të para. 
Historia tregon se qytetërimi ka të ngjarë të lindë në kushte relativisht të shkreta a më pak mikpritëse. Shumë nga  civilizimet e para u ngritën në zona të thella në shkretëtira ose në rajone gjysmë të thata: Peruja, Mesopotamia, Egjipti ishin të tilla. Mendimi është se tokat pranë lumenjve ishin më të preferuara për të jetuar, pasi ofronin qasje në ujë dhe transport; toka pranë ujit është më e mirë për bujqësinë.
Ndërsa popullsia u rrit, dendësia e saj u rrit gjithashtu, sepse askush nuk dëshironte të largohej nga toka pjellore, për t’u vendosur në brendësi ku toka ishte e djerrë. Kjo krijoi efekte të rëndësishme shoqërore. Larg lumenjve toka nuk do ishte aq e mirë, por gjithsesi e pranueshme; njerëzit thjesht mund të zhvendoseshin nga tokat pjellore nëse nuk i pëlqente zhurma ose kishin konflikt me fqinjët. Por edhe në këto rajone nuk ishte e mundur të shpëtohej. Fqinjësia – dashje a pa dashje, e mirë ose e keqe – e ndjek njeriun. Kështu, një përgjigje e mundshme e problemit ishte krijimi i strukturave më komplekse që lejonin rregullimin e marrëdhënieve dhe ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve. Disa njerëz dolën me sisteme të ligjeve, gjykatësve dhe sundimtarëve për t’u siguruar që jeta të kishte mundësi të funksiononte mes jetësh të shumta – sundimi i ligjit sjell qytetërimin – është sot mendimi i përgjithshëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Civilizimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT