• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

KOSOVA NË LOJËRAT OLIMPIKE NË TOKIO ME 11 SPORTISTË, DREJT MEDALJEVE TË REJA

July 13, 2021 by dgreca




Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13  Korrik 2021/ Kosova me Flamurin e saj shtetëror është gati të niset drejt pjesëmarrjes me 11 sportistë në Lojërat Olimpike  në Tokio – Japoni, që do mbahen prej 23 Korrik deri më 8 Gusht 2021. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi Flamurin shtetëror Ekipit Olimpik të Kosovës – kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” fitoi Medeljen e Artë.  Në ceremoninë madhështore mbrëmjen e djeshme në Prishtinë – në Amfiteatrin e Pishinës në malin e Gërmisë  bashkë me sportistët përfaqësues të Kosovës në Lojërat Olimpike e drejtuesit e lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës në krye Presidentin Ismet Krasniqi ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komunave, sportistë, ish-sportistë, sportistë të shekullit e pjesëmarrës të tjerë. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, në fjalën e tij, duke i uruar fat dhe mbarësi ekipit olimpik, theksoi se ekipi olimpik i Kosovës ka ndryshuar pozitivisht nga Rio 2016, ku kishin tetë sportistë, dy me normë olimpike, kurse tani ka 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë me normë olimpike. “Pavarësisht rezultateve tuaja, pavarësisht nëse do t’ju shohim apo jo në podium, ndihuni krenarë me arritjen tuaj, ndihuni krenarë për vendin që përfaqësoni, sepse ju jeni historia, jeni e ardhmja e ndritshme e sportit tonë, për çka ne jemi dhe do të jemi krenarë! Uroj t’ju shohim duke e lartësuar Flamurin tonë sa më shpesh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëmarrja e Kosovës për herë të dytë në Lojërat Olimpike do të thotë ripërtëritje e krenarisë, duke marrë shembull lartësimin e Flamurit nga Majlinda Kelmendi në Rio 2016, derisa tha se edhe sportistët tjerë do ta ngrejnë lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindra kombeve të tjera.

Me një video-mesazh motivues erdhi edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nga Greqia ku ishte për vizitë zyrtare,  u tha sportistëve të ndihen krenarë dhe ta lartësojnë Flamurin tonë në Tokio 2020. Të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri Machida nga Ambasada e Kosovës në Japoni. Flamurmbajtësja Majlinda Kelmendi tha se është krenari që këtë herë do ta mbajë Flamurin si kampione olimpike, derisa shprehu optimizmin se Kosovën do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pjesë e ceremonisë ishte edhe Filharmonia e Kosovës me dy këngë me motive kosovaro-japoneze. Gjatë ceremonisë u prezantua edhe uniforma e ekipit olimpik, e cila krahas ngjyrave të Flamurit të Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit. Uniforma do të bartet nga lojtarët dhe trajnerët gjatë parakalimt dhe prezantimit zyrtar të ekipit të Kosovës në Tokio.

Në prag të Lojërave Olimpike Tokio 2020, para ceremonisë së dorëzimit të Flamurit për Ekipin Olimpik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka pritur  drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye Presidentin Ismet Krasniqi. 

Ishte ky takimi i parë mes Presidentes Osmani dhe Presidentit Krasniqi, ku edhe uruan njëri-tjetrin për zgjedhjen e tyre në krye të Shtetit të Kosovës, respektivisht Komitetit Olimpik të Kosovës Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari. Presidentja Osmani e falënderoi Prsidentin Krasniqi për vizitën dhe u uroi sukses pjesëmarrësve të Kosovës në lojërat olimpike. Ajo i vlerësoi përgatitjet e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në këto lojëra dhe u shpreh e bindur se vajzat dhe djemtë e ekipit olimpik do të arrijnë rezultate të mira, duke e lartësuar emrin e tyre, por edhe emrin e Kosovës. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet që po i bën Komiteti Olimpik i Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe me përgatitjet e ekipit olimpik të Kosovës. Ai e falënderoi Presidenten për përkrahjen e vazhdueshme të saj dhe të institucionit që ajo e drejton për ekipin olimpik të Kosovës. Presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, i ka uruar fat ekipit olimpik të Kosovës, me shpresën dhe besimin se nga Tokio 2020 do të kthehen me medalje. Presidenti Krasniqi i ndau Presidentes Osmani edhe uniformën zyrtare me të cilën ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet në Lojërat Olimpike. Që në 08 Korrik 2021, Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar listën përfundimtare të sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 në gjashtë sporte – xhudo, mundje, not, atletikë, boks dhe shenjëtari sportive. Janë 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova (të gjithë nga xhudo), Egzon Shala (mundje). Me ftesë nga Komisioni Tre-Palësh janë Donjeta Sadiku (boks) dhe Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), ndërsa me ftesë sipas vendeve të univerzalitetit janë atleti Musa Hajdari dhe notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, gjatë prezantimit të listës, ka deklaruar se drejt Japonisë udhëtojnë me synime për të fituar medalje. “Në Rio 2016 kemi pasur tetë sportistë dhe kemi fituar një medalje të artë olimpike me heroinën tonë, Majlinda Kelmendi. Tani kemi 11 sportistë nga të cilët presim të japin maksimumin… Synimet tona janë të fitojmë medalje, suksesi i madh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Sekretari i përgjithshëm Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka folur edhe për përgatitjet tjera para udhëtimit për në Tokio 2020. Boksierja Donjeta Sadiku tha se i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe këtë mundësi do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke theksuar se drejt Tokios udhëton për medalje.

Të parët që do të udhëtojnë drejt Tokios janë ekipi i xhudos, të cilët nisen më 14 korrik dhe do të vendosen në Komunën e Sanxhos.

EKIPI OLIMPIK I KOSOVËS – LISTA

Majlinda Kelmendi – xhudo (-52 kg)

Distria Krasniqi – xhudo (-48 kg)

Nora Gjakova – xhudo (-57 kg)

Loriana Kuka – xhudo (-78 kg)

Akil Gjakova – xhudo (-73 kg)

Egzon Shala – mundje (-125 kg)

Drilon Ibrahimi – shenjëtari sportive (10 m. Pushkë ajrore)

Donjeta Sadiku – boks (57-60 kg)

Eda Zeqiri – not (400 m. stil i lirë)

Olt Kondirolli – not (100 m. stil i lirë)

Musa Hajdari – atletikë (800 m.)

Filed Under: Sport Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Lojrat Olimpike, Tokio

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

July 13, 2021 by dgreca

KANDIDATI REPUBLIKAN MARKO KEPI FLET PËR DIELLIN E VATRËS/

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK/

SOKOL PAJA – DIELLI/

Marko Kepi, kandidati Republikan për Këshillin Bashkiak të New Yorkut në një intervistë ekskluzive për Diellin e Vatrës deklaron se shqiptarët janë një faktor politik i pa kapërcyeshëm në New York. Ai tregon detaje nga fushata e tij elektorale dhe beteja për zërin shqiptar dhe votën e lirë në Staten Island.
TRANSPARENCA, THEMELI I DEMOKRACISË

Vota e lirë dhe transparenca e votës janë themeli i demokracisë. Unë dhe ekipi im kërkojmë me çdo kusht që nga Komisioni i administrimit dhe numërimit të votave të na ofrojë një proces të rregullt ligjor, të ndershëm, të barabartë dhe të numerohen të gjitha votat. Sot për sot ka një situatë absurde pasi janë bllokuar 370 vota, të gjitha vota shqiptarësh. Është rast i pa precedentë. Ne si ekip dhe shtab elektoral kemi arritur të kontaktojmë me të paktën 330 prej tyre që të firmosin edhe një herë që t’u numërohet vota e tyre. Rezultati është i ngushtë. Votuesit e tjerë shqiptarë dhe mbështetësit tanë janë me pushime dhe angazhime të tjera personale dhe profesionale dhe nuk na mjaftoi afati ligjor 7 ditor për ti marrë të gjitha firmat e tyre me qëllim numërimin e votës së bllokuar. Asnjë Komision, asgjë në këtë botë nuk e ndal transparencën e votës. Ne do ti ndjekim të gjitha rrugët tona ligjore për ta kërkuar fitoren dhe votën tonë.

FUSHATA, NJË ORGANIZIM MODEL

Ne si ekip zhvilluam një fushatë spektakolare. Si kurrë më parë komuniteti shqiptar në zonën time elektorale është përfshirë fuqishëm me qëllim që të ketë zërin e tij në Këshillin Bashkiak të New Yorkut. Unë shpërndava platformën time elektorale dhe mora mendime konstruktive nga gjithë komuniteti votues dhe sidomos ai shqiptar në zonën ku garoj. Dua në veçanti të falenderoj e ti shpreh mirënjohjen time të thellë shqiptarëve fisnikë dibranë që në këtë fushatë më kanë mbështetur pa hezitim. Shqiptarët nga Dibra më kanë lënë mbresa fantastike. Në përgjithësi kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me të gjithë shqiptarët, ndonëse kurdoherë kërkohet më shumë bashkim e bashkëpunim për të mirën e komunitetit tonë.

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

Nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje, pesha dhe forca politike e shqiptarëve po rritet. Është një ndjesi fantastike. Pritshmëria është e madhe në këto zgjedhje dhe garat vijuese pasi Republikanët janë forcë politike kryesore në Staten Island dhe kryesojnë bindshëm. Asnjëherë nuk mund ta nënvlerësoj kundërshtarin pasi kjo do shkaktonte vetëkënaqësi dhe neglizhencë. Çdo kundërshtari i duhet dhënë rëndësia dhe hapësira e duhur. Si kurrë më parë në këto zgjedhje, kemi kaq shumë kandidatë shqiptarë. Në këtë fushatë ne si shqiptarë kemi bërë histori sepse është hera e parë që në Staten Island një kandidat fiton kundra makinerisë super të fuqishme të republikanëve dhe thyen zinxhirin e kandidatëve që ata kishin planifikuar me vite me radhë. Shqiptarët janë faktor real.  Tashmë jemi faktor që ndryshon shifrat e fitores për shumë gara në këtë zonë zgjedhore dhe jo vetëm. Duke u rritur pesha po rritet dhe rëndësia e shqiptarëve në skenën politike në New York.

KËRKOHET BASHKIMI I SHQIPTARËVE

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri tjetrin si patriotë shqiptarë. Mesazhi Im është që të bashkohemi më shumë se forca jonë do jetë shumë më shumë se sa një politikan garues, por si një komb që futet në garën e fitores. Kemi popullsinë (forcës) për 3 politikanë në këtë zonë. Duhet të krijojmë qendrën tonë Illyria House ku të ruajmë me çdo kusht traditat gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare shqiptare.

BETEJA NË KOMISION TË NUMËRIMIT

Do ta quaja shfaqje komuniste “grabitjen” e të drejtës së numërimit të votës. Ne në këtë betejë kemi treguar forcë dhe qëndrueshmëri. Nuk jemi ndalur as kthyer mbrapsht. Betejën për çdo votë shqiptare do ta zhvillojmë edhe në një kohë kur politikanët shqiptarë që kemi në Nju Jork nuk po na mbështesin sa duhet për të ruajtur votat shqiptare, ndërsa politikanët grekë na sulmuan me në krye Georgia Kontzamanis (Director of operations) në KQZ e Nju Jorkut që akoma vazhdojnë luftën për të mos u numëruar votat e shqiptarëve. Kjo betejë është për shqiptarët mbi të gjitha, jo vetëm për Marko Kepin. Sfida jonë e ardhshme është beteja kundrejtë Demokratit Sal Albanese. Sa më shpejt që të fillojmë punën do të jetë më e lehtë për komunitetin tonë për ta fituar atë betejë politike.  

Filed Under: Emigracion Tagged With: FAKTOR POLITIK, Marko Kepi, shqiptaret, Sokol Paja

EDITORËT E DIELLIT- BILAL XHAFERRI PËR ATHANAS GEGAJ DHE NJË VLERËSIM PËR DALIP GRECËN

July 13, 2021 by dgreca

NGA IDRIZ LAMAJ*/

EDITORIAL, DIELLI,  27 TETOR, 1971/

         Këtë editorial të shkurtër ja kushtojmë  editorit të Diellit, z. Athanas Gegaj, si shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për tetë vjetë të gjata të jetës së tij që ai ja kushtoi gazetës dhe nëpërmjet gazetës, gjithë komunitetit shqiptar në mërgim. 

         Gjatë këtyre tetë vjetëve mbajti mbi shpatulla një barrë të rëndë, një detyrë delikate dhe me përgjegjësi. Ajo ishte një detyrë e tillë qytetare që e bën njeriun JO t’i krrus shpatullat nën peshën e saj, po t’i ngrej lartë me krenari. Dhe ai largohet sot nga ne po me atë ndjenjë krenarie me të cilën  qendroi midis nesh, duke luftuar për ne, bashkë me ne,  për të drejtat tona.

         Sikur ai të mund të përmblidhte në një vëllim të paktën  editoriale e tij të këtyre tetë vjetëve, ai vëllim do të delte voluminoz.

         Le të jenë këto pakë rrjeshta si një pasthënje e atj vëllimi.

         I themi lamtumirë dhe i urojmë rrugë të mbarë, duke ju lutur që të mos na harronjë; derisa të ket diellin mbi krye në këtë jetë  mos të harroj “Diellin” e tij për të cilin ai dha një pjesë të jetës. 

BILAL XHAFERI 

***

                           DALIP GRECA NË PENSION

… Pa Diellin nuk ka dritë, pa Diellin nuk ka Vatër. Dalip Greca e ka ndritë Diellin dhe Vatrën. Jamë  plotësisht i bindur, edhe Sokol Paja do t’i mbaj rrezet e Diellit ashtu si i ka mbajtur Dalip Greca dhe kolegët e tij të pavdekshëm;  kolegët e tij EDITOR që mbajtën gjallë  nderin e Shqiptarëve të Amerikës për më shumë se 11 dekada.   

         Prej vitit 1968 deri me sot, kam pas nderin të njihem në person dhe të komunikoj dhe bashkëpunoj, gjithmon simbas interesit të gazetës Dielli, me eitorët e Diellit, duke filluar nga Dr. Athanas Gegaj e te Dalip Greca. Këtë e provojnë shkrimet e  mia të ndryshme të botuara në Dielli, dhe letërkëmbimi me të gjithë, në raste ballafaqimi me valtë e kohës dhe në raste gëzimi.

         Falnderim  Zotit, sonte jemi mbledhur këtu rreth EDITORIT TË DIELLIT, rreth Dalip Grecës,   thjeshtë për një urim vëllazërorë; për daljen e tij në pension. Ku e shohim atë të rrethuar nga familjarët, nga shokët, miqët dhe dashamirët, dhe të shoqëruar nga Zonja e Tij Xhemile, për të cilën kërkoj një duartrokitje të veçantë. Më falni, ndoshta më vonë kërkoj edhe ndonjë lloj duartrokitje për Dalipin, mbasi të shohim si është sjell Dalipi me Diellin tonë 

         Dalip Greca ngiti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne. Thelloi seriozitetin në të gjitha shkrimet e botuara në të. Mbuloi me kujdes të veçantë  zhvillimet më të rëndësishme të fushave të ndryshme të veprimtarisë të Vatrës, të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në të gjitha anët e globit ku jetojnë shqiptar. Dalipi, i mbushi shtyllat e Diellit me shkrime, studime dhe analiza të thukta mbi çdo lloj zhvillimi në Shqipëri, në Kosovë dhe  trevatë tona të tjera etnike në Ballkan, si asnjë EDITOR I DIELLIT  i mëparshëm. Kur them asnjë editor i mëparëshëm, them prej numrit të parë të gazetës Dielli. Për këtë nuk ka nevoj të flas unë, shpaloni Diellin e këtyre 12 vjetëve dhe krahasoni  me Diellin e viteve të mëparëshme.  Këtë gazetë e kam lexuar dhe studiuar me shumë  kujdes për mëse 50 vjet, prej  themelimit të saj deri më sot, dhe e them me njëfarë mburrje, ndoshta përmbajtjen e Dielli e njof më mirë se shumë kush. Por jo më mirë se Dalipi. 

         Si editor i Diellit për këtë përiudhë 12 vjeçare, Dalip Greca,  mbas Refat Gurrazezit – dishepullit të Faik Konicës, do të mbetet i vetmi  editor i Diellit si studiues i historisë të Vatrës dhe të Diellit, studimet e të cilit janë të botuara në faqet e gazetës Dielli.  

         Ti mbledhim shkrimet e Dalipit të botuara në Diell dhe ti botojmë si vëllime në vete. Në ato shkrime  kemi në imtësi të gjithë hitorinë e Vatrës dhe të Deillit. Nuk kemi nevoj të shpenzojmë mijëra dollarë për Akademinë e Shekncave, e cila prej intrigave politike të kohës merret me rishkrimin  e historisë.  Historia e Diellit dhe Vatrës është e shkruar dhe e botuar në faqet e gazetës Dielli në mënyrën më të përsosur shkencore  – mbështetur në arkivat e Vatrës dhe në faqet e Diellit. Këtë histori e ka shkruar Dalip Greca  gjatë këtyre 12 vjetëve. 

         Le mos të shikojmë një ose dy artikuj,  të përshtatshëm ose të pa përshatshëm të botuar në Dielli.  Dielli  dhe editorët e tij nuk mund të gjykohen me dy-tre artikuj të  botuar në të. Dielli për të cilin flas këtu,  është forca e jonë morale që duhet ndihmuar pa komplekse dhe duhet mbajtë gjall.cPa Diellin nuk ka dritë, pa Diellin nuk ka Vatër. Dalip Greca e ka ndritë Diellin dhe Vatrën. Jamë  plotësisht i bindur, edhe Sokol Paja do t’i mbaj rrezet e Diellit ashtu si i ka mbajtur Dalip Greca dhe kolegët e tij të pavdekshëm;  kolegët e tij EDITOR që mbajtën gjallë  nderin e Shqiptarëve të Amerikës për më shumë se 11 dekada.   

         Dalip Greca, urime të përzemërta për daljen në pension! Përsonalishtë dhe familjarishtë të deshirojmë jetë të gjatë, shendet, gëzime dhe çdo të mirë ty dhe familjes tënde!


*11 KORRIK  2021, NË ORA  6 PM.

RESTORANTI:  TESORO D’ITALIA,              

160 MARBOL AVE. PLEASANTVILLE nz. 10570 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Athanas Gaga, Bilal Xhaferri, dalip greca, Idriz Lamaj

KONT URANI – POETI ME REPUBLIKË MBI KRYE

July 13, 2021 by dgreca

Nga Visar Zhiti/

       Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. 

       Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej.  

       Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë… .  

KARTELA E DHËMBSHME 

E URAN KOSTRECIT

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike.

Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak.

Kur ishte në vitin e 15–të, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg, e lirojnë, sipas tij nga shkaku I “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike.

Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe tani që është 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, por a dini pse e mban borsalinën, nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi. E ka që nga atëhere, kur eqëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë.

Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – shkruan studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

*   *   *

       Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë, sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësia ka që ai pa, edhe ferr edhe parajsë dhe sytë i xixëllinin njëlloj.

Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali, Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. 

Lajmi u dha se do të ketë homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që e ndan popullin. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kon t Urani, mbi Krye, Poeti me republike, Uran Kostreci, Visar Zhiti

KIÇO ÇEKU, NJË JETË ME BIMËT QË I SILLNIN VALUTË SHQIPËRISË

July 12, 2021 by dgreca

-Nga eksporti i bimëve etero-vajore, ose “lulkave” siç shpreheshin me qesëndi disa pesimistë që deshën ta hedhin në gjyq, u rritën të ardhurat në ekonomitë që i kultivuan si dhe në atë kombëtare-/

       -Me rastin e 90 vjetorit të lindjes-

  Nga Fuat Memelli-Boston/

            Agronomi Kiço Çeku, është ndoshta i vetmi nga specialistët e bujqësisë që shumicën e jetës  ia kushtoi kësaj pune. Asgjë e madhe nuk arrihet pa pasion e këmbëngulje. Kiços nuk i ka munguar asnjë nga këto “kolona” të suksesit. Ndërkohë ai përherë ka parë përtej momentit dhe politikave, duke  ditur edhe leverdinë e këtyre bimëve për ekonominë shqiptare, e cila e “mbërtheu”  pas kësaj pune. Mbi 40 vjet punë, në shumicën e tyre është marrë me bimët etero-vajore. Ky pasion nuk lindi rastësisht. I lindur dhe rritur në Dardhë të Korçës, mes natyrës së bukur dhe gjelbërimit, luleve e burimeve të shumta të ujit, në shpirtin e tij hodhi rrënjë dashuria për bimët. Për këto arësye ai zgjodhi degën e Agronomisë në  ish-Institutin Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Pas mbarimit të institutit, në vitin 1955 fillon punë si kryeagronom në Stacionin e Zooteknisë në Shkodër. Ai kujton me dashuri e mall Shkodrën, lumin Buna dhe Drinin që “puthen” nën hijen e gurtë të Rozafës së famshme, Thethin, Reçin, Postribën. Kujton edhe një bletërritës që kur shkonin në malet e Lezhës e më vonë të Reçit ku lulëzonte sherbela, bletari i thoshte:” Sherbela është një dhuratë e madhe që natyra i ka dhënë Shqipërisë”.

             Në ato vite ishte krijuar Agroeksporti dhe kishte kërkesa për sherbelë, pasi siguronte të ardhura të mëdha në valutë. Nisur nga ky fakt, fshatarët vërshuan të mbledhin sa më shumë sherbele, pa zbatuar kriteret që duheshin. Kjo punë e rezikoi shumë sherbelën . Edhe prodhimi i mjaltit folloi të bjerë. Nga ky shqetësim, vendosi të meret me këtë punë duke iu përkushtuar tërësisht, me synim rigjenerimin e vendeve të shfrytëzuara pa kriter dhe mbi të gjitha mbjelljes së tokave gurishtore me bimë etero-vajore (aromatiko- mjekësore) që i përshtaten atyre tokave. Qysh kur punonte në Stacionin e Zooteknisë në Shkodër, grumbulloi fara të sherbelës nga dy ekotipet, atij Lezhë-Kakariq dhe Reçit të Shkodrës, pasi nga viti në vit po degradoheshin sipërfaqe të mëdha. Transferohet në katedrën e pedologjisë në Institutin Bujqësor dhe bën pjesë në grupin e punës për përpilimin e hartave pedologjike në gjithë Shqipërinë. Kjo punë i vlejti pasi pa nga afër edhe tokat gurishtore zhavorishte ku mund të mbilleshin bimët etero-vajore. Për të siguruar treg për to, u lidh me drejtorin e Agroeksportit, Theodhor Fundo, njeri me horizont të gjerë si dhe me specilalistin Jorgji Nauni, i specializuar në Hungari.

            Për të realizuar idetë e tij për kultivimin e këtyre bimëve, kërkoi të shkojë në kooperativën e Mazhës të rrethit të Krujës, një ekonomi e dobët e cila merte 30 lekë për ditë pune. Krahas punëve të tjera, krijoi një brigadë të vogël me të moshuar që nuk i prishnin punë kooperativës dhe mbolli 28 ha me këto bimë si korenadër, finok, borzilok dhe kamomil. Disa njerëz pesimistë filluan të ankohen duke thënë se “Kiçua do të na marrë në  qafë me këto lulka që mbjell”. Por, siç ka thënë një filozof “Durimi është një bimë e hidhur, por ka fruta të ëmbla”. Dhe kështu ndodhi. Bimët e mbjella dhanë prodhim të madh që shkoi për eksport. Vlera e ditës së punës u rrit nga 30 lekë në 90 lekë. Akulli u thye dhe shtypi i kohës i bëri jehonë të veçantë. Këto bimë filluan të mbillen edhe në ekonomi të tjera të rrethit të Krujës sidomos në tokat gurishtore, siç ishte ajo e Bilajt ku bënin pjesë disa fshatra. Kjo ekonomi u bë qendër shkencore dhe prodhuese për këto bimë. Gazetarët Lefter Peço dhe Duro Mustafaj bënë një artikull me titull “ Kiço Çeku e ngriti institutin në fushë.” Duke u marë shumë me bimën e borzilokut, njerzit filluan ta thërresin : Kiço borziloku.        Nisur nga aritjet në këtë fushë, ministri i bujqësisë Pirro Dodbiba kërkoi që ai të vijë të punojë në ministri, ku u krijua një sektor i veçantë për kultivimin, mbrojtjen dhe ripërtëritjen e këtyre bimëve. Pranë ndërmarjeve pyjore u krijuan sektorë të veçantë për kultivimin e tyre. Po kështu edhe në mjaft ekonomi bujqësore filloi kultivimi , duke rritur vlerën e ditës së punës. Në rrethin e Shkodrës për mbjelljjjen e tyre u krijua sektori i Postopojës. Ekotipet e sherbelës së Reçit dhe Kakariqit, për nga përmbajtja e esencës e bënin atë nga më të mirat në botë, tok me atë të zonës së Dalmacisë. Në Dardhë,  fshatin e Kiços dhe Nikolicë, u ngritën eksperimente për kultivimin e çajit natyral të Gramozit, duke e zbritur gradualisht nga lartësia 2200 metro mbi nivelin e detit, në 1200 metro. Një eksperiment i tillë u ngrit edhe në zonën e Llogarasë. Ndërkohë që kjo punë po ecte mirë në disa ekonomi, kishte specialistë skeptikë që e kundërshtonin këtë punë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, duke thënë se “ne na duhen drithërat e bukës për sigurimin e saj në vend, jo lulet e Kiço Çekut.” Një zëvendësministër duke biseduar me disa specialistë, kërkoi që Kiçua të dërgohet në gjyq, pasi ai po sabotonte sipas zyrtarit. Aty pranë u ndodh Kiçua dhe iu përgjigj flakë për flakë:” Sabotator je ti që shkon nëpër ekonomi dhe flet kundër kësaj punë dhe kundër meje. Që nesër unë do ik në sektorin e Postopojës dhe do gjelbëroj ato toka gurishtore”.

            Kiçua rikthehet në rrethin e Shkodrës ku kishte punuar më parë. Në Postopojë ( në sllavisht: tokë e shkretë) ai kishte filluar punën e ksperimentale qysh kur ishte në ministri. Vazhdoi punën e nisur me mbjelljen e këtyre tokave me sherbelë, lavandul, piretruam, shëngjin, etj. Disa njerëz skeptikë nuk iu ndanë edhe këtu. Një ditë një grup i përbërë nga drejtues të rrethit dhe një drejtor i Ministrisë së Bujqësisë, shkuan për të parë punë e nisur në Postopojë. Ky drejtor i thotë Kiços:”Po dështove në këtë punë, do vij të të var te kjo pema këtu afër.” Kiçua, të cilit asnjëherë nuk i ka munguar guximi, i përgjigjet: “Nga kjo tokë unë do nxjerr flori dhe do të var ty te ky hangar që do jetë plot me prodhime”. Një mbështetje e madhe për Kiçon u bë kryeinxhinieri i Ndërmrjes Pyjore të Shkodrës, Pirro Xhumetiku, nga varej sektori i bimëve etero-vajore të Postopojës. Ishte viti 1975 kur tokat gurishtore të Postopojës filluan të gjelbërojnë nga këto bimë. Unë kam qënë atëherë për të pasqyruar ne televizion këtë punë të madhe të bërë nën drejtimin e Kiço Çekut dhe jam dëshmitar i saj. Pas çdo suksesi në teren, vinin kërkesa për ta marë Kiçon në Tiranë. Në vitin 1980 u krijua Instituti i Pyjeve dhe Bimëve Etero- Vajore si dhe stacjoni i këtyre bimëve në NB “Gjergj Dimitrov”, nën drejtimin e specialistit të përkushtuar, Kadri Balla, me synim përhapjen e kësaj përvoje në ekonomi të tjera. Pas përshtatjes së bimëve të çajit në lartësi më të ulta, në Dardhë u bë mbjellja  në tokat e dobëta shtufë, një pjesë e tyre të abandonuara. Kiçua përgatiti edhe një broshurë me titull” Çaji i malit dhe kultivimi i tij”. Në Dardhë, pjesë e kooperativës së Mirasit, u organizua edhe festa e çajit. Ky ekotip u përhap edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Por, Kiçua ndjente dhimbje kur para viteve ’90, shumica e rigonit shqiptar merrej nga disa firma greke dhe qysh në Shqipëri i vihej etiketa” Prodhim grek”, kur në të vërtetë ishte shqiptar. Shteti mbyllte sytë pasi deshte vetëm të sigurohej volutë. Por kjo gjendje vazhdon edhe sot. Sillet në Amerikë rigon dhe çaj mali me stampën “Prodhim grek” kur ato janë prodhime shqiptare.

            Duke patur babain në Amerikë, në fillim të vitëve ’90 Kiçua erdhi këtu bashkë me familjen. Ky vend i lirisë, u bë atdhe i dytë , por zemra e tij kishte mbetur në atdheun e parë. Pasioni për bimët etero- vajore, nuk iu nda edhe këtu. Ai solli nga Shqipëria tre bimë: sherbelën e Reçit, rigonin e Gjirokastrës dhe çajin e Dardhës. Pas një punë mbi 20 vjeçare e ka përshtatur dhe çajin e ka mbjellë në Boston, ndërsa sherbelën dhe rigonin te shtëpia e djalit në Florida. Një ditë kur pinim kafe së bashku me dardharin tjetër, Sotir Pani, që u nga kjo jetë prej covidit, Kiçua  kishte marë me vete një tufë çaji nga ai i mbjellë në Dardhë  dhe na thotë: “U mora 20 vjet për ta përshtatur në klimën e Bostonit. Merrni disa fije dhe mbillini në shtëpi. Kur të rritet mblidheni, bëni çaj dhe do më kujtoni”. Këtë moment  e tregon edhe fotua bashkëngjitur. Si argument për çajin dhe rigonin që shitet në Amerikë me markën greke, ai thotë se jam gati të ballafaqohem me tregëtarët grekë dhe t’ju them se ato janë prodhime shqiptare.

            Një trishtim tjetër i Kiços është se shumë specialistë bujqësie pas viteve ’90, morën rrugën e emigracionit. Rrallë e për mall kujtohet shteti dhe shumë rrallë, me pikatore, bëhet ndonjë vlerësim për specialistët e shquar të bujqësisë, kur për profesione të tjera janë bërë vlerësime me lopatë. “Njeriu i thjeshtë vdes një herë, thotë ai, ndërsa specialisti vdes dy herë, një herë kur shoqëria injoron punën e tij shumëvjeçare dhe një herë kur i vjen vdekja natyrale. Vlerësimi më i madh për mua, thotë Kiçua, është ai që më kanë bërë njerëzit e thjeshtë si dhe specialistët me të cilët kam punuar një jetë”. Ai ndjen kënaqësi pasi sot vazhdon puna e nisur prej tij jo vetëm në Malësinë e Madhe, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Mark Rupës që punon në një projekt per bimët mjekësore , sot në Shqipëri mbillen mbi 4500 ha me këto bimë, rreth 4000 familje merren me këtë punë dhe  sigurojnë rreth 50 për qind të të ardhurave.

             Këtë korrik Kiçua mbush 90 vjet, por është plot energji. Puna që ka bërë dhe vazhdon të bëjë, humori i tij i pashterur, tingujt e kitarës që i ka rënë dhe vazhdon t’i bjerë, e mbajnë gjallë. Këtë përvjetor kërkon ta festojë në Dardhë, në vendlindjen e tij, vendin ku rrobërohet shpirti, me të afërm, miq e shokë, të cilët i do dhe e duan aq shumë.   

Korrik, 2021

Captions:

1.Çaj i kultivuar në Amerikë
2.Me familjen
3.Edhe sherbelën e mbolli në USA.
4.Me specialistin Kadri Balla
5.Me shokë të tij në Boston
6. Kitara, “ shoqe” e vjetër e Kiços.

Filed Under: Politike Tagged With: Fuat Memelli, KIÇO Çeku, Nje Jete me bimet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT