• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

VATRA NDEROI EDITORIN E DIELLIT DALIP GRECA

July 12, 2021 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – Editor i gazetes Dielli/

New York, më 11 Korrik 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA nderoi dhe vlerësoi me një ceremoni madhështore editorin e Diellit z.Dalip Greca me rastin e përfundimit të misionit të tij 12-vjeçar në krye të Diellit. Në një darkë solemne të organizuar nga VATRA në restorantin “Tesoro D’Italia”, Pleasantville, New York, dhjetëra të ftuar, miq, bashkëpunëtorë, familjarë, autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, ambasadorë, gazetarë, studiues, vatranë, media, miq të veçantë, avokatë, shoqata Besa-Besë, Albanian Roots, përfaqësues të Legalitetit(kryetari Hakik Mena dhe Ndrec Gjergji), Shkolla Bijtë e Shqipes, Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikan,Shoqata Skenderbej INC,përfaqësues nga familjet e mëdha patritotike shqiptare në USA(Si familja Mrnacaj dhe te tjera) kishin kënaqësinë të shprehnin urimet dhe nderimet për trashëgiminë dhe punën e jashtëzakonshme që Dalip Greca bëri në Diell dhe në Vatër për 12 vjet. Për t’u bërë pjesë e kësaj veprimtari kishin udhëtuar për 13 orë nga Detroiti: Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj me zonej Mirela dhe Valentin Lumaj, nga Washingtoni Merita & John McCormack, nga Bostoni drejtuesi i Besa-Besen Petrit Alibej me zonjën, dhe shumë të tjerë, nga shtetet e Connecticut e New Jersey etj.

        Ishte një mbrëmje shumë emocionuese për z.Dalip Greca dhe për familjen e tij për t’iu shprehur mirënjohjen më të thellë për angazhimin familjar në Diell dhe në Vatër. Ishte një mbrëmje për të respektuar dhe nderuar kontributin për katër dekada me radhë që z.Greca ka dhënë në median shqiptare. Z.Greca ka kultivuar në media një stil të veçantë teknikash dhe vlerash dhe nga duar e tij kanë dalë ajka e gazetarisë së sotme shqiptare. Dalip Greca ishte një patriot, profesionist dhe një njeri i zoti. Dalip Greca mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta të shqiptarit të mirë. Në çdo moment Dalip Greca ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë dhe këmbëngujes. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në USA. Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me integritet moral, qytetar e profesional gazetën Dielli dhe në Vatër ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të lartë. Perveç punës së madhe dhe gjurmëve të pashlyeshme që z.Dalip Greca ka lënë në Diell, ai më herët ka qenë një gazetar shumë kurajoz, i ndershëm, i drejtë dhe menaxher i shkëlqyer te gazeta Ora e Fjalës, Republika, Illyria dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në Tiranë e hapësirën mbarë shqiptare. z.Greca ka qenë një penë e spikatur në diasporë. Një zë i fuqishëm dhe i pa kompromentueshëm. Ai mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta gazetareske dhe njerëzore. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e z.Greca kreu misionin me paanësi, korrektesë e profesionalizëm. Në fjalën e ceremonisë së nderimit Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi lartësoi vlerat dhe punën e shkëlqyer të Dalip Grecës ndër të tjera tha: “Dalip Greca ka qenë një gazetar i shquar, një patriot i veçantë, një veprimtar i spikatur, një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporen e Amerikës. Miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca pasi udhëhoqi për 12 vjet me profesionalizëm të lartë, përkushtim të veçantë e pasion të dalluar vendosi të tërhiqet duke na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Komuniteti shqiptar, miqtë dhe familja do i jenë përjetë mirënjohës Dalip Grecës për veprimtarinë e tij dinjitoze dhe të shkëlqyer mediatike, kulturore, vatrane dhe  patriotike. Ky nderim që i bëjmë sonte është shumë pak krahasuar me shpirtin dhe zemrën me të cilën ka punuar Dalip Greca në Diell  e Vatër. Të gjithë ne do të jemi mirënjohës përherë ndaj Dalip Grecës për frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të patriotizmit e të mirëkuptimit që kultivoi dhe transmetoi në Diell dhe Vatër për 12 vjet. Unë isha i lumtur që bashkëpunova shumë ngushtë me Dalip Grecën dhe do jem akoma më i lumtur që do vazhdoj ta kem një ndër këshilltarët e mi më të ngushtë. Është pak ti them publikisht mirënjohje veprimtarisë dhe kontributit kolosal të Dalip Grecës” përfundoi kryetari i VATRËS z.Berisha. Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj e vlerësoi shumë lart punën e z.Dalip Greca në krye të Diellit dhe çmoi shumë shumë punën e ngushtë të z.Greca me Konsullatën dhe Ambasadën e Kosovës. Ambasador Frymëzim Isufaj në vlerësimet e tij për Editorin Dalip Greca tha se: “Dalip Greca shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe shumë pasion për Diellin dhe Vatrën duke qenë kurdoherë i gatshëm për të sakrifikuar dhe kontribuar si në ditët me diell dhe në ditët me shi. Me emrin e Z.Greca lidhet një histori shumë e rëndësishme e Diellit në Amerikë duke u kthyer në një media shumë serioze, dominuese dhe prestigjioze në botën shqiptare dhe jo vetëm. Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, në emër të Ambasadës në Uashington, diplomatëve dhe punonjësve tanë dhe sigurisht në emrin tim personal i shpreh mirënjohje e falenderim sepse ka qenë kurdoherë i gatshëm në pritjet dhe vizitat që ne kemi bërë në Vatër dhe takimet me komunitetin shqiptar. Vlerësime e mirënjohje për ju z.Greca” përfundoi fjalën e tij Ambasador Isufaj. Nënkryetari i Vatrës z.Alfonc Grishaj e cilësoi Dalip Grecën si një intelektual të rrallë, një personalitet të shquar shqiptar të diasporës, një gazetar me dhunti të veçanta, një gjeni i cili me anë të djersës i ka shërbyer kombit dhe atdheut me një përkushtim të jashtëzakonshëm në çdo kohë. “Nëse ne si shqiptarë kemi emërues të përbashkët kombin, Vatra e Dielli kanë pasur emërues të përbashkët z.Dalip Greca. Ky është është një xhevahir i rrallë. Është një personalitet i veçantë i cili bëri një histori po kaq të veçantë në Diell dhe në Vatër. Ai krijoi një personalitet dhe një model të veçantë. Ai u frymëzua nga modeli patriotik dhe kombëtar. I dashur miku im Dalip, ti ke qenë gjithmonë një vlerë e do të nderohesh, kujtohesh e respektohesh gjithmonë” përfundoi fjalën e tij z.Grishaj.

           Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj deklaroi në ceremoninë e vlerësimit për z.Greca: “12 vitë pune që ka bërë për gazetën DIELLI jane 12 gurë kilometrikë – historikë të gazetës tonë të dashur. Unë jam i sigurtë që do vijë një ditë kur, ashtu siç bëjnë sot shumë studjues që ulen mbi koleksionin e DIELLIT për të mësuar historinë e popullit tonë të viteve të para të shekullit të XX – të, ashtu do të ulen mbas shumë vitesh e ndoshta dekadash për të kuptuar historinë e popullit tonë të 12 viteve të shekullit të XXI të, kohë kur ju e drejtuat gazetën tonë. Zoti Dalip ishte profesionist i madh, Shqiptar i mirë dhe mik besnik. Unë jam me fat që e kam njohur e kam bashkëpunuar besnikërisht.

      Z. Rexhaj tha se ndjehet krenar që pranë kryetarit të ndjerë Agim Karagjozi,si nënkryetar i Vatrës, para 12 vitesh, ka qenë pjesë e vendimarrjes për emrimin e z. Greca në krye të Diellit. Mirënjohje për gjithë jetën këtij burri të vërtetë, profesionisti dhe Vatrani model” përfundoi z.Rexhaj. 

Ambasador Mal Berisha deklaroi se Dalip Greca na bën të gjithëve krenar me punën e jashtëzakonshme që ka bërë në krye të gazetës Dielli. “Sonte mbaj me vete një logo të shtrenjtë të Diellit që ma ka dhuruar z.Dalip Greca si një kujtim të bukur me rastin e 110 vjetorit të Diellit. Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist. Ai formoi një rrjet gazetarësh që sot në Shqipëri dhe më gjërë janë niveli më i lartë i gazetarisë. Mbetsh në historinë e gazetës Dielli si një xhevahir i rrallë që zbukuron historinë e medias e të kombit tonë.Ti do mbetesh në altarin e artë të medias shqiptare” përfundoi fjalën e tij Ambasador Mal Berisha.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, Drejtor per Divizionin e Euro-Azise, z.Frank Shkreli e vlerësoi lart figurën e editorit Dalip Greca duke thënë se angazhimi i Dalip Grecës në Diell ishte i shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi – që nepërmjet gazetarisë së lirë – të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët. “Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij. Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq me sa pati mundësi dhe përball rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime të kufizuara – ta ringjallte dhe ta kthente Diellin në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendje ndritur, ta kthente sado pak në misionin origjinal të tyre. Misioni i Vatrës dhe i Diellit nuk ka mbaruar as ndryshuar aq shumë. Veprimtaria historike e Vatrës dhe e Diellit ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo” deklaroi Frank Shkreli.

      Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne. Thelloi seriozitetin në të gjitha shkrimet e botuara në të. Mbuloi me kujdes të veçantë zhvillimet më të rëndësishme të fushave të ndryshme të veprimtarisë të Vatrës, të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në të gjitha anët e globit ku jetojnë shqiptar. “Dalipi, i mbushi shtyllat e Diellit me shkrime, studime dhe analiza të thukta mbi çdo lloj zhvillimi në Shqipëri, në Kosovë dhe në trevat tona të tjera etnike në Ballkan, si asnjë Editor i Diellit të mëparshëm. Kur them asnjë editor i mëparëshëm, them prej numrit të parë të gazetës Dielli. Për këtë nuk ka nevoj të flas unë, shpaloni Diellin e këtyre 12 vjetëve dhe krahasoni me Diellin e viteve të mëparshme. Këtë gazetë e kam lexuar dhe studiuar me shumë kujdes për mëse 50 vjet, prej themelimit të saj deri me sot, dhe e them me njëfarë mburrje, ndoshta përmbajtjen e Dielli e njof më mirë se shumë kush. Por jo më mirë se Dalipi. Si editor i Diellit për këtë përiudhë 12 vjeçare, Dalip Greca, mbas Refat Gurrazezit – dishepullit të Faik Konicës, do të mbetet i vetmi editor i Diellit si studiues i historisë të Vatrës dhe të Diellit” deklaroi z.Lamaj. 

Editori i Diellit z.Dalip Greca pasi vlerësoi dhe shprehu mirënjohje për respektin personaliteteve e të gjithë të të panishmëve, bëri një ekspoze të detajuar mbi punën e tij mediatike, aktivitetin e tij në gazetat Ora e Fjalës, Republika, Iliria dhe punën e jashtëzakonshme në Diell e në Vatër. Ndër të tjera z.Greca kujtoi disa detaje nga rrugëtimi i tij i gjatë: “Jam ndjerë ngrohtë në Vatër që në momentin që kam shkelur aty. Unë u bëra pjesë e Vatrës me rastin e 100 vjetorit të Diellit. Në hulumtimet e mia për konferencën e Diellit pashë që në përplasjet e Noli e Konicës kishte fisnikëri dhe kuptova se Vatra nuk do zhduket as nga përçarjet as nga grindjet e casteve nervoze. Perendia e kishte caktuar Vatrën që të shpëtonte Shqipërinë, kur Vatra caktoi ambasadorë, kur mblodhi fonde, kur sponsorizoi konferencën e paqes në Paris etj. Me ardhjen time në Vatër gjeta njerëz shumë fisnik. I kujtoj me detaje përkujdesjen ndaj meje të inxhinjer Karagjozit e Zef Perndocës. Kam bashkëpunuar ngushtë me editorin parardhës Anton Cefa, kam ndjekur rrugën dhe këshillat e miqve të mi si z.Lamaj e shumë të tjerë për të ringjallur Diellin dhe për të ringjallur edhe ata që kishin drejtuar Diellin dhe ishin harruar. Kam sjellë jetët e plota të Editorëve të Diellit në shenjë respekti e nderimi për këto ikona të gazetarisë shqiptare. Kam sjellur në shtyp ikona të harruara si Nelo Drizari, Koste Cekrezi, Kristo Floqi e shumë figura që kanë shërbyer për mua si orjentues për të ecur në rrugën e gjatë. U mundova që ti nxjerr nga pluhuri i harresës. Ata bënë epokë dhe kanë dhënë një kontribut të paharruar. Sot ndjehem mirë se Dielli ka korrespondentë në Prishtinë e shumë gazetarë që bashkëpunojnë me Diellin. Kjo gazetë vazhdon të ndriçojë edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me miqtë e vet. Mirënjohje për këtë organizim e respekt gjithmonë” përfundoi fjalën e tij editori i Diellit z.Dalip Greca. 

Në emër të familjes Greca morën fjalën falenderuese dhe përshëndetëse Alma, vajza e madhe e Dalipit dhe bashkëshortja Xhemilja të cilët shprehën mirënjohje të thellë për nderimin, respektin dhe vlerësimin e bërë nga Vatra e të gjithë pjesëmarrësit. Z.Dalip Greca, për punë të shkëlqyer dhe kontribut në komunitetin shqiptar në New York dhe jo vetëm u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, me Urdhërin “Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin: Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Dalip Greca u Dekorua nga Kryetari i VATRËS z.Berisha me medaljen e Ekselencës për kontributin e tij në gazetën Dielli, për ngritjen e Diellit në një nivel të lartë e cilësor, për përkushtimin dhe angazhimin e tij model. Z.Dalip Greca u Dekorua me medaljen e Mirënjohjes nga Konsullata e Shtetit të Kosovës në New York për punën e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Institucionet diplomatike të Shtetit të Kosovës. Pas ceremonisë së dekorimit, nën tinguj e magjishëm të këngës e zërit brilant të Gëzim Nikës e Merita Halilit, shoqeruar nga mjeshtri Raif Hyseni me orkester, në një atmosferë vëllazërore, elektrizuese e festive, ceremonia e festës dhe nderimit ndaj Editorit të Diellit z.Dalip Greca vazhdoi deri pas mesnate. Ishte një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit ashtu siç do jetë i paharrueshëm për të gjithë ne Dalip Greca si gazetar, patriot, vatran e njeri model. Veprimtari u filmua dhe u fotografua nga TV Kultura Shqiptare-Albanian Culture TV prej Drita & Drini Llalloshi.

Ambasadori Frymezim Isufaj e nderoi Editorin me Mirenjohje.
Presidenti i Nderit Z. Agim Rexhaj shprehu konsiderata te larta per punen e Editorit Dalip Greca.
Nenkryetari i vatres z. Alfons Grishaj qe se bashku me zonjen Mirela dhe anetarin e Keshillit te Vtares kishin udhetuar 13 ore me makina nga Michigani, vleresoi profesionalizmin dhe patriotizmin e z. Greca.
Ambasadori Mal Berisha: Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist.
Z. Frank Shkreli- Ish Gazetar i Zerit te Amerikes- Drejtor i Divizionit te Euro-Azise:“Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit…
Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne….
Editori i Diellit Dalip Greca duke falenderuar organizatoret dhe mysafiret si dhe duke vleersuar Diellin.
Grishaj i dorezoi Editorit dekoraten e akorduar nga Presidenti Ilir Meta”Urdheri Klaores i Skenderbeut”.
Me familjen Mrnacaj me fisniken Marie Mrnaçaj.
Kryetari i Vatres z. elmi Berisha dhe Editori Legalistet Ndrec Gjergji dhe Kryetarin Hakik Mena.
Familja Greca dhe Kryetari Berisha .
Me Familjen….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, editorin e Diellit, Sokol Paja, VATRA nderoi

SHUHET URAN KOSTRECI, VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA

July 12, 2021 by dgreca

Në Tiranë ka ndërruar jetë legjenda e qëndresës antikomuniste, luftëtari i paepur i deologjisë komuniste, miku i Vatrës, shkrimtari URAN KOSTRECI.

Vatra i shpreh ngushëllimet me të thella vëllait Hasan Kostreci me familje dhe të gjithë të afërme e miqëve. Ngushëllimet e saj Federata Panshqiptare e Amerikës ia drejton edhe Shoqatës të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise dhe Kryetarit të saj z. Nebil Çika si dhe të gjithë bashkëvuajtësve!

Uran Kostreci ishte një mik i mirë i Vatrës dhe përsa kohë qëndroi në SHBA ai ishte pjesë e lidhur shpirtërisht me Vatrën.

Pushoftë në Paqë shpirti i Uran Kostrecit!

                               ***

NJOFTIM I KRYETARIT TE SHOQATËS TË PËRNDJEKURVE POLITIKË ANTIKOMUNISTË TË SHQIPERISË

Me pikëllim të thelle iu njoftojmë se legjenda e qendresës sonë antikomuniste Uran Kostreci,, ndërroi jetë sot . Në emrin tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise, iu shpreh ngushllimet me te sinqerta familjarve, miqve, bashkëvujtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij .

Qofsh i parajsës vëllai ynë, kampion i qëndrës, asketi i lirisë e demokracisë !

Homazhet do të zhvillohen nesër

date 13.korrik 2021 nga ora 08.00-11.00 tek godina e te perndjekurve politike Ruga e Elbasanit Tiranë . Përcjellja në orën 12.00 ne Varrezat e Sharrës.

Nekrologji

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë ne një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike . Kur ishte ende fëmije i arrestuan dhe i denuan të atin si eksponent i Ballit Kombetar . Me mundime arriti te mbaroje shkollën normale Elbasan dhe per një kohë te shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.

Ai është themelues i Shoqates Antikomuniste e të Përndjekurve politikë te Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare . Ishte kryeredaktori e botuesi i pare i gazetës Liria gazete e te perndjekurve politikë.te Shqipërisë .

U përfshi fort në lëvizjen demokratike dhe u zgjodh, dy herë, kryetar i PD dega Elbasan . Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan krerët e lartë të diktaturës komuniste . Për qendresën dhe veprimtarinë kundër diktatures komuniste dhe aktivitetin e shquar politik, intelektial e patriotik, Presidenti i Republikës e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” .

Ikja e tij nga kjo botë eshte një humbje e madhe për të gjithë ne ,pasi sic thoshte edhe vete kishte ende shume per të na dhënë e thënë . Me sakrificën dhe veprën e tij jam i sigurt që e ka rezervuar vendin e tij në parajsë . Po nuk qe Atje Urani, kush tjetër mund të jetë? !

Filed Under: Opinion Tagged With: shuhet, Uran Kostreci, Vatra

DEL NË PENSION Z. DALIP GRECA, KRYEREDAKTORI I GAZETËS MË TË VJETËR SHQIPTARE, GAZETËS DIELLI NË AMERIKË

July 12, 2021 by dgreca

 Nga Frank Shkreli-Ish Drejtor i Zerit te Amerikes- Divizioni i Euro-Azise

New York, 11 Korrik, 2021- Me ftesën e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA kënaqësi të merrja pjesë në darkën solemne që kjo organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës organizojë në nderim dhe respekt të Editorit të Diellit z.Dalip Greca me rastin e daljes së tij në pension.

Siç dihet, z. Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën Dielli dhe në Vatër ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Nderimi në këtë darkë ishte një mirënjohje e vogël kundrejtë punës së madhe dhe vlerave që z. Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi në Diell dhe Vatër për 12 vjet. 

Darka e nderimit u organizua me datën 11 Korrik 2021 ditën e Dielë ora 6:PM në restorantin Tesoro D’Italia Restaurant, Pleasantville, Nju Jork ku morën pjesë më shumë se 100-të vatranë dhe miq e kolegë të ftuar të Dalipit.  Fjala ime përshëndetse me këtë rast, si më poshtë:

“Përshëndetje i nderuar Kryetar i Federatës pan-Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha, anëtarë të Bordit, pjesëmarrës dhe dashamirës të Z. Dalip, të Vatrës dhe gazetës Dielli. Një përshëndetje e veçantë, natyrisht, shkon për protagonistin kryesor të kësaj darke, z. Dalip Greca që na ka mbledhur sonte këtu për të shënuar daljen në pension nga detyra si Kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqiptare, e që vazhdon të botohet për më shumë se një shekull. 

Besoj se Dalipi, ashtu si edhe të gjithë ne që e kemi quajtur veten gazetarë gjatë karierës tonë, nuk i jemi përveshur këtij profesioni për tu pasuruar, as për nam e zë, sepse rrallë kush pasurohet në këtë zanat – por sepse jemi shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi – që nepërmjet gazetarisë së lirë – të përpiqemi të zbulojmë due të njohim të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët. 

Vura re se në njoftimin e botuar në Dielli, Dalipi citonte të Madhin Faik Konica i cili ka shkruar në përvjetorin e parë të botimit të gazetës Dielli: “Me këtë numër, DIELLI mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi një gurë dhe hedh sytë pas tij.  Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…”. 

Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar “kur sheh se sa eci dhe ç’mbarojë gjer atje…” – krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij.  Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq — me sa pati mundësi dhe përball rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime tepër të kufizuara – ta ringjallte dhe ta kthente Diellin në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendje ndritur, ta këthente sado pak në misionin origjinal të tyre. 

Nuk ishte e lehtë për Kryeredaktorin e Diellit të këtyre 12 viteve të fundit që të menaxhonte, si të thuash, një tranzicion të pritshmërive nga një brez vatranësh dhe lexuesish tek tjetri i shqiptaro-amerikanëve, sa i përket misionit dhe veprimtarisë ssë Vatrës dhe Diellit. Nuk ishte e lehtë që të plotësoheshin pritëshmëritë e të gjithëve – dhe as që të pajtoheshin mendimet dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër të pas luftës së dytë botërore me ato të diasporës post komuniste të pas vitit 1990 – një sfidë kjo që besoj se me ndihmën e Kryesisë së Vatrës, Dalipi e menaxhoi si mundi dhe si është më mirë, duke konsideruar rrethanat e këtyre 12 viteve të kaluara. Kritikat e shqiptarëve ndaj Diellit ose medias në përgjithësi të kujtojnë letrën e Faik Konicës dërguar një të riu i cili dëshiron të hap një gazetë të re: “…Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën”, i ka shkruar, ndër të tjera, Faik Konica një miku të ri që donte të hapte gazetë. 

Nën drejtimin e kryeredaktorëve të ndryshëm gjatë dekadave, gazeta Dielli — në periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe gjëndjes në Kosovë — shkrimet dhe lajmet ia drejtonte pothuaj, ekskluzivisht, shqiptarëve të diasporës në Shtetet e Bashkuara.  Nën drejtimin e Z. Greca — Dielli ka trajtuar edhe tema e subjekte me rëndësi mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilave nuk i ka trajtuar media në trojet tona. Uroj që kjo vijë redaksionale të vazhdojë edhe pas mandatit të z. Greca. Më kënaq fakti që ndonëse ka vendosur të dalë në pension të merituar, Dalipi premton se nuk po i thotë, krejtësisht, lamtumirë Diellit as Vatrës! 

Misioni i Vatrës dhe i Diellit nuk ka mbaruar as s’ka ndryshuar aq shumë gjatë historisë së tij prej më shumë se një shekulli.  Veprimtaria historike e Vatrës dhe e Diellit ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo – të Shqipërisë dhe të Kosovës – dhe të jetë gjithmonë e gatëshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit.  Ashtuqë, siç është shprehur Ernest Koliqi me rastin e 50-vjetorit të gazetës Dielli, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e prandej edhe i vendit tonë.” 

Rreth Vatrës e Diellit, ky ishte privilegji, roli dhe përgjegjësia e brezave të kaluar të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve – për aq sa dinin e kishin mundësi — anë e mbanë trojeve të veta.  Ky rol dhe këto përgjegjësi mbeten të tilla edhe për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, në frymën dhe shembullin e dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit dhe themeluesve të Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj Dielli, At Fan Nolit dhe Faik Konicës.

Misioni i Vatrës dhe i Diellit vazhdon dhe i takon këtij brezi të ri sot ta çojë Vatrën e Diellin përpara, ndërsa gjithnjë do të kini mbështetjen e Dalipit pasi ai nuk tha “lamtumirë” — por pas kaq vitesh punë, ai ka vendosur, me të drejtë, për pak çlodhje dhe pak dëfrim të merituar.

Më në fund dua të falënderoj sinqerisht Kryetarin e Federatës Pan- Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha dhe Kryesinë e Vatrës për organizimin e kësaj darke për Dalipin dhe për ftesën për të qenë me ju sonte. Jam i bindur se me urtësi e durim, nën drejtimin tuaj — me energji të reja të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh që shoh sonte këtu në numër të madh — Dielli dhe Vatra – kanë mundësinë due talented që të vazhdojnë të shërbejnë si qendra bashkimi për të gjithë shqiptarët pa dallim – të vetdijshëm për kontributet historike dhe për përgjegjësitë e Vatrës dhe të Diellit, si organizatat më të vjetra dhe më përfaqsuese të gjithë shqiptarëve të Amerikës.

Me këtë rast desha të shpreh një falënderim të veçantë Dalipit dhe Kryesisë së Vatrës që, gjatë këtyre 15 viteve të fundit, gazeta Dielli ka vazhduar, pa përjashtim, të botojë shkrimet e mia modeste. U jam mirënjohës! 

And finally, Mr. Greca –Having been retired for 18 years now, I highly recommend it. Take it from me, I think you have made the right decision. I wish you a long, healthy retirement, my friend. I know you’ll be busy but enjoy your well-deserved time off. I am sure your family is very happy with your decision as well. 

Nga unë dhe bashkshortja ime Viki, urimet tona me të përzemërta, Z. Dalip! Shëndet e jetë të gjatë!”.

              

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Frank shkreli, Pension

VATRA EMËRON GAZETARIN SOKOL PAJA SI EDITOR I GAZETËS DIELLIT NË GJUHËN SHQIPE

July 12, 2021 by dgreca

New York, 12 Korrik 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA nëpërmjet kryetarit të saj z.Elmi Berisha njoftoi publikun dhe komunitetin shqiptar në USA e më gjërë se nga sot, gazetari Sokol Paja emërohet në detyrën e Editorit të gazetës Dielli në gjuhën shqipe. Së bashku me Editoren e Diellit në gjuhën angleze zonjën Rafaela Prifti ata do të punojnë fort që emri i Diellit dhe i Vatrës të ndriçojnë e rrezatojnë vlerat, historinë dhe trashëgiminë e shkëlqyer të kombit shqiptar. Gazetari Sokol Paja është formuar në Kolegjin Jezuit At Pjetër Meshkalla në Shkodër. Ka studiuar për Gazetari-Komunikim në Universitetin e Tiranës, Master i Shkencave në Komunikim Ndërkulturor dhe Doktoraturë në Komunikim Masiv pranë Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Z.Paja ka punuar si gazetar në shtypin e shkruar në Tiranë për 6 vjet dhe për 7 vite me radhë punoi si Pedagog i Gazetarisë në Universitetin e Elbasanit dhe Shkodrës. Ai ka mbajtur pozicionin e Shefit të Departamentit e Zv.Dekanit në disa universitete private në Tiranë . Më herët ka kontribuar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në Tiranë. Z Paja është vatran prej 2 vitesh dhe mban detyrën e Këshilltarit të Mediave e Marrëdhënieve Publike pranë kryetarit të Vatrës. Aktualisht z.Paja studion pranë Lehman College në New York për Gazetari dhe Studime Mediatike. 

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Sokol Paja

Durrës:Instrumentistë vendas dhe të huaj sjellin në Muzeun Arkeologjik veprat e autorëve botërorë

July 11, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/

Dirigjenti Marco Bossi dhe Orkestra e Harqeve të Universitetit të Arteve të Tiranës e drejtuar prej tij ishin mbrëmjen e kaluuar protagonistët e mbrëmjes së tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës.

Ky është edicioni i 16-të i Festivalit që organizohet në qytetin bregdetar nga violinistja Nevila Kalaja Herczegh dhe shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”.

Dirigjenti 30-vjeçar drejtoi me mjaft  kompetencë tre vepra të autorëve të njohur në literaturën muzikore, duke shfrytëzuar edhe përvojën e krijuar me orkestra të vendit fqinj në Milano, Potenza e Lecce, por edhe në Athinë, Beograd e Ceki.

Serenata për harqe opus 22 nga Antonin Dvorak (1841 – 1904) tingëlloi mjaft mirë falë sinergjisë së dirigjentit Marco Bossi dhe instrumentistëve edhe më të rinj  në moshë, ndërsa spektatorët e shumtë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit duartrokitën lojën e artistëve.

Pesë pjesët e përzgjedhura nga krijimtaria e Dmitri Shostakovich (1906 – 1975) dhe përshtatur për orkestër nga Ylli Ramzoti erdhën me mjaft mjeshtëri e mmuzikalitet nga instrumentistët Nevila Kalaja Herczegh (violinë) dhe Arben Llozi (violë), përfaqësues të shkollave muzikore të Durrësit dhe Tiranës.

Koncerti për flaut dhe orkestër harqesh mbylli mbrëmjen e tretë të Festivalit  në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Bashkëatdhëtarët italianë Matteo de Francesco (flaut) dhe dirigjenti Marco Bossi me orkestrën e Universitetit krijuan një atmosferë të veçantë, duke marrë edhe përgëzimet e publikut të pranishëm.

Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës përfundon më 24 korrik dhe në sallën e muzeut arkeologjik kombëtar janë programuar edhe pesë koncerte të tjerë me instrumentistë vendas dhe të huaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Autore boterore, Durres, Gezim Kabashi, Muzeu Arkeologjik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT