• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Metodë e re në shërimin e hemorragjisë cerebrale në Shkup

October 31, 2021 by s p

Shkup, 30 tetor  – Në Klinikën Universitare të Neurokirurgjisë në Shkup  sot në mëngjes është përdorur  një metodë e re në shërimin e pacientëve me hemorragji cerebrale.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në profilin e tij në Facebook.

“Sot në mëngjes në Klinikën Universitare të Neurokirurgjisë, prezantuam një metodë të re në shërimin e pacientëve me hemorragji cerebrale. Operacionin e kemi kryer me aparatin e ri inovativ – sistem dyshtresor që njëkohësisht mundëson monitorimin e presionit intrakranial, shpëlarjen e sistemit ventrikular të trurit dhe drenimin e lëngut cerebrospinal”,ka njoftuar Filipçe.

Kjo metodë, siç shprehet ai, tashmë përdoret vazhdimisht në praktikën e përditshme klinike në disa vende të botës si SHBA, Gjermani, Portugali dhe Holandë.

“Nga sot kjo pajisje inovative do t; jet; në përdorim të vazhdueshëm në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe jemi i vetmi vend në Evropën Juglindore ku do të kryhet kjo metodë”, tha ministri e Shëndetësisë.

Në këtë operacion të ndërlikuar dhe inovativ, përveç udhëheqësve të Klinikës së  Neurokirurgë, ka marrë pjesë edhe Dr. Elmedina Asani, e cila është në përfundim të specializimit në këtë Klinikë. Ajo ka qenë edhe më pare  e përfshirë në ndëryrje të tilla kirurgjikale dhe kjo e radhitë atë ndër emrat më premtues të shëndetësisë, jo vetëm në Maaqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë. 

Filed Under: Komunitet

KËRCËNIMET KINEZE TAIVANIT DHE EVROPA E PANDJESHME

October 31, 2021 by s p

Nga PAOLO MIELI/


Kujdes Evropë: Kina është pranë. Edhe më pranë se ishulli i Taivanit, sovraniteti i të cilit, shkoqur, është vënë në diskutim nga regjimi I Xi Jinping-ut. Nga fundi I gushtit, nga dita e nesërme e largimit të ushtarit të fundit amerikan nga Kabuli, Kina ka bërë të qartë se synon t’i ribashkojë “mëmëdheut” atë rrip toke që në shekullin e gjashtëmbëdhjetë portugezët e emëruan Formoza. Aty, n’atë ishull, u strehua kryetari I Gomindanit, Çang Kai – shi kur, më 1949, u mund dhe në Pekin ngadhënjeu “revolucioni komunist” i Maos. Atëherë Shtetet e Bashkuara nuk I munguan solidaritetin e tyre Çangut: Taivani (me pak milionë banorët e tij) u njoh nga diplomacitë perëndimore si përfaqësues i ligjshëm i një milliard kinezëve dhe zuri karrigen e Kinës në Kombet e Bashkuara deri më 1971. Regjimi i Çang Kai – shi-së në ishullin e vogël qe despotik, edhe se më pak se ai maoist dhe një nga meritat e presidentit amerikan Richard Nixon qe ai që hapi (me ndihmën e Henry Kissingerit) rrugën në fund të së cilës ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kinë do të linte Taipein për t’u shpërngulur në Pekin, e ndjekur (në ndonjë rast e paraprirë për pak) nga përfaqësitë diplomatike të gjithë Vëndeve të tjerë miq të Washingtonit. Çangu vdiq më 1975, një vit më parë se Mao. Biri i tij, Çang Çin-kuo “mbretëroi” edhe ai deri në vdekjen të ndodhur më 1988. Pastaj Republika e Taivanit u bë vërtetë e tillë, Kina vazhdoi të kërkojë zotërimin por deri pak kohë më parë ishte dukur se kënaqej me një bashkekzistencë paqësore. Qe Xi Jinping, i elektrizuar nga lehtësia me të cilën mbarë bota i lejoi të përkulte Hong Kongun, t’a ringrinte çështjen. Me rastin e njëqindvjetorit të themelimit (më 1921) të Partisë komuniste, i së cilës është sekretar, Xi Jinping-u ka ritheksuar se brënda ditës në të cilën do të bjerë qindvjetori i dytë (ai i lindjes, më 49, të Republikës popullore kineze) Taivani do t’i kthehet Kinës. Mbas tërheqjes së Biden-it nga Afganistani, Xi pastaj la të kuptohet se don t’i shpejtojë kohët: më 1 tetor 2049, kur të jetë përvjetori i marrjes së pushtetit komunist në Pekin bashkëngjitja e Taivanit duhet të jetë kryer e gjërësisht e tretur.Në javët e fundit dhjetra aeroplanë kinezë (jo më pak se 150) kanë filluar të shkelin hapësirën ajrore taivaneze. Për më tepër Kina është bërë kërcënuese në të gjithë tokat e vëna në diskutim në kufijtë e saj. Protestave të Hindisë i është përgjigjur në rrugë informale (një artikull në gazetën zyrtare të regjimit Global Times) duke pohuar se kundërveprimet e Nju Delhit nuk ishin “në një vijë me fuqinë e tij”. Mbrapa Xi jinping-u ka braktisur të gjithë kuvendet ndërkombëtare, përfshirë edhe takimet e nivelit të lartë në rrugë telematike: për shembull G20 mbi Afganistanin të thirrur nga Mario Draghi. Timonieri i ri kinez nuk do të shkojë as në javën e ardhëshme, në takimin e Glasgow-t, në Cop26, për klimën. Biden-i ka reaguar publikisht duke kujtuar katër herë, e fundit mbrëmë me tone gjithënjë e më të forta se Shtetet e Bashkuara janë zotuar për të mbrojtur autonominë e Taivanit, edhe me një ndërhyrje t’armatosur.Në këtë pikë Xi Jinping-u ka hedhur në lojë asin e tij: një film. Një film? Më shumë: një kolossal. Në sallat e Pekinit ka dalë (duke fituar dhe një sukses të mirë të publikut) “Beteja e liqenit Changjing” në të cilin risillet një episod i luftës së Koresë (1950 – 1953). Qe një përplasje e armatosur që zgjati gjashtëmbëdhjetë ditë, ndërmjet 27 nëndorit dhe 13 dhjetorit 1950. I vetmi në të cilin hynë në betejë të drejtpërdrejtë ushtarakët kinezë, të drejtuar nga gjenerali Song Shi-lun, që mbështesnin Korenë e Veriut dhe amerikanët që luftonin nën simbolet e OKB. Të parët, njëqindenjëzet mijë, fituan mbi një kontigjent prej tridhjetë mijë burrave. Kronikat perëndimore regjistruan atë ndeshje si “beteja e pellgut të Chosinit”, duke vënë në dukje se amerikanët edhe se të mundur, arritën t’a thyenin rrethimin e Song Shi-lu-nit duke i u shkaktuar kinezëve shumë më tepër të vdekur se sa ata të perëndimorëve. Në të gjitha rastet mesazhi i filmit qe i qartë: “Nëse ju amerkanë do të vendosni të ndihmoni me armë ishullin e Taivanit, do të përfundoni ashtu si shtatëdhjetenjë vite më parë n’ata brigje liqenore”.Por përtej propagandës dhe diskutimeve historiografike mbi luftën e Koresë, ajo që ka rëndësi është se në rajon shënohet një rritje agresiviteti, ndaj të cilit Evropa vështron e shkujdesur, sikur të bëhej fjalë për gjë gjë të largët. Do të vijë pastaj edhe dita kur, siç ndodhi për Afganistanin, Vëndet evropiane do të ankohen sepse nuk janë njoftuar, në mënyrë të përshtatëshme, mbi atë që po ndodhte ndërmjet detit lindor kinez dhe atij jugorit. Mbas befasisë do të hyjnë në garë në sportin e tyre të parapëlqyer, atë të të kandiduarit të kryeqyteteve të tyre për të shtruar “tryezën e paqes”.Këtë herë bëhet fjalë për mendime shumë dinake dhe jashtzakonisht pohenike. Gjithshka që është për t’u ditur mbi krizën e Taivanit, është para syve të të gjithëve, mjafton t’a shohësh. Nëse ka një kohë për të bërë diçka të dobishme për të shpëtuar paqen (së bashku me të drejtën e taivanezëve për të jetuar në liri), mirë, ky çast është tani.
“Corriere della Sera”, 28 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

TREGTARËT DURRSAK, T’I ÇOJMË NË AMERIKË

October 31, 2021 by s p

Humor i jetuar. 

Skicë.

Kadri Tarelli/

Një fund jave e muajit Maj, 1957. Ditë e shtunë pas dite u ndodha tek berberi fare pranë shtëpisë. Mendova se s’do gjeja njeri, por mu desh që të prisja tre-katër të tjerë para meje. 

– E çuno, si e kam Qamilin? – më pyeti Shyqo berberi, si për t’i thënë të tjerëve se ishte mik i babës tim. –Mirë! – i thashë unë dhe po shikoja ku mund të ulesha.

Sapo u sajua një copë vend në stolin e gjatë, në derë u duk Xhepi, një burrë rreth të 50-tave, diku shitës në një dyqan të vogël në bulevardin që shkon drejt Pallatit të Sportit. (Atëherë nuk ishte ndërtuar ende). Unë si fëmijë 13-vjeçar, i lirova vend dhe mbeta përsëri në këmbë. 

– E xhepo, si po ndjehesh! Besoj se u gëzove që ta hoqën emrin nga lista, për t’u çuar në Amerikë? – E ngacmoi berber Shyqo, i bindur se Xhepi do shpërthejë.

– Ore Shyqo! Një gjë më bën përshtypje: në vend që në listë të ishe ti i pari, që e rrope këtë popull duke i prerë leshtë e kokës, më venë emrin tim, që s’më zenë këmbët dhe, për të gjetur ca zarzavate dhe fruta, më pas për t’i shitur, e në fund kur nuk i ble kush, t’i hedh në kazan se kalben e marrin erë. – Xhepi si tip nevriku, që s’pranonte as pluhur mbi veshë, vazhdoi: – More Shyqo! S’të kam pyetur më parë: Ku e çon leshin që qeth gjithë ditën, apo si ai miku yt që e mbledh në qese dhe në darkë i mburrët të shoqes: shiko sa lesh kam grumbulluar sot?. 

Berberi qeshi me të madhe. Edhe ne qeshëm. Ja dinte huqin, por nuk e priste këtë shaka të hidhur, megjithatë nuk e bëri veten. Vetëm qeshte, duke menduar ç’ përgjigje do t’i jepte. Në këto fjalë e sipër, ndërhyri një klient, që nga theksi i fjalës dukej shkodran, i cili i dha bisedës ton humori:

– Unë jam Palushi prej Shkodre. Jam mik i ftuar në një dasëm këtu në Durrës, e po du me u ba i bukur, meqënse do të jem krushk në darken e nuses. Nesër martojmë djalin e vëllaut. Sa për ato që the ti shoku Xhep, edhe na në Shkodër kena një berber që vepron si ai durrsaku juaj, i cili vetëm lesh i tregon të shoqes, sepse lekët i mban vetë. Po një gjë nuk e morra vesh, atë punën e Amerikës. Xhepi i ngeli pështyma në fyt. Nuk e priste një kthesë të tillë. Ç’të ishte ky i huaj që u përzje në këtë muhabet me shumë zarar!? – Hej bela, – tha me vete, duke i hedhur një sy qortues Shyqos. 

Berber Shyqo u zverdh në fytyrë. Ndërhyri për të ndërruar këtë bisedë me rrezik: – Ore Xhepi, sa gota ke pirë? Si duket të pëlqeu rakia, besoj ballë kazani. Ku e kishin sajuar, më duket se marrin në Përmet? – U bë një heshtje e shkurtër, sepse Xhepi, pasi i hodhi një shikim të shpejtë mikut shkodran, që ju duk burrë i fisëm, e vazhdoi bisedën, por tashmë serioz. – U pa puna! Duhet thënë troç muhabeti, që mos ketë keqkuptime, – mendoi në çast: 

– Që thua ti lum z…., – në çast u kujtua që duhet fjalë shok, jo zotni. – Që thua ti lum shoqnia si i thoni ju në Shkodër, këtu në Durrës para një muaji e ca dit, në klubin “Danubi”, rreth 200.m afër Stacionit të Trenit, u bë një mbledhje e madhe me të gjithë tregtarët e Durrësit. E kam fjalën për tregtarët e vegjël, se të mëdhenjtë, ëhë…., sapo mbaroi lufta, u bënë proletarë, pasi shteti i konfiskoi gjithë pasurinë, madje edhe shtëpitë. Që thua ti, në atë mbledhje isha thirrur edhe unë edhe ky burri madh që nuk e lëshon gërshërën nga dora, veç pret lesh. Salla ishte mbushur plot. Kishte përfaqësues nga qeveria vendore, madje edhe një i deleguar nga qeveria lart, nga Tirana. Ajo që u kuptua, ishte se qeveria do ta vazhdojë reformën, duke na futur ne tregtarët e vegjël në “Kolektiva tregtarësh”, pra si të themi: tregtarë gjysëm privat. Nuk e kishim dëgjuar më parë këtë fjalë dhe ende nuk e dimë si do të jemi edhe privat edhe kolektiv. Deri këtu ishim mirë në mbledhje. E mblodhëm mendje që do të ketë ndryshime dhe kaq. Në fund u ngrit i deleguari nga Tirana, i cili me fjalë të mëdha po na mbushte mendjen se Partia në qendër veç për ne mendon, aq sa nuk e zinte gjumi për të na bërë të lumtur, ashtu si kllasën punëtore dhe fshatarësinë që “me vullnet”, po kolektivizohet çdo ditë në mbarë vendin. Ai nuk u ndal me kaq, por vazhdoi të përmendë emrat e tregtarëve të vjetër të Durrësit, që ishin shpronësuar, duke i quajtur kapitalistë që i kanë thithur gjakun këtij populli. Partia ia tregoi vendin atyre, por ama nuk i la pa punë. Mendoi edhe për ata, jo si në Neë Jork të Amerikës, ku ka aq e kaq të pa punë. “Ja shikoni se ç’ shkruan gazeta e sotme, për papunësinë dhe binduni”. Delegati u duk që ishte i kënaqur më fjalë e tij dhe me qetësinë që mbizotëronte në sallë. 

Xhepi nuk e preu fjalën: – Mbledhja vazhdoi me  pyetje dhe diskutime. Heshtje që nuk zgjati shumë, sepse “Shejtani” u zgjua. Nuk dua t’i kujtoj emrin e atij që u ngrit dhe tha me bollëk lavdërime për Partinë dhe qeverinë tonë. Në fund këputi një lloj propozimi, që na habiti e na la pa mend të gjithëve. Po ne qëndruam seriozë, asnjë nuk qeshi me atë budallallëk. Ai, pasi shau e shau sa i hante krahu, të gjithë tregtarët e mëdhenj, tha: “Mendoj se nuk është vonë, që Partia në qendër, me propozimin e masës këtu poshtë në bazë, të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur, t’i ndëshkojë rëndë, të hartoj listat e të gjithë tregtarëve durrsak dhe t’i degdisë në Amerikë, ku të vdesin për bukë, sepse nuk do të gjejnë dot punë”. Kaq, dhe u ul qetësisht si shenjtor në “qetësinë” durrsake, duke parë majtas e djathtas, shokët të nxirë në fytyrë. 

Pas këtij “Propozimi”, mbledhja u mbyll shpejt. Nuk dihet ç’ do të bëhet, po ky berberi ynë më ka futur frikën, se në atë gjoja në listë më kanë futur edhe emrin tim. Unë nuk i besoj shumë, po edhe s’i dihet. Jam bërë si i dytë nga mendja. çdo ditë dal këtu tek Porti, mos ka ardhur ndonjë anije e madhe e na nisin për në Amerikë. Këta të qeverisë nuk e prishin terezinë, veç kur vjen korrieri tek dera e të thotë: “Nesër bëju gati se do të lëvizësh”. Pa një, pa dy, veç kur e sheh veten në karrocë apo ndonjë makinë të vjetër, pa ditur ku do të vendosesh. Unë, sa për vete e kam përgatitur çantën me ndërresa, madje kam marrë edhe brisqe e sapun, se mbase nuk gjej dot në Amerikë.

Shkodrani i ulur në karrigen e berberit, dukej nga pasqyra që po qeshte si nën buzë, pa i dhënë të kuptojë durrsakut se nuk kishte dëgjuar kurë më parë një humor të tillë, kaq të guximshëm, kaq të bukur dhe të vërtetë. Ai nuk po fliste, veç dukej se po mendonte me vete: “Kot mburremi, se vetëm ne shkodranët bëjmë humor të hollë. Durrsakët, me këtë histori na e kaluan”. U ngrit, ndërkohë Shyqo i shkundi qimet që kishin mbetur mbi xhaketë, dhe pyeti si pa të keq: – Ku është ky klubi që mban raki të fortë, se ne në Shkodër veç raki të butë na japin?

Xhepi e kapi në ajër ftesën për ta pirë së bashku nga një gotë. U ngrit rrëmbimthi, e kapi mikun shkodran nga krahu dhe u drejtuan për tek kafe “Ylli” përballë berberhanes. Ktheu kokën dhe thotë: 

– Shyqo! Mos ma mbaj radhën, se do vij nesër ta pres leshin. 

Berberi ynë, u ul si i dërmuar në karrige. Fatmirësisht që u mbyll kështu kjo bisedë me rrezik koke, për vetë atë dhe mikun e tij Xhepin.

Kadri Tarelli

Vjeshta e dytë 2021.

Shënim: 1. Emrat e heronjve janë të rastësishëm, por toponimet janë të vërteta të njohura nga qytetaria durrsake. Disa kanë mbetur, disa kanë ndërruar emër dhe shërbim. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kadri Tarelli

Eksodi i të rinjve – plagë aktualiteti

October 31, 2021 by s p

Erion Muça/

Të rinjtë shqiptarë nuk largohen vetëm nga paga por mentaliteti, klima, mosvlerësimi, mostrajtimi, mungesa e politikave, zhgënjimi nga realiteti, mungesa e prespektivës, mungesa e meritokracisë, e ardhmja e mjegullt dhe mungesa e dritës në fund të tunelit përforcuar vazhdimisht edhe nga ata që duhet ta afrojnë dhe ndriçojnë sa më shpejt dhe sa më shumë atë. Nuk mund të flasim për nivelin e ulët të pagave dhe të mos flasim për pabarazitë sociale dhe ekonomike ku pushteti financiar dhe kapitali politiko-ekonomik është përqëndruar në pak duar e ku shteti përpiqet me ngulm të jetë punëdhënësi më i madh, në vend të përpiqet të promovojë barazinë, meritën, konkurencën e ndershme dhe ndërtimin dhe funksionimin e sistemit me anë të strategjive dhe politikave të veta. Të rinjtë shqiptarë largohen se atë që kërkojnë e gjejnë pjesërisht këtu dhe për këtë fajin e ka politika dhe politikat pa dallim krahu e pushteti. Për këtë fajin e ka makutëria dhe mania narciste për fitime të paskrupullta nga padituria, korrupsioni dhe rryshfeti e të gjithë atyre që kanë në dorë të optimizojnë dhe favorizojnë tregun e brendshëm të punës duke e bërë joshës për të rinjtë e që të cilët me injorancën, neglizhencën, indiferencën dhe keqdashjen janë e do të jenë fajtorë të përhershëm të këtij eksodi që po ndodh. Të rinjtë shqiptarë duhet të gërmojnë dhe eksplorojnë çdo hapësirë dhe mundësi që ofron tregu shqiptar i punës të cilat janë të larta por dhe shumë specifike ku kërkohet edhe pak hulumtim. Të rinjtë duhet të bëjnë një analizë të ftohtë të humbjeve dhe përfitimeve midis largimit dhe qëndrimit për të marrë objektivisht kostot përsipër për çdo të papritur të çdo rasti. Të rinjtë duhet të mësojnë se çfarë kërkon tregu dhe ti përgjigjen me njohuri dhe formim për të bërë atë që duan dhe të arrijnë ku synojnë. Të rinjtë duhet të dinë dhe të jenë koshient që të jesh “i huaj” ka një marzh humbjeje menaxhimi i të cilit është i ndryshëm midis të rinjve apo vendeve ku ato synojnë të shkojnë. Të rinjtë duhet të përpiqen që të marrin në dorë fatin dhe politikat e vendit për ta bërë atë në ide, koncept e mendime e jo ta braktisin me shprehjen zhargon ” ky vend nuk bëhet” pasi janë të rinjtë energjia, vitaliteti, misioni, vizioni dhe revolta e  tyre e formësuar në strukturë dhe zbatuar e imponuar si sistem përballë realitetit të përgjithshëm e vetmja rrugëzgjidhje për të qëndruar dhe parë me optimizëm të ardhmen brenda vendit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Erion Muça

Krimet mizore të komunistëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941–1944)

October 31, 2021 by s p

Luan Dode/

Për herë të parë në periudhën paskomuniste paraqitet një monografi mbi historinë e ngritjes dhe të veprimtarisë së Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) në periudhën e parë të jetës së saj, që përfshin harkun kohor nga ngritja në nëntor 1941 deri në ardhjen në pushtet në nëntor 1944. Në trajtimin e mëposhtëm, për orientim në kllapa katrore tregohen faqe të librit në fjalë, nga ku mund të gjendet burimi origjinal. Shtabi i komunizmit botëror –  Internacionalja e Tretë Komuniste – (IK), që me akronimin rusisht u quajt shkurt Komintern, i cili në kohën kur lindi më 1919  ishte institucioni më  i pasur në botë [2, 4-5], pasi kishte dështuar në Shqipëri për 20 vjet, në fillim të vitit më 1939 ngarkoi Patinë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) për të ndihmuar në ngritjen e një partie komuniste në Shqipëri [33]. Nga ky vendim dilnin prej Kominternit dhe fondet përkatëse për subvencionimin e partisë së re. Por, për shkak të Paktit të mos-sulmimit Molotov-Ribentrof,  PKJ u zgjua nga gjumi jo kur Vehrmahti gjerman sulmoi dhe shkatërroi Jugosllavinë më 6-18 prill, por më 22 qershor 1941 kur ai sulmoi Bashkimin Sovjetik, burimi ideologjik e financiar për partitë komuniste. [35]

Kështu, në gusht-shtator të atij viti, të dërguar në Tiranë si të deleguar të PKJ e të pranuar edhe si përfaqësues të Kominternit, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha punuan për rreth tri javë për të vënë në hulli krerët e tre prej grupimeve kryesore komuniste – të Grupit Komunist të Korçës (GKK), Grupit Komunist të Shkodrës (GKSh) dhe Grupit Komunist të Të Rinjve (GKR) – për t’u bashkuar në një parti të vetme [40]. Dy instruktorët e PKJ uzurpuan KQ të PKSh [53-54]. 

Terrori kriminal filloi të indoktrinohej te komunistët shqiptarë prej dy emisarëve të PKJ që në ditët e para të punës së tyre. Dushan Mugosha shkruan se në një nga temat që zhvillonte nëpër mbledhje me komunistët shqiptarë përpara formimit të partisë komuniste ishte dhe “terrori individual”. Në një nga ato mbledhje ai kishte hasur kundërshtimin e Isuf Keçit anëtar i GKR, i cili duke shprehur pikëpamjen e grupi të vet, nuk ishte për terrorin individual [222]. 

Veterani komunist, këpucari Pandi Kristo [44, fundshënim nr. 4], ish-anëtar i Byrosë Politike  të Komitetit Qendror (KQ) të PKSh, më pas i dënuar me burg e internim prej shokëve të vet, duke përmendur vrasjet e para brenda radhëve komuniste – vrasjen e Niko Xoxit dhe të Gaqo Plakut – të cilët sipas tij u dënuan me vdekje nga treshja Miladin-Dushan-Enver –, thotë se deri para ardhjes së instruktorëve të PKJ nuk kishte pasur asnjë lloj praktike të tillë [222].

Në zgjedhjet e para lokale të Partisë, në krye të Komitetit Qarkor të Tiranës për periudhën dhjetor 1941 – prill 1942 u zgjodh Halit Petrela anëtar i ish-GKR i cili si i tillë në prill 1942 u përjashtua nga Partia.  Pas prillit 1942  ‘Partia’ e dënoi me vdekje H. Petrelën si «i pakënaqur», “motivacion ky në modë në atë kohë”, shkuan militanti komunist ish-anëtar i KQ të Partisë së Punës (PPSh) – siç u quajt PKSh pas vitit 1948 –, Todi Lubonja, i cili shumë vite më pas i jetoi vetë burgjet e tmerrshme të pushtetit për të cilin luftoi. [Përkatësisht: 65, fundshënim nr. 5./ T. Lubonja, Nën peshën e dhunës: kujtime. Tiranë, Mësonjëtorja, 1998: 259.]

Në fillim të shtatorit 1943 veterani komunist marangozi Kristo Themelko, anëtar i KQ të PKSh, komisar politik i çetës së Pezës, (që po ashtu ka qenë burgosur e internuar nga Partia e vet), i shkruante Gogo Nushit (Sekretar politik i Komitetit të Partisë të rrethin të Tiranës): “Keq me ballistët, gjithkund duhet të luftohen me rreptësi që t’i zhdukim fare” [211, fundshënim nr. 2]. Më 25 tetor Themelko i shkruante  Nushit  se i kishin sjellë në Pezë dy të rinj ballistë “ish studentë”, të arrestuar si “të rrezikshëm”. Ai mendonte “me i pastrue këta derra në rast se janë të rrezikshëm”. Pasi pyeste çfarë duhej bërë me ta, me humor makabër shtonte: “ne jemi ushtarakë dhe do t’i zhdukim; sa për kështu jemi të fortë ne të Pezës”. Del se Myslim Peza, komandant i çetës dhe zëvendëskomisari Masar Shehu nuk ishin për vrasjen e dy të rinjve. Dy të rinjtë Besnik Ҫano 22 vjeç (Ҫano, në prill 1943 ndërpreu studimet në Itali dhe u kthye në atdhe për të luftuar kundër pushtuesit. U bashkua me Ballin Kombëtar.) dhe Qeramudin Sulo, 21 vjeç, pasi u mbajtën të arrestuar pak ditë në Pezë, u masakruan barbarisht dhe u vranë më 29 tetor 1943 diku midis Pezës e Kavajës nga Papa Hasani prej Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, të sjellë në Pezë prej Mugoshës [225]. 

Le të përmendim se në kongresin e VII të Kominternit u freskua çështja e luftës  civile të ngritur në Kongresin II. Aty u tha: “Detyra kryesore e partive të Internacionales Komuniste është (…) kthimi i luftës imperialiste në luftë civile” [208]. Në raportin e përgatitur për Kominternin (të padërguar) Koço Tashko shkruante: “nuk harrojmë që edhe pas fitores në Frontin Sovjetik, do të kemi edhe një tjetër periudhë lufte civile brenda këtu në Shqipëri” [208, fundshënim nr. 4.]

Si hap paraprak drejt luftës civile mund të konsiderohen mynxyrat e kryera nga Brigada e Parë e UNҪ që u ngrit më 15 gusht 1943, me 556 partizanë të zgjedhur [197]. Ngritja e saj që përkoi me ardhjen e oficerëve të parë britanikë pranë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, u shoqërua pra me instruktimin e pajisjen e partizanëve. Komandant i Brigadës u caktua krimineli i njohur që në atë kohë, Mehmet Shehu ndërsa komisar politik marangozi Tuk Jakova anëtar i Politbyrosë së PKSh. Pas pesë ditësh Shtabi i Përgjishëm (ShP) emëroi zëvendëskomisar Dushan Mugoshën. Jakova ankohet se në Brigadë ishte një “askush” para Dushanit [197-8]. Tashti, duke qenë pranë shtabit komunist dhe komandant i Brigadës I, Mehmet Shehu e kuptonte pse nuk kishin qenë me vend kritikat që ai bashkë me të tjerë kishin bërë në adresë të çetave të rajonit të Korçës për mungesën e veprimtarisë luftarake kundër armikut [139] ; ata nuk e kishin kuptuar kush ishte armiku i vërtetë për komunistët. Herët Misioni Britanik do të arrinte në përfundimin se detyra kryesore që iu caktua Brigadës I nuk ishte lufta kundër pushtuesve por “për të luftuar kundërshtarët politikë” [197, 199]. Në studimin Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore,  jepen dokumente të cilat tregojnë qartë kërkesën e KQ të PKSh – mund të themi të dyshes Popoviç-Hoxha – ndaj bazës komuniste, për luftë civile [209-211, 212-214 , 216-218.]. Komunistët erdhën në fuqi tamam nëpërmjet të asaj lufte që u shoqërua me terror e me krime mizore.

Nga Brigada I, deri në tetor1943 në katundet Surrel, Priskë dhe Pravesh të rrethit të Tiranës janë torturuar e pastaj pushkatuar mbi 60 vetë. Me 9 tetor në katundin Priskë e Madhe të rrethit të Tiranës, Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha urdhëruan vrasjen pa gjyq të 13 nacionalistëve, mes tyre dhe 6 gjindarmëve të Postës së Gjindarmërisë së Priskës, të dorëzuar në besë. Ata u torturuan të gjithë. Me propozim të Shehut dhe me miratim të Ramadan  Ҫitakut, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, rreh 16 tetorit Brigada I me komandant Shehun dhe komisar Jakovën pushkatoi në Malin me Gropa afër Labinotit (Elbasan) 140 karabinierë italianë të dorëzuar së bashku me disa oficerë, dy nënkolonelë dhe komandantin e karabinierisë në Shqipëri kolonelin Gamuçi, për t’iu marrë teshat. Kur ishte në Dumre, Mehmet Shehu, njëherazi kryetar i gjykatës së Brigadës I, urdhëroi pushkatimin e 60 ballistëve të dorëzuar në fshatin Matjan të Myzeqesë. Shehu dhe Jakova raportojnë se ndërkohë kishin bërë tre aksione kundër gjermanëve por nuk flasin për ndonjë ushtar gjerman të plagosur [223-4]. Problem ishin bërë dhe vrasjet brenda Brigadës I, që bënte çifti Shehu-Mugosha [199, në fundshënim nr.1; 222.]. Dejvid Smajli (David Smaili) shkruan për Shehun: “Lavdërohej se ai vetë kishte therur 70 karabinierë italianë të zënë robër” [197, në fundshënim nr.7.]. Më 18 tetor teqepunuesi Koçi Xox, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, i shkruante E. Hoxhës se “pas vrasjes së gjithë shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë prej çetave tona”, pritej të shpallej sot a nesër gjendja e luftës me Ballin [225]. Më 22 nëntor Enver Hoxha i shkruante Kristo Themelkos: “Përsa i përket atyre që kanë dezertuar (nga luftimet) e sidomos shokët si Stav(ri), mos i (përjashto nga  Partia), po i thirr  në Pezë, i (kalo) në gjyq dhe i pushkato” [226]. Nako Spiru i shkruante Popoviçit: “Më 7 mars 1944, Brigada I vrau Haki Blloshmin , zuri 200 robër (dhe) vrau disa nga krerët ballistë: Xhevdet Blloshmi, Bame Trebinja, Sadik Betrebi, Xheladin Ago Selca, Adem Ago Velçani, Adem Kapri dhe të birin e Hasan Bej Velçanit. (…). Në zonën Librazhd-Martanesh vrau 28 krerë të Ballit (sipas Ҫelo Hoxhës viktimat ishin banorë të thjeshtë të fshatit Peshk të Martaneshit” [226]. Me një letër të 21 marsit Hoxha dhe Spiro Moisiu (komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) urdhërojnë goditjen dhe marrjen e Pogradecit dhe të Starovës. Për Starovën porositej “kapja e bejlerëve” dhe “djegia e shtëpive të tyre”; për Pogradecin shpresohej që, “veç suksesit politik”, “mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës I” [226]. Në një letër të 22 prillit që Stefan Dh. Grabocka i dërgonte ShP te UNҪ shkruan se thuhet se në Grabockë nuk kanë mbetur më shumë se 7-8 shtëpi. Sipas tij “prej Korçe ishin kënaqur mjaft duke parë flakët e shtëpive të fshatit Dërsnik të ndritnin natën në errësirë” [227]. 

M. Popoviçi dhe bashkangjitur E. Hoxha me shokë, në vend të dënonin veprimet për rekrutime me forcë [Shih: Ҫelo Hoxha, Krimet e komunistëve …, p.sh.: 207, 217, 218, 219, et..] të cilat sillnin dezertime, jepnin udhëzime e urdhra për të dënuar dezertorët. 

Një tufë aktesh kriminaliteti janë porositë e dhëna nga Enver Hoxha apo hapa të marra personalisht prej tij për zhdukje kushërinjsh e miqsh, shokësh komunistë apo personash të tjerë, me porosi  dërguara N. Spirut, G. Nushit e të tjerëve për ‘dekorim’ (që kishte kuptimin  “ekzekutim me plumb ballit”), si për shembull për Sotir Kondin, Zef Malajn ish-krytari i GKSh [306], për Anastas Plasarin  një autoritet i Grupit Komunist Zjarri (GKZ) [308], Mustafa Gjinishin  figurë sfiduese për E. Hoxhën, apo për Llazar Fundon. Për Fundon, që kishte qenë një veprimtar i shquar i Kominternit [Lazitch, B. and  Drashkovitch, Biographicall…, California, 1986: 131.], por që kishte dënuar krimet e kryera nga Stalini [34, fundshënim nr. 4], Hoxha duke menduar se tregonte bindje ndaj Titos që kishte qenë nga kolonelët e Kominternit, jepte një porosi të llahtarshme: “Fundon, ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni” [133, fundshënim nr. 2]. Më 16 gusht 1944, në fshatin Ndëran të Zagorisë  urdhëroi pushkatimin e përfaqësisë së Gjirokastrës të përbërë nga Xhemal Babameto, Neki Xheneti dhe Vehip Hasani, duke qenë vetë në Odriçan, disa kilometra nga Ndërani [Musta–Kokalari, 45].  Në shtator të vitit 1943, tashmë formalisht në krye të PKSh, Enver Hoxha ka shkuar personalisht në Fier për të organizuar vrasjen e shokut dhe kushëririt të vet Abas Omarit, djali i vajzës së “babait” të Enverit  – të baba Ҫenit  – i cili e kishte strehuar Enverin në Paris edhe pas prerjes së bursës universitare. Aksioni dështoi por  pas  ‘çlirimit’, më 1945  Abaz Omari u dënua me vdekje dhe u pushkatua, e jo siç pretendon E. Hoxha se qenka kapur nga partizanët të cilët e paskan pushkatuar. [Përkatësisht Hoxha, Vite të rinisë: 185./ Musta–Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, Tiranë 1966: 24-25.  

Në ditët e zeza të ‘çlirimit’ të Tiranës komunistët vranë pa gjyq mbi njëqind vetë para portave të shtëpive, nëpër rrugë apo nëpër bodrume [299-300]. Përgjigjet që u ka dhënë E. Hoxha   bashkëshorteve të Vesim Kokalarit dhe të Surja Kokalarit të vrarë në bimsat e një hoteli, janë   çnjerëzore [Musta–Kokalari: 46, 50]. N. Spiru ka thënë: “Vrasjet në Tiranë janë një mur edhe më i madh” [308].

Rastet konkrete janë të shumta. Për ato që janë të dokumentuara nëpër arkiva rekomandojmë librin e Ҫelo Hoxhës me titull Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945 (dokumente), Tiranë 2014,  ku tregohen krimet e bëra nga PKSh  dhe Ushtria Nacionalçlirimtare. Në fund të librit jepet një listë me  265 emra (të radhëve partizane) të cilësuar «Përgjegjës për krime lufte».   

Për përgjithësime po paraqesim diskutime të  bëra  në Plenumin e 2-të KQ të PKSh të zhvilluar në Berat pak ditë para çlirimit, më 23-27 nëntor 1944, ku është shqyrtuar dhe lufta civile e terrorizmi si metodë pune në PKSh [305-309]. Enver Hoxha, duke dashur të tregohet se i rëndon shumë gjendja e krijuar, rrëfehet: “Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i Partisë ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit (…) Shokët tanë e kanë humbur këtë gjë, e në radhë të parë, udhëheqësit, e përmbi ta anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne (…) të zhdukin anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”. “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu (Popoviçi) me Lirinë (Gegën) (…) Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut”. Tuk Jakova, që hiqet sikur s’ka qenë i pranishëm në veprime terroriste masive, kritikon: “Qysh në fillim me lindjen e ushtrisë (…) zhvillohet tendenca terroriste. Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq dhe pa faj. Këtë frymë e ka futur Dushani. (…) Kështu ushtria sot duket sikur ka dalë të mbysë popullin”. Sipas H. Kapos: “Gjëja më e keqe ka qenë fryma terroriste si në organizatat (e Partisë) ashtu dhe në ushtri. (…) Shpirti terrorist ekziston edhe sot, edhe te përgjegjësit. (…) Këtë shpirt e ka futur Dushani që na fliste me simpati për një punë të tillë. (…) Te Shulja (K Themelko) unë shoh fytyrën e Dushanit e të Miladinit”. Manush Myftiu thotë: “Edhe në Vlorë ne kemi menduar se ata që s’ishin me ne, duhej të zhdukeshin. Kishim një listë prej 42 vetash që i kishim dënuar me vdekje dhe një pjesë e tyre s’kishte faj. (…) Me Mehmet Shehun kemi biseduar, meqë Shqipëria do të çlirohej shpejt dhe popullit do t’i jepej mundësia e zgjedhjeve, reaksionarët duheshin zhdukur që më parë”. Sejfulla Malëshova kritikon:  “Mënjanë e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si hero përpara popullit dhe Partisë. (…) Me terror po i zgjidhim të gjitha punët. (…) I masim shokët nga brutaliteti dhe kriminaliteti”. Përfaqësuesi jugosllav që komandonte Plenumin, koloneli Velimir Stojniç, tha: “Në Partinë tuaj ka shumë shembuj që tregojnë se kanë rënë koka të pafajshme të anëtarëve të Partisë. (…) Unë jam dakord me Sejfullaun (Malëshovën) që thotë se Partia ka marrë rrugën e degjenerimit në një bandë kriminelësh”.

Raste karakteristike: N. Spiru ka thënë: “Kur ne shkojmë në Veri me forca kaq të gjera dhe vihemi në kontakt me popullin, në vend që të bashkohemi më shumë me popullin, ne i kallim atij tmerrin” [221].

Në një letër që Liri Gega, si përfaqësuese e KQ të PKSh pranë forcave partizane që kishin shkuar në Veri, i dërgon shokut të vet të ngushtë, Miladinit, shkruan: “Duke luftuar kundër reaksionarëve shqiptarë, nuk po i vjen radha të luftojmë gjermanët. Kam frikë se (…) do të harrojnë partizanët luftën me gjermanët” [222]. 

Në Plenumin e mësipërm Enver Hoxha dhe shokët e tij pohuan qartësisht se gjatë gjithë kohës së Luftës nuk kishin qenë veç nxënës së dy instruktorëve të PKJ – të Miladinit dhe të Dushanit –, dhe se praktikisht Komiteti  Qendror i PKSh identifikohej me Miladin Popoviçin. (302-305)

Shtojmë se në botimin e librit Partia Komuniste Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore mungojnë  treguesit e emrave të njerëzve dhe termave gjeografike. Këto të dhëna gjenden dhe mund të kërkohen me postë elektronike pranë autorit (luandode@hotmail.com).

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Dode

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT