Erion Muça/
Të rinjtë shqiptarë nuk largohen vetëm nga paga por mentaliteti, klima, mosvlerësimi, mostrajtimi, mungesa e politikave, zhgënjimi nga realiteti, mungesa e prespektivës, mungesa e meritokracisë, e ardhmja e mjegullt dhe mungesa e dritës në fund të tunelit përforcuar vazhdimisht edhe nga ata që duhet ta afrojnë dhe ndriçojnë sa më shpejt dhe sa më shumë atë. Nuk mund të flasim për nivelin e ulët të pagave dhe të mos flasim për pabarazitë sociale dhe ekonomike ku pushteti financiar dhe kapitali politiko-ekonomik është përqëndruar në pak duar e ku shteti përpiqet me ngulm të jetë punëdhënësi më i madh, në vend të përpiqet të promovojë barazinë, meritën, konkurencën e ndershme dhe ndërtimin dhe funksionimin e sistemit me anë të strategjive dhe politikave të veta. Të rinjtë shqiptarë largohen se atë që kërkojnë e gjejnë pjesërisht këtu dhe për këtë fajin e ka politika dhe politikat pa dallim krahu e pushteti. Për këtë fajin e ka makutëria dhe mania narciste për fitime të paskrupullta nga padituria, korrupsioni dhe rryshfeti e të gjithë atyre që kanë në dorë të optimizojnë dhe favorizojnë tregun e brendshëm të punës duke e bërë joshës për të rinjtë e që të cilët me injorancën, neglizhencën, indiferencën dhe keqdashjen janë e do të jenë fajtorë të përhershëm të këtij eksodi që po ndodh. Të rinjtë shqiptarë duhet të gërmojnë dhe eksplorojnë çdo hapësirë dhe mundësi që ofron tregu shqiptar i punës të cilat janë të larta por dhe shumë specifike ku kërkohet edhe pak hulumtim. Të rinjtë duhet të bëjnë një analizë të ftohtë të humbjeve dhe përfitimeve midis largimit dhe qëndrimit për të marrë objektivisht kostot përsipër për çdo të papritur të çdo rasti. Të rinjtë duhet të mësojnë se çfarë kërkon tregu dhe ti përgjigjen me njohuri dhe formim për të bërë atë që duan dhe të arrijnë ku synojnë. Të rinjtë duhet të dinë dhe të jenë koshient që të jesh “i huaj” ka një marzh humbjeje menaxhimi i të cilit është i ndryshëm midis të rinjve apo vendeve ku ato synojnë të shkojnë. Të rinjtë duhet të përpiqen që të marrin në dorë fatin dhe politikat e vendit për ta bërë atë në ide, koncept e mendime e jo ta braktisin me shprehjen zhargon ” ky vend nuk bëhet” pasi janë të rinjtë energjia, vitaliteti, misioni, vizioni dhe revolta e tyre e formësuar në strukturë dhe zbatuar e imponuar si sistem përballë realitetit të përgjithshëm e vetmja rrugëzgjidhje për të qëndruar dhe parë me optimizëm të ardhmen brenda vendit.