• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Dekorohen ushtarët e Kosovës, ishin përkrahë Forcave Amerikane…

October 25, 2021 by s p


-Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni i parë ushtarak jashtë vendit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s /


-Atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit/


PRISHTINË, 25 Tetor 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/


Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021
Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për: major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.
Me këtë rast, zv.ministri Syla, në emër të ministrit Mehaj theksoi se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët tanë që bënë historinë për Republikën e Kosovës me zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, theksoi zv.ministri Syla.
Me këtë rast, ai falënderoi partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës.
Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i përgëzoi pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Gjeneral Rama falënderoi ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
“Falë partnerëve tanë strategjikë ne tani nuk jemi konsumues të sigurisë por edhe e prodhojmë atë. Ky ka qenë misioni jonë, të kontribuojmë sa më shumë në paqen globale”, theksoi ai.
Gjithashtu, Gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.
Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit. “Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.
Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari

Pink October with Albanian Women in USA

October 25, 2021 by s p


Nga : Arjola Alldashi

Redaktoi: Luljeta Xhediku

Gratë dhe vajzat shqiptare të grupit Albanian Women in USA u mblodhën sërish bashkë në këtë të diel të ftohtë tetori. Arsyeja që i mblodhi bashkë sot këto gra dhe vajza ishte tepër e rëndësishme, ato u mblodhën së bashku në emër të jetës, për t’i bërë ballë së bashku sëmundjes që mban emrin kancer i gjirit. Secila nga pjesëmarrëset kishte dikë në mendje. Dikush ishte në emër të asaj nënës që humbi bijën, një tjetër për bijën e birin e vogël që humbën nënën, në emër të një motre e një shoqeje që sot nuk jeton më. Gratë dhe vajzat që u mblodhën sot ishin gjithashtu në emër të atyre heroinave që e mposhtën këtë sëmundje, por më e rëndësishmja ato ishin bashkë në emër të atyre që po luftojnë me këtë sëmundje për t’ju thënë që ato nuk janë vetëm, për t’u dhënë forcë e kurajë për të vazhduar, për të gjetur fuqinë brenda vetes ashtu si vetëm gratë e vajzat mund ta bëjnë dhe më e rëndësishmja për të ndërgjegjësuar që nuk duhet të presim simptoma për të shkuar për një kontroll te mjeku. Pink ishte ngjyra e sotme, si dashuria për jetën, si mirësia dhe si vetë femra. Në mesin e pjesëmarrësve ishte Adelina nje grua e diagnostikuar me këtë sëmundje. Mes frikëso për atë që e priste, dhimbjeve që ndiente, me tmerrin që jetoi, e gjendur mes frikës se nuk do t’i shihte më kurrë bashkëshortin, fëmijët, prindërit, shoqërinë, se nuk do mundte dot t’u gëzohej arritjeve të askujt, ndjeu më tepër dhimbje. Mes asaj dhimbjeje gjeti dhe forcën të luftojë kancerin e gjirit dhe sot kryelartë, me emocion për ato që e kanë kaluar me sytë plot jetë që i shkëlqenin dhe me lutje që të gjitha ato që vuajnë këtë sëmundje të bëhen mirë, ndau me ne eksperiencën më të tmerrshme të jetës së saj. Albanian Women in USA, në kuadër të muajit tetor, muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit organizoi për të dytin vit një takim simbolik me vajza dhe gra të veshura me ngjyrën pink, të ardhura nga disa lagje të New York-ut duke u mbledhur këtë të diel në Prospect Park! Sipas statistikave, kanceri i gjirit sa vjen edhe rritet nga viti në vit. Prandaj duhet të ndërgjegjësojmë veten dhe të tjerët! Të mos neglizhojmë vizitat, ta mundim këtë sëmundje të shekullit dhe të tregojmë sesa të forta jemi ne gratë. Ky takim u shoqërua me njohje të reja mes vajzave dhe grave shqiptare, ku nuk munguan fjongot pink për secilën, shpërndarja e broshurave në gjuhën shqipe dhe ëmbëlsirat ngjyrë pink përgatitura me aq shumë dashuri nga Alketa, një tjetër vullnetare që iu bashkëngjit kësaj kauze.Nga : Arjola Alldashi Redaktoi: Luljeta Xhediku

Filed Under: Komunitet Tagged With: Arjola Alldashi

Në Kalabri, pikëtakime me personalitete të shquara arbëreshe

October 25, 2021 by s p

Rexhep Rifati/


Gjatë vizitës me ekipin e platformës “prointegra.ch” nga Zvicra, sidomos në Kalabri patëm rastin të takojmë personalitete të shquara nga bota e shkencës, artit dhe kulturës. Në Shën Sofia takuam profesorin e shquar dhe drejtuesin e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kozencës, Prof. Francesco Altimarin, ndërsa në Ungër (Lungra), profesoreshën e Baletit Brunilda Lato e cila prej vitesh punon në dy shkolla në përgatitjen e balerinëve të ri. Po në këtë vendbanim të madh arbëresh, ku edhe ndodhet dioqeza e Kishës e ritit bizantin, takuam edhe këngëtarin e shquar Franccesco Maria Fraga, të quajtur edhe “Princi” , e cili na dhuroi edhe diskun e tij me këngë të lehta arbëreshe.
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Gjatë këtyre takimeve mikes dhe artistes së mirënjohur Brunilda Lato, ish-primabalerinë në Ansamblit Shtetëror të Shqipërisë, që me të migruar në Itali themeloi Qendrën e Vallëzimit “Paganini” në Firmozë ( (Acquaformosa) e kam takuar edhe më parë edhe në Shqipëri e Itali me grupe arbëreshe, i dhurova edhe librin tim m bi shtegtimet në trojet shqiptare në shenjë falënderimi për kontributin e saj në afirmimin e kulturës arbëreshe e sidomos dhe ngritjes së talenteve të ri arbëresh deri në nivele kulmore të artit.Në këtë rrugëtim dje takuam edhe skulptorin e shquar preshevar, Hevzi Nuhiu, që prej afro dyzet vitesh jeton dhe krijon në Shën Mitër ( San Demetrio Corone) skulptura unikale që janë ekspozua dhe kanë bërë nujë edhe në qendrat më reprezentative jo vetëm brenda Italisë por edhe më gjerë.Për punën dhe veprimtarinë artistike të këtyre personaliteteve e shqiptare, por që jetojnë e krijojnë në ngulimet arbëreshe, por edhe rreth 20 katundeve që vizituam brenda javës, portali ynë prointegra do shkruaj ditëve dhe javëve që pasojnë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Rexhep Rifati

RAZMA, PERLA E ÇDO STINE

October 25, 2021 by s p

Dritan Zaimi/

Përshëndetje miq të udhëtimeve te mia. Sot do të vizitojmë Razmën, këtë perlë të natyrës shqiptare, e mrekullueshme dhe e lakmueshme në çdo stinë. Është ëmbëlsira që ti mund ta shijosh e shijosh, dhe të mos kesh frikë se “shëndoshesh”. Sinqerisht, Razma të ofron më të mirën e gjithçkaje, është një portë hyrëse drejt alpeve, ku mund të shijosh vjeshtën, dimrin, pranverën dhe verën, dhe të mos shqetesohesh asnjëherë nga kapriçot e motit, nga rrugët e bllokuara apo të tjera siklete dhe shqetësime më se të zakonshme dhe të shpeshta në zonat më të thella malore, ku veçanërisht dimri ka të papritura të shumta që edhe mund të rrënojnë eksperiencën tënde të udhëtimit. Jo, Razma është fatlume, sepse ajo është vetëm 900 m mbi nivelin e detit, ku mund të përjetosh klimën dimërore, në dimër a verë. Razma nuk është e futur thellë në male, ajo është një portë hyrëse dhe si rrjedhojë edhe lehtësisht dalëse në çdo situatë kërcënimi nga moti, sepse Razma, e Komunës Shkrel në Shkodër, është vetëm rreth 1 orë nga qyteti i Shkodrës dhe rreth 2 orë e gjysëm nga Tirana, ndaj me plotë gojë të them është një arratisje e ëmbël nga rutina e përditëshme.Dhe çdo vizitë në Razëm ia vlen, një kurorë të gjelbër në çdo stinë. Razma i ngjante një Zvicere të vogël, kishte strukutra të lehta akomoduese, shtëpi private apo hotele të ulëta deri në pak kate. Shtëpitë zhyteshin në gjelbërimin e pyllit dhe fshiheshin midis drurëve dhe pyjeve. Në këtë ditë mes-vjeshte vizitorët ditore janë të shumtë por jo aq sa të ndihesh i bezdisur, ndërkohë që shumë shtëpi e vila private ishin pothuaj bosh e të vetmuara, dhe kjo kuptohet që pushimet kanë kohe që kanë mbaruar dhe pronarët ia janë kthyer rutinës së tyre. Por gjithmonë do të gjeje qenin roje tek porta, shumë miqësor që nënkupton se janë mësuar me vizitor dhe po kështu tregon që këtu jeta vazhdon çdo ditë.Sa e lakmueshme kjo qetësi këtu. Ngopesh me ajër të pastër dhe dëgjon këngën e zogjve dhe fëshfëritjen e gjetheve. Dhe pasi ke shëtitur në pyllin përreth, ulu në një nga lokalet rreth sheshit të Razmës, ku janë ngritur disa restorante dhe hotele që gërshtohen me karakteristikat e zonës dhe respektojnë natyrën . Të futur mes gjelbërimit, të shijon edhe më shumë ushqimi bio këtu. Mund të porositësh çfarë do lloj pjate dhe do të shijosh ushqimin bio dhe cilësinë e gatimit. Lejoi pak nga perfeksioni cilësisë së shërbimit, që ëdhë në këtë zonë ka nevojë të përsoset si gjithkund në Shqipëri. Dhe më dëgjo mua, nuk do të shijojë as një birrë apo verë më shumë sesa uji i ftohtë i kësaj zone. Apo merre drekën me vete dhe ulu mes gjelbërimit në livadh, lejoi fëmijët e tu të vrapojnë të lirë në hapësirën e blertë, sepse boll janë të kufizuar me “mos këtë e mos atë” në qytetet tona plot zhurmë, pluhur e beton. Arratisu vetëm apo me familjen dhe shijojë këtë parajsë të vogël me gjithë forcën e shpirtit tënd.E nëse je nga Tirana a përreth, ti mund ta mbushësh fundjavën plot me eksperienca dhe aventura nëse zgjedh të vizitosh Shkodrën me pedonalen, të vizitosh shëtitoren dhe të shijosh pamjen e mrekullueshme buzë liqenit në Shirokë, nësë të pëlqen më shumë deti atëherë shko më tej dhe shijo bukuritë e Velipojës. E nëse ende nuk je ngopur me hapësirat ujore, atëhere ngjitu në kalane e Rozafatit, përhumbu mes legjendesh dhe sodit nga lart lumenjte Bunë e Drinë dhe pamjen prej së largmi të qytetit të Shkodrës. Dhe të gjitha këto atraksione janë afër njëra tjetrës, të aksesueshme gati me sy të lirë. Pra çfarë do të deshiroje më shumë: male, det, lumenje, liqene, kulturë, kala e histori , ushqim bio, dhe padyshim humor e këngë prej të bukurës Shkodër. Kështu pra nisu për në Razëm dhe ktheje ditën tënde në një festë!

Filed Under: Komente Tagged With: Dritan Zaimi

ME VOTIMET NË QYTETET U HAP NJË FAZË E NDRYSHME

October 25, 2021 by s p

Nga MASSIMO FRANCO/

Fitorja e qëndrës së majtë, veçanërisht e PD, është e pastër: në Romë e Torino, mbas Milanos, Napolit e Bolonjës të fituara në rradhën e parë. Po ashtu e tillë është edhe humbja e qëndrës së djathtë, që mban vetëm Triesten e fiton në Kalabri; dhe në brendësi të saj e përbërëses populiste si të Legës si të Vëllezërve t’Italisë. Por në gjithë brendësinë e sistemit politik zgjatet hija e një mosvotimi që sjell elemente paqartësie dhe alarmi për përfundimet. Dhe shtrin një vello të rëndë pasigurie mbi qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të aleancave dhe të ekipeve drejtues. Në fakt, mbas votës së djeshme hapet, nuk mbyllet një fazë e re. Do të fillojnë të shihen përvijimet duke filluar nga zgjedhja e presidentit të Republikës, në shkurt 2022. N’atë çast do të formësohen të tjera aleanca. Do të kuptohet nëse kryeministri Mario Draghi do të mundet të verë në siguri ndihmat evropiane, pa qënë i frenuar, o akoma më keq i bojkotuar nga hakmarrje apo shkurtore zgjedhore. Enriko Letta, sekretari i PD thotë se opinioni publik është më përpara se partitë. Ka kryer në kutitë e votimit një saldim që grindshmëria e së majtës dhe protagonizmi i kryebashkiakeve nuk ka arritur t’a prodhojë. Por pasojë e domosdoshme e këtij pohimi është nevoja për të përimtuar në thellësi arsyen se përse më shumë se gjysma, në disa raste madje dy votues në tre, kanë mbetur në shtëpi. Letta ka shtuar se suksesi i djeshëm i kushtohet bashkësisë së rrjeshtimit të tij. Ndoshta. Megjithatë, më shumë se e bashkuar qëndra e majtë është treguar e njësishme: meritë e padyshimtë, për t’u vërtetuar me kohë. Në mënyrë paradoksale, është ajo që nuk ka treguar qëndra e djathtë. Është paraqitur e bashkuar por jo e njësishme; madje, në mënyrë të maskuar grindavece dhe e ndarë. Kundërshtia për të drejtuar ndërmjet legistit Matteo Salvini e Xhorxhia Melonit të Vt’I, së fundi i ka dëmtuar që të dy; e është pasqyruar tek kandidatët, të mirë apo më pak të mirë që ishin: me Silvio Berluskonin në rolin e vëzhguesit të dyshimtë. Qarja për këtë dukuri për të përligjur humbjen bie erë vetëshkarkimi dhe alibie. Është përgjegjësi e partive që i kanë thirrur, fakti që nuk kanë arritur t’i sjellin votuesit në kutitë e votimeve. Prandaj, që sot hapet një çështje që ka të bëjë me çdo forcë politike. Por një gjë është të riorganizohen aleancat mbi bazën e miratimit fitues, e tjetër është të rifillosh ecjen nga një humbje që djeg më shumë nga mëtimi i të qënurit shumicë në Vend. Për PD në fakt çështja është si të gjejë edhe me aleatët atë “fushë të gjërë” të thirrur si një synim por ende për t’u sendërtuar; e lrijuar nga zgjedhësit por e katandisur në një karikaturë nga kujtesa e ndarjes së rencianëve dhe nga mekja e boshtit me L5Y të Xhuzeppe Contes. Megjithatë, përceptimi është se ndershmëria kundrejt qeverisë Draghi dhe evropeizmi e bëjnë partinë e Lettës një qëndër tërheqjeje edhe për aleatët: edhe se herë herë mbytëse. Kështu një grilizëm tashmë mbeturinor, mund të paraqesë, në sajë të afërsisë me PD, ndonjë kromozom evropeist. Ndërsa qëndra e djathtë ndodhet në një gjëndje të kundërt e më të ndërlikuar, pjesërisht e varur nga fakti që Lega e FI janë në qeveri, Vt’I në opozitë. Shumë nga vështirësia e Salvinit për të bërë një zgjedhje të qartë ndërmjet përkatësisë në koalicionin e Draghit dhe joshjes së skajshmërisë së Melonit. Por ende më shumë, hipoteka johenike përfaqësohet nga pa-aftësia për të kryer një rishikim të vendosjes së tyre evropiane. Qerrja e luftës dhe Vt’I mbeten të rrënjosur në një arqipelag populist, sa të ndryshëm aq dhe agresiv, të paracaktuar për veçim. Evroskeptiçizmi i zhurmshëm dhe i herëmbashershëm i tyre dobëson pozitat pro-BE të Berliskonit. Aq sa vjen vetvetiu pyetja nëse mungesa e kthesës evropiane varet nga një e metë vullneti, apo nga pamundësia e Salvinit e Melonit për të këmbyer lëkurën, vlerat dhe njëmendësinë. Mbetja e llogarisë është megjithatë negative. Luhatja ndërmjet qeverisë e opozitës, mosbesimet, kandidaturat e vona e të kompromiseve kanë bërë që e djathta të mbante në votimet e dyta zgjedhësit e herës së parë, pa mundur të kalojë rrethimin kulturor e të përqindjeve që e dënojnë me humbje. Më shumë se një koleksion gabimesh qemë të pranishëm në një rast vigan të hedhur poshtë. Qytete si Roma, Torino, Napoli ishin më shumë se të mundshëm për t’u fituar: deri n’atë pikë sa pesë vite më parë në dy prej tyre kishte fituar Lëvizja Pesë Yje. E thëna më e përhapur është se zgjedhjet politike pothuaj kurrë nuk shkelin mbi gjurmët e atyre vendore. Është e vështirë të mohohet. Megjithatë, në një stinë ndryshimesh të mëdha, qëndra e djathtë duket se zbulohet më pak e pajisur se sa e majta për të kuptuar se çfarë po ndodh. Nuk mjafton të vetëquhesh, madje edhe të jesh shumicë politike në Itali, nëse mbrapa nuk je në gjëndje të tregosh kah përgjegjësie e aftësi qeverisëse. Rreziku trasversal që spikat në sfond është kthimi i mosvotimit në zemërim; e të gënjyerit se mund të kalërohet në dobinë tënde. “Corriere della Sera”, 18 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT