• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA  E  SHPIRTI I POPULLIT  SHQIPTAR

October 23, 2021 by s p

Pergatiti: Daniel GAZULLI dhe Fritz RADOVANI (2010)/

Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e  ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.

Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian. 

Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje. 

Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:

Kur në shkollë zbutun shqiptari,

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ket kapun ai punën,

Shqipnisë fati do t’i çilet taman.

Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:

Porsi kanga e zogut t’ verës,

Që vallëzon n’ blerim të prillit;

Porsi i ambli fllad i erës,

Që lëmon gjinjtë e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,

Porsi ushtima e një tërmeti,

Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!

Në çdo fushë ku veproi Ai, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa e sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit te muzika, prej humorit tek politika…

Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit shqiptar.

Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

Melbourne, 23 Tetor 2021. (Pjesë nga libri per At Gjergj Fishten 2010)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fritz Radovanai

NË VEND TË NJË BUQETE ME LULE, (TE VORRI I MUNGUAR), PËR DILINDJEN E AT GJERGJ FISHTES

October 23, 2021 by s p

Nga Ndue  BACAJ

Si sot 150 vite më parë, me 23 tetor te vitin 1871 në Fishtë  të Zadrimes ose në Sapen e Shenjt historike , në shtëpinë plot atdhedashuri e filiza të njomë, (femijë), të Ndokë Simon Ndocit  dhe bashkeshortes së tij Prenda Lazri u dëgjua e qara e një fëmije që po vinte në jetë. Ai fëmijë që i shtohej “grigjës” katolike në zgrip të mbijetesës, do të pagëzohej nga famulltari i njohur arbëresh  Leonard de Martini me emrin  Zef. Zefi i sapo lindur nuk ishte i pari mashkull në trollin e njohun , por si çdo pinjoll i ri në rrajë të vjetra  mban e përtrinë trungun e degët e tij dhe u jep rranjëve sigurinë e jetës , e cila  vijon deri sa  ato të kenë kujt me ia dikue  limfen e tokës nanë…. Pas shkollimit e edukimit Zefi “shekullar” do të merrte emrin fetar, Gjergj.  At Gjergj Fishta , emër i cili do të bëhej simboli i binomit jetdhënes të shqiptarisë FE dhe ATDHE. At Gjergji me punën,  perkushtimin e vepren e tij do të shquhej si kolos i mendimit e veprimit. Poet , publicist , diplomat, filozof, psikolog, dijetar, fetar  e mbi  të gjitha Patriot i  madh pendartë i kombit shqiptar,  patriotizmin  e të cilit e gjejmë të memorizuar në çdo hap të jetes , në çdo varg të rreth  50.000 vargjeve të tij poetike dhe në mbi  700 faqe në prozë , në mediat  e shkruara  ,  në parlament , në poltikën shqiptare të kohes , në konfernca  e  perfaqësime dinjitoze zyrtare e jozyrtare , kombëtare e nderkombëtare  të Shqipërisë etj… “Homeri” shqiptar, poeti kombëtar At Gjergj Fishta, vepren e tij madhore , “Iliaden” shqiptare, “Lahuta e Malcisë” e “vendosi” në djepin ku lindi, u rrit e vijon të “mbijetojë” vegla muzikore me të njëjtin emër (Lahuta), që shoqëroi jetën e malësorëve në ditë të mira e të vështira. At Gjergji në vepren e tij “Lahuta së Malcisë”, perjetësoi e memorizoi historinë patriotike, legjendare , trimërore, shpesh edhe tragjike por krenare  të Malësorëve e  shqiptarëve. Histori, të cilën malësorët e shqiptarët e shkruan me pendë e pushkë … Kjo histori e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe tregon se nuk ka gur, shkëmb, mal, kodër apo fushë  që të mos jenë larë me gjakun e malësorëve e shqiptarëve ndër mote e shekuj, në mbrojtje te lirisë e trojeve tona. Në vargjet e “Iliadës” shqiptare, “Lahuta së Malcisë” , perveç  memorizimit të trimërisë, urtësisë, heroizmit dhe protagonistëve me emra të kësaj historie , ajo  “ruan” të freskët gjakun e derdhur për këto troje, gjak që siç thonë malësorët , rrinë tuj vlue duke mos lejuar kurrë që ky gjak të bëhet ujë…

Unë si malësor që “fati”më ka mundësuar të shkruaj…, jam përpjekur që me rastin e 150 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës  të botoi një monografi me titull: “At Gjergj Fishta, patriot i madh, pendarti i kombit shqiptar” (Në vend të një memorial inga një malësor). Sponsorizimin e botimit të kësaj monografie e ka bërë Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” Michigan-SHBA, të cilën i falnderoj përzemersisht, Ndersa në këtë pervjetor Këshilli i Bashkisë Malësi e Madhe me propozim të kryetarit të kësaj Bashkie z.Tonin Marinaj i ka dhënë At Gjergj Fishtës titullin: QYTETAR NDERI I BASHKISË MALËSI E MADHE, titull që shpresoj të jenë fillimi i nderimit e memorizimit të emrit e vepres të Gjergj Fishtës, në trojet e Lahutëes… 

Ndersa unë ditlindjen e 150 të At Fishtës (23 tetorin 2021), mendova t’a  “përshendes” me poezinë brilante plot afsh atdhedashurie, të  At Gjergj Fishtes me titull Atdheu, poezi e “shkëputur” nga libri me poezi Mrizi i Zanave.

 ATDHEUT

N’ty mendoj kur agon drita, 

Kur bylbyli madhshem këndon, 

N’ty mendoj kur soset dita, 

Terri botë kur e mblon. 

Veç se ty të shoh un n’anderr, 

Veç se ty, çuet, t’kam n’mendin: 

 Ndër t’vështira ti m’je qanderr, 

Per ty i lehtë m’vjen çdo ndeshkim. 

Tjera brigje, fusha e zalle 

Un kam pa, larg tue ba shtek, 

E pergjova tjera valle, 

N’tjera lule syni m’u rrek; 

Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet, 

Por nji mal ma bukur s’rri, 

Ma i kulluet nji lum s’dikohet, 

Moj Shqipni , porsi i ke ti. 

N’ty ma i bukur lulzon Prilli , 

Janë ma t’kandshme  stinë e mot; 

N’ty bylbyli pa lê dielli 

Këndon ma ambël t’Madhit Zot. 

Pa ty lules s’mi vjen era , 

Pa ty pema frut nuk m’bjen; 

Mue pa ty nuk m’del prandvera , 

Pa ty dielli nuk m’shkelxen. 

Dersa t’mundem me ligjërue , 

E sa gjallë me frymë unë jam, 

Kurr Shqipni skam me t’harrue , 

Edhe n’vorr me t’permend kam. 

At Gjergj Fishta ditlindja dhe vepra jote u kujtoftë e nderoftë sa të kenë kambë shqiptari në trojet etnike shqiptare e kudo ku ka shqiptar nëpër botë.

Malësi e Madhe me 23 tetor 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

Dritan Abazovic ZV/Kryeministër i Republikës së Malit Të Zi takohet me Diasporën Shqiptaro Amerikane në Staten Island

October 23, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi shqiptari Dritan Abazovic i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme z.Dorde Radulovic dhe ekipi i tij u takuan me Diasporën 

Shqiptaro Amerikane në Staten Island në mjediset komode të restorantit “Trattoria Toscana” me pronar shqiptar.  

Tubimin e organizoi organizata e mirënjohur “Rrënjët Shqiptare” me president z.Marko Kepi i cili në fjalën e përshëndetjes tha: “Organizata “Rrënjët Shqitpare” ka ftuar sot në këtë takim me Diasporën Shqiptaro Amerikane z.Dritane Abazovic i cili është një i ri i suksesshëm në mbarë trojet shqiptare.  Ai me votën e popullit është zgjedhur deputet në Parlamentin e Malit të Zi dhe njëkohësisht ka pozitën e lartë shtetërore si Zëvendës kryeministër i Republikes së Malit të Zi.  Ne gjithmonë promovojmë djem dhe vajza shqiptare që janë histori suksesi si rasti në fjalë tha z.Kepi.  

Z.Dritan Abazovic përshëndeti gjithë të pranishmit në këtë takim dhe falënderoi organizatorët për ftesën që i kishin bërë.  Ai solli disa nga arritjet dhe vështirësitë e mëdha që hasin si qeveri në lidhje me ekonomië dhe zhvillimin e vendit.  Z.Abazovic tha se po luftojnë fort korrupsionin që ka përfshirë isntanca të larta të politikanëve dhe mendoj se kemi pasur arritje në këtë pikë.  Unë kam ardhur këtu si vëllai juaj dhe jam jashtë pikëpamjeve politike, por vetëm të bashkëpunojmë për përparimin dhe zhvillimin e vendit tonë të përbashkët.  Ne nuk jemi në vitet 1990, por jemi në vitin 2021 cka i përkasim një epoke të re në shumë drejtime.  

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Malit të z. Dorde Radulovic pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se unë ndihem këtu si në shtëpinë time dhe ju falënderoj për mikpritjen. Ne së bashku me qeverinë po bashkërendojmë punët që vendi ynë të eci dhe të integrohet si gjithë vendet e tjera të zhvilluara në Europë.   

Të pranishmit në sallë përfaqësues organizatash, anëtarë të Diasporës i drejtuan shumë pyetje z.Abazovic për situatën në republikën e Malit të Zi.  Midis diskutantëve dhe ata që drejtuan pyetjet ishin si: Safet Llolla kryetari i Shoqatës “Ana e Malit”, Safet Doçi anëtar i sekretariatit në shoqatën “Kraja” si dhe individ të ndryshëm.  Ata pyesnin me dhimbjen e madhe për ta parë Ulqinin, Anën e Malit dhe qytete të tjera, kudo ku ka shqiptarë me kushte jetese më të mira dhe më të përshtatshme.  Ishte shumë vajtuese kur Safet Doçi tha se origjina ime është nga vendi më i varfër i Malit të Zi ku njerëzit atje akoma nuk kanë ujë në shtëpi, ndërkohë që Amerika po i çon raketat në Mars.  Ata pyetën gjithashtu rreth dyshtetësisë, regjistrimit te popullsise, kalasë së Ulqinit që është në rrënim, në një mjerim të paparë, kishën ortodokse, zhvillimin e urbanistikës, turizmin etj.  

Z.Pashko Camaj n/kryetar i Vatrës i uroi mirëseardhjen z.Dritan Abazovic dhe tha se këto takime gjithmonë janë të frytshme dhe çojnë përpara zhvillimin e një vendi.  Ai ngriti probleme të shumta që vazhdojnë të përballen shqiparët në Mal të Zi dhe njëkohësisht shpresonte për një të ardhme më të mirë për bashkatdhetarët e tij.  Z.Camaj e ftoi z.Abazovic për një vizitë në Vatër, në organizatën më të vjetër dhe historike të shqiptareve.  Ftesë të cilën Zëvendëskryeministri Abazovic e mirëpriti me shumë kënaqësi.  

Autorja e këtij shkrimi e pyeti se a kanë një bashkërendim dhe program aftagjatë për Shkollat Shqipe në Diasporë me shtetin amë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë pasi miliona shqiptarë po asimilohen në vendet ku janë strehuar dhe nuk po flasin shqip dhe ky është një problem akut kombëtar.  

Mendoj se përgjigjet e z.Dritan Abazovic drejtuar disktutantëve të shumtë ishin korrekte, me fakte dhe me kulturë.  Ai u dallua për një durim të madh pasi pyetjet të shoqëruara shpesh me diskutime të gjata ku takimi shkoi 3 orë tregonin qartë politikanin energjik me vizion dhe premtues.   Të gjitha përgjigjet e tij u shoqëruan me duartrokitje nga të pranishmit çka flisnin për dakortësinë me mendimet e tij.  

Në mbyllje të takimit z.Marko Kepi i dorëzoi mirënjohjen nga Këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut si dhe portretin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

TV “Alba Life” New York së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë tubim miqësor.

21 tetor, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Kozeta Zylo

SHQETËSIMET E SHUMTA DHE RAKETAT E PAQES TË KIM JONG-UN-it

October 23, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI

Ka shumë shqetësime Kim Jong-uni dhe kërkon t’I shkarkojë mbi vartësit e tij dhe mbi botën. Të djelën Marshalli ka thënë se Koreja e Veriut është përpara një “krize të paparë, gjëndja është e errët” dhe i urdhëroi vartësit e tij “të përmirësojnë kushtet e jetës së popullsisë”. Kimi rrjeshtoi probleme të ushqimit, të veshmbathjes e të banesave, duke i veshur përgjegjësinë burokracisë. Loja e vjetër e njohur e udhëheqësit më të lartë, që ka ndryshuar cerimonialin e forcës për përvjetorin e 76 të Partisë së Punonjësve: në vend të paradës në Phenian ka përuruar një ekspozitë të mbyllur të arsenalit luftarak. Janë vënë në dukje raketa të reja me shpejtësi më të madhe se zëri dhe për nënëdetëset.

Kim ka paditur “armiqësi” dhe “hipokrizi” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ka përsëritur se arsenali, nga i cili nuk do të shkëputet kurrë, shërben për “vetmbrojtje e paqë”.  Përfundimi: “jemi duke ndërtuar një fuqi ushtarake të pathyeshme” (çmimin e paguajnë koreano-veriorët e uritur).

Shqetësimi i dytë, për çastin, është që as këto shfaqje të fuqisë shkatërrimtare duket se nuk i interesojnë Washingtonit, të përqëndruar mbi përballimin me Kinën. Nuk kanë shërbyer për të tërhequr një vëmëndje të veçantë as hedhjet e shtatorit: një raketë e lëshuar nga një tren, një kruiz me rreze të gjatë dhe një predhë hipersonike (që fluturon me 6.200 km. në orë e që e kishin prodhuar vetëm amerikanët, rusët e kinezët). Mbas Trump-it dhe tre takimeve me Kimin, Shtëpia e Bardhë u kthye në “durimin strategjik” të hershëm, të përbërë nga veçimi ekonomik dhe politik, që nga Klintoni, Bushi dhe Obama, nuk kanë ndaluar përparimin e maqinës luftarake koreano veriore. Në plan është edhe një nëndetëse bërthamore dhe një raketë ndërkontinentale shumë predhëshe. Shpejt a vonë, problemet e shumta të Kimit do të dalin përsëri nën formë kërcënimi të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara dhe durimi strategjik duhet t’i lëshojë vendin një vije më krijuese.

“Corriere della Sera”, 12 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

VENDI I LAHUTËS SË MALCIS’ NË SISTEMIN LETRAR SHQIPTAR

October 23, 2021 by s p

Prof.asoc.dr. Lili SULA

Lahuta e Malcis’ mbetet vepra model, poema e parë e plotë epike, në historinë e letërsisë shqipe e, njëherësh, vepra që zë vend qendror në sistemin letrar shqiptar, duke u bazuar në një sërë qasjesh analitike mbi zhvillimet historike të letërsisë sonë, si dhe në konceptet teorike mbi gjinitë. 

Cilësimet e shquara të Lahuta e Malcis’ si Iliada shqiptare dhe të Gjergj Fishtës si Homeri shqiptar, në thelb, kanë bashkuar, sipas përkatësisë gjinore, dy vepra dhe dy autorë të largët ndër shekuj. Studiuesit e viteve ‘40 të shekullit të kaluar, i kanë mëshuar epikës së Fishtës, duke e evidentuar atë jo vetëm në cilësitë nacionale, po edhe në vlerat mirëfilli estetike. 

 Në kuptimin historik, letërsia e Rilindjes, rridhte nga një traditë paraletrare e shkrimeve të shenjta, shkruar me alfabet latin, arabo-pers, grek; traditë, e cila karakterizohej nga mungesa e formësimit gjinor ose nga zhvillime paragjinore. Ajo çka trashëgohet prej traditës paraletrare në periudhën e Rilindjes e më vonë është, ndër të tjera, figura e Skënderbeut (si mit historik), thënë ndryshe, përpjekjet për të ndërtuar epikën historike, që do ta shoqëronin gjatë letërsinë tonë. 

Përveç vonesës së krijimit të sistemit letrar shqiptar, krahasuar me letërsitë e tjera ballkanike e ato evropiane, në këtë periudhë spikati vullneti për të hedhur themelet e sistemit tonë letrar mbi epikën. Megjithëse gjatë Rilindjes, lirika u bë forma kryesore e shprehjes poetike, vërehet këmbëngulja e vazhdueshme e autorëve për t’u marrë me epikën. 

Pas botimit të poemës së Naimit, Istori e Skënderbeut (1898) në letërsinë e Rilindjes erdhën edhe epe të tjera, si Te dheu i huaj (1900) dhe Këthimi (bot. 1965) të Z. Skiroit – poema të ushqyera prej gojëdhënave, baladave, bëmave të vërteta e të trilluara, ku vepronin personazhe historikë, folklorikë, legjendarë, fiktivë e realë. Për Prof. Çabej, Z. Skiroi do t’i ketë menduar veprat e veta si pjesë përbërëse të një eposi kombëtar, që do të rrëfente ikjen dhe rikthimin e arbëreshëve në trojet e të parëve (“Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, në: Jeronim de Rada, 1965). Nga ana tjetër, as De Rada nuk hoqi dorë nga ideja e krijimit të eposit kombëtar të shqiptarëve dhe iu vu punës për ta krijuar vetë atë me ciklin e veprave: Këngët e Milosaos (1836), Këngët e Serafina Topisë (1843) dhe Skanderbeku i pafan (1873), poema që paralajmëroi lindjen e vonuar të epikës në letërsinë tonë. Me të drejtë, studiuesi i De Radës, M. Markianoi vëren se nuk kemi të bëjmë me një vepër epike organike, por me një varg statujash, të vendosura krah njëra-tjetrës si në një galeri.

Përveç De Radës, Naimit, Skiroit, Darës së Ri, poema epike u krijuan edhe nga Bernard Bilota (Shpata e Skandërbeut ndë Dibrët poshtë), Kozmo Serembe (Kënkat e Krujës, e pabot.) dhe Bernardin Palaj (Valët e një shpirti, e pambaruar), të cilat nuk shquhen për vlera artistike. 

Këto vepra përbënë skënderbejadën shqiptare, misionin e paracaktuar të poetëve rilindës dhe ribërës të kombit. Shekulli i romantikëve tanë nuk qe shekulli i eposeve; siç dihet, epika e kishte mbyllur ciklin e vet, pasi ishte pjesë e së shkuarës heroike të njerëzimit, që tashmë kishte perënduar. Në këndvështrim krahasues me letërsinë europiane, epet e gjysmës së parë të shek. XX, Prof. A. Xhiku i vështron si shfaqje të vonuara të letërsisë shqipe, duke i cilësuar “anakronizëm zhanror”. (Letërsia shqipe si polifoni)

Rilindja romantike, qenësisht lirike (De Rada, Skiroi, Serembe, Naimi, Asdreni, Çajupi, e të tjerë) provoi mjaft edhe epikën. Duhet pranuar se në këtë periudhë epika, shumë e dëshiruar nga romantikët shqiptarë, nuk arriti të bëhej gjini organike e as të plotësojë skemën klasike tregjinore, pra nuk u përfaqësua estetikisht, ose siç shprehet N. Frai, “epika e la bosh vendin e vet” (Anatomia e kritikës), gjë që vërehet përmes poemave Skandërbegu i pafan dhe Istori e Skandërbegut, po dhe te Kënga e sprasme e Balës e të tjera. Larghedhja kohore drejt shekullit XV, Motit të Madh, si dhe rimodelimi i mitit historik prej romantikëve, edhe në veprat krejtësisht lirike, si Milo e Haidheja e Skiroit, dëshmojnë po ashtu gjurmë të përpjekjeve të vetëdijshme për të lëvruar epikën.

Ideja nacionale, fryma heroike, patosi i ngritur romantik, lidhja e ngushtë me folklorin, i bëjnë veprat e De Radës, Naimit, Darës së Ri, Bilotës e të Skiroit, pjesë të një tradite të vetme, të një lëvizjeje letrare të frymëzuar nga të njëjtat ideale kombëtare. E, me të drejtë, ndërtimi i letërsisë kombëtare, që përfshinte angazhimin e poetëve për krijimin a rikrijimin e eposit kombëtar, ishte një nga tiparet kryesore të letërsisë së Rilindjes.

Krijimin e epit Lahuta e Malcis’, Gjergj Fishta e filloi në kohën kur poema epike në letërsitë e tjera europiane nuk lëvrohej më dhe vendin e saj e kishin zënë gjini dhe zhanre të tjera. Ndërkaq, Fishta i njihte mirë dhe i çmonte epet klasike; ai i kishte mbajtur gjatë ndër duar, si një prej burimeve kryesore të formimit të tij artistik. 

Në një letër dërguar At’ Pal Dodajt, më 1908, Fishta shkruante: “Për pjesën e III të Lahutës endè s’i a kam dalë m’e tansue vizionin. Nuk po kam nder mend m’u nxitue, perse dishroj t’bâj nji punë ashtû si duhet. Per me i dhanë trajtë nji Iliade u deshtën shumë qindvjet: per me krye Lahutën le t’kalojë s’pakut ndonji vjet (Gj. Fishta. Estetikë dhe kritikë).

Më 1904, Gjergj Fishta botoi në Zarë bleun e parë të Lahutës, Te ura e Rrzhanicës, kangë popullore, duke mos e shënuar autorësinë. Edhe botimi i bleut të dytë, më 1907, del thjesht me shënimin kangë popullore. Titulli i veprës shpesh sugjeron jo vetëm një model shkrimi, po njëherësh edhe një model leximi. Botimi i plotë i poemës, më 1937, mban nëntitullin Epika, duke përcaktuar tipologjinë e poemës kah eposi i kreshnikëve. Faktin e anonimitetit nuk e shpjegon vetëm praktika e mistifikimit letrar, që haset tek autorët e tjerë romantikë, (De Rada, Skiroi, Dara i Ri etj.) dhe as marrëdhëniet e françeskanëve me krijimtarinë folklorike, lidhja e tyre e ngushtë me mbledhjen dhe botimin e saj. Kjo manierë lidhet më së shumti me kalkimin e modelit gjinor, epik popullor, sipas së cilës kjo vepër, si dhe simotrat e saj vendëse e të huaja mbeten anonime, (sikurse teza e Homerit, si bardmbledhës i këngëve të Iliadës, vijon të zërë vend në studimet homerike). Paralelet, në rrafsh të formës së shprehjes dhe formës së përmbajtjes, të poezisë së Fishtës dhe epit homerik, janë bërë objekt studimi nga studiuesit. M. Ndoja vërente në poezinë e Fishtës “veprimin epik, njerëzuer – hyjnuer, karakteristikë e epopeve të mëdha të antikitetit.” (“Idealet karakteristike në lirikën e Fishtës”, në: At Gjergj Fishta: 1871-1940, 1943). 

Nga ana tjetër, Fishta njihte mirë karakterin recitativ të epikës popullore dhe e shfrytëzoi këtë mjeshtërisht. Titulli i poemës, Lahutë e Malcis’, sikurse në traditën popullore, parathotë sa recitimin aq dhe këndimin e veprës. Strukturimi i saj në këngë, po ashtu, ka të bëjë me konceptimin e një cikli poetik prej tridhjetë këngësh, në njësi të veçanta të kënduara. Po t’i referohemi vetëm fillimvargjeve të çdo kënge duket qartë ndërtimi i tyre në trajtë formulash urimi dhe mallkimi, në formula pyetëse, formula të përshkrimit sintetik etj., si në këngët epike popullore:

Ndihmo, Zot, si m’ké ndihmue ! kënga I  (Gj. Fishta, Lahuta e Malcis)

Deh! oj Zânë, ty t’kjosha true!  kënga VII

Hej, moj Zânë, ti kjosh e bardhë! kënga III

Lum’ e lum për t’Madhin Zot! kënga XVI

Prendoi dielli, n’qiell duel hâna,

N’Veleçik po pingron Zâna:

Ehu! Ju malet e Shqypnís,…  kënga XIII

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’këndojm, oj Zâna e malit

Eja e t’këndojm me Lahutë t’malcís’ kënga IX

Tý, o Zot, të kjoshim falë!

Tash, qi zû drita me dalë.  kënga XXII

Muzikaliteti i poemës, si përbërës tekstor, është një tjetër tregues që e lidh veprën me procesin e të kënduarit. Për N. Frain, poezia muzikore ka të bëjë me poezinë, e cila, për nga struktura e vet, i ngjan muzikës bashkëkohëse me të. (Anatomia e kritikës). Kënga vjen jo vetëm si strukturë artistike, po dhe si prehje shpirtërore e kulturore për shoqërinë e kohës, përmes saj bëhet më e lehtë përcjellja e kumtit patriotik dhe vepra recitohet lehtësisht. Nuk është vepra, teksti ai që bën lexuesin, po është lexuesi/dëgjuesi ai që formëson veprën. Vetë Fishta parashtron këtë qëndrim: “Lyrika dhe epika, qi kanë epërsi n’prodhimin t’em, kulmojnë me Lahutën e Malcis, nji poem heroik i kryem në 30 kangë, me 16832 vjerrsha. Lahuta, po ju diftoj, âsht nji instrument fort i pëlqyem prej njerzvet t’malevet t’ona, me t’cillën atá kndojnë lavdin a se vajtojnë dhimben e tyne… Kto vjerrsha duen me kenë historija e maleve, qi luftuen pa prâjt kundër turqvet, lavdimi i herojve t’lindun ndermjet shkambijvet e krepavet, duen me kenë, n’veçansi, ekzaltim i karakterit shqyptár, qi tfaqet n’pamje t’perjashtme, n’shpirt t’patrembun, e n’traditë e doke.” (Estetika) 

Lahuta e Malcis’ u krijua për t’iu përgjigjur horizontit të pritjes të fillimshekullit XX. Si vepër, që këndonte lavdinë e kombit, për të qarkulluar në popull, ajo qe e destinuar t’i përputhej pritshmërisë së kohës, gjë të cilën Gj. Fishta e realizoi mjeshtërisht. Qarkullimi i saj, siç dihet, është bërë jo përmes leximit të librit po, përgjithësisht, nëpërmjet qarkullimit oral edhe për arsye se receptuesi i kohës nuk ishte më lart se në stadin folklorik. 

Një analizë e mëtejshme e hollësishme e rrëfimit, e trajtave ligjërimore dhe e strukturës së poemës, si dhe qasjet komparative mes epit të Fishtës dhe veprave epike të Rilindjes e, më tej, Lahutës së Malcis’ e epikës popullore, i japin poemës statusin e veprës epike model, me pozicion qendror në sistemin e letërsisë sonë.  

Prof.asoc.dr. Lili SULA

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT