• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Në përkujtim të 17 vjetorit të ikjes në përjetësi të Anita Bitrit

October 20, 2021 by s p

(Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare)

Nga Keze Kozeta Zylo

Ndonëse kanë kaluar 17 vjet që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York.  Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në te gjitha lajmet në mediet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish.  Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija.  

Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.  

Kujtoj në 10 –Vjetorin e ikjes së tyre bashkësia shqiptare e udhëhequr nga Pastori amerikan Steve Galegor dha një përshpirtje në gjuhën shqipe në përkujtim të Anitës, bijës dhe nënës së saj, në 10 vjetorin e tragjedisë së humbjes së jetës së tyre.  Pastori amerikan Galegor, i cili të befason me të folurën e bukur të gjuhës shqipe tha se edhe pse nuk kam qenë atë ditë në koncertin e lamtumirës, pasi ishja me shërbim në Tiranë, e përjetova me dhimbje të madhe humbjen e tri krijesave të Zotit që u ndanë nga ne para kohe.  Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje e dashuri Anitën, Siborën dhe nënë Hazbijen të cilat humbën jetën tragjikisht në mjediset e shtëpisë së tyre në Staten Island në New York tha pastori amerikan Steve Galegor në përshpirtje.  

Në këtë përshpirtje ishte dhe vëllai i Anitës, Arben Bitri.

Në intervisten që dha për TV Alba Life në New York, ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij.  Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën e mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit.  Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme në emër të gjithë familjes së tij për nderimin e veprës që i bën Anitës dhe tha se do të punojë së bashku me artistët për të realizuar një dokumentar që trashëgimia e vyer e saj t’u ngelet brezave.  Ndërkohë Qemal Zylo kujtoi të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Frederik Ndocin, Edi Xhanin, ambasadorët e kulturës shqiptare Merita Halilin dhe Raif Hysenin, Vait Hajdarin, Sokol Asllanin dhe Maksim Vathin, artistët e shumtë, dashamirësit, mediat si Adem Belliun për kulturën shqiptare, Dalip Grecën për gazetën “Illyria”, të cilët u ndodhën pranë në vendin e ngjarjes pasi e dëgjuan gjëmën që ndodhi, ngjarje që u publikua në mediet e shumta.  Ai shprehu dhe mirënjohjen për të gjithë amerikanët dhe bordin e kishës First Evangelical Free Church, pasi si i punësuar aty për vite me radhë, kujtoi ditën që kjo kishë hapi të gjitha dyertë për të organizuar koncertin e lamtumirës.  Ajo që do të më ngelet gjatë në kujtesë vazhdoi ai është se në vendin që u organizua koncerti i lamtumirës, ishte planifikuar me kohë të organizohej ceremonia e një dasme amerikane, por kur bordit i paraqita se me shqiptarët duam të organizojmë një koncert lamtumire për artisten e shquar shqiptare, familjarët dhe Bordi me zemërgjerësinë më të madhe pranuan të shkonin në katin e nëndheshëm, përdhes, (basement siç e quajnë amerikanët) dhe na lejuan që ne t’i bënim nderimet e duhura tri gjeneratave që humbën jetën tragjikisht.        

Çdo njeri mbart kujtimet e tij në atë ngjarje tragjike, dhe ne kësi rastesh është e vështirë të ngjesh fjalë ngushëlluese.  Personalisht kurre s’do ta harroj telefonatën në kolegj në Brooklyn të Frederik Ndocit i cili me një zë vajtues më dha i pari lajmin e kobshëm për tri gjeneratat të mbytura nga monksidi i karbonit.  Tepër e rëndë ishte për vellain e Anitës, Benin jo vetëm tragjedia, por edhe sepse ai se kishte takuar kurrë Siborën, për shkak dokumentesh, një ëngjëll që premtonte shumë për të ardhmen, por mjerisht ai erdhi për të përcjellë trupat në Atdhe, në Vlorë.  Beni kishte dëgjuar vetëm zërin e saj qindra herë në telefon, dhe shprehjen aq të bukur të mbesës së tij Siborës duke i thënë në anglisht: “I love you Daja”!

Arti i Anitës, këngët e saj, violina e bukur, tekstet muzikore që krijonte, i përkasin fondit të artë të muzikës shqiptare.  Nga të gjithë folësit atë ditë ajo u pagëzua si Pop Star i muzikës shqiptare, por mjerisht shpesh herë na duhen histori të dhimbshme si tek kalaja e Rozafës, që të dalin në pah madhështia dhe gjenialiteti i popullit tonë.  Nga shpirti atë ditë në ceremoni nga skena i dhashë lamtumirën me këtë poezi:  Kjo vdekja e zezë/ muret i çanë/ për tri hyjneshat që vdekjen panë/. Tmerruar nga lajmi rrugën mora/ kalova me drita të kuqe vetëtimë/ në cep të rrugës frymën ndalova/ ngriva statujë kur pashë shtëpinë/.  Zemra më rrihte si e zënë në faj/ si labe e qava: e mjera e mjera/ ndenja gjatë, por porta s’u hap/ ndeza qiririn dhe e vura tek dera/.  Vitet do të ikin dhe shpejt do të kalojnë/ loti i mërgimtarit do të ngelet në derë/ Orkestra “Alba” shpesh do të ekzekutojë/ këngët e tua në tastierë/.  More helmin në zemër, ike larg Anita/ ndoshta të gjeje qetësinë/ bashkë me violinën si shelg lotues, le dhe këngën/ dhe me zërin tënd pavdeksinë!

Duke përfunduar në vesh ende kam zërin e vogëlushes, zërin e një ëngjëlli Siborës e cila i këndon mamit të saj si: “Jam e bekuar si ty, kënga ime le të jehojë, për mamin le ta dëgjojnë…”

Kënga dhe Zëri i Anitës kur këndon me të bijën e saj Siborën në duet duket sikur vazhdon të mbush qiellin si cicërima zogjsh, si zëra në përjetësi! 

19 Tetor, 2021

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: anita Bitri, Keze Kozeta Zylo

SHKOLLA SHQIPE “MËSONJËTORJA” NË BRESHIA, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË ITALI

October 20, 2021 by s p

Ahmet Bendo, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, themelimin e shkollës Mësonjëtorja, bashkëpunëtorët, nxënësit, mësuesit e sfidat e të ardhmes, organizimin e mësimit shqip dhe historinë e shkollës shqipe në Breshia të Italisë, gjuhën shqipe si formë e identitetit kombëtar dhe sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë. Me Ahmet Bendon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

THEMELIMI I SHKOLLËS MËSONJËTORJA, BASHKËPUNËTORËT, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE SFIDAT E SË ARDHMES

Mendimi për hapjen e shkollës ishte shumë kohë më parë por na duhej të realizonim disa procedura burokratike me Bashkinë e Qytetit të Breshias, të cilat i realizuam jo pa vështirësi. Organizimi jonë si shoqatë për të gjetur vendin ku do të zhvillohej mësimi dhe gjetja e mësuesëve vullnetarë. Si bashkëpuntor po përmend disa emra të anëtarëve të shoqatës (sepse të gjithë kanë kontribuar kush më shumë dhe kush më pak). Nga ata po përmend zv.Presidentin e Shoqatës Kostandin Lloji, unë personalisht si President shoqate, Silvana Tika sekretare e shoqatës dhe mësuese e shkollës “Mësonjëtorja” në Breshia, Albert Koci anëtar i komitetit drejtues të shoqatës, Ali Ustameta anëtar i Komitetit drejtues të shoqatës. Hapja e shkollës “Mësonjëtorja” u realizua në datën 05.10.2019. Si fillim arritëm të sigurojmë gjetjen e 5 mësueseve profesioniste, pastaj punuan me komunitetin shqiptar në Breshia dhe provinca për të përgatitur një klasë të parë me fëmijë të vegjël duke filluar nga mosha 7-14 vjeç. Arritëm të sigurojmë dy klasa nga 13 fëmijë, të cilët i ndamë në nivelin e parë dhe të dytë. Sfidat në të ardhmen do të jenë të mëdha, ato janë hapja e shumë klasave të tjera dhe për këtë në këtë vit kemi realizuar një klasë të re me 16 fëmijë që vijnë në shkollë për herë të parë. Ne do të përballemi me çdo sfidë të kohës dhe së bashku në bashkëpunim me “Lidhjen e Mësuesëve”, Këshillin integrues, qendrën e botimit të librit për diasporën dhe oficerën për diasporën në Itali, do të fitojmë kundër çdo sfide dhe pengese.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP DHE HISTORIA E SHKOLLËS SHQIPE NË BRESHIA

Organizimi i mësimit shqip është dy orë nga ora 15.00- 17.00, çdo të shtunë. Ora e parë e mësimit shqip është abetarja, ora e dytë artet e bukura ku hyn mësimi i valleve, tregimet  e vlerat e veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë së madhe, dialogjet ndërmjet fëmijëve, vlerat më të mira patriotike si mbajtja e emrit shqiptar, dashuria për gjuhën, historinë, kulturën, traditën tonë, dashuria për atdheun dhe flamurin tonë kombëtar etj. Këtu po ndalem në një shembull se si mësohet fëmija dhe i riu shqiptar për tu dashuruar me atdheun dhe flamurin e tij. Në rast se unë do t’i them një të riu shqiptar duhet të besosh te flamuri jonë kombëtar sepse ai përfaqëson indetitetetin tonë dhe prezanton këtë apo atë gjë, ai nuk do të më besojë shumë, do të mendojë se flamuri përfaqëson kombëtaren e futbollit shqiptar që kur fitohet është më i bukuri në botë dhe kur humb nuk ka aq shumë vlera. Po ku është gabimi im… Flamuri është një realitet me shumë komplekse. Unë fillova të besoj të besoj te flamuri që në fund të fundit është një stof me ngjyrë të kuqe me simbolin e shqiponjës dy krenare, në momentin kur kisha përvetësuar një sërë vlerash të rëndësishme shoqërore dhe sociale. Është e nevojshme ti bëjmë të qartë të rinjve tanë se në momentin kur unë mbledh nga toka shishe plastike apo mbeturina që nuk i kam hedhur unë dhe i hedh në një kosh plehrash, në momentin që unë shikoj territorin për rreth shtëpisë dhe kërkoj ta ndjej që është territori im, në momentin kur unë marr pjesë në jetën e përditshme shoqërore sociale dhe ndihmoj ata që vijnë mbas meje, në momentin kur unë dashuroj qytetin ose fshatin nga jam, rrugët ose rrugicat e tij, kur dashuron nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë, dashuria për Shqipërinë dhe flamurin vijnë në mënyrë natyrale. Këto janë vlerat që duhet ti mësojme brezit të ri dhe njëri – tjetrit.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha është baza e komunikimit në çdo fushë, rrethanë apo aspekt. Ndaj dhe ruajtja e trashgimia e gjuhës shqipe përbën elementin thelbësor të identifikimit kombëtar. Gjuha e folur dhe e shkruar janë simboli më i pastër i paraqitjes së identitetit tonë dhe njëkohësisht ai më i vyer i ruajtjes së identitetit e historisë tonë. ‟Gjuha është fortesa e ruajtjes së historisë e identitetit të një kombi”.

BASHKËPUNIMI PRINDËR – NXËNËS – MËSUES

Bashkëpunimi prindër – nxënës – mësues qëndron në lartësinë e duhur sepse prindërit janë mësuesit e parë të gjuhës shqipe.  Nxënësve ju jepen detyra shtëpie nga mësueset të cilët do ti përgatisin edhe me ndihmen e prindërve, për këtë ne kemi përgatitur edhe grupin ëhatsApp të prindërve.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Barriera fillestare e fëmijëve bilingual tejkalohet në momentin që ata fillojnë të mësojnë të komunikojnë me shokët e klases si dhe me prindërit në shtepi për fjalët shqip që mësojnë në shkollë. Perveçse një pasuri kombëtare, studimet tregojnë se fëmijët që flasin dy gjuhë zhvillojnë kapacitete të larta të memories dhe fleksibilitetit mendor. Viti i pandemisë na vuri në vështirësi pasi përveç si një ndodhi e papritur,  për më tepër shkolla ishte në fillimet e saj. Një aspekt tjetër penalizues është se ne si shkollë kemi lëndet artistike të këngëve dhe valleve shqip, të cilat nuk arrihen të zhvillohen online por vetëm në prezencë. Pavarësisht këtyre, pandemia na tregoi se dëshira dhe vullneti jonë për ta çuar përpara këtë projekt i rezistuan pandemisë, pasi ne jo vetëm që zhvilluam platformen online por tani dhe rihapem shkollën.

NJË PËRSHËNDETJE PËR VATRËN, DIELLIN E DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Përgëzoj në emër të shoqatës Komuniteti shqiptar në Itali ( Associazione Comunità Albanese in Italia) dhe në emrin tim personal si President i saj, me respekt Kryetarin dhe stafin e Federatës  Vatra në USA, si dhe editorin e gazetës Dielli dhe stafin e tij për një punë të mrekullueshme që kryejnë në shërbim të komunitetit shqiptar në USA. Ju përqafoj nga larg me mall dhe uroj që puna juaj e vyer në shërbim të komunitetit në USA dhe jo vetëm mos të ndalet por të shkojë gjithmonë përpara, mbi të gjitha për bashkimin e territoreve shqiptare. Sa më parë u bashkoftë Shqipëri-Kosovë. Me respekt nga presidenti i shoqates Associazione Comunità Albanese in Italia, Ahmet Bendo.

Filed Under: Featured

NDËRROI JETË GJENERALI AMERIKAN COLIN L. POWELL

October 19, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli/

Dëshira e ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell për Shqipërinë: “Të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin historik, për tu këthyer, më në fund, në zemër të Evropës”.

See the source image

Gjenerali Colin L. Powell, ish-Sekretar i Shtetit Amerikan dhe Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë të hënën në mengjes, si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, megjithëse ishte i vaksionuar plotësisht sipas rekomandimeve të mjekëve, thuhet në njoftimin e familjes për vdekjen e këtij amerikani të madh.  Familja falënderon ekipin mjekësor që është kujdesur për të në Qendrën Mjekësore Walter Reed në Bethesda të shtetit Maryland, afër Washingtonit, duke shtuar se, “Kemi humbur një bashkshort, baba dhe gjysh të dashur dhe të jashtzakonshëm, si dhe një Amerikan të madh”, thuhet në njoftimin e familjes me rastin e kalimit në amshim të Gjeneralit Colin Powell, njërit prej ushtarakëve, diplomatëve dhe politikanëve më të dalluar të Shteteve të Bashkuara, në disa dekada.

Colin Powell ka shërbyer në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit duke filluar nga 20 Janari, 22001, i emëruar në atë detyrë nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër. Gjenerali Powell ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e Presidentit Ronald Reagan, ndërsa kariera e tij prej ushtaraku ka zgjatur për 35 vjetë, duke arritur nivelet më të larta në udhëheqjen e Pentagonit, përfshir edhe detyrën më të lartë të atij enti të mbrojtjes, Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

See the source image
Gjenerali Colin Powell
Picture of Colin L. Powell

Kryediplomati Colin Powell

Është e vështirë të gjeshë një udhëheqës politik, ushtarak ose diplomatik me rëndësi të Shteteve të Bashkuara në 30-vitet e fundit, që të mos ketë pas të bëjë – në një mënyrë ose në një tjetër me Shqipërinë dhe me shqiptarët.  Natyrisht, se duke qenë njëri prej personaliteteve më të dalluara ushtarake dhe diplomatike të Amerikës, as i ndjeri Gjenerali Colin Powell nuk mund të ishte një përjashtim.  Ndër vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, shquhet edhe ajo e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell në Maj të vitit 2003 në Tiranë ku kryediplomati amerikan mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut. “Karta e Adriatikut”, ka thenë me atë rast Powell, “do të shërbejë si një udhëzim drejtë integrimit euro-atlantik të tre vendeve (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Ai ka shtuar se, në këtë dokument, “pasqyrohet përkushtimi i partnerëve tanë për të bashkpunuar, individualisht, me njëri tjetrin dhe me fqinjtë e tyre për të krijuar një rajon të demokracive të forta, të mbështetura nga ekonomi me tregje të lira”, dhe ka nënvijuar, gjithashtu edhe “rëndësinë që ne i kushtojmë integrimit eventual të këtyre vendeve në NATO dhe në institucionet e tjera evropiane”.  

Powell ka thenë me atë rast (maj 2003) se megjith nënshkrimin e Kartës së Atlantikut, tre vendet në fjalë përballen me sfida të mëdha, ndërsa përpiqen të zhvillojnë ekonominë, ushtrinë dhe institucionet politike në nivele të barabarta me standardet perëndimore, jo vetëm se pse këto kërkohen nga Aleanca NATO, por më me rëndësi, është fakti se qytetarët e këtyre vendeve meritojnë standarde të tilla”, është shprehur ish-Kryediplomati amerikan Colin Powell në Trina, në maj të viti 2003.  Powell ka thenë 18-vjetë më parë në Tiranë se “Karta riafirmon premtimet e bëra nga të tre vendet, se do të “të vazhdojnë forcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe të luftohet korrupsioni që qëndron midis popujve të rajonit dhe ëndërrave të tyre për një jetë më të mirë”, ka thekësuar Powell, pothuaj dy dekada më parë në qendër të Tiranës.  

Eh, sikur Tirana zyrtare të mbante premtimet që u ka bërë gjatë viteve e deri më sot, aleatëve të saj perëndimorë — përshfir ish-Sekretarin e Shtetit të ndjerin Colin Powell — për të luftuar korrupsionin, për të bërë reformën në drejtësi, për zgjedhje të lira e të drejta, e të tjera premtime boshe, standarde këto të denja dhe të nevojshme të një vendi anëtar të NATO-s, për të arritur nivelet e standardeve perendimore për drejtësi dhe dinjitet njeërzor, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Si mos të ndjehej i zhgënjyer i ndjeri Powell, në këtë ditë të kalimit të tij në amëshim,  – ashtu siç ndjehen edhe zyrtarë të tjerë amerikanë  – nga premtimet e boshe të pa realizuara të klasës politike shqiptare, të këtyre tre dekadave të kaluara – për një jetë më të denjë dhe më të mirë për shqiptarët, bazuar në vlerat dhe standardet perëndimore. 

Me keqardhje të thellë personale, më duhet të them se shpresa e të ndjerit Colin Powell se fryma e Kartës së Adriatikut e nënshkruar prej tij në Tiranë në maj të vitit 2003, (madje as antarësimi i Shqipërisë në NATO më 2009),  nuk kanë sjellur, as zgjedhje të lira, as reformat e kërkuara në drejtësi, e si rrjedhim as integrimin e plotë të Shqipërisë në institucionet Euro-Atlantike, ashtu që sipas dëshirës së Powell-it, Shqipëria, “të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin e historik për tu këthyer më në fund në zemër të Evropës”, ka përfunduar fjalimin e tij, Colin Powell në Tiranë në maj të vitit 2003, aty ku, historikisht, e ka vendin Shqipëria.

Presidentët amerikanë, Joe Biden, Jimmy Carter, Xhorxh W. Bush, Bill Clinton dhe Barak Obama e cilësuan Colin Powellin si “Një hero të vërtetë Amerikan” dhe kujtuan integritetin dhe ndershmërinë e tij si dhe miqësinë personale që kanë pasur me të.  Presidenti aktual Biden tha se “mbi të gjitha Colin-in e kisha mik” dhe ai ishte një “patriot që s’e kishte shoqin…plot në dinjitet dhe ndershmëri”.

Ndërsa Presidenti Xhorxh W Bush than ë reagimin e tij se Colin Powell ishte, “ jashtzakonisht shumë i respektuar në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Por mbi të gjitha, Colin-in ishte famijar i devotshëm dhe mik imi.”

Presidenti Jimmy Carter tha se, “Guximi dhe integriteti i tij do jenë frymëzim për brezat e ardhëshëm.” 

“Bota ka humbur njërin prej udhëheqësve më të mëdhej që kemi njohur. I pari afrikano-amerikan Shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, afrikano-amerikani i parë Sekretar Shteti, një burrë i respektuar anë e mbanë botës”, ishte reagimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Z. Lloyd Austin III, me të dëgjuar për vdekjen e Gjeneralit me katër yje, Colin Powell.

Frank Shkreli

A picture containing person, person, suit, standing

Description automatically generated
See the source image
See the source image

             Presidenti, Xhorxh Bush i vjetër, Dr. Sali Berisha me Colin Powell

See the source image

     Me Presidentin e Shqipërisë, Z, Alfred Moisiu (Albert Lulushi në mes)

Secretary Powell is greeted by Albanians during his visit to Tirana on May 2, 2003. [Photo courtesy of U.S. Embassy Tirana]

Sekretari i Shtetit Colin Powell me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe, Z. Ilir Meta, duke u përshëndetur me qytetarë të Tiranës, 2 Maj, 2003 [Photo courtesy of U.S. Embassy Tirana] 

                   US Secretary of State Colin Powell (R) shakes hand : News PhotoPresidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani me Sekretarin Amerikan të Shtetit-Washington, 25 shkurt, 2002 –për bisedime mbi marrëdhëniet dy-palëshe SHBA-Shqipëri — AFP PHOTO/ Stephen JAFFE (Photo credit should read STEPHEN JAFFE/AFP via Getty Images)

Filed Under: Kronike Tagged With: Colin Powell, Frank shkreli

U organizua “Dita e Librit” në Shoqatën “Skënderbej”

October 19, 2021 by s p

Nga Veri Talushllari/

Shoqata “Skënderbej”USA, që ka në radhët e saj ushtarakët shqiptarë, familjarë dhe miq të tyre, është një nga shoqatat më aktive të komunitetit tonë në NY dhe NJ. Në radhët e kësaj shoqate janë disa krijues e studjues, që edhe këtu, në emigracion, gjejnë kohë e mundësi të tregojnë vlerat krijuese e intelektuale nëpërmjet shkrimeve e botimeve. Të dielën, më 17 tetor, në një mjedis të këndshëm në Forest Hills, ajo organizoi “Ditën e Librit”, për promovimin e librave të anëtarëve të saj, botuar kohët e fundit. Petrit Xhaferi erdhi me dy botime. Romani “Medeti”, sjell të gjallë dhe me humor një copëz nga jeta në repartet e ushtrisë shqiptare në vitet ‘50-60 shekullit të kaluar, ku luan me konfliktin komandant-komisar dhe krijon situata të gjalla, reale e që të bëjnë të mbash buzën në gaz. Po ashtu Petriti ka botuar kohët e fundit një fjalor për udhëtarë shqip- anglisht-gjermanisht, aq i nevojshëm në këto kohë.Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri diskutimi për librin “ Mërgata Legjendare e Amerikës” e studjuesit Shefqet A.Saliu, libër për të cilin kjo gazetë ka shkruar pak kohë më parë. “ Mërgata…” e Saliut është një vepër voluminoze dhe shumë e rëndësishme për komunitetin tonë dhe Emigracionin Shqiptar, pasi përfshin Historinë e tij të shtrirë në tre shekuj, që nga fillimet e tij në vitet 1800 e deri në ditët tona. Një studim që i mori autorit 15 vite punë kërkimore, i bërë me kritere të rrepta shkencore, por i shkruar me penë e shpirt shkrimtari, duke e bërë librin të lehtë në të lexuar. Kol.(R) Gëzim Mustafaj, Prof. Asoc., Dr. i shkencave ushtrake, u përgëzua nga shokët dhe kolegët për botimin e librit” Lufta e Kosovës dhe NATO”. Folësit në takim vlerësuan nivelin shkencor dhe analizën e thellë të kësaj ngjarjeje të madhe historike për popullin shqiptar, që kulmoi me krijimin e shtetit të dytë shqiptar në shekullin që shkoi. Libri është një vështrim i gjerë politiko- ushtarak i Operacionit “Forca Aleate”, që i dha fund robërimit të pothuaj gjysmës së popullsisë dhe teritorit të shqiptarëve, një padrejtësie historike të fuqive të mëdha europiane, genocidit shtertëror dhe tentativës për spastrim total etnik të kombit shqoptar në Kosovë nga regjimi kriminel i Milosheviqit. Prof. Mustafaj, që ka qënë pjesëmarës aktiv në këtë ngjarje si ushtarak me funksione të rëndësishme në njësitë e kufirit Shqipëri- Kosovë, na ka dhënë një përshkrim të detajuar të zhvillimit të Operacionit, vendit dhe rolit të UÇK-së në këtë histori, lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe, krimet e tyre ndaj popullsisë së paarnatosur shqiptare. Libri, i shoqëruar edhe me harta të operacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese, si dhe me një ditar luftarak, është një pasuri e shtuar e bibliotekës së Luftës së Kosovës, Operacionit çlirimtar e shpëtimtar të NATO-s, si dhe heroizmit të bijve e bijave të popullit shqiptar të rreshtuar nën flamurin tashmë legjendar të UÇK-së. Në takim u fol për libra e krijime poetike,letrare e studimore të krijuesve të tjerë, anëtarë të Shoqatës, si poetes së njohur Ilirjana Sulkuqi, autorit të këtij shkrimi, studiusve Mihal Jano e Engjëll Zerdelia, krijuesit Dhimitër Golemi etj. Folësit, Bujar Hasani, Haxhi Sejdarasi, Fatmir Kalemi, Gëzim Shentolli, Përparim Seitaj, Dirka Xhakolli etj, vlerësuan faktin që përtej problemeve, halleve e streseve të jetës së përditëshmë, si emigrantë, anëtarët e Shoqatës SKËNDERBEJ gjejnë kohë dhe forca për punë krijese, për krijime letrare dhe kërkime shkencore, dhe uruan e premtuan që ky të mos jetë takimi i fundit i kësaj natyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Veri Talushllari

Kosova mirënjohje për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it

October 19, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim mikpritës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári/

 PRISHTINË, 18 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mikpritës komandantin e ri të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Ai i uroi suksese Gjeneral Majorit në detyrën e re dhe shprehu mirënjohjen për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

U bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, të komunikimit të ndërsjelltë dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Komunikimi i afërt dhe koordinimi ndërinstitucional u cilësua si domosdoshmëri për garantimin e sigurisë në vend, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovë dhe KFOR-it. 

Gjatë takimit, Gjeneral Major Kajári gjithashtu e uroi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për organizimin e mirëfilltë të zgjedhjeve lokale, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 22 vitesh në pranverën 1999,  prej 15 Tetor  2021 ka komandant të ri Gjeneral Majorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári, i cili mori detyrën nga  Gjeneral Majori Franco Federici – pasuesi i Gjeneral Majorit Michele Risi që përfundonte misionin operacional 1-vjeçar në 13 Nëntor 2020.

Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it,  komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson.Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s-KFOR-it,  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ende pa kaluar tre muaj Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit… Për këto ngjarje historike atëherë kam raportuar edhe nga minutat e para të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me aviacion luftarak edhe nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin e sillnin lirinë e paqen në Kosovë…

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Albin Kurti, Kfor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT