Ahmet Bendo, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, themelimin e shkollës Mësonjëtorja, bashkëpunëtorët, nxënësit, mësuesit e sfidat e të ardhmes, organizimin e mësimit shqip dhe historinë e shkollës shqipe në Breshia të Italisë, gjuhën shqipe si formë e identitetit kombëtar dhe sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë. Me Ahmet Bendon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
THEMELIMI I SHKOLLËS MËSONJËTORJA, BASHKËPUNËTORËT, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE SFIDAT E SË ARDHMES
Mendimi për hapjen e shkollës ishte shumë kohë më parë por na duhej të realizonim disa procedura burokratike me Bashkinë e Qytetit të Breshias, të cilat i realizuam jo pa vështirësi. Organizimi jonë si shoqatë për të gjetur vendin ku do të zhvillohej mësimi dhe gjetja e mësuesëve vullnetarë. Si bashkëpuntor po përmend disa emra të anëtarëve të shoqatës (sepse të gjithë kanë kontribuar kush më shumë dhe kush më pak). Nga ata po përmend zv.Presidentin e Shoqatës Kostandin Lloji, unë personalisht si President shoqate, Silvana Tika sekretare e shoqatës dhe mësuese e shkollës “Mësonjëtorja” në Breshia, Albert Koci anëtar i komitetit drejtues të shoqatës, Ali Ustameta anëtar i Komitetit drejtues të shoqatës. Hapja e shkollës “Mësonjëtorja” u realizua në datën 05.10.2019. Si fillim arritëm të sigurojmë gjetjen e 5 mësueseve profesioniste, pastaj punuan me komunitetin shqiptar në Breshia dhe provinca për të përgatitur një klasë të parë me fëmijë të vegjël duke filluar nga mosha 7-14 vjeç. Arritëm të sigurojmë dy klasa nga 13 fëmijë, të cilët i ndamë në nivelin e parë dhe të dytë. Sfidat në të ardhmen do të jenë të mëdha, ato janë hapja e shumë klasave të tjera dhe për këtë në këtë vit kemi realizuar një klasë të re me 16 fëmijë që vijnë në shkollë për herë të parë. Ne do të përballemi me çdo sfidë të kohës dhe së bashku në bashkëpunim me “Lidhjen e Mësuesëve”, Këshillin integrues, qendrën e botimit të librit për diasporën dhe oficerën për diasporën në Itali, do të fitojmë kundër çdo sfide dhe pengese.
ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP DHE HISTORIA E SHKOLLËS SHQIPE NË BRESHIA
Organizimi i mësimit shqip është dy orë nga ora 15.00- 17.00, çdo të shtunë. Ora e parë e mësimit shqip është abetarja, ora e dytë artet e bukura ku hyn mësimi i valleve, tregimet e vlerat e veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë së madhe, dialogjet ndërmjet fëmijëve, vlerat më të mira patriotike si mbajtja e emrit shqiptar, dashuria për gjuhën, historinë, kulturën, traditën tonë, dashuria për atdheun dhe flamurin tonë kombëtar etj. Këtu po ndalem në një shembull se si mësohet fëmija dhe i riu shqiptar për tu dashuruar me atdheun dhe flamurin e tij. Në rast se unë do t’i them një të riu shqiptar duhet të besosh te flamuri jonë kombëtar sepse ai përfaqëson indetitetetin tonë dhe prezanton këtë apo atë gjë, ai nuk do të më besojë shumë, do të mendojë se flamuri përfaqëson kombëtaren e futbollit shqiptar që kur fitohet është më i bukuri në botë dhe kur humb nuk ka aq shumë vlera. Po ku është gabimi im… Flamuri është një realitet me shumë komplekse. Unë fillova të besoj të besoj te flamuri që në fund të fundit është një stof me ngjyrë të kuqe me simbolin e shqiponjës dy krenare, në momentin kur kisha përvetësuar një sërë vlerash të rëndësishme shoqërore dhe sociale. Është e nevojshme ti bëjmë të qartë të rinjve tanë se në momentin kur unë mbledh nga toka shishe plastike apo mbeturina që nuk i kam hedhur unë dhe i hedh në një kosh plehrash, në momentin që unë shikoj territorin për rreth shtëpisë dhe kërkoj ta ndjej që është territori im, në momentin kur unë marr pjesë në jetën e përditshme shoqërore sociale dhe ndihmoj ata që vijnë mbas meje, në momentin kur unë dashuroj qytetin ose fshatin nga jam, rrugët ose rrugicat e tij, kur dashuron nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë, dashuria për Shqipërinë dhe flamurin vijnë në mënyrë natyrale. Këto janë vlerat që duhet ti mësojme brezit të ri dhe njëri – tjetrit.
GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR
Gjuha është baza e komunikimit në çdo fushë, rrethanë apo aspekt. Ndaj dhe ruajtja e trashgimia e gjuhës shqipe përbën elementin thelbësor të identifikimit kombëtar. Gjuha e folur dhe e shkruar janë simboli më i pastër i paraqitjes së identitetit tonë dhe njëkohësisht ai më i vyer i ruajtjes së identitetit e historisë tonë. ‟Gjuha është fortesa e ruajtjes së historisë e identitetit të një kombi”.
BASHKËPUNIMI PRINDËR – NXËNËS – MËSUES
Bashkëpunimi prindër – nxënës – mësues qëndron në lartësinë e duhur sepse prindërit janë mësuesit e parë të gjuhës shqipe. Nxënësve ju jepen detyra shtëpie nga mësueset të cilët do ti përgatisin edhe me ndihmen e prindërve, për këtë ne kemi përgatitur edhe grupin ëhatsApp të prindërve.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Barriera fillestare e fëmijëve bilingual tejkalohet në momentin që ata fillojnë të mësojnë të komunikojnë me shokët e klases si dhe me prindërit në shtepi për fjalët shqip që mësojnë në shkollë. Perveçse një pasuri kombëtare, studimet tregojnë se fëmijët që flasin dy gjuhë zhvillojnë kapacitete të larta të memories dhe fleksibilitetit mendor. Viti i pandemisë na vuri në vështirësi pasi përveç si një ndodhi e papritur, për më tepër shkolla ishte në fillimet e saj. Një aspekt tjetër penalizues është se ne si shkollë kemi lëndet artistike të këngëve dhe valleve shqip, të cilat nuk arrihen të zhvillohen online por vetëm në prezencë. Pavarësisht këtyre, pandemia na tregoi se dëshira dhe vullneti jonë për ta çuar përpara këtë projekt i rezistuan pandemisë, pasi ne jo vetëm që zhvilluam platformen online por tani dhe rihapem shkollën.
NJË PËRSHËNDETJE PËR VATRËN, DIELLIN E DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Përgëzoj në emër të shoqatës Komuniteti shqiptar në Itali ( Associazione Comunità Albanese in Italia) dhe në emrin tim personal si President i saj, me respekt Kryetarin dhe stafin e Federatës Vatra në USA, si dhe editorin e gazetës Dielli dhe stafin e tij për një punë të mrekullueshme që kryejnë në shërbim të komunitetit shqiptar në USA. Ju përqafoj nga larg me mall dhe uroj që puna juaj e vyer në shërbim të komunitetit në USA dhe jo vetëm mos të ndalet por të shkojë gjithmonë përpara, mbi të gjitha për bashkimin e territoreve shqiptare. Sa më parë u bashkoftë Shqipëri-Kosovë. Me respekt nga presidenti i shoqates Associazione Comunità Albanese in Italia, Ahmet Bendo.