• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

NDËRFUTJE DHE ALTERNIMET E NGJARJEVE – TIPAR THEMELOR I NJË ROMANI

October 11, 2021 by s p


(Vlerësime për romanin “Dy jetë…” të Pandi Papandos)


Thanas L. Gjika


Në letërsinë shqiptare të derisotme quhet Digresion -hapja e një paranteze në rrjedhën e një vepre letrare për të dhënë shpjegime, shembuj, kujtime, meditime dhe episode që sqarojnë disa hollësi të argumentit të trajtuar në vepër (Ferdinand Leka “Fjalor i termave të letërsisë” INFBOTUES Tiranë 2013, f. 92-93). Mirëpo romancieri Pandi Papando në romanin e ri ka eksperimentuar një përdorim origjinal të digresionit duke e përdorur si mjet artistik për krijimin e subjektit të romanit të tij të dytë “Dy jetë… “PROMO PRINT Sh.p.k., Korçë, Maj 2014, 224 faqe.Pandi Papando erdhi si romancier nga radhët e ingjinerisë elektronike në moshë pjekurie dhe na befasoi me romanin e parë “Një njeri” ALBPAPER, 2011, 256 f. Këtu ai përdori një mënyre të re të ndërtimit të subjektit duke e shtjelluar rrëfimin e ngjajeve jo nga këndvështrimi i autorit, por nga këndvështrimi i secilit personazh që merrte pjesë në ngjarjet e veprës. Për herë të parë ky autor solli rrëfimin e çdo episodi të romanit duke e treguar prej secilit personazh që merrte pjesë në të. Ky roman kaloi në heshtje nga kritika, gjë që përforcon mendimin se në Shqipëri nuk ka kritikë letrare shkencore. Kritika letrare shkencore kërkon investime nga institucionet shtetërore, sepse një kritik letrar është vështirë të dalë spontanisht si mund të dalë një poet, prozator e dramaturg. Formimi i kritikut letrar kërkon disa vite studimi, specializimi dhe akumulimi, gjë që nuk mund të realizohet pa përkrahjen financiare të shtetit në një shoqëri të varfër si është shoqëria shqiptare sot.Romancieri Papando nuk u fye nga heshtja e kritikës, u kënaq nga disa vlerësime të pjesëshme gojore që i dhanë shokët, ose e-mail që i shkruan disa miq, midis të cilëve dhe unë. Sivjet gjatë qershorit, kur u takuam në Korçë më dhuroi këtë romanin e tij të dytë, botuar shtatë vjet më parë. U mbrekullova me rrjedhshmërinë e rrëfimit përmes ndërfutjeve të shkathta të ngjarjeve që kishin ndodhur ose ndodhnin në kohë të ndryshme. Kalimi nga një ngjarje a situatë në një tjetër realizohet me lehtësi pa asnjë paralajmërim dhe pa e ngatërruar aspak lexuesin. U intrigova gjithnjë e më shumë derisa e mbarova së lexuari pa e lëshuar nga duart.Linjat e shtjellimit të ngjarjeve ndërthurren në jetën e Gjergji Linotopit -heroit të veprës. Ky student e pastaj pedagog i Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjatë vitit të parë si pedagog pati rast të njihej me një studente, që iu qep për t’u fejuar, por martesa midis tyre nuk u realizua, për shkak të ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit dhe babait të saj një komunist karierist.Gjergji, gjatë specializimit në Itali kishte udhëtuar rastësisht në një vagon treni nga Milanua në Romë, ku ishte njohur me bukuroshen amerikane, Dajana. Kjo u muarr vesh prej sigurimsit të Ambasadës shqiptare të Romës dhe u dërgua si informacion se ai mund të ishte rekrutuar prej agjenturës amerikane. Kjo shkaktoi ndarjen e tij prej Lindës dhe transferimin si mësues në një fshat të thellë malor të Korçës. Aty në gjendje gjysëminternimi ai u njoh e u dashurua me mësuesen Diana, me të cilën u martua. Mbas martesës ata u shtuan me një djalë, të cilin e quajtën Petro për respekt të gjyshit, babait të Gjergjit. Kur u rrit ky djalë emigroi në SHBA bashkë me nusen e tij. Në SHBA ai mori emrin Peter / Piter, kurse djalin që lindën në atdheun e ri e quajtën Xhorxh (George), sipas variantit amerikan të emrit shqiptar Gjergj, gjyshit të fëmijës.Mbasi jeta ka rrjedhur deri këtu mësojmë se amerikaia e bukur Dajana i kishte lënë amanet së bijës Beti të sqaronte dyshimin e vet se mos ishte bijë e specializantit shqiptar, për të cilin ajo dinte vetëm emrin e mbiemrin dhe se ai kishte qenë duke u specializuar në Itali në vitin 1984, kur patën rast të udhëtonin së bashku në një vagon treni gjatë natës 22 qershor nga Milano në Romë dhe gjatë paradites së 23 qershorit në Romë.Nga shënimet e ditarit, që Dajana kishte mbajtur e i kishte dhënë së bijës për t’i lexuar dhe nga kujtimet e Gjergjit, që autori i riprodhon pas telefonatave që i bëri Beti; marrim vesh se ky dhe amerikania Dajana gjatë shoqërimit të së djelës më 23 qershor përjetuan një aventurë erotike. Ata nuk e përballuan dot tundimin dhe kryen marrëdhënie seksuale në një hotel si të dehur nga ndjenja të zjarrta epshore, si te novela “Amok” e Stefan Zvajgut.U ndanë si fajtorë të penduar. Të dy ishin njerëz të ndershëm, si besimtarja e sinqertë kristjane Dajana edhe fizikanti i ndreshëm shqiptar. Ky e kishte harruar këtë ndodhi, si një ndodhi që mund t’i ndodhi qenieve prej mishi e gjaku, kur pasionet natyrore e errësojnë logjikën dhe mposhtin kulturën dhe moralin. Kurse besimtarja Dajana e kishte vuajtur gjithë jetën dhe dyshonte se mos vajza që lindi më pas, Elisabet (Beti), mos ishte bijë e specializantit shqiptar dhe jo e bashkëshortit të saj Xhorxh-it (George-s). Kjo ide iu thellua dhe më tepër pasi i vdiq djali Bob, gjë që ajo e përjetoi si një ndëshkim prej Zotit për gabimin e bërë me 23 qershor 1984. Dajanën pas vitit 1991, me hapjen e Shqipërisë, filloi ta shqetësonte dhe meraku se po të ishte Beti bijë e Gjergji Linotopit, mund të ndodhnin rastësisht nga mosnjohja lidhje incesti midis Betit e djalit të këtij shqiptari, ose pasardhësve të tyre. Prandaj ajo i kërkon së bijës para se të largohej prej jetës nga sëmundja e pashërueshme, që të lidhej me Gjergjin e të bënin analiza gjenetike, për ta zgjidhur këtë enigmë.Beti arriti të krijojë lidhje telefonike me Profesor Gjergjin, tashmë i riemëruar pedagog në Universitetin e Tiranës. Kërkesa e saj e drojtur për të realizuar amanetin e së ëmës u mirëkuptua dhe u pranua pa nervozizëm prej Gjergjit. Ky shfrytëzon rastin të vejë në New York për të marrë pjesë në një takim shkencor ndërkombëtar, ku ishte i ftuar që më parë. Kur mbërriti në aeroportin FJK të New York-ut, i ndodhi surpriza e këndshme: Beti po e priste me një tabelë ku kishte shkruar emrin e tij. Kështu para se të lidhet me djalin Peter, nusen e këtij dhe nipin Xhorxh, Gjergji u takua me Betin e të fejuarin e saj Piter. Të nesërmen u realizua vizita e Gjergjit dhe Betit në spital, ku bënë analizat. Para të dyve u shtuan shqetësimet sesi do të sillen në rast se dalin me lidhje gjenetike at’ e bijë, dhe në të kundërt, po të dalin njerëz pa lidhje gjenetike. Disa ditë pasi mbaroi seminari shkencor, analizat ishin gati. Mjekja një zonjë hebraike u komunikoi rezultatet e analizave:“Ju të dy keni të njëjtët stërgjyshër. Vini drejt nga Adami dhe Eva… ju vërtet keni të njëjtët stërgjyshër, ata që kemi të gjithë. Nuk ka asnjë lidhje gjenetike midis jush. Nuk e dij në prisnit këtë njoftim, por kjo është e vërteta. Ju të dy dhe unë, së bashku me ju, jemi qytetarë të tokës” (f. 218).Këto fjalë e shkrinë frikën dhe dyshimin që i brente të dy palët. Sytë e lagur të Gjergjit iu dukën Betit si sy fëmije. Kjo shtoi: “Më beso se edhe po t’ju kisha baba, nuk do të isha e pakënaqur” (f. 219).“Eh, moj vajzë, ia ktheu Gjergji dhe vijoi, edhe unë nuk kam qenë i sigurt për rezultatet e sotme, por s’ është vetëm gjaku që i lidh njerëzit. Mendoje, ti po u afrohesh të tridhjetave dhe s’ dije nëse unë ekzistoja. U lodhe për të më gjetur. Tani u njohëm dhe do të ndahemi përsëri. Megjithëse pa lidhje gjaku, unë u ndjeva mirë në shoqërinë tënde. Do të ndjehesha njëlloj edhe po të ishe gjaku im” (f. 219).I lehtësuar, ai propozoi të shkojnë te vorrezat për të folur me Dajanën. Ndjente nevojë t’i kërkonte të falur për shqetësimin që i kishte shkaktuar.Habisë së Betit për këtë këkesë, Gjergji iu përgjigj:“… atje është vendqëndrimi im i parë për të kërkuar ndjesë. Nuk do ta dëgjoj se më ka falur. Por … jam i bindur se do të më falte. Të dytin dhe më të sikletshmin do ta kem kur të kthehem në Shqipëri” -kuptohet kur t’i rrëfehej bashkëshortes Diana për këtë ngjarje, të cilën duhej t’ia kishte rrëfyer më parë… (f. 220).Disa ditë pas vizitës te Vorrezat, jepet largimi i Profesor Gjergjit nga aeroporti FJK i New York-ut, ku e përcillnin djali Piter, nusja e tij dhe nipi Xhorxh, bashkë me ta edhe Beti me Piter-in e vet.“Mirupafshim në Tiranë!”, pëshpëriti pa e përcaktuar se për kë i tha këto fjalë, dhe më tej autori shton se heroi i tij ngriti zërin edhe tha:“Të pestëve” (f. 224).Me këto fjalë mbyllet romani, duke theksuar idenë e veprës, se njerëzit e moralshëm, qofshin besimtarë ose jo, pavarësisht nga gabimet që mund të kenë bërë, gjejnë forca t’i shlyejnë ato shpejt a vonë, duke kërkuar të falur dhe kështu e ruajnë miqësinë e vjetër, ose krijojnë miqësi të re të sinqertë.Ky subjekt i treguar thjesht e shkurt prej meje, shtjellohet me shumë tensione të brendshme psikologjike përmes ndërfutjeve të shpeshta të ngjarjeve të ndodhura më parë, ose që ndodhin në po atë kohë përtej Atlantikut. Kjo është një mënyrë e veçantë e thurrjes së subjektit prej romancierit Papando, që nuk është hasur në veprat romanore të asnjë prozatori tjetër shqiptar para tij, arritje që duhet përshëndetur.Ngjarjet e thurrura prej këtij autori bien në sy edhe për logjikën e shëndoshë në ecurinë shkak-pasojë. Ka raste kur ngjarjet mund të tingëllojnë si të sajuara, qofshin ngjarje, qofshin përkimet e emrave Diana / Dajana, Gjergj / Xhorxh, Petro / Peter / Piter, etj. Mirëpo ecuria logjike dhe thurrja e ngjarjeve me realizëm e bën lexuesin t’i pranojë ato si ngjarje e përkime që ndodhin në jetën njerëzore, sepse ato vërtet mund të ndodhin në jetë. Këtë dukuri lexuesi e has edhe në romanet e shkrimtarit italian Kazanova (Giacomo Casanova), dhe në dy roamnet e shkruar frëngjisht prej Faik Konicës, përkthyer me mjeshtëri në shqip prej Fotaq Andreas “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka” ZENIT EDITION, Tiranë 2016, 332 f.Si krijues i talentuar Pandi Papando, edhe pse është njeri me bindje demokratike, nuk bie në propagandë vulgare antikomuniste. Ai e urren sistemin diktatorial komunist për të këqiat që i shkaktoi popullit, gjen rast për të treguar se sa të ulët ishin disa sigurimsa, si Besniku -sigurimsi i ambasadës sonë në Romë, ose sa pa logjikë ishin disa kuadro partie, si babai i Lindës, që nuk kërkoi të sqaronte raportimet e sigurimsit të ambasadës, por detyroi vajzën të ndahej sa më parë prej të fejuarit në prag të martesës. Po ashtu, autori dënon varfërinë ekstreme ku e kishte katandisur popullin regjimi socialist, por nuk mohon se gjatë atij regjimi shkencat e sakta ishte në nivel europian. Një kuadër i tillë ishte dhe Gjergji Linotopi, heroi i veprës.Problemi kryesor që ka transmetuar autori i veprës është: Mbi të gjitha në jetën e njeriut vlejnë karakteri dhe ndershmëria. Njeriu me karakter dhe i ndershëm, beson ose jo në Zot, di të shpëlajë gabimet që i kryen në momente rrëmbimi, duke kërkuar të falur kur ballafaqohet me gabimet.

Filed Under: Kulture Tagged With: Thanas L Gjika

KOMITETI NOBEL 2021: LIRIA E FJALËS PARAKUSHT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN E QËNDRUESHME

October 11, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

Komiteti norvegjez Nobel njoftoi javën e kaluar se Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, janë gazetarët që fituan çmimin Nobel për Paqë për vitin 2021. Duke njoftuar fituesit e këtij çmimi prestigjoz për paqe, Komiteti Nobel tha se çmimi i këtij viti për paqe, tregon se e drejta e lirisë së fjalës është nën kërcënim, në mbarë botën.  Komiteti Nobel i Norvegjisë vendosi t’u jap Çmimin Nobel për Paqe këtyre dy gazetarëve të guximshëm, Maria Messa dhe Dmitry Muratov me motivacionin: “Për përpjektet e tyre në mbrojtje të lirisë së të shprehurit, që është një parakusht për demokracinë dhe paqën”.A person in a suit

Description automatically generated with low confidence

Në njoftimin për media që lëshoi Komiteti Nobel me këtë rast thuhej se Zonjushës Ressa dhe Zotit Muratov po u jepet Çmimi Nobel për Paqë për luftën e tyre të guximshme në mbrojtje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi. Njëkohësisht, theksohet në atë njoftim, “të dy këta përfaqësojnë të gjithë gazetarët të cilët mbrojnë këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e fjalës dhe liria e shtypit po përballen, gjithnjë e më shumë, me kushte të vështira veprimtarie”.  Zonjusha Messa ka ushtruar me guxim lirinë e fjalës për të zbuluar dhe për të demaskuar publikisht abuzimet e qeveritarëve, dhunën që përdoret dhe autoritarizmin në rritje e sipër në atdheun e saj, Filipinet.  Ndërsa për meritat e gazetarit rus, Dmitry Andreyevich Muratov, Komiteti Nobel thekson se për dekada tani, ai ka mbrojtur vendosmërisht lirinë e fjalës në Rusi, “Me një qëndrim thellësisht kritik ndaj pushtetit në Rusi, gjithmonë përballë kushteve gjithnjë e më të vështira veprimi”, thuhet në njoftim.  Në vitin 1993, Muratov ishte njëri prej themeluesve të gazetës Novaya Gazeta dhe nga vitit 1995 ai ka vazhduar të jetë Kryeredaktor për 24 vjet i kësaj gazete, që sot për sot, është gazeta më e pavarur në Rusi. “Gazetaria e bazuar në fakte dhe në integritetin profesional të këtij organi mediatik e kanë bërë atë një burim të rëndësishëm informacioni…që mbulon subjekte për të cilat askush tjetër nuk flet as nuk shkruan, duke filluar nga korrupsioni, dhuna policore, arrestimet e paligjshme, mashtrimet në zgjedhje e deri tek përdorimi i forcave ushtarake ruse brenda dhe jashtë Rusisë”, vlerëson Komiteti Nobel, punën e gazetës ruse Novaja Gazeta dhe kryeredaktorin e saj Muratov.

Gjatë gjithë kësaj kohe, thuhet në njoftimin e Komitetit Nobel, kundërshtarët e Novaja Gazeta janë përgjigjur ndaj profesionalazmit të gazetës me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe vrasje. Që nga fillimi i gazetës, gjashtë gazetarë të saj janë vrarë, përfshirë Anna Politkovskaja që shkroi artikuj zbulues mbi luftën në Çeçeni, thuhet në njoftimin e Nobelit.  “Pavarësisht vrasjeve dhe kërcënimeve, kryeredaktori Muratov ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës. Ai ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar çfarëdo që duan për çfarëdo që duan, për sa kohë që ato përputhen me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë”, thuhet të njoftimin e Komitetit Nobel. 

Në njoftimin e dhënjes së Çmimit Nobel për Paqe gazetares filipinase Maria Messa dhe gazetarit rus, Dmitry Muratov, theksohet rëndësia që Komiteti Nobel i kushton të drejtës së lirisë së fjalës dhe lirisë së gazetarit për të bërë punën e vet, bazuar në etikën dhe standardet gazetareske, duke thenë se, “Gazetaria e lirë, e pavarur dhe e bazuar në fakte, shërben për të mbrojtur shoqërinë kundër abuzimit nga pushteti, si dhe ndaj gënjeshtrave dhe propagandës së luftës. Komiteti Norvegjez i Nobelit është i bindur se liria e shprehjes dhe liria e informacionit ndihmojnë për të siguruar një publik të informuar mirë. Këto të drejta janë parakushtet thelbësore për demokracinë dhe mbrojnë shoqërinë nga lufta dhe konflikti. Dhënia e Çmimit Nobel për Paqe këtë vit — gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov — ka për qëllim të nënvizojë rëndësinë që i duhet kushtuar mbrojtjes së këtyre të drejtave themelore. “Pa lirinë e shprehjes dhe pa lirinë e shtypit, do të jetë e vështirë të promovohet, me sukses, vëllazërimi midis kombeve, çarmatimi dhe promovimi i një rendi më të mirë dhe më të sukseshëm botëror në epokën tonë”, përfundon mesazhin e vet Komiteti Nobel. 

Ndër reagimet e para ndaj dhënjes së Çmimit Nobel gazetarëve Maria Messa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, erdhi nga Këshilli i Evropës. Enti i lartë evropian, theksoi rëndësinsë e fjalës së lirë, si një nga vlerat më të çmuara të Evropës.  “Liria e fjalës është një nga vlerat më themelore dhe më të dashura të kontinentit tonë, siç pasqyrohet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut. Mbrojtja e gazetarëve është një përparësi për Këshillin e Evropës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Evropës, në emër të 49 shteteve anëtare. “15 vjet pas vdekjes së Anna Politkovskaya, ne jemi veçanërisht të kënaqur që Komiteti Nobel ka njohur punën guximtare të Dmitry Muratov dhe gazetës së tij, Novaya Gazeta, në nxjerrjen në dritë të shkeljeve serioze të drejtave të njeriut në kontinentin evropian”, thuhet në reagimin e Këshillit të Evropës, nepëmjet zëdhënses së këtij enti.

Një zë i rëndësishëm ndërkombëtar që mirëpriti dhënjen e Çmimit Nobel për Paqe  gazetarëve Messa dhe Muratov ishte edhe Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,(OKB) Z. Antonio Guterres, i cili tha se Çmimi Nobel i Paqës për dy gazetarët mbrojtës dhe promovues të fjalës së lirë, është një njohje se liria e shtypit është, “jetike për paqën, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe për të drejtat e njeriut – por edhe si gur themel për krijimin e institucioneve të drejta dhe të paanshme”, është shprehur, me këtër ast, Sekretari i Përgjithsëm i OKB-së.  Udhëheqsi i organizatës më të madhe botërore, duke i uruar fituesit e Çmimit Nobel për Paqe ka thënë se, “Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lirë dhe e drejtë nëqoftse nuk ka gazetarë që duhet dhe mund të hetojnë gabimet dhe abuzimet e zyrtarëve qeveritarë dhe shtetërorë dhe pa gazetarë që t’u sjellin qytetarëve informcionin e nevojshëm dhe, njëkohësisht, t’i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e tyre”, ka theksuar Antonio Guterres i OKB-ës. 

Edhe organizatat ndërkombëtare, mbrojtëse të fjalës së lirë dhe të drejtave të gazetarëve, anë e mbanë botës, siç janë, “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në Nju Jork dhe “Reporterët pa Kufij”, me qëndër ë Francë – kanë pritur mirë Çmimin Nobel për paqë dhenë dy gazetarëve në fjalë. Drejtori i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon, u shpreh se, “Dimtry Muratov dhe Maria Messa personifikojnë vlerat e lirisë së shtypit si dhe arsyet se pse këto vlera janë të rëndësishme.  Këta janë gazetarë të kërcnuar personalisht dhe megjithkëtë ata vazhdimisht kundërshtojnë me guxim censurën dhe shtypjet ndaj përhapjes së lirë të lajmeve, ndërkohë që me puën e tyre kanë shërbyer si shembuj për tu ndjekur nga gazetarë të tjerë”, ka thënë ai. Dhënja e Çmimit Nobel pë Paqe është një njohje dhe miratim i fuqishëm i punës së tyre të palodhur si dhe të gazetarëve anë e mbanë botës, në përgjithësi. Lufta e tyre, është lufta jonë”, ka thenë Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon nga Nju Jorku. 

Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) që është një agjenci federale e pavarur dhe që drejton disa rrjete mediatike, përfshir “Zërin e Amerikës”, uroi gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov duke thenë se ata, “janë shembuj të  guximit, integritetit dhe profesionalizmit që nevojitet për të raportuar faktet, në disa prej rajoneve të botës ku liria e fjalës është më e shtypur se kudo tjetër.”

Këto janë vetëm disa prej urimeve dhe reagimeve botërore që po i paraqes këtu sa për ilustrim, drejtuar dy gazetarëve guximtarë që fituan Çmimin Nobel për Paqe. Me urimet dhe komentet e tyre, udhëheqësit dhe entet e ndryshme botërore, me këtë rast, theksuan gjithashtu edhe nevojën për mbrojtjen e lirisë së fjalës së lirë si, një domosdoshmëri për një demokraci të vërtetë dhe paqë në shoqëri, shtet dhe në mbarë botën. 

Ndryshe nga bota shqiptare prej ku nuk hetova ndonjë urim për dy gazetarët as reagim pozitiv — reagimet dhe urimet qenë të shpejta nga udhëheqës botërorë si dhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që ia duan të mirën lirisë së shtypit, e të cilët, për vite e dekada luftojnë në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të gazetarisë së lirë, anë e mbanë botës.  Të gjithë e mirëpriten vendimin e Komitetit norvegjez që me këtë Çmim dhenë dy gazetarëve – po njohin më në fund rëndësinë që ka ushtrimi i fjalës së lirë në shoqëri si një “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe”.

Fatkeqsisht, ndryshe nga bota perëndimore, mungesa e ndonjë urimi nga Shqipëria dhe Kosova kuptohet deri diku, pasi të dy këto shtete klasifikohen në raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si “gjysëm të lira”.  Pjesërisht, për këtë klasifikim është përgjegjës mënyra se si trajtohet/keqtrajtohet liria e shtypit në të dy shtetet shqiptare.  Sot e 30-vjet të ashtuquajtur “tranzicion”, nuk kemi parë ende një ligj a projekt ligj mbi lirinë e medias që është në përputhje të plotë me vlerat dhe standardet perëndimore.  Përkundrazi, në rastin e Shqipërisë, Kryeministri dhe parlamenti i kontrolluar prej tij, vetëm propozojnë dhe përpilojnë projekt ligje dhe miratojnë ligje krejtësisht në kundërshtim me të drejtën e shenjtë të lirisë së shtypit – duke kërcënuar demokracinë dhe paqën në vend dhe në rajon dhe duke larguar gjithnjë e më shumë shqiptarët nga vlerat perendimore.  Mesazhi i Nobelit këtë vit është se nuk bëhet demokracia as nuk vendoset paqëja në një shtet as në botë duke kufizuar — ose duke luftuar haptazi lirinë e fjalës dhe pavarsinë e gazetarisë.  Pa liri të fjalës, nuk vendoset demokracia e vërtetë, as me “fiat” nga një kryeministër as me ligje duke përqendruar në dorë të burokratëve partiakë kompetenca që nuk u takojn ë atyre, as duke shtetëzuar mënyrat dhe mjetet e përhapjes së informacionit nepërmjet krijimit të ashtuquajturës Agjenci për Media dhe Informim, si dhe i kufizimeve të tjera gjatë viteve për kufizimin e lirisë së fjalës siç ishte e famshmja për të keq, “paketa anti-shpifje”, si dhe kërcënimeve dhe kërcënimeve dhe lloj-lloj etiketimesh ndaj gazetarëve dhe gazetarisë së pavarur në përgjithësi. 

Komiteti Nobel shpërbleu gazetaren filipinase Maria Messa-n dhe gazetarin rus Dmitry Muratov me Çmimin Nobel për paqë për vitin 2021 për guximin e tyre për të luftuar në mbështetje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi, pa marrë parasysh pasojat e vendosmërisë tyre për të raportuar të vërtetën.  Të dy këta kishin marrë vendimin se – në mbrojtje të lirisë së fjalës — nuk do të frikësohen nga sulmet kundër tyre dhe lirisë së fjalës dhe kishin bërë një zgjedhje morale për veten dhe për shoqërinë në të cilën jetojnë, se do të mbrojnë me çdo kusht të drejtën e fjalës së lirë, si një parakusht për një demokraci të vërtetë dhe për paqën në vendet e tyre dhe në botë.

Po ju, gazetarë dhe lexues të dashur shqiptarë, kur do të përcaktoheni, më në fund, për një zgjedhje morale, (“a moral choice”) — kundër atyre që, hapur, luftojnë kundër lirisë së fjalës në trojet shqiptare — dhe kur do të mbroni, me çdo kusht, (jo lirinë e pjesshme), por lirinë e plotë të fjalës, jo vetëm si e drejtë e jotja — së bashku me të drejta të tjera të njeriut që t’i ka falë Perëndia – por edhe si, “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe të qëndrueshme në vend”!?

Frank Shkreli

Dmitry Muratov (left) and Maria Messa were jointly award the 2021 Nobel Peace Prize.

                  Dmitry Muratov (Rusia)                     Maria Messa (Filipinet

Image

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2021

October 11, 2021 by s p

Arch. Ylber Vokshi -Ylli

C:\Documents and Settings\Ylber\Desktop\foto Ylli 2014.png

Kur për shkaqe shëndetësore je i detyruar të jesh spektator dhe të torturosh vetveten me debatet, nëpër studio të ndryshme televizive, në mes të kandidatëve potencial për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale 2021 që do të mbahen me 17 tetor,është një maltretim psikik, një formë e fyerjes së inteligjencës personale dhe profesionale që ma në fund pas 21 vite duhet me e ndryshuar me forcën e argumenteve realiste me vota. Duke e marr në konsideratë realitetin e jetës në Kosovë të cilin e ka krijuar mu kjo klasë politike, e cila prapë po tenton që me premtime diametralisht të kundërta me mundësit reale të shoqërisë të mashtroi elektoratin.Më duhet të kthehem në  kohe dhe të rikujtoi  opinionin  publik se ku e ka zanafillën trajtimi jo institucional, jo ligjor dhe abuziv i hapësirës urbane të Prishtinës gjegjësisht i tërë  Kosovës. Pasi i kisha shtjerr të gjitha mundësitë  institucionale e të dy niveleve për të ndaluar këtë ‘’çmenduri’’ të filluar të pushtetarëve komunal, në atë kohë, prill 2004, punoja në MMPH, u detyrova që me një prononcim publik të iu drejtohem vendimmarrësve të Prishtinës për mënyrën dhe pasojat e një dokumenti të tillë që kishin bërë, ishte fjala për ‘’Planin strategjik 2004-2020 i Zhvillimit Urban të Prishtinës’’ të  konceptuar në formatin   për shtyp ‘’20 +1 pyetjeve  për  përgjigje’’. Po i  risjelli dhe një herë ato pyetje, shumica e të cilave ende janë aktuale , ende edhe sot gjatë përpilimit dhe zbatimit të dokumenteve hapësinore dhe urbane në kryeqytet dhe zonat rurale të komunës së Prishtinës shqetëson njohësit e mirëfilltë të fushës së, planifikimit urban. Plani strategjik 2004-2020 Zhvillimi Urban i Prishtinës 20 +1 pyetjet  për  përgjigje

  1. Në cilat ligje është bazuar Kuvendi i Komunës kur është marr vendimi për përpilimin e këtij “dokumenti” ?
  2. A mendoni se duheni të respektoni ligjin e Planifikimit Hapësinor të aprovuar nga kuvendi i Kosovës si dhe i nënshkruar nga PSSP me 10 shtator 2003.
  3. Të shpjegohet-skjarohet se në këtë “dokument” a  është fjala për:
    • strategji të zhvillimit urban apo hapësinor,
    • dokumente të planifikimit hapësinor apo urban , 
    • tregues i procesit të planifikimit hapësinor ose urban.

Kjo është shumë e rëndësishme pasi ekziston një disharmoni e  madh tek ne në mes të PLANIT dhe PLANIFIKIMIT si dokumente ose procese hapësinor me rëndësi .

  1. Si është e mundur të punohet një strategji pa respektuar fare gjendjen reale kaotike urbanistike dhe duke abstrahuar të gjitha problemet hapësinore dhe urbane të krijuar nga mos funksionimi permanent i pushtetit lokal në lëmin e ndërtimeve. 
  2. Si mundet të premtohet një zhvillim i “QENDRUSHËM” urban duke mos respektuar gjendjen reale dhe analizuar shkaqet e kësaj gjendje?
  3. Si është e mundur të planifikohet për periudhën 16 vjeçare (2004-2020) në kushtet e zhvillimeve marramendëse teknologjike në botë, (sipas ligjit në fuqi koha e planifikimit është nga 5 gjerë në 10 vjet varësisht nga lloji i planit) 
  4. A mendoni që strategjia si proces i vazhdueshëm duhet të ketë afate kohore të fiksuar, si në rastin e juaj(16 vjet).
  5. Si qëndron çështja e IDENTITETIT hapësinor të qytetit pasi për identitetin individual as që do të pyesim pasi ai është përdhosur gjithnjë. Si ndryshe të shpjegohet neglizhimi i qytetarit si faktorit më të rëndësishëm gjatë definimit të “konceptit” hapësinor dhe urban të qytetit.
  6. A mendoni se nëse do të respektohej rruga natyrore dhe ligjore e përgatitjes së dokumenteve hapësinore do të kishte vend koncepti i Prishtinës si METROPOL në kohen kur në tërë botën preferohet SHKARKIMI i qyteteve si e vetmja mundësi për tejkalimin e kaosit urbanistik që i kanoset gati të gjitha metropoleve botërore.
  7. Nëse do të respektohej zhvillimi POLICENTRIK i qyteteve si njeri prej principeve  themelore në planifikimin aktual hapësinor, ku do të ishte vendi i modelit të propozuar “PRISHTINA –METROPOL” si model plotësisht i tejkaluar. 
  8. Sa do të fitoni nga kontaktet, bisedat me qytetarët e pa informuar me “dokumentin”. A është kjo “transparenca” e proklamuar për një dokument të këtij rangu,sa do të mundeni të përfitoni nga këto mënyra të kontakteve me publikun,a e shihni  rrezikun e koftra efekteve të mundshme?
  9. Ku është vendi dhe rroli i qytetarëve si PJESMARRËS kryesor në procesin e përpilimit të këtyre dokumenteve pasi sipas trendëve të reja pa inkuadrimin aktiv të pjesëmarrësve në procesin e planifikimit hapësinor dhe urban nuk do të kemi sukses në implementimin e këtyre dokumenteve. Metodat klasike të DISKUTIMEVE  dhe DEBATEVE publike me afat të caktuar kohor preferohen vetëm nëse do të sigurohet pjesëmarrja e qëndrueshme e qytetarëve gjatë tërë procesit të planifikimit e kjo nuk ka ngjarë me rastin e përgatitjes së këtij “dokumenti”.
  10. Si do të përkujdeseni,a do të jeni imun, ndaj “interesave private”të cilët zakonisht imponohen të futen pa kritere në planet hapësinore dhe urbanistike.
  11. Si është menduar të sensibilizohen të gjitha partitë kryesore politike se “sigurimi i kualitetit të jetës në qytete” është mbi interesat e tyre të shumëllojshme partiake dhe është e domosdoshme kyçja e tyre aktive  në rregullimin  e qytetit, përmirësimin e banimit si dhe mbrojtjen e rrethit apo ambientit ku jetojmë.
  12. Ku e shini ju dallimin në mes të planifikimit strategjik (tani) dhe planifikimit konvencional (dikur) pasi fitohet përshtypja se toka dhe hapësira e qytetit janë trajtuar vetëm si çështje të ndarjes fizike të tokës për përdorim të ndryshëm,çka sot nuk duhet toleruar!
  13. Nëse njëra prej karakteristikave kryesore të planifikimit strategjik është SELEKTIVITETI dhe FOKUSIMI i çështjeve kjo nuk vërehet në rastin konkret. Ma shumë kemi të bëjmë me një planifikim GJITHPËRFSHIRËS si në të kaluarën .
  14. A mendoni së VISIONI i prezantuar është REALIST (veti e planifikimit aktual)

apo është vizion i IDEALIZUAR (veti e planifikimit centralist).

  1. A është menduar në mundësit financiare të implementimit, realizimit, të këtyre ideve apo këto do të mbesin “dokumente” për rafte,si ka ngjarë më pare gjatë planifikimit centralist?
  2. A është e preferuar të angazhohen në përpilimin e “konceptit” të zhvillimit hapësinor  të qytetit  “ekspertët e huaj”,një pjesë e të cilëve ishin prezent në Kosovë  pas luftës me ndihmën e administratorit të Prishtinës i cili na është i njoftuar me qëndrimet e tija “humane”lidhur me ndërtimet dhe mbindërtimet në qytetin e Prishtinës.
  3. A është marr në konsideratë mendimi i qytetarëve të vjetër të Prishtinës të cilët më mire se të gjithë ne e përjetonim qytetin e tyre. A janë konsultuar gjatë përpilimit të këtij “dokumenti”apo është vepruar si në kohërat e kaluara kur tërësisht është injoruar mendimi e tyre për qytetin.

——————————————————————————————————-

  1. Si e komentoni titullin e një raporti në shtyp “Prezantohet ëndrra për Prishtinën metropol”

Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane. Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë,   kjo nuk ka ndodhur këto vite në Prishtinë  –  Kosovë,  Për fatin e keq të gjithë neve nuk pati reflektim pozitiv në atë  kohë, prill 2004, e ky   ishte sinjal inkurajues për të gjithë keqbërësit të fillojnë ndërtimet pa leje dhe kontroll shtetërorë në Prishtinë dhe tërë Kosovën deri në ditët e sotme, me epilog tragjik për të ardhmen e Prishtinës. U ndërtua në të gjitha anët pa kontroll shtetëror, diçka e  pa parë në përvojën botërore. Në këto vite ne i kemi treguar botës së civilizuar se nuk dimë të urbanizojmë edhe zona të lira të qytetit, duke bërë keqpërdorime dhe abuzime të rënda, si ishte lagjja “Mati 1”. Kjo qasje e shtetit ndaj problematikës urbane është shqetësuese dhe në njëjtën kohë dëshpëruese se ku e kanë katandisur popullin e vetë këta njerëz që me pa përgjegjësi ekstreme kanë vepruar këto vite në shekullin e ri.U aprovua një ligj për legalizimin e tyre së fundit  në vitin 2016 i  cili faktikisht legalizon të gjitha llojet e ndërtimeve në Prishtinë dhe në Kosovë duke propagu ndërtimet pa leje si një  profit pozitiv fitim prurës ekonomik, duke apstrahuar humbjet e mëdha qindra milionëshe që  iu janë shkaktuar shtetit si dhe  pasojat tronditëse që  i kanë  shkaktuar banorëve të kryeqytetit.

Një qytet-kryeqytet të tillë do ta trashëgon ai që do ti fiton zgjedhjet, me parregullsi të mëdha urbane të pa imagjinueshme dikur, është  shumë vështirë të udhëhiqet, nevojitet punë e madhe me profesionist të vërtetë që në  Kosovë  janë të   paket,  prandaj kujdes me premtime elektorale të pa realizueshme nga aspekti kohor dhe financiar. 

Prishtinës i duhen intervenime – rehabilitime urbane urgjente gati ne te gjitha zonat e qytetit te vjetër dhe pjesëve te reja pasi është ndërtuar pa rregulla standarde dhe norma urbane, së paku për të shpëtuar atë që është e mundur.

Prandaj keni kujdes kur të jepni premtime elektorale,  pasi shumicën e tyre nuk keni   mundësi ti realizoni me buxhet komunal as me donacione apo grande e   sa  për kredi ndër kombëtare as mos llogaritni, askush  nuk do të ju financon me i mbuluar marrëzitë tona që i  kemi bërë këto 20 vite.

Puna kryesore dhe ma e vështira e juaj është duke pasur kujdes që së pari me ndryshuar mendësinë urbane të politik-bërësve tanë e pastaj popullit, pasi  Prishtina është ruralizuar në këto 21 vite, ky  është proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti.

Prishtinë        11  tetor 2021                                                                

  arch. Ylber Vokshi -Ylli

arkitekt i pavarur

C:\Documents and Settings\Ylber\Desktop\foto Ylli 2014.png
C:\Users\HP\Desktop\aa--My Document nga kompjuteri i vjeter\Y--2016\NPL 2016\Per botim\Y-foto.jpg

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ylber Vokshi

POR EVROPA NUK ËSHTË ZVICRA

October 11, 2021 by s p

Nga: ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Përfytyresa është e përsosur: një elefant që e beson veten të vogël dhe fshihet mbas një peme për t’i shpëtuar  një gjuetari. Është Evropa e sotme. Me këtë përfytyresë , mbyllet, në këtë të përditëshme (29 shtator) përimtimi i ndritur që Federico Fubini i ka kushtuar iluzionit evropian: iluzionit t’Evropës që të mund të kthehet në një lloj Zvicre e cila, duke shfaqur pa-anësi përballë kundërshtimeve që përshkojnë botën, mund të qëndrojë jashtë, e paprekur dhe e lumtur. Me që Gjermania është shtylla e vërtetë e Evropës, asgjë më shumë se fushata zgjedhore gjermane e sapo mbyllur, mund të shërbejë për të sqaruar cila është, përtej retorikës zyrtare, gjëndja shpirtërore e opinionit publik evropian. Tragjedia e Kabulit këtë verë, ka dhënë për një çast përshtypjen se evropianët do të kishin kupuar se çfarë po ndodh, ose që bota e lindur mbas luftës së Dytë botërore – e së bashku me të edhe strofkulla e qenit e rehatëshme në të cilën kemi jetuar për më shumë se shtatëdhjetë vite – është duke u kalbur. Që këtu shumë bisedat mbi mbrojtjen evropiane, mbi nevojën e një “autonomie strategjike” (nga amerikanët) e tjera. Kanë kaluar vetëm pak javë dhe Kabuli e mësimet e tij të hamendësuara duken pothuajse të arkivuara. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E kanë treguar shumë mirë përmbajtjet e fushatës zgjedhore gjermane, madje dhe deklaratat e fituesve dhe humbësve kur mbaruan zgjedhjet. Ashtu sikurse edhe fakti që n’Itali e në pjesën tjetër të Evropës klima politike u kthye me shpejtësi ajo e përherëshmja.

Në demokraci politikanët janë rimorchio e opinionit publik (kush guxon të thotë vërtetë gjëra jo popullore?) dhe opinioni publik evropian i këtyre kohëve duket se arsyeton kështu: ç’na duhet neve shemëria e fuqive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës? Ose për prirjen historike të Rusisë për të shkarkuar jashtë tensionet e brëndëshme dhe mungesën e popullaritetit t’atij që drejton në Kremlin, nëpërmjet politikave imperialiste dhe sulmeve t’armatosura? Ose për faktin që në zonën e Mesdheut fuqitë që zotërojnë janë tashmë ajo ruse dhe ajo turke? Ose për faktin që kinezët me mjete ekonomikë dhe rusët me armë bëhen gjithënjë e më ndikues n’Afrikë? Apo për faktin që skajshmëria islamike, mbas Kabulit, kthehet të kërcënojë të gjithë, përfshirë edhe neve? Ne jemi paqësorë e paqtues. Përse kjo duhet të na ndalojë që të përfshihemi në çdo gjë të keqe që ndodh në botë? Detyra jonë është të kemi marrëdhëniet më të mira me këdo që është i rëndësishëm, veçse të kujtohemi ndonjë herë edhe për “të drejtat njerëzore” (por jo kur bisedojmë çdo ditë me kinezët e rusët, nuk do t’ishte edukatë).

Për të treguar paqëndrueshmërinë e pozitës evropiane mjaftojnë tre vërejtje. Të kujtojmë, para së gjithash, diçka mbi Zvicrën. Është e vogël kurse Evropa nuk është e tillë. Jo vetëm ka qënë ndër shekuj e mbrojtur nga struktura e relievit të saj, ndërsa Evropa nuk është. Ka qënë për po aq shekuj nga fakti se njerëzit e lirë të Kantoneve të saj ishin të gatshëm t’i paguanin tribute të rënda gjaku kujtdo ushtrie që me shumë vështirësi do të kishte depërtuar mes maleve e luginave të tyre.

Vërejtja e dytë ka të bëjë me temat pak a shumë të reja që duken sot në rendet e ditës së Vëndeve evropiane: revolucioni i gjelbër, ai digjital, transformimet e punës të shtyra nga zbatimi i zgjuarsisë artificiale, etj. Kujtdo që beson se këto caqe janë të mbrojtura nga shemëria ndërmjet fuqive shpejt do t’i duhet të ndërrojë mendim. Do të ketë fitimtarë e të mundur, do të jetë ndonjëri që do të fitojë në pushtet politik dhe pasuri e dikush tjetër që do të humbasë. Edhe ashpër. Nëse është e vërtetë se mënyrat e vjetra nuk perëndojnë kurrë , nuk do të ketë vetëm luftëra, pushtime ushtarake dhe sulme terroriste. Mund të bëhemi edhe në mënyra të tjera mvartës, të gjindemi nën urdhërat e ndonjë tjetri (makar të një fuqie autoritare) që kontrollon teknologjitë tjelbësore e që është i gatshëm t’i bëjë lëshime atyre më të shtruarve, më të dëgjueshmëve.

Konsiderata e fundit ka të bëjë me natyrën e fuqive që hahen për kontrollin e botës. Edhe se hartuesit Manifestit të Ventotenes gabuan duke përfytyruar Shtetet kombëtare në fundin e tyre, ata e kuptuan se fatet e botës do të ktheheshin përsëri në duart e perandorive të mëdha, siç kanë qënë në mijëvjeçarë. Lufta e ftohtë, ose shemëria ndërmjet një “fuqie detare”, një republike imperiale (Shtetet e Bashkuara) dhe një perandorie kontinentale (Bashkimi sovjetik) – mbas një ndërprerjeje të shkurtër – i le sot vëndin luftërave të fuqive ndërmjet një shumësie perandorish. Me që ra fjala, edhe disa fuqi mesatare me dëshira zotëruese në rrethin rajonal, si Turqia dhe Irani, kanë një të shkuar traditash perandorake.

Është zakon në demokracitë të hedhin kryqin mbi politikanët, mbi pa-aftësitë e tyre. Nëse siguria evropiane është e kërcënuar duke humbur mbrojtja amerikane shumë nga besueshmëria e saj e hershme, nëse Evropa rrezikon të mbetet në mëshirën e fuqive autoritare, nëse kështu siç është sot, nuk ka asnjë mundësi të jetë në t’ardhmen  zonjë e fatit të saj, faji do t’ishte vetëm i politikanëve. Shumë e ngeshme. As Winston Churchill-i nuk do të kishte arritur të rregullonte gjë nëse opinioni publik britanik, mbas vite e vite shkujdesjeje, mos të kuptonte papritmas rëndërinë e rrezikut nazist.

“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

KOSOVA DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE, 3 OPSIONET E PARA 30 VITEVE

October 10, 2021 by s p

-E nënshkruar në 11 Tetor 1991, Deklarata e 11 partive politike shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Peshevës e Malit të Zi kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para 27 viteve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Tetor 2021/ Referendumi me të cilin Kosova shpallej shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 me  99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës të 7 Shtatorit 1990,  pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 majit 1992.

Pikërisht para 30  viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata e 11 partive politike shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Peshevës e Malit të Zi kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  në intervistën që kam zhvilluar në Shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

 “Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës”.

Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.

 Presidentit Rugova përgjigjej: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 27 viteve në intervistën ekskluzive qe zhvilloja, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.

MË 22 KORRIK  1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS

Më 22 Korrik 1991, Partitë Politike Shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partive politike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera. 
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë. 
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:Deklaratë politike

A)     Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;

B)     Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është element konstituiv i Federatës Jugosllave;

 C)     Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë për sovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;

D)     Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpër procedurë policore.

E)      Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 Korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 Shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1.    Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 Shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 Tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1.     Lidhja Demokratike e Kosovës

2.     Partia e Prosperitetit Demokratik

3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4.     Partia për Veprim Demokratik

5.     Partia Fshatare e Kosovës

6.     Partia Shqiptare Demokristiane

7.     Partia Parlamentare e Kosovës

8.     Partia Socialdemokratike e Kosovës

9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10.     Partia Popullore Shqiptare

11.     Partia Demokratike Shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT