• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

“ÇLIRIMI” I KOSOVËS NGA PARTIZANËT SHQIPTARË DHE JUGOSLLAVË DHE RIPUSHTIMI SLLAVO-KOMUNSIT (1)

November 8, 2021 by s p

Rishqyrtim historik.

Jusuf BUXHOVI

Diskursi i “çlirimit” të Kosovës nga nazi-fashizmi, siç po shënohet edhe këto ditë në disa qytete, duhet të rishqyrtohet nga historiografia institucionale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Meqë faktet historike flasin qartë se koniza globale antifashiste jo vetëm që injoroi realitetet e kohës nga shpërbërja e Jugosllavisë së Versajes siç ishin ato të çlirimit të një pjese të madhe të shqiptarëve nga pushtimet serbo-jugosllave (1912-1941), por njëherësh të drjetën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, që u pasqyruan me shtetin e parë shqiptar nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1994 në përmasat e përafërta të shtrirjes etnike, e anatemoi me hipotekën e “shtetit kuisling”. Kjo i hapi rrugën hakmarrjes komuniste në përmasa tragjike në Kosovë me mbi 50 mijë viktima. Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korriku të vitit 1945, duhet të kualifikohen si ripushtim i Kosovës nga Beogradi.Nga Jusuf BUXHOVISkenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”. Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit. Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan. Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”. Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”. Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…” Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa: – së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;- pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe, – së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav. Por, kërkesa e “spastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpuno-torët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më. Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut. Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë) , ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë. Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bom-bardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë. Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Vermahtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944. Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastruk-turën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth. Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane. Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ. Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë. Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944. Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palo-kën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët. “Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun. Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”. Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste. Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist. Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugo-sllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”. Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin: – sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë; – shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare; – të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin; – organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim. Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpuni-mit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”. Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren. Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë. Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Briga-da I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan. Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut. Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan. Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste. Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit. Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337).

Filed Under: Komente Tagged With: Jusuf Buxhovi

U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË MIAMI, FLORIDA

November 8, 2021 by s p

Sokol Paja/

Miami, Florida – Sot më 7 Nëntor 2021 u themelua dega më e re e Vatrës. Kjo degë do të drejtohet nga kryetarja e komisionit nismëtar të themelimit studiuesja Iris Halili e cila bashkë me zonjën Blerina Fortuzi(Merxhani) dhe z.Ernest Nikaj si nënkryetarë dege, zonjën Anila Niklos si sekretare dege dhe zonjën Anila Troplini si arkëtare. Ekipi drejtues i degës përbëhet nga personalitete të fushës së ekonomisë, biznesit, lidershipit, veprimtarë dhe aktivistë me integritet dhe personalitete shqiptare në Florida. Vatra Miami ka mision të nderojë dhe trashëgojë amanetin e themeluesëve të Federatës dhe të bëjë realitet moton: “Kur duam njëri- tjetrin duam më shumë Shqipërinë. Në fjalën e saj përshëndetëse, studiuesja Iris Halili u shpreh: “Ndihem e privilegjuar që po marr këtë mision dhe falenderoj shumë kryetarin, Zotin Elmi Berisha për besimin dhe inkurajimin e dhënë që në çastet e para. Besoj dhe shpresoj se do realizojmë projekte të bukura, por mbi të gjitha do punojmë që të shtojmë dashurinë dhe dedikimin mes shqiptarëve. Motivi i “Vatra Miami” do të jetë: “Duam Shqipërinë kur duam më shumë njëri – tjetrin”! Këto ishin ndjenjat dhe fjalët e para që më erdhën në mënd tek hidhej ideja e hapjes së “Vatra Miami”. Le të jenë këto fjalë bekimi ynë, frymëzimi ynë, misioni ynë. 114 vjet më parë iluministi Shqiptar Mid’Hat Frashëri, u është drejtuar Shqiptarve me këto rreshta :“Shqiptarë!! Hapni Sytë! Shkoi shtrëngata e ligësisë, tani po fryn veriu i urtësisë, i vëllazërisë dhe i dashurisë! Mlidhuni, mblidhuni, nën krahët e arta të Lirisë dhe thërrisni të gjithë: Rroftë urtësia, rroftë bashkimi, rroftë vëllazëria”!! (Mid’Hat Frashëri Gazeta Iliria , 11 Korrik 1908). Duket se Shqiptarët e asaj kohe nuk se ja vunë veshin Frashëlliut tjetër të madh, dhe në vend të bashkoheshin u ndanë dhe si për më keq e luftuan njëri- tjetrin edhe më për dreq! Kjo bëri që kur dolëm nga errësira komuniste këto rreshta të gjigandit të na kumbonin prapë në zemër dhe të na e drithëronin atë me vërtetësinë e tyre! Mendimet e ndritura kanë një madhështi, ato janë sa universale aq edhe profetike e mund t’i lexosh në çdo kohë e në çdo të tillë ato marrin tjetër dimension. I fundit i Frashëllinjve e dinte ku mbetej dobësia e shqiptarëve, ndaj linte amanet bashkimin sikur e na e ka lënë edhe legjenda e heroit kombëtar, Skëndërbeut. Njerzit më të ndritur të kombit tonë gjithmonë kanë ditur të frymëzojnë dhe përcjellin bashkimin mes nesh. E tillë lindi dhe Vatra në 28 Prill 1912-tën, të tillë e donte atë Noli dhe Konica! Ndaj, së pari në përkulje dhe mirënjohje supreme ndaj Tyre, ne sot kemi krenarinë të shpallim krijimin e degës më të re të Vatrës dhe ta sjellim atë pranë çdo bashkëatdhetari që jeton dhe punon në Miami apo Florida! Ne anagazhohemi të ndjekim dhe respektojmë kanunoren e Vatrës si dhe të lartësojmë jo vetëm emrin tonë si “Vatra Miami” por edhe të Vatrës si institucioni më i vyer i çdo Shqiptari në Amerikë dhe jo vetëm. Misioni ynë nuk është i lehtë, pasi këshillat e etërve ende nuk janë plotësuar: ka zënka e përcarje mes nesh, ka xhelozira dhe inate, ka hasmërira dhe mllefe. Këto nuk duhet t’i takojnë më shqiptarit të kohëve moderne kudo ku ai jeton apo punon! “Shpresa është te bashkimi dhe te urtësia”, na këshillonte Mit’Hat Frashëri. Ky duhet të jetë misioni i çdo vatrani, i çdo shqiptari të mirë apo edhe vetë fëmijve tanë. Ndonëse të lerë e rritur në vendin më të bekuar të botës, fëmijët tanë duhet të mos rreshtin kurrë së dashuri rrënjët e tyre dhe vendin e paraardhësve të tyre. Dhë që ta arrijmë këtë ne duhet ti mëkojmë bijtë tanë me vlerat shqiptare dhe të përpiqemi me çdo forcë të çlirohemi nga antivlerat që na kanë mbajtur peng ndër shekuj. T’u mësojmë fëmijve tanë gjuhën tonë të bukur, atë gjuhë që na mbajti gjallë si komb, t’u mësojmë atyre shqiptarizmën, falë të cilës Shqipëria u mbijetoi shekujve si për të na vërtetuar se kulturat e vendeve të vogla kanë vlerën e diamanteve që sado t’i godasësh asnjëherë nuk thërrmohen!! Le t’i urrojmë pra kështu suksese degës më të re të Vatrës që e nis rrugëtimin e saj në muajin më të bekuar për çdo shqiptar: Nëntorin e Pavarësisë. Na priftë e mbara” përfundoi kryetarja e degës së Vatrës në Miami, Iris Halili. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha përgëzoi degën e re me rastin e themelimit dhe vuri theksin te rëndësia e marrjes së angazhimit patriotik të vajzave e grave shqiptare më të spikatura në Miami e më gjërë për ti shërbyer çështjes kombëtare. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj në fjalën e tij përshëndetëse e quajti historik jo vetëm faktin e themelimit të një dege të Vatrës prej një femre shqiptare të suksesshme, por mbi të gjitha përgëzoi frymën, grupin, dhe elementin më të mirë shqiptar të angazhuar në degën e re të Vatrës në Miami për ti shërbyer bashkimit, vëllazërimit, forcimit dhe unifikimit të faktorit shqiptar në Florida e më gjërë. Kryetari i degës së Vatrës në Michigan z.Mondi Rakaj solli përshëndetjet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj dhe detajoi angazhimin e tij në Vatër prej më shumë se 1 dekade dhe rëndësinë e faktorit shqiptar në shtetet ku jetojnë e veprojnë në USA. Kryetari i Vatrës në Tampa Isuf Spahiu, dhe kryetari i Nderit të Vatrës në Tampa Tasim Ruko dhe nënkryetari Endri Filipi përgëzuan degën e re dhe vunë theksin te bashkëpunimi i degëve të Vatrës në Florida dhe mbi të gjitha bashkëpunimi i të gjithë shqiptarëve në krejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të çështjes kombëtare. Kryetari i Vatrës z.Berisha, Nënkryetari z.Grishaj dhe Kryetari i Vatrës në Michigan z.Rakaj i dhuruan degës së re të Vatrës në Miami 600 usd dhe Kryetari i Vatrës në Tampa z.Spahiu, Kryetari i Nderit z.Ruko dhe nënkryetari z.Filipi dhuruan 300 usd si suport për të mbështetur aktivitetet në dobi të çështjes kombëtare.

230You and 229 others50 comments13 sharesLikeCommentShare

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

PROF. DR. ZYMER UJKAN NEZIRI FIGURË EMBLEMATIKE NË FUSHËN E STUDIMEVE TË EPIKËS LEGJENDARE DHE HISTORIKE

November 8, 2021 by s p

Sprovë për të gdhendur portretin e Prof, Dr. Zymer Ujkan Nezirit: 

Në 75 vjetorin e lindjes (6 nëntor 1946)

Shkruan: Xhemail Peci

https://www.fjala.info/wp-content/uploads/2018/03/xhemail_peci.jpg
See the source image

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri

Kronikë e kohëve të vrullshme

Jeta e tij është dëshmi e mbushur me atdhedashuri, vepra e tij është përplot përkushtim dhe dashuri për albanolgji. Ndërkaq, 75 vjetori i lindjes së tij na ka zënë në befasi! Për një jetë të mbushur me veprimtari të parreshtur atdhetare, dhe për një jetë të mbushur me veprimtari të ngjeshur studimore, me vëllime të tëra librash e me projekte madhore, me fjalime përkujtimore nëpër tribuna e me nderime të panumërta për personalitete kombëtare, nuk kemi ende një biografi të mirëfilltë studimore! 

Vepra e tij është sa dhunti po aq edhe dëshmi për një trashëgimi aq të pasur kombëtare. Ai nga mendja e tij dhe nga dora e tij na ka falur një thesar të pashterrshëm të trashëgimisë sonë kulturore, e cila pret të sheh dritën e botimit në tërësinë e vet epike. Ai ka gati gjysëm shekulli që udhëton me këtë thesar, të cilin e ka mbajtur gjithmonë në mendje, të cilën e ka mbledhur me një dashuri proverbiale, dhe të cilin e ka gjithmonë, sa në mendje po aq edhe në zemër. Krenar për thesare dhe visare të tilla të trashëgimisë sonë shpirtërore, ai ka rendur në rrugën e atyre që u falën me gjithë qenien për vijimësinë e kluturës sonë iliro-arbërore. 

Në 75 vjetorin e veprimtarit dhe intelektualit të përmasave të tilla, Instiuti Albanologjik i Prishtinës, ku ka përjetuar shumë dhe ku ka punuar shumë, deri tani do të duhej t’ia kishte botuar veprën e tij të plotë, duke përfshirë edhe dorëshkrimet që rrijnë nëpër skeda e nëpër sirtarë, gati për të parë dritën e botimit. 

Në 75 vjetorin e këtij veprimtari të pandalshëm dhe të këtij epikologu të devotshëm, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Kosovës, deri tani do të duhej t’ia kishte botuar të plotë veprën e tij studimore, e cila do të nderonte çdo Ministri, dhe të cilën do ta lakmonte çdo Akademi në botë.

Gjithsesi, Republika e Kosovës, për të cilën ai dhe shokët e brezit të tij vepruan e punuan pa u ndalur, dhe për të cilën qëndruan si shkëmb në këmbë, do të duhej ta nderonte, të paktën me një Mirënjohje Publike me sfond të mirëfilltë Republike.

Në anën e breznive orëmira

Të shkruash për Zymer Ujkan Nezirin, është një kënaqësi e veçantë, por gjithsesi edhe një përgjegjësi sepse është e vëshirë të përfshihet e gjithë veprimtaria e tij në një shkrim të vetëm. 

Shkrimi për të është si edhe vetë takimi me të: gjithmonë një ndjenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për njeriun që nuk u dha e nuk u mposht, por edhe për studiuesin që u mishërua e u poq me historinë dhe me epikën legjendare të kombit të tij. 

I lindur dhe i rritur në gjirin e një familje me ndjenja të theksuara dhe të dëshmuara atdhetare, i edukuar dhe i arsimuar në frymën e zgjimit të ndërgjegjës kombëtare, Zymer Ujkan Neziri është një shembull i rrallë prej një njeriu fisnik e bujar, një veprimtar i pandalshëm dhe një shembëlltyrë fisnike në qëndrimin e tij atdhetar, me devotshmërinë dhe me krenarinë e tij të ligjshme për genin shqiptar, por gjithsesi edhe në një studiues gjithë pasion e përkushtim, gjithë dhunti e dashuri për të bëmat heroike të të gjithë atyre që lan gjurmë gjaku për lirinë e truallit amtar.

Që në takimin e parë me të, Zymer Ujkan Neziri linte një përshtypje sa të veçantë po aq edhe të rrallë, me një bisedë që shpaloste mirësi dhe gatishmëri, si për të këshilluar ashtu dhe për të ndihmuar. Fjala e tij me peshë dhe mendimi i pjekur shkencor, bujaria dhe fisnikëria e shquar e fisit, atdhedashuria e trashëguar prej votrës së mbushur me këngë kreshnikësh, si dhe prej sofrës së shtruar nga ata që gjithmonë e kanë gatuar ndjenjën e lirisë së bashku me atë dritës së diturisë, janë vetëm disa prej tipareve që e shquajnë këtë shembëlltyrë të veçantë prej njeriu dhe krijuesi.

I dënuar disa herë me burg për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, i përjashtuar nga puna për shkak të bindjeve dhe idealeve të tij politike, si dhe për shkak të përkrahjes së lëvizjeve atdhetare në Kosovën e okupuar nga forcat ushtarake e policore jugosllave, i ndaluar për të punuar në profesionin e tij për shkak se i kish takuar Lëvizjes Studentore të vitit 1968 për Kosovën Republikë, i ndaluar për të udhëtuar jashtë shtetit e me pashaportë të konfiskuar nga regjimi i kohës, Zymer Ujkan Neziri – ashtu si edhe paraardhësit e tij, ishte rreshtuar drejt dhe kishte qëndruar me një dinjitet për t’u admiruar, duke mbajtur me krenari të ligjshme prej shqiptari të dëshmuar dhe prej intelektuali të formuar, anën e breznive orëmira. 

***

Zymer Ujkan Neziri zbret në thellësinë e shekujve, flet me lahutarët e këngëve epike, gërmon biografitë e tyre, shënon emra e përjetëson ngjarje, regjistron data dhe beteja, gjurmon trungun e gjenealogjisë së heronjve dhe të dëshmorëve, takon bashkudhëtarët e epeve kreshnike, bashkon këngëtarët me luftëtarët, nderon pushkët e bardha dhe lartëson lahutat e varura ndër muret e kullave kreshnike.

Njohës i thellë i traditës dhe i historisë, i epikës dhe lirikës, i frymëzuar për të përjetësuar visaret shpirtërore të kombit të vet, si dhe i përkushtuar për të shpalosur thesaret e sofrës së madhe të kreshnikëve, ai dëshmon për të kaluarën tonë por edhe me të drejtë këshillon që ato t’i ruajmë për ardhmërinë tonë. 

Me dashurinë e tij të veçantë për të mbledhur epikën legjendare, si dhe me përkushtimin e tij të rrallë për ta nxjerrur atë në dritë, Zymer Ujkan Neziri dëshmon se ka pi ujë në gurrën e pashterrshme të frymëzimeve që pinjojve të breznive orëmira ua ka falur epika e kreshnikëve. 

Ai i risjellë në kujtesën tonë, ai i rizbulon, ai na kujton rishtazi lahutarët me moshën e këngëve të tyre sa mosha e tokës mëmë. Ai i fton ata nga e kaluara e largët, i tubon ata në dritën dhe në ditën më të afërt të nderimit e të përkujtimit, dhe duke i tubuar një nga një, ai e shtron kështu sërish sofrën e kreshnikëve, ku lahutarët me plisat e bardhë si borë mbi vetull dhe me zërin e lotoreve tona (siç i ka quajtur poeti kombëtar Gjergj Fishta lahutat-lacromatoriumet tona) ujëvarat e bjeshkëve përcjellin nëpër çdo shekull. 

Zymer Ujkan Neziri me punën e tij gjithë përkushtim, ngre në piadestal homerët e truallit tonë arbëror, lahutarët e pavdekshëm. Ai dëshmon kështu me dhuntinë dhe me dashurinë e tij për epikën kreshnike si dhe për të bëmat historike të levendëve të lirisë së Shqipërisë, të cilët përcëlluan gjurmë vetëtimash në qiellin shqiptar, suferinë dhe tramundanë. 

Duke nderuar lahutarët me këngët e tyre kreshnike, Zymer Ujkan Neziri ka nderuar dhe ka lartësuar njëkohësisht zhgunat e atyre malësorëve “që e banë dekën si me le”, e që me majat e opingave të tyre “tek bënin treqind kryengritje në katërqind vjet”, Europës tinzare i shkaktuan tërmet.

Duke shkruar për viganin e penës dhe viganin e pushkës

E veçanta e shkrimeve të Zymer Ujkan Nezirit është fakti se rëndom kur shkruan për ndonjë figurë të njohur, qoftë letrare apo historike, ai i shkon deri në fund gjurmimit të rrënjëve të figurës për të cilën shkruan. Ai shkruan jo vetëm me pasion, por gjithsesi edhe me erudicion. Ai gjurmon kështu në autobiografitë e protagonistëve të shkrimeve të tij, dhe se duke gjurmuar kështu deri në lashtësi biografitë e heronjve të penës apo të heronjve të pushkës, ai gjurmon njëkohësisht autobiografinë e popullit të tij. 

Shembull i gjallë i një përkushtimi dhe i një admirimi të tillë, është shkrimi për biografinë e shkrimtarit Ramiz Kelmendi, si dhe për kreshnikun e kombit – Zhuj Selmanin. 

Nuk është rastësi pse në shpalosjet e biografive të tilla, Zymer Ujkan Neziri ka përzgjedhur një penë si atë të Ramiz Kelmendit, një pushkë si atë të Zhuj Selmanit. 

Statute of Zhuj Selmani.jpg

          Zhuj Selmani, një nga Kryekapedanët e Shqiptarizmës

Në një përzgjedhje të tillë për lakmi, në shijen e tij estetike prej studiuesi të përkushtuar, ai ka bashkuar penën dhe pushkën, shtegun e lirisë me shtegun e dritës, frëngjinë e kullës me prizmin e penës, të djeshmen me të sotmen, trimërinë me mençurinë, heroiken me fisniken, të bukurën me të madhërishmen.

See the source image

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri:

Ramizi ka rrënjë të lisit të gjakut…Burrat e mëdhenj si profesor Ramiz Kelmendi nuk vdesin kurrë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!

Nuk ka dyshim se në përzgjedhjen e tillë të tij, Zymer Ujkan Neziri priret nga fakti se Ramiz Kelmendi është një figurë emblematike e letërsisë dhe e gazetarisë shqiptare, një shkrimtar i rrallë i cili ka më shumë vepra të shkruara se sa vite të jetuara mbi supet e tij. Ndërkaq, Zhuj Selmani është njëri prej figurave më të dashura atdhetare për shqiptarët. Ai është një prej kreyekapedanëve të shqiptarizmës dhe pa dyshim, njëri prej kryeheronjve më të dashur të kombit. 

Në shkrimet biografike të Zymer Ujkan Nezirit, shkrimtari është ai që e dëshmon dashurinë dhe përkushtimin e tij me fuqinë e fjalës në majë të penës së tij briliante, kurse luftëtari është ai qe e dëshmon atdhedashurinë e tij me grykë të pushkës. 

Në shkrimet e tij biografike, autori dëshmon se i pari – shkrimtari, e përhapë dritën e diturisë duke i thurur himn Rugovës, kurse i dyti – luftëtari, e përhapë dritën e lirisë duke iu falur me shembullin e tij përjetësisë. 

Që të dy, ndonëse në kohë të ndryshme, mishërohen me vendlindjen e tyre, dhe se duke u mishëruar me vendlindjen, ata mishërohen me atdheun. Për të dy, ndonëse në kohë të ndryshme, Rugova është Mona Liza e kombit. 

Shkrimtari, ka pasur rastin ta shohë Mona Lizën në Muzeun e Luvrit, dhe se në majën e penës së tij të denjë, ai ka dëshmuar me një qëndismë mëndafshi se “dy sy si të Mona Lizës” do ta ndiqnin gjatë gjithë jetës. 

Heroi, ndërkaq me aktin e flijimit të tij nga më të rrallët që njeh historia e një kombi – duke hedhur veten në erë bashkë me armiqtë të cilët e kishin rrethuar, bie që Rugova të jetë e lirë, që bukuria e saj të mos cenohet, sepse me bjeshkët e saj krenare, me fushat dhe malet, me krojet dhe rrëketë e ujëvarave, Rugova është shamibardha e Shqipërisë. 

Nga përzgjedhja e këtyre dy shkrimeve biografike të penës së Zymer Ujkan Nezirit, vetvetiu shtrohet pyetja: Vallë, çfarë mund të kenë të përbashkët në dy kohë të ndryshme, luftëtari dhe shkrimtari, që të dy të një djepi?!

Mbi çdo gjë, të përbashkët ata kanë të vërtetën e madhe se për të dy, Rugova sot e mot është Mona Liza e kombit, dhe se për dallim nga Mona Liza e Leonardo da Vinçit, Rugovën nuk e zë dot asnjë muze, e rrjedhimisht as edhe cilado hartë e demarkacionit qoftë ajo. 

Gjuha e nëntekstit të këtyre dy shkrimeve biografike ka dalë nga pena e cila u falet dhe u përfalet aq denjësisht përjetësimeve të të bëmave epike, dhe se kjo gjuhë është mëse e qartë: Rugova është nuse e stolisur me petkat e epikës kreshnike!

Në epikën legjendare, nuk ka dyshim se figurat e Mujës dhe të Halilit, bashkë me atë të Gjergj Elez Alisë, janë nga më heroiket e më të dashurat për gjithë brezat atdhetarë. Por, rapsodi popullor askujt nuk ia ka falur dyvargëshin madhështor sikur Zhuj Selmanit:

                                Kah len dielli e praron hana,

                                Zhuj Selman nuk ban mo nana!

Një dyvargësh si këtë nuk e kanë as epet e Homerit, nuk e kanë madje as tre poetët e zbritur prej qiellit nga Zoti, siç do të shprehej me të drejtë Naim Frashëri për tre krye-poetët e letërsisë së lashtësisë së Persisë: Firdusin, Enverin dhe Hafizin. 

Vetëm epika legjendare kushtuar Zhuj Selmanit të Rugovës kreshnike, e ka një dyvargësh margaritar si këtë. Sepse, vetëm me një dyvargësh si ky, gjeniu popullor do të mund të dëshmonte dashurinë tij të pakufishme, respektin më të thellë dhe ndjenjën e mirënjohjes së përjetshme, bashkë me dhembjen dhe dashurinë për aktin më sublim të njërit prej kryeheronjve të Termopileve shqiptare. 

Një e veçantë tjetër e dikursit krijues të Zymer Ujkan Nezirit, është fakti se ai biografitë e protagonistëve të shkrimeve të tij, i gatuan dhe i shkruan për një kohë të gjatë, i mbanë ata në mendje dhe në zemër, dhe pret rastin solemn për t’i nxjerrur në dritë.

Kundruar nga ky prizëm, do theksuar se ai do ta nxirrte në dritë biografinë e shkrimtarit Ramiz Kelmendi mu në 80-të vjetorin e lindjes së tij. Ndërkaq, kronikën e kryefigurës së kohëve kreshnike kushtuar Zhuj Selmanit, do ta shpaloste me rastin e përurimit të shtatores së tij në Pejë.

May be an image of 1 person

Prof. Dr. Zytmer Ujkan Neziri:

Edhe një jetë tjetër po të kisha, epikës do t’ia kushtoja

Me shkrimin e tij për biografinë e Ramiz Kelmendit, Zymer Ujkan Neziri është bërë burim frymëzimi për veprën studimore në VI vëllime, kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i letrave shqipe, II – E Bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit, IV – Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica), V – Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët, VI – Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe (Londër, 2014), prandaj shpreh sërish ndjenjën e respektit më të thellë e të mirënjohjes pa kufi, për këshillat dhe ndihmesën e tij të vazhdueshme.

Gjithashtu, e theksoj me krenari se Zymer Ujkan Neziri, ia ka falur Rugovës epitetin më kuptimplotë, një epitet i cili Rugovës kreshnike i rri në gjoskin e saj si një emblemë ilire: Rugova është magje e gjakut. Rugova është vetë Nëna Noke (e bija e atdhetarit të devotshëm Ibish Adem Ibërdemajt, nga Shtupeqi i Vogël, një nga trimat rugovas rreshtuar në anën e kombëtarëve), nëna heroine e tetë fëmijëve, e cila ia kthente sofren bujare fatosit të maleve shqiptare, Mehmet Shpendit. Rugova është Kaje Gajla e Bege Maliqja e pushkëve kryengritëse. 

Akademia e Atdhetarisë si Akademi e Përjetësisë

Prandaj, të lindesh e të rritesh në një familje atdhetare e cila e ka shtruar gjithmonë sofrën bujare të traditës e të mikpritjes shqiptare, të rrjedhësh nga një familje fisnike e mëmëdhetare nga katundi Shtupeq i Vogël (i krahinës legjendare të Rugovës), të nisesh në jetë rrethuar me këngë kreshnikësh e me të bëma kreshnikësh flijuar për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, të vësh hapat e parë në shkollë me plisin mbi kokë e me etjen e pashuar për të nxënë sa më shumë dritë, dije dhe dituri, pra ta kryesh shkollën fillore si në vendlindje – në Siparant (Zahaq) ashtu edhe në Pejë; të dëgjosh për trimërinë dhe mençurinë e atyre që u shkrinë për lirinë dhe dritën e këtij trualli e të këtij kombi martir; të gjakosh për atdheun ashtu si babai, gjyshi e stërgjyshi, dhe në të njëjtën kohë ta shikosh atdheun rrethuar me vargojtë e robërisë së Serbisë e të Malit të Zi; të dëgjosh për tribunin e vegjëlisë Haxhi Zeka e për trimat në za të Rugovës, si Kapedan Sejfa i Najës (i cili përbën në vete një kronikë të përgjakur të kohëve kreshnike, sepse me zjarrin e pushkës dhe me zjarrin e zemrës, kapedan Sejfa i Najës mbrojti Pejën dhe popullin e saj nga hordhitë barbare të Brigadës së Bokës së Kotorrit, ashtu siç kishte mbrojtur edhe Cafo beg Ulqini, qytetin e tij bregdetar dhe popullin e tij); të rendësh në shtegun e dritës e të lirisë duke pasur për krah edhe vëllain Ymerin (tribunin e ardhshëm demokrat) dhe duke qenë i frymëzuar nga prijatarë të shumtë atdhetarë, të kesh sa privilegjin po aq edhe krenarinë të lindesh e të rritesh si pjesë e Rugovës kreshnike, të shkollohesh në Pejë (shkollën fillore më 1960 dhe gjimnazin më 1964), në Prishtinë (Shkollën Normale, më 1966), në Prizren (studimet e larta në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, në Shkollën e Lartë Pedagogjike, më 1969), të rikthehesh sërish në Prishtinë e të vazhdosh dhe të mbarosh studimet e shkallës së dytë në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (1971), të vazhdosh me etjen e pashuar për sa më shumë dije dhe dritë mësimet dhe studimet e larta të shkallës së tretë, në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filozfik të Prishtinës (në vitet 1972 -1974) dhe të mbrosh magjistraturën me temën ‘Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë’(1979), duke pasur për mentor akademikun Rexhep Qosja, dhe të ngadhënjesh sërish përmbi sfidat e politikës meskine e të mbrosh më 1995, po në Fakulttein Filozofik të Prishtinës, disertacionin e doktoratës me temën ‘Poezia legjendare e Rugovës’, duke pasur për mentor sërish akademikun Rexhep Qosja; të studiosh dhe njëkohësisht të punosh përkohësisht duke përhapur dritën e diturisë e flakën e atdhadashurisë (në vitet 1967-1971) në dy shkolla fillore (Zllakuqan dhe Klinë), si dhe në katër shkolla të mesme (Lipjan, Pejë, Prizren dhe Prishtinë) e të largohesh padrejtësisht nga puna në Klinë, Lipjan dhe Pejë, për shkak të veprimtarisë atdhetare në Lëvizjen Studentore të vitit të vrullshëm 1968; të pranohesh më 1971 pas mabrimit të studimeve themelore, në Degën e Folklorit dhe të Etnologjisë së Institutit Albanologjik të Prishtinës, dhe të përjashtohesh më 1973, sërish aq padrejtesëshit nga poltronët e politikës së kohës, prapë po për të njëjtën arsye, pra për shkak të veprimtarisë atdhetare në Lëvizjen Studentore të vitit të hovshëm 1968; të rreshtohesh drejt në kahun e duhur të historisë dhe të arrestohesh tri herë (më 1967, më 1968, më 1981), të veçohesh e të përjashtohesh pesë herë nga puna (më 1968, më 1969, më 1970, më 1973, më 1990); të ndalohesh nën masat drakonike që të mos udhërosh për tridhjetë vjet jashtë shtetit (1968-1978 dhe 1981-1999); të detyrohesh të punosh jashtë vullnetit tënd dhe jashtë profesionit, si përkthyes dhe lektor në Bankën e Kosovës (1977-1990), të bëhesh halë në sy për armikun dhe shpresë për të shtypurin, të regjistrosh në mendjen tënde emra të shumtë sa dhe të nderuar luftëtarësh kreshnikë, emra heronjsh dhe dëshmorësh si dhe emra levendësh që për lirinë e shtrenjtë të mëmëdheut e vunë gjithmonë krenarinë mbi lumturinë; të jesh bashkëudhëtar me kreshtabardhë dhe bashkëmendimtar me atdhetarë të devotshëm; të jesh jo rrallë prijatar dhe t’u prish demonstratave në ballë; të duash flamurin, gjuhën, truallin dhe kombin, artin dhe kulturën e këtij kombi; të mos harrosh kurrë djepin që të lindi e të rriti e ta kujtosh atë gjithmonë me mall, me krenari dhe me atdhedashuri; të vihesh në ballë të kohës sa me guximin e trashëguar po aq edhe me mendimin e shquar; të jesh shembëlltyrë e rrallë dhe gjithmonë e gjallë e një qëndrese përplot ideale e përplot me rreze shprese; të jesh i zgjuar por edhe i matur, të jesh veprimtar guximtar por edhe një veprimtar që zjarrin e atdhedashurisë e ke mbajtur gjithmonë të valë;  të sfidosh vendosmërisht robërinë dhe të gjakosh lirinë me çdo çmim, të jesh i rreshtuar drejt gjatë gjithë veprimtarisë atdhetare e të jesh i pozicionuar gjithmonë drejt në krahun e duhur të historisë së mirëfilltë kombëtare, të jesh ashtu sikurse dhe të parët tu – trima e të mençur, pra të jesh sikurse ata trim i mirë e me shokë shumë; të kesh një dashuri proverbiale për fjalën e shkruar sikurse edhe për fjalën e folur shqipe, ta flasësh atë me aq maturi e me aq urti si dhe ta shkruash atë me aq hijeshi e me aq dashuri; të jesh shpesh mes dallgëve të trazuara të jetës por të mos ndalesh e të mos zbrapsesh as edhe për një çast të vetëm; të jesh jo rrallë i ndaluar e jo më pak edhe i përjashtuar nga puna nga Jagotë dhe Janusët e shumtë; të jesh i rrethuar prej zgaqëve dhe poltronistve të kohës, dhe të mos dorëzohesh as edhe për një çast të vetëm; të qëndrosh pip në këmbë-vertikalisht e kombëtarisht, burrërisht e shqiptarisht pa t’u dridhur qerpiku; të qëndrosh, të kundërshtosh, të rezistosh, të militosh, të veprosh për të mirën e atdheut dhe të kombit; të mësosh, të ligjërosh, të shënosh, të bashkosh e të lartëosh vlerat më të larta të trashëgimisë kulturore; të njohësh aq mirë lirikën sa dhe epiken e një kombi, të ulesh gju më gju në sofrën e madhe të kreshnikëve e të nderosh sa dhe të lartësosh me shembëlltyrën tënde aq fisnike lahutën hyjnore; të hysh me aq modesti mes burrave me moshën e lisave e të nderosh me aq madhështi majën e plisave, të admirosh aq shumë e të bashkosh aq shumë degët e shkëputura të një trungu të lashtë pikërisht nëpërmjet këngëve epike si dhe nëpërmjet lahutarëve-kreshtabardhëve të këtij kombi; të hysh në oda e nëpër shkolla, të hysh gjithmonë me ballin lart e të dalësh gjithmonë i nderuar, të hysh në gjirin e popullit e të dëgjosh sa urtinë po aq edhe trimërinë e tij, ta shënosh atë e ta shpalosësh atë me krenarinë e ligjshme; t’u biesh kryq  e tërthorë anëve të atdheut e të takosh lahutarët që e kanë mbajtur dhe e mbajnë akoma gjallë prushin e Skëndërbeut – ashtu si dikur poetët antik prushin e Tirteut; të ngjitesh majave dhe maleve, të ulesh fushave dhe logjeve, të rendësh sërish bjeshkëve dhe kreshtave për të mbledhur copëza margaritarësh nga tabani i mirëfilltë i kulturës popullore, të pish ujë në gurrat e tyre të kthjellta e të frymëzohesh sa dhe të rinohesh gjithnjë e më shumë me to e nga ato; të kthehesh paq aq vitesh ndalesash e ndeshtrashash sërish aty ku e ke pasur vendin dhe ku e ka pasur mendjen e zemrën, pra të kthehesh paq aq shumë vitesh ndalimi e pengimi – sa të padenjë po aq edhe të padrejtë, të kthehesh tek vatra jote e kahmotshme në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe ta dëshmosh veten në mënyrën më të denjë në fushën e studimeve akademike, duke botuar njësitë studimore në vëllime të shumta të këtij Instituti; të ligjërosh me aq dije, me aq përkushtim, me aq takt dhe me aq elegancë në Prizren e në Prishtinë, në Tiranë e në Tetovë, në Shkup, si dhe jashtë trojeve shqiptare; të dëshmosh veten si një prej mbledhësve më të mëdhenj e më të përkushtuar të folklorit (krahas Thimi Mitkos, Spiro Dines, Nikolla Ivanajt, Bernardin Palaj, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Anton Çettës, Demush Shalës etj.) duke nisur rrugëtimin tënd që nga viti i largët 1967, duke u përqëndruar kryesisht në epikën historike dhe në epikën legjendare, e duke mos u ndalur as sot e as mot: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në Mal të Zi; të mbledhësh me një dashuri proverbiale e me një fuqi kolosale rreth e qark Rugovës kreshnike, poezinë epike legjendare (1979-1988) duke e financuar vetë dhe pa ndihmën e askujt (‘material që përmban 15 vëllime të veçanta dhe që vlerësohet ndër koleksionet më të mëdha arkivore të shekullit të kaluar mne këngë të Eposit të Kreshnikëve’) e që numëron mbi 100 mijë vargje; të realizosh si bartës i projektit gjithashtu koleksionin e dytë, të incizuar dhe të shkruar, ‘po ashtu në 15 vëllime këngësh të kreshnikëve, nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Serbi’ si ‘dëshmi e Eposit të Kreshnikëve për UNESCO’; të hulumtosh pa u ndalur jo vetëm nëpër arkivat e Tiranës, por edhe në ato të Harvardit (Koleksionet e profesorit amerikan Millmen Peri si dhe Koleksionin e ndihmësit të tij Albert Llord) e të Vjenës, duke realizuar projektin ‘Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maksimilian Lambercit’; të fillosh të publikosh që nga viti 1969 ‘rreth 400 zëra bibliografik për folklorin, letërsinë, etnologjinë historinë etj.’ ; të botosh ‘studime dhe artikuj për letërsinë gojore’ në : ‘Gjurmime albanologjike’ (Prishtinë), ‘Kultura popullore’ (Tiranë), ‘Çështje të folklorit shqiptar’ (Tiranë), ‘Seminari Ndërkombëtar…’ (Prishtinë), dhe në organe të tjera shkencore dhe informative brenda e jashtë vendit (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Rumani, Itali, Japoni, Poloni, Austri, SHBA si dhe në proces botimi: Bosnjë e Hercegovinë-SHBA, SHBA, Hungari-Austri, Kinë); të botosh një sërë veprash, si: vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, V (1997); antologjia ‘Këngë të kreshnikëve’, (1999, 2001, 2003, 2009, 2011, 2013); monografia ‘Poetika e krahasimit. Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë’ (2004); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, I: ‘Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike’ (2006); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, II: ‘Epika gojore dhe etnokultura’ (2008); vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, I (2009); vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, II (2011); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, III: ‘Eposi i Kreshnikëve’ (2018); të jesh ‘bashkëpërgatitës për shtyp i veprave të Institutit Albanologjik të Prishtinës: libri ‘30 vjet të Institutit Albanologjik: 1967-1997’ (1997), bashkëredaktor; në përmbledhjen e kumtesave ‘Rëndësia e veprës së Gustav Majerit për studimet albanologjike’ (1998), ‘Pajtimi i gjaqeve 1990-1991’ (1999, 2001). ’Rëndësia e veprës së prof. Eqrem Çabejt për studimet albanologjike’ (2003), ‘Anton Çetta, figurë poliedrike e kulturës shqiptare’(2011); të kesh në dorëshkrim ‘edhe disa monografi e vepra studimore: ‘Studime për folklorin’, IV, ‘Haxhi Zeka në traditën gojore’, monografi, ‘Epika legjendare e Rugovës’, monografi, ‘Rugova në vështrim etnologjik’, monografi, ‘Ligjërata për Eposin e Kreshnikëve’, si dhe koleksionet: 12 vëllime këngësh nga krahina e Rugovës: ‘Këngë të kreshnikëve dhe balada’, dhe koleksioni në 15 vëllime këngësh të kreshnikëve, nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët, i realizuar sipas projektit 2012-2014-2016, për dosjen e Eposit për UNESCO, Arkivi i IAP-it, Prishtinë.’; të marrësh ‘pjesë me kumtesa, kryesisht nga fusha e studimit të epikës sonë gojore, në shumë tubime shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Poloni (3), Bosnjë e Hercegovinë-SHBA, SHBA, Hungari-Austri, Kinë.’ ; të marrësh pjesë e të shquhesh me fjalën tënde duke lënë përshtypje të veçanta si për thellësinë e mendimit ashtu edhe për mprehtësinë e gjykimit, në projekte të organizimit të konferencave dhe simpoziumeve shkencore ndërkombëtare; të jesh professor i ftuar nga universitete të Europës: ‘Më 2004 ka qenë profesor mysafir në tri universitete të Polonisë (Varshavë, Torunj, Poznanj) dhe në Itali, në Universitetin e Kozencës, ku ka mbajtur ligjërata nga fusha e epikës gojore. Nga kjo fushë, më 2005, ka mbajtur një ligjëratë në Paris, në Qendrën Saint Denis, si dhe, më 2008, ka mbajtur një ligjëratë edhe në Vjenë, në Qendrën Lalish, po dhe në Universitetin e Vjenës. Më 2011 ka qenë përsëri profesor mysafir në Universitetin e Turunjit, Poloni. Më 2007 ka ligjëruar në Universitetin e Durrësit; më 2012 në Universitetin ‘’Vitrina,‘’ Tiranë; më 2013, në Universitetin e Tiranës, si dhe më 2014, në Universitetin i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ dhe më 2015, në Universitetin e Gjirokastrës Eqrem Çabej.’; të jesh anëtar: ‘i Shoqatës Ndërkombëtare të Etnologjisë dhe të Folklorit /Societé Internationale d’Ethnologie et de Folklore/SIEF. Po ashtu është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Epike/The International Association of Epic Studies/ dhe pjesëmarrës në themelimin e saj, në Pekin, më 18 nëntor 2012, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.’ ; të jesh i nderuar me një varg çmimesh dhe mirënjohjesh: ‘Është nderuar me mirënjohje (2008) në 40-vjetorin e Demonstratave të vitit 1968. Është fitues i çmimit ‘Pjetër Bogdani’ (2009), të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën ‘Studime për folklorin’, II. Më 2012 është fitues i Medaljes së Artë, për punë kërkimore-shkencore, nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA.’; të nderosh e të përkujtosh, të lartësosh e të përjetësosh në manifestime të shumta shokët e një ideali që nga Isa Demaj (Isa Demaj-jeta dhe veprimtaria atdhetare’-2000), Avdi Kelmendi, Selman Lajçi, Metush Krasniqi, Meriman Braha etj., të shkruash me aq pietet për Drenicën kreshnike e të bësh një ndër krahasimet më të bukura e më të qëlluara mes flijimit të Oso Kukës, Zhujë Selmanit e Adem Jasharit me familje; të gërmosh në thellësitë e shekujve e të gdhendësh monumente të papërsëritshme për levendët si Zhuj Selmani e Zhukë Haxhija, të risjellësh në kujtesën kolektive kombëtare Gardën Krutane të  Vranakontëve e të Kont Uranëve të Rugovës kreshnike, si Nikë Deda, Kerr Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Bajram Rama, Selman Muça, Rexhë Avdija, Adem Isufi, Jashar Haxha, Çelë Shabani, Kadri Bajri, Sali Jaha, Sylë Mehmeti, Rizë Zymeri, kreshnikun e dyluftimeve epike Adem Isufin e Isuf Smajlit; të nxjerrësh nga pluhuri i harresës simotrat e Shote Galicës Kaje Gajla e Bege Maliqja; të përkujtosh si një Nestor i rrallë Betejën e lavdishme të Nokshiqit në 140 vjetorin e saj, të përkujtosh masakrat e panumërta që kanë bërë mbi trupin tonë shoevnistët serbë e malazezë në lukuninë e tyre të çmendur për të zhvatur llokma të majme nga tokat tona stërgjyshore; t’ua thuash me aq zgjuarsi të vërtetën e madhe atyre që guxuan dhe dhuruan të tetë mijë hektarët e vijës kufitare si dikur në pazare të Europës plakë – duke ua përkujtuar se gjaku nuk bëhet ujë; të ngritesh në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarit dhe të së drejtës së tij legjitime e demokratike; të ligjërosh e të bashkosh mendjet dhe zemrat në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë e në Tetovë; të ngjitesh në Rugovë e të jesh gjithandej nëpër Kosovë, të gërmosh arkivave të Vjenës e të lartësosh lahutarët edhe në mes të Harvardit, të kesh një dashuri proverbiale – një dashuri vërtet fishtjane për epikën legjendare, do të thotë, siç thoshte Ramzi yt dhe Ramizi im, se para së gjithash e mbi të gjitha, e ke nderuar një komb të tërë, se duke ju bërë krah atij e ke lartësuar ate, por edhe e ke bërë këtë komb krenar për t’ju nderuar edhe juve; do të thotë – siç do të thoshte Ramizi ynë, para së gjithash e mbi të gjitha, se ia ka ngritur zanin Rugovës, se i je bërë krah Shqipëri-Kosovës, se ke hyrë ballëlartë e krenar në portën triumfale të Akademisë së Atdhetashurisë – si Akademi e Përjetësisë; do të thotë para së gjithash e mbi të gjitha, se je i bekuar me ndjenjën e theksuar të madhështisë së atdhedashurisë, si ndjenjë e përjetësisë së bërjes së shqiptarit dhe e bërjes së Shqipërisë, sot e mot!

Urojmë që të kesh gjithmonë ditëlindje prof. dr. Zymer Ujkan Neziri!

Të rrosh sa gjuha e bukur shqipe, sa vetë këngët epike!

Shëndet, mirësi e mbarësi, suksese e lumturi: pa kufi!

Qoftë gjithmonë e nderuar, dera atdhetare e familjes fisnike dhe bujare: Neziri!

Ua paçim hua, në jetë të jetëve!

Filed Under: Kulture Tagged With: Xhemail Peci

FAKTORI POLITIK SHQIPTAR DHE VMRO-ja

November 8, 2021 by s p

Xhelal Zejneli/

Që prej vitit 1991 deri më sot, faktori politik shqiptar ka qeverisur me të dyja partitë politike sllavo-maqedonase, d.m.th. edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në. Vitet e fundit, LSDM-ja e drejtuar nga Zoran Zaevi u duk sikur u reformua. Ky subjekt politik iu përkushtua procesit të integrimit në organizmat euroatlantik. 

Partia tjetër ndërkaq, VMRO-ja hiqej si parti sllavo-maqedonase – nacionaliste. Gjatë gjithë periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit, ky subjekt politik ka synuar të ndërtojë një Maqedoni:

– sllavo-maqedonase;

– unitariste; 

– monoetnike; dhe 

– centraliste. 

Ideologjia kombëtare e VMRO-së ka qenë dhe mbetet nacionaliste, retrograde dhe anakronike. Diskursi politik i kësaj partie ka qenë dhe mbetet romantike dhe ksenofobike, ndërsa retorika politike e saj ka qenë dhe mbetet e llojit të shekullit XIX, antidemokratike dhe antihistorike. 

Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, ky subjekt ka qenë dhe mbetet parti politike thellësisht antishqiptare. Nga ideologjia politike e kësaj partie, i bie që shqiptarët të jenë qiraxhinj në troje të veta.

Sipas VMRO-s, trashëgues të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë vetëm sllavo-maqedonasit. Shqiptarët nuk janë veçse minoritet apo pakicë kombëtare, njësoj si vllehtë, romët, turqit … 

   Ideologjia nacionaliste e VMRO-s, nuk i zgjidh problemet e Maqedonisë, as në planin e brendshëm dhe as në atë rajonal. Përkundrazi, i thellon ato. 

Pa i zgjidhur çështjet e hapura, si ato të brendshme, ashtu edhe ato rajonale, Maqedonia nuk mund të integrohej në strukturat euroatlantike. Nga kjo rezulton se VMRO-s nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson as sot çështja e integrimit, as në NATO as në BE. 

Në planin e brendshëm, pala sllavo-maqedonase duhej t’i zgjidhte çështjet që ndërlidheshin apo që ndërlidhen me shqiptarët, ndërsa në planin rajonal – çështjet që kishin të bënin apo që kanë të bëjnë me Greqinë, përkatësisht me Bullgarinë.  

Nuk ka qenë dhe nuk është në interes të shqiptarëve të presin pafundësisht integrimin e këtij vendi në NATO dhe në BE. Integrimi i Maqedonisë në organizmat euroatlantikë, për shqiptarët është interes mbi interesa, është kryeinteres.    

Ideologjia politike e VMRO-s e largon Maqedoninë nga familja perëndimore, nga bota demokratike. Ideologjia e saj, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, e çel rrugën për penetrimin e Rusisë në Maqedoni, e sjell ndikimin rus, e shndërron Maqedoninë në zonë ruse të interesit dhe në sferë ruse të ndikimit. 

Me VMRO-në, Marrëveshja e Prespës sot e kësaj dite nuk do të ishte arritur, nuk do të ishte nënshkruar. Rrjedhimisht, Maqedonia do të vazhdonte të mbetej jashtë aleancës politike ushtarake të NATO-s. 

Me VMRO-në, askush s’e di se kur mund të arrihet një kompromis me Bullgarinë. Nga kjo del se rrugët e Maqedonisë për në BE do të jenë të mbyllura. E mbetur pafundësisht jashtë Brukselit, Maqedonia do të lëngojë ekonomikisht. Jashtë Unionit, qytetarët e këtij vendi do të mbeten pa perspektivë. Si pasojë, tendencat e të rinjve për t’u shpërngulur drejt Gjermanisë do të intensifikohen. 

VMRO-ja është parti politike e pareformuar. Është po ajo VMRO e fillimit të pluralizmit. Kjo parti funksionon me idetë romantike të shekullit të kombeve – shekullit XIX. 

VMRO-ja kurrë nuk u distancua prej atyre që brohorisnin:

– shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur;

– dhoma gazi për shqiptarët;

– indianë (kështu i quajti shqiptarët ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska e radhëve të VMRO-së);

– Avio-impeks (Aludim për aeroplanin Jak 40 të kompanisë ajrore Avioipex që u përplas në kodrën e malit Trojan, në afërsi të aeroportit të Ohrit, më 20 nëntor 1993, në orën 23 e 45 minuta, me ç’rast humbën jetën 115 udhëtarë, kryesisht shqiptarë, të cilët udhëtonin në relacionin Gjenevë-Shkup). 

Kjo parti kurrë nuk u distancua prej atyre të cilët nëpër manifestime sportive përdornin fjalë dhe shprehje degutante, e fyenin dhe e shanin femrën shqiptare.

VMRO-ja kurrë nuk e njohu zyrtarisht Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, përkundër faktit se këtë marrëveshje ndërkombëtare e kanë nënshkruar kryetari i shtetit Boris Trajkovski si dhe kryeministri Lubço Georgievski, që të dy të asaj partie. 

Në janar të vitit 2004 duhej të zyrtarizohej Universiteti i Tetovës. Për ta parandaluar apo për ta penguar themelimin e këtij institucioni arsimor, deputetët e VMRO-s në Kuvend, mbanin fjalime maratonike që zgjatnin deri në orët e para të mëngjesit. Në çastin e votimit, u binin me lugë tenxhereve.

Më 27 korrik të vitit 2005 hyri në fuqi Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive. VMRO-ja bëri çmos që ta pengonte nxjerrjen dhe miratimin e ligjit të sipërthënë. U kanos edhe me Gjykatën Kushtetuese.  

Më 11 janar të vitit 2018 u nxor Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili hyri në fuqi më 13 janar të atij viti. Duke qenë se ky ligj bënte të mundur që gjuha shqipe të përdorej në institucionet e pushtetit qendror, përkatësisht vendor, VMRO-ja bëri çmos që ta parandalonte nxjerrjen dhe miratimin e tij. U kërcënua edhe me Gjykatën Kushtetuese edhe me Komisionin e Venecias. 

VMRO-ja kurrë s’e njohu Marrëveshjen e Prespës, të nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, e që hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019. Njësoj si Marrëveshja e Ohrit, edhe kjo e Prespës është ndërkombëtare. Pas të dyjave qëndron Uashingtoni (dhe Brukseli).

Nga sa më sipër del se çdo kërkesë primordiale të shqiptarëve, VMRO-ja e ka pritur në teh të shpatës. 

VMRO-ja nuk donte të dëgjojë që kryetar i Kuvendit të Maqedonisë të bëhet një shqiptar, nuk donte të dëgjojë që ministër i Mbrojtjes, i Financave apo i Punëve të Jashtme të bëhet shqiptari. Kjo tregon se kjo parti ka qenë dhe vazhdon të jetë e kapluar nga obskurantizmi mesjetar. Koha e tregoi se Universiteti i Tetovës s’i bëri dëm askujt. Përkundrazi, aty kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë edhe studentë sllavo-maqedonas. 

Më 9 tetor 2008 Qeveria e Maqedonisë e njohu pavarësinë e Kosovës. Po atë natë, të njëjtën e bëri edhe Qeveria e Malit të Zi. Kjo u arrit, jo me dëshirën e kryeministrit Nikolla Gruevski, por me urdhrin e Uashingtonit. 

Në zgjedhjet parlamentare të para ca viteve, Gruevski u bëri thirrje qytetarëve sllavo-maqedonas që ta votojnë në mënyrë masive VMRO-në, në mënyrë që kjo parti, kur ta themelojë qeverinë, të mos varet prej votave të partive politike shqiptare. Kjo ishte një thirrje antievropiane, antidemokratike dhe antihistorike. Një apel i turpshëm. Të gjithë e dinë, i madh e vogël se pa shqiptarët s’ka Maqedoni. Tendenca për të krijuar qeveri pa shqiptarët, e shuan këtë shtet si flluskë sapuni.    

Më 27 prill të viti 2017 ndodhën ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë. VMRO-ja kurrë nuk u distancua si duhet kjo dhunë barbare. Kjo i ngjante një tentative për grusht shteti. Por, forcat nacionaliste sllavo-maqedonase duhet ta dinë se puçet ushtarake apo grushtet e shtetit sot nuk ndodhin as në Afrikë apo në Amerikën Latine, e jo më në një vend evropian, që synon integrimin në familjen perëndimore. 

Shqiptarët nuk duhet të humbin kohë me të ashtuquajturën Levicë. Nga sa më sipër del se midis këtij grupi dhe VMRO-së nuk ka ndonjë dallim thelbësor. Në Perëndim grupet parapolitike me pikëpamje të skajshme dhe ksenofobike, nuk lejohet të vinë në pushtet, madje edhe kur i fitojnë zgjedhjet, siç ishte rasti me politikanin ultra-djathtist austriak, lider i Partisë së Lirë (Freedom Party of Austria), Jorg Haider (Jörg Haider, 1950-2008). 

*   *   *

Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit, përkatësisht të 31 tetorit të vitit në vazhdim, VMRO-ja fitoi 42 bashki, me 228,374 vota apo 444 këshilltarë bashkiakë, ndërsa LSDM-ja 16 bashki, me 187,883 vota apo 375 këshilltarë. Si pasojë e kësaj humbjeje të thellë, kryeministri Zoran Zaev s’kishte si të mos jepte dorëheqje. 

Zaevi humbi ngase:

– arriti kompromis me Athinën dhe e solli Marrëveshjen e Prespës;

– nacionalistët sllavo-maqedonas e fajësonin se gjoja lëshuaka pe para kërkesave të shqiptarëve.

Duke qenë se nacionalistët sllavo-maqedonas e shpallën tradhtar, Zaevi nuk pranoi më të arrinte një marrëveshje edhe me Bullgarinë. Pas një kompromisi me Sofjen, do ta shpallnin edhe kryetradhtar. 

Në anën tjetër, përkundër Marrëveshjes së Prespës, ndryshimit të emrit të shtetit dhe hyrjes në NATO, Brukseli nuk ia çeli Maqedonisë dyert e integrimit në BE.       

*   *   *

Maqedonia është shtet dyetnik: shqiptar dhe sllavo-maqedonas. Faktori politik shqiptar – Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare kurrë nuk duhet të heqin dorë nga mbrojtja e interesit shqiptar.

Arritjet e shqiptarëve këto tri dekada dikujt mund t’i duken pak. Por, mos të vijë puna që edhe këto arritje të nëpërkëmben. Interesi kombëtar është mbi interesin partiak, është interes mbipartiak, mbi interesin e grupeve, të koniunkturave dhe të nomenklaturave. Politika nuk është punë e militantëve partiakë, nuk është punë e shtabeve zgjedhore të lagjeve të qytezave. Politika kombëtare nuk është punë e injorantëve dhe e analfabetëve universitarë me ambicie të sëmura. Hapësira politike shqiptare nuk duhet të shndërrohet në teatër beketian.     

Kërkesat e shqiptarëve këto tridhjetë vjet, nuk kanë qenë kërkesa territoriale. Kanë qenë kërkesa për barazi me palën tjetër. Barazi, jo në dëm të tjetrit, në dëm të askujt. Barazia e shqiptarëve e forcon Maqedoninë e Veriut, e forcon paqen dhe qëndrueshmërinë e saj. Dhe të rajonit. 

Faktorët politikë të këtij vendi duhet ta dinë se nuk ka qëndrueshmëri, demokraci dhe shtet ligjor pa zhvillim ekonomik. Po qe se Maqedonia e Veriut i shmanget rrugës së integrimit, atëherë tranzicioni i saj do të zgjasë pafundësisht.       

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

Kosova para 53 vitesh, 28 Nëntori festohej edhe në demonstrata

November 8, 2021 by s p

-Kosova para 53 vitesh në demonstrata shqiptare, në prag të ditëfestës së ndaluar të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar/

 -NATA QË BËNTE DRITË – shkrimi im për demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë, ku isha pjesëmarrës si nxënës i Shkollës Normale,  botuar në Gazetën e rezistencës “Bujku” para 29 viteve në  28 Nëntor 1992,  ribotohet në Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

  PRISHTINË,  Nëntor  2021/  Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit  që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë,  edhe si Ditë e Flamurit.

Dita e madhe e gjithë shqiptarëve  festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.

Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi  në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë,  Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta. 

Në Prishtinë,  marshi i  fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik)  dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.

Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më  27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.

Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e  bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Më parë akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.

Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…

Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…

Në vitin 1968  derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të  gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci. 

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali,  dhe  pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.  Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…

Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…

Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968  për  demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU”  TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:

NATA QË BËNTE DRITË

Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…

Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”

Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…

Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.

Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja.  Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan.  Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.

Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…

Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”

Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve.  U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…

Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…

Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe  të brohoritura: “Duam Universitet”,  “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta.  Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin   numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme.  Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova:  “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë  qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur.  Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet  dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës  dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…

E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë, mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm.  Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.

Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…

Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.

Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…

Behlul JASHARI

Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:

Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate  po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1

2-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË

3-Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës

4 e 5 -Demonstrata e 27-28 Nëntor 1968 në Prishtinë – 2  fotografi

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT