• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Kryeministri Kurti: Bllokimi i hapjes së negociatave për liberalizim të vizave, i padrejtë dhe dritëshkurtër

November 5, 2021 by s p

Prishtinë, 4 në​ntor 2021

“Bllokimi i vendimit për hapjen e negociatave ndërinstitucionale për arritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Këshilli, është veprim i padrejtë dhe dritëshkurtër”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të intensifikuar zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve për integrim. Po ashtu, tha se Qeveria ka filluar reforma rrënjësore që do të forcojnë shtetin e së drejtës, do ta rrisin barazinë dhe do të ngrisin mirëqenien sociale.

Është e rëndësishme që kriteret për progres dhe avancim të Kosovës në procesin e integrimit duhet të jenë të drejta dhe të bazuara në merita, e aty ku ka kushte ndërshtetërore të jenë kushte të barabarta për të gjitha palët, pa e diskriminuar e mbikushtëzuar Kosovën, tha kryeministri Kurti.

Para eurodeputetëve, kryeministri tha që përmbushja e reformave nga Kosova duhet të rezultojë me përmbushje të obligimeve nga Bashkimi Evropian.

Filed Under: Emigracion

AULONA- QYTETI I HUMBUR

November 5, 2021 by s p

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Lidhur me emrin e këtij qyteti të lashtë dhe marëdhënien me qytetin e sotëm të Vlorës, nga autorë të ndryshëm  ka pasur mendime të ndryshme. Ne po përmendim variantin më të besueshëm dhe më të pranueshëm, sidomos nga ne shqiptarët, atë që tregon arkeologu i shquar italian Luigi Maria Ugolini në vitin e largët 1924:

“Unë nuk besoj se mund të ketë dyshim  mbi identifikimin e Vlorës moderne me Avlonën (ose Aulonën) e lashtë. Një pohim të tillë e përforcojnë  emri i sotëm që nuk është gjë tjetër veçse një transformim i emrit të lashtë (metatezë e thjeshtë e V dhe A); gjetjet arkeologjike që vijnë nga nëntoka, edhe pse nuk janë shqyrtuar hollësisht; më në fund pozicioni që na japin për të historianët dhe gjeografët klasikë, të cilët e panë qytetin. Ptolemeu (III,12, Paragrafi 3 dhe 4) thotë se Aulon është një port detar dhe e përmend edhe si qytetin e parë bregdetar të Bregdetit Liburnia, në udhëtimin e tij detar që kryente nga veriu duke zbritur drejt jugut.”

        Nga autorët antikë është përmendur shpesh qyteti i Aulonës, por deri më sot ky qytet nuk është i zbuluar në formë përfundimtare nga arkeologët, madje, ashtu si Epidamni me Durrahun, është i dyzuar midis detit dhe tokës. Mjaft nga autorët e vendosin këtë në breg të detit në zonën e fshatit Zvërnec, që nga vendasit quhet me emrin  enigmatik Triport, nisur nga fakti se në këtë zonë, në një kodër të ulët në breg te detit gjenden disa rrënoja muresh antikë, të shoqëruara këto me mure që janë të zhytura në det dhe që duken mjaftueshëm nga sipër. Por, ka autorë të tjerë, që Aulonën e vendosin disa km larg bregut të detit, rrëzë kodrave që rrethojnë sot qytetin e Vlorës. Dhe si e dhënë plotësuese në ndihmë të tyre erdhi edhe zbulimi, në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, i disa rrënojave në qëndër të qytetit të Vlorës, prapa Monumentit të Pavarësisë tek “Sheshi i Flamurit”. Por meqënëse këto rrënoja muresh fortifikuese, nga tipi i ndërtimit, i takojnë periudhës së sundimit të perandorisë romake, pra të një kohe të vonë, ndërkohë që Aulona si qytet përmendet në një kohë mjaft më të hershme, zbulimi i këtij qyteti antik me emër të bukur mbetet një detyrë e pazgjidhur akoma nga arkeologët. Por duhet thënë, se edhe këto rrënoja të stilit të ndërtimit romak, tregojnë se edhe Aulona antike duhet të jetë pranë tyre.

        Unë do të pëlqeja që Aulona, ashtu si Epidamni dhe Dyrrahu, të ishte e dyzuar midis detit dhe tokës. Madje, për të qënë më i qartë, qyteti, pa dyshim, duhet të ketë qënë përreth qendrës së qytetit të vjetër të Vlorës, rreth e përqark sarajeve të Vlorajve tek “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa, në Triport duhet të ketë qënë fortifikimi, i cili mbronte portin nga sulme të mundshme. Madje, duke parë rrënojat e mureve në kodrinën buzë detit, të cilat, sipas tipit të ndërtimit të tyre, duhet të jenë ngritur në fund erës së vjetër apo fillimit të erës së re, arrin në përfundimin, që ato janë ngritur në një kohë më të vonë se sa ndërtimi i vetë qytetit të Aulonës, ashtu si dhe Dyrrahu që, padyshim, ashtu siç e provojnë edhe legjendat, është ngritur në njëkohë më të vonë se sa Epidamni. 

        Mund të pyetet, po ku ka qënë më parë porti i Aulonës? Dihet që Vlora deri në prag të shekullit të XX të erës sonë takohej me detin nëpërmjet një liqeni apo lagune, që në një mënyrë apo tjetër, nga veriu lidhej me lagunën e Nartës, në veriperëndim nga kodrat e Zvërnecit, në perëndim dhe jugperëndim ndahej nga deti nga një istëm rëre, ndërsa në juglindje dhe lindje laguna arrinte deri pranë  kodrave të Kaninës dhe Kuzbabasë, ku në lashtësi mund të ketë qënë edhe porti fillestar. 

        Por dihet, që ashtu si qytetet, edhe portet ruanin një traditë të ndërtimit të tyre. Në këtë kuptim, ai mund të ketë qënë edhe në skelë, ku sot është porti i vjetër i ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar. Në përforcim të këtij mendimi, mund të jetë edhe fakti i ekzistencës së kalasë veneciane rreth e qark Skelës, e cila pas pushtimit të Vlorës nga Osmanët u rindërtua nga fillimi dhe ishte një nga kalatë më të bukura në Ballkan. Por ne shqiptarët, që ngandonjëherë e kemi shumë më të lehtë të prishim ndërtimet e vjetra që i takojnë historisë, pas fitores së pavarësisë, bashkia e Vlorës e prishi deri në themel dhe me gurët e saj shtroi rrugën Vlorë-Skelë. Dhe, pas tyre, të tjerë që erdhën në pushtet, themelet e saj i groposën duke ndërtuar stadiumin, Pallatin e Sportit dhe pallatet shumëkatëshe këto tridhjetë vjetët e fundit. Si përfundim, edhe ky port hipotetik pararendës i atij të Triportit, mbetet të kërkohet dhe zbulohet në të ardhmen.

        Mendimi se Aulona antike duhet të ketë qënë aty ku sot shtrihet “Vlora Historike”, përforcohet edhe nga ajo që, në dijeninë time, edhe institucionet si ato arkeologjike ashtu edhe ato të monumenteve, zonë të mbrojtur, të cilësuar si zona A, kanë evidentuar pikërisht këtë zonë ku ka qënë qëndra e vjetër e qytetit të Vlorës, përreth “Sheshit të Flamurit”. Ne, me padurim, mund pyesim: ku është Aulona jonë? Por, pikërisht, aty ku kazma e arkeologut do të shenjtëronte dhe ringjallte Aulonën antike, pallatet shumëkatëshe të ngritura në këto kohë të errëta, e kanë groposuar atë thellë e më thellë, ndoshta, për të mos u zbuluar më kurrë, vetëm nëqoftëse ndonjë dorë hyjnore, ndonjë ditë, do t’i shëmbte ata.

        Të dhëna interesante dhe dobiprurëse në të mirë të mendimit se Aulona antike ndodhej në rrëzë të kodrave, që nga vendasit quhen: Kuzbaba, Budak, Bregu i Orizit dhe Qafa e Topit, ku ka qënë i shtrirë edhe qyteti i Vlorës deri në mes të shekullit të kaluar, ka sjellë dhe arkeologu i shquar italian Luigi Maria Ugolini në studimin e vet “Albania Antica” publikuar në vitin 1925 në Romë,  pavarësisht faktit se ai vetë është i mendimit se Aulona antike duhet të ketë qënë pranë fshatit Nartë.

“Ky qytet, i vendosur brenda gjirit të bukur me të njëjtin emër, nuk ruan gjurmë të dukshme të qytetit të lashtë portual Aulon, kështu besohet që në kohët greke ai gjendej pak më në veri, drejt fshatit fqinj të Artës…Në jugperëndim të Vlorës, pranë fshatit Artë, gjendet një pjesë bregu që quhet Kepi Triport. Deti ka gërryer sterenë duke nxjerrë rrënoja ndërtimesh që kishin qënë të mbuluara nga dheu, dhe në të njëjtën kohë shkul dhe gëlltit po këto mbetje ndërtimore…Nga këto rrëshqitje toke, pikërisht në bregun e detit, shihet fillimi i një muri të ndërtuar me gurë paralelopipedë, të cilin e gjykoj të epokës greke-romake…Nuk mund të dimë, në se ky lokalitet ishte porti i Vlorës edhe sikur vendndodhja e qytetit të lashtë të gjendej aty ku tanimë është Vlora e ditëve të sotme.”

       Por, Ugolini duke u njohur me monumente dhe objekte arkeologjike, në një numër të mjaftueshëm, të zbuluara në truallin e qytetit të Vlorës, si dhe me “koleksionin Vlora” të mbledhur nga familja Vlora, dhe në veçanti nga Eqerem Bej Vlora, na jep një panoramë, e cila të bën të mendosh se këtu në lashtësi ka pasur një qytet, i cili duhet të këtë qënë Aulona. Ndjekim përshkrimin e Ugolinit: 

“Megjithatë, nga trualli i zënë tashmë nga qyteti kanë dalë disa monumente:

-Shihet ende, në oborrin e kazermës ushtarake (të vendosur në fillim të shëtitores që nga qyteti të çon për në port dhe kundruall kishës së lashtë bizantine të shndëruar tashmë në xhami), një shtatore e vogël e Artemisit prej mermeri, e lartë rreth 50 cm…Ajo mban veshur hitonin karakteristik të saj, i cili i bie mbi kraharor me apoptygma të gjatë, të ngushtuar nën gjoks menjëherë nën gjinjtë nga një rrip. Në këmbë kishte sandale të kapura lart. Në të majtë të saj gjendet një qen i kruspulluar me turi të kthyer drejt perëndeshës, i gatshëm për të pritur ndonjë urdhër.

-Në të njëjtin oborr gjenden disa kapitele dhe ndonjë kolonë prej guri…shihet një pjesë  kolonës mbi të cilën mbështetet një kapitel, që shërben si piedestal për figurinën e Artemisit. Shtatorja e vogël, kapitelet dhe kolonat kanë ardhur nga gërmimet e bërë  në po këtë vend nga ushtarët italianë për ndërtimin e kazermës ngjitur, gjatë pushtimit tonë të përkohshëm të Vlorës (1914-1920). Këto objekte ishin vendosur në oborr të kazermës (mbetje të godinave të kësaj kazerme kanë ekzistuar deri para do kohësh se aty të ngrihej një pallat në rrëzë të kodrës, përkundruall xhamisë dhe në krah të shkallëve që ngjiten në kodër.B.I) për zbukurimin e tij.

-Nga nëntoka e Vlorës vjen një altar varri prej guri gëlqeror 1.30 m i lartë, 0.62mi gjërë dhe 0.44 m i trashë…Motivi dekorativ…Në njërën anë ka një shqiponjë dhe një gjarpër (simbolika pellazge) kundruall njeri tjetrit; mbi faqen tjetër paraqiten dy pëllumba (përsëri një simbolikë pellazge).

-Fragment i një shtatoreje të vogël gruaje, prej guri gëlqeror.

–Stela e Vlorës, gjetur brenda qytetit të Vlorës (e dëmtuar). Është punuar në të ashtuquajturin “guri gëlqeror i bardhë i Kaninës”. Përmasat: 62 cm në lartësinë më të madhe; 69 cm e gjatë…Në faqen A të ilustrimit shohim një figurë femre të veshur me peplos me apoptygma të gjatë, që është ulur mbi një fron…Përpara saj një figurë femre në këmbë (e dëmtuar)…Faqja B ruan mbetjet e një figurë femre në këmbë, të veshur me peplos me kolpos…Është e pamohueshme se kompozimet janë të mira dhe e kanë prejardhjen nga modele greke të shek. V p.Kr. Ndaj këtij datimi mund të ngrihet ndonjë kundërshtim dhe shkas për këtë japin kolonat anësore që kuadrojnë skenën. Dihet se një element i tillë fillon të shfaqet vetëm në stelat helenistike. Por unë besoj se këtu kolonat nuk kanë një rol thjesht dekorativ, por janë vënë në të kundërt për të përfaqësuar mjedisin në të cilin zhvillohet skena. Me një rol të tillë ne i ndeshim në vepra shumë më të hershme se epoka helenistike, si në lekythoi mortorë me bojë të bardhë, në vazot me figura të kuqe të stilit rogoroz, e në pllakëzat deltine në Lokri Epizefirit, që janë të gjysmës së parë të shek. V p.Kr. 

– Shtatorja e Vashës së Vlorës (e dëmtuar) është me interes për sa i përket veshjes mjaft të veçantë, por edhe llojit të artit. Edhe kjo shtatore vjen sigurisht nga qyteti i Vlorës dhe nga i njëjti vend në të cilin qe zbuluar stela që sapo kemi shqyrtuar. Ka një lartësi prej 87 cm dhe është punuar me gurin gëlqeror të Kaninës…Shtatorja paraqet një figurë femre, me pamje të shquar dhe moshë të re…Shtatorja ka një veshje komplekse…(të cilën e kemi përshkruar tek paragrafi për veshjet pellazge)…Forma e veshjes është mjaft e veçantë dhe nuk afrohet aspak me tipat e veshjeve klasike. Përkundër, ajo afrohet mjaft me veshjen e figurinës së bronzit e Gurit të Zi (Shkodër), veçanërisht për pjesën e sipërme të tunikës. Ajo ngjason edhe me bustin e koleksionit Vlora për sa i përket tri copave të veshjes, vendosjes së tyre mbi trup dhe mëngëve…Kjo më shtyn të mendoj se kjo lloj veshje ishte e posaçme për vendin.

–Lapidar varri me kolonë të dyfishtë prej mermeri, lartësia 52 cm. Të dy kolonat janë të bashkuara dhe të gdhendura në një bllok të vetëm. Lapidari është gjetur nën themelet e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës (vend ku sot ndodhet lulishtja dhe varri i Ismail Qemalit). Lapidari u vendos në kopshtin e Pallatit Bashkiak të Vlorës (në këtë godinë sot ndodhet Muzeu Historik Vlorë).”

        Nga ky përshkrim i gjatë nga Ugolini krijojmë një bindje të qëndrueshme, se të gjitha këto monumente dhe objekte arkeologjike të gjetura kryesisht në një perimetër të ngushtë të “qëndrës historike” të qytetit të Vlorës, dëshmojnë, padyshim, se aty duhet të ketë qënë edhe Aulona antike.

        Këtë bindje e përforcon edhe një fakt interesant, se pikërisht në këtë zonë ka pasur edhe shumë objekte kulti, kisha, xhami dhe teqe, por ato që bëjnë dallimin midis tyre janë xhamia e Muradies dhe teqja e Kuzbabasë, të cilat ndodhen, e para, në rëzë të kodrës së Kuzbabasë, dhe, e dyta, në majë të saj. Xhamia e Muradies, zyrtarisht dhe sipas institucioneve të monumenteve të kulturës, është ndërtuar nga sulltani Sulejmani i Madhërishëm në fillim të shekullit të XVI; ndërkohë që banorë të vjetër të qytetit të Vlorës  tregojnë se kjo xhami më parë ka qënë kishë. Madje, godina e xhamisë, po ta shikosh  me vërejtje dallon nga pikëpamja ndërtimore dhe stilit të ndërtimit të mureve me rreshta tullash që ndërpresin muret me breza paralelë, format e dritareve dhe të dyerve, zbukurimet ornamentistike të tyre, të kujtojnë më shumë një kishë mesjetare të stilit bizantin, se sa një xhami. Kuptohet, që këmbanorja është shembur dhe në vend të saj është ndërtuar minarja. Madje, dyshohet se kjo kishë duhet të jetë ndërtuar në antikitetin e vonë si një kishë paleokristiane, këtë e vërteton edhe ajo që ‘trotuari’ përreth saj është një metër poshtë nivelit të tokës. Po kaq janë edhe themelet e rrënojave romake prapa Monumentit të Pavarësisë, gjë që mund t’i vendosë ato në të njëjtënperiudhë ndërtimi.

        Por në të mirë të këtij mendimi na vjen edhe një informatë e dyfishtë e sjellë nga Ugolini, të përmendur më lart nga ana e jonë, ku ai kishte dijeni të saktë për pararendsen e xhamisë: 

“Shihet ende, në oborrin e kazermës ushtarake (të vendosur në fillim të shëtitores që nga qyteti të çon për në port dhe kundruall kishës së lashtë bizantine të shndëruar tashmë në xhami), një shtatore e vogël e Artemisit prej mermeri…” 

        Dihet që në fillim të erës sonë, me triumfin e krishtërimit ndaj paganizmit, ose monoteizmit ndaj politeizmit, objektet e kultit pagane, faltoret, tempujt, etj, pasi u shkatëruan apo u dëmtuan u kthyen në kisha dhe manastire; dhe, pas shumë shekujsh, atë që kishat dhe manastiret u bënë tempujve dhe faltoreve pagane, ju desh ta provonin në kuriz të tyre prej xhamive dhe teqeve, të cilat, edhe ato, u ngritën mbi themelet apo rrënojat e tyre. Kështu përsëritet historia, si një cikël i vazhdueshëm me përmbysje dhe rrokullisje.

        Logjika e ngjarjeve, me të drejtë të bën të hamendësosh, se kisha e stilit bizantin është ngritur mbi themelet apo rrënojat e një tempulli të lashtë. Gjetja në këtë vend e shtatores së Artemisës të bën të dyshosh, dhe është një provë, se aty afër kjo hyjneshë mund të ketë pasur edhe faltoren apo tempullin e saj.

        Ngacmimin për këtë mendim, përsëri e kemi marrë prej Ugolinit, i cili, i nisur nga arkitektura e një stele varri të gjetur në atë vend, konkretisht anës stilistike të kolonave që e kufizonin atë, hedh dyshimin se këto objekte të kësaj natyre në antikitet kanë qënë shenjë dalluese, se aty pranë ka pasur ndonjë vend të shenjtë. Ndjekim Ugolinin:

“-Stela e Vlorës, gjetur brenda qytetit të Vlorës (e dëmtuar)… Në faqen A të ilustrimit shohim një figurë femre të veshur me peplos me apoptygma të gjatë, që është ulur mbi një fron…Përpara saj një figurë femre në këmbë (e dëmtuar)…Faqja B ruan mbetjet e një figurë femre në këmbë, të veshur me peplos me kolpos…shkas për këtë japin kolonat anësore që kuadrojnë skenën. Dihet se një element i tillë fillon të shfaqet vetëm në stelat helenistike. Por unë besoj se këtu kolonat nuk kanë një rol thjesht dekorativ, por janë vënë në të kundërt për të përfaqësuar mjedisin në të cilin zhvillohet skena…Prej tyre do të kujtoj, në lidhje me argumentin që po shtjelloj tashmë, një krater të mrekullueshëm atik të mesit të shek. V p. Kr., që mban një skenë blatimi dhuratash për dy perëndeshat Ade dhe Kora, të cilat paraqiten të ulura dhe mbajnë simbolet karakteristike të vetat. Por, ajo që na intereson më tepër, është se djathtas dhe majtas tyre është vendosur një kolonë dorike me kanelyra, që vazhdojnë në trungun e kapitelit. Këto dy kolona, për mendimin tim, nuk kanë vetëm një rol të pastër dekorativ dhe as atë për të kufizuar qartë skenën, e cila është thelbi i krejt paraqitjes skenike, por janë për të treguar vendin në të cilin qëndronin dy perëndeshat, domethënë një tempull. Me fjalë të tjera: kolonat nuk janë një zbukurim dekorativ, por janë vënë aty për nevoja të përcaktimit të mjedisit.”

        Pra, kodra e kuzbabasë është një vend i shenjtë, pasi pranë saj ka qënë i ndërtuar një tempull në lashtësi, i cili, nisur nga shtatorja e Artemisës që është gjetur aty pranë, mund të ketë qënë tempulli i Artemisës; dhe, në antikitetin e vonë, tempulli u shndërua në një kishe paleokristiane; dhe, në mesjetë, kjo kishë bizantine u kthye nga osmanët në një xhami, dhe, sipër, në majë të kodrës, u ngrit edhe një teqe. Dihet që në antikitet tempujt ngriheshin pranë qyteteve. Këtë e vërtetojnë të gjitha zbulimet arkeologjike në brigjet e Mesdheut. Tani mbetet që kazma e arkeologut ta zbulojë këtë qytet të humbur.

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Kulture Tagged With: Besnik Imeri

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës takim me Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

November 5, 2021 by s p

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje, znj. Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe deputeti z. Enis Kervan, anëtar, njëherësh kryetar i Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës, mori pjesë në takimin e radhës të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili u mbajt më 3 dhe 4 nëntor në Budapest të Hungarisë. Gjatë këtij takimi, një nga temat kryesore të diskutimit ishte “Mbështetja e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor”, gjatë trajtimit të së cilës pjesëmarrësve iu drejtua z. Olivér Várhelyi, Komisioner i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, dhe anëtarë të delegacioneve nga rajoni. Duke folur lidhur me pakon e zgjerimit të Komisionit të BE-së 2021, z. Várhelyi tha se në raportet e këtij viti shihet se BE-ja ka një agjendë të njëjtë me Këshillin e Evropës sa i përket çështjes së reformave në Ballkanin Perëndimor. “Siç mund ta dini, raportet e këtij viti përputhen plotësisht me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të miratuar vitin e kaluar nga Komisioni, si dhe katër parimet kryesore të tij: më shumë besueshmëri, më shumë parashikueshmëri, më shumë dinamizëm dhe drejtim politik më të fortë”, theksoi Várhelyi. Komisioneri Várhelyi veçoi edhe disa nga çështjet kryesore dhe hapat që i presin vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Kosovës, ai tha se duhet të vazhdohet me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj, duke bërë kështu thirrje për një Kosovë pa viza. Lidhur me dialogun, ai tha se duhet të vazhdojë dhe të përfundojë me sukses, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Në vazhdim, Komisioneri i BE-se tha se vendet e Ballkanit Perëndimor sfidë kryesore e kanë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjate takimit të Komitetit per Çështje Politike dhe Demokraci, fjalën e mori edhe drejtuesja e delegacionit të Kosovës, znj. Saranda Bogujevci. Në fjalën e saj Bogujevci fillimisht rikujtoi adresimin e saj gjatë sesionit plenar në shtator, i cili i mbajt në Strasburg. “Në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë tutje, duhet të përqendrohen në vlerat evropiane, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe demokracinë”, theksoi znj. Bogujevci. Në vazhdim Kryesuesja e delegacionit të Kosovës përmendi masat qe ka ndërmarrë Kosova për vënien në fuqi të legjislacionit dhe implementimin e tij, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve pakicë. Tutje ajo shtoi se Kosova ka nevoje për mbështetje në arritjen e përmbushjes së objektivave për t’iu bashkuar familjes evropiane. Znj. Bogujevci theksoi se Kosova është pjesë e Komisionit të Venecias dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe se misioni i Kosovës do të kompletohet me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Në vazhdim nënkryetarja e Kuvendit zhvendosi fokusin te çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke iu rikujtuar edhe një herë të pranishmëve se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa të drejtë të lëvizjes së lirë. Ajo tha se liria e lëvizjes do të kontribuonte më së shumti tek të rinjtë, të cilët do të mund të kenë mundësinë të marrin eksperienca nga jashtë, për të ndihmuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit te tyre. Në fund të fjalës së saj znj. Bogujevci u bëri thirrje të pranishmëve për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Deputeti Enis Kervan, gjatë fjalës se tij theksoi se BE-ja është donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon, si dhe partneri kryesor politik i Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë një investim gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, të përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta. Në vazhdim z. Kervan rikujtoi se kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet nga Marrëveshja e Dejtonit dhe tetëmbëdhjetë vjet nga Samiti i Selanikut, i cili nisi agjendën integruese të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mirëpo, siç tha ai, ende edhe sot Kosova mbetet i vetmi vend i izoluar në Evropë. “Dhe pyetja ime është pse, edhe përkundër faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, të konfirmuara edhe nga Parlamenti Evropian? Të mos harrojmë se në Kosovën multietnike, përveç shqiptarëve dhe serbëve, edhe komunitetet tjera, si turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, jetojnë me të drejta të plota kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë kemi një kërkesë për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse e ardhmja e të gjithë neve është brenda Bashkimit Evropian”, theksoi z. Kervan. Gjatë këtyre ditëve të takimit, delegacioni i Kosovës është takuar edhe me z. Istvan Jakab, Nënkryetar i Kuvendit të Hungarisë, si dhe me z. Zsolt Németh, Kryesues i Delegacionit të Hungarisë në Këshillin e Evropës, si dhe Kryesues i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Z. Jakab theksoi se ka qenë kryesues i grupit për Ballkanin Perëndimor brenda Parlamentit të Hungarisë, si dhe bashkëkryesues i Grupit të Miqësisë me Kosovën. Ai theksoi se Hungaria ka qenë gjithmonë partner i Kosovës dhe pro liberalizimit të vizave për qytetarët e saj, dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Po ashtu delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një vizitë edhe në Ambasadën e Kosovës në Budapest, gjatë të cilës është pritur nga U.D. i ambasadorit, z. Naser Idrizi.​

Filed Under: Uncategorized

“Po Dibrës, Jo Skavicës “ startoi në Nju Jork

November 5, 2021 by s p

Marjana Bulku

Nju Jork 

“Po Dibrës , jo Skavicës” ka startuar pranë OKB- së në Nju Jork si një valë kundërshtimi dhe proteste kundër zbatimit të projektit të Hidrocentralit të Skavicës i cili zhduk nga harta disa fshatra të Dibrês duke përmbytur bashkë me ta histori, tokë bujqësore dhe mjaft pasuri të tjera. Skavica është kundërshtuar sistematikisht nga zëra dinjitozë të historisë , studimeve arkeologjike , gazetarisë  , individualitete dhe aktivistë. Protesta e Nju Jorkut êshtë inicuar nga Forca Korabi e aktivisti Agron Damzi, e mbështetur fuqimisht nga Albanian roots dhe Marko Kepi, Shoqata Atdhetare Dibra me kryetar Dash Myftari, ka gjetur përkrahjen e dhjetra qytetarëve dibranë dhe jo vetëm, të cilët me banderola e flamuj shqiptaro -amerikanë i thanë njëzëri Jo Skavicës dhe Po Dibrës. Protestës i priu gazetari atdhetar dhe patriot zoti Beqir Sina i cili në fjalën e tij theksoi fshatin  Sinë,vendlindjen e Heroit tonë kombëtar Skënderbeu e cila rrezikon të mbulohet  nën ujë bashkë me muzeun historik atje si dhe gjurmët historike të prejardhjes së heroit dhe simbolit tonë kombëtar të të gjitha kohërave . “ Ky mohim i dyfishtë i Dibrës një herë nga diktatura e cila e internoi familjen time dhe tani nēn pushtetin e mafies qeveritare permbytja e  vendlindjes  dhe 30 fshatra përreth është një rrezik serioz i mohimit të identitetit tonë kombëtar” theksoi Beqir Sina në komunikimin e vet . Profesoreshë Ferzileta Gjika Vladi përmes një analize shkencore shpjegoi përpara protestuesve pse ky projekt ështe i dëmshëm dhe jo i duhur për ekoklimën e shekullit të 21. Ajo foli edhe si ish -banore e territoreve qē rrezikohen nga përmbytja duke ndarë me pjesmarrësit edhe emocionet por edhe refleksionet objektive mbi padrejtësinë që po u bëhet dibranëve. Drejtuesi i organizatës” Albanian roots” zoti Marko Kepi i bëri thirrje politikës dhe institucioneve përgjegjêse që ta bllokojnë zbatimin e këtij projekti që bie në kundërshtim me interesat lokale e kombetare duke dhuniar pronën dhe demokracinê . Mjaft mirë u prit edhe fjala e instrumentistit Ilmi Kacani i cili theksoi se humbjet kulturore që pëson Dibra nga përmbytja e kësaj zone prekin vlera kombëtare të kulturës tonë ku u përkundën artistë epikë  dhe lirikë me zë e emër që prodhuan bilbilat e asaj zone por edhe Shqipërisë  si ;Lirie Rasha, Caje Poleshi, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Vera Laçi , Skënder Cala, etj . Aktivistë  të shumtë si Arif Mata, Jurgen Vladi u rreshtuan në krah të argumentave që studjuesit e shumtë dibranë kanë artikuluar në botime e publikime se permbytja e Dibrës  nuk i sjell dritë Dibrës dhe Shqipërisë , përkundrazi. Emocionues dhe me tone të forta ishte fjala e zotit Ilir Spata, një tjetêr ish – banor i zonës që rrezikon të mbytet nga Skavica. Ai përmes një interpretimi të bukur solli vargje madhështore kushtuar asaj treve epike në realitet dhe në histori. Nuk mund ti mungonte kësaj proteste mbështetja e Dibranëve të Dibrës tjetër, kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra , zoti Dash Miftari tha se ky është rasti për ti kthyer nderin me nder Dibrës në prag të kësaj padrejtësie ndaj duhet  ti themi  jo Skavicës si dikur në mbrojtje të Radikës të përbashkuar. Cezar Ndreu emocionoi sërish pjesmarrësit me evokimet e tij historike si thirrje për ti dalë zot të tashmes. Peticioni i hartuar nga Ferzileta Gjika Vladi dhe grupi organizator u lexua për tu përcjellë në nivelet e tjera nëpër të cilat do të kalojë kjo protestē . Në përmbyllje tubimi u përshēndet nga inicuesi dhe organizatori , zoti Agron Damzi i cili falenderoi pjesmarrësit dhe organizatorët për prezencën dhe paralajmëroi etapa të tjera nëpër të cilat do të kalojë zëri i Dibranëve si zë i të drejtës që po dhunohet nga pushtetarët e sotēm vendimmarrës. Tubimi u mbyll me thirrjet e njëzêshme tē pjesmarrësve “Po Dibrës , Jo skavicës” çka do të pasohet nga valë të tjera reagimesh.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Marjana Bulku-Ditet Shqiptare-Bavari

“TÉSHA ARSIMORE” QË SE DUAN FISHTËN NË SHKOLLA

November 5, 2021 by s p

Frano Kulli/

C:\Users\User\Desktop\Foto F (Paolo)\Frano_color_2 (2).jpg

“Tesha arsimore”- do t’i quante  Fishta ata që drejtonin punët e arsimit në vitet njëzet të shekullit të kaluar-do të vetthanun pedagogë tânë, kopjatorë programesh shkollore, me moral t’themeluem m’i rrypa letrash, thupra shportash, llastra teneqesh, thua se pënjimend t’gjithë shqiptarët do t’bahen kafexhi e bozaxhi…“ Jemi, saktësisht në vitin 1923, gati njëqind vjet më parë. Edhe pse  debati aso kohe ka qenë mbi tjetër çeshtje, konteksi, besoj se është i pandryshuar, i njëjtë. Nëse atëhere, kjo urdi e drejtuesve të arsimit në Shqipëri e shihte , më e pakta si të papërshtatshme  atë çka vinte si kulturë e edukim prej katolikëve shqiptarë për ta qasë në shkollat e Shqipërisë, ende sot kjo prurje vjen si e papërshtatëshme. Sigurisht në një tjetër mënyrë.

Askush nga “tesha arsimore” e sotme nuk guxon të sillet e veprojë njëlloj si atëhere. Së paku në formë, jo. Askush nuk del haptasi e të thotë se trashëgimia kulturore e letrare, ardhur si produkt i tillë prej përfaqësuesve më në zë të klerit katolik e i shkollave të tyre është e pavlerë, askush nga ata nuk thotë se letërsia e Fishtës a veprimi shkrimor i Harapit, Zadejës, Prendushit, Dodajt, Gjeçovit, e albanologëve Valentini, Ernesto Cozzi, Fulvio Cordigniano…e të tjerë e të tjerë, nuk është i vlertë. Madje, ka pasë veprimtari përkujtimore edhe nga entet shtetnore për Fishtën, veçanërisht këto vitet e fundit, që, tashma e kanë nxjerrë prej errësirës së harresës. Për Fishten flitet e shkruhet. Përmendet ai  e shkruhet për té që kur u lejua të flitej për té. Qyshsekur, intelektualë dashamirë, shkrimtarë e artistë: Ndrekë Luca, Aurel Plasari, Rudolf Marku e të tjerë, tuboheshin e flitshin për të në Kishën e Gjuhadolit në Shkodër, a Danjel Gazulli, Tonin Çobani e të tjerë, përreth tyre bënin të njëjtën gjë në Lezhë. Por, jo vetëm flitet për Fishtën. Referuar mbamendjeve tona, janë bërë edhe të tjera akte të çmueshme e vepra përreth tij. Prej më se një dekade është ngritur  një kompleks skulpturor në Lezhë, nga Ministria e Kulturës e kohës drejtuar nga z.Bujar Leskaj, me shtysën e Agron Gjekmarkajt, dashamir i Fishtës, asokohe zyrtar aty; më heret në Shkodër një tjetër. Vjet u përurua e rikonstruktuar shtëpia ku ka banuar në fëmijërinë e herëshme Fishta, nën përkujdesjen e kryeministrit aktual, z. Edi Rama. Biblioteka, rrugë e të tjera vepra publike janë shënuar me emrin e tij. Edhe ente jopublike kulturore e librore, gjithashtu, e mbajnë prej dekadash emrin e tij. Sivjet, për së pari është krijuar çmimi letra “Gjergj Fishta” dhe një çmim në publicistikë, gjithashtu. Ka filluar realizimi i projektit “Itinerari fishtjan”, një nismë e projekt i mirë, përposë se për Fishtën edhe për ruajtjen dhe vitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore. Ky itinerar do të ndërlidhë pikat historike ku ka jetuar e vepruar Fishta, i cili nëse do të realizohet, siç ka nisur, do ta shërbejë rrugëtimin e vonuar të Fishtës në Panteonin e vlerave madhore të kombit. Por do të jetë, njëherësh  edhe një atraksion me interes kombëtar i turizmit kulturor në Shqipëri. 

Është përmendë, gjithashtu edhe vendosja e një shtatoreje tjetër në Tiranë…e, në sinkron, këto të arritura e kanë rikthyer Poetin Kombëtar, nga humnera e harresës ku qe hedhur. Një Institut jo qeveritar e ka shpallur vitin e sivjetëm, viti i Fishtës dhe ka realizuar disa veprimtari, përkujtimore, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave në Tiranë e në qytete të tjera, në Shqipëri e Kosovë.

Poor, por…rrallë e hiç vjen në përmendjen e enteve shtetnore, fakti thelbësor se vepra e Fishtës, prej kohësh është botuar e plotë dhe ndërkomunikon me lexuesin e dëshiruar. Përpjekja e parë e “Rilindjes” së Kosovës, në fillimvitet ’90 është pasuar nga një botim i plotë në vitin 2012, i “Botimeve Fishta”. Përgatitur nga një redaksi me shkrimtarë, gjuhëtarë e  studiues të autorit, ku secili prej tyre është autor i më shumë se një botimi studimor për Fishtën. Çertifikuar heret e bindshëm prej opinionit studimor si të tillë. Botimi është i paisur me një aparat filologjik e gjuhësor. Ndoshta ndihma më e vyer në ngushtimin e shkurtimin e exkomunikimit të gjatë të veprës me lexuesin e vet. Dhe së fundi, sivjet, përpjekjet e parreshtura të “Botimeve françeskane” janë kurorëzuar me një botim tjetër të plotë, të transliteruar. Madje, bashkëlidhur me veprën është sjellë i përmbledhur edhe “Letërshkëmbimi” i Fishtës, i munguar deri tani. E gjitha kjo, natyrisht për tu përgëzuar, se është arritë kështu që Poeti Kombëtar, me veprën e vet të gjallojë tek lexuesi i dëshiruar. I rikthyer plotësisht në vëmendjen e Kombit, gjithashtu. Me apo pa pëlqimin e të gjithëve. 

Të vetmit që nuk janë ndjerë deri tani janë entet e arsimit kombëtar të Shqipërisë… Fishta memzi ka hyrë me pikatore në kurrikulat mësimore të shkollave të mesme. Pak, gjithashtu në shkollat e larta. Produkti që del prej andej, pra të mësuarit e Fishtës është edhe më i mangët se “lënda e parë” që hyn në to…

Edhe pse ka dhjetë vjet që nuk ka pasë një listë me libra të rekomanduar për letërsinë në shkollat e mesme, me të cilat pasurohet fondi i bibliotekave të shkollave, sivjet, më së fundi, me gjasë kjo do të ndodhë. Po si ?? 

Është ngritur një bord  i administrimit nga Ministria e Arsimit, të cilit i është besuar hartimi i kësaj liste. Dhe ai, thonë se e ka hartuar një listë. Se si, gjithmonë, bordet tek ne veprojnë në terr.A e di kush se u bë ndonjë diskutim publik me grupet e interesuara ? Sa publike është bërë vendimi që shtëpitë botuese të propozonin nga 5 tituj të tyre, gjykuar si më të zgjedhurit për atje ?

Për Fishtën, bie fjala, dikush atje i ka dhënë vetes tagrin edhe të përçmojë ndonjërin prej versioneve të botuara të veprës. Krejt apriori, ex cathedra. Pa pasë dhënë deri tani, ndonjë provë publike për studimin e veprës së Fishtës. Pjesëmarrës të përhershëm bord-esh (me kohë të plotë)…,druaj se as provë leximi, gjithashtu.

Di, se nga ai bord, vetëm Prof. Lili Sula ka botime për Fishtën dhe do të qe jo vetëm mirëkuptueshëm por edhe më i besueshmi vlerësimi i saj. Të tjerë,vlerësime pa iu referuar aspak veprës, po thjesht një opinioni paraprak janë të refuzueshme e të neveritshme. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT