• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

MIGRIMI I DORËSHKRIMEVE MESJETARE SHQIPTARE NË QYTETET ITALIANE DHE EUROPIANE NË MESJETË

December 23, 2021 by s p

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies, Budapest

VIJON NGA NUMRI I KALUAR…

Vlera dhe rëndësia 

Dorëshkrimi “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” është tepër i rrallë dhe unik, sepse përmban kapitujt e një katedraleje, respektivisht ato të Katedrales së Drishtit. Si i tillë, pra si statut katedraleje, ai është i vetmi që është zbuluar deri më sot në qytetet e bregdetit Adriatik, dhe për këtë arsye ka një vlerë të jashtëzakonshme për historinë e krishterimit, në aspektin e një ndërthurje ideale të jetës shekullare me atë fetare në  një aparat të tillë normativ.

Krahas Këshillit të Madh, i cili kishte autoritetin ekskluziv për të ngritur qytetarët e thjeshtë në sërën e fisnikërisë, edhe katedralja kishte një peshë mjaft të madhe për të shtuar numrin e fisnikëve, sepse nëpërmjet zgjedhjes kanonike në radhët e larta të institucioneve fetare mund të vinin edhe njerëz të thjeshtë që pastaj shndërroheshin në fisnikë. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore se përse në territoret shqiptare kishte shumë që vendosnin të bëheshin klerikë, për të shërbyer pastaj në funksione të rëndësishme fetare në gjithë Dalmacinë e më gjerë deri në Hungari, ku ata automatikisht pranoheshin në radhët e fisnikërisë së lartë vendase.

Krahas ipeshkëve, katedralet e qytetit, shpesh të ndara në shumë kolegjiume, ishin një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i pushtetit. Komuna e Drishtit administrohej në mënyrë të mirëfilltë nga ata. Kanonikët e katedrales ushtronin detyra qytetare si atë të noterit dhe të mbledhësit të taksave. Ata shkonin edhe si të dërguar të bashkëqytetarëve të tyre jashtë vendit me funksione diplomatike. Nga këto të fundit, për t’u përmendur janë rastet e Gjon, Ndre dhe Pal Gazulit, Martin Muzakës, Pal Engjëllit, Gjergj Pelinit, Paganinos, Andrea Sumës që në kohën e Skënderbeut shërbenin edhe si ambasadorë. 

Me zgjedhjen e ipeshkëve ata kishin ndikim të drejtpërdrejtë në politikë. Nëpërmjet rikonfirmimit dhe zyrtarizimit që u bëhej rregullave antike, pasi ato u plotësuan dhe iu përshtatën rrethanave të reja politike, ekonomike dhe zhvillimeve të përgjithshme sociale, statutet e katedrales së Drishtit të vitit 1468 u përgjigjeshin më mirë këtyre nevojave organizative dhe administrative. 

Statutet e qyteteve-komuna dhe të katedraleve shqiptare janë një dëshmi që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve-komuna shqiptare, të botës qytetare në kompleksin mesdhetar, zhvillimin e tyre dhe ngjashmëritë me qytetet-komunat e tjera të Evropës si dhe zhvillimin e të drejtës kanonike kishtare, e cila ishte mjaft specifike sepse ruante në vetvete rregullat zyrtare të kishës duke i përshtatur ato sipas të drejtës dhe traditës vendëse. 

Qytetet-komuna me komunitetet e tyre janë ndër manifestimet më të suksesshme të zhvillimit të Evropës mesjetare. Këto forma të jetës dhe kulturës qytetare u krijuan përgjatë brigjeve të Adriatikut. Rregullimi i jetës sociale brenda komunës, por edhe marrëdhëniet e komunës me botën tjetër përreth saj janë disa nga proceset që kanë sjellë deri te zhvillimet e hovshme të këtyre njësive të vogla administrative, por të rëndësishme për njohjen dhe kuptimin e drejte të zhvillimit të mesjetës përgjatë brigjeve të Adriatikut. Fillimi i rregullimit të marrëdhënieve shoqërore përmes Statuteve mendohet si fillimi i krijimit të shoqërive të reja komunale si pasojë e zhvillimeve të përgjithshme të shoqërisë mesjetare të kohës.

Debati për Statutet e qyteteve-komuna bregdetare në përgjithësi dhe atyre shqiptare në veçanti, është njëkohësisht edhe debat për fillimin e njohjes së historisë së të drejtës së kodifikuar zyrtare në territoret e sotme shqiptare. Këto statute mesjetare në përgjithësi janë shumë më të gjëra dhe të detajuara se sa statutet e sotme, dhe një gjë e tillë pamundëson krahasimet e mundshme të këtyre statuteve të krijuara në kohë të ndryshme, por në hapësirë territoriale të njëjtë. Me statutet e qyteteve-komuna mesjetare janë rregulluar pothuajse të gjitha marrëdhëniet juridike relevante, me përjashtim të atyre që kishin të bënin me të drejtën zakonore, e cila ishte me ndikim të fortë edhe në këto qytete-komuna, por veçanërisht në hinterland. Megjithatë duhet theksuar se e drejta zakonore vendore që rregullonte marrëdhëniet brenda-komunitare shpesh shërbenin si pikënisje për statute të reja, sepse ato rregulla aplikoheshin në jetën e përditshme, por kishte edhe raste, kur këto rregulla, liheshin anash qëllimisht për shkak se konsideroheshin si të panevojshme ose edhe pengese për zhvillime të reja ekonomike, tregtare dhe kulturore. 

Historikisht, numri më i madh i statuteve të qytet-komunave, është i njohur në brigjet e Adriatikut pas ndikimit të madh venedikas në këto territore, i cili u manifestua si në jetën politike e ekonomike ashtu edhe në atë kulturore, sociale e fetare. Faktikisht ne shqiptarët, sot kemi në duar vetëm dy Statute, atë Shkodrës dhe këtë që botojmë ne, të Katedrales së Qytetit të Drishtit, edhe pse është i njohur fakti se në dorëshkrimet e Milan Šufflay-t që ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, gjenden dorëshkrime komplete ose fragmentare të disa statuteve të qyteteve-komuna shqiptare, të cilat nuk janë botuar deri me sot. Në këto dorëshkrime të pabotuara të Milan Šufflay-t, gjenden të dhëna me shumë interes, të cilat pothuajse çdo herë janë të mbështetura në burime arkivore, të shoqëruara me literaturë të bollshme, por dhe me studime dhe komente të shumta nga vetë Šufflay. 

Edhe studimet e botuara janë me interes të veçantë. Milan Šufflay, në studimin e tij “Kulturne struje na srednovječnon Jadranu” të botuar në vitin 1923, e ribotuar në vitin 1999, shprehimisht shkruan: “Ka gjurmë të sigurta, të Statuteve të Tivarit, Ulqinit, dhe Durrësit, ndërsa na është ruajtur Statuti i qytetit të Drishtit, i cili në shekullin e XIV, ishte nën jurisdikcionin e ipeshkvit. Këto statute, pra edhe ai tre gjuhësh, greqisht, latinisht e shqip, i Durrësit, janë shkruar gjithashtu latinisht.”

KODIKU ASHB 1167 I LAURENZIANËS SË FIRENCËS

Në plejadën e figurave të shquara të humanistëve shqiptarë, të shekujve XV-të dhe XVI-të, bën pjesë edhe kryeipeshkvi Pal Ëngjëlli nga familja e njohur e Ëngjëllorëve të Drishtit. Kjo familje shqiptare e njohur dhe patriote luajti një rol me rëndësi në mesjetën shqiptare e sidomos në periudhën e Skënderbeut. Kishte lidhje të ngushta me familjet kryesore princërore shqiptare të kohës, ngase ishte edhe vetë me origjinë fisnike.

Ndër të tjera si intelektual, Pal Engjëlli është i njohur sepse prej tij kemi të shkruar në gjuhën shqipe “Formulën e Pagëzimit”, nga viti 1462. 

Që nga viti 1915, kur N. Jorga, për herë të parë e bëri publik lajmin për zbulimin e Kodikut të Pal Engjëllit, nga Bilbioteka Laurenziane e Firencës, është shkruar e debatuar shumë për të. Si informacion gjindet në të gjitha tekstet e Historisë së Letersisë, Historisë së Popullit Shqiptar, në monografi të specializuara, në botime të veçanta të Akademive e Instituteve të Gjuhësisë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, në bibliografi, studime dhe artikuj qofshin ata të mirfilltë shkencor, qofshin popullarizues. Natyrisht, të gjithë deri në një, thirren në atë informacion që e ka dhënë N. Jorga, duke botuar edhe të shumtën e rasteve, një faksimile fotomontazhe [gjë kjo e palejuar në raste të tilla], që me sa duket e ka burimin që në botimet e para. Më e bukura është, se deri me sot, Kodiku i Pal Engjëllit, të cilin e zbuloi N. Jorga, nuk është botuar i tëri! Kjo duket e pabesueshme, por është shumë e vërtet. 

Nikolae Jorga duke bërë kërkime shkencore në bibliotekën Laurentiana të Firencës, në vitin 1915, zbuloi dorëshkrimin e Kodikut të Pal Engjëllit, Ashb. 1167, në të cilin ndodhet edhe e ashtuquajtura “Formula e Pagëzimti”, të cilën ai e botoi në veprën e tij: “Notes et extratis pour servir a l’Histoire des Croisades au XVe Siècle. Quatrième série (1453-1476). [Academia Român. Publicaţiunile Fondului “Princesa Alina Ştirbei” No. IX]. Bucarest, 1915.

Numri i autorëve që janë marrë me Kodikun si tërsi, është i vogël dhe përmblidhet përafërsisht në këto punime: “1. G. Valentini. Il manoscritto ASHB 1167 della Laurenziana. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 3, janar – mars 1955, f. 15-23; 2. Willy Kamsi, “Dorëshkrimi ASHB 1167 i Laurencianes” në revistën: “Phoenix”. Shkodër. 1999, nr. 9/1, artikulli 3; që është përkthim i studimit të G. Valentinit të cituar më lartë; 3. Namik Resuli, I piu antichi testi albanesi. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 2, tetor – dhjetor 1954, f. 13-14, referenca nr. 1; 4. Aurel Plasari, Mbi Skenderbeun “mbret” sipas Ashburnhamit. Gazeta55. Tiranë, 9 mars 2003, f. 12-13; 5. Musa Ahmeti. Ja dokumenti që sfidon Formulën e Pagëzimti. Ballkan. Tiranë. 21 shkurt 2004, viti III, nr. 2732 /6232/, f. 29; 6. i njëjti: Pal Engjëll, personalitet i madh i kohës së Skënderbeut. /Monumenta albanica/. Ekskluzive. Prishitnë. Qershor 2003, nr. 38, f. 84-87.”

Përshkrimi fizik i Kodikut të Firencës Ashb 1167

Nuk kanë mnuguar deri me sot përshkrimet e “Kodikut të Firencës Ashb 1167” por, çuditërisht, të gjitha deri me një, janë sipërfaqësore, të pa sakta, kundrëthënëse me njëra tjetrën dhe me lëshime të shumta.

Kodiku ka kopertina të forta lëkure, ngjyrë kafe. Të dy kopertinat kanë dekorime floreale të kohës. Në kurriz të kodikut është shënuar numrin: 1167 /lartë/ dhe 1167 poshtë, /në një etiketë të kuqe, që është zverdhur nga koha/. 

Sapo e hap kopertinën ka këto shenime: fillimisht është një letër e bardhë në të cilën janë të shënuara nga e majta, lartë: 7/; [ky numër është shënuar me laps plumbi], më poshtë: 40, [ky numër është shenuar me pendë, me ngjyrë kafe]; menjëher në vazhdim: C. L. 1167 [është e shkruar me laps plumbi]; më poshtë është e shënuar: Durrazzo–Codel Geul /është e shkruar me laps plumbi/. 

Në faqen në vazhdim, që i bie faqja e parë është e shënuar, lartë në të majtë me laps plumbi: 1167, ndërsa më poshtë, në të djathtë: me pendë, ngjyrë e zezë: Laur. Ashb. 1167 dhe menjëher poshtë këtij shënimi është një vulë e rrumbullakët me ngjyrë të kuqe e bibliotekës së Laurenzianës; krejt poshtë, në të djathtë është shënuar numri një [I] roamk. Faqja në vijim nuk ka asnjë shenjë, është krejt e pastër. 

Paginimi fillon me numër 1, dhe faqja është në pergamen. 

Në f. 1r; lart në të majtë është shënuar, me pendë me ngjyrë të zezë: Laur. Ashb. 1167. Fjala Ashb. është e nënvizuar me dy vija me ngjyrë të zerë me pendë. Poshtë është vula e rrumbullakët e vogël e bibliotekës së Laurenzianës, në vazhdim f. 1v, nuk ka asgjë, është e pastër.

Në vijim nga f. 2r deri në f. 37r janë të renditura 19 dokumente. Scribesi që ka përshkruar dokumentet nga origjinali në Kodikun ekzistues, nuk ka përdorur ndonjë kriter të veçantë, si p.sh. kronologjik (sipas viteve të krijimit të dokumentit apo dorëshkrimit) ose tematik, por i ka renditur duke krijuar një rrëmujë të vërtetë. Në një rast, p.sh. scribesi kur përshkruan gjenealogjinë e Engjëllorëve në f. 27r-32r, në mes të gjenealogjisë, f. 29v-31v, vendos një dokument që nuk ka asnjë lidhje me pjesën e parë apo pjesën e dytë, që është vazhdim i ngatërruar i pjesës së parë të gjenealogjisë së Engjëllorëve.

Në dorëshkrim, faqja 20v, dallon nga faqet tjera, qoftë për nga numri i rreshtave (25), qoftë për inicialin me dekorime të thejshta floreale apo edhe për dorën tjetër të scribesit që ka shkruar pjesën tjetër të dorëshkrimit. Kemi edhe një dallim tjetër të kësaj natyre në fund të faqes. 33r, poshtë rreshtit 23, është shkruar nga një dorë tjetër ose scribes tjetër një rresht i plotë teksti.

I tërë dorëshkrimi është i shkruar nga një dorë e scribes,pos f. 20v, dhe rreshtit të fundit në f. 33r, ku, është shkruar nga dorë tjetër ose srcibes tjetër.

Scribesi, pothuajse rregullisht, para çdo dokumenti të ri, ka bërë një shenjë të veçantë, një vijë të lakuar, të shkurtër, pas së cilës ka vënë tre pika. Edhe të ky element kemi një përjashtim, p.sh. në f. 31v, kemi një simbol të veçantë, me më shumë pika, por, ka edhe raste kur nuk shënon fare shenja dalluese te fillimi i dokumentit, gjë që ka vështirësuar punën tonë për të bërë përcaktimin e fillimit të dokumentit. Në raste të tilla, ne kemi ndjekur kriterin logjik dhe tematik të dokumentit, duke shikuar përmbajten.

Në f. 33r ka një vulë të bibliotekës së Laurenzianës, të rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe, në të majtë, poshtë tekstit, poashtu në f. 37r ka një tjetër vulë të bibliotekës së Laurenzianës, të njëjtë me atë të f. 33r, poashtu poshtë tekstit. Në të djathtë të vulës është shënuar numri: 216601, me laps plumbi. 

Në vijim faqet: 37v, 38r, 38v, 39r, 39v, 40r, 40v, janë krejt të pastërta pa asnjë shënim, derisa në f. 40v ka një vulë të bibliotekës së Laurenzianën, në të majtë, poshtë. Faqja në vijim e cila është nga letër e bardhë e thjeshtë, në të djathë, poshtë ka të shënuar: Ashb. 1167; poshtë nën këtë shënim ka të shënuar: constat ff. 40r-v. Poshtë nurmit 40r-v është tërhequr një vijë me pendë me ngjyrë të zezë. Faqja në vijim ka vetëm një rreth të bërë me pendë me ngjyrë të zezë, në mes të faqes. kjo faqe është letër e thjeshtë e bardhë, por e zverdhur nga koha. Faqja e koperitnës, e cila është nga letër e thjeshtë e bardhë dhe e zverdhur nga koha, ka një dëmtim në të djathtë, poshtë. Lart, në të mjat, me laps plumbi ka të shënuar: 007; L 3 13.6; poshtë këtyre numrave është tërhequr një vijë me laps plumbi; menjëher poshtë ka këtë shenim: 3/ II/ 32, me laps plumbi poshtë, është tërhequr një vijë, dhe menjëher poshtë ka këtë shënim: (279), me laps plumbi e vënë në kllapa. Pak më dathtas e se këto shenime, me laps plumbi është shënuar grafema: “k” me një vijë të drejtë, të shkurtër.

Faqet: 3r-v, 20r-v, 26r-v, 31r-v, 36r-v, janë pergamen më i trashë se sa faqet tera, të ciat janë fine dhe më të holla. 

Dorëshkrimi i Kodikut është në gjendje shumë të mirë, pos f. 5r-v, e cila është e dëmtuar në fund, djathtas, dhe i është grisur një copër vogël me dimensione: 8 mm x 9 mm.

Dimensionet e dorëshkrimit janë 14.2 x 21.8 cm. Trashësia e dorëshkrimit është 1 cm, ndërsa dimensionet e tekstit të shkruar në pergamen janë: 9.2 x 15. cm. Në f. 2r, fillon dorëshkrimi i Kodikut me: “Paulus Angelus, Miseratione divina…” dhe poshtë në të majtë, ka vulën e Bibliotekës së Laurenzianës dhe përfundon në f. 37r, ku përfundon edhe i tërë dorëshkrimi me fjalët: “Quatro Jdus Martij Imperij uero nri Anno Decimo.”

Dorëshkrimi ka gjithsej 84 iniciale të cilat janë të thjeshta, pa dekorime apo ilsutrime të veçanta, por të shkruara me ngjyrë më të trashë, pra janë grafema të thjeshta ku dallohen vetëm për nga madhësia e cila është sa dyfishi apo trefishi i grafemave normale. Përjashtim bën iniciale në f. 20v, i cili është i dekoruar.

Dorëshkrimi ka gjithsej 1537 rreshta. Një faqe mesatarisht ka nga 23 rreshta, por faqja më me shumë rreshta është ajo 20v, me 25 rreshta, ndërsa faqja që ka më së paku rreshta është f. 35v me 13 rreshta.

Dokumenti më me shumë rreshta në dorëshkrimine Kodikut të Firencës 1167 është dokumenti nr. 1, me 303 rreshta, ndërsa dokumenti më me pak rreshta është dokumenti nr. 18 me vetëm 6 rreshta.

Sipas renditjes në origjinal të dorëshkrimit dokumentet kanë: dok. 1, 303 rreshta; dok. 2, 76; dok. 3, 86; dok. 4, 25; dok. 5, 238; dok. 6, 40; dok. 7, 25; dok. 8, 69; dok. 9, 126; dok. 10, 117; dok. 11, 96; dok. 12, 77; dok. 13, 39; dok. 14, 23; dok. 15, 33; dok. 16, 56; dok. 17, 35; dok. 18, 6 dhe dok. 19, 67 rreshta.

Përmbajtja e Kodikut të Firencës Ashb 1167

Kodiku i Firencës Ashb 1167 është një Miscellanae në kuptimin e mirfilltë të fjalës. Në të janë të renditura nëntëmbëdhjetë dorëshrkime (dokumente) të ndryshme si për nga përmbajtja, forma dhe koha e krijimit të tyre.

Studimi i dorëshkrimit të Kodikut të Firencës në origjinal të len të kuptosh se të gjitha dorëshkrimet apo dokumentet që ndodhen aty nuk kanë qenë të shpërndara apo pjesë e dorëshkrimeve tjera, siç është rasti psh. me dorëshkrimet e “Statuteve dhe urdhëresave të kapitullit të Kishës katedrale të Drishtit” ku në dorëshkrimin origjinal që ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës, vërehen: “dy lloj faqosjes. Njëri lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1r dhe vazhdon deri në nr. 18v dhe faqosja e dytë, poshtë në të djathtë që fillon nga nr. 9r dhe përfundon në nr. 26v,” apo me dy Kodikët e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, ata të Venedikut, të Dubrovnikut, etj. Në të vërtetë, edhe në dorëshkrimin e Kodikut të Firencës, kemi faqosje dyfishe, të shënuar poshtë e lartë, në të djathtë të faqes recto, por numrat janë identikë dhe mendojmë se faqosja është e kohës së krijimit të dorëshrkimit të Kodikut/

Siç e theksuam edhe më lartë, nuk kemi një renditje sipas kriteve “normale” që kanë Kodikë të tillë të kësaj periudhe kohore. Duke dashur që ti përmbahemi renditjes origjinale, ne po japim një përshkrim të hollësishëm të 19 dokumenteve (dorëshkrimeve) që përban Kodiku:

  1. f. 2r-9r Paulus Angelus, miseratione divina, archiepiscopus Durachiensis et Illiricae regionis (Pal Engjëlli kryeipeshkëv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë falë mëshirës hyjnore),
  2. f. 9v-11r Casus reservati (Raste të rezervuara),
  3. f. 11r-13r Ex aureo antiquitatum libro archivi civitatis Durachiensis (Nga libri i artë i lashtësive të arkivit të qytetit të Durrësit)
  4. f. 13r-v Insuper additio facta mandato reverendissimi et illustrissimi Sanctae Romanae Ecclesiae cardinalis archiepiscopique Dyrachiensis domini, domini Pauli Angeli anno Incarnationis Dominicae 1463., XV. Kalendas Ianuarii, Pontificatus vero Sanctissimi domini nostri domini Pii divina providentia papae secundi, anno eius sexto, videlicet… (Veç kësaj kemi shtesën që iu bë urdhërit të shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të Kishës së Shejtë Romake dhe kryeipeshkvit të Durrësit, zotit, zot Pal Engjëllit në vitin e mishërimit të Zotit më 18 dhjetor 1462, në vitin e gjashtë të pontifikatit të zotit tonë shumë të shejtë për provani hynjore Papë Piu II),
  5. f. 13v-19r Decretum sanctissimi domini nostri domini Pii divina providentia Papae II. Emanatum ad instantiam reverendissimi ac illustrissimi Sanctae Romanae Ecclesiae Cardinalis ac Dyrachiensis archiepiscopi domini domini Pauli Angeli, et contra sectam Mahumetanam ac in favorem invictissimi regis Albaniae domini Scanderbeggi, ejusdem illustrissimi domini Pauli consobrini et prout patet per infrascriptam bullam, videlicet (Dekret i përgjithshëm i shejtërisë, zotit tonë Papa Piu II, papë për provani hyjnore, i lëshuar me kërkesën e shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të Kishës së Shejtë Romane dhe zotit kryeipeshkëv të Durrësit, zotit Pal Engjëllit dhe kundër sektit muhamedan dhe në të mirë të mbretit të pathyeshëm të Arbërisë, zotit Skenderbe, kushëririt të shumë të ndriturit zotit Pal dhe sikurse duket sheshit nga vula e vënë poshtë),
  6. f. 19v-20r Cupientes igitur ut littere predicte plenariam (!) consequantur effectum discretioni vestre per apostolica scripta mandamus quatinus vos vel plures aut unus vestrum per vos vel alium seu alios litteras predictas (Prandaj duke dëshiruar që letrat e lartpërmendura të kenë efekt të plotë me shkresë apostolike ia besojmë arsyetimit tuaj, për sa kohë që ju ose shumë vetë apo edhe njeri prej jush të dijë ku dhe kur të përgatisë gjithçka që përmbajnë letrat) 
  7. f. 20v Reperitur in Archivio Urbis Dryadensis hodie vero Drivastensis (Në arkivin e qytetit Dryadens që sot quhet Drisht),
  8. f. 21r-22r Privilegium seu confirmatio privilegiorum dominorum comitum civitatis Drivasti (Privilegj apo konfirmim i privilegjeve të zotërve kontë të qytetit të Drishtit),
  9. f. 22v-25r Conventiones et pacta facta cum domino Francisco Quirino a nobilibus Drivastensibus se sibi nomine illustrissimi dominii Venetiarum subicientibus (Marrëveshjet dhe paktet e bëra mes zotit Françesk Kuirini me bujarët drishtianë që po i nënshtrohen atij nën emrin e shumë të ndriturit, Zotërimit të Venedikut),
  10. f. 25r-27v Conventiones et pacta facta inter illustrissimum ac potentem ducem dominum Georgium Topiam, domini Durachii, et dominum Saracenum Dandulum nomine illustrissimi Venetiarum dominii de castro Dirachii (Marrëveshjet dhe paktet e bëra midis të ndriturit dhe të fuqishmit dukës, zotit Gjergj Topisë, sundues i Durrësit dhe zotit Saraçen Dandulos në emër të shumë të ndriturit Zotërimit të Venedikut në kështjellën e Durrësit),
  11. f. 27v– 29v De generationibus illustrium filiorum Isacii patricii senatorisque Romani et vari(et)atis fortunae eiusque cognominis (Mbi breznitë e të ndriturve djem të Isakut, patricit e senatorit romak dhe fatet e ndryshme të tij dhe të mbiemrit të tij),
  12. f. 29v-31v Praeterea prefati illustres domini Pauli ad presens archiepiscopi Dirachiensis ac magnifici Comitis Drivastensis domin Petri fratres (Veç kësaj, të lartpërmendurit zotërinj të ndritur, vëllëzërit në gjak të Palit sot kryeipeshkëv i Durrësit dhe i të lartit kont të Drishtit, zotit Pjetër),
  13. f. 31v-32r Insuper sciendum est quod anno salutis nostre millesimo CVI (Për më tepër duhet ditur se në vitin e shpëtimit tonë një mijë e një qind e gjashtë),
  14. f. 32r-v Baiulo et capitaneo Durachii (Bajlit dhe Kapedanit të Durrësit),
  15. f. 32v-33v Consilium cum Collegio die VIIII-o Junii 1461. Reverendo in Christo patri domino Paulo, Dei et Apostolice Sedis gratia archiepiscopo Durachiensi , amico dilecto (Këshilli me kolegjin, datë 8 qershor 1461. Të nderuarit në Krishtin, Atit dhe zotit Pal, me hir të Zotit dhe të Selisë Apostolike kryipeshkëv i Durrësit),
  16. f. 33v-34v Fides operationum quas fecit reverendissimus ac illustrissimus Sanctae Romanae Ecclesiae Cardinalis dominis Paulus Angelus, archiepiscopus Dirachiensis, in favorem christiane religionis ac illustrissimi dominii Venetiarum suis propriis sumptibus (Besim për veprimet që bëri shumë i nderuari dhe shumë i ndrituri Kardinali i Kishës së shejtë Romane Pal Engjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit për nder të fesë së krishterë dhe të shumë të ndriturit Zotërimit të Venedikut me shpenzimet e veta personale),
  17.  f. 34v-35v Promissiones ab excellentissimo Consilio X. Facte magnifico domino Alexio Hispano de ducatis 400 annuatim sibi ac heredibus suis dandis de provisione (Zotimet që shumë i shkëlqyeri Këshilli i të Dhjetëve i bën të lartit zot Lekë Spanit, për t’i dhënë atij dhe trashëgimtarëve të tij 400 dukatë në vit si provision),
  18. f. 35v Die XXVII Junii 1484 in Consilio Decem captum fuit quod omnes promissiones facte in acquisitione civitatum Provinciae Albaniae observentur in omnibus etc. (Më datë 27 qershor 1474 në Këshillin e të Dhjetëve u mor vendim që të gjitha zotimet e bëra për marrjen e qyteteve të Provincës së Arbërisë të respektohen në të gjitha hollësitë etj.),
  19. f. 36r-37r Sanctissimo in Christo patri et domino domino Coelestino III, Dei gratia ac sacrosanctae Romanae ecclesiae Summo Pontifici. Isacius Angelus Constantinopolitanus imperator ac caesar semper augustus promptam cum omni subiectione reverentiam etc. (Atit e zotit të shejtë në Krishtin, zotit Çelestini III, Papë me hirin e zotit dhe i Kishës së Shejtë Romane. Isak Engjëlli, perandor i Konstantinopojës dhe gjithmonë Cezar August i gatshëm për nderim me çdo nënshtrim etj.).

Pra, siq mund të vërehet, Kodeksi ka përmbatje të ndryshme që trajton tema të ndryshme, në periudha kohe të ndryshme dhe majft të largëta me njëra tjetrën, megjithëse, pothuajse i tëri ka të bëj me fmailjen e Ëngjëllorëve si dhe me privilegjet e tyre, natyrisht edhe me akte të ndryshme kishtare dhe perandorake.

Vlerësimi për origjinaliteti dhe autenticitetin e këtij Kodeksi mund bëhet vetëm pas një botimi kritik dhe analizave të specilaistëve të fushave prëkatëse. Përkundrë faktit se autorët që kanë shkruar për këtë Kodikë, janë emra të njohur në fushat e historisë dhe albanologjisë, të gjithë pa përjashtim kanë bërë gabime më elementare duke ngatërruar faqet e dokumenteve, duke mos dhënë titujt e saktë ose duke i renditur në forma të ndryshme. Edhepse ne disponojmë të dhëna të sakta se dorëshkrimin origjinal disa nga ata e kanë shfrytëzuar në bibliotekën Laureziana të Firencës, prapseprap ka gabime. Një gjë e tillë nuk duhej t’u ndodhte, për vetë rëndësinë e që ka “Kodiku”, të cilët, kanë ngatërruar më shumë edhe të tjerët që kanë cituar ata.

NJË DORËSHKRIM ORIGJINAL I FAMILJES ENGJLLI NGA DRISHTI QË RUHET NË VENEDIK

Në kuadër të burimeve historike vend të rëndësishëm zënë dorëshkrimet e pabotuara, veçanërisht ato të cilat janë të ndërlidhura me njëra tjetrën qoftë duke pasur një autor të përbashkët, duke trajtuar një ngjarje ose personalitet të kohës, krijimi i të cilave është bërë në kushte e rrethana specifike. Është e njohur tashmë se për dorëshkrime të tilla ka rezerva ose duke shkuar deri në skajshmëri, në mohimin e tyre si falsifikate dhe burime të pavlera, për një kategori specialistësh, studiuesish dhe historianësh, ndërsa në anën tjetër, ato mbrohen me këmbëngulje se janë burime me vlera të mëdha historike dhe si të tilla pasurojnë historinë kombëtare shqiptare. Të shumtën e rasteve ato mohon nga ata të cilët nuk i kanë pasur kurrë në dorë si origjinale, por, kanë “dëgjuar” apo “lexuar” nga të tjerë se autenticiteti i tyre vihet në dyshim. 

Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore italiane dhe private në Shkodër e gjetiu. Një pjesë e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të saktë si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlershmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, ruhen në Venedik, Firencë, Vatikan, Kopenhagë dhe Shkodër. Përveç që janë të pabotuara, ato si element të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani, Firenca dhe Venediku] kanë se janë shkruar nga  e njejta dorë dhe atë në dekadat e para të shekullit XVI.

Natyrisht, nuk do të flasim kësaj radhe për librat e botuar që kanë për autorë disa nga anëtarët e familjes Engjëllori, nuk do flasim as për ato libra që ata si mecenë mundësuan botimin e tyre, por dëshirojmë të bëjmë të njohur njërin prej dorëshkrimeve, origjinalin e të cilit e kemi shfrytëuar në bibliotekën Marciana të Venedikut.

Kodiku [dorëshkrimi] i cili ruhet në bibliotekën Marciana të Venedikut, ka kopertina të forta lëkure, të kuqe, me një dekorim floriri në mes, në formë të stemës, por pa shenja heraldike. Lart në mes të kopertinës është e shënuar me laps të kuq: no 50. Edhe kopertina tjetër, ka në mes të njëjtin dekorim. Kopertinat janë të mbështjella me një mbështjellës special të ri, me ngjyrë jeshile. Në kopertinë brenda, ka dy etiketa me shenime nga biblioteka Marciana: Mss. Latini Cl. 10. Nr. 232. Provenienza. Morelli Giaci 261; dhe etiketa e dytë: Collazione: 3732. Më poshtë, në mes është shkruar me dorë dhe pendë: Morelli 261; Clasis X; Cod. CCXXXII. Në fund, në mes, është një gravurë me stemën e shën Markut me Libër.

Në vazhdim është dorëshkrimi i kodikut i cili është i paginuar vetëm në recto, lart, djathtas, me të njëjtën dorë që është shkruar edhe dorëshkrimi; paginimi është i kohës së krijimit të dorëshkrimit. Kodiku ka 1-19 fletë dorëshkrim, me dimensione 16×22.4 cm. Lexohet lehtë dhe e ka shkruar e njejta dorë që ka shkruar edhe Kodikun e Bilbiotekës Laurenziana të Firencës, ASHB 1167, në të cilin përveç të tjerave ruhet edhe “Formula e Pagëzimit, nga viti 1462 si dhe dorëshkrimin e një Kodiku tjetër, po e familjes së Engjëllorëve nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, i cili nuk është botuar asnjëherë deri me sot. Pasi mbaron dorëshkrimi kemi edhe fletët bosh: 19v-23v, si dhe një fletë kartoni e cila është e papaginuar. Dorëshkrimi është shkruar në pergamen fin dhe është një gjenealogi e shkruar nga një dorë e vetme.

Në f. 1r, është shkruar me grafema kapitale të praruara me flori emri i Andreas Angelus, dy herë, ndërsa në f. 15r, është një stemë në të cilën është e paraqitur një shqiponjë dykrenëshe ngjyrë ari, me kurorë mbretërore sipër kokave të shqiponjës si dhe një kurorë e trefishtë mbretërore me një kryq sipër, në mes të dy kokave. 

Sfondi është i kuq, ndërsa shqiponja është e praruar me flori. Teksti sipër stemës është: Anno Mundi ad Computum Musaisum 2310. Ante’uerò Aduentum Domini D.C.L. dhe poshtë stemës: Tuscus Princeps Tuscia’ a quo Tuscia uocata est habebat huiusmodi Aquilam Auream, et deinde Aeneas. X. Descendens ab Eo ac Successores eius. 

Menjëherë në faqen në vazhdim, por verso, 15v, është një stemë e dytë, me elemente heraldike të njejta, përveç që sfondi ndryshon dhe është ngjyrë floriri dhe shqiponja është e zezë. Teksti sipër stemës është: Anno mundi ad Computum iamdiem 4267,  ndërsa poshtë stemës është ky tekst: Constantinus Maximus Imperator Flauius Augustus ac Pontifex ultimus Romanus habuit Crucem à Domino contra Maxentium Tyrannum qui habeat dictam Aquilam Auream; et anno .XIII. sui Imperii habuit Victoriam in Aquilonae et propter talem Victoriam fecit et fieri Aquilam nigram similem coronatam in campo aureo, id est flavo et prout uidetur anno 4278. Christi vero 318. 

Në dorëshkrim edhe në dy raste të tjera emrat e Andreas Angelvs, f. 16r dhe teksti: Constantine in hoc vince, janë shkruar me grafema kapitale të praruara me flori.

Dorëshkrimi fillon: f. 1r: “ANDREAS ANGELUS Dei gratia Iureque successionis Sanguinis…” dhe përfundon: f. 19r: “Igitur quos Deus concessit, seu donauit homo non reuocet et sic quos Deus coniunxit homo non separet et ideo nemo in terra potest dinspensarem seu disponerem contra Ius Diuinum. Matheus. Cap. XIX.”

Literatura:

  1. Ahmeti, Musa & Etleva Lala, Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës katedrale të Drishtit”. (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis). Tiranë: Ombra GVG, 2009.
  2. Ahmeti, Musa, E drejta urbane në Statutet Shqiptare. /Nga dorëshkrimet e Milan Shuflajt/. Ekskluzive. Tiranë-Prishitnë. Dhjetor 2002-janar 2003, nr. 32-33, f. 94.
  3. Ahmeti, Musa, Shqipëria një kushtetutë që në Mesjetë. /Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë/. Shekulli. Tiranë, 28 shkurt 2005, viti IX, nr. 56 (2508), f. 21.
  4. Anamali, Skënder, Kasem Biçoku, Ferit Duka, Selim islami, Muzafer Korkuti, Stavri Naçi, Frano Prendi, Selami Pulaha, Pelumb Xhufi, Historia e popullit shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Hisotrisë. Tiranë: Botimet Toena, 2002.
  5. Barbarich, Eugenio, Albania. (Monografia antropogeografica). Roma: Enrico Voghera, Editore, 1905.
  6. Buda, Aleks, Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Petraq Pepo, Burime te zgjedhura për historinë e Shqipërisë. Vëllimi II. Shek. VIII-XV. Universiteti Shtetëror i Tiranës. Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. Tiranë: Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, 1962, vëll. II.
  7. Çabej, Eqrem, Studime gjuhësore VI. (Gjon Buzuku dhe gjuha e tij). Botim i dytë. /Gjon Buzuku. 1. Rrehtanat historike/. Prishtinë 1988, vëll. VI, f. 18; i njëjti: “Buletin për Shkencat Shoqërore.” Tiranë, nr. 1, 1955, f. 9-23.
  8. Farlato, Daniele & Jacobo Coleti, Illyrici Sacri. Tomus septimus. Ecclesia Diocletiana, Antibarenis, Dyrrhachiensis, et Sirmiensis, cum earum sufraganeis. Auctore, Daniele Farlato, presbytero Societatis Jesu, et Jakobo Coleti olim ejusdem Societatis alumno. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti (Superiorum permissu, ac privilegio), 1817, v. VII.
  9. Fedalto, Giorgio, Perché le crociate. Saggio interpretativo, Bologna: Pàtron, Quarto Inferiore, 1980.
  10. Hahn, Johann Georg von, Albanesische Studien. Jena: Verlag von Friedrich Mauke, 1854.
  11. Hahn, Johannes Georg von, Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar, im Auftrage der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften, Philosophisch-historische Classe, 15 kötet. Denkschriften der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften in Wien. Wien: Aus der K.-K. Hof- und Staatsdruckerei, 1867.
  12. Hopf, Charles, Chroniques Grèco-Romanes inèdites ou peu connus publicèes avec notes et tables gènèalpgiques. Berlin: Librairie de Weidmann, 1873. [f. 270-340; XVIII. Breve Memoria de li discendenti de nostra casa Musachi] dhe ribotimi anastatik: Hopf, Charles, Chroniques gréco-romanes: inédités ou peu connues: publiées avec notes et tables généalogiques. Salt Lake City, Utah: Genealogical Society of Utah, 1987.
  13. Jørgensen, Ellen, Catalogus Codicum Latinorum Medii Aeivi Biblioethecae Regiae Hafniensis. Hafniae: Prostat in Aedibus Gyldendalianis, 1926. 
  14. Karaiskaj, Gjerak, Qyteti shqiptar i Sardës. Origjina dhe zhvillimi i qytetit mesjetar në Shqipërinë e Veriut. /Die Albanische Statdt Sarda. Entstehung der mittelalterlichen Stadt in Nordalbanien/. Në Mounmentet. Tiranë, 1987, nr. 1 (33).
  15. Lala, Etleva, Skënderbeu dhe Vatikani. (Skanderbeg and the Vatican). Shqip. Tiranë, 21 janar 2007, viti II, nr. 17 (308), f. 28-29.
  16. Ljubić, Siemon, Commisiones et Reltaiones Venetae. /Monumenta Spectantia Historiam Slavorum Meridionalium/. Zagrabiae: Edidit Academia Scientiarum et Artium Slavorum Meridionalium, 1878, vëll. 2.
  17. Madden, Thomas F., A Concise History of the Crusades (Critical Issues History). New York: Rowman & Littlefield Publishers, 1999.
  18. Madden, Thomas F., The Crusades: The Essential Readings (Blackwell Essential Readings in History). Oxford-Malden: Blackwell Publishers, 2002.
  19. Michaud, Joseph François, Histoire des croisades, par Michaud de l’Académie française. Nouvelle édition faite d’après les derniers travaux et les dernières intentions de l’auter et augmentée d’un appendice par M. Huillard Bréholles. Tome Premier. Paris: Furne, Jouvet et.ig éditeurs et Delagrave et cig éditeurs, 1867, vëll. I.
  20. Mužić, Ivan, Hrvatska Kronika 547-1089 /Biblioteka Hrvatska kulturna i povijesna baština. V. izdanje/ Split: Marijan Tisak, 2002. 
  21. Orbini, Mauro, Il Regno de gli Slavi Hoggi Corrottamente detti schiavoni. Historia di don Mavro Orbini Ravseo abbate Melitense nella quale si vede l’origine quasi di tutti i Popoli, che furono della Lingua Slava, con molte, et varie guerre, che fecero in Europa, Asia, et Africa; il progresso dell’Imperio loro, l’antico culto, et il tempo della loro conuersione al Christianesimo. E in particolare veggonsi i successi dei Re, che anticamente dominarono in Dalmatia, Croatia, Bosna, Servia, Rassa, et Bvlgaria. Pesaro; Apresso Girolamo, 1601.
  22. Plasari, Aurel, Skënderbeu një histori politike. Tiranë: Instituti Shqiptar i Studimeve “Gjergj Fishta”, 2010.
  23. Pulaha, Selami, Mbi gjallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek. XVI-XVII. (La reprize des liens gentilices et la formation des Fis en Albanie du Nord fans les XVI-XVIIe siecles), në Studime Historike, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, 1975, viti XXIX (XII), nr. 2.
  24. Qiriazi, Dhori, Memorje. Përktheu: Dhori Qiriazi. Tiranë: Botimet Toena, 1996.
  25. Quien, Michaelis le, Oriens Christianus, inquator patriarchatus digestus; quod exhibentur Ecclesiae, Patriarchae, caeterique praesules totius orientis. Studio et opera R. P. F. Michaelis le Quien, Morino-Boloniensis, Ordinis Fratrum Praedicatorum. Opus Posthumum. Tres magnas complectens Diaeceses Ponti, Asiae, et Thraciae, Patriarchatui Constantinopolitano subjectas. Pariis: Ex Typogfraphia Regia, 1740, vëll. I-III.
  26. Radonić, Johannes, Acta et diplomata Ragusina. Fontes rerum Slavorum Meridionalium. /Edita cura, collegit et nunc primum in lucem protulit, Johannis Radonić. Series Prima. Tomus I, fasciculus 1/. Dubrovačka akta i povelje. Izvori za istoriju južnih slavena. Uređuje, sabrao i objavio, Jovan Radonić. Serija prva, knjiga I, sveska 1. Srpska Kraljevska Akademija. Zbornik za Istoriju, jezik i književnost srpskog naroda. Treće odeljenje, knjiga II. Beograd: Štamparija «Mala Srbija». 1934, lib. I, bleni 1.
  27. Reis, Piri, Kitab-i Bahriye. /Ministry of Culturs and Tourism of the Turkish Republic, Ankara/ Ankara: The Historical Research Foundation, İstambul Research Center, 1988, vëll. II.
  28. Richard, Jean, La grande storia delle crociate: storia dell’avventura che per oltre due secoli mise in contatto il mondo occidentale e quello orientale, trad. di M. P. Vigoriti, (I volti della storia; 40). Roma: Newton & Compton, 1999.
  29. Škrivanić, Gavro A., Oblast srednjovekovnog Pilota u XIV st. (The province of medieval Pilot). Në: Istoriski Časopis. Organ Istoriskog Instituta SANU. (Revue Historique. Organe de l’Institut des Sciens Historiques. Académie Serbe des Sciences, Livre VII, 1957). Beograd: Srpska Akademija Nauka, 1957, libri VII, f. 323-332.
  30. Sufflay, Emilianus de, Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme. Në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojničić pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70; shih edhe: Ludwig Thallóczy, Illyrische-Albanische forschungen unter mitwirkung von professor dr. Konstantin Jireček, professor dr. Milan von Šufflay, sektionschef Theodor Ippen, proffesor E. C. Sedlmayar, archivar dr. Josef Ivanič, Weiland Emmerich von Karácson, K. Ung. Sektionsrat Béla Péch und Karl Thopia. München und Leipzig: Verlag von Duncker-Humbolt, 1916, vëll. I, f. 188-281.
  31. Sufflay, Emilianus de, et Victor Novak, Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis. “Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju.” Istoriska Serija. Beograd: Izdanje Seminara za Arbanasku Filologju Universiteta u Beogradu, 1927, lib. II, fasc. 1.
  32. Sufflay, Emilianus de, Politische Schicksale des Themas Dyrrachhion. Në: Vjesnik Kr. Hrvatsko-Slavonsko-Dalamtinskoga Zemaljskoga Arkiva. /Uredjuje dr. Ivan Bojničić pl. Kninski/. Zagreb: Tisak kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.
  33. Sufflay, Emilianus de, Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Kittelalters. Von dr. Milan v. Sufflay. Vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Wisenschaften in Wien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. band, 1. Abhandlung. Wien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Wissenschaften in Wien, 1924.
  34. Tacchella, Lorenzo, Le antiche sedi episcopali latine, greche e bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: s.n. 1990.
  35. Thallóczy, Ludovicus, – Constantinus Jireček – Emillianus de Sufflay, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913-1918, vëll. I-II. [Ribotuar në vitin 2002 nga DPA dhe Ekskluzive, Tiranë-Prishtinë, nën përkujdesjen e dr. Musa Ahmetit].
  36. Valentini, Josephi S.J., Acta Albania Veneta. Saeculorum XIV et XV, Josephi Valentini S.J. labore reperta et transcripta ac typis mandata. Patris 1ae saeculorum XIV complectens. Tomus III ab anno 1396 ad annum 1406. Monaci in Bavaria (München): Rodulpho Trofenikio editore]. /Impresum in Schola Graphica Salesiana Panormitana (Palermo). Lavoro eseguito con il contributo del Consiglio Nazionale Ricerche, 1968, vëll. III.
  37. Valentini, Josephi S.J., Contributi alla cronologia albanese. Le invasioni barbariche (395-700 D. Cr.). Tavole chronologiche. /Fonti per la storia d’Albania. Prolegomeni/. Roma: Real Academia d’Italia. Tip. G. Bardi, 1944, vëll. II, bleni I. 
  38. Xhufi, Pëllumb, Dilemat e Arbërit. Studime mbi Shqipërinë mesjetare. Tiranë: Pegi, 2006
  39. Xhufi, Pëllumb, Nga Paleologët te Muzakajt. Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV. Me një botim kritik të kronikës së Gjon Muzakës (1510). Tiranë: Shtëpia botues “55”, 2009.
  40. Svane, Gunar, Libra dhe dorëshkrime të vjetra shqipe në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë. Në: Studime Filologjike. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dje i Letërsisë, 1985, nr. 3, f. 133-138.
  41. Dabinović, Antun S., Kotor u drguom skadarskom ratu (1419-1423). Në: RAD Jugoslovenske Akademije Znanonsti i Umjetnosti. Knjiga 257 Razreda historičko-filologičkoga i filozifičko-juridičkoga, 115. Zagreb: Tisak Nadbiskupse Tiskare, 1937, v. 257 (115), f. 133 (1) – 271 (139).

Filed Under: Kronike

KUR FLAMURI TË BASHKON

December 23, 2021 by s p

Nga Ramazan Çeka

Mbresa nga Amerika me krajanë të nderuar dhe bashkëatdhetarë e aktivistë të shquar 

   Si asnjëherë tjetër ky udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte në fokus krajanët, emigrantë të rinj e të vjetër të ardhur nga Kraja, një krahinë që shtrihet në jugperëndim të liqenit të Shkodrës dhe që sot gjindet në territorin e Malit të zi.

   Për mua ishte një gëzim i dyfishtë, sepse përveç respektit për ta, kisha edhe një gëzim të papërshkruar, sikur të isha i ftuar në një dasëm familjare, pasi vendorigjina ime është nga Kraja, pra me shumë prej atyre miqve më lidhte edhe geni familjar. 

   Përtej peripecive të udhëtimit për shkak të kushteve të imponuara nga situata pandemike sërish do ta quaj udhëtimin më komod edhe pse udhëtoja për punë e me një përgjegjësi të dyfishtë, pasi me mua ishte edhe “Mjeshtri i Madh” Engjell Ndocaj me të cilin do realizonim një dokumentar televiziv me krajanët e për krajanët që punojnë e jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si dy të përhumbur në mendimet tona e fjalë pak, për gjatë gjithë atij udhëtimi, mendjen e kishim te puna me përgjegjësi që na priste në Amerikë. 

   Pas shumë orësh udhëtimi mbi oqean mbërritëm në destinacion, ku na priste Mirsad Kovaçi, kryetari i Shoqatës “Kraja” nga i cili kishim marrë edhe ftesat. Për t’u çlodhur pak nga udhëtimi u nisëm menjëherë drejt hotelit “Springhill Suites By Marriott”, i cili për hir të vërtetës për gjatë gjithë atij qëndrimi u bë edhe rezidenca jonë zyrtare, pasi të gjithë miqtë dhe bashkëpuntorët tanë vinin e na takonin aty. 

   Ishte pikërisht Mirsadi ai që ishte kujdesur jo vetëm për akomodimin, por edhe për gjithçka të nevojshme që lidhej me udhëtimin, punën dhe rehatinë tonë, madje për gjatë gjithë atyre ditëve Mirsadi u bë edhe shoqëruesi dhe ndihmësi ynë kryesor, duke na qëndruar gjatë gjithë kohës në dispozicion, që nga mbërritja, agjenda e punës, kujdesi i veçantë për mbarvajtjen e xhirimeve filmike, duke na lënë në dispozicion edhe kameramanin e talentuar Ardit Boli, por edhe nevojat tona, siç ishte edhe një vizitë mjekësore për mua tek Dr.Bahri Ceka, e cila u mundësua nga miku im z.Naser Nika dhe për të cilën i jam më shumë se mirnjohës. 

   Falë përkushtimit të Mirsadit arritëm të realizonim një sërë takimesh me doktorë, profesorë, menaxherë, avokatë, biznesmenë, aktivistë e këngëtarë të njohur në Amerikë, ku shumë prej të cilëve erdhën edhe nga vënde të largëta. 

   Falë tij na u lehtësua puna me xhirimet dhe intervistat e planifikuara në skenar nga ne dhe ajo që u bë kryefjalë e atyre ditëve dhe xhirimeve tona ishte mbrëmja festive e organizuar nga Shoqata “Ana e Malit” dhe Shoqata “Kraja” në nder të Festës së Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë me 28 nëntor 2021.     

   Gjithçka ishte veshur kuq e zi dhe frymonte shqip atë natë. Këngëtarë e valltarë të veshur me veshjet kombëtare, por edhe pjesëmarrës e të ftuar të të gjitha moshave  e pasuruan akoma më shumë atmosferen me patriotizëm e frymë kombëtare sa të dukej se një copëz Shqipëri ishte zhvendosur atje në Amerikë. 

   E gjithë atmosfera na bëri edhe më optimistë në realizimin e dokumentarit të pasur kulturor të nisur pak kohë më parë në Krajë e të përfunduar në Amerikë, në të cilin do paqyroheshin e arkivoheshin kujtime, mbresa, kontribute dhe dinjitet njerzor e që do ruhen në breza, çka më bëri edhe më krenar për krajanët e mi edhe për faktin se ky dokumentar më ishte besuar mua. 

   Si kurrë më parë jam ndjerë i vlerësuar dhe i nderuar për këtë mundësi, pasi arrita të depërtoj akoma më shumë në rrënjët e mia të lashta sa vetë vargmalet e Krajës e Rumija legjendare, të lavdishme si rrezet e arta të lindjes së diellit që përthyhen në Liqenin e Shkodrës dhe i falin shkëlqim atij vendi me të cilin për shekuj dhe breza me rradhë jemi ndjerë dhe do të ndjehemi krenar. 

   Ky dokumentar që lidhej me një punë madhore me shumë përgjegjësi, në pasqyrimin e ngjarjeve reale dhe personazheve dinjitozë iu besua atyre që kanë po kaq vlera, për çka iu shpreh me mirënjohje të sinqertë edhe në emër të shoqatës “Kraja” Kryetari i saj z. Mirsad Kovaçi, regjizorit z. Engjell Ndocaj, “Mjeshtër i Madh” si dhe operatorit të përkryer z. Ben Tafili për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre për gjatë gjithë këtyre muajve. 

   Transmetimi i këtij dokumentari në RTSH do jetë padyshim një pasuri e vyer në pasqyrimin e vlerave mbarë kombëtare me të cilat të gjithë krenohemi se jemi shqiptar. 

   Dhjetor 2021

Filed Under: Komunitet

KKAD PËRSHËNDET MARRËVESHJEN  SHQIPËRI –  KOSOVË PËR ABETAREN E BËRBASHKËT

December 23, 2021 by s p

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë-KKAD, miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së dy Ministreve; të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Republikës së Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, për Abetaren e përbashkët nga dy shtetet tona shqiptare i sheh si një akt të lartë kombëtar. Por edhe shpresëdhënëse për pjesën tjetër, jashtë trojeve shqiptare, të cilët po përballën me vështirësi në mësimin e  gjuhës amtare.

   Këtë miratim KKAD-ë e përshëndet dhe ndihet e sigurt se e ardhmja e përbashkët e librit shkollor, në të gjitha trojet shqiptare, ku flitet shqipja, si dhe unifikimi i diasporës-mërgatës shqiptare, jo vetëm që është një rrugëtim i  realizimit të vullnetit të rilindësve, po mbi të gjitha është një porosi e të gjithë shqiptarëve: “Një gjuhë, një komb!

  Përpos Abetares, muaj më parë u prezantua Teksti Mësimor për Diasporën nga Komisioni i përbashkët Shqipëri- Kosovë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I. Për këtë KKAD-ë jo vetëm që e përshëndet këtë nismë, por mbi të gjitha e përkrah dhe kërkon unifikimin  e shkollave shqipe në diasporën- mërgatën shqiptare. Gjë që dy shtetet tona shqiptare këtë ide bashkimi ta kultivojnë edhe në diasporë, nga fakti se brezi i dytë i fëmijëve mërgimtarë kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën amtare, e nëse e anashkalojmë këtë ndjeshmëri, në të ardhmen ka drojë se atdheut do t’i humbasin këta fëmijë!

  Për të mos ardhur deri te kjo humbje e fëmijëve tanë mërgimtarë, KKAD-ë i dërgon qeverive të atdheut një përshëndetje për detyrën e saj fisnike, për një komb, një gjuhë dhe për një abetare unike, e cila dhe ka qenë e domosdoshme kaherë për t’u miratuar. Krahas kësaj së bashku të mendojmë edhe për fëmijët jashtë atdheut, për ruajtjen e gjuhës amtare!

  Shpresoj se znj. Kushi dhe znj. Nagavci së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës ta dëgjojnë zërin e mërgatës dhe kërkesat e tyre për të realizuar qëllimin, vizionin dhe misionin e KKAD-ës, për unifikimin e diasporës shqiptare, për shkollën shqipe.

Urime dhe suksese në rrugëtimin tuaj që fëmijët shqiptarë ta kenë sa më shpejt në duar abetaren e përbashkët! 

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)

Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar

Mustafë Krasniqi-nënkryetar

Filed Under: Emigracion

“TARALLOQJA E BALLKANIT”

December 23, 2021 by s p


Adil Fetahu

Duke lexuar satirat e At Gjergj Fishtës

Para dy muajve, djali im (Arbeni) ma bëri një dhuratë të vlefshme: më pruni nga Shkodra kompletin veprave të At Gjergj Fishtës, një kolanë prej 7 tome librash: Epika, Lirika, Dramatika, Publicistika, Satira, Letërshkëmbimi dhe Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës. Është ky kompleti të cilin  e ka botuar Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër (2020).

Me qenë se epin “Lahuta e Malcisë”dhe satirat “Gomari i Babatasit” dhe “Anzat e Parnasit” i kam lexuar ma heret (kur isha nxënës i Normales së Prishtinës dhe kur ishte ma rrezik me ta gjetë policia “Lahutën e Malcisë” se një armë zjarri), tash për ngadalë e pa frikë lexova: Publicistikën, Letëshkëmbimin, Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, dhe për fund – ambësirën: dy satirat të cilat nuk i kisha lexuar më përpara: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit”. 

Kam dëgjuar shumëkend që thotë se veprat e Fishtës janë të vështira për t’i lexua dhe më të vështira për t’i kuptua, sepse janë të shkruara me një gegënishte të vjetër e të rëndë.  Por unë, si gegë me rrënjë e me degë,   nuk kam pasur vështirësi as për t’i lexuar, as për t’i kuptuar veprat e Fishtes, të Koliqit e të Camajt. Shumë fjalë nga e folmja e vjetër e Fishtes, të cilat i përdorë në këtë satirë,  deri vonë fliteshin edhe në Malësinë e Gallapit dhe besoj më gjërë në Kosovë (havale; hasha; teste; tarçuk; zari; setra; hallba, etj.).  Natyrisht, ka pasur aty-këtu fjalë që s’i kam kuptuar, por nga konteksti i fjalisë kam nxjerrë kuptimin e drejtë të tyre.

Satira “Taralloqja e Ballkanit”

Duke besuar se pak lexues kanë pasur rastin ta lexojnë satirën “Taralloqja e Ballkanit”,  hulumtova në internet por nuk gjeta se dikush ka bërë e botuar ndonjë  vështrim për këtë, prandaj për lexuesit e shumtë vendosa t’ua prezantoj në vija kryesore satirën e përmendur.

Së pari duhet sqaruar emërtimin, sepse “taralloqja” është një fjalë e rrallë, që nuk gjendet në fjalorët e rendomtë. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Prishtinë,1982), fjala “Tartalisë” jepet me kuptimin – “përpëlitem”. Në Fjalorin e fjalëve dhe shprehjeve popullore (Instituti Albanlogjik, Prishtinë 1982), fjala “tarilaq” jepet me kuptimin “I lazdruar”.  Se sa prej këtyre mund t’i përgigjen emërtimit të satirës”Taralloqja …”, nuk mund të jem i sigurt. Autori i
“Hyrjes” (të gjatë 55 faqe) që iu bënë katër satirave të Fishtës, prof. dr.Lisandri Kola, nga Miçigeni, fjalën “taralloqje” e shpjegon si këngë qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave.  As ky shpjegim nuk ma mbushë mendjen se në rastin konkret “Taralloqja e Ballkanit” ka këtë kuptim, duke pasur parasysh qëllimin shpotitës, me konotacion politik, që Fishta iu bënë mbretërve të Ballkanit të asaj kohe. Por, t’i kthemi përmbajtjes së satirës.

Edhe në satirën “Nikolejda”, edhe në këtë ‘Taralloqja e Ballkanit”, Fishta përqeshë deri në burleskë knjaz Nikollën e Malit të Zi, i cili ka rënë në borxhe për shkak të shpenzimeve të mëdha që ka bërë për pajën e vajzës së tij, Jellena, e cila ishte  martua me djalin e mbretit të Italisë. 

“Jellena, bija e shkinës,

 le e rritë n’koliba t’Cetinës”. 

Prandaj, këto dy satira: “Nikolejda” (që i referohet kryesisht   knjaz Nikollës), dhe “Taralloqja e Ballkanit”, në të cilën përveç knjaz Nikollës, marrin pjesë   edhe mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq (Tuka), ai i Bullgarisë Ferdinandi I, dhe i Athinës, Georgios I (Gjeka). Loja (satira) zhvillohet në këtë mënyrë: me qenë se knjaz Nikolla nuk i kishte kthyer dhe i mohonte borxhet  e marruna, ishte organizuar një kuvend i mbretërve të Ballkanit për të vendosur për rastin. Në atë kuvend, përballë katër mbretërve të monarkive të Ballkanit merrnin pjesë edhe katër shqiptarë: Prenkë Bibdoda, Esat Toptani, Haxhi Zeka dhe Frashër Beu (Naimi).  Këta

Kjenë mbledhë me da ‘i pleqni

Për do borxhe t’Malit t’Zi

Qi i ki’n mbetë Nikollës havale,

Qyshë se dha çikën n’Itale.

…

Kur erdh fundi e na shkoi vasha,

Xen Nikolla me qitë lasha,

Edhe borxhit na i bjen hasha.

Pasi kryhet Kuvendi dhe merren vesh për larjen e borxheve me çdogjë, sipas Kanunit, duke lënë edhe peng,  fillojnë “lojën e kapuçave”. 

Struktura e lojës së kapuçave

Në lojën e kapuçave, pjesëmarrësit e lojës, madje edhe të pranishmit e tjerë ndahën në dy grupe, sipas dëshirës së tyre.   Loja luhet ashtu që secili grup, sipas radhës, fshehë nën kapuç një send metalik (unazë ose monedhë). Pala (grupi) tjetër e kërkon sendin e fshehur. Para se të ngritë kapuçin, për ta zbuluar sendin e fshehur, duhet të deklarohet ose  për “teste”, ose për “bosh”. Teste do të thotë se pretendon që nën atë kapuç është sendi i fshehur. Nëse kërkuesi (i unazës) ka thënë: “teste”, por  nën atë kapuç nuk ka qenë unaza, kështu e ka humbur turin e parë të lojës. Pas ngritjës “teste” të kapuçit, nën të cilin nuk ishte unaza, vazhdon fshehja tjetër nga pala e njëjtë.  Nën formulën “bosh” mund të ngritën me radhë kapuçat,  për të ngushtur rrethin për kapuçin ‘teste”. Por, nëse nën kapuçin “bosh’ del se ishte unaza, edhe në këtë rast humbet turi i lojës. Loja vazhdon deri sa unaza  të gjendet sipas rregullave të lojës. Pastaj e merr pala tjetër rolin për të fshehur unazën. Këndej nga Gallapi, kjo lojë luhet me filxhana të kafesë. Filxhanat radhitën rreth e rreth brenda një tepsie, dhe një filxhan vehet në mes të tepsisë. Personi që fshehë, largohet  në një skaj të odës, ua kthen shpinën lojtarëve. Ai që kërkon unazën, nëse ka thënë teste, e ngritë filxhanin me një lëvizje të shpejtë, ashtu që nëse unaza është  nën te, kërcen e sillet nëpër tepsi (ndodhë që del  edhe jashtë tepsie).  Filxhanat bosh ngriten më ngadalë. Paraprakisht caktohet se pas sa lojëve të humbura/fituara do të këndojnë  këngët humoristike, satirike, plot  me shaka dhe epitete, deri në  në burleskë. Gjatë këndimit bëjnë edhe gjeste të ndryshme me karakter humori. Loja merr tipare të një shfaqje teatrale.  Fituesit e lojës ngritën në këmbë, vejnë duartë mbi supet e shoqi-shoit dhe me lëvizje si në valle iu këndojnë palës humbëse kolektivisht dhe individualisht. Humbësit zakonisht rrijnë me shikim poshtë (përtoke), por shpeshherë edhe i shikojnë “valltarët” dhe qeshin me humorin e tyre.  

Me këso strukture të lojës,  e me vargje siç dinte t’i thurte, Fishta i përqeshë mbretërit e Ballkanit të asaj kohe:

…

Mbasi kryen njatë pleqni…

E si ngrenne do zogj pulash,

Ranë për rrash me luejtun ksulash.

…

Katër vetë, katër Shqyptarë,

Prenkë Bibdoden vunë të parë,

M’tjetrën anë ndej Gjeka e Tuku,

Knjaz Nikolla, mullë-terçuku,

Edhe krajli i Bullgarisë…

Knjaz Nikolla mshehi i pari,

Por s’i heci kësajë here zari; 

Pse Toptani ‘i sy-skyfter,

Ia muar teste t’parën herë.

Loja vazhdon, fshehin e kërkojnë me radhë, por fiton pala shqiptare edhe në të fshehur edhe në të gjetur të unazës, dhe kur arrijnë pikët e caktuara, fituesit ngritën në këmbë e ia fillojnë këngës, duke vallëzuar. Herë iu këndojnë tërë grupit humbës, herë veç e veç individëve nga ai grup.

M’kambë Shqyptarë, at’herë, u çuenë

Edhe kangës kështu i a filluenë:

…More Krajla, more Knjaza,

Me Shqyptarë s’luhet unaza.

Pastaj iu këndojnë individualisht secilit nga humbësit, sipas afiniteteve të tyre, duke filluar nga Knjaz Nikolla:

…Knjaz Nikolla me terçuk

Del nder Krajla me lypë buk. 

M’a ke deren derë me trinë,

Shtatqind dreqen t’dal’n e t’hinë.

…Ty t’a prehtë Zotynë nafaken,

Se të fortë po e kish’ rradaken.

Shqiptarët vazhdojnë t’i këndojnë Tukut të Serbisë :

Xhamadanin vija-vija,

T’zezat t’i din shtëpija,

Ke mbytë m’spatë gjinden e shpisë,

Për me u ba Krajl i Serbisë.

… Po të pava në Kosovë,

Do t’a baj ty kryet kotrovë.

Ma ke kryet sa ‘i palare,

T’marroftë Zoti gjithë si je!

Mbretit të Bullgarisë, që kishte paretendime mbi tokat shqiptare, ndër të tjera ia këndojnë këto vargje:

More djalë, kah t’ka hup dhija?

Hajt e lype kah Greqija,

E jo këndej kah Shqyptarija.

Në këngën drejtuar mbretit të Greqisë (Gjekës) ia përmendin humbjet në luftën kundër turqëve, por edhe ia tërheqin vërejtjen kundër pushtimit të Janinës:

M’a ke ksulen pipiruqe,

Edem Pasha t’a la duqe.

…Si s’i meni Gjeka fjalët,

Me një kpurdhë ia thej tëmallët, 

N’atë Janinë ai kurr në m’daltë.

Rruga e largët-o bri kalas,

I a marsh t’zezat fukaras!

Mandej grupi fitues nisë ta vajtojë Knjaz Nikollën për gjendjen në të cilën ka rënë, dhe ia përmendin vajzat e martuara për princa e mbretër:

Pse,mos t’kenkshin njato goca

Qi me i xanë për gra do voca,

Njato goca të ngrim n’ari,

Pat me t’mbetë nën bark samari.

Kështu herë e nisë këngën Bibdoda, herë Toptani, i thërasin me emra (nofka) krajlat e Ballkanit, tjetri pyet: “po kush është ai more”?, tjetri përgjigjet me shpoti:”nuk e di si e quajnë emrin, more”!. Pastaj pala fituese, të gjithë së bashku, si në kor fillojnë këngën “Na ka cofë gomari mbrëmë”, dhe neni pyet:  se çka t’iu bëjnë lëkurës, bishtit, këmbës,  syrit, veshëve të gomarit të cofur, ndërsa tjetri përgjigjet:

(Lëkurën):Knjaz Nikollës për dallamë,

(Bishtin):Krajl Petrit për breshanë,

(Këmbën): Gjekë Orumit për tagan,

(Syrin):  Ferdinandit për nishan.

Pasi konsiderojnë se i kënduan mjaft, Toptani pyet: “A thua t’i falim”?, ndërsa Bibdoda thotë se s’do t’i falin, por më në fund pajtohen të gjithë t’i falin, dhe duke  ua tërheqë vërejtjen,  ua këndojnë fjalët e fundit:

Edhe sande kjoshi falë,

Prej mjesnate marrshi mal’in,

Marr turbin e kundroj detin:

Tgjith si jeni, hangshi vetin!

Sikur edhe në satirat e tjera:  Gomari i Babatasit, Anëzat e Parnasit e kudo tjetër, Fishta godit e nuk kursen askend, prej zyrtarëve të rangut më të ulët e deri te mbreti në vendin e tij, kështu vepron edhe ndaj mbretërve të monarkive të Ballkanit. Ai gjen mënyrën dhe mjetet për t’i përqeshur e tallur në pikat më goditëse, duke e lidhur satirën me ngjarjet nga realieti, si bie fjala, “Tukut” të Serbisë për vrasjen e Aleksandër Obranoviqit me të shoqen. Po të njëjtit  i sinjalizon edhe në lidhje me Kosovën: “Po të pava në Kosovë/, do ta bëj kryet kotrovë”. Edhe mbretit të Geqisë i sinjalizon lidhur me Janinën, ku nënkupton edhe Çamërinë.

Te Fishta gjithmonë ka çka të lexohet e rilexohet dhe analizohet, e që mbetet aktual githmonë. Dy satirat e përmendura këtu: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit” nuk janë analizuar nga kritika letrare-artistike të veprave të tij. Unë, pa pretendim për ndonjë kritikë letrare, kënaqëesinë e leximit të poemthit”Taralloqja e Ballkanit” desha ta ndajë edhe me lexues të tjerë. 

Për shkaqe teknike, nuk kam mundur t’i vejë thekset mbi zanoret të cilat i kanë në tekstin origjinal, e që u japin kuptimin fjalëve; psh. te  fjala “palare”, që ka kuptimin e një ene të cektë, mbi zanoren e fundit është theksi (aksenti) i gjatë.

Aspekti politik dhe satirik i Fishtës drejtuar liderëve të Ballkanit atëherë, është aktual edhe sot, me  ambicjet, takimet dhe marrëveshjet e “knjazëve” e “mbretërve”:  Vuçiq–Rama-Zaev, me “taralloqjen” e “Ballkanit të hapur”!

Adil FETAHU

Filed Under: Politike

GJARPNIA E THAQIT

December 23, 2021 by s p


Elidon Lekë Nika

New York

GJARPNIN, S’E NGUCE – NUK TË NGUC!
Gjarprin, po nuk e ngacmove – nuk të ngacmon.
Gjarpni, pavarsisht se është një krijesë e frikshme dhe se sjell ndjenjë frike tek njerëzit në përgjithësi, tek ne shqiptarët, kurrë përgjatë gjithë historisë, nuk është cilësuar si një gjallesë negative, dredharake apo e pabesë.

Çdo shtëpi në malësi ka gjarpnin e vet. Gjarpni është roja e shtëpisë, e trollit. Gjarpni i shtëpisë nuk ngucet (ngacmohet).
Ai lihet i qetë dhe mund te gjendet edhe nën jastekë, çarçafë, e edhe në djepin e fëmijëve.
Prindërit dhe gjyshërit tanë tregojnë se madje gjarpnit të shtëpisë, tek hyrja e tij tek ndonje vrimë muri, i lihet edhe qumësht, që gjarpni të pijë e ushqehet me të.
Nuk është dëgjuar ndonjëherë që gjarpni i shtëpisë të ketë sulmuar dikë të shtëpisë pa arsye, nëse dikush nuk është munduar ta vrasë më parë atë.

Ilirët besonin në forcën e magjive dhe syrit të keq, në fuqinë magjike të amuleteve mbrojtëse dhe të dobishme që mund të shmangnin syrin e keq ose qëllimet e këqija të armiqve.

Asnjë kafshë në simbolikën e besimit dhe kultit tek ilirët (shqiptaret e sotëm) nuk ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtëzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët por dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cili me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vetë njeriun, ka nxitur respekt nga frika. – Insider: “Çfarë simbolizonte gjarpri tek ilirët.”

Ndër librat e historisë, revistat historiko-kulturore, etj., kur përmendet fisi i lashtë e i madh i Thaqit, vëmë re të përmendet edhe kjo frazë e shkurtër, interesante dhe intriguese njikohësisht.

Psh. Kemi: Gjarpnia e Thaqit; Inati i Berishës; Syni i Krasniqes, etj.

Përderisa deri më sot, nuk i ka dhënë dikush shpjegim kësaj fraze, do mundohem të sjell disa shpjegime, nga njohuritë e mia që kam rreth historisë, mitologjisë, etj.

Nëse dikush mendon se “Gjarpnia” mund të njehsohet me “Dredhine” apo aq me teper “Pabesine”, është tej mase gabim, pasi në rrjedhën e këtyre epiteteve që fiset kanë marrë që nga lashtësia, dredhia dhe pabesia u janë “veshur” disa fiseve a vllaznive të tjera dhe jo fisit të Thaqit, por kjo nuk është tema, thjesht si sqarim paraprak!


Po pse kjo frazë?! Sa vjetërsi ka lidhja e kësaj fraze me Thaqin?

Si lidhet fisi i Thaqit me Gjarpnin? Cili është Kulti i Gjarpnit tek ne, Thrako-Ilirët (shqiptarët e sotshëm)?

Më shumë sesa një thënje e thjeshtë e marrë nëpër gojë e komentuar pa shpjegim apo me shaka, pa i kushtuar kurrë vëmendje apo analizuar askush, më duket si një status. Status që vjen nga vjetërsitë e kohërave.

Pse pikërisht fisi i Thaqit lidhet me Gjarpnin, e pse fisi i vetëm që lidhet me një kafshë, krahas gjithë fiseve të tjera. (?!)

Më ngjan me një status, pasi vetë gjarpni ka një status… apo më shumë se një status.

Statusi kryesor është: Ruajtës i Trollit.
Gjarpnia, ruajtësia, autoktonia, vjetërsia e Thaqit.


THRAKO-ILIRËT = SHQIPTARËT.

Që shqiptarët e sotshëm, janë mbetëza të thrakëve dhe ilirëve, kjo nuk konsumon shumë debat për ato që dinë histori dhe merren me histori.

Ata që e pohojnë këtë lidhje e trashëgimi, janë autorë të shumtë, shqiptarë e të huaj.

“Të drejtat mâ të hershme u përkasin, pa dyshim, shqiptarëvet, tue qenë se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtshëm të Trakëve e t’Ilirëvet. – Kur ilirët erdhen prej veriu, ata, në Shqipninë e sotme gjeten fise e popullsi trake.”1

“…Bashkëzânimi pra i auktorëve të çdo kombi përkah xânâfillja ilire a trako-ilire e shqiptarëve âsht i plotë, e s’mund të ndryshej. Pse? Në njen’ anë shqiptarët na dalin para si nji popull në vehte, me shenja fisnike të veçanta, me gjuhë të veten, me dokë, me tradita të ndryshme nga fëqinjt e në luftë gjithmonë me ta. N’anë tjetër, historija qi na kallxon ardhjen e kalimin e sa e sa popujve ndër këto skajé të Ballkanit, nuk na thotë gjâ për ardhjen e popullit shqiptar. Pranija e tij pra s’ka spjegim tjetër veçse tue thânë se ky komb ishte ndër këto vende qysh herët, qysh para se historija të fillojë me regjistrue dyndjet barbare, dmth. qysh në kohën e romano-ilire. E mbasi historjakët e popullsitë e atëhershme të këtyne vendeve i qujshin ilirë kah perendimi e trakë kah lindja, nuk mbetet veçse të thomi se shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Trakëve. Gjuha shqipe paraqet me aq përkime me ilirishten e trakishten, sidomos ndër vokalizma e ndër mbrapashtesa, sa me i a mbushë menden edhe dijetarëve si Mayer, Pederson, Holger, Kretschmer, Jokl, Ribezzo, Tagliavini, etj., se shqipja âsht vjanimi i trako-ilirishtes.2


Lidhja mes thrakëve dhe ilirëve e për më tepër që shqiptarët janë pasardhës të tyre, provohet sidomos nga ana gjuhësore, por, edhe me analizat gjenetike të bëra vitet e fundit ndër shqiptarë.
Ajo çka kontribuon edhe më shumë në këto lidhje e trashëgimi kulturore, janë edhe dokët, zakonet, kultet, etj.

Kulti i Gjarpnit gjendet tek të dy popujt e lashtë: Thrakë dhe Ilirë.
Kështu e gjejmë edhe tek shqiptarët e sotshëm nga Kosova e deri në Çamëri, nga brigjet e Adriatikut e deri ne thellësitë e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Ky kult, haset përpos librave të shumtë historik, gjithashtu edhe në veshje, në artin e ndërtimit të kullave (në pragjet e kullave, rreth dyerve, portikeve), në zbukurimet e nuseve si psh. varëse me krye gjarpni që zakonisht mbahet mes gjinjve, në gatime (kulinari), etj.

Historiani, bibliografi, arkeologu, albanologu, ilirologu i madh, Aleksandër Stipçeviq, i cili vinte nga nji familje arbëreshe, i lindur në Arbnesh (Arbanas) afër Zarës (Zadar) në Kroaci, i cili ishte specializuar në studimet ndaj Ilirëve, na sjell disa pohime tepër interesante dhe me vlerë rreth kulturës së ilirëve dhe Kultit të Gjarpnit tek ata.
Krahas Stipceviq, janë edhe shumë autorë të tjerë, te cilet do i citoj, që sjellin pohime mjaft interesante rreth këtij kulti.

“Kulti i gjarprit ishte i përhapur gjërë te ilirët”3

“Imazhi i gjarpnit ishte simbol i potencës,  fertilitetit, riprodhimit, zgjuarsisë, vdekjes dhe ringjalljes”4 si dhe “mbrojtës i vatrës shtëpiake”.5

“Kjo kafshë mistike ishte e lidhur me kultin e të parëve dhe me kompleksin magjiko-fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas”.6

“Kulti ilir i gjarpnit është i dokumentuar në burimet antike. Një shembull është legjenda mitologjike e Kadmit dhe gruas së tij Harmonisë, të cilët, pasi erdhën te ilirët dhe vdiqën në atdheun e tyre, vazhduan të jetonin pas vdekjes së tyre në formën e gjarpërinjve. Djali i tyre Iliri, heroi me të njëjtin emër i prejardhjes ilire, kishte gjithashtu formën e gjarprit (u mbeshtoll nga gjarpnijte kur lindi) dhe si i tillë gjarpri mund të konsiderohet si totemi suprem i ilirëve.”7, 8

Janë disa autorë që gjarpnin e sjellin si kafshën supreme dhe parësore të ilirëve.
Nuk sjellin lopën, kalin apo qenin… madje as shqiponjën, pavarsisht se sot është simboli ynë kombëtar.

Këtu po dëftoj edhe një legjendë nga folklori kroat, popull me shumicë origjinë ilire e cila thotë se, në kohën e kolonizimit grek, grekët ishin të kërcënuar nga ilirët. Grekët thirrën për ndihmë flotën romake. Mbretëresha Teutë u arratis dhe u fsheh në Lastovë – një nga bastionet më të rëndësishme ilire. Hyjnia kryesore e Teutës ishte pikërisht Gjarpni-Kulti i Gjarprit dhe thuhet se udhëtonte me to. Ndërsa Mbretëresha Teutë ndodhej në ishull ajo kishte të gjithë fuqinë e tyre (gjarpnijve), dhe dihet mirë se gjarpërinjtë përfaqësojnë pjellorinë dhe mbrojtjen, ata ia kaluan mbrojtjen pikërisht ishullit Lastovë. Gjarpërinjtë ishin aq mirënjohës ndaj ishullit që u bë streha e tyre, saqë thuhet se nuk janë më helmues.

Gjithashtu nga folklori, thuhet se Mbretëresha Teutë ishte më e zgjuar sesa gjarpni, më trimëreshë sesa një luaneshë dhe më e bukur se zana.

Pra, kudo flitet për paraardhësit e shqiptarëve, thrako-ilirët, Kultin e Gjarpnit e gjejmë mes tyre.

Fisi shqiptar i Thaqit si pasardhës i mirëfilltë  rracës thrako-ilire e njëkohësisht edhe pasues i traditave, zakoneve dhe besimeve të lashta thrako-ilire.
Lidhjet dhe paralelizmat të cilat do shihen më poshtë:

“Fisi i Thaqit në Iballe, ruen nji gojëdhânë qi tregon se janë të bijtë e GJÍBALES.

Janë pasardhës të Murr Detit, sipas brezave e gjithashtu gojëdhânave, por tëtân janë të bijtë e Gjíbales. Populli që adhuronte këtë Hyjneshë? …E tue e lidhë me hyjnin pagane: Kybéle nderue në Frygi (nga Frigjët) … me kaq fisi i Thaqit më lidhet me makedon.”

“Kabashët lidhen me thrakë njashtû sikursé edhe Berishë.”

“Êmëni THAQ âsht në veri i vetëmi êmën fisi e i kurrnji katundit 

a lagjes, a nierit.”9

**Këtu, Cybele/Kybele/Sibalea/Iballeja… Kulti i Nanëmadhes bashkë me atë të Gjarpnit, lidhen se bashku, por është teme shumë e thellë dhe e komplikuar për t’i hyrë, prandaj nuk do i futem.
CYBELE = MAGNA MATER = MOTHER GODDESS = NANEMADHJA. (Për diçka më shumë rreth kësaj teme, mund të lexoni shkrimin tim: “Iballja dhe Fisi i Thaqit.”)

..”Kallxojnë se kur hînë Turqit së pari në Shkodër, pos armësh e mishit, lypshin edhe çikat mâ të mirat. I erdh rradha Thaqit. Këta ishin shumë vllazen e kishin edhe nji motër. Njâni vëllazënish, i hijshëm fëtyret (Thaqi janë në zâ për pashí t’burrnimît) … u vesh si çikë, mshefi në gjî nji thikë të mprehtë, hîn te komandari turk, e ther, e vret e kthehet megjith fisin në Dukagjin (Pukë). Në kët gojëdhânë përsëritet shka na kallxon Herodoti në libër të vet Terzikore: Aleksandri, i biri i Amyntës, Mbretit të Makedonisë, ther të dërguemit e generalit persjan Megabizit, pse këta deshten me u dhunue gratë.”10

Pak më poshtë do sjell edhe atë çka na rrëfen Herodoti në librin e tij të pestë (Book Five The Conquests of Megabazus-Pushtimet e Megabazusit), histori të cilën na e përmend më lart edhe gjuhëtari, leksikografi dhe eksperti më i madh i toponimisë, dom Nikoll Gazulli.


Por pak detaje si fillim:

Amynta III, ishte Mbret i Maqedonisë së Lashtë që udhëhoq prej 393 para Krishtit – 370 para Krishtit.

Kishte 3 djem dhe 1 vajzë.

Djemtë e Amyntas quheshin:

1. Aleksandri II, ky i cili trashëgoi fronin dhe luftoi kundër persëve.

2. Perdiki III I cili erdhi në fron mbas vdekjes së Aleksandrit II, pra vëllait të tij.

3. Filipi II, i cili është edhe i ati i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Filipi erdhi në pushtet pasi rrëzoi nipin e tij, Amyntën e IV.

Pra, Aleksandri i Madh i Maqedonisë kishte gjysh Amyntën III dhe axhë Aleksandrin II, i cili luftoi kundër persëve, ngjarje për të cilën po bëjmë fjalë.

Le t’i kthehemi rrëfimit të Herodotit: Pasi Perandoria Perse në këtë kohë nën udhëheqjen e Darit I të Madh të Persisë, mësyn perëndimin, ajo merr Thrakinë dhe i pushton të gjithë, duke arritur Maqedoninë.

Rreth vitit 507 para Krishtit Megabazus dërgoi disa të dërguar në Maqedoni për të kërkuar Tokë dhe Ujë, shenjat e traditës së nënshtrimit. Amyntas pranoi menjëherë të nënshtrohej, duke e ditur mirë se mbretëria e tij, më e vogël, do të ishte shtypur nëse persët do të kishin sulmuar. Më pas ai organizoi një banket për të festuar marrëveshjen e re, por kjo shkoi në mënyrë katastrofike. Të dërguarit persianë u treguan të vrazhdë me zonjat e oborrit, dhe si përgjigje i biri i Amyntas, Aleksandri, vret të gjithë ushtrinë perse.

Kjo është historia për të cilën dom Nikoll Gazulli na tregon se përsëritet me ardhjen e osmanëve, teksa përmend fisin e Thaqit, pasi ai ka bërë lidhjet e ketij fisi me maqedonët e vjetër si fillim.
Sipas shumë historianëve e të dhënave historike, fisi i Thaqit kishte dhe ka një shtrirje të gjërë, nga Drini e deri në Kosovë e gjithashtu deri në Malet e Sharrit në Maqeodoni.

Duhet pasur parasysh se kur flitet për Maqedoninë, nuk bëhet fjalë për këtë Maqedoni që pjesërisht kemi sot dhe popullsine sllave që ka aty sot, por, për Maqedonine e lashte, të madhe dhe të famshme që ekzistonte dikur, me popullsi e gjak thrako-ilir, me një gjuhë paraardhëse të shqipes së sotme, e që princat, princeshat, mbretërit dhe perandorët e kohës nuk identifikoheshin si grekë apo sllavë, por si maqedonë, ilirë, molosë, albanë, etj. Fise të ndryshme, të së njëjtit gen.

Duke qënë se jemi tek Molosët, pamfletisti i antikitetit, Luciani i Samosatës, na sjell një rrëfim interesant të marrë nga Plutarku për Princeshën molose, Olimpian, pikërisht nënen e Lekës së Madh të Maqedonisë.

“Nëna e Aleksandrit të Madh dhe një princeshë e tokës së Epirit, kishte reputacionin e një mbajtësje gjarpërinjsh dhe ishte pikërisht në formën e gjarprit që Zeusi i ishte afruar Olimpias duke e lënë shtatzënë dhe me pas lindi Aleksandrin nga ajo”.11
Kjo është edhe arsyeja se pse Leka i Madh konsiderohej si gjysëm Zot.

Plutarku shton se Olimpia ishte anëtare e një kulti mistik të Dionisit, që adhuronte gjarpërinjtë.
Besohet gjithashtu se ajo flinte me gjarpërinjtë.
Pra, sërish kemi Kultin e Gjarpnit të lidhur me rracën shqiptare dhe paraardhësit tanë.
Olimpia ishte nje princeshë epirjote dhe Aleksandri i Madh, një mbret maqedon që nuk flisnin as greqisht dhe as sllavisht, por trako-ilirisht (shqip).

Ka një përputhje rracore, gjeografike, përputhje besimi, traditash e ngjarjesh mes fisit të Thaqit dhe Kultit te Gjarpnit, aty ku është praktikuar, tek të paret tanë, në trojet tona.


…Thaqjanët kurrë përgjatë historisë nuk cënuan kënd padrejtësisht, por kur atyre iu bë një padrejtësi, ata si viganë malesh u ngritën, shkatërruan çfarëdo lloj force dhe ushtrie që u doli përballë dhe ruajten nderin, gjakun, gjuhën; dokë, zakone, tradita e trollin e tyre. Qendruan besnike te trollit, ashtu si gjarpni – roje i shtëpisë, pa marre parasysh pasojat që mund të kishin, qoftë edhe shuarjen përfudimtare të tyre. Duhet kujtuar se Iballja e Thaqjanëve u shkrumua 3 herë nga ushtritë e Perandorisë Osmane vetëm prej mos nënshtrimit ndaj tyre. Kjo ka sjellur edhe atë çka me shaka fiset dhe krahinat tjera rreth nesh, thonë se Iballja e ka mendjen e madhe apo se është djegë 3 herë prej mendjes së madhe. Apo se “Për 1 plesht, djegin jarganin”.

Kronikat flasin vetë…

“Fisi i panënshtruem i Thaqit dëshmoi se sa vështirë ishte të nânshtrohej ky fis në periudhën osmane. Herë mbas here, pushteti turk i mbyllun në kalanë e Pukës, dërgonte ekspedita ndëshkuese kundër tyne, me 8000-10.000 ushtarë. Më 1744 u rrafshuan me tokë 105 shpi të familjeve të Iballes, e fisi u sistemua në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, s’shpejti, Thaqët u kthyen në vendlindjen e të parëve (Iballe).

Rivendosjet e këtilla të ekspeditave ndëshkuese (ushtrive) turke rrallë paten sukses.” – Robert Elsie (albanolog).

Pra, shkretimi, nuk ndodhi për arsye se toka ishte e shkrete, apo nuk u punua, siç kanë dëshirë të lazdrohen disa me komente qesharake fëminore, sepse kush e njeh Iballen, e din se sa pjellore toka e Saj është, e kush gjithashtu njeh dhe njerëzit e Saj, e din mjaft mirë se sa punëtorë e të ndershëm Iballsit kanë qënë e janë ndër shekuj.
Iballja, po mos te ishte aq ORËMADHE sa është, nuk do kishte dhjetra kala nëpër gjithë krahinën e Saj, pasi për të ngritur këto kala ndër shekuj, duhen njerëz punëtorë.
Nuk do ishte krahina qëndrore dhe më e madhe ku përpunoheshin metale të ndryshme dhe madje ari qysh në antikitet, pasi ishte zemra e fisit të lashtë të Pirustëve, dhe Iballja me rrethinat e saj përbën hartën më të pasur gjeologjike mbase në mbarë Shqiptari.

…Nuk do kishte marrëdhënje me Shkodrën, Lezhën, Prizrenin, Gjakovën e mbarë Dardaninë qysh në kohërat e hershme.
Iballja dhe Iballsit, po të ishte përtacia dhe dembelizmi dobësi e tyre, nuk do të kishin qindra kisha nëpër lagjet e tyre qysh në fillesat e Krishtërimit, e nuk do ishte fshati i parë në veri ku zyrtarisht u hap shkolla e parë shqipe.
E për të mos u zgjatur, nuk do kishte sot disa nga biznesmenet më të fuqishëm në Shqipëri..

Iballja qysh në shek. XVII-XVIII numëronte rreth 700 shpi, me mbi 3000 banorë, dhe po të ish një vend i shkretë e një popullsi jo vitale, nuk do mund të jetonin apo mbijetonin të gjithë ata banorë në atë vend.

Nuk do të flisnin as relacionet e shumta të udhëtarëve që shkelën këtë tokë, e këtu gjetën besë, bukë kryp e zemër.
Frang Bardhi, më 1637, gjatë vizitës së tij në malet tona, thotë se: “Keta gjind (njerëz) epirotë të Pukës janë sa s’thuhet mundqarë, të dhanun mas armësh e luftarakë…”.

Pra, cdo goditje qe i erdhi Iballes, i erdhi nga armiqtë ndër-shekullorë e më vonë nga sistemi komunist, por që kurrë nuk e gjunjëzoi vendin, fisin e rracën tonë, e kush erdhi për arsye djallëzore, gjeti grykën e pushkës, në mbrojtje të trollit, Lirisë e parimeve të të parëve tonë, si zotë të vetëm e autoktonë të tokës sonë, në tokën e lashtë të Pirustëve, në tokën e Dukagjinit të vjetër!
E kjo, nuk na e rrit mendjen, POR NA BËN KRENARË E TË VETËDIJSHËM!!!

“Në tetor 1610, Ahmet Beg Cucca [Ahmet bej Kuka] mblodhi 1500 njerëz për të kryer nji sulm të befasishëm në Iballe, por meqenëse këta mësuen paraprakisht për sulmin, ata mblodhën thjesht 500 nga njerëzit e tyne dhe e detyruen anmikun të futet në nji grykë të ngushtë të vështirë, ku ata as nuk mund të iknin e as të luftonin. Ata ishin mbërthye atje të rrethuem nga burra që ose donin t’i vrisnin ose t’i zinin rob për të tregue fitoren e tyne. Këta burra të guximshëm të Iballes vranë kaq shumë ushtarë të hutuem dhe të mundur, duke i plagosur fillimisht nga larg me shigjetat e tyne dhe më pas duke i sulmue në luftime trup me trup, sa që edhe sanxhak beu u vra. Pak prej ushtarëve osmanë mbijetuen. Do të mbahet mend përgjithmonë se me atë rast, një kalë turk u ishte shitë fitimtarëve për dy bajoki [monedha papale] dhe një shpatë tejet me vlerë u shit për një bajok. Burrat e Dukagjinit (Pukës) kanë fitore të tjera të shumta të tilla, të mjaftueshme për të mbushë nji libër me aventurat e tyne të lavdishme.”– Pjetër Mazreku, viti 1633.

“Iballja âsht e përmendun në Shqipni jo vetëm për shkak të pozitës ndaj Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës, por edhe për shkak të banorëve, të fuqishëm dhe guximtar. Iballja âsht “oaz” rrafshnaltë në bjeshkët shqiptare. Banorët, janë njerëz të vlefshëm dhe guximtarë, dashamirë të paqës, mirëkuptimit vëllazëror dhe arësimit.”– P. Lovro Mihacevic, “Po Albaniji – dojmovi s puta”, Zagreb, Kroaci, 1911.

Gjithcka çka u përfol këtu, jep një farë përmbledhje të karakteristikave, traditave e ngjarjeve që mund të afrojnë dhe barazojnë pra fisin e Thaqit, me totemin e tij suprem, Gjarpnin,  lidhje me të cilin, e trashëgon nga kohërat e thella të të parëve tanë e për këto arsye mund të ketë ardhur krahasimi me të deri në ditët tona.

  1. Ferdinand Adolph Theophil Hueppe (albanolog).
  2. At Shtjefën Gjeçovi: “Xânâfilla e Shqiptarëvet”. Fq. 33.
  3. Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
  4. John Wilkes: “Ilirët”. Fq. 245.
  5. Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
  6. Po aty. ^
  7. Po aty. ^
  8. Marjeta Sasel Kos: “Kadmus dhe Harmonia ne Iliri”. Fq. 113.
  9. Nikollë Gazulli: “Hylli i Dritës/Mars-Prill 1941”. Fq. 178.
  10. Nikolle Gazulli: “Hylli i Dritës/Marc -Máj 1941”. Fq. 186.
  11. Luciani: “Aleksandri, profeti i rremë”.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT