• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Salih Ramë Kelmendi, nacionalist dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare

December 30, 2021 by s p

Skënder MULLIQI/

Salih Ramë Kelmendi u lind më 1917 në Ruhot të Pejës në një familje me prejardhje nga Rugova,e njohur për tradita kombëtare. Që në moshë të re,në vitin 1944, Salihu ishte pjesëmarrës në luftë me komunistët malazias nën komanden e Petko Dapqeviçit,te livadhet e bukura, apo siç quhen ndryshe “rovat”, ku edhe do te plagoset në mbrojtje të Rugovës,e që në këtë përballje luftarake i vritet kushëriri i tij Isuf Halili. Salih Rama që në rininë e tij ishte i brumosur me nacionalizëm,por më vonë do të jetë një veprimtar i devotshëm i atdhetarizmës për çështjen kombëtare,duke bashkëpunuar kêshtu me shumë veprimtarë e atdhetarë të kohës, kryesisht të Rrafshit të Dukagjinit,sikundër ishin Sami Peja nga Peja, Sylë Mehmeti nga Rugova, Bekë Tafili nga Staradorani, Sylë Pajazit Shala nga Lybeniqi, Rashit Goran nga Peja, Ramë Haradinaj nga Lybenqi, Sylë R.Mulliqi nga Raushiqi, Selman Kadria nga Cerca e Istogut, Mustafë Qeta nga Trubuhovci, si endesheisti më i ri në moshë,e shumë veprimtarë të tjerë anekënd trojeve shqiptare. Veprintarinë atdhetare Salih Rama bashkë me shokët e atdhetarizmës e zhvillonin kryessht përnes Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare,që ishte e shtrirë gjthandej në Kosovë.Motivi i veprimtarisë së tyre atdhetare ishte qëllimi dhe përpjekja për bashkimin kombëtar, pra bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe trojeve etnike shqiptare. Në vitin 1950 Salih Rama arrestohet nga UDB-ja me shumë të tjerë bashkëveprimtarë të nacionalzmës shqiptare, dhe po këtë vit në Prishtinë gjykohen nga pushteti i atëhershëm serbosllav për verimtarinë atdhetare.Salih Rama dënohet me 6 vite burg të rëndë, kush tjetër 7 vjet,9 vjet,10 vjet e kështu me radhë.Të gjithë dërgohen në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit,por Salih Rama do të qëndronte i paepur në kazamatet serbosllave edhe përkundër  torturave që ushtronte pushteti ndaj tij dhe të tjerëve gjatë viteve të burgut. Edhe pas vuajtjes së dënimit prej 6 vite në burgun e Nishit,menjëherë pas disa kohësh,UDB-ja do ta arrestonin sërish, duke e burgosur kështu në burgun famëkeq të Ozdrimit. Këtu, për disa muaj rresht,do të ushtronin mbi të torturat më çnjerëzore sikur dhe ndaj shumë shqiptarëve të tjerë në këtë burg. Në këtë burg e mbajnë për disa muaj, por si gjithmonë Salih Rama mbetet i pathyeshëm përballë të gjitha torturave të UDB-së. Në vitin 1961 ai do të vritet mizorisht në një pritë të organizuar.

Filed Under: Mergata

PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES

December 30, 2021 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli

– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;

– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;

– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;

– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;

– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit;

*   *   *

– Në analet e historisë së dokumentuar, shqiptarët kanë hyrë në gjysmën e dytë të shekullit XI. Në “Historinë” e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) qe i pari që përmendi se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës, më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit.

– Pi ashtu, historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes), rreth vitit 1081 përmend Arbanites si pjesë e trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius).

– Për ekzistencën e gjuhës shqipe, për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Në të vërtetë, midis viteve 1285 dhe 1332 kemi katër përmendje të qarta dhe të padyshimta. 

– E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe është ajo e vitit 1285, në Ragusë (Dubrovnik), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces hetuesie, midis tjerash figuron edhe fjalia: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe).         

– Njëzet vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi Descriptio Europae orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore). Është një tekst mesjetar i vitit 1308 i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i shkolluar në Francë, me shumë gjasa i Urdhrit Dominikan, i dërguar në Serbi, ku edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Përveç pjesëve që pasqyrojnë rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla për këtë vend në vitet e para të shekullit XIV (1308). Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje të gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë). 

– Për herë të tretë, për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t’u thuhet Simon Simoni i Zrdhrit Françeskan dhe Hugo Ndriçuesi, gjatë udhëtimit, më 1322 u ndalën në Shqipëri, me ç’rast i pari bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij jep një vështrim të gjallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV, d.m.th. në vitin 1322. Këta dy u nisën nga Klonmeli i Irlandës. Nga Uellsi verior kaluan në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bonë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë, deri në Venedik. Vijuan rrugën me anije për të arritur në Pullë, Zarë, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinin në Aleksandri. Përshkrimet e Simonit njihen si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë). Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh. Udhëpërshkrimi përmban të dhëna për kontrollin dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve të vizituara, për kishat etj. Midis tjerash, ai shkruan: ”Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një provincë midis Sllavëve dhe Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Ai shkruan edhe për Durrësin. 

– E fundit nga këto raste ku përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo e vitit 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus). Në një vepër latinisht me titull Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shkruan: Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre). Nuk dihet saktë nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine.

Prof. Xhelal Zejneli                              

Filed Under: ESSE

A MUNDET ME PËRPARUE NJI POPULL NË KUSHTET E MUNGESËS SË NJI STRATEGJIE EDUKUESE?

December 30, 2021 by s p

Filip Guraziu

A egziston strategjia  e edukimit ‘ të brezit të ri në shqipni ?

‘Njeriu’ përban  elementin ma të randësishëm të platformës  së  zhvillimit të  nji shoqnie. Mundesh me investue shuma të mëdhaja për zhvillimin e nji vendi; me ndërtue rrugë, ura , tunele,  etj., por çdo gja mbrapa nuk ka me funksionue si duhet,  nëqoftëse  ‘njeriu’ që i shfrytëzon dhe i përdoron ato vepra nuk ka me qenë i edukuem e kjo, jo vetëm në aspektin  tekniko- profesional , por kryesisht  në aspektin  moral, human dhe  patriotik. Përvoja historike në kët drejtim na jep me kuptue se shoqnia shqiptare nuk mundet me qenë e shëndetëshme dhe e sigurtë në zhvillimin e  përparimin e sajë drejt mirëqenies, nëqoftëse ‘sektori i edukimit’ ku trajtohet brezi i ri nuk ka si udhërrëfyes nji strategji të mirëmendueme  e cila  mëshiron kërkesat e normave morale bashkëkohore që kushtëzon e ardhmja europiane.

Po a egziston kjo strategji në Shqipninë post komuniste? Ndoshta gabohem, por personalishi as nuk e shoh, as nuk e dalloj dhe as nuk e kuptoj egzistencen e kësaj strategjie ! Objektivi  i strategjisë edukuese të nji populli, na radhë të parë, duhet me qenë  “bashkimi shpirtnor kombëtar”, në lidhje me kët objektiv shqiptarët sot përjetojnë mometin ma të vështirë   në historinë e tyne. Ma poshtë shembuj, për aq sa lejon hapsina e nji shkrimi gazetaresk :

a. Dekomunistizimi i shoqnisë shqiptare asht realizue vetem teorikisht për demagogji, në raport me te tretët, me  ato që ” gjoja” na kërkojnë llogari, kurse në praktikë veprohet krejtësisht ndryshe… Interpretimi jo i drejtë dhe i qëllimshëm  i historisë vazhdon me përça shqiptarët dhe shorjenton edukimin patriotik të brezit të ri sidomos në fushën e edukimit shkollor. Kujtoj:  Glorifikimin publik të diktatorit kriminel Enver Hoxha, sot mbas 30 vjetëve të përmbysjes se diktaturës komuniste, që përban  njollë  turpi për demokracinë shqiptare. Kujtoj gjithashtu se ende sot mbas 30 vjetëve përmbysje të diktaturës, të gjithë ” Herojt ideologjikë të diktaturës komuniste” nderohen si ” Heroj të Kombit Shqiptar” ! Nuk dëshiroj të keqkuptohem: Duhen  respektue e nderue sakrificat e reparteve partizane dhe nacionaliste për luftën e tyne kundër okupatorëve ku dhanë jetën shumë e shumë të rij shqiptar idealista, por nuk munden me qenë ” Hero  të Kombit” ato që nuk dhanë jeten në luftë kundër okupatorëve, por vdiqën në luftën civile  vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve për mbrojtjen e idealeve komuniste ose për shkaqe natyrore gjatë jetës së tyne ( shembujt janë të shumtë).                                                                                                                                 .       Shqiptarët e përmbysën komunizmin tue hedhë në kazanin e plehnave propogandën  imorale të ‘luftës së klasave’ e cila ushqente urrejtjen klasore e përbuzjen për klerikët e intelektualët nacionalistë  që konsideroheshin “armiq të klasës”. Sot në demokraci, shqiptarët mburren për qendrimin moralo-patriotik të klerikve të cilët me besimin në Zot iu kundervuen haptas dhunës komuniste. Po kështu asht qendrimi edhe  per intelektualët nacionalistë me bindje liberale të cilët punuen me përkushtim për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Këto konsiderata përbajnë  elemente të randësishëm për formimin moralo-patriotik të brezit të ri dhe pranohen nji zani prej forcave politike parlamentare pa përjashtim, por përsëri në praktiken e përditëshme ndodh e kundërta! Në shumë media televizive çfaqen  ditë  e natë filma të prodhuem prej Kinostudios ‘Shqiperia e re’ të përiudhës së diktaturës, ku të rijtë e lindun në demokraci, shohin e mësojnë, pra edukohen me “  imoralitetin e antishqiptarizmin e  klerikëve ”, tradhëtinë e intelektualëve nacionalistë, poshtërsitë e klasës borgjeze e urrejtjen klasore për këdo që mendonte ndryshe etj. (propagandë tipike e diktaturës komuniste)  A duhet lejue kjo? Po  pse kleriket shqipëtar nuk reagojnë ?   Personalisht vlerësoj punën  artistike ( dhe jo helmin ideologjik)  të Kinostudios ‘ Shqiperia e re’, por e çoj zanin qe institucionet përgjegjëse të edukimit e ato të kontrollit të mediave vizive në nivel shtetnor të reagojnë për me kontrollue situatën tue ba seleksionimin e 

filmave që transmetohen                             .                                                                                                                                                             Trajtimi jo i sinqertë i problemit të riabilitimit të shtresës së përsekutuemve politik prej diktaturës dhe zvarritja e qëllimëshme e proçesit të  këthimit të  pronës te ” pronari  legjitim ” së bashku me ligjërimin e përvetësimit me dhunë (fizike e zyrtare) të pronës private dhe asaj shtetnore ka nda shqiptarët në dy kampe kundërshtarësh.

b. Kongresi gjuhësor politik i 1972 me urdhën të diktatorit komunist përçau identitetin shqiptar, por e keqja ma e madhe asht se ende sot nuk dallohet asnji vullnet prej akademikëve dhe politikës shqiptare për rishikimin asaj vepre  antikombëtare tue ndëthurë shkencërisht edhe gegnishten në gjuhën zyrtare! Veprim që kishte me ndikue pozitivisht për unitetin e kombit

c. Korrupsioni masiv në fushën e edukimit shkollor ( disponojnë deri 3 diploma universitare ato që ndoshta nuk kanë marrë as diplomën e maturës), ka pasë dhe vazhdon me pasë për pasojë largimin e të aftëve prej dheut amë dhe vendosjen e të pa aftëve (meritopartia) në pozita drejtuese.

d. Njollosja me mbrapavijë antikombëtare e simboleve të shqiptarizmit; Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezes prej shqipfolësave “të shitun” ndikon negativisht drejt konsolidimit të identitetit shqiptar. Shoqnia shqiptare sot krenohet per disa simbole kombëtare me të cilët lidhet identiteti i Arbërit. Na ndihemi krenar qe jemi bashkëkombas të Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe të Nanë Terezes, çka nënkupton se puna edukuese me të rijtë, në mënyrë të natyrshme, duhet të  bahet e të jetë në kët linie. Fatkeqësisht, në kundërshtim me sa ma nalt, praktikat e kohëve të fundit  provojnë që çdokush, edhe personazhe rruge me identitet të dyshimtë dhe  mbrapavijë të qartë antishqiptare dhe antidemokratike – si rasti i glorifikimit të kriminelit Hoxha, lehtësisht bajnë propagandë krejt të kundërt tue gjetë hapsinë veprimi në media dhe sheshe publike, gja që shorjenton formimin e ndërgjegjës së brezit të ri tue damtue qelizën jetësore të identitetit të shqiptarëve!

Me keqardhje duhet  pranue se organizimi dhe drejtimi institucional-shtetnor shqiptar i ‘sektorit te edukimit’ ende paraqitet i mangët e pa strategji veprimi, për mos me thanë që asht inegzistent. Indiferenca politike për strategjinë e edukimit ‘të brezit të ri’ vështirëson deri në pengesë,  rrugën e shqiptarëve drejt Europës. Kumonat e alarmit po bijnë!  Antishqiptarët punojnë ditë e natë kunder relikeve ma të shtrejta e simboleve të shqiptarizmit, kujtoj: vendosjen e memorialit të nji “kumandari” me origjinë greke, në jug të Shqipnisë, për ” meritën”e tij të masakrimit të shqiptarëve në përiudhën e  pamvarësisë !; ndertimin e  vorrit në nderim dhe  përkujtim të nji ushtari serb, në rrethinat e Shkodrës për ” meritën” e tij që dha jetën në luftën sulmues serbo-malazeze për pushtimin e Shkodrës (1912-1913) !; transformimin e vorreve shqiptare në vorre të ushtarëve grekë, në rrethinat e Korçës e në përgjithësi në jug të Shqipnisë, për “meriten” e tyne se vdiqën  në përpjekje luftarake për aneksimin e tokave shqiptare ( në zonën e ashtuquejtun prej shovinizmit ekspansionist grek  ” vorio epir”) !; vendosjen e memorialit me emnat e 156 ushtarëve turq, në mes të Tiranës, për ” meritën” e tyne  se vdiqën në luftën civile politike në Turqi në mbrojtje të Erdoganit. !; qëndrimin ekuivok dhe servil të politkës shqiptare ndaj kërkesës së shtetit turk , për rishikimin e historisë së pushtimit 500 vjeçar turk.  .!; arrestimin, në kundërshtim flagrant me ligjet e konventave ndërkombëtare, në të cilat  shteti Shqiptar aderon,  e mësuesve turq në Shqipni për ” krimin ” e tyne se paskan pasë qenë  kundërshtarë të politkës së Erdoganit në Turqi !, etj…

Populli thotë “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, po si asht e mundun kjo situatë ?

Sepse  politika  shqiptare  nuk asht as e djathtë e as e majtë, “as mish e as peshk” por asht  “politikë interesi, politikë populiste që  shqetësohet e mendon vetem për interesa klanore dhe thithjen e votës elektorale”, të tjerat…, si edukimi i brezit të ri me moral europian dhe antidiktaturë, bashkimi shpirtnor i shqiptarëve, konsolidimi i identitetit shqiptar, etj., etj., kjo lloj politike  i konsideron  çeshtje të dorës së tretë e pa randësi…, që ndoshta, ndoshta…, ndonjiherë do të zgjidhen vetevetiu, por edhe mos u zgjidhshin…!

 Filip Guraziu

Filed Under: Analiza

MARKA PRENGA(ÇOKU)* PATRIOTI QË DHA SHTËPINË E TIJ PËR SHKOLLËN SHQIPE

December 30, 2021 by s p

*Në 100 vjetorin e lindjes

image1 (3).jpeg

image0 (4).jpeg

Mësimi shqip në zonën e Mirditës lidhet pa dyshim me një patriot të spikatur i cili ka hyrë në historinë e mësimit shqip në Mirditë me xhestin e tij të veçantë duke dhuruar shtëpinë  e tij në funksion të mësimit shqip dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në zonën e Kaftallës së Mirditës. Ai dhe familja e tij u vu në shërbim të shkollës, mësuesve dhe nxënësve të shkollës me akomodim, ushqim, strehim dhe siguri fizike. 

Nikoll Prendi, sot 80 vjeçar si nxënës i parë i kësaj shkolle e kujton me detaje atë kohë. Në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York ai shprehet se : “ kontributi dhe ndihma që ka dhënë patrioti dhe burri i mençur Marka Prenga në  hapjen e shkollës së pare shqipe në fshatin Kaftallë, të Mirditës, pas çlirimit ishte diçka e jashtëzkaonshme. Të kontribuosh për arsimimin dhe diturinë, do të thotë se dashuria për atdheun dhe njerëzit është e madhe. Kjo  merr kuptim të plotë, sidomos kur ky kontribut bëhët në kohen kur njerëzit e duan dhe e kanë të domosdoshme si  dhe e shikojnë si ndriçim në errësiren e kohës. Vitet e para, pas çlirimit të Shqipërisë, e gjeten vendin dhe popullin shqiptar në një varfëri ekonomike, kulturore  dhe shoqërore të jashtëzakonshme. Për këto arsye, ishte e domosdoshme dhe emergjente ringritja shpirtërore, ekonomike, kulturore e kombit.  Por, edhe pse në kushte të tilla, përsëri nuk munguan patriotët dhe njerëzit e medhenj në shpirt dhe zemër. Një ndër ta, ishte edhe burri i urtë e i mençur dhe patrioti: Marka Prenga nga fshati: Kaftallë i Mirditës. Gjendja ekonomike  ishte tepër e varfër. Mungonte infrastruktura. Njerëzit nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën shqipe.  Gjithashtu nuk kishte as objekt për të hapur shkollen e pare shqipe, në këtë fshat. Marka Prenga(Çoku)  sakrifikoi gjithçka, vetëm e vetëm që të hapej shkolla në Kaftallë. Shtëpinë e tij, ku ai dhe familja e tij banonin, u kthye në shkollen e parë. I nderuari Marka Prenga, nuk kërkoi  asnjë detyrim për shtëpinë e dhënë. Pra e dha falas shtëpinë, duke sakrifikuar tërë familjen e tij. Shkolla e parë në fashtin Kaftallë, u hap me daten 1 Mars 1946 në shtëpinë e Marka Prengës. Kjo shkollë u bë burimi edukimi dhe mësimi për të shkruar dhe lexuar gjuhen shqipe, për shumë breza”. Ajo shkollë, shërbeu edhe si gur themeli në të ardhmen. Ku në te ardhmen u hap edhe shkolla shtetrorë e Kaftallit. E përmendëm këtë rast, për te treguar se ishte Marka Prenga, burimi I frymëzimit për shumë persona të tjerë që  kontribuan me bazë materiale e punë vullnetare për ndërtimin e shkollës shtetrore në Kaftallë. Ku ma vonë, nxënësit e kësaj shkollë u bënë edhe mësues të kësaj shkollë:  Kjo shtëpi – shkollë, shërbeu për zhdukjen e analfabetizmit të brezave si edhe për edukimin e tyre. Një moment tjetër që vlen për t’u theksuar është edhe humanizmi i nënës së Marka Prenges, Mrica (lindur me 02  Shkurt 1885). Në shumë raste, nxënësit shkonin edhe pa ngrënë në shkollë. Dhe kjo grua, nënë e madhe, u jepte  me ngrënë. Gjatë festave fetare, përseri nëna me shpirt të madh, Mrica tregohej bujare dhe humane. Për festen e Pashkëve, mbushte shporten me vezë të ngjyrosuara dhe u dhuronte të gjithë fëmijëve të shkollës. Duhet theksuar, se Marka Prenga ka lënë pas edhe një familje model. Të cilët vazhdojnë t’i ruajnë e trashëgojnë vlerat më të larta njerëzore. Familja e tyre mbetët një vlerë për  shoqërinë dhe sidomos për ne, bashkfshatarët e tyre.  

Frrok Mark Frroku Një tjetër nxënës i shkollës së Kaftallës tregon se: Shtëpia e Marka Prengës u bë burim i dijes dhe i zhdukjes së analfabetizmit për fshatin Kaftallë. Kjo shkollë u hap për herë të parë në vitin 1946 nga e cila mësuam të gjithë nxënësit e moshave të ndryshme dhe u edukuan për zhdukjen e analfabetizmit. Unë, Frrok Mark Frroku, i moshës 79 vjeçare kam filluar klasën e parë në shkollën Kaftallë tek shtëpia e Mark Prengës në vitin 1947. Aty, në atë shtëpi të kthyer në shkollë, kam përfunduar të gjithë ciklin shkollor. 

Dede Bilani Drejtori i Shkollës shtetërore në Kaftallë e kujton atë kohë duke thënë se: Shkolla në shtëpinë e Marka Prengës  punoi me dy turne për shumë vite: Turni i parë-paradite bëhej mësim me fëmijë të moshës 7,8,9 vjeçare. Turni i dytë –pasdite vonë për rreth 3 orë bëhej kurs kundër analfabetizmit masiv me më të rriturit 13-30 e më shumë vjeç. Mësuesi i parë në këtë shkollë shtëpi ishte Gjokë Kaçorri. E gjithë familja e Mark P.Ndojt i shërbente në një formë ose tjetër shkollës si për rregull, pastërti, siguri fizike të nxënësve por dhe mësuesit, ujë të pishëm, dru zjarri, përcjelljen për në shtëpi të fëmijëve të vegjel në raste të motit te keq apo për arsye të tjera si vajza të rritura që kishin larg shtëpinë, ndonjë fëmijë të sëmurë apo arsye tjetër,pa asnjë pagesë, por vullnetarisht, për humanizëm. Pasi shteti ndërtoi shkolla u vendos në qendër të fshatit, Në një dhomë të shkollës u ngrit muzeu ku u pasqyrua deri në detaje me foto, dëshmi, kujtime të ish-nxënësve të shkollës së parë, foto të shtëpisë-shkollë, të Marka Prengës. 

(Dielli)

Filed Under: Histori

Pandemia dhe përqafimi

December 30, 2021 by s p

Sprovë psikologjike nga Rafael Floqi 

Kontakti njerëzor,  ka humbur “kuptimin” për shkak të pandemisë.

Para një muaji u takova me një person të cilin e respektoj dhe në mënyrë instiktive u përshëndeta si thonë malësorët “me krye shëndoshë”. Dhe pse ku ishte një gjest instiktiv i shprehjes të respektit, miku më pa i shqetësuar dhe disi shtrembër, ndodhi kështu nga dy muaj më  parë, kur ende nuk ishte pagëzuar mutacioni i ri, me një emër Omicron që më kujtonte një markë të njohur sahatesh që shisnin marinarët dikur në fund të viteve 80-të kontrabandë në Durrës , më shumë se germën greke. Pasi u gjenda disi i habitur nga qëndrimi i tij e kuptova dhe, duke qeshur, i thashë se isha i super vaksinuar, kisha dy ditë që kisha bërë një buster, d.m.th. isha përforcuar, por as kjo s’e qetësoi.    

Atëherë m’u kujtua ajo që pata lexuar, se prekja është e vetmja ndjenjë thelbësore për mbijetesën e njerëzve, që shkruan revista prestigjioze “The Economist” në njërin prej artikujve të saj të fundit, duke shpjeguar se sa e rëndësishme është pjesa e kontaktit njerëzor, e cila ka humbur “kuptimin” e saj për shkak të pandemisë.

Nevoja për prekje njerëzore

Nevoja për prekje njerëzore është një nga nevojat tona më themelore, primare. Privimi i prekjes lidhet me rezultate negative shëndetësore si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e sistemit imunitar. 

Cari i Covidit “alias Dr. Anthony Fauci” përsërit mesazhe kontradiktore edhe tani para Vitit të Ri në këshillat për pandeminë. Me maska pa maska, të vaksinuar me buster pa buster, me urdhra për mbyllje e për hapje, por asnjë fjalë si psikologjia sociale është dëmtuar më shumë nga distanca sociale. Nga mungesa e prekjes njerëzore.    

Le të jemi të sinqertë.  Këta 2 vitet e fundit nuk na kanë ofruar shumë prekje. Të karantinuar në shtëpi dhe të izoluar nga miqtë, shumë njerëz kanë ndier një mungesë lidhjeje si emocionalisht ashtu edhe fizike. Përqafimet dhe shtrëngimi i duarve ndodhin shumë më rrallë tani. Dhe megjithëse bota po kthehet ngadalë në normalitet, rritja e variantit Omicron sugjeron që distancimi social ka të ngjarë të vazhdojë të përcaktojë ndërveprimet tona sociale për ca kohë.

Kanë kaluar 11 muaj që kur dikush e përqafoi Erikun. Llogaritarin 62-vjeçar beqar që jeton i vetëm në Michigan, i cili u izolua marsin e kaluar në përgjigje të Covid-19.  Ai ka probleme me zemrën ndaj që nga ajo kohë ka qëndruar në shtëpi. Të vetmit njerëz që e prekën atë, më  thoshte miku im në telefon kanë qenë infermieret që i matnin tensionin e gjakut.  Ai e përshkruan veten si një person “të prekshëm”. Ai shtrihet në shtrat, me dëshirë të madhe të jetë dikush që ta prekë ose ta mbajë prej dore . Pandemia ka qenë një test për këtë gjest njerëzor që është bërë kaq i rrallë. Janë boshllëqet e kontaktit që na kanë lënë të dashurit që i janë nënshtruar Covid-19, boshllëqet në qendra pune, shkolla dhe mungesa e miqve dhe familjes. 

Është shkruar shumë në media për kufijtë që distancimi social i ka vendosur aktivitetit seksual të beqarëve. Megjithatë, ajo që ka humbur kryesisht është një nevojë më delikate, por edhe më themelore: nevoja për prekje njerëzore.

Prekja si nevojë për të mbijetuar

Dhe pastaj janë edhe gjërat më të vogla që na mungojnë. Për të ndaluar përhapjen e Covid-19, njerëzit kanë braktisur shtrëngimet e duarve, përkëdheljet, shtrëngimet dhe përqafimet që ngrohin ndërveprimet e përditshme. Humbja e dikujt vështirë se ia vlen të përmendet.

Njerëzit kanë nevojë për prekje, për “hugs” për të krijuar marrëdhënie të ngushta. Për të përmirësuar shanset e tyre për të mbijetuar, pasi Homo sapiens evoluoi për të jetuar në grupe. Aty në shpella ku kishte nevojë të “ngrohej”.  

Njerëzit “duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin”, shpjegon Alberto Gallace, një psiko-biolog në Universitetin Italian Milano-Bicocca, i cili mund të shpjegojë pse, si kafshët e tjera shoqërore, ata kanë zhvilluar një sistem neurologjik të krijuar për t’iu përgjigjur prekjes së përzemërt. 

Prekja ul nivelet e kortizolit, një hormon i prodhuar si përgjigje ndaj stresit. Përveç nxitjes së përgjigjes “fluturo ose lufto”, kortizoli mbyt “qelizat vrasëse natyrale”, një lloj qelizash të bardha të gjakut që sulmojnë viruset dhe bakteret. Prekja gjithashtu mund të rrisë prodhimin e qelizave vrasëse natyrore te pacientët me HIV dhe kancer, sipas Dr Field.

Hulumtimi që demonstron nevojën për prekje njerëzore është i gjerë. Nga pikëpamja e zhvillimit, foshnjat fjalë për fjalë nuk mund të mbijetojnë pa prekjen e njeriut. Kontakti lëkurë me lëkurë edhe në orën e parë pas lindjes është treguar se ndihmon në rregullimin e temperaturës, rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrjes së të porsalindurve dhe ul të qarat (Ferber, Feldman, & Makhoul, 2008). Prekja gjithashtu rrit hormonet e relaksimit të nënave dhe ndihmon në lirimin e oksitocinës. Një studim tashmë i famshëm ekzaminoi privimin ndijor të fëmijëve në jetimoret pa staf në Rumani (Carlson & Earls, 1997). Fëmijët e privuar nga prekja, zbuluan autorët, kishin nivele jashtëzakonisht të ulëta të kortizolit dhe zhvillimit të rritjes për grupmoshën e tyre.

Eksperimentet me Majmunët e Harlow’s (Harlow & Harlow, 1965) janë ndoshta shembulli më i famshëm i studimeve që tregon përparësinë e nevojës për prekje. Në një seri eksperimentesh, Harlow krijoi disa nëna surrogate të pajeta për majmunët e vegjël të bëra nga teli dhe leshi. Çdo foshnjë u lidh me “nënën” e tij të veçantë, duke njohur fytyrën e saj unike dhe duke e preferuar atë mbi të tjerat.  

Më pas, Harlow u dhuroi foshnjave një “nënë” të butë, të veshur përkëdhelëse, si dhe një “nënë” prej teli të vendosur në dy dhoma të veçanta, por të bashkangjitura. Vetëm “nëna” e telit mbante një shishe me qumësht.  Harlow zbuloi se majmunët kaluan shumë më shumë kohë më pas të strukur pas “nënës” së leckës, sesa kaluan me “nënën” e telit edhe pse “nëna” e telit ishte e vetmja me ushqim. 

Ushqimi është  i nevojshëm për mbijetesë, por prekja është ajo që na lidh si grup

Kjo pandemi na dha një mësim mbi rëndësinë e përqafimeve. Roza nuk mundi të përqafonte mbesat e saj për disa muaj.  Pamundësia për të parë dhe prekur të dashurit e saj çdo ditë për shkak të protokolleve të distancimit social të COVID-19 po ndikonte fort në shëndetin mendor të 85-vjeçares. Si shumë të tjera, ajo ndihej e vetmuar dhe dëshironte një lidhje emocionale ç’ ka  ishte penguar nga pamundësia për të përqafuar ata që ishin më të rëndësishmit për të. Dhe ajo sajoi një veshje plastmase vetëm për të prekur mbesat e saj. 

Si një gazetar social, unë kam studiuar komunikimin e dashurisë, për më shumë se tre dekada. Komunikimi i dashur vjen në shumë forma, dhe jo të gjitha janë kufizuar nga pandemia. Edhe me distancimin shoqëror, njerëzit ende mund të thonë: “Të dua”. Ata gjithashtu mund të ndajnë mesazhe të dashura me tekst dhe postime në mediat sociale – dhe falë platformave të tilla si Zoom dhe Skype, ata mund të shohin fytyrat e njëri-tjetrit dhe të dëgjojnë zërat e njëri-tjetrit. E vetmja përvojë që nuk ka qenë në gjendje të lehtësojë, megjithatë, është prekja. Individët nuk mund të përqafojnë nipërit e mbesat e tyre, të puthin miqtë e tyre ose të mbajnë dorën e një personi të dashur që po vdes përmes Microsoft Teams ose Google Hangout.

Ç’është “uria e prekjes

Ajo që njerëzit kanë vuajtur gjatë pandemisë është “uria e prekjes”, një term i folur për atë që shkencëtarët socialë e quajnë “privim nga dashuria”, një gjendje në të cilën individët duan ose kanë nevojë për më shumë dashuri sesa marrin. Dhe ja pse kjo ka rëndësi. 

U bënë gati një vit që vdiq një komshi i mirë. Covidi, mori gjyshi Bexhetin atë plakun e urtë gjithnjë të qeshur, që dhe fëmijët e mi e quanin gjyshi, në shenjë respekti, pasi ai ishte “gjyshi i të gjithëve”. Po ai vdiq një vit më parë në spital, pa mundur të flasë me njeri shqip, edhe pse kishte një I-PAD. Dhe kur i biri u përpoq të fuste një infermiere shqiptare që vetëm t’i fliste një fjalë shqip dhe t’i shtrëngonte të paktën dorën atë nuk e lanë. Dhe ai vdiq jo vetëm nga sëmundja, por dhe nga mungesa e një fytyre të dashur. Që ndoshta pa ditur i pat mbetur peng. 

Ngjashëm me urinë e rregullt, uria e prekjes shërben si një alarm se diçka e rëndësishme mungon – në këtë rast, ndjenja e sigurisë, intimitetit dhe kujdesit që vjen me kontaktin me prekje. Ndërsa njerëzit kanë duruar dhimbjen në distancën shoqërore, shumë kanë zbuluar ndjenjën e privimit që mund të shoqërojë mungesën e prekjes së përzemërt.

Përqafimi mbron trupin nga stresi i një ekspozimi viral

Uria për prekje është thelbësore për mirëqenien gjatë gjithë jetës sonë. Psikologja Ruth Feldman ka treguar se prekja është thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe njohës, duke filluar nga foshnjëria. Gjatë moshës madhore, prekja e dashur kontribuon në shëndetin psikologjik dhe aftësinë e trupit për të menaxhuar stresin dhe për të reduktuar inflamacionin.

Dhe tek të moshuarit, prekja e dashur mund të rrisë qetësinë dhe reagimin edhe për ata që vuajnë nga çmenduria. Prekja është aq e fuqishme, në fakt, saqë edhe të imagjinosh prekjen mund të reduktojë stresin dhe dhimbjen, sipas psikologëve Brittany Jakubiak dhe Brooke Feeney.

Prandaj, kur njerëzit ndihen të privuar nga prekja, është e kuptueshme që mirëqenia e tyre mund të vuajë. Edhe në kohë normale, uria nga prekja shoqërohet me stres, ankth dhe vetmi më të madhe; gjumë me cilësi të ulët; dhe ulje të kënaqësisë dhe afërsisë në marrëdhëniet romantike. Shtojini kësaj kufizimet në prekje të futura nga COVID-19 dhe ka kuptim pse kaq shumë po vuajnë. Në fakt, hulumtimi ka treguar se përfitimet e ndërveprimit të përzemërt – duke përfshirë prekjen – rriten gjatë përvojave të shqetësimit.

Psikologja biologjike Karen Grewen dhe kolegët e saj kanë treguar se përqafimi i një partneri romantik redukton shkallën në të cilën situatat stresuese rrisin presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, ndërsa psikologu Sheldon Cohen dhe kolegët e tij zbuluan se përqafimi mbron trupin nga stresi i një ekspozimi viral.

Kjo është situata e jonë normale tani

Ekspertja vendase e shëndetit mendor Dr. Jennifer Peltzer Jones nga Shërbimet e Sjelljes Emergjente Henry Ford në Detroit sipas Detroit News ofron këshilla për të përmirësuar shëndetin tuaj mendor. “Të gjithë e dinë se të gjithë ndihen të tmerruar,” tha Jones.

“Dua të them, të gjithë e dinë këtë dhe është pothuajse si të ritraumatizosh t’u tregosh njerëzve se sa keq po ndihen njerëzit kundrejt përpjekjes për të ndryshuar rrugën tonë në “Si të bëhemi më të shëndetshëm?”” Jones tha se ajo ka parë shumë njerëz që vuajnë nga një krizë akute të vijnë në dhomën e urgjencës për shkak të një problemi të shëndetit mendor. Diçka që ajo tha që mund të ndihmojë në zhbllokimin e procesit të mendimit negativ është “”mirëmbajtja mendore”.

“Është e lehtë të thuash ‘mos pi duhan’, të gjithë e dimë se është e lehtë të thuash ‘bëhu më shumë ushtrime’. Që në fakt po ushtron shëndetin tuaj mendor dhe mendor mjekësor”, tha Jones. “Por kur themi gjëra të tilla si: “Kini kujdes nga zakonet tuaja të këqija të të menduarit, mos e përulni veten dhe mos jetoni në këtë hapësirë ​​negative; ne jemi si, ‘mirë, unë nuk e bëj këtë’, por ne e bëjmë, ne bëjmë shumë nga kjo. “Të gjithë presin që ne të kthehemi në një lloj normaliteti,” thotë Jones. “Unë mendoj se ne të gjithë kemi filluar të kalojmë atë fazë të ‘kjo është normalja jonë e re tani’. Por është e rëndësishme për ne që të mos parashikojmë se ‘gjithçka do të mbetet e mjerueshme’ sepse nuk ishte e njëjtë me atë që është nëntori 2019. .”

Posi t’i përgjigjemi mungesës së kontaktit të dashur. Jo të gjithë kanë nevojë për të njëjtën sasi prekjeje të dashur, sigurisht, më shumë se të gjithë kanë nevojë për të njëjtën sasi ushqimi ose gjumë. Ashtu si shumë karakteristika, nevoja për prekje ndryshon nga personi në person, sipas studiuesve të komunikimit Laura Guerrero dhe Peter Andersen. Disa njerëz madje janë ato që Andersen i quan “shmangie të prekjes”, që do të thotë se prekja ndërpersonale shpesh është stresuese në vend të kënaqësisë.

Marrja e prekjes mund të jetë e pakëndshme për ata me kushte fizike si artriti reumatoid, ose kushte të shëndetit mendor si çrregullimi i spektrit të autizmit. Njerëzit të cilët janë traumatizuar ose abuzuar seksualisht mund të gjejnë gjithashtu prekje si nxitëse. Vlen gjithashtu të theksohet se jo të gjitha format e prekjes janë njësoj të dobishme. Disa prekje të rastësishme, të tilla si shtrëngimi i duarve, mund të jenë kryesisht beninje, ndërsa prekjet agresive ose abuzive shpesh shkaktojnë dëme afatgjata shëndetësore. Prekjet “ alla italiana” i kushtuan vendin e punës dhe reputacionin ish-guvernatorit të New Yorkut , Andrew Cuomo, që përpiqej t’i justifikonte veprimet e tis me këtë huq të italianëve, e tani rrezikon burgun. Cuomo justifikohej duke thënë “ se puthja dhe përqafimi i njerëzve është ‘mënyra e tij e zakonshme dhe e zakonshme e përshëndetjes’, por kërkonte falje ‘nëse janë ofenduar nga kjo’.

Për ata njerëz që u mungon prekja, megjithatë, hulumtimi sugjeron disa zëvendësues. Ndarja e dashurisë me një kafshë shtëpiake ka përfitime që lehtësojnë stresin. Vetë-masazhi, si i duarve ose i qafës, mund të ketë efekte qetësuese dhe reduktuese të dhimbjes. Edhe përqafimi i një jastëku redukton përvojën e trurit të stresit. Të gjithë këta janë zëvendësues të papërsosur, me siguri, por derisa COVID-19 të jetë një kujtim, ato mund të jenë të dobishme për ata që vuajnë nga uria me prekje. 

Njerëzit që përqafoheshin më shpesh kishin më pak gjasa të ftohen

Në vitin 2014, studiuesit në Universitetin Carnegie Mellon vunë re se të rriturit e shëndetshëm që përqafoheshin më shpesh kishin më pak gjasa të ftoheshin, ndoshta sepse përqafimet e tilla janë një mënyrë për të komunikuar dashurinë dhe njerëzit që ndihen të kujdesshëm kanë më pak gjasa të sëmuren. 

Mungesa e prekjes, përkundrazi, është e dëmshme. Pas kontrollit për faktorë të tillë si varfëria dhe cilësia e kujdesit mjekësor, studimet e foshnjave tregojnë se mungesa e prekjes çon në një gamë të gjerë problemesh zhvillimore, argumenton David J. Linden, profesor i neuroshkencës në Johns Hopkins University.

Studimet duke përdorur skanime PET kanë zbuluar se truri qetësohet në përgjigje të stresit kur mbahet dora e një personi. Efekti është më i madh kur dora që mbahet është ajo e një njeriu të dashur, por gjithsesi funksionon edhe nëse është thjesht një i huaj (Field, 2010).

Hulumtimet sugjerojnë gjithashtu një korrelacion negativ midis prekjes dhe ashpërsisë së simptomave të çrregullimit të personalitetit kufitar (Field, 2010). Kjo sugjeron që efektet e prekjes shtrihen në qarkun tonë bazë nervor. Edhe përgjigja jonë imune duket se rregullohet disi nga prekja, me konstatimin se ata që janë të privuar nga prekja njerëzore kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundjet e sistemit imunitar. Është ironike që gjatë një pandemie shumë ngjitëse ku sistemi ynë imunitar është më i stresuar, ne po privohemi nga diçka (prekja njerëzore) që është kaq thelbësore për funksionin e saj.

Duke pasur parasysh rëndësinë e dukshme të prekjes njerëzore, një pyetje mund të jetë se si ta futni më shumë në jetën tuaj. Edhe për ata që janë me fat që të jetojnë me familje ose njerëz të tjerë me të cilët kemi kontaktuar, sasia e prekjes që marrim është ulur padyshim që para pandemisë.

Hulumtimet tregojnë se një nga mënyrat më efektive për të përfituar nga përfitimet terapeutike të prekjes është masazhi. Masazh terapia është treguar se lehtëson depresionin, rrit vëmendjen dhe përmirëson funksionin imunitar (Lindgren, Jacobsson & Lamas, 2014). Nëse terapia me masazh nuk është gjëja juaj, ndoshta është një manikyr ose pedikyr ose një lloj tjetër trajtimi SPA që përfshin prekjen. Është gjetur gjithashtu se kafshët shtëpiake imitojnë disa nga përfitimet e prekjes njerëzore, për sa kohë që kaloni mjaft kohë duke i përkëdhelur ato (Young et al. 2020).

Megjithëse nevoja për prekje njerëzore është e jashtëzakonshme, është e rëndësishme të theksohet pëlqimi. Vetëm për shkak se keni nevojë të dëshpëruar për kontakt, nuk do të thotë se ndonjë person tjetër është i detyruar t’jua japë atë, dhe as nuk duhet t’i bëhet presion për ta bërë këtë. Ky rregull shtrihet veçanërisht për fëmijët, të cilët po mësojnë rëndësinë e njohjes së sferave të tyre të privatësisë. Kjo mund të mos shkojë mirë me gjyshen dhe gjyshin, por kritika e pëlqimit është një mësim mjaft i rëndësishëm që ia vlen të vihet kufiri.

Se sa pasoja ka lënë përgjatë këtyre viteve, e po vazhdon ta bëjë një gjë të tillë pandemia, e përshkruan edhe shkenca. E kur do të dalim nga kjo katrahurë që e ka kapluar gjithë botën, nuk ka datë e ditë të saktë.  Privimi i prekjes lidhet me rezultate negative shëndetësore si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e sistemit imunitar. Ndaj është kuptimplotë titulli i librit të Michael Frayn “Prekja njerëzore: Pjesa jonë në krijimin e Universit”. 

“Prekja njerëzore: Pjesa jonë në krijimin e Universit”. 

Mes humbjeve të jetës dhe mjeteve të jetesës të shkaktuar nga COVID-19, ka qenë e dhimbshme të kemi qëndruar jashtë mundësive të njëri-tjetrit. Ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë mbetet e pa vaksinuar dhe variantet e reja sjellin pasiguri, ne megjithatë mund të parashikojmë jetën pas pandemisë dhe një normalitet të ri. Ndër mësimet që duhen mësuar, le të heqim ndërgjegjësimin për rolin e prekjes në mirëqenien tonë dhe le të na udhëheqë drejt një të ardhmeje më të lidhur fizikisht. Për fat të mirë, për prekjen, janë këto gjërat e vogla që mund të bëjmë.

Ndërsa rritim ritmin në udhëtimet dhe ngjarjet sociale, ne mund të vlerësojmë vlerën e atij përqafimi me një mik apo të dashur, ose prekjen e rastësishme të një anëtari të familjes që ulet pranë jush në divan. Ndërveprimet si këto janë të lehta për t’u anashkaluar, por shtohen dhe janë në një pjesë thelbësore të jetës. Neglizhimi i tyre dëmton shëndetin tonë. 

Në emër të ardhmes tonë pas pandemisë, le të qëndrojmë në kontakt më të mirë me njëri-tjetrin. 

“ Stay in touch!”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT