• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

KOSOVA DHE SJELLJA JODIPLOMATIKE E JOSEP BORELIT

December 20, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli 

Më 8 dhjetor të vitit në vazhdim, kryeministri i i Kosovës Albin Kurti pati një takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe për Çështje të Sigurisë, njëherazi edhe nënkryetar i Komisionit Evropian Jozep Borel (Josep Borrell, 1947-). Me këtë rast, diplomati evropian me prejardhje spanjolle, përdori një diskurs politik që është në kundërshti me rregullat e diplomacisë të botës demokratike. I tha kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit që ta implementojë marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. 

Diplomati i lartë evropian, spanjolli Borel duhet ta dijë se roli i tij në dialogun e Brukselit nuk është të japë urdhra. Në dialogun e Brukselit midis palëve, Boreli nuk është asgjë më shumë se ndërmjetësues apo lehtësues. Maksimumi që pritet prej tij është të luajë rolin e tertium interveniens dhe jo të shndërrohet në urdhërdhënës apo në punëdhënës.  

*   *   *

Në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, njëfarë marrëveshjeje për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe u arrit më 19 prill të vitit 2013. Kjo farë marrëveshje që përmban 15 pika, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi dhe nga kryeministri i Serbisë, njëkohësisht edhe ministër i Policisë, Ivica Daçiq (1966-). Ivica Daçiqi është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë. 

Sipas marrëveshjes së sipërthënë, me themelimin e Bashkësisë (asociacionit) së komunave me shumicë serbe, shpërbëhen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës. Në Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë do të përfshiheshin komunat: Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Shtërpca, Kllokot-Vërboci (Graçanica), Novobërda, Ranillugu dhe Parteshi. Sipas disa të dhënave, këto komuna përfshijnë një sipërfaqe prej 1.708 km2  dhe një popullsi prej 123.979 banorë.    

*   *   *

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 23 parime të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me fjalë të tjera, janë në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike dhe me përmbajtje legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive.   

*   *   *

Pretendimet e Beogradit janë që Bashkësia e komunave serbe në Kosovë të ketë ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive. Pasi të themelojë një asociacion të këtillë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive, këtë farë asociacioni Beogradi shumë shpejt do ta shndërronte në një entitet serb në Kosovë. 

Pas krijimit të bashkësisë serbe në Kosovë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive dhe pas shndërrimit të tij në entitet serb, do të kishim një shtet brenda shtetit. Do të kishim brenda Kosovës një dodik republikë. Kjo kreaturë fantomike fare nuk do t’i bindej Prishtinës, do të vepronte si njësi apo si shtet i pavarur dhe sakaq do të shfaqte tendenca qendërikëse, me synimin e shkëputjes dhe të bashkëngjitjes Serbisë. 

Rast të ngjashëm kemi në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. Në krye të Republikës Serbe në BH është Millorad Dodiku. Ky njeri është në listën e zezë amerikane, në listën e personave të padëshiruar.  Entiteti serb në BH fare nuk i bindet pushtetit qendror në Sarajevë. Ai sillet si shtet më vete, si shtet i pavarur dhe vazhdimisht shfaq tendenca qendërikëse. Qëllimi i tij është të shkëputet nga BH-ja dhe t’i bashkëngjitet Serbisë. 

Nga sa më sipër del qartë se krijimi i entitetit serb në Kosovë, pashmangshëm shpie në bosnizimin e Kosovës.  

*   *   *

Si është e mundur që Josep Boreli t’i kërkojë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, në një kohë kur Republika Serbe e BH-së synon të shkëputet prej saj dhe ta zhbëjë atë si shtet?! A nuk do të ndodhte e njëjta edhe me Kosovën?! Në emër të kujt flet Josep Boreli? Në emër të Brukselit apo në emër të Madridit?

*   *   *

Është mirë që Beogradi të krijojë tre entitete brenda Serbisë: entitetin shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); entitetin boshnjak apo mysliman në Sanxhak; si dhe entitetin hungarez në Vojvodinë, ku jetojnë 26 minoritete.

Krijimi i bashkësisë serbe në Kosovë është në kundërshti, edhe me planin e Marti Ahtisarit edhe me Kushtetutën e Kosovës. 

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pakicat apo minoritetet e Kosovës, përfshi edhe minoritetin serb, i gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian, i gëzojnë të gjitha të drejtat. Duke qenë se minoritetet e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejta si në asnjë vend tjetër të Unionit, atëherë s’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Përse duhet krijuar një entitet serb në Kosovë?!

Nga sa më sipër rezulton se Beogradit nuk i interesojnë të drejtat e serbëve në Kosovë, por shkëputja e një pjese të territorit të saj. Duket qartë se ndaj Kosovës, Beogradi ka synime territoriale. Kjo është në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve. Kjo bie ndesh me parimet e Unionit për respektimin e lirive dhe e të drejtave të njeriut. Parime themelore të BE-së janë respektimi i vlerave demokratike për minoritetet dhe ndryshimi i kufijve për të krijuar shtete etnikisht të pastra. 

Nuk duhet harruar se BE-ja ka në gjirin e vet edhe shtete antidemokratike. E tillë është Greqia, si një prej shteteve më jodemokratike të Unionit. Greqia mohon ekzistimin e bashkësive etnike historike, siç janë shqiptarët dhe bashkësia sllavofone. Lëre që i mohon, por edhe i shtyp ata, ka ushtruar gjenocid mbi ta, i ka vrarë, i ka dëbuar. Ata që kanë mbetur, ka tentuar t’i asimilojë me metoda më barbare. 

A e ka parasysh Brukseli se Serbia e sotme është Serbi e madhe. E madhe, për arsye se brenda kufijve të saj e mban Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të banuar prej shqiptarëve; Sanxhakun, të banuar prej boshnjakëve (myslimanëve); dhe Vojvodinën, të banuar prej hungarezëve dhe 26 grupeve të tjera etnike? Duhet shtuar se në vitin 1945, me akuzën kolaboracionistë të nazistëve, Beogradi dëboi nga Vojvodina qindra mijë gjermanë.

Serbia, jo vetëm që nuk e lejon krijimin e entitetit shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), por edhe ushtron gjenocid të heshtur mbi shqiptarët e kësaj zone.  

Brukseli e ka gabim që merret me themelimin e Bashkësisë serbe në Kosovë. Në vend që të merret me një punë të këtillë, BE-ja duhet të merret me Serbinë, me këtë Serbi e cila i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, e cila ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). 

BE-ja duhet të merret me Serbinë e cila e ka getoizuar edhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), edhe Sanxhakun të banuar nga boshnjakë (myslimanë), ndërsa Vojvodinën e banuar nga qindra mijë hungarezë dhe ku jetojnë 26 grupe etnike, e shfrytëzon ekonomikisht në mënyrën më barbare.    

Pakica serbe në Kosovë përbën 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të saj. Po qe se për një grusht serbësh do të krijohej në Kosovë një entitet i veçantë, atëherë ç’do të ndodhte me shqiptarët në Maqedoni të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së saj?! Askush në rajon nuk meriton të ketë entitet, siç e meritojnë shqiptarët në Maqedoni.

Po të shkohet me logjikën e krijimit të entiteteve në rajon, atëherë do të duhej të kishin entitetin e vet edhe turqit në Bullgari, edhe hungarezët në Rumani dhe në Sllovaki etj. S’ka shtet në BE që nuk përmban në gjirin e vet grupe etnike, pakica apo minoritete. Atëherë, përse pakica serbe në Kosovë duhet të jetë e privilegjuar?!    

*   *   *

A e ka parasysh faktin BE-ja se Serbia e sotme e Vuçiqit është shteti më destruktiv dhe më destabilizues i Evropës? Serbia e Vuçiqit:

– ka pretendime territoriale ndaj Kosovës; 

– ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë,  

– nuk e njeh ekzistencën e Malit të Zi; 

– synon ta aneksojë Republikën Serbe dhe ta zhbëjë  BH-në nga harta politike dhe gjeografike e rajonit;

– Kisha Ortokse (fashiste) Serbe nuk e njeh ekzistimin e Kishës Ortodokse Maqedonase. 

 Serbia e sotme është konsoliduar në pikëpamje ekonomike, politike dhe ushtarake. Në ekonominë serbe kanë investuar Rusia, Kina, Turqia, Gjermani, Franca, ndonjë shtet arab. Serbia është furnizuar me armë nga Rusia. Lloje të caktuara armësh Serbia ka marrë edhe nga Kina dhe nga Franca. S’ka dyshim se sasi të caktuara armatimesh i prodhon edhe vetë. 

Është për t’u habitur sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi e mbështesin një Serbi që militarizohet dhe që nxit edhe militarizimin e tërë rajonit të varfër?! 

Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi, e mbështesin një Serbi që e sjell në rajon Rusinë e Vlladimir Putinit si dhe Kinën, shkelësin më të madh në botë të lirive dhe të të drejtave të njeriut?!

Përse Berlini dhe Parisi e ledhatojnë dhe e përkëdhelin një Serbi e cila është satelite politike historike e Rusisë dhe përçuese e interesit rus në rajon?! Kjo vërtet mbetet e paqartë. 

Në vend që Serbisë t’i vihen sanksione dhe embargo, ajo favorizohet. 

*   *   *

Filozofia politike e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel bazohej në baraspeshimin e kundërthënieve dhe të interesave të palëve në konflikt. Kjo filozofi politike e Merkelit drejtpërsëdrejti shkonte në favor të Serbisë. Kjo politikë e Merkelit nënkuptonte arritjen e njëfarë marrëveshjeje midis Prishtinës dhe Beogradit. Filozofia politike e Merkelit e la të hapur “çështjen” e Kosovës. Gjermania ishte lokomotivë e BE-së. Merkel ishte në krye të kësaj lokomotive. Ish-kancelarja Merkel, brenda 16 vjetëve të qëndrimit të saj në krye të Gjermanisë nuk ia doli ta mbyllë “çështjen” e Kosovës.

Nuk duhet harruar se ish-kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron e vizituan Beogradin, por jo edhe Prishtinën. Kjo është për të ardhur keq.  

S’mund të ketë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. S’mund të ketë kompromis midis tyre. E vetmja marrëveshje midis tyre është që Serbia:

– të njohë pavarësinë e Kosovës; 

– të njohë sovranitetin dhe tërësinë e tokave të saj; dhe 

– të respektojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). 

*   *   *

Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi nuk e çmojnë dhe nuk e vlerësojnë sa duhet politikën paqësore, stabilizuese dhe konstruktive të Kosovës në rajon. Është për të ardhur keq sesi BE-ja nuk e çmon dhe nuk e vlerëson sa duhet orientimin dhe përcaktimin properëndimor të shqiptarëve në rajon.      

*   *   *

Nuk mund të flitet për dialog midis Prishtinës dhe Beogradit në një kohë kur kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq flet me gjuhën e forcës, ndjek politikën e forcës dhe kanoset me forcë. Nuk mund të flitet për dialog midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Serbia sjellë pranë kufirit të Kosovës forca ushtarake, të shoqëruara nga ambasadori i Rusisë. 

Nuk mund të ketë dialog midis palëve të sipërthëna kur si ndërmjetësues apo si lehtësues figurojnë dy figura që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Josep Boreli vjen nga Spanja, ndërsa Mirosllav Lajçaku vjen nga Sllovakia. 

Në dialogun e Brukselit midis Prishtinë dhe Beogradit, në mënyrë të tërthortë merr pjesë edhe Moska. Deri më sot, Vuçiqi dhe Putini janë takuar 19 herë. Lidhur me “çështjen” e Kosovës, Serbia është shndërruar në peng të Rusisë. Vuçiqi nuk është veçse peng i Putinit. “Çështjen” e Kosovës, Beogradi synon ta paraqesë si problem gjeopolitik midis Rusisë, në një anë dhe ShBA-së, në anën tjetër. Është për të ardhur keq sesi një Rusi e madhe 200 vjet punon kundër interesave jetikë të një populli të vogël që s’i ka borxh askujt, siç janë shqiptarët.       

S’ka përse të vazhdojë dialogu midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Vuçiqi deklaron se Serbia kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ai shton njëherazi se Rusia e sotme e Vlladimir Putinit nuk qenkësh ajo e vitit 1999, kur ShBA-ja ndërhyri ushtarakisht kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe kundër caqeve ushtarake në Serbi. 

*   *   *

Nga sa më sipër rezulton se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta mbyllë çështjen e rrumbullakimit të pavarësisë së Kosovës. E vetmja forcë që i del zot Kosovës është Amerika.  

   Në vend të dialogut, Kosova duhet ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime kundër Njerëzimit, për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë historisë politike të kohës më të re,  d.m.th. në periudhën e viteve 1877/78 e deri në vitin 1999. Në vend që të marrë pjesë në dialogun e Brukselit, kryetari i Serbisë, Vuçiqi duhet të ulet në bankën e të fajësuarve në Hagë dhe të përgjigjet për krime lufte. Në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ai ishte ministër. Sot ai, politikën e zjarrvënësit të Ballkanit e vazhdon me përpikëri. 

*   *   *

Shqiptarët sot nuk e kanë mbështetjen e perëndimorëve, siç kanë pasur në vitet ’90 të shekullit XX. Nuk u bë lufta dhe nuk u çlirua Kosova nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga ShBA-ja që një kastë politikanësh dhe pushtetarësh të pasurohen brenda natës. Inteligjencia shqiptare duhet të jetë në krye të përgjegjësisë historike dhe jo të mbrojë interesat meskinë. Është një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste. Madje edhe poltroniste. Është një inteligjencie, e shndërruar në instrument të politikës dhe të pushtetit. Kjo tregon se në botën shqiptare s’ka hapësirë demokratike, s’ka mendim kritik, s’ka kritikë politike, as kritikë sociale. Atëherë, ku është dallimi midis inteligjencies së kohës së monizmit dhe kësaj të kohës së pluralizmit dhe demokracisë parlamentare?! 

Ku ishin akademitë e shkencave të të dy shteteve shqiptare në kohën kur zhvillohej dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e të ashtuquajturës bashkësi serbe?!

Shqiptarët duhet t’i kthejnë sytë kah Uashingtoni dhe jo të merren me punë bravash. Pavarësia e Kosovës dhe mbrojtja e saj është interes mbi interesa për çdo shqiptar në gadishull dhe në rruzullin tokësor.  

Prof. Xhelal Zejneli     

Filed Under: Analiza

ZGJEDHJET PËR KRYETARIN E VATRËS DO TË ZHVILLOHEN MË 26 SHKURT 2022

December 20, 2021 by s p

Dielli

Komisioni Përgatitor për Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA shpalli të hapur zyrtarisht fushatën për Kryetar të Vatrës dhe caktoi datën 26 Shkurt 2022 si datë në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për kryetarin e Vatrës dhe organet drejtuese të Federatës Vatra. Komisioni Përgatitor Zgjedhor me përbërje:  Besim Malota -Kryesues, Armin Zotaj- Anëtar, Bashkim Musabelliu- Anëtar, Elton Mara – anëtar, Mondi Rakaj – Anëtar, caktoi datën 20 Janar 2022 si datën e fundit në të cilën Komisioni Përgatitor Zgjedhor do të pranojë kandidaturat dhe platformat e kandidatëve për Kryetar të Federatës Vatra. Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor do të zhvillohet në New York. Zgjedhjet mbahen konform Kanunores në fuqi të Vatrës që daton që nga viti 1926. Të gjitha vendimet e Komisionit Përgatitor Zgjedhor do të botohen në gazetën Dielli në Print dhe në platformën Online të gazetës Dielli.

Filed Under: Featured

Libri “Trafikanti”, midis dashurisë dhe moralit

December 19, 2021 by s p

Dr. Eugent Kllapi


Tashmë ka dalë dhe libri i fundit i autores Mirela Kanini. Libri Trafikanti lind nga një mendim i thellë i shkrimtares që në qendër të të vërtetës së tij ka dramën më të lashtë njerëzore. Dramën e femrës për dashurinë. Ndryshe nga librat kryekëput romacierë ky është një trill që nxjer në pah dy antagonizma jetësh midis kontekstesh historike, atë të varfërisë dhe të pasurisë. Pas librit ‘’Mëkatet e zonjës Ema’’, ‘’Klienti’’, ‘’Mëkatet e Mellonëve’’, libri ‘’Trafikanti’’ është libri më i plotë i librave të saj dhe më i rafinuar. Vjen me një gjuhë të thjeshtë dhe elokuente, karakteristikë kjo e autores në stilin e saj, sa përpihet lehtë kudo që të jesh, në zyrë, në shtëpi, në plazh, në ballkon, në natyrë. Nuk të vret dhe nuk të lodh me sofistikime, shket fjala në fjalë nga veta e parë në vetën e tretë deri në fund të librit.Libri është ideuar në mozaikë ngjarjesh të ndërthurura midis personazhe që shtyjnë e tërheqin njëri-tjetrin për t’i dhënë atij harmoninë e plotë midis aktuales dhe të kaluarës.Ai lundron midis ujërave të përziera të qenies, dashurisë, mëkatit, shpresës dhe ankthit, frikës, sa konfuzitetit e qasjes së egoizmit që mund të shpallin qeniet njerëzore në realitetin e tyre. Ky egoizëm që vret më shumë se vetë fjala në jetën e përditshme. Në qendër të marrëdhënieve njerëzore vihet ndërgjegja, morali, antimorali, morali brenda antimoralit, dhe të vërtetat që në fakt janë të gënjeshtërta, iluzionet sa deluzionet që shtiren si drejtësi. Ai vjen si kumt më shumë për të zbritur tek realja e shoqërisë dhe te konkretja njerëzore, te ligjorja ku këto elementë të bashkëveprimit njerëzor me anë të besimit dalin në pah në një trekëndësh ku në qendër është një femër e quajtur Mia dhe në kontraditat sa të fatit dhe të sistemit shoqëror. Sepse ndërgjegja luan si shtriga herë nga ligjorja e herë nga ndjesorja që shpërfill ligjin, sa logjika që hedh poshtë moralin dhe të drejtën. Mëkati e vret ndërgjegjen sic vret pasioni për dashurinë arsyen. A nuk e kemi thyer gjithmonë këtë moral në shekuj dhe paradoksalisht sa e kundërshtojmë a nuk kthehemi përsëri tek ai?Mia, personazhi kryesor është një vajzë mbi 30 vjeçe, e bukur sa një botë me një paragraf, e ëmbël në tërë sagat e saj të thjeshta të jetës, sensuale deri në fund të romanit, e dashur për njerëzit e vuajtur dhe emigrante, e përvuajtur për dashuri të vërtetë, njeri që nuk mban dot urrejtje, avokate në profesionin e saj. Ajo merret me emigrantët dhe është një shqiptare që ka dalë nga gjiri i këtij emigracioni. Ajo është sa e drejtpërdrejtë dhe konfuze për të njohur të dashurin e jetës, për të njohur ndjenjat dhe feminitetin e saj, për të shprehur ëmbëlsinë e saj. Paksa naive dhe ironike në mendimet me veten në këndvështrimin e autores ajo del në dritë si një vajzë plot energji, e dashur sa e çmendur për atë fluturën në stomak që tërbon një botë të tërë në ndjenja të pashtershme. Drita e syve dhe preokupimi i familjes shqiptare me prindërit e saj. Ditët e saj rrjedhin të qeta ku e jashtëzakonshmja dhe më e vështira del në pah në fund të librit. Dinamika e ditëve që zhvillohet në Amerikë sa në Europë, Në Ballkan sa në Shqipëri shprehet vetëm me një fjalë sa e gjithë jeta, dashuria. Kjo fjalë që rrethrrotullon globin në 365 ditë të saj. Ajo është e re në profesionin e saj por e etur për të ditur më shumë rreth enigmave. Një amerikane me origjinë shqiptare.Mia, personazhi kryesor i këtij trilli endet konfuze midis të kundërtave, të ndryshmes dhe reales.Nga një anë ka një të fejuar të quajtur Ethan, që vuan nga vogëlsia triumfatore e egoizmit të tij në dashuri dhe karrierë, një ekonomist në një korporatë farmaceutike që ‘’vret dhe babanë e vet’’ për triumf, ku nëpërmjet mirësisë sipërfaqësore të tij shfaqet e keqja e madhe që fsheh. Ai nuk do t’ia dijë për njerëzimin pa suksesin personal të tij që njerëzimi ta njohë atë, as për Mian, madje as për vete Bosin e tij në qoftë se do ishte e mundur pavarësisht se duket normal me gjithë ndjenjat njerëzore. Nën dashurinë e tij për Mian koha dhe libri e tregon se ajo nuk ishte dashuri për të. Ai përveçse karrierist dhe oportunist është dhe tradhtar ndaj Mias që vonë e kupton këtë dhe marrëdhënia merr fund por jo vetëm nga ky shkak. Tradhëtia e tij çimenton narcizmin që shfryhet diku në disa paragrafë të librit. Ai është tipik i një mashkulli moskokëçarës sa materialist për gjithçka po pa pasur ndjenjë deri në oportunizëm pafre. Një e keqe e madhe që fshieht nga një mirësi e vogël. Ndjenja e një njeriu automat për pushtet është vetëm paraja dhe e kthen atë në një egocentrist.Në anën tjetër të medaljes së marrëdhënieve me Mian është një person i huaj sa enigamtik i quajtur Alen. Shqiptar me nënshtetësi holandeze që do të bëhet amerikan. Dhe këtu të kundërtat bashkohen. Ai bëhet klient i Mias. Ky njeri që jeta e ka përballur me shumë sfida të shprehura aq bukur nga autorja është detyruar të bëhet i keq në shpirtin e tij qelibar për të shpresuar për t’u kthyer te e mira, paçka se ka të keqen brenda. Por ai ka një armë, rrëmben ndjenjat e Mias në shumë mënyra, e çarmatos dhe e bën për vete po në shumë mënyra që autorja e shpreh në karakterin e tij. Edhe ky njeri e kupton se paraja është mbi shumëçka, po mbi gjithçka është dashuria që ai nuk e ka gjetur dot. Midis vuajtjeve familjare për të jetuar bëhet padashur një kriminel për ligjin, me atë ligësinë që i është mbarsur si pullë dogane. Dhe nga pas e ndjek e liga si një e keqe e përdale. E mira dhe e keqja luajnë me të si Dreqi me të bir dhe ai herë hedh këmbën nga e mira kapet pas moralit dhe herë nga e keqja, herë përzihet me normat dhe fatin e hidhur për të drejtën dhe herë me mëkatin që justifikohet si i drejtë. Të dyja anët e peshores lundrojnë në jetën e tij. I zgjuar dhe pragmatik duke u përshtatur në çdo situatë si padashur njeh të kundërtën e vet, avokaten Mia që merret me çështjet e emigrantëve për nënshtetësi. Dhe këtu sikur romani ‘’Trafikanti’’ fillon nga e para. Një e keqe e madhe që fsheh një mirësi akoma më të madhe. Sa më tepër ai fsheh e do të harrojë të keqen aq më shumë i shtohet humanizmi për njeriun, veten, Mian, dashurinë.Rreth e rrotull Mias, Ethanit dhe Alenit janë personazhë dytësorë si prindërit e Mias, prindërit e Alenit, bashkëpunëtorit e Alenit, ndonjë shoqe rastësore e Mias a të Alenit dhe Ethanit që formojnë atë mozaikun e plotë e të këndshëm të romanit, supriza, çaste emocionale të shumta që lundrojnë në oqean, kontekste shqiptare të cilët autorja i shpreh me mjeshtëri, sensualitet, dashuri sa trishtim, shumë trishtim sa dhe gëzime e kënaqësi deri në tehun e erotizmit. Pleksen të gjitha bashkë në një e bëjnë atë të tërën, jetën, nën mjeshtërinë e penës së thjeshtë të autores që duket sikur autorët klasikë futën edhe ata brenda e shprehen.Ky roman shpreh më së miri luftën midis së vërtetës dhe gënjeshtërtës në sytë e një femre, në sytë e një mashkulli, në verbërinë e dashurisë, në pasionin e verbër sa verbërinë për të qenë i dashuruar pa e arritur atë. Një verbëri harbute për pasuri e pushtet, verbëri për mirësi. Mendimin se e mira e ka diçka të keqe që po ta zgjosh duket si përbindësh dhe e keqja përbindësh e ka një të mirë të madhe që lëngon në një cep të saj, ajo po të zgjohet jep gjithçka. Varet çfarë duam ne në jetët tona.‘’E mira dhe e keqja janë si motër e vëlla’’, ato janë të pandalshme sa e drejta për të pasur dhe për të qenë bëhet padrejtësi. Shumë shpejt autorja i përmbus këto situata dhe nxjerr në pah të dyja këto të ndryshme dhe të kundërta bashkë, ajo i trazon dhe situatat rrjedhin nga njëra tek tjetra.Mjeshtëria e saj të mban të mbërthyer edhe në fundin e romanit.Gjithçka që duket si asgjë në raportin midis Mias dhe të fejuarit të saj Ethanit, dhe një asgjë që vjen si vrull e e mbështjell Mian në shumëçka për t’u bërë në fund gjithçka, pra një marrëdhënie të ëmbël dhe emocionale, shpirtërore midis Mias së çmendur për të njohur vetveten dhe tjetrin që quhet Alen, dhe Alenit që jep gjithçka për Mian, qoftë dhe jetën e tij.Është një libër i thjeshtë dhe i dashur që të mbërthen me supriza në lexim. Gjëra të vogla që plotësojnë atë mozaikun e të bukurës e cila quhet jetë. Jetë që ka të mirat dhe të këqiat e saj.Mos e humbisni, lexojeni!

Filed Under: LETERSI

“Grimca” nga Tirana e sotme…

December 19, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu


Vite me pare, kam patur fatin te bashkepunoj ne nje projekt per “Llogarite Kombetare te Shendetesise” te financuar nga Banka Boterore me Prof. Marcus Schneider. Gjermani nga Augsburgu eshte nje figure e njohur ne Gjermani dhe ne Evrope, por shume i thjeshte dhe shume i sjellshem…Vinte ne Shqiperi per here te pare. Perpara ketij projekti kishte punuar ne Yerevan, kryeqytetin e Armenise. E pyeta lidhur me diferencat midis Tiranes dhe Yerevanit…”Padyshim, Tirana duket me dinamike dhe me e pasur. Shqiptaret vishen me mire dhe jane me te qeshur…Makinat me te mira se ne Perendim…Restorantet dhe kafenete jane si ne Rome apo Paris… Por ne Yerevan kur hapeshin grilat e vjetra prej druri te dritareve te shtepive qe kishin vite pa vene dore…degjoja tinguj te mrekullueshem te pianos…”Me beri shume pershtypje por edhe me “ngacmoi” ky rrefim i sinqerte i prof. Schneider.Prej me se dy vitesh zyrat e Ministrise se Shendetesise jane zhvendosur ne rrugen e Kavajes, perballe nderteses se ish Lidhjes Shkrimtareve. Per te shkuar ne pune dy here ne dite (vajtje-ardhje) kaloj nepermjet rruges Hajdar Hidi. Kjo rruge eshte e njohur ne Tirane se ne nje shtepi perdhese te saj kane jetuar per nje kohe te gjate nena dhe motra e Nene Terezes, nobelistes shqiptare me fame boterore.Rreth 20m larg kesaj shtepie, ne nje ambient shume modest, cdo dite rruges per ne pune, fix ne oren 8 te mengjesit, degjoj copeza te mrekullueshem te repertorit pianistik, te interpretuar nga femije te talentuar ose me deshire per te mesuar piano, nen drejtimin e nje pianisteje te njohur shqiptare. Prinderit presin femijet pas deres…por per ta eshte nje pritje e lumtur kur degjojne qe tingujt dalin nga loja e gishterinjve te femijeve te tyre mbi tastieren e pianos…Jane femije dhe prinder nga familje modeste, por me nje dashuri te madhe per muziken dhe pianon.Kam filluar te mbaj shenim cdo dite per muziken qe shijoj pak caste cdo mengjes.Dje ishte muzike nga List, sot ishte Shopen… neser ndoshta Bach, Beethoven, Mozart, Cajkovski ..Kur te degjoj ndonje dite Khachaturian do e regjistroj dhe do ja dergoj prof. Schneider per ti thene me kenaqesi qe Khachaturian luhet jo vetem ne Yerevan por edhe nga femijet ne nje rrugice te thjeshte ne Tirane…

Filed Under: ESSE

ZOTËRIMI (ANAGRAFIK) NË KUTITË E VOTIMIT

December 19, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI – “Corriere della Sera”, 10 nëndor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Për vizitën në Itali, në 2019, një nga të fundmet e tij jashtë Shtetit, Xi Jinping ka udhëtuar me krevatin e tij vetiak pas. Udhëheqësi kinez e ka bërë të ngarkohet në aeroplanin e Shtetit në Pekin dhe ka urdhëruar që të vendosej në selinë e tij romane. Nuk ka përcaktim më të mirë për një autokrat: një që vjen vërdallë nëpër botë me shtratin e tij. Mirë, por çfarë përcakton demokracitë? Cila është veçoria e përbashkët e dhjetra Vëndeve që dje Shtëpia e Bardhë ka mbledhur (në mënyrë virtuale) për të parin “Summit for Democracy”? Është e vërtetë se jo të gjithë të ftuarit e djeshëm kanë besueshmëri të paqortueshme.

Në listë shfaqen regjime autoritare si Serbia, Pakistani, Malajzia apo Angola dhe sisteme që jetojnë një shmangie të demokracisë liberale si Polonia, Hindia, Brazili apo Tunizia. Por nëse ka një vështrim që bashkon demokracitë më të vërteta , ato me pikëzimin më të lartë në shkallëzimin e think tank Freedom House, ka të bëjë me moshën mesatare të popullsive. Kombet më të lira janë edhe ata më të moshuarit e Tokës (me pëjashtim të të vegjëlve e të rinjve Kosta Rika dhe Uruguai). Është e mundëshme të jetë kështu, edhe sepse demokracia ndihmon një mirëqënie në të cilën pritmëria e jetës rritet dhe planifikimi familiar është më i kollajshëm. Por ka një pasojë të papritur sepse më të moshuarit tashmë zotërojnë në kutitë e votimit.

Në Gjermani, në vitin 1987, një e katërta e zgjedhësve ishin më pak se 30 vjeç dhe një e katërta tjetër më shumë se 60. Në votimet e fundit ndërkaq, të parët ishin ulur në 14 % dhe të dytët ishin rritur në 38 %. Në Itali  të dhënat janë të njëjta dhe në të dy Vëndet më shumë se gjysma e votuesve i kalon të pesëdhjetat. Në t’ardhmen kjo prirje nuk mund veçse të shpejtohet: të moshuarit do të stërfitojnë në votimet me urtësinë e tyre, por edhe me kundërshtinë e tyre më të madhe kundrejt së resë e vështrimeve të kohëve të gjata. Ja një temë për t’u rrahur në “Summit for Democracy”. Si të përballohet? Qeveria e re gjermane don të ulë moshën e votës në 16 vjet. Jo të gjithë do të jenë në një mëndje, por së paku Berlini e ka shtruar problemin. Të gjithëve.

“Corriere della Sera”, 10 nëndor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT