• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake

December 7, 2021 by s p

Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake

Doktor Dritan Demiraj, Dega e Vatrës Michigan.

Ish Ministër i Brendshëm në RSH.

Me dashamirësi dëshiroj të theksoj se pavarësisht universit të madh informativ dhe forumeve multietnike të informimit, libri në versionin e printuar është pasuri e pazëvendësueshme.Në kohën e sotme imponimi i informacionit nëpërmjet videove dhe grafikave intensive, duket sikur i ka zbehur vlerat e librit, por në të vërtetë përdorimi i librit si burim informacioni, shkollimi, diturie është dhe mbetet fundamental. Personalisht jam i dashuruar me formation e librit në versionin e printuar. Asgjë nuk mund të zëvendësojë atë në bibliotekën modeste personale të shtëpisë time, në të cilën shtohen çdo ditë librat e botuar në SHBA, të cilët analizojnë gjeopolitikën, gjeostrategjinë, terrorizmin & kundërterrorizmin, sigurinë, mbrojtjen, marëdhëniet ndërkombëtare dhe shkencat politike. Me këtë rast, kam kënaqësinë tu njoftoj se në fondin e shumë librave, shtohet edhe një libër tjetër i botuar nga unë, “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake”. Mendoj se çdo profesionist është i obliguar të shkruajë dhe të publikojë artikuj, shkrime, analiza, esse, libra, etj për tu ardhur në ndihmë dhe për të transmetuar tek të rinjtë e apasionuar njohuritë, eksperiencën dhe analizën e tij. Edhe ky libër i ri, botohet si pjesë e kolanës së librave që kam përgatitur për lexuesin e zakonshëm por edhe për profesionistët e fushës së sigurisë, një libër që nuk ka qënë pjesë e bibliotekave dhe institucioneve studimore në Shqipëri dhe jo vetëm. Në librin me 623 faqe “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake” analizohen të gjitha elementët që kanë lidhje me historikun e krijimit, strukturën organizative, ideologjinë dhe lidershipin e Hezbollahut. Më pas bëhet një analizë e pjesmarrjes së Hezbollahut gjatë pushtimit të Libanit nga Izraeli në vitin 1982, konfliktet në vazhdim midis njëri tjetrit dhe përplasjet kundër interesave amerikane në Liban dhe në rajon. Në kapitujt në vazhdim analizohet konflikti i Hezbollahut me Izraelin në vitin 2006, në vitin 2008 e deri në ditët e sotme. Më pas analizohet në detaje përfshirja e Hezbollahut në konfliktin në Irak në vitin 2005-2009, në Siri në vitin 2012-2017, në Irak përsëri në vitin 2014 deri në shkatërrimin e ISIS-it në vitin 2017, përfshirja e Hezbollahut në operacionet luftarake jashtë Libanit, përfshirja e tij në vitin 2015 në konfliktin në Jemen në ndihmë të forcave rebele Houthi, etj. Më pas analizohet si në asnjë libër, struktura ushtarake e Hezbollahut deri në nivelin e kompanisë, kapacitetet e tij të forcave tokësore, forcat ajrore, njësitë e zhytjes së luftimit, njësitë tankiste dhe të blinduara, arsenali me më shumë se 155.000 raketa, njësitë e dronëve të zbulimit dhe të sulmit, etj. Në kapitullin pasardhës, analizohet struktura dhe operacionet e njësive të fshehta të Hezbollahut, Njësisë 1800 dhe Njësisë 3800, aparatit të tij sekret të sigurisë së brendshme (ESO), operacionet e tij të fshehta nga viti 1990-2021, bashkëpunimi me Ministrinë Iraniane MOIS, me forcat elitë Quds të IRGC-së, shërbimet e inteligjencës së Sirisë, me grupet palestineze Hamas dhe Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Në kapitujt në vazhdim analizohet mbështetja financiare, logjistike, struktura e mediave, operacionale dhe luftarake. Më pas bëhet një analizë për operacionet ushtarake të Hezbollahut në Izrael, Irak, Siri, Jemen, Jordani, Kuvajt, Arabinë Saudite, Turqi, SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Egjipt, Libi, Argjentinë, Brazil, Uruguaj, Tajlandë, etj. Forcat e armatosura të Hezbullahut përbëhen nga jo më pak se 70.000 trupa duke përfshirë këtu edhe forcat rezerviste. Në strukturën e tij ushtarake bëjnë pjesë ndër të tjera: Brigada “Nasr” e cila është rezervë strategjike e Sheikut Hasan Nasrallah, Brigada “Badr”, Brigada “Xhelil”, Brigada “Haidar”, Brigada “al-Kamit”, Brigada “Aziz”, Brigada “al-Quds”, Brigada “Islambulës”, Njësia speciale “Ridvan”, etj. Për mua edhe ky libër më ka shërbyer si nxitje për të vazhduar punën akademike, kërkimore, shkencore në çështjet e sigurisë, terrorizmit, mbrojtjes, marëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, me synimin për t’u bërë pjesë e ambicies bashkëkohore, për të trajtuar edhe më në “thellësi dhe gjerësi” çështjet e sigurisë në nivel rajonal dhe strategjik, por në të njëjtën kohë edhe për të analizuar në veçanti të gjithë rreziqet dhe kërcënimet për vendin tonë dhe aleatët tanë në mbarë globin.

Filed Under: Opinion

Tirana kryeqytet

December 6, 2021 by s p

Mehdi Frashëri

Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021

Para një viti, po ndiqja një emision televiziv, ku shoku im, zoti Bedri Alimehmeti, shpjegonte si u bë Tirana kryeqytet. Aty mora vesh për ndikimin e madh që pat ish mbreti Zog i Parë që arriti t’ua mbushte mendjen krerëve të parisë së qytetit duke u premtuar shumë të mira, gjë që u bënë vërtet. 

Tani sapo lexova ca shënime të njërit nga politikanët e shquar të viteve 20, Mehdi Frashërit, pikërisht për këtë temë. Më intereson edhe mua pasi i kam kaluar 75 vjet jetë në këtë qytet bujar dhe mikpritës. Familja e nënës sime ka gjetur strehë aty që nga viti 1924.

Në këtë libërth Mehdi Frashëri zbërthen arsyet përse u zgjodh Tirana kryeqytet, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës. Ndër të tjera ai vë në dukje jo vetëm pozitën e këtij qyteti, atëhere më i vogël se Elbasani, në mes të Shqipërisë Londineze, me qasje komunikimi tokësor me të gjitha krahinat e tjera, më pak i arritshëm nga sulmet e mundëshme nga jashtë, banuar nga një popull patriot që e kish treguar me vepra dashurinë e madhe për atdheun, si në rrethimin e Shkodrës, në  shuarjen e “kryengritjes së Mirditës” dhe përballjen me sulmet serbe në lindje, një popull më pak i ndikuar nga propaganda e fqinjëve armiqësore të veriut dhe jugut të Shqipërisë dhe me pasuri natyrore.

 Atëhere mëtonin për kryeqytet edhe qytete të tjera më të mëdha e më të lashta, si Shkodra, Vlora, Durrësi, Berati, Elbasani. Në shënimet e tij, Mehdi Frashëri argumenton përse këta qytete nuk janë të përshtatshëm për kryeqytet, për pozitën e tyre gjeografike, duke sjellë krahasime me vende si Italia, Gjermania apo Franca. 

Duke u përqendruar te Tirana, autori sqaron mundësitë e shumta që paraqet Tirana në të ardhmen, propozon disa projekte të mëdha zhvillimore për të, që tani, pas gati 100 vitesh, duken tepër largpamëse. Për shembull, rruga hekurudhore elektrike Tiranë- Durrës që do ta bashkonte kryeqytetin me portin më të madh të vendit brenda gjysëm ore dhe në të ardhmen Tirana me Durrësin do ngjanin me Athinën e Pireun; teleferikun në Malin e Dajtit, plantacionet që do mbilleshin në kurorën kodrinore dhe në fusha me ullinj, portokalle dhe bimë të tjera; fuqine elektrike nga ujërat që do ndriçonte qytetin dhe do vinte në punë shumë industri në të; punimet kanalizuese dhe kulluese që do zhduknin pellgjet moçalorë që shkaktonin malarjen dhe sëmundje të tjera, ngritjen e një infrastructure krejt të re për ndërtesat qeveritare dhe komunikacionin brenda qytetit. Të gjitha këto nisën të vihen në jetë shumë shpejt pas viteve 20 duke vërtetuar parashikimet vizionare të këtij politikani të shquar. 

Besoj se edhe shumëkujt do t’i interesonte pse Tirana u caktua kryeqytet, duke lexuar shënimet e Mehdi Frashërit nga të cilat shkëputa vetëm pak fragmente.

E ardhmja e Shkodrës është e lidhur jo me të qënurit kryeqytet, por si vend tregtie dhe industrie. Veprat hidraulike, ndërtimi i udhës së hekurt Shëngjin- Prizren- Danub, krijimi i limanit të Shëngjinit, marrëveshje ekonomike me kushte reciproke me Jugosllavinë, organizimi i punimit të duhanit, të peshkut e sidomos të konservës dhe haviarit, shfrytëzimi i bakrit në rreth të Pukës, përdorimi i fuqisë elektrikë në Bunë e Drin, shfrytëzim i pyjeve dhe punimi i djathnave në malet e saj- gjenisë tregtare të Shkodrës ka me i dhënë një zhvillim të mrekullueshëm dhe ka me pru begati dhe fatbardhësi me rrënjë e ka me qenë Hamburgu ose Milanoja e Shqipërisë së re. Po Vlora?  Një qytet në breg të detit është i destinum për me qenë qendër tregtie dhe zhvillimi detar, por jo kryeqytet. Kryeqyteti i Italisë nuk mund të jetë Gjenova apo Venecia, por Roma në mes të vendit. Ashtu edhe në Francë Parisi dhe jo Marseja, Bordoja apo Dunkerku. Në Gjermani Berlini e jo Hamburgu. Veç të tjerash, kryeqyteti në Vlorë mund të nxise përçarje veri-jug, Toskë- Gegë. (këtë zoti Mehdi e thotë lidhur me kryengritjen famëkeqe të Haxhi Qamilit)

Pse Tirana?

Tirana ka të gjitha mjetet e natyrta të begatisë, të zhvillimit bujqësor, industrial e tregtar, kodrat e bukur pa gur, me një naltësi të vogël, transformohen në vreshta rrushi, fiku e gropat e tyre, që i kanë kthyer krahët muranit, në kopshte portokallesh. Ujrat që e rrethojnë për së afërmi, si Lana e Lumi, Limuthi, Tërkuzi, pak më së largmi Erzeni formojnë landë fuqi elektriku, landa pjellore për me njomë tokat. Pyjet i ka afër, gjithë gropë e Tiranës është karbonifer, thëngjill-mbajtëse.

Një pjesë e malit të Dajtit në verilindje ka një livadh të madh në forme trapezi, me ujra të bulbërta sa me ushqye një qytet të madh, me dru prej ahu, me pamjen e detit, e të gjitha fushave, me erën e kulluar, me klimënë e fortë, po të lidhet me qytetin me një teleferik, prej 8 ose 10 kilometrash. Mbasi të bahet tramvaji i Durrësit do të bahet qyteti verës të Tiranës dhe vend i një senatoriumi.

…Tirana mund të zbukurohet shumë shpejt në se 10 % e buxhetit shpenzohet për këtë qëllim. ( e përmblodha unë- B.S.)

…Ka edhe shumë faktorë të tjerë strategjikë e moralë. Është më e mbrojtur gjeografisht nga sulmet e armiqve dhe populli i pandikuar nga progaganda sllavo-greke. (e përmblodha unë- B.S.)

Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021

Filed Under: Histori

Vatranët mbështetën “Foltoren” e New Jerseyt

December 6, 2021 by s p

Presidenti i Nderit të Vatrës z. Agim Rexhaj, ish-nënkryetari z.Asllan Bushati, anëtarët e kryesisë z.Idriz Lamaj dhe z.Agustin Mirakaj dhe anëtarët e këshillit z.Muhamet Omari, z. Paulin Mrnaçaj, z. Eduard Arianitasi e vatranë të tjerë ishin të pranishëm në “Foltoren” e New Jerseyt në mbështetje të Prof.Dr. Sali Berishës. Z.Rexhaj bëri thirrje për bashkim të Partisë Demokratike dhe theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Doktor Berishës në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe përkrahjen e çështjes së Kosovës në të gjitha Kancelaritë Perëndimore e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Rexhaj u ndal edhe te raportet e shkëlqyera të Doktor Berishës me Amerikën në të kaluarën e tij dhe miqësinë e ngushtë me Doktor Rugovën dhe punën e përbashkët në dobi të çështjes kombëtare. Ish nënkryetari z.Bushati vlerësoi “foltoren” si burim energjish patriotike dhe kërkoi të garantohet vota e diasporës. Në takim Doktor Berisha pasi kërkoi nga diaspora bashkim dhe pjesëmarrje masive për të rrëzuar pushtetin kriminal të Ramës, sqaroi motivin se pse vendosi të rikthehet në politikën aktive duke thënë se: ” Vendosa të kthehem fuqishëm për të mbrojtur Kosovën, interesin kombëtar, interesin publik deri në minutën e fundit të jetës time. Dhe u bëj thirrje, mobilizoni energjitë dhe forcat për të mbrojtur Kosovën nga projektet e serbomadhit Vuçiç dhe veglës së tij Edi Rama në Tiranë” tha ndër të tjera lideri historik i PD. Në përfundimin të takimit Doktor Berisha falënderoi vatranët për mbështetjen dhe ftoi të gjithë shqiptaro-amerikanët që ta mbështesin në betejën për të vërtetën dhe votën e lirë.(Dielli).

Filed Under: Komunitet

Sot, kujtojmë 224-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)

December 6, 2021 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture

GJYSHI DUHANPIRËS DHE SHOKU ANTI-VAX

December 6, 2021 by s p

Dr. Erion Dasho/

Prej dekadash vazhdon lufta kundër duhanpirjes, një prej dëmtuesve më të egër të shëndetit dhe shkaktare e miliona vdekjeve të parandalueshme çdo vit. Fillimisht, nuk ka qënë aspak e lehtë dhe një nga “argumentët” më të njohur ka qënë: – Gjyshi im pinte 2 paketa në ditë dhe jetoi 90 vjeç. Çfarë problemi ka duhani? Këtë argument jemi duke e hasur çdo ditë e më tepër edhe midis anti-Vax-ëve: “Unë, vëllai, shoku, babai, etj. e kaluam vjet COVID-in pa asnjë problem! Unë njoh shumë më tepër njerëz që janë shëruar sesa që kanë vdekur nga COVID-i. Përse duhet të vaksinohemi të gjithë?!” *** Përgjigjja për këta argumentë gjendet midis rreshtave të shkencës së shëndetit publik dhe të numrave të mëdhenj. Gjithsecili prej nesh nëse sheh vetëm mjedisin e vet, e ka shumë të lehtë të nxjerrë përfundime të gabuara. Gjyshi duhanpirës mund të ketë qëlluar bartës i të quajturave “gjene të përjetësisë” të cilat u mundësojnë mushkërive të pastrojnë blozën dhe katranin e duhanit. Por nëse arrijmë të “shohim” një milion gjyshë duhanpirës dhe një milion jo-duhanpirës, do të kuptojmë se pothuajse vetëm duhanpirësit vdesin nga kanceri i mushkërive dhe laringut. Apo se duhanpirësit sëmuren disa herë më shumë nga sëmundjet e zemrës, vrasëset kryesore të shekullit tonë. E njëjta gjë ndodh me COVID-in. 80% e personave e përjetojnë COVID-in si një virozë të zakonshme dhe 15% si një “grip të keq”. 5% rrezikon spitalin dhe rreth 1% rrezikon jetën. Problemi është se asnjë metodë që kemi sot në dispozicion nuk arrin dot të parashikojë nëse një person është pjesë e 99%-it, apo e 1%-it. Kur e sheh në nivel individi, 1% duket i papërfillshëm, por në nivel globi flasim për 80 milion njerëz! Në Shqipëri flasim për 30,000 njerëz. Të cilët do të vdesin nëse COVID-i lihet të qarkullojë i lirë. Institucionet që mbrojnë shëndetin publik, nuk paguhen vetëm për të mbrojtur 2 milion e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë shqiptarët që janë gjenetikisht të aftë ta përballojnë COVID-in, por edhe ata 30,000 që nuk janë. Sot, konsensusi mbarëbotëror për të mbrojtur jetën e 1%-shit që rrezikohet nga COVID-i është vaksinimi. Nesër sigurisht do të ketë metoda të tjera. *** Përparimet që bëhen çdo ditë në fushën e mjeksisë së personalizuar do të sjellin momentin kur me një analizë gjenetike dhe duke shfrytëzuar algoritmet e inteligjencës artificiale do të përcaktohet me siguri të lartë se cilët persona rrezikojnë më shumë dhe cilët më pak në raport me sëmundje të caktuara, përfshi edhe ato të tipit të COVID-it. Por kjo është pjesë e së ardhmes.Sot për sot, kemi vetëm vaksinën që mbron prej COVID-it. Ta shfrytëzojmë…

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT