Presidenti i Nderit të Vatrës z. Agim Rexhaj, ish-nënkryetari z.Asllan Bushati, anëtarët e kryesisë z.Idriz Lamaj dhe z.Agustin Mirakaj dhe anëtarët e këshillit z.Muhamet Omari, z. Paulin Mrnaçaj, z. Eduard Arianitasi e vatranë të tjerë ishin të pranishëm në “Foltoren” e New Jerseyt në mbështetje të Prof.Dr. Sali Berishës. Z.Rexhaj bëri thirrje për bashkim të Partisë Demokratike dhe theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Doktor Berishës në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe përkrahjen e çështjes së Kosovës në të gjitha Kancelaritë Perëndimore e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Rexhaj u ndal edhe te raportet e shkëlqyera të Doktor Berishës me Amerikën në të kaluarën e tij dhe miqësinë e ngushtë me Doktor Rugovën dhe punën e përbashkët në dobi të çështjes kombëtare. Ish nënkryetari z.Bushati vlerësoi “foltoren” si burim energjish patriotike dhe kërkoi të garantohet vota e diasporës. Në takim Doktor Berisha pasi kërkoi nga diaspora bashkim dhe pjesëmarrje masive për të rrëzuar pushtetin kriminal të Ramës, sqaroi motivin se pse vendosi të rikthehet në politikën aktive duke thënë se: ” Vendosa të kthehem fuqishëm për të mbrojtur Kosovën, interesin kombëtar, interesin publik deri në minutën e fundit të jetës time. Dhe u bëj thirrje, mobilizoni energjitë dhe forcat për të mbrojtur Kosovën nga projektet e serbomadhit Vuçiç dhe veglës së tij Edi Rama në Tiranë” tha ndër të tjera lideri historik i PD. Në përfundimin të takimit Doktor Berisha falënderoi vatranët për mbështetjen dhe ftoi të gjithë shqiptaro-amerikanët që ta mbështesin në betejën për të vërtetën dhe votën e lirë.(Dielli).