• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

VISET DHE QYTET SHQIPTARE NË VEPRËN E ROSACCIO-S NGA SHEKULLI XVI

December 3, 2021 by s p

Durresi
Shkodra
Sopoti-Kalaja
Tivari
Ulqini

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies, Budapest

Shtegtimet e udhëtarëve dhe të pelegrinëve nëpër detin Adriatik gjatë mesjetës nuk janë studiuar në masën e duhur deri tani, edhe pse ka mjaft burime të shkruara dhe literaturë të botuar. Territoret e vendit tonë gjenden që herët në hartat e udhëtarëve të ndryshëm. Në inkunabula (librat e shtypur deri në vitin 1500), ato gjenden të gdhendura në gravura bakri, plubi ose druri, si p.sh. në inkunabulën e Ptolemeut, Cosmografia nga viti 1477, për të vazhduar pastaj në inkunabulat e autorëve të tjerë si Giacomo Filippo Foresti de Bergamo (1483), Bartolomeo Sonetti (1485), Bernhard Breidenbach (1486), Francesco Rosseli (1490), Nicola Cusani (1491), Hartman Schedel (1493), Hieronym Münzer (1497), etj.

Për shkak të zhvillimeve të padëshiruara në planin ushtarako-politik dhe ekonomik, në fund të shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI, pas sulmeve dhe pushtimeve turke në Adriatikun lindor Venediku u detyrua të ndryshojë raportet me Levantin. Duke qenë se këto territore ishin me shumë rëndësi për ekonominë dhe politikën venedikase, Republika e Venedikut shtoi interesin për njohjen e tyre në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, dhe në këtë kuadër vendosi të angazhojë intelektualë, hartografë dhe humanistë të njohur vendas e të huaj për përshkrimin dhe eksplorimin e resurseve që gjendeshin në ato territore. Ky interes dha rezultat në botime dhe vepra të ndryshme të shumë autorëve nga fusha të ndryshme, të cilat kishin si objekt edhe bregdetin dhe qytetet shqiptare.

Njëri nga humanistët dhe hartografët e shquar të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, që duke iu përgjigjur ftesës së Republikës së Venedikut bëri një udhëtim eksplorues nga Venediku deri në Konstantinopojë, dhe që përshkroi në mënyrë të detajuar qytetet, kështjellat dhe viset e tjera bregdetare shqiptare, ishte Gioseppe Rosaccio. 

Rezultat i këtij udhëtimi eksplorues është vepra e tij me titull “Viaggio da Venetia, a Costantinopoli per Mare, e per Terra, & insieme qullo di Terra Santa, da Gioseppe Rosaccio con brevita’ descritto. Nel quale, oltre à Settantadui disegni, di Geografia, e Corografia si discorre, quanto in esso Viaggio, si ritoua. Cioe’ Città, Castelli, Porti, Golfi, Isole, Monti, Fiumi, e Mari. Opera vtile, à Mercanti, Marinari, & à Studiosi di gjeografia. In Venetia: Apresso Giacomo Franco. Stampata in Calle dalle Vele Appresso Nioclo Moretti, 1606”, vepër kjo e botuar për herë të parë në vitin 1574, edhe pse edhe sot e kësaj dite ka disa paqartësi dhe hamendje rreth kohës së botimit të kësaj vepre në tërësi dhe të pjesëve të veçanta të saj, përkatësisht gravurave/hartave. 

Sipas kroatit Matković, kjo vepër e Rosaccio-s u shtyp për herë të parë në vitin 1574 në Venedik, në format in foglio, me gravura të gdhendura në bakër, me autor bakërgdhendësin e njohur të asaj kohe Marco Sadeler. Përkundër përpjekjeve tona të shumta, ne nuk kemi arritur të gjejmë këtë botim për ta konsultuar, por në anën tjetër, literatura dhe burimet janë të bollshme rreth kësaj ksomble, kështu që ekzistenca e saj nuk vihet në pyetje. Përveç Matkovićit, për këtë botim shkruajnë edhe autorë eminent si R. Gallo, L. Lago, C. Rossi, A. Kisić, D. Budiša, Z. Despot, etj, duke na dhënë informacione të sakta për ksomblën, por, për fat të keq asnjëri prej tyre nuk shënon vendndodhjen e saktë ose bibliotekën ku ruhet kjo ksombël e rrallë me vlera të veçanta, të cilën ata e kanë konsultuar për studimet e tyre.

Ribotimet e veprës së Rosaccio-s 

Pas botimit të parë, të vitit 1574, kjo vepër pati edhe disa ribotime të tjera, gjë që tregon për interesin e madh që ajo zgjoi dhe për vlerat e rralla të saj. Ribotimi i parë është ai i vitit 1598 (kjo ksombël dhe dy ribotimet e tjera, kanë nga 154 faqe dhe dimensione 29 x 21.4 cm) dhe pasohet nga ribotimet e viteve 1604 dhe 1606 po në Venedik, me gjithçka identike si botimi i 1598, dukë përfshirë këtu tekstin, numërimin e faqeve, botuesin, renditjen e gravurave etj. 

Sipas bibliografëve italianë dhe të tjerë ka të paktën edhe tre botime të ndryshme në fund të shekullit XVI dhe fillim të shekullit XVII, por këto botime pa vit botimi nuk janë komplete dhe kanë mangësi te paraqitja e gravurave. 

Për veprën e Gioseppe Rosaccio-s të cituar më lart gjejmë një informacion edhe në veprën “Albanica I” botim i Bibliotekës Kombëtare Tiranë, Sektori i Albanologjisë, Tiranë, 1998, f. 482-483, nr. 624, me signaturë: BK An III/5 T e cila është vendosur te kategoria e veprave pa vit botimi. Të dhënat e botuara aty janë kryesisht të sakta. Në fakt, aty hamendësohet për vitin e botimit dhe autorin e veprës: “Autori i kësaj vepre, botim i shek. XVI-XVII, mendohet të jetë Xhuzepe Rossaçio/Giuseppe Rossaccio.” Nëse shënimet e mësipërme nga Albanica I, janë të sakta atëherë ksombla që është në BKT është e njëjtë me ksomblën qe ruhet në bibliotekën e Peruggia-s ne signaturën: BAP I L 472, e cila ka të dhënat identike me ato të ksomblës që ruhet në BKT dhe do ishte exemplari i dytë që njihet deri me sot, gjë që e shton edhe më shumë rëndësinë e kësaj vepre që gjendet në fondin e BKT-së.

Roli dhe rëndësia e veprës së Rosaccio-s

Në lidhje me rolin dhe qëllim e veprës, autori i saj Rosaccio shkruan se ajo do të jetë e dobishme në radhë të parë për detarët, tregtarët dhe ata që merren me llogaritjet e largësive gjeografike, njohjen e bregdetit Adriatik dhe gjithçka që ka të bëjë me të. Megjithatë ajo zgjon interes mjaft të madh edhe për të tjerë të interesuar, sepse në të ka të dhëna dhe informacione të vlershme jo vetëm për lundrimin detar, por edhe për ata që janë të interesuar për aspektet politike, ekonomike, kulturore, fetare, klimatike dhe gjeografike të këtyre viseve të bregdetit Adriatik e më tej. Në të gjejmë përshkime të detajuara dhe të hollësishme të porteve, lumenjve, liqeneve, qyteteve, kështjellave, objekteve të kultit (katedraleve, kishave, xhamive), gërmadhave të lashta arkeologjike, rrugëve tokësore, popujve që banonin në ato qytete e vendbanime, zakoneve të tyre, veshjeve, traditës, madje edhe të ushtrive që po sulmojnë, apo që po mbrojnë pika të caktuara strategjike etj. Në anën tjetër, të dhënat gjeografike janë të paçmuara sepse përmbajnë elemente të rëndësishme për orientim përgjatë gjithë bregdetit Adriatik, përshkruhen kushtet atmosferike, veçanërisht erërat e forta, reshjet etj. Po ashtu, Rosaccio përpiqet të jetë i saktë kur shënon largësinë nga njëri port të tjetri, por për një gjë të tillë nuk ka shumë sukses. Sa për ilustrim sjellim largësinë nga Ulqini në Vlorë, që sipas Rosaccio-s është 140 Mila venedikase (1 M ven = 1733.48m), ndërsa në fakt është 94 mila nautike, (1 M = 1852m) që do të thotë se Rosaccio ka gabuar për 37.04 mila nautike më shumë. Po kështu distanca Vlorë-Korfuz, sipas Rosaccio-s është 60 mila venedikase, e në fakt është 71 mila nautike që është rreth 14.84 mila nautike më pak. 

Origjinaliteti i gravurave/hartave në veprën e Rosaccio-s

Gravurat e gdhendura në bakër, të përfshira gjerësisht në këtë botim (gjithsej 74 gravura/harta të cilat janë te numëruara, por jo me renditje progresive) kishin tashmë një traditë të gjatë në botime të tilla apo të ngjashme dhe disa prej atyre që gjenden në ksomblën e Rosaccio-s janë shumë më të hershme nga koha e botimit të veprës, pra janë të punuara para vitit 1574. 

Gravurat e Sadelerit të gdhendura në pllaka bakri që janë shfrytëzuar për botimin të vitit 1574, më pas kalojnë në pronësi të Giacomo Franco-s, i cili disa nga ato gravura (por jo qytetet dhe hartat shqiptare) i shfrytëzon në një botim tjetër, para botimit të Rosaccio-s nga viti 1598. 

Nga botimi i vitit 1598 ne njohim 7 ksombla të cilat ruhen në këto biblioteka: Biblioteca civica – Padova, Biblioteca del Centro di documentazione francescana – Assisi, Biblioteca della Società geografica italiana – Roma, Biblioteca nazionale centrale – Roma, Biblioteca universitaria Alessandrina – Roma, Biblioteca nazionale Marciana – Venezia, Nacionalna Sveučilišna Knjižnica – Zagreb dhe Biblioteca Metropolitanea – Zagreb, në të cilat janë botuar bakërg-dhendjet e gravurave/hartave të qyteteve dhe viseve shqiptare. 

Gravura e hartës në të cilën shënohen disa nga territoret shqiptare, në të gjitha botimet e ksomblës së Rosaccio-s që njohim ne, është vendosur menjëherë pas frontespicit, në faqen recto e cila nuk është e numëruar. Ndërsa gravurat e tjera të qyteteve shqiptare janë të paraqitura në këtë mënyrë: f. 25 Arbëria, përkatësisht Arbëria Venedike, nga gjiri i Kotorrit deri te Durrësi, f. 26 Ulqini, f. 27 Durrësi, f. 28 Shkodra, f. 29 Tivari, f. 30 Vlora, f. 31 kalaja e Sopotit, f. 32 Sopoti dhe kështjella Maragiritino. Ne bëmë renditjen sipas numërimit logjik të faqeve, ndërsa gravurat në ksomblën origjinale kanë një renditje tjetër p.sh. gravura e parë është ajo e qytetit të Tivarit dhe pasohet nga Vlora, Kalaja e Sopotit, Sopoti dhe kështjella Maragiritino, Arbëria, Ulqini, Durrësi dhe Shkodra. 

Në asnjë vend autori nuk shënon arsyen e një paraqitje të tillë të gravurave. Ne mendojmë se kjo paraqitje assesi nuk mund të jetë ndonjë ngatërresë me rastin e lidhjes së ksomblave nga ana e botuesit-libërlidhësit. Të gjitha gravurat janë të shoqëruara me tekst në gjuhën italiane, tekst ky mjaft origjinal dhe i veçantë. Në tekst gjemë të dhëna historike dhe përshkime gjeografike për viset, qytetet, portet, kështjellat, malet, detet, gjiret, ishujt dhe lumenjtë të cilat botohen në këtë ksombël. Megjithatë jo vetëm ne, por edhe studiues të tjerë janë të mendimit se teksti nuk është pjesa më e rëndësishme e veprës së Rosaccios, por gravurat të cilat përmbajnë toponime dhe informacione të tjera të sakta, të cilat mund të përcillen vizualisht, duke lënë mundësinë për të bërë krahasime me botime të ngjashme të mëvonshme nga autorë të tjerë.

Qytetet shqiptare në gravurat/hartat e Rosaccio-s

Tivari:

Qyteti i parë shqiptar që paraqitet në veprën e Gioseppe Rosaccio-s është Tivari, i cili në atë kohë ishte nën sundimin turk. E veçanta e gravurës së Tivarit është se në flamurin, që ndodhet në kështjellën e qytetit është kryqi me shenjën e luanit, që do të thotë, se koha kur është punuar kjo gravurë daton para vitit 1571, përkatësisht para se Tivari të pushtohej nga turqit! Në këtë gravurë, kemi të paraqitur vetëm qytetin e vjetër të Tivarit, i cili është 2 kilometra larg portit detar. Muret rrethuese të qytetit shtrihen në një hapësirë të gjerë, fakt ky se qyteti po zhvillohej. Fillimisht në shekullin XV muret e qytetit kishin një formë trekëndëshi dhe qyteti përfshinte edhe para lagjet e jugut dhe të juglindjes ku ishte kisha e Shën Nikollës. Vërehet qartë se muret rrethuese dhe kullat janë të reja, më të gjëra dhe më të larta se ato të vjetrat për të plotësuar kërkesat që kishte vënë Venediku për fortifikimin e qytetit. Në anën lindore të qytetit është paraqitur një kullë e ulët, e cila mesa duket është pjesë e fortifikimeve të mëhershme. Pjesën qendrore në këtë gravurë e zë një pallat i madh, të cilin e kishin ndërtuar venedikasit në qendrën e vjetër të qytetit, ndërsa në verilindje, na paraqitet kisha e Shën Premtes e cila është me mure rrethuese e kthyer nga lindja. Sipas gravurës së Rosaccio-s, hyrja kryesore në qytet ishte në anën jugore përmes kullës e cila të çonte në rrugën kryesore. Po ashtu jashtë mureve rrethuese të qytetit vërehen disa vendbanime ku në jug dhe në jugperëndim dominojnë katër kisha.

Ulqini:

Qyteti tjetër në vazhdim i paraqitur në gravurë është Ulqini, i cili po ashtu si edhe qyteti i Tivarit kishte rënë nën pushtimin turk në vitin 1571. Element i  veçantë edhe te qyteti i Ulqinit është se flamuri i cili paraqitet në kështjellën kryesore të Balshajve mban shenjën e kryqit, gjë që bën të kuptohet se kjo gravurë, ashtu si edhe ajo e Tivarit është punuar para vitit 1571, pra para se qyteti të pushtohet nga turqit. Kulla e Balshajve, e cila daton nga shek. XIV, në kohën kur Ulqinin e pushtojnë Balshajt, duke e bërë kryeqytetin e tyre për Zetën, dhe pas tyre Venediku, të cilët e administrojnë deri në betejën e Lepantos, në vitin 1571, kur bie nën sundimin turk. Element dallues në këtë gravurë është busulla orientuese, e cila është paraqitur me shigjeta orientuese të cilat tregojnë lëvizjen e erërave. Lindja nuk është shënuar me shkronjën T (tramontana), por vetëm me shigjetën që tregon pjesën kryesore magnetike. 

Në këtë gravurë, Ulqini na është paraqitur në një format të zmadhuar për të pasur një pasqyrim sa më real. E tërë vija bregdetare është stilizuar. Qyteti është i vendosur në gadishull dhe është rrethuar me mure. Pjesa më e fortifikuar është ana jugore, ku bregdeti është më i cekët. Tërë qytetin e dominon kulla e Balshajve e cila është paraqitur në anën veriore ku ndodhet edhe sot. Në kullë vërehen rindërtime të cilat i ka bërë administrata venedikase. Në muret rrethuese të qytetit dallohen gjashtë kulla të larta, me rindërtime venedikase. Në anën jugore është porta kryesore që të shpie në port. Më në jug të kështjellës së Balshajve vërehet një kishë trinefëshe, e cila më vonë u shndërrua në xhami.

Shkodra:

Gravura e Shkodrës është paraqitur jo vetëm me kështjellën dhe qytetin, por në një hapësirë më të gjerë me rrethinën dhe vendbanimet e tjera në afërsi, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, Drinit, qytetin e Drishtit, Danjës dhe Shirgjin. Rosaccio e vë qytetin e Shkodrës në një kështjellë ku dominon flamuri me shenjën e gjysmëhënës, që do të thotë se në atë kohë Shkodra ka qenë e pushtuar nga turqit. Gravura duhet të jetë punuar gjatë udhëtimit të autorit në këtë qytet. Në kështjellë dominon kulla kryesore. Në anën lindore vërehen rindërtimet venedikase, ndërsa në jugperëndim vërehet një objekt kulti që mban sipër shenjën e gjysmëhënës. Lumi i Bunës është paraqitur shumë i gjerë, me një urë që lidh qytetin dhe që ekziston edhe sot e kësaj dite. Kështjellat e vendbanimeve periferike janë paraqitur mjaft të varfra stilistikisht, dhe pa shenja përkatëse identifikuese. Afër Bunës është paraqitur kompleksi i lashtë monastik i Shën Sergjit dhe Bakut (Shirgji). 

Durrësi: 

Njëri prej porteve më të rëndësishme shqiptare, Durrësi paraqitet bashkë me hinterlandin e tij në gravurën e Rosaccios. Në qytet dominon kulla e lartë në të cilën është shenja e flamurit me gjysmëhënën, element ky që tregon se Durrësi në atë kohë ka qenë i pushtuar nga turqit. Gravura pra është punuar gjatë udhëtimit të Rosaccio-s. Qyteti paraqitet i rrethuar nga mure të gjera dhe të larta, ku dominojnë tetë kulla, dy nga të cilat të stilit venedikas. Vërehen dy porta: ajo lindore që të shpie në port, dhe ajo jugperëndimore që të lidh me hinterlandin. Në veriperëndim vërehen rrënojat e qytetit të lashtë antik Porto Romano. Qyteti dominohet nga kulla e lartë, të cilën venedikasit e kishin rindërtuar në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë. Po në veriperëndim të Durrësit, paraqitet porti i Shëngjinit, me një kullë të lartë dhe me një kishe trinefëshe. Rreth murit të qytetit në det vërehet një numër i madh anijesh turke të cilat janë ankoruar për mbrojtjen e qytetit.

Vlora: 

Vend të veçantë në gravurat e qyteteve shqiptare të Rosaccio-s zë Vlora, e cila ka një paraqitje impozante, me kështjellën dominuese dhe hinterlandin e saj mjaft të detajuar. Kështjella e Vlorës është me mure të larta dhe të gjera ku dominon kulla e rindërtuar venedikase nga fundi i shekullit të katërmbëdhjetë në të cilin vërehet gjysmëhëna si element i pushtimit turk. Kjo kështjellë dominuese në gravurë, ndodhet në port. Hyrja në kështjellën e Vlorës është nga ana jugore, ku vërehet një portë e lartë. Edhe gravura e Vlorës, pra, është punuar gjatë udhëtimit të Rosaccio-s, kur ajo ishte nën sundimin turk. Të gjitha objektet e larta kanë sipër shenjën e gjysmëhënës. Në verilindje dominon kështjella dhe qyteti mesjetar i Vlorës, i cili ndodhet mbi një kodër dhe në distancë nga porti. Edhe kështjella dhe qyteti mesjetar e kanë hyrjen nga jugu, nga ku lidhet me pjesët periferike të hinterlandit dhe me  portin. Në gjirin e Vlorës vërehet po ashtu një numër galerash turke te destinuara për mbrojtjen e qytetit nga sulmet venedikase apo nga sulme të tjera. Qyteti i ri i Vlorës është zhvilluar dhe rindërtuar në anën perëndimore të kështjellës dhe të qytetit të vjetër. Sipas Rosaccio-s, Vlora ishte banuar në pjesën më të madhe nga hebrenjtë, të cilët sipas tij ishin të ardhur nga Ankona. 

Sopoti:

Në veprën e tij Rosaccio ka paraqitur edhe kështjellën e Sopotit. Ajo gjendet mbi një kodër të lartë, e cila është e rrethuar me mure të larta ku dominojnë tre kulla. Sipër kullave janë flamujt me kryqe, shenjë që tregon se kështjella e Sopotit ishte akoma nën sundimin venedikas. Në jugperëndim të kështjellës vërehet një mur i varoshit dhe një para lagje që lidhet me kështjellën me anë të portës që gjendet në jugperëndim. Në jug të kështjellës vërehet kampi i ushtrisë turke, topat që hedhin zjarr drejt kështjellës, si dhe disa formacione ushtarake të përgatitura për luftë. Në verilindje të kështjellës vërehet kampi i ushtrisë së krishterë. Në det vërehen disa galera të krishtera në flamujt e të cilave bie në sy kryqi. Ato janë në pozicion luftarak, sepse sulmet e tyre i janë drejtuar kampit armik që po sulmon kështjellën. 

Kësaj radhe po botojmë faksimilet e gravurave nga viti 1606 së bashku me frontespicin e librit, për shkak të cilësisë më të mirë të riprodhimit digjital të tërë librit të cilin disponojmë dhe sepse ato janë me ngjyra.

Kush ishte Gioseppe Rosaccio

Giuseppe Rosaccio lindi në vitin 1530 në Pordenoneu. Studioi filozofi, drejtësi dhe mjekësi në Universitetin e Padovës, ku edhe laureohet me titullin doktor i shkencave. Pas përfundimit të studimeve vendoset në Tricesimo në afërsi të Akuilesë, ku përveç profesionit të mjekun, ushtron edhe detyrën e gjykatësit të qytetit. Duke qenë se kishte një traditë intelektuale familjare, kohën më të madhe ia kushtoi studimit të historisë, gjeografisë dhe të kronologjisë, shkenca në modë në atë kohë. Gjatë jetës boton një numër mjaft të madh veprash nga fusha e mjekësisë, gjeografisë dhe shquhet edhe për debate të njohura filozofike. Disa nga veprat më të njohura të tij janë: “Teatro de Cielo e della terra”, Venetia, 1595, “Mondo e le sue parti, cioe Europa, Affrica et America”, Venetia, 1596, “L’esposizioni sopra la geografia di Claudio Tolomeo, Venetia, 1599, vëll. 1-7, “Microcosmoso”, Venetia, 1600, “Il viaggio per mare e per terra di Costantinopoli e di terra santa”, Venetia, 1601, “Mondo elementare e celeste”, Venetia, 1604, “Viaggio da Venetia, a Costantinopoli per Mare, e per Terra”, Venetia,1606” (1598, 1604).

Filed Under: Featured Tagged With: Musa Ahmeti

PRESIDENTI HISTORIK DR.RUGOVA, ATI THEMELTAR I SHTETIT TË KOSOVËS

December 2, 2021 by s p

Elmi Berisha/

Sot është 2 Dhjetori, ditëlindja e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dijetarit, intelektualit dhe humanistit, Atit themeltar të shtetit të Kosovës. President, je Hyji i Dardanisë, vizionari dhe udhërrëfyesi i epokës moderne të kombit tonë. Sot ju kujtojmë në ditëlindjen tuaj si udhëheqësin, shtetarin, filozofin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur e moderne.  Krenar gjithmonë që jetuam dhe punuam me Ju dhe vazhdojmë të palëkundur këtë rrugë dhe filozofi. Angazhimi i juaj i pa ndalur për zgjimin kombëtar, vizioni shtetformues për Kosovën Republikë, shembulli juaj dhe angazhimi për paqen, lirinë, zhvillimin, demokracinë dhe bashkëjetesën në rajon, mbeten frymëzim i gjallë për të gjithë ne që të njohëm e bashkëpunuam nga afër dhe brezat që do vijnë.

Përjetë mirënjohës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Ibrahim Rugova

PROKLIZA BINARE DHE ENKLIZA SHQUESE: DY ANË TË TË NJËJTIT PROCES GRAMATIKALIZUES NË SHQIPE

December 2, 2021 by s p

PROF. DR. ARISTOTEL SPIRO/

Në diskutimin tejshekullor për origjinën e nyjave të shqipes problemi kryesor u formulua si alternativa e parësisë kohore të nyjës së përparme apo nyjës së prapme (Çabej 1963). Mirëpo, koha dëshmoi që kjo qasje ka qenë metodikisht e gabuar, sepse jo vetëm që nuk solli asnjë zgjidhje të problemit, por prodhoi edhe probleme të tjera, që e larguan më shumë zgjidhjen e çështjes së nyjave.

Parësia kohore e njërës apo tjetrës nyjë, e përparme apo e prapme, nuk e zgjidh problemin, sepse merr si pikënisje një situatë gramatikore në të cilën këto dy lloje nyjash perceptohen si të përvijuara tashmë në sistemin gramatikor të shqipes. Por çka na intereson është rrugëtimi gramatikalizues nga elementi i pasvendosur enklitik, që konsiderohet përemri dëftor i dikurshëm me funksion anaforik, deri në përngjitjen dhe shndërrimin e tij në tregues të aglutinuar të shquarsisë.

Kjo mënyrë të vështruari e problemit na imponon që si gjendje paragramatikalizuese të marrim sintaksën e dëftorit në pozicion enklitik. Duke vepruar kështu kemi përjashtuar automatikisht gjasën që nyja shquese të ketë qenë element proklitik, e paravendosur si një morfemë e lirë.

Nëse, megjithatë, do të dëshironim ta konsideronim medoemos edhe këtë gjasë, atëherë do të duhej që ta zhvendosnim edhe më prapa në kohë, pra, në një gjendje paragramatikalizuese, kur në shqipe apo «nënën» e saj nuk ekzistonte kategoria gramatikore e shquarsisë/pashquarsisë.

Mirëpo, jo vetëm gjuha e sotme shqipe, por as tekstet më të vjetra të saj nuk japin asnjë shkas për të menduar rreth një ekzistence të mundshme të ndonjë formanti shques të paravendosur në ndonjë fazë shumë të hershme të shqipes së padokumentuar.

Prandaj, jemi të detyruar ta përjashtojmë mundësinë e një gjendjeje zanafillëse gramatikore me nyja shquese të paravendosura në shqipe (siç janë shprehur Selman Riza, Besim Bokshi, Kolec Topalli) dhe të marrim si pikënisje një sistem gramatikor pa kategorinë gramatikore të shquarsisë / pashquarsisë, në të cilin dëftori anaforik i pasvendosur në rrethana të caktuara sintaksoreiu prapangjit temës së emrit.

Po cilat ishin këto rrethana sintaksore?

Studimet e derisotme (Eqrem Çabej 1963, Shaban Demiraj 1985, Selman Riza, Besim Bokshi 2009, Kolec Topalli 2009) vlerësojnë si një shkak nxitës rënien e mbaresave të lashta të trashëgimisë indoevropiane dhe ato të krijuara rishtazi në protoshqipe.

Rënia e këtyre mbaresave shkaktoi një tronditje në sistemin emëror, por edhe në atë mbiemëror, që i përsëriste këta tregues për hir të përshtatjes sintaksore. Lindën fjalëforma të reja, homoforma brenda paradigmës së njëjësit, brenda paradigmës së shumësit ose midis njëjësit dhe shumësit (Orel 2000: 233-236), të cilat u nxitën edhe prej analogjisë.

Çka duhet nënvizuar megjithatë në këtë pikë janë tri gjëra të rëndësishme:

a) Rënia e mbaresave të protoshqipes dhe reduktimet e temave nuk prekën pa përjashtim të gjithë emrat dhe të gjitha hallkat e paradigmës emërore.

b) Nuk mund të konceptohet as në mënyrë hipotetike ndonjë periudhë «vakuumi morfematik», gjatë së cilës fillimisht të kenë rënë mbaresat e lashta dhe vijimisht, pas një nevoje për mbaresa të reja, të jenë vënë në veprim mekanizmat rigjenerues të gjuhës për përftimin e një sistemi të ri emëror. Folësit e gjuhës, natyrisht, nuk kanë reshtur së komunikuari për asnjë çast.

Ndryshimet në gjuhë, përfshirë rënien e mbaresave të protoshqipes, kanë ndodhur në një mënyrë graduale, duke shkaktuar lëvizje sistemore të kontrolluara nga intuita gjuhësore e folësve.

c) Në këto kushte të reja gramatikore, për të shmangur pakuptimësinë apo dykuptimësinë janë vënë në veprim mjetet ekzistuese morfologjike dhe sintaksore, si ndryshimi i topikës së përcaktorëve dhe përdorimi i emfatik i dëftorësisë për lokalizimin e qartë të elementit përcaktor (khs. djalë i mirë dhe djalë të mirë, lule e fushës dhe lule të fushës).

Kjo gjendje jep shkas për një riorganizim të sistemit emëror dhe një risistematizim të paradigmës së lakimit. Në këtë risistematizim elementet e sistemit të vjetër dhe ato të sistemit të ri kryejnë funksione gramatikore duke u riorganizuar në një paradigmë të re.

Si faktorë risistematizues mund të përmenden:

1. Trysnia e formave të shumësit të ri mbi format e njëjësit. Njësimi i emërores me kallëzoren shumës ndikon që të njësohen emërorja dhe kallëzorja e re (e reduktuar) e njëjësit.

2. Vijimësia e përdorimit të mbaresave të vjetra në kallëzoren njëjës të emrave mashkullorë dhe femërorë kontribuon në zhvillimin e një opozicioni të ri të përgjithshëmforma të qarta : forma të paqarta. Dëshmi për këtë janë mbaresa-n e kallëzores dhe mbaresa -a e emrave kryesisht femërorë, të cilat nuk shpjegohen me skemën e njohur të anticipimit dhe mandej aglutinimit të dëftorit anaforik.

Shumë tema të protoshqipes mbaronin më -a /-ā. Këtu përfshiheshin emra (dhe mbiemra) të të tri gjinive, por ata të gjinisë femërore duket se kishin epërsi numerike më të madhe:*dwōrā>derë, *da(s)ra> dorë, *tsanida> thëni > thëri(Orel 2000: 217), *smekra>mjekër, *swetsura> vjehërr (Orel 2000: 220), *skala> halë, *krada> krodhë, *lenta> lëndë ~ landë, *alena> llërë ~ llanë, *megla> mjegull, *rudza > rrudhë, *tasla> tollë, *tsaka > thekë, *widewa > ve, *da(i)tja>dosë, *aignja> (dell)enjë, *agnja > enjë ~ ëjë ‘qengj?’,*melitja > mjalcë,*witsja>vise, *kaxa > kohë, *lapa > lapë (Orel 2000: 222), *balta>baltë, *buma>bimë, *darka>darkë, *anrja> ëndërr ~ andërr, *spela > fjalë, *ksira > hirrë, *skurda > hudhër (Orel 2000: 223).

Nga ana tjetër, formanti rasor i kallëzoressë protoshqipes duket se përmbante bashkëtingëlloren [n], ashtu si në disa gjuhë të tjera indoevropiane, si p.sh., në luvishte, hetitishte të vjetër (Oettinger 2017: 257) dhe në greqishten e lashtë(Horrocks 2017: 726) e të re.

3. Format e reduktuara për shkak të rënies së mbaresave të protoshqipes nuk duhen menduar si gramatikisht të mangëta. Ato kanë funksionuar vazhdimisht si lëndë e parë për formimin e fjalive, duke u shërbyer strategjive komunikative të folësve. Gjithsesi, këto formatë reduktuara, për shkak të homoformave brendaparadigmatike,mund të jepnin shkas edhe për ndonjë «paqartësi», çka bien ndesh me qëllimin e komunikimit, që është qartësia e kumtimit.

Përcaktorët mbiemërorë, për shkak të tronditjes së treguesve flektivë të emrave, nga pozicioni para emrit kaluan në pozicion pas emrit. Ky ndryshim topike nënkuptonte vetiu një përdorim emfatik të tyre. Mbiemrat, që kishin një morfologji simetrike me atë të emrave (meqenëse përsëritnin treguesit rasorë në një mënyrë identike e më të përgjithësuar), nuk mbetën të pandikuar as ata nga procesi rrëgjues i treguesve flektivë në fund të fjalës. Kështu që u përsëriten edhe në rastin e tyre të njëjtat mjete ndihmëse, ashtu si tek përcaktorët emërorë. U shfaqën edhe këtu përemrat dëftorë, të cilët ndihmuan për të specifikuar një emër në bazë të një cilësie të caktuar. Këta përemra dëftorë e theksonin edhe më shumë emfazën e krijuar nga ndryshimi i topikës së mbiemrave.

Kjo sintaksë e re u kthye në një «modë ligjërimore», sepse ishte mjaft e përshtatshme për të shprehur mendimet dhe për të specializuar sendet e shënuara nga format e reduktuara të emrave. Ajo u shtri në të gjitha rasat e emrave, në rasën emërore dhe në rasat e zhdrejta. Kuptimi i caktuesisë përfshinte natyrisht edhe rasën kallëzore njëjës të emrave mashkullorë e femërorë, që nuk e kishin bjerë mbaresën rasore-n. Meqenëse sendet dhe vetat nëpërmjet kësaj rase perceptoheshin përgjithësisht si konkrete, të individualizuara, duhej krijuar edhe forma gjegjëse e «reduktuar», kuptimisht e «paqartë» sipas modelit të rasës emërore, duke përsëritur homoformësinë e krijuar tashmë në numrin shumës. Kështu, edhe në rasën kallëzore, homoforme me emëroren, para përcaktorëve të varur vijues u përdor përemri dëftor me funksion anaforik. Kundërvënia midis dy sintaksave të kallëzores sapo ishte krijuar. Khs. em. gardh i shtëpi[së],kallëz. gardh të shtëpi[së], burrë i moti[të], kallëz. burrë të moti[të], por në nivelin e dy formave të kallëzores njëjës:gardhnëe shtëpi[së]dhe gardh të shtëpi[së], burrënëe moti[të] dhe burrë të moti[të].

Në gjininë femërore gjërat ishin pak më ndryshe se në atë mashkullore. Këtu mbaresa -a e protoshqipes nuk arriti të binte. Ishin të njëjtët faktorë konservues që nuk lejuan të binte mbaresa -n e kallëzores. Trajta më -a paraqitej jo vetëm fonetikisht, por edhe semantikisht më e qartë, përderisa integriteti shenjor i emrave nuk ishte prekur. Në opozicionin e risistemuar që po krijohej, ajo identifikohej me të qartën, të përcaktuarën, të shquarën. Trajta paralele, e «paqartë», e «pashquar», ashtu si nërastin e emrave mashkullorë, pa praninë e -a-së.

«Çarja» e sistemit të vjetër dhe kalimi drejt sistemit të ri e pati zanafillën pas gjithë gjasash në rasën kallëzore të emrave, treguesit flektivë të së cilës nuk ranë, gjë që dëshmohet nga krahasimi, si më lart, me gjuhët e tjera indoevropiane. Khs.: sq. nusenë gr.νύμφην.

Kjo gjasë pajtohet edhe me shpjegimin që jep La Piana, mbështetur vijimisht nga Çabej (1963), për vjetërsinë e treguesit gramatikor të shquarsisë në kallëzore. Veç bash në këtë pikë duhet bërë një vërejtje parimore: ky tregues nuk karakterizohej në epokën paralatine dhe latine të hershme të shqipes nga kuptimi kategorial i shquarsisë, sepse ende nuk ishte përvijuar në shqipe kjo kategori gramatikore. Madje mund të thuhet se ende nuk ishte krijuar cilësisht gjuha shqipe.

Forma e kallëzores ka pasur megjithatë një kuptim shquarsie në një kontekst pragmatologjik, për arsye të konkretësisë,karakterit kuptimor të drejtpërdrejtë që sugjeron forma e kallëzores dhe qartësisë që sugjeron sidomos sintaksa e saj veprore.

Kjo fjalëformë rasore mund të shërbente si një formë e «plotë», një formë e «qartë», e kundërvënë ndaj formave të reduktuara, të paqarta që po krijoheshin si rezultat i rënies së mbaresave të rasave të tjera.

Sigurisht, nuk mund të bëhej fjalë ende për një kategori gramatikore të shquarsisë / pashquarsisë. Përdorimi i përemrit dëftor dhe përngjitja pas temës së kallëzores mund të ketë ndodhur shumë kohë para reduktimit dhe rënies së mbaresave indoevropiane dhe protoshqipe në kuadrin e strategjive pragmatologjike ligjërimore të folësve. Në epokën paralatine nuk mund të bëhet fjalë për forma të shquara e të pashquara.

Rasti i kallëzores dëshmon se protoshqipja i kishte gati mjetet gjuhësore për të plotësuar «mangësinë funksionale» që krijonte reduktimi i mbaresave kryesisht mashkullore. Përdorimi i klitikëve edhe jashtë rasës kallëzore nuk ishte diçka e pamundur tashmë, por nuk mund të bëhej pa një emfazë të dukshme. Loja gramatikalizuese e klitikëve dëftorë që do të çonte në enklizën shquese sapo kishte filluar. Në këtë lojë merrnin pjesë të gjitha format emërore, si ato të redultuara ashtu edhe ato të plota.

Format e reduktuara u kundërviheshin formave të plota që po trashëgoheshin prej protoshqipes dhe kërkonin një vend të caktuar në inventarin e ri të përgjithshëm të formave të sistemit emëror të shqipes. Krijohet një gjendje opozicionale e përgjithshme forma të plota / të qarta vs forma të reduktuara / të paqarta, e cila hap udhën drejt një kuptimi të ri kategorial shquarsi : pashquarsi.

Format e reduktuara që kanë lindur përdoren paralelisht me format e plota (kallëzorja njëjës dhe emërorja njëjës e emrave femërorë), të cilat po konservoheshin pjesërisht edhe nën ndikimin e huazimeve latine që po vërshonin me shumicë në protoshqipe. Gjedhja latine favorizonte shumë sidomos ruajtjen e mbaresës –a tek emrat femërorë.

Format e konservuara perceptoheshin në intuitën e folësve si forma më të qarta, më të plota, përkundër formave me dobësim apo rënie mbaresash, të cilat perceptoheshin në intuitën e folësve si forma jo aq të qarta, edhe për shkak të krijimit të formave homonime ndër-rasore brenda paradigmës së lakimit të tyre. Ky dobësim i treguesve rasorë, reduktimi deri në zero i mbaresës rasore, solli si pasojë një tronditje të vogël në sintagmën emërore të tipit mbiemër + emër. 

U përvijua, pra, një gjendje gramatikore kalimtare, e cila karakterizohej në një pjesë të paradigmës nga dobësimi, zbehja deri në rënie të mbaresave të protoshqipes (rasa emërore njëjës dhe shumës e emrave mashkullorë, femërorë dhe e emrave asnjanës, emërorja dhe kallëzorja shumës bëhen identike) (Orel 2000) dhe nga ana tjetër nga mosrënia e mbaresave rasore, sidomos në format e rasës kallëzore, e cila shërbente si një pikë bashkuese e emrave femërorë dhe mashkullorë.

Duhet të ketë qenë pikërisht kjo ndjenjë paqartësie semantike – gramatikore ajo që e bëri të nevojshëm përdorimin e mjeteve gramatikore plotësuese për shprehjen e raporteve sintaksore (qartësimi i objektit të referimit). Mbiemrat nisin të përdoren pas emrave.

Kalimi i mbiemrit nga pozicioni para emrit në pozicionin pas tij kërkonte edhe mobilizimin e mjeteve gramatikore shtesë, që do të sqaronin më mirë marrëdhëniet e përkatësisë. Për këtë funksion u thirrën në përdorim përemrat dëftorë.

Nevoja e përdorimit të dëftorit u ndie më shumë tek sintagmat ku emri si gjymtyrë kryesore paraqitej me mbaresa të reduktuara ose zero.

Që të gramatikalizohej ky kuptim i ri kategorial do të shfrytëzoheshin format dhe mjetet ekzistuese gramatikore, të cilat do të përdoreshin për t’usistemuarnë «mozaikun» e ri paradigmatik që po krijohej.

Gjedhja konservuese e emrave femërorë të protoshqipes që mbaronin më -a pajtohej me morfologjinë e një shumice huazimesh latine që filluan të vërshonin në të. Duket se procesi i risistematizimit të sistemit emëror të protoshqipes ishte në zhvillim e sipër në kohën e kontakteve të saj intensive me latinishten dhe depërtimit të vrullshëm të huazimeve latine. I njëjti model përshtatshmërie i emrave femërorë vendas po përsëritej me emrat femërorë të latinishtes. Khs.: lat. arma> armë, lat. bēstia>bishë, lat. bucca (në romanitetin ballkanik ‘ushqim’) >bukë (Orel 2000: 224),lat. bulla>bulë,lat. familia>fëmijë, lat. furca> furkë, fossa>fushë,lat. lucta>luftë, khs. rum. lupta, lat. pergula> pjergull (Orel 2000: 225).

Emrat mashkullorë dhe asnjanës të latinishtes u huazuan në protoshqipe pa mbaresat e tyre, me të njëjtën mënyrë që u veprua edhe me fondin e emrave vendas. Khs.: lat. arcus>(h)ark, lat. floccus> flok, lat. fundus>fund, lat augustus>gusht, lat. Martius>mars, lat. modus ‘masë’ >modh ‘shinik’, lat.monachus>mung~ murg,lat. puteus> pus, lat. sessus> shesh, lat. vitium>ves, lat. damnum>dam ~ dëm, lat. fatum> fat, lat. fossatum> fshat, lat. gaudium>gaz, lat. caelum>qiell, lat. scutum>shqyt (Orel 2000: 225).

Në skemën e përgjithshme të risistemimit të paradigmës së lakimit të emrave format e lashta mashkullore duhet të jenë interpretuar si të «paqarta», ndërsa ato femërore si të «qarta». Kuptimi i tyre i «qartë» përkatësisht i«paqartë»,do të arrihej në kushtet sintaksore të zgjerimit me përcaktorë emërorë a mbiemërorë, duke iu paravendosur përcaktorëve përemrat dëftorë në një funksion anaforik emfatik.

Është e sigurt se rendi i përcaktorëve emërorë ka qenë pas emrave drejtues, ndërsa rendi i përcaktorëve mbiemërorë duhet të ketë qenë, sipas dëshmive të sintaksave të sotme konservative të shqipes, përpara emrave që modifikonin.

Në kushtet e rënies së treguesve rasorë të emrave mashkullorë (dhe asnjanës) rendi i pasvendosjes së përcaktorëve emërorë funksiononte si një garanci për shprehjen e raporteve përcaktore, edhe pse kishin nevojë të përforcoheshin mandej me mjete ndihmëse emfatike.

Këtë pozicion pas emrit mund ta shfrytëzonin edhe mbiemrat, të cilët, po të qëndronin në pozicionin pas emrit, raportet përcaktore rrezikonin të përmbyseshin, domethënë të dilte si element i përcaktuar mbiemri modifikues i mbetur pa tregues flektivë dhe e kundërta. Tani e tutje mbiemrat do të fillonin detyrimisht të kalonin pas emrave, gjë që nënkuptonte një përdorim emfatik të tyre. Siç duket, përemri dëftor u zgjodh për të theksuar më shumë emfazën si në rastin e përcaktorëve mbiemërorë, po ashtu edhe të atyre emërorë.

Në rang gjinie, skema e diferencimit formal i shquar : i pashquar duhet të ketë funksionuar fillimisht tek emrat mashkullorë, mbaresat e të cilëve u reduktuan dhe, për pasojë, kishin nevojë për mbështetjen e mjeteve ndihmëse gramatikore në shprehjen e marrëdhënieve të tyre sintaksore. Në këtë skemë u përfshinë edhe ata emra femërorë që eventualisht ndiqnin lakimin e emrave mashkullorë.Gjithë pjesa tjetër e emrave femërorë më -a e ruajtën të paprekur mbaresën femërore.

Pas përvijimittë kundërvënies formale trajtë e shquar : trajtë e pashquar tek emrat mashkullorë (eventualisht edhe tek emrat asnjanës), kjo kundërvënie duhej shtrirë moedoemos edhe tek emrat femërorë. Duhej me një fjalë të krijohej trajta përkatëse e «paqartë», e «pashquar» e emrave femërorë. Për krijimin e kësaj trajte u shfrytëzua modeli i një pjese emrash mashkullorë.

Ndërsa në trajtën e pashquar emra mashkullorë femërorë dhe asnjanës mund të dilnin në forma të ngjashme, në trajtën e shquar diferencoheshin qartë midis tyre. Trajta e shquar shërbente tashmë jo vetëm kuptimisht për ta treguar një frymor, send a nocion si të qartë a të njohur e të dallueshëm kuptimisht por edhe për të dalluar gramatikisht gjininë e emrit. Matrica flektive e emrave do të bazohej këtej e tutje tek trajta e tyre e shquar.

Në periudhën e kontakteve të shqipes me sllavishten duket se riorganizimi i sistemit emëror në lakimin binar ishte përvijuar tashmë. Emrat ehuazuar sllavë interpretohen si trajta të shquara, prej të cilave rindërtohet në shqip një trajtë e pashquar sipas modelit që ofron sistemi. Khs.: sllav. *nevol’a> nevojë, sllav. *pelena> pelenë, sllav. *pijavica> pjavicë, sllav. *orkyta> raqitë‘fshesë (shkurre)’, sllav. *rēka> rekë, sllav. *rēpa> repë, sllav. *sēra> serë,sllav. *veriga> verigë, sllav. *vьrsta> vërsë ~ vërcë, sllav. *tъkacь>kaç‘endës’, sllav. *likъ>‘(sipër)faqe’ > lik‘nivel’, sllav. *nemьcь> nemec, sllav. *obvorъ> oborr, sllav. *pelynъ>pelin, sllav. *rędъ> red‘radhë’, sllav. *orzsolъ> rrasoll‘turshi, shëllirë’, sllav. *sapъ> shap‘sëmundje buajsh, Aphta epizootica’, sllav. *ugarъ>ugar, sllav. *zabelъ> zabel, sllav. *zegi>zheg(Orel 2000: 227).

Proceset gramatikalizuese tek emri i ngjajnë një spiraleje, ku skema gramatikalizuese përsëritet, por merr një përmbajtje tjetër. Këtë provon të paktën paradigma e lakimit të emrit në shqipe.

Mbaresat rasore të emrave mashkullorë të gjinores së pashquar njëjës përsëriten në emëroren e shquar të të njëjtit numër. Kjo shërben edhe si një dëshmi e tërthortë se sintaksa e gjinores nuk erdhi si një mjet gramatikor i papritur, por si një pleonazmë gjuhësore ndërtimesh diakronikisht të njohura.

Në këtë kuptim, nyja shquese –i/-uka ndaj mbaresës së gjinores të njëjtin raport që ka në greqishte nyja shquese e kallëzores njëjës τον / την / το [ton / tin / to]me mbaresën e emrit në kallëzore (khs. πλοῦτον, νύμφην, δένδρον) ([plūton, nýmphēn, déndron).

Dëftori anaforik i vendosur para përcaktorëve të varur nisi të shfaqej kaq dendur, saqë me kalimin e kohës prania e tij ishte e domosdoshme, ndërsa mungesa e tij e bënte ndërtimin kundërgramatikor. Ky dëftor, duke u shfaqur si element i pandryshueshëm para një pafundësie përcaktorësh, fitoi dalëngadalë kuptimin e përgjithshëm të përcaktueshmërisë (duke nënkuptuar një gjymtyrë përcaktore) dhe vijimisht të shquarsisë (duke qenë se mund të përdorej edhe pa përcaktorin vijues) (Spiro 2021: 139-140).

Në «çastin» gramatikor kur ky element mund të gjendej i vetëm pas emrit drejtues, përngjitja e tij pas emrit bëhej një «fatalitet» i pakthyeshëm gramatikor.

Pas përngjitjes së elementit enklitik gramatikor,tashmë shques, nuk ishte ndonjë domosdoshmëri emfaza e përcaktueshmërisë. Gjithsesi, sintaksa e pasvendosjes së përcaktorëve vijoji të përdorej në gjuhë dhe vendi i dëftorit anaforik para tyre ishte i disponueshëm. Në këto raste, çdo referencë përcaktueshmërie ishte redundante. Në lidhjen formale, elementi origjinarisht dëftor nuk mund të përsëritej në formën e tij emfatike. Për këtë mund të përdorej trajta e tij joemfatike apo trajta e «shkurtër». Në shumicën e rasteve ajo nuk ishte gramatikisht e domosdoshme. Deri sot nëpër dialekte dhe në thjeshtligjërimin e standardit nyja e përparme në sintaksën joemfatike zakonisht nuk përdoret. Kjo vlen sidomos kur emri i përcaktuar është në rasën emërore dhe gjinore të numrit njëjës (çuni dajës, goca lagjes, furra vjetër, rruga lëmit, rruga bregut, komuniteti Kaninës, krahina Shpatit, shtëpia lodrave, fakulteti shkencave, agjencia trajtimit të kredive, kisha Shën Prokopitetj.). Ndoshta ky rregull do të ishte përgjithësuar për të gjitha lidhjet e ngjashme sintaksore, në qoftë nuk do të ekzistonte nyja e përparme e e rasës kallëzore, e cila nuk mund të mungojë asnjëherë para përcaktorëve emërorë e mbiemërorë. Modeli i lidhjes sintaksore të rasës kallëzore shërben si një matricë përndarëse të nyjave të përparme sipas sintaksës emfatike dhe asaj joemfatike gjatë gjithë paradigmës së bashkëlakimit të sintagmës emër + përcaktor. 

Përfundime:

Nyja e prapme shquese dhe kategoria e shquarsisë kanë lindur nga i njëjti proces gramatikalizues në shqipe.As gjuha shqipe as nëna e saj nuk kanë pasur ndonjëherë nyja shquese proklitike.

Nyja e prapme shquese ka rrjedhur nga dy burime: nga treguesit e vjetër rasorë (rasa kallëzore e emrave mashkullorë dhe femërorë dhe rasa emërore e emrave femërorë), si dhe nga tërheqja dhe gramatikalizimi i dëftorit anaforik që u paravendosej përcaktorëve bujtës.

Nyja e përparme e shqipes është në origjinë një përemër dëftor i përdorur në kushte emfaze. Pas tërheqjes dhe përngjitjes nga emri drejtues dhe gramatikalizimit të tij si nyjë shquese,radha joemfatike etë njëjtit përemër mund të përdorej opsionalisht para përcaktorëve të emrit. Kështu, në shqipe u përvijuan dy radhë nyjash të përparme: emfatike dhe joemfatike, që u përgjigjen dy sintaksave homonime. Me përjashtim të rasës kallëzore, sintaksa joemfatike në ligjërimin popullor lejon mospërdorimin e nyjës së përparme.

Shfaqja e nyjës shquese të aglutinuar prapa emrit e dyfishoi lakimin e emrit në shqip.

Konsolidimi i lakimit të dyfishtë në shqipe pati pasoja të jashtëzakonshme në historinë e kësaj gjuhe. Pikësëpari, e ndau përfundimisht dhe e afirmoi si një gjuhë cilësisht të ndryshme nga «nëna» e saj.

Procese të tjera risistematizuese e kanë zanafillën në këtë risi eptuese të shqipes. Shprehja e raporteve sintaksore brenda sintagmës emërore kryesisht nëpërmjet formave rasore dhe nyjave arriti në ndonjë rast të mënjanonte në rrjedhë të kohës edhe përdorimin e ndonjë mjeti të tretë, si parafjala (e)n, e specializuar për rasën rrjedhore. Kjo, pavarësisht nga mobilizimi i parafjalëve të tjera, do të shkaktonte si pasojëdobësimin, çintegrimin deri edhe zhdukjen e rasës rrjedhore nga sistemi rasor i shqipes së sotme.Kështu, dyfishimi fillestar i formave të lakimit u pasua nga thjeshtimi i sistemit eptues në shqipe që sot paraqitet me tri rasa (Spiro 2019, 2021).

Shfaqja e sintaksës emfatike në shqipe nuk ishte një dukuri e veçuar. Emfaza përfshiu,si në një reaksion zinxhir, të gjithaelementet e ligjërimit. Përemrat dëftorë, që po merrin pjesë në krijimin e lakimit të dyfishtë të shqipes, tani kishin nevojë për të konfirmuar më qartë brenda sistemit gjuhësor funksionet e veta distale. Për këtë arsye ata do të «përforcoheshin» këtej e tutje me parashtesat deiktike a- dhe kë-, të cilat do të bëheshin pjesë të pandashme të identitetit të tyre leksikogramatikor.

Pasojat u shtrinë jo vetëm brenda gjuhës shqipe, por edhe jashtë saj. Nën ndikimin e modelit të shqipes enkliza shquese u gramatikalizua në rumanishte dhe prej saj u shtri edhe në bullgarishte e maqedonishte, duke shënuar krijimin e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike.

Bibliografi:

Bokshi 1980 = Bokshi, Besim. 1980. Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes. Prishtinë.

Çabej 1963 = Çabej, Eqrem. 1963. Rreth disa problemeve të his­torisë së gjuhës shqipe. Në: Buletini i Universitetit Shte­të­ror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore. 3: 78-92.

Demiraj 1986 = Demiraj, Shaban. 1986. Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Tiranë: Universiteti i Tiranës «Enver Hoxha», Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.

Horrocks 2017 = Horrocks, Geoffrey. 2017. The evolution of Greek. Në: Klein, Jared S; Joseph, Brian D & Fritz, Matthias (eds.) In cooperation with Mark Wenthe. 2017. Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics. Handbücher zur Sprach- und Kommunikationswissenschaft. Bd 41.1. Berlin/Boston: De Gruyter Mouton, 717-732.

Oettinger 2017 = Oettinger, Norbert. 2017. The morphology of Anatolian. Në: Klein, Jared S; Joseph, Brian D & Fritz, Matthias (eds.) In cooperation with Mark Wenthe. 2017. Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics. Handbücher zur Sprach- und Kommunikationswissenschaft. Bd 41.1. Berlin/Boston: De Gruyter Mouton, 256-273.

Orel 2000 = Orel, Vladimir E. 2000. A concise historical grammar of the Albanian language: reconstruction of Proto-Alba­nian. Brill: Leiden; Boston; Köln.

Riza 1958 = Riza, Selman. 1958. Nyjat e shqipes. Në: Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqë­rore. 4: 3-59.

Spiro 2021 = Spiro, Aristotel. Nyjat në gjuhën shqipe. Diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: Prokliza binare dhe enkliza shquese. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Topalli 2009 = Topalli, Kolec. 2009. Nyjat e shqipes. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letër­sisë. Tiranë: Toena.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aristotel Spiro

Presidenti Rugova ka vetëm ditëlindje

December 2, 2021 by s p

Lumir Abdixhiku

Kryetar i LDK-së


“Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për lliri, pavarësi e demokraci, Presidenti i parë i vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë. Ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. I biri i Ukës të Rrustë Sadrisë dhe i Sofës së Qerim Rugovës, kishte babë e gjysh të vrarë e zhdukur nga shërbimet jugosllave. Por jeta e vështirë s’ishte arsye për ndalje; përkundrazi, ishte shtytje për një fat më të madh. Pasi përfundoj shkollimin fillor në Istog e atë të mesëm në Pejë, Rugova vijoj studimet në Prishtinë. Pas diplomimit mori titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanogjik të Prishtinës. Në fundin e viteve të 70-ta, ai shkoi në Paris. Atje, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, ndoqi studimet mbi letërsinë në “École Pratique des Hautes Études”. Në vitin 1984, doktoroi në Prishtinë në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”. Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes popullore për liri, pavarësi e demokraci.Pjesa tjetër është histori e lavdishme.Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organzimin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim.Sot, me bashkëpunëtorë vizituam familjen e Presidentit Rugova, zonjën Fana e trashëgimtarët e familjes. Shënuam 2 dhjetorin e tij sepse Presidenti ka vetëm ditëlindje.”

Filed Under: Featured

Elton Shametaj*: 28 Nëntori i vitit 1912, kthesa historike për popullin shqiptar

December 2, 2021 by s p

Kombi ynë, Shqipëria, nëpër shekuj të përgjakur ka shënuar historin e lavdisë së tij, duke ngritur gjithëmon lart virtytet më të mira njerzore. Si kurorë e gjithë arritjeve konsiderohet Shpallja e Pamvarësisë më 28 Nëndor 1912. Për nder të kësaj feste shoqata jonë e policisë shqiptaro-amerikane organizon këtë takim të gjërë me pjesëmarrjen e antarëve dhe pjesëtarëve e të afërmëve të familjeve të tyre. Komuniteti shqiptaro-amerikan kudo ku ndodhet e feston me larmi e krenari çdo vit këtë festë madhore të mbarë shqiptarëve. Akti i shpalljes së Pamvarësis ishte fryt i përpjekjeve dhe luftrave shekullore të shqiptarëve për të mbrojtur tërësin tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pamvarur shqiptar. Me vendîmet e Kuvëndit të Vlorës, kombi shqiptar fitoj të dejtën e tij të pamohushme për të qënë i lirë dhe i pamvarur, krahas kombeve dhe popujve të tjerë të Europës. 28 Nëndori i vitit 1912 shënoi një këthes historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e sajë më të shpejt ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Shpallja e Pamvarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve dhe planeve të tyre për coptimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pamvarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe të gjithë forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë. Më 28 Nëndor 1443 heroi legjendar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mblodhi popullin dhe ngriti flamurin kuq e zi në akandın e Kështjellës së Krujës. Në vitin 2017 qeverija e Republikës së Kosovës shpalli ditë feste dhe njohu 28 Nëndorin si Ditën e Pamvarësisë. Akti i Ismail Qemalit dhe të ardhurve të tjerë nga trevat shqipëtare duke ngritur flamurin në Vlorë përbën preludin më të lartë në historin e lavdishme të popullit tonë liridashës. Luftrat e vazhdueshme të popujve të viseve shqiptare forcuan edhe më tej tiparet e luftëtarëve të lirisë si dhe vetëdijen kombëtare. Shpallja e Pamvarësisë ishte akt jetik për popullin tonë, ajo hoqi qafe zgjedhën e huaj dhe kurorëzoj veprën e Rilindasve, duke hapur një epokë të re luftimesh e përpjekjesh për të mbrojtur pamvarësin e fituar nga rreziqet e jashtëme e të brëndëshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik. Pra , përkujtimi i shpalljes së Pamvarësisë na nxit neve të meditojmë për fatin historik të kombit shqiptar me të cilin lidhen në mënyrë të pazgjidhëshme edhe fatet e çdo shqiptari dhe për vlerat që përmban dhe rrezaton Flamuri Shqiptar. Kujtimi, që sot na çon në 28 Nëndor 1912 na sjellë në mëndje dhe në zëmër edhe rrugën e përshkruar gjatë viteve e shekujve nga ata shqiptar, që pa ansnjë dallim e përkushtim, bindje, punuan dhe flijuan gjithëçka, madje dhe jetën për Atë Ditë e për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi. Ne duhet të falënderojmë Zotin që na dha mundësinë për të ardhur dhe shijuar jetën the respektin e kombit më të mrrekullueshëm në botë ,të kombit amerikan. Angazhimi i shqiptaro-amerikanëve në radhët e departamenteve të policisë në qytete të ndryshme na obligon ne për të bërë një punë më dinjitoze, me ndershmëri, prefsionalizëm dhe përkushtim për ruajtjen e rendit dhe qetësisë kudo. Përçka ju keni arritur meritoni urimet më të mira, po ashtu dhe familjet tuaja që në çdo arritje tonën kanë dhënë mbështetjen, mundësin dhe qetësinë që ne të bëjmë gjërat më të mira në sektorët e punës sonë fisnike. Gjithëmon me disiplinë të lartë, të bashkuar dhe respekt për punën dhe jetën totalisht të ecim përpara. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti ju bekoftë ju. Respekt, Faleminderit.

Elton Shametaj* Fjala e mbajtur ne darken e Pavaresise dhe te Flamurit tone Kombetar ne emer te Bordit Drejtues dhe te te gjithe anetareve te “Albanian-American Law Enforcement Association”.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT