PROF. DR. ARISTOTEL SPIRO/
Në diskutimin tejshekullor për origjinën e nyjave të shqipes problemi kryesor u formulua si alternativa e parësisë kohore të nyjës së përparme apo nyjës së prapme (Çabej 1963). Mirëpo, koha dëshmoi që kjo qasje ka qenë metodikisht e gabuar, sepse jo vetëm që nuk solli asnjë zgjidhje të problemit, por prodhoi edhe probleme të tjera, që e larguan më shumë zgjidhjen e çështjes së nyjave.
Parësia kohore e njërës apo tjetrës nyjë, e përparme apo e prapme, nuk e zgjidh problemin, sepse merr si pikënisje një situatë gramatikore në të cilën këto dy lloje nyjash perceptohen si të përvijuara tashmë në sistemin gramatikor të shqipes. Por çka na intereson është rrugëtimi gramatikalizues nga elementi i pasvendosur enklitik, që konsiderohet përemri dëftor i dikurshëm me funksion anaforik, deri në përngjitjen dhe shndërrimin e tij në tregues të aglutinuar të shquarsisë.
Kjo mënyrë të vështruari e problemit na imponon që si gjendje paragramatikalizuese të marrim sintaksën e dëftorit në pozicion enklitik. Duke vepruar kështu kemi përjashtuar automatikisht gjasën që nyja shquese të ketë qenë element proklitik, e paravendosur si një morfemë e lirë.
Nëse, megjithatë, do të dëshironim ta konsideronim medoemos edhe këtë gjasë, atëherë do të duhej që ta zhvendosnim edhe më prapa në kohë, pra, në një gjendje paragramatikalizuese, kur në shqipe apo «nënën» e saj nuk ekzistonte kategoria gramatikore e shquarsisë/pashquarsisë.
Mirëpo, jo vetëm gjuha e sotme shqipe, por as tekstet më të vjetra të saj nuk japin asnjë shkas për të menduar rreth një ekzistence të mundshme të ndonjë formanti shques të paravendosur në ndonjë fazë shumë të hershme të shqipes së padokumentuar.
Prandaj, jemi të detyruar ta përjashtojmë mundësinë e një gjendjeje zanafillëse gramatikore me nyja shquese të paravendosura në shqipe (siç janë shprehur Selman Riza, Besim Bokshi, Kolec Topalli) dhe të marrim si pikënisje një sistem gramatikor pa kategorinë gramatikore të shquarsisë / pashquarsisë, në të cilin dëftori anaforik i pasvendosur në rrethana të caktuara sintaksoreiu prapangjit temës së emrit.
Po cilat ishin këto rrethana sintaksore?
Studimet e derisotme (Eqrem Çabej 1963, Shaban Demiraj 1985, Selman Riza, Besim Bokshi 2009, Kolec Topalli 2009) vlerësojnë si një shkak nxitës rënien e mbaresave të lashta të trashëgimisë indoevropiane dhe ato të krijuara rishtazi në protoshqipe.
Rënia e këtyre mbaresave shkaktoi një tronditje në sistemin emëror, por edhe në atë mbiemëror, që i përsëriste këta tregues për hir të përshtatjes sintaksore. Lindën fjalëforma të reja, homoforma brenda paradigmës së njëjësit, brenda paradigmës së shumësit ose midis njëjësit dhe shumësit (Orel 2000: 233-236), të cilat u nxitën edhe prej analogjisë.
Çka duhet nënvizuar megjithatë në këtë pikë janë tri gjëra të rëndësishme:
a) Rënia e mbaresave të protoshqipes dhe reduktimet e temave nuk prekën pa përjashtim të gjithë emrat dhe të gjitha hallkat e paradigmës emërore.
b) Nuk mund të konceptohet as në mënyrë hipotetike ndonjë periudhë «vakuumi morfematik», gjatë së cilës fillimisht të kenë rënë mbaresat e lashta dhe vijimisht, pas një nevoje për mbaresa të reja, të jenë vënë në veprim mekanizmat rigjenerues të gjuhës për përftimin e një sistemi të ri emëror. Folësit e gjuhës, natyrisht, nuk kanë reshtur së komunikuari për asnjë çast.
Ndryshimet në gjuhë, përfshirë rënien e mbaresave të protoshqipes, kanë ndodhur në një mënyrë graduale, duke shkaktuar lëvizje sistemore të kontrolluara nga intuita gjuhësore e folësve.
c) Në këto kushte të reja gramatikore, për të shmangur pakuptimësinë apo dykuptimësinë janë vënë në veprim mjetet ekzistuese morfologjike dhe sintaksore, si ndryshimi i topikës së përcaktorëve dhe përdorimi i emfatik i dëftorësisë për lokalizimin e qartë të elementit përcaktor (khs. djalë i mirë dhe djalë të mirë, lule e fushës dhe lule të fushës).
Kjo gjendje jep shkas për një riorganizim të sistemit emëror dhe një risistematizim të paradigmës së lakimit. Në këtë risistematizim elementet e sistemit të vjetër dhe ato të sistemit të ri kryejnë funksione gramatikore duke u riorganizuar në një paradigmë të re.
Si faktorë risistematizues mund të përmenden:
1. Trysnia e formave të shumësit të ri mbi format e njëjësit. Njësimi i emërores me kallëzoren shumës ndikon që të njësohen emërorja dhe kallëzorja e re (e reduktuar) e njëjësit.
2. Vijimësia e përdorimit të mbaresave të vjetra në kallëzoren njëjës të emrave mashkullorë dhe femërorë kontribuon në zhvillimin e një opozicioni të ri të përgjithshëmforma të qarta : forma të paqarta. Dëshmi për këtë janë mbaresa-n e kallëzores dhe mbaresa -a e emrave kryesisht femërorë, të cilat nuk shpjegohen me skemën e njohur të anticipimit dhe mandej aglutinimit të dëftorit anaforik.
Shumë tema të protoshqipes mbaronin më -a /-ā. Këtu përfshiheshin emra (dhe mbiemra) të të tri gjinive, por ata të gjinisë femërore duket se kishin epërsi numerike më të madhe:*dwōrā>derë, *da(s)ra> dorë, *tsanida> thëni > thëri(Orel 2000: 217), *smekra>mjekër, *swetsura> vjehërr (Orel 2000: 220), *skala> halë, *krada> krodhë, *lenta> lëndë ~ landë, *alena> llërë ~ llanë, *megla> mjegull, *rudza > rrudhë, *tasla> tollë, *tsaka > thekë, *widewa > ve, *da(i)tja>dosë, *aignja> (dell)enjë, *agnja > enjë ~ ëjë ‘qengj?’,*melitja > mjalcë,*witsja>vise, *kaxa > kohë, *lapa > lapë (Orel 2000: 222), *balta>baltë, *buma>bimë, *darka>darkë, *anrja> ëndërr ~ andërr, *spela > fjalë, *ksira > hirrë, *skurda > hudhër (Orel 2000: 223).
Nga ana tjetër, formanti rasor i kallëzoressë protoshqipes duket se përmbante bashkëtingëlloren [n], ashtu si në disa gjuhë të tjera indoevropiane, si p.sh., në luvishte, hetitishte të vjetër (Oettinger 2017: 257) dhe në greqishten e lashtë(Horrocks 2017: 726) e të re.
3. Format e reduktuara për shkak të rënies së mbaresave të protoshqipes nuk duhen menduar si gramatikisht të mangëta. Ato kanë funksionuar vazhdimisht si lëndë e parë për formimin e fjalive, duke u shërbyer strategjive komunikative të folësve. Gjithsesi, këto formatë reduktuara, për shkak të homoformave brendaparadigmatike,mund të jepnin shkas edhe për ndonjë «paqartësi», çka bien ndesh me qëllimin e komunikimit, që është qartësia e kumtimit.
Përcaktorët mbiemërorë, për shkak të tronditjes së treguesve flektivë të emrave, nga pozicioni para emrit kaluan në pozicion pas emrit. Ky ndryshim topike nënkuptonte vetiu një përdorim emfatik të tyre. Mbiemrat, që kishin një morfologji simetrike me atë të emrave (meqenëse përsëritnin treguesit rasorë në një mënyrë identike e më të përgjithësuar), nuk mbetën të pandikuar as ata nga procesi rrëgjues i treguesve flektivë në fund të fjalës. Kështu që u përsëriten edhe në rastin e tyre të njëjtat mjete ndihmëse, ashtu si tek përcaktorët emërorë. U shfaqën edhe këtu përemrat dëftorë, të cilët ndihmuan për të specifikuar një emër në bazë të një cilësie të caktuar. Këta përemra dëftorë e theksonin edhe më shumë emfazën e krijuar nga ndryshimi i topikës së mbiemrave.
Kjo sintaksë e re u kthye në një «modë ligjërimore», sepse ishte mjaft e përshtatshme për të shprehur mendimet dhe për të specializuar sendet e shënuara nga format e reduktuara të emrave. Ajo u shtri në të gjitha rasat e emrave, në rasën emërore dhe në rasat e zhdrejta. Kuptimi i caktuesisë përfshinte natyrisht edhe rasën kallëzore njëjës të emrave mashkullorë e femërorë, që nuk e kishin bjerë mbaresën rasore-n. Meqenëse sendet dhe vetat nëpërmjet kësaj rase perceptoheshin përgjithësisht si konkrete, të individualizuara, duhej krijuar edhe forma gjegjëse e «reduktuar», kuptimisht e «paqartë» sipas modelit të rasës emërore, duke përsëritur homoformësinë e krijuar tashmë në numrin shumës. Kështu, edhe në rasën kallëzore, homoforme me emëroren, para përcaktorëve të varur vijues u përdor përemri dëftor me funksion anaforik. Kundërvënia midis dy sintaksave të kallëzores sapo ishte krijuar. Khs. em. gardh i shtëpi[së],kallëz. gardh të shtëpi[së], burrë i moti[të], kallëz. burrë të moti[të], por në nivelin e dy formave të kallëzores njëjës:gardhnëe shtëpi[së]dhe gardh të shtëpi[së], burrënëe moti[të] dhe burrë të moti[të].
Në gjininë femërore gjërat ishin pak më ndryshe se në atë mashkullore. Këtu mbaresa -a e protoshqipes nuk arriti të binte. Ishin të njëjtët faktorë konservues që nuk lejuan të binte mbaresa -n e kallëzores. Trajta më -a paraqitej jo vetëm fonetikisht, por edhe semantikisht më e qartë, përderisa integriteti shenjor i emrave nuk ishte prekur. Në opozicionin e risistemuar që po krijohej, ajo identifikohej me të qartën, të përcaktuarën, të shquarën. Trajta paralele, e «paqartë», e «pashquar», ashtu si nërastin e emrave mashkullorë, pa praninë e -a-së.
«Çarja» e sistemit të vjetër dhe kalimi drejt sistemit të ri e pati zanafillën pas gjithë gjasash në rasën kallëzore të emrave, treguesit flektivë të së cilës nuk ranë, gjë që dëshmohet nga krahasimi, si më lart, me gjuhët e tjera indoevropiane. Khs.: sq. nusenë gr.νύμφην.
Kjo gjasë pajtohet edhe me shpjegimin që jep La Piana, mbështetur vijimisht nga Çabej (1963), për vjetërsinë e treguesit gramatikor të shquarsisë në kallëzore. Veç bash në këtë pikë duhet bërë një vërejtje parimore: ky tregues nuk karakterizohej në epokën paralatine dhe latine të hershme të shqipes nga kuptimi kategorial i shquarsisë, sepse ende nuk ishte përvijuar në shqipe kjo kategori gramatikore. Madje mund të thuhet se ende nuk ishte krijuar cilësisht gjuha shqipe.
Forma e kallëzores ka pasur megjithatë një kuptim shquarsie në një kontekst pragmatologjik, për arsye të konkretësisë,karakterit kuptimor të drejtpërdrejtë që sugjeron forma e kallëzores dhe qartësisë që sugjeron sidomos sintaksa e saj veprore.
Kjo fjalëformë rasore mund të shërbente si një formë e «plotë», një formë e «qartë», e kundërvënë ndaj formave të reduktuara, të paqarta që po krijoheshin si rezultat i rënies së mbaresave të rasave të tjera.
Sigurisht, nuk mund të bëhej fjalë ende për një kategori gramatikore të shquarsisë / pashquarsisë. Përdorimi i përemrit dëftor dhe përngjitja pas temës së kallëzores mund të ketë ndodhur shumë kohë para reduktimit dhe rënies së mbaresave indoevropiane dhe protoshqipe në kuadrin e strategjive pragmatologjike ligjërimore të folësve. Në epokën paralatine nuk mund të bëhet fjalë për forma të shquara e të pashquara.
Rasti i kallëzores dëshmon se protoshqipja i kishte gati mjetet gjuhësore për të plotësuar «mangësinë funksionale» që krijonte reduktimi i mbaresave kryesisht mashkullore. Përdorimi i klitikëve edhe jashtë rasës kallëzore nuk ishte diçka e pamundur tashmë, por nuk mund të bëhej pa një emfazë të dukshme. Loja gramatikalizuese e klitikëve dëftorë që do të çonte në enklizën shquese sapo kishte filluar. Në këtë lojë merrnin pjesë të gjitha format emërore, si ato të redultuara ashtu edhe ato të plota.
Format e reduktuara u kundërviheshin formave të plota që po trashëgoheshin prej protoshqipes dhe kërkonin një vend të caktuar në inventarin e ri të përgjithshëm të formave të sistemit emëror të shqipes. Krijohet një gjendje opozicionale e përgjithshme forma të plota / të qarta vs forma të reduktuara / të paqarta, e cila hap udhën drejt një kuptimi të ri kategorial shquarsi : pashquarsi.
Format e reduktuara që kanë lindur përdoren paralelisht me format e plota (kallëzorja njëjës dhe emërorja njëjës e emrave femërorë), të cilat po konservoheshin pjesërisht edhe nën ndikimin e huazimeve latine që po vërshonin me shumicë në protoshqipe. Gjedhja latine favorizonte shumë sidomos ruajtjen e mbaresës –a tek emrat femërorë.
Format e konservuara perceptoheshin në intuitën e folësve si forma më të qarta, më të plota, përkundër formave me dobësim apo rënie mbaresash, të cilat perceptoheshin në intuitën e folësve si forma jo aq të qarta, edhe për shkak të krijimit të formave homonime ndër-rasore brenda paradigmës së lakimit të tyre. Ky dobësim i treguesve rasorë, reduktimi deri në zero i mbaresës rasore, solli si pasojë një tronditje të vogël në sintagmën emërore të tipit mbiemër + emër.
U përvijua, pra, një gjendje gramatikore kalimtare, e cila karakterizohej në një pjesë të paradigmës nga dobësimi, zbehja deri në rënie të mbaresave të protoshqipes (rasa emërore njëjës dhe shumës e emrave mashkullorë, femërorë dhe e emrave asnjanës, emërorja dhe kallëzorja shumës bëhen identike) (Orel 2000) dhe nga ana tjetër nga mosrënia e mbaresave rasore, sidomos në format e rasës kallëzore, e cila shërbente si një pikë bashkuese e emrave femërorë dhe mashkullorë.
Duhet të ketë qenë pikërisht kjo ndjenjë paqartësie semantike – gramatikore ajo që e bëri të nevojshëm përdorimin e mjeteve gramatikore plotësuese për shprehjen e raporteve sintaksore (qartësimi i objektit të referimit). Mbiemrat nisin të përdoren pas emrave.
Kalimi i mbiemrit nga pozicioni para emrit në pozicionin pas tij kërkonte edhe mobilizimin e mjeteve gramatikore shtesë, që do të sqaronin më mirë marrëdhëniet e përkatësisë. Për këtë funksion u thirrën në përdorim përemrat dëftorë.
Nevoja e përdorimit të dëftorit u ndie më shumë tek sintagmat ku emri si gjymtyrë kryesore paraqitej me mbaresa të reduktuara ose zero.
Që të gramatikalizohej ky kuptim i ri kategorial do të shfrytëzoheshin format dhe mjetet ekzistuese gramatikore, të cilat do të përdoreshin për t’usistemuarnë «mozaikun» e ri paradigmatik që po krijohej.
Gjedhja konservuese e emrave femërorë të protoshqipes që mbaronin më -a pajtohej me morfologjinë e një shumice huazimesh latine që filluan të vërshonin në të. Duket se procesi i risistematizimit të sistemit emëror të protoshqipes ishte në zhvillim e sipër në kohën e kontakteve të saj intensive me latinishten dhe depërtimit të vrullshëm të huazimeve latine. I njëjti model përshtatshmërie i emrave femërorë vendas po përsëritej me emrat femërorë të latinishtes. Khs.: lat. arma> armë, lat. bēstia>bishë, lat. bucca (në romanitetin ballkanik ‘ushqim’) >bukë (Orel 2000: 224),lat. bulla>bulë,lat. familia>fëmijë, lat. furca> furkë, fossa>fushë,lat. lucta>luftë, khs. rum. lupta, lat. pergula> pjergull (Orel 2000: 225).
Emrat mashkullorë dhe asnjanës të latinishtes u huazuan në protoshqipe pa mbaresat e tyre, me të njëjtën mënyrë që u veprua edhe me fondin e emrave vendas. Khs.: lat. arcus>(h)ark, lat. floccus> flok, lat. fundus>fund, lat augustus>gusht, lat. Martius>mars, lat. modus ‘masë’ >modh ‘shinik’, lat.monachus>mung~ murg,lat. puteus> pus, lat. sessus> shesh, lat. vitium>ves, lat. damnum>dam ~ dëm, lat. fatum> fat, lat. fossatum> fshat, lat. gaudium>gaz, lat. caelum>qiell, lat. scutum>shqyt (Orel 2000: 225).
Në skemën e përgjithshme të risistemimit të paradigmës së lakimit të emrave format e lashta mashkullore duhet të jenë interpretuar si të «paqarta», ndërsa ato femërore si të «qarta». Kuptimi i tyre i «qartë» përkatësisht i«paqartë»,do të arrihej në kushtet sintaksore të zgjerimit me përcaktorë emërorë a mbiemërorë, duke iu paravendosur përcaktorëve përemrat dëftorë në një funksion anaforik emfatik.
Është e sigurt se rendi i përcaktorëve emërorë ka qenë pas emrave drejtues, ndërsa rendi i përcaktorëve mbiemërorë duhet të ketë qenë, sipas dëshmive të sintaksave të sotme konservative të shqipes, përpara emrave që modifikonin.
Në kushtet e rënies së treguesve rasorë të emrave mashkullorë (dhe asnjanës) rendi i pasvendosjes së përcaktorëve emërorë funksiononte si një garanci për shprehjen e raporteve përcaktore, edhe pse kishin nevojë të përforcoheshin mandej me mjete ndihmëse emfatike.
Këtë pozicion pas emrit mund ta shfrytëzonin edhe mbiemrat, të cilët, po të qëndronin në pozicionin pas emrit, raportet përcaktore rrezikonin të përmbyseshin, domethënë të dilte si element i përcaktuar mbiemri modifikues i mbetur pa tregues flektivë dhe e kundërta. Tani e tutje mbiemrat do të fillonin detyrimisht të kalonin pas emrave, gjë që nënkuptonte një përdorim emfatik të tyre. Siç duket, përemri dëftor u zgjodh për të theksuar më shumë emfazën si në rastin e përcaktorëve mbiemërorë, po ashtu edhe të atyre emërorë.
Në rang gjinie, skema e diferencimit formal i shquar : i pashquar duhet të ketë funksionuar fillimisht tek emrat mashkullorë, mbaresat e të cilëve u reduktuan dhe, për pasojë, kishin nevojë për mbështetjen e mjeteve ndihmëse gramatikore në shprehjen e marrëdhënieve të tyre sintaksore. Në këtë skemë u përfshinë edhe ata emra femërorë që eventualisht ndiqnin lakimin e emrave mashkullorë.Gjithë pjesa tjetër e emrave femërorë më -a e ruajtën të paprekur mbaresën femërore.
Pas përvijimittë kundërvënies formale trajtë e shquar : trajtë e pashquar tek emrat mashkullorë (eventualisht edhe tek emrat asnjanës), kjo kundërvënie duhej shtrirë moedoemos edhe tek emrat femërorë. Duhej me një fjalë të krijohej trajta përkatëse e «paqartë», e «pashquar» e emrave femërorë. Për krijimin e kësaj trajte u shfrytëzua modeli i një pjese emrash mashkullorë.
Ndërsa në trajtën e pashquar emra mashkullorë femërorë dhe asnjanës mund të dilnin në forma të ngjashme, në trajtën e shquar diferencoheshin qartë midis tyre. Trajta e shquar shërbente tashmë jo vetëm kuptimisht për ta treguar një frymor, send a nocion si të qartë a të njohur e të dallueshëm kuptimisht por edhe për të dalluar gramatikisht gjininë e emrit. Matrica flektive e emrave do të bazohej këtej e tutje tek trajta e tyre e shquar.
Në periudhën e kontakteve të shqipes me sllavishten duket se riorganizimi i sistemit emëror në lakimin binar ishte përvijuar tashmë. Emrat ehuazuar sllavë interpretohen si trajta të shquara, prej të cilave rindërtohet në shqip një trajtë e pashquar sipas modelit që ofron sistemi. Khs.: sllav. *nevol’a> nevojë, sllav. *pelena> pelenë, sllav. *pijavica> pjavicë, sllav. *orkyta> raqitë‘fshesë (shkurre)’, sllav. *rēka> rekë, sllav. *rēpa> repë, sllav. *sēra> serë,sllav. *veriga> verigë, sllav. *vьrsta> vërsë ~ vërcë, sllav. *tъkacь>kaç‘endës’, sllav. *likъ>‘(sipër)faqe’ > lik‘nivel’, sllav. *nemьcь> nemec, sllav. *obvorъ> oborr, sllav. *pelynъ>pelin, sllav. *rędъ> red‘radhë’, sllav. *orzsolъ> rrasoll‘turshi, shëllirë’, sllav. *sapъ> shap‘sëmundje buajsh, Aphta epizootica’, sllav. *ugarъ>ugar, sllav. *zabelъ> zabel, sllav. *zegi>zheg(Orel 2000: 227).
Proceset gramatikalizuese tek emri i ngjajnë një spiraleje, ku skema gramatikalizuese përsëritet, por merr një përmbajtje tjetër. Këtë provon të paktën paradigma e lakimit të emrit në shqipe.
Mbaresat rasore të emrave mashkullorë të gjinores së pashquar njëjës përsëriten në emëroren e shquar të të njëjtit numër. Kjo shërben edhe si një dëshmi e tërthortë se sintaksa e gjinores nuk erdhi si një mjet gramatikor i papritur, por si një pleonazmë gjuhësore ndërtimesh diakronikisht të njohura.
Në këtë kuptim, nyja shquese –i/-uka ndaj mbaresës së gjinores të njëjtin raport që ka në greqishte nyja shquese e kallëzores njëjës τον / την / το [ton / tin / to]me mbaresën e emrit në kallëzore (khs. πλοῦτον, νύμφην, δένδρον) ([plūton, nýmphēn, déndron).
Dëftori anaforik i vendosur para përcaktorëve të varur nisi të shfaqej kaq dendur, saqë me kalimin e kohës prania e tij ishte e domosdoshme, ndërsa mungesa e tij e bënte ndërtimin kundërgramatikor. Ky dëftor, duke u shfaqur si element i pandryshueshëm para një pafundësie përcaktorësh, fitoi dalëngadalë kuptimin e përgjithshëm të përcaktueshmërisë (duke nënkuptuar një gjymtyrë përcaktore) dhe vijimisht të shquarsisë (duke qenë se mund të përdorej edhe pa përcaktorin vijues) (Spiro 2021: 139-140).
Në «çastin» gramatikor kur ky element mund të gjendej i vetëm pas emrit drejtues, përngjitja e tij pas emrit bëhej një «fatalitet» i pakthyeshëm gramatikor.
Pas përngjitjes së elementit enklitik gramatikor,tashmë shques, nuk ishte ndonjë domosdoshmëri emfaza e përcaktueshmërisë. Gjithsesi, sintaksa e pasvendosjes së përcaktorëve vijoji të përdorej në gjuhë dhe vendi i dëftorit anaforik para tyre ishte i disponueshëm. Në këto raste, çdo referencë përcaktueshmërie ishte redundante. Në lidhjen formale, elementi origjinarisht dëftor nuk mund të përsëritej në formën e tij emfatike. Për këtë mund të përdorej trajta e tij joemfatike apo trajta e «shkurtër». Në shumicën e rasteve ajo nuk ishte gramatikisht e domosdoshme. Deri sot nëpër dialekte dhe në thjeshtligjërimin e standardit nyja e përparme në sintaksën joemfatike zakonisht nuk përdoret. Kjo vlen sidomos kur emri i përcaktuar është në rasën emërore dhe gjinore të numrit njëjës (çuni dajës, goca lagjes, furra vjetër, rruga lëmit, rruga bregut, komuniteti Kaninës, krahina Shpatit, shtëpia lodrave, fakulteti shkencave, agjencia trajtimit të kredive, kisha Shën Prokopitetj.). Ndoshta ky rregull do të ishte përgjithësuar për të gjitha lidhjet e ngjashme sintaksore, në qoftë nuk do të ekzistonte nyja e përparme e e rasës kallëzore, e cila nuk mund të mungojë asnjëherë para përcaktorëve emërorë e mbiemërorë. Modeli i lidhjes sintaksore të rasës kallëzore shërben si një matricë përndarëse të nyjave të përparme sipas sintaksës emfatike dhe asaj joemfatike gjatë gjithë paradigmës së bashkëlakimit të sintagmës emër + përcaktor.
Përfundime:
Nyja e prapme shquese dhe kategoria e shquarsisë kanë lindur nga i njëjti proces gramatikalizues në shqipe.As gjuha shqipe as nëna e saj nuk kanë pasur ndonjëherë nyja shquese proklitike.
Nyja e prapme shquese ka rrjedhur nga dy burime: nga treguesit e vjetër rasorë (rasa kallëzore e emrave mashkullorë dhe femërorë dhe rasa emërore e emrave femërorë), si dhe nga tërheqja dhe gramatikalizimi i dëftorit anaforik që u paravendosej përcaktorëve bujtës.
Nyja e përparme e shqipes është në origjinë një përemër dëftor i përdorur në kushte emfaze. Pas tërheqjes dhe përngjitjes nga emri drejtues dhe gramatikalizimit të tij si nyjë shquese,radha joemfatike etë njëjtit përemër mund të përdorej opsionalisht para përcaktorëve të emrit. Kështu, në shqipe u përvijuan dy radhë nyjash të përparme: emfatike dhe joemfatike, që u përgjigjen dy sintaksave homonime. Me përjashtim të rasës kallëzore, sintaksa joemfatike në ligjërimin popullor lejon mospërdorimin e nyjës së përparme.
Shfaqja e nyjës shquese të aglutinuar prapa emrit e dyfishoi lakimin e emrit në shqip.
Konsolidimi i lakimit të dyfishtë në shqipe pati pasoja të jashtëzakonshme në historinë e kësaj gjuhe. Pikësëpari, e ndau përfundimisht dhe e afirmoi si një gjuhë cilësisht të ndryshme nga «nëna» e saj.
Procese të tjera risistematizuese e kanë zanafillën në këtë risi eptuese të shqipes. Shprehja e raporteve sintaksore brenda sintagmës emërore kryesisht nëpërmjet formave rasore dhe nyjave arriti në ndonjë rast të mënjanonte në rrjedhë të kohës edhe përdorimin e ndonjë mjeti të tretë, si parafjala (e)n, e specializuar për rasën rrjedhore. Kjo, pavarësisht nga mobilizimi i parafjalëve të tjera, do të shkaktonte si pasojëdobësimin, çintegrimin deri edhe zhdukjen e rasës rrjedhore nga sistemi rasor i shqipes së sotme.Kështu, dyfishimi fillestar i formave të lakimit u pasua nga thjeshtimi i sistemit eptues në shqipe që sot paraqitet me tri rasa (Spiro 2019, 2021).
Shfaqja e sintaksës emfatike në shqipe nuk ishte një dukuri e veçuar. Emfaza përfshiu,si në një reaksion zinxhir, të gjithaelementet e ligjërimit. Përemrat dëftorë, që po merrin pjesë në krijimin e lakimit të dyfishtë të shqipes, tani kishin nevojë për të konfirmuar më qartë brenda sistemit gjuhësor funksionet e veta distale. Për këtë arsye ata do të «përforcoheshin» këtej e tutje me parashtesat deiktike a- dhe kë-, të cilat do të bëheshin pjesë të pandashme të identitetit të tyre leksikogramatikor.
Pasojat u shtrinë jo vetëm brenda gjuhës shqipe, por edhe jashtë saj. Nën ndikimin e modelit të shqipes enkliza shquese u gramatikalizua në rumanishte dhe prej saj u shtri edhe në bullgarishte e maqedonishte, duke shënuar krijimin e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike.
Bibliografi:
Bokshi 1980 = Bokshi, Besim. 1980. Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes. Prishtinë.
Çabej 1963 = Çabej, Eqrem. 1963. Rreth disa problemeve të historisë së gjuhës shqipe. Në: Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore. 3: 78-92.
Demiraj 1986 = Demiraj, Shaban. 1986. Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Tiranë: Universiteti i Tiranës «Enver Hoxha», Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.
Horrocks 2017 = Horrocks, Geoffrey. 2017. The evolution of Greek. Në: Klein, Jared S; Joseph, Brian D & Fritz, Matthias (eds.) In cooperation with Mark Wenthe. 2017. Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics. Handbücher zur Sprach- und Kommunikationswissenschaft. Bd 41.1. Berlin/Boston: De Gruyter Mouton, 717-732.
Oettinger 2017 = Oettinger, Norbert. 2017. The morphology of Anatolian. Në: Klein, Jared S; Joseph, Brian D & Fritz, Matthias (eds.) In cooperation with Mark Wenthe. 2017. Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics. Handbücher zur Sprach- und Kommunikationswissenschaft. Bd 41.1. Berlin/Boston: De Gruyter Mouton, 256-273.
Orel 2000 = Orel, Vladimir E. 2000. A concise historical grammar of the Albanian language: reconstruction of Proto-Albanian. Brill: Leiden; Boston; Köln.
Riza 1958 = Riza, Selman. 1958. Nyjat e shqipes. Në: Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore. 4: 3-59.
Spiro 2021 = Spiro, Aristotel. Nyjat në gjuhën shqipe. Diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: Prokliza binare dhe enkliza shquese. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Topalli 2009 = Topalli, Kolec. 2009. Nyjat e shqipes. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë: Toena.