• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

GODITJE MË TË FUQISHME PA SHQYTIN E EUROS

January 11, 2022 by s p

Nga  CHRISTINE LAGARDE/

Një janari ka qënë për mua një ditë e posaçme. Është fillimi i një viti, siç është për të gjithë, por është dhe ditëlindja ime. Më 1 janar 2002, kishte dhe një tjetër arsye për të festuar: atë ditë 12 Vëndet pjesëmarrëse në zonën e euros vinin në qarkullim kartëmonedhat e monedhat në euro. 

E kalova atë ditë me familjen dhe miqtë në shtëpinë time në Normandi, në Francë, e pak para mesnatës shkuam së bashku në kërkim të sportelit automatik më t’afërm për të mundur të preknim me dorë kartmonedhat e para në euro. Simbas disa miqve të mij, kalimi në monedhën e re do të kishte mbingarkuar arkat automatike dhe kartëmonedhat në euro nuk do të ishin në to. Vumë bast se nëse shpërndarësi do të kishte nxjerrë franga franceze në vënd të eurove, ato para do t’u mbeteshin atyre.

Mbasi kaloi mesnata provuam të tëhiqnim para: nga sportelet dolën kartëmonedha të freskëta nga shtypia dhe të gjithë ngritëm dolli për monedhën e re evropiane. 

Kjo përvojë e ime vetiake ësht vetëm një nga çastet e ndërrimit valutor më të gjërë të historisë; që atëherë zona e euros është zgjeruar gjithënjë e më tepër. Ata 12 Vënde janë bërë 19, me më shumë se 340 milion qytetarësh që bashkëndajnë të njëjtën monedhë, megjithë gjuhë e kultura të ndryshme, duke tejkaluar kufijtë kombëtarë. Euro i ka dhënë ndihmesën vetëdijës së bashkimit ndërmjet evropianëve. Në hulumtimin e fundit të Eurobarometrit, pyetjes mbi kuptimin e Bashkimit Evropian për qytetarët, 41 % e qytetarëve i janë përgjigjur duke eshoqëruar me euron. Monedha e përbashkët ka qënë e dyta vetëm mbas lirisë së lëvizjeve.

Është e qartë se euro dhe Evropa janë tashmë të pandashme. Për të rinjtë evropianë, që kanë njohur gjithmonë vetëm monedhën e përbashkët, duhet të jetë praktikisht e pamundur të përfytyrojnë Evropën pa euro. Mbështetja kundrejt monedhës së përbashkët ka arritur majën e saj historike në 2021. Simbas hulumtimit të fundit të Eurobarometrit ajo gëzon sot një tregues miratimi prej 78 %.

Kur mendoj për euron më vijnë në mëndje ndërmarrjet dhe bizneset familjare që kanë arritur suksesin në sajë të të mirave që rrjedhin nga euro dhe tregu i përbashkët. Nga 1990 deri në 2002 shkëmbimi i mallrave ndërmjet Vëndeve që më vonë u bashkuan në zonën e euros është shtuar më pak se 5 %, ndërsa është rritur rreth 200 % duke filluar nga hyrja në monedhën e përbashkët. Qytetarët kanë mundur të udhëtojnë pa ndërlikimet e kostot të lidhura me këmbimet e milionë studentë e puntorë jashtë nuk duhet të përdorin më valuta të ndryshme.

Euro pa dyshim ka fuqizuar aftësinë tonë të qëndresës. Nga birësimi i monedhës së përbashkët jemi pajisur me mjete më të mirë për të mbarështuar krizat. Goditjet ekonomike të fundit do të kishin qënë shumë më të rënda po të mos kishte qënë qëndrueshmëria dhe integrimi që euro i ka siguruar tregut të përbashkët. Në çastet kritike, si gjatë pandemisë, monedha e përbashkët ka qënë themelore për të bashkërenduar përgjigjet e ndryshme n’Evropë.  

Banka qënrore evropiane është roje e euros dhe ne punojmë me zell për të mbrojtur monedhën e përbashkët. Është detyra e jonë të garantojmë sigurinë e kartëmonedhave dhe është edhe detyra e jonë të studjojmë forma pagesash plotësuese si euro dixhital.

Jemi duke riprojektuar për të parën herë kartëmonedhat tona, duke i mbajtur të sigurta e në pararojë, por në të njëjtën kohë duke i përshtatur, me qëllim që qytetarët evropianë të çdo moshe e të çdo prejardhjeje të mund të njihen në to. Do t’i kërkojmë mendimin qytetarëve mbi temat dhe elementët grafikë të kartëmonedhave tona t’ardhëshme; do të botojmë ndihmesat e tyre në 2024, më parë se të programohet hyrja e biletave të reja.

N’atë mbrëmje të ftohtë të njëzet viteve më parë nuk mund të përfytyroja kurrë se mbrojtja e euros do t’ishte bërë puna e ime kryesore. Por është ky zotimi që kam marrë duke vënë emrin tim mbi kartëmonedhat që ju përdorni çdo ditë. Ajo firmë paraqet zotimin tim kundrejt njërit prej simbolevemë të çmueshme të bashkësisë evropiane. 

Le të ngremë dolli për 20 vitet e kartëmonedhave në euro!

“Corriere della Sera”, 31 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

Poezi nga Neki Lulaj

January 11, 2022 by s p

Më shurdhëroi qetësia


Kjo qetësi e frikshme të shurdhëron
Me kut mas vetminë e pluhurosur.
Mbi xhamat e shpirtit mjegulla zbardhon
Benë roje-e unë ndrydh
Heshtjen time të plandosur.

Sonte me tëmthat e gishtërinjve
Numëroj kujtimet e zgjedhura
Më kthejnë në rininë e arratisur
E unë bëj vrapin në djersitje.
Si kalë i pashaluar


Përpiqem ta ndal ta kthej kohën në ikje.
Jam mes labirinteve të vetmisë
Mes qetësisë së shurdhër
Më trokasin pyetjet e parreshtura.
Do t`ia hap kalasë portat
E ta mbyll sonte
Këtë rrapëtim shiu te streha.



Zjarri i ngrirë


Po shkrihem si guri mbi zjarrin si lulëkuqe
Në këtë zhurmë shekulli që nuk po ndihet
Në dasmën e madhe me krushq e nuse
Në dimrin e valë veshëm palë këmishe.

Po shkruaj vargje zemre që nuk lexohen
Prek ëndrrat e gjata të ditënetëve pa gjumë.
Historinë e urtakëve të ndrydhur me shekuj
Që me mençuri prroskën e bënë botën lumë.

Ishte një rrugë me plot tërmete shpirtërore.
Dhuna e cmira gjithë arsyen e kishin humbur.
Nënështrimit nuk ia mësuam gjuhën shekullore
Rrugë që zgjati në shekuj që na bëri të lumtur.


Kjo dashuri e zhuritur na shtyn për t’u dashur
Se dashuria është zjarr që ngroh ku fiket flaka
Se ëndrrat e gjata fort i lidhëm
Në ditën e bardhë për ta parë ditën
Nga terri i gjatë për ta parë dritën.

Filed Under: Kulture

Luigj Çekaj si shenjt i poezisë

January 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Shqipëri!Të gjithë jetën time unë kam vuajtur bashkë me ty.E megjithatë po të kem mundësi të shpëtoja a tëkthehesha në dragua,E deklaroj solemnisht se unë qysh tani,Do të hyja i gjallë në gurin e themeleve të pavdekshme të tua.
Në Qëndrën “Nënë Tereza” në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut u promovuan librat e poetit penëndritur Luigj Çekaj, pas vdekjes. Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me president shkrimtarin Adnan Memeti dhe kryetar z.Mhill Velaj. Gjithmonë kur ndodhem pranë kësaj qendre të thjeshtë si vetë emrin që mban të shenjtores shqiptare Nënë Tereza përjetoj emocione dhe kënaqësi të papërshkrueshme, ngase aty vlerësohen njerëz të penës, të artit, atdhetarë të elitës së Kombit si pak vjet më parë me At Gjergj Fishtën ku kishja nderin të ishja moderatore e atij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Ja kështu ndodhi dhe me të dielën e dytë të Janarit 2022 ku shkrimtarët së bashku me familjen e nderuar të poetit, bashkëshorten e tij fisnike Violeta Çekaj, vajzat e bukura dhe të mençura Enkolana, Justina qe siç i quan ai janë dy trëndafila drite në ballkon, çdo natë, si dhe djali i tij Terensi organizuan përkujtimoren në nderim të poetit Çekaj pas vdekjes. Aktivitetin e moderoi z.Mhill Velaj i cili e hapi duke ftuar pjesëmarrësit të mbanin një minutë heshtje në përkujtim të poetit Çekaj. Në panelin e aktivitetit z.Velaj ftoi shkrimtarë, kritikë dhe gazetarë të zinin vendet si: Adnan Mehmeti, Fran Shkreli, Dalip Greca, Kozeta Zylo dhe Pal Ndrecaj. Shpesh më dukej sikur ishja nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës. Sidoqoftë vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë poeteve fisnikërinë edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.Të ftuar nga shoqata dhe familja e tij si dhe e nderuar të mbaja kumtesë, ne kishim pasur fatin ta kishim mik të dy me Qemalin dhe t’i lexojmë me endje poezitë e tij ne botën e lirë, por mjerisht jo në kohën e akullt, kur dritën e mbyllnin nën gur morti…Cuditërisht sa herë shikoja portretin e Nënë Terezës në atë sallë aq të ngrohtë dhe modeste, përpara më dilte nënëmira e poetit. Pena e tij pikon mall dhe dashuri për vendin e tij, nënën e shtrenjtë që i puth ballin fisnik kur takohet me të dhe ja si shkruan: “Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema”…Është dashuri hyjnore e birit për nënën që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.Me të drejtë shkrimtari Memeti tha se: ai la një pasuri të madhe për shoqatën, letërsinë dhe Kombin. Ai kishte një shqipe të kulluar dhe tejet artistike, duhet kujtuar se z.Luigj Çekaj ka qenë që në themelimin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë si dhe sekretar i shoqatës do të pohonte shkrimtari Velaj. Shkrimtari dhe kritiku Pal Ndrecaj do të thoshte në diskutimin e tij se poezia e Luigj Çekaj është një poezi moderne. Dom Pjetër Popaj famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” e bekoi këtë veprimtari letrare dhe tha për poetin Çekaj se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe plot kulturë, e donte artin dhe poezinë, ndërkohe ka punuar për revistën Kuvendi si organ i Kishës Katolike shqiptare. Z. Pashko Camaj n/kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në emër të saj dhe kryetarit z.Elmi Berisha i dorëzoi bashkëshortes së tij znj.Violeta dhe familjarëve cmimin e mirënjohjes për një bashkëpunim të ngushtë me Diellin dhe Vatrën me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe arteve në New York Prof.Skënder Kodra i ka propozuar Bashkisë së Shkodrës për ta bërë qytetar nderi. Z.Fran Shkreli ish drejtori i Zërit të Amerikës e vlerësoi lart poetin Luigj Çekaj dhe tha se ndër vite ka qenë redaktor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Poeti Cekaj është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedh edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes si në vargjet: Atje ku/ Te muri, në vend të lahutës/ bimë vjerrëse varen/ Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, dhe qëndroi për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Kur i ati i Luigjit, vendoset në Amerikë, Luigjin e vogël, në moshën 2-3 vjeçare e njollosin me damkën e armikut. Z.Dalip Greca ish editori i gazetes “Dielli” në fjalën e tij midis të tjerash tha se kam qenë i privilegjuar që për 23 vite të takohesha të shtunave dhe të diskutonim për letërsinë, artin, historinë. Sot shikoj fëmijët e tij të rritur dhe bashkëshorten e tij Violetën që na priste me bujari dhe fisnikëri në shtëpinë e tyre. Ai pohoi se vetëm me dy vëllime poetike të poetit do të ishin të denja për cdo antologji, por poeti Çekaj vazhdoi më tej duke na dhuruar vepra të tjera shumë të arrira. Z.Greca tha se ishte një mjeshtër i përpunimit të fjalës së bukur artistike. DjaliiI tij Terensi lexoi poezinë “Amaneti i gjyshes sime”, ndërsja e bija e tij Enkolana lexoi poezinë kushtuar bashkëshortetes së tij Violetës. Në emër të familjes përshëndeti vëllai i Luigjit John Çekaj i cili falënderoi të gjithë të pranishmit që nderonin veprën e vëllait të tij dhe tha se ndihej krenar për një vella poet, atdhetar dhe njeri si Luigj Çekaj. Shumë emocionante ishte dhe punimi artistik, portreti në pikturë i poetit Luigj Çekaj realizuar mjeshtërisht nga artisti Astrit Tota. Ai përmes emocioneve tha se e kam sjellë ashtu sic ishte të gjallë në Bronx, duke ecur, menduar dhe krijuar. Në pamundësi për të ardhur përshëndetje erdhen nga Dr.Gjeke Marinaj shkrimtar i kalibrit botëror, Mark Shkreli kryredaktor i reveistës Kuvendi, Niko Spathari shkrimtar dhe studjues i mirënjohur, shkrimtarja Dr. Yllka Filipi si dhe studiuesja e letërsisë, Dr. Arjeta Ferlushkaj.Për të pranishmit familja shtroi një kokteil në perkujtim të të dashurit të tyre të paharruar Luigj Cekaj.Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent Qemal Zylo si dhe nga TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu.Ne atë të diel te ndritshme Poeti Çekaj dukej gati një shenjt, ecte dhe vetëm ecte duke predikuar fjalën më hyjnore në botë, fjalën shqipe. Dhe fjala e tij e bukur do të jetojë përjetësisht në veprat që na la.
9 Janar, 2022Bronx, New York

Filed Under: LETERSI

HOMAZH NË GJASHTËMBËDHJETË VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM TË IMZOT MARK SOPIT

January 11, 2022 by s p


Shkruan: Lekë Mrijaj/

Unë e konsideroj veten time shumë me fat, që kam pasë rastin të njihem personalisht për së afërmi me një Bari të Denjë Shpirtëror të Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës siq ishte imzot Mark Sopi. Ai, përveqse ishte një pasardhës i Martirëve të Karadakut, me konkret e them nga këndveshtrimi im, se ishte edhe një Dishepull i vertetë dhe tejët i kompletuar i Kishës Katolike Shqiptare, Atdheut dhe Kulturës sonë mbarëkombëtare. Pra imzot Marku ishte një udhëheqës shpirtëror e famullitar i ish bashkësisë së Famullisë sime “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan të Klinës, e me vonë Ipeshkëv i denjë i Ipeshkvisë së Kosovës pas imzot Pjetër Bogdanit, imzot Lazër Mjedës e imzot Nikë Prelës.

Imzot Mark Sopi, gjatë periudhave të ndryshme ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes shpirtërore, kombëtare, humanitare, kulturore e në sherbim të ndermjetësimit të faljeve të gjaqeve në vitet ‘90-ta në Kosovë, pra kudo qe ka vepruar si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri, ai, mbetët një sinonim i mirë shpirtëror për besimtarët dhe brezat e meshtarëve e pasardhësit e tij të ipeshkvinjëve në Dioçezën e Kosovës: Prishtinë-Prizren.

Gjatë atyre viteve të veprimtarisë së tij ashtu si në famullinë tonë poashtu më vonë kur me njē Dekret të posaqem ishte Lauruar nga Papa Gjon Pali II-tē (Papa Karol Vojtila) për Ipeshkëv të Kosovës. Ai, ka shpërndarë Deshmit Ungjillore të Apostujve si rreze të përndritshme në mendjet e gjithë grigjës së tij në shumë segmente si në historiografi, gjuhë, etnografi, teologji morale e shpirtërore sidomos reflektoj shumë në kohën e errësirës apo ideologjisë famkeqe  të cilët e mohonin edhe Zotin. Kontributi i tij ishte i pashmangshëm edhe në vitet e okupimit, luftës dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Ishte edhe një projekt ideator i veniës e bekimit të gurthemelit të Katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë. 

Imzot Mark Sopi e senzibilizoi edhe më shumë çeshtjën e Kosovës duke vënë lidhje të drejtpërdrejta me shtetet e tjera të Evropës e botës ashtu edhe me Vatikanin, i cili është një shtet me ndikim të fuqishëm dhe i pranueshëm në botë. Me 18 maj 2005 në Kongresin Amerikan, në seancën dëgjimore veq tjerash kishte thënë: „Është e rëndësishme që Feja të jetë e ndarë nga politikat ditore, dhe është e pa pranueshme përfshirja e eksponentëve fetarë në ushtrimet e politikave të shtetit, bashkë me Liderët e politikës“ njëkohësisht ka shtuar duke thenë se: “Kisha shqiptare katolike në Kosovë, u bë shtëpia e mbrojtjes për qindra familje shqiptare myslimane të cilët u ndien si në shtëpinë e tyre, me gjithë fëmijë”. 

Krejt në fund të këtij shkrimi homazh në kuadër të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të kalimit në amshim, mund të themi me konkret se nëse me vëmendje lexohen letrat e dëshmitë e kohës sa ishte gjallë imzot Mark Sopi, atëherë pa hezitim mund të themi lirisht se: Imzot Mark Sopi, ishte një prift e Bari i denjë i Kishës katolike në Kosovë i cili kreu me ndërgjegje e dinjitet misionin e vet baritor, kombëtar e të Samaritanit të Mirë deri në kalimin e tij në amshim pra ishte edhe një ambasador e avokat mbrojtes e përfaqësues jo vetëm i klerit katolik në Kosovë dhe i grigjës së tij i Kishës Katolike, por i mbarë shqiptarëve pa dallim feje i cili edhe do të mbetët në mbamendjën tonē për kontributin që ka dhënë për çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës dhe për virtytet e larta shpirtërore, kulturore, njerëzore e kombëtare.

Filed Under: Kronike

STRATEGJITË NARRATIVE TË TREGIMIT SHQIP NË MAQEDONINË E VERIUT

January 11, 2022 by s p

Dr. SHERIF SELIMI/

 Sa i përket historisë dhe strukturës së tregimit mund të mbështetemi në Enciklopedia Britanika. Sipas Enciklopedia Britanika fjala tregim, vjen nga fjala latine novellus që do të thototë tregime të ndryshme. Forma e fjalës novellus, në gjuhën italiane është e pranuar nga fjala nova, e që i referohet tregimit të ri. Shumë gjuhë evropiane, kanë praktikuar termin romancë/romanzo, për të shënuar rrëfimet e shkurtëra historike si për shembull, forma frenge peti histoar. Në të vërtetë, nga këto forma paradigmatike, më vonë do të shënohen format më të gjata narrative, siç është romani. Edhe pse ekziston një dallim shumë i qartë në mes të kushteve, ato janë shprehje që përbëjnë fiksionin. Tregimi është një emër foljor që emërton një veprim me kohëzgjatje të pacaktuar dhe intensitet të pakufizuar. Historia është një emër që e sheh cilësinë e punës apo produktin e rrëfyesit. Transmetim dhe histori janë emra që shenjojnë produkte dytësore të së njëjtit fondacion leksikorë nga i cili përbëhet folja. Por ama, ata nuk kanë të njëjtën marëdhënie me foljen nga e cila burojnë. Ndërsa tregimi si fjalë do të thotë një lloj i veçantë i tekstit, duke i dhënë emrit një veprim me të cilin ka hartuar historinë. Në këtë mënyrë tregim si një proces i prodhimit të fjalëve me ngjyra me kuptim duhet të jetë i lidhur me faktorin kohë. (www.Google, Oxfor encyklopedia.)

Duke marrë parasysh faktorin kohë sipas fjalëve lineare të rendit që arrijnë njëri pas tjetrit, më shpejt ose më ngadalë, me zë më të lartë ose më të ulët, në këtë rast shprehet situata emocionale ose situata emocionale e krijuesit të tyre. Pra, ne mund të themi: trgim i ngadalshëm, (me zë të lartë), duke i dhënë zhurmë, tregimit të papritur, tregimit neverik etj. Kualiteti specifik i letërsisë narrative manifestohet përmes një lloji të veçantë të prozës me disa rregulla të veçanta apo ligje, të cilat janë ndryshe nga romani, novela, kronika, skica, raporti e që e quajmë tregim. Pra historia është veprim, por tregimi letrar është një lloj i kualifikimeve narrative të veçanta. Rezultatet e tregimit duhet të jenë njësi më të vogla të rrëfimit. Tregime të shkurtëra që kanë arritur të mbijetojnë dhe të mbahen në formë të shkruar prej kohërave më të lashta deri më sot, dhe ata që u përcollën gojë më gojë dhe ata që u shkruan më vonë, histori të tilla, siç janë tregimet e Romanorumëve, ose mbledhësve mesjetar të vëllezërve Grimm, janë të mbushura me magji, ngjarje mitike dhe alegori. Pjesa më e madhe e këtyre historive janë të ngjajshme me trgimet historike moderne të shkurtëra. Tregimi modern i shkurtër mund të jetë i paqartë, për shkak të formave të tij të thjeshta. Prandaj konkluzioni për dallimet në mes të tregimeve të shkurtëra të kohëve të fundit dhe historive moderne të shkurtëra qëndron në diferencën mes lexuesit dhe dëgjuesit.

Tregimi si një zhanër letrar, së bashku me dramën janë të pastudiuar në letërsinë shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, i njëjti problem qëndron edhe në letërsinë shqipe që krijohet në Maqedoni, kështu që kemi një situat të ngjajshme. Sigurisht që letërsia shqipe është pjesë e letërsisë evropiane, duke qëndruar në një dialog të hapur me kulturat e mëdha ajo herë pas herë i ka përvetësuar teknikat narrative, duke e ngritur tregimin shqip në nivele më të larta estetike, pa të cilin dimension tregimi dhe letërsia është e pamundur në realizimin e vet.

Tregimi sikurse të gjithë zhanret tjera është formë që realizohet pëmes thyerjeve që bëhen për ta sajuar figurën. Kjo thyerje e formave bëhet përmes fjalëve. Stili / figura, mendohet në gjuhën letrare që është ndryshe nga gjuha jonë e përditshme, të cilës i mungon stili. Në mes gjuhës dhe stilit letrarë, ekziston një kompromis. Gjithashtu midis gjuhës dhe kritikës ka hpësirë për studimin e stilit. Në fakt kjo është dëshmia për ekzistencën dhe vlefshmërinë e stilit, që teoria letrare kaherë e sfidon. Roland Barths në ,,Shkalla zero e shkrimit’’(1953), Rifater në ,,Kriteret e analizës stilistike’’(1960) dhe Nelson Gudman në ,,Statusin e stilit’’(1975), e shpëtojnë stilin nga ajo që quhet gjuhë e përditshme apo rregull gramatikore. Sepse, ,,Stili është njeriu’’ thotë Buffon. Stili i referohet nevojës simultante dhe lirimit. Në përfundim pikëpamjet e Bartit, Gudmanit dhe autorëve tjerë bashkëkohorë janë për ta   definuar që ,,stili është vetë njeriu’’.

Lidhur me paradigmën historike shqiptare në Maqedoni, bëjmë përpjrkje për klasifikimin e tregimit duke bërë një paralelizëm të qartë ndërmjet sinekdokës dhe metonimisë. Është shumë e përshtatshme logjika teorike interpretative e Sabri Hamitit, apo tri shkallët e shkrimit. Sipas interpretimit të S. Hamitit klasifikimimi është i mundur: 1.Letërsia në shkallën Zero 2. Letërsia në shkallën e parë dhe 3. Letërsia në shkallën e dytë. (Sabri Hamiti, Poetika shqiptare, 1.Bioletra 2.Tematologjia 3.Albanizma, Shtëpia Botuese,,55’’, Prishtinë, 2010, f. 158-159). Shkalla zero e shkrimit: Murat Isaku, Resul Shabani, Halil Zandeli, Rexhep Zllatku etj. Shkalla e parë e shkrimit: Kim Mehmeti, Eqrem Basha, Nehas Sopaj etj. dhe shkalla e dytë e shkrimit: Teki Dervishi. Metafora është figura që e karakterizon historinë e tregimin shqip në Maqedoni. Konstatojmë se tiparet e metaforës janë në dy mënyra. Së pari, ka aftësinë e duhur për metaforat. Së dyti, një deklaratë metaforike lejon një numër të pakufizuar të perifrazimeve. Duke i marrë sëbashku, këto dy tipare të metaforave ndihmojnë për të shpjeguar se si gjuha mund të ketë një aftësi që është kryesisht e pavarur nga ata që u shërbejnë atyre. Kur vjen puna për te metafora, ne do të zbulojmë se si fjalët tona do të thonë më shumë se sa     që mendojmë.

Shkalla Zero e letërsisë (termi është analog me të Rolan Barthes-it: shkalla Zero e shkrimit) karakterizohet nga imitimi (mimesis). Paramodeli i saj është në Natyrë e në Jetë, shkrimi i saj don ta përkthej këtë model në model letrar. Teksti nuk ta jep figurën, por shprehet (realizohet) përmes tropeve: sinekdokës dhe metonimisë. Do me thënë metonimia është e plota e të plotës (tërësia e tërësisë), kurse sinekdoka është pjesa e të plotës (pjesa e tërësisë), me të cilën bën dallimet (ndarjen) Sabri Hamiti. Sipas tij ekzistojnë disa shkallë të shkrimit: shkalla zero e shkrimit (metonimia) dhe shkalla e parë dhe e dytë e shkrimir, që identifikohen me (sinekdokën).

Ja disa shembuj të metonimisë të tregimit shqiptar në Maqedoni, shkalla zero e shkrimit: metonimia (slektive):

,,Këtu duhet të ndalem, tha Astrit Thana dhe u ul në sqetullën e një shkëmbi, nën hijen e dendur të dushkajës. Qyteti tash më kisht mbetur larg dhe arat nën këmbët e malit dukeshin pëllëmbë-pëllëmbë. Ndiente të ishte i rraskapitur dhe i dërrmuar. Njëzet e pesë vjet i kishte mbushur, por rrugë të tillë s’kishte bërë. Kjo s’ishte rrugë, bile as dhiare. Këtej s’kishte shkelur këmbë njeriu. Disa orë kishte çarë nëpër shpat duke hapur shtigje mbi shkurret e driza. Këto anë sikur kishin rënë në gjum të përjetshëm duke i lënë egërsirat të bënin ligjin e tyre. Një qetësi e pa ngarë.’’ (Rexhep Zllatku, Përgjërimi për arkadinë, Tregimi shqip në Maqedoni, Shkup, 1990, f.68).

Shkallën e parë të letërsisë e karaktetizon krijimin (poesis). Kjo letërsi nuk ka model paraprak. Shkrimi i saj është njëherësh fakt, esencë e procedurë, që krijon modelin e parë, vetanak. Teksti në shkallën e parë të shkrimit na e jep figurën (metaforën), retorika tradicionale e definon figurën si veprim në marëdhënie të përdorimit. ,,Gjuha qenësisht, është metaforike; ajo i vërenë marëdhëniet dhe i ruan njohuritë për to, deri në momentin kur fjalët shenjuese gjatë kohës, nuk bëhen shenja për vepra ose klasa të kuptimeve, duke përfaqësuar atë që të bëhen fotografi e mendimeve të plot. Nëse deri atëherë nuk paraqiten poetë të rinj që përsëri të thurrin  vargje (poezi) të reja, gjuha do të vdes, me atë edhe qëllimet e përtrirjes së njeriut në përgjithësi’’. (Arnauld A.Rikards, Methofors, The Phsilosopy of Rhetorik, Oxford University, Press, 1936, f.87).   

,,Kërmilli i shëndritshëm, i mbështjellur me jargë, kishte bërë një copë rrugë. Kishte kapërcyer tehun mes  dyshemes dhe rrezes së nxirë të murit, atë pjesë ku gjurmët e shputave  të këmbëve ishin më të dendura dhe më të theksuara. Dhe ishte pika e vetme e ndritshimit në atëerrësi. Guacka eti dukej se ngrihej si kullë Babiloni mbi atë prag të kalbur, në të cilin rridhnin të gjitha ujërat këllinjur, djersët e murit, dhe ku shkundeshin qimet e mikut. Dukej si një xixëllonjë, si një krimb fosforeshent me kubën e rrumbullakët që bënte cepin e vet të ngadalshëm pa ia vënë veshin botës përreth. Ishte ky edhe një heliks nga kjo botë e shtueshme emijëra scrabacuesëve që hallakateshin përditë në mykun dhe lagështinë e përhrëshme, në djerësët e kësaj bote, në hithra dhe gurë të ftohur’’. (Eqrem Basha, Marshi i kërmillit drejtë dritës së diellit, Tregimi shqip në Maqedoni, Shkup, 1998, f.130). 

,,Njerëzit për jetë të jetëve kanë pyeur veten . Pse jam në këtë botë? (Ungjilli pas Markos) pa i dale kurrë të përgjigjen saktë. Mua për inatë të kësaj ironie të paskrupullt unë e përqafova ekstremin tjetër të kësaj metafore-rënien, eterin, hiçin. Rënia e lire, mynxyra. Forca e gravitacionit, një nga mistert pafund të krijuesit. Ironia e dies, e shkencës dhe e botës material. Kush e di, fundja prej ngsa vijmë dhe ku do vemi ne krijesat e gjora mbi këtë rruzull? (Nehas Sopaj, Rënie e lire, Tregimi shqiptarë në Maqedoni, Shkup, 1998, f.144).

Shkalla e dytë e letërsisë karakterizohet nga rikrijimi (metapoiesis). Ajo njeh modelet e përparshme, që janë modele të letërsisë.Përpiqet të rikrijojë modelet duke i transformuar nëpër sprova. Shkrimi i ri mbi shkrimin e vjetër. Një palimpsest (të përdorim termin homolog të Gerare Gennet-it). Ajo që intigon në shkrimin postmodern (shkalla e dytë e shkrimit sipas Sabri Hamitit), është rikonstruktimi i figures. Së paku me një mënyrë të tillë i formon figurat postmoderne Dzon Bardh-i, ose më bindse është mendimi i babait të postmodernizmit amerikan Hugo Bartelheims, i cili në një rast thotë:,,fragmentet janë jeta ime, djema’’.

,,Për projektin e Ndërmarrjes sime letrare të këtij Libri, do të flas vet ky libër që po e lexoni. Por ekskluzive, senzacionale dhe atraktive janë eksponatet të cilat I zbuluam korridoreve nëntokësore, disa figura me bakërpllakëza hieroglifesh, që i shkapërderdhëm nëpër Oborin e Teqes së Sukës, duke pritur t’i seleksiononim, klasifikonim dhe konservonim si realitete arkeolëogjike, e në bazë të projektit të arkeologjisë  Doresa Pashmi’’ (Teki Dervishi, Nimfa, Prishtinë, 1986, f.51).

,,Borhesi na rrëfen për një personayh që uren marëdhëniet seksuale dhe pasqyrat, sepse këto shumëzojnë njerëzit, kurse virgjërinë e Mariës ,,e provuan’’ me vezën e pulës që u skuq nga gjaku (vezët e ngjyera të Kërshëndjellave) dhe kështu u vërtetua se ajo lini Jezunë pa e prekur dorë as organ mashkulli’’ (Teki Dervishi, Nimfa, Rilindja, Prishtinë, 1986, f.52). 

Në fakt, postmodernizmi si teknikë e shkrimit diskursiv njeh tre gjeneologji: 1.Shkrimi postmodern me elemente të theksuara të modernizmit, 2.Skrimi postmodern i mirëfillt dhe 3.Shkrimi postmodern në kulminacion, në të cilin kërkohet krijimi përmes personazheve i një vetëdie të pastër. Kjo tregon krijimin e subjektit i cili konstruktohet në raport me TJETRIN. Gjeneologjia e tretë e shkrimit zgjon vëmendjen e relacionizmit, kategori kjo pa të cilën nuk mund të jetë funksionale bota bashkëkohore. 

Sipas Aristotelit çdo vepër letrare paraqet mimesisin, që ëashë mithios e barabartë me rrëfimin dy dimenzional – me funksion që format përmbajtësore të realitetit objektiv të përcaktohen; – të definohet ajo që nuk është e dfinuar në realitetin objektiv.

Vepra letrare është kreacion i gjuhës, përmes gjuhës ekzistenti-autori krijon objektin estetik. Interpretimi i veprës gjuhësore artistike mundësohet vetëm përmnes gjuhës. Pra, vepra artistike gjuhësore posedon strukturë, është artefakt me funksion estetik, konstrukcion krijues i imanencës dhe transcedencës. Tregimi shqip në maqedoni është vepër letrare në prozë pra e njeh strategjinë narratologjike, i njeh instancat narratologjike dhe fokalizimin. Kohës së fundit narratologjia më vetëmse është bërë disciplinë teorike e mëvetësishme për procedimet analitike të të gjithë shtresave të organizimit të tekstit letrar, që bëri një zbulim epokal, dinstnkcionin midis: tekstit narrative dhe narratorit. Dinstinkcioni tekst narrative-narrator paraqitet në tekstin e teoricientit gjerman Wolfgang Kayser ,,Kush e rrëfen romanin?’’ Sipas Kayser-it narratori rrëfen në tri fofma: Unë-forma, Ti-forma, Ai (Ajo)-forma. Unë-forma/rrëfim në vetën e parë që ka tri dimenzione të rrëfimir: Unë i cili rrëfen dhe Unë i cili përjeton, narrator dramatik dhe jo dramatik, në narrator subjektiv dhe josubjektiv.

Në studimin ,,Kufijtë e rrëfimit’’ Gerare Gennete do ta konstituoj raportin narrator-tekst narrativ. Sipas tij ekzistojnë dy raportet e mundshme: raporti heterodiegjetik dhe homodiegjetik. Raporti heteodiegjetik –autori nuk është pjesëmarrës në modusin narrativ / raporti homodiedgjetik – narratori është pjesëmarrës në rrëfimdh dhe rrëfen në vetën e pëarë, vepron në ngjarje dhe i komenton ato. Dinstinkcioni i G.Gennet-it është bërë në bazë të kriteriumit: narratori në rrëfim dhe narratori jasht rrëfimit. Përveç atij që flet ne tekstin narratv ekziston edhe ai që shikon, kështu distinkcioni midis pyetjeve Kush flet? / Kush shikon? Është funksional. Fokalizatori – ai që shikon nuk do të thotë që është ai që flet. Gerare. Gennene` dallon tre tipe të tekstit  narrativ: – tekst narrativ me fokalizim zero

-tekst narrativ me fokalizimtë brendshëm (fiks, i ndryshuar dhe shumëdimenzional).

-tekst narrativ me fokalizim të jashtëm (autori nuk tregon të gjithë ato që i din). 

Te tregimi shqiptar në Maqedoni e hasim narracionin auktorial: një tipar karakteristik i një transmetuesi personal që përzin narratologjinë dhe komentin. Në shikim të parë, tregimtari (narratori) është identik me autorin. Por nëse shikojmë më thellë, pothuajse gjithmonë personaliteti i autorit, në karakterin e tregimtarit (narratorit) gjithëmonë disi është i tjetërsuar. Rrëfyesi di më pak, dhe ndonjëherë më shumë, por do të presim ndërhyrjen e autorit herë pas herë për të përfaqësuar mendimin e tij. Ky transmetues auktorial, është karakter i pavarur është vet dora e autorit. Një tipar i rëndësishëm i rrëfimit auktorial, është se ai (autori), si një ndërmjetsues qëndron në pragun midis botës fiktive të transmetuesit të rrëfimit. Forma kryesore e tregimtarit që i përshtatet situatës auktoriale narrative është raporti i rrëfimeve. Në ekranin skenik që zakonisht mund të përdoret në tregim, dominon situata narrative auktoriale. Situata narrative në vetën eparë: ndryshon nga situata auktoriale, situata është kryesisht e tillë për të qenë trgimtari në botën e personazheve. Ai vetë e ka përjetuar ngjarjen, ka marrë pjesë në të, apo ka mësuar për të nga pjesëmarrësit e ngjarjes.

Jetojmë në kohën e globalizimit që ofron shoqërinë e hapur, kulurën e hapur, me një fjalë shkrirjen e kufijëve që ndajnë. Mendohet se tema e globalizimit premton shumë, që njëkohësisht hap shumë pyetje të reja, në botën në të cilën jetojmë, në mjedisin tonë, në jetën tonë të përditshme dhe në veten tonë. Çështja e parë ka të bëjë me kuptimin e globalizmit dhe hapësirës për ekzaminimin kritik të dy qasjeve konkurruese. Sipas të parës, globalizmi është integrim i përmbajtshëm dhe i pakthyeshëm i kulturësë, tregjet dhe komunitetet e qeverive, që arritën nivel të paparë në të kaluarën. Sipas të dytëve, globalizimi është një projekt ideologjik i grupeve globale me ndikim që dëshiron të inkurajoj liberalizimin ekonomik dhe politik, e çrregullimit  në mënyrë që për të legjitimuar zgjerimin e mëtejshëm të kapitalizmit. Në kuadër të këtij debati, janë kristalizuar shumë gjëra në mënyra të ndryshme e pikëpamje kontradiktore.

 Popullariteti i botimeve të tilla sensacionale është dëshmi e shkallës së pakënaqësisë në shoqëri, veçanërisht në mesin e atyre që ndjehen të pa fuqishëm për ta ndryshuar situatën e tyre. Kultura popullore është kontradiktore. Në pjesën më të madhe të teorisë bashkëkohore të kulturës, pranuan pohimin se të gjitha tekstet janë jo të plota, kështuqë ajo mund të mësohet përmes mënyrave intertekstuale. Teksti popullor që do të përdoret, shpenzon dhe refuzon. Kultura popullore intertekstuale, qarkullon në mesin e teksteve që quhen tekste fillestare (forma origjinale të të mirave kulturore, të tilla si Madonna apo xhinse), duke përfshërë edhe tekstet e mesme që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ta (reklama, lajme, komente), e që ndodhin në jetën e përditshme.

Sigurish që tendencat për ta deformuar letërsinë, në kohën e globalizimit janë të shumta. Ajo që intrigon në këtë tekst është çështja e Letërsisë versus globalizimit. Globalizimi nuk i ndihmon letërsisë, dhe një konstatim i tillë tani më është i definuar. Nuk është e rastit që Umberto Eko, në librin e tij Për letërsinë, shpreh faktin që kanë dalë disa grupe hakerë të kompjutorëve dhe duan ta rrëzojnë Don Kishotin apo ta vrasin bukurinë e Ana Kareninës. Në fakt thekson U. Eko, nëse ata hakerë do të mëshirohen, do të lexojnë më tepër për këta figura letrare, e do të shohin se jeta e tyre do të jetë më e pasur dhe bota në të cilën ata jetojnë do të jetë më e bukur. (Umberto Eco, Për letërsinë, Tiranë, 2006). Nga ana tjetër nuk është e rastit që profesori Gjekë Marinaj i Universitetit të Dallasit, prezentoi teorinë e Protonizmit si njërën nga teoritë më të guximshme në botë. Në esencë kjo teori mbron letërsinë nga globalizimi, duke e theksuar vlerën e sasj estetike, esencën apo bërthamën që lidh atomin me universin. (Gjek Marinaj, Protonizmi-nga teoria në praktikë, Gazeta Nacional, Tiranë, 2012). A nuk është kjo tendenca e përjetëshme e letërsisë dhe artit në tërësi e shprehur që në fillimet e letërsisë evropiane. Parashtrohet pyetja për Ismail Kadarenë: Pse grekët krijuan letërsinë më të famshme në botë? Sepse thekson ai, grekët bënë një krim, krimin kundër Trojës. Mbulimi i atij krimi ishte bërja e diçkaje të bukur. Duhej bërë diçka ebukur. Kështu ata krijuan Ilijadën dhe Odisenë, krijuan letërsinë më të bukur në botë. (Ismail Kadare, Eskili ky humbës i madh, Tiranë, 1989).

            Literatura e shfrytëzuar:

              Aristotel, Poetika, përktheu nga origjinali: Sotir Papahristo, Shtëpia botuese:Çabej, Tiranë, 2006.

Arnauld, A. Rikards, O metafori, The Philospy of Rhetorik, Oxford Univesity, Press, 1936.

 www.Google Oxfor encyklopedia.

Barthes, Rolan, Mitologjia, semiologjia, književ, Nolit,Beograd,1978.

Eco, Umberto, Për letërsinë, Tiranë,2006.

Fridman, Jonanathan, Globalization, culture and system, London, 2000.

Gudmon, Nelson, The status of style, London, 1975.

Gnnette, Gerard, Tipovi fikalizacije, Zagreb, 2007.

Hamiti, Sabri, Poetika shqipe, 1.Bioletra 2.Tematologjia 3.Albanizma, Shtëpia Botuese ,,55’’, Prishtinë, 2010. 

Kadare, Ismail, Eskili ky humbës i madh, Tiranë, 1989.

Marinaj, Gjekë, Protonizmi-nga teoriaa në praktikë, Gazeta Nacional, Tiranë, 2012.      

            Veprat e cituara:

Basha, Eqrem, Marshi i kërmillitdrejt dritës së diellit, Prishtinë, 1998, f.130.

Dervishi, Teki, Nimfa, Prishtinë, 1986, f.51.

Dervishi Teki, Nimfa, Prishtinë, 1986, f.52.

Sopaj Nehas, Rënia e lirë, Tregimi shqiptar në Maqedoni, Shkup, 1998, f.144.

Zllatku, Rexhep, Përgjërimi për arkadinë, Tregimi shqip në Maqedoni, Shkup, 1990, f. 68. 

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT