• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

I BURGOSI VETËM KOHA*

January 28, 2022 by s p

(In memoriam për dom Gjergj Simonin)”

Oh sa kanë heq shkrimet e mia! Kur më vinte frymëzimi e mbasi shkruejshe m’u dukshin se më thojshin: ‘Kemi frikë me ndejë mbrenda shtëpisë me ju, na çoni në nji vend jashtë sajë që të mund ta ndigjojmë vedin të qetë e të sigurt, pra na varrosni në dhe’”. Përnjëmend, të bukurën e burgos vetëm koha, vetëm rrethanat dhe koniunkturat, por ajo është bërë për lirinë e kur liria vjen, ajo shpërthen edhe më e bukur se sa në gjenezë, pasi ndërkohë është rritur, ka marrë pamje dhe hijeshi. Dom Gjergj Simoni u dënua dhe u burgos për agjitacion e propagandë si poet dhe jo si prift, sepse i tillë u bë vetëm në vitin 1992. Në dosjen nr. 11628/1 të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se “…nëpërmjet agjitacionit e propagandës, nëpërmjet shkrimit të poezive me përmbajtje armiqësore ky pseudopoet reaksionar, duke qenë konsekuent në rrugën e tij armiqësore, në fletoret me poezi të gjetura këtij të pandehuri në shtëpi, pjesa më e madhe janë shkruar me urrejtje të thellë kundër Partisë, Pushtetit dhe Atdheut tonë socialist”. Ai dhe poezitë e tij mbetën të burgosura për shumë vite, ndërsa tani ato promovohen pikërisht në tempullin e dijes, Akademinë e Shkencave, aty ku deri para pak vitesh asnjë i burgosur politik as mund ta kishte imagjinuar një gjë të tillë. Ndërkohë që dom Gjergji flet e ndërsa fjalët e poezive të tij braktisin fletët duke iu bashkuar këndshëm ajrit për të mbërritur të zemrat e dëgjuesve, mendja më shkon në atë kohë të kaluar dhe nuk kam se si të mos përlotem. Kurrë, ne të rinjtë dhe brezat që do të vijnë nuk do të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në vitet më të errëta të shpirtit njerëzor shqiptar, komunizmit. Ai ishte një tunel i errët ku gjërat e bukura ishin dënuar të rrinin të fshehura, të marra peng e të lidhura sysh që të mos dinin rrugën e kthimit për në liri. Gjërat e bukura si dashuria, arti, poezia, mendimi, duhet të kishin vetëm një funksion: të bëheshin skllave të një njeriu apo një grupi njerëzisht, klounë për të argëtuar mbretin dhe oborrin e tij e më pas kur “bezdisnin” shikuesit të hidheshin me shkelma jashtë e madje të burgoseshin apo të vriteshin. Por, ama, ato gjëra nuk mund të jenë skllave, sepse natyrshëm janë të lira dhe në to liria është si një shpërthim vullkanik që këput çdo vargua. Këto poezi e të tjera sish do të jenë dëshmitaret e asaj kohe edhe atëherë kur autorët e tyre të mos jenë më. Dom Gjergji sot është dëshmitar i fjalës e nesër fjala do të jetë dëshmitarja e tij dhe e një kohe që burgosi, internoi e vrau, por jo përjetësisht.Këto ditë po lexoja parathënien e ribotimit të librit “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit Ismail Kadare. Autori i këtij romani mjaft të diskutuar sa i përket tablosë globale të së vërtetës komuniste në Shqipëri, cungimin e së cilës vetë Kadareja e pranon në këtë parathënie, ndër të tjera shprehet se “… kjo vepër do të kishte një jetë të dyfishtë, njërën në kohën pa liri, që quhej epokë socialiste, dhe tjetrën në kohën e lirisë, atë që mund të quhej kohë eterne, që është koha e natyrshme e artit”. Jetë të dyfishtë patën shumë vepra e persona dhe vetëm koha, koha e ardhme e distancuar nga faktet, ideologjitë, urrejtjet dhe inati do të jetë në gjendje të gjykojë. Një jetë të dyfishtë pati edhe poezia e dom Gjergjit, vetëm se njërën pjesë të kësaj jete e kaloi jo në duar të lexuesit, por nën dhe sikurse vetë ai thotë duke iu përgjigjur përlutjes së vargjeve të tij që i kërkonin t’i varroste prej frikës: “E unë çka bajshe? I ndigjojshe dëshirat e tyne, i palojshem fletët e shkrueme e mandej i vendoseshe në kavanoza tuj mbështjellë kapakët me zift që të mos hynte lagshtina e mbasi çilshe nji gropë në oborrin e shtëpisë tui mbulue me dhe e mbi te mbillëshe lule…”. Një varrim i denjë, një varr i ri për poezi. Në sallën e gjyqit, gjykatësi e pyet: “Pse i ke ruejt këto shkrime?”. E ai përgjigjet: “Që kur të përmbyset ky pushtet me i botue”. Dom Gjergji sot është i lirë e poezia e tij po ashtu e i lirë. Ashtu sikurse në vitin 1972 ai mbetet ende sot me një pyetje: “A thue do t’ketë njerz që kangët e mia/një ditë kanë me i këndue/ Ato që radhë melankonija/ i ka vue tis, i ka errsue./ A por ndoshta do t’heshtin në përjetësi/ si hesht i vdekuni mbrenda njaj vorri/ Tuj pasë t’fundit qetsi?”. Ndiej t’i përgjigjem sot: Jo, dom Gjergj, ai varr që ti hape për poezitë e tua, duke mbjellë lule mbi të, sot është bosh…!GJERGJ META *Shkrim i botuar në Gazetën Panorama me datë 30 maj 2012

Filed Under: Sociale

Duke kujtuar kardinalin e pare shqiptar ne 25 vjetorin e ndarjes nga jeta…Mikel Koliqi ( 29 Shtator 1902- 28 Janar 1997)

January 28, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Me 26 nëntor 1994, në sallën “Paolo IV”, kryesuar nga Papa Gjon Pali i Dytë, u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit.Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës. Dom Mikelin nuk e linte mosha ( 92 vjec) e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte.Por në atë moment do të ndodhte diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë u gjunjëzua para një Kardinali !!!Me 28 nëntor 1994, Papa e priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërtimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar. Por Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha: “Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”Per fatin e tij te keq dhe per turpin tone kombetar, ky njeri i perendise, kardinali i pare shqiptar, duke filluar nga viti 1945, kaloi 4 dekada te tera ne burgjet dhe internimet e diktatures per te vetmin “mekat” qe besonte ne zot dhe qe nuk besonte ne parajsen e premtuar ne toke te komunisteve. Pervec kesaj ai ishte edhe vellai i madh i shkrimtarit dhe intelektualit te madh Ernest Koliqi…. Kaq mjaftonte qe studenti i shkelqyer i seminarit ” Corso di Venezia” te Milanos, kompozitori i talentuar dhe patrioti i madh shkodran, te fillonte zbritjen ne rrathet e ferrit komunist.Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, ish Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili, si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin dhe klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.Ja si e kujton Imzot Çeli, Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

Filed Under: Emigracion

Mjeshtri i Artë i letrave shqipe mbush 86 vjet

January 28, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

#𝕾𝖎𝕾𝖔𝖙, më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qendronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”. Në harkun e vjetëve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari. Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Më poshtë, bashkëlidhur fotos gjendet kopja e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002. Foto: AQSh.#ArkivatKujtojnë#𝓐𝓻𝓴𝓲𝓿𝓪𝓽𝓕𝓻𝔂𝓶ë𝔃𝓸𝓳𝓷ë#𝓐𝓻𝓴𝓲𝓿𝓪𝓽𝓚𝓾𝓳𝓽𝓸𝓳𝓷ë

Filed Under: Kulture

NJE MENU JU LUTEM!

January 28, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

…Kjo ishte nje dyndje e papare. Në universitete u pa e natyrshme të ulej koha e studimit, dhe të jepeshin diploma me afat të shkurtuar. U dhanë fillimisht diploma mujore, e më pas javore. Së fundmi edhe diploma të ditës. Provimet u reduktuan në një: Test smart. Mjafton që profesorit, t’i krijohej bindja, nga sytë, se studenti a kandidati për diplomë zotëronte aftësi potenciale per mjek, president, inxhinier, analist, mesues, valltar dhe diplomohej brenda dites. Pedagoget arrinin t’ja dilnin edhe në rastet kur studenti a i testuari heshttte me kokfortesi. Në keso rastesh diploma jepej per kunj. Prej inotit:”Ti ben sikur nuk e do, po diplomen ke per ta marre pa tjeter Nuk na i hedh dot. E kuptuam që e meriton”. Si rregull, fituesit me pas, i jepej nje kafe dhe pyetej nese ishte i kenaqur me vleresimin.Zgjidhjet ishin kreative, por prape vijonte të kishte dyndje në sportelet e diplomave. Për të lehtësuar edhe më tej njerëzit, njëra nga partitë e forta, shpalli në programin e saj, kalimin në procesin e diplomave me porosi.I takon asaj edhe merita e futjes se konceptit te ri te Menuse se diplomave. Kësisoj secili pasketaj, me menu perpara, mund të porosiste pedagogun e turnit në shërbim( kamarierin akademik), per pjatancen me llojin e deshiruar te diplomës, shoqeruar dhe me garniturën( titullin) përkatëse. Natyrisht kundrejt çmimeve bollshem te arsyeshme përbri.Partia novatore, që më vonë ndrroi dhe emrin per tu quajtur Partia e Dijes, e mbajti premtimin kur erdhi në pushtet. Universitet u pajisen te gjithe me menu dhe pjatanca.Te mahnitur nga gjetja e re, vershuan ketu te eturit per dije nga vendet fqinje te zhvilluara por me pak te ndriçuara. Ata erdhen me bileta vajtje ardhje ditore e u diplomuan vetetimthi ne universitetet tona me te mira me emrat joshes Diamanti, Fasada, Mesdheu, Europa, Amerika, Planeti, Universi…Së fundmi, duke parë se edhe kesisoj, vargu i pafund i njerezve të etur për dije, e uritur per diploma, triploma, mballoma,mastera, doktorata, profesorata etj, vijonte të shumfishohej pa limit, u vendos me akt normativ qeveritar, të hapeshin universitetet fshatare, ato fushore, universitetet e njesive, lagjeve dhe së fundmi ato shtëpiake. Numri i universiteteve në vend po barazohej me shpejtësi me atë të banorëve. Së fundmi vendi mori çmimin special per perqindjen më të lartë të analfabetizmit universitar në botë“Gjithmone e kam pasë ditur, se dija ka qene ushqimi i preferuar i ketyre njerezve” tha ne ceremonine e rastit, kryekamarieri akademik i rradhes…( nga Libri “VIP”- 2007)

Filed Under: ESSE

ATDHE E FE!

January 28, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image Sipas një idiome, një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Edhe për këtë rast, fotografitë flasin vet. Por kjo ngjarje flet shumë më shumë se vetëm për një takim, i pasqyruar në disa foto që mund të shikoni më posht.

Të martën që kaloi, Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), në një gjest njerëzor, atdhetar dhe fetar, vlerësoi Monsinjor Xhorxh Frendon – ish-kreun e KNFSH-së dhe ish Arkipeshkvin e Tiranë Durrësit – me Çmimin e “Mirënjohjes”, për vitin 2020. Antarët e Bordit të KNFSH-së u mblodhën këtë javë për t’i dhenë lamtumirën Mon Frendos me rastin e daljes në pension dhe largimin e tij nga Shqipëria, duke e vlerësuar atë dhe veprimtarinë e tij në shërbim të Kishës Katolike Shqiptare, të dialogut, harmonisë fetare dhe të shoqërisë në përgjithësi, me motivacionin:  “Për kontributin e lartë në forcimin e frymës së dialogut ndërfetar ndër shqiptarët gjatë shërbimit në Shqipëri dhe për rolin e rëndësishëm në promovimin e vlerave universale, bashkëjetesës, harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar si Kryetar i Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë gjatë vitit 2020.”

Në njoftimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me këtër ast, thuhet se Drejtuesit e komuniteteve fetare, sekretari i përgjithshëm dhe financierja e KNFSH-së kanë vlerësuar lart të gjithë kontributin e Mons. Xhorxh Frendos në detyrat e tij drejtuese, që ka mbajtur gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe për kontributin dhe bashkëpunimin gjatë drejtimit të KNFSH-së në vitin 2020. Mons. Frendo ka shërbyer në Shqipëri për 25 vjetët e fundit dhe së fundmi si kreu i Kishës Katolike në Shqipëri.  Ndërkaq, me anë të një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta çmoi muajin e kaluar, Arqipeshkvin Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Anthony Frendo O. P. me Dekoratën “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin

Ndër-Fetar e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare të popullit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Presidentit Meta.

Për këtë harmoni e bashkjetesë midis feve në Shqipëri reagoi edhe Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri — Kundër panairit te intolerancës – Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al) – me rastin e inaugurimit të pasardhsit të Mons Xhorxh Frendos, Monsinjorit Arjan Dodaj në postin e Arkipeshkvit të ri të Tiranë-Durrësit.  Siç duket, pjesëmarrja e përfaqsuesve politikë dhe të komuniteteve fetar të Shqipërisë në ceremoninë e inagurimit të udhëheqsit të ri të Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës, Mons Arjan Dodajt ka lenë një përshtypje të pashlyeshme në kujtesën e diplomatit të OSBE-së në Tiranë. N[ sshkrimin e tij titulluar “Kundër Panairit të Intolerancës”, ai shkruan: “Kontributi që dëshiroj të jap në mënyrë sintetike – me një kokë të ftohtë – ka të bëjë me fuqinë e të pathënës dhe të imazheve. Përqafimi i qetë në foto mes Arqipeshkvit dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të komuniteteve fetare është për mua po aq i denjë sa predikimet, nëse jo më shumë. Nga njëra anë, kjo është një paraqitje e shkurtër e kulturës së Mons. Arjanit, për të qëndruar së bashku në diversitet, për të bashkëpunuar, për të ndjekur këtë të vërtetë që do që ne të jemi pjesë e të njëjtit mozaik njerëzor si vëllezër. Sepse asnjë njeri nuk është i plotë në vetvete. Dhe, me besim, njeriu ushqen krijimin, pa pritur reciprocitet.”  Në katedralën e Shën Palit në Tiranë, “ndjehej ngrohtësia e këtij populli të jashtëzakonshëm, ashtu si buqeta e hedhur në pikturën e Banskit në Betlehem… na kujtuan madhështinë e popullit shqiptar, i cili nuk sheh arsye për ndarje të thellë. Pyes veten nëse ky nuk është një tipar i natyrshëm shqiptar, para ndonjë dimensioni fetar…Është një shembull që meriton të lavdërohet me zë të lartë, pa e marrë kurrë si të mirëqenë”, është shprehur Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e tij shumë dashamirëse me këtë rast, Ambasadori Del Monaco pyet vetën nëse ky nuk është një tipar i natyrshëm shqiptar. I nderuar Z. Ambasador harmonia dhe bashkjetesa kanë qenë dhe janë një tipar shqiptar. Ishte regjimi i Enver Hoxhës ai që zhduku tiparet më të mira të këtij Kombi të lashtë iliro-arbëror, duke lënë pas një trashëgimi urrejtjeje të vëllait me vëlla, duke themeluara një ambijent e atmosferë mos-tolerancë midis shqiptarëve, madje edhe duke shpalli fenë dhe Zotin ilegal në Shqipërisë e tij komuniste.  Është kjo mos-tolerancë

politike që po shkatërron vendin dhe kombin — e të cilës jemi sot dëshmitarë në Shqipëri — trashëgimi e Enver Hoxhës – që edhe sot shumë veta, përfshir ndërkombëtarët në atë vend, nuk e shohin si një problem kryesor dhe pasojë e konflikeve të pafund të klasës politike në atë vend.  Shqipëria ka nevojë të distancohet një herë e mirë nga krimet dhe urrejtjet që regjimi komunist ka mbjellur thellë në atë vend – përfshir urrejtjet kundër fesë dhe të Madhit Zot.

I nderuar Ambasador Del Monaco, në shkrimin tuaj dashamirës, ju pyesni nëse harmonia fetare ndër shqiptarë është tipike shqiptare. Nesër, dita e shtunë, 29 Janari, shënon 50-vjetorin e themelimit të Xhamisë Shqiptare në lagjën Bruklin të Nju Jorkut.  Po e përmend këtë 50-vjetor (Janar 29, 1972) për të treguar se kishat dhe xhamitë, sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara janë blerë ose ndërtuar me ndihmën e të gjithë shqiptarëve të arratisur nga regjjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje a krahine. Shqiptarët e arratisur nga komunizmi ishin të vetedijshëm të këtyre tipareve historike. Me atë rast, ish-Kryetari i Këshillit Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, i kishte dërguar një thirrje Ernest Koliqit që ta botonte në revisten “Shjezat”, drejtuar shqiptarëve kudo në botë që të jepnin ndihmën e tyre për blerjen e xhamisë së re në Amerikë. Ishin këta dy burra të Kombit, ndër të tjerë, që po bashkpunonin për të mbledhur fondet për xhaminë e re në mërgim, sepse të dy këta – besonin në idetë dhe rolin e “pazevëndsueshëm që luajnë besimet fetare në naltësimin e shpirtënor të njerëzve dhe të kombeve. E përmend këtë rast sepse ilustron rolin e feve në historinë e Kombit shqiptar dhe deri diku i përgjigjet pyetjes së Amb. Del Monaco nëse harmonia dhe bashkjetesa fetare është një tipar historik i shqiptarëve.

Në komentin e Ernest Koliqit bashkangjitur thirrjes së Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Amerikë për të ndihmuar mbledhjen e fondeve për xhaminë, botuar në Revisit,n Shejzat të vitit 1972, shkruan: “Përsa i përket fisit shqiptar, historia tregon se në vërshim të pushtuesve të huaj, feja mbajti gjallë shqiptarizmin, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë. Feja shpëtoi Kosovën nga çkombtarizimi, feja mbajti kufijt në veri të Shqipënisë nga turri pushtues i pansllavizmit. Feja mbajti gjallë ndër Arbëreshët gjuhën e traditat e atdheut të zanafillës. Feja vuri në gjëndje Fan Nolin, duke krijuar Kishën Autoqefale Orthodokse Shqiptare, me ba të  dështojnë  nënkambësat e anmiqësve të emnit shqiptar. Natyrisht, në të gjitha këto raste, feja forconte ndjenjën kombëtare: Atdhe e Fe. Rilindja shqiptare mori hov e zhvillim mbi platformën e besimeve të bashkueme. Teqetë e Kuvendet qenë qendrat ma veprimtare të lëvizjes rilindëse në kohën e robnisë”, ka shkruar Ernest Koliqi. 

Ndërsa, në apelin e tij, 50-vjet më parë, ish-Kryetari i Këshillit Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve pa dallim feje që të kontribonin pasi siç shprehet, “Solidarsia dhe vëllazënia e gjakut shqiptar, që në çdo rrethanë ka qenë e vetmja cilësi që ka sigurue, në të kaluarën, mbijetesën e kombit tonë. Le të jetë e qartë për secilin, se çdo ndihmë në këtë rast na lidhë, “shpirtnisht” të gjithëve dhe na ve në gjëndje të ruajmë me vendosmëni  të dy faktorët e doemosdoshëm për një jetesë të lumtun e në paqë: Atdhe e Fe”, ka përfunduar thirrjen e tij 50-vjet më parë, Rexhep Kumbarçe, ish-Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane.

Z. Ambasador Del Monaco të falënderojmë për fjalët tua fisnike, me ketë rast, dhe ju siguroj se harmonia dhe bashkjetesa fetare në radhët e shqiptarëve, pa dallim, kanë qenë dhe janë tipare historike të kombit.  “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”.  Kjo thënie e poetit të madh të shqiptarëve, At Gjergj Fishtës ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë, duke e përcjellë brez pas brezi.  Por urojmë, njëkohësisht, që influencat e huaja, të mbështetura, fatkeqësisht, nga një pjesë e klasës së sotëme politike shqiptare, të mos prishin, për qëllime personale, këtë harmoni dhe bashkjetesë historike fetare ndër shqiptarët — tipare këto shembullore në historinë e njerëzimit dhe të doemosdoshme sot për lartësimin shpirtëror dhe shoqëroro-politik të shqiptarëve dhe të kombit, në përgjithësi. Shumica e shqiptarëve, qoftë në trojet shqiptare, qoftë në diasporë, jemi krenarë për këto vlera tipike shqitare të harmonisë fetare, e të cilat u pasqyruan këto ditë në Tiranë me rastin e ndryshimeve në hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare dhe pjesëmarrjen e  krerëve të feve të tjera të shqiptarëve. “Është një shembull që meriton të lavdërohet me zë të lartë”, por siç u shpreh edhe Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, “pa e marrë kurrë si të mirëqenë”.  

Frank Shkreli

See the source image
A picture containing person, standing, person, posing

Description automatically generated
A group of people sitting around a table with wine bottles

Description automatically generated with low confidence
A picture containing text, person, indoor

Description automatically generated
A picture containing text, table, indoor, person

Description automatically generated
A group of people posing for a photo

Description automatically generated
A person holding a plaque next to a person holding a plaque

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT