• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

HALIT DACI BASHKON NË NJË LIBËR SHKRIMTARËT ANGLO-AMERIKANË QË KANË SHKRUAR DRAMA DHE BALADA PËR SKËNDERBEUN

February 21, 2022 by s p

NGA DALIP GRECA/

Studiuesi Halit Daci,i cili për më shumë se dy dekada jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në tetor të vitit 2021 publikoi librin përmbledhës”Scanderbeg Redivivus”. Ky është libri i tretë i autorit. Libri, që realisht është një koleksion dramash, tragjedish e baladash,vjen në gjuhën angleze dhe është i pajisur me komente për autorët, për dramat, për shfaqjet e tyre në skenë, për jehonën në media, ndërkohë që është ruajtur origjinaliteti. Hulumtimet prej shumë kohësh të autorit kanë sjellë një libër voluminoz, që u botua nga Fulton Books, Inc- Medville në Pennsylvania.Disa prej dramave dhe poemave janë të panjohura për lexuesin. Autori i hyri hulumtimit rreth autorëve anglezë, amerikanë dhe irlandezë për Gjergj Kastrioti -Skënderbeun,15 vite të shkuara, tek kryente Master në Lehman College në Nju Jork.Prej asaj kohe ai nuk i ndali kërkimet, hulumtoi nëpër biblioteka, porositi dhe bleu libra apo gazeta derisa ia arriti qëllimit për t’i bashkuar autorët dhe veprat e tyre në original. Libri ka një përcjellje hyrëse, ku autori prezanton lëndën dhe autorët.Ky vëllim i zgjeruar, i pari i këtij lloji, bashkon drama dhe poezi të shkruara nga shkrimtarë dhe poetë anglezë dhe amerikanë në periudha të ndryshme kohore, filluar që nga vitet 1730 e deri në fillim të shekullit XX. Koleksioni voluminoz u ofron lexuesve, kritikëve, studiuesëve të Skënderbeut drama dhe poema pak të njohura ose të mosnjohura fare. Hulumtimet këmbëngulse të Dacit kanë sjellë edhe tituj dramash të humbura, të cilat janë shfaqur nëpër teatro, por nuk u gjendet teksti, kanë humbur. Gjurmët ua ka gjetur nëpër gazetat e kohës, në afishet, në reklamat, e publikuara për disa nga ato që janë luajtur në teatrot e kohës në Amerikë apo Angli. Autori ka bashkëpunuar me biblioteka të universiteteve amerikane. Në përcjelljen që i bën koleksionit të përbashkët të veprave për Skënderbeun, Halit Daci kumton mendimin se ndërsa gjenden kritika letrare për disa nga dramat e hershme mbi Skënderbeun, nuk gjenden të tilla kritika apo promovime për Skënderbeun e Charles Stearns”Scanderbeg ose Princi i Epirit”, të shkruar nga William D. Eaton, vënë në skenë nga Frederick B. Warde, që u shfaq me sukses në shumë teatro në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë sezonit 1896-1897. Me interes janë poezitë origjinale “A Ballad of Iscander-beg” e Maurice F. Egan-it,;“Iscander at the Bridge” e George Murphy-t, “Scanderbeg” e Charles T. Ericson apo “Scanderbeg” e Padraic Colum, disa prej të cilave nuk janë përmendur nga studiuesit e Skënderbeut, dhe nuk flitet për to. Në bashkëbisedim me lexuesin përmes librit-koleksion, autori thekson se emri dhe fama e Skënderbeut u përhapën në të gjithë Evropën menjëherë pas vdekjes së heroit nëpërmjet përkthimeve të kronikave të shkruara në latinisht, italisht dhe frëngjisht. Duke filluar nga fillimi i viteve 1500 e më pas, Skënderbeu u shfaq fuqishëm në median botërore në gjuhë të ndryshme.Pranohet gjerësisht se rrëfimi më autentik për Skënderbeun është “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis”, shkruar nga Marin Barleti, një humanist, historian dhe prift shqiptar, lindur në Shkodër, ndërroi jetë në Padova, Itali. Pas botimit latinisht në Romë, vepra thelbësore e Barletit u përkthye në disa gjuhë evropiane, duke ndikuar tek historianët, dramaturgët, romancierët, eseistët dhe poetët për vite e vite me radhë.Nën këtë ndikim janë dhe dramat që bashkohen në këtë koleksion. Ky koleksion i veçantë i të pasionuarit pas figurës së heroit Kombëtar, studiuesit Halit Daci, shtë një ribashkim letrar i dramaturgëve, poetëve, interpretuesve dhe ekspertëve të Skënderbeut. Ai përmban drama dhe poezi mjaft të njohura dhe të pa njohura angleze dhe amerikane, së bashku me komente e opinione të shkurtra informative dhe përshkrime të historive të jetës së tyre dhe rrethanat që i krijuan veprat e tyre, motivet, ndikimet etj.Është interesant fakti që vepra mbi Skënderbeun e Charles Stearns u përshtat në programet shkollore për vitin 1878, por ky fakt nuk është i njohur. Në mënyrë të ngjashme “Iscander” melodrama e William Dunseath Eaton, luajtur suksesshëm në disa teatro botërore gjatë sezonit 1897-1898, nuk përmendet fare nga studiuesit dhe kritikët letrarë të Skënderbeut. Ndërsa lexuesi shqiptar thuajse i dijnë përmendësh vargjet e ”Çajd Harold” të Lord Bajronit, ndjehen entiziastë ku flitet edhe për “Tokën e Shqipërisë, ku u ngrit Iskanderi”, nuk ndodh kjo me “Një baladë e Iskander-begut” të Maurice Francis Egan, për të cilën nuk gjenden gjurmë,me përjashtim të një komenti kritik që është shfaqur në prag të botimit të tij fillestar në vitin e largët1896.E njëjta gjë vlen edhe për poezitë “Iscander at the Bridge” të George H. Murphy dhe “Scanderbeg” të Charles Telford Ericson, fragment i kësaj të fundit është publikuar në gazetën “Dielli” në SHBA. Në këtë koleksion veprash, dramash, tragjedish dhe poemash, lexuesit do të gjejnë dramën në pesë akte “Scanderbeg” e shkruar nga William Havard. Kjo dramë botohet e plotë në këtë koleksion në 98 faqe. Kush ishte autori Havard?William Havard (1710-1788) ishte një aktor dhe dramaturg me origjinë irlandeze. Ai u lind në Dublin, Irlandë dhe studioi për mjeksi, por e braktisi profesionin dhe la Dublinin për Londrën, ku u vendos me 1730. Havard interpretoi disa role në teatrin Goodman’s Fields si dhe në Theatre Royal në Drury Lane. Ishte dhe dramaturg. Havardi shkroi katër drama,” Skënderbeu” (1733), “Mbreti Karli i Parë” (1737), “Regulus” (1744) dhe “Ikja” (1763). Pas katër shfaqjeve në teatrin “Goodman’s Fields” më 15 mars 1733,” Skënderbeu” i Havardit u shfaq edhe në disa teatro të tjerë të vendit. Në këtë koleksion është përfshirë edhe tragjedia e dramaturgut George Lillo””Christian Hero”, e cila pas botimit të parë pati dhe një botim të dytë. Tragjedia është e shkruar në pesë akte dhe shtrihet në 70 faqe të koleksionit. Ngjarjet zvillohen në fushat dhe malet e Krujës,metropol i Arbërisë. Kush është autori? Kureshtjen na e shuan libri ku i Halit Dacit.Le ta prezantojmë: George Lillo (3 Shkurt 1691-4 Shtator 1739) ishte i biri i një argjendari holandez në Londër. Ai punonte në biznesin e bizhuterive dhe në të njëjtën kohë shkroi pjesë dramatike për teatrin. Megjithëse Lillo nuk kishte arsim formal, ai pati një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e tragjedisë. Gjatë jetës së tij, Lillo shkroi disa drama. Përmendim”Tregtari i Londrës ose Historia e George Barnwell” (1731), “Kurioziteti Fatal” (1736) dhe “Elmerick or Justice Triumphant” (1740). Lillo shkroi shumicën e dramave të tij në prozë, por tragjedinë në pesë akte“Christian Hero”- “Heroi i krishterë” kushtuar Skënderbeut e shkroi në vargje.Tragjedia u shfaq katër netë në teatrin Drury Lane në janar 1735 dhe më pas edhe në teatro të tjerë. Në renditjen kronologjike të librit që koleksionon drama dhe poema,vepër tjetër kushtuar heroit të shqiptarëve është “Scanderbeg: Or, Love and Liberty” – “Skënderbeu: Ose Dashuria dhe Liria”, që u shkrua nga Thomas Whincop (2 qershor 1697-1730) dhe u botua pas vdekjes nga e veja e tij, Martha Whincop, në vitin 1747. Kjo është e vetmja dramë e shkruar nga Thomas Whincop.Nuk ka shumë informacion për Thomas Whincop, por dihet se ai qe jetëshkurtër. Në prolog tregohet se Whincop vdiq pa e përfunduar veprën e tij të vetme. Redaktori që e vuri në skenë, John Mottley, rrëfen vdekjen e dramaturgut dhe efektet e një skeme financiare spekulative të njohur si “Flluska e Detit të Jugut”, e cila shkatërroi dhe çoi në depresion shumë investitorë në Angli në vitin1720.“Skënderbeu: Ose Dashuria dhe Liria” e Whincop i vendos ngjarjet në kryeqytetin e Arbërisë, Krujë. Personazhet që veprojnë janë Skënderbeu, Mbreti i Epirit dhe Arbërisë, Araniti-Gjeneral i Skënderbeut, Thopia- Princ Kristian i Greqisë,Sulltan Murati i dytë, Selimana-Sulltaneshë, Amissa, motra e Skënderbeut etj…Drama është me pesë akte. Amerikani Charles Stearns (1753-1826) shkroi dramën “Scanderbeg, or the Princ of Epirus”. Autori u lind në Lunenburg Masachusetts. Ai u diplomua në Kolegjin e Harvardit në 1773.Pas diplomimit, u bë pastor i Kishës në Lincoln, Masachusetts, duke shërbyer në këtë cilësi derisa vdiq më 26 korrik 1826. Së bashku me përgjegjësitë si pastor, Stearns studioi teologji dhe dha mësim në kolegje dhe shkolla.Në 1792, ai u bë drejtuesi i Shkollës Liberale në Lincoln. Ishte inisiativa e tij që drama të bëhej pjesë e rëndësishme e mësimit pedagogjik në Shkollën Liberale.“Skënderbeu ose Princi i Epirit” është shkruar në vargje.Disa detaje rreth jetës së Charles Sternes dhe veprave të tij janë përmbledhur nga Levy Jonathan. “Dialogjet dramatike të Charles Stearns dhe Daci i përshkruan në këtë libër. Një tjetër autor i prezantuar në këtë koleksion të autorëve Skënderbejanë është amerikani William Dunseath Eaton nga Chikago, i njohur si gazetar me emër, korrespondent lufte, shkrimtar i librave të historisë së luftës, poet, analist dhe themeluesi e redaktori i parë i gazetës “Chicago Herald”. Midis botimeve të shumta, Eaton u bë i njohur si autor i Spirit Life: Or Do We Die? botuar në 1920, “Woodrow Wilson: Jeta dhe Vepra” botuar në 1919, “Lufta” botuar në 1918, dhe vepra të tjera, duke përfshirë “Iscander”, të shkruara në 1896.Mendohet se dramaturgu përshtati “Iscanderin” bazuar në romancën e Benjamin Disraeli, “The Rise for Iskander”.Studiuesi Daci shfaq opinionin se për të shkruar dramën”Iskander”, Eaton duket se ka lexuar burime të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë e Skënderbeut. Ai mendon se Eaton kishte lexuar, përveç “Rritja e Iscander” të Benjamin Disraelit, edhe historinë e Skënderbeut të Marin Barletit dhe “The captain of the Janizaries”-Kapiteni i Jeniçerëve” të James M. Ludlow. Eaton shkroi një rrëfim të shkurtër historik “The Story of Iskander” për Indianapolis Journal. Është interesant fakti se menjëherë pasi Eaton përfundoi përshtatjen e “Iskander” në qershor 1896, tragjediani i shquar shekspirian Frederick B. Warde dhe kompania e tij në Nju Jork e përshtatën atë për skenë. Frederick B. Warde (1851-1935), i cili luajti rolin e Iskanderit, u shpërngul nga Anglia në Shtetet e Bashkuara në 1874. Ai u bë një tragjedian i njohur, duke interpretuar shumë role shekspiriane për rreth pesëdhjetë vjet. Duke udhëtuar nga qyteti në qytet me trupën e tij teatrale, Warde kishte vërejtur se publiku ishte më i prirur ndaj melodramës sesa dramave klasike shekspiriane që ai kishte vënë në skenë për shumë vite. Duke folur për bashkëpunimin e tij të frutshëm me dramaturgun Eaton dhe performancën në”Iscander”, Warde rrëfen se ai iu afrua zotit WD Eaton, nga Çikago, një shkrimtar dramatik dhe një mjeshtër i letërsisë moderne angleze, për të shkruar për pjesë për trupën e tij z. Eaton sugjeroi historinë e Bengiamin D’Israeli”Ngritja e Iskanderit”. E rilexova dhe e gjeta të përshtatur në mënyrë të admirueshme për qëllime dramatike. Zoti Eaton përfundoi përshtatjen dhe e quajti “Iscander”. Janë nëntë drama e tragjedi dhe disa poema që janë bashkuar në këtë libër.Dramat dhe poezitë, të ribotuara në këtë përmbledhje, duke ruajtur origjinalitetin, ashtu siç janë botuar nga autorët për të ruajtur vlerën e tyre historike dhe letrare, meritojnë një lexim të ri në kohën tonë. Ata që duan të lexojnë drama apo poezi nga autorë amerikanë, angleza apo irlandezë, nuk ka nevojë të humbin shumë kohë duke kërkuar nëpër biblioteka por tash mund t’i gjejnë lehtësisht të gjitha bashkë në” Scanderbeg Redivvivus” të studiuesit Halit Daci. Mjafton ta porosini librin në Amazon, ju vjen menjëherë.

Filed Under: Opinion

PETRIT ALIBEAJ ZGJIDHET KRYETAR I SHOQËRISË ATDHETARE BESA BESËN, VATRA DËRGON URIMET MË TË PËRZËMËRTA

February 21, 2022 by s p

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i dërgon urimet më të përzëmërta vatranit Z.Petrit Alibeaj me rastin e zgjedhjes President i Shoqërisë Atdhetare Besa Besën. Në njoftimin e Shoqërisë u bë i ditur lajmi që gëzon komunitetin shqiptar të Bostonit dhe Diasporën Shqiptare të Amerikës. Në njoftim të Shoqërisë Atdhetare Besa Besën thuhet: “Këshilli i Përgjithshëm ditën e Dielë datë 20 Shkurt 2022 thirri anëtarët e Shoqërisë Atdhetare Besa Besën për kuvendin e njoftuar për këtë datë, sipas Nenit 26 të SH.A.B.B të 28 anëtarët që morën pjesë fizikishtë në këtë proçes si dhe 12 anëtarët që përdorën komunikimin virtual nëpërmejt Zoom,me votë të fshehtë anëtarët zgjodhën Këshillin e Përgjithshëm i cili përbëhet prej 5 anëtarësh.Mbledhja e veçantë e Kuvendit të Shoqërisë Atdhetare Besa Besën u mblodh bazuar në Nenin 38 i cili përcakton “Kur Presidenti largohet përgjithmon,zvëndësohet nga Zv.Presidenti ,nëse të dy largohen atëher drejtimin e merrë Sekretari”dhe kjo kërkon dy të tretave të votave të Këshillit të Përgjithshëm.Këshilli i Përgjithshëm me votë të fshehtë zgjodhi!President të Shoqërisë Atdhetare Besa Besën Z.Petrit Alibeaj!Zv.President Sami Ajdini Sekretari Z.Fadil Bregovina Arkëtar Z.Toli Prendi Ky rezultat u miratua me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm i cili është organi më i lartë i Shoqërisë Atdhetare Besa Besën nr.24 datë 20.02.2022I urojm të zgjedhurve punë të mbarë në këtë mision dhe detyrë të lartë,me bindjen se do të çojnë akoma më lartë ermin e Shoqërisë Atdhetare Besa Besën,me punë të mira në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe interesit kombëtar🇦🇱🇺🇸SHOQËRIA ATDHETARE BESA BESËNBOSTON,MASSACHUSETTS 20.Shkurt.2022

Filed Under: Komunitet

Bregu në Munich: Evropa të integrojë Ballkanin Perëndimor para se të jetë shumë vonë

February 21, 2022 by s p

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, bashkëorganizon me Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një event të nivelit të lartë mbi Ballkanin Perendimor. Mynih – “Integrimi evropian dhe bashkëpunimi transatlantik nuk duhet të jenë të shkëputura në Ballkanin Perëndimor. Është koha për të vënë në qendër të vëmendjes procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, përpara se të jetë shumë vonë. Kjo është qendra e gravitetit për të ardhmen e rajonit. Perspektiva evropiane është shtysa që e bën procesin e bashkëpunimit të dobishëm për të gjithë e për një kohë të gjatë. Rajoni ynë nuk është perfekt, por ne mund të nxjerrim më të mirën” tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ( RCC), Majlinda Bregu, në hapjen e evenimentit “Mos u duk i shkëputur: Hartimi i një rruge për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor”, të bashkëorganizuar me Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MCS), në Mynih. “Potenciali rajonit për t’u zhvilluar, mund të arrihet vetëm përmes integrimit ekonomik rajonal. Ky është qëllimi kryesor i axhendës së Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) që koordinon RCC. Zvarritjet a pengesat e ndeshura në këtë proces, kanë qenë për arsye politike dhe jo teknike. Integrimi ekonomik rajonal nuk është një proces i pavarur. Ai do të mbetet i copëzuar nëse nuk bëhet pjesë e rrugëtimit të përbashkët drejt anëtarësimit në BE, si dhe përfshirjes në politikat dhe tregun e përbashket të BE-së. BE-ja ka të gjitha mundësitë për të qenë aktori kryesor ndikues në rajon. Kjo pasi më shumë se 62% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbështesin BE dhe për më tepër në vend të parë /“pole position” si investitori më i madh”, shtoi Bregu.
Aktiviteti mblodhi zyrtarë të lartë nga rajoni dhe BE: Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov; Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski; Kryeministri i Kosovës*, Albin Kurti; Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhacka; Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Goran Grlic Radman; Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar; Ministri gjerman i Shtetit, Tobias Lindner; Sekretari i Përgjithshëm në EEAS, Stefano Sannino; Kryetar i MSC, Ambasadori Wolfgang Ischinger; Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak; Senatorja e SHBA-së, Jeanne Shaheen; Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë i SHBA-së, Naz Durakoglu; dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BB-së, BE-së dhe Kongresit të SHBA-së. Veprimtaria u moderua nga Majda Ruge, Eksperte e Lartë në Këshillin Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë.
“Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një axhendë territoriale, por edhe transformuese. Të gjithë jemi dakord që zgjerimi nuk është një proces metodologjik, por politik dhe i tillë duhet të vazhdojë të mbetet. Tani është koha për të vepruar. Nëse kjo mundësi humbet, Ballkani Perëndimor rrezikon një tjetër dekadë të humbur të shënuar nga paqëndrueshmëri të reja. Nëse të rinjtë e aftë dhe të arsimuar nuk shohin një perspektivë evropiane në shtëpi, ata do të zgjedhin mundësitë për të emigruar dhe për të gjetur kushte më të mira jetese në BE”, përfundoi Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Bregu.Më herët të shtunën Sekretarja e Përgjithshëm e RCC pati disa takime dypalëshe, në margjinat e MSC, me Ministren Gjermane të Shtetit, Anna Luhrmann; Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya; dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.

Filed Under: Komente

A duhet SHBA të tregohet më proaktive me sanksione kundër Putinit?

February 21, 2022 by s p

A Ukrainian serviceman stands in a shelter on a position at the line of separation between Ukraine-held territory and rebel-held territory near Zolote, Ukraine, Saturday, Feb. 19, 2022. Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy, facing a sharp spike in violence in and around territory held by Russia-backed rebels and increasingly dire warnings that Russia plans to invade, has called for Russian President Vladimir Putin to meet him and seek a resolution to the crisis. (AP Photo/Evgeniy Maloletka)

Analizë gjeopolitike nga Rafael Floqi/

Besueshmëria e Uashingtonit bazohet në qëndrimet  e kaluara, duke theksuar se “Unë jam këtu sot jo për të filluar një luftë, por për të parandaluar një të tillë”, por a mjafton kjo ? 

Shtetet e Bashkuara, s’duhet vetëm të mjaftohen, siç ka bërë Biden deri tani, duke i thënë “Putinit, nëse ti pushton Ukrainën, ne do të bëjmë këtë apo atë veprim, do marrim këtë apo atë sanksion. Aktualisht ne nuk po shohim masa parandaluese nga Shtëpia e Bardhë. Shtëpia e Bardhë duhet të vendoste sanksione ndaj Rusisë tani. Konkretisht ndaj institucioneve të tyre financiare, bankave, mbi vetë Putinin dhe miqtë e tij, mbi asetet e tyre, por më e rëndësishmja për të ndaluar aktivizimin e Nord Stream 2 (pasi ndërtimi i tij në fakt ka përfunduar dhe heqja e sanksioneve për këtë gazsjellës u bë për të paqtuar Gjermaninë u morën nga Bideni qysh javën e parë të punës.)

Çfarë janë sanksionet dhe dilema e tyre  

Sanksionet janë një nga mjetet më të zakonshme të diplomacinë ndërkombëtare dhe një nga më të diskutueshmet. Edhe pse ato kanë qenë në përdorim për dekada, në vitet e fundit, shtypja e butonit të  sanksioneve është bërë standarde, si përgjigje ndaj polemikave ndërkombëtare. 

Por a janë ato një mjet efektiv? Për avokatët e tyre, sanksionet janë një mënyrë për të rritur presionin mbi qeveritë që shkelin parimet normative ndërkombëtare, pa iu drejtuar drejtpërsëdrejti luftës. Po për kritikët e tyre ato janë të paefektshme, dhe janë pak më shumë se një teatër politik, më me shumë gjasa që dëmtojnë më shumë të pafajshmit sesa personat e synuar. Pra sanksionet janë jashtëzakonisht të diskutueshme. Problemi themelor është pikërisht ‘dilema e sanksioneve’. Kjo vjen nga ankesa ndaj sanksioneve, dhe të përdorimit me lehtësi të tyre, dhe polemikat rreth ndikimit të tyre Sanksionet që ndëshkojnë më shumë një vend sesa liderët e tyre, ato gjithashtu, rëndojnë më shumë mbi të pafajshmit. Dhe natyrisht në sistemet autoritare dihet që liderët as që pyesin shumë për vuajtjet e popullit të vet . Nga na tjetër në një ekonomi globale  dhe kur qysh në fillim të presidencës së tij administrata Biden bllokoi gazsjellësin amerikan Keystone  dhe licencat për shpimet e naftës duke çuar në rritjen e çmimit të saj  dhe ndoshta duke u bërë shkak edhe për këtë gjendje në Ukrainë, pasi ajo i dha rol Rusisë në tregun e naftës dhe riti burimet e saj ekonomike.

Një raport nga Capital Economics paralajmëroi se lufta në Ukrainë mund ta shtyjë çmimin e naftës në 120 dollarë për fuçi dhe të shtojë 2 pikë përqindjeje në inflacionin në tregjet e zhvilluara. Kjo do të shtrëngonte shtrydhjen e standardeve të jetesës në SHBA, ku inflacioni parashikohet të arrijë mbi 7 për qind. Konflikti aktual gjeopolitik midis Rusisë dhe Ukrainës do të ketë një ndikim të madh në sigurinë energjetike të Evropës. Ai gjithashtu do të theksojë cenueshmërinë energjetike të Evropës në një masë të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, të tre fuqitë sigurisht që do të vuajnë për shkak të ngërçit aktual. Për shembull, Rusia do të përballet me një krizë të madhe financiare pasi eksportet e energjisë në Evropë do të ndalen. Në mënyrë të ngjashme, Ukraina do të vuajë si në aspektin e humbjes së tarifave të gazsjellësit transit ashtu edhe për sigurimin e energjisë. Në mënyrë të ngjashme, Evropa do të përballet me një mungesë energjie dhe një përshkallëzim të çmimeve të energjisë.

Dhe natyrisht të gjitha këto Putini i di, ndaj dhe ushtron presion pikërisht tani, dhe kjo nuk është vetëm një matje pulsi.

Thelbi i krizës aktuale 

Në zemër të krizës aktuale midis Uashingtonit dhe Moskës është kjo: Vladimir Putin ka grumbulluar trupa në kufirin e Rusisë me Ukrainën dhe ka lënë të kuptohet se ai mund të pushtojë. nëse nuk merr një garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO. ( Por jo vetëm kaq) Administrata Biden e refuzon atë kërkesë pa kontroll. Kombet e fuqishme, këmbëngul ajo, nuk mund të kërkojnë që fqinjët e tyre të bien nën sferat e tyre të ndikimit. 

Siç tha Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken muajin e kaluar, “Një vend nuk ka të drejtë të diktojë politikat e një tjetri ose t’i tregojë atij vendi me kë mund të lidhet; një vend nuk ka të drejtë të ushtrojë një sferë ndikimi. 

Ky nocion duhet të hidhet në koshin e plehrave të historisë pasi ” Është një parim fisnik, thjesht një parim të cilit vetë Shtetet e Bashkuara nuk i përmbahen. Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar një sferë ndikimi në hemisferën e tyre për gati 200 vjet, që kur Presidenti James Monroe, në mesazhin e tij të shtatë vjetor drejtuar Kongresit, deklaroi se Shtetet e Bashkuara “duhet të marrin në konsideratë çdo përpjekje” nga fuqitë e huaja “për të zgjeruar sistemin e tyre”. për çdo pjesë të kësaj hemisfere si të rrezikshme për paqen dhe sigurinë tonë.”

Doktrina Monroe

Duke dëgjuar zotin Blinken, mund të mendoni se Shtetet e Bashkuara kohë më parë e kanë hedhur këtë prerogativë mbi politikat e jashtme të fqinjëve të saj jugorë në koshin e plehrave të historisë. Nuk e ka bërë një gjë të tillë. Në vitin 2018, sekretari i shtetit i Donald Trump, Rex Tillerson, e quajti “Doktrinën Monroe “po aq të rëndësishme sot, sa ishte ditën kur u shkrua”. Një vit më pas, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, u mburr se “Doktrina Monroe është e gjallë dhe e mirë”.

Zyrtarët e Biden nuk e festojnë Doktrinën Monroe siç bënë paraardhësit e tyre të administratës Trump. por ata ende ushqejnë fqinjët e Amerikës. Zoti Biden nuk e ka lehtësuar embargon e Kubës. Ai as nuk i ka dhënë fund përpjekjeve të zotit Trump për të shkëputur Venezuelën, një qeveri tjetër autokratike që flirton me armiqtë e Amerikës, nga tregtia globale. Shtetet e Bashkuara gjithashtu ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm përmes “fuqisë së butë” të tyre. Për shkak se Shtetet e Bashkuara kanë një ekonomi dinamike dhe një shoqëri të hapur, marrëdhëniet e ngushta me Uashingtonin janë më tërheqëse për fqinjët e Amerikës, sesa marrëdhëniet e ngushta me Moskën për fqinjët e Rusisë.

Por është disi zhgënjyese, sepse ne aktualisht nuk po shikojmë, një vendim bipartisan nga Kongresi. Edhe pse kjo ishte një nga gjërat e para që u premtua, se ne do të largonim një farë fryme dypartiake nga Uashingtoni, D.C. Duket se këto janë nga llojet e gjërave që i kanë trimëruar njerëz si Vladimir Putini. 

Posi mund të bëhet marrja e sanksioneve? Kjo arrihet duke shkuar pas oligarkëve, shokëve të tij, me sanksione ndaj atyre kanë investime në të gjithë botën, veçanërisht në perëndim, apo atyre që blejnë të gjitha pronat e mëdha të paluajtshme në Londër. A duhen synuar edhe ata? Patjetër. Miqtë e tij duhet të ndiejnë dhimbjen. Ai duhet të ndjejë dhimbjen. Kur flasim për marrjen e sanksioneve parandaluese mendoj se kjo është e rëndësishme. Putini e kupton forcën dhe SHBA duhet ta portretizojë atë si forcë reale. Ne nuk duam të shohim të ndodhë një pushtim e pastaj të themi se duhej marrë ky apo ai sanksion.  Shtëpia e Bardhë dhe Demokratët po flasin për vendosjen e sanksioneve pas pushtimit, kjo është pas faktit. Ne duhet të tregojmë veprime tani, për të ndaluar një pushtim për të rikthyer stabilitetin në zonë.

Perëndimi duhet të kthehet “nga një strategji reaktive në proaktive”

Perëndimi duhet të kthehet “nga strategji reaktive në proaktive” kur merret me Rusinë, tha të mërkurën edhe ministri i jashtëm i Ukrainës. Duke folur për mediat e huaja në një konferencë në internet për konfliktin në vazhdim, situatën aktuale në rajon dhe se çfarë mund të bëhet për të qetësuar tensionet, Dmytro Kuleba tha se Ukraina është “historikisht, politikisht dhe kulturalisht” një pjesë e Perëndimit.

“Rusia ndërtoi infrastrukturën e saj ushtarake pranë kufirit ukrainas dhe me të po teston reagimin e Perëndimit,” tha ai, duke shtuar se pranverën e kaluar Ukraina filloi “t’u binte të gjitha këmbanave” pasi Rusia përqendroi trupat në kufi. Ukraina është e gatshme të takohet me Rusinë “në çdo format për të kërkuar zgjidhje diplomatike”, tha kryediplomati ukrainas. “Ne kurrë nuk jemi fshehur nga negociatat.” Rusia, tha ai, ka pushtuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën, dhe për këtë arsye, është Perëndimi, jo Rusia, që duhet të kërkojë garanci sigurie.

Ruleta ruse e desinformimit mediatik

Ndërkohë Putini po përpiqet të tregoje kufomat, videoklipet e ndërtesave të hedhura në erë, pajisjet ushtarake ukrainase të vënë në skenë dhe aktorët që luajnë rusisht. Kremlini planifikon të prodhojë një film që do të krijonte një pretekst për një ndërhyrje në Ukrainë. Ndërkohë, Rusia ka operativët e para-pozicionuar të trajnuar në luftën urbane për të kryer një sulm me flamur të rremë ndaj forcave të saj në Ukrainën lindore, gjithashtu për të sajuar një justifikim për luftën. Dhe Kremlini kështu planifikon të instalojë një udhëheqës pro-rus në Ukrainë, pasi ka zgjedhur tashmë një kandidat të mundshëm. 

Këto janë disa nga zbulimet e jashtëzakonshme të bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë britanike në javët e fundit, pothuajse në kohë reale, si pjesë e një përpjekjeje të bashkërenduar për të ekspozuar lëvizjet e ardhshme të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, dhe duke bërë kështu, duke i shpallur synimet hapur i prishin planet ruse. Kjo sqaron një kuptim të ri në Uashington se hapësira e informacionit mund të jetë ndër terrenet më të rëndësishme që po konteston Putini.

Ky nuk ishte gjithmonë rasti. Në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre u kapën të befasuar jo vetëm nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, por nga fushata e gënjeshtrave që e shoqëruan atë. 

Administrata Biden në veçanti duket se ka nxjerrë mësime nga kjo përvojë. Duke nisur një fushatë proaktive për të quajtur bllofet e Kremlinit, Shtëpia e Bardhë shpreson të prishë planet e Moskës. Por edhe nëse, siç duket e mundshme, nuk arrin këtë qëllim, fushata e zbulimeve të Uashingtonit mund ta bëjë më të vështirë për Kremlinin të përdorë dezinformata për të shmangur fajësinë për veprimet e tij pas një ndërhyrjeje dhe për të ndihmuar në ndërtimin e mbështetjes publike në Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për një përgjigje më të mprehtë. Për shkak se gara e informacionit ka natyrë asimetrike – Kremlini, ndryshe nga Shtëpia e Bardhë, përballet me pak kufizime normative në sjelljen e tij – përpjekja mund të mos e gjejë Rusinë tërësisht të papërgatitur. Por a e ka pritur Moska këtë. Kremlini mund të ketë pritur që Uashingtoni të vinte re përgatitjet e tij të rreme për flamurin, por me gjasë nuk e kishte parashikuar që administrata do të lëvizte kaq shpejt për t’i zbuluar ato.

Sigurisht, kjo strategji nuk është pa dobësi. Duke ndarë informacionin në kohë reale, Uashingtoni rrezikon të ekspozojë burime dhe metoda të rëndësishme të mbledhjes së inteligjencës. Nëse Kremlini kupton se nga vijnë rrjedhjet, ai mund t’i mbyllë ato, duke i lënë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre pa informacione të caktuara me cilësi të lartë pikërisht në një kohë kur ai informacion është më i nevojshëm.

Qëllimi i Putinit,- minimi i besueshmërinë së qeverisë tek SHBA

Në planin afatgjatë, Uashingtoni do të ishte i mençur t’i kujtonte se një nga qëllimet thelbësore të Putinit është të minojë besueshmërinë e qeverisë së SHBA dhe deklaratave të saj në botë. Shtëpia e Bardhë duhet ta vështirësojë gjithashtu këtë detyrë, me kalimin e kohës, duke nxjerrë më shumë informacion në lidhje me provat që ka mbledhur. Tani për tani, administrata mund të rezistojë në shfaqen e një ton luftarak me gazetarët të cilët, duke kërkuar prova, në fakt po bëjnë punën e tyre. 

Sanksionet ekonomike janë mjete të shpejta

Edhe për vendin që përdor shumicën e sanksioneve të gjitha—Shtetet e Bashkuara—janë shumë e diskutueshme. Sipas fjalëve të një analisti amerikan të shquar të politikës së jashtme: “Sanksionet nuk funksionojnë” është një fjalë e dëgjuar shpesh si refren… Ajo që nuk mund të diskutohet, megjithatë thuhet se sanksionet ekonomike janë mjete të shpejta, duke u bërë mjeti politik i zgjedhur për Shtetet e Bashkuara në botën e pas Luftës së Ftohtë.

Në të vërtetë, sanksionet ekonomike janë gjithnjë e më shumë në qendër të amerikanëve dhe politika e jashtme si një mjet politik për të zgjidhur disa çështje: për të frenuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, në promovimin e të drejtave të njeriut, në dekurajimin e agresionit në mbrojtjen e mjedisit, ose në pengimin e trafikimit të drogës.

Fushata proaktive e administratës për zbulime mund të mos e pengojë Putinin të pushtojë Ukrainën ose të izolojë presidentin Joe Biden nga erërat politike që mund të shkaktojë një zhvillim i tillë. Por Shtëpia e Bardhë meriton meritën për të qenë jashtëzakonisht e shkathët në ndërlikimin e planeve të Moskës, duke e bërë më të vështirë për Kremlinin të shmangë fajin me gënjeshtra dhe, ndoshta, duke mposhtur Putinin në lojën e ruletës ruse të informacionit.

Besueshmëria e Uashingtonit bazohet në veprimet e kaluara, duke theksuar “Unë jam këtu sot jo për të filluar një luftë, por për të parandaluar një”. Megjithatë, brenda dorezës prej kadifeje mbetet një grusht hekuri. 

Ndërkohë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë thotë se Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të diskutojnë një samit të mundshëm midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin kur të takohen më vonë këtë javë. Por zyrtari shtoi një fjalë kujdesi për ato diskutime. “Blinken dhe Lavrov do të diskutojnë më tej nëse pushtimi nuk ka filluar deri atëherë – në këtë rast gjithçka ka përfunduar”, tha zyrtari. Një zyrtar tjetër i lartë shtoi se aktualisht nuk ka plane për një samit kur bëhet fjalë për kohën ose formatin.

Natyrisht, Ukraina ka të drejtë të krijojë një politikë të jashtme të pavarur. Por politika e jashtme nuk është një ushtrim i moralit abstrakt; ajo përfshin çështje të fuqisë. Dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë nuk kanë fuqinë për t’i mohuar Rusisë një fjalë për të ardhmen e Ukrainës, sepse ata nuk janë të gatshëm të dërgojnë djemtë dhe vajzat e tyre për të luftuar atje. Në mënyrë implicite, administrata e Biden-it tashmë e ka pranuar se:” NATO nuk ka plane të pranojë Ukrainën së shpejti, sepse një veprim i tillë do të angazhonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për mbrojtjen e Ukrainës. Dhe nuk ka asnjë shans që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa ta bëjnë këtë angazhim nëse do të nënkuptonte luftimin e trupave ruse. 

Ndërkohë luftimet përgjatë vijës së kontaktit në Ukrainën lindore po nxehen. Forcat ukrainase dhe përfaqësuesit e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut akuzuan njëri-tjetrin se kishin hapur zjarr në territorin e njëri-tjetrit të enjten. Kremlini e quajti incidentin “një çështje me shqetësim shumë të thellë”. Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi më parë për këto sulme si provokime.

 Zgjidhja më e mirë

Për sa kohë që Moska është gati të kërcënojë me luftë, ajo mund ta mbajë Ukrainën jashtë NATO-s. Administrata Biden thjesht nuk dëshiron ta pranojë këtë publikisht, nga frika e demoralizimit të qeverisë ukrainase dhe inkurajimit të zotit Putin për të bërë kërcënime edhe më të mëdha. Siç kanë sugjeruar Thomas Graham dhe Rajan Menon, zgjidhja më e mirë mund të jetë gjuha e zgjuar diplomatike që i lejon Moskës të pretendojë se ka bllokuar Ukrainën nga hyrja në NATO dhe Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainës për të këmbëngulur se ajo mund të bashkohet ende në një të ardhme të largët, teorike.  Pavarësisht kësaj balance virtuale ,prioritetet më të larta të Amerikës duhet të jenë parandalimi i një lufte më të gjerë dhe sigurimi që Ukraina të mbetet një shoqëri e lirë e demokratike. Një marrëveshje që pranon në heshtje veton e Rusisë mbi aleancat ushtarake të Ukrainës ia vlen të gëlltitet për të arritur këtë, pasi në praktikë, Rusia tashmë e ka atë veto. Kjo është shumë më mirë se një pushtim rus në shkallë të plotë, i cili do të ekspozonte kufijtë e angazhimit të Amerikës ndaj Ukrainës dhe do ta kthente të gjithë vendin në një fushë beteje. Por a do të kënaqet Putini me kaq. Kjo është çështja.

Filed Under: Analiza

A do të ndalën ekspeditat pushtuese të fashistit, Vladimir Putin?

February 21, 2022 by s p

Skënder MULLIQI /

E gjithë bota demokratike më kujdes po i vështron ngjarjet agressive të Rusise ndaj Ukrainës. Përgatitëjt për luftë të hendikapit rus, Vlladimir Putin , nuk janë kërcënime vetëm për Ukrainën, por janë kërcënime për Kosovën ,dhe Evropën .Rusia e diktatorit Putin është duke e rrezikuar seriozisht edhe rendin e ri botëror.Mënyra së si ky despot po i qaset problemeve botërore, nuk përkon më qasjët kohezive në Evropë . Ky vend për dy decenie është duke marrë ekspedita pushtuese ndaj vendeve fqinje, madje duke i përdoruar edhe armët kimike –në Siri, ndaj civilëve.Ne vitin 2014 populli i Ukarinës më protesta kërkuan të ardhme demokratike ne vendin e tyre. Rusia ishte ajo që prodhojë krizën duke sulmuar dhe okupuar territorin e Ukrainës –Krimën. Në këtë eskpeditë ushtarake rusët, kishin lënë të vrarër mbi 14.000 njerëz të Ukrainës.Rusia po tënton ta kthen ndikimin e humbur mbi shtetet e Lindjës duke i okupuar ato pjesë –pjesë, siq ndodhi edhe më pjesët e Gruzisë, dhe nuk e respektojë marrveshjën për ti tërhequr forcat ushtarake nga Moldavija. Dhe, marshinmi i këtij shteti fashist më forca të mëdha ushtarke në kufijë më Ukrainën ,është edhe një tregues më shumëm së po rrezikohet seriozisht Evropa, dhe së këtë duhet ndaluar NATO. Putin si manipulant dhe rrenc komunist që është po e akuzon Ukrainen për koncentrim të forcave në kufij, duke shkaktuar gjoja krizën.Politikat ruse dhe serbe , janë politika mashtruese ,janë politika hegjemoniste për pushtime të reja, edhe në Ballkan.Këta po I rrezikojnë proceset demokratike dhe vlerat e saja , si dhe vlerat fundalmnetale njerëzore . Putin është duke synuar që paralilisht duke sulmuar Ukrainen , këtë gjë të bënë më forcat e përbashkëta ushtarake më Serbinë , që më një blicë aksion të bëjnë faktike edhe pushtimin e veriut të Mitrovicës, e që nuk do tju dalin planet ashtu. Kosova së bashku më aleatet e saj dinë të mbrojë territorin e vet nga agresioni i mundshem ushtrak ruso-serb .Ameria sikur që po e përmban sovranitetin e Ukrainës, ashtu e përmban edhe më shumë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.Rusia luftën edhe mund ta fillon, për sigurisht së nuk do ta fiton . Amerika dhe Evropa nuk do të lejojnë të shëmben këto parime, porositeë janë të qarta për Rusinë dhe P[utinin e Serbinë dhe Vuqiqin, në rast të ndonjë invazioni ushtrak . Zgjedhjet mund të gjenden vetëm më rrugë diplomatike, e asesi ndryshe . Uniteti dhe vëndosmeria e Amerikës dhe Evropës ndaj agresionit të Rusisë, janë mjeti më efikas për ta ndalur ate . Por, nese Putin ndodhe që të zgjedhë rrugë tjetër , ate të agresionit , ai do të përballët më masa të fuqishme të së pari të sanksioneve ekonomike , por edhe të ndërhyrjës ushtrake të NATO-së.Kërcimet e Rusisë ndaj Ukrainës , por edhe mundësia e eskalimit të ndonjë agresioni të Serbisë ndaj veriut të Kosovës, do ta kanë koston shumë të lartë për fashistet ruso -serb.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT