• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

DIELLI ME SHQIPTARËT E ZVICRËS, SHKOLLA SHQIPE E WINDISCH-IT NË KANTONIN AARGAU

February 28, 2022 by s p

Eshtrefe Sefiu-Nuhiji, mësuese në Shkollën shqipe të Windisch-it në Kantonin Aargau të Zvicrës, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Zvicër, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Zvicrës.

SHKOLLA SHQIPE E WINDISCH-IT NË KANTONIN AARGAU TË ZVICRËS

Shkolla shqipe e Windisch-it është ndër shkollat e para të hapura në Kantonin Aargau të Zvicrës, qysh nga vitet 1991-1992. Kjo shkollë punon dhe vepron në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) këtu në Zvicër. Për hapjen e kësaj shkolle u angazhuan veprimtarë, mësues e prindrër të shumtë, të cilët edhe sot e asaj dite ndihmojnë e kontribojnë edhe më tutje në çështje të ndryshme kombëtare. Ndër të dalluarit ishin Fetah Sheholli, Femzi e Vjollca Braha, Hamzë Morina etj. Sot kjo paralele shkollore ka 25 nxënës të grupmoshave të ndryshme. Mësimi organizohet në tri nivele. Punojmë me fletoret tematike të botuara enkas për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por punojmë edhe me materiale të ndryshme që marrim nga interneti dhe libra të tjerë. Nxënësit mësojnë kryesisht shkrim-lexim, historinë dhe gjeografinë e trojeve shqipëtare, folklorin dhe kulturën tonë kombëtare. Përdorim metoda të ndryshme mësimore si puna në dyshe, në grupe, individuale, poster me tema të ndryshme, etj.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E SHKOLLËS SHQIPE NË WINDISCH

Shkolla shqipe në Windisch ashtu edhe si shkollat tjera në Zvicër punojnë me kurrikulën e hartuar në bashkëpunim me shkollën e lartë të Zürich-ut, që departamenti i Zürich-ut pat përgatitë për kurset e gjuhës dhe kulturës në Zvicër. Dhe planprogramet e mësimit shqip bazohen po në atë kurrikul. Tashmë kemi edhe fletoret tematike për tri nivelet e shkollimit,të botuara dhe të hartuara nga ministria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të cilat shpërndahen falas për nxënësit.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha është mjet i rëndësishën i komunikimit prandaj edhe një popull pa gjuhë konsiderohet si popull pa identitet. Kur një person gëzon identitet kombëtar, ai gëzon ndjenjën e përkatësisë së një race, territori, kulture dhe historie të përbashkët. Gjuha dhe diskursi i saj janë elementet thelbësore të kombit. “Një komb pa gjuhë është si një lis pa rrënjë“ ka thënë një dijetar i huaj. Prandaj mësimi dhe kultivimi i gjuhës amtare në shtetet e huaja, përbën rëndësi të veçantë, në njërën anë kryerja e një obligimi moral që kemi ndaj atdheut dhe në anën tjetër njohja e gjuhës amtare ndihmon dhe lehtëson mësimin e gjuhëve tjera të huaja. Me një fjalë gjuha amtare ndihmon integrimin dhe zhduk asimilimin. Të dashur bashkëatdhetarë jepni rëndësi njohjes së gjuhës amtare sidomos për fëmijët tuaj. Bëhuni ju çelës suksesi për fëmijët tuaj, duke i`u mësuar gjuhën amtare, duke i dërguar në shkolla shqipe, që nesër ata mos të kenë vështirësi kur flasin me bashkëmoshatarët e familjarët e tyre në atdhe dhe të mburren me identitetin e tyre, kudo që ata gjenden.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Falë bashkëpunimit të prindërve, kjo shkollë vazhdon të funksionojë e të shpërndajë rreze diturie për të gjithë atdhedashësit që vazhdojnë ta duan atdheun edhe duke qenë larg tij. Megjithatë nuk mund të themi që është numër i kënaqshëm i nxënësve, duke marrë parasysh numrin e përgjithshën të shqipëtarëve që jetojnë në këtë rrethinë. Sido që të jetë dyert e shkollës do të vazhdojnë të jenë të hapura për çdo nxënës shqiptarë. Përveq aktivitetit arsimorë, ne si paralele organizojmë edhe shëtitje e aktivitete tjera, në mënyrë që nxënësit ndonjëherë të kalojnë kohë sëbashku duke u argëtuar. Por, mos të harroj të përmend edhe revistën që del nga kjo paralele shkollore. Në bashkëpunim me prindër, çdo vit shkollorë, botojmë revistën “Atdhetarët e vegjël“. Kjo revistë përmban kryesisht punime dhe aktivitete që zhvillojnë nxënësit gjatë gjithë vitit. Tashmë është numri i tretë që është botuar dhe do të vazhdojë të botohet sa të ketë nxënës shqiptarë. Prindërit janë model për fëmijët e tyre, prandaj duke i dërguar fëmijët në shkollë shqipe ata bëhen shembull që në të ardhmen edhe fëmijët të vazhdojnë të bëjnë të njejtën me gjenratat e reja. Dhe kështu gjuha shqipe do të jetojë dhe identiteti ynë kombëtarë nuk do të humb kurr vlerën e tij.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Tashmë kemi filluar të lirohemi nga të qenit të izoluar, gjë që na detyroi situata pandemike që në fillimet e saja edhe i mbylli shkollat. Ashtu si të gjithë edhe ne në kushte shtëpie e pandemie, mbanim orë mësimore përmes telefonit. Por është për tu admiruar vullneti i nxënësve që të mbanin edhe mësim online dhe mos të ndalonin së mësuari gjuhën shqipe. Ishte vërtet një situatë jo e këndshme. Përveç mbylljes dhe çrregullimit të çdo gjëje, na pamundësoi edhe mbajtjen e tubimeve që mbajmë çdo vit me rastin e përfundimit të vitit shkollor dhe me rastin e festave kombëtare. Tubime këto që mbushin sallat dhe jehon kënga e poezia shqipe, si të ishin në zemër të Kosovës e Shqipërisë. Vetë fakti që punojmë me grupmosha të ndryshme, tregon që nuk është e lehtë aspak puna që ne bëjmë, shpesh paraqitet edhe nevoja që të hartojmë program të veçantë për nxënësit që vijnë me nivel shumë të ulët të njohjes së gjuhës amtare. Por gjithmonë me një bashkpunim të ngushtë dhe të mirëfilltë me prindër, arrijmë të tejkalojmë çdo vështirësi që na del përpara.

GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE

Populli shqiptar ka pas vetes një histori të lavdishme e të pastër, që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme. Lufta dhe rrugëtimi që bënë rilindasit tanë me fillet e saja që nga Lidhja e Prizerenit, e deri tek lufta e fundit ndaj pushtuesve serb ishte një rrugë e gjatë dhe e përgjakshme. Nganjëherë na rrëzuan, nganjëherë i rrëzuam, por asnjëherë nuk u dorëzuam. Por ajo qka mbeti dhe u trashëgua që nga Ilirët e deri më sot ishte gjuha. Gjuha është e vetmja trashëgimi që mban të gjallë kombin dhe identitetin kombëtar. Duke rrënjosur gjuhën në zemrat e brezave të rinj, i bëjmë nder atdheut dhe vazhdojmë rrugën e rilindasve tane, por që ata ishin të detyruar ta ruanin gjuhën në kushte lufte, kurse ne në kushte paqe e demokracie.

KUSH ËSHTË ESHTREFE SEFIU-NUHIJI?

Unë jam Eshtrefe Sefiu-Nuhiji e lindur në Gjilan më 27.09.1987. Shkollimin fillorë, atë të mesëm dhe studimet i përfundova në qytetin e Gjilanit. Në vitin 2008 u shpërngula në shtetin Zvicëran për të vazhduar jetën me aktivitete tjera interesante. Që nga viti 2012 punoj si mësuese e mësimit shqip në paralelen shkollore të Windisch-it. Përveç mësimdhënies, udhëheq edhe projektin që ka të bëjë poashtu me ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe që nga viti 2015 e që quhet “Më dhuro një përrallë“, projekt ky që realizohet në bashkëpunim me shoqatën për inegrim të të huajve dhe bibliotekës së qytetit të Brugg-it. Kam vizituar dhe vazhdoj të vizitoj edhe seminare të ndryshme që organizon Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqipëtarë(LAPSH) këtu në Zvicër si dhe departamenti i arsimit Zvicëran për të huajt. Juve dhe redaksinë e gazetes “Dielli“ ju falënderoj nga zemra që zgjodhët paralelen tonë për intervistë. Madje me shumë bindje them se profesionet tona janë të shenjëta, mësuesit përhapin dije e civilizojnë popuj kurse gazetat kujdesen që të përhapin informacione e të promovojnë njerëz, ngjarje e aktivitete arsimore që ndonjëherë mbesin nën hije. Ashtu siç me të drejtë quhet gazeta juaj “Diell“ uroj të lëshojë rreze dhe të ngrohë çdo skaj të botës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Urimi i ish Kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto për Kryetarin e Rizgjedhur z. Elmi Berisha

February 27, 2022 by s p


I dashur Elmi!
Rizgjedhja juaj në krye të Federatës sonë, me një mbështetje tërësore ishte një lajm që gëzoi pa masë komunitetin tonë.
Më lejoni t’Ju uroj përzemërsisht për këtë arritje Tuajën dhe të mbetem besimplotë se gjërat e mira që ke bërë do t’i shumëfishosh më tej.
Jam i lumtur tek shoh që Ju po vazhdoni me vendosmëri reformat e thella të nisura prej nesh së bashku në Kuvendin e vitit 2017, duke u distancuar gjithnjë e më shumë nga mentalitetet e vjetra në mendim e drejtim, dhe duke hapur Federatën tonë ndaj të rinjve. Kjo është rruga e drejtë që do ta fuqizojë më tej Vatrën.
Tek cdo kryetar, gjatë ushtrimit të detyrës mund të mbetë dicka pa u përmbushur, por jam i bindur tërësisht se Ju me mencurinë dhe aftësinë tuaj do të arrini rezultatet e pritshme nga të gjithë dhe do ta ngrini Vatrën në një stad më të lartë.
Duke u lutur që të keni vetëm suksese, ashtu si gjithmonë, edhe këtë herë, ju garantoj për përkrahjen time të pakursyer dhe të plotë.
Sinqerisht,
Dritan Mishto

Filed Under: Vatra

NUK E DI NËSE KA FRIKË NGA VDEKJA APO NGA HUMBJA E PUSHTETIT

February 27, 2022 by s p

Nga BEPPE SEVERGNINI

Anne Applebaum përgjigjet në agim nga shtëpia e re në Washington DC, qyteti ku ka lindur. Ka jetuar gjatë në Londër e në Poloni, ku ka njohur bashkëshortin Radek Sikorski, ish ministër i Mbrojtjes e i Punëve të jashtëme, tani europarlamentar. Anne është një nga komentueset më të dëgjuara mbi çështjet ruse e sovjetike, njeh me themel Evropën lindore, në veçanti Ukrainën. Sot është staff writer në The Atlantic, felow i Agora Institute në John Hopkins University dhe autore e “Perëndimi I demokracisë. Dështimi I politikës dhe joshja e autoritarizmit”. Në vitin 2004 ka fituar çmimin Pulitzer me “Gulag. Histori e kampeve të internimeve sovjetike”. Jemi njohur në Varshavë më 1989. Që atëherë jemi takuar në shumë pjesë të botës : në Londër, në Moskë, në Poloni, në SHBA, n’Itali. “Takimet e mija fillojnë mbas dy orësh” thotë në telefon. “Pra jam në dispozicion të Corrieres”.

Kishe arsye mbi Vladimir Putinin. Shumë prej nesh duke të lexuar e duke të dëgjuar, kanë menduar se je tepër johenike.

“Sepse e keni gjykuar Vladimir Putinin duke përdorur kriteret tona. Gabim. Ai nuk funksionon si neve”.

Ukraina është gati sa dy herë Italia dhe ka pothuaj popullsinë e Spanjës. Edhe nëse do t’a pushtonte ushtarakisht, si do të mund t’a nënështronte e t’a kontrollonte?

“Me një përkim të dhunës skajore e të llogarisë. Është shumë shpejt të kuptohet skenari. Është gjithshka e mudëshme, edhe që Putini të rrethojë Kievin e të thotë: nëse nuk më lini gjysmën e Ukrainës shkatërroj qytetin. Por edhe gjysma e Ukrainës do t’ishte e vështirë të kontrollohej, sigurisht. Mos të harrojmë se po flasim per nje njeri që mund të ketë vrarë një milion njerëz në Çeçeni dhe dhjetra mijra në Siri, ku forcat ruse bombardonin edhe spitalet. Frika është se Putini mund të përdorë kaq shumë mizori sa të fshijë çfarëdo qëndrese, siç ka bërë Stalini në vitet 30. Por ai pothuajse nuk e njeh Ukrainën, nuk i frekuenton ukrainasit, ndoshta mendon se nuk do të luftojnë. Mund të zbulojë se e ka gabim”.

Përse Ukraina është bërë ankthi i Putinit?

Ukraina është një demokraci, e kjo është për të një rrezik. Putini është i tmerruar nga ideja se në Moskë mund të përsëritet ajo që ka ndodhur në Kiev më 2004. E quan një kërcënim vetiak.

Pastaj është leximi i tij historik: alarmues.

“Ideja që Ukraina nuk është një komb i vërtetë, që është shpikur nga Lenini, është vërtetë e çuditëshme. Nuk kam dëgjuar kurrë një gjë të tillë.

Putini sot a është një njeri i qëndrueshëm mendërisht?

“Kam menduar gjithmonë se Putini do t’ishte i arsyeshëm në mënyrën e vet. Nuk ka patur rreziqe të mëdha, në fund të fundit. Ishte brutal por nuk është hedhur kurrë në sfida që nuk mund t’i fitonte Sot është ndryshe. Mësymja duket një kumar. Tre daljet e fundit në këtë javë ishin vërtetë një çmenduri.

Çfarë i ka ndodhur?

“Nuk e di. Duket i ankthshëm e plot urrejtje. Duket se ka hyrë në një fazë të re. Nuk e di nga se ka frikë, nga vdekja apo nga humbja e pushtetit. Sigurisht ka jetuar i vetmuar për dy vite, për shkak të pandemisë. Kush do t’a takonte duhej të qëndronte në karantinë për dy javë. Pyes veten se çfarë ka bërë, çfarë ka lexuar e ka parë në gjithë atë kohë i vetëm. Sot duket një njeri i sëmurë, i trazuar”.

Po njerëzit që, në sajë të tij, kanë grumbulluar pasuri e privilegje? Jetojnë në panik këto ditë.

“Mund të mendojnë se do t’ia hedhin edhe këtë herë. Kur u kemi vënë sanksione kanë arritur t’u bëjnë bisht. Kanë shpërngulur para e pasuri grave dhe personave të shtënë, kanë marrë pashaporta të Vëndeve të tjerë. Por ke të drejtë, ky është një tjetër mister: elita ruse, 500 vetët që kontrollojnë pothuajse gjithshka, e miratojnë këtë luftë? E vështirë të besohet. Por për oligarkët koha e megajahteve, e hoteleve të mëdhenj e të vilave në Cap Ferrat mund të ketë mbaruar.

A mendon se putinianët – atje n’Amerikë dhe këtu n’Evropë – do të vazhdojnë t’a mbështesin Putinin?

Disa grupe kanë lidhje financiare me Rusinë, ose miq që bëjnë allishverishe atje. Por ka edhe njerëz – në politikë, në media – që e adhurojnë pa të keq Putinin. Admirojnë faktin që i thyen rregullat. Që nuk respekton demokracinë, gjykatat, mjetet e informimit. Që është një autokrat. A do të vazhdojnë t’a adhurojnë? Varet nga kundërveprimi i opinionit publik.

Cili ka qënë gabimi m’i madh i Perëndimit demokratik?

“ Të mos kuptuarit se çfarë njeriu ishte Putini. Kemi besuar se kemi lënë mbas krahëve shekullin e njëzetë. Kemi menduar se nuk do të kishte më, së paku n’Evropë drejtues t’aftë të kryejnë mizori masash për t’arritur qëllimet e tyre. Kemi menduar se bota e jonë e bazuar mbi rregulla ishte e vërtetë, e respektuar, e kuptuar prej të gjithëve. Jemi gënjyer se Putini mendonte si neve. Por ai nuk mendon si neve, ai nuk është si neve. Drejtues të ndryshëm politikë në mirëbesim – të pakorruptuar prej tij, them – kanë menduar se Putini hynte në kompasin tonë moral. Nuk është kështu. Nuk ka qënë kurrë kështu.

Çfarë duhet të bëjë, simbas teje Perëndimi?

“Duhet të rishikojë strategjinë kundret Rusisë. Tërësisht. Nuk mund të kufizohemi në kundërveprimin e asaj që bën Putini, si në dhjetë vitet e fundit. Të gjindet mënyra për t’u folur rusëve. Të punojmë në mediat ruse. Të mbështesim opozitën në Rusi. Duhet të kuptojmë se cili nga oligarkët  e nga ata që janë në rrethin përqark Putinit është i pakënaqur apo i trëmbur”.

Nga pikpamja ushtarake?  

“NATO-ja duhet t’a rimendojë gjithshka: bazat, pozitat, ushtrimet. Sepse mund t’i takojë Polonisë dhe Gjermanisë”.

A nuk po e tepron?

“Nuk po i them këto gjëra qetësisht dhe as me qejf. Kujtoj një fjali të ministrit të jashtëm rus Lavrov në konferencën e Mynihut të Bavarisë mbi sigurinë, shtatë a tetë vite më parë: “Ju e dini, apo jo, që ribashkimi i Gjermanisë është i kundraligjshëm?” Gjermanët pranë shpërthyen në të qeshura të mëdha. Por Putini ka jetuar gjatë në Berlin. Rusët atë qytet e kanë pasur njëherë, përse mos të dëshironin t’a kishin përsëri? Sigurisht ushtria e Ukrainës mund t’a ndalojë mësymjen e kështu gjithshka mund të ndryshojë. Por aspiratat e Putinit janë të pafund. Mos t’a harrojmë kurrë.” 

  “Corriere della Sera”, 25 shkurt 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton

NATA E FTOHTË E VRASJEVE PRANË URËS

February 27, 2022 by s p

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\1_files\Scan_20211208 (5).jpg

Nga Agim  Xh. Dëshnica

Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo!? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur,  ndër ta dhe të një antropologu, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh, tmerr! Përse i vranë ata? 

Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz, që të mundemi ta përballojmë situatën.”

Viti 1951 ishte një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e tarracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”Mos e hapni në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.

Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para. 

Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit, u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtari terroriste“, që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kishte marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapshtë dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk u bë gjyq! Ata u çuan direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u la kohë për gjykimin e çështjes.“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush  prej tyre nuk u njoh me vendimin. Sado i fshehtë qoftë vendi i krimit, papritur atje, shfaqen gjithmonë, si shënjtorë  dëshmitarët. Kështu një nga banorët pranë Urës së Beshirit sipas një zakoni te lashtë, u tregoi të afërmeve, sesi në mes të natës, kur era e maleve ulërinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje “Ç’i paskam bërë perëndisë!“  , plumbi nuk e kishte kapur! Atëherë iu sulën dhe ia shuan jetën, duke qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve, britmat e saj pushuan. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur në dyert e miqëve dhe rrëfyen ç’kishte ndodhur në mesnatë. 

Vite më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim. 

Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast, E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

Ja, cilët ishin ata, shumica në moshë të re, që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:

Sabiha Kasimati, 

38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave, krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një engjëllushe e atillë!? Fajtor për atë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar E. Hoxha. 

Manush Peshkëpia, 

39 vjeç, poet patriot, lindur në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimtari i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekadash me vuajtje dhe mjerime. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jesh poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri!” Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë. 

Tefik Shehu, 

39 vjeç, lindi në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga kriminelët.

Pjerin Guraziu, 

45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me arritje të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.

Jonuz Kaceli, 

43 vjeç, lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau me tortura dhe e hodhi nga dritarja. 

Anton Delhysa, 

47 vjeç, lindur në Prizren. Specialist ndërtimi, kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të rikonstruksionit të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin eGjirokastrës, për fabrikën e tullave në Vorë, etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Së fundi, u shpërblye me pushkatim!… 

Haki Kodra, 

30 vjeç. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptarë. 

Gafur Jegeni, 

41 vjeç. Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar të Shqipërisë. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptarë, që mbanin yll të kuq në ballë. 

Myftar Jegeni, 

36 vjeç. Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët, pasi e arrestuan, e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më, sepse në atë mesnatë të zezë e pushkatuan pabesisht.

Reiz Selfo, 

lindur në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë financiare edhe vetë E. Hoxhës, por dora e atij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu jetën pa mëshirë biznesmenit të madh patriot.

Qemal Kacaruho, 

49 vjeç. Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjermanë. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Së fundi, e lanë jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e kombit. 

Zyhdi Herri, 

30 vjeç. Lindi në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Çl. Pas luftës, ishte kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priti nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.

Gjon Temali, 

47 vjeç. Shkodran. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, u desh të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj!

Petro Konomi, 

30 vjeç. Lindur në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Çl. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës korrekt, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht!

Niko Lezo, 

50 vjeç. Lindur në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Dy vjet më pas, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës, punon sërish kimist në laboratorin, që tashmë ishte nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, u pushkatua pa mëshirë për kurrfarë faji!

Pandeli Nova, 

59 vjeç. Lindur në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Çl. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Prind i një djali partizan. Në mesatën e 26 shkurtit 1951, dëgjoni për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit komunist: Zjarr! 

Thoma Katundi,

më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! Lindur në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun!

Mehmet Shkupi, 

58 vjeç. Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion mjeshtër kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se, gjoja, zhvillonte veprimtari terroriste. Pra, u dënua me vdekje pa asnjë provë e pa gjyq konkrete e pa gjyq!

Ali Qorraliu, 

61 vjeç, tiranas i pasur, jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj edhe u burgos nga regjimi komunist. Si u lirua, e arrestuan së dyti herë si “terrorist“ dhe e pushkatuan pa mëshirë, pa gjyq! Kur u zbulua ai varr i kobshëm masiv, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë!

Fadil Dizdari, 

me origjinë nga Shkodra, lindur në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, e “armik i pushtetit popullor.” Në të vërtetë, faji i tij ishte bujaria. Shiste pothuajse falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuar libra “të verdha” të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Nga ai shpëtoi vetëm unaza e fejesës, që u gjet në gropë, për të dëshmuar krimin e fshehtë e barbar në atë mesnatë të paharruar. 

Hekuran Troka, 

32 vjeç. Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për atë djalë të hijshëm, ishte shënuar: “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja iu internua dhe punoi në punë të rënda për bukën e gojës! 

Lluka Rashkoviç, 

51 vjeç. Lindur në Mal të Zi. Ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Merrej me transport udhëtarësh. Ishte jashtë çdo rryme politike. Për jetën e pastër dhe punën e ndershme në shërbim të qytetarëve, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq!

Për atë gropë të braktisur në errësirën e ftohtë 71 vjet më parë nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve. Foli kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, vëllezërive e nipave, foli kujtesa e një populli të tërë. Ishte një e folur me zë të lartë, që ta dëgjonte bota. për të marrë vesh, se ç’ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste, e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanari ndriçues”, burgu e varri i përbashkët i shqiptarëve! 

C:\Users\Agim\Desktop\download.jpg

             RJEDHA  LUMIT  NËN URË                        

 -Kushtuar 22 intelektualëve të vrarë 71 vjet më parë, pa gjyq e pa faj, në 26 shkurt- 1951, pranë Urës së Beshirit. 

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet  vorbulla, te bregu nën gjeth.

Me psherëtimë në zall, mbi bar hedh lotë-stërkala

sado krim  në terr, me pëshpërimë përhapet fjala!

Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,

për gropë martirësh ne heshtje dhe gurët vajtojnë.

Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,

ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.

Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog

këto eshtra shpupurisur në pluhur të lidhur tok?!

Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë

nga spata , shigjeta, ushta hordhish barbarë?

Jo jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,

por komisarë të kuq, me yll të kuq gjëmborë!

Komisarë qelish, pa gjyqe, pa firmë e vulë.

Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.

Komisarë me hakërime e me mandatën, 

me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.

Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë! 

Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!      

Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,

më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!

Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,

me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!

Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,

një bir Kosove e burrë i urtë malsie!

Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!

Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!

Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!

 Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,

 Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!

Në lumej, det e oqean dëgjohet thirrje e saj,

shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.

Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!

Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!          

Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet nën lule e gjeth,

me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lotë-stërkala,

për krime terri me ushtim përhapet fjala… 

Filed Under: Histori

NJË SHËNIM I VOGËL PËR NJË GJAMË TË MADHE QË I KANOSET SOT BOTËS  NGA  HITLERI I “RI”, KOMUNISTO-FASHTI VLADIMIR  PUTIN

February 27, 2022 by s p

NDUE  BACAJ  

Me 24  shkurt 2022 kryespiuni i KGB-s, Hitleri i “ri”, komunisto-fashisti Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ruse, për sulmin ushtarak mbi shtetin e pavarur e sovran të Ukrainës, Avionë, helikopter, tanke autoblinda dhe mijëra e mijëra ushtarë dhe oficerë sulmuan me zjarr e hekur  qytete e fshatra të Ukrainës, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së të sovranitetit të shteteve. Kryespiuni i komunizmit ruso-sovjetik me këtë sulm ushtarak kriminal ndaj Ukrahinës, që ngjason si dy pika ujë me nacional-socialistin Adolf Hitler, provokoi hapur fillimin e luftës së tretë botërore. Luftë për të cilën prej vitësh ka punuar, në armatosjen e shtetit dhe ushtrisë komunisto-fashiste ruse me armët më moderne e shfarosëse, si ato atomike, kimike e bakteorologjike , por dhe me atë psikologjike, sikur “botës” ruse i janë bërë padrejtësi duke i grabitur troje e persekutuar bashkombas të cilët jetojnë në shtetet jashtë Rusisë “Nënë”. Putini nën “rrëgozë” me aleatët e tij i frynte edhe  premtim për “bashkimin” e atyre shteteve ortodokse që flasin sllavisht.  Gjithë kjo pergatitje për luftë hitleri hibrid (komunisto-fashist) i shekullit XXI, Vladimir Putin i ka bërë në sytë e faktorit ndërkombëtar, i cili në vend që ta izolonte e ndalonte me sanksione seioze ekonomike e politike , shpesh Putinit e regjimit të tij komunisto-fashist i bënte elozhe dhe i kruante shpinën, me një diplomaci në nivel ambasadorësh (shpesh edhe medioker), me “kërcënime”,  sanksione e marrëveshje deri “qesharake”. Të gjitha këto “justifikoheshin” me stabilokracinë, Vladimir Putini elaboroi teza të frikshme para se të hidhej në veprim për shkëputjen e rajoneve të Gjeorgjisë, përkatësisht të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008, ndërsa në vitin 2014, Putini e bëri shkrum e hi “stabilokracinë” duke sulmuar Ukrahinën e pushtuar Krimen. Të pakten pas ketij agresioni, NATO, SHBA, dhe shtetet e fuqishme europiane duhej të armatosnin me të gjitha llojet e armëve të fuqishme e moderne Ukrahinen dhe ushtrinë e saj… Mjerisht edhe pas kësaj faktori nderkombëtar me në krye SHBA-n  NATO-n dhe BE-n vijuan t’a tolerojnë komunisto-fashistin Vladimir Putin e regjimin e tij diktatorial, gjë që për tetë vite i dha zemër e kohë për riarmatimin e pergatitjen për një sulm më të madh ndaj Ukrahinës, por duket se pa vonuar shumë këtë do t’a bëjnë edhe ndaj shteteve të tjera (nën ish  Bashkimin Sovjetik), si dhe  zgjerimin e mëtejshëm të kësaj lufte deri në Ballkan , me koburen  putinste , Serbinë Vuçiniste. (Drua, se nuk po dua se para që do ta pësoj në Ballkan do të jenë Bosnje-Hercegovina, e pastaj…, Por kam frikë se edhe Kina komuniste do të marrë zemër për pushtimin e Tajvanit e më gjërë të shteteve përreth). Në media e më gjërë qarkullon mendimi se Putini ka si qellim “vetëm” rrëzimin e presidentit e qeverisë properëndimore të Ukrahines , e në vend të tyre të vendosin kukulla të Moskes , siç ka bërë me Bjellorusinë, por kjo do të jenë vetëm “mezja” , pasi oreksi putinian është shumë më i madh nëse ky “oreks” nuk i nderpritet nga faktori ndërkombëtar. Vetëm unifikimi në qëndrim i shteteve të fuqishme evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe , Italia, Turqia etjerë në bashkëpunim me SHBA-n dhe NATO-n mund ta ndalë Vladimir Putin. Ndalimi i kësaj lufte kërkon jo vetëm izolim e sanksione serioze e të fuqishme, por edhe “shtërngim  të dhëmbëve”… A do ta bëjnë këtë fuqitë e mëdha që citova më sipër?,  kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim, por mjerisht eksperianca e deri tanishme na tregon se edhe kur është vepruar , është vepruar disi me vonesë. Shpresojmë që kësaj herë të veprohet shpejt e fuqishëm  Ne shqiptarët agresione të tilla i kemi provuar mbi shpinë për mote e shekuj, veçanarisht deri në vitin 1999 në Kosovën Iliro-Shqiptare, ndaj jemi të ndjeshëm dhe e dënojmë fuqishëm agresionin rus, gjithashtu soldarizohemi me popullin Ukrahinas , të cilin me aq sa kemi fuqi duhet ta ndihmojmë, sigurisht të bashkuar me shtetet dhe organizmat e fuqishme botërore. Ndërsa ne shqiptarët nuk duhet të mendojmë se jemi të mbrojtur se Shqipëria është antare e NATO-s  e në Kosovë ka ushtarë amerikan e më gjërë, pasi  koha ka treguar se Ballkani ende është “fuçi baroti’, ku depot e fitilat janë gjendur e gjinden gjithnjë në Serbinë shoviniste, e për këtë majfton shkrepsja…ruse… Në fund të këtij shënimi të vogël lutem: Zoti e ndihmoftë Ukrahinën dhe ndëshkoftë pa mëshirë Hitlerin e ri , komunisto-fashistin Vladimir Putin dhe makinerinë e tij ushtarake… 

Shqipëri me 25 shkurt 2022. 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT