• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

KRIMI SI TREGUES SINTETIK I KRIZËS MORALE TË SHOQËRISË SHQIPTARE

February 8, 2022 by s p

Fran Gjoka

Vitet e fundit, ngjarjet kriminale nё shoqёrinё tonё, kanё qёnё tё shumta. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shenjat në jetën tonë shoqërore janë të tilla, që tregojnë se në shumë aspekte shëndeti i shoqërisë është dëmtuar nga sasia dhe intensiteti në rritje i krimit. Madje ai po shfaq patologji të reja sociale, pikërisht nga ndikimi negativ dhe theksimi i nuancave të forta të krimit, intolerancës, dobësimit të solidaritetit social dhe komunikimit human. Kjo nga që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, krimi po dëmton keq “mekanizmat” socialitetit human, aftësinë për të jetuar në mënyrë normale me tjetrin në çdo situatë, dhe për pasojë ka pësuar rupture evidente edhe sociabiliteti, si kërkesë e njeriut të qytetëruar, për të qënë i integruar në mënyrë normale në jetën shoqërore. Krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe, që ka përfshirë të gjithë llojet e konflikteve personale e interpersonale në “luftën” për hapësira jetike e pronësi, që vijnë nga kolapsi urban apo varfëria, depresioni social në zgjerim. Bashkë me to është zgjeruar konfliktualiteti i politikës, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogut konstruktiv, që rrit tensionet dhe shfaqjet militanteske të shpërthimit alogjik të një lloj neurotizmi social, i cili gjithashtu shpesh herë është kthyer në faktor që gjeneron krime me natyrë politike apo elektorale. Padyshim, shumë nga fatkeqësitë e tjera që kemi kaluar në të kaluarën, i kemi shpjeguar herë në mënyrë thelbësore e herë në mënyrë të sipërfaqshme dhe justifikuese, kryesisht me ekzistencën e sistemit totalitar. Por si shpjegohet që në shoqërinë tonë, vazhdojnë çuditërisht shumë efekte sociale, edhe pse shkaku i tyre është larguar nga jeta jonë e përditshme. Paradoksalisht fjala vjen, krimi në shoqërinë shqiptare në vend që të “zbutej”, për fat të keq kohët e fundit përkundrazi po zgjerohet dhe agravohet. Ai gati ka marrë përmasat e një çmenduarie sociale, është shtuar jo vetëm në sasi, por është bërë akoma më i sofistikuar, barabar edhe si “cilësi”.

        Për pasojë, jemi në momente sociale, kur jeta urbane është turbulluar pikërisht nga shfaqja e krimit si patologji e zgjeruar e jetës. Situata kriminale në shoqërinë tonë është një realitet imediat, i prekshëm, gati i përditshëm, që po e bën jetën e shqiptarëve të vështirë, të parehatshme për ta jetuar atë si duhet. Krimi është kthyer në një “teh” të mprehtë, i fortë dhe kërcënues për jetën urbane. E keqja më e madhe është se sasia në rritje e tij, po shoqërohet me shfaqjen gjërësisht të ndjenjës së pesimizmit social, që ushqehet nga ideja disfatiste, se kjo e keqe e madhe sociale po bëhet e papërballueshme. Midis shumë arsyeve me natyrë objektive dhe të kuptueshme, krimi në shoqërinë tonë po zgjerohet, nga një tendencë negative e deformimit dhe reduktimit të mënyrave të komunikimit social, qytetar dhe të qytetëruar. Për fat të keq jemi në një situatë kur përditë shtohen dhe zgjerohen format e krimit, duke kapur formatin e trajtave më të përbindshme. Po qe se vlerësojmë shtrirjen, gjërësinë dhe intensitetin e krimit në shoqërinë tonë, besoj se treguesit sasiorë janë në nivel maksimal dhe të patolerueshëm. Nganjëherë të duket sikur kjo kohë na ka vënë në një situatë paradoksale, të vështirë për ta kuptuar ontologjinë e saj. Padyshim, statistikat në rritje të krimit në shoqërinë shqiptare, janë pasqyrë e një lloji krize të “moralit publik”. Sepse demokracia që solli lirinë për të gjithë, duket se solli edhe “çlirimin” e krimit dhe praninë e zgjeruar të njerëzve asocialë e kriminelë. Kjo ka bërë që shpesh herë të bëhet evaziv kufiri i ndarjes, midis sjelljes normale sociale dhe humane nga ajo patologjike, irracionale e kriminale. Sipas gjykimit tim, lufta me krimin nuk është betejë e lehtë, as e thjeshtë. Jo vetëm në aspektin e dominimit, si veprim fizik kriminal por mbi të gjitha në kuptimin metafizik e konceptual, si anomali me pasoja të zgjeruara sociale dhe efekte përkeqësuese të cilësisë në jetën tonë të përditshme. Madje ky “rrezik metafizik” i krimit në shoqëri është më ndikues dhe thelbësor, sepse përpjekja e errët, strategjia okulte e tij, synon ta kthejë dhunën, krimin dhe vrasjen në një “normë sociale”, që duhet konsideruar si “gjëndje normale” në jetën e shoqërisë tone. Kjo përpjekje retrograde e destruktive është ajo që unë mendoj se duhet kundërshtuar e para, radikalisht, në mënyrë të vendosur dhe vazhdimisht nga e gjithë shoqëria jonë. Sepse sulmet me natyrë konceptuale kanë “prapavijë morale”, dhe në një farë mënyre janë pjesë e strategjisë diabolike dhe me pasoja të rënda, afatshkurtra dhe afatgjata.

C:\Users\pc\Desktop\1.jpg

        Padyshim në këto momente krimi, dhuna dhe shumë të këqija sociale, jo vetëm që ekzistojnë (ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera), por tek ne krimi dhe e keqja sociale është masivizuar dhe banalizuar. Ndaj duhet të heqim dorë nga semplifikimi i sfondit social dhe peshës fizike e metafizike të shumë të këqijave sociale, sidomos të atyre që janë të lidhura dhe burojnë prej krimit. Sepse e vërteta është që kohët e fundit, krimi po bëhet një nga “karakteristikat e tmerrshme” të kohës sonë. Madje, në jetën e përditëshme po shfaqen shenja të thella të mungesës së stabilitetit social, pikërisht nga determinimi destabilizues i krimit, dhe për pasojë edhe nga shtimi njerëzve, që me sjelljen asociale e kriminale, tregojnë qartë se janë në pozitat e veprimit pa busullën personale të orientimit human. Një pjesë e njerëzve me prirje e sjellje kriminale, e përdorin krimin si mënyrë për të shfaqur “trimëri”, por gjithnjë e në çdo rast kjo “trimëri” përdoret vetëm për arsye të liga individuale. Prania e tyre në shoqëri është një ndër arsyet e shumta, që midis nesh janë shtuar “objektet e konflikteve”, subjektet e krimit që gjërat konfliktuale preferojnë t’i zgjidhin në rrugë kriminale, duke ngushtuar në këtë mënyrë hapësirat dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre me dialog, mirëkuptim qytetar, nëpërmjet rrugës “paqësore” dhe përdorimit të “instrumenteve” të bashkëekzistencës dialoguese. Është dukuri tejet shqetësuese, fakti që në shoqërinë tonë është duke lulëzuar një kundërkulturë sociale, që determinon shfaqjet e intolerancës, mungesën e “hapësirave dialoguese” të mirëkuptimit në raportet njerëzore interpersonale. Në të gjitha rastet, sjellja kriminale është rezultat I konfliktit të paarsyeshëm, në konfliktin e krijuar me “palën tjetër”. Krimi është rezultat edhe i faktit që janë zgjeruar disa difekte sociale në sjelljen e njerëzve tanë, sikurse janë shfaqjet e forta të egoizmit, shenjat evidente të “kokëfortësisë ballkanike”, të cilat në përgjithësi nxitin “kulturën e dhunës”, shfaqjen evidente të karakterit destruktiv të sjelljes njerëzore. Kultura e dhunës dhe agresiviteti janë shfaqjet nga më të shëmtuara, që pengon përpjekjen sociale që krimi në shoqëri të mund të frenohet. Të gjitha këto dukuri kanë marrë përmasa shqetësuese, pikërisht gjatë procesit tranzitiv të kalimit nga totalitarizmi në situatat sociale të një lloji “liberalizmi eksentrik”.

          Këto sjellje e veprime anormale e kriminale, të shoqëruara me dhunë, vrasje e sjellje sociale neurotike, janë faktorë, ndoshta nga më kryesorët, më të rëndësishmit që e kanë cënuar dhe dëmtuar “shëndetin social” të shoqërisë shqiptare. Ato e kanë prekur cilësinë e jetës së njerëzve, duke tentuar ta bëjnë shoqërinë tonë një ambient social të vështirë për të jetuar normalisht. Kjo është arsyeja pse pikërisht sasia e lartë e dhunës, numuri në rritje i krimit dhe vrasjes e kanë bërë të ulët “çmimin e jetës” së shqiptarëve, duke e konsideruar krimin si një gjë që mund të ndodh dhe të cilit nuk kemi çfarë t’i bëjmë, përveçse duhet të mësohemi me këtë kundërkulturë dhe të “mësohemi” që të bashkëjetojmë me të në mënyrë të “natyrshme”. Krimi dhe vrasjet njeriun normal, qytetarin e arsyeshëm, individin me sjellje rracionale, e kanë vënë përballë dilemës: A mund të jetohet normalisht në një “shoqëri të kriminalizuar”, në të cilën krimi është bërë gati si “buka e përditshme”? Ku duhet të jetojmë në një shoqëri që funksionon normalisht apo në një shoqëri që vazhdon të pësojë metamorfozë e të transformohet, sikur të jetë “kopësht zoologjik”? Pse familja është bërë kaq e dhunshme dhe me sasi të larta të krimit brenda saj? Familje apo çmendinë? Duhet të bëjmë jetë të qetë sociale, apo shoqëria po mbushet me të “çmendur” duke marrë trajtën dhe formën e një spitali psikiatrik? Pse kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë vriten, humbin jetën për motive banale dhe gjëra pa vlerë? Këto janë pyetjet që i lindin çdo qytetari që jeton në këtë shoqëri, përballë me dhunën dhe krimin e përhapur kudo, në familje, shkollë, ambiente sociale e vende publike, për të gjitha llojet e shkaqeve dhe motiveve personale apo sociale qofshin. Sasia e zgjeruar e vrasjeve dhe krimit në familje e jashtë saj, janë kaq të zgjeruara e intensive, saqë në mënyrë intuitive të duket sikur jemi në një shoqëri, në të cilën krimi dhe vdekja janë bërë “nevoja natyrale” e shoqërisë, shumë pak shqetësuese, duke harruar të vërtetën humane që në jetën e njeriut dhe shoqërisë biofile, normale, të humanizuar “vdekja biologjike në formë natyrale është nevoja e fundit e njeriut”. Analiza sociologjike e ontologjisë dhe fenomenologjisë së krimit në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, tregon për një prirje shumë delikate që ka lidhje me një lloj “strukturimi homogjen”, midis fenomenit antisocial të krimit dhe veprimit të kriminelëve, të cilët kanë tendencën e thellimit të sjelljes kriminale, duke u shfaqur si “qenie të degraduara”, të cilët nuk kanë kurfarë sensi human, nga që kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” dialogun, komunikimin, humanitetin apo tolerancën. Kjo është arsyeja pse duket qartë që në disa drejtime, shoqëria jonë ka marrë karakteristika të dhunshme, që shfaqet shpesh si krizë sociale me difekte serioze në mënyrat e komunikimit social dhe personal. Kjo e bashkuar me një proces të përshpejtuar të dehumanizimit dhe desolidarizimit të lidhjeve njerëzore, janë arsye të zgjerimit të konflikteve, dhunës, krimit. Në qëndrimin ndaj krimit dhe gjykimin e merituar ligjor të kriminelëve, shpesh herë ndeshemi me analiza sempliste të shkaqeve, shoqëruar me argumentime ngushëlluese e moralizuese të atyre që i kanë kryer ato, duke zbutur fajin dhe përgjegjësinë penale të kriminelëve, nën arsyetimin ngushëllues të “ekzistencës së përjetshme” të së keqes, krimit në shoqërinë njerëzore, faktit që vrasjet kanë qënë pjesë përbërëse e jetës. Këto qëndrime, qoftë edhe në trajtë latente janë tejet të rrezikshme, të papranueshme. Në se justifikojmë krimin dhe kriminelët me argumentin banal të “ekzitencës së përjetshme” të së keqes dhe vazhdimësisë së vrasjes në shoqëri, “…kështu vëmë veten në rrezik; dhe rrezikojmë në rradhë të parë njerëzoren te ne, e cila në thelb është pjesa jo kafshërore, aspekti etik i vetes”. (Z. Bauman, “Moderniteti dhe Holokausti”, f. 314. Besoj se krimi është një nga aktet më të shëmtuara, shoqërisht shumë i rrezikshëm. Nuk ka propagandë sado liberale qoftë që të mund ta justifikojë ekzistencën e tij, ta trajtojë atë si “zakon të ligjshëm” apo që veprim që mund të tolerohet. Koncepti për shoqërinë liberale, për kufirin moral, human dhe ligjor midis asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, është fare i qartë. Profesor Claudio Magris i Universitetit të Triestes sociologjikisht mendon me të drejtë, se “Një shoqëri liberale duhet t’i lejojë një individi thuajse çdo gjë – idetë, kënaqësitë, dëshirat, fiksimet e tij- dhe kategorikisht t’i ndalojë ato pak gjëra që mund ta shndërrojnë atë në një persekutues, të madh a të vogël, të individëve të tjerë; këto akte të dhunshme duhen bërë tabu, të ndërpriten përpara se të na paraqiten si opsione konkrete”. (C. Magris, “Panairi i Tolerancës”, f.36)

Filed Under: Komente

MUSINE KOKALARI, SHKRIMTARJA E PARË SHQIPTARE, DUART E ARTA EDHE NËN DHE – LIDHUR ME TELA  ME GJEMBA                  

February 7, 2022 by s p

Description: Musine-Kokalari-3
Musine Kokalari

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Kthim në kohë.

Ndërsa shfletojmë librat e letërsisë së dënuar, na dalin parasysh, si mirazh në shtegtimin e dhimbshëm, poetët e shkrimtarët e lirisë, Musine Kokalari, e munduar në burg  e internim, e harruar në vetmi deri në fund të jetës; poetët atdhetarë françeskanë, të masakruar mizorisht; poetët Namik Mehqemeja e Trifon Xhagjika, Vilson Bloshmi e Genc Leka, të pushkatuar pa mëshirë, Havzi Nela, i varur barbarisht në litar, të gjithë për poezitë  kushtuar lirisë  e dashurisë ndaj jetës, edhe shumë të tjerë; poetët, shkrimtarèt e gjuhëtarët Arshi Pipa, Martin Camaj, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferri e të tjerë, të ikur nga përndjekja drejt lirisë, por të përmalluar për atdheun deri në fund të jetës.

Në shtatë vitet e para, pas mbarimit të luftës, sidomos në shkollat e mesme pothuaj gjithë të rinjtë lexonin me ëndje librat jo vetëm të autorëve të huaj,  por edhe  të poetëve e shkrimtarëve tanë, të botuara para e gjatë luftës. Në mjediset e ngrohta e të pasura të librarive private ende të pambyllura, shumë vetë kërkonin librat, “Seç më thotë nënua plakë” e “Rreth Vatrës” të shkrimtares Musine Kokalari, “Vallja e Yjeve” të Lasgush Poradecit, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” të Mitrush Kutelit, “Nga Tirana në Stokholm” të Vedat Kokonës, romanet, “Afërdita” të Sterjo Spasses, “Gremina e Dashunisë“ të Mustafa Greblleshit etj. Mandej nisi dhuna, grabitja e librarive, mbartja me kamionë, shfarosja e shkatërrimi i librave të kulturës kombëtare. Një rrymë shkretane me kundërvlera letrare, me emrin realizëm socialist u shfaq, edhe në vendin tonë, me armë e mburrje,  me hymne e lavde për diktaurën, edhe kjo e shqyrtuar imtë nga lart. Letërsia e bukur e Rilindësve, e zhvilluar më tej nga pasardhësit e tyre, u ndërpre, heshti trishtueshëm.

Ardhja e shkrimtares në jetë e në atdhe

Musine Kokalari, lindur në 10 shkurt 1917 në Adana të Turqisë, kthehet më 1921 në atdhe, në Gjirokastër, me pjesëtarët e tjerë të familjes. Aty mori mësimet e para në shqip. Nëntë vjet më vonë, familja shpërngulet në Tiranë, ku më 1937, ajo mbaroi shkollën normale “Nëna Mbretëreshë”. Pas një viti vijoi studimet në Universitetin e Arteve të Bukura në Romë, La Sapienza. Gjatë viteve universitare Musineja, krahas studimeve, jetoi çaste të lumtura, duke u marrë, me krijime letrare me tema familjare, në shqip e italisht. Ndërkohë pati letërkëmbim të pasur me shkrimtarët e shquar, Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) e Alberto Moravia, të cilët i vlerësonin krijimet e saj në letërsi. Ende studente në Romë, përgatiti librin e parë me skica e tregime, “Seç më thotë nënua plakë”, botuar më 1941 në Tiranë, një libër ky i këndshëm për të gjitha moshat, kushtuar jetës në qytetin e saj, që u prit mirë nga lexuesi i gjerë. Dita e botimit të këtij libri shënon shfaqjen e shkrimtares së parë shqiptare në botën e letrave shqipe. Më 1941 mbrojti shkëlqyeshëm doktoratën me temën “ Shqipëria dhe Naim Frashëri”. E kthyer në atdhe, Musineja dëshironte të merrej vetëm me letërsi. Në një letër të vitit 1943, ajo shkruante: “Unë dua të shkruaj, të shkruaj, të shkruaj vetëm letërsi e të mos merrem me politikë.” Ata që kanë patur fatin ta njihnin nga afër, kanë treguar se ajo ishte e çiltër, e dashur, e butë, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, altruiste, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të fortë, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore. Si e tillë, ajo bashkëpunoi me dijetarët Sotir Kolea e Selman Riza, Namik Resuli e Aleksandër Xhuvani, me poetët Lasgush Poradeci e Arshi Pipa, me shkrimtarët Vedat Kokona e Sterjo Spasse. Pas një viti botoi librin e dytë “Rreth Vatrës”, me përrallat e bukura të gjyshes në mjedisin e këndshëm të jetës së përditëshme familjare. Pas disa muajsh nxori në dritë librin e tretë, “Sa u tund jeta”. Kritika letrare e vlerëson si një roman etnografik të arrirë, ku tregohet historia e një dasme në Gjirokastër me ritet e njohura të jugut e me këngë të mbledhura me kujdes vatër më vatër. Atje tregohet fati i një gruaje në familjen gjirokastrite, vihen re ngjyrime realiste të përshkrimit, njohja e jetës shpirtërore dhe e zakoneve, kujdesi i veçantë për gjuhën, shprehitë dhe ligjërimin e grave të qytetit. Me këto libra Musineja na kujton françeskanët At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, mbledhësit e palodhur të këngëve e rapsodive, përrallave e fjalëve të rralla në malet e veriut, të cilët jashtë çdo logjike, pas luftës u ndëshkuan, njëri humbi jetën në hetuesi, tjetri  u plak burgjeve.

Lufta e ndëshkimi i idealit kombëtar

Lufta e përhapur, edhe në Shqipëri, rrëmbeu më 1944, edhe shkrimtaren atdhetare. Si një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate, me punën e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor të po atij viti, nisi kalvari i përgjakur i mundimeve. Vëllezërit Muntas e Vesim Kokalari, botues të kryeveprave botërore, kushëriu Syrja Kokalari, u pushkatuan pa gjyq nga terroristët komunistë. Pas katër ditësh u arrestua edhe vetë Musineja. Rreth 17 ditë në burg, e torturuar me pyetje e kërcënime, ajo me përgjigjet e saj, i hutoi komisarët e armatosur. Më tej do të vijonte, pa u ndalur, goditja kundër tërë fisit të Kokalarëve.

Paslufta  e mundimeve   

Në dimrin e ftohtë 1945, vit i turbulluar nga dënimet mizore kundër atdhetarëve të pavarësisë, nga zhurma e shtypit dhe fjalimet për kinse votime të lira, demokraci e fjalën e lirë, Musine Kokalari, për ironi te fatit, u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Aso kohe mundi të botonte librin me 60 esse “Sikur të isha lule!”, por prapësitë e kohës  nuk iu ndanë. Në 11 Janar 1946, pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, sipari “Qeveria Demokratike”, rrëshqiti e ra dhe u shfaq dhunshëm Republika Popullore, me një parti. Pa kaluar as dymbëdhjetë ditë, Musineja u arrestua përsëri për qëndrimin e saj opozitar, në mbrotje të ideve atdhetare e lirive demokratike. Një lukuni hetuesish, prokurorësh e kryetarësh me dorën e hekurt të diktatorit, u sulën kundër asaj vajze të kulturuar. Pas torturash çnjerëzore, para trupit gjykues shkrimtarja demokrate u mbrojt vetë: “Unë nuk dëshiroj të jem komuniste për të dashur vendin tim, por unë e dua vendin tim. Edhe pse përherë mendoj se s’jam komuniste, e dua progresin në vendin tim. Ju mburreni se fituat dhe tani doni të asgjësoni ata, të cilët i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por vendin tim e dua. Ju më dënoni për shkak të idealit tim. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.” Në çastin, kur britma e porositur “Me vdekje në litar!” u dëgjua e fortë në sallë, kryetari i gjyqit e pyeti Musinenë: “E dëgjon çfarë kërkon populli?“ Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër ketë do të kërkojnë edhe për ju!” Asnjë avokat, as dëshmitar mbrojtës, nuk u pa pranë saj.  Edhe sot zëri i shkrimtares jehon: “S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, në burg nuk duhet të jem!” 

Në ato çaste të mbrojtjes së ligjëshme, si kryetari, edhe prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen!”.  Sipas vendimi të caktuar qysh më parë u dënua:20 vjet heqje lirie, me burgim të rëndë në Burrel. Ndër të tjera, ajo u ndalua të botonte libra dhe u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve. Libraria e saj u mbyll. Lexuesit e rinj prisnin më kot para portës së mbyllur. Edhe librat që kishte shkruar u shpallën të ndaluar dhe u mbartën me kamion në drejtim të panjohur. Të gjitha këto ngjarje u zhvilluan në nëntor 1946. 

Edhe pse burgimi i Musinesë u mbajt tepër sekret, papritur emri i shkrimtares shqiptare, u bë i njohur ndërmjet tridhjetë shkrimtarëve të burgosur në botë më 1960. Jehona për lirimin e saj u përhap edhe në vendin tonë. Diktatori dinak kërkoi largimin nga burgu e nga sytë e botës, duke e internuar në Rrëshen, më parë fshat, në 1949, më pas qendër e rrethit të Mirditës. Pra, shkrimtaren demokrate e fshehën në thellësi të maleve, ku dielli dukej e zhdukej, nga një kep në tjetrin dhe nata binte, përhapej e qetësonte shpirtrat e munduar në kampe minierash e internimesh. Me ata njerëz të varfër e të harruar nga bota, Mirdita e bukur e pishave, e lumenjve, e ajrit të pastër, për habi ngjante si burg. Vendasit e nderonin  në heshtje Musinenë e drobitur nga punët e rënda me krahë në bujqësi e ndërtim, në dimrin e ftohtë me borë e në vapën e verës. Ajo binte në sy menjëherë me pamjen fisnike, me veshjen e pastër e me të ecurit midis atij qyteti të varfër. Një mësues e poet nga kryeqyteti, i harruar edhe ai në fshatrat mbi Rrëshen, shënonte në kujtimet e veta, se teksa zbriste në atë qytet të vogël, udhës ishte hasur me Musinenë, madje e pati përshëndetur, kur në kohën e lirë ajo shkonte në bibliotekë, ulej, lexonte e shkruante. Ndëshkimi, përndjekja e çdo prapësi ndaj saj, vinin nga dora e fshehtë e diktatorit zilar E. Hoxha. Edhe pse ishte e sëmurë rëndë, askush nga zyrtarët s’donte t’ia dinte për të, askush nuk u kujdes për mjekimin e saj në spital. Kështu, Musineja u shua në vetmi më 1983. Siç tregojnë, në ditën, kur do të pushonte përgjithmonë në tokën që e deshi aq fort, u mbart me kamion zhavori dhe u mbulua vetëm nga varrmihësit. 

Nga dorëshkrimi “Mbi jetën time”

 Sado diktatori u rek më kot t’ia mbyllte gojën vajzës së hijshme shkrimtare prapa maleve me burgje e kampe, ajo foli dhe flet edhe sot e kësaj dite me dorëshkrimin e saj: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje? Unë s´jam fajtore.” Më tej shënimet vijojnë: “Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha qetësi në vitet e fundit të jetës sime! Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin. Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por duan të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër, veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhej të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë? Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej – këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasonin nga ai tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit.  Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet kjo punë dhe që të kultivohet punëtori i thjeshtë”. 

Vetëm nga këto pak rreshta kushdo mund të përfytyrojë, se cila qe e dënuara pa faj, demokratja e pahepur deri në fund me ëndërra për një jetë më të mirë në demokraci, shkrimtarja me shpirt bujar.

Dhimbje e nderim!

Në shkrimet kushtuar vajzës demokrate dalin në dritë  ngjarje të panjohura e rrënqethëse.  Nga kërkimet e juristit e historianit Mexhit Kokalari, bëhet e ditur një ndodhi tronditëse, kur u zbulua gropa, ku prehej Musineja pas vuajtjeve të shkaktuara nga diktatori i egër. Atje u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba!!! Tela të ndryshkur kufiri!!! Tela të përgjakur burgjesh e kampesh!!! Tela pushkatimesh!!! Veçse ai, që urdhëroi dhunimin e fundit, gabohej! Telat ishin këputur e tretur, ndërsa mbi tokë çelin lule, vepra jeton e shpirti i saj – yll ndër yje! 

    Musine Kokalari, megjithëse iku nga kjo botë dhe nuk e pa ditën e lirisë, mbeti e paharruar në zemrat e  mendjet e atyre që kanë lexuar veprat e saj. Nga ajo kohë, do të kalonin dhjetë vjet, kur pas ngadhnjimit të demokracisë, Presidenti i Republikës, aso kohe doktor Sali Berisha, e nderoi me medaljen ”Martir i   Demokracisë”, më pas me titullin “Nderi i Kombit”. Më 2009 u botua vëllimi i parë i veprave të saj. Antropologu Mauro Geraci botoi në Itali “La mia vita universitaria”, ditar ku Musine Kokalari rrëfen miqësitë e ngrohta të viteve universitare. Dr. Agata Fijalkovski në Universitetin e Drejtësisë në Lankaster shkruante: “Duke e përkujtuar herë pas here me nderim,  imazhi i Musinesë është një tregues kyç për të gjetur, se çfarë duhet kujtuar, dhe kush duhet  ndëshkuar.” .

Tashmë pasardhësit e Kokalarëve e përjetësojnë nëpër muze, me letrat e me dokumente. Çmime letrare, shkolla e rrugë, mbajnë sot emrin “Musine Kokalari”. Qindra vajza e gra, të rinj e të moshuar, shoqërojnë përherë me miratim çdo shkrim kushtuar kujtimit të shkrimtares pa tela me gjemba rreth duarve të arta, teksa dëgjon nga nënua plakë këngët e jetës pranë vatrës që t’i dëgjojë r gjithë bota. 

Shkruesi i këtyre radhëve të trishtuara, Agim Dëshnica,  në shenjë nderimi  i ka kushtuar Musiné Kokalarit këta vargje:

Për ty, që deshe të ishe lule! 

Motër e muzave, Musine,

të pret qyteti me legjenda,

te Mali i Gjerë, shtëpitë përpjetë,

me lule, gjethe sipër muresh,

teqe, selvi në qiell lartuar!

Qyteti i Bajos e i Çerçizit,

qyteti i dijes e i Çabejit,

tek sillen retë mbi kala,

mbi Argjironë ndër mendime,

në gji fëmijën me dridhërimë!

Ja, Palortoja po hap dritaret!

Ka mall, të pret mëhallë e bukur!

O motër moj, o Musine!

Me çantë visaresh, lehtë e lehtë,

e qeshur ngjitesh nëpër sokak!

Të pret krahëhapur portë e lartë,

shtëpi e gurtë, zemër e mirë,

oda e qetë, vatër e ngrohtë!

O motër moj, o Musiné!

Por çfarë të thoshte ty nënua plakë

atje rreth vatrës, urtë e butë?

Mos vallë kërkoje ndër shkëndi

për miturinë yjet e bukur,

shpresat si ëndrra për rininë,

o motër moj, o Musiné?

Në qiell shpirti të harrohej,

me fjalë të arta për Naimin,

për ditë me dritë nga perëndon,

kur qark fantazma endej në botë,

me gjak e tmerr sa tundej jeta!

Më kot një dorë me adhurim

e pafuqishme drejt teje nderej!

Më kot dhe grusht i rreptë i dhunës,

padrejtësisë nëpër zymti,

ngrihej mbi ty me kërcënim,

kur ne me mall kërkonim vjollca,

për ty, që deshe të ishe lule,

o motër vuajtjesh, o Musiné!

Filed Under: Analiza

Autori i himnit mbretëror shkohet në plumb

February 7, 2022 by s p

(Marrë nga libri më i ri i zotit Naun Kule “Unë dhe të tjerët”)

Bardhyl Selimi

Nëvruz Beqir Ҫela me të shoqen, Vera Juka, kanë qenë shokë të  mij të Fakultetit të Shkencave Natyrore, dega Matematikë, 1963=1967. Nëvruzi ndërroi jetë një vit më parë nga Covid-19 duke na pikëlluar të gjithëve. Dikur ai më pat treguar historinë tragjike të babait, Beqirit, pushkatuar nga pushteti komunist në vitin 1947 si “agjent amerikan”. Për këtë nuk e lanë të punonte si mësues pasi mbaroi studimet. Para disa vitesh, miku im Naun Kule, ish drejtori im, më pyeti për të. Ai po shkruante një libër ku ndër të tjera do përmendëte edhe Beqir Ҫelën, nga Karbunara e Lushnjes duke nxjerrë në pah disa anë të panjohura për të si poet dhe si autor i Himnit Mbretëror, që fitoi konkursin me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë. Unë e takova me Nëvruzin që i dha shumë informacion shtesë. Dhe ja, sot Nauni më telefonoi dhe më tha se do më sillte dy kopje të këtij libri, një për mua dhe një për vejushën Vera. E lexova me një frymë paragrafin ku flitet për Beqir Ҫelen dhe mendova ta ndaj me ju.

f. 200

Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami

(Rreth Flamurit të përbashkuar..!)

  1. Kur e pushkatuan mësuesin poet

Pas ditënetëve të skëterrëshme disa mujore, në mugun e errët të birucës, në çastin kur e futën në sallën e gjyqit, iu zmadhuan bebet e syve. U përball me dritën e diellit dhe u mbush me frymë, si të shuante etjen dhe ankthin e rikthimit në jetë. Sikur u ngop me gjallimin përqark, mbetur larg ndjesisë së tij, sikur endej në krahët e një ëndërre, prerë egër dhe vringthi në terrin e ftohtë të mesnatës së arrestit..

Përplasi vështrimin qosh më qosh të dhomës së gjykimit, përballur me ca njerëz syshqyer e veshngritur, që e vështronin habitshëm e urrejtshëm, si të ishte egërsirë…Madje i posanxjerrë nga kafazi..!? Uli sytë dhe pa prangat ndër duar. Edhe policët anash..Sërish kundroi sallën. Sa pak njerëz? Kërkoi e hetoi me sy..?Asnjë i njohur..! Po, nëna , babai..? Kujtoi sëmundjen e babait, rruga e gjatë, hallet..Po ajo..!? Eh, ç’kërkonte..! Akoma..!?

Edhe këta: s’janë të ardhur. Janë të sjellë..!?

Doemos..Përzgjedhur enkas të dëgjonin dhe shihnin syndërsy gjykimin dhe ndëshkimin shembullor të këtij armiku të rrezikshëm..Ja, pra, ballaz, syndërsy me një armik..!?

Kishte dashur të rrëzonte pushtetin popullor..Po, po! Sapo e dëgjuan akuzën e prokurorit..

“..I pandehur, Beqir Mustafa Ҫela, 34 vjeç, i lindur në Karbunarë të nënprefekturës së Lushnjës, në vitin 1913, është armik i rrezikshëm..

I rekrutuar që në bangot e shkollës së mesme në Tiranë, nga agjenti amerikan Harri Fulx, ish drejtor i asaj shkolle..”

..Tek dëgjonte prokurorin që lexonte akuzën tërë zell e pathos, ndërmendej e pyeste veten nese çka po dëgjonte, ishin për të, apo..? Përsëriste me vete, si në jerm, fjalët e prokurorit..

“..Armiku Beqir Ҫela, ky spiun i agjenturës amerikane në Shqipëri, si mësues, përkthyes a poet me ca bejte ta sajuara kundër atdheut e popullit të tij, nuk mbante as armë dhe as gjuante plumba. Por arma e tij ishte më e rrezikshme edhe se plumbat..

..Organet e hetuesisë e kanë kapur me presh në duar armikun Beqir Ҫela në takime kokë më kokë me ishdrejtorin e tij, spiunin amerikan, Harri Fulx. i pandehuri Beqir Ҫela, i zënë me shpatulla pas murit nga drejtësia jonë popullore, është detyruar t’i pranojë këto krime..”

  1. Sfidant i kohës..

I cilës kohë, i asaj që iku apo i asaj që vinte? I të dyjave..!?

Beqir Ҫela nga fshati Karbunarë i Lushnjes (sot emërtimin “Beqir Ҫela” e mban një shkollë e mesme në qytetin e Durrësit) ishte nga ata djem fatlumë, të cilët në Shqipërinë gjysmëanalfabete të dekadave të para të shekullit të njëzetë, të ishte konviktor në një shkollë të mesme amerikane “Harri Fulx” në Tiranë.

Djaloshi inteligjent i Karbunares (Lushnje), student i shkëlqyer, poeti, përkthyesi dhe mësuesi pasionant, Brqir Ҫela, vërtet pati një jetë të shkurtër, (34 vjeç), por mjaft të pasur.

Që në vegjëli dallonte për zell, inteligjencë dhe zgjuarsi.

Në këtë shkollë gjetën njëri tjetrin, shkolla dhe mësuesit- nxënësin e përkushtuar, ndërsa nxënësi Beqir Ҫela, mjedisin qytetar, intelektual e progresiv siç e kërkonte bota aq e pasur e djaloshit. Këtu u formua si qytetar i kohës e si atdhetar. Njohu letërsinë antike e bashkëkohore, idetë e mendimtarëve të huaj përparimtarë, të cilët nxitën dhe pasuruan krijhimtarinë poetike dhe përkthimet nga anglishtja.

I dalluar si i tillë dhe gjithnjë aktiv, në vitin 1930 Beqiri zgjidhet Kryetar i Kryqit të Kuq të rinisë së shkollës.

Gjatë gjithë viteve të studimit të shkollës, nxënësi Beqir Ҫela ishte bashkëpunëtori më i njohur i revistës “Laboremus” (Le të Punojmë), të cilën e botonte periodikisht kjo shkollë, ndërsa në vitin 1931, u caktua editorialisti i revistës “Laboremus”.

Në vitin 1933 nxënësi Beqir Ҫela zgjidhet kryetar i Grupit të Arteve, më pas sekretar i  “Kongresit të Studentëve” për shkollën.

Pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet, mësuesi i ri emërohet në shkollën e Krujës. Më 1938 transferohet si mësues në shkollat e qytetit të Durrësit, ku mori edhe vëllain, Rexhepin dhe motrën e vogël, Elizën. Këtu edhe u martua me kolegen e vet, Ervehenë, me të cilën sollën në jetë dy fëmijë: Mimikën dhe Nëvruzin.

Beqiri bashkëpunoi që në bangot e shkollës me shtypin e kohës si me gazetat “Arbëria”, “Drita”, “Shtypi”, “Demokratia” etj, në të cilat botoi edhe shumë përkthime dhe krijime poetike.

Në vitin 1937, Madhëria e tij, Zogu I, shpalli me pompozitet festimin e 25-vjetorit të Pavarësisq dhe krijimit të Shtetit Shqiptar. Shpalli dhe një konkurs për të krijuar Himnin e ri Kombëtar. Konkuruan 76 poetë e shkrimtarë, nga gjithë trojet shqiptare, të nivelit Gj. Fishta, L. Poradeci, M. Kuteli, A. Asllani etj.

Dhe, për çudinë e të gjithëve, çmimin e parë e mori poeti i ri nga Karbunara e Lushnjes, Beqir Ҫela, me poezinë “Dykrenar i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami” duke u bërë, kështu, që në moshën 25 vjeçare, autori i Himnit Kombëtar të Mbretërisë Shqiptare..! Që në vitin 1931, pra ende nxënës, poezinë “Flamuri Kombëtar’ ai ua kushton nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, që kaluan përmes Myzeqesë drejt Vlorës dhe ngritën flamurin kombëtar.

“ Dhe shiu që bie dhe balta harbon! Por shiu i lag, balta s’i ndalon..

………………………………………………………………………………………………………

..Kush ka gjak shqiptar dhe shpirt fisnik

T’i falet sot flamurit kuq e zi! Në gaz dhe helm, ta ndjeki si besnik..”

Poeti myzeqar i këndon edhe bukurisë njerëzore, vajzave shqiptare të bukura, të shkathta e të vlerta, sa, për nga bukuria, ia kalojnë edhe hënës: “Hënë e qiellit, pse u fshehe? Dil, pa dil e matu pak..!”

Vajza për poetin është burim i jetës, i dashurisë që na mban në këmbë: “Ҫil moj motra edhe nuse, hapja gjirin erës së malit!

Ҫil t’i qeshet buza çupës, t’i gëzohet zemra djalit..”

Ndërsa ishte ende nxënës në vitin 1932, Beqiri përktheu librin e Bekonit “Mbi fatin”, ku spikat talenti i tij si përkthyes, me njohje të admirueshme dhe të pazakontë për kohën dhe moshën, të shqipes letrare dhe të gjuhës angleze.

  1. Përmbi Shqipëriën, vetem…Perëndia!

..Ҫlirimi i Shqipërisë, Beqir Ҫelën e gjen në Durrës, si mësues, krijues, intelektual i kompletuar dhe i mirënjohur.

Me gëzimin e madh të shqiptarit atdhetar për lirinë e fituar, ditë më radhë organizoi në kinemanë e qytetit të Durrësit veprimtari artistike, duke e festuar çlirimin e atdheut.

Aktivitetet festive fillonin me një përshëndetje nga organizatori i këtyre festimeve, mësuesi Beqir Ҫela, ku theksonte detyrat e shqiptarëve për rindërtimin  e atdheut të shkatërruar nga lufta.

..Por pikëpamjet e mësuesit dhe krijuesit Beqir Ҫela për rrugën e re të Shqipërisë komuniste, u përballën me diktaturën shtetërore të pasçlirimit. Takimet fatale të mësuesit Beqir Ҫela me ishdrejtorin e tij, amerikanin Harri Fulx, që shpërndante në Shqipëri ndihmat e Kryqit të Kuq Amerikan e futën djaloshin në listat e agjentëve të Sigurimit.

..Në vitin 1946 mësuesin Beqir Ҫela e arrestojnë. E torturojnë për gati një vit dhe në shtator 1947, e pushkatojnë me grupin  armiqësot të deputetëve si Shefqet Beja, Sheh Karbunara etj.

..Ky ishte profili atdhetar i këtij mësuesi, poeti dhe intelektuali shqiptar, jeta e të cilit u ndërpre, kur sapo kishte marrë udhë.

Nga çka lënë të shkruar mësuesi poet, njohim pikëpamjet, talentin dhe vizionin e këtij intelektuali idealist, i flijuar për kombëtarizmën. Te poezia e tij “Himn për flamurin” me të cilën u nderua kombëtarisht që në moshën 25 vjeçare, ai shkruan:

“ Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami,

Ti na lidh përpara Zotit, besa a besë për Shqipëri!”

Por pikërisht ky përkushtim dhe idealizëm, për “Dykrenorin e Kastriotit”, e çoi jetën e djaloshit deri në përplasje fatale me regjimin e kohës. Kujtojmë se autorët e Himnit Kombëtar, bota i ngre në piedestal. Veprën dhe fytyrën e tyre ua përcjell brezave.

Kurse mësuesi dhe poeti ynë Beqir Ҫela, ky autor sfidant i Himnit të Flamurit tonë, çohet në plumb..!

Por vëreni në merakun dhe thirrjen kombëtare të autorit të Himnit tonë “..përmbi kishë edhe xhami..”

Ndonëse në moshë të re (24 vjeç) djaloshi Beqir Ҫela ishte krejt i çliruar nga prangat fetare, aq të forta dhe të pranishme për ato vite në një Shqipëri me dominancë myslimane.

Kuptohet se poeti dhe mësuesi Beqir Ҫela, i është bashkuar pjesës më progressive të brezit të vet. Ishte koha, kur Noli ynë, ky burrështetas dhe bashkëkohor i poetit tonë Ҫela, realizonte pavarësinë e Kishës  Ortodokse Shqiptare (KOASH), duke shkruar:

“Populli shqiptar e formoi kombin e vet mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, jo mbi fenë, si greku e serbi mbi ortodoksinë dhe italiani mbi katolicizmin..

Për shqiptarët, mbi të gjitha vlerat qendron Shqipëria..

Përmbi Shqipërinë, vetëm..Perëndia!

KOnspektoi Bardhyl Selimi, 4 shkurt 2022

Filed Under: Emigracion

Ibrahim Kodra (22 prill 1918-7 SHKURT 2006), “Picasso” shqiptar…

February 7, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/


Shqiptari me i njohur nderkombetarisht ne fushen e arteve figurative.Mbi 6000 punime, nga te cilat 2000 jane te regjistruara.I panjohur per shumicen e shqiptareve deri ne fundvitet 80’…Ne vitin 1968 ka hapur nje ekspozite re tij ne Prishtine.Konsiderohet nje nga “produktet” me te njohura te Akademise se Breras (Milano).Mban titullin “Ylli i Breres”…Mik i ngushte i figurave te tilla si Picasso, Dino Buzzati, Paul Eluar, Salvadore Quasimodo, Renato Guttuso…Poeti i madh lirik francez Eluar ka shkruar pasi u takua me piktorin shqiptar: “Kodra eshte primitivi i fundit i nje civilizimi te ri”Megjithese jetoi pjesen me te madhe te jetes (rreth 70 vjet) ne Itali dhe lidhjet me gjuhen shqipe erdhen duke u dobesuar, amaneti i tij ishte qe trupi te prehej ne atdheun e tij pas vdekjes…Piktori Ibrahim Kodra gjithmone ka permendur për prejardhjen e tij nga fshati Likmetaj i Ishmit (Durrës), duke bërë një krahasim me sukseset e arritura. “6000 piktura janë në gjithë botën. Kam kërkuar gjithmonë gjërat më të vështira të botës dhe të jetës së njeriut, misterin e kozmosit, misterin e lindjes, misterin e perëndimit, kam kërkuar gjëra të vështira që njeriu nuk mund t’i kuptoj…. Toka që po e kërkoj sot besoj ka me qenë atdheu im Shqipëria.

Filed Under: Kulture

Book Review | Mother Teresa

February 7, 2022 by s p

Subha Das Mallick

Mother Teresa: The Saint and Her Nation, authored by Gezim Alpion, is one more addition to a plethora of publications on Mother, three of which being by the same author. However, the uniqueness of this book is that, here the author posits Mother first as an Albanian and then as a missionary and traces the landmark decisions taken by her in her illustrious life, to her Albanian roots. For Indian readers and admirers of Mother, this is something new and puts the reverred Mother in a more humane frame. 

Gezim Alpione, a sociologist at the University of Birmingham, takes a dispassionate, academic, almost clinical approach to the story of the tormented teenager Gonxhe Agnes Bojaxhiu living in the city Skopje to her canonization as Saint Teresa of Calcutta.Alpione connects momentous events in world history to events in the lives of ordinary people. On the first page of the first chapter, the reader will find a para:

Of the estimated forty million casualties of the First World War, of which almost half were deaths, atleast two and a half million fatalities were recorded in the Balkans. These figures do not include the silent victims of ethnic cleansing policies pursued by several Balkan countries against some ethnic groups and nationalities from the start of the twentieth century. 

Why does this statistics find its place in a biography of Mother Teresa?  

Because Albanians were often at the receiving end of ethnic cleansing and the tiny country Albania at the receiving end of territorial ambitions of Serbia, Greece and Bulgaria. 

Why is the existential threat faced by the Albanian nation important in the narrative?

The first page of Chapter 7 provides an answer;

Mother Teresa’s parents hailed from Kosova. Both of them were born in the region. The origin of the nun’s grandparents is more complex. While the four of them were ethnic Albanians, there are reasons to believe that they originated at some point from Mirdita, a region in northern Albania.  

The book is as much about the troubled history of the Albanian nation as it is about this citizen of the nation who decided to turn her back to her motherland and move to an alien land to serve her Jesus. 

The book is divided into three parts. Part 1 deals with the Albanian history, Part 2 deals with Mother’s Albanian roots and Part 3 is about her life in India and rise to sainthood.

Mother Teresa was born on the eve of the Albanian independence from the Ottomans, which was proclaimed on the 28th of November, 1912. She was named Gonxhe. Later she was given the baptismal name Agnes. The author goes into a lengthy explanation on why naming their daughter Gonxhe was an act of defiance on the part of her parents and why Agnes was chosen as her baptismal name. He even quotes a letter written by a Parish priest in Skopje, where he addresses her as Gonxhe atleast four times. 

If anything, this is indicative of the depth of research undertaken by the author and the diverse records and documents he has delved into to thread thread the story of the saint and her nation. The author repeatedly refers to the phrase ‘dark night of the soul’ that he found in Mother’s private writings released released after the year 2000. This phrase is a euphemism for doubt in God’s existence. Alpione uses the term spiritual aridity to explain Mother’s state of mind. At one place he writes that in Mother’s heart there played a duality between unflinching love for Jesus and doubt about God. 

In 1922 Mother Teresa told her mother that she wanted to become a nun. She referred to this as a ‘first call’ from God. Alpione argues that this prescient moment should not be seen exclusively through a religious lens. He argues that behind the teenager’s decision lay the tragic, violent and untimely death of her father. She found in Jesus a Father who would never abandon her. Her decision to leave for India sprang from violence and discrimination she experienced in Skopje:

The ongoing discrimination and victimization of ethnic Albanians in Skopje by Yugoslav authorities during her first eighteen years, could not have escaped the attention of this sensitive young woman. Nor could she have failed to notice the ongoing persecution of Albanian Catholic priests that intensified in the late 1920s.  

For Gonxhe Agnes, going away was a must. Her very survival depended on breaking free. 

In India, discrimination did not leave her. She was discriminated against by the Irish Loreto nuns – as revealed in her private writings made public after 2000; she was not given teaching assignments in the prestigious Loreto schools or Loreto College. Instead, she was assigned to St. Mary’s School in one corner of the sprawling campus of Loreto Entally. In this school Indian nuns taught in Bengali. The students constituted grils from poor homes, many of them from the slums in the neighbourhood of Loreto Entally. 

Sister Teresa got her second calling in 1946, when she was 38 years old. This was a calling to start her own order of nuns, Missionaries of Charity. In the last chapter of the book ‘Skanderberg and Mother Teresa: Two Unlikely Albanian Heroes’, the author draws parallels between Mother and a fifteenth century Albanian military man. The chapter begins with a quote from Mother’s Nobel Peace Prize acceptance speech in 1979, where she said ‘by blood and origin I am all Albanian’. The author writes:

Before this moment she is not known to have mentioned in public that she was Albanian. She also never reiterated this aspect of her identity thereafter.

Having written this, the author foregrounds Mother’s Albanian roots, first by comparing her with the Albanian hero Skanderbeg and then by recounting Mother’s visit to Albania in 1989, when Albania was still under Communist regime and later her subsequent visits to her motherland. After the 1979 Nobel Prize, the Albanians started taking pride in Mother’s Albanian roots and started projecting her as a national hero, like Skanderberg. The author informs us that the Albanian Govt even wanted to bring Mother’s remains back to her motherland, but the Govt of India vehemently opposed. 

Mother’s missionary activities in India are not the subject of this book. But what the book offers is a detailed history of the Albanian nation – something that has fallen off the radar of world historians. Indian readers are barely aware of Mother’s Albanian roots because Mother never reminded us of her roots. But this book forcefully establishes Mother’s Albanian identity and persuades its readers to view Mother in a very different light. Gezim Alpion steers clear of journalistic sensationalization or hagiographic deification. His academic objectivity and arguments based on irrefutable evidence deserves applause and the book deserves a close reading and reading between the lines by Mother’s admirers and critics alike.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT