• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

NJË REFLEKTIM I SHKURTËR NË ÇESHTJET E SIGURISË

March 25, 2022 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Paqja, siguria dhe zhvillimi, sot janë më të ndërlidhura se kurrë. Askund tjetër, sfidat e sotme nuk janë më të dukshme se në sferën e sigurisë. Megjithëse rreziku i luftës globale në gjykimin tim duket i largët, pamvarësisht luftës në Ukrainë, shumë rreziqe vazhdojnë të jenë prezentë dhe po lindin me shpejtësi sfida të reja. Kërcënimet e konflikteve rajonale, problemet e dështimit të shteteve, pandemitë globale, rreziqet e terrorizmit trans-nacional dhe të krimit të organizuar, rreziku nga armët e shkatërrimit në masë, mundësitë e zhvillimit të sulmeve elektronike dhe informative, katastrofat natyrore dhe ndikimi i ndryshimit të klimës po karakterizojnë gjithnjë e më tepër globin.

Sot, është e pamundur të parashikohet e ardhmja, por nga ana tjetër do të ishte mungesë përgjegjësie të mos bëhen përpjekje të gjithanshme për identifikimin dhe analizën e tendencave të zhvillimit të sotëm dhe shkaqeve të tyre, si dhe të përcaktohen rrugët përkatëse për të shfrytëzuar efektet pozitive dhe për të evituar ato negative të këtyre tendencave.

Klauzeviçi, për herë të parë, tregoi  rëndësinë e lidhjes midis drejtimit politik dhe ushtarak, tregoi se lufta është një zhvillim social dhe akt politik njëkohësisht, duke theksuar se “lufta nuk është thjesht një akt ushtarak, por edhe një instrument real politik, një vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Ai, vazhdimisht theksonte se strategjia ushtarake dhe politika duhet të ecin krahas njëra-tjetrës. “Lufta”, deklaronte ai “ka gramatikën e saj, por jo logjikën e saj”.Tipike sot ajo që po ndodhë në Ukrainë, ka tejkaluar çdo logjikë.

Me të drejtë lindë pyetja; Cilat mund të jenë prirjet që do të përcaktojnë mjedisin e sigurisë globale në dekadave  e ardhshme?

Globalizimi është tendenca kryesore që ndryshon tablonë botërore ekonomike, kulturore dhe të sigurisë. Kjo dukuri po shfaqet më se qartësisht tani me luftën në Ukrainë, ku çmimet kanë kapur majat dhe nuk dihet ku do ndalojnë. Ky proces dinamik i rritjes së shpejtë të qarkullimit ndërkufitar të mallrave, shërbimeve, parave, njerëzve, teknologjisë, ideve, kulturave, vlerave, krimit dhe armëve në të gjithë botën, do të vazhdojë të ketë një ndikim dominues në rendin e sigurisë, duke thelluar ndërvarësinë, duke forcuar pozitat e disa aktorëve dhe dobësuar ato të disa të tjerëve.Një gjë duket qartë, besueshmëria e Rusisë si furnizues energjie dhe tendenca e saj për ta përdorur atë si instrument për presion politik do të vazhdojë të rritet.

Rënia e regjimit të vjetër krijoi mundësi të papara për rritjen e ndikimit dhe fitimit të grupeve të ndryshme politike dhe ekonomike dhe shpesh këto grupe dominojnë drejtimin politik, shpërndarjen e të ardhurave dhe privatizimin. Shtetet më të suksesshme kanë arritur t’i rregullojnë këto procese dhe të kontrollojnë grupet konkurruese, ndërsa shtetet e dobëta jo vetëm nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, por shpesh politika e tyre është një zgjatim i luftës së konkurrencës së këtyre grupeve, ku fitimtari kontrollon fitimet.

Ndërsa vendet demokratike synojnë të çojnë përpara ekonominë, demokracinë, shoqërinë civile e shtetin ligjor, ato po ballafaqohen me paqëndrueshmërinë që rrjedh nga problemet e qeverisjes, atyre ekonomike dhe politike. Ato po sfidohen edhe nga ideologjitë radikale, regjimet e korruptuara, pikëpamjet e kundërta për rendin botëror, si nocioni i “demokracisë sovrane” i mbështetur kryesisht nga Rusia dhe Kina që e shikojnë mbështetjen amerikane për demokracinë e të drejtat e njeriut si një ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane. Në këto kushte, paqëndrueshmëria ka mundësi të përbëjë tiparin dominues për një të ardhme të parashikueshme, pasi edhe Evropa duket e prirur të merret më shumë me problemet dhe politikat e saj.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, duket sikur ka stopuar. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së ballafaqohen me rreziqet në shkallë të ndryshme dhe rrjedhimisht po reagojnë në mënyra të ndryshme, çfarë përbën një kontrast në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë, kur kërcënimi dhe reagimi ishin pak a shumë të njëjta për të gjithë. Kjo do të thotë që një aleancë e sotme duhet të plotësojë nevojat e ndryshme të sigurisë për secilin anëtar dhe jo thjesht nevojën e zakonshme të Luftës së Ftohtë.

Ndarjet etnike, megjithëse në kuadrin e sistemeve politike të hapura nuk janë në gjendje të zhvillohen, ato me veprimet e tyre ndikojnë në dobësimin e legjitimitetit dhe të forcës së shtetit dhe shtetet e dobëta kanë vështirësi në ndërmjetësimin për zgjidhjen dhe frenimin e tyre.Predominimi i nacionalizmit etnik në shumë vende është nga çështjet më të dukshme sot. Lidhur me këtë është edhe çështja e kufijve, siç mund të shihet në; Ukrainë dhe vende të tjera të ish BS, problemet e Kosovës dhe Bosnjes me Serbisë, por edhe më gjerë. Historia botërore tregon se vetëm në rajonet ku nuk ka mosmarrëveshje dhe diskutim për kufijtë mund të ketë paqe të qëndrueshme.

Megjithëse mjedisi i sigurisë në rajonin e Ballkanit është shumë më i ndryshëm nga më parë, ai akoma nuk e ka arritur nivelin e një paqeje të qëndrueshme dhe pozitive. Duke mbajtur parasysh se koncepti i sigurisë ka marrë një sërë kuptimesh dhe nuk mund të kufizohet vetëm me sigurinë ushtarake, rajoni akoma ka një sërë çështjesh sigurie. Si rrjedhojë, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor mund të karakterizohen si “siguri virtuale” me “kërcënime artificiale”.

Sipas përcaktimit të Strategjisë së Sigurisë Evropiane, siguria është parakusht i zhvillimit. Në qoftë se i masim perspektivat dhe reformat e suksesshme sipas nivelit të sigurisë që është arritur dhe shkallës së perceptimit të qytetarëve në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së tyre, Ballkani Perëndimor vazhdon të karakterizohet nga një tablo jo shumë e qartë, pavarësisht nga përfundimi i konflikteve  dhe rritjes së stabilizimit të rajonit.

Po kështu vendet e Ballkanit vazhdojnë të ballafaqohen me një sërë sfidash sigurie në sferën e mbrojtjes dhe të sektorit të sigurisë, drejtësisë dhe të punëve të brendshme, në luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të menaxhimit efektiv të kufijve, pa përmendur parandalimin e kërcënimeve potenciale të terrorizmit.

Koncepti i sigurisë interpretuar ngushtësisht si: siguria e territorit nga agresionet e jashtme ose si mbrojtje e interesave kombëtare në politikat e jashtme, është i cunguar. Për shumicën e njerëzve një ndjenjë pasigurie më së shumti zhvillohet nga shqetësimet e jetës së përditshme, sesa nga frika e ngjarjeve tragjike nëpër botë. Sot është e natyrshme që të gjithë janë të shqetësuar për atë që po ndodhë në Ukrainë, por shqetësimi më i madh është jetesa e përditshme. Për sa i përket diferencave mes perceptimeve të publikut dhe kërcënimeve të sigurisë të njohura dhe pretenduara nga institucionet shtetërore ka një kontrast që mund të na drejtojë në disa argumente mbi kërcënimet reale dhe artificiale në fushën e sigurisë, duke iu referuar perceptimit të publikut. Teksa analizojmë strategjitë kombëtare dhe dokumentet e tjera në fushën e sigurisë, kuptojmë se siguria njerëzore është shumë pak e përfshirë dhe aspak e prioritizuar, krahasuar me kërcënimet e jashtme, rajonale dhe globale. Kjo krijon një hendek mes njerëzve dhe institucioneve shtetërore, duke pasur parasysh se kryesisht, perceptimi i kërcënimeve të sigurisë në publikun e gjerë është e lidhur ngushtë me “sigurinë njerëzore” që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ata, ndërkohë që institucionet i japin më shumë rëndësi kërcënimeve të sigurisë shtetërore e territoriale, ku interesat kombëtare mund të preken. Pasiguria që rrjedh nga rritja e korrupsionit dhe klima politike e tensionuar dhe konfliktuale, e cila ka një ndikim negativ në ekonomi dhe që reflektohet në standardin e jetës së qytetarëve, e cila më së shumti po vërehet tani.

Pavarësisht se koncepti i sigurisë është zgjeruar, ai përsëri përmban elemente shumë të rëndësishëm ushtarak. Por edhe në këtë rast, kërcënimet ndaj sigurisë do të kërkonin një reagim ushtarak shumë më të ndryshëm nga ai i kohës së mëparshme, por lufta në Ukrainë po tregon se nuk kemi hequr dora nga lufta tradicionale, kur shikon se po vriten civilë të pafajshëm deri edhe fëmijë. Për pos objekteve ushtarake po goditen edhe objekte social- kulturore. Kjo luftë mund të zgjojë tensionet e pazgjidhura në lidhje me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, dhe në  zona të tjera ish-sovjetike.

Pas kësaj lufte, e cila në gjykimin tim nuk do të jetë e gjatë, do të kemi një rend të ri botëror.

New York Mars 2022

Filed Under: Emigracion

NDËRROI JETË MADELEINE ALBRIGHT – GRUAJA QË U SHPËTOI TIRANIVE FASHISTO-KOMUNISTE       

March 25, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Madeleine Albright, e para femër Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), dhe ish-refugjate e tiranive fashisto-komuniste në fund të Luftës së Dytë Botërore –ndërroi jetë të mërkurën nga kanceri në moshën 84-vjeçare. Zonja Albright kishte lindur në ish-Çekosllovaki.

Në njoftimin e familjes, për kalimin në amshim të Zonjës Albright, ajo u cilësua, ndër të tjera, edhe si “kampione e palodhur e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”  Pas njoftimit se Zonja Albright kishte ndërruar jetë, përfaqësues të politikës amerikane dhe botërore reaguan shpejt për vdekjen e gruas së parë në histori në krye të diplomacisë amerikane, e emëruar në atë post nga Presidenti Bill Clinton, në vitin 1996.

Në një deklaratë të përbashkët, çifti Bill dhe Hillary Clinton e cilësuan vdekjen e Zonjës Albright si një humbje të madhe për botën.  Ish Presidenti Clinton dhe Hillary Clinton thanë se ishin, “thellësisht të hidhëruar”, me kalimin në amshim të Zonjës Albright, me të cilën ata kishin një miqësi prej disa dekadash. “Vdekja e Zonjës Madeleine është një humbje e madhe për botën, në një kohë kur kemi më shumë nevojë për mësimet nga jeta e saj, por jemi të vetdijshëm se trashëgimia e saj do të vazhdojë të lulëzojë nepërmjet studentëve të shumtë, të cilëve ajo u ka dhënë mësim në Universitetin Xhorxhtoun. “Me marrjen fund të Luftës së Ftoftë, ndërsa filloi një periudhë e re ndërvartësie globale, Albright qe bërë zëri i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe më vonë ajo u emërua në postin e Sekretarit Amerikan të Shtetit (në administratën e Presidentit Bill Clinton), ku ajo shërbeu me një fuqi e bindje pasionante në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, u shprehën Bill dhe Hillary Clinton në deklaratën e tyre me rastin e vdekjes së bashkpuntores dhe mikes së tyre të ngusht, prej shumë vitesh.

Ndërkaq, Presidenti aktual Joe Biden iu referua origjinës së Zonjës Albright, e cila është lindur në Pragë dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjate në vitin 1948 pasi komunistët morën fuqinë në atë vend dhe anë e mbanaë Evropës Qëndrore dhe Lindore. “Ajo ishte një emigrante që u arratis nga persekutimet (nazi-komuniste). Ishte një refugjate që kishte nevojë për strehim të sigurt nga kërcënimet dhe frikësimet. Dhe si shumë të tjerë, para dhe pas saj – ajo ishte krenare se ishte Amerikane”, është shprehur Presidenti Joe Biden. Presidenti Biden shtoi se, “bashkpunimi im me Sekretaren Albright gjatë 1990-ave ishte kulmi i karierës time në Senatin e Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit tim në Komisionin e Senatit për Punët e Jashtme…ne ishim bashkpuntorë dhe miqë në punën tonë për të mirëpritur demokracitë e reja të posa çliruara nga komunizmi si anëtare të NATO-s – ashtu edhe në punën tonë për tu ballafaquar me barbarizmat gjenocidale serbe në Ballkan.”

Ndërsa Senatori i Nju Jorkut, Shumer, duke iu referuar jetës së Zonjës Albright si refugjate në Evropën e pas Luftës së dytë Botërore, tha se ajo u arratis, fillimisht, nga “nazizmi dhe (pastaj edhe nga) komunizmi sovjetik”, nënvijoi kryetari i shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Çarles Shumer.  Duke shtuar se, “ajo mishëronte ëndërren amerikane” dhe e cilësoi atë një “vigane e historisë Amerikane”, që ka frymëzuar gratë dhe vajzat, anë e mbanë botës”, ka thenë me këtë rast Senatori i Nju Jorkut, Z.  Chuck Shumer. 

Nga refugjate e arratisur nga nazizëm-komunizmit arrijti në maje të diplomacisë botërore. Kreu i pakicës në Senatin amerikan, Senatori republikan, Mitch McConnell, gjithashtu iu referua fëmijërisë së Zonjës Albright si refugjate që u arratis nga tiranitë shtypëse të shekullit të kaluar në Evropë, pasi për fat, ajo “shpëtoi me familjen e saj nga komunizmi sovjetik si vajzë e re, duke arritur nivelet më të larta të shërbimit publik amerikan, “për të drejtuar — një gjysëm shekulli më vonë – politikën udhëheqëse globale të Amerikës”, është shprehur Kryerepublikani i Senatit amerikan. “Nuk ishte e nevojshme që të ndaje me ‘të, të gjitha pikëpamjet politike për të vlerësuar lidershipin e saj të dedikuar ndaj kombit tonë”, ka shkruar, Senatori McConnell. Sekretarja Albright, sipas Senatorit McConnell, e kuptonte mirë faktin se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi botërore me interesa por edhe me përgjegjësi globale”, tha ai. Aspektin e saj të jetës si refugjate e arratisur nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë – dhe arritjet saja në krye të diplomacisë amerikane në fund të shekullit të kaluar, e kanë përmendur shumë personalitete amerikane dhe botërore, me rastin e kalimit të saj në amshim, si një aspekt pozitiv që ka ndihmuar atë punën e saj në mbështetjte të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës.

Historia e saj familjare si refugjate nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë, është shumë e ngjashme me shumë prej nesh që kemi ardhur  në këtë vend të bekuar për strehim të sigurt nga persekutimet, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për veten dhe familjet tona. Ashtu ka ndodhur edhe me familjen e Zonjës Albright.  Babai i saj, një anti-komunist i bindur që nuk mund të pajtohej me komunizmin, kishte vendosur të largohej, në 1948, nga Çekosllovakia për në Shtetet e Bashkuara, ku ai dhe familja e tij, përfshi vajza e vogël Madeleine, kërkuan dhe siguruan strehim politik nga frika se në vendin e tij, babai i saj do të persekutohej nga regjimi komunist për “bindjet e tija të thella në idealet e demokracisë.”

Vet Zonja Albright ka shkruar disa  vite më parë (2016) se, “Shtetësia amerikane ka qenë gjëja më e rëndësishme në jetën time”, duke shtuar se, ashtu si të “gjithë refugjatët e tjerë në këtë vend, edhe unë shpresoja për një jetë në siguri, me dinjitet, e që të kisha mundësi të kontriboja diçka për atdheun tim të ri.” 

Fatkeqsisht, Evropa po përballet përsëri me forca gjenocidale, si ato kohës rinore të Madelein Albright në Çeki, të kryesuara nga Rusia putiniste, që duan, pikërisht, të çbejnë arritjet politike dhe diplomatike të ndryshimeve të mëdha post-komuniste në Evropë, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendeve. Evropa, përsëri sot po përballet me miliona refugjatë ukrainas, refugjatë siç ishte edhe vet Madeleine Albright para 8 dekadash e sa. Është vështirë të parashikohet se si do përfundojë agresioni barbar i Rusisë kundër Ukrainës dhe sa krime kundër njerëzimit, dhimbje, vrasje e sa miliona refugjatë – siç Madeleine Albright më 1948 — do të shkaktojë më në fund ky agresion i paprovokuar kundër një shteti të lirë e demokratik. 

Por ajo që mund të bejmë ne sot në këtë ditë të kalimit në amshim të ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright – sidomos shqiptarët, qofshim ata ish-refugjatë të vendosur në Amerikë e gjetkë për arsye të persekutimeve nazi-komuniste të shekullit të kaluar, qofshin sidomos shqiptarë refugjatë të luftës së fundit gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë ne – mund dhe duhet të falënderojmë Zotin që një ish-refugjate nga komunizmi, me origjinë çeke, gjëndej në krye të diplomacisë amerikane në njërën prej periudhave më të vështira të historisë së shqiptarëve: lufta në Kosovë.  Nuk ka asnjë dyshim në mendimin tim se përvoja personale dhe familjare e Zonjës Madeleine Albright, si refugjate e arratisur nga komunizmi sovjetik çek në vitin 1948, të ketë luajtur një rol të jetik në politikën amerikane të 23-viteve më parë, në përpjekjet politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar krimet kundër njerzimit në Kosovë nga forcat terroriste të Millosheviqit.  Në një intervistë të ënjtën me CNN, Hillary Clinton vuri në dukje lidershipin e Zonjës Albright, veçanërisht gjatë konfliktit në Kosovë.  Ajo tha se, “Ç’prej fillimit, besoj se Madeleine, më shumë se kushdo tjetër, ishte e bindur se gjëndja e krijuar në Kosovë nga Millosheviqi, përbënte kërcënim ndaj stabilitetit dhe unitetit evropian, si dhe një kërcënim ndaj aleancës transatlantike…por edhe ndaj interesave amerikane”, ka thenë Hillary Clinton për gazetaren Christiana Amanpour në CNN.   

Ky fakt është pasqyruar në shumë reagime të ditëve të fundit dhe nga shumë personalitete amerikane dhe botërore– me rastin e kalimit në amshim të Madeleine Albright.  Një ndër udhëheqsit botëror ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa osmani e cila u shpreh me këtë rast se “Madeleine Albright na dha shpesë kur shpresë nuk kishim. Ajo u bë zëri dhe arma jonë kur ne nuk kishim as zë, as armë.  Ajo përjetoi dhimbjen e popullit tonë sepse ajo vetë ishte e persekutuar në fëmijëri. Kjo është arsyeja që ajo ishte aq e vendosur që të ndalonte gjenocidin serb të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës.  Albright mbështeti Kosovën deri në fund dhe kjo është arsyeja që populli i Kosovës do ta kujtojë atë për sa të jetë jeta”, ka thënë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj me rastin e kalimit në amshim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeliane Albright.   

Fati i shqiptarëve!  “Vështirë të ndodhë që një lider ose lidere të jenë aq të përshtatëshëm dhe të përsosur për periudhën që kanë shëbyer”, siç ishte Madeleine Albright për periudhën që ajo ka shërbyer në krye të diplomacisë amerikane, përfshirë kohën e luftës në Kosovë.  Kështu janë shprehur Bill Clinton dhe Hillary Clinton me rastin e kalimit në amshim të ish-refugjatës nga komunizmi sovjetik-çekosllovak dhe nazizmi, e cila pas strehimit të saj prej refugjati politik në Shtetet e Bashkuara, arrijti kulmin e diplomacisë amerikane. 

Mirënjohje të përjetëshme Madeleine Albright nga ky ish-refugjat politik shqiptaro-amerikan dhe shumë e shumë të tjerë, si unë në këtë vend të lirë e demokratik – në Amerikën tonë të dashur — që ashtu siç ishte për ju i “pazëvendësueshëm” për lirinë dhe demokracinë në botë, ashtu vazhdon të jetë edhe për miliona njerëz anë e mbanë botës. 

Frank Shkreli

A picture containing person, person, indoor, people

Description automatically generated

CBSNews

Filed Under: ESSE

25 vjet nga tragjedia e Otrantos

March 25, 2022 by s p

Gezim Zilja

Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur Kateri i Radës i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeqë në barkun e saj, të gjallë mbërritën një e pesta. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë fajtore qeverinë, pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj revolte revolucionare, që s’ishte gjë tjetër veçse ‘’marrëzia e një populli të paditur’’, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor shoqëria civile. 

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, i quajturi ‘’Kateri i Radës’’, i braktisur në një nga anekset  e portit të Brindizit në tokë, u ekspozua, në bregun, ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në  monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash:  “ …Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “ Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.01.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “ …Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”

 Artisti grek edhe kryebashkiaku italian u shprehën se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara. Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxorr anija, pse ky “monument,” duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kotekot. Për mua është e qartë sjellja e pushtetarëve dje dhe sot: Ekspozimi në një nga sheshet (edhe sot mund të bëhet) i asaj anijeje të vogël do tu sillte ndërmend shqiptarëve jo vetëm tragjedinë por edhe shkaktarët e saj. Sot një pjesë e sheshit të Portit të Vlorës është shndërruar në një karikaturë betoni, ku edhe me busull Shtëpiza e Pavarësisë vështirë të gjendet. Ai shesh-port ka histori që nga Ismail Qemali, Fan Noli, internimi i vlonjatëve në Sazan më 1920, jetën e vështirë të peshkatarëve veçanërisht çamë, notarët e papërsëritshëm të viteve ‘60-’70, arratisjet e vrasjet e bujshme në vitet 1990-1991 deri te tragjedia e Otrantos më 1997. Qëllimisht gjithçka që është ndërtuar aty të kujton vitin zero, sikur më parë ka qenë shkretëtirë. Vetëm devetë mungojnë se edhe piramida kanë ndërtuar mendjet e sëmura. Sheshi para Portit duhej të ishte vënë në funksion të Shëpisë Muze të Pavarësisë dhe të historisë së Skelës. Ajo që është ndërtuar aty është një njollë e zezë, një turp për ata që e projektuan dhe e ndërtuan, duke menduar të përjetësojnë veten dhe jo historinë. Nuk jemi rastësisht më të vonuarit e Europës. Ne harrojmë, falsikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë; nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri ‘’atë tjetrin’’ si shkaktar të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Djetëra e dhjetëra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri. 

 “Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare të fundshekullit të kaluar. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Nëse katein nuk e biem dot në Vlorë, le të shkojmë, kur të mundemi në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për tu lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Krahas festave të shumta, që edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Kujtesës e Pendesës, që ngjarje të tila të mos përsëriten më.

Filed Under: Komente

Kosova ditë zie, nderon Madeleine Albright – ish Sekretaren Amerikane të Shtetit

March 25, 2022 by s p

PRISHTINË, 25 Mars 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Në Kosovë sot është ditë zie. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur ditën e premte (25 mars 2022), ditë zie në nderim të mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish Sekretares Amerikane të Shtetit.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.

Me vendim të Presidentes Osmani, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Dje, Seanca e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u shënua 23 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë,  filloi me një minutë heshtje, në nderim të figurës së ish-Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.

Në seancë u shfaq një video lidhur me rolin e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në luftën e Kosovës, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të popullit të saj.

Në seancë u theksua se populli i Kosovës gjithmonë do ta kujtojë me respektin më të lartë zonjën Albrigh

Filed Under: Analiza

Legjitimohet Komisioni i Rithemelimit/ Gjykata e Tiranës regjistron statutin e Berishës të 11 Dhjetorit! Shkarkohen strukturat drejtuese të PD

March 25, 2022 by s p

GAZETA PANORAMA

Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor të vitit të kaluar

Ky vendimi i Gjykatës legjitimon Komisionin e Rithemelimit dhe Kuvendin e datës 11 Dhjetor të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Po ashtu ndër vendimet e Kuvendit të Sali Berishës ishte shkarkimi i Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, ndërkohë që u pezulluan dhe strukturat drejtuese te PD-së që nga Kryesia e PD-së.

VENDIMET

Zyrtarisht Partia Demokratike do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit i ngritur në Kuvendin e 11 Dhjetorit

Vendimi njeh edhe logon e re të PD-së.  Ndërsa strukturat aktuale të PD-së që deri pak ditë më parë drejtohej nga Lulzim Basha bien.

Statuti i Berishës bën të pavlefshëm edhe Kuvendin e datës 18 Dhjetor të thirrur nga Lulzim Basha.

Në statut është parashikuar ngritja e një komisioni të përkohshëm, që do të hapë rrugën për ndryshimet e plota të partisë.

Sipas statutit të Kuvendit të PD të 11 Dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit, ndryshimet i hapin rrugë primareve brenda partisë.

Ai parashikon legalizimin e fraksioneve, si dhe përcaktojnë largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa për zgjedhjet lokale kryetari duhet të votëbesohet.

AKUZUAT

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi mbrëme akuza ndaj gjyqtarit, duke thënë se seanca u caktua vetëm pasi ai u takua me një përfaqësues të Berishës.

“Së pari, gjykata do të duhet të ketë kujdes dhe gjyqtari përkatës të mos i futet aventurave sic i është futur këto ditë. Gjyqtari nuk ka dosje në tavolinë dhe dje pasi ka patur një takim me një përfaqësues të Berishës ka caktuar datë për seanca pa patur dosje. Kjo është shkelje

Nesër është e pamundur të shqyrtohet. Ajo çka është bërë është çmenduri. Nëse gjyqtari i ka thënë burgut hapu, mund të bëjë çdo lloj çmendurie. Prandaj me shumë gjasa nuk do të ketë një vendim”, tha Bardhi në emisionin Frontline ne News24.

Pas deklaratës së Bardhit erdhi edhe kundërpërgjigja e përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit. Drejtoresha e komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo, u shpreh se akuzat e Bardhit janë më të rëndat ndaj drejtësisë pas atyre të Kryeministrit aktual në 2007-ën ndaj Kolegjit Zgjedhor.

“Sot, para vendimit te gjykatës për Kuvendin e Partisë Demokratike të datës 11 dhjetor të vitit 2021, deputeti Gazmend Bardhi ka ndërmarrë ndaj gjykatësit të çështjes një sulm kërcënues të pashembullt që nga sulmi ndaj Kolegjit Zgjedhor të Edvin Ramës në vitin 2007. Deputeti Bardhi me sulmin dhe kërcënimet e tij publike ndaj gjykatësit para dhënies së vendimit, po kryen një vepër të rëndë penale, për të cilën ai do të vendoset para ligjit.

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të padenjë, që përbën vepër flagrante penale dhe shton se sulmi i Bardhit ndaj gjykatësit, shpifjet dhe trillimet e tij, lidhen para së gjithash me çështje të tija personale me ligjin, për të cilat ai mban përgjegjësi direkte, dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe normat e saj”, u shpreh Floriana Garo

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT