• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

MADELEINE ALBRIGHT, 29 KORRIK 1999: KOSOVA, GJITHMONË SHTËPIA JUAJ

March 24, 2022 by s p

Pristina, SERBIA AND MONTENEGRO: Kosovo President, Ibrahim Rugova (R) presents former US secretary of state Madeleine Albright with a diploma, The Golden Medal of Freedom in Pristina, 05 July 2005. Albright urged Kosovo leaders and people to strengthen democracy in the province and respect minority rights. AFP PHOTO/NIKOLA BESEVIC (Photo credit should read NIKOLA BESEVIC/AFP/Getty Images)

 -Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në vizitën e parë historike në Kosovë, vendin e lirë të sapoçliruar, në 29 Korrik 1999: Le të zotohemi se në Kosovë do të ketë një lindje të re të lirisë bazuar në tolerancën, ligjin dhe respektin për çdo jetë njerëzore/

-Së bashku me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright në Qershor 2019 në Kosovë mori pjesë në festimet  e 20 vjetorit të lirisë e në përurimin e bustit të saj në sheshin me emrin e saj në Prishtinë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 23 Mars 2022/ Në 29 Korrik 1999 Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, vizitoi për herë të parë Kosovën, vendin e lire të sapoçliruar, pas luftës së përfunduar me dëbimin e forcave serbe e hyrjes shpëtimtare të forcave të NATO-s duke nisur nga 12 Qershori historik 1999.

 Pas 20 vitesh, së bashku me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright në Qershor 2019 në Kosovë mori pjesë në festimet  e 20 vjetorit të lirisë.

Në 12 Qershor 2019, në festimet  e 20 vjetorit të lirisë – hyrjes së forcave të NATO-s,  u bë përurimi i bustit të ish Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Madeleine Albright, në praninë e saj, në sheshin me emrin e saj afër simbolit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës Newborn në Prishtinë, në 17 Shkurtin historik 2008.

 Në një pllakë-faqe historie të vendosur afër bustit është shkruar mesazhi nga fjala e Sekretares së Shtetit të SHBA të viteve 1997-2001, Madeleine Albright, në vizitën në Prishtinë-Kosovë në 29 Korrik 1999:

“Le të zotohemi se në Kosovë do të ketë një lindje të re të lirisë bazuar në tolerancën, ligjin dhe respektin për çdo jetë njerëzore”.

Për vizitën historike në Kosovë të Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Madeleine Albright në 29 Korrik 1999 kam raportuar nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë.

Nga raportimet që kam bërë në 29 Korrik 1999, që i gjejë sot:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-07-29.ata.html 

[11] Albright meets with Thaci and other Kosova Albanian politicians in Prishtine

PRISHTINE, July 29-ATA Correspondent Behlul Jashari reports: Tens of thousands of Albanians gathered in Prishtine today in front of the U.N. and KFORF headquarters to greet U.S. Secretary of State Madeleine Albright.

Albright met with the head of the Kosova interim government, Hashim Thaci, and his cabinet members, as well as with the LDK deputy chairmen.

Albright met earlier with academician Rexhep Qosja, head of the United Democratic Movement, and Hydajet Hyseni, one of the leaders of this party.

Albright arrived at Prishtine airport at 09:15 (local time) and at first met with the KFORF commander, British Lieutenant-General Mike Jackson, and the head of the United Nations administration running Kosova, Bernard Kouchner. /pas/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

[20] We will build a free and democratic Kosova – Albright

PRISHTINE, July 29 (ata) – ATA correspondent in Kosova Behlul Jashari reports: “We will build a free and democratic Kosova,” with tolerance and cooperation among all factors in Kosova, the U.S. Secretary of State, Madeleine Albright, told thousands of citizens gathered in Prishtine from all Kosova.

“Kosova will always be your house and never again will people with guns come in the night. Never again will houses and villages be burned and never again will there be massacres and mass graces,” she said.

She added that Milosevic will respond for his crimes, and voiced the hope that “there will be a birth of freedom based on tolerance, law and respect for human rights.”

In the afternoon, Albright will visit the U.S. sector where she will meet with U.S. officers in Gjilan. The U.S. Secretary of State is also expected to meet with Serb representatives in Kosova. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË

PRISHTINË, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
 
Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.

Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.

Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.

“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.

“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.

Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.

“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.

Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.

Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.

“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.

Filed Under: Emigracion

NË PËRKUJTIM TË MEDLIN OLBRAJT

March 24, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi njerëzore. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme.*   *   *

Medlin Olbrajt (Madeleine Jana Korbel Albright, Pragë, 15 maj 1937 – 23 mars 2022) ishte politikane dhe diplomate amerikane. Lindi në një familje hebraike të Çekosllovakisë. E ëma Mandula (Anna Korbel, e lindur Spieglova, 1910-1989) dhe babai Jozef Korbel (Josef Korbel, 1909-1977), gazetar dhe nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë, ia dhënë emrin Madlenka Jana (Mari Jana Kerbelova). Për t’u shpëtuar përndjekjeve të nazistëve, familja e saj kaloi në katolicizëm. Madlenka u edukua si katolike. Në fillim të qershorit të vitit 1937 familja u vendos në Beograd, ku Jozef Korbel ishte caktuar zëdhënës në ambasadën e Çekosllovakisë. Në vitin 1937, Madlenka Jana Kerbelova, si foshnjë tremuajshe, bashkë me prindërit erdhi për pushime në Jelsi të ishullit Hvar në Kroaci. 

Familja qëndroi në Beograd vetëm një vit, deri atëherë kur trupat e Hitlerit (Adolf Hitler, 1889-1945) hynë në Çekosllovaki. Vermahti gjerman invadoi Pragën. Për këtë arsye  Jozef Korbeli u shpërngul në Londër ku mori strehim politik. Aty qëndruan gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Pas kapitullimit të nazizmit, familja u kthye në Pragë.

Ndërkohë, Jozef Korbeli caktohet ambasador i Çekosllovakisë në Beograd, ku vendoset e tërë familja. Në shkurt të viti 1948, me rënien e kryetarit të Çekosllovakisë Eduard Benesh (Edward Benesh, 1884-1948), karriera e Jozef Korbelit si ambasador – përfundon. Pas kësaj, si përfaqësues i Çekosllovakisë, ai dërgohet në misionin paqësor të OKB-së, në Indi. Pas konfliktit midis Josip Broz Titos (1892-1980) dhe Josip Stalinit (1879-1924), Mandula Korbel me të dyja vajzat – Madlenkën dhe Katarinën, prej Beogradi shkojnë në Nju-Delhi, te babai. Përvojat e veta si ambasador në Beograd, Jozef Korbeli i paraqet në libër. Në vitin 1951 libri botohet edhe në Beograd.

Kur pushtetin në Çekosllovaki e morën komunistët, familja e saj përsëri u largua nga vendi. Tani vajtën në ShBA dhe u vendosën në Denver të shtetit federal të Kolorados (Colorado). 

Në vitin 1955, Madlenka kryen në Denver shkollën e mesme. Në vitin 1959, diplomoi në Wellesley Collegeu. Studimet e doktoratës i kreu në vitin 1975 në Universitetin Columbia. Punoi si asistente e senatorit Edmund Buskie (1914-1996). Ndjek studimet ndërkombëtare në  Johns Hopkins University në Baltimor. Magjistron në Boston. Specializohet në temën e çështjeve politike të Evropës Lindore dhe bëhet profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në shkollën diplomatike të Universitetit në Xhoxhtaun (Georgetown). Doktoron në lëmin e të drejtës shtetërore dhe të administratës në Universitetin Kolumbia (Columbia). 

 Në vitin 1959 Madlenka martohet me të dashurin e ditëve studentore Jozef Olbrajt (Joseph Medill Patterson Albright, 1937-). Tani e tutje ajo do të quhet Medlin Olbrajt (Madeline Albright). Burri i saj ishte një prej bashkëpronarëve të gazetës Washington Post. Nga kjo martesë lindën tri vajza: Alice Patterson Albright, Katherine Medill Albright dhe Anne Korbel Albright. Martesa e tyre zgjati 23 vjet. U ndanë në vitin 1982. Pas ndarjes nga Medlin Olbrajti, Jozef Olbrajti (Joseph Albright) u martua me autoren Marcia Kunstel (1947).

Karriera politike – Në vitet 1976-1981 Olbrajti bëhet këshilltare apo asistente e profesorit të vet të Universitetit Kolumbia, dijetarit politik dhe gjeostrategut polak-amerikan Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Brzezinski, 1928-2017), i cili në atë kohë ushtronte detyrën e shefit të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së. Bzhezhinski ishte strateg i gjeopolitikës. Në vitet 1977-1981 ishte këshilltar për Siguri kombëtare i ShBA-së, në administratën e presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmi” Carter, 1924-). 

Pasi e la Këshillin e Sigurisë, Olbrajt u angazhua në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown), ku i këshillonte anëtarët e Partisë Demokratike për çështjet e punëve të jashtme.  

Në vitin 1980 presidenti Xhimi Karter (Jimmy Carter) i humbi zgjedhjet presidenciale nga Ronald Regani (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004). Olbrajti mbeti pa punë. Pas dy vjetëve, më 1982, u nda nga burri. Duke qenë vetë në Uashington, i përkushtohet Partisë Demokratike. Në vitin 1992, gjatë presidencës së Xhorxh H. Bushit, plakut (George Herbert Walker Bush, 1924-2018), u mbajt mbrëmja vjetore guvernatore e demokratëve. Këtu Olbrajt takohet me guvernatorin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1964 -), i cili po atë mbrëmje i ofron vend në shtabin zgjedhor të vet. 

Pas fitores së Klintonit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, Olbrajt ndihmoi në formimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të tij. Në vitin 1993, Klintoni e emëroi ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara. Në atë kohë, mbështeti ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në Somali. 

Në vitet 1997-2001, pas fitores së dytë të Klintonit, emërohet sekretare e Departamentit të Shtetit (State Department). Në këtë detyrë e trashëgoi sekretarin e deriatëhershëm të Shtetit, Uorën Kristofer (Warren Christopher, 1925-2011). Ishte e para femër në ShBA në këtë detyrë. Me këtë rast, gazeta Time shkruan: “Emërimi i saj sekretare Shteti, rrënon bastionin mashkullor shekullor në State Department”.

Me t’u zgjedhur sekretare e Shtetit në vitin 1997, nga Çekosllovakia vërshuan komente  që u përhapën në publik. Vetëm tani Olbrajti mësoi se ka prejardhje hebraike. Një gjë të tillë prindërit nuk ia kishin bërë me dije. Historinë e familjes së vet Olbrajti e ka shkruar në librin “Dimri në Pragë”. 

*   *   *

Në politikën e jashtme iu përkushtua procesit të paqes në Lindje të Afërt, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me Kinën dhe me Rusinë. U angazhua për shtrirjen e NATO-s në lindje, për mospërhapjen e armëve bërthamore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillimin e demokracisë në shkallë globale. 

Mori qëndrim të fortë ndaj Sadam Huseinit (Saddam Hussein, 1937-2006) në Irak dhe ndaj Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Milošević, 1941-2006) në Serbi.

Gjatë luftës në Kroaci kundër pushtuesve serbë, Medlin Olbrajt mbrojti tërësinë e tokave apo integritetin territorial të saj. U angazhua për heqjen e embargos për importin e  armëve, por në vitin 1994, gjatë luftës midis kroatëve dhe boshnjakëve (myslimanëve) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Olbrajti shkoi në Zagreb dhe kryetarit të Kroacisë, Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) iu kanos me sanksione. 

Në një takim me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin (1952-), midis tjerash Olbrajti kritikoi politikën ruse në Çeçeni. Më 7 tetor 1998, u takua me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu, 1949-) dhe me liderin apo kryetarin palestinez Jaser Arafat (1929-2004). 

Për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund masakrës dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve,   në vitin 1999 Medlin Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi. 

Në vitin 2001, ministri gjerman i Punëve të Jashtme Joshka Fisher (Joschka Fischer, 1948-), për Olbrajtin thotë: “Medlin Olbrajt është një personalitet politik fascinues (ngashënjyes)”  

Olbrajti kritikoi Luftën në Irak (2003-2011) duke e cilësuar si: “katastrofë më e madhe e politikës së jashtme të ShBA-së, më e madhe se ajo në Vietnam”. Torturat ndaj ushtarëve irakianë në burgun Abu Graib, thotë Olbarjti, e kanë rrënuar në mënyrë serioze reputacionin dhe demokracinë e ShBA-së.

Medlin Olbrajt ua çeli rrugën femrave në funksionet politike. Me një rast deklaroi: “Në ferr ka vend për ato femra të cilat nuk u ndihmojnë femrave të tjera”. Përkundër dallimeve politike, Medlin Olbrajt kishte raporte të mira me sekretaren e ardhshme të Shtetit Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice, 1954). 

Në fushatën presidenciale të vitit 2006, Medlin Olbrajti mbështeti Hilari Klintonin (Hillary Diane Rodham Clinton, 1947-). Pas humbjes së zonjës Klinotn, Olbrajti nuk i kurseu kritikat ndaj presidentit Donald Tramp (Donald John Trupm, 1946-). Në prill të vitit 2020 ajo tha se Trampi është i paparashikueshëm. Fitoren e Xho Bajdenit (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) e priti me kënaqësi.

Për amerikanët, Olbrajt krijoi termin “komb i pazëvendësueshëm”. 

Përpos anglishtes dhe çekishtes, Olbrajt fliste edhe frëngjisht, rusisht dhe polonisht. Manipulohet se paskësh ditur edhe serbisht. Si sekretare e Shtetit, udhëtoi në shumë shtete të botës. Emërimi i saj si sekretare Shteti, në Evropë u prit pozitivisht ngase ngjalli shpresa se do të tregojë një interesim të posaçëm për Evropën qendrore dhe Lindore si dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. 

Medlin Olbrajt u shpall Doctor honoris causa i Universitetit të Uashingtonit dhe i Universitetit Uinipeg (University of Winnipeg). 

 Pas pensionimit, e mbështeti presidentin amerikan Barak Obamën (Barack Obama, 1961-). Në ekipin e tij këshillimor për politikë të jashtme, themeloi firmën këshillimore globale “Albright Stonebridge Group” dhe ligjëroi në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown University). Më 29 maj 2012, Obama e dekoroi me “Medaljen e lirisë”. 

Vdiq nga kanceri, më 23 mars 2022, në moshën 84-vjeçare, e rrethuar prej familjarëve dhe miqve. Lajmin e bëri të ditur CNN-i.  

*   *   *

Shqiptarët dhe Olbrajti – Në cilësinë e sekretares së Shtetit, Olbrajt u zotua për ta parandaluar dhunën serbe në Kosovë. Me përpjekjet e saj të jashtëzakonshme u organizua  Konferenca e Rambujesë (Rambouillet) që u mbajt në afërsi të Parisit, më datë 6 deri 23 shkurt 1999. Më 14 shkurt 1999, zonja Olbrajt u takua me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Hashim Thaçi (1968-). 

Për ta parandaluar krizën humanitare të shqiptarëve, eksodin e përmasave biblike, vrasjet e fëmijëve, përdhunimet dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët, Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi. Në saje të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe falë angazhimit të saj, përkatësisht të Uashingtonit, më 12 qershor 1999, Kosova u çlirua nga kolonializmi serbomadh.

Në luftën e Kosovës, u dëbuan forcërisht prej shtëpive të veta 848.000 shqiptarë, u vranë 10.794 shqiptarë, prej tyre 1.133 fëmijë, prej rreth 5.000 shqiptarëve të zhdukur, 1.227 shqiptarë ende figurojnë si të pagjetur, 529 varreza masive, përfshi edhe varrezat masive në Serbi, rreth 20.000 femra të përdhunuara, përkatësisht viktima të dhunës seksuale, 1200 prej tyre figurojnë me emra e mbiemra. Për dëmet materiale të mos bëjmë fjalë. Kryerës të krimeve të sipërthëna janë: ushtria serbe, policia serbe dhe paramilitarët serbë, përfshi edhe mercenarët që luftuan në radhët e paramilitarëve serbë. 

*   *   *

Më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë, Kosova e nderoi  Olbrajtin me “Medaljen e Artë të Lirisë”. Dekoratën ia dorëzoi kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006). Shumë vajza në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare, për dashurinë ndaj saj, e mbajnë emrin e Medlin. Më 11 shtator 2018, një prej shesheve kryesore të Prishtinës u emërtua me emrin e saj. Më 12 qershor 2019, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës u përurua në Prishtinë busti i Olbrajtit. Në disa nga këto manifestime ishte e pranishme edhe vetë Olbrajti bashkë me presidentin, përkatësisht ish-presidentin Bill Klinton.   

*   *   *

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi historike. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme. 

Xhelal Zejneli          

Filed Under: ESSE

BOMBAT E NATO-s DHE FUNDI I PUSHTIMIT SERB NË KOSOVË

March 24, 2022 by s p

Përkujtesë historike: 24 mars 1999/

Jusuf BUXHOVI/

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje gjeostrategjike të përmasave botërore, jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist, tek krijuesja e paqes.Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1353) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDKS-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqesh, të cilat, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që zgjatën deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944), meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Periudha postbrioniane, e pasqyruar me përpjekjet për barazi, që në demonstratat e vitit 1968 patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, hapën kapitullin e luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale, që për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, n rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës. Lëvizja kombëtare që u themelua më 23 dhjetor 1989, nepërmes një puçi kushtetues, mori përsipër procesin e rezistencës institucionale (me shtetin paralel), e cila, në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku, e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli.

Filed Under: Opinion

PUSHOFSH NË PAQË ZONJA ALBRIGHT

March 24, 2022 by s p

Pëllumb Kulla/

Sot, në moshën 85 vjeçare, mbylli sytë një grua e jashtëzakonshme, siç vlen ta cilësojmë zonjën Madeleine Albright, ish Sekretare e Shtetit në kabinetin e Presidentit Bill Clinton.Ishte një grua me karakter të çeliktë që për fat u ndodh në postet kyçe në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të realizimit të pavarësisë së Kosovës. Kësisoj bota shqiptare i detyrohet shumë kësaj gruaje, që u bë krahu i djathtë i Presidentit gjatë vendimeve të rëndësishme për ndalimin e gjenocidit në Kosovë dhe në sjelljen në tavolinën e Rambujesë palët e zgjidhjes së madhe, që i dha jetë Republikës së Kosovës. Më parë se të zinte postin e rëndësishëm së Sekretares së Shtetit zonja Albright mbulonte detyrën e lartë të Përfaqësueses së Përhershme të ShBA pranë OKB në New York që nga viti 1993 deri në vitin 1997, vite që rastësisht përkuan me shërbimit tim atje. Pata vërtet kënaqësinë ta njoh nga afër atë zonjë të takohesha disa herë me të dhe të shtoj në favor të çështjes shqiptare rolin që ajo pati në krizën e madhe të shtetit të ri demokratik shqiptar, me administrimin e revoltave që ishin pasojë e piramidave që sollën aqë rrënim ekonomik dhe humbje jetësh njerëzore. Zonja Albright si figurë peshërëndë në Këshillin e Sigurimit bëri përpjekje të palodhura për vendimin e vështirë të dërgimit e forcës shumëkombshe ushtarake që hyri në territorin tonë dhe u bë garanci e restaurimit të qetësisë dhe rifillimit të rendit pas një kaosi të turbullt për t’u vënë nën fre. Ikja e kësaj zonje na trishton së tepërmi dhe i dëshërojmë të paharrueshmes Madeleine Albright të prehet në amëshim. U shtoj shënimeve të mia edhe hollësira interesante të qëmtuara më së miri nga gazetari Enver Robelli dhe që hedhin dritë mbi formimin e karakterit të saj të veçantë. “Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë më 15 maj 1937 me emrin Maria Jana Korbelová. 25 anëtarë të familjes së saj janë vrarë në Holokaust, gjenocidin nazist kundër hebrenjve. Në autobiografinë e saj kjo profesore e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, ku familja e saj iku nga terrori nazist në Çekosllovaki. Në vjeshtë të vitit 1945 i ati i saj u emërua ambasador çekosllovak në Beograd, ku u vendos me familjen e tij, përfshirë edhe «Madlenkën» e vogël. Pas puçit komunist në Pragë në vitin 1948 familja emigroi në SHBA. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur asaj shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambassador. Më vonë e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më vendimtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrasjen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit. Gjatë kohës që ushtroi detyrën e Sekretares së Shtetit ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës së fundit elektorale ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahur Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat mëkatojnë duke mos përkrahur gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.” Janë episode mjaft domethënëse për të kujtuar një figurë madhore që pati jetë në truallin amerikan dhe rol të rëndësishëm në fushën e politikës së Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Komente

MESAZH NGA UKRAINA,ELEGJI NËN BOMBARDIMEDHE BUZËQESHJA…

March 24, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti/

I dashur V., mik i dashur, jam shumë mirënjohës për solidaritetin dhe ndihmën e sinqertë në luftën e vendit tim për liri. Për fat të mirë jam gjallë në këtë ruletë ruse që po ngjet në kryeqytetin tonë. Do të shohim se si do të jetë gjendja me pushtimin nga Bjellorusia në veri të Kievit, që mund të jetë dhe fillimi i dërrmimit të regjimit të Lukashenkos, i cili nuk mbështetet më nga shumica e ushtrisë së tij, por që shumë pjesë kontrollohet nga forcat ruse. Tani për tani me 12000 njerëz dhe qarkimi me rreth 3000 nga ushtria jonë dhe 4000 brenda, sulmi në Kiev duket i pamundur. Por në qytete të tjera si Mariupol dhe Chernihiv, ku njerëzit po vdesin urie për javë të tëra pa energji elektrike, gaz dhe ujë, nën bombardime e bombardime si dhe në rrethinat e Kivit, ku është dhe shtëpia ime e familjes, kemi një katastrofë humanitare. Përqafime miqësor!D. Është mesazhi më i fundit që më vjen nga Ukraina, nga poeti Dmitry Chystiak, për të cilin kam shkuar diçka, kam botuar disa poezi të tij dhe një interviste, ku u përgjigjet 7 pyetjeve në luftë për lutën në Ukarainë, kam thënë se ai është profesor i letërisë dhe i frengjishtes në Universitetin Kombëtar “Taras Shevçenko” të Kievit, poezia e tij është botuar në shumë gjuhë të tjera dhe ka marre shumë çmime letrare. . Po si t’i përgjigjesha mesazhit të tij? Nuk kam asgjë veç lotëve dhe lutjeve dhe zemrës time me ju. Kaq.. A ka mbërritur mesazhi im apo ajrin e shqyejnë shpërthimet e tmerrshme dhe fjalët vdesin dhe bien si pendë flatrash të djeguara.Dhe çudia është se ai më ka dërguar dhe një elegji në anglisht, e shkruar tani nën bombardimet në një dhomë që dritaret i ka të mbuluara me raftet e librave që të mos duket drita jashtë, se pranë saj predhat kanë shkatërruar shtëpi të tjera.Po shkatërrohet një vend sovran, me kulturë dhe traditë, me njerëz të lirë që duan t’i largohen gjithnjë e më shumë të kaluarës së tyre, kur ishte një perandori komuniste me qendër Moskën, me tiranë në krye si Lenini dhe Stalini dhe pjellat e tyre si Putin sot, që vazhduan deri dhe në Shqipërinë e vogël me enveristët.Por do të doja të flisnim për poezinë e Dmytro Chystiak, që iku përmes bombardimeve për të gjetur mua, megjithëse ka një thënie se kur gjëmojnë topat, muzat heshtin. Në fakt realitetet kanë treguar dhe të kundërtën. Shqipëria e di, se kur kishte letërsi të realizmit socialist me plot gjëmime, fshehtas pati dhe letërsi ndryshe, poezi që dolën nga burgjet dhe internimet. .Dhe tani nga lufta. Poeti Dmytro Chystiak, burrë i ri te nja 35 vjetët, nuk po zgjatem, mjafton shembëlltyra e atij si Njeriu që po qëndron nën bombardime, kur po vriten njerëz me mijëra e bëhen gërmadha për një çast pallate, institucione, spitale, teatro, etj, teksa miqtë e Dmytro Chystiak nëpër Europë, në Azi e Amerikë e kanë ftuar të ikë nga andej. Jo! Ai po rri pranë luftëtarëve të vendit të tij, që po luftojnë për ardheun dhe Europën, sipas tij, mes qytetarëve dhe sakrificave të pabesueshme, i përkushtuar në këtë luftë, ndërkohë i lidhur me shumë televizone jashtë vendit, ku jep intervista me frengjishten e tij “excellent”, (edhe foton e poetit e nxora nga ekranet e një televizoni të huaj) dhe tregon gjendjen dramatike, shkaqet dhe historinë, të ardhmen që do ta fitojnë me gjak, duke dhënë sa më shumë shpresë njerëzore. Teksa në televizionet tona akademikë dhe politologë të rëndomtë arrijnë deria aty sa mundohen ta justifikojnë agresionin rus, nga që NATO paskërka kaluar “gardhin”, sepse paskësh “gardh” liria e popujve dhe sovraniteti i vendeve dhe demokracia që duan të kenë si sistem, e ndonjë me dinakëri kërkon të vendosë Putinin djathtas më shumë se majtas, kur ai si i çmendur po bombardon sa djathtas dhe majtas dhe po s’e ndalën, ai nuk do të ndalet nëpër Europë dhe botë me turr stalinisto-hitlerian, teksa bashkëpunëtorët e nazizmit i quajne pafalshëm kuislingë, ndërsa ata të stalinizmit, që tradhtuan interesat e atdheut në kohë paqeje nuk i dënojnë si kuislingë të Kremlinit, etj, etj, por unë desha thjesht tani t’i bashkohemi besimit të poetit ukrainas Dmytro Chystiak dhe të popullit të tij edhe me anë të poezisë, të shkruar nën bombardime.Ajo ngjan me buzëqeshjen e tij, që e shohim tani në intervistat televizive, që edhe pse e trishtë, ështe e mrekullueshme, është buzëqeshja e njeriut të vërtetë, që nuk e shëmtuan luftrat, që asnjë bombardim nuk ka për ta asgjesuar, nëse do të mbeten njerëz mbi fytyrë të dheut.Në vend të buzëqeshejes, ja poezia, që e nxjerrin ne për herë të pare….. DMYTRO CHYSTIAK TOKË E GJALLË In memoriam, për Anastassiya Kobzina dhe Ilia Solovyov. І Gjyshi im vdiq pa asnjë fjalë për luftën. Pa asnjë fjalë për luftën gjyshja ime vdiq. Ndaj urisë dhe punës dhe frontit Ata lëshuan disa fjalë të ashpra dhe aq. 9 Maji ishte festa më e madhe e tyre, Këngët e tyre, lotët e tyre pa asnjë fjalë për luftën. “Unë nuk do të flas, Zoti im! Jo më, jo më. Ju hedhim Në karroca për në varrezën masive”. Fjalët e gjyshes pranë varrit të saj.ІІ Pranë rafteve të mia të librave, nën bombardime, Uniforma e gjyshit, mbuluar me medalje, Shpata e tij (17 vjeç, në Shcholkovo afër Moskës, Pastaj në Detin e Veriut, kaq shumë të vrarë Në këtë tokë akulli, pastaj kënga, Futbolli, Kakhovka dhe Kievi, dashuria e jetës së tijQë më bën të buzëqesh edhe sot), Medaljet e gjyshes sime, bijë e luftës (Fëmijëria në kolkhoz, gjithçka për frontin, Dhe një gjerman që miqësisht thotë “fshihu!”, Në rajonin Vinnytsa një dimër i tërë, Në papafingo ajo fshihet dhe nazistë s’ka më Pastaj këngë dhe socializëm dhe rënia, Dhe kërkimet i tij për urinë e madhe me Stalinin), Ata qëndrojnë ende bashkë, me Dy republika motra, në raftet e librave, Nën bombardime, pastaj shpërthimet.ІІІ Kjo tokë dimërore është e gjallë, e thellë. Asnjë fjalë për luftën, në varrin e tyre të përbashkët. Predha i zgjon siç bëri në shenjtëroren Babi Yar, Dhe dalin nga bota tjetër, por unë e di, Ata nuk janë në anën tjetër, por bashkohen Me tonën. Dhe gjyshja ime vazhdon Me vullnetarët dhe gjyshi im me marinarët, Nga ana jonë, ata që ndjekin Kozakët, Ata që shmangin frikën dhe hedhin veten Të pambrojtur në tanke, në stepa, Si në kohën e helenëve, në këtë tokë të vjetër Ku “Lavdia!” bie, gjëmim pas gjëmimi. ІV Kjo tokë dimërore është ende e gjallë, aq larg. Gjyshi im nga Shçolkova lufton, Gjyshja ime nga Haysyn vazhdon, Pas tyre, errësirë mbi errësirë, Dritë mbi dritë, botë pas botëve, Kumbime, përgjakje, mbi kryqe rriten Trëndafilat e Jeruzalemit Qiellor, Gjaku i tyre bashkon Kostandinopojën dhe Kievin, Rubedoja e qyteteve të ringjallura, Shekull pas shekulli, tempull pas tempulli, Për të ujitur pemën tonë të përbashkët Përballë një pranvere që po shquhet së fundmi. Kiev, Mars 2022 __________________________________ Përktheu nga anglishtja Visar Zhiti

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT