• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

Ambasadori i Pushtetit të butë dhe Amerika mike e shqiptarëve

March 17, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Mal Berisha, një ambasador që punon shumë , takon miq , të zakonshem, te jashtzakonshem , hulumton historinë tonë nëpër anale alternative, bën kërkime mbi amerikanë që e deshën Shqipërinë në kohën kur ajo ishte në vetizolim dhe të gjitha këto i dokumenton dhe publikon në mënyrë dinjitoze si një trashëgimni historike dhe kulturore për brezat. Libri “Ambasador i pushtetit të butë “ vjen në Vatër pas një serie promovimesh;në Tiranë , Durrës , Korçë, tregues ky i rëndësisë dhe efekteve ndikuese që kjo vepër ka në mjediset akademike, mediatike dhe pa dyshim edhe në ato diplomatike.Pushteti i butë ambasadorial në kushtet e një realiteti kërcënues plot konflikte ndërkombëtare, kriza, pragluftë, e bën edhe më të domosdoshme këtë lloj diplomacie të butë pasi siç pohojnë manualet e shkencave politike fuqia e përqëndruar në vlera dhe parime është ajo që prodhon nder e normalitet dhe jo frikë e terror siç ndodh kur fuqia shtyp dhe kërcënon liri.Ky libër përcjell mjaft mesazhe qytetarie në një botë të trazuar ku çdo individ pavarësisht detyrave që ushtron mundet të jetë patriot që e do kombin, respekton bashkëkombasin dhe mbi të gjitha historinë e tij me çdo të vërtetë të bukur apo të hidhur .Autori na mëson se çdokush mundet të jetë “ambasador” i vendit të tij pavarësisht territoreve ku jeton apo funksioneve që ushtron .Dhe kjo vërtetohet më së miri në tri momente kyçe që autori i sjell përmes detajeve në këtë libër;1.Në Amerikën mike për çeshtjet e Kosovës ku analizohet -roli i i senatorit Robert Dole në vitet 1998-2000-roli i Ligës qytetare Shqiptaro-amerikane në mbrojtje të çeshtjes së Kosovês- bashkëpunimi me DioGuardin.2.Kujtime nga baza Fort Dix dhe misionet humanitare amerikane që mirpritën dhe strehuan qindra kosovarë të dhunuar nga lufta dhe genocidi serb .3.Roli i Vatrës dhe Diellit në dobi të çeshtjes kombëtare e parë kjo nga katër të huaj ;1.Wilson teksa i thoshte Nolit “ Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes she ai zë do të jetë vetëm për Shqipërinë “.2. Charls Telford Erickson mik i madh i Vatrës, misionar i palodhur çeshtjes shqiptare.3. Edit Durham dhe veprimtaria e saj unike kushtuar Shqoërisë.4.Aubrey Herbert i palodhur në bindjen e opinionit publik mbi drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve Mbi rëndësinë e Vatrës dhe veprimtarinë e saj është shprehur një ndër armiqtë tanë Eleftherios Venizellos kur thotë:”ishte Vatra ajo që na e hoqi nga dora Vorio Epirin” .Aksioma se “ asgjë nuk duhet ti shpëtojë syrit dhe veshit të një diplomati “ ka gjithashtu vlera universale përderisa jetojmë në kohët kur e vërteta dhe mashtrimi bashkëjetojnë me ne realiteti nuk duhet të na rrëshqasë nga duart.Përmes kujtesës dhe detajeve pëshkruese autori ruan , akumulon dhe ndërton histori mbi akte dhe veprimtari që i shërbejnë kujtesës individuale por edhe asaj kolektive. Protagonistët e veprave të Mal Berishës janë shqiptarë që e duan Shqipërinë, ashtu siç në fakt janë të gjithë protagonistët e veprave të tij.. A nuk ishte i tillë Charls Telford Erickson, amerikani që sakrifikoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët?!Po Herman Bernstein diplomati multifunksional që i dha emër dhe zë Shqipërisë së viteve 30 ?!A nuk nxit dhe frymëzon dashuri për vendin dhe historinë tonë “ Shqiptarët lisa mbi truallin ilir?!Sepse ka një fakt madhor që nuk i shpëton dot syrit dhe veshit të lexuesit , është patriotizmi që përshkron në çdo faqe veprat e Berishës andaj thirrma “ proud to be albanian “ nuk është rastësore por esenciale në çdo shkrim dhe publikim të tij .Me një larmi faktesh historike dhe përjetimesh, aktesh dhe nderimesh për to ,ky libêr lartëson kontributet individuale dhe kolektive , ato që përbëjnë historinë tonë të re e cila nuk duhet neglizhuar në asnjë stad të saj.E parë nga të huajt, e përjetuar apo treguar, e studjuar apo përmes reflektimesh , ajo duhet shkruar dhe trashëguar , dhe kjo qasje perceptohet në çdo vepër të autorit Mal Berisha , që nga “Shqiptarêt lisa mbi truallin ilir” , tek “Realitete Shqiptaro-Britanike” ,apo “ Jeta e jashtzakonshme e Charls Telford Ericksonit” pohojmë se krijimtaria e diplomatit Berisha është një udhërrêfyes për brezat për të njohur historinë, emrat që i dhanë jetë asaj në ditë kritike e duke nxitur qytetari aktive me çdo shqisë , veprim dhe mendim. Dhe po e tillë është edhe për ne si vatranë kjo vepër dhe të tjerat fakte e histori plot.Henry Wadsworth Longfellow te Psalmi i jetës na mëson ;Njerëzit e mëdhenj na kujtojnëSe jetën mund ta bëjmë sublimeDhe, duke ecur, të lëmë pas,Gjurmët në rërën e kohës. Falemnderit Ambasador që dhuron vepra të tilla kujtese e kujdesi për ne dhe brezat e ardhshëm.

Filed Under: ESSE

VATRA RUAJTI SHPIRTIN E VEPRIMTARISË ATDHETARE SHEKULLORE

March 17, 2022 by s p

Dr. Xhemail Çupi*

Mirëmbrëma të gjithëve! Zonja dhe zotërinj! Vërtetë, ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar të gjendem në mësim tuaj. Në diskutimin e lirë që kishim me Sokolin, që është editor në Diell te “Vatra” por gjithashtu edhe me anëtarin tuaj Ibrahim Kolari se cili është momenti më i duhur për ta takuar “Vatrën” dhe anëtarët e saj, mu ofruan disa opsione dhe njëri prej tyre ishte edhe opsioni që këtë javë mbahet promovimi i një libri të shquar diplomatik, andaj duke qenë edhe studiues i diplomacisë ishte vërtetë një kënaqësi e madhe ti dëgjojë këto fjalë të bukura. Të them të vërtetën librin nuk e kam lexuar por nga ajo që u shprehën edhe parafolësit na dha një inspirim për ta kuptuar realisht botën diplomatike sepse në shikim të parë duke se diplomati i ka të gjitha privilegjet por në të vërtetë ai është personi i parë që ballafaqohet ndonjëherë me të vërtetën e hidhur të politikës. Duke qenë se presidenti i “Vatrës” z. Elmi Berisha nuk është prezent, e shfrytëzoj rastin përmes jush dhe këtij rasti ta përshëndes dhe ti uroj sukses në mandatin e tij. Me këtë rast dëshiroj ta nis fjalimin tim që e kam të shkruar: I nderuar President nderi i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”, z. Rexha. Të nderuar anëtarë të bordit, aktivistë dhe pjesëmarrës në këtë eveniment promovues të veprimtarisë boutese, njëherit edheshkaktarë i këtij takimi vërtetë frytdhënës, të autorit të veprës “Ambasador i pushtetit të butë” z. Mal Berisha. Kam kënaqësinë dhe privilegjin që të jem në mesin tuaj dhe të ndjej nga afër shpirtin e veprimtarisë atdhetare shekullore të federatës suaj patriotike, duke kujtuar dëshirën unifikuese mbarëshqiptare të themeluesve të parë të federatës“Vatra”, me theks të veçantë Fan Nolin dhe Faik Konicën, figura këto, të ndritura dhe madhështore të kombit tonë dhe përfaqësues politik e diplomatik dinjitozë dhe reprezentativë të popullit fisnik shqiptarë,të dalluar në botë dhe veçanërisht në SHBA, për nga forca dhe gjerësia e mendimeve, për nga vështrimi vizionar i ngjarjeve politike, për nga polivalenca krijuese, e shumë karakteristika të tjera motivuese dhe inspiruese për brezat e rinj në këtë hemisferë tej-oqeanike. Gjithashtu kjo më bën të kujtojë edhe angazhimin dhe sakrificën e pa diskutueshme të gjithë udhëheqësve dhe aktivistëve që punuan për lobimin sa më të mirë të çështjes shqiptarëve në Amerikë. Njashtu si aktiviteti i juaj i dëshmuar, secili nga ne, qofshim persona me autorizime zyrtare, qofshim akademikë apo shkencëtarë, mjekë apo inxhinierë, afaristë apo punëtorë të thjeshtë, me mjetet në dispozicion dhe me format adekuate,e kemi amanet prej Zotit dhe prej të parëve tanëtë punojë në ruajtjen e vlerave njerëzore, në kultivimin e traditave dhe gjuhës tonë, në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, në avancimin e çështjes shqiptare, etj. gjithmonë duke u mbështetur në parimet e vlerave demokratike dhe civilizuese dhe duke u kujdesur që mos cenojë të drejtat e tjerëve. Sot, më duhet të them se përballemi me një situatë tejet alarmante të “ikjes së trurit”, ku të rinjtë shkollohen, specializohen dhe edukohen në vendet e tyre por frutat e tyre i gëzon vendi i huaj, andaj siç është e bashkuar mërgata shqiptare që vjen prej Kosove, Shqipërie, Maqedonie të Veriut, etj. po aq të unifikuar duhet të jenë edhe tre shtetet reprezentative dhe me këtë rast theksi vendoset te aspekti ligjor dhe normativ, gjegjësisht te unifikimi i programeve studimore, kurikulave, abetares së unifikuar, e shumë projekteve të tjera që duhet të jenë të përbashkëta.Ndërtimi i partneritetit ndërmjet qeverive dhe diasporës është një proces afatgjatë i cili ka shanse më të mëdha për sukses nëse bazohet në komunikim të mirë dhe besim të përbashkët, respektivisht në bindjen e të gjithë palëve të përfshira se përfitojnë një vlerë të barabartë nga bashkëpunimi i vendosur.Në këtë rast, duke ju dëshiruar sukses në mandatin e ri, ju përgëzoj për programin ambicioz, sidomos në pjesën e bashkëpunimeve me qeveritëe Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në funksion të bashkërendimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët për avancimin e gjithmbarshëm në rrafshin politik, ekonomik, arsimor e kulturor të gjithë kombit tonë.Këtu dua të theksoj vetëm disa pika të strategjisë dhe programit tim si Ministër përgjegjës për diasporë, sidomos në rrafshin edukativ dhe arsimor, që harmonizohen me programin tuaj, mes tyre: Rritja e kampanjës edukative për familjet në diasporë me qëllim ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore; përfshirja më e madhe e të rinjve nga diaspora në shkollat verore/dimërore (kampet) të gjuhës amtare në vendin e origjinës dhe pasurimi i tyre i mëtutjeshëm me programe edukative-kulturore; Hapja e qendrave gjuhësore në diasporë dhe sponsorimi i veprimtari botuese në bashkautorësi mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë në diasporë, shfrytëzimi i galerive të qendrave kulturore të diasporës për aktivitete kulturore, e kështu me radhë. Në fund, duke ju dëshiruar suksese të vazhdueshme të aktiviteteve tuajapatriotike, jam i gatshëmpër bashkëpunime frytdhënëse, në të mirë kolektive dhe në avancim të çështjes shqiptare. *Ministri i Diaspores se Maqedonise se Veriut, fjale pershendetese ne Vater.

Filed Under: Politike

Ja si Sigurimi i Shtetit filtronte dokumentet postare brenda dhe jashtë vendit

March 17, 2022 by s p

Të larguarit e ambasadave, korrespondencë me familjarët

Shkruan: Eneida Jaçaj/

‘Era e ndryshimit’, sapo kishte nisur! Ishte viti kur shqiptarët gjetën forcën dhe guximin për të dalë nga errësira e një sistemi komunist gjakatar, që e la vendin të prapambetur ekonomikisht dhe me një mendësi të kalbur kundër së resë e zhvillimit. Varfëria, vuajtjet, torturat e shpirtit kishin arritur deri në atë pikë saqë populli shqiptar u ngrit në këmbë për të shpartalluar atë sistem mizor, duke u drejtuar drejt Perëndimit, për një Shqipëri të zhvilluar europiane dhe me mentalitet të lirë dhe demokratik. Viti 1990 ishte viti i përpëlitjeve të fundit të kultit të individit dhe regjimit vrastar, më të egër që përjetoi Europa Juglindore. Kryengritjet e shqiptarëve do të hapnin një faqe të re për Shqipërinë, e cila do të quhej ‘Porta e Lirisë’. Ngjarja e 2 korrikut 1990, e quajtur si eskodi i shqiptarëve, të cilët u dyndën drejt dyerve të ambasadave të huaja, ishte goditja e parë që iu dha komunizmit në Shqipëri. Përtej kangjellave të ambasadave, shqiptarët ndjenin lirinë; lirinë e fjalës, të mendimit, atë fizike, frymën e re të zhvillimit dhe demokracinë. Kjo ngjarje e trembi shumë kupolën e lartë drejtuese, e cila u orvat me çdo kusht për të përndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim të gjithë ata mijëra shqiptarë që u larguan drejt botës së lirisë. Pavarësisht se Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie me vendet e tjera të Europës Lindore, erës së ndryshimit nuk do t’i shpëtonte kurrsesi as vendi ynë. Ambasadat e huaja i mbështetën shqiptarët, pasi u jepnin plotësisht të drejtë për të rrëzuar regjimin. Ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, në një intervistë ka thënë se, i urdhëroi asokohe punonjësit që të linin dritat ndezur dhe dyert e ambasadës hapur, atje ku arritën të futeshin 3 mijë shqiptarë. Kjo ngjarje u pasua me Lëvizjen e Dhjetorit dhe më pas me rënien e bustit të Enver Hoxhës në 1991, duke shembur që nga themelet “vampirin gjakpirës” të popullit shqiptar, dhe duke hapur një faqe të re të historisë. Censurimi i dokumenteve postare Largimi i shqiptarëve drejt vendeve të tjera, vuri në lëvizje aparatin shtetëror komunist, kryesisht Sigurimin e Shtetit. Kupola drejtuese dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit nisën përndjekjet e shqiptarëve, si dhe arritën të filtronin të gjitha dokumentat apo shkresat postare të të larguarve, në korrespondencë me familjarët e tyre. Censura nuk ekzistonte zyrtarisht, pasi përbënte shkelje të të drejtave të njeriut sidomos në këtë rast, por hapja e letrave postare u mbajt sekret. Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 27.7.1990, pra disa ditë pas eksodit të shqiptarëve, dërgohej një kopje e plotë e korrespondencës private 𝘯𝘦̈ Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa origjinali shkonte në destinacion. Kontrolli i brendshëm raportonte konkretisht se me dt. 27.07.1990 u kapën letra të personave të larguar në vende të ndryshme, si Gjermani, Francë, Turqi, Hungari, etj që ua dërgonin familjarëve të tyre në qytete të ndryshme të vendit, p.sh. Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Mirditë, Berat, Krujë, etj.Korrespondenca me familjarët Futja e shqiptarëve nëpër ambasada, ka qenë një shok i rëndë psikologjik për familjarët që lanë pas. Korrespondencat postare ishin e vetmja mënyrë e mbetur për familjarët e të larguarve, për t’u informuar mbi gjendjen e tyre. Por censura e regjimit arriti të kontrollojë edhe dokumentat postare, megjithëse regjimi ishte në prag të fundit të tij. Në informacionin e kontrollit të brendshëm thuhet se të larguarit informojnë familjarët për strehimin e tyre dhe flasin për një botë tjetër, larg asaj të Shqipërisë, në kushte të këqija ekonomike dhe me censurë në mendim dhe fjalë. Ata u premtojnë familjarëve se do të dërgojnë të ardhura sapo të stabiliziohen në një punë. “Në datën 25 dhe 26.7.1990 mbërritën në vendin tonë 850 letra të dërguar nga persona të larguar, nga të cilët 638 u përkasin personave të larguar në Hungari; 179 në Francë; 13 nga Zvicra; 10 nga Greqia; 6 nga Turqia; dhe 4 nga Hungaria. Personat në Gjermani janë të stabilizuar në 18 qytete, ata janë të shpërndarë në grupe nga 40 deri në 300 vetë pasi janë të strehuar në hotel, konvikte, spitale, kapanone e deri në anije. Një pjesë e konsiderueshme u premtojnë familjarëve se do të kthehen së shpejti. U premtojnë familjarëve se pas 2-3 vjet punë do të kthehen, pasi siç shprehen nuk kanë ikur për qejf, por për të përmirësuar jetën e tyre dhe të familjeve në Shqipëri. Nga qendrat ku janë stabilizuar përkohësisht shkruajnë se trajtohen me ushqim dhe veshëmbathje falas dhe se u jepen nga 10-50 marka për nevojat e përditshme të tyre. Pretendojnë se me pagën që do të marrin pasi të stabilizohen në punë do të bëjnë një jetë të shkëlqyeshme për vete dhe do t’u dërgojnë edhe lidhjeve të tyre”, thuhet në informacionin e ministrisë të datës 27 korrik 1990. Ata flasin për një Shqipëri në errësirë të plotë, dhe shprehnin optimizmin se me marrjen e dokumentave dhe fillimit të punës, do të ndihmonin familjet e tyre, duke i nxjerrë nga mjerimi. “Përveç paraqitjes së shkëlqyer të kushteve, shkruajnë që deri më sot nuk kanë ditur se ç’është bota, se tani kanë lindur në të vërtetë, se paskan qenë në një errësirë të plotë, se këtu nuk të lënë të pish ujë, por vetëm birrë, pije freskuese. Siç shkruajnë ata, ky trajtim I shkëlqyeshëm u bëhet se konsiderohen emigrant politikë, ku për këtë do të pajisen me të gjitha komoditetet e një milioneri”, thuhet në dokument. Shumë shqiptarë sot që prej vitit 1990, punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, dhe kanë luajtur një rol parësor ekonomik, pasi remitancat më të larta vinë nga puna e tyre në emigrim, duke mbajtur familjet e tyre.

Filed Under: Histori

TURP ËSHTË RRÉNA, ZOTI KRYEMINISTËR

March 17, 2022 by s p

Frank Kulli/

Protestat janë nder kombëtar për një vend të qytetruar e ne shqiptarët, tashmë e dimë mirë këtë. Turp kombëtar janë qeveritë keqqeverisëse, zoti kryeministër.Në kopertinën e botimit të dytë, të “Gomari i Babatasit”, (Shkoder shtypshkroja At Gjergj Fishta, 1941) poshtë titullit shkruhet edhe ky pohim i mënçur: “Populli i falë ata qi e mundojn, por nuk ka për ti falë kurr ata qi e rrêjnë. Montalembert”.(Charlest, count de Montalembert, (15 prill 1810, Londër – më 13 mars 1870, Paris), orator, politikan dhe historian , lider në luftën kundër absolutizmit në kishë dhe në shtet në Francën e shekullit të 19-të.)E zgjedhur dhe e vendosur gati si nëntitull i librit, domosdo s’mund të jetë tjetër veçse, një thirrje në ndihmë të lexuesit a si një çelës për të hapë portën kryesore të leximit të veprës. E, siç dihet gjërësisht tashma, kjo vepër-kulm e satirës politike në Shqipëri atëherë kur u shkrua porse edhe sot, ka qenë dhe mbetet e tillë , një kualitet letrar i shkallës së epërme edhe për arsyen e fortë se për lëndë të veprës së vet, autori ka marrë e ka “vu në bisht t’lahutës” siç do të thoshte ai, veset më të shëmtuara të udhëheqësíve politike e shtetnore, të cilët, duke livadhisë ndër to (nëpër veset pra), i shkaktojnë një dëm të madh fort e shumë afatgjatë shoqërisë që udhëheqin. Ndoshta, kjo sentenca e mendimtarit të shquar francez, i përshtatet fort edhe shoqërisë shqiptare sot ndaj dhe ka ndodhë kjo përzgjedhje qysh atëherë, kur ende nuk qe mbyllë gjysma e parë e shekullit të shkuar.Historia jonë, përgjithsisht ka qenë histori e një populli të mundúar fort prej udhëheqësíve. Udhëheqësíve të huaja e të vendit. Njësoj. Dhe, sigurisht, mundimet ia kanë lënë të dukëshme gjurmët e vuajtjes njeriut shqiptar. Shpesh ia kanë shformuar edhe cilësisht mjaft virtyte. Po, ja që disa prej tyre, më të shumtat e tyre kanë mbetë e janë ruajt në nëvetëdijen e në shpirtin e tij. Virtyt është edhe neveria e pakapërdishme ndaj rrenave e rrencakut (gënjeshtrave e gënjeshtarit). Për gënjeshtarin publik, gënjeshtarin udhëheqës, sidomos. Se gënjeshtra e tij bën dëm të madh. Ne të gjithë e dimë, tashma se kuti që i mat e peshorja që i peshon shtetarët në demokraci është marrëdhënia e tyre me të vërtetën e me gënjeshtrën. Për fjalët që thonë e për punët që bëjnë. Është mardhënia ndërmjet besimit që iu është dhënë dhe mirëpërdorimit a keqpërdorimit të tij. Tek ne ka ndodhë gjithherë kjo e dyta. Sistematikisht udhëheqësit tanë, kush më pak e kush më shumë, kanë gënjyer. Aq shumë kanë gënjyer, sa kur ndonjëherë ka ndodhë që, ajo çfarë ata kanë thënë edhe është mbajtë si fjalë e thënë, kjo e ndodhur është çmuar e vlerësuar si mrekulli. Rëndom vlerësimi për to, pra se udhëheqësi është i zoti a i pazoti , i aftë a i paaftë , është përcaktuar se sa e ka spërdredhë fjalën ky ose ai. Pra, sa ka mundur të na mashtrojë. Kjo i ka vënë kapak, si të thuash zotësisë së udhëheqësit…E meqë i filluam radhët e këtij shkrimi me një kryevepër të satirës politike shqiptare, mbase duhet shpjeguar edhe lidhja e saj me të sotmen, tash një shekull mbas. Thelbi i kësaj lidhje është sjellja e njëjtë e qeverisësve tanë me ne të qeverisurit prej tyre. Për t’u qortuar fort e satirizuar, atëhere dhe sot. E konkretisht me më të freskëtat ngjarje të këtyre ditëve. Protestat, që qytetarët shqiptarë po bëjnë kundër standartit të ulët fort të jetesës që, lufta në Ukrainë ua ka ulë edhe më shumë. Protestat janë kundër qeverisjes; ai është shkaku i fillimit të tyre dhe për hir të së vertetës, do theksuar se ato kanë nisur mbas protestës solidare me popullin Ukrainas që është ngritur në përballje të sulmit pushtues të Rusisë. Kurse leximi e përkthimi i tyre nga udhëheqësi i ka vlerësuar ato, jo vetëm të padrejta e jashtë kohe, po madje TË TURPSHME. Kryeministri ynë është i shqetësuar shumë se demostratat po turpërojnë Shqipërinë !!! Dje, theksoi se shqetësimi për protestat që po i vinte zotërisë së tij edhe si veprim i pakuptimtë po e bënin të ndjehej i turpëruar përpara botës. Të ndjehej i turpëruar prej popullit të tij që demostron kundër qeverisjes së tij…Dhe deklarata e tij, të bën të stepesh, me të vërtetë. Ia kishin thënë nga Brukseli, tha. Pse kaq mosmirëkuptues thua të jenë në Bruksel për demostratat që bëhen kundër një qeverisjeje prej të qeverisurve të saj që mendojnë se po keqqeverisen ?? Jo, jo, zoti kryeministër. Ne tani jemi një vend i hapur dhe dimë ta lexojmë mirë edhe Brukselin edhe Uashingtonin.Po, në Bruksel, përktheje në shqip protestën, zoti kryeministër. Nëse dëshiron të të kuptojnë më mirë. Shqiptarët nuk prostestojnë kundër Ukrainës, përkundrazi shqiptarët janë dhe e kanë shprehë kundërshtinë e luftës pushtuese ndaj një vendi e lirisë së një populli. Historia i ka mësuar ata ta çmojnë fort e ta mbrojnë me çdo çmim lirinë. Ndaj asnjë turp ata nuk po bëjnë se po protestojnë kundër qeverisjes që e çmojnë të keqe. Qoftë edhe në rrethanat e luftës që po bëhet në Ukrainë. Ndaj nuk e turpërojnë Shqipërinë. Përkundrazi e nderojnë Shqipërinë. Protestat janë nder kombëtar për një vend të qytetruar e ne shqiptarët, tashmë e dimë mirë këtë.Turp kombëtar janë qeveritë keqqeverisëse, zoti kryeministër. Po turp kombëtar është edhe mbrojtja që ju bëjnë ju e pararendësve tuaj këshillonjësit e tipit Ba(l)t-on , i cili rrumbullon 15 mijë euro në muaj, për këshillat që ai dhe të tjerë si ai ju japin ju dhe për pushtimin mashtrues që u kanë bërë ekraneve të kazanëve tuaj propagandistikë e deformimit të lirisë së shprehjes. Aq para për një këshillonjës për ju !!… Janë më shumë se sa lëmoshat që ju jepni për 100 minatorë të Bulqizës a po për kaq naftëtarë të Ballshit, zoti kryeministër.Turp është “avullimi” i pasurive kombëtare, prej qeverisjes së ju kryeministrave, zoti kryeministër. Turp janë krizat e përvitëshme energjitike në Shqipërinë me rezerva ujore më të shumtat në Europë, zoti kryeministër. Është fyerje e madhe e inteligjencës së shqiptarëve të krenohesh para tyre se nuk po ngre çmimin e energjisë.Turp është ta çosh për skrap Rafinerinë e naftës në Ballsh e për qytetarët shqiptarë ta shesës naftën me çmimin më të shtrenjtë në Europë, z.kryeministër.Turp është mjerimi në Bulqizë. Mjerimi i atyre njerëzve që ecin si skelete të gjalla përmbi thesare. Turp janë rrenat e pambarimta ndër dekada, zoti kryeministër, dhe ndër më shembullorët kryeministra jeni ju në këtë dekadën e fundit.Turp për ju që na e latë vendin “trokë”, këtë vend që vetë Zoti e ka begatuar dhe rinisë i dhatë rrugët e botës.

Filed Under: Analiza

Skënder Kamberi, piktor i Popullit

March 17, 2022 by s p

Gezim Zilja/

E njoh Skënder Kamberin që para dyzet vjetësh, kur ishte shumë i ri por fama në Shqipëri i ishte përhapur me kohë. Me shumë drojtje, asoherë sa kisha mbaruar Shkollën e Lartë dhe isha emëruar mësues në shkollën “Jani Minga”, i shkova në studion e tij të famshme  aty afër, në anë të rrugës automobilistike. Iu prezantove dhe i parashtrova kërkesën time për të zhvilluar një bisedë për pikturën me një klasë djemsh të shkollës mjeksore. 

“Pranoj me kënaqësi” më tha. “Pse jo, janë fëmijët tanë.” Meraku im ishte se fëmijët kryesisht pesëmbëdhjetë vjeçarë, vinin nga rrethinat dhe fshatrat e thella dhe me ta duhej folur shumë thjesht. “Skënder,” i them, i merakosur. “Shiko, e di si është puna, ata fëmijë nuk kuptojnë fare nga piktura. Po pate mundësi  thjeshtoji pak gjërat. “ Për këtë merakosesh ti Gëzo,” më hodhi dorë mbi supe Piktori i Madh me një buzëqeshje njerëzore që nuk i ikën kurrë nga fytyra. “ E zgjidh unë atë punë. Do të m’i biesh në studio dhe ma lerë mua në dorë gjithçka.” Ai takim edhe pse kanë kaluar gati dyzet vjet ngeli i paharruar për të rinjtë e asaj klase, (më vonë shumë nga ata u bënë mjekë me emër dhe shëtitën botën), për mua por edhe për vet Skënderin. Me mënyrën e tij, Piktori i magjepsi me fjalët dhe sjelljen, megjithëse studioja gjysëm e suvatuar nga brenda e muret e rrjepura nga jashtë mezi i nxinte ata tridhjetë adoleshentë. “ Unë jam nga fshati, jam nga Kuçi i Vlorës. Mos më shikoni kështu me penel në dorë, me beretë e kollare. Fshatar jam unë si ju, ama kam punuar, kam punuar si “derr” ( fëmijët u gajasën së qeshuri) për t’u shkolluar dhe siç e shikoni, punoj e studioj ende. Asgjë nuk bie nga qielli. Natyrisht që mua talentin ma fali zoti, por ama kam pasur shokë më të talentuar dhe nuk arritën të shkojnë më tutje se një mësues vizatimi. Prandaj fëmijë punoni të bëheni mjekë se për mua mjeku është një artist, që ta ndihmoni këtë vend që ka shumë nevojë për ju.” Shpjegoi me fjalë të kursyera, që piktura është ngjyrë, është emocion, është krijim, është vëzhgim, mesazh, por nuk zuri në gojë Piktori i Popullit as fjalët “parti” as “Enver” e as “mësimet e partisë”, që për atë kohë ishte detyrim. Ndërkaq me një laps mbi telajo shkarraviste papushim ndërsa fliste. “ E dini pse është e bukur piktura edhe kur e bën me laps mbi fletë të bardhë? Pse aty mund të pikturosh edhe këtë mësuesin tuaj të ri ashtu si ju nuk e njihni.” Mori letrën e bardhë dhe e ktheu nga nxënësit, që shpërthyen si një gojë e vetme në të qeshura të zhurmshme. Ishte nga ato karikaturat miqësore që piktorët i krijojnë shpejt e shpejt, ama duke theksuar në mënyrë të ekzagjeruar diçka nga karakteri i njeriut që vizatojnë. Nuk u ndamë më me Skënderin, qysh atëherë. Sidomos pas vitit 97-të, mbasi na “përzunë” nga Vlora. Në vitet 2000-2007  kishte një studio aty pas Kishës Katolike, në rrugën “Him Kolli.” Ishim përkohësisht komshij, ai në një studio me qera, unë gjithashtu në shtëpinë e pestë me qera. Shpesh vinin dhe të tjerë veçanërisht, miku ynë i përbashkët, piktori Nestor Jonuzi, nja katër a pesë vlonjatë dhe bisedonim për gjithçka: për pikturën, letërsinë, artin, dhe natyrisht për mallin tonë të përbashkët, Vlorën tonë të dashur. Pasi rrëkëllenim ca gota Skënderi, merrte kitarrën që e mbantë gjithmonë në studio dhe këndonim.  Kënga duhet thënë na shkonte “gjym.” Kur e gjeja vetëm të kredhur në punën e tij, hapja derën me kujdes dhe ulesha mbi një karrige shtrembaluqe, pa folur. Ndodhte që prisja edhe një orë, duke e soditur ndërsa punonte pa kthyer fare kokën. Për mua ishte kënaqësi e pafund, kur e shikoja ashtu me penel në dorë, herë duke iu afruar, herë duke iu larguar telajos, duke picëruar sytë, duke pëshperituer me vete. “Më fal Gëzo, se isha duke punuar. Ke shumë që ke ardhur?- me fliste gjithë dashamirësi. “Tani sa erdha”, përgjigjesha. “ Po ti vazhdo, puno!”  “Po si do të punoj unë,” më thoshte “kur më ka ardhur mysafir një shok?” Mbushte pa më pyetur dy gota me “ujë të bekuar”, vendoste mbi tavolinën të vogël e të vjetër, (edhe ajo si karrigia shtrembaluqe) dy pjata, një me bajame (ndonjëherë mjaltë) një me arra dhe opa: “ Hajt gëzuar, mirëse më erdhe!”. Një njeriu të tillë është e kotë t’i bësh naze, t’i thuash, do rri pak, nuk pi raki, kam një punë etj. etj. Mundohesha gjithë takt ta “vërtisja” që t’i merrja (i kam “marrë” disa të tilla) ndonjë pikturë me çmim të arsyeshëm. Skënderi e pikaste dhe më thoshte: “Të pëlqen? Merre! Jep sa të duash, kur t’i kesh.”  Mundohesha (dhe mundohem) të mos përfitoja nga bujaria dhe shpirtëmadhësia e tij jo e zakonshme, sepse e dija që ai pas viteve ’90-të, veç shitjes së pikturave nuk kishte të ardhura të tjera. Dhe kishte halle që ai nuk i thoshte por unë ia dija dhe kërkonin shpenzime të mëdha. 

Dy tablo të tij, që i kam ndjekur nga A-ja te Zh-ja, do të më ngelen në mendje. “ Otranto 1997” dhe “Skënderbeu mbi kalë.” Sa herë që hyja në studio, kur punonte tablonë, “Tragjedia e Otrantos” e gjeja shumë të ngrysur dhe të trishtuar…  Shikoja detin e egërsuar me atë blunë e shkumbëzuar dhe njerëzit me sy të “shqyer” si kryqe të mëdhenjë e të vegjël, që zhdukeshin dalëngadalë nën sipërfaqen e errët e të trazuar të ujit të kripur. Nga tabloja transmetohej një dhimbje që vështirë të mos e kuptoje, gati e papërballueshme. “ Skënder,” i thashë një ditë: “ Kaq shumë vuan? Kaq afër e ndjen vdekjen, që hedh në telajo vetëm ngjyra të errëta, njerëz me sy të venitur dhe ata trupa, të deformuar nga dhimbja, që duken se i janë dorëzuar vdekjes  pa bërë asnjë përpjekje për të shpëtuar? “Kam gruan, Lilon, shumë sëmurë, Gëzo,” më tha me sytë e përlotur. “Lilo do të shërohet” i thashë për t’i dhënë kurajo. “Por ngjall një fije shprese te ata që po mbyten, jepu pak dritë ngjyrave se ka dalë gjithçka gri në të zezë. Ti e di që ata nuk u mbytën të gjithë dhe disa shpëtuan.” Falë zotit Lilua, gruaja e tij e mrekullueshme me kurajon e saj prej trimëreshe, me ndihmën e jashtëzakonshme të Skënderit dhe të fëmijëve e përballoi me sukses sëmundjen, por në pikturën “Otranto1997” mbeti ai pikëllim  i madh gri, që të jep përshtypjen se për një çast jeta ka ndaluar.

“Gëzo nuk është Skënderbeu. Ky është Shën Gjergji. Kam studiuar shumë  për Skënderbeun para se të filloja ta pikturoja. Madje edhe në gjermanisht dhe ky është ai i vërteti që unë përfytyroj. Do ta vesh të gjithin në ar, në flori, që ndriçon kur kalon dhe i jep shpresë njerëzimit.” Dhe ashtu e bëri ai Heroin Kombëtar në një telajo të madhe me madhësi natyrale. Një Skënderbe si në asnjë pikturë tjetër. Jo trupmadh, i bërë njësh  me kalin e vet, që i lëshonin xixa  patkonjtë, duke fluturuar mbi ushtrinë turke, një Skënderbe duke mbjellë vdekjen ndër armiqtë, lavdinë për vete dhe kombin, me shpatën kërcënuese në krahun e zhveshur, me flokët e gjata pak të thinjura të valëvitura nga era, me hundën shqiponjë në profil, flamurin e shpalosur me një të kuqe të papërsëritshme dhe shkabën e zezë në mes… Një figurë e gjitha në ar që tejkalon kohën dhe shndrit e shndrit pambarim. Sa herë kaloja nga studioja gjeja gjithmonë detaje të ndryshuara. “ Sikur e kishte pak të harkuar shpatën tani e ka shtrirë plotësisht,” e ngacmoja. Fillonte pastaj të më shpjegonte me një pasion të madh, karakteristikë e shpirtit të tij optimist, pa u ndalur, që pse shpata në atë rast duhet të jetë jo e harkuar, por drejt qiellit, që ka filluar të hapet në blu pas shpërndarjes së tymit e zjarrit, se po kalon ai ‘Shën Gjergji” “zulmëmadhi”me shqiptarët e vet dhe prapa tij ka vetëm “fitore” dhe “diell”. Kështu ka pikturuar, pikturon dhe do të pikturojë miku im, Piktori i Popullit, Skënder Kamberi edhe tridhjetë, edhe shtatëdhjetepesë edhe njëqind vjeç. Këto rreshta  janë një portret i “vockël” për një Piktor e Njeri të Madh si Skënder Kamberi. Jeta e tij është një tablo gjigande, ku miqtë dhe studiuesit mund të hedhin pambarimisht ndonjë “penelatë.”, është si një pazëll që do të vazhdojë të plotësohet e plotësohet nga këto penelata plot ngjyra, jetë e kujtime, ku të spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur Vlorën.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT