• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

SOT, SE NESËR MUND TË JETË VONË…

March 9, 2022 by s p

Dom Gjergj Meta/

Edhe një herë them e nuk e tërheq asnjë presje: polemikat intestine (që ngjajnë si ngatërrim zorrësh) midis faktorëve politikë në vendin tonë sot për sot nuk janë të mirëpritura, përveçse prej mendjeve të sëmura, militante e delirante.Nevojiten burra dhe gra shteti që merren vesh e jo heronj të vetëshpallur që mendojnë se do të shpëtojnë kombin me vetëm vizionin e tyre. Më shumë se kurrë sot nevojitet kohezion e sidomos politika që kanë si synim shtresat e varfëra të vendit të cilat këto ditë po varfërohen akoma edhe më shumë. Ka shumë frikë e kjo dallohet të rendja drejt magazinave të miellit apo drejt dyerve të institucioneve të bamirësisë. Sot të pasurit duhet të lëshojnë pe e të mos mendojnë se duhet të fitojnë si në kohë paqeje. Po na kërkohet kjo sakrificë të gjithëve e duhet ta bëjmë. Është për të mirën e shoqërisë, sepse ju garantoj që fuqia e një të urituri, sidomos kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve, është shkatërruese. Nëse nuk duam ta provojmë këtë shkatërrim të mos e provokojmë atë fuqi. Kemi nevojë për paqe në këto momente e jo për gërgasës apo bulizues, për spekulatorë e babëzi. Ka një kohë për të gjitha e kjo duhet të jetë koha e solidaritetit e kujdesit për më të dobëtit, parime mbi të cilat themelohet një shoqëri njerëzore vërtetë e tillë. Duhet të jetë koha e dialogut dhe marrveshjes e kjo duhet të ndodhë sot, në mënyrë që nesër të mos jetë vonë.

Filed Under: ESSE

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI FAMILJES RUGOVA PËR NDARJEN NGA JETA TË HAKI RUGOVËS

March 9, 2022 by s p

E nderuar familja Rugova,

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë Haki Rugovës. Unë do ta kujtoj gjithmonë si një mik, shok, bashkëpunëtor, patriot dhe besnik të veçantë Haki Rugovën. Jo vetëm Istogu për të gjithë ne humbëm me ikjen e parakohshme të Haki Rugovës, kryetarit model të Istogut për tri mandate radhazi, nga viti 2010 deri në vitin 2021. Jemi pranë familjes Rugova, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire e humbjeje.

Lusim Zotin për shpirtin e tij.

Pushoftë në paqe e përjetësi.

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Vatra

“AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”, NGA MAL BERISHA PROMOVOHET NË VATËR MË 15 MARS

March 8, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra fton dhe njofton komunitetin shqiptar në New York e më gjërë se me datë 15 Mars 2022, ditën e Martë, ora 6.00 PM, në Selinë qëndrore të Vatrës në Adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 bëhet promovimi i librit “Ambasador i pushtetit të butë” shkruar nga Ambasador Mal Berisha. Ftohet komuniteti shqiptar të marrë pjesë në këtë ceremoni nderimi dhe festë të librit.
Kanë thënë për librin:
“Ambasadori Mal Berisha ka sjellë këtu një larmi episodesh, të përshkruara si tregime të shkurtra, të cilat lexohen me kërshëri dhe ëndje. Ai nuk synon të zbulojë para lexuesit të panjohurat apo enigmat e punës së një ambasadori, siç bëjnë rëndom ish – diplomatët e lartë, kur dalin në pension dhe duan të lënë dëshminë e rëndësisë së vet të jashtëzakonshme gjatë jetës në shërbimin e jashtëm. Jo. Nisur nga këto rrëfime, do thënë se ambasadori Mal Berisha nuk vuan nga asnjë delir protagonizmi. Ai shtyhet nga dëshira për të pohuar se, duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar” – Besnik Mustafaj.
“Mal Berisha mbetet jo thjeshtë më aktivi, por ndofta më i suksesshmi nga të gjithë ambasadorët tanë, kudo që ata kanë shërbyer. Asnjë shenjë inferioriteti, asnjë moment lëkundjeje, por krenar, dinjitoz dhe i barabartë me çdo përfaqësues tjetër diplomatik, Mali paraqitet në çdo pritje, takim apo veprimtari që zhvillohet. Madje, ai me arsye të ftohtë, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme debaton dhe fiton ndaj çdo qëndrimi kaqdashës a provokues, sidomos kur vihet në diskutim çështja jonë kombëtare, pra Kosova e Çamëria apo ata të R.M.V.” – Shpendi Topollaj.
Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Opinion

NË SHQIPËRI VDIQ OPOZITARIZMI SË BASHKU ME SHPRESËN!

March 8, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ja edhe 6 Marsi erdhi e shkoi.  Asgjë nuk zgjidhi në Shqipëri, veçse theksoi edhe njëherë ndasitë dhe përçarjet politike si dhe moskënaqësinë e madhe të shqiptarëve me klasën aktuale politike në vend. Por, zgjedhjet e 6 Marsit treguan gjithashtu edhe njëherë pasqyrën e qartë se çfarë mendojnë shqiptarët për këtë klasë politike që mbizotëron jetën politike në vend për 30-vjet të ashtuquajturit “tranzicion” permanent politik në Shhqipëri. Kësaj radhe, 70% e shqiptarëve as nuk shkuan në vendvotime për të hedhur votën e tyre duke shfaqur me të drejtë urrejtjen e elektoriatit shqiptar ndaj politikanëve dhe gjëndjes së përgjithëshme  politike dhe ekonomike në vend.  Mos pjesëmarrja e 70% e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje është referendumi i vërtetë kombëtar se çfarë mendojnë shqiptarët për këtë klasë politike “post-komuniste”.  30% e zgjedhësve që hodhën votën e tyre në zgjedhjet e 6 Marsit ishin “baza”, që përbën fanatikët partiakë, të cilët votojnë verbërisht partitë, pa marrë parasysh se çfarë i ofrojnë ato shoqërisë shqiptare.  6 Marsi mund të quhet “zgjedhje të pjesshme”, por ama shqiptarët dërguan një mesazh të plot alarmues dhe të pa dyshimtë drejtuar klasës politike dhe ndërkombëtarëve në Tiranë që përkrahin këtë klasë politike: KINI DËSHTUAR! DUHET FILLUAR NGA E PARA! DUHEN ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME TË PËRGJITHËSHME PËR TË SHPËTUAR SHQIPËRINË NGA KATASTROFA! Është e qartë se as partia-shtet që sundon vendin, as “opozita” e përçarë nuk gëzojnë mbështetjen as miratimin nga shumica dërmuese e shqiptarëve.  Edhe ndërkombëtarët, po t’ia duan të mirën Shqipërisë dhe jo vetëm përfaqsuesve të partisë-shtet, duhet që të bëjnë këtë thirrje për një ndryshim rrënjësor poilitik në atë vend, me njerëz të ri dhe ide të reja, para se të jetë vonë.

Me këto zgjedhje — megjithë retorikën, ndonëse nuk u duk aq euforike nga drejtues të partisë-shtet për “fitore” — askush nuk fitoi, as partitë, as kandidatët e tyre, as ndërkombëtarët, të cilët ose aktivisht ose në heshtje mbështetën partitë dhe kandidatët e preferuar të tyre në zgjedhjet e 6 Marsit ashtu siç benë edhe në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të kaluar — jashtë rregullave të qarta diplomatike dhe vijave të kuqe që nuk duhej të shkeleshin kurrë.  Edhe kjo është një lojë e turpëshme ndërkombëtare, në mbështetje të përpjekjeve të partisë-shtet, me qëllim që të zhdukë opozitarizmin e vërtetë politik në Shqipëri. Por, njëkohësisht, edhenë këtë process u kanë humbur shpresën edhe 70% të shqiptarëve — për një jetë më të mirë, në një Shqipëri vërtetë demokratike e të begatë. Humbje shprese siç pasqyrohet me zbrazjen e Shqipërisë, ndërsa të rinjtë dhe të rejat shqiptare po largohen në masë, nga dita në ditë – pa shpresë dhe pa perspektivë për të ardhmen e atdheut të tyre. FATKEQËSISHT EDHE KËSAJ RADHE HUMBI SHQIPËRIA e fituan fanatikët dhe korrupsioni!

Ka vite që kam parashikuar se Shqipëria po shkonte drejtë një vendi autoritar, madje edhe me miratimin, herë në heshtje, e herë aktivisht edhe nga ndërkombëtarët.  Fatkeqësisht, duket se ndërkombëtarët janë të kënaqur me një Shqipëri si Rusia putiniste ose Turqia erdoganiste, ndonëse shumë më e vogël.  Sa herë e kam përdorur atë thënjen “E Buono për Albania” — kur thuhej se Italia fashiste dërgonte mjekë e zyrtarë të dorës së dytë në Shqipëri — kur i jam referuar tolerancës ndërkombëtare ndaj dështimeve të vazhdueshme politike dhe ekonomike të klasës politike shqiptare gjatë 30-viteve të kaluara. Mos vallë edhe sot ndërkombëtarët në Tiranë kështu mendojnë, se Shqipëria e sotëme nuk meriton një klasë politike më demokratike më të ndershme dhe më përgjegjëse ndaj elektoratit shqiptar – përfaqësues të zgjedhur me vota të lira e të ndershme, sipas standardeve të botës demokratike? A po ndërkombëtarët janë të kënaqur me një pseudo-demokraci në Shqipëri, e përfaqësuar nga kjo klasë politike aaktuale dhe thonë nën buzë: E buono per Albania! Zot na ruaj!

Shqiptarët duan ndryshimin e madh demokratik. 30-vjtë që presin. E donin këtë dje dhe e duan edhe sot, për një të nesërme më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Shqiptarët e dinë se me një “autokraci me makiazh demokratik”, nuk vendoset liria as demokracia — begatia jo se jo. Prandaj 70% e votuesve shqiptarë nuk gënjehen kollaj, as nga propaganda e sofistikuar e qeversisë, as nga media e oborrit të qeverisë e madje as nga diplomatët perëndimorë. Pjesa dërmuese e shqiptarëve ndejtën në shtëpi ditën e 6 Marsit, duke mos dashur të bëhen pjesë e një loje të flliqtë e banale të paraqitur nën maskën e demokracisë shqiptare. Shqiptarët e lodhur tanimë presin NDRYSHIMIN E MADH, por janë të vetdijshëm se ai ndryshim nuk vjen nga kjo klasë politike autokrate, të çimentuar jo vetëm në pushtetin qendror por edhe në radhët e partive dhe në rrethe. Pa demokraci brenda partive nuk ka demokraci Shqipëria!

Po e mbyll këtë reagim timin modest për “6 Marsin”, me një citim të botuar pas zgjedhdjeve të 25 prillit të vitit që kaloi — Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf – mbi pasojat  e përjetësimit të një regjimi autokrat ose pseudo-demokrat në Shqipëri dhe pse në atë vend nuk mund të ndodh ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet e lira, në një vend normal. Përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur shumë vite më parë, duke iu referuar regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një pseudo-demokraci, ku  “Autokracia me makiazh demokratik, lëshon rrënjë më të shëndosha se sa vetë diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”.  At Pjetër Meshkalla, ka paralajmëruar në kohën e tij se pasojat e rënda të autokracisë me makiazh demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar, mbasi populli i shpresëhumbur gjunjëzohet prej dëshpërimit, duke u bërë një pré e lehtë për despotët e rinjë me grim demokratik”. 

Në një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë thënë se, “duke i lënë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës, ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar dhe ç’orientuar progresivisht, derisa të katandiset në një turmë të hallakatur lypësarësh të nënshtruar.”   Për më tepër citohet të ketë shkruar At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpunëtorët e tyre mëkatarë, të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre, fasadë mashtrimi!”

Kjo është arsyeja se pse në zgjedhjet e 6 Marsit fituan fanatikët e partive, por humbi Shqipëria. Humbi se 70% e votuesve shqiptarë refuzuan të votojnë për përfaqsuesit e klasës politike shqiptare të “tranzicionit post komunist”, shqiptar. Një mesazh i rëndësishëm ky jo vetëm për qeverinë aktuale dhe për partitë “opozitare”, por edhe për ambasadat perëndimore në Tiranë që, siç duket vazhdojnë të refuzojnë të përballen me realitetin e një “autokracie shqiptare me makiazh demokratik”, si pengesa kryesore drejt themelimit të një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike në Shqipëri, e denjë e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s dhe pretenduese për antarësim në Bashkimin Evropian. Të reflektojnë edhe kësaj radhe — me rastin e zgjedhjeve të 6 Marsit në Shqipëri — dhe, ndërgjegjëshmërisht, të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me makiazh demokratik për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend. Sepse, “Diktatura më e rrezikshme është ajo që paraqitet me maskën e demokracisë.”  Nëqoftse duhet të nxirret një mësim nga të gjithë aktorët politikë shqiptarë, si dhe nga ambasadat perëndimore në Tiranë nga zgjedhjet e 6 Marsit – ai mësim duhet të jetë se një popull i “shpresëhumbur gjunjëzohet më kollaj prej dëshpërimit, duke u bërë një pré e lehtë për despotët e rinjë me grim demokratik”. Mos pjesëmarrja e 70% e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 6 Marsit tregon “një popull shpresëhumbur”, por uroj që ky popull të mos gjunjëzohet para të kësaj të keqe politike që po ia merr shpirtin. 

Frank Shkreli

Filed Under: Politike

DIELLI ME SHQIPTARËT NË ARIZONA, SHKOLLA SHQIPE “ALBANIAN CIVIC CENTER OF ARIZONA”

March 8, 2022 by s p

Elonia Lasku themeluese, organizatore dhe sponsore e mësimit shqip dhe shkollës shqipe në Arizona të Amerikës “Albanian Civic Center of Arizona”, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Arizona, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative pranë “Albanian Civic Center of Arizona”, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Arizonës në Amerikë.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ALBANIAN CIVIC CENTER OF ARIZONA

”Shkolla Shqipe “Albanian Civic Center of Arizona” filloi mësimin rreth vitit 2008. Në fillim ishin 3 femijë: Abi B 6 vjeç, Nikolas K. 7 vjeç dhe Klevis L. 4 vjeç. Shkolla filloi aktivitetin në shtëpinë e Genta Botkës, mësuesja e parë ishte Marinela Konomi me iniciativën e Elonia Lasku, Marinela Konomi, Genta Botka hodhën një hap historik duhet thënë. Pastaj mbas nja 6 muajsh mësimi shqip vazhdoi në Aviano Community Center, Phx, AZ me fëmijët: Nikolas K, Altin e Elisabeth A, Marilyn e Kristian F, Bianca dhe Ambra M, Klevis e Andi L, ku mësuese ishin: Marinela Konomi dhe Fiqiret Zela. Nxënësit që iu bashkuan shkollës më vonë janë Enis V., Euron F., AmeliaF, Rinor G, Alban G, Emma e Besara P, Ana B, Viktorja B, Alma T, Ardita T, Amir D, Adrian D, Daniel D, Valza e Toska R, Anisa V, Ema dhe Era K. Arjana, Alexander, Domenic, Gabriela, Isabela, Eljana, Conner dhe Serana L, Josephine dhe Andersen, Corun, Aya, Emily, Skylar, Alex and Brady nga Pensilvania. Shkolla vazhdoi mësimin rrëgullisht me program gjithëpërfshirës përafërsisht deri ne 2013 dhe organizimi bëhej nga Elonia Lasku si mbështetëse kryesore. Përgjatë viteve 2013-2016 shkolla pushoi së funksionuari dhe ka rifilluar fuqishëm në gusht të vitit 2016 në zonën e Horizon Park Community Center, Scottsdale, Az me mësuese Fiqiret Zela, Doriana Pëllumbi, Xhesina Fidani. Organizatore dhe sponsor i dhomës dhe mjeteve materiale të mësimit për shkollën shqipe“Albanian Civic Center of Arizona” ishin Elonia e Arben Lasku dhe Doriana Pëllumbi. Fëmijët pjesëmarrës në këtë periudhë ishin Josef e Daniela K, Andi e Klevis L, Emma B, Tana, Siena e Anisa H, Rinor, Alban G, Euron F të cilët mësonin gjuhën e bukur shqipe 2 herë në muaj.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E SHKOLLËS SHQIPE“ALBANIAN CIVIC CENTER OF ARIZONA

”Organizimi i mësimit shqip në shkollën shqipe “Albanian Civic Center of Arizona” bëhej i miratuar në detaje prej organizatorëve dhe ishte një program shumë solid që ndihmonte nxënësit për mësimin e gjuhës sonë amtare, historisë dhe për argëtim. Programi përmban: 1)Himni i Flamurit, 2) Mësimi i abetares 1 orë 10:30-11:30am Fiqiret Zela, 3) Punë dore 1/2 ore 11:30-12pm Doriana Pëllumbi, 4) Valle popullore/ shah, basketboll 1 orë 12-1pm, Xhesina Fidani. Mbas mësimit fëmijët hanë drekë së bashku (sponsorizim nga Arben dhe Elonia Lasku). Mësimi shqip në vitin 2017 u zhvendos në ambjentet e Club House Aviano. Programi mësimor ishte i njëjtë 10:30-1pm. Numri i fëmijëve u rrit deri në 15 veta falë mbështetjes së sponsorëve, rritjes së interesit dhe punës së palodhur të mësuesve.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Në shkollën shqipe“Albanian Civic Center of Arizona” lëvrohet gjuha amtare dhe historia e Shqipërisë nga pellazgët, ilirët, arbërit dhe shqiptarët e sotëm. Etapat në të cilat ka kaluar kombi ynë e shteti ynë shqiptar është shumë i rëndësishëm për fëmijët tanë. Në shkollë trajtohen figura të shquara të kombit tonë e personalitete që kanë dhënë shumë për çështjen kombëtare shqiptare. Sipas moshave të nxënësve bëjmë edhe kombiminim e mësimit në mënyrë që çdo grupmoshë të marrë atë që meriton dhe atë që i nevojitet. Në vazhdojmë përgjatë gjithë kohës komunikimin direkt me prindërit duke i nxitur që ti sjellin fëmijët në shkollë, dhe njëkohësisht të bisedojnë dhe me të afërmit e tyre që kanë fëmijë të moshës shkollore. Është domosdoshmëri që të forcohet rrjeti apo lidhja shpirtërore apo atdhetare që vjen nëpërmjet mësimit shqip dhe organizimit të komunitetit tonë në dobi të fëmijëve tanë dhe të çështjes kombëtare e identitetit tonë kulturor.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Gjatë pandemisë globale në vitin 2021 mësimi u zhvillua në platformën dixhitale zoom. Pedagoge Linda Mëniku e drejtoi mësimin nga Tirana së bashku me Znj. Fiqiret Zela. Gjatë gjithë kohës ne nxisim prindërit që të flasim shqip në shtëpitë e tyre në mënyrë që nxënësit ta vazhdojë mësimin edhe në shtëpi jo vetëm në klasë. Në pandemi dhe në çdo kohë është një sfidë shumë e vështirë mësimi i shqipes por me këmbënguljen e prindërve po përparojmë shumë në këtë drejtim. Falë punës së jashtëzakonshme të mësuesve dhe neve si organizatorë, kemi krijuar një lidhje të fortë dhe mësimi i gjuhës shqipe në Arizona po krijon një traditë të qëndrueshme dhe shumë rezultative për të ardhmen.

GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE

Gjuha shqipe është trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare e popullit shqiptar. Është domosdoshmëri që kjo gjuhë e bukur e shenjtë dhe e shtrenjtë tu trashëgohet bijëve e bijave tanë. Nëse nuk ruajmë gjuhën do shuhemi si komb. Investimi për gjuhën shqipe është investim për kombin. Të gjithë ne si patriotë dhe Institucionet përgjegjëse si në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të përkrahin nismat që ruajnë gjuhën dhe identitetin tonë kultuor e kombëtar. Përgjatë orëve mësimore në shkollën shqipe “Albanian Civic Center of Arizona” gjithmonë mundohemi që të ngrejmë lart krenarinë tonë kombëtare duke folur për lashtësinë e Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe si dhe për figura të shquara të kombit shqiptar në botë që frymëzojnë çdo shqiptar.

KUSH JANË MËSUESIT E SHKOLLË SHQIPE?

Shkolla shqipe “Albanian Civic Center of Arizona” në Arizona është themeluar, ka ekzistuar dhe forcohet çdo ditë falë punës dhe përkushtimit të investitorëve, mbështetësve dhe punës së shkëlqyer të mësuesve: Elonia Lasku DDS që është dentiste me klinikë private në Amerikë. Fiqiret Zela mësuese e përkushtuar edhe pse në moshe 85 vjeçare ka 35 vjet në arsim. Doriana Pellumbi – e specializuar në administrim të zyrave mjekësore. Xhesina Fidani – studente në degën farmaci. Në 2018 shkolla shqipe është e regjistruar me IRS si “Albanian Civic Center of Arizona” si organizatë non for profit. Shkolla është pa pagese për nxënësit që nga fillimi i saj. E ardhmja e shkollës shqipe në Arizona duket shumë premtuese dhe ne shpresojmë të zgjerojmë mundësitë për fëmijët tanë, numrin e nxënësve dhe mbi të gjitha kushtet për një mësim sa më dinjitoz dhe tërheqës në shërbim të gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT