• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

Lavdi Epopesë së UÇK

March 8, 2022 by s p

Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, Ambasadori Frymëzim Isufaj, i shoqëruar nga Lulzim Krasniqi-Këshilltar, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh në varrezat e vëllezërve Bytyqi. Këto homazhe, të cilat organizohen çdo vit nga Batalioni Atlantiku, bëhen në nderim të Epopesë së UÇK-së-rënies heroike dhe sakrificës kolosale të familjes Jashari. Ambasadori Isufaj tha se duke kujtuar Ditët e Epopesë së UÇK-së, përulemi me nder përpara sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Ditët e lavdishme të UÇK-së-5,6 dhe 7 marsi të vitit 1998 qenë thirrje e kushtrimit për liri. Ato çuan te mobilizimi kolektiv për të triumfuar të keqen. Ishin ditët e ngritjes së ndërgjegjes sonë kombëtare për rimëkëmbjen e identitetit tonë.Familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të mbesin vlerë kombëtare e historisë sonë më të re.

Filed Under: Featured

Dita e Mësuesit dhe e Gruas mbledh aktivistet shqiptare në Kanada

March 8, 2022 by s p

Shani Pnishi/

Dy ambasadat tona në Kanada, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës kanë bashkëorganizuar aktivitetin me rastin e 7 marsit- Ditës së Mësuesit dhe 8 marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas në kryeqytetin kanadez, Ottawa. Kjo ngjarje mblodhi në një ambient festiv mësuese të gjuhës shqipe, gra dhe vajza aktiviste shqiptare nga qytetet e Montrealit dhe Ottawa-s.Në postimin e ambasadës shqiptare në faqen e saj në Facebook ndër të tjera thuhet: “Aktiviteti gjatë së cilit u pasqyrua edhe ekspozita fotografike ‘Roli i gruas në zhvillimin e shoqërisë shqiptare’, shërbeu për të evidentuar dhe ritheksuar bashkërisht vlerësimin ndaj kontributit të vyer të mësuesve dhe rolit aktiv e tejet të rëndësishëm të gruas shqiptare në jetën komunitare, për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si edhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare dhe forcimin e lidhjeve me Kanadanë”.Në njoftimet e shpërndara nga dy ambasadat theksohet se ata përcollën mirënjohjen institucionale për shkollën dhe mësueset e gjuhës shqipe në Otava, si edhe për znj. Lumturi Bejkosalaj, e cila njihet familjarisht për kontributin e saj të hershëm në veprimtarinë komunitare në kryeqytet.Krahas zonjave nga Ottava dhe Montreali që ishin të pranishme në ngjarjen e organizuar, përmes videomesazheve të urimit për të pranishmit, disa zonja me kontribut të çmuar në aktivitetin komunitar dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe nga Toronto, Calgary, Vancouveri, Londoni dhe Kitcheneri. Duke përjetuar edhe ngjarjet e fundit në Ukrainë, një moment i veçantë iu kushtua shprehjes së solidaritetit njerëzor me gratë, vajzat dhe popullin ukrainas. Të pranishëm ishin edhe dy ambsadorët, ai i Shqipërisë Ermal Muça dhe ai i Kosovës Adriatik Kryeziu, të cilët përgëzuan gratë shqiptare për punën dhe angazhimin e tyre në komunitet.Ndërkohë në disa qytete të mëdha të Kanadasë këto ditë, kur edhe po përjetohen ditët e para të lehtësimit të masave të pandemisë COVID-10, ka nisur edhe ringjallja e aktiviteteve në komunitet. Paralelisht me organizimin në kryeqytet, Shoqata Shqiptare e Hamiltonit organizoi Mbrëmjen e saj tradicionale të 8 Marsit, duke mbledhur rreth 700 gra nga krahina e Ontarios dhe më gjerë, që është ndër organizimet më masive të grave shqiptare në Kanada.

Filed Under: Komunitet

E dashur grua…

March 8, 2022 by s p

Rajmonda Xhetani/

Nuk është vetëm kjo dita jote, ti meriton të festosh më shumë se një herë në vit.Forca, inteligjenca, klasi, e sharmi yt nuk mund të vihen re vetëm sot.Ti ke lindur e fortë, dhe ke mundësi të jesh çdo ditë e më shumë. Një grua e fortë është e bukur, ajo e pranon luftën që kalon, e plagët e marra vetëm e fisnikërojnë. Kush tha që një grua e fortë s’mund të jetë e ndjeshme, dhe femërore? Frika dhe lotët nuk të bëjnë të dukesh e dobët.E dashur, nuk ka asgjë më të fortë se një grua e “e vrarë” që është rikthyer në jetë.Është mahnitëse ajo grua që qesh, qan, lumturohet, vuan, e në një të nesërmë dhuron pafund dashuri.E fortë është ajo që di të fsheh pikëllimin, edhe kur i është cënuar paqja në shpirt, e që nuk viktimizohet për të mbajtur pranë vetes një burrë. Vetrespekti fiton mbi ndjenjat…E dashur, buzëqesh! Vrarja më e fortë në fytyrën tënde, duhet të jetë vija e buzëqeshjes. Të lumturon vëmendja dhe respekti? Nuk bën gabim t’i kërkosh.Kërkoji, e kur nuk i merr, kushtoi kohë një personi që i mbushet shpirti nga shkëlqimi i syve të tu dhe do e “vriste” çdo lot i yti. Është shumë bukur të komunikosh me dikë që të kupton edhe kur ti nuk flet. Nuk të pëlqen rruga ku po ecën? Po të mundon? Ndërro rrugë, pa zhurmë…mbase një rrugë e bukur është e shtruar për ty, e dikush që nuk frikësohet nga asgjë do të ecë me ty. Kështu do të jesh e qetë dhe e sigurtë për çdo hap të hedhur.Zgjuarsia jote nuk duhet të të trembë. Përmbush veten me të dhe njerëzit që të zbukurojnë jetën. Është energjia e më shumë se e një mijë diejve që fshihet brenda teje.Bëhu ndodhia më mahnitëse që Zoti ka shkruar në jetën e dikujt!Mos vrapo pas parave, rend pas një shpirti të bukur, aty do gjesh gjithë pasurinë që ti ke nevojë.Asnjë dhuratë nuk e mund dot fuqinë e një shpirti të bukur, e të fjalëve që dalin nga ky shpirt. Ato shërbejnë si “lëndë diegëse”, për të kaluar e harruar çdo pengesë, dhimbje e problem.E dashur grua… çdo ekperiencë që kalon është diçka e re e mësuar, le të jetë e hidhur, nuk ka mësues më të mirë.Mbushi “bateritë” me afeksion për një burrë që të frymëzon të mos jesh vetëm e që është i sigurt për hapat që do të hedhë me ty. Dashuria e çarmatos një femër nga pushteti…le ta pranojmë!Një femër di të jetë, një vajzë e hijshme, një shoqe e shkëlqyer, një nënë e mrekullueshme si dhe një profesioniste që përpiqet të promovojë maksimalisht vlerat dhe aftësitë e saj.E dashur, vlera jote nuk është vetëm fiziku yt, e mos lejo të vlerësohesh vetëm për të. Mos u ul në një cep të një zyre, shtëpie, e aq më tepër në qoshe të zemrës së një mashkulli!Nëse një grua zotëron një buzëqeshje plot dritë, një shpirt e mendje të bukur, mund të ndryshojë jetën e kujtdo që ka pranë.Mars 2022Rajmonda Xhetani

Filed Under: ESSE

FIGURA SHUMEPLANESHE E FEMRES SI AUTORE DHE SI PERSONAZHE

March 8, 2022 by s p

Mirseda Daci/

Femër. Mjafton të thuash këtë fjalë dhe menjëherë të vjen ndër mend pengimi. Femra më duket si një ishull i rrethuar me det, por ky i fundit përfaqëson vështirësitë që e rrethojnë atë.Në jetën tonë të përditshme ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve të tmerrshme e të papëlqyeshme, ku gruaja trajtohet në mënyra çnjerëzore. Po përse duhet të ndodhin këto? Duket sikur fantazma e mjerimit endet akoma mes nesh. Jo më kot Musineja vendosi femrën si personazh qëndror të rrethuar nga mentaliteti primitiv e nga zakonet me pushtet mizor, ”nga trysnia e mashkullit shqiptar dalë nga psikologjia mesjetare”.“Të vdekura për së gjalli, nuk kemi kaluar veçse një jetë burgu ,të përplasura prej zakoneve të mykura, frikës së të mëdhenjve, ndënë tmerrin e burrit i cili ishte një forcë e patundur. Ne të mjerat gra…ishim veçse një lodër e tyre, edhe prishja më e vogël e qejfit ,ishte shkak dërgimi në shtëpinë e babait.” Një gjendje e rëndë psikologjike dhe morale peshonte te personazhet femërore.Të bën përshtypje paraqitja e kronikave të jetës së një vajze shqiptare nga lindja deri te martesa. Eshte e habitshmese si pavarësisht ndryshimit të kohës, mentaliteti që rëndon mbi femrën ka mbetur i njejti. ”Më mirë të bëjë njeriu krimba sesa femra”Që në lindje femra shikohet me tjetër sy. Që kur është foshnje ajo shikohet me hidhërim. A është ky vetëm mentaliteti i shqiptarit për të pasur një trashëgimtar mashkull? Sigurisht që jo. Ky nuk është privim nga dashuria prindërore, por është realiteti ai që rëndon mbi supe. Eshtë fati tragjik i këtyre krijesave mjerane për të cilat jeta ka ruajtur dhuratat më të pakëndshme.Gjithë jetën të nënshtruara përballë forcës së burrave , ndoshta është kjo arsyeja pse Kokalari i ka vendosur veprat e saj në një mjedis të mbyllur, sepse “e mbyllur” është edhe jeta e femrës. ”Bela është vajza kur rritet,gjumi nuk më zë natën deri sa ta dërgoj edhe këtë në punën e saj”. Këto janë mendimet e nënave tek të cilat rëndon frika shekullore se mos vajza u mbetet në derë.“…Sa u tunt jeta” është shtegu i kapërcimit nga vajzëria, në nusëri, për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit. Xhemileja ishte vajza e radhës që tashmë do të martohej. ”Një milë e një grosh dhe le ta mbarojmë këtë punë”. A mund të quhet martesë kjo, kur femra, një krijesë njerëzore ashtu si dhe meshkujt, trajtohet si të jetë një rrobë e pavlerë tregu? A është e gatshme një fëmijë të krijojë familje? Po pavarësisht këtyre a është e logjikshme të krijosh një lidhje martesore pa pyetur për ndjenjat? Askush nuk i mendon këto gjëra përveç nënës, e cila e ka kaluar vetë këtë etapë më parë.Musineja përshkruan dy fusha paralele në vëllimin “…Sa u tunt jeta”. Nga njëra anë shfaqet një mjedis i mrekullueshëm dasme gjirokastrite, me këngë, valle, tradita e zakone, me lojra fjalësh mes grave. Nga ana tjetër shfaq merakun e nënës për vajzën, e njëkohësisht gjendjen psikologjike të vajzës.Tregimi që mbart më qartë këtë mendim është “Nën’ e vajzë”, ku nëna jep porositë e fundit para se vajza të shkojë në “shtëpinë e jetës”. “Eshtë, ç’është , mirë, e ligë ti mos hap golën se ke më të mëdhenjtë mbi kokë…”, një këshillë se si vajza të bëhet robëreshë, ashtu si nëna e saj dikur. Por shkrimtarja nuk ndalet këtu. E vendosur që të plotësojë zinxhirin jetësor, ajo e paraqet gruan edhe në rolin e kunatës, e cila përpiqet me çdo kusht t’ia nxijë jetën nuses së vëllait, ndoshta nga smira që vetë ka mbetur pa martuar. ”Eshtë thëngjill i mbuluar, mësallë me di faqe, shpon ndënë dhe…Moj të keqen, ku i gjen gjithë ato rema nuk e di, pastaj se si ndreq e i thotë…aqë të bën ti besoç një më një…”Por “drama” vazhdon më tej, përballë nuses shfaqet një tjetër personazh, pikërisht vjehrra.”Eh! Që më hëngri, që s’i pushoi birbili. Nuk durohet edhe kjo, s’kam parë një ditë të bardhë që kur kam kallur këmbën në këtë të zezë gërmallë…A ma! Nuk dilet edhe kështu, ma mori shpirtin , ma hangri me gërnjë ”. Nga këto rreshta kuptojmë se vjehrra, e mësuar me zakonet e veta, kërkon të komandojë akoma dhe të jetë në qendër të vëmëndjes. Por nga ana tjetër nusja kërkon të tregojë se edhe ajo di të udhëheqë mbarëvajtjen e punëve në familje. Kështu nisin kontradiktat dhe një debat shekullor mes tyre.Musineja paraqet një femër të plotësuar në të gjitha fazat jetësore. Përshkruan një femër në pafajësinë e saj, në kohën e foshnjërisë, më pas në rolin e vajzës, të nuses, kunatës, vjehrrës e të gjyshes.Janë pikërisht situatat nëpër të cilat kalon kjo grua ato që ndikojnë në sjelljen ndaj brezave të ardhshëm. ”Donin të mirrnin hakën nuseve, për ato që kishin pësuar vetë kur ishin të reja”. Kështu pra nga njëra anë kemi një nuse që vuan nga vjehrra, e për pasojë kur bëhet vetë vjehërr, kërkon t’i zbrazë inatin e viteve nuses. Nga ana tjetër kemi kategorinë e vjehrrave të mira, të cilat kanë vuajtur vetë nga vjehrrat e tyre, nga kjo kanë nxjerrë mësim, e për pasojë sillen mirë me nuset. Por vlen të përmendet edhe një rast tjetër kur vjehrra e vë veten në pozicionin e nënës, ajo ka vetë vajzë, e nuk do që e bija të vuajë nga “kthetrat e egra” të vjehrrës, prandaj shfaq një sjellje të mirë ndaj nuses.Ka një tërësi mendësish lidhur me këtë , bazë e së cilës janë ndjenjat. Eshtë fjala për ndjenjat sublime të një nëne për fëmijën, të vajzës për nënën, motrës për vëllain, vjehrrës për nusen. Janë ndjenjat e nëpërkëmbura të një gruaje për burrin dhe anasjelltas. ”Gratë asgjë nuk vlenin,nuk ishim asgjë tjetër veçse skllave të mbërthyera duarsh e këmbësh prej prindërve tonë. Shkonim si nuse jo për të rrojtur me shokun e jetës, por për të shërbyer vjerat grindare që nuk kishin tjetër qëllim veçse të na shtynin në mosmarrëveshje me burat. Ne me ato nuk do të lidheshim me asnjë dashuri shpirtërore,përveçse me frikë…”Dashuria, fuqia më e madhe në botë, dielli që ngroh çdo ditë, hëna që na mëson enigmat më të mistershme. Asnjë nga këto krahasime nuk vlen sepse në këtë rast ajo nuk është një yll i veçantë mes yjeve të tjerë. Sepse në këtë rast ajo nuk ekziston. Jetesa mes bashkëshortësh nuk ngrihet mbi bazën e dashurisë, por mbi atë të interesit. Prandaj edhe këto personazhe janë të destinuara të jetojnë ashtu si paraardhëset e tyre femra. Mbi to rëndon një “mëkat”mijëravjeçarë, mëkati i të qenurit femër. Ato duhet ta shlyejnë këtë mëkat duke jetuar si të tilla dhe duke u dhënë shembullin e tyre brezave të ardhshëm. Pavarësisht se gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, realiteti për to është bërë një jetë e vështirë, e rëndë, e trishtuar, ku mbi gjithçka vepron morali i rreptë i kohës së vjetër.

Filed Under: LETERSI

LIDERSHIPI I FEMRËS SI LIDERSHIP SHËRBËTOR

March 8, 2022 by s p

Dr. Iris Halili

“Lidershipi i vërtetë arrihet kur liderët e kuptojnë që janë në shërbim të njerëzve që drejtojnë.” Pete HoekstraLidershipi i femrës është një fakt i epokës postmoderne. I shfaqur si një fenomen i natyrshëm në të gjitha nivelet, ai ka sjellë tipare që padyshim kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Pothuaj të gjithë teoricienët e lidershipit arrijnë në një pikë të përbashkët mendimi: lidershipi femëror prezanton tiparet e lidershipit transformues, shpirtëror, pjesëmarrës e mbi të gjitha të atij shërbëtor. Gjithashtu, të gjitha studimet njëzëri konkludojnë se femrat në krahasim me meshkujt kanë një nivel më të lartë të inteligjencës emocionale dhe ky është një tjetër faktor që i bën ato të suksesshme në misionin e liderit. Po të shkojmë mbrapa në kohë, pikërisht te roli i femrës ndër shekuj do të dallojmë se ajo në fakt gjithmonë ka drejtuar në heshtje. Miti i Adamit dhe i Evës është një provë e fortë. Adami vërtet e shijoi i pari mollën por drejt këtij akti e orientoi dhe e drejtoi Eva. Ajo ishte udhëheqësja e vërtetë, që në heshtje e me bindje e çoi Adamin drejt aktit final. Po t’i kthehemi shumë miteve greke, por edhe më të lashta se to, gjithmonë do të vemë re femrën që këshillon në heshtje, vepron në heshtje por që gjithmonë ka influencë e gjurmë në vendimmarrje. Njeriu i lashtë jo rastësisht kishte vendosur në Olimp shumë perëndi femra; ishin ato që në më të shumtën e herëve vendosnin fatet e njerëzve, fatet e paqes apo të luftës. Kjo rrëfen më së miri se në ndërgjegjen e njeriut të lashtë femra kishte aftësi drejtuese, përcaktuese, dhe mbi të gjitha, shumë herë decizive. Po t’i rikthehemi rolit të saj në institucionin e parë që historia e njerëzimit ka njohur dhe që është familja, do të shohim që femra sërish ka pasur një rol lidershipi në heshtje. Ajo nuk shfaqet hapur, por është prapa çdo vendimi dhe jep mendimin e saj te partneri duke influencuar thellësisht në gjykimin dhe vendimet e tij. Ajo ka drejtuar “nga prapa dhe në heshtje” në jetë të jetëve. Kjo do të thotë se pozicioni i saj i sotëm në lidership nuk është risi për seksin femëror, por është thjesht një shprehje e hapur e asaj që ajo e ka kryer ngaherë dhe është thjesht një shfaqje natyrore e arketipit të trashëguar. Femra në vetvete trashëgon shumë arketipe që e kthejnë atë vetvetiu në një lider të suksesshëm, por pikë së pari ajo mbart arketipin e shërbimit pa kushte. Nëse femra është një lider, ajo shfaqet së pari si një lider shërbëtor. Ndër teoricienët e lidershipit i pari që foli për lidershipin shërbëtor ka qenë në vitin 1970 Robert Greenleaf i shkollës amerikane të lidershipit, i njohur edhe si babai i lidershipit shërbëtor në botën moderne. Në fakt termat lider dhe shërbim, i kemi gjetur shumë pranë njëri-tjetrit si fillim në Bibël në gojëtë Jezusit. Sipas Tij, çdokush që pretendon të jetë një lider, së pari duhet të jetë një shërbëtor, pra duhet t’u shërbejë ndjekësve të tij. Shërbimi për femrën nuk është diçka që ajo duhet ta mësojë apo për të cilën ajo duhet thelluar në studime; përkundrazi, është diçka që te femra gjendet fare natyrshëm pasi është pjesë e lindur e saj. Në ndryshim nga meshkujt, ajo nuk shqetësohet aspak të kryejë shërbimin maksimal dhe pa kushte në çdo pozicion lidershipi. Këtë ajo e bën pa sforco dhe pa drojë. Është arketipi femëror që e çon femrën vetvetishëm drejt lidershipit shërbëtor. Nisur nga arketipat e trashëguar të femrës dhe krahasuar këto me cilësitë e liderit shërbëtor do të shohim shumë ngjashmëri, por mbi të gjitha të dy palët ndajnë të njëjtat vlera njerëzore. Le të rreshtojmë disa ngjashmëri mes krahasimeve:

1. Femra është e prirë të japë dashuri, po ashtu bën edhe lideri shërbëtor. Askush më shumë se një femër nuk mund të njohë artin e dhënies së dashurisë. Femra ka qenë gjithmonë një ‘dhënëse”. Arketipi e udhëheq të japë ndjenja pozitive pa kushte. Roli i saj në familje më shumë se i kujtdo tjetër ka qenë shpirtëror dhe ajo është ndjerë gjithmonë e privilegjuar në realizimin e këtij misioni. Ajo mbetet dhënësja e përjetshme dhe e devotshme e ndjenjave dhe ajo nuk ndihet aspak në siklet në këtë rol. Gjithmonë i kemi bërë pyetjen vetes, pse një femër qan pa drojë në publik ndërsa për një burrë kjo do të quhej dobësi? Përgjigja është fare e thjeshtë. Femra nuk ka drojë t’i shfaqë hapur ndjenjat e saj dhe në mënyrë krejt të sinqertë. I njëjtë është lideri shërbëtor, ai nuk kursehet t’i shfaqë hapur emocionet e tij pozitive për ndjekësit. Këta të fundit e duan liderin shërbëtor pikërisht se gjejnë tek ai njeriun që i do pa kushte dhe u shërben pa kushte.

2. Femra nga natyra ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranuese dhe jo përjashtuese. I tillë është edhe lideri shërbëtor. Arketipi i saj ndër shekuj është zhvilluar më shumë drejt pranimit se drejt përjashtimit. Që nga mitet më të lashta e deri tek ato më moderne gjejmë figura të femrës që e prezantojnë atë më shumë drejt paqes dhe krijimit të urave të progresit se drejt regresit apo shkatërrimit. Roli i saj në familje për mijëra vjet ka qenë të ndërtojë harmoni dhe ura komunikimi. Ajo nuk e dëshiron dhe nuk e ushtron përjashtimin. Arketipi që vjen nga roli i saj në familje na mëson se në rolin e nënës, femra gjithmonë i ka pranuar fëmijët e saj pa asnjë mëdyshje edhe pse mund të mos ketë qenë dakord me zgjedhjet apo veprimet e tyre. Poema e famshme e Robert Frostit, “Vdekja e ishpunonjësit” mund të jetë një referencë e mirë për këtë çështje. Kjo poemë konsiderohet në historinë e letërsisë, psikologjisë apo dhe sociologjisë, si referenca më më e mirë se si dy sekse apo karaktere të ndryshme mbajnë qëndrim krejt të ndryshëm për të njëjtin fenomen. Wiliam dhe Mary janë një çift pa fëmijë që jetojnë e drejtojnë një fermë. Silas është një ish-punëtor i tyre që dikur i ka braktisur duke ua lënë punën pa mbaruar. Poema fillon kur Mary kthehet në shtëpi dhe i tregontë shoqit se kishte takuar Silasin, që ishte shumë i sëmurë dhe pa strehë dhe dëshironte të vinte dhe të kalonte ditët e fundit të jetës në shtëpinë e tyre. Wiliam zemërohet nga kjo kërkesë dhe nuk pranon kurrsesi t’i hapë derën dikujt që e kish tradhtuar dikur. Nga ana tjetër Mary, shumë zemërgjerë, ofron natyrën pranuese dhe të butë të femrës, duke vlerësuar se do të ishte më mirë që atij t’i hapej dera duke lënë prapa çdo gjë që kish ndodhur më parë. William pasi kundërshton pritjen e Silas i thotë së shoqes: “Shtëpia është vendi ku dhe kur duhet të shkosh dhe ku ty të presin” ndërsa e shoqja ia kthen: “Unë do ta quaja, shtëpia është ajo gjë që ndoshta edhe nuk e meriton”. Pra dukshëm William i qëndron besnik parimit të korrektësisë, ndërsa Mary atij të zemërgjerësisë dhe pranimit pa kushte. Shtëpia për Wiliamin është vetëm vendi ku duhet ta meritosh pritjen, ndërsa për Maryn shtëpia duhet të jetë streha e përhershme, pavarësishtnëse e ke merituar apo jo pritjen. Parimi human “çdo njeri ka nevojë për një strehë” është bindja e Maryt, ndërsa ajo e Wiliamit është “çdo njeri duhet ta meritojë një strehë”. Ky dialog kaq i thjeshtë nga dy fermerë mbart në fakt një filozofi të tërë, që fillon me pyetjen: A duhet dhënë dashuri pa kushte apo kjo duhet merituar? Duhet hapur porta dhe duhet ndihmuar e pranuar çdo nevojtar apo kjo duhet merituar? Mary simbolizon shpirtin e butë të femrës, e cila gjithmonë ka qenë dhe mbetet dhënësja pa kushte. Ajo simbolizon ndërkohë edhe lidershipin shërbëtor që parim thelbësor ka shërbimin ndaj ndjekësve pa asnjë kusht dhe pa pritur asgjë në këmbim

3. Femra e ka kujdesin pjesë të arketipit të saj; të tillë e ka kujdesin edhe lideri shërbëtor. Ndjekësit për femrën në lidership janë si vetë fëmijët e saj. Misioni i parë biologjik i çdo femre ka qenë dhe mbetet kujdesi pa kushte ndaj fëmijëve. Pushteti për femrën nuk është qëllim në vetvete, as mision që është thirrur për ta arritur. Në të kundërt kujdesi është qëllim, është mision që ajo e trashëgon dhe ushtron shumë mirë. Femra e ndjen pushtetin, e kërkon dhe e shijon si kujdestari, jo si ekzistencë apo kënaqësi ekzistence. Kjo e afron akoma dhe më shumë me liderin shërbëtor. Qëllimi universal i çdo femre është të shohë fëmijët e saj të arrijnë më të mirën, të realizojnë ëndrrat e të jenë sa më të suksesshëm dhe për këtë ajo afron kujdesin maksimal krahasuar me këdo përreth saj. Në të njëjtën formë të vetvetishme femra në lidership përpiqet, kujdeset dhe sakrifikon maksimalisht që ndjekësit e saj të arrijnë qëllimin dhe suksesin. Dhe këtu ajo është sërish shumë pranë liderit shërbëtor.

4. Si femra dhe lideri shërbëtor kanë aftësinë dhe durimin të dëgjojnë dhe të shfaqin tolerancë. Duke qenë prej mijëra vjetësh në hije, femra ka ndërtuar arketipin e një natyre tolerante dhe në shërbim, ku dëgjimi me durim ka qenë pjesë e pandarë. Duke dashur gjithmonë të përkrah partnerin e saj mashkull, ajo pas çdo dëgjimi ka dashur ngaherë të jetë e sinqertë dhe e vërtetë në këshillat e saj, por ajo asnjëherë nuk ka reshtur së qeni tolerante, pasi dhe vetë pozicioni saj si seks i dytë, ja ka imponuar këtë qëndrim ndër gjenerata. Të njëjtin profil ka lideri shërbëtor. Ai është dëgjuesi më i mirë krahasuar me të gjithë llojet e tjera të lidershipit, por ai është dhe më paqësori dhe toleranti. Lideri shërbëtor i dëgjon me vëmendje ndjekësit e tij, kërkesat e tyre dhe përpiqet maksimalisht të vihet në shërbim të tyre. Ai zgjedh gjithmonë paqen në vend të luftës, tolerancën në vend të konfliktit, fjalën në vend të armës. Martin Luter King apo Gandi ndërtuan një lëvizje të tërë të bazuar vetëm në këto parime dhe fituan një kauzë që deri para tyre dukej krejt e pamundur.

5. Femra sakrifikon, po kështu vepron dhe lideri shërbëtor Arketipi i femrës gjithmonë është ndërtuar mes veprimeve të sakrificës. Edhe e gjithë anatomia e saj është bazuar në bazë të akteve të sakrificës. Çdo femër mban me vete pasurinë e të qenit nënë dhe natyrshëm çdo nënë ka instinktin të vendosë fëmijët para vetes, të vetëflijohet për fëmijët në çdo rast e në çdo kohë. Ajo mban fëmijën 9 muaj në trupin e saj; ajo ndien dhimbje gjatë lindjes. Ajo i jep gji dhe kujdeset për fëmijën për vite me radhë; ajo kujdeset për sa e sa shumë detaje rrotull shtëpisë. Vetë trupi i saj është ndërtuar me një anatomi për të vuajtur më shumë. Natyrshëm, ajo është ndërtuar biologjikisht të durojë më shumë; ndaj në pozicione lidershipi ajo nuk zgjedh të sakrifikojë; ajo e bën këtë natyrshëm, pasi arketipi i saj punon po kaq natyrshëm. Nga ana tjetër, lideri shërbëtor sakrifikon për ndjekësit deri në vetëmohim. Nuk është rastësi që në më të shumtën e rasteve liderët shërbëtorë janë kthyer në heronj të ndjekësve të tyre dhe kanë frymëzuar gjenerata. Vetë jeta e tyre e vetëmohuar dhe e sakrifikuar është një shembull frymëzimi. Gandi apo Martin Luter King janë shembujt më konkretë. Përderisa një femër trashëgon gjithë arketipat për të qenë një lider i suksesshëm shërbëtor, kjo do të thotë se femra nga natyra është e prirë të jetë një lider shumë i arrirë; Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sa herë që shohim një femër në drejtim ajo vetvetiu është e suksesshme. Analiza që bëmë u referohet virtyteve të lindura të femrës që e prijnë atë drejt lidershipit shërbëtor. Por lidershipi në vetvete është ndoshta pozicioni/ profesioni më i vështirë dhe jo i lehtë për gjithkënd. Kjo do të thotë se ndonëse nga arketipi femra trashëgon shumë dhunti të artit të drejtimit, sërish kjo nuk do të thotë se ajo automatiksht do të jetë e suksesshme kudo dhe sa herë drejton. Lider më shumë bëhesh se lind, thonë njëzëri të gjitha shkollat e lidershipit. Mes tipareve të trashëguara dhe atyre të fituara apo të përvetësuara, gjithmonë krijohet një balancë dhe nuk dihet kush merr me shumë përparësi. Tiparet e lindura kanë të bëjnë më shumë me natyrën e liderit, por tiparet e fituara kanë të bëjnë më shumë me karakterin e tij dhe dihet se sikurse në jetë edhe në lidership përcaktuese nuk bëhet natyra e liderit por karakteri i tij. Ndaj nuk është habi që ne kemi njohur e parë shumë femra të suksesshme në lidership, sikurse kemi parë edhe opozitat e tyre!!!!!!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT