• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Para legalizimit, duhet ta dimë mirë se çfarë është Marijuana

April 22, 2022 by s p

Dr. Zekri Palushi, (MD), -Australi.

21 Prill 2022 

Dihet se komponenti kryesor psiko-aktiv i marijuanës, përgjegjës për shumicën e efekteve intoksikuese, që njerëzit pëlqejnë, është THC (Tetrahydrocannabinol), e cila, gjëndet në gjethe, dhe disa prej pjesëve të luleve të kësaj bime. Kjo bimë përmbanë edhe mbi 500 kimikale të tjera, përfshi edhe mbi 100 përbërës, të quajtur cannabinoids, që lidhen me THC.  Ndërsa, nga majat e bimës femër të marijuanës, nxirret hashashi.
Nëse marijuana, pihet si cingare, -sigurisht që fillimisht shkon në mushkri, -prej këtu, hynë në qarkullimin e gjakut, -e pastaj, nëpërmjet gjakut, shkon direkt në tru. Prandaj kjo rrugë-marrje shoqërohet me një fillim të shpejtë përjetimi efektesh, në formën e një euforie të kënaqëshme, dhe ndjenjës rrelaksuese. Ka nga ata që mund ta përjetojnë si një përceptim të rritur ndjeshmërie, (psh. ngjyrat tu duken më të ndritëshme, qeshin pa kuptim, u ndryshon perceptimi për kohën, dhe mundë të kenë rritje oreksi). Ka edhe shumë të tjerë, që në vend të kënaqësisë, përjetojnë ankth, frikë, mos-besim, dhe panik. Por ka edhe nga ata që e përjetojnë me shenjat e një psikoze akute, (sidomos kur marrin një dozë më të madhe nga ajo “që u duhet”). Në këtë rast,  përdoruesit shfaqin hallucinacione, deluzione, dhe humbje të sensit të identitetit personal, -shënja që mund të avancojnë drejt shfaqjes së një skizofrenie. Nqs marijuana konsumohet si e hedhur në ushqim, (apo në pije), atëherë efektet e sajë ngadalësohen rreth 30-60 minuta, sepse fillimisht do ti duhet të kalojë në traktin e tretjes. Në këtë rrugë, -një sasi më e pakët THC kalon në qarkullimin e gjakut, -e si rrezultat, konsumuesi merr “më pak” THC, që mundohet ta kompensojë duke shtuar sasinë e sajë. Do të ishte mirë, -për të gjithë përdoruesit, por sidomos për RININË shqiptare, që  të shpjegonim pak mekanizmin e veprimit farmakologjik të kësaj bime, që lidhet pra kryesisht me THC, –struktura kimike e sëcilës,  është shumë e ngjajshme me atë të anandamide,-neurotransmetues, që përcjellë mesazhe kimike në mes qelizave nervore, -e që influencon ata pjesë të trurit që merren me kënaqësinë, memorjen, mendimin, koncentrimin, lëvizjet, kordinimin, ndjeshmërinë dhe perceptimin e kohës. Kjo e bën lehtësisht të kuptueshme edhe efektin e THC, -ngjajshmëria strukturale e së cilës,  mundëson bashkngjitjen e sajë, me molekulat e quajtura cannabinoid receptors, që ndodhen në neuronet e disa zonave të trurit. – THC, duke i aktivizuar këto zona, – ndërpret  disa prej funksioneve  mentale, dhe fizike, -e si pasojë, shfaqen shenjat, apo efektet e sipër-përmendura.
Rrjeti i komunikimit nervorë, -që përdorë këto neuro-transmetues cannabinoid, e që njifet edhe si endocannabinoid system, luan një rrol kritik në funksionimin normal të sistemit nervorë, -prandaj, interferimi me të, mund të ketë një efekt dëmtues ekstrem.
Psh.: –THC është në gjendje të alarmojë funksionimin e hippocampus, dhe korteksit orbito-frontal, -zona truri që i lejojnë një personi të formojë memorizime të reja, dhe të ç’vendosë vemendjen e përqëndruar. Ktu del se përdorimi i marijuanës, shkakton dëmtime të mendimit, dhe pengon aftësitë për të mësuar dhe zgjidhur detyra të komplikuara. THC, gjithashtu ndërpret funksionimin e cerebellum, dhe të ganglioneve bazale, -pra zona të trurit që rregullojnë/kontrollojnë balancën, pozicionet trupore, kordinimin, dhe kohën e ndërveprimeve. Kjo është edhe arsyeja që përdoruesit e marijuanës, mund t’mos jenë të aftë me drejtue mjete transporti. Marijuana është droga që gjendet më së shumti në gjakun e shoferëve të përfshirë në aksidentet automobilistike, shpesh me perfundime fatale.

Po kështu, THC, -nëpërmjet shfrytëzimit të receptorve cannabinoid, aktivizon sistemin e shpërblimit të trurit, që përfshinë zonat që komandojnë përgjigjen e të sjellurit ndaj kënaqësisë, -(si të ngrënit, dhe të seksit). 

Mbi të gjitha, -konsumimi i marijuanës, çon në t’ashtëquajturën Marijuana Use Disorder (MUD), -pra në Ç’rregullime shëndetësore nga përdorimi i Marijuanës, – një formë drogimi/mvartësie, që e pa-aftëson personin, të stopojë përdorimin e mëtejshëm të sajë. Pra i sëmuri me këtë ç’rregullim, -(nëse s’merr përditë dozen e “nevojshme” të hashashit), vuan nga shenja të ndryshme si: iritabilitet, veshtërsi për të fjetur,  ulje të gjendjes shpirtërore/mungesë humori dhe oreksi, nervozim/shqetësim, forma të ndryshme discomforti/pa-rahatie fizik, dhe dëshira e madhe për të ngrënë diçka t’veçantë.

Shkurtimisht, mund të themi se: Efektet e marijuanës, (“mjekësore”/legale, dhe jo-mjekësore/ilegale), në trurin e të rinjëve, (që Akoma është në zhvillim), mund të sjellë pasoja të pa-ri-kthyeshme, katastrofike.
Sipas profesorit Anglez, Robin Murry, –marijuana rrjeshtohet në faktorët kryesorë të shkaktimit të psikozave. -Po kështu, dihet shumë mirë se përdorimi i rregullt i marijuanës, dyfishon shkaktimin e rasteve të skizofrenisë.

Po të krahasojmë efektet e duhanit, dhe pijeve alkoholike, -me ato të marijuanës, -efektet e neuro-psiçike të marijuanës, fillojnë të manifestohen që në adoleshencën e herëshme, me një vazhdimsi, edhe në vitet e pjekurisë.

Sot shifet mirë se skizofrenia është vërtetë një gjendje e dhimbëshme e të rijnëve, -shenjat e së cilës fillojnë të shfaqen pikërisht atëherë kur këta të rinjë, përballohen me sfidat e jetës së kësaj moshe.

Paradoksale është edhe marrja e marijuanës nga individ me episode psikotike, me mendimin se ajo ju zbutë symptomatikën, ndërkohë që marijuanës, në të vërtetë, vetëm hedh benzinë në flakën e psikozave të tyre. 

Le t’vimë pak tek deklarata disi konfuze e Edi Ramës:  “do të legalizojmë absolutisht kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveçse edhe rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë. Atë çfar kanë thënë qytetarët, ajo do të bëhet. Nuk diskutohet”. Pra një shprehje rrënqethëse, që na sjell në mendje paranojakun ekstrem, E.Hoxha, -me slloganin e tijë të famshëm “Ç’don populli bën partia, dhe ç’thotë partia bën populli.”

Nëse Rama vërtetë mendon për popullin, dhe është i sinqertë në kërkimin e opinionit të popullit, atëherë ai duhej ta fillonte me bashk-bisedime, organizime kuvendesh,  emisione edukuese në rrjetet rradio-televizive, dhe mediat sociale, -ku të ftoheshin specialist të ndryshëm mjekësorë, për të shpjeguar pak-a-shumë çfar unë jamë duke u munduar të shpjegoj në këtë shkrim.

Para se të flas për disa aspekte të tjera në lidhje me këtë drogë, unë mund të them se vetë Zoti Rama, -me një shfaqje të dukshme të disintegrimit të tijë mental, do të ishte një shembull faktik, në disfavor të legalizimit, apo përdorimit të marijuanës, -dhe substancave të tjera ilegale.

Në këtë rast, -si prind, dhe mjek që jam,  unë do të pyesja studentët e shkollave të mesme dhe  universitarët, në se ata dinë diçka për marijuanën, dhe sa dijeni ata kanë në lidhje me rreziqet që vijnë nga perdorimi i sajë?

Të njejtën pyetje do t’ju bëja prindërve, -nëse ata janë në dijeni të efekteve të kësaj droge, -për këtë jamë i binur se shumica e tyre do të përgjigjeshin me një rrudhje shpatullash, -ose do ta quanin si “normale” eksperimentimin, që fëmijët e tyre bëjnë me këtë drogë, -apo ta konsideronin këtë, si “pjesë të rritjes së tyre”!

Bashkatdhetarët e mijë, -për një gjë duhet të jeni të sigurtë, -kurrë mos mendoni se të Majtit, (që udhëhiqen nga socialistët), mendojnë për të mirën e popullit. 

Përkundrazi, ata ndërkohë që përdorin sllogane si: “në emër të popullit”, “për popullin”,  “në emër të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëmndetit të popullit”, dhe “në mbrojtje të së drejtave të njeriut”, –punojnë pa rreshtur, në drejtim të shkatrrimit të gjithçkaje që mund të jetë në iteres të popullit, -përfshi edhe shkatrrimin shpirtrorë e psiçik të tijë, -gjithmonë me epiqendër, – të rinjët.
Ata shpresojnë se me legalizimin e marijuanës, “për qëllime mjekësore”, do të shtohen përdoruesit e sajë, e bashkë me to, edhe çrregullimet psiçike, -e si rrjedhojë, këta njerëz, të pa-vetëdishëm, dhe në shenjë mirënjohje, do të votojnë gjithmonë për ta.

Partia e Gjelbert, (sigurisht e Majtë), në Australi, ka kohë që po mundohet të bëjë pothujse të njejtën gjë. Ata, krahas një presioni të vazhdueshem ndaj qeverisë, për legalizimin e marijuanës, -propozojnë edhe monopolizimin e prodhimit, dhe shitjes së kësaj droge, -me arsytimin se qeveria, duhet të mbajë përgjegjësi për prodhimet e liçensuara, -e njëherësh t’ju japë siguri përdoruesve, se kto prodhime do të jenë me një kualitet të qëndrueshëm, dhe të pa-dëmshme. Po kështu, qeveria duhet të përgjigjet edhe për një paketim dhe rreklamim të përshtatshëm!  

Në fakt, “marijuana mjekësore” është legalizuar edhe në Australi, e disa vende të tjera të botës, (gjithmonë nën presionin e të Majtëve), -megjithatë, ka shumë pak publikime shkencore në lidhje me efikasitetin mjekësor të marijuanës.

Prej të sëmurëve që mund të përfitojnë pak, janë epileptikët (por jo të gjitha llojet e epilepsive), -si dhe disa të sëmurë me dhimbje të ndryshme, më së shumti kancerozët, dhe disa nga të adiktuarit me opiate (grup ilaçesh, ku perfshihet edhe heroin-a).

Ndërsa, përdorimi i marijuanës për qellime qejfi, -është ilegale, si në Australi, Britani, dhe në shumicën e shteteve të Amerikës.    

Të Majtit mendojnë se legalizimi i marijuanës do ti ndihmonte përdoruesit e sajë, si nga ana financiare, -ashtu dhe nga pasojat sociale, që mund t’ju vinë nga perskutimi kriminal.

Po kështu, të Majtit, mundohen ti minimizojnë në maksimum të kqiat që vijnë prej marrjes së marijuanës, -përfshirë edhe hubjet ekonomike, -duke pretenduar se të ardhurat që mund të grumbullohen prej taksave të marijuanës, do të përdoreshin nga sektori i Mjekimit dhe Prevenimit të Semundjeve, -një mënyrë tipike socialiste e të menduarit; – pra, fillimisht krijo një problem, dhe pastaj punëso një grup njerëzish, per ta “zgjidhur” ketë problem.

Aktivistët e Majtë, (me të Gjelbrit në krye), ankohen se, ligjet e tanishme ndërhyn në ‘Lirite Civile’. Ata thonë se, -“nëse veprimet tona nuk cenojnë të tjerët, -atëher, pse t’mos jemi të lirë me marrë ç’do gjë që ne deshirojmë”? 

Nga kjo shprehje del qartë se këta njerëz s’kuptojnë, (apo s’duan të kuptojë), se dikush, (ne, taks-paguesit), duhet të sakrifikojmë, -duke paguar për qejfet dhe “lirite” e tyre.

Ndërsa, kur vjen puna që të diskutohen pasojat shëndetësore, dhe ekonomiko-financiare, –të Majtit preferojnë qëndrimin e tyre indiferent!

Por le të diskutojmë pak edhe për pasojat ekonomiko-financiare.

Llogjikisht, prodhimi i “Marijuanës mjekësore” duhet ti nënshtrohet një procesi rigoroz, të liçensuar. -Sigurisht, duke kaluar në këto procese, -produkti përfundimtar, -pra, marijuana zyrtare, del më pak e fortë se sa marijuana ilegale, -nderkohë që qeveria, për të “ndihmuar” “të sëmurët”, duhet ta shesë atë me një çmim më të lirë se të marijuanës ilegale.

Pra dashje-pa-dashje, qeverisë së Ramës, do t’i duhet të konkurojë me ‘Marketin e Zi’, -ndërkohë që do ti duhet të gjykojë, edhe për një taksë të mjaftueshme ndaj këtij produkti, që t’i sjellë fitime qeverisë. 

Dukshëm, nëse qeveria do ti merrte dhe  zbatonte këto masa, (shumë të nevojshme), -atëhere ajo do ta vinte vehten në një pozicion të dis-favorshem, ne rraport me Marketin e Zi, -i cili s’ka nevojë që të marrë asnjë prej këtyre masave, -përveçse ta  grumbullojë, dhe t’ju shmanget organeve kompetente. Pra është mjaft e kuptueshme se “prodhimi”/marijuana e tyre, është më e fortë, -dhe shumë më e lirë, -në krahasim me prodhimin e liçensuar të shtetit.
Për këtë arsyje, marijuana ilegale, përsëri do të ishte shumë më terheqëse, dhe më e forte për bleresit e zakonshëm, -që tashmë, edhe janë mësuar ta blejn atë, në Tregun e Zi.

Sipas ktij analizimi, dhe praktikës se deri-tanishme del se, -nqs marihuana do te legalizohej, -fitues do te ishin vetem politikanet e Majte, që për të tërhequr votat e përdoruesve të marijuanës, kërkojnë aprovimin e ligjeve në dëm të përdoruesve, familjeve të tyre, shoqerise, e në të vërtetë, në dëm edhe të vetë qeverisë. 

Një autor me të drejtë ka thënë se: Psikodelikët (Psychedelics) janë illegal, jo sepse qeveria  shqetësohet se ju mund të hidheni nga dritarja e katit të tretë, -por sepse, psikodelikët,  shkatrrojnë strukturat e opinionit, procesimit të informacionit dhe sjelljes njerëzore. Ata, (psikodilikët), mund t’ju bëjnë ju që të mendoni se çdo gjë që ju dini, është gabim.

Dhe kjo, për të Majtit, do të ishte një efekt i pa-deshirueshëm, -sepse përdoruesit do të ç’msonin, ata që të Majtit ju kanë mësuar prej kohësh, pra përceptimin e gënjeshtrës, sit ë vërtetë absolute.

Në mbyllje, më pëlqen të citoj këtë thënje të Margaret Thatcher: “Socialismi është si një kurthë, ku mijët bien në të, sepse ata s’kuptojnë pse djathi aty është falas”.

Dr. Zekri Palushi, (MD), -Australi.

21 Prill 2022 

Filed Under: Komente

ILIRË ISHIM, ARBËR U QUAJTËM, ALBANË NA THËRRASIN, SHQIPTAR PËRGJIGJEMI

April 22, 2022 by s p

“NË NGJASIM TË NJË ESSEJE HISTORIKE”

NGA  NDUE  BACAJ


Si pak popuj në botë, ne shqiptarët në trojet tona etnike, pavarësisht se ku banojmë, në shtetin “mëmë”, Shqipërinë “Londineze”, në Kosovën e martirizuar dhe sot të lirë e të pavarur, në trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme perëndimore (Ilirida), në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi, Serbi apo në trojet tona etnike të grabitura ndër shekuj e që sot “quhet” Greqia veriore e veriperëndimore, (Çamëria),  por edhe kudo që ndodhemi ne shqiptarët në dhena të huaja e ngulmime të ndryshme, bota vazhdon të na thërrasë Alban (Albanez) dhe ne me “Kryeneçësi” vazhdojmë t’i përgjigjemi Shqiptarë. Përjashtim bëjnë vetëm emigrimet e para shekullit 17-të ose asimilimi i para këtij shekulli i pjesëve të bekuara të Ilirisë nga shtete të ndryshme që u krijuan realisht apo “artificialisht”, të cilët vazhdojnë të përgjigjen me emrin e lashtë Arbër. Ku rreth këtij emri sillen shqiptarët e hershëm ku vlen të shënohen ngulmimet në Itali që quhen Arbëresh, në Turqi që thirren Arnaut, në Greqi Arvanitas dhe në Kroaci (Dalmaci) Arbnesh (Arberesh), etj. Ndërsa për shqiptarët në përgjithësi në historinë e gjatë të shekujve gjenë emërtimet e ndryshme që fillojnë me Ilir, Arbër, Albanoi, Alban, “Arnaut” e së “fundi” (para disa shkeujsh e këtej) Shqiptarë. Për të gjitha këto emërtime, që në pamje të parë të duken si mospërputhje me një emër të përbashkët që ne e quajmë shqiptarë, janë dhënë shumë mendime shkencore e amatore, dashamirëse e dashakeqe, por që të gjitha “bashkë” tregojnë pa asnjë mëdyshje se bëhet fjalë për të njëjtin popull që banon e jeton në trojet e veta autoktone prej mijëra e mijëra vitesh. Gjithsesi, rrjedhojat e kohëve, pushtimet e ndryshme, por edhe evolucioni i gjuhës sonë e gjuhëve që ne ishim në kontakt të vazhdueshëm me to, kanë lënë gjurmët e veta, herë me pasoja të pranueshme e herë me pasoja të papranueshme, por që sot realiteti që jetojmë ka filluar t’i dallojë pa mëdyshje se bëhet fjalët për njërin nga popujt më të vjetër e të qytetëruar në krejt Europës, që Zoti e fali në këto troje të bekuara e të keqlakmuar nga popujt “primitive”, që zbritën shekuj më vonë në këto vise që i ngjanin parajsës së vërtetë. Natyrisht “kalvari” i emërtimeve të popujve të ndryshëm në përgjithësi ka qenë më i lehtë se i popullit tonë, por edhe sot ka “diskordancë” në mes asaj që bota i thërret e ata përgjigjen, e për “Çudi” të paktën në Europë janë ata popuj që dikur në lashtësi ishin me shqiptarët degë të të njëjtit trung, për shembull Gjermanët (Arianët) thërriten Tedesk, Dojç e tjerë, ndërsa Hungarezët thirren Maxhar e përgjigjen Hungarezë , greket thirren grek e mundohen te pergjigjen helen e tjerë e tjerë…

Natyrisht siç e thashë më siper, bota e “pabindur”, gjithnjë na thërret Alban e vendin Albania, ndërsa ne privatisht e zyrtarisht me “kryeneçësi” i përgjigjemi vetëm Shqiptarë e Shqipëri. Po si kështu… Natyrisht pa pretenduar të vendos ndonjë “gur” të palëvizshëm do të mundohem të sjell kronologjikisht “historinë” e rrjedhojës së emërtimeve të kombit tonë ndër shekuj, duke plotësuar kështu pak nga shumë shkrime të miat në të cilat edhe unë kam përdorur emërtime të ndryshme në kohëra të ndryshme, për popullin tim të cilit i përkas… Hyrjen do ta bëj me një poezi të Eskilit, Hiketides, (ku mbreti Aragon i drejtohet korit të Danaidëve):

“M’u përgjegj e me guxim më trego:

Se jam Pellazg i pari i kësaj toke

Krijues i Palehtonisë nga toka i lindur…”

Pra këtu bëhet fjalë për Pellazgët, paraardhësit e të parëve tanë Ilirë, që historiani e studiuesi francez Robert D’Anxheli në librin e tij “Enigma” shpjegon shkencërisht lidhjet Pellazgo-Ilire, si dhe “Racën” Pellazge të lindur nga “toka” me “Ymrin” e Zotit, e ku Pellazgë do të thotë i Lindur i bardhë nga ngjyra e jeta…Ndërsa për stërgjyshërit tanë Ilirët, ja çfarë shkruan historiani dhe albanologu Karl Patsch në veprën e tij Ilirët: “Ilirët banonin prej bregut të djathtë të Danubit… deri në Adriatik… dhe shtriheshin nga jugu në krejt pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik, tuj përfshi ishujt e Dalmacisë deri në Tesali, në Epir e në Veriperëndim të Greqisë…”. Ndërsa studiuesi e historiani (nga Boga e Malesise se Madhe) At Marin Sirdani shkruan se Maqedonia ishte pjesë e përbame prej vëllezërish Iliro-Trakë të ndamë në 15 fise të një gjaku e të një gjuhe, banorët ishin një degë e familjes Ilire… Ndërsa autori i disa veprave klasike mbi historinë e Romës së vjetër, Theodor Mommsen, në veprën e tij “Provincat e Perandorisë Romake”, ndër të tjera shruan: “Tokat e Ballkanit dhe të Europës së Mesme që njiheshin në kohën e Romakëve si Iliri, morën këtë emër mbasi ishin të banuara nga raca Ilire, që ishte fort e përhapur në atë kohë. Pasardhësit e kësaj race jetojnë edhe sot në skajin jugor të tokave të gjana që okupojshin në fillim. Ky popull i vogël që sot e quan veten Shqiptarë dhe të huajt e njohin si Albanez ose Arnaut, dhe ka ruajtur deri më sot kombësinë dhe gjuhën e tij të lashtë… Shqiptarët janë pjesë e familjes së popujve Indo-Gjerman dhe megjithëse janë më afër degës greke, ato dallohen prej grekëve aq shumë sa dhe Latinët ose Keltët. Në agimin e epokës historike kombi Ilirjan okuponte brigjet e Adriatikut, prej grykës së lumit Po, përmes Istrias, Dalmacisë dhe Epirit, deri në Arkani dhe Etoli (sot të Greqisë, shënim i autorit). Në drejtimin lindor tokat e Ilirëve shtriheshin mbi Maqedoninë e Epërme, Serbinë e Jugut, Bosnjen dhe pjesën e Hungarisë që është në jug të Danubit. Në lindje Ilirët ishin në kufi me fiset Thrakase dhe në perëndim me Keltët, prej të cilëve Taciti i shquan në mënyrë fare të qartë…”Ndërsa në poemën e lashtë “Iliada” e Homerit, tregohet për dy fise Ilire si aleate në luftën e Trojës e këto fise ishin Paionët dhe Dardanët. Eneu, trimi legjendar që pati dyluftim me Akilin dhe prijës të tjerë Greko-Helenë sipas Iliadës së Homerit, tregoi trimëri të rrallë dhe ishte bir i fisit Dardan (Kosova e sotme). Ku pas shkatërrimit të Trojës, Eneu u kthye në trevën e vet, Dardani… Ndërsa një autor tjetër i lashtësisë Virgjili, në veprën e tij “Eneida” n’a paraqet madhështor momentin që luftëtarët Dardanë po u afroheshin mureve të Trojës, por që rruga e largët dhe vështirësitë e udhëtimit (në dete) arrijnë pak më vonë se duhej e ku Virgjili  e paraqet thënien e Eneut me këto vargje:

“O dritë e Dardanisë, ti shpresa

më e madhe e Trojanëve, pse u vonove…?”

Dhe siç shkruan studiuesi malësor Preloc Margilaj te libri i tij “Ilirët flasin Shqip – Shqiptarët flasin Ilirisht”, “O dritë e Dardanisë” – është dritë që ndriçon në histori 30 shekuj. Kjo dritë nuk shuhet kurrë. Kot mundohen këta ardhacakë të stepave të lindur e mësuar me një jetë askete, duke fjetur në shpinë të kalit, në karvane shpella e pyje, duke u ushqyer më shumë me misër të pazier me bimë e me rrënjë…” Ndërsa të parët tanë kishin emrin domethënës që në shqipen e “vjetër” e të Re shpjegohet qartë e saktë se Ilir e kishin se ishin të lirë në trojet e tyre që i kishte falë vetë Zoti, duke i bërë zot të tyre e tokës së tyre. Duke qenë se Ilirët ishin fiset dominante jo vetëm në Ballkan por edhe në një pjesë të madhe të territorit të vetë Europës të organizuar në format “shtetërore” të kohës, ata që banonin në territorin Etnik Ilir, ndonëse të ogranizuar sipas provincash të ndryshme, kishin një emër të dalluehsëm nga fiset e tjera Ilire e këta sic thoshte Sami Frashëri u quanin Arban e ku i shpejgon me bashkimin e dy fjalëve Ilire (shqipe) Ar(ë) dhe Ban, domethënë që bën, punon, lëron arat (tokën), pra bëhet fjalë për një popull punëtor e me ekonomi të zhvilluar për kohën. Këtë emër e përforcon gjeografi Aleksandrin, Claudius Ptolemeus, i cili në shekullin e dytë (pas lindjes së Krishtit) ai e quan “Ilirinë” Albanon, kur ai në atë kohë e shkruan greqisht, pra duke zëvendësuar R me L. Ndërsa për kryeqendër të “Albanonit” ai thotë se ishte “Albanopolis”, e ky qytet sipas Georg Hahnit (albanolog i shquar) ishte në afërsi të Krujës së sotme. Ka shumë autorë të tjerë që emrin e këtij fisi të madh Ilir e quajnë Albanoi dhe e lidhin me emrin e zogut mesdhetar Albatos i cili banon me shumicë në këto pellgje me klimë të mrekullueshme, ka të tjerë që e lidhin me emrin e bimës Albatrosi që rritet me shumicë në bregdetin Adriatik. Por ka autorë që e lidhin emërtimin e kësaj treve të begatshme me drurët dhe bimët e mrekullueshme që pëshkonin tërë vendin e Ilirisë së moçme (Shqipërisë Etnike), ku pyje të mrekullueshme përshkonin zona të tëra, e për këtë autorët thonë se emërtimi vjen nga fjala Latine albero-druri, pema. Por ka edhe studiues të tjerë të cilët mbrojnë teorinë se vendi kryesor i Ilirëve u quajt Albanoi, Albania, Arbëria e tjerë, për arsye se banorët e gadishullit Apenin (Italian) e shihnin se dielli (drita) lindte nga bregdeti lindor Adriatik, ku ishin të vendosur të parët tanë e si të tillë vendin e quanin sipas gjuhës së tyre Alba (agon, lind), ndërsa prapashtesat e tjera i konsiderojnë rrjedhoja të evolimit të gjuhëve të ndryshme që kaluan mbi trevat Ilire, ndërsa tërë vendi u quajt Albania. Ndërsa Preloc Margilaj në librin qe sipercituem “Ilirët flasin Shqip – Shqiptarët flasin Ilirisht”, thotë se në favor të këtij pohimi shërben edhe një fakt historik, se territoret Italiane në pjesën e madhe të tyre kanë qenë të banuara me fise Ilire që janë shpërngulur nga ana lindore e Adriatikut, nga lindja, atje ku lind dielli që sjell agimi, Albën dhe abrogjenët kanë filluar të quajnë Albanë, Albanezët nga Alba…”. Këtë fakt e “mbështet” edhe poeti Romak, Virgjili i cili trimin Dardan te luftës së Trojës, Eneut i kushton poemën epike “Eneida”, ku sipas Virgjilit pas shembjes së Trojës, Eneu shtegtoi në shumë vise Ilire, ku zbriti gjithashtu në Butrint dhe më në fund shkoi në ishullin Italik ku edhe themeloi qytetein Laviniium, kurse i biri i tij Askani ngriti qytetin Albano, ku këto qytete ishin në afërsi të Romës së sotme. Në fillimet e shekullit XI (mbas Krishtit), autorët bizantinë i quajnë shqiptarët me emrat Arbanitai, Albanitai, Albanoi dhe vendin Albanon, ndër autorët kryesorë mund të përmendet e bija e perandorit të Bizantit, Anna Komnena, si dhe perandori Kantakuzen. Por më vonë në shekujt XII e XIII, në dokumentet latine, shqiptarët quhen Arbanensen, e toka e tyre Arbanum e Albania, prej nga rrjedhin emrat e mëvonshëm deri në ditët e sotme, Albanais, Albanese, Albania, Albanien… Ka mendime të ndryshme për hershmërinë e përdorimit të emërtimeve Arbër e Alban, disa autorë thonë se emri Arbër është përdorur më parë, por me kalimin e kohës e sipas gjuhëve të pushtuesit agresor e “miqësor”, ndryshoi germa R në L, duke u bërë nga Arb në Alb e të tjerat janë rrjedhojë e kësaj, ka të tjerë autorë që thonë se Alb e Albanon e Albania e Albanez është më e hershme se Arbër, Arbëri dhe gradualisht si më sipër ka ndodhur zëvendësimi i L me R, pra nga Alb është bërë Arb e rrjedhojat vijnë si më sipër në rastin analog. Natyrisht kjo është një çështje e shkencëtarëve dhe akademikëve që merren me këto fusha, por edhe mendimi im personal është se sipas shumë studimeve e autorëve që janë të shumtë dhe argumenteve paraqesin “Alb është para Arb”, gjithsesi kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi rëndësi ka që të gjitha këto emërtime bashkohen në pikën kryesore se populli ynë me prejardhje Ilire është një dhe vetëm një si dhe autokton në trojet e veta… Në historinë e paspushtimit Osman në Shqipëri del emri Arnaut, ku kështu thirrej populli jonë nga pushtuesi Turk, për këtë emërtim të ri i referohem Vojvodës malazez Mark Milani, i cili në librin e tij “Jeta dhe zakonet shqiptare” shkruan: “…Kur pa sulltani se ushtria e tij filloi të dezertonte dhe vetëm Taborri i shqiptarëve vazhdonte të luftonte e të mos jepej, ai pyeti: Po ata pse nuk ikin? E dikush u përgjigj, shkëlqesi ata e kanë për turp të ikin, të kthehen prapa, ndërsa sulltani paska thirrur, Ah qenkan Arnaut”. Emërtimi Arnaut, rrjedh prej gjuhës Persiane, e cila së bashku me gjuhën Arabe dhe atë Turke është pjesë përbërëse e gjuhës letrare Turke, e diçka e ngjashme është emërtimi që shpjegohet ar-kthehu, e na-me, ut-mbrapshtë.”.   Por pas këtyre emërtimeve, si ndryshuan kaq “magjishëm” të gjithë këto emrtime (toponime) në emrin që kemi sot Shqiperi e Shqiptarë ??. Në një shkrim të Pashko Vasës, shkruhet se emri shqiptarë është shumë i hershëm e për këtë ai jep si argument se kur mbreti Ilir me famë Pirroja i Epirit po luftonte me Romakët (para rreth 2500 vjetëve) si dhe korri një fitore të bujshme, ushtarët e tij i thanë se ke luftuar si Shqipe mali (shqiponja ishte simbol i flamurit të Provincës Ilire, Epirit, ku drejtonte Pirroja, shënim i autorit), dhe ai iu kthye ushtarëve: “Jeni ju or shqiptarë që më bëtë kështu mu si një shqipe…”. Gjithsesi kjo është një dëshirë e pavërtetuar e Partiotit Pashko Vasa, e dëshira mbetet dëshirë, pasi u deshën mbi 2000 vjetë që të “rizbulohet” ky emër. Robert D’Anxheli, autori i librit  “Enigma”, në faqen 290 shkruan: “…Fjala shqiptarë nuk datohet në realitet më përpara vitit 1375 në Shqipëri, por ajo bëhet e njohur dhe e famshme për shkak të qëndresës të një ushtrie të vogël shqiptare (d.m.th. mbartës e shqiponjës, e shqipes) të princit legjendar shqiptar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu (1444-1468)… Më 1380 fjala shqiptarë ishte shumë e zakonshme në Shqipëri”. Albanologu i shquar Gustav Majeri shkruan se shqiptar (Shkiptar) do të thotë njeri, që kupton (gjuhën) është më i pranueshëm, e kjo tezë mbështetet mjaft ku fjala shqiptar do të thotë që flet shqip, gjuhën e truallit ku lind e u rrit, gjuhën e nënës së tyre. Ka autorë të tjerë që thonë se emri shqiptar rrjedh nga emërtimi i një familje që paska jetuar në Drisht (Shkodër) dhe në dokumentet e shekullit XIV gjindet mbiemri Shkipëtar (Schapuder, Schepudar), por kjo tezë është e papranueshme që emri i një familje që më vonë i humbi shenja e nishani të jetë bërë shkak për emërtimin e një populli të tërë. Ka edhe një hipotezë tjetër që thuhet se emri vjen nga fjala latine scopulus që do të thotë shkrep, e vend i shkrepave, por në Shqipëri ka shkrepa, por edhe shumë pllaja e fusha që ia ka zili krejt kontinenti, e si rezultat nuk është argument i konsiderueshëm. Ndërsa autori i librit “Antologjia e Historisë”, Mustafa Kruja shkruan: “Për mua s’ka asnjë pikë dyshimi që emri shqiptar është formuar prej rrënjës shqipe dhe mbrapashtesës tar… në kuptimin që flet shqip… ku don me thanë qartë kuptueshëm…” Më poshtë po ky autor vazhdon, “…Por kur vallë ku e si lindi ky emër (shqiptar), si u përhap e hyri në gojën e çdo arbneshi, siç duket me një shpejtësi të jashtëzakonshme e forcë aq të mrekullueshme… Proçesi i këtij ndërrimi emri mund të ketë filluar që në fillim të shekullit 18-të e më parë (1680-1701) (shënim i autorit), shkaku kryesor ka qenë feja. Muslimanizmi hyri vonë në Shqipëri, ishin ende të krishterë 90% në Shqipëri në vitin 1650…Një pjesë e Arbëneshëve te bërë muhamedanë nuk mohuan vetëm fenë, por edhe kombësinë dhe e quajtën veten Turq, në emrin e zotëruesve që u kishin sjellë fenë e re… e në botën e atëhershme ndarja në përgjithësi bëhej sipas fesë e jo kombësisë, kështu edhe populli shqiptar u nda në gjysmën e dytë të shekullit 17-të në dy “rryma” të kundërta, “Turqit” në njërën anë dhe “Arbëneshët” në anën tjetër, se në atë kohë Arbnesh donte me thanë edhe i krishterë… Një hendek i tmerrshëm filloi të hapet midis popullit. Turma ishte e padijshme e shkonte nga ta shpinte zemra e mbushur me mni e interesat vetjake. Por në Shqipëri kishte në atë kohë edhe një klasë të zgjedhur që mendonte e ndjente për popullin e ajo ishte kisha Katolike. Kjo përvnerej ka shihte “dhente” e veta tuj u arratisë ndër sy e tuj u përzie me grigjen armike, por dridhej më tepër tuj pamun hendekun që përditë e ma fort ishte tuj u thellue e zgjanue nëpërmjet dy pjesëve të popullit, tuj i bërë vëllazrit armiq të papajtueshëm. Përmbi këtë gërrone të zezë duhej medoemos të krijohej një urë. Një shkëndijë gjenie e patriotizmi shkrepi në mendjen e në zemrën e një Prelati, ndoshta edhe të një prifti të thjeshtë. Ishte me kërkue gurin filosofal, ç’mund ta ftohë e largojë Arbneshin “Turk”, prej turkut të gjakut, d.m.th., prej turkut të vërtetë e ta afronte kah Arbneshi i krishterë, vëllau i gjakut të tij. Çfarë mund të ishte tjetër përveç gjuhës, gjë më e dukshme e më e kuptueshme për të padijshmin për t’ia treguar se turku ishte i huaj e Arbneshi i veti. Një urdhër një kryefjalë u shpërnda, si nën dhê nëpër të gjitha dioqezat, nëpër gjithë kuvendet, nëpër gjithë famullitë e Arbrit. Kisha katolike u vu më mish e me shpirt me predikue, ndër kisha e ndër familje, ndër mbledhje kuvendesh, dasmash e mortesh, ndër të Krishterë e ndër Musliman. Meshtari i brengosur, i mësuem e i udhëzuem prej të parit të vet do t’u thoshte gjindes: “Arbnesh e “turq” që flasin një gjuhëm që flasin shqip, na jemi vëllazen, kjo gjuhë është trashëgim i gjyshërve e stërgjyshërve tanë “turq” a “arbnesh”, musliman apo t krishterë, ne jemi të gjithë shqiptarë se flasim shqip…”. Kështu po krijohej një emër i ri, emri Shqiptar që i hynte në mendje lehtas Arbneshit e “neoturkut” se ishte emri i gjuhës që flitnin. Për “turkun” Arbnesh emri i vjetër ishte bërë i urryeshëm se i dukej se sundonin të krishterët, por gjuhës së folur nuk i binte mohit. Prandaj pranoi e përvetësoi pa vështirësi emrin Shqiptar dhe u mburr me të gjithmonë e gjithkund, siç e kanë vu re edhe studiues të huaj të Albanologjisë (Shqiptarisë)…”. Gjithsesi bota vazhdon të na thërrasë Alban (Albanez) dhe ne me “kryeneçësi” (me të drejtë) vazhdojmë t’i përgjigjemi Shqiptarë…

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

TEDI KOTORI, NJË SHQIPTAR NË SKENËN POLITIKE TË PENNSYLVANIAS

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja

Tedi Kotori, me moton e fushatës së tij politike “People over Party”, është një kandidat potent shqiptar i pavarur që kandidon për Këshilltar në shtetin e Pennsylvania në Distriktin zgjedhor 172 në verilindjen e Philadelphias. Angazhimi qytetar dhe komunitar i shqiptarëve në Philadelphia i jep shumë shpresë Tedi Kotorit për një përfaqësim dinjitoz. “Northeast Philadelphia ka nje numër të madh shqiptarësh, mbase 20,000 dhe deri sot nuk ka patur përfaqësues shqiptar në Harrisburg. Në qoftë se fitojmë, do jetë me të vërtetë një sfidë historike, dhe një nder i madh për mua të përfaqësoj komunitetin tim” – shprehet për Diellin e Vatrës z.Kotori. Në skenën politike të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës sa herë që zhvillohen zgjedhjet, shqiptarët janë dinjitozë me përfaqësimet e tyre e në shumë raste na kanë bërë krenarë duke marrë fitore të qënësishme. Në një thirrje për komunitetin shqiptar që të votojë masivisht, Tedi Kotori shprehet se ka ardhur momenti që njeri nga ne do jetë zëri i popullit shqiptar në shkallët më të larta të qeverisë Amerikane. Shqiptarët në Philadelphia duhet të regjistrohen për të votuar në mënyrë që mbështetja për Tedi Kotorin të jetë masive. “Në këtë moment kemi shans të mirë të fitojmë, sepse shumica e njerëzve janë të pa kënaqur me të dyja partitë kryesore. Sistemi demokratik amerikan kërkon pjesëmarrje nga të gjithë, edhe në rastin kur nuk voton, ti në fakt voton në mënyrë jo direkte, se çfarëdo që të propozohet, edhe sikur të mos jesh dakort, i ke dhënë të drejtën ta bëhet” shprehet i shqetësuar z.Kotori. Aktivizimi politik i Tedi Kotorit ka të bëjë pikë së pari me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në qytetin e tij. “Fokusi im është për çështjet e cilësisë të jetës (quality of life issues) si shëndetësia, të sigurojmë për gjithë qytetarët opsione publike insurance me kosto të ulët. Arsimi, unë jam nga Korça ku eshtë hapur shkolla e parë të gjuhës shqipe, edhe e ndiej në mënyrë personale rëndësinë e një edukimi të plotë që prodhon qytetarë të edukuar edhe me aftësi të plota për të qenë sa më i suksesshëm në jetë, të cilat sot nuk jepen” citon në programin e tij elektoral Tedi Kotori. Me mbi 10 vite eksperiencë në menaxhim dhe formim, Tedi shprehet se: “Sot problemet janë të kostos së jetesës, të ushqimit, të energjisë, të karburantit, shëndetësisë, edhe qirasë. Këto kanë zgjidhje dhe të thjeshta, por edhe komplekse. Ne kemi të fatin që shteti ynë Pennsylvania ka një prodhimtari të lartë ekonomike, edhe si legjislaturë mund të luajmë një rol kyç për ta përmirsuar situatën” shprehet me bindje të plotë Tedi Kotori. “Komuniteti shqiptar është shumë entuziast që këtë 8 Nëntor mund të bëjmë histori duke zgjedhur të parin shqiptar në legjislaturën e Pennsylvanias. Deri më sot kemi ngritur mbi $10k”, shprehet me një siguri të admirueshme Tedi Kotori. “Organizata Bijtë e Shqipes dhe zoti Bujar Gjoka në veçanti, kanë qënë instrument i fuqishëm për fushatën tonë. Gjithashtu dua të tregoj mirënjohje edhe respekt për zotin Shpëtim Daku, një biznesmen këtu në Philadelphia, i cili më ka marrë nën krahun e tij,  ashtu dhe si ka ndihmuar vazhdimisht qytetarë të tjerë të komunitetit tonë” përfundon prononcimin për Diellin e Vatrës Tedi Kotori. Tedi ka ka lindur dhe është rritur në Korçë, familja imigroi në Amerikë në dhjetor të vitit 1999. Me prinder ekonomistë dhe inxhinjer ndërtimi, Tedi erdhi në mes të klasës të katërt në Philadelphia dhe mbaroi shkollën publike edhe baçelor në ekonomi nga Temple University edhe Master i Shkencës për Analizë Bisnesi. Në karrierë profesionale ka punuar në industrinë e reklamave nga blerja e vendit deri në prodhimin e reklamave në Bank of America, edhe sot në menaxhimin e aseteve reklamore të hekurudhës së Shteteve të Bahkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin Tedi Kotorin duhet të bashkohen te “Tedikotori.com” për të mbështetur përfaqësimin e tij politik. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, TEDI KOTORI

Adresimi i kryeministrit Kurti pas takimit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis

April 21, 2022 by s p

Prishtinë, 21 prill 2022

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Fillimisht, dëshiroj të falënderoj senatorët Shaheen, Murphy dhe Tillis për vizitën e tyre në Republikën e Kosovës. I falënderoj për rolin, kontributin, angazhimin e tyre për çlirimin, demokratizimin, zhvillimin e Kosovës dhe për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Në takimin tonë të përbashkët, kam theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani, që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast edhe njëherë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij, dhe qëndrueshmërinë e luftën çlirimtare që po bëjnë.

Në këtë kontekst, Kosova ka mbajtur qëndrimin e njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ndërkaq në anën tjetër kemi autokracitë të cilët mund të jenë të ndara nga populli i tyre, por po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Në veçanti i njoftova senatorët për sukseset e shtetit të Kosovës, për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar aq shumë si në luftë ashtu edhe në paqe, si para shpalljes së pavarësisë po ashtu edhe pas saj.


Kosova është një rrëfim i suksesit, i rezistencës së popullit të saj dhe luftës çlirimtare, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, Bashkimin Evropian, në veçanti me ndërhyrjen e para 23 viteve, kur u ndal gjenocidi i Serbisë mbi popullin tonë.

Sot Kosova është krenare me të arriturat e saj. Rritja ekonomike në vitin e kaluar ka qenë 10.53 për qind të bruto produktit vendor, investimet e huaja direkte janë shtuar për 22 për qind, eksportet janë rritur për 83 për qind, buxheti i shtetit krahasuar me dy vite më parë për 26 për qind, të hyrat tatimore janë rritur për 34 për qind pa e ndryshuar politikën fiskale. Dhe gjithashtu Kosova ka shënuar përparim në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për çfarë jemi ngritur për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe gjithashtu jemi të 60-tit në glob e të parët në rajon sipas “World Justice Project”.


Ky takim me këta tre senatorë vjen pas takimit virtual që kemi pasur më 22 mars, me kongresistët Ritchie Torres, Darrel Issa dhe Robert Aderholt. Edhe në atë takim patëm kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për çfarë është e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe drejt anëtarësimit të plotë.


Gjithashtu, nuk kemi harruar që ta theksojmë rëndësinë e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit edhe sa i përket ekonomisë, edhe mbrojtjes e të sigurisë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Unë i falënderoj edhe njëherë nga zemra tre senatorët për Shtetet e Bashkuara të Amerikës krejt çfarë kanë bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, por gjithashtu edhe për kontributin e tyre personal për paqe, demokraci dhe drejtësi. Faleminderit!

Filed Under: Mergata

Tkurrja e popullsisë shqiptare, pasojat ekonomike

April 21, 2022 by s p

Dr. Igli Tola/


Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri që është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë sidomos vendet e zhvilluara, europiane dhe më gjerë. E nqs ka një kriter (variabël) që e bën edhe Shqipërinë të listohet krahë vendeve të zhvilluara, është ai I lidhur me plakjen e popullsisë.
Pak vite më parë mbureshim se ishim popullsia më e re dhe vitale europiane, me një medianë demografike 27 vjeç, ndërsa ky tregues sot shënon nivelin 38.2 vjeç (sipas shifrave të INSTAT). Kësisoj, plakja me ritme kaq të shpejta e popullsisë në vendin tonë nuk është vetëm një shqetësim demografik, por është me pasoja edhe për zhvillimin ekonomik e social.
Tkurrja drastike e popullsisë shihet në 2 drejtime kryesore: lindshmëria dhe emigrimi. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të lindjeve në vend, saqë për një gjysëm dekade kemi arritur nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot ajo ka zbritur në nivelet 1.3. Ndërkohë që dihet se për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua; pra ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë. Për të pasur një jetesë më të mirë 42.048 persona janë larguar nga vendi në 2021, ndërsa në 2020 numri i emigrantëve ishte 23.854 persona; pa llogaritur këtu personat e larguar në mënyrë klandestine, që ende figurojnë rezidentë në Shqipëri.
Shkaqet janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së familjes, kontrollin e lindjeve, etj; por që të gjitha dukshëm zënë fill në kushtet dhe rrethanat ekonomike dhe politike të shoqërisë. E ndërsa për shkaqet është folur masivisht gjithë këto vite, pak syresh kanë shkuar të analizojnë pasojat që do të rëndojnë Shqipërinë teksa vijon të thelojë negativisht bilancin moshor.
Plakja e popullsisë, që shoqërohet me emigrim të lartë dhe humbje të fuqisë punëtore ndikojnë ekonomitë në shumë mënyra – rritja e PBB-së ngadalësohet, njerëzit në moshë pune paguajnë më shumë për të mbështetur të moshuarit dhe buxhetet publike sforcohen nën barrën e kostos totale më të lartë të programeve shëndetësore dhe të pensioneve.
Në afatgjatë, investitorët vendas dhe të huaj mund të zgjedhin të ulin ndjeshëm investimet në ekonominë, pavarësisht edhe se normat e interesit bien, pasi deduktojnë se rritja e prodhimit dhe konsumit do të ngadalësohet si përgjigje ndaj rënies së popullsisë, dhe ndoshta uljes së produktivitetit total të faktorëve. Në kushtet e një skenari të tillë pesimist, edhe nëse bankat qendrore ulin normat e interesit nën zero, ekonomia mund të mbetet në stanjacion, me papunësi të lartë për shumë vite – secular stagnation.
Njerëzit e moshës 60 vjeç e lart priren të kenë nevoja dhe sjellje të ndryshme. Individët e moshuar, për shembull, priren të punojnë dhe të kursejnë më pak, që do të thotë se më pak punë dhe kapitali do të jetë në dispozicion të ekonomisë. Ata gjithashtu kërkojnë më shumë kujdes shëndetësor dhe në vende si i yni, burim kryesor të ardhurash kanë pensionet e skemave të kontributeve publike. Siç cekëm më sipër, nëse sjellja specifike e moshës në lidhje me ofertën e punës dhe kursimet do të ishte fikse, oferta e punës dhe kursimet për frymë – dhe rrjedhimisht rritja e të ardhurave – do të priren të bien me thellimin e plakjes së popullsisë. Bazuar në këtë pikëpamje, korelacioni ndërmjet plakjes së popullsisë dhe rritjes ekonomike, shpjegon potencialin që nxit një reduktim e thellë të inputeve dhe outputeve ekonomike.
Kjo kornizë referuese qëndron në themel të tezave mjaft alarmiste të studiuesve, si Peter Peterson, që argumentojnë se, “plakja demgrafike mund të shkaktojë një krizë që përfshin
ekonomia botërore (dhe) madje mund të kërcënojë vetë demokracinë. Kuptohet lidhja që ekonmia dhe politika kanë si ‘2 enë komunikuese’, ku cënimi i balancës në njërin kah të ekuacionit, prek rezultatin dhe sjell mosbarazim të shprehjes.
Ish-kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Alan Greenspan, paralajmëron se ky fenomen i bën programet e sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor të paqëndrueshme në afatgjatë, që imponon vlerësim të herë-pas-hershëm të masës së mundshme të ndikimit të rritjes së përqindjes së të moshuarve, në angazhimin e fondeve buxhetore në favor.
Ndërsa, në afat-shkurtër dhe afat-mesëm përfshirja në fazën e avancuar të plakjes do të shterojë mundësitë apo edhe falimentojë një pjesë të bizneseve që u kushtohen moshave të reja. Sipërmarrjet e pajisjeve për fëmijë, si kancelaritë, lodrat, shkollat private, bizneset e teknologjisë së lartë dhe industria ushqimore do të vihen në vështirësi. Do të lulëzojnë bizneset e logjistikës për të moshuarit, si azilet, pastrimi në shtëpi, mjekësia në shtëpi, tregtia e barnave, kujdestarë specifikë. Tendencat kanë nisur.
Një rritje e shpejtë e plakjes së popullsisë mund të përbëjë një sfidë serioze strukturore për qëndrueshmërinë fiskale të shtetit, referuar dy drejtimeve kryesore: (1) zvogëlimi i popullsisë aktive në punë që janë edhe taksapagues-kontributor, dhe (2) rritja e shpenzimeve qeveritare për programet e lidhura me të moshuarit. Natyra plotësuese e këtyre dy faktorëve do të krijojë barrë serioze në financat publike. Me fjalë të tjera, aftësia e qeverisë për të mbledhur të ardhura tatimore zvogëlohet për shkak të një baze më të vogël të taksapaguesve, ndërsa shpenzimet e qeverisë, veçanërisht për shpenzimet publike në këtë drejtim, vetëm sa rriten vazhdimisht.
Efekti anësor vjen edhe nga ulja e rritjes ekonomike në përputhje me zvogëlimin e produktivitetit. Me këtë rrethanë do të rrezikohej mbledhja e taksave. Si bazë e zhvillimit ekonomik dhe social dhe burimi themelor i të ardhurave fiskale, rritja e ulët ekonomike do të shkonte drejt një reduktimi të madh të të ardhurave dhe kursimeve kombëtare, gjë që gjeneron ndikime negative në qëndrueshmërinë makroekonomike.
Nqs do të vijojmë më tej në analizë më të hollësishme ekonomike, shkak-pasojë, implikimet do të shihnim që do të preknin si ‘efekt domino’ çdo aktor e sektor në një mënyrë ose një tjetër. Me rëndësi është që shqetësimi të adresohet në kohë, duke marrë incentiva për zbutjen e fenomenit dhe përmes politikave fiskale dhe moentare, e kryesisht duke rimodeluar skemën publike të sigurimeve tu paraprihet goditjeve që mund ti vijnë ekonomisë në të ardhmen e afërt.
PhD (c). Ll.M. Igli TOLA
Pedagog, ekspert ekonomie

Filed Under: Ekonomi Tagged With: IGLI TOLA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT