• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

DENAZIFIKIMI SIMBAS MOSKËS: “DO TË VAZHDOJË 25 VITE, PUNË TË DETYRUESHME, HIQET EMRI I UKRAINËS

April 11, 2022 by s p

Nga CLAUDIO DEL FRATE

Çfarë nënkupton Moska për denazifikim? Jo vetëm thyerjen e plotë në fushën e betejës të kundërshtarëve ukrainas por edhe një vepër të mëtejshme “pastrimi” të gjithë aparateve shtetërorë, politikë e ushtarakë, riedukimin e popullsisë “për së paku një brez”, fshirjen e përgjithëshme të emrit Ukrainë. Burimi është përmbi çdo dyshim  sepse e llahtarshmja “road map” është botuar në siton e agjensisë “Novosti”,  të një respektimi të ngushtë putinian 

Plani I llahtarshëm e shtazëror I pastrimit është treguar në një artikull të gjatë, të nënëshkruar nga editorialisti Timofej Sergeicev, me titull “Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën”, të botuar në të njëjtat orë në të cilat bota zbulonte tmerret e masakrave mbi civilët në Busha. 

Denazifikimi është një kërkesë që Kremlini e quan të pakthyeshme, edhe se deri më sot nuk ishte shpjeguar në imtësi. “Denazifikimi është i nevojshëm sepse një pjesë e madhe e popullit – me gjasë shumica – është e zotëruar dhe e joshur nga regjimi nazist” sulmon Novosti. Pra synimi i parë është që “nazistët që kanë marrë armët duhet të shkatërrohen së shumti në fushën e betejës”. Vlen të kujtohet se Putini në më shumë se një rrethanë ka krahasuar Zelenskin dhe qeverinë e tij, ushtrinë e rregulltë të Ukrainës që kundërshton mësymjen ruse me batalionet -si Azov- që imitojnë simbologjinë naziste.

Të gjithë në të njëjtin kazan. Pra, “përveç drejtuesve, janë fajtorë edhe një pjesë e rëndësishme e masave, që janë naziste pasive, bashkëpuntore të nazizmit”.

Operacioni i pastrimit, nuk duhet të jetë vetëm fizik e ushtarak por të përfshijë edhe sferën e kulturës e të edukimit”që sendërtohet nëpërmjet shtypjes ideologjike (Shfarosje) të qëndrimeve naziste dhe një çensure të rreptë: jo vetëm në fushën politike, por edhe detyrimisht në atë të kulturës e të arsimit”. Për nënëshkruesin e artikullit kuptohet vetvetiu se “denazifikimi mund të bëhet vetëm nga fituesi”. Aspak forca paqeje ndërkombëtare, aspak OKB. Bëhet fjalë për një larje hesapesh, e gjitha brënda përmbrënda Rusisë. E siç sqarohet pak më tutje, “nuk mund të kryhet me një kompromis, mbi bazën e një formule si “NATO-jo, BE-po”.

Një synim i një përmase të tillë  nuk arrihet me sot e me nesër “Kohët e denazifikimit n’asnjë mënyrë nuk mund të jenë më të pakta se një brez”, mbasi nazifikimi i Ukrainës ka vazhduar për më shumë se tridhjetë vite, së paku duke filluar që nga 1989”. Në ç’drejtim? “Veçoria e Ukrainës bashkëkohore të nazifikuar qëndron në mungesën e karakterit e në dyvlershmërinë, që i lejojnë nazizmit të fshihet në dëshirën për “pavarësi” e për një rrugë “evropiane” (perëndimore, filoamerikane) të “zhvillimit”. Pra si duhet vazhduar? “Emri “Ukrainë” nuk mund të mbahet si tiull i çfarëdo njësie shtetërore krejtësisht të denazifikuar në një territor të liruar”, por këtu Novosti le të hapur  mundësinë që për territor të liruar të mos mendohet i gjithë Vëndi i sotëm, por vetëm pjesa e tij lindore. Do të këtheheshim kështu në shembëlltyrën e një kohe të Luftës së ftohtë, me dy Ukraina simbas modelit të dy Gjermanive. Mbetet se “në ndryshim, për shembull nga Gjeorgjia apo Vëndet balltike, Ukraina, siç ka vërtetuar historia, është e pamundur si shtet kombëtar dhe përpjekjet për të “ndërtuar një” çojnë natyrisht në nazizëm”. Pra “denazifikimi i Ukrainës është edhe de-evropianizimi i pashmangëshëmi i saj”.

Në kohë paqeje, denazifikimi duhet të shkojë gjatë disa drejtuesve: zhdukje e formacioneve të armatosura naziste…. krijim i organeve të vetëqeverisjes publike e të milicive… instalim i hapësirës informative ruse…  tërheqje e materialeve mësimore dhe ndalim i programeve edukative në të gjithë nivelet që përmbajnë udhëzime ideologjike naziste…publikim i emrave të bashkëpuntorëve të regjimit nazist, duke i përfshirë në punët e detyrueshme për rindreqjen e infrastrukturave… krijim i organizmave të përherëshme të denazifikimit për një periudhë prej 25 vitesh”. Një shpëlarje truri në rregull të plotë. 

Mbyllja përfundimtare: “Për të vënë në jetë planin e denazifikimit të Ukrainës, vetë Rusia më së fundi duhet të ndahet nga miklimet filo-evropiane e filo-perëndimore, të sendërtohet si aspirata e fundit për të nbrojtur e ruajtur vlerat e Evropës historike”. Shkurt, mesazhi nuk vlen vetëm për ukrainasit nën bomba.

“Corriere della Sera”, 4 prill 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

Vlora Çitaku: “Dick Marty”, përpjekje për njollosjen e luftës së UÇK-së dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës

April 11, 2022 by s p


Prishtinë, 11 prill 2022 – Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe. Ajo tha se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në. Çitaku shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale. “Pra, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.”, tha ajo. Çitaku konsideron se kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.Ajo tha se kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi. “Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës. Duke lënë anash komponentën e drejtësisë, në të cilën besojmë, zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë, nuk ka substancë të besueshme për trajtim. Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj.”, tha Çitaku.

Filed Under: Opinion

FISHTA ARKITEKT- MIT A REALITET ?

April 11, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\PORTRETI 1.jpg

Një syth monografik i Fishtës , përmendur më rallë prej biografëve të tij, është edhe dimensioni projektues i tij. Vetëm tani së fundi ka zënë vend në një projekt kulturor:”Itinerari kulturor-gjurmët fishtiane”. Nën hijen e rëndë të veprës së vet madhore letrare në të gjitha gjinitë e krijimtarisë; epikë, lirikë, dramatikë, satirë, publicistikë, thua ka qenë e arsyeshme të ndodhte kështu ?

“Opera omnia”

Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok-dhe vijon- Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v[të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.” Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika,proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera].Në mbarim do të shtohet epistolari…

Siç shihet ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thelluara për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia” ? 

Pasë parasysh se jemi , jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është ende e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme. Jemi gjithashtu, dy vite e do muaj para se me zbritë pushteti i “të ardhunve prej malit”, kur nis ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij.

…dhe Arkitektura

Simbas të dhënave të derisotme, rezulton se janë njëmbëdhjetë objekte, kryesisht kishtare në Shqipëri ku, në mënyrë tërësore apo të pjesëshme, ato janë edhe produkt i vizatuar prej dorës së tij, çka ndërkohë paraqesin edhe një profil të tij në këtë gjini të krijimtarisë. Kisha e Shëlbuemit Rubik, Kuvendi Françeskan “Zoja Nunciatë” Lezhë, Kuvendi i Troshanit Lezhë, Kuvendi i Motrave Karmelitane – Ipeshkëvia e Sapës Nenshat-Shkoder, Kuvendi Françeskan Gjuhadol Shkoder, Kisha e Zojës Rruzare “Arra e Madhe” Shkoder , Kisha e Shen Kollit Rus-Shkoder , Kisha e Motrave Stigmatine Gjuhadol-Shkoder, Kisha e Shën Mhillit Laç-Kurbin, Kisha e Prekalit-Postribë, Shkolla “Illyricum” Gjuhadol-Shkoder. Po, a e “diplomon” ky produkt projektues arkitekturor, Fishtën edhe si arkitekt ?

At Leon Kabashi, (25.03.1906-11.11.1998), nxënës e mandej edhe koleg mësuesie i Fishtës në liceun “Illyricum”, i vetmi ndër françeskanët e kohës, i cili, përposë studimeve teologjike në Siena-Itali, kryen më pas atje edhe ciklin e plotë të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, shkruan: Tue njoftë cillsít e tija artistike, Provinçja françiskane shqyptare e Arqipeshkvija e Shkodres e Dioçezi i Dukagjinit e zgjodhen A. Fishten si arkitekt zyrtar, por pse kû nevojët financiare, kû pamundsija e realizimeve prej anës së kryepuntorëve, arkitektit tonë iu desht sa herë me u kufizue në të endun të pjaneve…” Për Kishën e Rubikut, ai përmend si vizatime (projekte) të Fishtës “balli i guri s’dhenun i Kishës Monumentale të Rrbigut“, për Kuvendin e Lezhës shkruan “ndertesa e bukur qela[Kuvendi] e Lezhës, ku dritore të mdha të hiejshme grishin udhtarin…“. Për kishën e Prekalit (Dukagjin), “A.Fishta në bashkëpunim me xansin e mikun e vet Z. Ingjinier L.[Ludovik] Zojsi sajuen, rrealizuen pjanin e ri…në vjetin 1938. Kurse për Kishën e Motrave stigmatine ajo që vjen e shkruar është kumt më i prerë:”arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927“. 

Nga kjo dëshmi që na vjen e shkruar prej një bashkëpunëtori krejt të afërt të Fishtës, i vetmi në fushë të arteve të bukura, ku përngjitas me to, han arsye të shënojmë edhe arkitekturën, dy kumtet e fundit na e hapin horizontin e arsyetimit për me arrit në një përfundim përreth definicionit nëse Fishta, përposë se gjithçka tjetër, aq i madh sa  ishte, qe edhe artkitekt. Marrim të parin; bashkëpunimin me inxhinierin Ludovik Zojsi, “xansi [nxënësi] dhe miku i vet…Ludovik Zojsi, inxhinier i zoti, mjaft i njohur asokohe në Shkoder e më përtej, projektuesi i Kishë-kapelës në varrezat e Rr’majit, në formën e një akropoli, e cila u inaugurua e bekua në vitin 1937 nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gasper Thaçi. Unike dhe e pangjashme me ndonjë tjetër vepër në Shqipëri. Ftesa për bashkëpunim me inxhinierin, që mendja ta thotë se vjen nga vetë Fishta, pa mëdyshje është shprehje e egzigjencës (kërkesës) së tij të lartë, e dallueshme në rendin e punëve që ai merr përsipër. Dhe shembujt ilustrues këtu janë të shumtë. Pa u hallakatë shumë, por vetëm në fushë të arteve po të rrimë, na vjen të kujtojmë ofertën bashkëpunuese që e dëshmon piktori Simon Rrota (1887-1961) në kujtimet e veta. I pari piktor shqiptar i lauruar në Akademinë “Brera”. I ri, para se të nisej për studime, Fishta e fton për të bashkëpunuar në skenografinë e shfaqjeve që përgatiste aty në teatrin e françeskanëve. Sigurisht, mbasi kishte pikasë talentin e djaloshit ëndërrimtar. Një përvojë kjo që lë gjurmë te artisti i ardhshëm e që ai i përkujton me veneracion…Punë të përvetçme, pra këto, por edhe bashkëpunuese, me mjeshtra që i çmonte, si konfermë për sipërmarrjen e për produktin e saj. 

Siç është e ditur, Fishta nuk kishte formim skolastik(shkollor) për arkitekturën, përveçse dijeve të përgjithshme për kulturën e artin klasik, që i kishte marrë në ciklet e studimeve të veta teologjike, të filluara që në bankat e mësojtoreve të para të mirëformuara të Shkodres, simotra me ato të Europës e deri në përfundimin e tyre në Livno të Bosnjes. E gjithë ajo çfarë ai intelektualisht prodhoi në këtë fushë është rrjedhë e përftimit autodidakt, të një personi, profili i begatë i të cilit do të shpërfaqej në vijim, shkon në hullinë e  cilsive e dallesave që shfaqen, kryesisht te gjenitë.  “Ndiqëshe kursin e III t’Akademís së pikturës në vjetë 1933- kujton prap At Leoni –kur rá rasa me vizitue muzejt e disa pinakoteka t’Italis’ bashkë me tê; jam bindë si me dijtë ai, pa ndjekë Akademí, me dhanë gjyqe[gjykime], me bâ krahasime aq t’imta ndermjet shkollave të ndryshme, me shijue bukurít e shprehjet e mbrendshme t’artit…Blète libra, riprodukcione arkitekturet e pikturet autorësh me famë…e, nuk e lëshoi kurr doret traktatin e arkitekturës Vignola “. Këmbëngulja e tij në sipërmarrjen krijuese, sikurse edhe në krejt veprimin e vet publik e atdhetar do të shfaqej me të njëjtin temp e nerv edhe këtu. Përposë projekteve konkrete të hartuara e aplikuara prej tij, ai mori përsipër dhe hartoi edhe tekste mësimore të kësaj fushe. Njëri prej tyre është edhe “Permbi pêsë rende t’arkitekturës marë“, projekt tekstor i përgatitur për kurset e shkollës “Ilyricum” ku si bazë për këtë punë, autori shërbehet prej botimeve më serioze të shkollës europiane të arkitekturës, “duke mos e lëshuar asnjiherë doret traktatin Vignola”, vlera dhe rëndësia e të cilit është e njohur mirë prej shkollës së arkitekturës edhe sot. Kurse në kreun e dytë të punimit (Leksikologjië Arkitekturet, kryy i Dytë), radhiten disa terma profesionalë të arkeologjisë, për të cilat sillet kuptimi dhe shqiptimi i tyre në dy gjuhët, shqip dhe italisht. Shembull: Lpizë-cornicione (Lpizë quhet sergjia, qi asht njajo drrasë të shumen e herës e dhenun e qi tuj u endë krees s’murit t’odës, del jashta penit të murit. Cornicione, godië gursh, qi buzës s’pullazit a strehës del jashta pênit t’murit). Ose Kryyth- capitello; Krytraa- architráve; Cirkë-goccia, etj.

E bën këtë, siç edhe vetë pohon nga nevoja për të njësuar kërkesën teorike të njohjes së kësaj terminologjie, por edhe me kuptimin e përdorimin praktik të tyre. Duke ruajt e shfaq atë merakun e tij të gjithhershëm për gjuhën, për shqipen.

“Udobisht [kollaj,lehtësisht] mundet me ndollë qi êmnat e fjalët teknike n’ket veperz, nuk i pergjigjen krykput natyrës s’gjuhës shqype,por megjith kta nuk do t’qiten poshtë e do t’perdorohen dersa nevoja me kohë t’mos ketë xjerrë prej palcit të gjuhës fjalë kryekput shqyptare.  E përkitas me shpjegimin vjen krahasimi elegant, nëpërmjet të cilit del në krye “meraku” për gjuhen shqipe: “Deti, të gjitha njato sende qi nuk bahen nji me natyrë t’tij, a i l’shon n’fund a se, tallaz mbas tallazit, me kohë i qet n’breg. Kshtu asht edhe gjuha; t’tana fjalët, qi nuk pelqejnë me natyrë t’sajë, me kohë i len mas doret…”

Kurse, Kisha e Motrave Stigmatine, “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”, pra projekt autentik, fillim e mbarim i tij, është joshëse edhe sot, pas gati një shekulli, jo vetëm për fasadën, por edhe për elementë të tjerë funksionalë-utilitarë, të detajuar si prej një profesionisti të shkallës së epërme. E kam dëgjuar vite më parë dhe, më vjen për mbarë ta rikujtoj, konsideratën e muzikantit  të njohur shkodran Gjon Shllaku se: salla e atyshme ka akustikën më të mirë prej sallave që gjinden sot në Shkoder e ndoshta edhe në Shqipëri.

C:\Users\User\Desktop\ARKIVI I SHTETIT\F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37\F.200-1942-37-008.jpg
C:\Users\User\Desktop\ARKIVI I SHTETIT\F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37\p.ANTON HARAPI OPERA OMNIA E FISHTES.jpg

Plani i botimit të “Opera Omnia”

C:\Users\User\Desktop\ARKIVI I SHTETIT\Skicë-KUVENDI I GJUHADOLIT.jpg

Skicë e Fishtës: Kuvendi i Gjuhadolit, Shkoder

Filed Under: Politike Tagged With: Frano Kulli

SIMBOLIKA E NJE RRUGE ME EMRIN FAN NOLI

April 11, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Ceremonia për emrin e rrugës Fan Noli ishte manifestim publik i krenarisë kombëtare, i cili mblodhi bashkë organizatorët e nismëtarët me përfaqësuesë zyrtarë, aktivistë, klerikë, drejtues të shoqatave shqiptare dhe bashkëatdhetarë, në South Bronx më 9 prill. Mbase data edhe mund të harrohet një ditë por tabela do mbetet.

Për figura shumëdimensionale si Noli, është e kuptueshme dhe e natyrshme që çdo njëri nga këto grupe dhe të gjithë së bashku të ndiejnë një lidhje të veçantë me të duke përfshirë, politikanë, diplomatë, klerikë, historianë, letrarë dhe artistë.

Organizatori Mark Gjonaj, ishte ai që e bëri propozimin për emrin e rrugës kur ai ishte anëtar i Këshillit bashkiak të qytetit. Përfundimi i këtij projekti në ditën e caktuar kishte shumë rëndësi për të. Meqenëse teknikisht pati një vonesë në instalimin e tabelës, Ornela Beshiri, anëtare e Bordit të Bashkësisë 11, drejtoi prostestën në fund të muajit shkurt për të kërkuar plotësimin e zotimit.

Anëtarja e re e Këshillit Bashkiak, Marjorie Velazquez, tha se e ndjen veten pjesetare të komunitetit shqiptar të lagjes që përfaqëson dhe se do vazhdojë të qendrojë pranë tij në çdo kohë. Për klerikët si edhe besimtarët, Noli dhe Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare janë  një. E tillë është edhe lidhja e tij me Federatën Pan Shqiptare të Amerikës Vatra, si një nga themeluesit e saj. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës dhe se Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij.

Kombi i tij nuk ishte vetëm Shqipëria, sipas vlerësimit të Senatorit të Nju Jorkut dhe Kryetarit të Shumicës në Senatin Amerikan Chuck Schummer. “Noli nuk është vetëm hero i shqiptarëve, por edhe i amerikanëve” sepse ai punoi, u plak dhe prehet këtu, dhe mbi të gjitha sepse ju dha me përkushtim idealeve dhe institucioneve demokratike të Amerikës, u shpreh ai.

Programi i ceremonisë kishte fjalime të shkurtëra dhe përshëndetje nga drejtues të shoqatave, personalitete dhe bashkëatdhetarë shqiptarë amerikanë. Në to si edhe në bisedat e mia me disa pjesëmarrrësit ata shprehën ndjenja të krenarisë kombëtare dhe entuziazëm për këtë manifestim publik.

Emri i një rruge mund të jetë sot veçse një akt simbolik por domethënia e tij është afatgjate. Fan Noli nuk gjindet vetëm në librat e historisë, në albume, arvika, në tekste antologjike dhe ato fetare.

Ai tani është edhe “FAN NOLI Way” – një orientim i pranishëm në hartën e Nju Jorkut.

Organizatori Mark Gjonaj tha se është në përgatitje e sipër ceremonia për rrugën Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Festivalin e Little Italy në Bronx në datën 15 maj.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Rafaela Prifti

Unë jam VLORA!

April 11, 2022 by s p

Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow/

Qysh në fillimin e mandatit të tij të parë qeverisës, Kryeministri e shprehu qartë synimin e tij madhor se Ai nuk dëshiron që të jetë thjesht si çdo lloj politikani tjetër “i zakonshëm” dhe “tranzitor” dhe se vokacionin e brëndshëm e ka në marrdhënie me Historinë, për të mbetur në memorien kolektive si “Ndërtues” dhe “Reformator”.

NE e mbështetëm këtë aspiratë të tij anipse Shqipëria ishte (dhe fatkeqësisht është e lodhur) nga shakaxhinjtë e përparimit, të cilët na kanë premtuar “parajsa me thasë” e “progres me shpejtësi drite” dhe se vendi në gjëndjen ku ndodhet ka realisht nevojë për ndërtim dhe reforma reale për tu mbrothësuar, për të prosperuar dhe për tu futur në familjen e madhe të popujve të qytetëruar.Fatkeqësisht, u zhgënjyem dhe përjetuam pasojën e të njëjtës dileme politike të artikuluar mjeshtërisht nga Karl Popper: “Ja ne zgjodhëm udhëheqës të rinj por kush na garanton që këta të dytët do të jenë më të mirë dhe më të përgjegjshëm se ata të parët?!” Pasoja negative të kësaj zgjedhjeje popullore të cilat i shohim përditë e më tepër në realitetin tonë të përditshëm dhe në çdo fushë të jetës (arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, ekologji, arkitekturë, etj) 

Me besimin e verbër tek Ndryshimi, ne pamë të kalonte përpara syve tanë përsëritja e Historisë me po të njëjtët shkatërrues të zellshëm të Interesit Kombëtar, të cilët i vunë minën edhe asaj pak që kishte mbetur nga krenaria jonë kombëtare; pamë të shëmbej një teatër kombëtar, ti humbte identiteti një stadiumi kombëtar dhe tani së fundmi të grryhet nga themelet dhe të shpërfytyrohet edhe një tjetër shënjë sinjifikative e Kombit, Sheshi i Flamurit. Që prej Antikitetit Greko-Romak, Sheshi ka pasur një domethënie të rëndësishme dhe të dyfishtë; a) Si qëndër e jetës së përbashkët sociale dhe b) Si element i fuqishëm simboliko-politik në të cilin populli shpreh jo vetëm vullnetin e tij politik me pëlqyeshmërinë apo papëlqyeshmërinë e tij kundër Sistemit por edhe përbashkësinë e vet identitare. 

Por mesa duket një lider autokrat, i cili edhe në zgjedhjet e fundit lokale e afirmoi madje edhe simbolikisht qëndërzimin e pushtetit, duke u vendosur në qëndër të rrethit-trëndafil (podiumit të dizenjuar nga vet AI) teksa u propogandonte Masave, nuk do që t’ia dijë për rëndësinë identitare të vlerave kolektive që ky Shesh përfaqëson dhe bëri në emër të “ripërtëritjes urbane” atë që asnjë udhëheqës tjetër “i zakonshëm” apo “tranzitor” nuk guxoi që ta bënte; vuri barbarisht dorën mbi Sheshin e Flamurit.Por ky akt i pashembullt politik i nxitur nga inatet politike, makutëria dhe interesat pragmatike të momentit nuk është thjesht një akt barbar ndaj një perle në unazën e Zotit siç është edhe Qyteti i Vlorës por një atentat i hapur ndaj Shpirtit Kombëtar! 

Për këtë akt vandal dhe shumë akte të tjera që ai ka kryer në dëm të shqiptarëve dhe interesit kombëtar, si një intelektual publik ngre zërin tim hapur dhe e akuzoj! Sot unë jam Vlora! E përtej të qënit i majtë apo i djathtë unë jam SHQIPTAR! Dhe ai Shesh, si simbol i Pavarsisë, si Frymw e Shqiponjws dhe e unitetit kombëtar përfaqëson Shqipërinë në të katër anët e saj dhe çdo shqiptar të mirë e fisnik pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Por fatkeqësisht politikanët tanë e duan Sheshin e Flamurit vetëm për foton e 28-Nëntorit dhe patriotizmës së shtirur, për hir të profesionit të tyre të vjetër dhe shoqërisë së spektaklit…Për të tjerat, nuk ka kurrëfarë rëndësie për ta. Për tu rikthyer edhe njëherë tek aspirata e Fillimit dhe marrdhënia me Historinë; meqë je piktor dhe politikan me kohë të plotë më lejo që të kujtoj piktorin e madh nga Venecia, Tiziano Vecellio: “Në fund, Historia do ti jap hisen që i takon gjithësecilit prej nesh!” Dhe ndryshe nga “historianët partizanë” dhe “skribët e Pushtetit” që e sakatojnë të Vërtetën, Historia, Bija e Kohës dhe e Kujtesës Njerëzore do të tregohet po aq e pamëshirëshme!

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT