• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës – 9 Prilli në 14 vjet Pavarësi

April 10, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Prill  2022/ Kosova në 23 vjet Liri e 14 Pavarësi shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 14 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Mesazhi i dërguar sot i Presidentes kosovare Vjosa Osmani me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës është ky:

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë. 

Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. 

Urime Dita e Kushtetutës!”


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të Ditës së Kushtetutës, sot priti në takim një grup studentësh nga fusha e të Drejtës Kushtetuese të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të shoqëruar nga dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka.

Në takim është diskutuar për rëndësinë e Kushtetutës dhe zbatimit të saj. Për më tepër, u diskutua për nevojën dhe rëndësinë e profesionistëve të së Drejtës Kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi se procesi i hartimit të Kushtetutës është një ndër proceset më të rëndësishme që ka ndikuar në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

Më tej, Presidentja Osmani ftoi që diskutimet për rëndësinë e Kushtetutës të jenë të vazhdueshme dhe të mos zhvillohen vetëm me përfaqësuesit institucional, por edhe me qytetarët…

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.


“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

 Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.


Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 14 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 14 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 33 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para katër vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë Presidenti Hashim Thaçi.

Katërmbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 23 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.

 ***

Raportim që bëja  për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  para 14 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.
Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti  Sejdiu.
”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.
Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kryeministri  Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. 
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.
“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.
“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.
”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
a.jor.

Filed Under: Emigracion

TOMË MRIJAJ NJË JETË NË SHËRBIM TË NACIONALIZMIT, HUMANIZMIT DHE KULTURËS SHQIPTARE

April 10, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Dje, në orët e pasditës nga edituesi i librit z. Nue Oroshi kam pranuar disa kopje të librit të titulluar: “TOMË MRIJAJ NJË JETË NË SHËRBIM TË NACIONALIZMIT, HUMANIZMIT DHE KULTURËS SHQIPTARE”. Ndaj nga këndveshtrimi im shfrytëzoj rastin ta përgëzoj edituesin e librit, z. Nue Oroshin, kryetar i forumit të intelektualëve “Trojeve të Arbrit” për punën dhe përmbledhjën e opinioneve nga studiuesit tjerë. Për librin “TOMË MRIJAJ NJË JETË NË SHËRBIM TË NACIONALIZMIT, HUMANIZMIT DHE KULTURËS SHQIPTARE” kanë reflektuar edhe shumë studiues të tjerë pikërisht janë ata të cilët e kanë begatuar librin në fjalë në dedikim studiuesit, hulumtuesit dhe humanistit lugdrinas, z. Tomë Mrijaj. Lugdrinasi, z. Tomë Mrijaj për afro pesë decenie vepron në Amerikë i cili qe ne fillim ishte anëtarë i kryesisë së Vatres e me vonë Sekretar i Lidhjes së III të Prizrenit njëkohësisht qe nga themelimi është anëtarë i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro – Amerikanë si dhe anëtarë i ngushtë e bashkëthemelues (me mrs.sci. Nue Oroshin e prof. Dr. Muhamet Shatrin) i Shoqatës “Trojet e Arbrit”. Z. Tomë Mrijaj, ende edhe sot është aktiv në të gjitha sferat kulturore, kombëtare dhe merr pjesë në shumë simpoziume shkencore e promovime librash brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut.

PËRMBAJTJA E LIBRIT:

SHËNIMI HYRËS: Nue OROSHI: VLERA E ATDHETARIT TË MIRËFILLTË NUK MVARET ME FJALËT QË FLET POR ME PUNËT QË I BËN

-KREU I-

-TOMË MRIJAJ NË FOKUSIN E STUDIUESVE

Prof. dr. Muhamet SHATRI, Instituti i Historisë së Kosovës: NDERIM PËR EMRIN DHE VEPRAT E MIKUT TIM TË SHTRENJTË, TOMË MRIJAJ

Prend BUZHALA: TOMË MRIJAJ,NJË PROFIL I JETËS DHE I SHKRIMIT

Eugjen MERLIKA: TOMË MRIJAJ – PUBLIÇISTI I SHQIPËRISË ALTERNATIVE

Klajd KAPINOVA: TOMË MRIJAJ – VEPRIMTAR, INTELEKTUAL DHE STUDIUES I APASIONUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE NË AMERIKË

Bianka GJOMARKAJ: TOMË MRIJAJ MIKU MË I MIRË DHE MË I BESUESHËM I
DERËS SË KAPIDANIT TË MIRDITËS

Mërgim KORÇA: PAK INFORMACION SHOQATËS ” TROJET E ARBRIT ” SA DIJ UNË RRETH Z. TOMË MRIJAJ ATDHETARIT TË MADH KOMBËTAR SI DHE AKTIVISTIT TË PASHOQ TË SHOQATËS NË

Prof.dr. Riza SADIKU: SI E NJOHA TOMË MRIJAJN ?

Msc.Kristinë: OROSHI TË JETOSH ME VENDLINDJEN EDHE KUR NUK JE FIZIKISHT ATY

Dr.sc.Ermelinda KASHAH:MENDIMI IM PËR STUDIUESIN TOMË MRIJAJ

Dr.sc.Besim MORINA: TOMË MRIJAJ PËR AFËR DY DEKADA NË PËRKRAHJE TË SHOQATËS “TROJET E ARBERIT”

Pal CANAJ: TOMË MRIJAJ NJË FIGURË ME VEPRIMTARI TË SHUMËANSHME

Sadri MORINA: TOMËN E KISHA SHOK DHE MIK TË IDEALIT KOMBËTAR

Beqir SINA – New York: TOMË MRIJAJ NGA “TROJET E ARBRIT” NË AMERIKË,NJË JETË ME PATRIOT E ATDHETAR QË MBAJTËN NDEZUR FLAKËN E SHQIPTARIZMËS

Selman ETEMI: TOMË MRIJAJ INTELEKTUAL E NACIONALIST I DËSHMUAR

Prof Isuf BAJRAKTARI: NJOHJA IME ME TOMË MRIJAJN

Pjetër NIKOLLA: LUGDRINASI TOMË MRIJAJ FIGURË E SHQUAR INTELEKTUALE NË MËRGATËN AMERIKANE

Astrit TOTA, Skenograf: AKTIVISTI DHE PUBLICISTI I SHQUAR TOMË MRIJAJ NË NEW YORK

Avni I.BILALLI: TOMË MRIJAJ FIGURË E NDRITSHME E MËRGATËS TEJ OQEANIKE

Mr.sc.Rezehana HYSA: SI E NJOHA TOMË MRIJAJ

Prend Gjokë PRENDI; DY FJALË MIRËNJOHJE TË MERITUARA NGA FAMILJA E MONS.DR. ZEF OROSHIT (ÇOKUT) PËR Z. TOMË MRIJAJ

Ma.sc.Leonora LAÇI: NË VEND TË MIRËNJOHJES

Lekë MRIJAJ: HISTORIANI, PUBLICISTI DHE ATDHETARI TOMË MRIJAJ I TAKON PLEJADËS SË KRIJUESVE MODERN

Mikel GOJANI: ODA E TOMË MRIJAJT U SHËNDRRUA NË VATËR TË AKTIVITETEVE POLITIKE, KULTURORE DHE ATDHETARE

Loreta L. MRIJAJ: ODAT SHQIPTARE DHE ROLI I TYRE NË LËVIZJEN PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS



Mr.sc.Nue OROSHI: TOMË MRIJAJ, 44-VJET FIZIKISHT NË MËRGIM, POR ME SHPIRT E ZEMËR, JETON NË NË SHQIPËRINË ETNIKE

-KREU II-

RECENZIONE DHE ANALIZA PËR LIBRAT E BOTUARA TË TOMË MRIJAJT

Eugjen MERLIKA: FAMILJA SHQIPTARE NË SHEKUJ

Mërgim KORÇA : KONSIDERATA RRETH VËLLIMIT SHKRUAR NGA MIKU PERSONAL I MONSINIOR ZEF OROSHIT, ANALISTI TOMË MRIJAJ

Prof.dr.Riza SADIKU: VEPËR ME VLERA TË VEÇANTA KOMBËTARE DHE FETARE

Prend BUZHALA: DUKE E LEXUAR LIBRIN ” MONSINIOR DR. ZEF OROSHI, NJË JETË E SHKRIRË PËR FE E ATDHE”– JETËSHKRIM

Mentor QUKU: PARATHËNIE MBI LIBRIN NDRE MJEDA VEPRAT

Mikel GOJANI: BESIMIN NË ZOTIN DHE NDJENJËN KOMBËTARE PASQYRIMI I NJË FIGURE QË KA MBAJTUR GJALLË NDJENJËN SHQIPTARE

Avni I.BILALLI: MARIJE SHLLAKU –VAJZA SHKODRANE QÊ NË VEND TË
NUSËRISË ZGJODHI FLIJIMIN PËR KOSOVËN

Eleonora GJOKA: TOMË MRIJAJ GDHEND NË MERMER VIGANËT E KULTURËS SHQIPTARE

Klajd KAPINOVA: MONS.DR.ZEF OROSHI NË LOGUN E KUVENDIT DHE TË TJERËT PËR JETËN DHE VEPRIMTARINË E TIJ

Bep KUQANI: HOMAZH PËR MONSINIOR DR. ZEF OROSHIN

Ma.sc.Leonora LAÇI: DON ANTON KÇIRA, AMBASADORI I SHQIPTARËVE NË SHBA

Shefqet DIBRANI: ISMET BERISHA – PERSONALITET I SHQUAR QË KA NDIKUAR NË ZHVILLIMET POLITIKE TË KOHËS

Lekë MRIJAJ: LIBRI PËR NDERIN E KISHËS, E TË KOMBIT “DON ANTON KÇIRA NË JUBILEUN E 50-VJETORIT TË MESHTARISË”

-KREU III-

PESHA E FJALËS (INTERVISTAT E TOMË MRIJAJT NË SHTYPIN E KOHËS)

Entela BINJAKU: TOMË MRIJAJ NJË JETË NË SHËRBIM TË NACIONALIZMIT DHE KULTURËS SHQIPTARE

Beqir SINAJ: LISA MRIJAJ, MERR MANDATIN E DYTË E PËR SHEFE STAFI NË BASHKINË YONKERS – NEW YORK

Mikel GOJANI: ËSHTË E DHIMBSHME TË SHIKOSH MONUMENTIN E PROFESOR ANTON ÇETTËS QË PREJ SHUMË VITËSH QËNDRON NË OBORRIN E SKULPTORIT 

Leonora LAÇI: KUJTIME: SI E NJOHA KOLONEL XHEMAL LAÇIN (1912-1994)

Klajd KAPINOVA: MONS.DR.ZEF OROSHI NË LOGUN E KUVENDIT DHE TË TJERËT PËR JETËN DHE VEPRIMTARINË E TIJ

FOTO ALBUMI

Libri përfshin gjithsejt 315 faqe dhe ka një pergaditje kualitative teknike. Është Shtypur në Shtypshkronjen “Berati” Prizren. Katalogimi në botim – (CIP) Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. 

Krejt në fund edituesit në fjalë dhe reflektuesve tjerë të librit i uroj suksese dhe gjithë të mirat ndërsa subjektit të librit-Tomë Mrijajt i deshiroj shëndet dhe reflektime tjera të reja në kuadër të kauzës së gjithmbarshme kombëtare, kulturore e njerëzore. Gëzuar!!!

Filed Under: LETERSI

FAN NOLI BASHKON SHQIPTARËT NË NJU JORK – PA DALLIM KRAHINE A FEJE

April 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Fjala në ceremoninë e emërimit të një rruge në Nju Jork, me emrin Fan Noli –

Përshëndetje dhe mirëdita të gjithëve…

Jemi mbledhur këtu sot si individë dhe si komunitet për të kujtuar një burrë të madh të Kombit shqiptar. “Nji ndër njerëzit ma të mëdhej që ka lindur fisi arbnuer. Poet letrar, fletorar, orator, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznisë vigane të Rilindjes së Kombit, për të cilin u përpoq sa mujti, me vepër e shkrim”.  Kështu është shprehur Ernest Koliqi, një tjetër i madh i Kombit, në një shkrim të gjatë  botuar në revistën Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit, në Mars të vitit 1965. 

Nuk jemi këtu që si individë të mburremi me pjesëmarrjen tonë. Jemi këtu sot të bashkuar rreth Fan Nolit për të nderuar këte burrë të Shqiptarisë.  Jemi këtu si shqiptaro-amerikanë, por me origjinë vijmë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare. 


Noli na ka mbledhur sot këtu nga Vërmoshi e deri në Gjirokastër. Nga Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nga Çamëria martire. Korçarë e labë, mund të ketë edhe arbëresh. Për besë ka edhe shumë malësorë të veriut e të jugut dhe shqiptarë të fushave nga e gjithë shqiptaria.  Mesazhi është i qartë! Jemi këtu nga të gjitha anët, ortodoksë, myslimanë e katolikë, nga qytetet dhe fshatrat e mbarë trojeve shqiptare, pa dallim dhe pa urrejtje për të nderuar një klerik të lartë të fesë orotodokse shqiptare, por mbi të gjitha një shqiptar të madh. 

Në të vërtetë, nismëtari, promovuesi dhe arkitekti i këtij projekti përbashkues kombëtar dhe i shumë arritjeve të tjera në komunitetin tonë gjatë viteve, është shqiptaro-amerikani katolik nga veriu, i lindur jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë, politikani dhe aktivisti i palodhshëm i çeshtjeve shqiptare, shqiptaro-amerikani dhe bashkvendasi im, Z. Mark Gjonaj, i njohur tashti, i botës shqiptare. Thank you Mark for working so hard to make this and other projects for the Albanian-American community a reality and for getting us all together today to celebrate this moment. Thank you! 

Falënderimet gjithashtu i shkojnë edhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra për ndihmesën e dhënë në organizimin e këtij celebrimi, në nder të themeluesit të saj, Fan Nolit. 

Jemi këtu, pra për të  kujtuar dhe për të nderuar Fan Nolin dhe veprën e tij në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshir edhe rolin që ka luajtur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – një trashëgimi kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite në radhët e këtij komuniteti. “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli, 1917


Prandaj, ia vlen të përmendet fakti se kjo ceremoni po zhvillohet këtë vit — siç duket në koincidencë — me 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, se Fan Noli ishte njëri prej mbështetësve dhe promovuesve më të fortë të këtyre lidhjeve, midis dy popujve tanë. 

Jemi këtu për të nderuar Fan Nolin, natyrisht, por jemi të gjithë së bashku, se kështu na e kërkon ndërgjegja, na e kërkon dashuria për njëri tjetrin, si shqiptarë të një gjaku, gjuhe e kulture, dhe si shtetas të lirë të Atdheut tonë të adaptuar — Amerikës.  Natyrisht, na detyron edhe dashuria për trojet tona që po zbrazen, fatkeqsisht, dita ditës, por edhe për të ndarë me njëri tjetrin shqetësimet për gjendjen në trojet tona të përbashkëta, sidomos konfliktet e fund midis faktorëve politikë. Mesazhi i Nolit sot për gjithë shqiptarët, por sidomos për ata në vendlindje, do ishte: “O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” (Noli).

Por, më në fund dhe më me rëndësi, jemi këtu për të celebruar Amerikën tonë të dashur dhe lirinë që gëzojmë dhe që na mundëson ky vend-planet, që në liri dhe pa paragjykime, të nderojmë heronjët dhe të dalluarit e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, siç është Fan Noli, pa dallim e pa urrejtje krahinore, fetare ose politike prej askujt — përfshir autoritetet qveritare – por as ndaj njëri tjetrit, as ndaj të tjerëve.

Për 100 vjet Amerika, që nga koha e takimit historik të Nolit me Presidentin Wilson e këndej, iu gjend pranë Kombit shqiptar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, duke na dhënë dorën dhe ndihmën kur kishim nevojë në mbrojtje të interesave tona këtu por edhe mbështetjen e pazevëndësueshme ndaj bashk- vëllëzerve tanë matanë oqeanit.  Është një histori e gjatë kjo përpjekjesh ç’prej kohës së Nolit e Konicës, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi në fillim të shekullit të kaluar e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, në fillim të këtij shekulli. 

Ndihmat materiale, mbështetja diplomatike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qenë kurrë të kushtëzuara ndaj një individi ose partie politike, por bazuar në bindjen dhe besimin e fortë se — megjithë dallimet që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve — për arsye historike dhe politike — të gjithë shqiptarët pa dallim, gjithmonë janë shprehur, historikisht, (me përjashtim të regjimit të djallëzuar komunist të Enver Hoxhës), se janë një dhe të pandarë në një miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan — i vjetër dhe i ri — i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, shpërblehet sot.  Urimet e mia! 

Frank Shkreli

                             

Të nderuar me praninë e e udhëheqsit të shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Senatorin nga Nju Jorku, Z. Chuck Schumer dhe me diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori  pranë OKB-së në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha

                     

                                              Kontinngjenti “Iliria”i Policisë së Nju Jorkut

A group of people standing outside

Description automatically generated with medium confidence

   Me klerikët e Kishës Orthodokse – të themeluar nga Peshkop Fan Noli

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

Rruga Fan Noli në Bronx do të ndrijë përjetësisht

April 10, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Burri që çuditi dhenë,

Kur me Wilson u takua,

Bisedoi për Mëmëdhenë,

Dhe e mbrojti si fajkua.

Vij pranë rrugës së Fan Nolit,

Në Bronx ku u shkruajt historia,

Në gjunjë i bie Gjergj Kastriotit,

Dhe Flamurit sa Shqipëria.

Diaspora Shqiptaro Amerikane përjetoi sot një ditë historike në Bronx të Nju Jorkut. Një rrugë në Morris Park të Bronx-it në New York iu vendos emri i burrit të ndritur të Kombit: “Fan Noli”!  Kjo rrugë me këtë emër të madh u realizua nën kujdesin e posacëm të z.Mark Gjonaj “Nder I Kombit” ish këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut ne bashkëpunim të ngushtë me Federatën Panshqiptare “Vatra” ku një ndër themeluesit e saj ka qenë vetë Fan Noli.  

Aktivitetin e moderoi Dr. Pashko Camaj aktivist i mirënjohur dhe anëtar kryesie i Vatrës.  Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë personalitete të shquara si Senatori Amerikan, Udhëheqës i shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara Chuck Shumer, Ambasadore Floreta Faber, Washington DC, Ambasadori Ferit Hoxha prane UN, z.Vedat Gashi kandidat per në Kongresin Amerikan, Ansambleisti Michael Benedetto etj.  

Në përshëndetjen e tij z.Elmi Berisha kryetar i Vatrës me plot krenari tha midis të tjerash se: “Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale”.  

Z.Mark Gjonaj politikan i palodhur për çështjen kombëtare tha se kjo ditë është e bekuar sepse i vumë emrin një rruge në Bronx, emrin e një udhëhqësi të pashoq për kombin Shqiptar si Fan Noli.  

Senatori Chuck Shumer midis të tjerash tha se: “Fan Noli nuk është vetëm heroi i shqiptarëve, por dhe i Amerikës, sepse ai punoi dhe luftoi për Lirinë e shqiptarëve.  

Ndërsa dëgjoja Chuck Shumer që fliste me aq simpati për Fan Nolin nëpërmjet vidiove live (direkt) në mendje më vinte takimi i Nolit me presidentin amerikan Wilson që ishte një fat i madh për Shqipërinë.  Noli në kujtimet e tij shkruan: 

“Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, e ai ishte emri i Presidentit Wilson”.

“Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, Lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”.

Dita e sotme ishte me nje aktivtet te larmishëm me këngë e valle të traditës së mrekullueshme shqiptare.  Me plot krenari morën pjesë në këtë aktivitet dhe performuan këngën hymn: Gjuha Shqipe, Gjuha jonë dhe Vallen e Pavarësisë së Kosovës Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara dhe koordinatoreve si: Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, Majlinda Tafaj, Mirvete Krasniqi Veselaj, Fatbardha Shiqerukaj, Davida Hasanaj, Alda Hoxhaj. 

TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë aktivitet të rëndësishëm si dhe disa interivsta të realizuara nga zonjusha simpatike Kendra Duli.   

9 prill, 2022

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Grafomani publik dhe mjerë ju që e keni

April 10, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Publikisht u thotë shqiptarëve se, kanabisi do legalizohet pasi duan shqiptarët. Pastaj po publikisht u thotë po shqiptarëve se, presidenti nuk mund të zgjidhet nga populli pasi unë jam kundër kësaj ideje. Ndërkohë kërcënon po publikisht Spak-un përse nuk arreston Sali Berishën kur ai ka prova dhe se po t’ia kërkojnë prokurorët ai është gati t’ua dorëzoj ato… Ndërkaq po publikisht kërcënon të vetët se askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia dhe se përgjëgjesia është personale. Me një fjalë, kushdo rreth tij që vjedh ka përgjegjësi personale. Që dmth, qoftë ky ministër a drejtor dikasteri, qoftë ky administrator a shpërndarës fondesh, ka bërë gjithçka me kokë të vet dhe jo me atë të shefit. E gjithë kjo zigzage nuk është asgjë tjetër por absurdideti i një kryeministri të dështuar. Le t’i marrim me radhë për të kuptuar se sa mashtrues është, sa grafoman dhe mjerë shqiptarët se kush u ka rënë për pjesë. 1) Nëse duhet vërtetë që kanabisi të legalizohet, dakort, veç bë apo mbaj një referendum me votë. Jo me programe kompjuterike ku vota as nuk shihet, as nuk lexohet, as nuk tregon realitetin. Verdikti qytetar nuk del përmes pyetësoreve apo programeve këshilluese etj., midis koridoreve të qeverisë dhe qytetarit virtual, por përmes referendumit. Kjo është metoda më demokratike dhe kaq. 2) Për presidentin, këtë pozitë kushtetuese komplet të dështuar deri më sot, nga mënyra se si zgjidhet, nuk ka rëndësi nëse duan apo ajo shqiptarët. Ky zgafello është totalisht kundër. Për kanabisin gjoja po i pyet shqiptarët, për presidentin as që e merr mundimin, pasi ky është kundërt. Pra nuk rëndësi se çfarë thonë shqiptarët kur ky nuk do. Demokracia, është forca e demosit, e popullit, kësisoj ky po dëshmon se është ky, jo populli. 3) Sot kërcënon publikisht Spakun…? Dhe a e dini përse? Pavarsisht se po publikisht hiqet se është pro arrestimeve të kastës së tij, po publikisht dëshmon edhe një nervozizëm karshi prokurorëve. Duket ndonjëri prej të arrestuarve ka lëshuar gojën. Ose ka zgjedhur të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo ka domethënien se shakaxhiu i përparimit ka humbur besueshmërinë tek drejtësia që ai po reklamon si reformën e tij dhe kaq jetike për shqiptarët. 4) Po ta vini re, në këto show-t e tij publike me metoda one man rules, (një burr ivetëm qeveris)  a këto kongrese kashte, publikon emra me vulën se janë më të mirët. Kur kapen nga drejtësia, ai, nuk ka asnjë përgjegjësi. Megjithëse në politikë, përgjegjësia është totalisht e këtij lloj njëshi, pasi  është pikërisht ai që zgjedh dhe jo forumet. 5) Kur thotë publikisht se ka prova dhe se po t’ia kërkojnë prokurorët është gati t’ua japi, pra provat për kokat e krimit, bën atë gabimin trashanik të bylmezes, e gjen vet rrugën për të rënë në gropë. E thjeshtë fare, kur nuk denoncon në organet e ligjit ai, shefi i qeverisë, çfarë prisni nga një qytetar i thjeshtë. Por ai nuk e bën pasi është veprim taktik, është propogandë. Larje duarsh nga gjithçka. Me një fjalë, ky nuk mban përgjegjësi për asgjë, sikur edhe gjithë vendi të digjet, ky nuk ka asnjë përgjegjësi. Kur në fakt duhet arrestuar në vend. Thjesht për vepren penale minimale, mos kallëzimin tek organet përkatëse.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT